Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 444/2023] të 6 nëntorit 2023 të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI63/24

Parashtruesit: Vigan Isufi

Shkarko:

Prishtinë, më​​ 15​​ korrik 2024​​ 

          Nr. ref.: RK 2471/24

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr. KI63/24

 

Parashtrues

 

Vigan Isufi

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.​​ nr.​​ 444/2023]

të​​ 6 nëntorit​​ 2023​​ të Gjykatës Supreme

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar​​ 

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare​​ 

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar

Enver Peci, gjyqtar dhe

Jeton Bytyqi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i​​ kërkesës​​ ​​ 

 

  • Kërkesa​​ është​​ parashtruar​​ nga Vigan Isufi, nga Prishtina​​ (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës),​​ i​​ përfaqësuar nga Shpetim Sadiku, avokat në​​ komunën e Prishtinës.​​ ​​ 

 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Rev. nr. 444/2023] të 6 nëntorit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 9986/2021]​​ e​​ 10 gushtit 2023 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e kishte pranuar më 17 nëntor 2023.

 

Objekti i çështjes ​​ 

 

  • Objekt i çështjes​​ së kërkesës​​ është vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ Aktgjykimit​​ të​​ kontestuar​​ të Gjykatës Supreme,​​ përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të​​ tij të​​ garantuara me​​ nenet​​ 3 [Barazia para Ligjit],​​ 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]​​ dhe​​ 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin​​ e mëtejmë: Kushtetuta),​​ dhe​​ nenet​​ 6 (E drejta për një proces të rregullt), 14 (Ndalimi i diskriminimit), 1​​ (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit)​​ të​​ Protokollit​​ Nr.​​ 12, dhe 1​​ (Mbrojtja e pronës)​​ të​​ Protokollit​​ Nr.​​ 1​​ të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

 

Baza juridike

 

  • Kërkesa​​ bazohet​​ në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe​​ në​​ rregullin​​ 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve)​​ të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

Procedura në Gjykatën​​ Kushtetuese​​ 

 

  • Më​​ 13​​ mars 2024,​​ parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën​​ e tij përmes postës,​​ të cilën​​ Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata)​​ e​​ pranoi më 15​​ mars 2024.

 

  • Më​​ 26 mars 2024, Kryetarja e Gjykatës​​ përmes Vendimit​​ [Nr.​​ GJR. KI63/24] caktoi gjyqtarin​​ Jeton Bytyqi​​ gjyqtar raportues dhe​​ përmes Vendimit [Nr.​​ KSH. KI63/24] caktoi​​ Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët:​​ Bajram Ljatifi​​ (kryesues), Remzije Istrefi-Peci, dhe​​ Nexhmi Rexhepi, anëtarë.

 

  • Më​​ 2 prill 2024, Gjykata​​ i​​ njoftoi​​ parashtruesin e kërkesës dhe Gjykatën Supreme për​​ regjistrimin e kërkesës.

 

  • Në të njëjtën ditë, Gjykata​​ e njoftoi​​ Gjykatën​​ Themelore në Prishtinë-Dega në Lipjan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore)​​ për regjistrimin e kërkesës dhe i kërkoi​​ që të dorëzojë në Gjykatë fletëkthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës​​ e ka pranuar​​ vendimin e kontestuar.

 

  • Më​​ 5 prill 2024, Gjykata​​ Themelore​​ dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e​​ kërkuar.

 

  • ​​ 25 qershor​​ 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.​​ 

 

Përmbledhja e fakteve

 

  • Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte qenë i punësuar​​ në pozitën​​ e udhëheqësit të​​ ngarkimit në​​ Aeroportin​​ Ndërkombëtar​​ “Limak Kosova”​​ (në tekstin e mëtejmë: Limak Kosova)​​ nga 5 prilli 2016,​​ me kontratë pune për kohë të caktuar, e cila ishte vazhduar disa herë, me ç’rast kontrata e fundit e nënshkruar mes​​ parashtruesit të​​ kërkesës dhe Limak Kosova​​ skadonte​​ më 3 prill 2020. ​​​​ 

 

  • Më 23 gusht 2019,​​ ashtu​​ siç rezulton nga shkresat e rastit, pas një greve​​ 3 (tre) ditore të organizuar nga​​ Shoqata​​ Sindikale​​ e​​ Punëdhënësit Limak Kosova (në tekstin e​​ mëtejmë: Sindikata),​​ përmes së cilës kishin paraqitur kërkesat e tyre lidhur me kushtet dhe kompensimin e tyre,​​ ndërmjet Limak Kosova dhe përfaqësuesve të​​ Sindikatës​​ ishte arritur marrëveshje lidhur me kërkesat e grevistëve si dhe ishin pajtuar që kundër tyre të mos merreshin masa apo të zhvillohej procedurë disiplinore.​​ Në grevën e lartcekur kishte marrë pjesë edhe parashtruesi i kërkesës.

 

  • Më​​ 3 mars​​ 2020,​​ Limak Kosova përmes Njoftimit e informoi parashtruesin e kërkesës​​ dhe​​ disa punëtor tjerë​​ se marrëdhënia e​​ tyre​​ e​​ punës përfundon​​ në ditën e skadimit të kontratës së punës, përkatësisht​​ në​​ rastin e parashtruesit të​​ kërkesës​​ më 3 prill 2020, bazuar​​ ​​ paragrafin 2 të​​ nenin 71 (Koha e njoftimit​​ për​​ ndërprerjen e​​ kontratës​​ së punës)​​ të Ligjit të Punës Nr.03/L-212​​ (në tekstin e mëtejmë: Ligji i Punës), që​​ përcakton se​​ Punëdhënësi mund të ndërpresë kontratën e punës për kohë të caktuar me njoftim prej tridhjetë (30) ditësh kalendarike. Punëdhënësi i cili nuk ka për qëllim të ripërtërijë kontratën me periudhë të caktuar duhet të informojë punësuarin së paku tridhjetë (30) ditë para skadimit të kontratës”.

 

  • Më​​ 12 mars 2020, parashtruesi i kërkesës paraqiti​​ ankesë tek instancat ankimore të Limak Kosova kundër Njoftimit të 3 marsit 2020 për​​ mospërtërirjen e​​ kontratës së punës, përmes së cilës​​ pretendoi, mes tjerash se,​​ se mos-vazhdimi i marrëdhënies së punës ishte veprim ndëshkues dhe diskriminues ndaj tij si anëtar i Sindikatës​​ pasi ai nuk kishte shkelur detyrat e punës.

 

  • Më​​ 16 mars​​ 2020, Departamenti i Burimeve Njerëzore i​​ Limak​​ Kosova,​​ refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin​​ se Njoftimi për​​ mospërtërirjen​​ e kontratës së punës ishte bërë në pajtim me dispozitat e​​ Ligjit të Punës​​ dhe se pretendimi i tij se ishte ndëshkuar për faktin se ishte pjesë e Sindikatës,​​ ishte i pabazuar.​​ 

 

Procedurat​​ e zhvilluara para Inspektoratit të Punës

 

  • Nga shkresat e lëndës rezulton se Sindikata​​ kishte​​ parashtruar​​ ankesë në Inspektoratin e Punës përmes së cilës​​ kishte​​ kërkuar​​ anulimin e Njoftimeve​​ për​​ mos-ripërtëritjen​​ ​​ e​​ kontratës​​ së punës,​​ përfshirë edhe atë të​​ parashtruesit të​​ kërkesës.

 

  • Më 2 prill 2020, Inspektorati i Punës,​​ përmes​​ Vendimit​​ [Nr. 01-14-66/2020-1], anuloi​​ Njoftimin e Limak Kosova​​ për​​ mos-ripërtëritjen​​ e marrëdhënies së punës për 28 (njëzet e tetë) punëtorë, në mesin e​​ tyre, edhe për parashtruesin e kërkesës.

 

  • Në një datë të paspecifikuar, Limak Kosova​​ dorëzoi​​ ankesë në​​ Komisionin e Organit të​​ Shkallës së​​ Dytë të Inspektoratit të Punës kundër vendimit [Nr. 01-14-66/2020-1]​​ të​​ 2 prillit 2020 të​​ Inspektoratit të Punës.

 

  • Më​​ 6 gusht 2020, Komisioni i Organit të Shkallës së​​ Dytë​​ të​​ Inspektoratit të​​ Punës përmes Vendimit [Nr. 386/2020] refuzoi ankesën e Limak Kosova si të​​ pabazuar dhe vërtetoi Vendimin [Nr. 01-14-66/2020-1] e 2 prillit 2020 ​​ të ​​ Inspektoratit të Punës.

 

Procedurat gjyqësore të iniciuara nga parashtruesi i kërkesës​​ përkitazi me Njoftimin për mos-përtëritje të kontratës së punës

 

  • Më​​ 6 prill​​ 2020, parashtruesi i kërkesës​​ dorëzoi​​ padi në Gjykatën Themelore kundër​​ Limak Kosova,​​ përmes së cilës kërkoi anulimin e​​ Njoftimit​​ të​​ 3 marsit 2020,​​ për​​ mos-përtëritjen​​ e kontratës së punës,​​ kthimin në punë dhe kompensimin e të ardhurave​​ personale.

 

  • Në një datë të paspecifikuar, Limak Kosova parashtroi përgjigje në padi në Gjykatën Themelore, përmes së cilës kundërshtoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se Njoftimi për​​ mospërtërirjen​​ e kontratës së punës ishte bërë në përputhje me nën-paragrafin 3 të paragrafit 3 të nenit 67​​ (Ndërprerja e Kontratës së Punës sipas fuqisë ligjore)​​ të Ligjit të Punës​​ dhe paragrafin 2 të nenit 72 të Ligjit të Punës,​​ sipas të cilave punëdhënësi nuk ka për obligim që të ripërtërijë kontratat e punës me kohë të caktuar.

 

  • Më​​ 2​​ korrik​​ 2021, Gjykata Themelore​​ përmes​​ Aktgjykimit​​ [C.nr.491/20]​​ aprovoi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës​​ pasi​​ konstatoi se​​ (i)​​ Njoftimi​​ i Limak Kosova për mos-ripërtëritjen e kontratës së punës​​ është në kundërshtim me nenin 4​​ (Parimi i ndërgjegjshmërisë dhe ndershmërisë)​​ të​​ Ligjin Nr.04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve (në tekstin e mëtejmë: LMD)​​ pasi që​​ edhe pse pozita e punës në të cilën kishte punuar parashtruesi i kërkesës ishte e përcaktuar si pozitë e përhershme e punës, Limak Kosova kishte lidhur kontrata dhe aneks kontrata me kohë të caktuar me parashtruesin e kërkesës, duke shkelur kështu parimin e ndërgjegjshmërisë dhe ndershmërisë,​​ duke​​ mbajtur këtë të fundit në gjendje të pasigurtë juridike të marrëdhënies së punës; (ii) bazuar në​​ kontratën​​ ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe Limak Kosova,​​ parashihej se e​​ njëjta​​ mund të​​ vazhdohej,​​ varësisht nga kushtet e​​ kompanisë, rrethanat operacionale​​ si​​ dhe​​ performanca e​​ parashtruesit të kërkesës; dhe (iii)​​ Njoftimi për mos-ripërtëritjen​​ e kontratës së punës nga Limak Kosova është nxjerrë në kundërshtim me nenin 13​​ (Mbrojtja e të drejtave të punësuarve gjatë grevës) të​​ Ligjin Nr.03/L-200 për Greva (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Greva)​​ pasi që nga përfundimi i grevës e deri tek mosvazhdimi i kontratës së punës së parashtruesit të kërkesës dhe punëtorëve tjerë, Limak Kosova kishte punësuar​​ 50​​ (pesëdhjetë) punëtorë të rinj, duke​​ mos respektuar marrëveshjen e 23 gushtit 2019 të arritur në takimin me Sindikatën.​​ 

 

  • Më 11 nëntor 2021, Limak Kosova​​ parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [C. nr.​​ 491/20] të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim​​ ​​ gabuar ose jo​​ të plotë të​​ gjendjes faktike​​ dhe​​ zbatim të​​ gabuar​​ të së​​ drejtës materiale.​​ Në këtë drejtim, ndër​​ tjera, Limak Kosova pretendoi​​ se Njoftimi​​ për mos-ripërtëritjen​​ e kontratës së punës njoftonte parashtruesin e kërkesës, në përputhje me paragrafin 2 të nenit 71 të Ligjit të Punës. ​​ 

 

  • Më​​ 10 gusht 2023, Gjykata e Apelit​​ përmes​​ Aktgjykimit​​ [Ac. nr.​​ 9886/2021]​​ e​​ aprovoi​​ si të themeltë​​ ankesën e Limak​​ Kosova​​ dhe​​ refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë​​ e parashtruesit​​ të kërkesës për anulimin e Njoftimit​​ të të paditurës​​ për​​ mos-ripërtëritjen​​ e kontratës së​​ punës​​ me arsyetimin​​ se​​ tek kontratat e punës me kohë të caktuar, nuk kërkohet që të jepen arsye lidhur me ndërprerjen e marrëdhënies së punës,​​ pasi që palët kontraktuale janë të vetëdijshme që marrëdhënia e punës ndërpritet me kalimin e asaj periudhe kohore; dhe se​​ nuk ka pasur nevojë për zhvillim të procedurës disiplinore​​ por​​ vetëm që​​ punëdhënësi​​ parashtruesin e kërkesës ta njoftojë për ndërprerjen e marrëdhënies së punës 30​​ (tridhjetë)​​ ditë para përfundimit.​​ 

 

  • Më 25 shtator 2023,​​ parashtruesi​​ i kërkesës​​ paraqiti​​ revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit [Ac. nr.​​ 9886/2021]​​ të 10 gushtit 2023​​ të Gjykatës së Apelit,​​ për shkak të shkeljes së​​ dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale,​​ me​​ pretendimin se (i) Limak Kosova kishte pasur për obligim ripërtëritjen e kontratës së punës pasi bëhej fjalë për pozitë të punës që për nga natyra ishte e përhershme​​ dhe se në rastin konkret kishte largime kolektive dhe punësim në këto pozita të punëtorëve të rinj;​​ dhe se​​ (ii) ai ishte diskriminuar në punë sepse në raste të ngjashme gjykatat e rregullta kishin vendosur që Limak Kosova kishte për obligim që të përtërijë kontratën e punës dhe se atij nuk i ishte vazhduar kontrata e punës pasi kishte marrë pjesë në grevë.​​ 

 

  • Më​​ 6 nëntor​​ 2023, Gjykata Supreme​​ përmes​​ Aktgjykimit​​ [Rev. nr.​​ 444/2023]​​ refuzoi si të​​ pathemeltë​​ revizionin e parashtruesit të kërkesës, të paraqitur kundër​​ Aktgjykimit [Ac. nr.​​ 9886/2021] të Gjykatës së Apelit.​​ Gjykata Supreme​​ arsyetoi​​ se​​ (i)​​ marrëdhënia e punës ka qenë e krijuar në kohë të caktuar, prandaj, nga këtu, kontrata e punës së paditësit, nuk i është ripërtërirë, e njëjta ka skaduar sipas fuqisë ligjore; (ii)​​ nuk qëndrojnë as thëniet e revizionit lidhur me pretendimin se në këtë rast, kemi të bëjmë me largimet kolektive nga puna, përkatësisht nenin 76​​ (Largimet kolektive nga puna)​​ të Ligjit të Punës pasi ky i fundit ka të bëjë me kontratat me afat të pacaktuar​​ ​​ ndërprerjen e kontratës së punës nga ana e punëdhënësit, arsyetohet për arsye ekonomike, teknike ose organizative, gjë që, këtu nuk është rasti, sepse në rastin konkret civil-juridik, kemi të bëjmë me kontratën e punës sipas fuqisë ligjore,​​ e cila​​ ndërpritet edhe​​ me​​ skadimin e kohëzgjatjes së kontratës.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara​​ me​​ nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës,​​ në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit), nenin 1 të Protokollit​​ Nr.​​ 12 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit), dhe nenin 1 të Protokollit Nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të​​ KEDNJ-së.

 

  • Lidhur me pretendimin për shkelje të​​ nenit 3 dhe 24 të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 dhe nenin 1 të Protokollit​​ Nr.​​ 12 të KEDNJ-së

 

  • Parashtruesi i kërkesës thekson se e drejta për barazi para ligjit dhe mosdiskriminim garantohet jo vetëm me nenet 3 dhe 24 të Kushtetutës, por edhe me nenin 14 dhe nenin 1 të Protokollit​​ Nr.​​ 12 të KEDNJ-së, si dhe me nenin 5 të Ligjit të Punës. ​​ 

 

  • Në mbështetje të pretendimit të tij, parashtruesi i kërkesës i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, përkatësisht rastit​​ Danilenkov dhe të tjerët kundër Rusisë, ku GJEDNJ kishte konstatuar se shteti nuk kishte arritur që të siguronte mbrojtje efektive gjyqësore kundër diskriminimit në bazë të anëtarësimit në sindikatë të punëtorëve grevistë, që ishin pushuar nga puna (shih, rastin e GJEDNJ-së​​ Danilenkov dhe të tjerët kundër Rusisë, nr. 67336/01, Aktgjykim i 10 dhjetorit 2009, paragrafi 136). Gjithashtu, parashtruesi i​​ kërkesës i referohet edhe rastit​​ Zakharova dhe të tjerët kundër Rusisë, ku GJEDNJ kishte gjetur se shteti nuk i kishte përmbushur detyrimet e veta pozitive për mbrojtje nga diskriminimi pasi që nga punëdhënësi ishin ndërmarrë veprime ndëshkuese kundër krerëve të sindikatës (shih, rastin e GJEDNJ-së​​ Zakharova dhe të tjerët kundër Rusisë, nr.​​ 12736/10, Aktgjykim i 8 marsit 2022, paragrafi 48).

 

  • Më konkretisht, parashtruesi i kërkesës konsideron se Limak Kosova ka tentuar ta kamuflojë trajtimin ndëshkues që i ka bërë atij dhe punëtorëve tjerë, me arsyetimin se nuk iu është vazhduar kontrata e punës pas përfundimit të kohëzgjatjes së saj. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës thekson se kjo është vërtetuar nga Gjykata Themelore ​​ dhe se provë e qartë që dëshmon qasjen diskriminuese dhe ndëshkuese ndaj punëtorëve që morën pjesë në grevë është fakti se menjëherë pas largimit kolektiv të tij dhe 60​​ (gjashtëdhjetë)​​ punëtorëve të tjerë, Limak Kosova punësoi 50​​ (pesëdhjetë)​​ punëtorë të rinj, duke përfshirë punëtor për pozitën e mbajtur nga parashtruesi i kërkesës.

 

  • Parashtruesi i kërkesës tutje i referohet praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe të GJEDNJ-së, duke theksuar se​​ “trajtimi diskriminues është i përligjur nëse është i mbështetur në ligj; nëse ka justifikim objektiv dhe qëllim legjitim dhe nëse është proporcional (shih inter alia, rastet e GJEDNJ-së​​ Carson dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, 2010; Unal Tekeli kundër Turqisë, 2004; dhe rastet e Gjykatës Kushtetuese,​​ KO01/17,​​ KO119/10)”.​​ Sipas parashtruesit të kërkesës, asnjë nga këto kushte nuk janë përmbushur dhe se nuk​​ ka​​ justifikim objektiv dhe qëllim legjitim për ndëshkimin e punëtorit si rezultat i aktivitetit sindikal, dhe se në rastin e tij i është shkelur e drejta për mosdiskriminim sipas neneve 3 dhe 24 të Kushtetutës si dhe nenin 14 dhe nenin 1 të Protokollit​​ Nr.​​ 12 të KEDNJ-së.​​ 

 

  • Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendon se​​ Aktgjykimi​​ [Rev. nr. 444/2023]​​ i Gjykatës Supreme shkel të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkatësisht (i) të drejtën për vendim të arsyetuar gjyqësor; dhe (ii) parimin e sigurisë juridike, si rezultat i​​ moskonsistencës​​ së vendimmarrjes gjyqësore​​ si dhe moszbatimit të vendimit të Inspektoratit të Punës.​​ 

 

  • Lidhur me pretendimin për mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor

 

  • Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës thekson se sipas jurisprudencës së GJEDNJ-së dhe Gjykatës, e drejta për vendim të arsyetuar gjyqësor është e lidhur ngushtë me administrimin e duhur të drejtësisë dhe se vetëm duke dhënë një vendim të arsyetuar mund të ketë shqyrtim publik të administrimit të drejtësisë. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës shton se është e domosdoshme që vendimet e gjykatave t’i paraqesin në mënyrë të plotë dhe të qartë arsyet në të cilat ato bazohen.​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës thekson se në praktikën e saj, Gjykata Kushtetuese ka ndjekur vazhdimisht interpretimet e GJEDNJ-së, sipas të cilave e drejta për një vendim gjyqësor të arsyetuar​​ cenohet​​ kur gjykatat nuk kanë shqyrtuar​​ disa prej pretendimeve apo argumenteve të rëndësishme të palëve.​​ Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës i referohet rasteve të Gjykatës, ku kjo e fundit​​ ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të mosarsyetimit të vendimeve gjyqësore, respektivisht rasteve​​ KI135/14,​​ KI138/15,​​ KI22/16,​​ KI177/19.

 

  • Në mbështetje të​​ pretendimit për mosarsyetim të vendimit gjyqësor,​​ parashtruesi i kërkesës i referohet rastit të Gjykatës​​ KI138/15, ku kjo e fundit kishte vlerësuar se mungesa e adresimit të plotë të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës nga ana e​​ Gjykatës​​ Supreme dhe gjykatave të instancës më të ulët përbënte një të metë të pakapërcyeshme (shih, rastin e Gjykatës​​ KI138/15, parashtrues​​ “Sharr Beteiligungs Gmbh”​​ SH.P.K, Aktgjykim i 4 shtatorit 2017). Parashtruesi i kërkesës shton se një shkelje e tillë e të drejtës në vendim të arsyetuar gjyqësor ka ndodhur në rastin e tij, për faktin se Gjykata Supreme nuk ka adresuar pretendimin e tij kryesor​​ se ai ishte ndëshkuar nga Limak Kosova për shkak të pjesëmarrjes së tij në grevën e gushtit të vitit 2019.​​ Më tej, ​​ parashtruesi i kërkesës pretendon se as pretendimi tjetër kryesor, paraqitur përgjatë tërë procedurave gjyqësore, se punëdhënësi kishte abuzuar me pozitën e të fortit, duke denigruar dinjitetin e punëtorëve, në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 5 të Ligjit të Punës që ndalon diskriminimin, nuk është adresuar, duke çuar në shkeljen e të drejtës për vendim të arsyetuar gjyqësor, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës.​​ 

 

  • Tutje, parashtruesi i kërkesës thekson se përmes revizionit ai kishte ngritur pretendimin se rasti i tij është trajtuar ndryshe nga Gjykata e Apelit, në krahasim me rastin e V.K., rast ky identik me të parashtruesit të kërkesës, dhe se Gjykata e Apelit i ishte referuar disa rasteve, të cilat ishin me gjendje faktike krejtësisht të ndryshme nga rasti i parashtruesit të kërkesës. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme nuk i ka adresuar fare këto pretendime të ngritura përmes revizionit.​​ 

 

  • Lidhur me pretendimin për cenim të parimit të sigurisë juridike

 

 

  • u odnosu na​​ Në lidhje me​​ pretendimin për cenim të parimit të​​ sigurisë juridike,​​ parashtruesi i​​ kërkesës​​ thekson​​ se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kanë shkelur parimin e sigurisë juridike për shkak të qasjes jokonsistente të gjykatave në lidhje me punëtorët e​​ Limak Kosova, duke përfshirë​​ këtu edhe rastin e tij. Në mbështetje të​​ këtij pretendimi,​​ parashtruesi i​​ kërkesës​​ shton​​ se​​ [...]​​ gjykatat e Kosovës kanë ndjekur qasje të ndryshme, duke marrë vendime kundërthënëse dhe duke u dhënë epilogë të ndryshëm gjyqësor procedurave të zbatuara për raste të njëjta”.​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës thekson se Gjykata Supreme jo vetëm që nuk ka bërë unifikimin e praktikës gjyqësore por që në rastin e tij, dhe të disa punëtorëve të tjerë, i ka kontribuar në masë të madhe jokonsistencës gjyqësore. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës përmes kërkesës së tij i referohet disa rasteve​​ të punëtorëve të Limak Kosova​​ ku sipas tij​​ gjykatat kishin qasje të ndryshme, më konkretisht,​​ rasteve të​​ V. K., L. H., E.A., B.A. dhe SH.G.D.​​ Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës shton se rastet e lartcekura ngërthejnë situatë faktike të ngjashme me rastin e tij, por që epilogu i tyre është jokonsistent me rastin e tij, pasi që ky i fundit ka humbur vendin e punës,​​ ndërkaq që punëtorët tjerë janë kthyer në vendin e mëparshëm të punës. Rrjedhimisht, sipas parashtruesit të kërkesës, jokonsistenca e theksuar në vendimmarrjen gjyqësore cenon brutalisht parimin e sigurisë​​ juridike, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe cenon parimin e barazisë para ligjit të garantuar me nenet 3 dhe 24 të Kushtetutës.

 

  • Përkitazi me pretendimin e tij për cenim të parimit të sigurisë juridike, parashtruesi i kërkesës thekson se moszbatimi i vendimit të Inspektoratit të Punës, përmes së cilit ishte vendosur që të anulohen Njoftimet për​​ mos-ripërtëritjen​​ e kontratave të punës së disa punëtorëve të Limak Kosova, përfshirë edhe parashtruesin e kërkesës, paraqet cenim të parimit të sigurisë juridike dhe rrjedhimisht shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të​​ paanshëm.​​ Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës, duke iu referuar rastit të Gjykatës nr.​​ KI94/13 shton se Gjykata, duke u thirrur në jurisprudencën e GJEDNJ-së, ka konstatuar se përmbarimi i vendimit të prerë dhe të përmbarueshëm duhet të konsiderohet pjesë përbërëse e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm (shih, rastin e Gjykatës​​ KI94/13, parashtrues​​ Avni Doli, Mustafa Doli, Zija Doli dhe Xhemile Osmanaj, Aktgjykim i​​ 10 shkurtit​​ 2014, paragrafi 82).​​ 

 

  • Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës lidhur me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së

 

  • Parashtruesi i​​ kërkesës ​​ thekson se e drejta në pronë garantohet përmes nenit 46 të Kushtetutës dhe nenit 1 të​​ Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës shton:​​ Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke u mbështetur ne jurisprudencën e GJEDNJ, në shumë raste ka interpretuar kufijtë juridik të mbrojtjes së të drejtave pronësore. Kështu, Gjykata Kushtetuese ka interpretuar se e drejta pronësore përbëhet nga tri rregulla te ndryshme. Rregulli i parë, i cili ka natyrë të përgjithshme, formulon parimin e gëzimit​​ paqësor​​ ​​ pronës.​​ Rregulli i​​ dytë​​ përfshin​​ privimin nga​​ prona​​ dhe​​ ia​​ nënshtron​​ atë​​ kushteve​​ ​​ caktuara.​​ Rregulli i​​ tretë​​ i​​ njeh​​ shteteve,​​ ndërmjet të​​ tjerash,​​ ​​ drejtën​​ për​​ ​​ kontrolluar shfrytëzimin e​​ pronës në pajtim me interesin e përgjithshëm, me zbatimin e​​ atyre ligjeve që​​ ato​​ i​​ konsiderojnë të​​ nevojshme për​​ këtë​​ qëllim (shih rastet e​​ Gjykatës Kushtetuese,​​ KI 50/16,​​ KI​​ 86/18,​​ si​​ dhe​​ rastet​​ e​​ GjEDNJ-së​​ Sporrong​​ dhe​​ Lonnroth​​ kundër​​ Suedisë;​​ James​​ dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar.

 

  • Më tej, parashtruesi i kërkesës shton se sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, brenda kuptimit të të drejtave pronësore hyjnë jo vetëm posedimet pronësore ekzistuese por edhe​​ pritjet​​ legjitime”​​ për gëzimin e një të drejte pronësore.​​ Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës i referohet rasteve të GJEDNJ-së,​​ Pine Valley Develpoments Ltd dhe të tjerët kundër Irlandës,​​ nr.​​ 12742/87, Aktgjykim i 29 nëntorit 1991,​​ Pressos Compania Naviera S.A. dhe të tjerët kundër Belgjikës,​​ nr. 17849/91, Aktgjykim i 20 nëntorit 1995​​ si dhe rasteve të Gjykatës,​​ KI44/18,​​ parashtrues​​ “Mega Shop”, Aktvendim për Papranueshmëri i 8 majit 2019,​​ KI194/18, parashtrues​​ Kadri Muriqi dhe Zenun Muriqi, Aktvendim për Papranueshmëri i 5 shkurtit 2020​​ dhe​​ KI86/18, parashtrues​​ Slavica​​ Đordević, Aktgjykim i 3 shkurtit 2021.​​ 

 

  • Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës pretendon se atij i është cenuar e drejta në pronë e garantuar​​ përmes nenit 46 të Kushtetutës dhe nenit 1 të​​ Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së,​​ si rezultat i privimit nga​​ të ardhurat personale​​ dhe​​ përfitimet e tjera materiale që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, e cila i është​​ ndërprerë me vendim diskriminues të punëdhënësit​​ si dhe për shkak të​​ pritjes së tij​​ legjitime bazuar në vendimin e Inspektoratit të​​ Punës.

 

  • Parashtruesi i kërkesës konsideron se rasti i tij është shembull i abuzimit flagrant me të drejtat themelore kushtetuese të punëtorëve në vend nga një kompani e fuqishme dhe me ndikim dhe se ai është ndëshkuar duke mos iu vazhduar marrëdhënia e punës si rezultat i pjesëmarrjes së tij në aktivitetin sindikal, përkatësisht në grevën e gushtit të vitit 2019. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit, përmes ndryshimit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore, kanë trajtuar në mënyrë arbitrare dhe të gabuar rastin e tij për faktin se e kanë interpretuar vetëm sipas neneve përkatëse të Ligjit të Punës që përcaktojnë të drejtën e punëdhënësit për të mos-ripërtërirë kontratën e punës. Sipas parashtruesit të kërkesës,​​ “thelbi i çështjes juridike nuk është a ka të drejtë punëdhënësi që të mos e ripërtërijë kontratën e punës të lidhur me afat të caktuar, por a​​ ka të drejtë që të mos e bëjë ripërtërirjen e kontratës/vazhdimin e marrëdhënies së punës, si masë ndëshkuese për pjesëmarrje në grevë të organizuar nga Sindikata”.

 

  • Në fund, parashtruesi​​ i kërkesës kërkon​​ nga​​ Gjykata​​ që (i) të shpallë kërkesën të pranueshme; (ii)​​ të konstatojë se​​ Aktgjykimi [Rev. nr. 444/2023] i Gjykatës Supreme në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 9886/2021]​​ janë në kundërshtim me nenet​​ 3, 24, 31 dhe 46 të Kushtetutës; (iii)​​ t’i shpallë të pavlefshëm aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit; (iv) ta kthejë çështjen​​ në Gjykatën e Apelit për rivendosje; dhe (v) të urdhërojë Gjykatën e Apelit që të vendosë rastin në pajtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

 

DISPOZITAT PËRKATËSE KUSHTETUESE DHE LIGJORE

 

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Neni 3

[Barazia para Ligjit]

 

“1. ​​ Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera,​​ e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. 2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre”.​​ 

 

Neni 24

[Barazia para Ligjit]

 

“1.  ​​​​ Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së​​ barabartë ligjore, pa diskriminim.​​ 

2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.​​ 

3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.

 

Neni 31  ​​ ​​ ​​ ​​​​ 

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

“1.​​ Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.​​ 

2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.

​​ [...]”

 

Neni​​ 46​​ 

[Mbrojtja e Pronës]

 

“1.​​ E drejta e pronës është e garantuar.​​ 

2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj,​​ në pajtim me interesin publik.​​ 

3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e​​ të cilave ekspropriohet.​​ 

4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.​​ 

5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.

 

KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT

 

Neni 6​​ 

(E drejta për një proces të rregullt)​​ 

 

“1.​​ Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.

 

Neni​​ 14

(Ndalimi i diskriminimit)

 

Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.

 

Neni 1 i Protokollit Nr. 12

(Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit​​ )

 

“1.​​ Gëzimi i çdo të drejte të parashikuar me ligj duhet të sigurohet pa asnjë diskriminim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo situatë tjetër.​​ 

2. Askush nuk duhet të diskriminohet nga një autoritet publik për ndonjë nga arsyet e parashikuara në paragrafin 1.

 

 

Ligji Nr. 03/L-212​​ i​​ Punës

Neni 5​​ 

(Ndalimi i të gjitha llojeve të diskriminimit)

 

“1.​​ Diskriminimi është i ndaluar në punësim dhe profesion, lidhur me rekrutimin në punësim, trajnimin, promovimin e punësimit, kushtet e punësimit, masat disiplinore, ndërprerjen e kontratës së punës ose çështjeve të tjera nga marrëdhënia e punës të rregulluara me këtë ligj dhe me ligjet e tjera në fuqi.​​ 

2. Ndalohet diskriminimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i personave me aftësi të kufizuara gjatë punësimit, avancimit në punë dhe avancimit profesional, nëse për atë vend pune është i aftë ta kryejë punën në mënyrë adekuate.​​ 

3. Nuk konsiderohet diskriminim, çdo dallim,​​ përjashtim ose dhënie e përparësisë, përkitazi me ndonjë vend të caktuar pune, në bazë të kritereve të caktuara që kërkohen për atë vend pune.​​ 

4. Punëdhënësi është i obliguar që në rastin e punësimit të punëtorëve, për të njëjtin vend pune të përcaktojë kritere dhe mundësi të barabarta si për femra ashtu edhe për meshkuj.​​ 

5. Dispozitat e Ligjit nr. 2004/3 Kundër Diskriminimit, do të zbatohen drejtpërsëdrejti kur është në pyetje marrëdhënia e punës e lidhur në mes të të punësuarit dhe punëdhënësit.

 

Neni 10

(Kontrata e Punës)

“[…]​​ 

 

2.​​ Kontrata e Punës mund të lidhet për:​​ 

2.1.​​ një periudhë të pacaktuar;​​ 

2.2.​​ një periudhë të caktuar; dhe

2.3.​​ . për punë dhe detyra specifike.

 

[…]

 

5.​​ Kontrata për një periudhë të caktuar që ripërtërihet në mënyrë të qartë ose të vetëkuptueshme për një periudhë të punësimit më të gjatë se dhjetë (10) vite, konsiderohet si kontratë për një periudhë të pacaktuar kohore.”​​ 

 

Neni 67​​ 

(Ndërprerja e Kontratës së Punës sipas fuqisë ligjore)

 

“1. Kontrata e Punës sipas fuqisë ligjore, ndërpritet:

[…]

1.3.​​ me skadimin e kohëzgjatjes së kontratës;​​ 

[…]”

 

Neni 71​​ 

(Koha e njoftimit për ndërprerjen e kontratës së punës)

 

“2.​​ Punëdhënësi mund të ndërpresë kontratën e punës për kohë të caktuar me njoftim prej tridhjetë (30) ditësh kalendarike. Punëdhënësi i cili nuk ka për qëllim të ripërtërijë kontratën me periudhë të caktuar duhet të informojë punësuarin së paku tridhjetë (30) ditë para skadimit të kontratës. Dështimi për ta njoftuar nga punëdhënësi, do t’i​​ japë të drejtën të punësuarit për zgjatjen e tridhjetë (30) ditëve kalendarike shtesë me pagë të plotë.”

 

Ligji Nr. 03/L-200​​ për​​ Greva

 

Neni 13​​ 

(Mbrojtja e të drejtave të​​ të​​ punësuarve gjatë grevës)

 

“1.​​ Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës.​​ 

2. Gjatë grevës së organizuar sipas kushteve të përcaktuara me këtë Ligj, punëdhënësit nuk mund të punësojnë punëtorë të rinj të cilët do të zëvendësonin pjesëmarrësit në grevë.

 

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

 

  • Gjykata​​ së pari shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.​​ 

 

  • Si shënim fillestar, Gjykata vëren se objekti i çështjes së kërkesës, si dhe pretendimet e ngritura përmes saj, janë të ngjashme me një mori kërkesash të tjera për të cilat Gjykata veçse ka vendosur​​ si të papranueshme si qartazi të pabazuara​​ (shih,​​ rastet​​ e Gjykatës​​ KI164/23, KI173/23, KI174/23, KI175/23, KI176/23 dhe KI201/23​​ (raste të bashkuara),​​ me parashtrues​​ Murat Syla, Gentian Syla, Shqipe Kelmendi, Rinor Sogojeva, Asdren Mustafaj, dhe Besnik Elshani, Aktvendim për papranueshmëri i 13 shkurtit 2024).

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata i referohet​​ paragrafëve 1 dhe 7​​ të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:​​ 

 

“1.​​ Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

​​ […]

7.​​ Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë​​ shteruar​​ të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  • Gjykata gjithashtu shqyrton nëse​​ parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur​​ kriteret​​ e pranueshmërisë,​​ siç përcaktohet me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata​​ i referohet neneve 47​​ (Kërkesa individuale),​​ 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë: ​​ 

 

Neni 47

(Kërkesa individuale)

 

1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

     Neni 48

    (Saktësimi i kërkesës)

 

"Parashtruesi i​​ kërkesës​​ ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj".

 

     Neni 49

     (Afatet)

 

"Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor​​ [...]”.

 

  • Sa i përket përmbushjes së​​ këtyre kritereve, Gjykata​​ fillimisht​​ thekson se​​ parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston​​ një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin​​ [Rev. nr. 444/2023]​​ e​​ 6 nëntorit 2023 të Gjykatës Supreme, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj.​​ Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.​​ 

 

  • Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë​​ kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Në këtë drejtim, paragrafi 2 i rregullit​​ 34 specifikon:

​​ 

(2)​​ Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e​​ pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.

 

  • Gjykata fillimisht thekson se rregulli i​​ lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34​​ të Rregullores së punës.​​ Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime​​ “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih,​​ rastet e​​ GJEDNJ-së​​ Trofimchuk kundër Ukrainës,​​ nr. 4241/03,​​ Aktgjykim i 28 janarit 2011, paragrafi 55;​​ Baillard kundër Francës,​​ nr. 6032/04, Vendim​​ i 25 shtatorit 2008, dhe​​ rastet e Gjykatës ​​ KI04/21, parashtruese​​ Nexhmije​​ Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 13 prillit 2021, paragrafi 26; dhe​​ KI107/21, parashtrues​​ Ramiz Hoti, Aktvendim për papranueshmëri i 21 tetorit 2021, paragrafi 53).

 

  • Në​​ kontekst​​ të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave,​​ Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

 

  • Gjykata​​ vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me​​ Njoftimin e Limak Kosova për​​ mos-ripërtëritjen​​ e kontratës së punës me kohë të caktuar të parashtruesit të kërkesës. Kundër këtij Njoftimi, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë tek instancat ankimore të punëdhënësit, ankesë e cila u refuzua si e pabazuar. Më pas, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore përmes së cilës kërkoi anulimin e Njoftimit për mospërtërirjen e kontratës së punës, kthimin në punë dhe kompensimin e të ardhurave personale. Gjykata Themelore, përmes aktgjykimit të saj, aprovoi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe vlerësoi​​ se (i) Limak Kosova kishte për obligim vazhdimin e kontratës së​​ punës pasi​​ bëhej​​ fjalë​​ për një​​ pozitë​​ të​​ punës e cila për nga natyra ishte e përhershme; (ii) kontrata e punës parashihte​​ mundësinë​​ e vazhdimit të​​ kontratës; dhe (iii) parashtruesit të​​ kërkesës nuk i ishte vazhduar kontrata e punës pasi ai kishte marrë​​ pjesë​​ në​​ grevë.​​ Megjithatë, pas ankesës së Limak Kosova,​​ Gjykata e Apelit, ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në atë mënyrë që refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për anulimin e Njoftimit për​​ mos-ripërtëritjen​​ ​​ e kontratës së punës dhe kthimin në vendin e mëparshëm të punës​​ pasi konstatoi se​​ Limak Kosova nuk e kishte ndërprerë kundërligjshëm marrëdhënien e punës së parashtruesit të kërkesës dhe​​ se tek kontratat e punës me kohë të caktuar, nuk kërkohet që të jepen arsye lidhur me​​ mos-ripërtëritjen e kontratës së punës.​​ Gjetjet e Gjykatës së Apelit i kishte ​​ vërtetuar edhe​​ Gjykata Supreme​​ e cila​​ refuzoi si të pathemeltë​​ revizionin e parashtruesit të kërkesës,​​ pasi konstatoi se​​ marrëdhënia e punës ishte krijuar për kohë të caktuar dhe se kontrata e punës nuk i është ripërtërirë pasi që e njëjta ka skaduar sipas fuqisë ligjore.​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e mësipërme të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatës së Apelit​​ me pretendimin​​ se​​ përmes aktgjykimeve të tyre​​ i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara​​ me​​ nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës,​​ si dhe​​ nenet​​ 6 (E drejta për një proces të rregullt), 14 (Ndalimi i diskriminimit),1​​ të Protokollit Nr. 1 (Mbrojtja e pronës), dhe​​ 1 të Protokollit​​ Nr.​​ 12 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të KEDNJ-së.​​ 

 

  • Në vijim, Gjykata do të shqyrtojë pretendimet e​​ parashtruesit​​ të kërkesës​​ lidhur me​​ (i)​​ shkeljen e të drejtës për​​ gjykim të drejtë​​ të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së,​​ si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar​​ dhe​​ shkeljen e ​​ parimit të sigurisë juridike si rezultat i​​ divergjencës​​ së​​ praktikës​​ gjyqësore;​​ (ii)​​ shkeljen e të drejtës​​ për barazi para ligjit të garantuar​​ me nenet 3 dhe​​ 24 të Kushtetutës dhe nenin 14 të KEDNJ-së; dhe (iii)​​ shkeljen e të drejtës në pronë të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr.1 të KEDNJ-së.

 

 

 

  • Përkitazi me pretendimet për shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së

 

  • Përkitazi me pretendimet​​ për shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor​​ 

​​ 

  • Sa i​​ përket​​ të​​ drejtës​​ për vendim të​​ arsyetuar, Gjykata​​ thekson se​​ bazuar në​​ praktikën​​ gjyqësore​​ të​​ GJEDNJ-së​​ të cilën e ka përvetësuar edhe Gjykata,​​ rezulton, mes tjerash, se​​ (i)​​ garancitë​​ e mishëruara në​​ paragrafin 1 të nenit​​ 6​​ të KEDNJ-së​​ dhe nenin 31 të Kushtetutës,​​ përfshijnë edhe detyrimin e gjykatave që të paraqesin arsyetim të​​ mjaftueshëm për vendimet e tyre; (ii) vendimi i arsyetuar gjyqësor u tregon palëve se rasti i tyre është shqyrtuar me të vërtetë; (iii)​​ gjykata më e ulët ose autoriteti shtetëror, duhet të japin arsye dhe arsyetime të tilla të cilat do t'ua​​ mundësojnë palëve të shfrytëzojnë në mënyrë efektive çdo të drejtë ekzistuese të ankesës; (iv)​​ paragrafi 1 i nenit 6 të KEDNJ-së dhe neni 31 i Kushtetutës i detyron gjykatat të japin arsye për vendimet e tyre, por kjo nuk do të thotë se kërkohet përgjigje e detajuar lidhur me secilin argument; dhe​​ se​​ (v) nga natyra e vendimit që merr, varet nëse gjykata është e detyruar ta arsyetojë atë, dhe kjo mund të vendoset vetëm në dritën e rrethanave të rastit në fjalë: është e nevojshme të merren parasysh, ndër të tjera, llojet e ndryshme të parashtresave që një palë mund t'i paraqesë gjykatës, si dhe dallimet që ekzistojnë midis sistemeve juridike të vendeve në lidhje me dispozitat ligjore, rregullat zakonore, pozicionet juridike dhe paraqitjen dhe hartimin e aktgjykimeve​​ (për një elaburim më të detajuar​​ përkitazi me parimet e një vendimi gjyqësor të arsyetuar​​ shih,​​ rastet​​ e GJEDNJ-së,​​ Suominen kundër Finlandës, nr. 37801/97, Aktgjykim i 1 korrikut 2003, paragrafi 34;​​ Hirvisaari kundër Finlandës, nr. 49684/99, Aktgjykim i 25 dhjetorit 2001, paragrafi 30;​​ Van de Hurk kundër Holandës,​​ nr. 16034/90,​​ Aktgjykim i 19 prillit 1994, paragrafi 61;​​ García Ruiz kundër Spanjës,​​ nr. 30544/96,​​ Aktgjykim, ​​ i 21 ​​​​ janarit 1999, paragrafi 26;​​ Perez kundër Francës,​​ nr. 47287/99,​​ Aktgjykim i 12 shkurtit 2004, paragrafi 81;​​ Ruiz Toria kundër Spanjës, nr. 18390/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 29; si​​ dhe rastet e Gjykatës​​ KI143/22, parashtrues​​ Hidroenergji sh.p.k, Aktgjykim​​ i 15 dhjetorit 2022, paragrafët​​ 113-124; dhe​​ KI164/23, KI173/23, KI174/23, KI175/23, KI176/23 dhe KI201/23,​​ parashtrues​​ Murat Syla, Gentian Syla, Shqipe Kelmendi, Rinor Sogojeva, Asdren Mustafaj, dhe Besnik Elshani,​​ cituar më lart, paragrafët 148- 150).​​ 

 

  • ​​ rrethanat e rastit konkret, dhe sa i​​ përket​​ pretendimit​​ ​​ parashtruesit​​ ​​ kërkesës​​ se​​ Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme​​ nuk kishin arsyetuar vendimet e tyre sa i përket ndërprerjes së​​ marrëdhënies së​​ punës si rezultat i pjesëmarrjes së​​ tij në​​ grevën e vitit 2019,​​ Gjykata​​ vëren se​​ Gjykata e Apelit,​​ duke u mbështetur në nënparagrafin 1.3 të paragrafit 1 të nenit​​ 67, dhe paragrafit 2 të nenit 71​​ të Ligjit të Punës,​​ vlerësoi​​ se tek kontratat e punës me kohë të caktuar, nuk kërkohet që të jepen arsye lidhur me ndërprerjen e marrëdhënies së punës pasi që palët kontraktuale janë të vetëdijshme që marrëdhënia e punës ndërpritet me kalimin e asaj periudhe kohore dhe se Limak Kosova kishte pasur obligimin e vetëm që parashtruesin e kërkesës ta njoftojë për ndërprerjen e marrëdhënies së punës 30 ditë para përfundimit, gjë që​​ në rastin konkret punëdhënësi​​ e kishte bërë.​​ 

 

  • Ndërsa, sa i përket pjesëmarrjes së parashtruesit të kërkesës në grevë, rezulton se Gjykata e Apelit kishte arsyetuar vendimin e saj duke theksuar se​​ “[...]​​ deklaratat e dëshmitarëve të dhëna gjatë procedurës në Gjykatën e shkallës së parë, Gjykata e Apelit e vërtetoi edhe faktin se paditësi ka qenë pjesëmarrës i grevës së organizuar nga ana e punëtorëve të aeroportit gjatë muajit gusht 2019 dhe se pas përfundimit të grevës kanë arritur një​​ marrëveshje ashtu që njëra nga pikat e marrëveshjes ka qenë që punëdhënësi të mos ndërmarrë asnjë veprim që do t’iu hakmerret punëtorëve që kanë marrë pjesë në grevë.​​ 

 

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit në rastin konkret, kjo Gjykatë nuk mund të vijë në përfundimin se kërkesëpadia e paditësit do të duhej të aprovohej si e bazuar për faktin se nga administrimi i provave që gjenden në shkresat e lëndës, gjeti se e paditura nuk e ka ndërprerë në mënyrë të kundërligjshme marrëdhënien e punës, siç ka konstatuar gjykata e shkallës së parë. Pra, paditësi me të paditurën kanë lidhur Kontratë Pune në afat të caktuar [...]”.

 

  • Ndërsa, Gjykata vëren se Gjykata Supreme ishte pajtuar me qëndrimin juridik të Gjykatës së Apelit duke vlerësuar faktin vendimtar se marrëdhënia e punës ishte krijuar për kohë të caktuar, se e njëjta kishte skaduar sipas fuqisë ligjore dhe se punëdhënësi kishte përmbushur detyrimin e vetëm që kishte për të njoftuar parashtruesin e kërkesës me kohë për mos-ripërtëritjen e saj.​​ Për më​​ tepër dhe​​ përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për largim kolektiv nga puna të tij dhe të punëtorëve tjerë, theksohet se​​ dispozita për largim kolektiv nga puna​​ ​​ kur ndërprerja e tillë arsyetohet për arsye ekonomike, teknike ose organizative, ka të bëjë me rastet kur punëtorët kanë marrëdhënie të përhershme të punës “gjë që, këtu nuk është rasti, sepse në rastin konkret civil-juridik, kemi të bëjmë me kontratën e punës sipas fuqisë ligjore, përkatësisht, me dispozitën e nenit 67.1,1.3 të​​ [Ligjit të Punës], e cila parasheh se kontrata e punës sipas fuqisë ligjore, veç tjerash, ndërpritet edhe​​ me​​ skadimin e kohëzgjatjes së kontratës”, sikundër edhe është rasti konkret civil juridik”.

 

  • Në këtë drejtim,​​ Gjykata vëren se, në thelb, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, përmes aktgjykimeve të tyre, kishin refuzuar pretendimin e parashtruesit të kërkesës, duke dhënë arsyetime në lidhje me të, respektivisht duke sqaruar faktin se kontrata e punës ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe Limak Kosova ishte lidhur për kohë të caktuar, dhe rrjedhimisht, mbështetur në​​ nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 67​​ dhe paragrafin 2 të nenit 71 ​​ të Ligjit të Punës,​​ kontrata për kohë të caktuar përfundonte me skadim të kohëzgjatjes së saj dhe se Limak Kosova e kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës për​​ mos-ripërtëritjen​​ e kontratës së punës, brenda afatit ligjor, përkatësisht 30 ditë para përfundimit.​​ Të njëjtat i ishin përgjigjur po ashtu parashtruesit të kërkesës në raport me pjesëmarrjen e tij në grevë​​ si dhe përkitazi me çështjen e largimit kolektiv nga puna dhe rrethanat në të cilat kjo ishte e aplikueshme.

 

  • Në këtë drejtim,​​ Gjykata i referohet edhe Qëndrimit parimor [152/2023] të 26 korrikut 2023, të Gjykatës Supreme sipas së cilës në kontestet nga marrëdhëniet e punës që kanë lindur pas 1 janarit​​ 2015, lidhur me çështjen se kur një kontratë e punës e lidhur në kohë të caktuar konsiderohet si kontratë e lidhur me kohë të pacaktuar zbatohet neni 10 i Ligjit të Punës që parasheh se kontrata që ripërtërihet për një periudhë më të gjatë se dhjetë (10) vite konsiderohet kontratë me afat të pacaktuar, ndërsa nuk zbatohet neni 10,​​ paragrafi 5 i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive e lidhur më​​ 18 mars 2014 dhe e cila parasheh se kontrata për një periudhe të caktuar që ripërtërihet për një periudhë​​ më të gjatë se tri (3) vite, do të konsiderohet kontratë në kohë të pacaktuar.​​ 

 

  • Në dritën e​​ asaj​​ çka u​​ tha më lart, Gjykata​​ vlerëson​​ se​​ Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme​​ kanë dhënë arsye të mjaftueshme​​ për refuzimin e​​ kërkesëpadisë​​ së parashtruesit​​ të kërkesës,​​ duke u bazuar në të gjitha argumentet e tyre të reflektuara më lart.

 

  • Rrjedhimisht,​​ Gjykata​​ vlerëson​​ se pretendimet​​ e parashtruesit të kërkesës​​ për shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor janë pretendime që i takojnë kategorisë së​​ pretendimeve​​ “të pambështetura apo të paarsyetuara”,​​ dhe si të tilla, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

 

  • Përkitazi​​ me pretendimin për cenim të parimit të sigurisë juridike​​ si rezultat i jokonsistencës së vendimmarrjes gjyqësore​​ dhe moszbatimit të vendimit të Inspektoratit të Punës ​​ 

 

  • Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, përmes aktgjykimeve të tyre, kanë cenuar parimin e sigurisë juridike për shkak të qasjes jokonsistente në vendimmarrje në​​ raport me punëtorët e Limak Kosova,​​ më konkretisht në rastet e V. K., L. H., E.​​ A., B.​​ A. dhe SH.​​ G.​​ D. Gjithashtu,​​ parashtruesi i kërkesës thekson se moszbatimi i vendimit të Inspektoratit të Punës, përmes së cilit ishte vendosur që të anulohen Njoftimet për​​ mos-ripërtëritjen​​ e kontratave të punës së disa punëtorëve të Limak Kosova, cenon parimin e sigurisë juridike.​​ 

 

  • Përkitazi me parimet themelore që ndërlidhen me konsistencën e praktikës gjyqësore, Gjykata rikujton se praktika gjyqësore​​ e saj dhe ajo​​ GJEDNJ-së ka rezultuar në katër parime themelore që karakterizojnë analizën lidhur me konsistencën e praktikës gjyqësore, dhe atë si në vijim: ​​ (i) siguria juridike​​ është e mishëruar në të gjitha nenet​​ e​​ KEDNJ-së​​ dhe të drejtat e njeriut të garantuara me Kushtetutë​​ dhe përbën një nga aspektet themelore të sundimit të ligjit; (ii) nuk ka një të drejtë të fituar për konsistencë të praktikës gjyqësore; (iii) divergjenca nuk është domosdoshmërisht në kundërshtim me KEDNJ-në; dhe (iv)​​ përveç rasteve të arbitraritetit të dukshëm, nuk është detyrë e saj të vë në pikëpyetje interpretimin e ligjit vendas nga ana e gjykatave vendore​​ (për​​ një​​ elaborim​​ ​​ ​​ detajuar​​ ​​ parimeve​​ ​​ lartcekura,​​ shih​​ rastet e GJEDNJ-së​​ Borg kundër Maltës,​​ ​​ nr.​​ 37537/13, Aktgjykim i ​​ 12 prillit 2016, paragrafi 107,​​ Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë,​​ nr. 13279/05, Aktgjykim i 20 tetorit 2011, paragrafët 51, 53​​ dhe​​ 56;​​ dhe rastet e Gjykatës​​ KI42/17, parashtrues​​ Kushtrim Ibraj, Aktvendim për papranueshmëri i 5 dhjetorit 2017, paragrafi 33-38;​​ KI175/20, parashtrues​​ Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 26 marsit 2021, paragrafët 55 -61 dhe​​ KI76/22, parashtrues​​ Admir Salihi, Aktvendim për Papranueshmëri i 12 prillit 2023, paragrafi 54-61).​​ 

 

  • Gjykata,​​ më tej, thekson se​​ GJEDNJ në zhvillimin e parimeve themelore përmes praktikës së saj gjyqësore, praktikë e përvetësuar edhe nga Gjykata,​​ ka vendosur tri kritere themelore​​ për të përcaktuar nëse një divergjencë e pretenduar përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, si në vijim: (i) nëse divergjencat në praktikën gjyqësore janë​​ “të thella dhe afatgjata”;​​ (ii)​​ nëse ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (iii) nëse ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti (shih,​​ rastet e GJEDNJ-së​​ Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 53,​​ Borg kundër Maltës,​​ ​​ cituar më lart,​​ paragrafi 108,​​ Famulia Greko-Katolike e Lupenit dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart,​​ paragrafi​​ 116​​ dhe​​ rastet​​ Gjykatës​​ KI42/17, parashtrues​​ Kushtrim Ibraj, cituar më lart, paragrafi 39,​​ KI175/20, parashtrues​​ Agjencia Kosovare e Privatizimit,​​ cituar më lart, paragrafi 60; dhe​​ KI76/22, parashtrues​​ Admir Salihi, cituar më lart, paragrafi 60).​​ 

 

  • Lidhur me rastin konkret,​​ Gjykata​​ edhe një herë rithekson​​ se parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme,​​ kanë cenuar parimin e sigurisë juridike për shkak të qasjes jokonsistente në vendimmarrje​​ në rastet e V. K., L. H., E.A.,​​ B.A. dhe SH.G.D.​​ Megjithatë, në mbështetje të​​ argumentit të tij​​ për qasje jokonsistente në vendimmarrje gjyqësore,​​ Gjykata​​ thekson se nga rastet e lartcekura,​​ parashtruesi i​​ kërkesës​​ i​​ ka bashkëngjitur kërkesës së tij​​ 2​​ (dy)​​ aktgjykime​​ të Gjykatës​​ Supreme,​​ përkatësisht​​ aktgjykimet në rastin e​​ B.A.​​ dhe SH.G.D.,​​ si dhe 1​​ (një)​​ aktgjykim​​ të Gjykatës së Apelit​​ në rastin e V.K.​​ ​​ ​​ 

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata vlerëson se, bazuar edhe në praktikën e saj gjyqësore,​​ nuk është e mundur të konstatohet ekzistimi i​​ “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme”​​ në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit​​ dhe Gjykatës Supreme​​ që​​ cenojnë​​ parimin e sigurisë juridike, duke u thirrur në​​ 2​​ (dy) aktgjykime të Gjykatës​​ Supreme dhe në 1 (një) aktgjykim të Gjykatës së Apelit​​ (shih,​​ rastet​​ e Gjykatës​​ KI29/17,​​ parashtrues​​ Adem Zhegrova, Aktvendim për Papranueshmëri i​​ 5 shtatorit 2017,​​ paragrafi 58​​ dhe​​ KI164/23, KI173/23, KI174/23, KI175/23, KI176/23 dhe KI201/23,​​ parashtrues​​ Murat Syla, Gentian Syla, Shqipe Kelmendi, Rinor Sogojeva, Asdren Mustafaj, dhe Besnik Elshani,​​ cituar më lart, paragrafi 166).​​ ​​ 

 

  • Më tej, përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për cenim të parimit të sigurisë juridike si rezultat i moszbatimit të vendimit të Inspektoratit të Punës, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës kishte​​ dorëzuar​​ padi në​​ Gjykatën​​ Themelore,​​ për​​ anulim të Njoftimit për​​ mos-ripërtëritjen​​ të kontratës dhe kthim në pozitën e mëparshme të punës. Kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës ishte aprovuar si e bazuar nga ana e Gjykatës Themelore, ku kjo e fundit në arsyetimin e​​ Aktgjykimit të saj, ndër tjera, u mbështet në Raportin [Nr. 01-14-66/2020] zyrtar të Inspektoratit të Punës, për të vlerësuar se Njoftimi i Limak Kosova për​​ mos-ripërtëritjen​​ ​​ e kontratës së punës ishte në kundërshtim me nenin 13 të Ligjit për Greva.​​ 

 

  • Më pas, pas ankesës së parashtruar nga Limak Kosova,​​ Aktgjykimi i Gjykatës Themelore u ndryshua dhe si rezultat kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës u refuzua si e pabazuar, duke vlerësuar se Njoftimi për​​ mos-ripërtëritjen​​ e punës nuk kishte qenë i kundërligjshëm dhe se marrëdhënia e punës kishte përfunduar me skadim të kohëzgjatjes së kontratës së punës. ​​ 

 

  • Në lidhje me këtë,​​ Gjykata vëren se​​ vendimi i Inspektoratit të Punës, në të cilin bazohet parashtruesi i kërkesës, dhe​​ Aktgjykimi i Gjykatës Themelore, ishin në një linjë të​​ harmonizuar të arsyetimit. Megjithatë, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit në arsyetimin e​​ Aktgjykimit të saj​​ kishte vërtetuar një gjendje faktike ndryshe nga Gjykata Themelore, duke ardhur në përfundim se kontrata e punës me kohë të caktuar në rastin e parashtruesit të kërkesës përfundoi si rezultat i skadimit të kohëzgjatjes së saj dhe se e paditura kishte përmbushur obligimin e saj për ta njoftuar atë​​ për​​ mos-ripërtëritjen​​ e kontratës së punës, 30 ditë para skadimit të saj.​​ Qëndrimi juridik i Gjykatës së Apelit më pas u vlerësua i pranueshëm nga Gjykata Supreme e cila refuzoi revizionin e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore.​​ 

 

  • Në këtë aspekt, Gjykata rikujton se kjo e fundit përmes rastit​​ KO27/21,​​ parashtrues:​​ Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, Vlerësim i kushtetutshmërisë së nenit 94 (Mbikëqyrja) të Ligjit Nr. 03/L-212 të Punës, Aktgjykim i 7 dhjetorit 2022, ka vlerësuar rolin e Inspektoratit të Punës në mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të Ligjit të punës, me ç’rast Inspektorati i Punës bënë (i) zbatimin e masave ndëshkuese (gjobave) në rast të konstatimit të parregullsive nga ana e punëdhënësit; si dhe (ii) raportimin e këtyre parregullsive në ministrinë përkatëse ose të​​ ndonjë autoriteti​​ tjetër kompetent. Ashtu siç rezulton nga Aktgjykimi i lartcekur i Gjykatës, Inspektorati i Punës nuk ka kompetencë që​​ të zgjidh​​ “kontestet e punës”​​ apo ato që burojnë nga marrëdhënia e punës, mes të punësuarit dhe punëdhënësit, sepse bazuar në ligjet e aplikueshme, një kompetencë e tillë u takon qartësisht gjykatave të rregullta.

 

  • Bazuar në atë çka u tha më lart, Gjykata​​ konstaton​​ se​​ pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për shkak të cenimit të​​ parimit të sigurisë juridike​​ si rezultat i jokonsistencës në vendimmarrje gjyqësore​​ dhe moszbatimit të vendimit të Inspektoratit të Punës​​ i takon kategorisë së pretendimeve​​ “të pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe si të tillë, është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.​​ 

 

  • Pretendimi për shkelje të neneve 3 dhe​​ 24 të Kushtetutës,​​ si dhe​​ nenin 14 dhe nenin 1 të Protokollit Nr. 12 të KEDNJ-së

 

  • Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se Limak Kosova, përmes mos-vazhdimit të kontratës së punës, ka ndëshkuar atë dhe punëtorët tjerë që kanë marrë pjesë në grevë,​​ dhe duke punësuar punëtorë të rinj në vend të tyre,​​ duke shkelur​​ kështu​​ të drejtën e tij për barazi para ligjit dhe mosdiskriminim të garantuar me​​ nenin 24 të​​ Kushtetutës në lidhje me nenin 14 dhe nenin 1 të protokollit Nr. 12 të KEDNJ-së​​ si dhe me nenin 5 të Ligjit të Punës.

​​ 

  • Në​​ lidhje me këtë pretendim, Gjykata​​ fillimisht​​ thekson​​ se​​ sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së,​​ diskriminimi ekziston​​ atëherë kur ka​​ trajtim të ndryshëm të individëve në​​ situata​​ të ngjashme​​ (shih, rastet e GJEDNJ-së​​ ​​ Khamtokhu dhe Aksenchik kundër Rusisë, 60367/08 961/11, Aktgjykim i 24 janarit 2017, paragrafi 64; dhe​​ Carson dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 42184/05, Aktgjykim i 16 marsit 2010, paragrafi 61).​​ Megjithatë, jo çdo dallim në trajtim përbën shkelje të nenit 14 të KEDNJ-së.​​ Trajtimi i ndryshëm është diskriminues nëse nuk ka justifikim objektiv dhe të arsyeshëm, me fjalë të tjera, nëse nuk ndjek një qëllim legjitim ose nëse nuk ka proporcionalitet të arsyeshëm ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit që kërkohet të realizohet (shih, rastet​​ e GJEDNJ-së ​​ Khamtokhu dhe Aksenchik kundër Rusisë, cituar më lart, paragrafi 64; dhe​​ Carson dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar më lart, paragrafi 61).​​ 

 

  • Në​​ këtë​​ kontekst,​​ parashtruesi i kërkesës i referohet rastit të​​ GJEDNJ-së,​​ Danilenkov dhe të​​ tjerët kundër Rusisë,​​ cituar më lart, në​​ të​​ cilin GJEDNJ​​ kishte konstatuar shkelje të​​ së​​ drejtës për barazi para​​ ligjit​​ të​​ garantuar me nenin 14​​ ​​ të​​ KEDNJ në​​ ndërlidhje me​​ lirinë​​ e tubimit dhe organizimit të​​ garantuar me nenin 11 të​​ KEDNJ-së, pasi kishte konstatuar se në​​ rastin konkret ishin përdorur teknika të​​ ndryshme nga punëdhënësi në​​ mënyrë​​ që​​ të​​ inkurajojnë​​ punëtorët që​​ të​​ largohen nga anëtarësimi në​​ organizatat e punëtorëve, duke përfshirë,​​ ricaktimin në​​ grupe​​ të​​ veçanta të​​ punës me mundësi të​​ limituara, largime nga puna​​ të​​ cilat ishin vlerësuar si të​​ paligjshme nga gjykatat​​ dhe​​ reduktimin e të​​ hyrave.​​ 

 

  • Ngjashëm edhe në​​ rastin​​ Zakharova dhe të​​ tjerët kundër Rusisë,​​ cituar më lart, në​​ të​​ cilin GJEDNJ kishte konstatuar​​ se shteti​​ ​​ kundërshtim​​ me​​ nenin​​ 14 në​​ lidhje me nenin 11 të​​ KEDNJ-së,​​ kishte dështuar në​​ obligimin pozitiv për të​​ siguruar mbrojte efektive dhe ligjore ndaj diskriminimit​​ sa i përket anëtarësisë në​​ sindikatë, të cilat kishin rezultuar në largim nga puna.

 

  • Këto​​ raste​​ dallojnë​​ nga rasti i parashtruesit​​ ​​ kërkesës​​ për faktin se në​​ rastin​​ konkret, Gjykata e Apelit e​​ vërtetoi edhe faktin se paditësi ka qenë pjesëmarrës i grevës së organizuar​​ nga ana e punëtorëve të aeroportit gjatë muajit gusht 2019 dhe se pas përfundimit të grevës kanë arritur një marrëveshje ashtu që njëra nga pikat e marrëveshjes ka qenë që punëdhënësi të mos ndërmarrë asnjë veprim që do t’iu hakmerret punëtorëve që kanë marrë pjesë në grevë​​ ​​ dhe​​ se​​ ​​ rastin konkret,​​ parashtruesi​​ kishte lidhur kontratë pune me afat të​​ caktuar, dhe bazuar në​​ ligjin e​​ aplikueshëm​​ e​​ njëjta​​ nuk kishte obligim që​​ ​​ ri-përtërijë​​ këtë​​ kontratë.​​ Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës nuk ishte larguar nga puna por atij i kishte përfunduar kontrata e cila ishte me afat të caktuar.

 

  • Bazuar në atë çka u tha më lart,​​ Gjykata konkludon se​​ pretendimi i parashtruesit​​ të kërkesës​​ për shkelje të​​ neneve 3 dhe​​ 24 të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 dhe nenin 1 të Protokollit Nr. 12 të KEDNJ-së,​​ i takon kategorisë së pretendimeve​​ “të pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe si të tillë, është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

 

  • Pretendimi për shkelje të nenit​​ 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit​​ Nr.​​ 1 të KEDNJ-së​​ 

 

  • Gjykata​​ rikujton​​ se​​ parashtruesi i​​ kërkesës​​ pretendon se atij i është cenuar e drejta në pronë e garantuar përmes nenit 46 të Kushtetutës dhe nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së, si rezultat i privimit nga të ardhurat personale për​​ të cilat​​ sipas tij kishte pritje​​ legjitime.​​ Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës konsideron se rasti i tij është shembull i abuzimit flagrant me të drejtat themelore kushtetuese të punëtorëve dhe se ai është ndëshkuar duke mos iu vazhduar marrëdhënia e punës si rezultat i pjesëmarrjes së tij në grevën e gushtit të vitit 2019.​​ 

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata​​ fillimisht​​ rikujton se​​ në pjesën e mësipërme të këtij aktvendimi pretendimin e parashtruesit të kërkesës për diskriminim dhe ndëshkim si rezultat i pjesëmarrjes në grevë, e vlerësoi si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese.​​ ​​ 

 

  • Megjithatë, pavarësisht kësaj, Gjykata​​ thekson se​​ çështja e pritjeve legjitime mund të gëzojë mbrojtjen e nenit​​ 1 të Protokollit Nr. 1​​ të ​​ KEDNJ-së​​ dhe të nenit 46 të Kushtetutës.​​ Megjithatë, në mënyrë që​​ “pritja”​​ të jetë legjitime, ajo duhet të jetë më konkrete se një​​ “shpresë e thjeshtë”​​ dhe duhet të bazohet në një dispozitë ligjore ose një akt ligjor, siç është vendimi gjyqësor, në lidhje me interesin pronësor në fjalë (shih,​​ rastet e​​ GJEDNJ-së​​ Pressos Compania Naviera S.A. dhe të tjerët kundër Belgjikës, nr.​​ 17849/91,​​ Aktgjykim i 20 nëntorit 1995, paragrafi 31; dhe​​ Kopecký kundër Sllovakisë​​ ​​ nr.​​  44912/98,​​ Aktgjykim​​ i 28 shtatorit 2004, paragrafi​​ 50; dhe​​ Gratzinger dhe Gratzingerova kundër Republikës Çeke, nr. 39794/98, Vendim i 10 korrikut 2002, paragrafi 73, si dhe rastet e Gjykatës​​ KI164/23, KI173/23, KI174/23, KI175/23, KI176/23 dhe KI201/23, parashtrues​​ Murat Syla, Gentian Syla, Shqipe Kelmendi, Rinor Sogojeva, Asdren Mustafaj, dhe Besnik Elshani,, cituar më lart, paragrafi 182).

 

  • Nga sa më sipër dhe në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vlerëson se​​ pritja​​ e​​ parashtruesit​​ të kërkesës mund të​​ ishte​​ legjitime vetëm në atë pjesë të periudhës kohore për të cilën​​ kishte​​ një kontratë pune​​ me kohë të caktuar, ndërsa​​ pritja​​ që​​ ka​​ pasur për periudhën e vazhdimit të mundshëm të​​ një kontrate të​​ re të punës (të vazhdimit të ri) nuk mund të​​ konsiderohet​​ legjitime por​​ është​​ një “shpresë e thjeshtë”,​​ dhe si e tillë, kjo lloj pritshmërie legjitime nuk mund të ketë mbrojtjen e nenit 46 të Kushtetutës​​ në lidhje me nenin 1 të Protokollit​​ Nr.​​ 1 të KEDNJ-së.

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së,​​ i përket kategorisë së pretendimeve​​ “të pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se​​ kërkesa e parashtruesit​​ të kërkesës duhet të deklarohet në tërësi e​​ papranueshme si​​ qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20, dhe 47 të Ligjit dhe rregullin ​​ 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më​​ 25 qershor​​ 2024, njëzëri

 

VENDOS

 

  • ​​ DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  • T'UA KUMTOJË këtë​​ Aktvendim palëve;

 

  • ​​ PUBLIKOJË këtë​​ Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me​​ paragrafin 4 të​​ nenin 20 të Ligjit;

 

  • Ky​​ Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës,​​ në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;

 

 

 

 

 

Gjyqtari raportues  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

 

Jeton Bytyqi   ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Gresa Caka-Nimani

 

 

 

 

1

Parashtruesit:

Vigan Isufi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile