Prishtinë, më 4 dhjetor 2023
Nr.ref.: RK 2295/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI89/23
Parashtrues
“Rex Marble sh.p.k”
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit K.DH.SH.II.1597/2022 të Gjykatës Komerciale-Dhoma e Shkallës së Dytë të 8 dhjetorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga “Rex Marble sh.p.k” (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), përfaqësuar nga Eset Berisha, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [K.DH.SH.II.1597/2022] të 8 dhjetorit 2022 të Gjykatës Komerciale-Dhoma e Shkallës së Dytë të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Komerciale) në ndërlidhje me Aktvendimin [I.EK.nr.73/19] të 30 qershorit 2022 të Gjykatës Themelore- Departamenti për Çështje Ekonomike (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 28 dhjetor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [K.DH.SH.II.1597/2022] të 8 dhjetorit të Gjykatës Komerciale përmes të cilit sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] dhe paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 27 prill 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 3 maj 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI89/23] caktoi gjyqtarin Enver Peci Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 31 maj 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Komerciale me kërkesë që të dorëzojë dëshminë (fletë-kthesën) që tregon datën kur parashtruesi i kërkesës ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 6 qershor 2023, Gjykata Komerciale dorëzoi fletë-kthesën që tregon datën kur parashtruesi i kërkesës ka pranuar aktgjykimin e kontestuar.
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Më 7 nëntor 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se një zyre avokatie në Prishtinë pretendohet se është përdorur autorizimi i falsifikuar i personit R.Sh., pronar i kompanisë “Rex Marble” sh.p.k., dhe mbi bazën e atij autorizimi është kryer ndryshim statusor në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: ARBK) ku në vend të pronarit të deriatëhershëm R.Sh., është regjistruar C.G., (pronar i kompanisë “Fox Marble”sh.p.k). Po ashtu supozohet se janë përdorur dokumente tjera të falsifikuara për lejimin e shitjes së aksioneve të kompanisë “Rex Marble” sh.p.k. Pasi që është regjistruar si pronar C.G., kompania e tij “Fox Marble”sh.p.k., ka marrë në shfrytëzim tri licenca për shfrytëzim të gurit të fortë të lëshuara nga Komisioni i Pvarur për Miniera dhe Minerale (në tekstin e mëtejmë: KPMM). R.Sh., ka konsideruar se me këto veprime i është mohuar e drejta e pronësisë ndaj kompanisë “Rex Marble” sh.p.k., ndërsa kompania “Fox Marble” me pronar C.G., ka marrë në shfrytëzim tri licenca për shfrytëzim të gurit të fortë. R.Sh., në cilësi të paditësit dhe propozuesit të sigurimit përmes përfaqësuesve të tij paraqiti padi kundër kompanisë “Fox Marble”sh.p.k., me propozim për caktimin e masës së sigurisë me qëllim të ndalimit të palës së paditur në shfrytëzimin dhe disponimin me gurin e fortë në disa ngastra kadastrale të konkretizuara. Përfaqësuesit e autorizuar të R.Sh., kishin theksuar se të gjitha ndryshimet statusore të kompanisë “Rex Marble” sh.p.k., ishin kryer në mënyrë të kundërligjshme, me mashtrime dhe me dyshime për falsifikim.
Më 21 korrik 2015, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [I.C.nr.247/15] e hodhi propozimin për caktimin e masës së sigurimit të paditësit R.Sh., kundër kundërshtarit të sigurimit “Fox Marble” sh.p.k., si parashtresë e paraqitur nga pala e paautorizuar.
Gjykata Themelore konstatoi: (i) me dt. 18.06.2015, avokatët Sh.U., dhe A.R., kanë paraqitur padi në emër të Shoqërisë Tregtare “Rex Marble” Sh.p.k, si paditës kundër të paditurit “Fox Marble”, sh.p.k, si palë e paditur, me propozim për caktim të masës së sigurisë; (ii) padisë i është bashkëngjitur autorizimi për përfaqësim i lëshuar nga R. Sh.; (iii) me propozim për masë sigurimi është propozuar ndalimi i të paditurit në shfrytëzimit dhe disponimin me gurin e fortë në disa ngastra kadastrale të konkretizuara me propozimin gjegjës; (iv) pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve dhe vlerësimit të provave të lëndës, gjykata ka ardhur ne përfundim se R.Sh., nuk ka të drejtë ligjore që të përfaqësoj kompaninë “Rex Marble” sh.p.k; (v) nga informatat për kompaninë “Rex Marble” sh.p.k., gjykata ka konstatuar se Drejtor Menaxhues të tij janë B.S., dhe N.Rr; (vi) andaj personat e vetëm që kanë të drejtën ligjore për përfaqësimin e kompaninë “Rex Marble” sh.p.k., para një gjykate janë këta dy persona apo të autorizuarit e tyre; (vii) gjykata vlerëson se mungesa e autorizimit legjitim e bënë parashtresën të palejueshme, andaj, edhe propozimi për caktimin e masës se sigurimit u hodh poshtë, nga gjykata si parashtresë e paraqitur nga pala e paautorizuar.
Më 19 tetor 2015, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ae.nr.127/2015] e refuzoi të pabazuar ankesën e paditësit R.SH., ndërsa e vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore [I.C.nr.247/15] dt. 21.07.2015.
Gjykata e Apelit në përgjithësi miratoi konstatimet e gjykatës së shkallës së parë dhe vërtetoi se nga informatat e lëshuara nga ARBK-ja, rezulton se drejtorë menaxhues të kompanisë “Rex Marble” sh.p.k., me seli në Skenderaj janë B.S., dhe N.Rr., si persona të vetëm që kanë të drejtën ligjore për përfaqësim para gjykatës apo i autorizuari i tyre. Gjykata e Apelit theksoi se dispozitivi i vendimit të goditur është i kuptueshëm dhe i qartë, nuk ka kundërthënie sa i përket fakteve vendimtare dhe se e drejta materiale është zbatuar drejtë.
Më 8 shkurt 2019, paditësi R.Sh., i cili pretendonte të jetë pronar i “Rex Marble” sh.p.k., kishte përsëritur padinë kundër të paditurve C.G., dhe “Fox Marble” sh.p.k., me bazë juridike anulim i kontratave për shitblerjen e aksioneve, vërtetim i pronësisë në kompani dhe interes pronësor të kompanisë; anulim të aktvendimeve për bartjen e licencave të shfrytëzimit të shkëmbit të fortë dhe vërtetim i të drejtës së pronësisë në licenca për shfrytëzimit të gurit të fortë. Në padi, mes tjerash, ishte theksuar se paditësi R.Sh., ka qene pronar i vetëm i Kompanisë “Rex Marble” sh.p.k.. mirëpo, përmes falsifikimit të dokumenteve si autorizimi për përfaqësim dhe kontratat e shitblerjes së aksioneve, të paditurit kanë arritur që të bëjnë ndryshimet statusore në ARBK ku në vend të pronarit R.Sh., është regjistruar si pronar “Fox Marble” sh.p.k. me pronar dhe drejtor C.G. Mbi bazën e këtyre dokumenteve është bartur edhe licenca nga KPMM-ja, nga paditësi R.Sh., tek i padituri i dytë “Fox Marble” sh.p.k.
Kundërshtarët e sigurimit kanë deklaruar se e kundërshtojnë propozimin për caktimin e masës së sigurimit dhe i kanë propozuar gjykatës që propozimi të refuzohet si i pa bazuar. Më tutje kanë deklaruar se lidhur me dyshimet për falsifikime në Prokurorinë Publike në Prizren, ka disa kallëzime penale dhe se rasti është në procedure e sipër. Në të njëjtën seancë kundërshtari i propozimit i ka propozuar gjykatës që të ndërpritet procedura kontestimore deri në përfundimin e procedurës penale.
Më 3 tetor 2019, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [I.EK.nr.73/19] e refuzoi të pabazuar propozimin e propozuesit të sigurimit R.Sh., të paraqitur kundër kundërshtarëve të sigurimit C.G., dhe “Fox Marble” sh.p.k. Gjykata Themelore vlerësoi: (i) se në këtë fazë të procedurës nuk është arritur të sigurohet asnjë provë se kemi të bëjmë me dokumente të falsifikuara që do të vërtetonte pretendimet e palës paditëse R.Sh., se kemi të bëjmë me dokumente të falsifikuara e rrjedhimisht edhe të pavlefshme juridikisht; (ii) në këtë fazë të procedurës nuk është bërë e besueshme se në rast të mos caktimit të masës sigurimit do të pamundësohet apo vështirësohet realizimi eventual i kërkesës së paditësit; (iii) gjykata ka ardhur në përfundim se nuk janë plotësuar kushtet nga neni 297.1 i LPK-së për caktimin e masës së sigurisë.
Pala paditëse R.Sh., paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, të konstatimit te gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që të aprovohet në tërësi ankesa si e bazuar, ndërsa aktvendimi i atakuar të anulohet, dhe çështja të kthehet në rigjykim. Kundërshtari i sigurimit përkatësisht parashtruesi i kërkesës paraqiti përgjigje në ankesë duke kërkuar që e njëjta të refuzohet dhe aktvendimi i atakuar të vërtetohet.
Më 6 gusht 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ae.nr.356/19] vendosi APROVOHET ankesa e propozuesit të sigurimit R.Sh., dhe PRISHET Aktvendimi i Gjykatës Themelore [I.EK.nr.73/19] i 3 tetorit 2019 dhe lënda i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje.
Gjykata e Apelit vlerësoi se: (i) aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë është përfshirë me shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore të nenit 182.1 lidhur me nenin 297 të LPK-së e që përbëjnë arsye për anulimin e këtij aktvendimi: (ii) gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë ndonjë arsye konkrete për verifikimin e nënshkrimit të propozuesit të sigurimit; (ii) nuk dihet nëse lënda është dërguar për ekspertim ose jo; (iii) nuk është sqaruar mjaftueshëm se në emër të kujt është prona e paluajtshme në emër të së cilës kërkohet ndalimi i tjetërsimit; (iv) gjykata e shkallës së parë në rastin konkret nuk i ka siguruar provat materiale që gjenden në shkresat penale të Prokurorit të Shtetit, për të parë nëse ekziston ose jo ndonjë provë që vërteton nënshkrimin kontestues çka është relevante për një vendim meritor dhe të drejtë.
Më 15 qershor 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [I.EK.nr. 73/19], pas mbajtjes së seancës dëgjimore, vendosi: (i) miratohet i bazuar propozimi i propozuesit të sigurimit R.Sh., kundër kundërshtarëve të sigurimit C.G., “Fox Marble Kosova” sh.p.k, dhe “Fox Marble Limited” ashtu që vendoset si në vijim: a) caktohet masa e sigurisë në parcelën nr.198-0 ZK Syrigan, Komuna e Skenderajt, ZK Cervenica Zatriç, Komuna e Rahovecit, në pjesën e parcelës nr. 290-0; b) caktohet masa e sigurisë në parcelën nr.198-0 dhe në pjesën e parcelës nr. 290-0 ashtu që iu ndalohet kundërshtarëve të masës së sigurimit që të tjetërsojnë apo ngarkojnë parcelat kadastrale; c) iu ndalohet kundërshtarëve të masës së sigurimit që të ndërmarrin çfarëdo veprimi duke përfshirë çfarëdo veprimi dhe nënkuptuar ndërtimin apo gërmimin në parcelën nr.198-0 dhe në pjesën e parcelës nr. 290-0 deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër të gjykatës, ashtu që obligohet Policia e Kosovës që ta zbatojë këtë pjesë të masës së përkohshme; d) iu ndalohet kundërshtarëve të masës së sigurimit që të ndërmarrin çfarëdo veprimi duke përfshirë ndërtimin në parcelën nr.198-0 apo duke ndryshuar gjendjen juridike dhe faktike të parcelës, deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër të gjykatës; e) iu ndalohet kundërshtarëve “Fox Marble Kosova” sh.p.k, C.G., “Fox Marble Limited” tjetërsimi, ngarkimi, ndryshimi i gjendjes juridike në ARBK i aksioneve në ndërmarrjen Rex Marble sh.p.k me NRB 70702835 deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër të gjykatës; (ii) kjo masë e sigurimit hyn në fuqi menjëherë dhe mbetet në fuqi deri në vendimin e ardhshëm të gjykatës apo deri në zgjidhjen e kësaj çështje kontestimore me vendim të formës së prerë dhe të plotfuqishëm.
Gjykata Themelore arsyetoi: (i) në procedurë të rishqyrtimit dhe rivendosjes, gjykata ka bërë nxjerrjen e provës së re të ekspertizës së grafologjisë dhe për ekspert është caktuar S. K., i cili ka dhënë mendimin profesional se nënshkrimi në autorizimin kontestues nuk i përket personit të shënuar si dhënës i autorizimit, përkatësisht propozuesit të masës së sigurimit R.Sh.; (ii) nga raporti i prokurorisë themelore gjykata ka gjetur se janë mbyllur hetimet penale me udhëzimin për palën që ka ushtruar kallëzimin penal-R.Sh., pronar i “Rex Marble” që për çështjen e ngritur t’i drejtohet gjykatës kompetente respektivisht departamentit për çështje ekonomike; (iii) të gjitha këto fakte dhe rrethana në këtë fazë të procedurës e bëjnë të besueshëm pretendimin e palës se ndryshimet statusore janë bërë mbi bazën e një autorizimi jo valid; (iv) gjykata ka vlerësuar se është plotësuar kushti i dytë ligjor për caktimin e masës së sigurimit, respektivisht është bërë e besueshme se ekziston rreziku se nëse nuk caktohet masa e sigurimit do të vështirësohet ose pamundësohet dukshëm realizimi i kërkesës; (v) kjo për shkak të faktit se tani me procedurat e bartjes së pronësisë mbi Shoqërinë Tregtare “Rex Marble” sh.p.k, janë të përfunduara në ARBK, dhe se në çdo kohë mund te bëhet tjetërsimi, ngarkimi apo veprime tjera lidhur me asetet e të njëjtës Kompani; (vi) prandaj, gjykata ka vlerësuar se deri në nxjerrjen e vendimit gjyqësor përfundimtar, është e nevojshme dhe në shërbim të sigurisë juridike që të mos ketë veprime përkitazi me asetet e Shoqërinë Tregtare “Rex Marble” sh.p.k; (vii) duke vepruar konform nenit 297.2 të LPK-së, gjykata ka vendosur një masë garancioni në barrë të palës propozuese të sigurimit në vlerë prej 5,000.00 euro e cila mund të shërbejë si mjet sigurimi për dëmet që mund të shkaktohen ndaj palëve kundërshtarë të sigurimit.
Kundërshtarët e sigurimit paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, të konstatimit te gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që të aprovohet në tërësi ankesa si e bazuar, ndërsa aktvendimi i atakuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim. Propozuesi i sigurimit Rr. Sh., nuk kishte paraqitur përgjigje në ankesë.
Më 16 shtator 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ae.nr.188/21] vendosi APROVOHEN si të themelta ankesat e kundërshtarëve të sigurimit C.G., nga Mbretëria e Bashkuar, “Fox Marble Kosova”, sh.p.k., me seli në Prishtinë, “Fox Marble Limited” me seli në Mbretërinë e Bashkuar dhe “Rex Marble” sh.p.k, me seli në Prishtinë dhe ANULOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore-Departamenti për Çështje Ekonomike I.EK.nr.73/19, të datës 15.06.2021 dhe lënda i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje.
Gjykata e Apelit arsyetoi: (i) aktvendimi i atakuar është i përfshirë me shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore të nenit 182.1 lidhur me nenin 199 të LPK-së e që përbëjnë arsye për anulimin e këtij aktvendimi; (ii) gjykata e shkallës së parë nuk ka sqaruar se prona e patundshme në pikën I të dispozitivit të aktvendimit të atakuar se në emër të kujt evidentohet; (iii) sqarimi i këtij fakti është me rëndësi për të konstatuar nëse janë plotësuar kushtet ligjore të parapara me nenin 297 par. 1 pika b) të LPK-së sepse me nenin 18 të ligjit për pronësi dhe të drejtat tjera sendore janë paraparë në mënyrë decidive autorizimet e pronarit juridik; (iv) gjykata e shkallës së parë kur ka vendosur si në pikën l/C të aktvendimit të atakuar saktësisht në pjesën ku është obliguar Policia e Kosovës, që të zbatoj këtë pjesë të masës së përkohshme, nuk ka dhënë arsye bindëse se ku është bazuar; (v) propozuesi i sigurimit ka precizuar masën e sigurimit dhe padinë ku si palë e paditur është përfshirë edhe “Rex Marble” sh.p.k., ndërsa kjo e fundit nuk është shënuar në pjesën hyrëse të aktvendimit ankimor; (vi) gjykata e shkallës së parë në ri-procedurë duhet t’i eliminoj të metat e konstatuara dhe t’i vlerësoj të gjitha faktet me rëndësi vendimtare me qëllim të nxjerrjes së një vendimi të drejtë dhe të ligjshëm.
Më 30 qershor 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [I.EK.nr.73/19], pas mbajtjes së seancës dëgjimore, përcaktoi: (i) Miratohet si i bazuar propozimi i propozuesit të sigurimit R.Sh., me vendbanim në Mbretërinë e Bashkuar i paraqitur kundër kundërshtarëve të sigurimit, “Fox Marble Kosova”, sh.p.k, me seli në Prishtinë; “Fox Marble Limited”, me seli në Mbretërinë e Bashkuar; dhe “Rex Marble”, sh.p.k, me seli në Prishtinë, ashtu që vendoset si në vijim:
I/a Iu ndalohet kundërshtarëve të masës së sigurimit “Fox Marble Kosova” sh.p.k, me seli në Prishtinë; “Fox Marble Limited”, me seli në Mbretërinë e Bashkuar; dhe “Rex Marble” sh.p.k, me seli në Prishtinë, gërmimi, përpunimi dhe zhvillimi i aktivitetit minerar të shkëmbit të forte dhe nxjerrja e gurit sipas: licencës me numër 11 08/KPMM/2011, në zonën Kadastrale Servinca-Zatriç-Rahovec, në sipërfaqe prej 45917.00 m2; licencës me nr.1109/KPMM/2011, në Zonën Kadastrale Zatriç-Rahovec, në sipërfaqe prej 49855.13 m2; licencës me nr.1106/KPMM/2011 në zonën Kadastrale Bukovik-Syrgane-Skenderaj, në sipërfaqe prej 50050.56 m2, si dhe iu ndalohet kundërshtarëve të sigurimit bartja dhe ngarkimi i licencave të lartcekura.
I/b Iu ndalohet kundërshtarëve të sigurimit “Fox Marble Kosova” sh.p.k me seli në Prishtinë, “Fox Marble Limited”, me seli në Mbretërinë e Bashkuar dhe “Rex Marble” sh.p.k, me seli në Prishtinë, tjetërsimi, vendosja e ndonjë barre apo ndryshimi i gjendjes juridike të aksioneve të ndërmarrjes “Rex Marble” sh.p.k, pranë ARBK-së, deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër gjyqësor.
II. Kjo mase e sigurimit hynë në fuqi menjëherë dhe mbetet në fuqi deri në vendimin e ardhshëm të gjykatës apo deri në zgjidhjen e kësaj çështje kontestimore me vendim të formës së prerë dhe të plotfuqishëm.
III. Nga një kopje e këtij vendimi t’iu dërgohet për nevoja informimi: Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK); Agjencisë për regjistrimin e Bizneseve në Kosove (ARBK); Komunës së Rahovecit dhe Komunës së Skenderajt.
Gjykata Themelore dha arsyetim të zgjeruar lidhur me kompetencën lëndore-territoriale të gjykatave të rregullta, ekspertizën e grafologjisë, ndryshimet statusore të kompanisë “Rex Marble” sh.p.k. dhe plotësimin e kushtit ligjor për caktimin e masës së sigurisë.
Përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës (kundërshtarët e sigurimit) paraqiti ankesë duke pretenduar se gjykata e shkallës së parë ka bërë shkelje të dispozitave te procedurës kontestimore sipas nenit 182 par.2 pika(n) e LPK-së pasi nuk ka ofruar shpjegime të mjaftueshme lidhur me caktimin e ekspertit, dhe nevojën për thirrje të ekspertit në seancë, mungesën e juridiksionit gjyqësor dhe ndërprerjen e gjykimit për shkak të ndërlidhjes me hetimin për kryerjen e veprës penale.
Më 8 dhjetor 2022, Gjykata Komerciale përmes Aktvendimit [K.DH.SH.II.1597/2022] vendosi: REFUZOHEN si të pabazuara ankesat e kundërpropozuesëve të sigurimit “Fox Marble Kosova” shpk me seli në Prishtinë, “Fox Marble Limited” me seli në Mbretërinë e Bashkuar, “Rex Marble” sh.p.k me seli në Prishtinë, dhe VËRTETOHET Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Ekonomike I.EK.nr.73/19 datës 30.06.2022.
Gjykata Komerciale në tërësi vërtetoi konstatimet e gjykatës së shkallës së parë dhe arsyetoi: (i) aktvendimi i atakuar nuk është i përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182.2 të LPK-së dhe e drejta materiale është zbatuar drejtë, për të cilat shkaqe Dhoma e Shkallës së Dytë kujdeset sipas detyrës zyrtare në kuptim të dispozitës së nenit 194 të LPK-së; (ii) gjykata e shkallës së parë ka kompetencë lëndore në trajtimin e kësaj çështje juridike dhe vendosjes në propozimin e masës së sigurimit në vështrim të nenit 28 paragrafët 1 dhe 2 të LPK-së, pasi që kemi të bëjmë me një kontest me element ndërkombëtar dhe ndryshimet statusore që kanë ndodhur në Shoqërinë Tregtare “Rex Marble” sh.p.k., pranë ARBK-së; (iii) përfundimi i gjykatës së shkallës së parë, është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që nga shqyrtimi i çështjes janë plotësuar në mënyrë kumulative kushtet e përcaktuara me dispozitat e nenit 297 par. 1 pika (a) dhe (b), e të cilat i referohen besueshmërisë së kërkesës apo të drejtës subjektive dhe ekzistimit të rrezikut se pa caktim të masës së tillë propozuesit do të mund t’i pamundësohej apo vështirësohej dukshëm realizimi i kërkesës, ngase propozuesi ka bërë të besueshme dhe të pranueshme propozimin për gjykatën, andaj (iv) në këtë drejtim gjykata e shkallës së parë me të drejtë e ka aprovuar propozimin për caktimin e masës së sigurimit, si dhe ka arritur të bëjë të besueshme të drejtën subjektive dhe ekzistimin e rrezikut.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të neneve 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt), 13 (E drejta për zgjidhje efektive) dhe neni 1 (Mbrojtja e pronës) i Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës ngre pretendime lidhur me caktimin e ekspertit, legjitimitetin aktiv të palës paditëse R.Sh., kompetencën lëndore-territoriale të gjykatave të rregullta, zbatimin e gabuar të së drejtës materiale dhe pritjet legjitime. Të gjitha këto të meta procedurale dhe materiale sipas parashtruesit të kërkesës kanë rezultuar me shkelje të neneve 31, 46 dhe 54 të Kushtetutës në lidhje me nenet 6, 13 dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Lidhur me caktimin e ekspertit, parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta nuk kanë vendosur lidhur me kërkesës për përjashtimin e ekspertit sipas nenit 67 (g) të LPK-së. Parashtruesi i kërkesës thekson se gjykatat e rregullta po ashtu kanë shkelur nenin 182 (1) të LPK-së për shkak se tërësisht kanë injoruar kundërshtimet e parashtruesit të kërkesës për caktimin e eskeprtit privat të propozuar nga pala kundërshtare.
Lidhur me mungesën e legjitimitetit aktiv të paditësit R.Sh., parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta kanë shkelur nenin 182 (2) d) të LPK-së, për shkak se palës paditëse i mungon legjitimiteti aktiv lidhur me palët e paditura për çka nuk mund të kërkojë mbrojtje gjyqësore pranë gjykatave të rregullta.
Lidhur me mungesën e kompetencës lëndore-territorial të gjykatave të rregullta, parashtruesi i kërkesës pretendon “Parashtruesit e kërkesës konsiderojnë se gjykata ka bërë shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore sipas nenit 182, par.2 pika (n) pasi nuk ka ofruar shpjegime të mjaftueshme për arsyen e vendosjes si në dispozitiv të vendimit. Përderisa në dispozitivin e aktvendimit është aprovuar në tërësi propozimi si i bazuar, në arsyetimin e tij nuk janë dhënë fare shpjegime për kundërshtimet e të paditurve lidhur me caktimin e ekspertit dhe nevojën për thirrje të ekspertit në seancë, mungesën e juridiksionit gjyqësor dhe ndërprerjen e gjykimit për shkak të ndërlidhjes me hetimin për kryerjen e veprës penale.”
Lidhur me zbatimin e gabuar të së drejtës materiale, parashtruesi i kërkesës pretendon: “Gjykata ka injoruar argumentet e parashtruesit të kërkesës se falsifikimi i dokumentit, siç pretendohet nga paditësi, është vepër penale dhe dallon nga mungesa e vullnetit për të hyrë në raporte juridike-kontraktuale, që do të ishte shkelje e parimit të vullnetit të lirë dhe rrjedhimisht në kundërshtim me nenin 89 të LMD-së. Sipas pretendimeve të padisë, paditësi do të mund të kërkonte anulimin e kontratës dhe autorizimit për shkak të mungesës së vullnetit, lajthimit, mashtrimit apo kanosjes (neni 45-49 LMD), meqenëse një kërkesë e tillë do t’i nënshtrohej rregullave të parashkrimit absolut të kërkesës, paditësi nuk e ka kërkuar atë, kur e ka dorëzuar për herë të parë padinë, për kërkesëpadinë e ka mbështetur në bazë të nenit 89 LMD për nulitetin e kontratës. Gjykata ka zbatuar gabimisht të drejtën materiale, nenin 89 të LMD-së pasi kërkesëpadia dhe propozimi i paditësit nuk mund të mbështetet në këtë baze për shkak se pretendimi kryesor i paditësit është falsifikimi i nënshkrimit të tij, me te cilën gjë përjashtohet në thelb juridiksioni gjyqësor i gjykatave në Republikën e Kosovës, pasi akti i falsifikimit pretendohet të ketë ndodhur në Mbretërinë e Bashkuar.”
Lidhur me të drejtën në pronë dhe pritjet legjitime, parashtruesi i kërkesës pretendon: “Duke i cenuar të drejtën për shfrytëzim të licencave minerare, gjykatat efektivisht kanë pezulluar veprimtarinë ekonomike të ndërmarrjes deri në vendimin përfundimtar, gjë e cila nuk mund të bëhet me masë të sigurimit të kërkesëpadisë me të cilën kërkohet anulimi i kontratave për shitjen e aksioneve të ndërmarrjes. Pra, gjykata me vendimin e saj për caktimin e masës së sigurisë, ka parandaluar parashtruesin e kërkesës në shfrytëzimin e të drejtave nga licencat minerare të lëshuara nga KPMM dhe në këtë mënyrë ka lejuar që të shkaktohet dëm i madh material në anën e parashtruesit të kërkesës.”
Lidhur me shterimin e mjeteve juridike, parashtruesi i kërkesës thekson: “Sipas nenit 228, par. 1 të Ligjit nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore, palët mund të paraqesin revizion vetëm kundër aktvendimeve të formës së prerë me të cilat përfundon procedura e gjykatës së shkallës së dytë. Prandaj, nuk ekziston mjet tjetër juridik për kundërshtimin e aktvendimit për caktimin e masës së sigurimit të kërkesëpadisë sipas LPK-së.”
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
“1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.”
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.”
Neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 1 i Protokollit nr.1
(Mbrojtja e pronës)
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cenojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera.”
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”
[...]
Neni 13
(E drejta për zgjidhje efektive)
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Kompetenca e gjykatave në kontestet me element ndërkombëtar
Neni 28
Pa titull
“28.1 Në pikëpamje të kompetencës së gjykatave tona për zgjidhjen e kontesteve të shtetasve të huaj, që gëzojnë të drejtën e imunitetit dhe për zgjidhjen e kontesteve të shteteve të huaja dhe të organizatave ndërkombëtare, vlejnë rregullat e së drejtës ndërkombëtare.
28.2 Gjykata e vendit është kompetente për zgjidhjen e kontestit kur kompetenca e saj në kontestin me element ndërkombëtar është caktuar shprehimisht me anë të ligjit apo me anë të kontratës ndërkombëtare.
28.3 Në qoftë se në ligjin tonë, apo në kontratën ndërkombëtare nuk ka dispozita decidive për kompetencën e gjykatës së vendit për llojin e caktuar te kontesteve, gjykata e vendit është kompetente të gjykojë në llojin e tillë të kontesteve edhe kur kompetenca e saj rezulton nga dispozitat e këtij ligji mbi kompetencën territoriale te gjykatës së vendit.”
Neni 182
Pa titull
“182.1 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston në çoftë se gjykata gjatë procedurës nuk e ka zbatuar apo ka zbatuar në mënyrë jo të drejt ndonjë dispozitë të këtij ligji, kurse kjo ka pasur apo ka mundë të ketë ndikim në nxjerrjen e aktgjykimit të ligjshëm e të drejtë.
182.2 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston gjithmonë:
a) në qoftë se gjykata është përbërë jo sipas dispozitave ose në çoftë se në nxjerrjen e aktgjykimit ka marrë pjesë gjyqtari që nuk ka marrë pjesë në seancën kryesore;
b) në qoftë se është vendosur për kërkesën e cila nuk bënë pjesë në juridiksionin gjyqësor;
c) në çoftë se në nxjerrjen e aktgjykimit ka marrë pjesë gjyqtari i cili sipas ligjit duhet të përjashtohet, respektivisht me vendim të gjykatës ka qenë i përjashtuar ose me rastin e dhënies se vendimit ka marrë pjesë personi i cili nuk e ka cilësinë e gjyqtarit;
d) në çoftë se gjykata sipas prapsmit të palëve gabimisht ka vendosur se është e kompetencës lëndore;
e) në çoftë se është vendosur për kërkesën sipas padisë të ngritur pas afatit të përcaktuar me ligj;
f) në çoftë se gjykata ka vendosur për kërkesëpadinë për të cilën është me kompetencë lëndore gjykata më e lartë e llojit të njëjtë, gjykata e llojit tjetër;
g) në çoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata e ka bazuar vendimin e vetë në disponimin e palejueshëm të palëve, (neni 3 paragrafi 3 i këtij ligji);
h) në qoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata ka nxjerr aktgjykim për shkak të pohimit, mosbindjes, mungesës, heqjes dorë nga kërkesëpadia, ose pa mbajtjen e shqyrtimit kryesor;
i) në qoftë se ndonjërës nga palët me veprimin e paligjshëm, e sidomos me mosdhënien e mundësisë për shqyrtimin e çështjes në gjykatë;
j) në qoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata e ka refuzuar kërkesën e palës, që në procedurë të përdorë gjuhën dhe shkrimin e vet e të ndjek procesin në gjuhën e vet, kurse për këtë arsye ankohet;
k) në qoftë se në procedurë si paditës, ose i paditur, ka marrë pjesë personi që nuk mund të jetë palë në procedurë, apo në qoftë se palën që është person juridik nuk e ka përfaqësuar personi i autorizuar, ose në qoftë se palën me pazotësi procedurale nuk e ka përfaqësuar përfaqësuesi ligjor ose në qoftë se përfaqësuesi ligjor, respektivisht përfaqësuesi me prokurë i palës nuk ka pasur autorizim të nevojshëm për zhvillimin e procedurës apo për kryerjen e ndonjë veprimi në procedurë, në qoftë se zhvillimi i procedurës, respektivisht ushtrimi i veprimeve te veçanta në procedurë nuk është lejuar më vonë;
l) në qoftë se është vendosur për kërkesën për të cilën vazhdon procedura apo për të cilën më parë është nxjerr aktgjykimi i formës se prerë, ose prej të cilit paditësi njëherë ka hequr dorë ose për të cilin është lidhur pajtimi gjyqësor;
m) në qoftë se, në kundërshtim me ligjin është përjashtuar publiku në seancën kryesore;
n) në qoftë se aktgjykimi ka të meta për shkak të të cilave nuk mund të ekzaminohen, e sidomos në qoftë se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm apo kontradiktor me vetvete ose me arsyet e aktgjykimit, apo nëse aktgjykimi nuk ka fare arsye apo në të nuk janë treguar fare arsyet për faktet vendimtare, ose ato arsye janë të paqarta, ose kontradiktore, ose nëse për faktet vendimtare ekzistojnë kundërthënie midis asaj që në arsyet e aktgjykimit thuhet për përmbajtje të dokumentit ose të procesverbalit për thëniet e dhëna në procedurë dhe të vet atyre dokumenteve ose të procesverbalit;
o) në qoftë se me aktgjykim është tejkaluar kërkesëpadia.”
Neni 194
Pa titull
“Gjykata e ankimit ekzaminon aktgjykimin e shkallës së parë në atë pjesë në të cilën është goditur me ankesë dhe atë brenda kufijve të shkaqeve të treguara në ankesë, duke u kujdesur sipas detyrës zyrtare për zbatimin e së drejtës materiale si dhe për shkeljen e dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 paragrafi 2, pika b), g), j), k) dhe m) të këtij ligji.”
Neni 199
Pa titull
“Gjykata e çështjes ka për detyrë që menjëherë pasi t’i arrijë aktvendimi i gjykatës së shkallës së dytë, të caktojë seancën përgatitore apo seancën për shqyrtimin kryesor të çështjes e cila duhet të mbahet më së voni brenda afatit tridhjetë (30) ditor pas arritjes së aktvendimit të gjykatës së shkallës së dytë, si dhe t’i kryejë të gjitha veprimet procedurale dhe t’i shqyrtojë të gjitha çështjet kontestuese që i ka ofruar gjykata e shkallës së dytë në aktvendimin e saj.”
SIGURIMI I KËRKESËPADISË
Neni 296
Pa titull
“296.1 Për vendosje mbi propozimin për sigurim të paraqitur para se të jetë ngritur padia për fillimin e procedurës kontestimore, si dhe gjatë procedurës së tillë, është kompetente gjykata që vepron sipas padisë. Vendimin mbi masën e sigurimit e jep gjykata që vepron në shkallë të parë, kurse gjykata më e lartë atëherë kur propozimi për marrjen e saj është paraqitur pas dërgimit të dosjes së lëndës sipas ankesës në këtë gjykatë.
296.2 Pasi të jetë bërë i formës së prerë aktgjykimi mbi kërkesëpadinë, për propozimin e sigurimit vendosë gjykata që do të ishte kompetente për vendosje mbi kërkesëpadinë në shkallë të parë.”
Neni 297
Pa titull
“297.1 Masa e sigurimit mund të caktohet:
a) në qoftë se propozuesi i sigurimit e bënë të besueshme ekzistimin e kërkesës apo të së drejtës subjektive të tij, dhe
b) në qoftë se ekziston rreziku se pa caktimin e masës së këtillë pala kundërshtare do të mund ta pamundësonte apo vështirësonte dukshëm realizimin e kërkesës, sidomos me tjetërsimin e pasurisë së vet, me fshehjen e saj, me ngarkimin apo me ndonjë mënyrë tjetër, me të cilën do ta ndryshonte gjendjen ekzistuese të gjërave, ose në ndonjë mënyrë tjetër do të ndikonte negativisht në të drejtat e propozuesit të sigurimit.
297.2 Po që se nuk është përcaktuar ndryshe me ligj, gjykata e cakton masën e sigurimit vetëm nën kushtet që propozuesi i sigurimit, brenda afatit të caktuar nga gjykata, ashtu siç parashihet me Ligjin mbi Procedurën Përmbarimore, jep garanci në masën dhe në llojin e caktuar nga gjykata, për dëmin që mund t’i shkaktohet palës kundërshtare me caktimin dhe ekzekutimin e masës së sigurimit.
297.3 Po që se propozuesi nuk jep garanci brenda afatit të caktuar gjykata e refuzon propozimin për caktimin e masës së sigurimit. Me kërkesën e propozuesit gjykata mund ta liroj atë nga detyrimi i dhënies së garancisë po që se konstatohet se nuk ka mundësi financiare për një gjë të tillë.
297.4 Bashkësitë e pushtetit lokal janë të përjashtuara nga detyrimi i paragrafit 3 të këtij neni.”
Neni 298
Pa titull
“Garancia nga neni 297 i këtij ligji kthehet brenda afatit prej shtatë (7) ditësh nga dita në të cilën shuhet masa e sigurimit. Po që se në ndërkohë propozuesi i sigurimit e ngritë padinë për kompensimin e dëmit, gjykata kompetente për gjykimin e padisë do të vendosë për lënien në fuqi të masës së sigurimit.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit 4, të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, i cili përcakton: “Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.”
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale) 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, që parashikojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [K.DH.SH.II.1597/2022] të Gjykatës Komerciale të 8 dhjetorit 2022, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e personit juridik ka të drejtë të paraqes ankesë kushtetuese, duke u thirrur në shkelje të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të tij, që vlejnë për individët dhe personat juridikë (shih rastin e Gjykatës KI41/09, parashtrues Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendim për papranueshmëri i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14).
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34 (2) specifikon:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me mosmarrëveshje të kompanive “Rex Marble” sh.p.k., dhe “Fox Marble”sh.p.k., përkitazi me përdorimin e tri licencave për shfrytëzim të gurit të fortë të lëshuara nga KPMM. Ndërkohë, është zhvilluar procedura gjyqësore në nivel të shkallës së dhe të dytë të gjyqësorit të rregullt dhe çështja ishte kthyer në ri-procedurë në shkallë të parë. Në ri-procedurë, Gjykata Themelore miratoi të bazuar propozimin e propozuesit të sigurimit R.Sh., të paraqitur kundër kundërshtarëve të sigurimit, “Fox Marble Kosova”, sh.p.k, “Fox Marble Limited” dhe “Rex Marble”, sh.p.k. Gjykata Themelore iu ndaloi kundërshtarëve të sigurimit “Fox Marble Kosova” sh.p.k , “Fox Marble Limited” dhe “Rex Marble” sh.p.k, tjetërsimin, vendosjen e ndonjë barre apo ndryshimin e gjendjes juridike të aksioneve të ndërmarrjes “Rex Marble” sh.p.k, pranë ARBK-së, deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër gjyqësor. Gjykata Themelore dha arsyetim të zgjeruar lidhur me kompetencën lëndore-territoriale të gjykatave të rregullta, ekspertizën e grafologjisë, ndryshimet statusore të kompanisë “Rex Marble” sh.p.k. dhe plotësimin e kushtit ligjor për caktimin e masës së sigurisë. Kundërshtarët e sigurimit paraqitën ankesë tek Gjykata Komerciale. Gjykata Komerciale vërtetoi konstatimet e gjykatës së shkallës së parë dhe theksoi se aktvendimi i atakuar nuk është i përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182.2 të LPK-së dhe se e drejta materiale është zbatuar drejtë.
Nga përmbajtja e procedurave të zhvilluara në gjykatat e rregullta, Gjykata vlerëson se vendimet e kontestuara të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës Komerciale ndërlidhen me caktimin e masës së sigurisë sipas paditësit-propozuesit R.Sh., për t’ia ndaluar parashtruesit të kërkesës përkatësisht kundërshtarëve të sigurimit tjetërsimin, vendosjen e ndonjë barre apo ndryshimin e gjendjes juridike të aksioneve të ndërmarrjes “Rex Marble” sh.p.k, pranë ARBK-së, deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër gjyqësor si dhe licencat për shfrytëzim të gurit të fortë në parcelat kadastrale të konkretizuara, përkatësisht “procedura paraprake.” Gjykata bazuar në praktikën gjyqësore të saj dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), duhet të vlerësojë aplikueshmërinë e garancive të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Në këtë kontekst, Gjykata i referohet pikës (b) të paragrafit (3) të rregullit 34 të Rregullores së punës, sipas së cilës, Gjykata mund të konsiderojë një kërkesë të papranueshme nëse e njëjta nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën.
Prandaj, vlerësimi i kriterit të lartpërmendur në rrethanat e rastit konkret, është i rëndësishëm sepse procedurat e zhvilluara para gjykatave të rregullta hyjnë në fushëveprimin e “procedurave paraprake”, përkatësisht vendimet e kontestuara të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës Komerciale ndërlidhen me caktimin e masës së sigurisë sipas paditësit-propozuesit R.Sh., për t’ia ndaluar parashtruesit të kërkesës tjetërsimin, vendosjen e ndonjë barre apo ndryshimin e gjendjes juridike të aksioneve të ndërmarrjes “Rex Marble” sh.p.k, pranë ARBK-së si dhe licencat për shfrytëzim të gurit të fortë në parcelat kadastrale të konkretizuara, derisa gjykatat e rregullta të vendosin me vendim përfundimtar (shqyrtim të meritave) lidhur me padinë e paditësit-propozuesit R.Sh. Rrjedhimisht, Gjykata do të vlerësojë nëse neni 31 i Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së është i zbatueshëm në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kontekst specifik, Gjykata vëren se çështja e aplikueshmërisë së nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së në procedura paraprake është interpretuar nga GJEDNJ përmes praktikes së saj gjyqësore, në harmoni me të cilën Gjykata, në pajtim me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejta e Njeriut] të Kushtetutës, është e obliguar të interpretojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata vë po ashtu në pah, se kriteret për aplikueshmërinë e nenit 31 të Kushtetutës përkitazi me procedurat paraprake janë përcaktuar po ashtu edhe në rastet e kësaj Gjykate, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI122/17, parashtrues, Česká Exportní Banka A.S., Aktgjykim i 30 prillit 2018; KI150/16, parashtrues, Mark Frrok Gjokaj, Aktgjykim i 31 dhjetorit 2018; KI81/19, parashtrues, Skender Podrimqaku, Aktvendim për papranueshmëri i 9 nëntorit 2019; KI107/19, parashtrues, Gafurr Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020; KI195/20, parashtrues, Aigars Kesengfelds, Aktgjykim, i 29 marsit 2021. Parimet e përgjithshme të vendosura përmes vendimeve të lartcekura të Gjykatës janë bazuar në rastin e GJENDJ-së, Micallef kundër Maltës, nr. 17056/06, Aktgjykim i 15 tetorit 2009.
Rrjedhimisht, për të konstatuar nëse në rastin konkret aplikohet neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së, Gjykata do t'iu referohet parimeve të përgjithshme të përcaktuara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës për sa i përket aplikueshmërisë së garancive procedurale të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe më pas të njëjtat do t'i aplikojë në rrethanat e rastit konkret.
Bazuar në praktikë gjyqësore të saj dhe të GJEDNJ-së, Gjykata vëren se jo të gjitha masat e sigurisë apo masat e përkohshme përcaktojnë të drejtat ose detyrimet civile dhe në mënyrë që neni 6 i KEDNJ-së të konsiderohet i zbatueshëm, GJEDNJ përcaktoi kriteret mbi bazën e të cilave duhet të vlerësohet aplikueshmëria e nenit 6 të KEDNJ-së në “procedurat paraprake” (shih, rastin e GJEDNJ-së, Micallef kundër Maltës, cituar më lart, paragrafët 83-86).
Sipas kritereve të përcaktuara në rastin Micallef kundër Maltës, të cilat kritere edhe kjo Gjykatë i pranoi përmes praktikës gjyqësore: së pari, e drejta në fjalë duhet të jetë “civile” si në shqyrtimin gjyqësor ashtu edhe në procedurat lidhur me masën e sigurisë, brenda kuptimit autonom të këtij nocioni sipas nenit 6 të KEDNJ-së dhe; së dyti, kjo procedurë duhet të përcaktojë në mënyrë efektive të drejtën civile përkatëse (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së, Micallef kundër Maltës, cituar më lart, paragrafët 84 dhe 85 dhe referencat e përmendura aty, si dhe shih rastet e Gjykatës KI122/17, parashtrues, Česká Exportní Banka A.S., të cituar më lart, paragrafët 130 dhe 131; KI81/19, parashtrues, Skender Podrimqaku, të cituar më lart, paragrafët 47 dhe 48; KI107/19, parashtrues, Gafurr Bytyqi, të cituar më lart, paragrafi 53).
Gjykata rikujton që rrethanat e rastit parashtruesi i kërkesës i referohet vendimeve të kontestuara të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës Komerciale për caktim të masës së sigurisë sipas padisë së paditësit-propozuesit R.Sh., me qëllim të ndalimit të parashtruesit të kërkesës-si kundërshtarë i masës siguruese-që të tjetërsoj, vendos ndonjë barrë apo ndryshoj gjendjen juridike të aksioneve të ndërmarrjes “Rex Marble” sh.p.k, pranë ARBK-së si dhe licencat për shfrytëzim të gurit të fortë në parcelat kadastrale të konkretizuara, deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kundërshtime dhe ankesa në procedurat paraprake të zhvilluara pranë gjyqësorit të rregullt duke kundërshtuar caktimin e masës së sigurisë të iniciuar sipas padisë së paditësit-propozuesit R.Sh.
Gjykata rikujton se të gjitha çështjet e ngritura në rrethanat e rastit konkret hyjnë në fushëveprimin e “procedurave paraprake” derisa të shqyrtohet çështja kryesore për statusin juridik të kompanisë “Rex Marble” sh.p.k., për të cilat Gjykata Themelore dhe Gjykata Komerciale kanë caktuar masat e sigurisë sipas padisë së paditësit-propozuesit R.Sh. Gjykata vëren se procedurat e zhvilluara deri më tani janë procedura paraprake lidhur me caktimin e masave të sigurisë për statusin juridik të kompanisë “Rex Marble” sh.p.k., si dhe licencat për shfrytëzimin e gurit të fortë në parcelat kadastrale të konkretizuara janë objekt kontesti ndërmjet palëve ndërgjyqëse derisa për aspektin material (meritat) e kësaj kërkese gjykatat e rregullta akoma nuk kanë nxjerrë vendim të formës së prerë dhe të detyrueshëm.
Nga sa më sipër, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës (i) gëzon një të “drejtë civile” që vë në lëvizje garancitë procedurale të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; (ii) kërkesa e parashtruesit të kërkesës përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së është ratione materiae në pajtim më Kushtetutën sepse bëhet fjalë për të drejtat civile dhe interesat pronësore të parashtruesit të kërkesës; dhe, se rrjedhimisht (iii) garancitë procedurale të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së janë të aplikueshme në rastin e tij.
Në tekstin e mëposhtëm të këtij vendimi, Gjykata rithekson se-në pajtim me parimin e subsidiaritetit-do të vlerësojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës vetëm sa i përket procedurës paraprake të kësaj kërkese përkatësisht vendimet e gjykatave të rregullta lidhur me caktimin e masave të sigurisë për ndryshimet statusore të kompanisë “Rex Marble” sh.pk., si dhe licencave për shfrytëzimin e gurit të fortë në parcelat kadastrale të konkretizuara që janë objekt kontesti ndërmjet palëve ndërgjyqëse.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në thelb ngre pretendime specifike por të ndërlidhura përkitazi me caktimin e ekspertit, legjitimitetin aktiv të palës paditëse R.Sh., kompetencën lëndore-territoriale të gjykatave të rregullta, zbatimin e gabuar të së drejtës materiale dhe pritjet legjitime. Të gjitha këto të meta të pretenduara procedurale dhe materiale sipas parashtruesit të kërkesës kanë rezultuar me shkelje të neneve 31, 46 dhe 54 të Kushtetutës në lidhje me nenet 6, 13 dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së. Gjykata po ashtu vlerëson se parashtruesi i kërkesës ngre pretendime për mbrojtje të pronës siç garantohet me nenin 46 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, pretendim ky që ka të bëj me aspektin material të kësaj kërkese sepse ka të bëj me ndryshimet statusore të kompanisë “Rex Marble” sh.p.k., e cila më pastaj përcakton të drejtën e pronësisë ndaj të njëjtës si dhe të drejtën ndaj licencave për shfrytëzim të gurit të fortë në parcelat kadastrale të konkretizuara që janë objekt kontesti ndërmjet palëve ndërgjyqëse.
Gjykata rikujton se Gjykata Themelore kishte dhënë arsyetim të zgjeruar lidhur me kompetencën lëndore-territoriale të gjykatave të rregullta, ekspertizën e grafologjisë, ndryshimet statusore të kompanisë “Rex Marble” sh.p.k. dhe plotësimin e kushtit ligjor për caktimin e masës së sigurisë. Më pastaj, në procedurë të ankimimit Gjykata Komerciale në tërësi vërtetoi konstatimet e Gjykatës Themelore.
Lidhur me kompetencën lëndore-territoriale për të vendosur në këtë çështje, Gjykata Themelore arsyetoi: “Fillimisht, gjykata e ka shqyrtuar pretendimin e kundërshtarëve të sigurimit se gjykata e Kosovës nuk është kompetente për të gjykuar në këtë çështje kontestimore për shkak të faktit se kontratat e shitjes së aksioneve dhe autorizimi, janë nënshkruar jashtë territorit të Kosovës, respektivisht në Britaninë e Madhe. Gjykata në këtë fazë të procedurës ka vlerësuar se ka kompetencën e plotë lëndore për të vendosur meritorisht përkitazi me propozimin për masë sigurimi, respektivisht për çështjen nëse duhet të ketë një masë sigurimi deri në zgjidhjen e kontestit apo jo. Kjo nga arsyeja se në këtë faze të procedurës nuk shqyrtohet vlefshmëria e kontratave të lidhura, por vlefshmëria e veprimeve që kanë ndodhur në territorin e vendit, respektivisht ndryshimet statusore që kane ndodhur në Shoqërinë Tregtare Kosovare “Rex Marble”, sh.p.k, pranë ARBK-së, si institucion që menaxhon me regjistrat e Shoqërive Tregtare të regjistruara në Republikën e Kosovës, duke përfshirë edhe ndryshimet në emrin e aksionarit, si dhe vlefshmërinë juridike të autorizimit, si një dokument i ardhur nga bota e jashtme e në bazë të të cilit janë bërë ndryshimet statusore. Duke u bazuar në faktet dhe rrethanat e lartcekura, gjykata ka ardhur në përfundimin se ka kompetencën lëndore për të shqyrtuar dhe për të vendosur në propozimin për masë sigurimi, me përshkrimin si në dispozitiv të këtij aktvendimi.”
Lidhur me ekspertizën e grafologjisë, Gjykata Themelore arsyetoi: “Në procedurë të rishqyrtimit dhe rivendosjes, gjykata ka bërë nxjerrjen e provës së re të ekspertizës së grafologjisë dhe për ekspert është caktuar S.K., i cili ka përfunduar ekzaminimet e nevojshme dhe ka punuar ekspertizën ku ka dhënë mendimin profesional të tij se nënshkrimi në autorizimin kontestues nuk i përket personit të shënuar si dhënës i autorizimit, respektivisht propozuesit të masës së sigurimit R.Sh.,. Ekspertiza do të elaborohet dhe do të ekzaminohet në detaje, gjatë seancës së shqyrtimit kryesor. Nga raporti i Prokurorisë Themelore në Prizren me shenjën PPN/I.nr.125/2021 i datës 29.08.2019, gjykata ka gjetur se janë mbyllur hetimet penale me udhëzimin për palën që ka ushtruar kallëzimin penal-R.Sh., pronar i “Rex Marble”, që për çështjen e ngritur t’i drejtohet gjykatës kompetente, respektivisht Departamentit për Çështje Ekonomike.”
Lidhur me paqartësitë për ndryshimet statusore të kompanisë “Rex Marble” sh.p.k “Rex Marble” sh.p.k., Gjykata Themelore arsyetoi: “ Dosjes së lëndës i është bashkangjitur raporti i ekspertizës në të cilin është dhënë mendimi i ekspertit përkatës të grafologjisë se nënshkrimi në autorizim nuk është dhënë nga R.Sh. Të gjitha këto fakte dhe rrethana, në këtë fazë të procedurës e bëjnë të besueshme pretendimin e palës se ndryshimet statusore në biznes janë bërë mbi bazën e një autorizimi jo valid dhe të pamjaftueshëm për të bërë ndryshime statusore (ndërrim pronari) në biznes.”
Lidhur me plotësimin e kushtit ligjor për caktimin e masës së sigurimit, Gjykata Themelore arsyetoi: “Gjykata ka vlerësuar se është plotësuar edhe kushti i dytë ligjor për caktimin e masës së sigurimit, respektivisht është bërë e besueshme se ekziston rreziku se nëse nuk caktohet masa e sigurimit do të vështirësohet apo pamundësohet dukshëm realizimi i kërkesës. Kjo për shkak të faktit se tani me procedurat e bartjes së pronësisë mbi Shoqërinë Tregtare “Rex Marble” sh.p.k, janë të përfunduara në ARBK, dhe se në çdo kohë mund të bëhet, tjetërsimi ngarkimi me ndonjë barre apo veprime të tjera lidhur me asetet e të njëjtës Kompani. Po ashtu, eksploatimi i pasurive natyrore-gurëve shkëmbore dhe minerar, nga ana e të njëjtit biznes, por me pronar tjetër të regjistruar në ARBK dhe nga dy bizneset e tjera përmes saj, do të ndikoj në eksploatimin gradual të kësaj pasurie natyrore. Kjo rrjedhimisht do të ndikoj edhe në reduktimin e mundësive të propozuesit të sigurimit për shfrytëzimin e të njëjtës pasuri, nëse eventualisht rezulton kërkesëpadia si e bazuar. Prandaj, gjykata ka vlerësuar se deri në ndryshimin e plotë të fakteve vendimtare të këtij rasti dhe në nxjerrjen e vendimit gjyqësor përfundimtar, është e nevojshme dhe në shërbim te sigurisë juridike që të mos ketë veprime të tilla përkitazi me asetet e Shoqërisë Tregtare “Rex Marble” sh.p.k dhe me shfrytëzimin e licencave të dhëna në emrin e saj. Duke pas parasysh se asnjëherë nuk dihet epilogu përfundimtar i çështjes kontestimore, se me masë sigurimi mund te prodhohen dëme ndaj palës kundërshtare të sigurimit, si dhe duke vepruar konform nenit 297.2 të LPK-së, gjykata ka vendosur një masë garancioni në barre të palës propozuese të sigurimit në shumën prej 5,000.00 €, e cila shumë tashmë është e deponuar në Gjykatë, dhe e cila mund të shërbejë si mjet sigurimi për dëmet eventuale që mund të shkaktohen ndaj palëve kundërshtare të sigurimit.”
Gjykata po ashtu vë në pah konstatimet e Gjykatës Komerciale e cila në tërësi vërtetoi konstatimet e gjykatës së shkallës së parë dhe arsyetoi: (i) aktvendimi i atakuar nuk është i përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182.2 të LPK-së dhe e drejta materiale është zbatuar drejtë, për të cilat shkaqe Dhoma e Shkallës së Dytë kujdeset sipas detyrës zyrtare në kuptim të dispozitës së nenit 194 të LPK-së; (ii) gjykata e shkallës së parë ka kompetencë lëndore në trajtimin e kësaj çështje juridike dhe vendosjes në propozimin e masës së sigurimit në vështrim të nenit 28 paragrafët 1 dhe 2 të LPK-së, pasi që kemi të bëjmë me një kontest me element ndërkombëtar dhe ndryshimet statusore që kanë ndodhur në Shoqërinë Tregtare “Rex Marble” sh.p.k., pranë ARBK-së; (iii) përfundimi i gjykatës së shkallës së parë, është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që nga shqyrtimi i çështjes janë plotësuar në mënyrë kumulative kushtet e përcaktuara me dispozitat e nenit 297 par. 1 pika (a) dhe (b), e të cilat i referohen besueshmërisë së kërkesës apo të drejtës subjektive dhe ekzistimit të rrezikut se pa caktim të masës së tillë propozuesit do të mund t’i pamundësohej apo vështirësohej dukshëm realizimi i kërkesës, ngase propozuesi ka bërë të besueshme dhe të pranueshme propozimin për gjykatën, andaj (iv) në këtë drejtim gjykata e shkallës së parë me të drejtë e ka aprovuar propozimin për caktimin e masës së sigurimit, si dhe ka arritur të bëjë të besueshme të drejtën subjektive dhe ekzistimin e rrezikut.
Lidhur me të gjitha pretendimet specifike të parashtruesit të kërkesës, Gjykata rithekson korrektësia e procedurave gjithmonë vlerësohet duke i shqyrtuar në tërësinë tyre, ashtu që një parregullsi e izoluar mund të mos jetë e mjaftueshme për t’i bërë procedurat në tërësi të padrejta (shih rastin e Gjykatës KI107/22, parashtrues Valdet Avdiu, Aktvendim për papranueshmëri i 18 janarit 2023, paragrafi 42; dhe rastin e GJEDNJ-së Mirolubovs kundër Letonisë, nr. 798/05, Aktgjykim i 15 shtatorit 2009, paragrafi 103).
Lidhur me pretendimin për ekspertizën e grafologjisë
Duke iu kthyer rrethanave të rastit konkret, Gjykata i referohet arsyetimit të Gjykatës së Themelore lidhur me dëgjimin e ekspertit të grafologjisë: “Në procedurë të rishqyrtimit dhe rivendosjes, gjykata ka bërë nxjerrjen e provës së re të ekspertizës së grafologjisë dhe për ekspert është caktuar S.K., i cili ka përfunduar ekzaminimet e nevojshme dhe ka punuar ekspertizën ku ka dhënë mendimin profesional të tij se nënshkrimi në autorizimin kontestues nuk i përket personit të shënuar si dhënës i autorizimit, respektivisht propozuesit të masës së sigurimit R.Sh.,. Ekspertiza do të elaborohet dhe do të ekzaminohet në detaje, gjatë seancës së shqyrtimit kryesor. Nga raporti i Prokurorisë Themelore në Prizren me shenjën PPN/I.nr.125/2021 i datës 29.08.2019, gjykata ka gjetur se janë mbyllur hetimet penale me udhëzimin për palën që ka ushtruar kallëzimin penal-R.Sh., pronar i “Rex Marble”, që për çështjen e ngritur t’i drejtohet gjykatës kompetente, respektivisht Departamentit për Çështje Ekonomike.”
Refuzimi për të urdhëruar një opinion të ekspertit-në vetvete-nuk është i padrejtë sepse bazuar në jurisprudencën e GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, duhet të konstatohet nëse procedurat në tërësinë e tyre kanë qenë të drejta. Arsyetimi i dhënë për refuzim duhet të jetë i arsyeshëm (shih rastin e Gjykatës KI215/21 parashtrues Arbër Shkreli dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 15 shkurtit 2022, paragrafi 78; po ashtu shih rastin e GJEDNJ-së, H. kundër Francës, nr. 10073/82, Aktgjykim i 24 tetorit 1989, paragrafët 61 dhe 70).
Në rastet ku eksperti caktohet nga gjykata, palëve duhet dhënë mundësia të jenë të pranishëm gjatë ekspertizës të dhënë nga ai ose ajo ose që t’u tregohen dokumentet që ai ose ajo i ka shqyrtuar; thelbësore është që palët duhet të jenë në gjendje të janë pjesëmarrës në mënyrën e duhur në procedurë (shih rastin e Gjykatës KI215/21 parashtrues Arbër Shkreli dhe të tjerët, cituar më lart, paragrafi 79; po ashtu shih rastet e GJEDNJ-së, Letinčić kundër Kroacisë, nr.7183/11, Aktgjykim i 3 majit 2016, paragrafi 50; dhe Devinar kundër Sllovenisë, nr. 28621/15, Aktgjykim i 22 majit 2018, paragrafi 46).
Bazuar në jurisprudencën e GJEDNJ-së, neni 6 (1) i KEDNJ-së nuk kërkon shprehimisht që eksperti që dëgjohet nga gjykata t’i përmbush të njëjtat kritere të pavarësisë dhe paanshmërisë sikurse vet gjykata (shih rastin e Gjykatës KI215/21 parashtrues Arbër Shkreli dhe të tjerët, cituar më lart, paragrafi 80; po ashtu shih rastin e GJEDNJ-së, Letinčić kundër Kroacisë, cituar më lart, paragrafi 51). Megjithatë, mungesa e paanshmërisë nga ana e ekspertit, së bashku me rolin e tij apo të saj në procedurë, mund të jetë faktor vendimtar në procedurë në dobi të njërës palë dhe në dëm të tjetër dhe në shkelje të parimit të barazisë së armëve (shih rastin e Gjykatës KI215/21 parashtrues Arbër Shkreli dhe të tjerët, cituar më lart, paragrafi 80; dhe po ashtu shih rastet e GJEDNJ-së, Sara Lind Eggertsdóttir kundër Islandës, nr. 31930/04, Aktgjykim i 5 korrikut 2007, paragrafi 53; dhe, Letinčić kundër Kroacisë, cituar më lart, po aty paragrafi 51); gjithashtu, eksperti mund të zë pozitë dominuese në procedurë dhe të ushtrojë ndikim të konsiderueshëm në vlerësimin e gjykatës (shih rastet e GJEDNJ-së, Yvon kundër Francës, nr. 44962/98, Aktgjykim i 24 prillit 2003, paragrafi 37; dhe Letinčić kundër Kroacisë , cituar më lart, po aty paragrafi 51). Thënë ndryshe, pozita e zënë nga eksperti gjatë procedurave, mënyra se si detyrat e tija apo të saj dhe mënyra se si gjyqtarët vlerësojnë opinionin e tij apo të saj janë faktorë të rëndësishëm që duhet të merren parasysh për të vlerësuar nëse është respektuar parimi i barazisë së armëve (shih rastin e GJEDNJ-së, Devinar kundër Sllovenisë, cituar më lart, paragrafi 47).
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se nuk mund të thuhet se është shkelur e drejta e parashtruesve të kërkesës lidhur me dëgjimin e ekspertit të grafologjisë sepse: (i) në procedurë të rigjykimit, pas mbajtjes së dy seancave dëgjimore, Gjykata Themelore ka nxjerrë ekspertizën e re të grafologjisë (ii) ka theksuar se ekspertiza e grafologjisë do të ekzaminohet në detaje gjatë seancës së shqyrtimit kryesor; (iii) nuk rezulton që eksperti i grafologjisë ka zënë vend dominues në procedurë në atë masë sa të ndikojë që vlerësimi i gjykatave të rregullta të jetë në dëm të parashtruesve të kërkesës e në dobi të palës kundërshtare; (iv) gjatë zhvillimit të procedurave si tërësi, parashtruesve të kërkesës u është dhënë mundësia e komentimit të opinionit të ekspertit në pajtim me parimin e barazisë së armëve; dhe, se (v) mos caktimi i një eksperti tjetër-në vetvete-nuk është i padrejtë sepse procedurat në tërësinë e tyre kanë qenë të drejta (shih rastin e Gjykatës KI215/21 parashtrues Arbër Shkreli dhe të tjerët, cituar më lart, paragrafi 84).
Lidhur me pretendimin për mjetin efektiv juridik
Për sa i përket pretendimit për mungesë të mjetit efektiv juridik, Gjykata vëren se bazuar në jurisprudencën e GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, autoritetet vendore që vendosin në një rast duhet të shqyrtojnë meritat e ankesës lidhur me të drejtat e garantuara me KEDNJ (shih rastin e Gjykatës KI156/22, parashtrues “Thermo SHPK”, Aktvendim për papranueshmëri i 12 prillit 2023, paragrafi 53; dhe po ashtu shih rastet e GJEDNJ-së, Smith dhe Grady kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 33985/96 33986/96, Aktgjykim i 25 korrikut 2000, paragrafi 138; Peck kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 44647/98, Aktgjykim i 28 janarit 2003, paragrafët 105-106). Mjeti duhet t’i përfshijë meritat e ankesës siç janë parashtruar nga ankuesi. Në autoriteti ose gjykata vendore në fjalë e riformulon ankesën ose dështon që të marrë parasysh ndonjë element thelbësor të shkeljes së pretenduar të KEDNJ-së, atëherë mjeti do të jetë i pamjaftueshëm (shih rastin e Gjykatës KI156/22, parashtrues “Thermo SHPK”, cituar më lart, po aty paragrafi 53; dhe po ashtu shih rastin e GJEDNJ-së, Glas Nadezhda EOOD dhe Elenkov kundër Bullgarisë, nr. 14134/02, Aktgjykim i 11 tetorit 2007, paragrafi 69).
Bazuar në jurisprudencën e GJEDNJ-së “efektshmëria” e një mjeti për qëllime të nenit 13 të KEDNJ-së nuk varet nga sigurimi i rezultatit të favorshëm për ankuesin (shih rastin e Gjykatës KI156/22, parashtrues “Thermo SHPK”, cituar më lart, paragrafi 54; dhe po ashtu shih rastet e GJEDNJ-së, Swedish Engine Drivers’ Union kundër Suedisë, nr. 5614/72, Aktgjykim i 6 shkurtit 1976, paragrafi 50; Kudła kundër Polonisë, nr. 30210/96, Aktgjykim i 26 tetorit 2000, paragrafi 157) Fjala mjet në kontekst të nenit 13 nuk nënkupton mjet që do të jetë i suksesshëm, por thjeshtë një mjet të qasshëm pranë autoritetit kompetent që do t’i shqyrtojë meritat e ankesës (shih rastin e Gjykatës KI156/22, parashtrues “Thermo SHPK”, cituar më lart, po aty paragrafi 54; dhe po ashtu shih rastin e GJEDNJ-së, C. kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 11882/85, Vendim për pranueshmëri i 7 tetorit 1987). Neni 13 garanton pasjen e mjetit në dispozicion por jo edhe rezultat të suksesshëm (shih rastin e GJEDNJ-së, R. kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 12039, Vendim për pranueshmëri i 18 korrikut 1986).
Duke iu kthyer rrethanave të rastit konkret, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë treguar kujdesin e duhur për administrimin e drejtë të drejtësisë duke kthyer çështjen në rigjykim dhe kanë mbajtur dy seanca dëgjimore me qëllim të vërtetimit të drejtë të gjendjes faktike dhe eliminimit të të metave procedurale me ç ‘rast kanë përmbushur kushtin e mjetit efektiv juridik siç kuptohet me nenin 54 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së (shih rastin e Gjykatës KI16/23 parashtrues Gjok Gega dhe Bajram Sinani, Aktvendim për papranueshmëri i 25 majit 2023, paragrafi 70). Fakti se rezultati i rastit nuk është në dobi të parashtruesit të kërkesës në vetvete nuk ngre çështje të nenit 54 të Kushtetutës në kombinim me nenin 13 të KEDNJ-së (shih rastin e Gjykatës KI156/22, parashtrues “Thermo SHPK”, cituar më lart, po aty paragrafi 54).
Gjykata konstaton se në rastin konkret, vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta janë të arsyetuara dhe përmbajnë fakte të vërtetuara, dispozitat ligjore përkatëse dhe marrëdhënien logjike midis tyre. (shih rastet e Gjykatës, nr. KI24/22, parashtrues Turkiye Is Bankasi A.S.-Dega Kosovë, cituar më lart paragrafi 45; KI174/21 parashtrues Bashkim Makiqi, cituar më lart, paragrafi 58 dhe KI72/12, parashtrues Veton Berisha dhe Ilfete Haziri, aktgjykim i 17 dhjetorit 2012, paragrafi 61, dhe KI135/14, IKK Classic, aktgjykim i 9 shkurtit 2016, paragrafi 58).
Lidhur me pretendimet për kompetencë lëndore-territoriale dhe plotësimit të kushtit ligjor për caktim të masës së sigurisë
Gjykata vlerëson se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për kompetencën lëndore-territoriale të gjykatave dhe plotësimin e kushtit ligjor për caktimin e masës së sigurisë në substancë janë pretendime për zbatim të gabuar të ligjit.
Sa i përket pretendimeve për zbatim të gabuar të ligjit nga gjykatat e rregullta, Gjykata ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës KI128/18 parashtrues Limak Kosovo International Airport Sh.A. “Adem Jashari”, Aktvendim për Papranueshmëri i 27 majit 2019, paragrafi 56; dhe KI62/19 parashtrues Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 13 nëntorit 2019, paragrafi 58).
Duke vlerësuar procedurat e zhvilluara në tërësi në gjykatat e rregullta, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës përfitoi nga procedura kontradiktore dhe se ai ishte në gjendje të paraqes në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ai i konsideroi të rëndësishme për rastin e tij; ai ka pasur mundësinë të hedhë poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta dëgjuan dhe shqyrtuan të gjitha pretendimet e tij, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimin e kontestuar janë dhënë në hollësi dhe procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta (shih mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafët 29 dhe 30, shih gjithashtu rastin e Gjykatës nr. KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata thekson se nuk do të vlerësojë aspektin material të kësaj kërkese që ndërlidhen me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për mbrojtje të pronës, përcaktimin statusor të kompanisë “Rex Marble” sh.p.k., dhe humbjet e mundshme përkitazi me biznesin për shfrytëzim të gurit të fortë sepse parashtruesi i kërkesës akoma ka mundësi që t’i ngre në procedurë tek gjyqësori i rregullt-dhe si të tilla-të gjitha këto pretendime në këndvështrimin e Gjykatës janë të parakohshme, ngase në situatën konkrete objekt vlerësimi kushtetues para Gjykatës janë procedurat paraprake (shih rastin e Gjykatës KI65/22, parashtrues Shoqëria “Fitorja” sh.p.k., Aktvendim për papranueshmëri i 23 shkurtit 2023, paragrafi 66 dhe referencat tjera të përmendura aty).
Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe mjetit efektiv juridik siç garantohen me nenet 31 dhe 54 të Kushtetutës në lidhje me nenet 6 (1) dhe 13 të KEDNJ-së, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe duhet të refuzohen qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 dhe 21.4 të Kushtetutës, nenet 20, dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 7 nëntor 2023, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
“Rex Marble sh.p.k”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile