Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së nenit 94 (Mbikëqyrja) të Ligjit Nr. 03/L-212 të Punës

Nr. të lëndës KO27/21

Parashtruesit: Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës

Shkarko:

KO27/21, Parashtrues: Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, Vlerësim i kushtetutshmërisë së nenit 94 (Mbikëqyrja) të Ligjit Nr. 03/L-212 të Punës

KO27/21, Aktgjykim i 7 dhjetorit 2022, publikuar më 16 dhjetor 2022

Fjalët kyçe: kontroll incidental, kushtetutshmëria e normës, ndërhyrje në kompetenca të gjyqësorit, barazia para ligjit, e drejta për gjykim të drejtë, mbrojtja gjyqësore e të drejtave, kërkesë e pranueshme, neni 94 i Ligjit të Punës, në përputhshmëri me Kushtetutën.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesën e ngritur në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Gjykatës Supreme, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 94 (Mbikëqyrja) të Ligjit të Punës, i cili, ndër të tjera, përcakton që mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave që rregullojnë marrëdhënien e punës e bën Inspektorati i Punës. Gjykata Supreme kishte një rast para saj që ndërlidhej me një konkurs pune për pozitën “Edukatore” në një shkollë në Komunën e Gjilanit, me ç’rast njëra nga kandidatet në këtë konkurs kishte paraqitur ankesë në Drejtorinë Komunale për Arsim në Gjilan, duke pretenduar parregullsi në këtë konkurs. Pas refuzimit të ankesës nga Drejtoria Komunale për Arsim, kandidatja kishte ushtruar, në mënyrë paralele, mjetet juridike dhe atë: (i) ankesë para Inspektoratit të Punës, me ç’rast kjo e fundit kishte urdhëruar anulimin e konkursit në fjalë; si dhe (ii) padi në Gjykatën Themelore në Gjilan, e cila kishte refuzuar padinë dhe kishte konfirmuar vendimet e organeve të Komunës së Gjilanit. Si pasojë, ankuesja kishte ushtruar revizion në Gjykatën Supreme. Kjo e fundit pezulloi procedurën vendimmarrëse lidhur me rastin para saj, duke referuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, për vlerësimin e përputhshmërisë së nenit 94 të Ligjit të Punës me dispozitat e caktuara Kushtetuese.

Më saktësisht, Gjykata Supreme, para Gjykatës pretendoi se neni 94 i Ligjit të Punës nuk është  në përputhshmëri me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, pasi i njëjti, mes tjerash, cenon parimin e sigurisë juridike dhe të rendit juridik të Republikës së Kosovës, pasi mundëson procedura paralele lidhur me kontestet e punës para Inspektoratit të Punës dhe para gjykatave të rregullta lidhur me të njëjtën çështje, duke rezultuar kështu në vendime paralele dhe ndërhyrje të Inspektoratit të Punës në kompetenca gjyqësore, në kundërshtim me sigurinë juridike dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Bazuar në esencën e pretendimeve të ngritura, Gjykata vlerësoi fillimisht nëse në rrethanat e rastit konkret ndërhyrja e Inspektoratit të Punës në kompetenca të gjyqësorit ishte rezultat i papajtueshmërisë së normës së Ligjit të Punës me Kushtetutën apo rezultat i mënyrës së interpretimit dhe zbatimit të normës në fjalë nga Inspektorati i Punës, por edhe gjykatat e rregullta. Në këtë këndvështrim, Gjykata iu referua fillimisht përmbajtjes së nenit 94 të Ligjit të Punës i cili përcakton që mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të Ligjit të Punës të cilat e rregullojnë marrëdhënien e punës, sigurinë dhe mbrojtjen në punë, e bën Inspektorati i Punës në bazë të Ligjit për Inspektoratin e Punës dhe Ligjit për Siguri në Punë. Në këtë kontekst, Gjykata saktësoi që bazuar në Ligjin e Punës dhe atë të Inspektoratit, është plotësisht i qartë fushëveprimi i kompetencës së Inspektoratit të Punës, i cili  si trup inspektues dhe mekanizëm i pushtetit ekzekutiv, mbikëqyrë zbatimin e dispozitave të Ligjit të Punës të cilat e rregullojnë marrëdhënien e punës ndërmjet të punësuarit dhe punëdhënësit dhe mbikëqyrë zbatimin e Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, në kuadër të fushëveprimit që përcakton Ligji për Inspektoratin: (i) zbatimin e masave ndëshkuese (gjobave) në rast të konstatimit të parregullsive nga ana e punëdhënësit; si dhe (ii) raportimin e këtyre parregullsive në ministrinë përkatëse ose te ndonjë autoritetet tjetër kompetent. Inspektorati i Punës nuk ka asnjë kompetencë që të zgjidh “kontestet e punës” apo ato që burojnë nga marrëdhënia e punës, mes të punësuarit dhe punëdhënësit, sepse bazuar në ligjet e aplikueshme, një kompetencë e tillë u takon qartësisht gjykatave të rregullta.

Në ketë aspekt, Gjykata ritheksoi se për dallim nga Inspektorati i Punës, Ligji i Punës e përcakton gjyqësorin si të vetmin autoritet përgjegjës në Republikën e Kosovës që i zgjidh “kontestet e punës” nga e drejta e punës, në mes të punësuarit dhe punëdhënësit. Gjykata po ashtu analizoi përmbajtjen e nenit 78 (Mbrojtja e të drejtave për të punësuarit) të Ligjit të Punës, që përcakton procedurat ankimore brenda punëdhënësit dhe nenin 79 (Mbrojtja e të punësuarit në Gjykatë) të Ligjit të Punës, që garanton të drejtën që çdo i punësuar i cili konsideron se vendimi i punëdhënësit ka shkelur të drejtat e tij ose nuk merr përgjigje nga punëdhënësi, të inicioj kontest pune në Gjykatën kompetente. Gjykata theksoi se, funksionet gjyqësore mund t’i ushtrojnë vetëm gjykatat, sipas parimeve të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligjet përkatëse. Për më tepër, është e qartë që Inspektorati i Punës sipas ligjit përcaktohet si trupë ekzekutive të cilën e themelon Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe si i tillë, edhe në kuptim të Konventës Evropiane për te Drejtat e Njeriut, gjegjësisht të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të saj, nuk i plotëson kushtet as të një “tribunali të pavarur” nga ekzekutivi dhe as të një “gjykate” të themeluar me ligj. Organet inspektuese, varësisht sipas natyrës së funksioneve që ushtrojnë dhe statusit institucional të përcaktuar nga aktet që kanë themeluar ato, janë pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe si të tilla nuk mund të ushtrojnë funksione të natyrës gjyqësore. Nëse do të veprohej kështu, kjo do të përbënte shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve në cenim të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Andaj, Gjykata konsideroi se në rastin konkret pretendimi për ndërhyrje në kompetenca të gjyqësorit nga ana e Inspektoratit të Punës, nuk është rezultat i papajtueshmërisë së përmbajtjes së nenit 94 të Ligjit të Punës me normat kushtetuese, por rezultat i mënyrës së interpretimit dhe zbatimit të nenit 94 të Ligjit të Punës dhe Ligjit për Inspektoratin e Punës, nga vet Inspektorati i Punës.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se neni 94 (Mbikëqyrja) i Ligjit të Punës është në përputhshmëri me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, pasi dhe ndër të tjera, i njëjti nuk përcakton asnjë kompetencë që Inspektorati i Punës të zgjidhë “kontestet e punës” nga e drejta e punës mes të punësuarit dhe punëdhënësit, kompetencë kjo që bazuar në ligjet e aplikueshme, i takon pushtetit gjyqësor.

Parashtruesit:

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës

Lloji i kërkesës:

KO - Kërkesë nga organet shtetërore

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Mosshkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 49 - E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit, Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile, Administrative