Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev.Nr. 197/2021 të 6 korrikut 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI193/22

Parashtruesit: Avni Selmani

Shkarko:

Prishtinë, më 29​​ shtator 2023

Nr.ref.: RK 2272/23

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI​​ 

 

në

 

rastin nr. KI193/22

 

Parashtrues

 

Avni Selmani

 

 

Vlerësim i​​ kushtetutshmërisë së Aktgjykimit​​ Rev.Nr. 197/2021 të​​ 6 korrikut 2022,​​ të Gjykatës Supreme të Kosovës

 

 

GJYKATA​​ KUSHTETUESE E​​ REPUBLIKËS SË​​ KOSOVËS

 

 

e​​ përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi,​​ zëvendëskryetar,

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban,​​ gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe

Enver Peci, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  • Kërkesa është parashtruar nga​​ Avni Selmani, me vendbanim në​​ Komunën​​ e​​ Ferizajit​​ (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës),​​ i​​ përfaqësuar nga​​ ICS Assistance LL.C., përmes Besnik Z. Nikqit, avokat në Komunën e​​ Prishtinës.​​ 

 

Vendimi i kontestuar

 

  • Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e​​ Aktgjykimit​​ [Rev.Nr. 197/2021] të​​ 6 korrikut​​ 2022​​ të Gjykatës​​ Supreme të Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë:​​ Gjykata Supreme)​​ në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ac.Nr.2824/2018] e​​ 2 dhjetorit 2020​​ të​​ Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit)​​ dhe Aktgjykimit [C.Nr.782/ 2016] të​​ 20 shkurtit 2018​​ të Gjykatës Themelore në​​ Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil.​​ ​​ 

 

Objekti i çështjes

 

  • Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ Aktgjykimit [Rev.Nr. 197/2021] të​​ 6​​ korrikut​​ 2022 të Gjykatës Supreme,​​ përmes së cilit pretendohet se parashtruesit​​ të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me​​ nenin​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë​​ dhe të Paanshëm]​​ të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 (E Drejta për një Proces të Rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa bazohet​​ në​​ paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113​​ [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]​​ të Kushtetutës, në​​ nenet 22 (Procedimi i kërkesës)​​ dhe 47 (Kërkesa individuale)​​ të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin​​ 25​​ (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve)​​ të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 01/2023​​ (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

  • Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  • Më​​ 9 dhjetor​​ 2022,​​ parashtruesi i​​ kërkesës e dorëzoi kërkesën e​​ tij​​ në​​ Gjykatën​​ Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  • Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.

 

  • Më​​ 20​​ dhjetor 2022,​​ Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr.​​ GJR.KSH​​ KI193/22] caktoi gjyqtarin​​ Nexhmi Rexhepi, Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët:​​ Selvete​​ Gërxhaliu-Krasniqi​​ (kryesuese), Safet Hoxha dhe​​ Remzije Istrefi-Peci​​ (anëtarë).

 

  • ​​ 27 dhjetor 2022,​​ Gjykata njoftoi parashtruesin​​ e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.​​ Në po të njëjtën ditë Gjykata njoftoi edhe Gjykatën​​ Supreme.

 

  • ​​ ​​ njëjtën​​ ditë, Gjykata po ashtu njoftoi Gjykatën Themelore​​ ​​ Gjilan​​ për regjistrimin e kërkesës dhe i kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë fletë-kthesën​​ që dëshmon se kur parashtruesi i​​ kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar.

 

  • ​​ 5​​ janar​​ 2023,​​ Gjykata Themelore në​​ Gjilan njoftoi Gjykatën se kjo lëndë​​ gjendet në​​ Gjykatën Themelore në​​ Ferizaj​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).

 

  • ​​ 17 janar 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe i kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë fletë-kthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar, si dhe dosjen e plotë​​ origjinale​​ ​​ lëndës.

 

  • ​​ 31 janar 2023,​​ Gjykata Themelore e dorëzoi në Gjykatë​​ dosjen e plotë​​ origjinale​​ ​​ lëndës.

 

  • Më 24 shkurt 2023, Gjykata njoftoi Kompaninë e sigurimeve “SIGURIA”​​ me seli në Prishtinë​​ (në tekstin e mëtejmë: Kompania “Siguria”)​​ për regjistrimin e kërkesës.

 

  • ​​ 13 mars 2023, Kompania “Siguria”, e përfaqësuar nga KA “Arbëresh”​​ përmes avokatëve Adnan Pacolli dhe Muhamet Durmishi,​​ dorëzoi​​ në Gjykatë përgjigje në njoftimin e Gjykatës për regjistrimin e kërkesës.

 

  • Më​​ 30 gusht​​ 2023, Kolegji​​ shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhja e fakteve​​ 

 ​​ ​​ ​​ ​​​​ 

  • Nga shkresat e lëndës rezulton se më​​ 10 gusht 2016, parashtruesi i kërkesës ishte lënduar në aksidentin e trafikut, të shkaktuar nga një e siguruar e Kompanisë “Siguria”, A.K.​​ 

 

  • Më​​ 31 gusht 2016,​​ në përputhje me policën e sigurimit të së siguruarës A.K , në procedurë jashtëgjyqësore,​​ parashtruesi i kërkesës mbi bazën e së​​ drejtës në​​ "actio directa",​​ parashtroi kërkesë​​ për shpërblim dëmi në​​ kompaninë​​ “Siguria”,​​ respektivisht për regresim borxhi dhe marrjen e paradhënies, përmes së cilës kërkoi shumën prej 19.504,39 € (nëntëmbëdhjetë mijë e pesëqind katër euro e tridhjetë e nëntë cent) në emër të shpenzimeve për ekzaminime mjekësore dhe ndërhyrje kirurgjike të kryera, si dhe shumën prej 17,700.00 € (shtatëmbëdhjetë mijë e shtatëqind euro) që pritej të shpenzohej​​ gjatë muajit shtator të vitit 2016 për tretmane të mëtejme mjekësore.​​ 

 

  • ​​ mungesë​​ ​​ zgjidhjes së​​ kërkesës për shpërblim dëmi në​​ procedurë​​ ​​ rregullt,​​ nga shkresat e lëndës rezulton se më​​ 31 tetor 2016, parashtruesi i​​ kërkesës​​ parashtroi padi në​​ Gjykatën Themelore për shpërblim dëmi​​ ashtu që​​ Kompania “Siguria”​​ ​​ emër të​​ dëmit material dhe jomaterial për lëndimet trupore t’i paguajë​​ parashtruesit të​​ kërkesës shumën prej 36,000.00 (tridhjetë​​ e gjashtë​​ mijë) euro, ndërsa​​ ​​ familjarëve të​​ tij në​​ cilësinë​​ e bashkëpaditësve, B.S., A.S., N.S., dhe H.S., në​​ emër të​​ dëmit jomaterial shumën prej 3,500.00 (tre mijë​​ e pesë​​ qind) euro me kamatë​​ ndëshkuese prej 12%​​ (dymbëdhjetë​​ përqind), duke filluar nga 31 gushti 2016 e deri në​​ pagesën definitive, si dhe shpenzimet kontestimore.

 

  • Më 20 shkurt 2018, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.782/16] aprovoi pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës​​ ashtu që​​ të njëjtit:

 

(i)​​ t’i​​ paguheshin​​ shumat si në​​ vijim:​​ 

 

  • ​​ emër të​​ shpërblimit të​​ dëmeve jomateriale;

  • për dhimbje shpirtërore për shkak të​​ zvogëlimit të​​ aktivitetit jetësor shumën prej 35,000​​ ​​ (tridhjetë​​ e pesë​​ mijë euro);

  • për shëmtim shumën prej 2,500.00​​ ​​ (dy mijë​​ e pesëqind​​ euro);

  • për dhimbje fizike në​​ shumën prej 4,000.00​​ ​​ (katër mijë euro);

  • për frikën shumën prej 1,500.00​​ ​​ (një​​ mijë​​ e pesëqind​​ euro);

  • ​​ emër të​​ shpërblimit​​ ​​ dëmit​​ material;

  • për përkujdesjen dhe ndihmën nga personi tretë​​ për tre muaj shumën prej 300.00​​ ​​ (tre qind​​ euro);

  • për ushqim të​​ përforcuar për 45 (dyzet e pesë) ditë​​ shumën prej 225.00 ​​ ​​ (dyqind e njëzet e pesë euro);

  • për shpenzime të​​ mjekimit shumën prej 19,504.39​​ ​​ (nëntëmbëdhjetë​​ mijë​​ e pesëqind e katër​​ euro e​​ tridhjetë​​ e nëntë cent);

  • fitimin e humbur deri më​​ 31 janar 2018 shumën prej 5,586.83​​ ​​ (pesë​​ mijë​​ e pesëqind e tetëdhjetë​​ e gjashtë​​ euro e​​ tetëdhjetë​​ e​​ tre​​ cent);

  • rentën në​​ formë​​ të​​ kapitalizuar shumën prej 63,054.00​​ €​​ (gjashtëdhjetë​​ e tre​​ mijë e pesëdhjetë e katër euro);​​ 

 

(ii)​​ përveç​​ shumës totale prej 131,670.22​​ ​​ (njëqind e tridhjetë​​ e njëmijë​​ e gjashtëqind e shtatëdhjetë​​ euro e njëzet e dy cent),​​ t’i​​ paguhej edhe detyrimi dytësor​​ kamata ligjore prej 12%​​ (dymbëdhjetë përqind)​​ prej ditës së​​ paraqitjes së​​ padisë​​ ​​ 4 nëntor 2016 për dëmin jomaterial ndërsa kamatën prej 12%​​ (dymbëdhjetë përqind)​​ për​​ dëmin material nga dita e nxjerrjes së​​ ekspertizës së​​ akuaristikës më​​ 27 janar 2018;​​ si dhe

 

(iii) shpenzimet e procedurës në​​ shumë​​ prej 2,856.00 € (dymijë​​ e tetëqind e pesëdhjetë​​ e gjashtë​​ euro) në​​ afat prej 15​​ (pesëmbëdhjetë)​​ ditësh pas plotfuqishmërisë​​ ​​ aktgjykimit.​​ 

 

  • Më​​ 27 prill 2018, Kompania “Siguria” parashtroi ankesë​​ në​​ Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [C.nr.782/16] të​​ 20 shkurtit 2018 të​​ Gjykatës Themelore për shkak të​​ (i) shkeljes esenciale të​​ dispozitave të​​ procedurës kontestimore; (ii) konstatimit të​​ gabuar dhe jo të​​ plotë​​ të​​ gjendjes faktike; si dhe (iii) zbatimit të​​ gabuar të​​ së​​ drejtës materiale, me propozimin që​​ të​​ aprovohet ankesa e saj dhe të​​ prishet Aktgjykimi i atakuar dhe lënda t’i kthehet në​​ rishqyrim dhe rivendosje shkallës së​​ parë. Në​​ lidhje me kamatën vjetore prej 12%​​ (dymbëdhjetë përqind)​​ prej ditës​​ së paraqitjes së padisë për dëmin jomaterial dhe kamatën vjetore prej 12%​​ (dymbëdhjetë përqind)​​ prej nxjerrjes së ekspertizës së​​ aktuaristikës, ndër të tjera, Kompania “Siguria” në ankesën e saj theksoi se:​​ “Gjykata ka bërë shkelje të dispozitave ligjore lidhur me kamatën ligjore pasi që e njëjta fillon të rrjedhë nga dita e nxjerrjes së aktgjykimit, e cila vlen si për mjetet e deponuara në bankat që operojnë në Kosovë, në afat prej një viti pa destinim të caktuar.”

 

  • Më​​ 28 maj 2018, parashtruesi i kërkesës parashtroi përgjigje në​​ ankesë​​ në​​ Gjykatën e Apelit me ç’rast në​​ lidhje me​​ kamatëvonesën​​ theksoi si në​​ vijim:​​ “[...] me Aktgjykimin e atakuar, drejtë​​ është​​ trajtuar instituti i kamatëvonesës në​​ këtë​​ raport juridik. Siç rezulton nga​​ paragrafi 2 i dispozitës së​​ Nenit 382 të​​ LMD, lartësia e kamatëvonesës​​ është​​ 8 përqind në​​ vit, PËRPOS në​​ rastet kur kamatëvonesa​​ është​​ e rregulluar me Ligj të​​ Veçantë​​ (Lex Specialis), siç​​ është​​ rasti në​​ këtë​​ çështje juridiko-civile dhe kamatëvonesa rregullohet me Ligjin 04/L-018 respektivisht Nenin 26.6. Andaj, drejtë​​ është​​ zbatuar lartësia e​​ kamatëvonesës​​ prej 12% në​​ kuptim te Nenit 26.6 te Ligjit 04/L-018.” ​​ 

 

  • ​​ 2 dhjetor 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.2824/18] aprovoi pjesërisht si të​​ themeltë​​ ankesën e Kompanisë​​ “Siguria” dhe ndryshoi​​ Aktgjykimin​​ e Gjykatës Themelore:

 

  • ​​ pjesën e cila ka të​​ bëjë​​ me zvogëlimin e aktivitetit të​​ përgjithshëm jetësor ashtu që​​ parashtruesin e kërkesës e kompensoi me 23.000.00 € (njëzet e tre mijë​​ euro), ndërsa shumat tjera të​​ kërkuara i refuzoi të​​ pabazuara;​​ 

  • ​​ pjesën e dispozitivit për shumën e përgjithshme të​​ kërkesëpadisë​​ ashtu që​​ parashtruesit të kërkesës​​ për​​ pjesën e aprovuar të kërkesëpadisë, të gjitha llojet e dëmit t’i paguhet​​ kamata​​ në lartësi prej 8%​​ (tetë përqind), duke filluar nga data e marrjes së aktgjykimit të shkallës së parë më 20 shkurt 2018, e deri në pagesën definitive.

  • Në pjesën lidhur me kompensimin e dëmit material për fitimin e humbur - rentën, dhe vendimin për shpenzimet procedurale, ashtu që çështja në këtë pjesë iu kthye gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje;

 

ndërsa refuzoi pjesën tjetër të​​ ankesës së​​ kompanisë​​ “Siguria” ​​ dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në​​ pjesën e pandryshuar.

 

  • Në​​ arsyetimin e Aktgjykimit të​​ lartcekur, Gjykata e Apelit në​​ lidhje me​​ kamatëvonesën​​ vlerësoi se:​​ “[...] e njëjta duhet të gjykohet në lartësi prej 8%, duke e llogaritur atë nga dita e marrjes së aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë 20.02.2018, e deri në pagesën definitive, në pajtim me nenin 378 dhe 302 të LMD-së të zbatueshëm për këtë rast.”

 

  • Më​​ 11 janar 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion në​​ Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit [Ac.nr.2824/18] të​​ 2 dhjetorit 2020, të​​ Gjykatës së​​ Apelit, për shkak të​​ shkeljes së​​ dispozitave të​​ procedurës kontestimore dhe zbatimit të​​ gabuar të​​ gjendjes faktike, me propozimin që​​ Gjykata Supreme ta aprovojë​​ revizionin e tij dhe ta ndryshojë​​ Aktgjykimin e Gjykatës së​​ Apelit ashtu që​​ të​​ detyrohet Kompania “Siguria” t’ia paguajë​​ shumën prej 131,670.22 € (njëqind e tridhjetë e njëmijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë euro e njëzet e dy cent), me kamatë​​ ndëshkuese prej 12%​​ (dymbëdhjetë përqind)​​ nga data e marrjes së​​ aktgjykimit të​​ shkallës së​​ parë​​ e deri në​​ pagesë​​ definitive për pjesën e shumës për dëmin jomaterial, ndërsa me kamatë​​ ndëshkuese prej 12%​​ (dymbëdhjetë përqind)​​ nga data e paraqitjes së​​ kërkesës në​​ procedurë​​ të​​ rregullt, respektivisht, 4 nëntor 2016 për pjesën e shumës për dëmin material, si dhe kompensimin për shpenzimet procedurale.

 

  • Në​​ revizionin e tij, parashtruesi i kërkesës përkitazi me​​ kamatëvonesën theksoi se​​ Gjykata​​ e Apelit kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në​​ këtë​​ pikë​​ duke e​​ zbritur normën vjetore të​​ kamatëvonesës​​ nga 12%​​ (dymbëdhjetë përqind)​​ në​​ 8%​​ (tetë përqind), dhe se ky qëndrim i Gjykatës së​​ Apelit​​ është:​​ [...] në​​ kundërshtim edhe me Mendimin Juridik të​​ Gjykatës Supreme të​​ datës 02.12.2020 - Pika XII, sa i përket normës së​​ kamatëvonesës vjetore (12%). Tutje, edhe për sa i përket momentit të​​ vonesës, në​​ kundërshtim me dispozitën e Nenit 26.6 të​​ Ligjit 04/L-018, Gjykata e Apelit zbaton momentit e vonesës së​​ të​​ Paditurës përkitazi me llojet e dëmit material duke gjykuar këtë​​ nga momenti i marrjes se aktgjykimit në​​ shkallë​​ të​​ parë, e jo nga dita e paraqitjes së​​ kërkesës në​​ procedurë​​ të​​ rregullt - siç​​ shprehimisht ka përcaktuar paragrafi 6 i Nenit 26 të​​ Ligjit 04/L-018 dhe siç​​ është​​ precizuar në​​ pikën XIV të​​ Mendimit Juridik të​​ Gjykatës Supreme.​​ Në​​ këtë​​ drejtim, vendimi i gjykatës së​​ Apelit mund të​​ jetë​​ i pranueshëm për paditësin vetëm​​ sa i përket momentit të​​ vonesës për dëmin jo material dhe dëmit shpërblimit të​​ dëmit të​​ kapitalizuar për fitimin e humbur - kjo në​​ kuptim të​​ pikës​​ XV të​​ Mendimit Juridik të​​ Gjykatës Supreme, megjithatë​​ në​​ lartësi të​​ normës vjetore 12% e jo 8%.”​​ 

 

  • Më​​ 6 korrik 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.Nr.197/2021], aprovoi pjesërisht​​ revizionin e parashtruesit të​​ kërkesës, në​​ atë​​ mënyrë​​ që​​ kamata e gjykuar kur bëhet fjalë​​ për​​ dëmin material, duhej​​ përllogaritur nga dita e parashtrimit të​​ padisë​​ përkatësisht nga data 04 nëntor​​ 2016, ndërsa për dëmin​​ jomaterial nga dita e​​ nxjerrjes së​​ aktgjykimit të​​ shkallës së​​ parë, pra, data​​ 20 shkurt​​ 2018, ndërsa pjesën tjetër të​​ revizionit, ndër të​​ tjera, në​​ lidhje me lartësinë​​ e kamatëvonesës,​​ e refuzoi si të​​ pabazuar, me arsyetimin si në​​ vijim:​​ Me Ligjin​​ për marrëdhëniet e detyrimeve, në​​ Nenin 382, paragrafi 1,​​ është​​ paraparë​​ e drejta e Kreditorit në​​ kamatëvonesën në​​ rastin kur Debitori vonohet në​​ përmbushje të​​ detyrimit. Në​​ paragrafin 2 të​​ Nenit të​​ njëjtë​​ është​​ përcaktuar lartësia e kamatëvonesës në​​ tetë​​ (8%) përqind në​​ vit.​​ Kamatëvonesa e përcaktuar me nenin 26, paragrafi 6 të​​ Ligjit për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, nuk mund të​​ aplikohet në​​ rastin konkret. Kjo për arsye se ligji në​​ fjalë​​ në​​ paragrafin 6 të​​ nenit 26, shprehimisht përcakton situatat se kur aplikohet kjo, më​​ saktësisht atëhere kur i dëmtuari e pranon ofertën e kompanisë​​ së​​ sigurimeve për kompensim të​​ dëmit, dhe e njëjta vonohet me pagesë​​ të​​ kompensimit, dhe në​​ situatën kur​​ kompania e sigurimeve vonohet me pagesën e paradhënies për pjesën e pakontestueshme të​​ dëmit. Meqenëse në​​ këtë​​ rast nuk bëhet fjalë​​ për një​​ situatë​​ të​​ tillë​​ atëherë​​ as nuk ka hapësirë​​ për aplikim të​​ kësaj kamatëvonese, përveç​​ asaj të​​ paraparë​​ me Ligjin për marrëdhëniet e​​ detyrimeve.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës​​ 

 

  • Parashtruesi​​ i kërkesës pretendon se​​ me​​ Aktgjykimin [Rev.Nr. 197/2021] të​​ 6 korrikut 2022​​ të Gjykatës Supreme,​​ atij​​ i​​ është​​ shkelur​​ e​​ drejta e garantuar me​​ nenin ​​​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E Drejta për një Proces të Rregullt) të​​ KEDNJ-së.

 

  • Parashtruesi i kërkesës​​ konsideron se Aktgjykimi [E.Rev.Nr. 197/2021], i 6 korrikut​​ 2022​​ të Gjykatës Supreme,​​ është​​ në​​ kundërshtim me​​ lex specialis,​​ përkatësisht,​​ paragrafin 6 të​​ nenit 26 të​​ Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto​​ Përgjegjësia​​ (në​​ tekstin e mëtejmë:​​ LSDA)​​ dhe pikën XII të​​ Mendimit Juridik Nr.265​​ për Kamatën (Lidhur me ligjin e aplikueshëm, lartësinë​​ dhe periudhën e llogaritjes), të​​ 1 dhjetorit 2020,​​ të​​ Gjykatës Supreme​​ (në​​ tekstin e mëtejmë: Mendimi Juridik i Gjykatës Supreme për​​ Kamatën).​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës​​ në​​ kërkesën e tij​​ thekson se:​​ “Gjykata Supreme nuk ka dhënë​​ arsyetime të​​ mjaftueshme dhe adekuate përkitazi me Vendimin e saj respektivisht konfirmimin e Aktgjykimit të​​ instancës më​​ të​​ ulët (Gjykatës së​​ Apelit) lidhur me kamatëvonesën – me çka konsiderohet se​​ është​​ shkelur parimi kushtetues i arbitraritetit në​​ vendimmarrje”, si dhe​​ “Vendimi i Gjykatës Supreme nuk korrespondon me arsyetimin e saj dhe se qëndrimet nga arsyetimi janë vetvetiu në kundërthënie me vendimin – përkundër asaj që nuk mohohet pretendimi i Paditësit për zbatimin e dispozitës së Nenit 26.6 të Ligjit nr. 04/L-018. Mirëpo, përkundër pranimit të pretendimit për zbatimin e “lex specialis” (dispozita e Nenit 26 të Ligjit 04/L-018), këtë dispozitë Gjykata Supreme në​​ rastin konkret e zbaton në mënyrë restriktive me konkluzion se i referohet vetëm procedurës së rregullt, çfarë në të vërtetë është një qasje “de lege ferenda” që nuk ka mbështetje në përmbajtje të kësaj dispozite dhe funksionin e saj që i ka dhënë ligjdhënësi”.​​ 

 

  • Për më tepër, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar​​ karakterizohet nga mungesa e arsyetimit​​ gjyqësor, respektivisht se:​​ Aktgjykimi i Gjykatës Supreme në pjesën e arsyetimit juridik është i mangët kur trajton çështjen e institutit të kamatëvonesës për sa i përket momentit të kamatëvonesës te kërkesat e drejtpërdrejta për shpërblim dëmi dhe lartësisë së kamatëvonesës. Për më​​ tepër, vendimi përkitazi me kamatëvonesën rezulton të jetë në kundërshtim me qëndrimin e saj nga Mendimi Juridik Nr. 265, me çfarë objektivisht edhe përjashtohet mundësia për një arsyetim ndryshe nga ajo që është prezantuar si në Mendimin Juridik Nr. 265 ashtu edhe në arsyetimin e tij. Ofrimi i arsyeve juridike i vendimit gjyqësor është një aspekt i rëndësishëm i procesit gjyqësor.”

 

  • Po ashtu, parashtruesi i kërkesës​​ konsideron​​ se arsyetimi i Aktgjykimit të Gjykatës Supreme është në kundërshtim me gjendjen faktike si në vijim:​​ 

 

“- Kërkesa për shpërblim dëmi është paraqitur me datë 31.08.2016.​​ 

​​ - Ka pasuar urgjenca e datës 09.11.2016 ku është kërkuar edhe pagesa e pjesës jokontestuese konform paragrafit 4 të Nenit 26 të Ligjit 04/L-018.

​​ - Se nuk ka përgjigje respektivisht nuk është trajtuar fare kërkesa për shpërblim dëmi e të lënduarit / Paditësit (këtu Parashtruesit të Kërkesës).​​ 

​​ - Se ka skaduar afati prej 60 ditësh për të Paditurën për trajtim të kërkesës në procedurë të rregullt, dhe vetëm pas skadimit të këtij afati, më saktë me datë 31.10.2016 është iniciuar kontesti.”

 

  • Tutje,​​ parashtruesi i kërkesës​​ elaboron parimet themelore të së drejtës në vendim të arsyetuar gjyqësor duke u bazuar në​​ jurisprudencën e Gjykatës​​ dhe Gjykatës Evropiane për të​​ Drejtat e Njeriut (në​​ tekstin e mëtejmë: GJENDJ)​​ lidhur me të​​ drejtën për një​​ proces të​​ rregullt gjyqësor, të​​ garantuar me nenin 31 të​​ Kushtetutës në​​ lidhje me nenin 6 të​​ KEDNJ-së, dhe paragrafin 1 të​​ nenit 14 të​​ Paktit​​ Ndërkombëtar​​ për të​​ Drejtat Civile dhe Politike, si dhe në mbështetje të këtyre argumenteve, parashtruesi i kërkesës i​​ është referuar edhe​​ rasteve të​​ Gjykatës,​​ KI55/09,​​ parashtrues​​ N.T.SH. Meteorit, Aktgjykim i​​ 6 prillit 2011;​​ KI135/14, parashtrues​​ “IKK Classic, Aktgjykim i​​ 8 shkurtit​​ 2016;​​ KI138/15, parashtrues​​ “Sharr Beteiligungs GmbH”​​ SH.P.K., Aktgjykim i​​ 20 dhjetorit 2017;​​ dhe​​ KI97/16,​​ “IKK Classic”, Aktgjykim i 9 janarit 2018, si dhe praktikës gjyqësore të​​ GJEDNJ-së,​​ Boldea kundër Rumanisë, nr.​​ 19997/02, Aktgjykim i 15 majit 2007,​​ Hiro Balani kundër Spanjës, nr.​​ 18064/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 27;​​ Ruiz Torija kundër Spanjës, nr.​​ 18390/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 29;​​ Helle kundër Finlandës, nr. 157/1996/776/977, Aktgjykim i 19 dhjetorit 1997, paragarfi 55,​​ Suominen kundër Finlandës, nr.​​ 37801/97, Aktgjykim i 1 korrikut 2003, paragrafi 34,​​ Gradinar kundër Moldavisë, nr.​​ 7170/02, Aktgjykim i 8 korrikut 2008, paragrafi 107.​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës po ashtu konsideron se:​​ Dështimi​​ i​​ Gjykatës​​ Supreme,​​ për​​ të​​ dhënë arsyetim adekuat dhe të​​ mjaftueshëm​​ në​​ bazë​​ të​​ ligjit, cenon edhe parimin e sigurisë​​ juridike për palët dhe pamundëson zhvillimin e një​​ praktike konstante të​​ interpretimit gjyqësor për çështje të ngjashme”.​​ Në kontekst​​ të pretendimit të​​ tij për divergjencë​​ në​​ praktikën gjyqësore të​​ Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës​​ i referohet 3 (tri) Aktgjykimeve​​ të Gjykatës Supreme, respektivisht,​​ (i)​​ Aktgjykimit​​ [E.Rev.nr.22/2019], të 18​​ janarit​​ 2018; (ii)​​ Aktgjykimit​​ [Rev,E.nr.27/2018] të 24 shtatorit 2018 dhe​​ (iii)​​ Aktgjykimit​​ [E.Rev.23/2017] të 21 shtatorit 2017.​​ 

 

  • Në fund, parashtruesi i kërkesës​​ kërkon nga Gjykata që pas shqyrtimit dhe vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, të anulojë Aktgjykimin [Rev.Nr. 197/2021]​​ e​​ 6 korrikut 2022 të Gjykatës Supreme për shkak të shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, si dhe të njëjtin ta kthejë në rishqyrtim.​​ 

 

Përgjigja​​ e​​ dorëzuar​​ nga pala e interesuar Kompania “Siguria”

 

  • Më​​ 13 mars 2023, përfaqësuesit ligjor të​​ Kompanisë​​ “Siguria” dorëzuan në​​ Gjykatë​​ komentet e tyre lidhur me kërkesën e parashtruesit të​​ kërkesës.

 

  • Kompania “Siguria” konsideron si të​​ drejtë​​ Aktgjykimin e Gjykatës Supreme në​​ lidhje me lartësinë​​ e kamatës ligjore në​​ vlerë​​ prej 8% (tetë​​ përqind) për shkak se, sipas saj, paragrafi 4 i nenit 26 të​​ LSDA-së​​ nuk mund të​​ zbatohet në​​ rastin konkret. Kjo​​ për shkak se​​ Kompania “Siguria”​​ bazuar në​​ mendimin e ekspertit mjekësor​​ i ka ofruar parashtruesit të kërkesës kompensimin e​​ dëmit duke e konsideruar dëmin në​​ tërësi dhe me këtë​​ ka përjashtuar nga rrethanat e pagesës së​​ dëmit jokontestues në formë të paradhënies, por,​​ parashtruesi i kërkesës nuk ka pranuar ofertën dhe me​​ llim të​​ realizimit të​​ të​​ drejtave të​​ tij ka ndjekur procedurën gjyqësore. Rrjedhimisht, sipas Kompanisë “Siguria”​​ duhet të​​ zbatohet kamata​​ ligjore sipas​​ Ligjit Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve (në tekstin e mëtejmë: LMD)​​ në​​ vlerë​​ prej 8 % (tetë​​ përqind)​​ dhe i propozon Gjykatës që kërkesën e parashtruesit ta refuzojë si të pabazuar.​​ ​​ 

 

Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore

 

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Neni 31

​​ [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

  • Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

  • ​​ Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.

 

​​ [...]​​ 

 

Neni 53

[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]

 

Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT

 

Neni 6

(E drejta për një proces të rregullt)

 

 

  • Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.

 

LIGJI​​ 04/L-077​​ PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE​​ [i publikuar në Gazetën Zyrtare më 19 qershor 2012. Sipas nenit 1059 të Ligjit, Ligji ka hyrë në fuqi gjashtë (6) muaj pas publikimit të tij në Gazetën Zyrtare]

 

Neni 281

(Subrogimi ligjor)

 

“Kur detyrimin e përmbush personi i cili ka ndonjë interes juridik në këtë çështje, atëherë i kalojnë këtij, në bazë të vet ligjit, në çastin e përmbushjes, kërkesat e kreditorit me të gjitha të drejtat aksesore.”

 

NËNKREU 2

VONESA I.

 

VONESA E DEBITORIT

 

Neni 305

(Kur debitori është në vonesë)

 

“1. Debitori është në vonesë kur nuk e përmbush detyrimin brenda afatit të caktuar për përmbushje.​​ 

2. Në qoftë se afati për përmbushje nuk është caktuar, debitori është në vonesë kur kreditori ta ftojë që ta plotësojë detyrimin e vet, verbalisht ose me shkrim, paralajmërim jashtë gjyqësor, ose duke filluar ndonjë procedurë, qëllimi i së cilës është realizimi i përmbushjes të detyrimit.”

 

 

NËNKREU 3

VONESA NË PËRMBUSHJEN E DETYRIMEVE NË TË HOLLA

 

Neni 382

(Kamatëvonesa)

 

“1. Debitori që vonon në përmbushjen e detyrimit në të holla debiton, përpos borxhit kryesor, edhe kamatën.​​ 

2. Lartësia e kamatëvonesës është tetë përqind (8%) në vit, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj të veçantë.”

 

NËNKREU 6

KALIMI I TË DREJTAVE TË SIGURUARIT NDAJ PERSONIT PËRGJEGJËS NË SIGURUESIN (SUBROGIMI)

Neni 960

(Subrogimi)

 

“1. Me pagimin e shpërblimit nga sigurimi kalojnë në siguruesin në bazë të ligjit deri në shumën e shpërblimit të paguar të gjitha të drejtat e të siguruarit kundrejt të gjithë personave, të cilët mbi çfarëdo baze janë përgjegjës për dëmin.​​ 

2. Në qoftë se për faj të të siguruarit është bërë i pamundur ky kalim i të drejtave në sigurues tërësisht ose pjesërisht, siguruesi shkarkohet në masën përkatëse nga detyrimi i vet ndaj të siguruarit.​​ 

3. Kalimi i të drejtave nga i siguruari në sigurues nuk mund të jetë në dëmin e të siguruarit, kështu që në qoftë se shpërblimi të cilin e ka marrë i siguruari nga siguruesi për cilindo shkak qoftë është më i vogël nga sa është dëmi që ka pësuar, i siguruari ka të drejtë që prej pasurisë së personit përgjegjës t’i paguhet mbetja e kompensimit përpara kërkesës së siguruesit në bazë të të drejtave që janë kaluar në të.​​ 

4. Përjashtimisht nga rregullat mbi kalimin e të drejtave të të siguruarit në siguruesin, këto të drejta nuk kalohen në siguruesin, në qoftë se dëmin e ka shkaktuar personi në gjini në vijë të drejtë me të siguruarin, ose personi për sjelljet e të cilit përgjigjet siguruesi apo i cili bashkëjeton me të në të njëjtën ekonomi shtëpiake, ose personi që është punëtor i të siguruarit, përveç nëse këta persona e kanë shkaktuar dëmin me dashje.​​ 

5. Në qoftë se dikush nga personat e përmendur në paragrafin paraprak ka qenë i siguruar nga përgjegjësia, siguruesi mund të kërkojë nga siguruesi i tij kompensimin e shumës që i ka paguar të siguruarit.”

 

LIGJI NR. 04/L-018 PËR SIGURIMIN E DETYRUESHËM NGA AUTOPËRGJEGJËSIA

 

Neni 26

(Procedura e kërkesave për dëmshpërblim)

 

“1. Siguruesi është i detyruar që, për dëmet në persona, më së largu në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditësh, ndërsa për dëme në pasuri, më së largu në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e parashtrimit të kërkesës për dëmshpërblim, të trajtojë kërkesën dhe të njoftojë me shkrim palën e dëmtuar me:

1.1. ofertën për dëmshpërblim me shpjegime përkatëse;

1.2. vendimin dhe arsyet ligjore të refuzimit të kërkesës për dëmshpërblim, kur janë kontestuese përgjegjësia dhe lartësia e dëmit.

2. Nëse kërkesa e parashtruar nuk është e kompletuar me prova dhe dokumentacion të nevojshëm për të vendosur për dëmshpërblimin, siguruesi është i detyruar që, më së largu në afat prej tri (3) ditësh nga dita e pranimit të kërkesës për dëmshpërblim, të njoftojë me shkrim të dëmtuarin duke precizuar me cilat nga provat dhe dokumentacioni duhet plotësuar kërkesën. Prej ditës së pranimit, respektivisht kompletimit të dokumentacionit të kërkesës, fillojnë të zbatohen afatet nga paragrafi 1. i këtij neni për detyrimin e siguruesit përkitazi me trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim.

3. BQK-ja nxjerr akt nënligjor për përcaktimin e procedurave për dëmshpërblim, duke përfshirë edhe përcaktimin se kur konsiderohet e kompletuar kërkesa me prova dhe dokumentacionin e nevojshëm për të vendosur lidhur me dëmshpërblimin.

4. Në pamundësi të përcaktimit të dëmit, respektivisht trajtimit të dëmshpërblimit në tërësi, siguruesi përgjegjës është i detyruar t’i paguajë palës së dëmtuar pjesën jokontestuese të dëmit në formë paradhënie, brenda afatit nga paragrafi 1. i këtij neni.

5. Në rast se siguruesi përgjegjës nuk i përgjigjet palës së dëmtuar brenda afateve të përcaktuara në paragrafin 1. të këtij neni, i dëmtuari ka të drejtë të ushtrojë padi në Gjykatën Kompetente.

6. Në rast të mosrespektimit të afateve të përcaktuara në paragrafin 1. të këtij neni, dhe mospërmbushjes së detyrimit në pagesën e paradhënies nga paragrafi 4. i këtij neni, siguruesi përgjegjës konsiderohet të jetë në vonesë në përmbushjen e detyrimit për dëmshpërblim, duke u ngarkuar me pagesë të interesit për vonesë. Ky interes paguhet në lartësi prej 12 % të interesit vjetor dhe llogaritet për çdo ditë vonesë deri në shlyerjen e dëmshpërblimit nga siguruesi përgjegjës, duke filluar nga data e paraqitjes së kërkesës për dëmshpërblim.

7. Dispozitat nga paragrafi 1., 2., 4. dhe 5. të këtij neni, zbatohen në mënyrë përkatëse edhe në rastet e trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim të cilat janë detyrim i byrosë për dëmet nga baza e sigurimit kufitar dhe detyrimet e Fondit të kompensimit.

8. Në kërkesat për dëmshpërblim nga sistemi i kartonit ndërkombëtar të sigurimit zbatohen procedura dhe afate të posaçme sipas Marrëveshjes së Kretës.”

 

LIGJI​​ NR.​​ 06/L-054​​ PËR GJYKATAT, i cili në nenin 14 parasheh mekanizmin për administrimin e drejtë të drejtësisë dhe shqyrtimin e ndryshimit të praktikës gjyqësore​​ 

 

Neni 14

Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Kryetarit dhe nënkryetarit të Gjykatës

 

“[…]

2.10. Kryetari i gjykatës thërret takim vjetor të të gjithë gjyqtarëve për këshillim mbi Administrimin e Drejtësisë në atë gjykatë; për të analizuar organizimin e gjykatës; për të shqyrtuar dhe propozuar ndryshime në procedura dhe praktika”.​​ 

 

RREGULLA 3 MBI NDRYSHIMIN E RREGULLIT PËR SIGURIMIN E DETYRUESHËM TË AUTOPËRGJEGJËSISË,​​ miratuar nga​​ Bordi​​ Drejtues i​​ Bankës​​ Qendrore të​​ Republikës së​​ Kosovës më 25 shtator 2008

 

Neni 5

(Rregullimi i dëmeve)

 

5.1 Rregullimi

 

“Kërkesat për zhdëmtim të bazuara në sigurimin e detyrueshëm të autopërgjegjësisë në pajtim me dispozitat e kësaj rregulle, përfshirë regresin nga fondi garantues duhet të zgjidhen në një periudhë kohore prej 10 ditësh prej ditës së parashtrimit të provave të nevojshme dhe dokumentacionit relevant që kërkohen nga kompania e sigurimit apo fondit garantues, duke iu referuar zhdëmtimit të dëmeve që kanë për pasojë vdekjen, lëndime trupore apo humbjen e pasurisë.

 

Fondi garantues apo një kompani e sigurimit e cila nuk rregullon dëmin valid brenda periudhës kohore prej dhjetë (10) ditësh, duhet të paguaj dënimin e barabartë me 20% të kamatës vjetore të llogaritur nga data e raportimit të dëmit deri në datën kur zhdëmtimi është paguar apo rregulluar.”​​ 

 

MENDIM JURIDIK PËR KAMATËN,​​ i miratuar në mbledhjen e përgjithshme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës i 1 dhjetorit 2020, i bazuar në nenin 26 paragrafi 1 pika 1.4 të Ligjit për Gjykatat

 

PJESA E PARË

Ligji i aplikueshëm

 

“I. Për marrëdhëniet e detyrimeve që kanë lindur para datës 20.12.2012, për kamatën zbatohen dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve (Gazeta Zyrtare e RSFJ-së, nr.29/78, 39/85,57/89).

 

II. Për marrëdhëniet që kanë lindur pas datës 19.12.2012, për kamatën zbatohen dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, nr. 04/L-077, Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës, nr.19/19, datë 19.06.2012.

 

PJESA E DYTË

 

  • Për marrëdhëniet e detyrimeve që kanë lindur para datës 20.12.2012, shkalla/lartësia e kamatëvonesës vjetore për të gjitha kërkesat caktohet si për mjetet e depozituara në bankë, mbi një vit, pa destinim të caktuar.  ​​​​ 

 

[...]

 

VI. Për marrëdhëniet e detyrimeve që kanë lindur pas datës 19.12.2012, shkalla/lartësia e kamatëvonesës vjetore për të gjitha kërkesat do të caktohet në lartësi prej 8 %, përveçse kur parashikohet ndryshe me ligj të veçantë.

 

[...]

 

IX. ​​ Për kërkesat e kreditorëve për rimbursim të dëmit nga të gjitha bazat e  ​​​​ përgjegjësisë kur kreditorët kanë të drejtë në rimbursim të dëmit, lartësia e kamatës caktohet sipas pikës IV (katër) dhe VI (gjashtë) të këtij mendimi juridik, varësisht se cili ligj është zbatuar (ka qenë në fuqi) kur kreditori në cilësinë e debitorit ka përmbushur detyrimin ndaj palës së tretë. ​​ 

 

[...]

 

XII. Për kërkesat e palëve të treta ndaj Kompanive të Sigurimeve, kamata në lartësi prej 12% të interesit vjetor zbatohet/llogaritet kur të plotësohen kushtet ligjore, në rastet e mos respektimit të afateve (neni 26 paragarfi 1 dhe 2 të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto Përgjegjësia, nr. 04/L-018, i shpallur në Gazetën Zyrtare nr. 4, me datën 14 korrik 2011, i cili ka hyrë në fuqi më datën 30 korrik 2011) dhe mos përmbushjes së detyrimit (neni 26 paragrafi 4, i ligjit të njëjtë) nga ana e siguruesve përgjegjës (Kompanitë e Sigurimeve) për çdo ditë vonesë deri në shlyerjen e detyrimit nga siguruesi përgjegjës, duke filluar nga data e paraqitjes së kërkesës për dëmshpërblim.​​ 

 

Situatat kur aplikohet norma e interesit vjetor prej 12 %:

  • Kur kërkesat e paraqitura tek Kompanitë e Sigurimeve, për dëmin në persona, nuk trajtohen në afat prej 60 ditësh;

 

  • Kur kërkesat e paraqitura tek Kompanitë e Sigurimeve, për dëmin në pasuri, nuk trajtohet brenda 15 ditësh;

 

Arsyetimi i Mendimit Juridik

 

Arsyetimi për pikën IX (nëntë) të mendimit juridik-​​ Në praktikën gjyqësore paraqiten raste të shpeshta të kreditorëve për rimbursim të dëmit të cilët kanë përmbushur detyrimet paraprakisht ndaj palëve të treta, e të cilat kryesisht ndërlidhen me rastet e siguruara nga kompanitë e sigurimeve vendore me kompanitë e huaja. Për këtë lloj të kërkesave në praktikën e gjykatave është vërejtur interpretim dhe zbatim i dispozitave ligjore në disa forma sa i përket shkallës/lartësisë së kamatëvonesës për rastet e kërkesave për rimbursim. Kjo ka ndodhur për shkak se kreditorët me rastin e paraqitjes së kërkesave për rimbursim të dëmit duke iu referuar nenit 26 të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, nr.04/L-018, i shpallur në Gazetën Zyrtare nr.4, me datën 14 korrik 2011, i cili ka hyrë në fuqi me datën 30 korrik 2011, kanë kërkuar që rimbursimi i kërkesës të bëhet me normë vjetore prej 12%, mirëpo Gjykata Supreme e Kosovës në Seancën e Përgjithshme të saj përmes këtij mendimi juridik ka vlerësuar se nuk mund të aplikohet norma/kamatëvonesa vjetore prej 12% në të gjitha rastet. Kjo për shkak se kërkesat e kreditorëve për rimbursim të dëmit kryesisht u referohen situatave për marrëdhëniet juridiko-civile (jokontraktuale për kreditorin dhe debitorin), prandaj, në një rast të tillë sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, kamatëvonesa vjetore duhet të paguhet sipas pikës IV (katër) dhe VI (gjashtë) të këtij mendimi juridik. Kjo nënkupton se në rast se kreditori ka përmbushur detyrimin ndaj palës së tretë, para datës 20.12.2012, norma e interesit do të zbatohet si për mjetet e deponuara në bankë mbi një vit pa destinim të caktuar, ndërsa në rast se kreditori ka përmbushur detyrimin ndaj palës së tretë pas datës 19.12.2012, atëherë shkalla/lartësia e kamatëvonesës do të zbatohet në shkallë prej 8%.

 

Përveç të cekurave Gjykata Supreme vlerëson se shkalla/lartësia e kamatëvonesës vjetore prej 12%, nuk mund të zbatohet edhe për shkak të faktit se sipas dispozitave të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto Përgjegjësia, nr.04/L-018, i shpallur në Gazetën Zyrtare me nr.4, me datën 14 korrik 2011, i cili ka hyrë në fuqi me datën 30 korrik 2011, interesi vjetor 12%, vjen në shprehje për shkak të neglizhencës së kompanive të sigurimeve (të cilat pastaj paraqiten si kreditor regresues), sepse sikur kreditorët regresues t’i kishin trajtuar konform përgjegjësive ligjore kërkesat e palëve të treta, ndaj tyre nuk do të mund të zbatohej shkalla/lartësia e kamatëvonesës prej 12%, në vendimet e gjykatës, por do të zbatohej shkalla/lartësia si për mjetet e deponuara mbi një vit pa destinim të caktuar, apo shkalla/lartësia prej 8%, varësisht se cili ligj ka qenë në fuqi në kohën e lindjes së marrëdhënies së detyrimit.

 

Arsyetimi për pikën XII (dymbëdhjetë) të mendimit juridik​​ – [...] Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto Përgjegjësia, nr.04/L-018, i shpallur në Gazetën Zyrtare nr.4, me datën 14 korrik 2011, i cili ka hyrë në fuqi me datën 30 korrik 2011, e ka përcaktuar në mënyrë të qartë së trajtimi i kërkesës nënkupton njoftimin me shkrim për palën e dëmtuar lidhur me ofertën për dëmshpërblim me shpjegime​​ përkatëse, apo vendimin dhe arsyet ligjore të refuzimit të kërkesës për dëmshpërblim, kur janë kontestuese përgjegjësia dhe lartësia e dëmshpërblimit.​​ 

 

Me dispozitat e nenit 26 te Ligjit per Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto Përgjegjësia, nr.04/L-018, i shpallur në Gazetën Zyrtare nr.4, me datën 14 korrik 2011, i cili ka hyrë në fuqi me datën 30 korrik 2011, janë rregulluar dy çështje dhe atë: lartësia e interesit vjetor prej 12% në rast të mosrespektimit të afateve dhe mos përmbushjes së detyrimit, si dhe momenti/periudha prej kur fillonë rrjedh kamata e që është dita e parashtrimit të kërkesës për dëmshpërblim e deri në pagesën e plotë. Mos respektimi i afateve në këtë rast nënkupton kur nuk trajtohet kërkesa e palëve të treta për dëme në persona në afat prej 60 ditësh, dhe kur nuk trajtohet kërkesa e palëve të treta për dëme në pasuri në afat prej 15 ditësh.

[...]​​ 

Mos përmbushja e detyrimit nënkupton rastin kur në pamundësi të përcaktimit të dëmit, respektivisht trajtimit të dëmshpërblimit në tërësi, siguruesi përgjegjës është i detyruar t'i paguajë palës së dëmtuar pjesën jo kontestuese të dëmit në formë paradhënie, brenda afatit prej 60 ditësh, për dëmet në persona, dhe brenda afatit prej 15 ditësh për dëmet në pasuri.”

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

  • Gjykata së pari vlerëson nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.​​ 

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:​​ 

 

“1.​​ Gjykata​​ Kushtetuese​​ vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[…]​​ 

7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  • Gjithashtu, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohet në Ligj. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet neneve 47 [Kërkesa Individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:​​ 

 

Neni 47

[Kërkesa Individuale]

 

1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”​​ 

 

Neni 48

​​ [Saktësimi i kërkesës]

 

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.​​ 

 

Neni 49​​ 

[Afatet]

 

“Kërkesa​​ parashtrohet​​ brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.

 

  • Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është:​​ palë e autorizuar;​​ konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin​​ [Rev.Nr. 197/2021]​​ e​​ 6 korrikut 2022​​ të Gjykatës Supreme; ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj, si dhe e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.​​ 

 

  • Përveç​​ kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34​​ [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores se punës. Paragrafi 2 i rregullit 34​​ të Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, pika d e paragrafit 1 dhe paragrafi 2 i rregullit 34​​ të Rregullores së punës përcaktojnë që:

 

"(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:

[...]

(d)​​ Kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.

[...]

(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja​​ nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".

 

  • Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si​​ “qartazi e pabazuar”​​ në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime​​ “të shkallës së katërt”;​​ (ii) pretendime që kategorizohen me një​​ “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”;​​ (iii) pretendime​​ “të pambështetura apo të paarsyetuara”;​​ dhe në fund, (iv) pretendime​​ “konfuze dhe të paqarta”.​​ Këtë ​​ koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”​​ të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet​​ KI40/20, parashtrues​​ Sadik Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021;​​ KI163/18,​​ parashtrues​​ Kujtim Lleshi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 24 qershorit 2020;​​ KI21/21, parashtrues,​​ Asllan Meka, Aktvendim për Papranueshmëri, i 28 prillit 2021,​​ KI107/21, parashtrues​​ Ramiz Hoti, Aktvendim për Papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).

 

  • Në këtë aspekt, dhe fillimisht, Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me​​ aksidentin e parashtruesit​​ ​​ kërkesës, i cili ishte​​ shkaktuar​​ më​​ 8 gusht 2016​​ nga e siguruara e​​ Kompanisë “Siguria”, ndërsa i​​ njëjti​​ kishte pësuar dëme materiale​​ dhe jomateriale.​​ Parashtruesi i​​ kërkesës, më​​ 31 gusht 2016,​​ parashtroi kërkesë për shpërblim dëmi në kompaninë “Siguria”,​​ gjegjësisht, regresim borxhi dhe marrjen e paradhënies për shpenzimet mjekësore që​​ kishte kryer dhe pritej që​​ t’i kryente, mirëpo,​​ duke marrë parasysh që nuk​​ ishte​​ arritur marrëveshja, i njëjti​​ kishte​​ ushtruar padi pranë Gjykatës Themelore më​​ 31 tetor 2016. Kërkesa për kompensim të dëmit material ishte aprovuar nga Gjykata Themelore​​ përmes Aktgjykimit​​ [C.nr.782/16] të 20 shkurtit 2018,​​ në​​ të​​ cilin​​ ishte caktuar kamatëvonesa në lartësi prej 12%​​ (dymbëdhjetë​​ përqind)​​ duke filluar​​ prej ditës së paraqitjes së padisë më 4 nëntor 2016 për dëmin jomaterial ndërsa kamatën prej 12% (dymbëdhjetë përqind) për dëmin material nga dita e nxjerrjes së ekspertizës së akuaristikës më 27 janar 2018.​​ Më​​ pas, duke vepruar sipas ankesës së​​ Kompanisë​​ “Siguria”, Gjykata e Apelit​​ përmes Aktgjykimit [Ac.nr.2824/18] të​​ 2 dhjetorit 2020, ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, ndër të​​ tjera, përkitazi me lartësinë​​ e kamatëvonesës prej 12% (dymbëdhjetë​​ përqind)​​ në​​ 8% (tetë​​ përqind) duke e llogaritur atë​​ nga dita e marrjes së​​ aktgjykimit​​ gjykatës​​ së​​ shkallës së​​ parë​​ më​​ 20 shkurt 2018 e deri në​​ pagesën definitive. Kundër këtij aktgjykimi, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion në​​ Gjykatën Supreme, e cila, ndër të​​ tjera, përmes Aktgjykimit të​​ kontestuar,​​ e vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës së​​ Apelit lidhur me lartësinë​​ e kamatës ndëshkuese prej 8% (tetë​​ përqind) por e ndryshoi momentin e rrjedhjes së​​ saj, respektivisht, nga dita e parashtrimit të​​ padisë​​ më​​ 4 nëntor 2016 për dëmin material, ndërsa, nga dita e nxjerrjes së​​ aktgjykimit të​​ shkallës së​​ parë​​ më​​ 20 shkurt 2018 për dëmin jomaterial.​​ Në kontekst të kësaj të fundit, Gjykata Supreme, ndër të tjera, arsyetoi se kamata e aprovuar nga gjykata e shkallës së parë në lartësi prej 12%​​ (dymbëdhjetë përqind):​​ [...]​​ kur i dëmtuari e pranon ofertën e kompanisë së sigurimeve për kompensim të dëmit, dhe e njëjta vonohet me pagesë të kompensimit, dhe në situatën kur kompania e sigurimeve vonohet me pagesën e paradhënies për pjesën e pakontestueshme të dëmit”.

 

  • Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës​​ pretendon se​​ me Aktgjykimin e kontestuar, atij i është shkelur e drejta e garantuar me nenin​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E Drejta për një Proces të Rregullt) të KEDNJ-së.​​ Në​​ këtë​​ kontekst, parashtruesi i kërkesës konsideron se​​ ky aktgjykim:​​ (i)​​ karakterizohet me mungesë​​ të​​ arsyetimit të​​ vendimit gjyqësor​​ sipas praktikës gjyqësore të​​ Gjykatës dhe GJEDNJ-së​​ dhe​​ është në kundërshtim me​​ lex specialis,​​ përkatësisht, paragrafin 6 të nenit 26 të​​ LSDA-së​​ dhe pikën XII të Mendimit​​ Juridik të​​ Gjykatës Supreme për Kamatën, përkitazi me momentin e rrjedhjes së​​ kamatëvonesës te kërkesat e drejtpërdrejta për shpërblim dëmi dhe lartësisë së​​ saj;​​ si dhe (ii) cenon ​​ parimin e sigurisë juridike për palët dhe pamundëson zhvillimin e një praktike konstante të interpretimit gjyqësor për çështje të ngjashme, të​​ cilin pretendim e mbështet duke iu referuar​​ 3 (tri) Aktgjykimeve të Gjykatës Supreme.

 

  • Në kontekst të pretendimeve të lartcekura, megjithëse parashtruesi i kërkesës përkitazi me aplikimin e​​ paragrafit 2 të​​ nenit​​ 382​​ të LMD-së dhe përjashtimit të aplikimit të paragrafit 6 të nenit 26 të​​ LSDA-së​​ nga Gjykata Supreme, ngrit çështjen e mosarsyetimit të vendimit​​ gjyqësor, Gjykata vëren​​ se​​ ai në thelb pretendon​​ edhe​​ interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit nga ana e Gjykatës Supreme.

 

  • Prandaj, Gjykata dy kategoritë e pretendimeve, respektivisht pretendimin për mosarsyetim të vendimit gjyqësor dhe mungesën e konsistencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme përkitazi me dispozitat ligjore mbi kamatëvonesat në kontekst të​​ LSDA-së​​ dhe të​​ LMD-së, do t’i shqyrtojë​​ duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.​​ 

 

  • Përkitazi me pretendimin për mosarsyetim të vendimit gjyqësor

 

  • ​​ Parimet e përgjithshme lidhur me arsyetimin e vendimeve gjyqësore

 

  • Përkitazi​​ me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata fillimisht thekson se ajo tashmë ka një praktikë të konsoliduar gjyqësore. Kjo praktikë është ndërtuar duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së (përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet​​ Hadjianastassiou kundër Greqisë,​​ nr.​​ 12945/87,​​ Aktgjykim i 16 dhjetorit 1992;​​ Van de Hurk kundër Holandës,​​ nr.​​ 16034/90,​​ Aktgjykim i 19 prillit 1994;​​ Hiro Balani kundër Spanjës,​​ nr. 18064/91,​​ Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994;​​ Higgins dhe të tjerët kundër Francës,​​ nr. 134/1996/753/952,​​ Aktgjykimi i 19 shkurtit 1998;​​ Garcia Ruiz kundër Spanjës,​​ nr. 30544/96,​​ Aktgjykimi i 21 janarit 1999;​​ Hirvisaari kundër Finlandës,​​ nr. 49684/99,​​ Aktgjykim i 27 shtatorit 2001;​​ Suominen kundër Finlandës,​​ nr. 37801/97,​​ Aktgjykim i 1 korrikut 2003;​​ Buzescu kundër Rumanisë,​​ nr. 61302/00,​​ Aktgjykim i 24 majit 2005;​​ Pronina kundër Ukrainës,​​ nr. 63566/00,​​ Aktgjykim i 18 korrikut 2006; dhe​​ Tatishvili kundër Rusisë,​​ nr. 1509/02,​​ Aktgjykimi i 22 shkurtit 2007. Për më tepër, parimet themelore sa i përket të drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor janë elaboruar po ashtu në rastet e kësaj Gjykate, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në​​ KI22/16, parashtrues​​ Naser Husaj,​​ Aktgjykim i 9 qershorit 2017;​​ KI97/16, parashtrues​​ IKK Classic,​​ Aktgjykim i 9 janarit 2018;​​ KI143/16, parashtrues​​ Muharrem Blaku dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 13 qershorit 2018;​​ KI87/18, parashtrues i kërkesës​​ IF Skadiforsikring, Aktgjykim, i 27 shkurtit 2019, dhe​​ KI24/17, parashtrues​​ Bedri Salihu, Aktgjykim, i 27 majit 2019,​​ KI35/18, parashtrues​​ Bayerische Versicherungsverbrand, Aktgjykim, i 11 dhjetorit 2019; si dhe rastin e Gjykatës​​ KI230/19, parashtrues​​ Albert Rakipi,​​ Aktgjykim i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 135, KI09/20, me parashtrues​​ "SUVA" Rechtsabteilung,​​ Aktgjykim i 31 majit 2021, paragrafi 55, KI188/20, me parashtrues​​ "SUVA" Rechtsabteilung,​​ Aktgjykim i 14 qershorit 2021, paragrafi 66).

 

  • ​​ parim, Gjykata thekson se ​​ garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës përfshijnë detyrimin që gjykatat të japin arsye të mjaftueshme për vendimet e tyre (shih, rastin e Gjykatës,​​ KI230/19, parashtrues​​ Albert Rakipi,​​ cituar më lart, paragrafi 139).​​ 

 

  • Gjykata, po ashtu thekson se, bazuar në praktikën e saj gjyqësore, e cila mbështetet në praktikën gjyqësorë të GJEDNJ-së, gjatë vlerësimit të parimit, i cili i referohet administrimit të duhur të drejtësisë, vendimet e gjykatave duhet të përmbajnë arsyetimin në të cilat ato bazohen. Shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret. Janë argumentet thelbësore të parashtruesve të kërkesës që duhet të adresohen dhe arsyet e dhëna duhet të jenë të bazuara në ligjin e aplikueshëm (shih, në mënyrë të ngjashme, rastet e GJEDNJ-së Garcia Ruiz kundër Spanjës,​​ cituar më​​ lart,​​ paragrafi 29;​​ Hiro Balani kundër Spanjës,​​ cituar më lart, paragrafi 27; dhe​​ Higgins dhe të tjerët kundër Francës,​​ cituar më lart,​​ paragrafi 42, shih, po ashtu, rastin e Gjykatës KI97/16, parashtrues​​ IKK Classic, cituar më lart, paragrafi 48; dhe rastin KI87/18​​ me parashtrues​​ IF Skadeforsikring, cituar më lart, paragrafi 48). Duke mos kërkuar një përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës, ky obligim​​ nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar (shih rastin​​ Morerira Ferreira kundër Portugalisë,​​ nr. 19808/08,​​ Aktgjykim, i 5 korrikut 2011 paragrafi 84 dhe të gjitha referencat e përdorura aty; si dhe rastet​​ e Gjykatës,​​ KI230/19, parashtrues​​ Albert Rakipi,​​ cituar më lart, paragrafi 137, dhe​​ KI09/20, me parashtrues​​ "SUVA" Rechtsabteilung,​​ cituar më​​ lart, paragrafi 57).

 

  • Përveç​​ kësaj, Gjykata i referohet edhe praktikës së​​ saj gjyqësore ku ajo përcakton se arsyetimi i vendimit duhet të​​ theksojë​​ raportin ndërmjet konstatimeve të​​ meritës dhe shqyrtimit të​​ provave nga njëra anë, dhe konkluzionet ligjore të​​ gjykatës, nga ana tjetër. Aktgjykimi i gjykatës do të​​ shkelë​​ parimin kushtetues të​​ ndalimit të​​ arbitraritetit në​​ vendimmarrje, në​​ qoftë​​ se arsyetimi i dhënë​​ nuk i përmban faktet e vërtetuara, dispozitat ligjore dhe marrëdhënien logjike midis tyre (shih rastet e Gjykatës KI 87/18,​​ me​​ parashtrues​​ IF Skadeforsikring",​​ cituar më lart, paragrafi 44;​​ KI138/19,​​ parashtrues​​ Ibish Raci,​​ Aktvendim për Paparanueshmëri i 28 dhjetorit 2020, paragrafi 45; si dhe rastet​​ e Gjykatës KI230/19, parashtrues​​ Albert Rakipi,​​ cituar më lart, paragrafi 138, dhe​​ KI09/20, me parashtrues​​ "SUVA" Rechtsabteilung,​​ cituar më​​ lart, paragrafi​​ 58).

 

  • Aplikimi i parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret

 

  • Gjykata rikujton se në rrethanat e rastit konkret, pretendimet e parashtruesit të kërkesës përkitazi me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme konsistojnë në atë se Gjykata Supreme​​ ka vendosur në​​ kundërshtim me​​ lex specialis,​​ përkatësisht, paragrafin 6 të nenit 26 të​​ LSDA-së​​ dhe pikën XII të Mendimit Juridik të​​ Gjykatës Supreme për Kamatën, dhe se Aktgjykimi i kontestuar si​​ i tillë​​ është​​ kundërthënës dhe​​ karakterizohet​​ me​​ mungesë​​ të​​ arsyetimit për sa i përket momentit të kamatëvonesës te kërkesat e drejtpërdrejta për shpërblim dëmi dhe lartësisë së kamatëvonesës. Po ashtu, parashtruesi i kërkesës pretendon se arsyetimi i Aktgjykimit të Gjykatës Supreme është në kundërshtim me gjendjen faktike.​​ 

 

  • Po ashtu, Gjykata vëren se Kompania “Siguria”, në përgjigjen e saj të 13 marsit 2023, ndaj Njoftimit të Gjykatës për regjistrimin e kësaj kërkese, përmes përfaqësuesit të saj ligjor, pretendon se e njëjta bazuar në mendimin e ekspertit mjekësor i ka ofruar parashtruesit të kërkesës kompensimin e dëmit duke e konsideruar dëmin në tërësi dhe me këtë ka përjashtuar nga rrethanat e pagesës së dëmit jokontestues në formë të paradhënies, por, parashtruesi i kërkesës nuk ka pranuar ofertën dhe me qëllim të realizimit të të drejtave të tij ka ndjekur procedurën gjyqësore, andaj, sipas saj, duhet të aplikohet lartësia e kamatës prej 8% (tetë përqind), siç është e përcaktuar me LMD-në.

 

  • Në kontekst të pretendimeve të lartcekura, Gjykata rikujton arsyetimin e Gjykatës Supreme në Aktgjykimin [Rev.​​ Nr.197/2021], ku theksohet si në vijim:

 

“Me Ligjin për marrëdhëniet e detyrimeve, në Nenin 382, paragrafi 1, është paraparë e drejta e Kreditorit në kamatëvonesën në rastin kur Debitori vonohet në përmbushje të detyrimit. Në paragrafin 2 të Nenit të njëjtë është përcaktuar lartësia e kamatëvonesës në tetë (8%) përqind në vit. Kamatëvonesa e përcaktuar me nenin 26, paragrafi 6 të Ligjit për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, nuk mund të aplikohet në rastin konkret. Kjo për arsye se ligji në fjalë në paragrafin 6 të nenit 26, shprehimisht përcakton situatat se kur aplikohet kjo, më saktësisht atëhere kur i dëmtuari e pranon ofertën e kompanisë së sigurimeve për kompensim të dëmit, dhe e njëjta vonohet me pagesë të kompensimit, dhe në situatën kur kompania e sigurimeve vonohet me pagesën e​​ paradhënies për pjesën e pakontestueshme të dëmit. Meqenëse në këtë rast nuk bëhet fjalë për një situatë të tillë atëherë as nuk ka hapësirë për aplikim të kësaj kamatëvonese, përveç; asaj të paraparë me Ligjin për marrëdhëniet e detyrimeve.

 

  • Gjykata vëren që Gjykata Supreme ka përjashtuar aplikueshmërinë e paragrafit 6 të nenit 26 (kamatëvonesën në lartësi prej 12%) të​​ LSDA-së​​ duke arsyetuar se​​ e​​ njëjta​​ aplikohet vetëm në rastet​​ kur i dëmtuari e pranon ofertën e kompanisë së sigurimeve për kompensim të dëmit, dhe e njëjta vonohet me pagesë të kompensimit, dhe në situatën kur kompania e sigurimeve vonohet me pagesën e paradhënies për pjesën e pakontestueshme të dëmit.​​ 

 

  • Në​​ këtë​​ drejtim, Gjykata i referohet nenit 382, paragrafit 2 të​​ LMD-së, i cili përcakton që:​​ Lartësia e kamatëvonesës​​ është​​ tetë​​ përqind (8%) në​​ vit, përveç​​ nëse parashihet ndryshe me ligj të​​ veçantë.​​ Ndërsa,​​ sipas ligjit të veçantë, gjegjësisht,​​ paragrafit​​ 6​​ ​​ nenit 26 të​​ LSDA-së​​ përcaktohet​​ që:​​ Në​​ rast të​​ mosrespektimit të​​ afateve të​​ përcaktuara në​​ paragrafin 1. të​​ këtij neni, dhe mospërmbushjes së​​ detyrimit në​​ pagesën e paradhënies nga paragrafi 4. i këtij neni, siguruesi përgjegjës konsiderohet të​​ jetë​​ në​​ vonesë​​ në​​ përmbushjen e detyrimit për dëmshpërblim, duke u ngarkuar me pagesë​​ të​​ interesit për vonesë. Ky interes paguhet në​​ lartësi prej 12 % të​​ interesit vjetor dhe llogaritet për​​ çdo ditë​​ vonesë​​ deri në​​ shlyerjen e dëmshpërblimit nga siguruesi përgjegjës, duke filluar nga data e paraqitjes së​​ kërkesës për dëmshpërblim.

 

  • Gjykata​​ vëren se Gjykata Supreme më 1 dhjetor 2020, në Seancën e ​​ saj të Përgjithshme ka miratuar Mendimin juridik për Kamatën,​​ ku​​ ​​ arsyetimin e pikës IX të​​ saj, ndër të​​ tjera, përcakton si vijon:

 

“[...] Përveç të cekurave Gjykata Supreme vlerëson se shkalla/lartësia e kamatëvonesës vjetore prej 12%, nuk mund të zbatohet edhe për shkak të faktit se sipas dispozitave të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto Përgjegjësia, nr.04/L-018, i shpallur në Gazetën Zyrtare me nr.4, me datën 14 korrik 2011, i cili ka hyrë në fuqi me datën 30 korrik 2011, interesi vjetor 12%, vjen në shprehje për shkak të neglizhencës së kompanive të sigurimeve (të cilat pastaj paraqiten si kreditor regresues), sepse sikur kreditorët regresues t’i kishin trajtuar konform përgjegjësive ligjore kërkesat e palëve të treta, ndaj tyre nuk do të mund të zbatohej shkalla/lartësia e kamatëvonesës prej 12%, në vendimet e gjykatës, por do të zbatohej shkalla/lartësia si për mjetet e deponuara mbi një vit pa destinim të caktuar, apo shkalla/lartësia prej 8%, varësisht se cili ligj ka qenë në fuqi në kohën e lindjes së marrëdhënies së detyrimit.”​​ 

 

  • Në lidhje me aplikueshmërinë e nenit 26 të LSDA-së,​​ Gjykata po ashtu i referohet edhe arsyetimit të​​ pikës XII të Mendimit juridik të Gjykatës Supreme, i cili përcakton si në vijim:

 

“[...] Me dispozitat e nenit 26 te Ligjit per Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto Përgjegjësia, nr.04/L-018, i shpallur në​​ Gazetën Zyrtare nr.4, me datën 14 korrik 2011, i cili ka hyrë​​ në​​ fuqi me datën 30 korrik 2011, janë​​ rregulluar dy​​ çështje dhe atë: lartësia e interesit vjetor prej 12% në​​ rast të​​ mosrespektimit të​​ afateve dhe mos përmbushjes së​​ detyrimit, si dhe momenti/periudha prej kur fillonë​​ rrjedh kamata e që​​ është​​ dita e parashtrimit të​​ kërkesës për dëmshpërblim e deri në​​ pagesën e plotë. Mos respektimi i afateve në​​ këtë​​ rast nënkupton kur nuk trajtohet kërkesa e palëve të​​ treta për dëme në​​ persona në​​ afat prej 60 ditësh, dhe kur nuk trajtohet kërkesa e palëve të​​ treta për dëme në​​ pasuri në​​ afat prej 15 ditësh. [...]”

 

  • Gjykata, bazuar në parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën në një vendim të arsyetuar gjyqësor e të shtjelluara më lart, rikujton se në adresimin e pretendimeve të parashtruesve përkatës, gjykatat e rregullta, janë të detyruara që të japin përgjigje, ndër të tjera, lidhur me ato pretendime të cilat janë thelbësore ose përcaktuese për rrethanat e një rastit.

 

  • Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se në përcaktimin e kamatëvonesës “në lartësi prej 8%”​​ sipas paragrafit 2 të nenit 382 të LMD-së,​​ Gjykata Supreme​​ specifikoi se përkitazi me lartësinë ​​ kamatëvonesës në rastin e parashtruesit të kërkesës, paragrafi 6 i nenit 26 të LSDA-së nuk është i aplikueshëm.​​ 

 

  • Bazuar në​​ atë​​ si më​​ sipër, Gjykata konsideron se​​ arsyetimi​​ i​​ dhënë​​ nga Gjykata Supreme lidhur me interpretimin e saj se cili ligj do të​​ zbatohet përkitazi me lartësinë​​ e kamatëvonesës në​​ Aktgjykimin e kontestuar,​​ ​​ ka arritur të​​ shpjegojë ​​​​ raportin midis fakteve të​​ paraqitura dhe zbatimit të​​ ligjit në​​ të​​ cilin ajo​​ është​​ thirrur, gjegjësisht në​​ çfarë​​ mënyre ato vijnë​​ në​​ korrelacion me njëra tjetrën dhe se si kanë​​ ndikuar ato në​​ vendimin e Gjykatës Supreme që​​ ta​​ vërtetojë​​ vendimin​​ e gjykatës​​ të​​ shkallës më​​ të​​ ulët​​ dhe ta ndryshojë​​ atë​​ të​​ gjykatës së​​ shkallës së​​ parë​​ përkitazi me ​​ përcaktimin e lartësisë​​ së​​ kamatëvonesës.​​ 

 

  • Gjykata rithekson se Gjykata Supreme përmes ​​ Aktgjykimit të saj të kontestuar ka adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës të paraqitura në kërkesën e tij, dhe për pasojë konsideron se nuk rezulton se procedurat e zhvilluara të kenë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme”​​ që do ta bënte vendimmarrjen e tyre të papajtueshme me standardet e një vendimi të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor (shih,​​ mutatis mutandis,​​ rastin e Gjykatës,​​ KI55/19, parashtrues​​ Ramadan Osmani, Aktvendim për Papranueshmëri, i 23 janarit 2020, paragrafi 46).

 

  • Në këtë kontekst, Gjykata, duke u bazuar në​​ sqarimet si me sipër, dhe në​​ mënyrë​​ specifike duke marrë​​ parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesit e kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ata, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të​​ rregullta e të​​ shtjelluara më​​ lart, konsideron se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk karakterizohet me mungesë​​ të​​ vendimit të​​ arsyetuar gjyqësor. Rrjedhimisht, pretendimi i parashtruesve të​​ kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të​​ arsyetuar gjyqësor në​​ kuptim të​​ nenit 31 të​​ Kushtetutës, në​​ lidhje me nenin 6 të​​ KEDNJ-së​​ është​​ qartazi i pabazuar në​​ baza kushtetuese në​​ mungesë​​ të​​ dukshme ose evidente të​​ shkeljes​​ ashtu siç​​ përcaktohet me rregullin 34​​ (2)​​ ​​ Rregullores së​​ punës.​​ 

 

  • Rrjedhimisht dhe në vijim, Gjykata do të shtjellojë​​ pretendimet e parashtruesit të​​ kërkesës​​ që kanë të bëjnë me konsistencën e praktikës gjyqësore​​ në​​ Gjykatën Supreme.​​ 

 

  • Për sa i përket pretendimeve që ndërlidhen me konsistencën e praktikës gjyqësore​​ 

 

  • Gjykata​​ fillimisht thekson se parimet dhe kriteret e vendosura nga GJEDNJ, ​​ kjo Gjykatë gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesve për cenimin e parimit të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse i ka zbatuar edhe në praktikën e saj gjyqësore. (Shih rastet e Gjykatës​​ KI87/18, parashtrues “IF Skadeforsikring”, Aktgjykim, i 27 shkurtit 2019 dhe​​ KI35/18, parashtrues​​ Bayerische Versicherungsverbrand,​​ cituar më lart,​​ KI133/20, parashtrues​​ Raiffeisen Bank J.S.C., Aktgjykim i 30 marsit 2022;​​ KI78/21, parashtrues​​ Raiffeisen Bank J.S.C., Aktgjykim i 30 marsit 2022, ku Gjykata, ndër të tjera, konstatoi shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të​​ cenimit të parimit të sigurisë juridike, si rezultat i divergjencës në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së).

 

  • Duke iu referuar parimeve të përcaktuara të GJEDNJ, Gjykata rikujton se GJEDNJ-ja përdor tri kritere themelore për të përcaktuar​​ nëse një divergjencë e vendimeve gjyqësore e pretenduar përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, dhe të cilat përcaktojnë si në vijim: (i) nëse ​​ ekzistojnë ​​ dallime “të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore; (ii) nëse ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (iii) nëse ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti (në këtë kontekst, shih rastet e GJEDNJ-së,​​ Beian kundër Rumanisë​​ (nr.1), nr. 30658/05, Aktgjykim i 6 dhjetorit 2007, paragrafët 37 -39;​​ Famullia Katolike Greke Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 76943/11, Aktgjykimi i 29 nëntorit 2016, paragrafët 116 - 135;​​ Iordan Iordanov dhe të tjerët kundër Bullgarisë,​​ nr. 23530/02,​​ Aktgjykim i 2 korrikut 2009, paragrafët 49-50;​​ Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë,​​ nr.​​ 13279/05,​​ Aktgjykim i 20 tetorit 2011, paragrafi 53; dhe shih rastet e Gjykatës,​​ KI29/17, parashtrues​​ Adem Zhegrova,​​ Aktvendim për Papranueshmëri, i 5 shtatorit 2017, paragrafi 51; dhe​​ KI107/19,​​ parashtrues​​ Gafurr Bytyqi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 74; dhe shih gjithashtu rastet e Gjykatës,​​ KI42/17, me parashtrues​​ Kushtrim Ibraj,​​ Aktvendim për papranueshmëri i 25 janarit 2018,​​ paragrafi 39; ​​ KI87/17, parashtrues “IF Skadiforsikring”,​​ të cituar më lart,​​ paragrafi 67; KI35/18,​​ parashtrues “Bayerische Versicherungsverbrand”,​​ të cituar më lart,​​ paragrafi 70).​​ 

 

  • Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton se në esencë parashtruesi i kërkesës pretendon së në rastin e tij, Gjykata Supreme ka vendosur ndryshe përkitazi më lartësinë e kamatëvonesës, duke vepruar në kundërshtim me praktikën e saj gjyqësore. Më specifikisht, parashtruesi i kërkesës thekson se: “Dështimi i Gjykatës Supreme, për të dhënë arsyetim adekuat dhe të mjaftueshëm në bazë të ligjit, cenon edhe parimin e sigurisë juridike për palët dhe pamundëson zhvillimin e një praktike konstante të interpretimit gjyqësor për çështje të ngjashme”.​​ Në mbështetje të argumenteve të tij, ai iu referohet 3​​ (tri) Aktgjykimeve të Gjykatës Supreme, si në vijim:​​ ​​ (i) Aktgjykimit [E.Rev.nr. 23/2017] të 14 dhjetorit 2017; (ii) Aktgjykimit [E.Rev.nr. 27/2018] të 24 shtatorit 2018; dhe (iii) Aktgjykimit​​ [E.Rev.nr. 22/2019] të 1 gushtit 2019.​​ 

 

  • Gjykata thekson se​​ si rezultat i konstatimeve të​​ divergjencave në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, gjegjësisht​​ shkeljes së​​ nenit 31 të​​ Kushtetutës, në​​ lidhje me nenin 6 të​​ KEDNJ-së​​ në​​ një numër të rasteve​​ të​​ Gjykatës, të​​ cituara më​​ lart, gjegjësisht Aktgjykimin në​​ rastin KI87/17,​​ me parashtrues “IF Skadiforsikring”,​​ si​​ dhe Aktgjykimin në​​ rastin KI35/18,​​ me​​ parashtrues “Bayerische Versicherungsverbrand”,​​ Gjykata Supreme​​ bazuar në​​ kompetencën​​ e saj të​​ përcaktuar në​​ pikën 4 të paragrafit 1 të nenit 26 (Kompetencat e Gjykatës Supreme) të​​ Ligjit​​ nr.​​ 06/L-054 për Gjykatat,​​ më 1 dhjetor 2020, në Seancën e ​​ saj të Përgjithshme,​​ ka miratuar Mendimin juridik për Kamatën lidhur me ligjin e aplikueshëm, lartësinë dhe periudhën e llogaritjes së saj, ku në pikën e saj të IX (nëntë) ka adresuar çështjen e kamatës sa i përket situatës së regresit të kërkesave nga të gjitha bazat e përgjegjësisë, si dhe në pikën XII (dymbëdhjetë) të saj ka përcaktuar përjashtimet nga ky rregull sa i përket situatës me kërkesat e palëve të treta ndaj Kompanive të Sigurimeve.

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata marrë parasysh​​ faktin se aktgjykimet e Gjykatës Supreme, të​​ cilave parashtruesi i kërkesës iu referohet në​​ kontekst të​​ pretendimit të​​ tij për divergjencë​​ në​​ praktikën gjyqësore të​​ kësaj të​​ fundit, janë​​ nxjerrë​​ para​​ Mendimit​​ Juridik​​ për Kamatën,​​ ​​ 1 dhjetorit 2020,​​ nga ana e​​ Gjykatës Supreme,​​ konsideron​​ se në rrethanat e rastit konkret,​​ Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme​​ nuk është i​​ përfshirë në​​ cenim te parimit te​​ sigurisë​​ juridike dhe në​​ shkelje të së​​ drejtës për​​ gjykim të​​ drejtë​​ dhe të​​ paanshëm të​​ parashtruesit te kërkesës, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së​​ (shih rastet e Gjykatës, përfshirë​​ por duke mos u kufizuar në​​ to,​​ dhe​​ të​​ cilat janë​​ vendosur pas nxjerrjes së​​ Mendimit Juridik të​​ Gjykatës Supreme,​​ KI74/19, parashtrues​​ “Suva Rechtsabteilung”,​​ Aktgjykim i 28 prillit 2021, paragrafi 80;​​ KI111/19,​​ parashtrues​​ “Suva Rechtsabteilung”,​​ Aktgjykim i 28 prillit 2021, paragarfi 89;​​ KI188/20, parashtrues​​ “Suva Rechtsabteilung”,​​ Aktgjykim i 28 prillit 2021, paragrafi 64; dhe​​ KI09/20, parashtrues​​ “Suva Rechtsabteilung”,​​ Aktgjykim i 28 prillit 2021).

 

  • Prandaj, Gjykata konstaton​​ se​​ pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit​​ 31 të Kushtetutës​​ përkitazi me divergjencë në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme​​ janë pretendime​​ qartazi të pabazuara​​ në baza kushtetuese në​​ “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”​​ ashtu siç përcaktohet me rregullin 34​​ (2) të Rregullores së punës.​​ 

 

Përfundim

 

  • Prandaj dhe përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme:​​ 

 

  • Përkitazi me​​ pretendimin për mosarsyetim të vendimit gjyqësor​​ si​​ qartazi e pabazuar në baza kushtetuese​​ në baza kushtetuese​​ ​​ “mungesë evidente të shkeljes”​​ ashtu siç është përcaktuar me rregullin 34​​ (2) të Rregullores së Punës;

​​ 

  • Përkitazi me​​ pretendimin për divergjencë në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme​​ si qartazi e​​ pabazuar​​ në baza kushtetuese​​ në​​ “mungesë evidente të shkeljes”​​ ashtu siç është përcaktuar me rregullin 34​​ (2) të Rregullores së Punës;

 

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 20,​​ dhe​​ 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat​​ 34​​ (2), si dhe​​ 48 (1)​​ (b) të Rregullores së punës, më​​ 30 gusht​​ 2023, njëzëri:

 

VENDOS

 

  • TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  • T'UA KUMTOJË​​ këtë Aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare​​ të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit; dhe

 

  • TË KONSTATOJË që ky vendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.​​ 

 

 

 

 

 

Gjyqtar raportues     ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

 

Nexhmi Rexhepi​​     ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Gresa Caka-Nimani​​ 

Parashtruesit:

Avni Selmani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile