Prishtinë, më 15 shtator 2023
Nr. ref.: RK2252/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI213/22
Parashtrues
Hadi Bakija
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.38/22] të 25 korrikut 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Hadi Bakija, me vendbanim në Gjakovë, (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës) i përfaqësuar nga Teki Bokshi avokat nga Gjakova.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Rev.nr.38/22] të 25 korrikut 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës Aktgjykim e kontestuar të Gjykatës Supreme e ka pranuar më 23 gusht 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 23 dhjetor 2022 parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij në postë, e cila kërkesë arriti dhe u regjistrua në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) më 28 dhjetor 2022.
Më 30 dhjetor 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr.GJR.KI213/22] caktoi gjyqtarin Radomir Laban Gjyqtar raportues dhe përmes Vendimit [Nr.KSH.KI213/22], caktoi Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Remzie Istrefi Peci (kryesuese), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci, anëtarë.
Më 25 janar 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës, dhe kërkoi nga ai të dorëzoi në Gjykatë të gjitha dokumentet që lidhen me rastin e tij. Gjithashtu Gjykata ia dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.
Më 25 janar 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) për regjistrimin e kërkesës, duke kërkuar nga e njëjta që të dorëzojë fletëkthesën me të cilën vërtetohet se kur e ka pranuar parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin [Rev.nr.38/2022] e 25 korrikut 2022.
Më 8 shkurt 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e cila tregon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme.
Më 9 shkurt 2023, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi në Gjykatë ankesat dhe revizionin të cilat i ka parashtruar në gjykatat e rregullta.
Më 23 shkurt 2023, Gjykata i dërgoi një shkresë Gjykatës Themelore dhe kërkoi që ta dorëzojë dosjen e plotë të lëndës.
Më 6 mars 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë dosjen e plotë të lëndës.
Më 29 gusht 2023, Gjykata shqyrtoi raportin paraprak të propozuar nga Gjyqtari raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Procedura e parë, para vitit 1999
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës ishte i punësuar në kohë të pacaktuar në vendin e punës Referent për marrëdhënie banesore në Sekretariatin për Urbanizëm, Punë Komunale dhe Strehimore në Komunën e Gjakovës (në tekstin e mëtejmë: Komuna e Gjakovës). Mirëpo, përmes Vendimit [nr.118-1] të 27 janarit 1992, Sekretari i këtij organi shqiptoi masën pushimit të marrëdhënies së punës, në bazë të nenit 6 të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Punës në Rrethanat e Posaçme dhe paragrafit 2 të nenit 59 të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Punës në Organet Shtetërore.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Komunale në Gjakovë, kundër Komunës së Gjakovës dhe kishte kërkuar që të anulohet vendimi [nr.08-118-1] i 27 janarit 1992 i Komunës së Gjakovës.
Më 8 qershor 1992, Gjykata Komunale në Gjakovë, përmes Aktgjykimit [C.nr.717/92] anuloi Vendimin [nr.08-118-1] i 27 janarit 1992 e Komunës së Gjakovës me të cilin është pushuar marrëdhënia e punës së parashtruesit të kërkesës, si të kundërligjshëm dhe detyroi Komunën e Gjakovës që parashtruesin e kërkesës ta kthejë në punë dhe në detyrat e mëparshme të punës.
Më 26 shkurt 1993, Aktgjykimi [C.nr.717/92] i Gjykatës Komunale në Gjakovë, i 8 qershorit 1992, ishte bërë i plotfuqishëm, ndërsa më 5 mars 1993, parashtruesi i kërkesës kishte iniciuar procedurën ekzekutuese E.nr.33/93.
Më 8 mars 1993, përmes kërkesës 01-118-1/92, parashtruesi i ishte drejtuar të paditurës – Komunës së Gjakovës, për ekzekutimin e Aktgjykimit [C.nr.717/92] i 8 qershorit 1992 të plotfuqishëm të Gjykatës Komunale në Gjakovë.
Më 24 korrik 1997, përmes parashtresës, parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar Gjykatës Komunale në Gjakovë me kërkesën që të kryhet procedura ekzekutuese.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar Ministrisë së atëhershme të Drejtësisë të Republikës së Serbisë, që më bazë të drejtave, detyrimeve dhe autorizimeve të ndikojë që procedura ekzekutuese të përfundojë.
Më 12 maj 1998, parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar Gjykatës Supreme të Serbisë në Beograd, me kërkesë për përshpejtim dhe kryerje të lëndës së ekzekutimit E.nr.33/93. Procedura përmbarimore nuk ka përfunduar. Nga Arkivi dhe Zyra e ekzekutimeve të Gjykatës nuk janë gjetur shkresat e lëndës E.nr.33/93.
Më 16 tetor 1998, parashtruesi i kërkesës për herë të dytë i ishte drejtuar Gjykatës Komunale në Gjakovë, duke kërkuar nga ajo që të veprojë sipas kërkesës për ekzekutim të paraqitur në të njëjtën Gjykatë.
Sipas shkresave të lëndës, parashtruesi i kërkesës në Korrik të vitit 1999 ishte kthyer në vendin e tij të punës.
Procedura e dytë para gjykatave të rregullta për kompensim dëmi
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 4 mars 1993, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi kundër Komunës së Gjakovës, me bazë juridike kompensimi i dëmit për shkak të mosrealizimit të pagave nga marrëdhënia e punës. Parashtruesi përmes padisë kishte kërkuar kompensimin e dëmit në shumë prej 250.000.000 dinarë me kamatën mujore të përcaktuar nga Banka Popullore e Jugosllavisë, të rritur për 20%, të llogaritur me metodën konforme mujore nga data 1.1.1992 ashtu që shuma e borxhit kryesor të revalorizohet për çdo muaj për shumën – indexin e rritjes së çmimeve me pakicë, nga data e lartë cituar e deri në pagesën.
Më 4 shkurt 2002, Gjykata Komunale përmes Aktgjykimit [C.nr.307/2000] kishte aprovuar kërkesëpadinë e paditësit si të bazuar, duke detyruar të paditurën – Komunën e Gjakovës që parashtruesit të kërkesës të ia paguaj shumën prej 15.613,00 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e trembëdhjetë marka) në emër të borxhit dhe shumën prej 541,00 (pesëqind e dyzet e një marka) në emër të kamatës apo gjithsej 16.154,00 (gjashtëmbëdhjetë mijë e njëqind e pesëdhjetë e katër marka) për mospagimin e të ardhurave personale prej 27 janarit 1992 e gjer në muajin gusht 1997 dita e përpilimit të ekspertizës, si dhe të ia kompensoj shpenzimet procedurale në shumën 2.076,00 (dy mijë e shtatëdhjetë e gjashtë marka) në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Më 5 mars 2003, Komuna e Gjakovës paraqiti ankesë në Gjykatën e Qarkut në Pejë kundër aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Gjakovë, për shkak të cenimit qenësor të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që ta prishë aktgjykimin e kontestuar dhe lëndën ta kthejë në rigjykim dhe rivendosje.
Më 7 prill 2005, Gjykata e Qarkut në Pejë përmes aktvendimit [Ac.nr.171/03] kishte prishur aktgjykimin e Gjykatës Komunale [C.nr.307/2000] të 4 shkurtit 2002 dhe lëndën e kishte rikthyer në rigjykim dhe rivendosje.
Më 29 maj 2013, nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës saktësoi padinë, përmes të cilës kërkoi që Komuna e Gjakovës t’ia kompensojë të ardhurat personale për vitet e punës për te cilat ishte larguar nga puna përkatësisht prej datës 27 janar 1992 e gjerë më 24 mars 1999, në shumën prej 15000,00 ( pesëmbëdhjetë mijë) euro, shumë e përcaktuar nga ana e ekspertit financiar, në emër të dëmit të shkaktuar nga mos pagimi i të ardhurave personale.
Parashtruesi i kërkesës në padi, parashtresa dhe gjatë shqyrtimit, kishte theksuar se Gjykata Komunale në Gjakovë, përmes Aktgjykimit [C.nr.717/92] të 8 qershorit 1992, anuloi Vendimin nr. 118-1 të 27 janarit 1992 të Komunës së Gjakovës, me të cilin parashtruesit të kërkesës i është pushuar marrëdhënia e punës, si të kundërligjshëm, dhe detyroi të paditurën, Komunën e Gjakovës, që parashtruesin e kërkesës ta kthejë në punë, në afatin prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi. Parashtruesi i kërkesës shtoi se e paditura nuk veproi sipas atij Aktgjykimi, duke mos e kthyer të njëjtin në punë. Tutje, parashtruesi i kërkesës theksoi se çështja duhet të shikohet nga “prizma e të drejtave individuale”, duke konsideruar se integriteti personal i parashtruesit të kërkesës është cenuar, dhe i njëjti është diskriminuar. Po ashtu, parashtruesi i kërkesës shtoi se e paditura, pavarësisht se me cilin akt juridik është themeluar, është suksesore universale e të drejtave dhe detyrimeve në aspektin e përgjegjësisë dhe të drejtave nga lëmia juridiko-civile.
Në një datë të pasaktësuar, Komuna e Gjakovës, këtu e paditura, parashtroi përgjigje në padi, përmes të cilës kundërshtoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës duke theksuar se të paditurës – Komunës së Gjakovës i mungon legjitimiteti pasiv, dhe duke i propozuar Gjykatës Themelore që të refuzojë padinë në tërësi si të pabazuar. Në përgjigje në padi, Komuna e Gjakovës theksoi se të njëjtës i mungon legjitimiteti pasiv, meqenëse veprimtarinë e saj e ushtron në kuadër të Rezolutës nr.1244 mbi Administrimin e Përkohshëm të OKB-së. Rrjedhimisht, Komuna e tanishme dhe organet e saj nuk janë vazhduese të Komunës së administruar nga pushteti i atëhershëm. E paditura shtoi se kërkesa eventuale e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e të ardhurave personale gjatë kohës së përjashtimit nga puna në kohën e pushtetit serb mund të parashtrohet nga i njëjti vetëm në momentin e parashtrimit të kërkesave reciproke në bilancin e ndarjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në këtë kontekst, e paditura konsideroi se e ka përmbushur detyrimin e saj duke e kthyer parashtruesin e kërkesës në vendin e punës menjëherë pas luftës.
Më 15 maj 2017, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.286/05], (I) aprovoi pjesërisht kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe detyroi të paditurën Komunën e Gjakovës që parashtruesit të kërkesës t’ia paguajë shumën prej 11,100.00 (njëmbëdhjetë mijë e njëqind) Euro në emër të borxhit kryesor për shkak të mos pagimit të të ardhurave personale prej datës 27 janar 1992 deri më 24 mars 1999 me kamatë ligjore të deponimeve bankare të afatizuara mbi një vit, pa destinim të caktuar , nga arritja e secilit këst veç e veç e deri në pagesën definitive, ashtu që kamata llogaritet nga data 15 e muajit rrjedhës për muajin paraprak, deri në pagesën e definitive, si dhe t’ia paguajë shpenzimet procedurale në shumë prej 1681.00 (një mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e një) Euro, të gjitha këto në afat prej 8 ditësh nga dita e marrjes së këtij aktgjykimi, nën kërcënim të përmbarimit; dhe (II) refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë në shumë prej 3,900.00 (tremijë e nëntëqind) Euro. Gjykata Themelore gjeti se në bazë të veprimeve të ndërmarra nga parashtruesi i kërkesës, rezulton se: “ai ka bërë gjithë atë që ka qenë në mundësinë e tij që të mos pësoj dëm apo që dëmi të jetë sa më i vogël”.
Lidhur me pretendimet e Komunës së Gjakovës, këtu të paditurës, se nuk mund të jetë përgjegjëse për detyrimet që janë krijuar nga organet komunale të regjimit të mëparshëm, se nuk ka sukcesion me komunën e mëparshme, Gjykata Themelore theksoi se të njëjtat janë të paqëndrueshme, sepse: “institucionet e përkohshme vetëqeverise autonome dhe demokratike në nivel komunal kanë qenë si hap drejtë bartjes progresive të përgjegjësive (aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese së Republikës së Kosovës KI.nr.152/13 iniciuar sipas këtu të paditurës kundër Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev.nr.49/12 të datës 03 qershor 2013)”. Gjykata Themelore gjeti se e paditura ka legjitimitet pasiv për të qenë palë në procedurë dhe ekziston baza e kërkesëpadisë sipas Rregullores së UNMIK-ut 2000/45 të 11 gushtit 2000, paragrafi 4 i nenit 2 i të cilës përcakton se: “çdo komunë e ka statusin e vet juridik, të drejtën për të poseduar dhe administruar pronës, mundësinë për të ushtruar padi dhe për të qenë i paditur në gjykata, të drejtën për të lidhur kontrata dhe të drejtën për të marr punëtor në punë.”
Më 11 gusht 2017, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës parashtroi ankesë ndaj pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit [C.nr.286/05] të 15 majit 2017 të Gjykatës Themelore, me të cilën është refuzuar një pjesë e kërkesëpadisë, duke theksuar se e njëjta është përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatim të bazuar dhe jo të plotë të gjendjen faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të ndryshohet në pikën II të dispozitivit me aprovim të tërësishëm të kërkesëpadisë.
Më 15 gusht 2017, Komuna e Gjakovës, parashtroi ankesë ndaj Aktgjykimit [C.nr.286/05] të 15 majit 2017 të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që të aprovohet ankesa, që aktgjykimi i goditur të prishet, padia të hedhet poshtë si e palejuar, ose të prishet aktgjykimi dhe lënda t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje.
Më 17 qershor 2021, Gjykata e Apelit e Kosovës në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit), përmes Aktgjykimit [Ac.nr.4622/2017]: (i) aprovoi si të bazuar ankesën e të paditurës Komuna e Gjakovës, (ii) ndryshoi Aktgjykimin [C.nr.286/05] të 15 majit 2017 të Gjykatës Themelore, duke refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar, dhe (iii) refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, parashtruar kundër pikës II të dispozitivit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore.
Në vijim të arsyetimit të këtij Aktgjykimi, Gjykata e Apelit theksoi se: “gjendja faktike e konstatuar nga gjykata e shkallës së parë, e në veçanti konstatimi i legjitimitetit real pasiv të palës, është i gabuar dhe nuk korrespondon drejtë me provat nga shkresat e lëndës. Në kuptim të mbështetjes së këtij vlerësimi gjykata ankimore i referohet fakteve jokontestuese nga të cilat rezulton se vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës është nxjerrë në rrethana të jashtëzakonshme, - si pasojë e vendosjes së Kosovës nën administrim të masave të dhunshme nga Serbia. Nga kjo rrethanë qartazi rezulton se këtu e paditura nuk është suksesore e subjektit i cili ka nxjerrë vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së paditësit, respektivisht nuk ka qenë pjesëmarrëse e raportit materialo-juridik nga i cili ka lindur ky kontest, prandaj edhe nul”.
Lidhur me ankesën e parashtruesit të kërkesës ndaj pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, Gjykata e Apelit gjeti se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të mbështesë bazën juridike të kërkesëpadisë, përderisa në çështjen konkrete juridike nuk është provuar që të njëjtit i është cenuar e drejta në pagë, si pasojë e vendimit të kundërligjshëm të Komunës së Gjakovës (të themeluar si njësi lokale vetëqeverisëse me Rregulloren e UNMIK-ut 2000/45 të 11 gushtit 2000).
Më 27 gusht 2021, parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion ndaj Aktgjykimit [Ac.nr.4622/17] të 17 qershorit 2021 të Gjykatës së Apelit, për shkak të: shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 214.1 pika a lidhur me nenin 182 paragrafi 2 të Ligjit të Procedurës Kontestimore ( në tekstin e mëtejmë: LPK), dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që Gjykata Supreme të aprovoi revizionin e parashtruesit të kërkesës dhe Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit ta ndryshojë, duke e refuzuar ankesën e të paditurës dhe të vërtetohet Aktgjykimi i Gjykatës Themelore [C.nr.286/05] i 15 majit 2017.
Më 15 shtator 2021, Komuna e Gjakovës paraqiti përgjigje në revizion, përmes të cilës kërkoi që Gjykata Supreme ta refuzojë në tërësi revizionin si të pabazuar, dhe të vërtetojë Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.
Më 25 korrik 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.38/22], refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, duke theksuar se e pranon si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e gjykatës së shkallës së dytë, dhe se i njëjti nuk është përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe as në zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Gjykata Supreme gjeti se e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme në raport me gjendjen faktike të provuar, duke theksuar se: “kërkesëpadia e paditësit në raport me të paditurën është e pabazuar në mungesë të legjitimitetit pasiv për arsye se: faktet e treguara në padi dhe faktet në të cilat mbështetet kërkesëpadia qartë janë në kundërshtim me provat të cilat i ka propozuar paditësi dhe me faktet që janë botërisht të ditura sepse (...) është botërisht i njohur fakti se Komuna dhe Qeveria e Kosovës, kanë qenë të administruara nga UNMIK-u, që nga formimi i tyre dhe se zgjedhjet e para në Kosovë, janë mbajtur me datë 28.10.2000, ndërsa ato të përgjithshme në nivel qendror janë mbajtur me datë 17.11.2001.”
Në vazhdim të arsyetimit, Gjykata Supreme pohoi se me paragrafin 1 të nenit 1 të Rregullores nr. 2000/45 të UNMIK-ut mbi Vetëqeverisjen e Komunave të Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi më 11 gusht 2000, përcaktohet se deri në vendimin e statusit të ardhshëm të Kosovës, në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sipas kësaj Rregulloreje, themelohen institucionet e përkohshme për vetëqeverisje autonome dhe demokratike në nivel komunal si hap drejt bartjes progresive të përgjegjësive administrative të UNMIK-ut, i cili do të mbikëqyrë dhe do të ndihmojë në konsolidimin e këtyre institucioneve.
Gjykata Supreme konstatoi se Komuna e Gjakovës nuk ka legjitimitet pasiv, përkatësisht nuk është palë e marrëdhënies materialo-juridike, sepse e njëjta: “nuk ia ka ndërprerë paditësit marrëdhënien e punës. E paditura Komuna e Gjakovës, ka qenë nën administrimin e UNMIK-ut, që nga formimi i saj dhe se zgjedhjet e para në Kosovë, janë mbajtur me datë 28.10.2000, ndërsa ato të përgjithshme në nivel qendror janë mbajtur me datë 17.11.2001, që do të thotë se ky subjekt juridik nuk ka kontinuitet juridik me subjektin e mëparshëm tek i cili paditësi ka qenë në marrëdhënie pune. Është fakt notor, se e paditura i administron mjetet themelore, të cilat i ka administruar paraardhësi i të paditurës, mirëpo nga ky fakt nuk mund të përfundohet për ekzistimin e ndonjë suksesioni juridik mes të paditurës dhe ish subjektit, i cili ka administruar me këto mjete themelore deri me përfundimin e intervenimit të NATO-s në Kosovë. Nuk ekziston asnjë bazë juridike, me të cilën parashikohet që e paditura ka trashëguar detyrimet nga ky ish subjekt. Për këto arsye gjykata e shkallës së dytë, drejtë ka zbatuar të drejtën materiale kur ka gjetur se kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar.”
Gjykata Supreme gjeti se në këtë rast, “të paditurës i mungon legjitimiteti pasiv edhe për faktin se e njëjta nuk ka marrë pjesë në raportin juridik për të cilin kërkohet kompensimi i të ardhurave personale, për shkak të anulimit te Vendimit 05.nr.118-1 të datës 27 janar 1992, mbi Ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Të njëjtin vendim e ka lëshuar ish-Republika e Serbisë – KA Kosovë dhe Metohi - Kuvendi i Komunës së Gjakovës, dhe se në këtë rast nuk ekziston kontinuiteti i marrëdhënies së punës të parashtruesit të kërkesës tek e paditura, rrjedhimisht e paditura nuk ka legjitimitet pasiv të palës së paditur në këtë kontest, dhe nuk është trashëgimtare juridike e ish Kuvendit të Komunës së Gjakovës”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, atij i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Shkeljet e pretenduara të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës
Parashtruesi i kërkesës në thelb pretendon shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, duke theksuar se Aktgjykimi i kontestuar është nxjerrë në shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, pasi që “ Komuna e Gjakovës nuk është thirrë asnjëherë në mungesë të legjitimitetit pasiv të palës në procedurë, dhe parashtruesit të kërkesës nuk i është dhënë mundësia që në shqyrtim gjyqësor të argumentojë, përkatësisht të kundërshtojë pretendimet e mungesës së legjitimitetit nga ana e Komunës së Gjakovës. Ndërsa, gjykatat e shkallës së dytë dhe të tretë, pa shqyrtim gjyqësor kanë vlerësuar një rrethanë për të cilën palët nuk janë deklaruar. Në këtë kuptim, Aktgjykimet e atakuara janë të përfshirë në shkeljen e nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës”.
Lidhur me çështjen e legjitimitetit pasiv të Komunës së Gjakovës, parashtruesi i kërkesës po ashtu shton se i njëjti: “është përjashtuar nga puna nga se si zyrtar Referent për çështje banesore, jurist i diplomuar nga ai është kërkuar që të shpërngulë shqiptarët nga puna për të vendosur nga strukturat e atëhershme diskriminuese serb në atë banesa, për ta ri kolonizuar Kosovën. Administrata Komunale e pasluftës është vendos në ndërtesat dhe pajisje të gjetura komunale. Gjatë kohës së pushtetit të paraluftës janë ndërtuar objekte dhe të tjera, prej nga nëse kjo komunë e tashme nuk qenka sukcesor i detyrimeve të komunës së mëparshme atëherë nuk duhet të ishte trashëgimtare e të drejtave materiale që i ka trashëguar. Shkëputja politike e Kosovës me ish RFJ apo me R. Serbisë është çështje tjetër. Qytetarë e Kosovës sot nuk mundë të realizojnë të drejtën në pension të plotë nëse nuk kanë punuar në kohën e RSFJ, RFJ apo RS mbi 15 vjet. Pikëpamja në përgjegjësi diskriminon paditësin” Tutje, parashtruesi i kërkesës konsideron se: “Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme nuk kanë vlerësuar fare arsyetimin e aktgjykimit të Gjykatës së shkallës së parë. Në fakt, pikëpamja e Gjykatës së shkallës së dytë dhe të tretë janë të pabazuara”.
Parashtruesi i kërkesës ngrit pretendime për tejzgjatjen e procedurës gjyqësore në gjykatat e rregullta, duke theksuar se: “Nga gjendja në shkresat e lëndës vërtetohet se kur është iniciuar ky kontest e deri tani kur na është dorëzuar aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës, i cili atakohet me këtë kërkesë ka kaluar një kohë shumë e gjatë, e pa kuptimta e gjatë të procedurës dhe i njëjti është kundër kushtetues, përkatësisht me këtë aktgjykim palëve paditëse iu është cenuar e drejta në gjykim të drejtë dhe të paanshëm e cila garantohet me nenin 31. të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe i është shkelur e drejta në gjykim në afat të pa arsyeshëm.”
Shkeljet e pretenduara të nenit 4 nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar është nxjerrë në shkelje të nenit 4 dhe 24 të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës në pretendimet e tij i referohet Aktgjykimit [Rev.nr.49/2012] të 3 qershorit 2013 të Gjykatës Supreme, në të cilën pretendon se është definuar çështja e legjitimitetit pasiv lidhur me detyrimet e Komunës me strukturën komunale të paraluftës, duke theksuar se: “parashtruesi i kërkesës nga Gjykata Supreme e Kosovës, trajtohet në mënyrë diskriminuese, dhe jo sipas qëndrimit të mëparshëm që kishte ajo gjykatë me Aktgjykimin Rev.49/2012, ku konsideronte se Komunat kanë legjitimitet pasiv për detyrimet e paraluftës”.
Lidhur me pretendimet për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimet e atakuara me këtë kërkesë, janë përfshirë në shkelje të nenit 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit], për shkak se me të njëjtat: “i mohohet realizimi i kërkesave legjitime dhe kushtetuese që rrjedhin nga marrëdhënia e punës”.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 4
[Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit]
“1. Kosova është Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, sikurse është përcaktuar me këtë Kushtetutë.
2. Kuvendi i Republikës së Kosovës ushtron pushtetin legjislativ.
3. Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit. Presidenti i Republikës së Kosovës është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, në pajtim me këtë Kushtetutë. 4. Qeveria e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve e politikave shtetërore dhe i nënshtrohet kontrollit parlamentar. 5. Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur dhe ushtrohet nga gjykatat. 6. Gjykata Kushtetuese është organ i pavarur i mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. 7. Republika e Kosovës ka institucionet e veta për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të integritetit territorial, rendit dhe qetësisë publike, të cilat funksionojnë nën autoritetin kushtetues të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës.
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë,
mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë
komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së
kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
6. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
7. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.
Neni 49
[E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit]
E drejta e punës garantohet.
Secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe vendin e punës.
RREGULLORJA NR. 2000/45 MBI VETËQEVERISJEN E KOMUNAVE TË KOSOVËS
UNMMIK, 11 GUSHTIT 2000
Neni 1
Institucionet e Përkohshme
1.1 Deri në vendimin e statusit të ardhshëm të Kosovës, me këtë Rregullore, në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, themelohen institucionet e përkohshme për vetëqeverisje autonome dhe demokratike në nivel komunal si hap drejt bartjes progresive të përgjegjësive administrative të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), i cili do të mbikëqyrë dhe ndihmojë konsolidimin e këtyre institucioneve.
1.2 Sipas kësaj Rregulloreje "Pushtet Qendror” është UNMIK-u, i cili vepron sipas autoritetit të Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP).
Neni 2
Komunat në Kosovë
2.1 Njësia themelore territoriale e vetëqeverisjes lokale në Kosovë është komuna, e cila ushtron tërë pushtetin, i cili nuk është i rezervuar shprehimisht për Pushtetin Qendror.
2.2 Komunat rregullojnë dhe udhëheqin çështjet publike në territorin e tyre brenda kufijve të përcaktuar me ligj, për të siguruar kushte për jetë normale dhe të qetë për të gjithë banorët e Kosovës. Ato mund të kujdesën për çështje me interes të përgjithshëm që kanë të bëjnë me komunën dhe të cilat nuk i përkasin vetëm Pushtetit Qendror apo ndonjë organi tjetër.
2.3 Të gjitha organet dhe instancat e komunës kujdesën që banorët e komunës t’i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë pa dallim race, etnie, ngjyre, gjinie, gjuhe, religjioni, mendimi politik apo mendim tjetër, prejardhjeje kombëtare apo sociale, pa dallim prone, lindje apo ndonjë statusi tjetër me qëllim që ata të gëzojnë të drejta të barabarta dhe të drejta për punësim në shërbimet komunale të gjitha niveleve. Komunat në politikën dhe praktikën e tyre duhet të vejnë në veprim nevojën për nxitjen e bashkëjetesës mes banorëve dhe të krijojnë kushte adekuate për t’u mundësuar të gjitha komuniteteve që ta shprehin, ruajnë dhe zhvillojnë identitetin e tyre etnik, kulturor, fetar dhe gjuhësor. Në këtë Rregullore, nocioni “bashkësitë kombëtare” nënkupton bashkësitë e banorëve që i përkasin grupit të njëjtë etnik, fetar ose gjuhësor.
2.4 Çdo komunë e ka statusin e vet juridik, të drejtën për të poseduar dhe administruar pronën, mundësinë për të ushtruar padi dhe për të qenë i paditur në gjykata, të drejtën për të lidhur kontrata dhe të drejtën për të marrë punëtorë në punë.
2.5 Ndryshimet e kufijve të komunave mund të bëhen vetëm nga Pushteti Qendror dhe vetëm pas konsultimeve paraprake me komunat përkatëse.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet nenit 113, paragrafët 1 dhe 7 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Për më tepër, Gjykata gjithashtu i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç janë të përcaktuara me Ligj. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës: është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai e konteston kushtetutshmërinë e një akti të autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev.nr.38/22] e 25 korrikut 2022 të Gjykatës Supreme; se i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; se i ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, siç parashihet me nenin 49 të Ligjit.
Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nën rregullin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, që përcakton:
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.
Gjykata rikujton se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastet e Gjykatës KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; dhe KI175/20, me parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Në këtë kontekst, si dhe në vazhdim të tekstit, vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me atë që parashtruesi i kërkesës ishte në marrëdhënie pune në Komunën e Gjakovës deri më 27 janar 1992, kur i ishte ndërprerë kontrata e punës nga ana Komunës së Gjakovës. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën e atëhershme Komunale, ku kjo e fundit kishte vendosur që të anulojë vendimin e Komunës së Gjakovës për ndërprerje të marrëdhënies së punës dhe ta ktheje në punë parashtruesin e kërkesës. Vendimi i Gjykatës Komunale nuk ishte zbatuar në atë kohë, mirëpo parashtruesi i kërkesës ishte rikthyer në vendin e tij të punës pas vitit 1999. Parashtruesi i kërkesës po ashtu kishte parashtruar padi në Gjykatën Komunale në Gjakovë, ku kishte kërkuar që të kompensohet për periudhën për të cilën ishte i pushuar nga puna nga viti 1992 – 1999. Gjykata Komunale kishte aprovuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të bazuar, duke detyruar të paditurën – Komunën e Gjakovës që parashtruesit të kërkesës të ia paguaj shumën prej 15.613,00 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e trembëdhjetë marka) në emër të borxhit dhe shumën prej 541,00 (pesëqind e dyzet e një marka) në emër të kamatës apo gjithsej 16.154,00 (gjashtëmbëdhjetë mijë e njëqind e pesëdhjetë e katër marka) për mospagimin e të ardhurave personale prej 27 janarit 1992 e gjer në muajin gusht 1997 dita e përpilimit të ekspertizës, si dhe të ia kompensoj shpenzimet procedurale në shumën 2.076,00 (dy mijë e shtatëdhjetë e gjashtë marka) në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Kundër aktgjykimit të Gjykatës Komunale kishte paraqitur ankesë Komuna e Gjakovës në Gjykatën e Qarkut në Pejë, ku kjo e fundit e kishte aprovuar ankesën dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim dhe rivendosje. Në rigjykim, Gjykata Themelore kishte aprovuar pjesërisht padinë e parashtruesit të kërkesës dhe kishte vendosur që Komuna e Gjakovës të ia paguajë shumën prej 11100,00 (njëmbëdhjete mijë e një qind) euro në emër të borxhit kryesor për shkak të mos pagimit të të ardhurave personale prej datës 27 janar 1992 deri më 24 mars 1999 me kamatë ligjore të deponimeve bankare të afatizuara mbi një vit, pa destinim të caktuar , nga arritja e secilit këst veç e veç e deri në pagesën definitive, ashtu që kamata llogaritet nga data 15 e muajit rrjedhës për muajin paraprak, deri në pagesën e definitive, si dhe t’ia paguajë shpenzimet procedurale në shumë prej 1681.00 (një mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e një) Euro, të gjitha këto në afat prej 8 ditësh nga dita e marrjes së këtij aktgjykimi, nën kërcënim të përmbarimit; dhe (II) refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë në shumë prej 3,900.00 (tremijë e nëntëqind) Euro. Komuna e Gjakovës kishte parashtruar ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, e cila ankesë ishte aprovuar nga Gjykata e Apelit dhe ishte ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore dhe ishte refuzuar në tërësi si e pabazuar kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës, po ashtu edhe ankesa e parashtruesit të kërkesës ishte refuzuar si e pabazuar. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, i cili revizion ishte refuzuar si i pabazuar.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e saj të garantuara me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës nuk konteston procedurën lidhur me kthimin e tij në vendin e punës pasi që më 26 shkurt 1993, Aktgjykimi [C.nr.717/92] i Gjykatës Komunale në Gjakovë, i 8 qershorit 1992, ishte bërë i plotfuqishëm dhe çështja është res judicata, mirëpo konteston procedurën lidhur me kompensimin e pagave për periudhën për të cilën ishte i përjashtuar nga puna. Kështu që Gjykata në vijim do të merret me vlerësimin e kushtetutshmërisë vetëm lidhur me procedurën e dytë.
Gjykata verën se esenca e pretendimeve për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, ndërlidhet me: (i) zbatim të gabuar të dispozitave ligjore lidhur me legjitimitetin pasiv të palës në procedurë; dhe (ii) me pretendimin për tejzgjatje të procedurës, pasi që periudha prej inicimit të kontestit dhe deri në dorëzimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme ka kaluar një kohë e gjatë. Gjykata vlerëson se pretendimet e tilla ngrejnë çështje nga neni 31 i Kushtetues dhe neni 6.1 i KEDNJ-së, të cilat Gjykata do t’i analizojë në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata fillimisht do trajtojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljet e nenit 31 të Kushtetutës lidhur me nenin 6 të KEDNJ-së, lidhur me zbatimin e gabuar të dispozitave ligjore sa i përket legjitimitetit pasiv, duke vazhduar më pas me pretendimin për tejzgjatje të procedurës, dhe pretendimet lidhur me shkeljen e neneve 4, 24 dhe 49 të Kushtetutës.
i) Lidhur me shkeljet e pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Përkitazi me pretendimin për zbatim të gabuar të dispozitave ligjore lidhur me legjitimitetin pasiv të palës
Gjykata vëren se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës qëndron në pretendimin se Gjykatat e rregullta kanë shkelur nenin 31 të Kushtetutës, pasi që vendimet e tyre i kanë bazuar në dispozita të gabuara ligjore dhe kanë bërë interpretim të gabuar të fakteve, duke arsyetuar “... Komuna e Gjakovës nuk është thirrë asnjëherë në mungesë të legjitimitetit pasiv të palës në procedurë, dhe parashtruesit të kërkesës nuk i është dhënë mundësia që në shqyrtim gjyqësor të argumentojë, përkatësisht të kundërshtojë pretendimet e mungesës së legjitimitetit nga ana e Komunës së Gjakovës. Ndërsa, gjykatat e shkallës së dytë dhe të tretë, pa shqyrtim gjyqësor kanë vlerësuar një rrethanë për të cilën palët nuk janë deklaruar. Në këtë kuptim, Aktgjykimet e atakuara janë të përfshirë në shkeljen e nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës”.
Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga Gjykatat e rregullta, përkatësisht legjitimitetin pasiv të palës në procedurë.
Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34).
Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 35).
Gjykata vëren se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë aktgjykimet përkatëse, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.
Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.4622/2017]: (i) aprovoi si të bazuar ankesën e të paditurës Komuna e Gjakovës, (ii) ndryshoi Aktgjykimin [C.nr.286/05] të 15 majit 2017 të Gjykatës Themelore, duke refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar, dhe (iii) refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, parashtruar kundër pikës II të dispozitivit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore. Në vijim të arsyetimit të këtij Aktgjykimi, Gjykata e Apelit theksoi se: “gjendja faktike e konstatuar nga gjykata e shkallës së parë, e në veçanti konstatimi i legjitimitetit real pasiv të palës, është i gabuar dhe nuk korrespondon drejtë me provat nga shkresat e lëndës. Në kuptim të mbështetjes së këtij vlerësimi gjykata ankimore i referohet fakteve jokontestuese nga të cilat rezulton se vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës është nxjerrë në rrethana të jashtëzakonshme, - si pasojë e vendosjes së Kosovës nën administrim të masave të dhunshme nga Serbia. Nga kjo rrethanë qartazi rezulton se këtu e paditura nuk është suksesore e subjektit i cili ka nxjerrë vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së paditësit, respektivisht nuk ka qenë pjesëmarrëse e raportit materialo-juridik nga i cili ka lindur ky kontest, prandaj edhe është nul”. Lidhur me ankesën e parashtruesit të kërkesës ndaj pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, Gjykata e Apelit gjeti se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të mbështesë bazën juridike të kërkesëpadisë, përderisa në çështjen konkrete juridike nuk është provuar që të njëjtit i është cenuar e drejta në pagë, si pasojë e vendimit të kundërligjshëm të Komunës së Gjakovës (të themeluar si njësi lokale vetëqeverisëse me Rregulloren e UNMIK-ut 2000/45 të 11 gushtit 2000).
Në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës vendosi edhe Gjykata Supreme, e cila përmes Aktgjykimit [Rev.nr.38/22] refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, duke theksuar se e pranon si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e gjykatës së shkallës së dytë, dhe se i njëjti nuk është përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe as në zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Gjykata Supreme gjeti se e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme në raport me gjendjen faktike të provuar, duke theksuar se: “kërkesëpadia e paditësit në raport me të paditurën është e pabazuar në mungesë të legjitimitetit pasiv për arsye se: faktet e treguara në padi dhe faktet në të cilat mbështetet kërkesëpadia qartë janë në kundërshtim me provat të cilat i ka propozuar paditësi dhe me faktet që janë botërisht të ditura sepse (...) është botërisht i njohur fakti se Komuna dhe Qeveria e Kosovës, kanë qenë të administruara nga UNMIK-u, që nga formimi i tyre dhe se zgjedhjet e para në Kosovë, janë mbajtur me datë 28.10.2000, ndërsa ato të përgjithshme në nivel qendror janë mbajtur me datë 17.11.2001”. Në vazhdim të arsyetimit, Gjykata Supreme pohoi se me paragrafin 1 të nenit 1 të Rregullores nr. 2000/45 të UNMIK-ut mbi Vetëqeverisjen e Komunave të Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi më 11 gusht 2000, përcaktohet se deri në vendimin e statusit të ardhshëm të Kosovës, në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sipas kësaj Rregulloreje, themelohen institucionet e përkohshme për vetëqeverisje autonome dhe demokratike në nivel komunal si hap drejt bartjes progresive të përgjegjësive administrative të UNMIK-ut, i cili do të mbikëqyrë dhe do të ndihmojë në konsolidimin e këtyre institucioneve. Gjykata Supreme konstatoi se Komuna e Gjakovës nuk ka legjitimitet pasiv, përkatësisht nuk është palë e marrëdhënies materialo-juridike, sepse e njëjta: “nuk ia ka ndërprerë paditësit marrëdhënien e punës. E paditura Komuna e Gjakovës, ka qenë nën administrimin e UNMIK-ut, që nga formimi i saj dhe se zgjedhjet e para në Kosovë, janë mbajtur me datë 28.10.2000, ndërsa ato të përgjithshme në nivel qendror janë mbajtur me datë 17.11.2001, që do të thotë se ky subjekt juridik nuk ka kontinuitet juridik me subjektin e mëparshëm tek i cili paditësi ka qenë në marrëdhënie pune. Është fakt notor, se e paditura i administron mjetet themelore, të cilat i ka administruar paraardhësi i të paditurës, mirëpo nga ky fakt nuk mund të përfundohet për ekzistimin e ndonjë suksesioni juridik mes të paditurës dhe ish subjektit, i cili ka administruar me këto mjete themelore deri me përfundimin e intervenimit të NATO-s në Kosovë. Nuk ekziston asnjë bazë juridike, me të cilën parashikohet që e paditura ka trashëguar detyrimet nga ky ish subjekt. Për këto arsye gjykata e shkallës së dytë, drejtë ka zbatuar të drejtën materiale kur ka gjetur se kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar.” Tutje, Gjykata Supreme gjeti se në këtë rast, “të paditurës i mungon legjitimiteti pasiv edhe për faktin se e njëjta nuk ka marrë pjesë në raportin juridik për të cilin kërkohet kompensimi i të ardhurave personale, për shkak të anulimit te Vendimit 05.nr.118-1 të datës 27 janar 1992, mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Të njëjtin vendim e ka lëshuar ish-Republika e Serbisë – KA Kosovë dhe Metohi - Kuvendi i Komunës së Gjakovës, dhe se në këtë rast nuk ekziston kontinuiteti i marrëdhënies së punës të parashtruesit të kërkesës tek e paditura, rrjedhimisht e paditura nuk ka legjitimitet pasiv të palës së paditur në këtë kontest, dhe nuk është trashëgimtare juridike e ish Kuvendit të Komunës së Gjakovës”.
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se çështja e legjitimitetit pasiv është çështje që përcaktohet nga gjykatat e rregullta në kuadër të detyrave dhe prerogativës së tyre për konstatim të gjendjes faktike dhe zbatim të ligjit material e procedural në rastet individuale dhe se në këtë drejtim nuk mund të thuhet se janë cenuar garancitë procedural nga neni 31 i Kushtetutës. Veç kësaj, gjykatat e rregullta kanë shpjeguar se nuk ka kontinuitet juridik sepse pala e paditur Komuna e Gjakovës ka qenë nën administrimin e UNMIK-ut, që nga formimi i saj pas vitit 1999, dhe se zgjedhjet e para në Kosovë, janë mbajtur me datë 28.10.2000, ndërsa ato të përgjithshme në nivel qendror janë mbajtur me datë 17.11.2001, që do të thotë se ky subjekt juridik nuk ka kontinuitet juridik me subjektin e mëparshëm tek i cili paditësi ka qenë në marrëdhënie pune.
Gjykata nuk vëren zbatim të dukshëm arbitrar të ligjit apo të fakteve, konkluzion qartazi të paarsyeshëm të procedurave apo edhe mungesë të marrëdhënies logjike ndërmjet fakteve të konstatuara dhe zbatimit të dispozitave ligjore përkatëse ndaj atyre fakteve. Në të vërtetë, nga vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë dhënë arsyetim të bollshëm lidhur me legjitimitetin pasiv të palës së paditur Komuna e Gjakovës dhe përse pala e paditur nuk është pasardhës i Komunës së Gjakovës së tanishme.
Gjykata thekson se në jurisprudencën e saj për çështje të ngjashme ka miratuar konstatimet dhe qëndrimet e Gjykatës Supreme lidhur me mungesën e legjitimitetit pasiv dhe kontinuitet juridik me subjektin e mëparshëm, dhe se ka konstatuar se qëndrimi i Gjykatës Supreme nuk cenon garancitë procedurale nga neni 31 i Kushtetutës (shih rastet e Gjykatës Kushtetuese nr. KI40/18 Parashtrues Hysen Idrizi, Aktvendim për Papranueshmëri i 28 majit 2018, paragrafët 32, 35, 37, 38; dhe po ashtu shih KI93/15 Parashtrues Ahmet Tërnava, Aktvendim për Papranueshmëri i 14 prillit 2016, paragrafët 43, 44, 46).
Prandaj, Gjykata konstaton që parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi të përfitojë nga procedura kontradiktore dhe se ka pasur mundësi që në fazat e ndryshme të procedurës t’i paraqesë pretendimet dhe provat të cilat i ka konsideruar si të rëndësishme për rastin e tij; ka pasur mundësinë për t’i kundërshtuar në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta i kanë dëgjuar dhe shqyrtuar të gjitha pretendimet e tyre, e të cilat, shikuar objektivisht, kanë qenë të rëndësishme për zgjidhjen e lëndës, dhe se arsyet faktike dhe juridike për vendimin e kundërshtuar janë paraqitur në detaje, dhe për këtë arsye procedura, e marrë në tërësi, ishte e drejtë (shih mutatis mutandis, Aktgjykimi i GJEDNJ-së i 21 janarit 1999, García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, paragrafët 29 dhe 30; shih gjithashtu rastin e Gjykatës KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për Papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata thekson që në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i zbatimit arbitrar të ligjit apo të fakteve, thekson se, Gjykatat e rregullta kanë interpretuar gabimisht legjitimitetin pasiv të palës, megjithatë ai nuk e mbështet në asnjë mënyrë dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim nga gjykatat e rregullta, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se si procedurat pranë gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe kanë arsyetuar qartazi të njëjtat (Shih rastet e Gjykatës KI64/20, parashtrues Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI22/19, cituar më lart, paragrafi 43).
Thënë këtë Gjykata vlerëson se Gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ku në bazë të provave të nxjerra ishte vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe me këtë rast, të njëjtat ishin shpallur si të pa bazuara. Sa më sipër, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur që pretendimet e tij për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë t’i ngrejë në nivel kushtetutshmërie.
Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore lidhur me legjitimitetin pasiv të palëve në procedurë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Lidhur me pretendimin për tejzgjatje të procedurës
Gjykata rithekson edhe njëherë se, megjithëse parashtruesi gjithashtu pretendon se lënda e tij është tejzgjatur, dhe se nga koha e fillimit të kontestit dhe deri në pranimin e vendimit të Gjykatës Supreme ka kaluar shumë kohë, pretendime këto që ndërlidhen me të drejtën e tij për gjykim të drejtë sipas nenit 31.2 (E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm) të Kushtetutës dhe nenit 6.1 (E drejta për gjykim të drejtë) të KEDNJ-së.
Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së:
Neni 31.2 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
i Kushtetutës
“[...]
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet [...] brenda një afati të arsyeshëm [...]”.
Neni 6.1 (E drejta për gjykim të drejtë) i KEDNJ-së
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm …”.
Për të verifikuar bazueshmërinë e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljet e të drejtave dhe lirive kushtetuese që kanë të bëjnë me marrjen e vendimeve brenda një kohe të arsyeshme, Gjykata do të merret me: i) vërtetimin e periudhës së kohëzgjatjes të procedurës në tërësi në institucionet kompetente, ii) parimet relevante në lidhje me kohëzgjatjen e procedurave, dhe iii) arsyeshmërinë e kohëzgjatjes së procedurave para gjykatave të rregullta.
Periudha që do të merret parasysh
Në rastin konkret, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës më 29 maj 2013 përkatësisht 24 prill 2014 kishte bërë precizimin e padisë, përmes të cilës kishte kërkuar që Komuna e Gjakovës t’ia kompensojë të ardhurat personale për vitet e punës për te cilat ishte larguar nga puna, në shumën prej 15000,00 ( pesëmbëdhjetë mijë) euro, shumë e përcaktuar nga ana e ekspertit financiar, në emër të dëmit të shkaktuar nga mos pagimi i të ardhurave personale.
Në këtë drejtim, Gjykata me rastin e përcaktimit të periudhës kohore që duhet të merret parasysh, do ta marrë parasysh periudhën nga data kur është precizuar padia për herë të fundit, pra nga 24 prill 2014, si dhe datën 25 korrik 2022, kur Gjykata Supreme vendosi lidhur me revizionin e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës.
Prandaj, Gjykata vëren se periudha që duhet marrë parasysh në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, sipas nenit 31.2 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së, është 8 (tetë) vite e 3 (tre) muaj.
Parimet relevante
Gjykata para së gjithash thekson se, sipas praktikës konsistente të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), arsyeshmëria e kohëzgjatjes së procedurës duhet të vlerësohet në dritën e rrethanave të rastit, duke marrë parasysh kriteret e vendosura nga jurisprudenca e GJEDNJ-së, dhe në veçanti: (a) ndërlikueshmërinë e rastit; (b) sjelljen e palëve në procedurë; (c) sjelljen e gjykatës kompetente ose autoriteteve të tjera publike; si dhe (d) rëndësinë e asaj çfarë është në rrezik për parashtruesin në kontest (shih Aktgjykimin e GJEDNJ-së, të 7 shkurtit 2002, Mikulić kundër Kroacisë, nr. 53176/99, paragrafi 38; Shih gjithashtu rastin e Gjykatës Kushtetuese KI23/16, parashtrues Qazim Bytyqi dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 5 majit 2017, paragrafi 58).
Analiza e arsyeshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës
Gjykata vëren se ky rast ka të bëjë me padinë e parashtruesit të paraqitur kundër Komunës së Gjakovës, përmes të cilës kishte kërkuar që Komuna e Gjakovës t’ia kompensojë të ardhurat personale për vitet e punës për te cilat ishte larguar nga puna, në shumën prej 15000,00 ( pesëmbëdhjetë mijë) euro, shumë e përcaktuar nga ana e ekspertit financiar, në emër të dëmit të shkaktuar nga mos pagimi i të ardhurave personale.
Përkitazi me ndërlikueshmërinë e rastit, Gjykata i referohet praktikës së GJEDNJ-së që kishte sqaruar se ndërlikueshmëria e rastit mund të ndërlidhet me çështje faktike dhe ligjore por gjithashtu mund të ndërlidhet edhe me përfshirjen e disa palëve në procedurë apo me një numër të caktuar provash që duhet trajtuar para gjykatave të rregullta (shih, mutatis mutandis, Aktgjykimin e GJEDNJ-së të 19 shtatorit 1994, Katte Klitsche de la Grange kundër Italisë, Nr. 21/1993/416/495, paragrafi 55; Aktgjykimin e GJEDNJ-së, H. kundër Mbretërisë së Bashkuar nr. 9580/81, paragrafi 72; Aktgjykimin e GJEDNJ-së të 15 tetorit 1999, Humen kundër Polonisë nr. 26614/95, paragrafi 63.)
Gjykata vëren se rasti i parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me dy palë të ndryshme që janë të përfshira në procedurë. Gjykata po ashtu vëren se kontesti është i ndërlikuar për shkak të natyrës së lëndës dhe çështjeve që duheshin trajtuar.
Sa i përket sjelljes së palëve të rastit, Gjykata nga shkresat e lëndës vëren se parashtruesi i kërkesës disa herë kishte kërkuar nga Gjykata Themelore që të shtyhen seancat shqyrtuese. Ndërsa, gjithashtu edhe e paditura kishte kërkuar që të shtyhet seanca shqyrtuese disa herë, përkatësisht me datat 16 qershor 2015, 24 prill 2017, si dhe kishte munguar në seanca disa herë, përkatësisht në datat 7 shtator 2015, 5 tetor 2015.
Në këtë drejtim, Gjykata vë në dukje se parashtruesit kanë të drejtë të ndjekin të gjithë hapat procedural të vënë në dispozicion nga ligjet në fuqi. Megjithatë, parashtruesit duhet të kenë parasysh, gjithashtu pasojat në rast se mjetet ligjore të shfrytëzuara mund të ndikojnë në shtyrjen në kohë. Gjykata konsideron se sjellja e parashtruesve përbën një fakt objektiv që nuk mund t’u atribuohet gjykatave dhe që duhet marrë parasysh në konstatimin, nëse procedurat vazhduan më gjatë se sa afati i arsyeshëm që kërkojnë dispozitat e nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6 të Konventës (Shih rastet e GJEDNJ, McFarlane kundër Irlandës, të 10 shtatorit 2010, kërkesa nr. 31333/06, paragrafin 148; Eckle kundër Gjermanisë, GJEDNj, kërkesa nr. 8130/78, Aktgjykimi i 15 korrikut 1982, paragrafi 82; Shih gjithashtu rastin e Gjykatës Kushtetuese KI07/15, parashtrues Shefki Zogiani, Aktvendim për papranueshmëri i 23 shtatorit 2016, paragrafi 55).
Sa i përket sjelljes së gjykatës përkatëse, Gjykata vëren se procedura para Gjykatës Themelore kur kishte vendosur për rastin C.nr.286/05 kishte zgjatur afërsisht 3 (tri) vite. Procedura para Gjykatës së Apelit që ishte vendosur me Aktgjykimin Ac.nr.4622/2017 kishte zgjatur afërisht 4 (katër) vite. Ndërsa, procedura në Gjykatën Supreme kishte zgjatur afërsisht 1 (një) vite e një muaj.
Në këto rrethana, Gjykata gjen se gjykatat e rregullta i zhvilluan procedurat e tyre me kujdes të arsyeshëm dhe nuk kanë qenë pasive në lidhje me rastin e parashtruesit të kërkesës.
Lidhur me atë se çfarë ishte në rrezik për parashtruesit në kontest, Gjykata vëren se kërkesa e parashtruesit ka të bëjë me kërkesën e tij për kompensimin e pagava nga ana e Komunës së Gjakovës. Kësisoj, Gjykata gjen se pritja për marrjen e kompensimit të pagave të papaguara është e një rëndësie të konsiderueshme, por nuk ishte e një natyre aq detyruese sa të kërkonte urgjencë të veçantë nga ana e gjykatave.
Si përfundim, Gjykata gjen se kohëzgjatja e përgjithshme e procedurave pranë gjykatave të rregullta, prej 8 (tetë) vitesh dhe tre muaj, nuk mund të konsiderohet e paarsyeshme, duke marrë parasysh ndërlikueshmërinë e rastit, sjelljen e palëve dhe çfarë ishte në rrezik për parashtruesin e kërkesës (shih, mutatis mutandis, Aktgjykim i GJEDNJ-së i 27 qershorit 2000, Frydlender kundër Francës, Nr. 30979/96, paragrafët 43-46; dhe Aktgjykim i GJENDJ-së i 8 qershorit 2006, Sürmeli kundër Gjermanisë, Nr. 75529/01, paragrafët 128-134).
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se parashtruesi i kërkesës nuk e ka dëshmuar pretendimin se i është shkelur e drejta për përcaktimin e të drejtave dhe obligimeve të tij brenda një afati të arsyeshëm, e garantuar me nenin 31.2 të Kushtetutës dhe me neni 6.1 të GJEDNJ-së.
Përkitazi me pretendimet për shkelje të neneve 4, 24 dhe 49 të Kushtetutës
Siç u cek më lart, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, shkel të drejtat e tij të garantuara me nenet 4, 24 dhe 49 të Kushtetutës. Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 4 të Kushtetutës, por ai nuk ka argumentuar dhe arsyetuar këto pretendime. Për më tepër, Gjykata vë në pah se pretendimi për shkelje të nenit 4 mund të ngritët në mënyrë të argumentuar nga parashtruesit individual, vetëm në ndërlidhje me ndonjë të drejtë specifike të garantuar nga Kapitulli II dhe III të Kushtetutës. Prandaj, ky nene në mënyrë të pavarur nuk mund të zbatohet nëse faktet e çështjes nuk bien në fushën e veprimit të paktën të njërës ose më shumë dispozitave të Kushtetutës që kanë të bëjnë me “gëzimin e të drejtave dhe lirive të njeriut” (shih, rastin KI 67/16, parashtrues i kërkesës Lumturije Voca, Aktvendimi për Papranueshmëri, i 23 janarit 2017, par. 128; KI172/18, parashtrues Arbër Kryeziu, pronar i “Al-Petrol” Sh.p.k, Aktvendim për Papranueshmëri i 20 janarit 2020, paragrafi 65). Ndërsa sa i përket pretendimeve për shkelje të neneve 24 dhe 49 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës vetëm i përmend nenet përkatëse, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve përkatëse të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës Kushtetuese KI187/18 dhe KI 11/19, parashtrues: Muhamet Idrizi, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2019, paragrafi 73; KI125/19 parashtrues: Ismajl Bajgora, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 63; dhe së fundmi rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi për papranueshmëri, i 26 marsit 2021, paragrafët 79-82).
Thënë këtë, Gjykata konsideron se pretendimin për shkelje të neneve 24 dhe 49 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës, në të vërtetë, i ka elaboruar mbi bazën e nenit 31 të Kushtetutës, duke e ndërlidhur shkeljen e këtyre të drejtave themelore me interpretimin e gabuar të legjitimitetit pasiv të palës në procedurë, për çfarë Gjykata sa më sipër konstatoi se në këtë pjesë kërkesa duhet të shpallet qartazi e pabazuar, në baza kushtetuese dhe rrjedhimisht e papranueshme, për arsyet e lartcekura.
Prandaj, Gjykata konstaton se përkitazi me këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 24 dhe 49 të Kushtetutës, Gjykata konkludon që kjo pjesë e kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, sepse parashtruesi i kërkesës thjesht citoi nenin 24 dhe 49 të Kushtetutës, pa shpjeguar se si ishte shkelur ato. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me zbatimin e gabuar të dispozitave ligjore sa i përket legjitimitetit pasiv të palës në procedurë, e që bien në fushëveprimin e nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6.1 të KEDNJ-së, i përkasin kategorisë së parë (i) të pretendimeve “shkallë e katërt ”, ndërsa pretendimet përkitazi me tej zgjatjen e procedurës, i përkasin kategorisë së dytë (ii) “ mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”. Andaj të dyja pretendimet duhet të deklarohen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Sa i përket pretendimeve për shkelje të nenit 24 dhe 49 të Kushtetutës, duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj duhet të deklarohet e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 dhe 48 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 29 gusht 2023 njëzëri:
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Hadi Bakija
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile