Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-II-15-0042, të 21 korrikut 2020

Nr. të lëndës KI 175/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI175/20, Parashtruese: Agjencia Kosovare e Privatizimit, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-II-15-0042, të 21 korrikut 2020

KI175/20 Aktvendim për papranueshmëri, i 25 marsit 2021, publikuar më 27 prill 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, barazia para ligjit, e drejta për gjykim të drejtë, mbrojtja e pronës, mbrojtja gjyqësore e të drejtave, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Parashtruesja e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, kontestoi Aktvendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, AC-II-15-0042, të 21 korrikut 2020 për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor], 103 [Organizimi dhe Juridiksioni i Gjykatave], 121 [Prona] dhe 159 [Pronat dhe Ndërmarrjet në Pronësi Shoqërore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt gjyqësor] të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.

Në këtë rast, Gjykata vërejti se thelbi i pretendimeve të parashtrueses së kërkesës kishte të bënte kryesisht me të drejtën për gjykim të drejtë e cila mbrohet nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNj-së, përkatësisht me zbatimin e gabuar të dispozitave të ligjit për DhPGjS, dhe ii. moskonsistencën në vendimmarrje, dhe mohimin e të drejtës për pjesëmarrje dhe mbrojtje efektive pranë gjykatave të rregullta. Përkitazi me pretendimin e parashtrueses së kërkesës, se Kolegji i Apelit i DhPGjS-së, shkeli të drejtat e saj të garantuara me nenet e sipërcekura të Kushtetutës, sepse nuk zbatoi dispozitat përkatëse të Ligjit për DhPGjS-në, Gjykata konsideroi se një pretendim i tillë ngrenë çështje të ligjshmërisë dhe jo të kushtetutshmërisë. Gjykata në mënyrë të përsëritur ka theksuar se si rregull i përgjithshëm, pretendimet për interpretimin dhe zbatimin e gabuar të dispozitave të ligjit, që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta, kanë të bëjnë me fushën e ligjshmërisë dhe si të tilla, nuk janë në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, dhe për këtë arsye, në parim, Gjykata nuk mund t’i shqyrtojë ato.

Përkitazi me pretendimin për moskonsistencë në vendimmarrje, parashtruesja e kërkesës pretendoi se praktika gjyqësore e DhPGjS nuk ishte konsistente për arsyes se në situata identike ka vendosur ndryshe nga praktika e saj. Gjykata rikujtoi se praktika gjyqësore e GjEDNj-së ka rezultuar në katër parime themelore që e karakterizojnë analizën lidhur me konsistencën e praktikës gjyqësore, dhe atë si në vijim: (i) siguria juridike; (ii) nuk ka një të drejtë të fituar për konsistencë të praktikës gjyqësore; (iii) divergjenca nuk është domosdoshmërisht në kundërshtim me KEDNj-në; dhe (iv) përjashtimi i arbitraritetit të dukshëm. Gjykata pasi vlerësoi këtë pretendim specifik konsideroi se parashtruesja e kërkesës nuk ka arritur të argumentojë nëse rrethanat faktike të rastit konkret ishin tërësisht identike me rastet të cilave iu është referuar. Në këtë kontekst Gjykata ia rikujtoi parashtrueses së kërkesës se nuk mund të ndërtohet një pretendim për moskonsistencë, vetëm mbi bazën se si janë interpretuar dhe zbatuar dispozitat përkatëse të ligjeve për DhPGjS-në dhe Ligjit të Procedurës Kontestimore. Për më tepër, Gjykata gjeti se korniza ligjore përkitazi me DhPGjS-në, gjatë viteve kishte pësuar ndryshime, të cilat vinin si rezultat i dinamikës së përmirësimit të administrimit të drejtësisë, vendimmarrjes dhe pajtueshmërisë me kërkesat e KEDNj-së dhe Kushtetutës. Gjykata konstatoi se në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se në rastin konkret kemi të bëjmë me shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë për shkak të moskonsistencës në vendimmarrje dhe kjo nga arsyet e sipërcekura. Andaj Gjykata, konsideron se në lidhje me këtë pretendim kërkesa e parashtrueses duhet deklaruar qartazi e pabazuar dhe e papranueshme, në pajtueshmëri me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, sepse parashtruesja e kërkesës nuk ka dëshmuar në mënyrë bindëse pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNj-së.

Parashtruesja e kërkesës  gjithashtu ankohej edhe për shkelje të neneve 3, 46, 54, 102, 103, 121 dhe 156 të Kushtetutës,  pretendime për të cilat Gjykata konkludoi se ishin qartazi të pabazuara pasi të njëjtat u kualifikuan si pretendime që i përkasin kategorisë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyeshme”, sepse parashtruesja e kërkesës thjesht citoi një ose më shumë dispozita të Konventës ose të Kushtetutës, pa shpjeguar se si ato ishin shkelur. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Si përmbledhje, Gjykata duke u mbështetur në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore dhe praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, konstatoi që parashtruesja e  kërkesës në asnjë mënyrë nuk ka dëshmuar dhe nuk i ka mbështetur mjaftueshëm pretendimet e saj, për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj. Prandaj, Gjykata konkludoi se kërkesa në tërësi duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar sepse pretendimet e parashtrueses së kërkesës kualifikohen si pretendime që hyjnë në kategorinë (i) pretendime të “shkallës së katërt” dhe kategorinë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Rrjedhimisht, Gjykata gjeti se të njëjtat janë qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese, prandaj ne pajtim me paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës kërkesa u deklarua e papranueshme.

Parashtruesit:

Agjencia Kosovare e Privatizimit

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile, Tjetër