Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [E. Rev. 81/2021] të 8 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI76/23

Parashtruesit: Suva Rechtsabteillung

Shkarko:

Prishtinë,​​ më​​ 27 maj 2024

Nr. ref.:​​ RK 2430/24

 

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI ​​ 

 

 

rastin nr.​​ KI76/23

 

Parashtrues

 

“Suva Rechtsabteillung”

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së ​​ Aktgjykimit​​ [E.​​ Rev.​​ 81/2021]​​ 

​​ 8 dhjetorit​​ 2022​​ të Gjykatës Supreme të Republikës​​ ​​ Kosovës

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare​​ 

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar​​  

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare​​ 

Safet Hoxha, gjyqtar​​ 

Radomir Laban, gjyqtar​​ 

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare​​ 

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar

Enver Peci, gjyqtar dhe​​ 

Jeton Bytyqi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi​​ i​​ kërkesës

 

  • Kërkesa është​​ parashtruar nga kompania e sigurimeve “Suva Rechtsabteillung”,​​ me seli në Lucern të Zvicrës, e përfaqësuar nga ICS Assistance SH.P.K., përmes Besnik Z. Nikqit, avokat nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).

 

 

 

Vendimi i kontestuar

  • Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [E. Rev. nr.​​ 81/2021] të 8 dhjetorit​​ 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme)​​ në lidhje me Aktgjykimin [Ae. nr.​​ 96/2021] të 16 tetorit 2021 të Gjykatës së​​ Apelit të Republikës së​​ Kosovës (në tekstin mëtejmë: Gjykata e Apelit),​​ si dhe Aktgjykimin [III. EK. nr. 319/2014] të 20 nëntorit 2017 të Departamentit për Çështje Ekonomike të Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).​​ 

 

  • Aktgjykimi​​ [E. Rev. nr. 81/2021] i​​ Gjykatës Supreme​​ i 8 dhjetorit​​ 2022​​ i është dorëzuar​​ parashtruesit të​​ kërkesës​​ më​​ 11 janar 2023.​​ 

 

Objekti i çështjes

 

  • Objekt​​ i çështjes​​ është vlerësimi​​ i​​ kushtetutshmërisë i Aktgjykimit​​ [E.​​ Rev.​​ nr.​​ 81/2021]​​ të​​ 8 dhjetorit​​ 2022,​​ përmes të cilit​​ pretendohet se​​ parashtruesit të kërkesës i​​ janë shkelur​​ të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me​​ nenin​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]​​ të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta)​​ në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në​​ tekstin e mëtejmë: KEDNj).

 

Baza juridike

 

  • Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr.​​ 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

  • Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në​​ fuqi 15 ditë pas publikimit të​​ saj. Rrjedhimisht,​​ gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform​​ rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  • Më​​ 4 prill​​ 2023,​​ parashtruesi i​​ kërkesës e dorëzoi kërkesën​​ në​​ Gjykatën​​ Kushtetuese​​ të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).​​ ​​ 

 

  • ​​ 13 prill​​ 2023, Kryetarja​​ e Gjykatës​​ përmes Vendimit​​ [nr.​​ GJR.​​ KI76/23], caktoi​​ gjyqtaren​​ Selvete Gërxhaliu-Krasniqi​​ gjyqtare​​ raportuese​​ dhe​​ përmes Vendimit​​ [nr.​​ KSH.​​ KI76/23] Kolegjin shqyrtues,​​ ​​ përbërë​​ nga gjyqtarët:​​ Gresa Caka-Nimani​​ (kryesuese),​​ Bajram Ljatifi​​ dhe​​ Safet Hoxha, anëtarë.​​ ​​ 

 

  • Më​​ 25​​ shkurt​​ 2023,​​ Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në po të njëjtën ditë, Gjykata e njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe i dërgoi një kopje të saj.

 

  • Më 25 prill 2023, Gjykata njoftoi Kompaninë e Sigurimeve​​ “EUROSIG”​​ për regjistrimin e kërkesës.

 

  • Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.

 

  • ​​ 30 prill​​ 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhja e fakteve​​ ​​ rastit

 

  • Parashtruesi i kërkesës paraqet kërkesë për herë të​​ 8 (tetë)​​ në Gjykatë,​​ kërkesat​​ ​​ e mëparshme nuk​​ janë të njëjta me kërkesën aktuale.​​ 

 

  • Më 10 mars 2012,​​ H.​​ H., e siguruara e​​ parashtruesit të​​ kërkesës​​ si pasagjere në veturën që po drejtohej nga A.​​ L., i siguruar nga Kompania e Sigurimeve “Eurosig,​​ kishte pësuar lëndime në​​ një aksident komunikacioni, i cili fillimisht pretendohej se ishte​​ shkaktuar nga një person i siguruar nga Kompania e Sigurimeve “Eurosig” me seli në Prishtinë. E siguruara e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht, H.​​ H.,​​ ishte kompensuar nga parashtruesi i kërkesës në shumën prej​​ 37,045.50 CHF,​​ në emër të​​ “trajtimit mjekësor dhe kompensimit,​​ për shkak të paaftësisë në​​ ​​ punë”.

 

  • Kontestuese përgjatë gjithë procesit​​ gjyqësor​​ ishte çështja e përgjegjësisë​​ për shkaktimin e​​ dëmit, pasi që​​ paditësi, përkatësisht parashtruesi i kërkesës​​ pretendon në​​ përgjegjësinë​​ e të​​ siguruarit​​ e të​​ paditurës, përkatësisht tek A.​​ L.,​​ duke mbështetur pretendimet e tij se i njëjti ka përgjegjësi solidare në​​ raport me të​​ lënduarën​​ H.​​ H., por e paditura, përkatësisht Kompania e Sigurimeve “Eurosig” e ka kontestuar këtë pretendim përgjatë gjithë procesit gjyqësor,​​ me arsyetimin se i siguruari i saj A.​​ L., nuk ishte fajtor në​​ shkaktimin e aksidentit të 10 marsit 2012.​​ 

 

  • ​​ 21 maj 2014,​​ duke marrë​​ parasysh që çështja e subrogimit nuk ishte zgjidhur,​​ parashtruesi i kërkesës​​ parashtroi​​ padi në​​ Gjykatën Themelore duke kërkuar kompensim dëmi në emër të regresit, fillimisht​​ në shumën prej 46, 560.30 euro me kamatë ligjore prej 12%​​ (dymbëdhjetë për qind)​​ e pas precizimit të kërkesëpadisë, kërkoi kompensimin e dëmit në vlerë prej 32, 273. 11 euro,​​ duke filluar nga 26 shtatori 2012 e deri në​​ pagesën definitive, si dhe shpenzimet e​​ procedurës​​ kontestimore.​​ Kompania e​​ Sigurimeve “Eurosig”​​ kishte paraqitur​​ përgjigje​​ në padi, përmes së​​ cilës kundërshton në​​ tërësi bazën juridike të​​ kërkesëpadisë​​ me arsyetimin se​​ aksidenti i trafikut nuk​​ ishte​​ shkaktuar me fajin e të​​ siguruarit të​​ saj, përkatësisht nga personi​​ A.​​ L., por me fajin e një​​ personi tjetër E.​​ D., i cili ishte duke drejtuar veturën tjetër të​​ paregjistruar, prandaj edhe e kontestoi legjitimitetin e saj pasiv.​​ 

 

  • Më​​ 20 nëntor 2017, Gjykata Themelore​​ nëpërmjet​​ Aktgjykimit [III. EK. nr.319/14],​​ duke u bazuar në nenin 178 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit​​ 1978​​ (në​​ tekstin e mëtejmë: LMD)​​ e kishte refuzuar në​​ tërësi kërkesëpadinë​​ e parashtruesit të​​ kërkesës, me arsyetimin se në​​ aksidentin​​ e 10 marsit 2012,​​ lëndimet e shkaktuara tek ​​ e siguruara​​ H.​​ H.​​ e parashtruesit të kërkesës​​ ishin shkaktuar me fajin e personit E.​​ D.,​​ që​​ ishte duke drejtuar veturën tjetër​​ dhe jo të​​ personit A.​​ L.,​​ që​​ ishte​​ duke e drejtuar veturën në​​ të​​ cilën gjendej e siguruara e parashtruesit të kërkesës​​ H.​​ H.,​​ dhe rrjedhimisht​​ konsideroi se​​ Kompania e​​ Sigurimeve​​ “Eurosig”​​ nuk kishte përgjegjësi për shpërblimin e dëmit nga ky rast i siguruar.​​ Ndër të tjera, Gjykata Themelore arsyetoi:​​ Andaj,​​ mbi këtë bazë​​ Gjykata ka gjetur​​ se kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar pasi që​​ e paditura,​​ respektivisht i siguruari i të​​ paditurës nuk është përgjegjëse për shkaktimin e aksidentit po është automjeti i paregjistruar i drejtuar nga E.D.,, andaj gjykata vendosi si në dispozitiv të​​ tij aktgjykimi”.

 

 

  • Më 20 dhjetor 2017,​​ parashtruesi​​ i kërkesës paraqiti​​ ankesë​​ në Gjykatën e Apelit​​ kundër​​ aktgjykimit të lartcekur​​ të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që​​ aktgjykimi i kontestuar të ndryshohet​​ në favor të parashtruesit të kërkesës,​​ si dhe të​​ detyrohet​​ Kompania e sigurimeve “Eurosig” të paguaj kamatëvonesën në afat prej 7 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë se aktgjykimit, nën kërcënim të​​ përmbarimit të dhunshëm dhe shpenzimet​​ e​​ kontestit në shumën prej 6.639,20 euro.​​ Ndër të tjera, parashtruesi i kërkesës pretendonte moszbatim të duhur të​​ paragrafit​​ 4​​ ​​ nenit 178 të LMD-së.​​ 

 

  • ​​ 3 qershor​​ 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit​​ [Ae. nr. 13/2018]​​ aprovoi​​ ankesën e parashtruesit të​​ kërkesës dhe lëndën e ktheu​​ në rigjykim.​​ 

 

(Procedura e rigjykimit)​​ 

 

  • Më​​ 26 mars 2021, Gjykata Themelore​​ në procedurën e rigjykimit​​ nxori Aktgjykimin [III.​​ EK. nr.​​ 292/20] përmes të​​ cilit​​ duke u bazuar në paragrafin 2 të nenit 154​​ (Bazat e përgjegjësisë),​​ paragrafin 4 të nenit 178​​ (Përgjegjësia në rast aksidenti të shkaktuar nga automjetet në lëvizje), nenin​​ 195​​ (Kompensimi i dëmit në rast të lezionimit trupor ​​ ose të prishjes së shëndetit), nenin​​ 300​​ (Subrogimi ligjor),​​ duke përfshirë edhe nenin​​ 939​​ (Kalimi i të Drejtave të Siguruarit ndaj Personit Përgjegjës në Siguruesin (subrogimi)​​ të LMD-së:​​ (i)​​ aprovoi në​​ tërësi kërkesëpadinë​​ e parashtruesit të​​ kërkesës;​​ (ii)​​ detyroi Kompaninë​​ e Sigurimeve “Eurosig” që​​ t’ia paguaj kompensimin e dëmit në​​ emër të​​ regresit për shpenzimet e trajtimit mjekësor dhe kompensimin për paaftësi për punë​​ gjatë​​ mjekimit të​​ siguruarës së​​ parashtruesit të​​ kërkesës për aksidentin e 10 marsit 2012, në​​ shumën prej 33,466.77​​ ​​ me kamatë​​ në​​ lartësi vjetore sipas mjeteve të​​ deponuara në​​ bankë​​ mbi një​​ vit pa destinim të​​ caktuar, duke llogaritur nga 26 shtatori​​ 2012 e deri në​​ pagesën definitive; si dhe​​ (iii)​​ detyroi Kompaninë​​ e Sigurimeve “Eurosig” që​​ t’ia paguaj parashtruesit të​​ kërkesës shpenzimet e procedurës kontestimore në​​ shumën prej 8,387.85 euro.

 

  • Gjykata Themelore përmes të njëjtit Aktgjykim​​ [III. EK. nr.292/20] arsyetoi​​ si në vijim:​​ 

 

“Meqenëse nga provat e administruara​​ është​​ vërtetuar se paditësja ia ka kompensuar të​​ siguruarit të​​ saj kompensimin e dëmit,​​ ndërsa po ashtu u vërtetua se e paditura​​ është​​ përgjegjëse për kompensimin e dëmit, gjykata duke​​ u​​ bazuar në​​ dispozitën e nenit 154,​​ paragrafi 2 të​​ LMD-së, në​​ ​​ cilën thuhet se “ Për dëmin nga sendet ose nga veprimtaritë​​ nga të​​ cilat rrjedh rreziku i shtuar i dëmit për ambientin përgjigjet pavarësisht nga faji” lidhur me nenin 195,​​ par 1 të​​ LMD-së, në​​ ​​ cilin thuhet se “Kush i shkakton tjetrit lëndim trupor ose ia dëmton shëndetin ka për detyrë​​ t’ia shpërblej shpenzimet rreth mjekimit dhe shpenzimet e tjera të​​ nevojshme lidhur me këtë, si dhe fitimin e humbur për shkak të​​ paaftësisë​​ për punë​​ gjatë​​ kohës së​​ mjekimit”, andaj mbi gjendjen faktike të​​ vërtetuar gjykata ka gjetur se kërkesëpadia e paditëses​​ është​​ e drejtë​​ dhe e bazuar”.​​ 

 

  • Më 7 prill 2021, Kompania e Sigurimeve “Eurosig”​​ duke u bazuar në​​ nenin 176 të Ligjit të​​ Procedurës​​ Kontestimore​​ parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër​​ aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore,​​ duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar​​ dhe​​ jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që​​ aktgjykimi i kontestuar të anulohet dhe lënda të kthehet në rivendosje.​​ 

 

  • Më 19 prill 2021, parashtruesi i kërkesës paraqiti​​ përgjigje në ankesë​​ në Gjykatën e Apelit me propozimin që ankesa e të paditurës, përkatësisht e Kompanisë së​​ Sigurimeve “Eurosig” ​​ ​​ refuzohet.​​ 

 

  • ​​ 16 tetor 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ae. nr. 96/2021]​​ e refuzoi​​ si të​​ pathemeltë​​ ankesën e paraqitur nga Kompania e Sigurimeve “Eurosig”​​ dhe vërtetoi​​ Aktgjykimin [III.​​ EK.​​ nr.​​ 292/20] e Gjykatës​​ Themelore,​​ të 26 marsit 2021.​​ 

 

  • Më 11 nëntor 2021, Kompania e Sigurimeve “Eurosig”​​ paraqiti revizion në​​ Gjykatën Supreme, për shkak të​​ zbatimit të​​ gabuar të​​ ​​ drejtës materiale, me propozimin që​​ ​​ ndryshohet Aktgjykimi [III. EK.​​ nr. 292/20] i Gjykatës Themelore i 26 marsit 2021 dhe Aktgjykimi [Ae. nr. 96/21] i Gjykatës së​​ Apelit i 16 tetorit 2021, ashtu që​​ kërkesëpadia e parashtruesit të​​ refuzohet në​​ tërësi. ​​ 

 

  • Më 23 nëntor 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi​​ ​​ Gjykatën Supreme përgjigjen në​​ revizion, duke i kontestuar në​​ tërësi pretendimet e​​ ngritura në​​ revizion.

 

  • Më​​ 8 dhjetor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [E.​​ Rev.​​ nr.​​ 81/2021], e​​ (i)​​ aprovoi në​​ tërësi revizionin e Kompanisë​​ së​​ Sigurimeve​​ Eurosig”;​​ si dhe​​ (ii)​​ ndryshoi Aktgjykimin [III.​​ EK.​​ nr.​​ 292/2020] e​​ Gjykatës Themelore të​​ 26 marsit 2021 dhe Aktgjykimin [Ae.​​ nr.​​ 96/2021] e​​ Gjykatës së​​ Apelit të​​ 16 dhjetorit 2021, duke e refuzuar në​​ tërësi​​ kërkesëpadinë​​ e parashtruesit të​​ kërkesës.

 

  • ​​ arsyetimin e Aktgjykimit [E.​​ Rev.​​ nr.​​ 81/2021], Gjykata Supreme ndër të​​ tjerash theksoi:​​ 

 

Sipas nenit 178,​​ par.4 të​​ LMD-së, nga kjo dispozitë​​ ligjore rezulton se​​ personi i tretë​​ i dëmtuari-i siguruari i paditësit ka të​​ drejtë​​ të​​ kërkoj prej secilit prej tyre shpërblimin e dëmit të​​ pësuar nga ajo përplasje e mjeteve motorike, ndërsa e paditura e ka të​​ drejtën e subrogimit​​ (...) Në​​ një​​ gjendje të​​ tillë​​ të​​ çështjes,​​ Gjykata Supreme e Kosovës nuk e pranon si të​​ bazuar qëndrimin juridik të​​ lartpërmendur të​​ gjykatës së​​ shkallës së​​ parë​​ dhe të​​ dytë​​ lidhur me aprovimin e kërkesëpadisë​​ së​​ paditësit, pasi që​​ aktgjykimi i shkallës së​​ parë​​ dhe të​​ dytë, përfshihet me zbatim të​​ gabuar të​​ së​​ drejtës materiale, dispozitën e nenit 178,​​ par.4 dhe nenit 939,​​ par.1, të​​ LMD-së”.

 

[...]

 

“Vlerësimi i gabuar i së​​ drejtës materiale nga gjykata e shkallës së​​ parë​​ dhe të​​ dytë, konsiston në​​ aplikimin e gabuar të​​ dispozitave ligjore, kjo për faktin se gjykata e shkallës së​​ parë​​ me rastin e aprovimit të​​ kërkesëpadisë, dhe gjykata e shkallës së​​ dytë​​ duke vepruar sipas ankesës, sa i përket vërtetimit të​​ faktit nëse e paditura​​ është​​ e detyruar t’i kompensoj dëmin paditësit, dispozitën e nenit 178,​​ par.4 të​​ LMD-së, e ka aplikuar në​​ mënyrë​​ të​​ gabuar. Me këtë​​ dispozitë​​ është​​ paraparë​​ “Për dëmin që​​ e kanë​​ pësuar personat e tretë​​ zotëruesit e automjeteve përgjigjen solidarisht”, bazuar në​​ këtë​​ dispozitë​​ të​​ drejtën për të​​ kërkuar nga zotëruesit e automjeteve kompensimin e dëmit solidarisht, apo në​​ raport vetëm me njërin automjet, e kanë​​ vetëm personat e tretë​​ të​​ dëmtuar nga zotëruesit e automjeteve të​​ përfshira në​​ aksident, por jo edhe kërkuesi i regresit, në​​ rastin konkret paditësi. Nëse e analizojmë​​ këtë​​ dispozitë, kjo e drejtë​​ është​​ e rezervuar vetëm në​​ raport me personat e tretë, të​​ cilët kanë​​ pësuar dëm të​​ drejtpërdrejtë, por kjo e drejtë​​ nuk bartet në​​ raport me subjektin i cili ka të​​ drejtën e regresit pas pagesës së​​ dëmshpërblimit​​ në​​ raport me palën e tretë. Fakti se paditësit i mungon baza juridike për të​​ kërkuar regresin në​​ raport me të​​ paditurën, vërtetohet​​ edhe nëse e marrim parasysh dispozitën e nenit 939 të​​ LMD-së, ku përcaktohet se “Me pagimin e kompensimit nga sigurimi kalojnë​​ në​​ siguruesin, në​​ bazë​​ të​​ vetë​​ ligjit, deri në​​ shumën e kompensimit të​​ paguar, të​​ gjitha të​​ drejtat e të​​ siguruarit ndaj personit i cili mbi​​ cilën bazë​​ qoftë​​ është​​ përgjegjës për dëmin”, bazuar në​​ këtë​​ dispozitë​​ e drejta e regresit lidhet me ekzistimin e përgjegjësisë​​ në​​ raport me personin i cili e ka shkaktuar dëmin.”​​ 

 

“Gjykata Supreme vlerëson se nuk ekziston përgjegjësia e të​​ paditurës për kompensimin e dëmit në​​ raport me paditësin, pasi ngasësi i automjetit të​​ siguruar te e paditura, i përfshirë​​ në​​ aksidentin e datës 10.03.2012, nuk​​ është​​ përgjegjës në​​ shkaktimin e aksidentit (...) fakt që​​ është​​ vërtetuar nga provat e administruara (...) ekspertiza e​​ aksidentit të​​ komunikacionit të​​ punuar nga eksperti B.L (...)​​ Gjykata Supreme bazuar në​​ mënyrën e shkaktimit të​​ aksidentit vlerëson se ngasësi i automjetit të​​ siguruar te​​ e paditura nuk mban përgjegjësi në​​ shkaktimin e aksidentit, andaj edhe në​​ mungesë​​ të​​ përgjegjësisë​​ së​​ ngasësit, nuk ekziston as përgjegjësia e të​​ paditurës”.

 

[...]

 

“Përfundimet e Gjykatës së​​ Apelit se “Nga shkresat e lëndës rezulton se në​​ mes ndërgjyqësve nuk ishte kontestuese se e siguruara e paditësit H.H ka qenë​​ pasagjere në​​ automjetin “Volksëagen Pasat”​​ (...),” kjo për faktin se edhe nga ekspertiza e aksidentit të​​ komunikacionit​​ (...), por edhe nga Aktgjykimi i Gjykatës Themelore P.Nr.2453/2012, të​​ datës 14.01.2014, me të​​ cilin​​ është​​ shpallur fajtor​​ E.D., ngasësi i automjetit “Volksëagen Pasat” (...) i cili kishte goditur automjetin Nissan, ku lëndime kanë marrë H.H.​​ dhe A.L.​​ drejtues i automjetit Nissan,​​ ​​ ky fakt po ashtu vërtetohet edhe nga raporti i Policisë​​ së​​ Kosovës nga vendi i ngjarjes të​​ aksidentit të​​ datës 10.03.2012, se H.H.,​​ ka qenë​​ pasagjere në​​ Automjetin Nissan, dhe jo në​​ automjetin Passat.

 

“Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesëpadinë e palës paditëse, për shkak se e paditura nuk ka përgjegjësi në kompensimin e dëmit mbi bazën e përgjegjësisë në shkaktimin e aksidentit, ndërsa pretendimet e ngritura nga pala paditëse në përgjigjen në revizion, se gjykatat kanë praktikë të aplikimit të solidaritetit të pjesëmarrësve në aksident, bazuar në dispozitën e nenit 178,​​ par.4 të LMD-së, është pretendim i pabazuar, pasi rasteve të cilave ju referohet paditësi kanë të bëjnë për rastet kur palë paditëse është pala e tretë e dëmtuar nga aksidenti, dhe jo personi i cili e ka ngritur kërkesën në bazë të regresit, bazuar në dispozitën e nenit 939.1 të LMD-së, në bazë të së cilës kusht për të ekzistuar përgjegjësia për detyrimin për​​ kompensim, është ekzistimi i përgjegjësisë së të paditurit, që nuk është në rastin konkret”.​​ 

 

Pretendimet e​​ parashtruesit​​ të kërkesës​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi [E. Rev. nr. 81/2021] i 8 dhjetorit 2022 i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara përmes nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës, specifikisht pretendon shkelje të së drejtës në vendim të arsyetuar gjyqësor​​ dhe shkelje të parimit të sigurisë juridike si rezultat i divergjencës në praktikën përkatëse​​ gjyqësore të Gjykatës Supreme.​​ 

 

Pretendimet që ndërlidhen me mungesën e arsyetimit të vendimit gjyqësor

 

  • Parashtruesi i kërkesës​​ pretendon se​​ aktgjykimi i kontestuar​​ është i përfshirë në shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së,​​ për shkak se “(...)​​ i mungon arsyetimi adekuat për ndryshim të​​ aktgjykimeve të​​ instancave më​​ të​​ ulëta përkitazi me zbatimin​​ e gabuar të​​ së​​ drejtës materiale. Për më​​ tepër, arsyetimi i​​ aktgjykimit nuk korrespondon as me pretendimet e të​​ paditurës EUROSIG me revizion me referencë​​ në​​ zbatimin e dispozitës konkrete (paragrafi 3 i​​ nenit 178 të​​ LMD-së), përkundër faktit që​​ kishte aprovuar​​ revizionin e të​​ paditurës.

 

  • Lidhur me pretendimin për mungesë të arsyetimit të​​ vendimit gjyqësor, parashtruesi i kërkesës thekson se​​ “(...) kur refuzohet kërkesëpadia duke e konsideruar se parashtruesit të​​ kërkesës i mungon baza juridike për përgjegjësinë​​ e shkaktimit të​​ dëmit, në​​ arsyetimin e​​ aktgjykimit nuk ka fare referencë​​ se në​​ cilën dispozitë​​ ligjore mbështetet ky qëndrim (...) nuk ka sqarim se në​​ rastin konkret përgjegjësia për shkaktimin e dëmit duhet trajtuar sipas regjimit të​​ përgjegjësisë​​ subjektive apo objektive,​​ e kjo përfundimisht si rezultat i mungesës së​​ të​​ referuarit në​​ dispozitë​​ konkrete ligjore – që​​ për pasojë​​ kishte qëndrimet kondratikore të​​ Gjykatës Supreme kur trajton çështjen e përgjegjësisë​​ për shkaktimin e dëmit dhe regjimeve respektive”.

 

  • Në vazhdim, parashtruesi i kërkesës thekson:​​ “Evidente është se arsyetimi i këtij​​ aktgjykimi është i mangët e për më​​ tepër i përcjellë​​ me qëndrime kontradiktore, jo vetëm kur trajton bazën juridike të një kërkesë regresi, por edhe në​​ rastet kur analizon gjendjen faktike dhe hipotetikisht përgjegjësinë për shkaktimin e dëmit edhe ndaj personave të tretë”.​​ 

 

  • Në​​ këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës konteston bazën e arsyetimit të​​ aktgjykimit të​​ kontestuar​​ lidhur me​​ fajësinë e​​ aksidentit në​​ fjalë, duke theksuar se Gjykata Supreme“​​ (...) për këtë​​ çështje përkitazi me përgjegjësinë​​ për shkaktimin e dëmit e mbështetë​​ krejtësisht ndryshe – në​​ regjimin e fajësisë/subjektive me referencë​​ në​​ ekspertizën e​​ komunikacionit​​ dhe Aktgjykimit penal P.Nr. 2453/2012 sipas të​​ cilave fajtor për aksidentin​​ është​​ z.​​ E.D (...).​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës më​​ tej pretendon​​ se​​ Gjykata Supreme​​ përmes​​ aktgjykimit të kontestuar në mënyrë të gabuar ka​​ interpretuar​​ paragrafin​​ 4 të​​ nenit 178​​ dhe nenin 939 të​​ LMD-së,​​ duke i aplikuar në rrethanat e rastit konkret të cilat rezultuan në mohim të​​ të drejtës në suborgim të parashtruesit të kërkesës.​​ 

 

  • Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson:​​ “Mungesa e​​ mbështetjes​​ juridike përkitazi me qëndrimin e​​ Gjykatës​​ Supreme të​​ Kosovës​​ nga​​ aktgjykimi i kontestuar [E.rev.nr.81/2021] te datës 08.12.2022 lidhur me të​​ mohuarit e së​​ drejtës në​​ subrogim të​​ parashtruesit të​​ kërkesës,​​ jo​​ vetëm​​ që​​ rezulton nga referenca e bërë​​ në​​ dispozitat e​​ nenit 178 të​​ LMD-së​​ dhe 939 të​​ LMD-së​​ –kur trajtohet çështja e përjashtimit të​​ së​​ drejtës në​​ subrogim​​ për​​ parashtruesin e​​ kërkesës,​​ por kjo njëkohësisht konfirmohet​​ edhe në​​ relacion me dispozitat referente të​​ Ligjit​​ ​​ 04/L-018 për​​ Sigurimin e​​ Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia. Kjo nga arsyeja se kërkesëpadia​​ për​​ subrogim​​ i ishte adresuar të​​ Paditurës​​ (Kompania e Sigurimeve Eurosig Prishtinë) mbi bazën e Sistemit të​​ Sigurimit të​​ Detyrueshëm nga Autopërgjegjëia, duke​​ shfrytëzuar legjitimitetin e​​ parashtruesit​​ të​​ kërkesës në​​ “actio directa”. Përkitazi me argumentin shtesë​​ me referencë​​ në​​ dispozitat e Ligjit 04/L-018, kjo qartë​​ rezulton kur i referohemi​​ provizioneve të​​ këtij ligjit që​​ trajtojnë; (i) kornizën e mbulesës siguruese të sigurimit nga auto përgjegjësia’ (ii) përkufizimin e kategorisë së​​ “personave të​​ tretë” që​​ kanë​​ të​​ drejtë​​ në​​ zhdëmtim nga ky lloj sigurimi, dhe (iii) përkushtimeve të listuar të së​​ drejtës në subrogim me këtë sistem Sigurimi”.

 

  • Parashtruesi i kërkesës në mbështetje të pretendimeve të tij​​ thekson se​​ Në​​ të​​ tri segmentet e përmendura më​​ lart, me dispozita gjithashtu të​​ karakterit imperativ të​​ Ligjit 04/L-018, në​​ asnjë​​ rast nuk​​ kemi përjashtim të​​ së​​ drejtës në​​ subrogim brenda​​ kornizës​​ së​​ mbulesës siguruese (Neni 3) –ku edhe shprehimisht me dispozitën 12 instalohet e drejta e subrogimit të​​ Fondeve​​ të​​ Sigurimit shëndetësor, Pensional dhe Invalidor, brenda përkufizimit/definicionit të​​ kategorisë së​​ “personave të​​ tretë” – me të drejtë zhdëmtimit (Neni 11), dhe ku përjashtimi i të​​ drejtës në​​ subrogim i referohet vetëm kërkesave të​​ rimbursimit të​​ cilat i adresohen Fondit të​​ Kompensimit (Neni 32 pika 5) në​​ rastet e dëmeve të​​ shkaktuara nga mjetet motorike pa sigurim, të​​ panjohur apo në​​ rast likuidimit të​​ Kompanisë së​​ Sigurimit”.

 

  • Në mbështetje të​​ pretendimeve të​​ tij, parashtruesi i kërkesës thekson se​​ “Arsyetimi gjyqësor është pjesë e qasjes në​​ drejtësi, të drejtësisë procedurale dhe kërkesave për arsyeshmërinë e një vendimi gjyqësor. Në kuadër të​​ kritereve për të​​ matur cilësinë e arsyetimit gjyqësor hyn në​​ mes tjerash ligjshmëria (interpretimi i drejt i ligjit dhe korrektësia faktike) si dhe arsyetimi dhe motivet, të​​ cilat janë të​​ rëndësishme për gjykatat e instancës më​​ të larta​​ lidhur me vlerësimin e përdorimit të jurisprudencës dhe burimeve ligjore”.​​ 

 

  • Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës thekson se​​ “Në rastin konkret, mungon arsyetimi përkitazi me pretendimet e​​ parashtruesit të​​ kërkesës i cili nuk arrin të kuptoj se mbi çfarë baze​​ Gjykata Supreme me​​ aktgjykimin e kontestuar [E.Rev.Nr.81/2021] të​​ datës 08.12.2022] i mohon një të drejte fondamentale dhe institut thelbësore të së​​ drejtës së​​ sigurimit në​​ subrogim/rimbursim, duke marrë​​ parasysh që​​ pretendimet thelbësore të​​ tij nuk janë adresuar dhe as nuk janë arsyetuar me​​ aktgjykimin e kontestuar [E.Rev.nr.81/2021 te datës​​ 08.12.2022].

 

Pretendimet që ndërlidhen me mungesën e konsistencës së vendimeve gjyqësore

 

  • Përkitazi me pretendimet që ndërlidhen me cenimin e sigurisë juridike, përkatësisht divergjencën në praktikën gjyqësore lidhur me​​ kompensimin e dëmit në bazë të të drejtës​​ së​​ subrogimit,​​ parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, thekson​​ se​​ “Gjykata Supreme e​​ Kosovës​​ me​​ aktgjykimin​​ e kontestuar [E.REV.81/2021 të​​ datës​​ 08.12.2022], duke vendosur për një çështje të​​ njëjtë faktike dhe juridike si në​​ rastin konkret, ka nxjerr një vendim krejtësisht të​​ ndryshëm në krahasim me praktikën e saj të mëparshme. Konkretisht,​​ ky konstatim i parashtruesit të kërkesës mbështetet dhe i referohet,​​ p.sh.​​ rastit – Aktgjykim E.​​ Rev 54/2022 të​​ datës 14.11.2022 të Gjykatës Supreme [....] me​​ çrast​​ respektohet instituti i subrogimit pa asnjë​​ pengesë​​ dhe dallim të​​ kërkesës​​ së​​ drejtpërdrejt dhe subrogimit mbi bazën e regjimit të​​ përgjegjësisë subjektive apo asaj objektive dhe me të​​ njëjtin vërtetohen​​ aktgjykimet e​​ gjykatave më​​ të​​ ulëta,​​ duke aprovuar kërkesëpadinë​​ për​​ suborgim të​​ parashtruesit të​​ kërkesës.​​ Ndërsa, me​​ aktgjykimin e kontestuar [E.Rev.nr.81/2021 të​​ datës 08.12.2022] rezulton të​​ ketë një qasje jo vetëm për ndonjë nuancë, por diametralisht të​​ kundërt për​​ sa​​ i përket qëndrimit të​​ Gjykatës Supreme të​​ Kosovës kur trajton të​​ drejtën e subrogimit,​​ çfarë kishte për pasojë​​ refuzimin e kërkesëpadisë për rimbursim të​​ SUVA Luzern,​​ respektivisht​​ të​​ parashtruesit të kërkesës”.

 

  • Përgjatë pretendimeve të tij, parashtruesi i kërkesës ka shtjelluar parimet themelore të së drejtës në vendim të arsyetuar gjyqësor,​​ siç është e garantuar përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe në mbështetje të këtyre argumenteve, parashtruesi i kërkesës i është referuar edhe praktikës gjyqësore të (i) Gjykatës në rastet KI55/09, parashtrues​​ NTSH Meteorit,​​ Aktgjykim i 3 dhjetorit 2010; KI135/14, parashtrues​​ IKK Classic,​​ Aktgjykim i 10 nëntorit 2015;​​ KI72/12, parashtrues​​ Veton Berisha dhe Ilfete Haziri, Aktgjykim i 4 dhjetorit 2017; KI138/15, parashtrues "Sharr Beteiligungs​​ GmbH" SH.P.K., Aktgjykim i 5 dhjetorit 2012; si dhe (ii) GJEDNJ-së në rastet​​ Hiro Balani kundër Spanjës​​ (Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994);​​ RuizTorija kundër Spanjës​​ (Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994);​​ Helle kundër Finlandës​​ (Aktgjykim i 19 dhjetorit 1997);​​ Souminen kundër Finlandës​​ (Aktgjykim i 1 korrikut 2003);​​ Boldea kundër Rumanisë​​ (Aktgjykim i 15 majit 2007);​​ Beian kundër Rumanisë​​ (Aktgjykim i 6 dhjetorit 2007);​​ Tatishvilli kundër Rusisë​​ (Aktgjykim i 22 shkurtit 2007)​​ Grădinar kundër Moldovës​​ (Aktgjykim i 6 shkurtit 2008);​​ Garcia Ruiz kundër Spanjës (Aktgjykim i 21 janarit 1999);​​ Adamsons kundër Letonisë​​ (Aktgjykim i 24 qershorit 2008);​​ Iordan Iordanov dhe të​​ tjerët​​ kundër​​ Bullgarisë​​ (Aktgjykim i 2 korrikut 2009)​​ Stefan dhe Sted kundër Rumanisë​​ (Aktgjykim i 27 janarit 2009)​​ Schwarzkopf dhe Taussik​​ kundër​​ Greqisë​​ (Vendim i 2 dhjetorit 2008)​​ Tudor Tudor​​ kundër​​ Rumanisë​​ (Aktgjykim 24 qershorit 2009);​​ Ajdarić kundër Kroacisë​​ (Aktgjykim i 4 qershorit 2012).​​ 

 

  • Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata si në vijim: “Parashtruesi, bazuar në​​ pretendimet e precizuara dhe të​​ arsyetuara (...) kërkon që​​ të​​ konstatohet cenimi i së​​ drejtës për gjykim të​​ drejtë​​ konform nenit 31 të​​ Kushtetutës së​​ Kosovës dhe kërkon nga Gjykata Kushtetuese që​​ pas shqyrtimit dhe vlerësimit të​​ pretendimeve kushtetuese të​​ parashtruesit të​​ anuloj Aktgjykimin e Gjykatës Supreme [E.Rev.nr.81/2021 të​​ datës 08.12.2022] për shkak të​​ shkeljes së​​ nenit 31 [E Drejta për Gjykim të​​ Drejtë​​ dhe të​​ Paanshëm] të​​ Kushtetutës, në​​ lidhje me paragrafin 1, të​​ nenit 6 (E drejta për një​​ proces të​​ rregullt) të​​ Konventës Evropiane për të​​ Drejtat e Njeriut dhe të​​ njëjtin ta kthej për rishqyrtim.

 

Dispozitat​​ relevante​​ kushtetuese dhe ligjore​​ 

 

Kushtetuta​​ e Republikës së Kosovës

 

Neni 31

[E Drejta për​​ Gjykim të​​ Drejtë​​ dhe të​​ Paanshëm]

 

“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike. ​​ 

 

2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.

[...]”.

 

Konventa Evropiane për të​​ Drejtat e Njeriut

 

Neni​​ 6.1

(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)

 

  • “Në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile ..., çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme”.

[...]

 

 

 

Ligji mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve i RSFJ-së, i 30 marsit​​ 1978

 

II. PËRGJEGJËSIA NË RAST AKSIDENTI TË SHKAKTUAR

NGA AUTOMJETET NË LËVIZJE

 

Neni 178

‘‘​​ [...]

 

4.Për dëmin që e kanë pësuar personat e tretë zotëruesit e automjeteve përgjigjen solidarisht”.

 

Nënpjesa 6

 

KALIMI I TË DREJTAVE TË SIGURUARIT NDAJ PERSONIT

PËRGJEGJËS NË SIGURUESIN (SUBROGIMI)

 

Neni 939

 

“1.Me pagimin e kompensimit nga sigurimi kalojnë në siguruesin, në bazë të vetë ligjit, deri në shumën e kompensimit të paguar, të gjitha të drejtat e të siguruarit ndaj personit i cili mbi cilën bazë qoftë është përgjegjës për dëmin.

2.Në qoftë se për faj të të siguruarit është bërë e pamundur ky kalim i të drejtave në sigurues, tërësisht ose pjesërisht, siguruesi shkarkohet në masën përkatëse nga detyrimi i vet ndaj të siguruarit.

 

3.Kalimi i të drejtave nga i siguruari në sigurues nuk mund të jetë në dëmin e të siguruarit,​​ kështu që​​ në qoftë se kompensimi të cilin e ka marrë i siguruari nga siguruesi për cilindo shkak qoftë është më i vogël nga sa është dëmi që ka pësuar, i siguruari ka të drejtë që prej pasurisë së personit përgjegjës t'i paguhet mbetja e kompensimit përpara kërkesës së siguruesit në bazë të të drejtave që janë bartë në të.

 

4.Përjashtimisht nga rregullat mbi kalimin e të​​ drejtave​​ të të siguruarit në siguruesin, këto të drejta nuk kalohen në siguruesin në qoftë se dëmin e ka shkaktuar personi në gjini në vijë të drejtë me të siguruarin, ose personi për sjelljet e të cilit përgjigjet siguruesi, apo i cili bashkëjeton me të në të​​ njëjtën​​ ekonomi shtëpiake, ose personi që është punëtor i të siguruarit, përveç në qoftë se këta persona e kanë shkaktuar dëmin me dashje.

Mirëpo, në qoftë se dikush nga personat e përmendur në paragrafin paraprak ka qenë i siguruar nga përgjegjësia, siguruesi mund të kërkojë nga siguruesi i tij kompensimin e shumës që i ka paguar të siguruarit.”

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

 

  • Fillimisht,​​ Gjykata​​ shqyrton nëse janë​​ përmbushur kriteret e pranueshmërisë​​ të​​ përcaktuara me Kushtetutë​​ dhe të​​ specifikuara më​​ tej me Ligj dhe Rregullore​​ të​​ punës.

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113​​ [Juridiksioni dhe​​ ​​ Palët e Autorizuara]​​ të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:​​ 

 

“1.​​ Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

 

[...]

 

7.​​ Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  • Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit 4 të nenit 21 [Parimet e përgjithshme] të Kushtetutës, i cili përcakton:​​ 

 

Të ​​ drejtat ​​ dhe ​​ liritë ​​ themelore ​​ të ​​ parashikuara ​​ në ​​ Kushtetutë, ​​ vlejnë ​​ edhe ​​ për ​​ personat ​​ juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.”

 

  • Përtej kritereve të përcaktuara më lart,​​ Gjykata gjithashtu i referohet kritereve të​​ pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në​​ lidhje me këtë, Gjykata u referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të​​ Ligjit, të​​ cilët përcaktojnë:

 

Neni 47

(Kërkesa individuale)

 

“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

Neni 48

(Saktësimi i kërkesës)

 

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.

 

Neni 49

(Afatet)

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi”.

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të paraqesë ankesë​​ kushtetuese, duke u thirrur në shkelje të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të tij, që vlejnë për individët dhe personat juridike (shih, në këtë kontekst, rastin e Gjykatës​​ KI118/18,​​ me parashtrues​​ Eco Construction sh.p.k.,​​ Aktvendim për papranueshmëri i 10 tetorit 2020, paragrafi 29).

 

  • Sa i përket përmbushjes së​​ këtyre kushteve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës​​ është: (i) palë​​ e autorizuar; (ii) e konteston një​​ akt të​​ një​​ autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin​​ [E.​​ Rev.​​ nr.​​ 81/2021] të​​ 8​​ dhjetorit​​ 2022 të​​ Gjykatës Supreme; (iii) i ka shteruar të​​ gjitha mjetet juridike të​​ përcaktuara me​​ ligj; (iv) i ka qartësuar të​​ drejtat dhe liritë​​ ​​ pretendon se i janë​​ shkelur në​​ pajtim me kërkesat e nenit 48 të​​ Ligjit; si dhe (v) e ka dorëzuar kërkesën në​​ pajtim me afatin e përcaktuar në​​ nenin 49 të​​ Ligjit.​​ 

 

  • Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, rregulli 34 (2) përcakton që:

 

"(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".

 

  • Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës. (shih rastet e Gjykatës​​ KI04/21,​​ parashtruese​​ Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 26, dhe​​ KI175/20, parashtruese​​ Agjencia Kosovare e Privatizimit,​​ Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 37).​​ 

 

  • Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së,​​ por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime​​ “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”​​ të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore, përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet​​ KI40/20, parashtrues​​ Sadik Gashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 janarit 2021;​​ KI163/18, parashtrues​​ Kujtim Lleshi, Aktvendim për papranueshmëri, i 24 qershorit 2020;​​ KI21/21, parashtrues,​​ Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 prillit 2021,​​ KI107/21, parashtrues​​ Ramiz Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).

 

  • Në këtë kontekst, dhe në vijim, me qëllim të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në rrethanat e këtij rasti, vlerësimit nëse e njëjta është qartazi e pabazuar​​ në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të paraqesë dhe aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.​​ 

 

  • Gjykata rikujton se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një​​ aksident të vitit​​ 2012. Ai ishte shkaktuar​​ në mes dy automjeteve në lëvizje, automjeti “Nisan” me targë​​ 03-944-CJ, i siguruar te e paditura e ku H.H.,​​ ishte pasagjere e automjetit të​​ paregjistruar që​​ drejtohej nga E.D.,, i cili duke mos ia përshtatur kushteve dhe shpejtësisë së​​ lëvizjes e godet automjetin “Nisan”, e ku e siguruara e paditëses pëson lëndime trupore [...]”.​​ Parashtruesi i kërkesës e kishte kompensuar të siguruarën e tij, përkatësisht H.​​ H., në shumën prej 56,994.45 CHF, në emër të trajtimit mjekësor dhe kompensimit për shkak të paaftësisë në punë. Përkitazi për këtë shumë në vitin 2014, parashtruesi i kërkesës në mungesë të një marrëveshjeje për realizmin e kompensimit të dëmit mbi bazën e të drejtës në subrogim me Kompaninë​​ Eurosig”,​​ iu drejtua Gjykatës Themelore përmes padisë​​ duke kërkuar kompensim dëmi në emër të regresit, fillimisht në shumën prej 46, 560.30 euro me kamatë ligjore prej 12% (dymbëdhjetë për qind) e pas precizimit të kërkesëpadisë, kërkoi kompensimin e dëmit në vlerë prej 32, 273. 11 euro, duke filluar nga 26 shtatori 2012 e deri në​​ pagesën definitive, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore. Kompania e Sigurimeve “Eurosig” kishte paraqitur përgjigje në padi, përmes së cilës kundërshton në tërësi bazën juridike të kërkesëpadisë me arsyetimin se aksidenti i trafikut nuk ishte shkaktuar me fajin e të siguruarit të saj, përkatësisht nga personi A.​​ A., por​​ me fajin e një personi tjetër E.​​ D.,,​​ i cili ishte duke drejtuar veturën tjetër të paregjistruar.​​ Gjykata Themelore nëpërmjet Aktgjykimit [III. EK. nr.​​ 319/14]​​ të 20​​ nëntorit 2017​​ duke u bazuar në nenin 178 të​​ LMD-së​​ kishte refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se në aksidentin e trafikut të 10 marsit 2012, meqenëse kishte konkluduar se lëndimet e shkaktuara tek personi H.​​ H.​​ ishin shkaktuar me fajin e personit E.​​ D.​​ që ishte duke drejtuar veturën tjetër dhe jo të personit A.​​ L., që ishte duke e drejtuar veturën në të cilën gjendej e siguruara e parashtruesit të kërkesës H.​​ H., dhe rrjedhimisht, konsideroi se Kompania e Sigurimeve “Eurosig” nuk kishte përgjegjësi për shpërblimin e​​ dëmit nga ky rast i siguruar.​​ Pas ankimimit,​​ Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ae. nr. 13/2018]​​ të 3 qershorit 2020​​ e aprovon ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe rastin e kthen në rigjykim në shkallë të parë.​​ 

 

  • Gjykata Themelore në procedurën e rigjykimit përmes Aktgjykimit​​ [III.​​ EK. nr.​​ 292/20]​​ të 26 marsit 2021​​ duke u bazuar në paragrafin 2 të nenit 154 dhe​​ specifikisht në​​ paragrafin 4 të nenit 178, në​​ lidhje me nenin 195, 300 dhe 939 të LMD-së,​​ detyroi Kompaninë e Sigurimeve “Eurosig”,​​ që t’ia paguaj kompensimin e dëmit në emër të regresit për shpenzimet e trajtimit mjekësor dhe kompensimin për paaftësi për punë gjatë mjekimit të siguruarës së parashtruesit të kërkesës për aksidentin e 10 marsit 2012, në shumën prej 33,466.77 € me kamatë në lartësi vjetore sipas mjeteve të deponuara në bankë mbi një vit pa destinim të caktuar, duke llogaritur nga 26 shtatori​​ 2012 e deri në pagesën defintive. Ky vendim ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ae. nr. 96/2021] të 26 tetorit 2021.​​ 

 

  • Pas paraqitjes së​​ revizionit nga Kompania e Sigurimeve “Eurosig”, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [E.​​ Rev.​​ nr.​​ 81/2021] të 8 dhjetorit 2022​​ ndryshoi Aktgjykimin [III.​​ EK.​​ nr.​​ 292/2020] e Gjykatës Themelore të 26 marsit 2021 dhe Aktgjykimin [Ae.​​ nr.​​ 96/2021] e Gjykatës së Apelit të 16 dhjetorit 2021, duke e refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të​​ kërkesës me arsyetimin qendror​​ se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit gabimisht​​ kanë aplikuar të​​ drejtën materiale, përkatësisht nenin 178 dhe nenin 939 të LMD-së​​ “sa i përket vërtetimit të​​ faktit nëse e paditura​​ është e​​ detyruar tia​​ kompensoj dëmin paditësit, dispozitën e nenit 178,​​ para.4, të LMD-së, e ka aplikuar në mënyrë të​​ gabuar. Me këtë dispozitë​​ është paraparë “Për​​ ​​ dëmin​​ që e kanë pësuar personat e tretë zotëruesit e automjeteve përgjigjen solidarisht”. Bazuar në​​ këtë​​ dispozitë​​ të​​ drejtën për të kërkuar nga zotëruesit​​ e automjeteve kompensimin e dëmit solidarisht, apo në​​ raport me vetëm njërin automjet,​​ e kanë​​ vetëm personat e tretë të​​ dëmtuar nga zotëruesit​​ e automjeteve të​​ përfshirë​​ në​​ aksident, por​​ jo edhe kërkuesi i regresit, në​​ rastin konkret​​ paditësi.​​ Nëse​​ e analizojmë​​ këtë​​ dispozitë, kjo e drejtë​​ është​​ e rezervuar​​ vetëm​​ në​​ raport me personat e tretë, të​​ cilët kanë​​ pësuar dëm të​​ drejtpërdrejt, por kjo e drejtë​​ nuk​​ bartet në​​ raport me subjektin i cili ka të​​ drejtën e regresit pas​​ pagesës së​​ dëmshpërblimit.

 

  • Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e lartcekura të​​ Gjykatës Supreme, duke specifikuar se​​ aktgjykimi i​​ kontestuar është i përfshirë në​​ shkelje​​ të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të​​ garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të​​ KEDNJ-së. Gjykata rikujton se në lidhje me pretendimin e tij për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në​​ lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës pretendon​​ (i)​​ mosarsyetim të​​ vendimit gjyqësor dhe​​ (ii)​​ cenim të parimit të sigurisë juridike, si rezultat i​​ mungesës​​ ​​ konsistencës​​ ​​ praktikës​​ gjyqësore​​ ​​ Gjykatës​​ Supreme.​​ 

 

  • Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNJ-së, për shkak se​​ aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk ofron arsyetim të mjaftueshëm dhe adekuat lidhur me ndryshimin e vendimeve të gjykatave më​​ të ulëta.​​ Për më tepër, parashtruesi i kërkesës pretendon se​​ aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme është në kundërshtim me​​ praktikën e Gjykatës​​ dhe atë​​ ​​ GJEDNJ-së.

 

  • Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se​​ parashtruesi i kërkesës thekson:​​ “Mungesa e mbështetjes juridike përkitazi me qëndrimin e Gjykatës Supreme të​​ Kosovës nga​​ aktgjykimi i​​ kontestuar [E.rev.nr.81/2021] të​​ datës 08.12.2022 lidhur me të​​ mohuarit e së​​ drejtës në​​ subrogim të​​ parashtruesit të​​ kërkesës, jo vetëm që​​ rezulton nga referenca e bërë​​ në​​ dispozitat e​​ nenit 178 të​​ LMD-së​​ dhe 939 të​​ LMD-së​​ –kur trajtohet çështja e përjashtimit të​​ së​​ drejtës në​​ subrogim për​​ parashtruesin e​​ kërkesës, por kjo njëkohësisht konfirmohet edhe në​​ relacion me dispozitat referente të​​ Ligjit 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia. Kjo nga arsyeja se kërkesëpadia​​ për subrogim i ishte adresuar të Paditurës (Kompania e Sigurimeve Eurosig Prishtinë) mbi​​ bazën e Sistemit të​​ Sigurimit të​​ Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, duke shfrytëzuar legjitimitetin e​​ parashtruesit të​​ kërkesës në​​ “actio directa”.”

 

  • Në mbështetje të pretendimeve të​​ tij, parashtruesi i kërkesës thekson se​​ “Arsyetimi gjyqësor është pjesë e qasjes në​​ drejtësi, të drejtësisë procedurale dhe kërkesave për arsyeshmërinë e një vendimi gjyqësor. Në kuadër të​​ kritereve për të​​ matur cilësinë e arsyetimit gjyqësor hyn në​​ mes tjerash ligjshmëria (interpretimi i drejt i ligjit dhe korrektësia faktike)​​ si dhe arsyetimi dhe motivet, të cilat janë të​​ rëndësishme për​​ gjykatat e instancës më​​ të​​ lartë​​ lidhur me vlerësimin e përdorimit të jurisprudencës dhe burimeve ligjore”.​​ 

 

  • Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës thekson se​​ “Në rastin konkret, mungon arsyetimi përkitazi me pretendimet e​​ parashtruesit të​​ kërkesës i cili nuk arrin të kuptoj se mbi çfarë baze​​ Gjykata Supreme me​​ aktgjykimin e kontestuar [E.​​ Rev.​​ nr.​​ 81/2021] të​​ datës 08.12.2022] i mohon një të drejte fondamentale dhe institut thelbësore të së​​ drejtës së​​ sigurimit në​​ subrogim/rimbursim,​​ duke marrë​​ parasysh që​​ pretendimet thelbësore të​​ tij nuk janë adresuar dhe as nuk janë arsyetuar me​​ aktgjykimin e kontestuar [E.​​ Rev.​​ nr.​​ 81/2021 të​​ datës 08.12.2022].

 

  • Gjykata vlerëson se në rastin konkret pretendimet për mosarsyetim të vendimit gjyqësor dhe moszbatim të praktikës gjyqësore së Gjykatës Kushtetuese dhe të GJEDNJ-së, për shkak të natyrës së rastit dhe ndërlidhjes së tyre, do t’i trajtojë në kuadër të një arsyetimi të vetëm.

 

  • Në dritën e këtyre sqarimeve, Gjykata do të shqyrtojë në vazhdim pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNJ-së.

 

Përkitazi me vendimin e arsyetuar gjyqësor​​ 

 

  • Parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën për një vendim të arsyetuar dhe të​​ 

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ arsyeshëm gjyqësor

 

  • Përkitazi​​ me​​ të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor të garantuar përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së, Gjykata fillimisht thekson se ajo tashmë ka një praktikë të konsoliduar gjyqësore. Kjo praktikë është ndërtuar duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet​​ Hadjianastassiou kundër Greqisë,​​ Aktgjykim i 16 dhjetorit 1992;​​ Van de Hurk kundër Holandës, Aktgjykim i 19 prillit 1994;​​ Hiro Balani kundër Spanjës, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994;​​ Higgins dhe të tjerët kundër Francës, Aktgjykimi i 19 shkurtit 1998;​​ Garcia Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykimi i 21 janarit 1999;​​ Hirvisaari kundër Finlandës, Aktgjykim i 27 shtatorit 2001;​​ Suominen kundër Finlandës, Aktgjykim i 1 korrikut 2003;​​ Buzescu kundër Rumanisë,​​ Aktgjykim i 24 majit 2005;​​ Pronina kundër Ukrainës,​​ Aktgjykim i 18 korrikut 2006; dhe​​ Tatishvili kundër Rusisë, Aktgjykimi i 22 shkurtit 2007. Për më tepër, parimet themelore sa i përket të drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor janë elaboruar po ashtu në rastet e kësaj Gjykate, duke përfshirë por pa u kufizuar në​​ KI22/16, me parashtrues​​ Naser Husaj, Aktgjykim i 9 qershorit 2017;​​ KI97/16, me parashtrues “IKK Classic”,​​ Aktgjykim i 9 janarit 2018;​​ KI143/16,​​ me parashtrues​​ Muharrem Blaku dhe të tjerët,​​ Aktvendim për papranueshmëri,​​ i 13 qershorit 2018;​​ KI24/17, me parashtrues​​ Bedri Salihu,​​ Aktgjykim i 27 majit 2019;​​ KI35/18,​​ me parashtrues​​ "Bayerische Versicherungsverbrand”, Aktgjykim i 11 dhjetorit 2019​​ dhe​​ KI227/19, me parashtrues​​ N.T. “Spahia Petrol”,​​ Aktgjykim i 31 dhjetorit 2020.​​ 

 

  • Garancitë e​​ mishëruara​​ ​​ nenin 31​​ ​​ Kushtetutës, dhe nenin 6​​ të KEDNJ-së​​ ​​ përfshijnë obligimin e gjykatave që të arsyetojnë mjaftueshëm vendimet e tyre vërtetë (shih​​ ndër​​ të​​ tjera rastin e​​ Gjykatës​​ KI143/21,​​ me parashtrues​​ Hidroenergji Sh.p.k.,​​ Aktgjykim i 15 dhjetorit 2022, paragrafi 113;​​ shih​​ rastin e​​ GjEDNj-së​​ H. kundër Belgjikës,​​ kërkesa 8950/80, paragrafi 53, të 30 nëntorit 1987).Vendimi i arsyetuar u tregon palëve se rasti i tyre është shqyrtuar me të vërtetë.​​ 

 

  • Gjykata po ashtu thekson se bazuar në praktikën e saj gjyqësore gjatë vlerësimit të parimit i cili i referohet administrimit të duhur të drejtësisë, vendimet e gjykatave duhet të përmbajnë arsyetimin mbi të cilin ato bazohen në vlerësimin dhe vendimmarrjen e tyre. Shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret. Janë argumentet thelbësore të parashtruesve të kërkesës që duhet të adresohen dhe arsyet e dhëna duhet të jenë të bazuara në ligjin e aplikueshëm (shih në mënyrë të ngjashme rastet Gjykatës​​ KI97/16,​​ parashtrues​​ IKK Classic, të cituar më lart, paragrafi 48; dhe rastin​​ KI87/18​​ IF Skadeforsikring,​​ të cituar më lart, paragrafi 48​​ dhe​​ KI188/21, me parashtrues​​ Zenel dhe Isuf Pllashniku, Aktvendim për​​ papranueshmëri, i 19 korrikut 2022, paragrafi 78). Duke mos kërkuar një përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës, ky obligim nënkupton që palët në​​ procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar (shih rastin​​ Moreira Ferreira kundër Portugalisë (Nr.2), nr. 19867/12, Aktgjykim i 11 korrikut 2017, paragrafi 84 dhe të gjitha referencat e përdorura aty; si dhe rastin e Gjykatës KI230/19, parashtrues​​ Albert Rakipi, Aktgjykim i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 137).

 

  • Gjykata ka theksuar se neni 31 i​​ Kushtetutës, në ​​ ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së​​ nuk kërkon që Gjykata Supreme të japë një arsyetim më të detajuar kur ajo thjesht zbaton një dispozitë të caktuar ligjore lidhur me bazën ligjore për refuzimin e ankesës sepse ajo ankesë nuk ka një perspektivë për sukses (shih rastet e Gjykatës KI143/22, me parashtrues​​ Hidroenergji Sh.p.k,​​ cituar më lart, paragrafi 120; dhe​​ KI208/23, me parashtrues​​ Telekomi i Kosovës Sh.​​ A.,​​ i cituar më lart, paragrafi 53, dhe shih po ashtu​​ rastet e GJEDNJ-së,​​ Burg dhe të tjerët kundër Francës,​​ nr. 34763/02, Vendim i 28 janarit 2003;​​ Gorou kundër Greqisë​​ (nr. 2), nr.​​ 12686/03, Vendim i 20 marsit 2009, ​​​​ paragrafi 41).

 

  • Përveç kësaj, Gjykata i referohet edhe praktikës së saj gjyqësore ku ajo vlerëson se arsyetimi i vendimit duhet të theksojë raportin ndërmjet konstatimeve të meritës dhe shqyrtimit të provave nga njëra anë, dhe konkluzionet ligjore të gjykatës, nga ana tjetër. Aktgjykimi i​​ Gjykatës do të shkelë parimin kushtetues të ndalimit të arbitraritetit në vendimmarrje, në qoftë se arsyetimi i dhënë nuk i përmban faktet e vërtetuara, dispozitat ligjore dhe marrëdhënien logjike midis tyre (Gjykata Kushtetuese, rastet: nr.​​ KI72/12,​​ Veton Berisha dhe Ilfete Haziri, Aktgjykimi i 17 dhjetorit 2012, paragrafi 61; nr.​​ KI135/14,​​ IKK Classic, Aktgjykimi i 9 shkurtit 2016, paragrafi 58, dhe​​ KI96/16​​ IKK Classic, Aktgjykimi i 8 dhjetorit 2017 shih rastet e Gjykatës​​ KI87/18​​ parashtrues​​ IF Skadeforsikring, cituar më lart, paragrafi 44;​​ KI138/19​​ parashtrues​​ Ibish Raci, cituar më lart, paragrafi 45; si dhe rastin e Gjykatës​​ KI230/19, parashtrues​​ Albert Rakipi, cituar më lart, paragrafi 138).

 

Zbatimi i parimeve të përmendura për të drejtën për një vendim të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor në rrethanat e rastit konkret

 

  • Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës konteston​​ kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [E.​​ Rev.​​ 81/2021] të 8 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme,​​ duke pretenduar se​​ i​​ “mungon arsyetimi përkitazi me pretendimet e​​ parashtruesit të​​ kërkesës i cili nuk arrin të kuptoj se mbi çfarë baze​​ Gjykata Supreme me​​ aktgjykimin e kontestuar [E.​​ Rev.​​ nr.​​ 81/2021] të​​ datës 08.12.2022] i mohon një të drejte fondamentale dhe institut thelbësore të së​​ drejtës së​​ sigurimit në subrogim/rimbursim, duke​​ marrë​​ parasysh që pretendimet thelbësore të​​ tij nuk janë adresuar dhe as nuk janë arsyetuar me​​ aktgjykimin e​​ kontestuar [E.​​ Rev.​​ nr.​​ 81/2021 të datës​​ 08.12.2022]”.

 

  • Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës​​ pretendon se​​ Gjykata Supreme përmes​​ aktgjykimit të​​ kontestuar i ka mohuar parashtruesit të kërkesës​​ kompensimin e dëmit në bazë të të drejtës së​​ subrogimit përmes​​ interpretimit të​​ gabuar të​​ paragrafit​​ 4 të nenit 178 dhe 939 të LMD-së, si rezultat i së​​ cilës rrëzoj vendimet e instancave më​​ të ulëta në dëm të tij. ​​ 

 

  • Në thelb, parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e​​ aktgjykimit të kontestuar, përkitazi me aplikueshmërinë e ligjit në lidhje me të​​ drejtën e subrogimit, duke e ndërlidhur sërish me shkeljet e pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6.1 të KEDNJ-së, përkatësisht me të drejtën për një vendim të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor.

 

  • Në këtë aspekt, Gjykata​​ vëren​​ se parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme kishte dështuar të ofroj arsyetim të mjaftueshëm sa​​ i​​ përket bazës juridike në ndryshimin e​​ aktgjykimeve të gjykatave më​​ të ulëta dhe lidhur me pretendimet e ngritura nga parashtruesi​​ i kërkesës.​​ 

 

  • Prandaj, duke pasur parasysh pretendimin kryesor ankimor të parashtruesit të kërkesës, Gjykata konsideron se duhet të analizohet nëse Gjykata Supreme, ka dhënë arsye të qarta dhe të mjaftueshme mbi të cilat e ka mbështetur vendimin e saj për ndryshimin e aktgjykimeve të instancave më të ulëta.​​ 

 

  • Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës​​ pretendon se​​ aktgjykimit të​​ kontestuar i “mungon arsyetimi përkitazi me pretendimet e​​ parashtruesit të​​ kërkesës i cili nuk arrin të kuptoj se mbi çfarë baze​​ Gjykata Supreme me​​ aktgjykimin e kontestuar [E.​​ Rev.​​ nr.​​ 81/2021] të​​ datës 08.12.2022] i mohon një të drejte fondamentale dhe institut thelbësore të së​​ drejtës së​​ sigurimit në​​ subrogim/rimbursim, duke marrë​​ parasysh që​​ pretendimet thelbësore të​​ tij nuk janë adresuar dhe as nuk janë arsyetuar me​​ aktgjykimin e kontestuar [E.​​ Rev.​​ nr.​​ 81/2021 të​​ datës 08.12.2022]”.

 

  • Në mbështetje të këtij pretendimi, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës​​ thekson ​​ “(...) kur refuzohet kërkesëpadia duke e konsideruar se parashtruesit të kërkesës i mungon baza juridike për përgjegjësinë e shkaktimit të dëmit, në arsyetimin e Aktgjykimit nuk ka fare referencë se në cilën dispozitë ligjore mbështetet ky qëndrim (...) nuk ka sqarim se në rastin konkret përgjegjësia për shkaktimin e dëmit duhet trajtuar sipas regjimit të përgjegjësisë subjektive apo objektive, e kjo përfundimisht si rezultat i mungesës së të referuarit në dispozitë konkrete ligjore – që për pasojë kishte qëndrimet kondratikore të Gjykatës Supreme kur trajton çështjen e përgjegjësisë për shkaktimin e dëmit dhe regjimeve respektive”.

 

  • Gjykata fillimisht vëren se arsyetimi i Gjykatës Supreme lidhur me ndryshimin e aktgjykimeve të instancave më​​ të ulëta thekson​​ se​​ ishte bazuar​​ “se gjykata e shkallës së​​ parë​​ dhe gjykata e shkallës së​​ dytë, bazuar në​​ provat e administruara, mbi gjendjen faktike të​​ vërtetuar, në​​ mënyrën të​​ gabuar kanë​​ aplikuar të​​ drejtën materiale, duke aprovuar kërkesëpadinë e paditëses, më​​ detajisht si në​​ dispoztiv të aktgjykimit të shkallës së​​ parë. Vlerësim i gabuar i së​​ drejtës materiale nga gjykata e shkallës së​​ parë dhe të dytë, konsiston në​​ aplikimin e gabuar të dispozitave ligjore, kjo për faktin se gjykata e shkallës së​​ parë​​ me rastin e aprovimit të​​ kërkesëpadisë, dhe gjykata e shkallës së​​ dytë​​ duke vepruar sipas ankesës, sa i përket vërtetimit të​​ faktit nëse e paditura është e detyruar t​​ ia kompensoj dëmin paditësit, dispozitën e nenit 178,​​ par.4, të​​ LMD-së​​ e ka aplikuar në mënyrë të gabuar. [...]”.​​ 

 

  • Gjykata vëren​​ pretendimin qendror të​​ parashtruesit të​​ kërkesës i cili thekson se Gjykata Supreme përmes​​ aktgjykimit të saj​​ i ka mohuar parashtruesit të kërkesës të drejtën​​ për të kërkuar regresin​​ tek Kompania e Sigurimeve “Eurosig”,​​ duke keq interpretuar​​ paragrafin 4 të nenit 178 të LMD-së.​​ 

 

  • Në këtë aspekt, Gjykata vë​​ theks se ky pretendim​​ ndërlidhet me çështjen e shkaktimit të dëmit. Në këtë kontekst, Gjykata vëren se përgjatë gjithë procesit gjyqësor,​​ kontestuese ishte çështja e përgjegjësisë për shkaktimin e dëmit, pasi që paditësi, përkatësisht parashtruesi i kërkesës pretendon në përgjegjësinë e të siguruarit e të paditurës, përkatësisht tek A.​​ L., duke mbështetur pretendimet e tij se i njëjti ka përgjegjësi solidare në​​ raport me të​​ lënduarën, përkatësisht të​​ siguruarën e tyre HH., por e paditura, përkatësisht Kompania e Sigurimeve “Eurosig” e ka kontestuar këtë pretendim me arsyetimin se i siguruari i saj A.​​ L., nuk ishte fajtor në​​ shkaktimin e​​ aksidentit të 10 marsit 2012, dhe si rezultat i kësaj nuk ka ndonjë detyrim për kompensim ndaj parashtruesit të kërkesës.​​ 

 

  • Në lidhje me rastin konkret, në raport me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se Gjykata Supreme pa dhënë një arsyetim të duhur dhe të plotë ka bazuar vendimmarrjen e saj në​​ disfavor të​​ tij, Gjykata vëren se Gjykata Supreme, kishte arsyetuar se​​ “[...] se nuk ekziston përgjegjësia e të​​ paditurës për kompensimin e dëmit në​​ raport me paditësin pasi ngasësi i automjetit të​​ siguruar te e paditura, i përfshirë​​ në​​ aksidentin e datës 10.03.2012, nuk është përgjegjëse në​​ shkaktimin e aksidentit, dhe se i njëjti nuk ka ​​ kontribut në​​ shkaktimin e aksidentit të​​ komunikacionit, fakt që​​ është vërtetuar nga provat e administruara​​ si në​​ shkresat e​​ lëndës, respektivisht ekspertiza e aksidentit të komunikacionit e punuar nga eksperti Bajram Latifi, i cili në​​ ekspertizën e tij të​​ datës 26.01.2021, ka ardhur në​​ konkludimet e tij, se deri te aksidenti ka ardhur kur automjeti A, me pjesën e përparme (frontale) ka goditur në​​ pjesën e pasme automjetin B (Nissan i siguruar te e paditura) të​​ cilin e hedh në​​ anën e majtë​​ në​​ drejtim të​​ lëvizjes, me ç’ rast i njëjti përplaset në mbrojtësit e metal​​ të ndarjes fizike të rrugës”.

 

  • Gjykata Supreme konstatoi se sipas legjislacionit në​​ fuqi, përkatësisht nën dritën e interpretimit të​​ nenit 178 të LMD-së, Gjykata Supreme kishte mbështetur vendimmarrjen e saj duke arsyetuar në​​ rastin konkret​​ se dispozita e nenit 178, paragrafi 4 i LMD-së​​ parasheh se të​​ drejtën​​ për​​ ​​ kërkuar nga zotëruesit e automjeteve kompensimin e dëmit solidarisht, apo në​​ raport me​​ vetëm​​ njërin automjet, e kanë​​ vetëm​​ personat e tretë​​ ​​ dëmtuar nga zotëruesit e automjeteve të​​ përfshira në​​ aksident, por jo edhe kërkuesi i regresit, përkatësisht parashtruesi i kërkesës.​​ 

 

  • Për​​ më​​ tepër, Gjykata Supreme lidhur me këtë çështje, kishte sqaruar se​​ “Nëse e analizojmë​​ këtë​​ dispozitë, kjo e drejte​​ është​​ e rezervuar​​ vetëm​​ në​​ raport me personat e tretë, të​​ cilët kanë​​ pësuar dëm të​​ drejtpërdrejt, por kjo e drejtë​​ nuk bartet në​​ raport me subjektin i cili ka të​​ drejtën e regresit pas pagesës së​​ dëmshpërblimit në​​ raport me palën​​ e tretë.

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata Supreme ka konstatuar se sipas ligjit të​​ aplikueshëm, vetëm personat e tretë kanë të drejtën ligjore të kërkojnë kompensim të dëmit në mënyrë solidare nga pronarët e automjeteve. Gjykata Supreme​​ tutje argumenton​​ se kjo e​​ drejtë është e kufizuar dhe vlen vetëm në rastet kur personat e tretë kanë pësuar dëm të drejtpërdrejt nga aksidenti i automjetit. Në këtë kontekst, Gjykata vë në dukje​​ sipas interpretimit të Gjykatës Supreme​​ kjo e drejtë nuk mund të shtrihet në rastin e subjektit që ka të drejtën e regresit, i cili ka paguar dëmin e shkaktuar nga automjeti në lidhje me një person të tretë. Me fjalë të tjera, pala e dytë, e cila ka kryer pagesën e​​ dëmshpërblimit, nuk mund të përfitojë nga kjo e drejtë solidare në marrëdhënie me palën e tretë, duke theksuar një kufizim të qartë dhe të prerë të ligjit. Këtë qëndrim Gjykata Supreme e kishte bazuar në interpretimin e dispozitave ligjore të nenit 178 të LMD-së, në​​ ​​ cilin përcaktohet si në​​ vijim:​​ 

 

Në rast aksidenti të shkaktuar nga automjeti në lëvizje që është shkaktuar vetëm për faj të një poseduesi të automjetit vihen në zbatim rregullat​​ mbi përgjegjësinë në bazë të fajësisë.​​ Në qoftë se ekziston faji dypalësh, secili zotërues përgjigjet për dëmin total që e kanë pësuar ata përpjestimisht me shkallën e fajësisë së tyre.​​ Në qoftë se nuk ka fajësi në asnjë anë zotëruesit përgjigjen në pjesë të barabarta në qoftë se shkaqet e drejtësisë nuk kërkojnë gjë tjetër.​​ Për dëmin që e kanë pësuar personat e tretë zotëruesit e automjeteve përgjigjen solidarisht.

 

  • Nga sa më sipër, Gjykata vë në pah se ​​ Gjykata Supreme ka dhënë arsyetim lidhur me pretendimet specifike të parashtruesit të kërkesës, që ndërlidhet me përcaktimin e​​ statusit të​​ “personit të tretë”, ​​​​ dhe se, në përputhje me rrethanat e rastit,​​ aktgjykimi i Gjykatës Supreme është arsyetuar bazuar në interpretimin e legjislacionin në fuqi, konkretisht nenit 178 të LMD-së të vitit 1978. Në këtë kontekst, Gjykata Supreme ka dhënë përgjigje specifike dhe të qarta në lidhje me pretendimin dhe argumentin thelbësor​​ të​​ kërkesës së​​ parashtruesit për të kërkuar kompensim solidar të dëmit​​ në​​ bazë të subrogimit.​​ Gjykata konsideron se në përputhje me rrethanat e rastit,​​ aktgjykimi i Gjykatës Supreme​​ është​​ i​​ arsyetuar.

 

  • Gjykata vëren se Gjykata Supreme, përgjatë vendimmarrjes se saj me qëllim të​​ vërtetimit të bazueshmërisë​​ së​​ pretendimeve, i zbatoi të gjitha veprimet dhe i administroi provat, si dhe raportet dhe mendimet e ekspertëve, dhe me atë rast konkludoi se kërkesëpadia e parashtruesit të​​ kërkesës​​ për​​ kompensim​​ solidar të dëmit​​ nuk mund të​​ realizohet për faktin se në​​ mënyrë të​​ pakundërshtueshme​​ është​​ vërtetuar​​ se përgjegjësia për​​ shkaktimin e aksidentit​​ nuk ishte e​​ të​​ siguruarit të Kompanisë se Sigurimeve “Eurosig”,​​ dhe se i njëjti nuk ka as kontribut në shkaktimin e aksidentit.​​ 

 

  • ​​ mbështetje të​​ kësaj, Gjykata​​ vë në pah arsyetimin e Gjykatës Supreme se​​ “Gjykata Supreme bazuar në​​ mënyrën​​ e shkaktimit të​​ aksidentit​​ vlerëson se ngasësi i automjetit i siguruar te​​ e paditura nuk mbanë përgjegjësi në shkaktimin e aksidentit, andaj edhe në​​ mungesë​​ të​​ përgjegjësisë së​​ ngasësit, nuk ekziston as përgjegjësia e të paditurës”​​ përkatësisht Kompanisë së​​ Sigurimeve “Eurosig”.​​ 

 

  • Më​​ tej, Gjykata vëren se lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës përkitazi me aplikimin e solidariteti të pjesëmarrësve​​ në aksident, Gjykata Supreme​​ kishte theksuar se​​ “bazuar në dispozitën e nenit 178,​​ par.4, të LMD-së, është pretendimi i pabazuar, pasi rasteve të​​ cilëve ju referohet paditësi kanë​​ të​​ bëjnë​​ për​​ rastet kur palë​​ paditëse është pala e tretë e dëmtuar nga aksidenti, dhe jo personi i cili kërkesën e ka në bazë të regresit, bazuar në dispozitën e nenit 939.1 të​​ LMD-së, bazë të së cilës​​ kusht për të ekzistuar përgjegjësia për detyrimin për kompensim, është ekzistimi i përgjegjësisë së​​ të paditurës, që nuk është në rastin konkret”.​​ ​​ Në bazë të kësaj mund të konkludohet se e paditura në​​ këtë rast nuk ka asnjë obligim ndaj parashtruesit të kërkesës.

 

  • Gjykata vëren se Gjykata Supreme përmes​​ aktgjykimit të saj, ka shfaqur një analizë të qëndrueshme dhe të detajuar në lidhje me çështjen në fjalë. Në këtë kontekst, Gjykata Supreme ka paraqitur arsyet bindëse dhe të mjaftueshme, duke analizuar me thellësi bazën ligjore që ka shërbyer si mbështetje për ndryshimin e vendimeve të instancave më të ulëta. Shpjegimi i hollësishëm dhe i qartë i arsyetimit të Gjykatës Supreme ka përfshirë një argumentim logjik për pse në rrethana specifike parashtruesit të kërkesës nuk i takon​​ e​​ drejta për të kërkuar kompensim nga Kompania e Sigurimeve "Eurosig". Gjithashtu, ka paraqitur një analizë të thelluar në lidhje me momentet kohore dhe modalitetet e aplikimit të dispozitave të nenit 178 të LMD-së.​​ Me këtë qasje, Gjykata Supreme ka demonstruar një kujdes të veçantë ndaj aspekteve ligjore të aplikueshmerisë në rrethanat e rastit konkret.​​ 

 

  • Nga të gjitha që​​ u thanë​​ ​​ lart, Gjykata gjen se në​​ aktgjykimin e Gjykatës Supreme nuk ka asgjë që do të çonte në​​ përfundimin se ka ekzistuar mënyra arbitrare e veprimit të​​ Gjykatës, si në​​ procedurën e vërtetimit të​​ fakteve, ashtu edhe në​​ procedurën e zbatimit të​​ ligjit relevante pozitive juridike në​​ rastin konkret.

 

  • Bazuar në atë si më sipër, Gjykata konsideron se përgjigjja e dhënë nga Gjykata Supreme lidhur me interpretimin e saj se cila dispozitë ligjore do të zbatohet përkitazi me kompensimin e dëmit në bazë të të drejtës në suborgim është në pajtueshmëri me arsyetimin e saj të dhënë në​​ aktgjykimin e kontestuar nga parashtruesi i kërkesës në rastin konkret. Prandaj, Gjykata konsideron se interpretimi dhe zbatimi​​ i dispozitave përkatëse ligjore nga Gjykata Supreme në rastin e parashtruesit të kërkesës hynë në​​ sferën e ligjshmërisë, e që është në juridiksionin e ​​ kësaj gjykate. Thënë këtë, Gjykata Supreme përmes​​ aktgjykimit të saj ka arritur të shpjegojë raportin midis fakteve të paraqitura dhe zbatimit të ligjit në të cilin ajo është thirrur, gjegjësisht në çfarë mënyre ato vijnë në korrelacion me njëra-tjetrën dhe se si kanë ndikuar ato në vendimet e Gjykatës​​ që t’i ndryshojë vendimet e gjykatës së shkallës më të ulët përkitazi me ​​ përcaktimin e​​ kompensimit solidar të dëmit.​​ 

 

  • Gjykata vëren se Gjykata Supreme në rastin e parashtruesit të kërkesës kishte analizuar gjerësisht provat e paraqitura dhe pretendimet e ngritura nga palët në procedurë.​​ Për më tepër, Gjykata gjen se vendimmarrja e Gjykatës Supreme, në rrethanat faktike dhe juridike të rastit konkret​​ ishte e bazuar në​​ dispozitat përkatëse të LMD-së që ajo i kishte konsideruar si të aplikueshme dhe relevante përkitazi me rrethanat e rastit konkret dhe me pretendimet thelbësore të ngritura nga palët në procedurë.

 

  • Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës edhe më tutje mund të mos jetë i kënaqur me arsyetimin dhe bazën ligjore të zbatuar nga Gjykata Supreme. Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe theksoi se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjit, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih rastet e Gjykatës​​ KI128/18, parashtrues:​​ Limak Kosovo International Airport J.S.C., “Adem Jashari”, Aktvendim për papranueshmëri,​​ i 28 qershorit 2019, paragrafi 55;​​ KI62/19, parashtrues:​​ Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri,​​ i 19 dhjetorit 2019, paragrafët 56-57;​​ KI110/19, parashtrues:​​ Fisnik Baftijari, Aktvendim për papranueshmëri,​​ i 7 nëntorit 2019, paragrafi 40).​​ 

 

  • Duke vepruar kështu, Gjykata rithekson se Gjykata Supreme e ka përmbushur detyrimin e saj kushtetues për të ofruar një vendim të arsyetuar gjyqësor, sipas kërkesave të nenit 31 të Kushtetutës,​​ në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe asaj të​​ GJEDNJ-së.

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës bie në kategorinë e dytë (ii) pretendime me një​​ “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”,​​ andaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

 

 

Përkitazi​​ me​​ mungesën​​ e​​ konsistencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme

 

  • Gjykata​​ rikujton​​ që parashtruesi i kërkesës pretendon mungesë të konsistencës, përkatësisht divergjencë në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme në​​ lidhje me çështjen e subrogimit,​​ duke sqaruar se​​ “Gjykata Supreme e Kosovës me Aktgjykimin e kontestuar [E.REV.81/2021 të datës 08.12.2022], duke vendosur për një çështje të​​ njëjtë faktike dhe juridike si në​​ rastin konkret, ka nxjerr një vendim krejtësisht të​​ ndryshëm në krahasim me praktikën e saj të mëparshme. Konkretisht,​​ ky konstatim i parashtruesit të kërkesës mbështetet dhe i referohet, p.sh.​​ rastit – Aktgjykim E.​​ Rev.​​ 54/2022 të​​ datës 14.11.2022 të Gjykatës Supreme [....] me ç​​ rast respektohet instituti i subrogimit pa asnjë pengesë​​ dhe dallim të​​ kërkesës së​​ drejtpërdrejt dhe subrogimit mbi bazën e regjimit të​​ përgjegjësisë subjektive apo asaj objektive dhe me të​​ njëjtin vërtetohen​​ aktgjykimet e​​ gjykatave më​​ të​​ ulëta duke aprovuar kërkesëpadinë për suborgim të​​ parashtruesit të​​ kërkesës. Ndërsa, me​​ aktgjykimin e kontestuar [E.Rev.Nr.81/2021 të​​ datës 08.12.2022] rezulton të​​ ketë një qasje jo vetëm për ndonjë​​ nuancë, por diametralisht të​​ kundërt për​​ sa​​ i përket qëndrimit të​​ Gjykatës Supreme të​​ Kosovës kur trajton të​​ drejtën e subrogimit, çfarë kishte për pasojë​​ refuzimin e kërkesëpadisë për rimbursim të SUVA Luzern,​​ respektivisht të​​ parashtruesit të kërkesës”.

 

Parimet e​​ përgjithshme

 

  • Përkitazi me parimin e sigurisë juridike si rezultat i mungesës së konsistencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, GJEDNJ në praktikën e saj: (i) ka zhvilluar parimet themelore; dhe (ii) ka vendosur kriteret nëse një divergjencë e vendimeve gjyqësore e pretenduar përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së. Kriteret e vendosura nga GJEDNJ, Gjykata gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesve të kërkesave për cenimin e parimit të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse i ka zbatuar edhe në praktikën e saj gjyqësore (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës​​ KI35/18, me parashtrues,​​ Bayeriche Versicherungsverbrand, Aktgjykim i 6 janarit 2020;​​ KI87/18,​​ me parashtrues,​​ IF Skadeforsikring, Aktgjykim i 27 shkurtit 2019;​​ KI133/20,​​ parashtrues​​ Raiffeisen Bank J.S.C., Aktgjykim i 30 marsit 2022​​ dhe KI78/20,​​ me parashtrues​​ Raiffeisen Bank J.S.C.,​​ Aktgjykim i 30 marsit 2022,​​ ku Gjykata konstatoi shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si rezultat i divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, po ashtu mes tjerash edhe rastet​​ KI74/19​​ më parashtrues​​ Suva Rechtsabteilung, Aktgjykim i 28 prillit 2021,​​ KI119/19​​ me parashtrues​​ Suva Rechtsabteilung, Aktgjykim i 28 prillit 2021 dhe​​ KI09/20​​ me parashtrues​​ Suva Rechtsabteilung, Aktgjykim i 28 prillit 2021, aktgjykime të cilat Gjykata në trajtimin e meritave të pretendimeve për divergjencë në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme ka konstatuar se nuk ka pasur shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së;​​ po ashtu, edhe ndër​​ të​​ tjera,​​ rastet​​ KI09/23, me parashtrues​​ Hakif Haliti, Aktvendim për​​ papranueshmëri, i​​ 22 janarit 2024;​​ KI57/23, me parashtrues​​ Ismet Ferati,​​ Aktvendim për​​ papranueshmëri,​​ i​​ 30 gushtit 2023;​​ KI28/23, me parashtrues​​ Rrahim Haliti, Aktvendim për​​ papranueshmëri,​​ Aktvendim për​​ papranueshmëri i 7 qershorit 2023;​​ KI133/19, me parashtrues​​ Nysret Tafili, Aktvendim për​​ papranueshmëri,​​ i​​ 27 majit 2020 ku Gjykata pretendimet për mungesë​​ të​​ konsistencës​​ në​​ praktikën gjyqësore​​ i​​ shpalli si qartazi të​​ pabazuara).

 

  • Në dritën e zhvillimit të parimeve​​ të përgjithshme përkitazi me vendimet kundërthënëse apo divergjencë në praktikën gjyqësore, Gjykata​​ bazuar në​​ praktikën​​ gjyqësore të GJEDNJ-së​​ ka theksuar se​​ një nga komponentët thelbësore​​ të sundimit të ligjit është siguria juridike, e cila, ndër të tjera, garanton një siguri të caktuar në situata juridike dhe kontribuon në besim publik në gjykata (shih rastet e​​ Gjykatës​​ KI28/23, parashtrues​​ Rrahim Haliti, cituar më lart, paragrafi 61;​​ KI133/19, me parashtrues​​ Nysret Tafili, cituar më​​ lart, paragrafi 43;​​ dhe​​ KI57/23​​ Ismet Ferati,​​ cituar më​​ lart, paragrafi​​ 36; shih dhe​​ rastet​​ e GJEDNJ-së​​ Brumărescu kundër Rumanisë​​ [DHM], nr. 28342/95, paragrafi 61; rastin​​ Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë,​​ nr. 38155/02,​​ Aktgjykim i 2 nëntorit 2010,​​ paragrafi 38, dhe rastin​​ Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë,​​ nr.​​ 13279/05,​​ Aktgjykim i 20 tetorit 2011, paragrafi​​ 56).

 

  • Sipas konstatimit të GJEDNJ-së, konstatim ky i afirmuar edhe përmes praktikës gjyqësore të vet Gjykatës është theksuar se: “prezenca e vendimeve kundërthënëse gjyqësore, në anën tjetër, mund të krijojë situata të pasigurisë juridike, e cila do ta ulte besimin e publikut në sistemin gjyqësor”​​ (shih, rastin​​ Paduraru kundër Rumanisë,​​ nr. 63252/00, paragrafi 98;​​ Vinčić dhe të tjerët kundër Serbisë, nr. 44698/06, Aktgjykim i 1 dhjetorit 2009, paragrafi 56; dhe rasti​​ Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, të cituar më lart,​​ paragrafi​​ 38; shih në këtë aspekt rastet e Gjykatës, KI133/20, parashtrues​​ Raiffeisen Bank J.S.C., i cituar më lart, paragrafi 118 dhe KI78/21,​​ parashtrues​​ Raiffeisen Bank J.S.C., i cituar më lart, paragrafi 89). GJEDNJ, megjithatë, ka specifikuar se​​ nuk ka një të drejtë të fituar për konsistencë të praktikës gjyqësore (shih, rastin​​ Unédic kundër ​​ Francës, nr. 20153/04, Aktgjykim i 18 dhjetorit 2008, paragrafi 74,​​ shih rastin e cituar më lart​​ Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë,​​ paragrafi​​ 56, shih po ashtu rastin e Gjykatës: KI35/18, parashtrues​​ Bayerische Versicherungsverbrand, cituar më lart paragrafi 65,​​ KI42/17, parashtrues​​ Kushtrim Ibraj, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 janarit 2018, paragrafi 33,​​ KI133/20, parashtrues​​ Raiffeisen Bank J.S.C., i cituar më lart, paragrafi 117 dhe KI78/21, parashtrues​​ Raiffeisen Bank J.S.C., i cituar më lart, paragrafi 87).

 

  • Në vijim, GJEDNJ ka vendosur tri kritere themelore, të cilat janë pranuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës për të përcaktuar nëse një divergjencë e vendimeve gjyqësore e pretenduar përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, dhe të cilat përcaktojnë si në vijim: (i) nëse ekzistojnë dallime “të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore; (ii) nëse ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (iii) nëse ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti (në këtë kontekst, shih rastet e GJEDNJ-së,​​ Beian kundër Rumanisë​​ (nr.1),​​ nr. 30658/05, Aktgjykim i 6 dhjetorit 2007, paragrafët 37-39;​​ Famullia Katolike Greke Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 76943/11, Aktgjykimi i 29 nëntorit 2016, paragrafët 116 - 135;​​ Iordan Iordanov dhe të tjerët kundër Bullgarisë,​​ nr. 23530/02,​​ Aktgjykim i 2 korrikut 2009, paragrafët 49-50;​​ Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin​​ kundër Turqisë,​​ cituar më lart, paragrafi 53; dhe shih rastet e Gjykatës,​​ KI29/17, parashtrues​​ Adem Zhegrova,​​ Aktvendim për papranueshmëri, i 5 shtatorit 2017, paragrafi 51; KI42/17, parashtrues​​ Kushtrim Ibraj, cituar më lart, paragrafi 39; KI87/17 parashtrues “IF Skadiforsikring”, cituar më lart, paragrafi 67; KI35/18​​ parashtrues “Bayerische Versicherungsverbrand”, cituar më lart, paragrafi 70;​​ KI107/19, parashtrues​​ Gafurr Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 74;​​ KI133/20, parashtrues​​ Raiffeisen Bank J.S.C.,​​ cituar më lart,​​ paragrafi 120; KI78/21, parashtrues​​ Raiffeisen Bank J.S.C.,​​ cituar më lart,​​ paragrafi 91; dhe​​ KI28/23, parashtrues​​ Rrahim Haliti,​​ cituar më lart,​​ paragrafi 63).

 

  • Gjykata bazuar edhe në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe​​ të​​ vet​​ Gjykatës​​ ka theksuar se​​ nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave të rregullta, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme, pasi që pavarësia e tyre duhet të respektohet (shih rastet e​​ Gjykatës​​ KI35/18, parashtrues​​ Bayerische Versicherungsverbrand,​​ cituar më lart, paragrafi​​ 76​​ dhe KI133/19,​​ me parashtrues​​ Nysret Tafili,​​ i cituar më lart, paragrafi 51; shih po ashtu​​ rastin e GJEDNJ-së​​ Adamsons kundër Letonisë, cituar më lart, paragrafi 118). ​​​​ 

 

  • Për më tepër, parashtruesit e kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje kushtetuese të të drejtave dhe lirive themelore si rezultat i divergjencave në praktikë gjyqësore, duhet t’ia paraqesin Gjykatës argumentet përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar ​​ në vendime kundërthënëse në praktikën gjyqësore dhe e cila mund të ketë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre kushtetuese të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së (shih rastet ​​ KI35/18, me​​ parashtrues​​ Bayerische Versicherungsverbrand, cituar më​​ lart, paragrafi 76 dhe cituar më lart dhe KI133/19, me parashtrues Nysret Tafili,​​ i cituar më​​ lart,​​ paragrafi​​ 52 ).​​ 

 

 

  • Gjykata për arsye sqarimi thekson se ajo i ka vendosur parimet e përgjithshme ​​ përkitazi me mungesën e konsistencës, përkatësisht divergjencës në​​ praktikën ​​ gjyqësore në kontekst të​​ garancive procedurale​​ të​​ mishëruara në​​ nenin 31 të ​​​​ Kushtetutës në​​ lidhje me nenin 6 (E drejta​​ për​​ një proces të rregullt) të KEDNJ-së, përmes​​ aktgjykimeve​​ KI35/18, me parashtrues,​​ Bayeriche Versicherungsverbrand, Aktgjykim i 6 janarit 2020 dhe KI87/18, me parashtrues,​​ IF Skadeforsikring, Aktgjykim i 27 shkurtit 2019, si dhe rastin KI87/20 parashtrues​​ SUVA" Rechtsabteilung,​​ Aktvendim për papranueshmëri,​​ i 26 marsit 2021).​​ 

 

 

(ii) Aplikimi i këtyre parimeve në rrethanat e rastit konkret

 

 

  • Në vijim, Gjykata do të aplikojë​​ parimet e shtjelluara më lart në rrethanat e rastit konkret, duke aplikuar kriteret mbi bazën e të cilave GJEDNJ trajton çështjet e divergjencës përkitazi me praktikën gjyqësore, duke filluar me vlerësimin nëse në rrethanat e rastit konkret, (i) kundërthëniet e pretenduara në praktikën gjyqësore janë​​ “të thella dhe afatgjata”;​​ dhe nëse ky është rasti, (ii) ekzistimin e mekanizmave të aftë për të zgjidhur divergjencën përkatëse; dhe (iii) vlerësimin nëse këta mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti në rrethanat e rastit konkret.

 

  • Në këtë kontekst, Gjykata duhet gjithashtu të ritheksoj​​ se, bazuar edhe në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave të rregullta, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme. Ajo duhet të respektojë pavarësinë e gjykatave. Për më tepër që në raste të tilla, përkatësisht pretendimeve për shkelje kushtetuese të të drejtave dhe lirive themelore si rezultat i divergjencave në praktikë gjyqësore, parashtruesit e kërkesave duhet t​​ i paraqesin Gjykatës argumentet përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar kështu në divergjencë në praktikën gjyqësore dhe e cila mund të ketë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre kushtetuese të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së (shih rastin KI35/18, parashtrues “Bayerische Rechtsverbrand”, të cituar më lart, paragrafi 76).

 

  • Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se në​​ rastin e tij, Gjykata Supreme ka vendosur ndryshe duke ndryshuar aktgjykimet e instancave më​​ ​​ ulëta në disfavor të tij​​ lidhur me çështjen​​ kompensimit solidar të​​ dëmit​​ mbi bazën e të​​ drejtës së​​ subrogimit. Në​​ mbështetje​​ ​​ pretendimeve​​ ​​ tij, parashtruesi i kërkesës iu referohet​​ dhe i ka dorëzuar katër (3) vendime të Gjykatës​​ Supreme,​​ respektivisht​​ Aktgjykimin [Rev.​​ nr.​​ 331/2014] të 12 marsit 2015; dhe​​ aktgjykimet [Rev.​​ nr.​​ 402/2020] të 12 janarit 2021; [Rev.​​ E.​​ nr.​​ 54/2022],​​ si dhe Aktgjykimi [AC.​​ nr.​​ 2438/17] të Gjykatës së​​ Apelit të 10 dhjetorit 2019.​​ 

 

  • Në lidhje me​​ këto vendime të​​ Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së​​ Apelit, respektivisht Aktgjykimin [Rev.​​ nr.​​ 331/2014]; [Rev.​​ nr.​​ 402/2020];​​ si dhe Aktgjykimin​​ [AC.​​ nr.​​ 2438/17], Gjykata vëren se këto​​ aktgjykime kryesisht iu referohen kërkesës për revizion kundër​​ aktgjykimeve të gjykatave të shkallës më​​ të ulët,​​ kërkesa të cilat janë parashtruar nga​​ individët dhe​​ kompanitë e sigurimeve,​​ ku i referohen kërkesës kryesore të​​ paraqitur me padi,​​ përkatësisht kërkesës përkitazi me kompensimin si rezultat i ​​ të drejtës​​ në subrogim​​ dhe kërkesës​​ ​​ lidhje me caktimin​​ e lartësisë së​​ shumës së​​ kompensimit.​​ Gjykatat e rregullta​​ përmes këtyre​​ aktgjykimeve në​​ rastet kur ishte aprovuar apo konfirmuar​​ kompensimi ​​ i dëmit me përgjegjësi solidare ishte​​ bërë​​ mbi bazën​​ e​​ konstatimit të​​ përgjegjësisë​​ ​​ shkaktimin e aksidentit.​​ Kjo qasje ishte zhvilluar mbi bazën​​ e një vlerësimi të kujdesshëm të​​ përgjegjësisë për shkaktimin e aksidentit, duke reflektuar​​ një shqyrtim të hollësishëm ​​ ​​ faktorëve të përfshirë.​​ ​​ këto raste, është zbatuar përgjegjësia e përbashkët dhe solidare të palëve të përfshira, fakt i cili ka qenë​​ determinues përkitazi me detyrimet për kompensim dëmi.​​ 

 

  • Ndërsa në Aktgjykimin​​ [Rev.​​ E.​​ nr.​​ 54/2022] të 14​​ janarit 2022,​​ Gjykata fillimisht​​ vëren se​​ në këtë​​ rast​​ ka ndodhur​​ aksidenti i trafikut në mes të dy automjeteve në​​ lëvizje, automjeti Mercedes ...,​​ i siguruar​​ te​​ e paditura, ku L.​​ A., pasagjer​​ dhe motoçikletës së​​ paregjistruar duke kaluar në​​ anën tjetër të shiritit rrugor dhe me këtë rast godet automjetin Mercedes. Nga dokumentacioni mjekësor i trajtimit​​ Kosovë dhe në​​ Zvicër si dhe nga listingu i pagesave të​​ bëra nga paditësi, është vërtetuar se i dëmtuari Lulzim Aliu ​​ ka pësuar​​ lëndime të​​ rënda trupore për të cilat janë bërë​​ trajtime përkatëse mjekësore​​ dhe rehabilitim në vitin 2013, 2014, dhe 2015, si dhe paaftësinë punues deri më​​ 31.12.2015 [...]”.​​ 

 

Gjykata e​​ shkallës​​ së​​ parë, me propozimin e palës së​​ paditur ka nxjerrë provën me​​ anë​​ ​​ ekspertizës​​ së​​ komunikacionit të dt.15.02.2021, me të​​ cilën eksperti ka konstatuar se shkaku i ndodhjes së​​ këtij aksidenti janë lëshimet e shoferit të​​ motoçikletës “A” (Honda)[...].​​ Përveç​​ tjerash, eksperti ka konstatuar se në këtë aksident trafiku nuk është vërtetuar ndonjë shkak tjetër jashtë veprimit​​ të mjeteve motorike të​​ përfshira​​ në​​ këtë​​ aksident.​​ Pjesëmarrës​​ tjerë (apo​​ veprime të personave të tretë) të cilët kanë ndikuar në​​ shkakun e këtij aksidenti​​ nuk ka pasur, përpos shoferit të​​ automjetit “A”, me​​ veprimet​​ e tij të​​ lartcekura.​​ “Duke u nisur nga gjendja e këtillë faktike, gjykata e shkallës së​​ parë​​ ka gjetur se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar, ka detyruar të paditurën që​​ t’i paguaj paditësit shumën dhe kamatën përkatëse, prandaj ka vendosur, siç u theksua më​​ lart, si në​​ dispozitiv të​​ aktgjykimit të​​ saj”. ​​ 

 

  • Gjykata vëren​​ se pjesa më​​ e madhe e aktgjykimeve në rastet kur ishte aprovuar apo konfirmuar kompensimi​​ solidar i dëmit​​ ishte bërë​​ mbi bazën e konstatimit të përgjegjësisë​​ solidare​​ në shkaktimin e aksidentit. Kjo qasje ishte zhvilluar mbi bazën e një vlerësimi të kujdesshëm të​​ përgjegjësisë për shkaktimin e aksidentit, duke reflektuar​​ një shqyrtim të hollësishëm të​​ faktorëve të përfshirë në situatën konkrete. Në​​ shumicën e këtyre rasteve, është zbatuar përgjegjësia e​​ përbashkët​​ dhe solidare të palëve të përfshira, fakt i cili ka​​ qenë determinues​​ përkitazi me detyrimet për kompensim​​ solidar të dëmit.​​ 

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata duke marrë​​ parasysh elaborimin e rasteve të lartcekura konstaton se në​​ rrethanat e rastit konkret, nuk plotësohen të​​ tri kriteret e GJEDNJ-së​​ përkitazi me vlerësimin nëse mungesa e konsistencës, përkatësisht divergjencat në praktikë​​ gjyqësore, kanë rezultuar në shkelje të​​ të drejtave dhe lirive për një gjykim të​​ drejtë​​ dhe të paanshëm.

 

  • Gjykata, së pari rithekson se në rrethanat e rastit konkret nuk ka konstatuar “dallime të thella dhe afatgjata”​​ në praktikën gjyqësore të Gjykatës​​ Supreme​​ përkitazi me aplikimin e dispozitave që rregullojnë​​ kompensimin solidar të dëmit​​ mbi bazën e të​​ drejtës në​​ subrogim​​ me dorëzimin e një​​ ose katër vendimeve.​​ 

 

  • Në kuadër të këtij konteksti, Gjykata​​ nënvizon​​ se roli i saj nuk përfshinë analizimin e​​ një​​ rasti duke u bazuar​​ vetëm​​ ​​ një krahasim të​​ vendimeve të​​ tjera​​ gjyqësore të gjykatave të rregullta.​​ Ky vlerësim​​ afirmohet duke u mbështetur në​​ praktikën e GJEDNJ-së​​ për të ruajtur pavarësinë e gjykatave të​​ rregullta dhe nevojën për respektimin​​ e kompetencave në kuadër të kryerjes së​​ detyrave të​​ tyre, aspekt ky i​​ rëndësishëm për ushtrimin e juridiksionit​​ të gjykatave të rregullta​​ dhe për ekzekutimin e kompetencave​​ ​​ tyre (shih më​​ lart paragrafin​​ 98​​ të këtij​​ aktvendimi).

 

  • Së​​ dyti, Gjykata konsideron se sqarimi i dhënë i Gjykatës Supreme përmes​​ aktgjykimit të kontestuar në lidhje me zbatimin e dispozitave të LMD-së, përkatësisht nenit 178 të​​ tij në rastet e​​ kërkesave​​ që i referohen caktimit të​​ kompensimit​​ të dëmit​​ në​​ kuadër të së​​ drejtës në subrogim është i qartë.​​ ​​ 

 

  • Së​​ treti, Gjykata vlerëson se nuk mund të spekulojë lidhur me kushtetutshmërinë e procedurave të zhvilluara në gjykatat e rregullta ndaj parashtruesve të tjerë, sidomos, kur merret parasysh se në rastin e parashtruesit të kërkesës janë dhënë shpjegime të detajuara dhe të arsyetuara për zbatuashmërinë​​ e ligjit në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës. Për të vlerësuar korrektësinë e​​ vendimmarrjes​​ ndaj parashtruesit të kërkesës karshi parashtruesve të tjerë në procedura dhe raste të tjera, Gjykatës i nevojiten “shkaqe me peshë”​​ (weighty reasons),​​ çka mungojnë në rrethanat e rastit konkret (shih rastin e Gjykatës​​ KI107/22​​ parashtrues​​ Valdet Avdiu,​​ cituar më lart, paragrafi 44).

 

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se​​ aktgjykimi​​ i kontestuar i Gjykatës​​ Supreme​​ nuk është i përfshirë në cenim të parimit të sigurisë juridike dhe në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të parashtruesit të kërkesës, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës bie në kategorinë e tretë (iii), pretendime​​ “të pambështetura ose të paarsyetuara”,​​ andaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

 

Përfundime

 

  • Gjykata ka trajtuar të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke aplikuar mbi këtë vlerësim praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe GJEDNJ-së përkitazi me interpretimin dhe aplikimin qartazi të gabuar të ligjit dhe parimin e sigurisë juridike në aspektin e konsistencës së praktikës gjyqësore, garanci këto, që me përjashtime të caktuara, janë të mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së.

 

  • Së pari, sa i përket pretendimit që ndërlidhet me​​ mosarsyetim​​ të vendimit gjyqësor,​​ Gjykata konkludon se ky pretendim i​​ parashtruesit të kërkesës bie në kategorinë e dytë (ii) pretendime me një​​ “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, ​​​​ andaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

 

  • Së dyti, sa i përket parimit të sigurisë juridike në kontekst të mungesës së konsistencës, përkatësisht divergjencës së praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme, Gjykata​​ konkludon se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës bie në kategorinë e tretë (iii), pretendime​​ “të pambështetura ose të paarsyetuara”,​​ andaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

 

 

 

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës,​​ ​​ nenet 20 dhe 48 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (2) dhe 48 (b) të Rregullores së punës, më​​ 30 prill​​ 2024,​​ njëzëri

 

VENDOS

 

  • TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  • T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  • Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare​​ të Republikës së Kosovës,​​ në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;

 

 

 

 

 

Gjyqtarja raportuese​​  Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese​​ 

 

 

 

 

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Gresa Caka-Nimani​​ 

 

 

 

 

 

 

 

 

1

 

Parashtruesit:

Suva Rechtsabteillung

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile