Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit  Ac. nr. 2023/2020, të 23 shkurtit 2021 

Nr. të lëndës KI 76/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI76/21, Parashtrues: Qemajl Babuni, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit  Ac. nr. 2023/2020, të 23 shkurtit 2021 

KI76/21, Aktvendim për papranueshmeri, i 10 nëntorit 2021, publikuar më 8 dhjetor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë, e drejta për mjete juridike, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me procedurë përmbarimore, ku parashtruesi i kërkesës paraqitet në cilësinë e debitorit të dytë, pasi debitori i parë kishte ndërruar jetë, i cili sipas fakteve të rastit kishte një detyrim ndaj kreditorit Raiffeisen Bank Kosova. Kjo e fundit në cilësinë e kreditorit dhe bazuar në dokumentin përmbarimor, marrëveshjen për kredinë personale, flexi-kredinë dhe atë të pengut, për shumën e përgjithshme të detyrimit prej 7.433,26 euro, kishte paraqitur propozim për përmbarimin pranë përmbaruesit privat. Përmbaruesi privat, bazuar në dokumentit përmbarimor kishte lëshuar Urdhrin përmbarimor P.nr.972/2019, për përmbarimin e shumës së lartëcekur. Parashtruesi i kërkesës kundër këtij urdhri kishte ushtruar prapsim në Gjykaten Themelore në Gjakovë, e cila nëpërmjet Aktvendimit PPP.nr.302/19 e refuzoi prapësimin me arsyetimin se nuk kishte baze ligjore për të anuluar një urdhër te tillë përmbarimor. Tutje, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykaten e Apelit, kundër aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë, e cila nëpërmjet Aktvendimit Ac.nr. 2023/2020, refuzoi ankesën e tij dhe konfirmojë aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë si të drejtë dhe të bazuar në ligj.

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese kishte dy pretendime kryesore për shkeljen e të drejtave të tij kushtetuese, e para ndërlidhej me të drejtën për gjykim të drejtë, e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], duke pretenduar se gjykatat e rregullta gabimisht aplikuan të drejtën materiale dhe procedurale, kur vlerësuan se dokumenti përmbarimor i plotësonte kushtet ligjore për tu përmbaruar, për me tepër parashtruesi pretendonte se e drejta e kreditorit për të kërkuar përmbushjen e detyrimit (borxhit) të shumës  prej 7.433,26 euro, në bazë që ishte parashkruar, dhe e dyta ndërlidhet më të drejtën për mjete efektive juridike të garantuar me nenin 32 [E drejta për Mjete Efektive] të Kushtetutës dhe nenin 13 [E drejta për zgjidhje efektive] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar praktikës së saj gjyqësore dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me pretendimin e parë konsideroi se parashtruesi i kërkesës shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë e kishte ndërtuar në baza ligjshmërie dhe jo kushtetutshmërie, për çfarë Gjykata i rikujtoi parashtruesit të kërkesës se nuk është roli i saj të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me zbatimin e të drejtës materiale dhe procedurale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata rikujtoi se do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. Rrjedhimisht, Gjykata konsideroi se pretendimi përkitazi me aplikimin e gabuar të së drejtës materiale dhe proceduralë, i përkiste kategorisë së parë (i) të pretendimeve të shkallës se katërt, andaj të njëjtin e deklaroi qartazi të pabazuar në baza kushtetuese. Ndërsa në lidhje me pretendimin për parashkrimin e të drejtës, Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës vetëm e kishte përmendur çështjen e parashkrimit, megjithatë ai nuk kishte shtjelluar tutje se në bazë të cilit ligj apo dispozitë të veçantë ligjore është parashkruar e drejta e kreditorit për të kërkuar përmbushjen e detyrimit (borxhit). Po ashtu gjykata në lidhje me pretendimin e dytë të parashtruesit të kërkesës vlerësoi se parashtruesi i kërkesës vetëm e kishte përmendur nenin 32 të Kushtetues dhe nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por nuk kishte dhënë shtjellime të mëtejme se si kishte ardhur deri te shkelja e kësaj të drejte, e cila garantohej me këto dispozita konkrete. Gjykata ia rikujtoi parashtruesit të kërkesës se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të Konventës nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese, sepse kur pretendohen shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse në mënyrë qe të njëjtat të jenë të bazuara në baza kushtetuese. Rrjedhimisht, Gjykata këto dy pretendime i deklaroi qartazi të pabazuara, sepse i takonin kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve të pambështetura dhe të paarsyetuara.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konstatoi se duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta, konsideroi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, duhej të deklarohej e papranueshme, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (1) (b) dhe (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Qemajl Babuni

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile, Tjetër