Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, E. Rev. nr. 27/2017, të 24 janarit 2018

Nr. të lëndës KI 87/18

Parashtruesit: „IF Skadeforsikring“

Shkarko:

KI87/18, Parashtruesi i kërkesës: Kompania e Sigurimeve „IF Skadeforsikring“, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, E. Rev. nr. 27/2017, të 24 janarit 2018, i cili i është dorëzuar më 7 mars 2018

KI87/18, Aktgjykim i 27 shkurtit 2019, publikuar 15 prill 2019 

Fjalët kyç: kërkesë individuale, aktgjykim, shkelje e nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së  

Parashtruesi pretendoi se neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së janë shkelur për shkak të mungesës së arsyetimit të Aktgjykimit, përkatësisht se Gjykata Supreme nuk ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm dhe adekuat përkitazi me ndryshimin e Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit Ae. nr. 191/2015, lidhur me kamatëvonesën, prandaj ai konsideron se me këtë është shkelur parimi i së drejtës për një vendim gjyqësor të arsyetuar, si dhe parimi i sigurisë juridike sepse gjykata nuk ka pasur një praktikë konsistente gjyqësore, dhe për këtë ai dorëzoi në Gjykatë disa vendime të Gjykatës Supreme.

Gjykata, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit, konkludoi se Gjykata Supreme në aktgjykimet krahasuese, të cilat korrespondojnë plotësisht me gjendjen juridike dhe faktike të aktgjykimit në fjalë, kishte nxjerrë aktgjykime me arsyetime juridike të cilat dallojnë nga aktgjykimi i kontestuar, dhe atë si për çështjen e llogaritjes së normës së interesit dhe llogaritjes së afateve kohore, ashtu edhe për çështjen e zbatueshmërisë së ligjit.

Për më tepër, Gjykata vërejti se Gjykata Supreme as në aktgjykimet krahasuese nuk mori një qëndrim konsistent lidhur me llogaritjen e normave të kamatës, ku në ato raste kishte dhënë edhe arsyetime të ndryshme juridike. Si të tilla, ato shpien në konkludimin se praktika e Gjykatës Supreme për këtë çështje nuk është konsistente, gjë që ndikon drejtpërsëdrejti në sigurinë juridike.

Prandaj, Gjykata Kushtetuese gjeti se Gjykata Supreme si gjykatë e instancës së fundit për të vendosur në rastin konkret të parashtruesit të kërkesës, duke marrë një qëndrim të ndryshëm në Aktgjykimin e kontestuar në një rast i cili është plotësisht identik ose i ngjashëm me rastet e tjera, pa dhënë një arsyetim të qartë dhe të mjaftueshëm për këtë, ka shkelur të drejtën e parashtruesit të kërkesës për një vendim të arsyetuar gjyqësor, që çoi edhe në shkelje të parimit të sigurisë juridike si një nga komponentët themelor të sundimit të ligjit, i cili gjithashtu është një element i pandashëm i së drejtës për gjykim të drejtë sipas nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 paragrafi 1 të KEDNJ-së.

Parashtruesit:

„IF Skadeforsikring“

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale