Prishtinë, më 3 janar 2024
Nr. ref.:RK 2312/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI71/22
Parashtrues
Muhamet Mehmeti
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev.nr.398/2021], të 20 dhjetorit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Muhamet Mehmeti, të cilin e përfaqëson Fatbardh Makolli, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Rev.nr.398/2021] të 20 dhjetorit 2021, të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Aktgjykimi [Rev.nr.398/2021] i 20 dhjetorit 2021, i Gjykatës Supreme, i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 25 janar 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr.398/2021] të Gjykatës Supreme, të 20 dhjetorit 2021, përmes të cilit pretendohet se janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenin 3, paragrafi 2 [Barazia para Ligjit], nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovë (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 22 (Procedimi i kërkesës) dhe nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatë
Më 23 maj 2022, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës përmes postës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 26 maj 2022, Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën nga parashtruesi i kërkesës.
Më 30 maj 2022, Kryetarja e Gjykatës, me vendimin [Nr.GJR.KI71/22], caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci gjyqtare raportuese dhe me vendimin [Nr.KSH.KI71/22], Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesues), Safet Hoxha dhe Radomir Laban, anëtarë.
Më 10 qershor 2022, Gjykata: (i) njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës; (ii) i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme dhe (iii) i dërgoi një kopje të kërkesës “Telekomi i Kosovës” Sh.A.
Më 6 korrik 2022, Gjykata pranoi një shkresë nga Telekomi i Kosovës lidhur me kërkesën e parashtruesit të kërkesës.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dhe betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç'rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 5 maj 2023, Gjykata i dërgoi një shkresë: (i) përfaqësuesit të parashtruesit të kërkesës duke kërkuar nga i njëjti që të sqarojë se a ka parashtruar përgjigje në revizion para Gjykatës Supreme, dhe të njëjtën ta dorëzoi në Gjykatë për të vërtetuar se a i ka paraqitur pretendimet e njëjta edhe para Gjykatës Supreme; dhe (ii) Gjykatës Themelore, duke kërkuar informacion se a ka paraqitur parashtruesi i kërkesës përgjigje në revizion dhe nëse parashtruesi ka përfshirë pretendimet që përmban kërkesa e tij para Gjykatës në përgjigjen në revizion për të vërtetuar se të njëjtat janë ngritur edhe para gjykatave të rregullta, respektivisht Gjykatës Supreme.
Më 12 maj 2023, Gjykata pranoi një shkresë nga Gjykata Themelore në lidhje me kërkesën e Gjykatës, por që nuk mjaftoi të dëshmojë nëse parashtruesi i kërkesës ka paraqitur përgjigje në revizion dhe i ka ngritur pretendimet e tij para Gjykatës Supreme.
Më 23 maj 2023, Gjykata për të pasur informacion të plotë të informatave lidhur me rastin konkret, kërkoi nga Gjykata Themelore që të dorëzojë dosjen e plotë të lëndës.
Më 1 qershor 2023, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi një shkresë në Gjykatë, por që e njëjta nuk përmbante përgjigjen në revizion apo ndonjë sqarim lidhur me kërkesën e Gjykatës.
Më 14 qershor 2023, Gjykata pranoi dosjen e plotë të lëndës nga Gjykata Themelore.
Më 14 nëntor 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës ta deklarojë kërkesën të papranueshme për shqyrtim.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Nga shkresat e lëndës, Gjykata vëren se esenca e çështjes ka të bëjë me uljen e pagës së parashtruesit të kërkesës nga grada 11 në gradën 9 nga Telekomi i Kosovës përmes Aktvendimit nr.1040-108/2012, të 7 marsit 2012 dhe lartësinë e pagesës për diferencën e pagave në mes gradës 11 dhe 9 përgjatë periudhës për sa ka qenë në fuqi vendimi i atakuar i Telekomit të Kosovës.
Më 23 mars 2012, parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar ankesë tek Telekomi i Kosovës lidhur me vendimin për zvogëlimin e pagës së tij, me propozimin që të anulohet aktvendimi kontestues dhe të vazhdohet me pagesën e pagës në lartësinë e paraparë me kontratën e punës. Meqenëse nuk kishte marrë ndonjë përgjigje lidhur me ankesën e tij, i njëjti kishte iniciuar kontest gjyqësor.
Më 15 maj 2012, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Civile (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) kundër Telekomit të Kosovës, duke kërkuar që (i) të anulohet si i kundërligjshëm aktvendimi nr. 1040- 108/2012, i 7 marsit 2012, dhe (ii) të detyrohet PTK Sh.A. (tani Telekomi i Kosovës) që në emër të diferencës së pagës në mes gradës 11 dhe 9 për periudhën kohore prej datës 1 shkurt 2012 deri më datën 10 tetor 2016 t’ia paguaj në shumën neto prej 13,381.45 euro, me kamatë ligjore në shumën 4473.10 euro; të paguaj shumën prej 1,447.06 euro në llogarinë e parashtruesit në Trustin Pensional të Kosovës dhe të paguaj shumën prej 365.64 euro në Administratën Tatimore në afat prej 7 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit; si dhe (iii) të detyrohet Telekomi i Kosovës t’i paguaj shpenzimet e procedurës (shuma 208 euro në emër të përpilimit të padisë, shumën 208 euro për precizimin e kërkesëpadisë, shumën 270 euro për përfaqësim për çdo seancë, shumën 150 euro për ekspertizë financiare si dhe taksën gjyqësore për aktgjykim dhe padi).
Parashtruesi i kërkesës përmes padisë së lartëcekur, parashtresës për precizimin e kërkesëpadisë dhe në seancat gjyqësore kishte deklaruar se me Telekomin e Kosovës ka lidhur kontratën e punës me nr. 01-2880-2820/2011, më 20 tetor 2011, për vendin e punës Koordinator për shitje, marketing dhe mbështetje në Njësinë TIK, me pagë mujore në lartësi të gradës 11, por që kishte pretenduar se “ e paditura në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Punë, ku parashihet se paga caktohet me marrëveshjen e palëve, e njëjta ka nxjerrë vendimin nr. 1040-108/2012, dt. 07.03.2012 me të cilin paditësit i caktohet paga në lartësi të gradës 9.”
Më 15 shkurt 2013, Telekomi i Kosovës kishte paraqitur përgjigje në padi duke e kontestuar në tërësi kërkesëpadinë me pretendimin se padia e parashtruesit të kërkesës nuk përmban faktet mbi të cilat paditësi e bazon kërkesën dhe provat me të cilat vërtetohen faktet e pretenduara. Tutje, Telekomi i Kosovës kishte theksuar se: “aktvendimi mbi caktimin e lartësisë së të ardhurave personale për paditësin – ulja e gradës është vendim ligjor që është marrë në harmoni të plotë me kompetencat dhe autorizimet e Kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, respektivisht në mbështetje të plotë me vendimin e aksionarit, gjegjësisht Qeverisë së Kosovës, Ministrisë për Zhvillim Ekonomik (MZHE) të datës 06.12.2011, me të cilin vendim është kërkuar reduktimi i shpenzimeve për personelin e PTK-së, përfshirë edhe reduktimin”. Në këtë drejtim, Telekomi i Kosovës kishte paraqitur vërejtje edhe ndaj ekspertizës duke e cilësuar si të panevojshme dhe të pasaktë për shkakun se kërkesëpadisë i mungon baza juridike dhe e njëjta ishte e përfshirë me parashkrim absolut.
Më 30 nëntor 2016, Gjykata Themelore nëpërmjet Aktgjykimit [C.nr.204/16]:
E aprovoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe e anuloi aktvendimin nr . 1040/108/2012 të 7 marsit 2012;
E detyroi Telekomin e Kosovës që t’ia paguaj parashtruesit të kërkesës shumën 13,381.45 euro, me kamatë ligjore nga data 1 shkurt 2012 deri në pagesën definitive në emër të diferencës së pagës në mes gradës 11 dhe 9 për periudhën kohore prej 1 shkurtit 2012 deri më 10 tetor 2016; shumën prej 1,447.06 euro në llogarinë e parashtruesit të kërkesës në Trustin Pensional dhe shumën 365.64 euro në Administratën tatimore ; si dhe
E detyroi Telekomi e Kosovës të paguaj shpenzimet e procedurës në shumën prej 725 euro.
Në arsyetimin e Aktgjykimit [C.nr.204/16], Gjykata Themelore, ndër të tjera, theksoi:
“ Gjykata pas vlerësimit me kujdes dhe ndërgjegje të secilës provë veç e veç dhe në ndërlidhje me njëra tjetrën, gjeti se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar pasi që nga provat e shqyrtuara është vërtetuar se paditësi në cilësinë e punëmarrësit dhe e paditura në cilësinë e punëdhënësit, me datë 20.10.2011, kanë lidhur kontratën e punës 01-2880-2820/2011 në kohë të pacaktuar, me të cilën kontratë paditësi te e paditura është caktuar në vendin e punës Kordinator për shitje, marketing dhe mbështetje në Njësinë TIK Prishtinë, me pagë mujore në lartësi të gradës 11, gjegjësisht palët kontraktuese raportin e tyre si punëdhënës dhe punëmarrës e kanë rregulluar me kontratën e punës (...) ashtu siç parashihet me dispozitat e nenit 11 të Ligjit të Punës. Prandaj çdo ndryshim i kushteve të kontratës nga njëra palë, pa miratimin e palës tjetër kontraktuese, nuk mund të prodhoj efekt juridik. Në këtë kuptim gjykata duke iu referuar vendimit të të paditurës me të cilin paditësit i janë caktuar të ardhura personale në lartësi të gradës 9 me efekt nga data 01.02.2012 dhe duke iu referuar arsyetimit se vendimi është marrë pas pranimit të shkresës së Ministrit për Zhvillim Ekonomik (...), ka gjetur se vendimi i të paditurës 1040-108/2012 datë 07.03.2012, është i pabazë pasi në të vërtetë përmes shkresës së datës 06.12.2011, MZhE ka rekomanduar kufizimin e nivelit të shpenzimeve operative vjetore (...) PTK-së nga ana e aksionarit është rekomanduar për nivelin e shpenzimeve të personelit, e jo për zbritje të pagave të punëtorëve, e aq më pak për zbritjen selektive të pagave”.
[...]
“(...) ulja e pagës së paditësit është bërë në kundërshtim me dispozitën e nenit 11 dhe 55 të të Ligjit të Punës(...) Lartësinë e kërkesëpadisë gjykata e mbështeti në ekspertizën financiare të datës 10.10.2016 në të cilën ekspertizë në mënyrë të qartë dhe profesionale është pasqyruar diferenca në pagë të cilën paditësi do ta realizonte poqëse punëdhënësi nuk do ta merrte vendimin e kundërligshëm (...)”.
[...]
“Vendimi për shpenzimet e procedurës është bazuar në nenin 449, 452 par.1 dhe 453 të Ligjit për Procedurën Kontestimore dhe në Tarifën e Odës së Avokatëve të Kosovës”.
Brenda afatit ligjor, Telekomi i Kosovës ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [C.nr.204/16] të Gjykatës Themelore, të 30 nëntorit 2016, për shkak të: (a) shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore; (b) zbatimit të gabuar të së drejtës materiale; (c) vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozimin që: (i) aktgjykimi i ankimuar të aprovohet në pjesën e atakuar dhe (ii) të ndryshohet aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë dhe lënda të kthehet në rigjykim.
Më 19 dhjetor 2019, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AC.nr.1636/16], e refuzoi si të pathemeltë ankesën e Telekomit të Kosovës dhe e vërtetoi Aktgjykimin [C.nr.204/2016], të Gjykatës Themelore, të 30 nëntorit 2016.
Gjykata e Apelit ishte pajtuar me përfundimin dhe qëndrimin juridik të gjykatës së shkallës së parë duke e vlerësuar si të drejtë dhe të ligjshëm me arsyetimin se “aktgjykimi i atakuar në këtë pjesë nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 paragrafi 2, pika (b), (g), (j), (k) dhe (m) e LPK-së, dhe e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë, për të cilat shkaqe Gjykata e Apelit kujdeset sipas detyrës zyrtare në kuptim të dispozitës së nenit 194 të LPK-së”. Në këtë drejtim, Gjykata e Apelit kishte konstatuar se “ është i paqëndrueshëm pretendimi ankimor i të paditurës se aktgjykimi nuk është përfshirë me të meta thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 paragrafi 2 (n) e LPK-së. Dispozitivi i aktgjykimit është i qartë i kuptueshëm dhe i përmbarueshëm.(...) Gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftuara për faktet vendimtare dhe për vlerësimin e provave në kuptim të konstatimit të fakteve vendimtare”. Për më tepër, Gjykata e Apelit kishte shtuar se “ Nuk ka prova se e paditura ka bërë ndërhyrjen në aktet normative të saja lidhur me zvogëlimin e gradave, prandaj nuk mund të bëhet kjo me një vendim të drejtorit menaxhues. Duke u nisur nga kjo gjendje e çështjes rezulton se gjykata e shkallës së parë drejtë ka aplikuar të drejtën materiale duke ju referuar në arsyetim të aktgjykimit dispozitës së nenit 55 paragrafi 1, të Ligjit të Punës, e cila përcakton se: “I punësuari ka të drejtë në pagë, e cila përcaktohet me kontratën e punës, në pajtim me këtë ligj, Kontratën Kolektive, aktin e Brendshëm të Punëdhënësit” (...) Nga arsyet e cekura Gjykata e Apelit, e në mbështetje të dispozitave nga neni 194, 195 paragrafi 1 pika (d) të LPK-së vendosi si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”.
Brenda afatit ligjor, Telekomi i Kosovës ka paraqitur revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit [Ac.nr.1636/2016], të Gjykatës së Apelit, të 19 dhjetorit 2019, për shkak të: a) shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe b) zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, duke kërkuar nga Gjykata Supreme që: (i) të ndryshohet aktgjykimi i atakuar dhe kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës të refuzohet si e pabazuar ose (ii) aktgjykimi i atakuar të prishet dhe lënda t’i kthehet në rigjykim gjykatës së shkallës së parë.
Më 20 dhjetor 2021, Gjykata Supreme mori Aktgjykimin [Rev.nr.398/2021], me të cilin:
Refuzoi si të pabazuar revizionin e të paditurës (Telekomit të Kosovës) të paraqitur kundër Aktgjykimit [Ac.nr.1636/2016], të 19 dhjetorit 2019, përkitazi me pjesën e I të dispozitivit të Aktgjykimit [C.nr.204/2016], të Gjykatës Themelore, të 30 nëntorit 2016, që ka të bëjë me anulimin e aktvendimit të paditurës (Telekomit të Kosovës), të 7 marsit 2012, për uljen e pagës së parashtruesit të kërkesës nga grada 11 në gradën 9, si dhe shpenzimet e procedurës;
Pjesërisht pranoi si të bazuar revizionin e të paditurës (Telekomit të Kosovës) i paraqitur kundër Aktgjykimit [Ac.nr.1636/2016], të 19 dhjetorit 2019, duke e ndryshuar të njëjtin së bashku me Aktgjykimin [C.nr.204/2016], të Gjykatës Themelore, të 30 nëntorit 2016, në pjesën e II-të të dispozitivit, duke e detyruar të paditurën (Telekomin e Kosovës) që t’ia paguaj parashtruesit të kërkesës ndryshimin në pagën neto për periudhën kohore nga 1 shkurti 2012 e deri më 31 dhjetor 2014 në shumën prej 8,419.55 euro; t’ia paguaj edhe shumat prej 455.33 euro në emër të kontributit pensional dhe 231.74 euro në emër të tatimit në të ardhura neto me kamatë për këtë periudhë sipas ekspertizës financiare në shumë prej 2,152.61 euro; dhe
E refuzoi si të pabazuar shumën përtej pjesës së gjykuar për periudhën kohore prej 1 janarit 2015 e deri më 10 tetor 2016.
Gjykata Supreme, fillimisht sa i përket pjesës së aprovuar e kishte pranuar si të bazuar qëndrimin juridik të gjykatave paraprake duke konsideruar se “ aktgjykimet e këtyre gjykatave në këtë pjesë nuk janë marrë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, e as me zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Për më tepër gjykata e revizionit vlerëson se aktgjykimet e lartcekura në këtë pjesë nuk përfshihen me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore në të cilat gjykata kujdeset sipas detyrës zyrtare”.
Në vazhdimin e arsyetimit të Aktgjykimit [Rev.nr.398/2021], Gjykata Supreme, ndër të tjera, theksoi se:
“Objekt shqyrtimi në gjykatën e revizionit ishin pretendimet e revizionit përkitazi me shkeljet thelbësore të dispozitave procedurale nga neni 182.2 pika n, të LPK-së, të cilat pretendime u refuzuan si të pabazuara, nga se këto aktgjykime nuk përfshihen me të meta e paqartësi as në dispozitiv e as në arsyetimin e tyre (...)”.
[...]
“Objekt shqyrtimi në gjykatën e revizionit ishin edhe pretnedimet e revizionit për zbatim të gabuar të së drejtës materiale nga neni 78 dhe 79 të Ligjit të Punës. Sipas të paditurës kërkesëpadia me të cilën paditësi ka kërkuar pagesën e diferencës kontestuese të pagës është vjetërsuar. Gjykata Supreme vlerëson se në këtë rast paditësi nuk është vonuar me paraqitje të padisë nga se kontesti ka të bëjë me pagesën e diferencës së pagës për shkak të nje vendimi arbitrar të kundërligjshëm të paditurës, e për të cilën kërkesë në kuptim të nenit 87 të Ligjit të Punës afati i parashkrimit është 3 vite, e jo siç pretendohet në revizion (...) të llogaritet në pajtim me nenin 78 dhe 79 të Ligjit të Punës”.
“Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se i punësuari në pajtim me nenin 55 pika 1 dhe 2 të Ligjit të Punës ka të drejtë në pagë e cila i caktohet me kontratë të punës në pajtim me Ligjin e Punës, kontratën kolektive dhe aktin e brendshëm të punëdhënësit. Paga e paditësit, sipas kontratës së punës, në pajtim me nenin 11.1.8 të Ligjit të Punës ka qenë sipas gradës 7, prandaj ulja e pagës nën këtë gradë pa pëlqimin e paditësit është në kundërshtim me nenin 5 të kontratës së punës dhe me dispozitat e lartë përmendura ligjore. Kërkesa e aksionarit Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (...) nuk mund të jetë bazë për uljen e pagës së paditësit (...) Nuk ka prova se e paditura ka bërë ndërhyrje në aktet normative të saj lidhur me zvogëlimin e gradave dhe se nuk mund të bëhet kjo me një vendim të njëanshëm të Drejtorit menaxhues”.
Ndërsa sa i përket pjesës së aprovuar të revizionit, Gjykata Supreme arsyetoi se:
“ Duke e shqyrtuar aktgjykimin e atakuar dhe pretendimin e revizionit se paditësi më 31 dhjetor 2014 ka lidhur kontratë të re me vullnet të lirë, Gjykata Supreme e Kosovës gjeti se nga ana e gjykatës së shkallës së dytë, është aplikuar gabimisht e drejta materiale kur nuk është shqyrtuar fare pretendimi ankimor se paditësi me të paditurën ka lidhë kontratë të re me vullnetin e lirë. Bazuar në dispozitat e nenit 194 të LPK-së, gjykata e shkallës së dytë është dashur ta ekzaminon aktgjykimin e shkallës së parë në atë pjesë në të cilën është goditur me ankesë dhe atë brenda kufijve të shkaqeve të treguara në ankesë, por gjykata e shkallës së dytë nuk ka marrë fare parasysh këtë fakt dhe ka heshtur (...) pretendimet e revizionit qe kanë të bëjnë me kohën e rrjedhjes së obligimit u vlerësuan si pjesërisht të bazuara, nga se aktgjykimi i shkallës së parë dhe të dytë është i përfshirë me zbatim të gabuar të së drejtës materiale për sa i përket periudhës për të cilën është aprovuar pagesa e diferencës së pagës, kontributit pensional dhe tatimit në pagë (...) nga se paditësit diferenca e pagës i takon ligjërisht vetëm deri në ditën kur me të paditurën kanë nënshkruar kontratën tjetër të punës më datë 31.12.2014, kur ka pranuar gradën 9 për vendin e punës ku deri atëhreë ka punuar. (...) Gjykata Supreme vlerëson se kjo kontratë është lidhur me vullnetin e dyanshëm, dhe pas ditës së lidhjes së saj paditësit nuk i takon diferenca në pagë (...) kërkesëpadia e paditësit përkitazi me periudhën kohore prej 01..01.2015 e deri 10.10.2016, refuzohet si e pabazuar(...)”.
[...]
“Gjykata Supreme e Kosovës nuk i shqyrtoi pretendimet tjera të revizionit që kanë të bësjnë me vërtetimin e gjendjes faktike, për të cilën në bazë të nenit 214 të LPK-së, revizioni nuk mund të paraqitet, si dhe të njëjtat kanë qenë pretendime të paraqitura para gjykatave të instancës më të ulët, për të cilat pretendime kanë dhënë arsye të mjaftueshme në aktgjykimet e tyre (....).”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme ka nxjerrë Aktgjykimin [Rev.nr.398/2021] e 20 dhjetorit 2021, në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së.
Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 31, parashtruesi i kërkesës pretendon se: “Nuk qëndrojnë konstatimet e Gjykatës Supreme se në rastin konkret me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë C.nr.204/2016 dt.30.11.2016 dhe Gjykatës së Apelit Ac.nr.1636/2016 dt. 19.12.2019 nuk qenka aplikuar drejtë, përkatësisht sipas Gjykatës Supreme qenka aplikuar gabimisht e drejta materiale se kinse nuk qenka shqyrtuar pretendimi ankimor i të paditurës se paditësi me të paditurën kinse paskan lidhur kontratë të re pune me vullnetin e lirë”.
Sa më sipër, parashtruesi i kërkesës konsideron se konstatimi i Gjykatës Supreme është i pabazuar në gjendjen faktike dhe të provave që gjenden në shkresat e lëndës, duke shtuar se: “ Çështja e faktit juridik se kinse paditësi paska lidhur kontratë të punës më dt.31.12.2014, është në tërësi konstatim i pasaktë dhe i pa vërtetë i cili e vë në pyetje të plotë dyshimin në trajtimin e drejtë e të barabartë të palëve në procedurë (...) Paditësi asnjëherë nuk e ka nënshkruar këtë kontratë, përkatësisht në momentin e ofrimit në mënyrë imponuese merre ose leje, i njëjti ka refuzuar në tërësi, duke rrezikuar edhe vendin e punës”.
Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës potencon se “ (...) e paditura as në seancë gjyqësore e as në Përgjigje në Padi, këto vërejtje dhe kundërshtime se kinse qenka lidhur kontrata e dt.31.12.2014 nuk i ka paraqitur, ashtu që paraqitja e vetme është në revizion dhe paraqet një kopje të mbetur nga revizionet e mëparshme të të paditurës për rastet e njëjta apo të ngjashme”. Lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës ka bashkangjitur disa prova me të cilat pretendon se Telekomi i Kosovës ka përdorur prova të falsifikuara për provuar se parashtruesi i kërkesës kishte nënshkruar kontratën e lartëcektur, por që i njëjti thekson se “ (...) paditësi me dt.13.05.2022 me shkresë-kërkesë i drejtohet të paditurës me kërkesë për lëshimin e kopjes së skenuar të Kontratës nr.05-6182 dt.31.12.2014, por deri më sot e paditura nuk ka dhënë përgjigjje e as nuk ja ka dorëzuar një kopje të asaj kontrate”.
Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 3 dhe 22, parashtruesi i kërkesës thekson se Gjykata Supreme është bazuar në një provë të kontestueshme, duke shtuar se: “ Paditësi për ekzistimin e kësaj Kontrate e kupton në muajin Maj 2020 duke iu drejtuar nëpërmes imellit Kryeshefit Ekzekutiv të të Paditurës, përkatësisht Ushtruesës së Detyrës të Drejtorit duke ia kontestuar ekzistimin e kësaj Kontratë të cilën asnjëherë nuk e ka nënshkruar. Këtë fakt të mosekzistimit të kontratës dt.31.12.2014 e konfirmon vetë B.H UD e Kryeshefit Ekzekutiv të Paditurës në miellin dt.08.06.2020 e cila konfirmon se në fuqi është kontrata nr.01-2880/2011(...)”. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës pretendon se një veprim i tillë i Gjykatës Supreme, ka cenuar barazinë e të gjithë palëve në procedurë dhe respektimin e plotë të drejtave të njeriut, të drejta këto të parapara me nenin 3 të Kushtetutës, e që rrjedhimisht ka shkelur edhe të drejtat e garantuara me KEDNj-ë, për të cilat është e obliguar sipas nenit 22 të Kushtetutës t’i garantojë dhe zbatojë.
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që: “I propozojmë Gjykatës Kushtetuese që kjo kërkesë të pranohet me të cilën vlerësohet se aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës Rev.nr.398/221 dt.20.12.2021 është joligjorë dhe si i tillë anulohet.”
Komentet e dorëzuara nga Telekomi i Kosovës më 6 korrik 2022
Më 6 korrik 2022, Telekomi i Kosovës, në cilësinë e palës së paditur në procedurën para gjykatave të rregullta i dorëzoi në Gjykatë komentet e saj. Në këtë përgjigje, Telekomi i Kosovës e konsideroi kërkesën e parashtruesit të kërkesës si të: (i) palejueshme; (ii) papranueshme; dhe (iii) pasafatshme.
Në lidhje me pretendimin se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e palejueshme, Telekomi i Kosovës pretendon se kjo kërkesë nuk i plotëson kushtet formale për procedim të mëtutjeshëm ngase parashtruesi nuk ka specifikuar se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin e konteston.
Përkitazi me pretendimin se kërkesa është e papranueshme, Telekomi i Kosovës thekson se kjo kërkesë nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me rregullin 34 të Rregullores së Punës, duke pretenduar se: “ kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë pretendimin e tij, sikurse përcaktohet me paragrafin 2 dhe 3 të rregullit 39 të Rregullorës së Punës. Referuar pretendimeve të parashtruesit i cili konteston aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr.398/21, të dt.20.12.2021, rezulton se në këtë pjesë e ka ndërtuar kërkesën e tij në baza ligjshmërie dhe jo në baza kushtetushmërie, duke pretenduar se Gjykata Supreme (...) gabimisht ka vërtetuar gjendjen faktike kur ka pranuar pjesërisht si të bazuar revizionin(...)”. Në vazhdim, Telekomi i Kosovës shton se “Duke marrë parasysh pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe shkresat e lëndës, Telekomi i Kosovës konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të dëshmojë se efektet e interpretimit dhe të zbatimit të së drejtës materiale dhe procedurale nuk janë kompatibile me të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj. Për më tepër, nga arsyetimi i Aktgjykimit të kontestuar (...) nuk kemi të bëjmë as me “aplikim të ligjit në mënyrë qartazi të gabuar”, dhe as me “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” (...) Parashtruesi i kërkesës edhe më tej mund të mos jetë i kënaqur me rezultatin e gjykimit të çështjes së tij, megjithatë, pakënaqësia e tij nuk mund të ngrejë një pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë”.
Përkitazi me pretendimin se kërkesa është e pasafatshme, Telekomi i Kosovës konsideron se bazuar në dispozitën e nenit 49 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese e njëjta do të duhej të shpallet e papranueshme, për arsyen se “(...) bazuar në deklarimin e vet parashtruesit të kërkesës se vendimin përfundimtar (...) e ka pranuar më datë 25.01.2022, ndërsa kërkesën e ka parashtruar në Gjykatën Kushtetuese me datë 26.05.2022, rezulton se Kërkesa është parashtruar pas kalimit të afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese(Afatet)”.
Përfundimisht, Telekomi i Kosovës me anë të përgjigjes së paraqitur ndaj kërkesës së parashtruesit të kërkesës, kërkon nga Gjykata që kërkesën e njëjtë ta shpallë të papranueshme.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 3 [Barazia para Ligjit]
“Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.”
Neni 22
[Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare]
“Të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare në vijim, garantohen me këtë Kushtetutë, zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës dhe kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike:
Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut;
Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj;
Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj;
Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare;
Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor;
Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas;
Konventa për të Drejtat e Fëmijës;
Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese.”
Neni 31
[E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
[...]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Së pari, Gjykata do të shqyrtojë nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë se:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik përkatësisht Aktgjykimin [Rev.nr.398/2021], të Gjykatës Supreme, të 20 dhjetorit 2021. Në vazhdim, Gjykata do të shqyrtojë nëse parashtruesi i kërkesës ka plotësuar kriterin e shterimit të mjeteve juridike, siç përcaktohet përmes paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së Punës.
Lidhur me këtë, Gjykata u referohet neneve 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 të Rregullores së Punës, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“1.Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me ligj kundër aktit të kontestuar.”
[...]
Gjykata, fillimisht, rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi [Rev.nr.398/2021] i Gjykatës Supreme, i 20 dhjetorit 2021, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] dhe nenin 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, ku pretendim kryesor i parashtruesit të kërkesës është se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme është bazuar në një provë të paligjshme dhe e cila nuk ishte paraqitur më parë nga Telekomi i Kosovës në instancat më të ulëta të gjykatave të rregullta. Në kërkesën e parashtruar para Gjykatës, i njëjti thekson se: “Nga provat që ja bashkangjesim kësaj Kërkese në mënyrë të qartë dhe bindëse dokumentohet fakti se paditësi nuk e ka nënshkruar kontratën e dt.31.12.2014 (Prova 6) dhe kjo mund të krahasohet lehtë me nënshkrimin e paditësit në kontratën e dt.20.10.2011 (Prova 5) e cila kontratë kategorisht ka qenë e refuzuar nga paditësi fakt që e dëshmon prova 4 me të cilin reagim Paditësi kategorisht e kundërshton nënshkrimin e kësaj Kontrate dhe me këtë imell e njofton Menaxherin e burimeve njerzore K.G, Drejtorin e Telefonisë fikse Xh.A, Drejtorin e shitjes D.H, Drejtorin e Bordit R.Gj, N.K Drejtorin e financave si dhe M.L.”
Në këtë drejtim, Gjykata thekson se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas nenit 113 paragrafi 7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (b) të Rregullorës së punës i obligon palët të cilat parashtrojnë kërkesa në Gjykatën Kushtetutese, që të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive në dispozicion dhe në pajtim më ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi të kontestuar, para se të njëjtit t’i drejtohen Gjykatës.
Bazuar në parimin e subsidiaritetit, Gjykata thekson se qëllimi dhe arsyetimi i detyrimit për të shteruar mjetet juridike është t’u ofrojë autoriteteve përkatëse, para së gjithash gjykatave të rregullta, mundësinë për të parandaluar ose për të korrigjuar shkeljet e pretenduara të Kushtetutës para se çështja të vijë në Gjykatën Kushtetuese. Ky rregull bazohet në supozimin që pasqyrohet në nenin 32 të Kushtetutës dhe në nenin 13 të KEDNj-së, se rendi juridik i Republikës së Kosovës siguron mjete efektive juridike për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastet e Gjykatës KI43/20, parashtrues Ftiore Sadikaj, paragrafi 44; KI67/19, parashtrues Hajrije Rina Zhitija Ajeti, Aktvendim për papranueshmëri, i 3 shtatorit 2019, paragrafi 34; KI09/19, parashtrues Leutrim Hajdari, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 marsit 2020, paragrafi 36; KI30/17, parashtrues Muharrem Nuredini, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 gushtit 2017, paragrafi 35 dhe KI178/21, parashtrues Agim Stublla, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 shkurtit 2022, paragrafi 26; shih gjithashtu rastet e GjEDNj-së Weis kundër Sllovenisë, nr.37619/03, Vendim i 14 shkurtit 2012 dhe Aksoy kundër Turqisë, nr.21987/93, Aktgjykimi i 18 dhjetorit 1996, paragrafi 51).
Duke u bazuar në parimin që u elaborua më lartë, Gjykata Kushtetuese ka krijuar mekanizëm mbrojtës, i cili është subsidiar në raport me sistemin e rregullt gjyqësor që mbron të drejtat e njeriut (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI15/16, parashtrues Ramadan Muja, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 marsit 2016, paragrafi 42; rasti KI178/21, cituar më lart, paragrafi 27 ; dhe rastin KI210/19 me parashtrues Sabri Ismajli, Aktvendim për papranueshmëri, i 15 korrikut 2020, paragrafi 33).
Megjithatë, Gjykata duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së ka theksuar se përderisa detyrimi për shterjen e mjeteve juridike duhet të zbatohet me një shkallë të fleksibilitetit dhe pa formalizim të tepruar, ky detyrim nuk kërkon thjesht vetëm që kërkesat të parashtrohen para gjykatave të rregullta, por kërkon po ashtu që parashtruesi i kërkesës para se të paraqesë kërkesën, që ka për qëllim që pastaj ta paraqesë para Gjykatës, duhet: a) t’i ketë ngritur të njëjtat pretendime para gjykatave të rregullta, të paktën në substancë; dhe b) të ketë respektuar kërkesat formale dhe afatet e parapara me legjislacionin në fuqi (shih rastin e Gjykatës KI210/19, me parashtrues Sabri Ismajli, të cituar më lart dhe rastin KI35/22, parashtrues Xheladin Beka, Aktvendim për papranueshmëri i 15 nëntorit 2022, paragrafi 29; dhe shih gjithashtu rastet e GjEDNj-së: Gäfgen kundër Gjermanisë, kërkesa nr. 22978/05, Aktgjykim i 1 qershorit 2010, paragrafi 142; Kunert kundër Polonisë, kërkesa nr. 8981/14, Aktgjykim i 4 korrikut 2019, paragrafi 42; dhe Gadd kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa nr. 181/14, Vendim i 28 shtatorit 2017, paragrafi 54).
Në një kontekst të tillë, kur pretendimet e parashtruesit të kërkesës as formalisht, por as në substancë/përmbajtje nuk janë ngritur para gjykatave të rregullta, Gjykata i referohet praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të GjEDNj-së, sa i përket kriterit për shterjen e mjeteve juridike në kuptimin substancial, dhe rikujton se në rrethana të tilla, pretendimet e tilla nuk mund të shqyrtohen nga Gjykata për mungesë të shterimit të mjeteve juridike në kuptim substancial. Bazuar në po të njëjtën praktikë gjyqësore, Gjykata kishte refuzuar shqyrtimin e pretendimeve përkatëse sepse po të njëjtat nuk ishin ngritur asnjëherë para gjykatave të rregullta, ndër të tjera, edhe në rastet e Gjykatës, KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 5 shkurtit 2021, paragrafi 66; KI 119/17, parashtrues Gentian Rexhepi, Aktvendim për papranueshmëri i 3 majit 2019; KI154/17 dhe KI05/18, parashtrues Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar “BARBAS”, Aktvendim për papranueshmëri i 22 korrikut 2019, paragrafi 92; KI155/18, parashtrues Benson Buza, Aktvendim për papranueshmëri i 25 shatorit 2019, paragrafi 50; dhe KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për papranueshmëri, i 24 qershorit 2020, paragrafi 59).
Për më tepër, Gjykata për të sqaruar dhe qartësuar faktin nëse pretendimi i parashtruesit të kërkesës se Gjykata Supreme e kishte bazuar Aktgjykimin e kontestuar në një provë të paligjshme – në kontratën e punës nr.05-6182 të 31 dhjetorit 2014, të cilën pretendon se nuk e ka nënshkruar, a ishte ngritur para gjykatave të rregullta, respektivisht para Gjykatës Supreme përmes përgjigjes në revizion, më 5 maj 2023 i kishte dërguar një shkresë përfaqësuesit të parashtruesit të kërkesës dhe në të njëjtën kohë edhe Gjykatës Themelore, nga të cilët kishte kërkuar që të dorëzojnë pranë Gjykatës përgjigjen në revizion, e cila do të vërtetonte se a ishte ngritur apo jo pretendimi i parashtruesit të kërkesës para Gjykatës Supreme.
Më 14 qershor 2023, Gjykata kishte pranuar dosjen e plotë të rastit nga Gjykata Themelore, ku rezultoi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte paraqitur përgjigje në revizion, e që rrjedhimisht vërteton faktin se i njëjti nuk e ka ngritur pretendimin e tij lidhur me kontestimin e nënshkrimit të kontratës nr.05-6182 të 31 dhjetorit 2014, para Gjykatës Supreme. Për më tepër, Gjykata vëren se edhe në shkresën e dorëzuar më 1 qershor 2023, nga përfaqësuesi i kërkesës nuk dëshmohet se i njëjti ka paraqitur përgjigje në revizion në Gjykatën Supreme, ku do të adresoheshin pretendimet e tij.
Marrë parasysh këto parime dhe rrethana në të cilat, sipas shkresave të lëndës rezulton se këto pretendime specifike të parashtruesit të kërkesës janë ngritur për herë të parë para Gjykatës, ajo konkludon që parashtruesi i kërkesës nuk i ka dhënë mundësinë Gjykatës Supreme, që të adresojë këto pretendime dhe me atë rast, të parandalojë shkeljet e pretenduara që parashtruesi i kërkesës i ngrit drejtpërdrejt pranë kësaj Gjykatë, pa i shteruar mjetet juridike në kuptimin e tyre substancial. (Shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës: KI118/15, parashtrues Dragiša Stojković, Aktvendim për papranueshmëri i 12 prillit 2016, paragrafët 30-35; KI119/17, cituar më lart, paragrafi 74; KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 95; dhe KI163/18, cituar më lart, paragrafi 62).
Si rrjedhojë, Gjykata konstaton se ky pretendim duhet të refuzohet si i papranueshëm në baza procedurale për shkak të mosshterrimit të mjeteve juridike, siç kërkohet me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e pa papranueshme sepse pretendimet për shkelje të neneve 3, 22 dhe 31 të Kushtetutës përkitazi me pretendimin se nuk e kishte nënshkruar kontratën e punës nr.05-6182, të 31 dhjetorit 2014 dhe mbi këtë provë ishte bazuar Aktgjykimi [Rev.398/2021], i Gjykatës Supreme, i 20 dhjetorit 2021, janë të papranueshme si rezultat i mosshterimit të mjeteve juridike në kuptimin substancial, ashtu siç kërkohet me paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 të Rregullores së Punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në pajtim me nenet 113.1 dhe 7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullat 34 1 (b) dhe 48 (b) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 14 nëntor 2023, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
Muhamet Mehmeti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Civile