Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Rev.nr.103/2022 të 30 marsit 2022

Nr. të lëndës KI82/22

Parashtruesit: Valon Loxhaj

Shkarko:
llogo_gjkk_png_2

Prishtinë,​​ 26 qershor​​ 2023

Nr. ref.:RK 2221/23

 

 

​​ 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr. KI16/23

 

Parashtrues

 

Gjok Gega dhe Bajram Sinani​​  ​​​​ 

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së​​ Aktvendimit [AC. nr. 5597/2022]

​​ të Gjykatës së Apelit të 8 shtatorit 2022

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:​​ 

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare​​ 

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar​​ 

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare​​ 

Safet Hoxha, gjyqtar​​ 

Radomir Laban, gjyqtar​​ 

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare​​ 

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe​​ 

Enver Peci, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

 

  • Kërkesa është dorëzuar nga​​ Gjok Gega dhe Bajram Sinani​​ (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit​​ e​​ kërkesës), përfaqësuar nga ​​ Vigan Qorrolli,​​ avokat nga​​ shoqëria e avokatëve “LEXIS Legal & Policy Consulting” me seli në Prishtinë. ​​ 

 

 

 

 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesit e​​ kërkesës kontestojnë​​ kushtetutshmërinë e Aktvendimit​​ [Ac.nr.5597/2022]​​ ​​ 8 shtatorit​​ 2022​​ të Gjykatës​​ së Apelit në ndërlidhje me Aktvendimin [C.nr.398/2021]​​ të Gjykatës Themelore në Pejë të 26 korrikut 2022.

 

  • Parashtruesit e​​ kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më​​ 10 tetor​​ 2022.​​ 

 

Objekti i çështjes

 

  • Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë​​ së Aktvendimit​​ [Ac.nr.5597/2022] të​​ 8 shtatorit​​ 2022​​ të Gjykatës​​ së Apelit​​ përmes të cilit sipas pretendimeve të parashtruesve​​ të kërkesës janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]​​ dhe​​ 46​​ [Mbrojtja​​ e Pronës]​​ të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6​​ (1)​​ (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

 

Baza juridike

 

  • Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] dhe paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenet 22​​ [Procedimi i kërkesës]​​ dhe 47​​ [Kërkesa individuale]​​ të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve] të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  • ​​ 31 janar​​ 2023, parashtruesit e​​ kërkesës dorëzuan​​ kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).​​ 

 

  •  ​​ ​​​​ ​​ 6 shkurt 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit​​ [Nr. GJR. KI16/23]​​ caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët:​​ Bajram Ljatifi​​ (kryesues), Safet Hoxha dhe​​ Remzije Istrefi-Peci​​ (anëtarë).

 

  • ​​ 10 shkurt 2023, Gjykata njoftoi parashtruesit​​ e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.​​ Të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës së Apelit​​ dhe Gjykatës​​ Themelore në Pejë​​ dhe kësaj të fundit iu kërkua që të dorëzojë dëshminë (fletë-kthesën) që tregon datën kur parashtruesi i kërkesës ka pranuar vendimin e kontestuar.

 

  • ​​ 21 shkurt 2023, Gjykata Themelore​​ në Pejë​​ dorëzoi dëshminë që tregon se parashtruesi i kërkesës ka pranuar vendimin e kontestuar më​​ 10 tetor​​ 2022.

 

  • Më​​ ​​ 25 maj​​ 2023,​​ Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues​​ dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhje e fakteve​​ 

 

  • Nga shkresat e lëndës rezulton se​​ një palë e tretë B.P.,​​ përmes të autorizuarit të tij M.A., dhe me anë të një kontrate noteriale​​ ka bartur të drejtën e shfrytëzimit të disa​​ ngastrave​​ kadastrale tek parashtruesit e kërkesës.​​ Pala e tretë B.P., është bashkëpronar së bashku me një palë tjetër B.B., i ngastrave kadastrale që parashtruesve të kërkesës u ishin dhënë për shfrytëzim me anë të kontratës noteriale. Ndërkohë, pala B.B., në cilësi të paditësit-propozuesit paraqiti padi në Gjykatën Themelore në Pejë me qëllim që të anulohet kontrata noteriale dhe që parashtruesve të kërkesës t’iu ndalohet tjetërsimi, ngarkimi apo disponimi i ngastrave kadastrale që u ishin dhënë në shfrytëzim.  ​​​​ 

 

  • Më​​ 14 korrik 2021, Gjykata Themelore​​ në Pejë​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore)​​ përmes Aktvendimit​​ [C.nr 398/21] vendosi:​​ I.APROVOHET​​ i bazuar propozimi i paditësit-propozuesit B.B., për caktimin e masës së përkohshme;​​ II. NDALOHEN KUNDËRSHTARËT E SIGURIMIT ​​​​ parashtruesve të​​ kërkesës që të tjetërsojnë, ngarkojnë apo disponojnë me pasurinë e paluajtshme përkatësisht me 43 ngastra në vendet e quajtura “Smreqë”, “Drenaj”, “Thanishtë”, “Te Varrezat”, “Mahalla Kabash”​​ dhe “Kukurek”;​​ III.​​ Ky vendim i dërgohet drejtorisë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi në komunën e Klinës e cila duhet ta regjistroj në regjistrat për paluajtshmëri dhe zyrës së Noterit për territorin e Klinës që të zbatojë ndalesën si në pikën II të dispozitivit;​​ IV.​​ Ky vendim është i zbatueshëm që nga momenti i pranimit nga subjektet e lartpërmendura, deri në marrjen e ndonjë vendimi tjetër nga kjo gjykatë.​​ 

 

  • Gjykata Themelore arsyetoi:​​ (i)​​ paditësi-propozuesi B.B., pranë kësaj gjykate me datë 02.07.2021 ka paraqitur padi për anulimin e kontratave me propozim për caktimin e masës së përkohshme;​​ (ii)​​ paditësi pretendon se me të paditurin e parë​​ B.P., janë​​ bashkëpronar-aksionar me nga 50%​​ të​​ aksioneve të​​ Ndërmarrjes​​ së​​ Re Toka​​ Bujqësore sh.p.k me NUI: 810795502;​​ (iii)​​ paditësi-propozuesi B.B., tutje shton se i padituri i parë B.P., i ka dhënë prokurë të veçantë M.A., me të cilën e ka autorizuar që në emër dhe llogari të tij të ndërmarr të gjitha veprimet juridike për tjetërsimin e paluajtshmërive kontestuese;​​ (iv)​​ si rrjedhojë i autorizuari M.A., duke vepruar sipas autorizimit të dhënë, të paditurve (parashtruesve të kërkesës) Gjokë Gega dhe Sinan Bajrami me anë të kontratës noteriale ua ka kaluar të drejtën e shfrytëzimit të paluajtshmërive të përshkruar si në dispozitiv të këtij vendimi, ku tashmë të paditurit Gjokë Gega dhe Sinan Bajrami e kanë regjistruar të drejtën e shfrytëzimit të këtyre paluajtshmërive;​​ ​​ (v)​​ gjykata konsideron se ekziston rreziku se pa caktimin e kësaj mase do të pamundësohej apo vështirësohej dukshëm realizimi i kërkesës eventuale, me tjetërsimin e pasurisë kontestuese apo ngarkimin e saj në ndonjë mënyrë tjetër nga ana e kundërshtarëve të sigurimit​​ përkatësisht parashtruesve të kërkesës;​​ ​​ (vi)​​ gjykata vendimin e saj e mori duke u bazuar në nenin 297, 300 par. 1 pika a) dhe 306 të Ligjit për Procedurën​​ Kontestimore Nr.03/L-006.

 

  • Më 12 prill 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.398/21] vendosi:​​ I.APROVOHET​​ i bazuar propozimi i paditësit-propozuesit B.B., për caktimin e masës së sigurimit kundër kundërshtarëve (parashtruesve të kërkesës) Gjok Gega dhe Bajram Sinani;​​ II. NDALOHEN KUNDËRSHTARËT E SIGURIMIT ​​​​ parashtruesit e​​ kërkesës që të tjetërsojnë, ngarkojnë apo disponojnë me pasurinë e paluajtshme përkatësisht me 43 ngastra në vendet e quajtura “Smreqë”, “Drenaj”, “Thanishtë”, “Te Varrezat”, “Mahalla Kabash” dhe “Kukurek”;​​ III.​​ Ky vendim i dërgohet drejtorisë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi në komunën e Klinës e cila duhet ta regjistroj në regjistrat për paluajtshmëri dhe zyrës së Noterit për territorin e Klinës që të zbatojë ndalesën si në pikën II të dispozitivit;​​ IV.​​ Ky vendim është i zbatueshëm që nga momenti i pranimit nga subjektet e lartpërmendura, deri në marrjen e ndonjë vendimi tjetër nga kjo gjykatë.​​ 

 

  • Gjykata Themelore arsyetoi:​​ ​​ (i)​​ gjykata, duke e shqyrtuar propozimin e prop0zuesit B.B., në kuptim të nenit 297 par. 1, pikat ​​ a) dhe b) si dhe par. 2 të LPK-së, gjeti se propozimi i propozuesit është i bazuar; ​​ ​​ (ii)​​ është bërë e besueshme se propozuesi B.B., dhe i padituri i parë B.P., kanë qenë pronarë përkatësisht drejtorë të “Ndërmarrja e Re Toka Bujqësore në Drenoc SH.P.K” para ka1imit të të drejtës së shfrytëzimit te kundërshtaret e masës (parashtruesit e kërkesës); ​​ ​​ (iii)​​ duke qenë​​ se​​ kundërshtarët​​ e sigurimit​​ (parashtruesit e kërkesës)​​ tashmë​​ e kanë​​ te regjistruar të​​ drejtën​​ e​​ shfrytëzimit​​ të​​ këtyre​​ parcelave, rrjedhimisht të​​ njëjtit​​ edhe kanë​​ mundësi​​ që​​ me të​​ njëjtat​​ të​​ disponojnë​​ në​​ kuadër​​ të​​ autorizimeve që​​ i kanë, e​​ një​​ disponim eventual duke e kaluar të​​ drejtën​​ e​​ shfrytëzimit​​ tek dikush​​ tjetër​​ apo duke i ngarkuar​​ këto​​ parcela; do të​​ ndikonte në​​ masë​​ të madhe në​​ vështirësimin​​ e realizimit të​​ të​​ drejtës​​ se pretenduar nga propozuesi i​​ masës​​ së sigurimit;​​ ​​ (iv)​​ andaj, duke u gjendur në këtë situate sipas gjykatës masa e sigurisë do të evitoj çdo rrezik të mundshëm deri në përfundimin e procedurës në këtë çështje kontestimore.​​ 

 

  • Në një datë të paspecifikuar, parashtruesit e kërkesës paraqitën​​ ankesë​​ në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që të aprovohet ankesa, të shfuqizohet masa e sigurimit apo çështja të kthehet në rivendosje.

 

  • Më 20 qershor 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.2980/2022] vendosi​​ APROVOHEN​​ si të themelta ankesat e parashtruesve të kërkesë​​ PRISHET​​ aktvendimi i Gjykatës Themelore [C.nr.398/21] i datës 12.04.2022 dhe çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë​​ në procedim të sërishëm. ​​ 

 

  • Gjykata e Apelit arsyetoi:​​ (i)​​ gjykata e shkallës së​​ parë, pas caktimit të​​ masës së​​ përkohshme të​​ sigurimit ndaj të​​ paditurve-parashtruesve të kërkesës Gjok Gega dhe Bajram​​ Sinani dhe pas​​ vlerësimit​​ të​​ kundërshtimeve​​ të​​ tyre të​​ ushtruar​​ kundër​​ masës​​ së​​ përkohshme, duke i​​ vlerësuar​​ të​​ njëjtin​​ si të​​ pabazuar, ka​​ lëshuar​​ masën​​ e​​ mirëfilltë​​ të sigurimit, ashtu siç​​ figuron në​​ dispozitiv të​​ aktvendimit​​ të​​ goditur, pa e​​ vërtetuar​​ faktin se ka apo nuk ka​​ marrëveshje​​ të​​ mirëfilltë​​ dhe serioze​​ për​​ shitblerjen​​ e​​ të​​ drejtës së​​ shfrytëzimit​​ të​​ paluajtshmërive​​ lëndore​​ në​​ mes të​​ ndërgjyqësve​​ përkatësisht​​ paditësit​​ B.B.,​​ si​​ blerës, dhe të​​ paditurit të​​ parë​​ B.P., si​​ shitës​​ dhe​​ shfrytëzues​​ për​​ 99 vite i​​ këtyre​​ paluajtshmërive kontestuese;​​ (ii) ​​ ​​​​ nuk kuptohet se mbi çfarë fakti të provuar gjykata e shkallës së parë ka konstatuar se paditësi ka të drejtë subjektive mbi paluajtshmërinë, pronë e të paditurës, duke marrë parasysh faktin se paditësi, deri në këtë moment, nuk posedon më​​ kurrfarë​​ kontrate formale të​​ shkruar e të​​ vërtetuar​​ në​​ institucionin​​ përkatës​​ që​​ është​​ Noteria,​​ ashtu siç​​ kërkohet​​ me nenin 52 lidhur me nenin​​ 33 par. 2 të LMD-së​​ dhe​​ me nenin 36 të​​ LPTD-së, aq më​​ tepër​​ kur të​​ njëjtat​​ rregulla​​ vlejnë​​ edhe​​ për​​ parakontratë;​​ (iii)​​ gjykata e shkallës së parë, në rastin konkret ka dështuar që të vërtetoj në mënyrë bindëse të drejtën subjektive të paditësit mbi pasurinë/paluajtshmërinë e të paditurve;​​ ​​ ​​ (iv)​​ si rezultat lënda i kthehet gjykatës së shkalles së parë në rishqyrtim.​​ 

 

  • Më 26 korrik 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.398/21] vendosi:​​ I.APROVOHET​​ i bazuar propozimi i paditësit-propozuesit B.B., për caktimin e masës së sigurimit kundër kundërshtarëve (parashtruesve të kërkesës) Gjok Gega dhe Bajram Sinani;​​ II. NDALOHEN KUNDËRSHTARËT E SIGURIMIT ​​​​ parashtruesve të kërkesës që të tjetërsojnë, ngarkojnë apo disponojnë me pasurinë e paluajtshme përkatësisht me 43 ngastra në vendet e quajtura “Smreqë”, “Drenaj”, “Thanishtë”, “Te Varrezat”, “Mahalla Kabash” dhe “Kukurek”;​​ III.​​ Ky vendim i dërgohet drejtorisë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi në komunën e Klinës e cila duhet ta regjistroj në regjistrat për paluajtshmëri dhe zyrës së Noterit për territorin e Klinës që të zbatojë ndalesën si në pikën II të dispozitivit;​​ IV.​​ Ky vendim është i zbatueshëm që nga momenti i pranimit nga subjektet e lartpërmendura, deri në marrjen e ndonjë vendimi tjetër nga kjo gjykatë.

 

  • Gjykata​​ Themelore​​ arsyetoi:​​ (i)​​ kjo gjykatë, duke e shqyrtuar propozimin e propozuesit B.B., pretendimet e kundërshtareve të masës-parashtruesve të kërkesës dhe​​ duke marrë parasysh gjetjet e Gjykatës së Apelit në lidhje me argumentimin e ekzistimit të të drejtës subjektive të propozuesit, duke u bazuar në nenin 297 par. 1 pika a) dhe b) të LPK-së,​​ vendosi si në dispozitiv të këtij aktvendimi;​​ (ii)​​ sipas kësaj gjykate nga faktet e parashtruara në propozim për masë siguruese dhe provat e bashkëngjitura propozimit, propozuesi ka arritur ta bëjë të besueshëm ekzistimin e kërkesës apo të drejtës së tij subjektive e gjithashtu ka arritur ta bind gjykatën se ekziston rreziku se pa caktimin e masës siguruese të njëjtit mund t’i pamundësohet apo vështirësohet realizimi i kërkesës.​​ ​​ 

 

  • Parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që të aprovohet ankesa, të shfuqizohet masa e sigurimit apo çështja të kthehet në rivendosje.

 

  • Më 8 shtator 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [AC.nr.5597/2022] vendosi​​ REFUZOHEN​​ si të pabazuara ankesat e parashtruesve të kërkesës, ndërsa​​ VËRTETOHET​​ aktvendimi i Gjykatës Themelore [398/21] dt. 26.07.2022.

 

  • Gjykata e Apelit arsyetoi:​​ (i)​​ duke vepruar sipas udhëzimeve të dhëna nga ana e Gjykatës së Apelit, gjykata shkallës së parë prap e mbajti shqyrtimin, i ka dëgjuar palët në procedurë, ka nxjerrë të gjitha provat dhe mbas kësaj ka marrë vendimin e atakuar;​​ (ii)​​ gjykata shkallës së parë me kujdes ka trajtuar udhëzimet të dhënë në vendimin nga ana e​​ Gjykatës së​​ Apelit, e vërtetoi edhe ekzistimin e faktit se ekziston qëllimi serioz për shitjen dhe​​ blerjen e drejtës së​​ shfrytëzimit të​​ patundshmërive të lëndës në​​ mes të​​ palëve, përkatësisht paditësit B.B.,​​ si dhe blerësit dhe paditurit të​​ parë​​ B.P.,​​ si​​ shitës.​​ ​​ ​​ 

 

Pretendimet e parashtruesve​​ të kërkesës

 

  • Parashtruesit e​​ kërkesës pretendon shkelje të neneve ​​​​ nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.​​ 

 

  • Parashtruesit e​​ kërkesës pretendojnë​​ se në rastin e tyre​​ janë shkelur tri komponentë të së drejtës së përgjithshme për gjykim të drejtë dhe të paanshëm: a) e drejta për vendim të arsyetuar gjyqësor, b) e drejta për seancë dëgjimore dhe c) e drejta për shqyrtim të plotë të rastit të parashtruesve të kërkesës.​​ 

 

  • Parashtruesit e kërkesës theksojnë se në rastin e tyre vlejnë të gjitha garancitë procedurale nga neni 31 i Kushtetutës dhe nenit 6 (1) të KEDNJ-së, pavarësisht se bëhet fjalë për procedura paraprake dhe masë të sigurimit. Parashtruesit e kërkesës theksojnë se Gjykata tashmë ka praktikë gjyqësore ku ka vlerësuar procedurat paraprake nga prizmi i nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 (1) të KEDNJ-së, pavarësisht faktit se rasti i tyre akoma nuk është zgjidhur në merita nga gjykatat e rregullta.​​ 

 

  • Sa i përket zbatimit të garancive të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 (1) të KEDNJ-së, parashtruesit​​ e​​ kërkesës më tej shtojnë: “Në​​ frymë, Gjykata Kushtetuese me Aktgjykimet e saj në​​ rastet K1122/17 dhe KI195/20, ka konstatuar se mund të​​ ketë​​ raste ku procedurat paraprake mund të​​ jenë​​ vendimtare​​ për​​ të​​ drejtat dhe detyrimet civile të​​ parashtruesit të​​ kërkesës. Në​​ rastin KI 143/22, Gjykata Kushtetuese, inter alia,​​ përcakton​​ shprehimisht se​​ janë​​ 2 (dy) raste në​​ të​​ cilat duhet të​​ vlerësohen​​ lidhur me​​ atë se “a mund te mbulohen masat e​​ përkohshme​​ me nenin 6 të​​ KEDNJ-së”. Së​​ pari, e drejta në​​ fjalë​​ duhet të​​ jetë “civile, si në​​ shqyrtimin​​ gjyqësor​​ ashtu edhe në​​ procedurat lidhur me​​ masën​​ e​​ sigurisë, brenda kuptimit autonom të​​ këtij​​ nocioni sipas nenit 6 të​​ KEDNJ-se dhe; së​​ dyti, kjo procedurë​​ duhet të​​ përcaktojë​​ në​​ mënyrë​​ efektive të​​ drejtën​​ civile​​ përkatëse.​​ 

 

  • Lidhur me të drejtën për një vendim të arsyetuar, parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Gjykata Themelore në Pejë-Dega në Klinë, me Aktvendimin ankimor, të 26 korrikut 2022, duke vendosur jashtë seancës gjyqësore, i kishte shpërfillur sugjerimet e gjykatës së shkallës së dytë; aktvendimi i ankimuar i Gjykatës Themelore ishte në kundërshtim me nenin 199 të LPK-së, i cili përcakton se Gjykata e çështjes ka për detyrë që menjëherë pasi që ti arrijë​​ aktvendimi i​​ gjykatës​​ së shkallës së​​ dytë, të​​ caktojë​​ seancë​​ përgatitore​​ apo​​ seancën​​ për​​ shqyrtimin kryesor të çështjes, e cila duhet të​​ mbahet më​​ së​​ voni brenda afatit 30 ditor pas arritjes së​​ aktvendimit të​​ gjykatës​​ së​​ shkallës së​​ dytë, si dhe ti kryej të​​ gjitha veprimet procedurale dhe t’i shqyrtojë​​ të​​ gjitha​​ çështjet​​ kontestuese.​​ 

 

  • Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Gjykata Themelore duke vendosur në rigjykim kishte shpërfillur tërësisht konstatimet e Gjykatës së Apelit. Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Gjykata Themelore ka shpërfillur konstatimin e Gjykatës së Apelit e cila kishte përcaktuar se nuk është provuar se propozuesi i masës së sigurimit B.B ka të drejtë subjektive ndaj paluajtshmërisë së kontestuar, duke pasur parasysh se B.B nuk kishte​​ kontratë formale të vërtetuar në institucionin përkatës siç është Noteria, ashtu siç parashikohet me nenin 52 lidhur me nenin 33.2 të LMD-së dhe nenin 36 të LPDTS-së.​​ 

 

  • Parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Gjykata e Apelit, në Aktvendimin e kontestuar të 8 shtatorit 2022, nuk i ka adresuar fare shumicën e këtyre pretendimeve të parashtruesve. Pra, pretendimet dhe argumentet kryesore të parashtruesve të kërkesës, Gjok Gega dhe Bajram Sinani, kanë mbetur tërësisht të pa adresuara nga të dy instancat gjyqësore. Kjo paraqet cenim të vrazhdë të parimit të vendimit të arsyetuar gjyqësor siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe ashtu siç është interpretuar ky parim nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe GJEDNJ-së.​​ 

 

  • Lidhur me të drejtën për seancë dëgjimore, parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Fillimisht, Gjykata Themelore në Pejë-Dega në Klinë ka marrë vendimin e parë (14 korrik 2021) duke e caktuar masën e përkohshme të sigurimit kundër parashtruesve të kërkesës, duke vepruar jashtë seancës dhe pa mbajtur seancë dëgjimore. Mbetet tërësisht e paqartë sesi Gjykata Themelore ka konstatuar gjendjen faktike të rastit, përkatësisht si ka arritur në përfundimin e saj se ekzistonte rreziku se pa caktimin e masës së sigurimit do të pamundësohej apo vështirësohej dukshëm realizimi i kërkesës eventuale, me tjetërsimin e pasurisë kontestuese apo ngarkimin e saj ne ndonjë mënyrë tjetër nga ana kundërshtarëve të sigurimit.”

 

  • Parashtruesit e kërkesës theksojnë se pas kundërshtimit të tyre Gjykata Themelore kishte mbajtur seancë dëgjimore më 24 shkurt 2022, mirëpo vetëm sa kishte korrigjuar disa gabime të natyrës teknike, siç është korrigjimi i emrave të palëve ndërgjyqëse.

 

  • Parashtruesit e kërkesës theksojnë se Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr. 2980/2022] të 20 gushtit 2022 e aprovoi të bazuar ankesën e parashtruesve të kërkesës​​ duke e prishur Aktvendimin e Gjykatës Themelore pikërisht për shkak të “mos vërtetimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, gjë që ka rezultuar në zbatim të gabuar të së drejtës materiale.” ​​ 

 

  • Parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Siç rezulton nga praktika gjyqësore e GjEDNj dhe Gjykatës Kushtetuese, arsyeja kryesore për domosdoshmërinë e mbajtjes se seancës dëgjimore është pikërisht vërtetimi i plotë dhe i drejtë i gjendjes faktike. Por, pas kthimit të rastit në rishqyrtim, për shkak të mos vërtetimit të gjendjes faktike, Gjykata Themelore në Pejë-Dega në Klinë nuk mbajti fare seancë dëgjimore, duke mos​​ i përfillur as gjetjet e Gjykatës së Apelit, përkitazi me rrethanat e rastit dhe duke mos ua mundësuar parashtruesve të marrin pjesë efektivisht në procedurë gjyqësore.”​​ 

 

  • Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Gjykata Themelore ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e nenit 199 të LPK-së i cili përcakton: “Gjykata e çështjes ka për detyrë që menjëherë pasi t’i arrijë aktvendimi i gjykatës së shkallës së dytë, të caktojë seancën përgatitore apo seancën për shqyrtimin kryesor të çështjes e cila duhet të mbahet më së voni brenda afatit tridhjetë (30) ditor pas arritjes së aktvendimit të gjykatës së shkallës së dytë, si dhe t’i kryejë të gjitha veprimet procedurale dhe t’i shqyrtojë të gjitha çështjet kontestuese që i ka ofruar gjykata e shkallës së dytë në aktvendimin e saj.”​​ 

 

  • Parashtruesit e kërkesës më tej pretendojnë se në ankesën drejtuar Gjykatës së Apelit kishin argumentuar që Gjykata Themelore nuk ka mbajtur seancë dëgjimore, mirëpo Gjykata e​​ Apelit​​ me Aktvendimin​​ [Ac.nr. 5597/2022] të 8 shtatorit 2022 e refuzoi ankesën e parashtruesve të kërkesës dhe e vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore [C.nr.398/21] të 26 korrikut 2021.

 

  • Parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Gjykata e Apelit, shpërfilli tërësisht faktin se Gjykata Themelore në Pejë-Dega në Klinë nuk zbatoi asnjë nga rekomandimet e Gjykatës së Apelit të herës së parë dhe nuk mbajti seancë dëgjimore. Për më tepër, Gjykata e Apelit në mënyrë tërësisht të pasaktë arsyetoi se “duke vepruar sipas udhëzimeve të dhëna nga Gjykata e Apelit, gjykata e shkallës së parë përsëri e mbajti shqyrtimin, i ka dëgjuar palët në procedurë ka nxjerrë të gjitha provat dhe pas kësaj ka marrë aktvendimin e atakuar.

 

  • Parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Si pasojë e mos mbajtjes ​​ së seancës dëgjimore, nuk janë vërtetuar asnjë nga faktet themelore të cekura në Aktvendimin e parë të Gjykatës së Apelit dhe në ankesat e palëve, të cilat do ia mundësonin gjykatave të merrnin një vendim të drejtë në këtë rast.

 

  • Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se në rastin e tyre janë cenuar e drejta për seancë dëgjimore dhe e drejta për pjesëmarrje efektive në procedurë që janë elementë qenësorë të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.​​ 

 

  • Lidhur me të drejtën për shqyrtim të plotë të rastit të tyre, parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Kjo e drejtë është identifikuar nga GjEDNj, si një prej elementeve përbërëse të të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm (the right to have one's case properly examined). Si e tillë, kjo e drejtë është e lidhur ngushtë me te drejtën për vendim të arsyetuar gjyqësor.”

 

  • Parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Në rastin konkret, si gjykata e shkallës së parë, po ashtu edhe ajo e shkallës së dytë, nuk i kanë shqyrtuar fare pretendimet, argumentet dhe provat e parashtruesve, Gjok Gega dhe Bajram Sinani. Por këto nuk janë argumentet e vetme që gjykatat i kanë trajtuar pa kujdesin minimal gjatë procedurave për caktimin e masës së sigurimit. Provat më të forta për këtë shkelje janë pasaktësia e vrazhdë në Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, të 8 shtatorit 2022, e cila konstaton në​​ mënyrë​​ krejtësisht​​ të​​ gabuar se në​​ rigjykim, Gjykata Themelore në​​ Pejë-dega në​​ Klinë, ka mbajtur seancë​​ shqyrtuese,​​ ka​​ dëgjuar​​ palët​​ dhe ka nxjerrë​​ të​​ gjitha provat.”​​ 

 

  • Lidhur me të drejtën për mbrojtje të pronës, parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Në ndërlidhje me atë qe u theksua me sipër dhe siç mund të vërehet nga faktet e rastit, parashtruesve të kërkesës, Gjok Gega dhe Bajram Sinani, po iu kufizohen drastikisht të drejtat pronësore të cilat i kanë fituar përmes një marrëdhënieje kontraktuese​​ ligjore me B.P. E gjithë kjo si pasojë e vendimeve arbitrare të gjykatës së shkallës së parë dhe gjykatës së shkallës së dytë, të inicuara me një padi të një personi i cili provë kryesore për të dëshmuar të drejtën e tij subjektive mbi paluajtshmëritë në fjalë e ka një kontratë që nuk i plotëson kushtet ligjore për të prodhuar efekt juridik.

 

  • Në fund, parashtruesit e kërkesës​​ kërkojnë nga Gjykata: (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të​​ konstatojë​​ se ka pasur shkelje të nenit 31 dhe 46 të Kushtetutës; (iii)​​ të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin e Gjykatës​​ së Apelit [Ac.nr.597/2022]​​ të 8 shtatorit 2022 si dhe Aktvendimin e Gjykatës Themelore [C.nr.398/2021] të 26 korrikut 2022; (iv) të kthejë çështjen në rigjykim në Gjykatën themelore në pajtim me konstatimet e Gjykatës Kushtetuese. ​​ 

 

Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore

 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës

 

 

Neni 31​​ 

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”

 

Neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]

 

“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”

 

Neni 54

[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]

 

“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.”

 

 

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut

 

Neni 6

(E drejta për një proces të rregullt)

 

“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga​​ gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”

[...]

 

 

 

LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE

 

Neni 2

[Pa titull]

 

“2.1 Në procedurë kontestimore gjykata vendos brenda kufijve të kërkesave që janë parashtruar nga palët ndërgjyqëse.​​ 

 

2.2 Gjykata i zbaton rregullat e të drejtës materiale sipas çmuarjes së saj dhe nuk është e lidhur me thëniet e palëve që kanë të bëjnë me të drejtën materiale.​​ 

 

2.3 Gjykata nuk mund të refuzojë shqyrtimin dhe vendosjen mbi kërkesat që janë në kompetencën e saj.​​ 

 

2.4 Pala duhet të ketë interes juridik për padinë dhe për veprimet procedurale tjera që mund të kryhen në procedurë.”

 

Neni 199

[Pa titull]

 

“Gjykata e çështjes ka për detyrë që menjëherë pasi t’i arrijë aktvendimi i gjykatës së shkallës së dytë, të caktojë seancën përgatitore apo seancën për shqyrtimin kryesor të çështjes e cila duhet të mbahet më së voni brenda afatit tridhjetë (30) ditor pas arritjes së aktvendimit të gjykatës së shkallës së dytë, si dhe t’i kryejë të gjitha veprimet procedurale dhe t’i shqyrtojë të gjitha çështjet kontestuese që i ka ofruar gjykata e shkallës së dytë në aktvendimin e saj.”

 

Neni 297

[Pa titull]

 

297.1 Masa e sigurimit mund të caktohet:​​ 

 

a) në qoftë se propozuesi i sigurimit e bënë të besueshme ekzistimin e kërkesës apo të së drejtës subjektive të tij , dhe​​ 

 

b) në qoftë se ekziston rreziku se pa caktimin e masës së këtillë pala kundërshtare do të mund ta pamundësonte apo vështirësonte dukshëm realizimin e kërkesës, sidomos me tjetërsimin e pasurisë së vet, me fshehjen e saj, me ngarkimin apo me ndonjë mënyrë tjetër, me të cilën do ta ndryshonte gjendjen ekzistuese të gjërave, ose në ndonjë mënyrë tjetër do të ndikonte negativisht në të drejtat e propozuesit të sigurimit.​​ 

​​ 

297.2 Po që se nuk është përcaktuar ndryshe me ligj, gjykata e cakton masën e sigurimit vetëm nën kushtet që propozuesi i sigurimit, brenda afatit të caktuar nga gjykata, ashtu siç parashihet me Ligjin mbi Procedurën Përmbarimore, jep garanci në masën dhe në llojin e caktuar nga gjykata, për dëmin që mund t’i shkaktohet palës kundërshtare me caktimin dhe ekzekutimin e masës së sigurimit.​​ 

​​ 

297.3 Po që se propozuesi nuk jep garanci brenda afatit të caktuar gjykata e refuzon propozimin për caktimin e masës së sigurimit. Me kërkesën e propozuesit gjykata mund ta liroj atë nga detyrimi i dhënies së garancisë po që se konstatohet se nuk ka mundësi financiare për një gjë të tillë.​​ 

​​ 

297.4 Bashkësitë e pushtetit lokal janë të përjashtuara nga detyrimi i paragrafit 3 të këtij neni.”

 

LIGJI NR. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE

 

Neni 33

[Parakontrata]

 

“1. Parakontrata është kontratë me të cilën merret përsipër detyrimi që më vonë të lidhet kontrata tjetër kryesore.

 

2. Dispozitat mbi formën e kontratës kryesore vlejnë edhe për parakontratën, në qoftë se forma e parashikuar është kusht i vlefshmërisë së kontratës.

 

3. Parakontrata detyron, në qoftë se i përmban elementet thelbësore të kontratës kryesore.

 

4. Me kërkesën e palës së interesuar, gjykata do ta urdhërojë palën tjetër që refuzon lidhjen e kontratës kryesore ta bëjë këtë brenda afatit të cilin do t`ia caktojë.

 

5. Lidhja e kontratës kryesore mund të kërkohet brenda afatit prej gjashtë (6) muajsh nga skadimi i afatit të parashikuar për lidhjen e saj, e në qoftë se ky afat nuk është parashikuar, atëherë prej ditës kur sipas natyrës së punës dhe rrethanave konkrete, kontrata është dashur të lidhet.​​ 

 

6. Parakontrata nuk detyron në qoftë se rrethanat, prej lidhjes së saj kanë ndryshuar aq sa që nuk do të lidhej fare po të ekzistonin rrethanat e tilla në atë kohë.”

 

Neni 52

[Forma e kontratës për transferin e titullit të paluajtshmërisë]

 

“Kontrata në bazë të së cilës transferohet titulli i paluajtshmërisë ose përmes së cilës krijohet një e drejtë tjetër subjektive për paluajtshmërinë duhet të lidhet në formën e shkruar.”

 

Neni 89

[Nuliteti]

 

“1. Kontrata që është në kundërshtim me rendin publik, dispozitat urdhëruese, ose moralin e shoqërisë është nule, në qoftë se qëllimi i rregullës së cenuar nuk udhëzon në ndonjë sanksion tjetër apo në qoftë se ligji në rastin e caktuar nuk parashikon diç tjetër.

 

2. Në qoftë se lidhja e kontratës së caktuar është e ndaluar vetëm për njërën palë, kontrata do të jetë e vlefshme, në qoftë se në ligj nuk është parashikuar ndryshe për rastin e caktuar, ndërsa pala që e ka cenuar ndalesën ligjore do të pësojë pasoja përkatëse.”

 

Neni 102

[Shuarja e së drejtës së anulimit]

 

“1. E drejta për të kërkuar anulimin të një kontrate të rrëzueshme shuhet me skadimin e afatit prej një (1) viti nga dita kur të jetë ditur shkaku i rrëzueshmërisë, përkatësisht prej pushimit të dhunës.

 

2. Kjo e drejtë në çdo rast shuhet me skadimin e afatit prej tri (3) vitesh nga dita e lidhjes së kontratës.”

 

LIGJI Nr. 03/L-154 PËR PRONËSINË DHE TË DREJTAT TJERA SENDORE

 

Neni 36

[Fitimi i pronësisë në paluajtshmëri]

 

“1. Për bartjen e pronësisë në paluajtshmëri është e nevojshme një punë juridike e vlefshme ndërmjet tjetërsuesit dhe fituesit si bazë juridike dhe regjistrimi i ndryshimit i pronësisë në Regjistrin e të drejtave në paluajtshmëri.​​ 

 

2. Kontrata për bartjen e paluajtshmërisë duhet të lidhet me shkrim në prezencë të dy palëve në një zyrë kompetente.”

 

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

 

  • Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.

 

  • Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:

 

1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[...]

 

7.​​ Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.​​ 

 

  • Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale]​​ 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të​​ Ligjit, që parashikojnë:

 

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Neni 47

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ [Kërkesa individuale]

 

“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

 

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.​​ 

 

Neni 49

[Afatet]

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”

 

 

  • Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës kanë specifikuar se kontestojnë një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimit​​ [Ac.nr.597/2022] të 8 shtatorit 2022, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesit e kërkesës gjithashtu kanë qartësuar të drejtat dhe liritë që ata pretendojnë se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe kanë dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.

 

 

  • Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 39 (2) specifikon:

 

“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.​​ 

 

  • Gjykata rikujton që​​ rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës​​ (shih rastin​​ KI04/21, parashtruese​​ Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin​​ KI175/20, parashtruese​​ Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).​​ 

 

  • Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime​​ “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. (Shih: më saktësisht për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër​​ kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”, Udhëzuesin Praktik të GJEDNJ-së për Kriteret e Pranueshmërisë të 31 gushtit 2019; Pjesa III. Papranueshmëria bazuar në merita; A. Kërkesat qartazi të pabazuara, paragrafët 255 deri më​​ 284, shih gjithashtu rastin​​ KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin​​ KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).

 

  • Në​​ kontekst​​ të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave,​​ Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin​​ KI04/21,​​ cituar më lart, paragrafi 28).

 

  • Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me​​ padinë përkatësisht masën siguruese në procedurën paraprake që paditësi B.B kishte paraqitur në raport me 43 ngastra pronësore, me qëllim të ndalimit të disponimit apo tjetërsimit të tyre nga parashtruesit e kërkesës si kundërshtarë të masës së sigurisë.​​ Gjykata Themelore në Pejë aprovoi të bazuar propozimin e paditësit-propozuesit B.B., për caktimin e masës siguruese​​ dhe ndaloi​​ parashtruesit e​​ kërkesës që të tjetërsojnë, ngarkojnë apo disponojnë me pasurinë e paluajtshme përkatësisht me 43 ngastra​​ pronësore. Gjykata Themelore duke vepruar sipas kundërshtimit të parashtruesve të kërkesës sërish aprovoi të bazuar propozimin e paditësit-propozuesit B.B., për caktimin e masës siguruese dhe ndaloi parashtruesit e kërkesës që të tjetërsojnë, ngarkojnë apo disponojnë me pasurinë e paluajtshme përkatësisht me 43 ngastra pronësore.​​ Parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që të aprovohet ankesa, të shfuqizohet masa e sigurimit apo çështja të kthehet në rivendosje. Gjykata e Apelit aprovoi të themelta ankesat e parashtruesve të kërkesës dhe prishi aktvendimin e Gjykatës Themelore duke kthyer çështjen në rigjykim tek gjykata e shkallës së parë.​​ Gjykata Themelore në ri-procedurë sërish​​ ​​ aprovoi të bazuar propozimin e paditësit-propozuesit B.B., për caktimin e masës siguruese dhe ndaloi parashtruesit e kërkesës që të tjetërsojnë, ngarkojnë apo disponojnë me pasurinë e paluajtshme përkatësisht me 43 ngastra pronësore.​​ Parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që të aprovohet ankesa, të shfuqizohet masa e sigurimit apo çështja të kthehet në rivendosje. Gjykata e Apelit refuzoi të pabazuara ankesat e parashtruesve të kërkesës, ndërsa vërtetoi aktvendimin e gjykatës të instancës më të ulët.​​ Gjykata e Apelit konstatoi se-duke vepruar sipas udhëzimeve të dhëna nga ana e Gjykatës së Apelit-gjykata shkallës së parë prap e mbajti shqyrtimin, i ka dëgjuar palët në procedurë, ka nxjerrë të gjitha provat dhe mbas kësaj ka marrë vendimin e atakuar.​​ 

 

  • Nga përmbajtja e procedurave të zhvilluara në gjykatat e rregullta, Gjykata vlerëson se vendimet e kontestuara të Gjykatës Apelit dhe Gjykatës Themelore ndërlidhen me caktimin e masës së sigurisë​​ sipas paditësit-propozuesit B.B​​ për t’iu ndaluar parashtruesve të kërkesës disponimin, ngarkimin apo tjetërsimin e 43 ngastrave pronësore,​​ përkatësisht “procedura paraprake”. Gjykata bazuar në praktikën gjyqësore të saj dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), duhet të vlerësojë aplikueshmërinë e garancive të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Në këtë kontekst, Gjykata i referohet pikës (b) të paragrafit (3) të rregullit 39 të Rregullores së punës, sipas së cilës, Gjykata mund të​​ konsiderojë një kërkesë të papranueshme nëse e njëjta nuk është​​ ratione materiae​​ në pajtim me Kushtetutën.

 

  • Prandaj, vlerësimi i ​​ kriterit të lartpërmendur në rrethanat e rastit konkret, është i rëndësishëm sepse procedurat e zhvilluara para gjykatave të rregullta hyjnë në fushëveprimin e “procedurave paraprake”, përkatësisht vendimet e kontestuara të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore ndërlidhen me​​ ndërlidhen me caktimin e masës së sigurisë sipas paditësit-propozuesit B.B për t’iu ndaluar parashtruesve të kërkesës disponimin, ngarkimin apo tjetërsimin e 43 ngastrave pronësore, derisa gjykatat e rregullta​​ të vendosin​​ me vendim përfundimtar (shqyrtim të meritave) lidhur me padinë e​​ paditësit-propozuesit B.B. Rrjedhimisht, Gjykata do të vlerësojë nëse neni 31 i Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së është i zbatueshëm në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës.​​ 

 

  • Në këtë kontekst specifik, Gjykata vëren se çështja e aplikueshmërisë së nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së në procedura paraprake është interpretuar nga GJEDNJ përmes praktikes së saj gjyqësore, në harmoni me të cilën Gjykata, në pajtim me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejta e Njeriut] të Kushtetutës, është e obliguar të interpretojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

 

  • Gjykata vë po ashtu në pah, se kriteret për aplikueshmërinë e nenit 31 të Kushtetutës përkitazi me procedurat paraprake janë përcaktuar po ashtu edhe në rastet e kësaj Gjykate, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet​​ KI122/17, parashtrues, ​​ Česká Exportní Banka A.S.,​​ Aktgjykim i 30 prillit 2018;​​ KI150/16, parashtrues, ​​ Mark Frrok Gjokaj, Aktgjykim i 31 dhjetorit 2018;​​ KI81/19, parashtrues,​​ Skender Podrimqaku,​​ Aktvendim për papranueshmëri i 9 nëntorit 2019;​​ KI107/19, parashtrues, ​​ Gafurr Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020;​​ KI195/20, parashtrues, ​​ Aigars Kesengfelds, Aktgjykim, i 29 marsit 2021. Parimet e përgjithshme të vendosura përmes ​​ vendimeve të lartcekura të Gjykatës janë bazuar në rastin e GJENDJ-së,​​ Micallef kundër Maltës, nr. 17056/06, Aktgjykim i 15 tetorit 2009.

 

  • Rrjedhimisht, për të konstatuar nëse në rastin konkret aplikohet neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së, Gjykata do t'iu referohet parimeve të përgjithshme të përcaktuara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës për sa i përket aplikueshmërisë ​​ së garancive procedurale të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe më pas të njëjtat do t'i aplikojë në rrethanat e rastit konkret.

 

  • Bazuar në praktikë gjyqësore të saj dhe të GJEDNJ-së, Gjykata vëren se jo të gjitha masat e sigurisë apo masat e përkohshme përcaktojnë të drejtat ose detyrimet civile dhe në mënyrë që neni 6 i KEDNJ-së të konsiderohet i zbatueshëm, GJEDNJ përcaktoi kriteret mbi bazën e të cilave duhet të vlerësohet aplikueshmëria e nenit 6 të KEDNJ-së në “procedurat paraprake” (shih, rastin e GJEDNJ-së,​​ Micallef kundër Maltës, cituar më lart, paragrafët 83-86).

 

  • Sipas kritereve të përcaktuara në rastin Micallef kundër Maltës, të cilat kritere edhe kjo Gjykatë i pranoi ​​ përmes praktikës gjyqësore: së pari, e drejta në fjalë duhet të jetë “civile” si në shqyrtimin gjyqësor ashtu edhe në procedurat lidhur me masën e sigurisë, brenda kuptimit autonom të këtij nocioni sipas nenit 6 të KEDNJ-së dhe; së dyti, ​​ kjo procedurë duhet të përcaktojë në mënyrë efektive të drejtën civile përkatëse (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së,​​ Micallef kundër Maltës, cituar më lart, paragrafët 84 dhe 85 dhe referencat e përmendura aty, si dhe shih rastet e Gjykatës​​ KI122/17, ​​ parashtrues,​​ Česká Exportní Banka A.S.,​​ të cituar më lart, paragrafët 130 dhe 131;​​ KI81/19,​​ parashtrues, ​​ Skender Podrimqaku, të cituar më lart, paragrafët 47 dhe 48;​​ KI107/19, parashtrues, ​​ Gafurr Bytyqi, të cituar më lart, paragrafi 53).

 

  • Gjykata rikujton që rrethanat e rastit parashtruesit e kërkesës i referohen vendimeve të ​​ kontestuara të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore​​ për caktim të masës së së sigurisë sipas padisë së paditësit-propozuesit B.B me qëllim të ndalimit të parashtruesve të kërkesës-si kundërshtarë të masës siguruese-që të disponojnë, ngarkojnë apo tjetërsojnë 43 ngastra pronësore. Parashtruesit e​​ kërkesës kishin paraqitur kundërshtime dhe ankesa në procedurat paraprake të zhvilluara pranë gjyqësorit të rregullt duke kundërshtuar caktimin e masës së sigurisë në 43 ngastrat pronësore të iniciuara sipas padisë së paditësit-propozuesit B.B.

 

  • Gjykata rikujton se të gjitha çështjet e ngritura në rrethanat e rastit konkret hyjnë në fushëveprimin e “procedurave paraprake” derisa të shqyrtohet çështja kryesore për 43 ngastrat pronësore për të cilat Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore kanë caktuar masat e sigurisë sipas padisë së paditësit-propozuesit B.B. Gjykata vëren se procedurat e zhvilluara deri më tani janë procedura paraprake lidhur me caktimin e masave të sigurisë për 43 ngastrat pronësore që janë objekt kontesti ndërmjet palëve ndërgjyqëse ​​ ndërsa për aspektin material (meritat) e kësaj kërkese gjykatat e rregullta akoma nuk kanë nxjerrë vendim të formës së prerë dhe të detyrueshëm.  ​​ ​​ ​​​​ 

 

  • Nga sa më sipër, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës (i) gëzon një të “drejtë civile” që vë në lëvizje garancitë procedurale të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; (ii) ​​ kërkesa e parashtruesit të kërkesës përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së është​​ ratione materiae​​ në pajtim më Kushtetutën; dhe, se (iii) garancitë procedurale të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së janë të aplikueshme në rastin e tij.​​ 

 

  • Në tekstin e mëposhtëm të këtij vendimi, Gjykata rithekson se-në pajtim me parimin e subsidiaritetit-do të vlerësojë pretendimet e parashtruesve​​ të kërkesës vetëm sa i përket procedurës paraprake të kësaj kërkese përkatësisht vendimet​​ e gjykatave të rregullta lidhur me caktimin e masave të sigurisë për 43 ngastrat pronësore që janë objekt kontesti ndërmjet palëve ndërgjyqëse.​​  ​​ ​​​​ 

 

  • Gjykata rikujton që parashtruesit e​​ kërkesës në thelb​​ ngre​​ pretendime​​ specifike por të ndërlidhura me njëra tjetrën në kuadër të së drejtës së përgjithshme për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohet me​​ nenin​​ 31 të Kushtetutës​​ dhe​​ nenin 6​​ (1)​​ të KEDNJ-së.​​ Parashtruesit e kërkesës pohojnë se në rastin e tyre janë cenuar: a) e drejta për vendim të arsyetuar sepse gjykatat​​ e rregullta nuk kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm për vendimmarrjen e tyre; b) të drejtën për seancë dëgjimore sepse gjykatat e rregullta nuk kanë mbajtur seancë dëgjimore për​​ vërtetimin​​ e plotë​​ të​​ gjendjes faktike; dhe c) të drejtës për shqyrtim të plotë të rastit të tyre nga gjykatat e rregullta me qëllim të nxjerrjes së një epilogu të drejtë të procedurave që ata kontestojnë. Gjykata vlerëson se të tri​​ komponentët specifik të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm-që parashtruesit e kërkesës pretendojnë se janë cenuar në dëm të tyre-kanë si emërues të përbashkët vërtetimin e plotë të gjendjes faktike me qëllim të​​ nxjerrjes​​ të një vendimi të drejtë në rastin e tyre. Gjykata po ashtu vëren se parashtruesit e kërkesës ngrenë pretendime për mbrojtje të pronës siç garantohet me nenin 46 të Kushtetutës,​​ pretendim ky që ka të bëj me aspektin material të kësaj kërkese-sepse parashtruesit e kërkesës-hedhin dyshime mbi vlefshmërinë juridiko-ligjore të pronësisë së palës kundërshtare B.B ​​ në raport me 43 ngastrat pronësore që janë objekt kontesti​​ ndërmjet palëve ndërgjyqëse.

 

  • Gjykata​​ sërish vë në pah konstatimet e Gjykatës​​ së Apelit:​​ (i)​​ duke vepruar sipas udhëzimeve të dhëna nga ana e Gjykatës së Apelit, gjykata shkallës së parë prap e mbajti shqyrtimin, i ka dëgjuar palët në procedurë, ka nxjerrë të gjitha provat dhe mbas kësaj ka marrë vendimin e atakuar;​​ (ii)​​ gjykata shkallës së parë me kujdes ka trajtuar​​ udhëzimet të dhënë në vendimin nga ana e Gjykatës së Apelit, e vërtetoi edhe ekzistimin e faktit se ekziston qëllimi serioz për shitjen dhe blerjen e drejtës së shfrytëzimit të patundshmërive të lëndës në mes të palëve, përkatësisht paditësit B.B., si dhe blerësit dhe paditurit të parë B.P., si shitës;​​ (iii)​​ arsyeja sepse në aktvendimin e shkallës së parë gjykata nuk është marrë me çështjen e vërtetimit të ekzistimit të raportit kontraktual në mes të paditësit B.B., dhe të paditurit B.P., dhe se kërkesëpadia e paditësit nuk ka për qëllim të provon drejtat të pronësisë në parcelat të kontestueshme e as plotësimin e kontratës në mes të paditësit B.B., dhe paditurit B.P., por ka të bëj me kërkesë për ndërprerjen e kontratave në mes të paditurit të parë B.P., dhe me ​​ të paditurit-parashtruesit e kërkesës Gjok Gega dhe Bajram Sinani;​​ (iv)​​ nga të gjitha këto, gjykata shkallës së parë duke vepruar sipas propozimit për caktimin e masës së sigurisë , ka studiuar çështjen (ekzistimi i të drejtës subjektive) ne kontekstin të vlefshmërisë së plotë të kontratës të lidhur në mes të paditurit të parë B.P., dhe kundërshtarëve të masës së sigurisë-parashtruesve të kërkesës Gjok Gega dhe Bajram Sinani;​​ (v)​​ në kuptim me dispozitat të nenit 2 par. 1 dhe 2 të LPK-së, vlerësimi i gjykatës së shkallës së parë rreth mangësive të kontratës së përpiluar në bazë të dispozitave të neneve 89 deri 102 të LMD-së si në lidhje me dispozitën e nenit 102 par. 2 pika 2.8 të Ligjit për ndërmarrjet ekonomike;​​ (vi)​​ e në bazë të fakteve të nxjerra dhe provave të cilat e mbështesin propozimin e paraqitur, gjykata shkallës së parë ka ardhur deri te konkludimi që pronari-aksionari në pjesët të barabarta “Ndërmarrja e Re Toka Bujqësore në Drenovc Sh.P.K” janë B.B., dhe B.P;​​ (vii)​​ sipas vërtetimit me dt. 02.05.2019 është mbajtur drejta e shfrytëzimit ne parcelat kontestuese kundërshtarit të propozuesit: Bajram Sinani sipas kontratës numër 573/2019 nga dt. 24.04.2019, ndërsa me dt. 13.05.2019 e drejta e shfrytëzimit në parcelat kontestuese është mbartur tek kundërshtari i propozuesit: Gjok Gega sipas kontratës nr. 589/2019 nga dt. 25.04.2019;​​ (viii)​​ gjykata e vërtetoi se kundërshtarët të masës kanë fituar të drejtën e shfrytëzimit të parcelave përmes të kontratave të përmendur ndërprerjen e të cilave kërkon paditësi me padinë konkrete të kërkesës, të njëjtit janë të lidhur në mes të përfaqësuesit të autorizuar të paditurit B.P., M.A., dhe kundërshtarit të propozuesit-parashtruesit e kërkesës: Gjok Gega dhe Bajram Sinani;​​ (ix)​​ në rastin e mbartjes së drejtave të shfrytëzimit në ngastrat kontestueshme nga “Ndërmarrja e Re Toka Bujqësore në Drenoc SH.P.K” të kundërshtarëve të-parashtruesit e kërkesës propozuesve Gjok Gega dhe Bajram Sinani, vetëm një nga aksionarët ka dhënë autorizimin për nënshkrimin e kontratës dhe atë këtu të paditurit B.P;​​ (x)​​ duke pasur parasysh se parashtruesit e kërkesës me mbartjen e drejtës së shfrytëzimit në disa nga parcelat kadastrale, në masë të madhe do të ndikonte në vështirësinë e realizimit të drejtës të cilën e ka propozuesi i masës së sigurisë në situatën konkrete;​​ (xi)​​ gjykata shkallës së parë në arsyetimin e aktvendimit në mes tjerash ka cekur edhe si në vijim se propozimi i propozuesit është i bazuar dhe se i plotëson të gjitha kushtet të parapara me dispozitat të nenit 297 par 1 pika (a) dhe (b) të LPK-së;​​ (xii)​​ propozimi po ashtu është i bazuar sepse ekziston rreziku se pa caktimin e masës së sigurisë dukshëm do të vështirësohej realizimi i kërkesëpadisë dhe se ekziston rreziku real se propozuesit do t’i shkaktohet dëm i ​​ pariparueshëm.

 

  • Lidhur me pretendimin për mos mbajtje të seancës dëgjimore, Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës pretendojnë se konstatimi i ​​ Gjykatës së Apelit​​ se Gjykata Themelore në ri-procedurë ka mbajtur seancë dëgjimore është ‘tërësisht i pasaktë’. Në këtë situatë, Gjykata nuk mund të spekulojë nëse në ri-procedurë në Gjykatën Themelore është mbajtur seanca dëgjimore ose jo, mirëpo, Gjykata gjatë vlerësimit kushtetues bazohet në prezumimin e ligjshmërisë së vendimeve të gjyqësorit të rregullt derisa nuk ​​ provohet e kundërta.​​ 

 

  • Gjykata po ashtu vëren se vetë​​ parashtruesit e kërkesës kanë pranuar se Gjykata Themelore ka mbajtur një seancë dëgjimore porse në atë rast e njëjta ka shqyrtuar çështje teknike siç është vërtetimi i saktë i emrave të palëve ndërgjyqëse.​​ 

 

  • Gjykata vlerëson se mbajtja e seancës dëgjimore të paktën në një instancë gjyqësore e plotëson kushtin e garancisë procedurale nga neni 31 i Kushtetutës dhe nenin 6 (1) i KEDNJ-së. Gjykata po ashtu vlerëson se nuk ka arsye me peshë​​ (weighty reasons)​​ për ta vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë​​ e seancës dëgjimore të mbajtur nga Gjykata Themelore.​​  ​​ ​​ ​​​​ 

 

  • Gjykata vëren se Gjykata​​ e Apelit:​​ (i)​​ ka dhënë një arsyetim të gjithëpërfshirës të të gjitha çështjeve qendrore të çështjes së parashtruesve​​ të kërkesës çka lë të kuptohet se parashtruesve u​​ është mundësuar paraqitja e argumenteve kundrejt palës​​ së​​ paditëse;​​ (ii)​​ Gjykata​​ e Apelit ka kthyer çështjen në rigjykim tek​​ gjykata​​ e ​​​​ instancës më të ulët:​​ a)​​ për të vërtetuar drejtë çështjen faktike nëse ka apo nuk ka marrëveshje serioze për shitblerjen e të drejtës së paluajtshmërive lëndore ndërmjet palëve ndërgjyqëse;​​ b)​​ vërtetimin e ligjshmërisë të të drejtës subjektive të​​ paditësi​​ B.B kundrejt paluajtshmërive lëndore në kuptim të dispozitave​​ përkatëse​​ të LMD-së;​​ c)​​ vërtetimin e raportit dhe natyrës kontraktuale ndërmjet paditësit B.B dhe të paditurit të parë B.P dhe parashtruesve të kërkesës si të paditur të dytë; dhe​​ ç) ​​​​ vlerësimin dhe vërtetimin e ligjshmërisë të caktimit të masës së sigurimit të propozuar nga paditësit B.B kundrejt ​​ të drejtave të parashtruesve të kërkesës si kundërshtues të masës së sigurimit ndaj paluajtshmërive lëndore.

 

  • Bazuar në përmbajtjen e paragrafit të mësipërm, Gjykata vlerëson se Gjykata e Apelit ka treguar kujdesin e duhur për administrimin e drejtë të drejtësisë duke kthyer çështjen në rigjykim tek Gjykata Themelore dhe jo siç pretendojnë parashtruesit e kërkesës se gjykatat e rregullta nuk kanë treguar as “kujdesin mininal” në rastin e tyre.​​ 

 

  • Në këtë kontekst, Gjykata​​ sërish​​ vë​​ në spikamë konstatimet e Gjykatës Themelore pas vërejtjeve të Gjykatës së Apelit:​​ (i)​​ kjo gjykatë, duke e shqyrtuar propozimin e propozuesit B.B., pretendimet e kundërshtareve të masës-parashtruesve të kërkesës dhe duke marrë parasysh gjetjet e Gjykatës së Apelit në lidhje me argumentimin e ekzistimit të të drejtës subjektive të propozuesit, duke u bazuar në nenin 297 par. 1 pika a) dhe b) të LPK-së, vendosi si në dispozitiv të këtij aktvendimi;​​ (ii)​​ sipas kësaj gjykate nga faktet e parashtruara në propozim për masë siguruese dhe provat e bashkëngjitura propozimit, propozuesi ka arritur ta bëjë të besueshëm ekzistimin e kërkesës apo të drejtës së tij subjektive e gjithashtu ka arritur ta bind gjykatën se ekziston rreziku se pa caktimin e masës siguruese të njëjtit mund t’i pamundësohet apo vështirësohet realizimi i kërkesës;​​ (iii)​​ kërkesa e propozuesit-paditësit B.B., në këtë rast është për anulimin e kontratave për bartjen të drejtës së shfrytëzimit nga i padituri i parë B.P., tek i padituri i dytë dhe i tretë-parashtruesit e kërkesës;​​ (iv)​​ kjo gjykatë e trajtoi me vëmendje gjetjen paraqitur nga gjykata e apelit në aktvendimin me të cilin çështja është kthyer në procedim të sërishëm, ku thuhet se “Gjykata e shkallës së parë ka lëshuar masën e mirëfilltë të sigurimit pa e vërtetuar faktin se ka apo nuk ka marrëveshje të mirëfilltë dhe serioze për shitblerjen e të drejtës së shfrytëzimit të paluajtshmërive lëndore në mes të ndërgjyqësve përkatësisht paditësit B.B., si blerës dhe të paditurit të parë B.P., si shitës;​​ (v)​​ fakti se pse në vendimin e shkallës së parë nuk është trajtuar vërtetimi i ekzistimit të raportit kontraktual ndërmjet paditësit B.B., dhe të paditurit B.P., ka të bëj me atë se kërkesa e paditësit nuk është e drejtuar në vërtetimin e të drejtës se pronësisë në parcelat kontestuese e as në përmbushjen e kontratës ndërmjet paditësit B.B., dhe të paditurit B.P.,​​ (vi)​​ por ka të bëjë me kërkesën për anulimin e kontratave të lidhura ndërmjet të paditurit të parë B.P., përmes përfaqësuesit të autorizuar me të paditurit-parashtruesit e kërkesës Gjok Gega dhe Bajram Sinani;​​ (vii)​​ në këtë fazë të procedurës nuk është kontestuese, se parcelat mbi të cilat është vendosur masa siguruese kanë qenë të regjistruara në emër të “Ndërmarrja e Re Toka Bujqësore në Drenoc SH.P.K” (Qirambajtje për 99 vite), ky faktet vërtetohet edhe me certifikatën e pronës të bashkëngjitur propozimit që mban numër 11-1659-21 të datës 25.06.2021;​​ (viii)​​ sipas kësaj certifikate kjo gjendje ka zgjatur deri më datë 02.05.2019 përkatësisht​​ deri më datë 13.05.2019, data në të cilat kundërshtareve të masës-parashtruesve të kërkesës u është bartur e drejta e shfrytëzimit;​​ (ix)​​ gjykata ka konstatuar se kundërshtareve të masës-parashtruesve të kërkesës u është bartur e drejta e shfrytëzimit në parcelat kontestuese përmes kontratave të cilat paditësi B.B., kërkon të anulohen, të cilat kontrata janë lidhur ndërmjet përfaqësuesit të autorizuar të të paditurit B.P., dhe kundërshtarëve të masës së sigurimit-parashtruesve të kërkesës Gjok Gega dhe Bajram Sinani;​​ (x)​​ pra, me rastin e bartjes së të drejtës së shfrytëzimit të paluajtshmërive kontestuese nga “Ndërmarrja e Re Toka Bujqësore në Drenoc SH.P.K” tek kundërshtaret e sigurimit Gjok Gega dhe Bajram Sinani, autorizimin për nënshkrimin e kontratës e ka dhënë vetëm njëri nga aksionarët dhe atë vetëm i padituri B.P;​​ (xi)​​ sipas kësaj gjykate, ky nivel i besueshmërisë është i mjaftueshëm për këtë fazë të procedurës ​​ përkatësisht për caktimin e masës siguruese si në dispozitiv të këtij aktvendimi;​​ (xii)​​ duke qenë se kundërshtaret e sigurimit-parashtruesit e kërkesës tashmë e kanë të regjistruar të drejtën e shfrytëzimit të këtyre parcelave, rrjedhimisht kanë mundësi që me të njëjtat të disponojnë në kuadër të autorizimeve që i kanë, një disponim eventual duke e kaluar të drejtën e shfrytëzimit tek dikush tjetër apo duke i ngarkuar këto parcela, do të ndikonte në masë të madhe në vështirësimin e realizimit të të drejtës së pretenduar nga propozuesi i masës se sigurimit;​​ (xiii)​​ andaj, duke u gjendur në këtë situatë sipas gjykatës masa e sigurisë do të evitoj çdo rrezik të mundshëm deri në përfundimin e procedurës në këtë çështje kontestimore;​​ (xiv)​​ gjykata pasi shqyrtoj pretendimet e palëve dhe provat e propozuara, vendosi që ta obligoj propozuesin e masës siguruese B.B., që në afat prej 3 ditësh të jap garanci në vlerë prej 5,000 €, për dëmin që mund t’i shkaktohet palëve kundërshtare, garancion të cilin propozuesi B.B., e ka paguar brenda afatit të përcaktuar nga gjykata, që vërtetohet me dëftesën e pagesës të datës 30.03.2022;​​ (xv)​​ nga sa u tha me lart, e duke u bazuar në nenin 297 par.1 dhe 2 në lidhje me nenin 300 par.1, 306 par.3 dhe 307 par.1 të LPK-së, u vendos si në dispozitiv të këtij aktvendimi.

 

  • Gjykata vëren se në procesverbalin [C.nr. 389/21] të 24 shkurtit 2022 rezulton se Gjykata Themelore ka mbajtur seancën dëgjimore me​​ ç ‘rast​​ janë ftuar dhe ishin të pranishëm​​ parashtruesit e kërkesës dhe propozuesit e masës së sigurisë. Parashtruesve të kërkesës u ishte dhënë mundësia që të komentojnë lidhur me të gjitha çështjet që ishin qendrore për rastin e tyre siç janë kontrata noteriale,​​ kontestimi i të drejtës subjektive të propozuesit të masës së sigurisë dhe ligjshmërinë e pretenduar të marrëveshjes së lidhur ndërmjet tyre dhe palës së tretë M.A., për shfrytëzimin e ngastrave kadastrale.​​ 

 

  • Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se konstatimet e Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit në kombinim me mbajtjen e seancës dëgjimore nga Gjykata Themelore:​​ (i)​​ plotësojnë kushtin formal për mbajtje të seancës dëgjimore;​​ (ii)​​ me​​ arsyetimet gjithëpërfshirëse dhe shqyrtimin​​ e​​ çështjeve që ishin qendrore për parashtruesit e kërkesës, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore në tërësi kanë vërtetuar gjendjen faktike por edhe zbatimin e dispozitave përkatëse ligjore në rastin e parashtruesve të kërkesës.​​ 

 

  • Gjykata duke pasur parasysh karakterin specifik, teknik dhe ligjor të procedurave paraprake në caktimin ​​ masës së sigurisë, po ashtu vlerëson se gjykatat e rregullta nuk kanë qenë nën obligim për të mbajtur-për të dytën herë-seancën dëgjimore, sidomos duke pasur parasysh faktin se të njëjtat në tërësi kanë vërtetuar gjendjen faktike por edhe zbatimin e dispozitave përkatëse ligjore në rastin e parashtruesve të kërkesës (shih rastin e GJEDNJ-së,​​ Koottummel ​​ kundër Austrisë,​​ nr. 49616/06, Aktgjykim i 10 dhjetorit 2009, paragrafi 19).​​ ​​ 

 ​​​​ 

  • Lidhur me pretendimin për cenim të së drejtës për vendim të arsyetuar,​​ Gjykata dhe GJEDNJ-ja në jurisprudencën e tyre kanë theksuar se neni 31 i Kushtetutës përkatësisht​​ neni 6, paragrafi 1 i KEDNJ-së, obligon gjykatat të japin arsyet për vendimet e tyre, ato gjithashtu kanë konstatuar se kjo nuk mund të kuptohet si kërkesë për një përgjigje të hollësishme në çdo argument. (Shih rastet e Gjykatës​​ nr.​​ KI24/22, parashtrues​​ Turkiye Is Bankasi A.S.-Dega Kosovë, aktvendim për papranueshmëri i 27 tetorit 2022, paragrafi 44;​​  ​​​​ KI174/21​​ parashtrues​​ Bashkim Makiqi, aktvendim për papranueshmëri i 16 shkurtit 2022, paragrafi 57 dhe ​​ nr.​​ KI97/16​​ parashtrues​​ IKK Classic, aktgjykim i 4 dhjetorit 2017, paragrafi 49 dhe po ashtu shih rastet e GJEDNJ-së​​ Van de Hurk kundër Holandës,​​ nr. 16034/90, Aktgjykim i 19 prillit 1994, paragrafi 61;​​ Higgins dhe të tjerët kundër Francës,​​ nr. 20124/92, Aktgjykimi i 19 shkurtit 1998, paragrafi 42).​​ 

 

  • Gjykata rithekson se​​ në rastin konkret,​​ vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta janë të arsyetuara dhe përmbajnë fakte të vërtetuara, dispozitat ligjore përkatëse dhe marrëdhënien logjike midis tyre. (shih rastet e Gjykatës,​​ nr.​​ KI24/22, parashtrues​​ Turkiye Is Bankasi A.S.-Dega Kosovë, cituar më lart paragrafi 45;​​ ​​ KI174/21​​ parashtrues​​ Bashkim Makiqi, cituar më lart, paragrafi 58 dhe​​ ​​ KI72/12, parashtrues​​ Veton Berisha dhe Ilfete Haziri, aktgjykim i 17 dhjetorit 2012, paragrafi 61, dhe​​ KI135/14,​​ IKK Classic, aktgjykim i 9 shkurtit 2016, paragrafi 58).

 

  • Gjykata ka pohuar vazhdimisht​​ se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë​​ konkluzionet​​ e gjykatave të​​ rregullta​​ në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale​​ dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e​​ “shkallës së katërt, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së​​ García Ruiz kundër Spanjës,​​ nr. 30544/96,​​ Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty;​​ dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës​​ KI128/18​​ parashtrues​​ Limak Kosovo International Airport Sh.A. “Adem Jashari”, Aktvendim për Papranueshmëri i 27 majit 2019, paragrafi 56; dhe​​ KI62/19​​ parashtrues​​ Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 13 nëntorit 2019, paragrafi 58).

 

  • Lidhur me të gjitha pretendimet specifike të parashtruesve të kërkesës, Gjykata rithekson korrektësia e procedurave gjithmonë vlerësohet duke i shqyrtuar në tërësinë tyre, ashtu që një parregullsi e izoluar mund të mos jetë e mjaftueshme për t’i bërë procedurat në tërësi të padrejta (shih rastin e Gjykatës​​ KI107/22,​​ parashtrues​​ Valdet Avdiu, Aktvendim për papranueshmëri i 18 janarit 2023, paragrafi 42; dhe rastin e GJEDNJ-së​​ Mirolubovs kundër Letonisë, nr. 798/05, Aktgjykim i 15 shtatorit 2009, paragrafi 103).​​ 

 

  • Duke vlerësuar procedurat e zhvilluara në tërësi në gjykatat e rregullta, Gjykata konstaton se parashtruesit e​​ ​​ kërkesës përfituan​​ nga procedura kontradiktore dhe se ata​​ ishin​​ në gjendje të paraqesin​​ në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ata​​ i konsideruan​​ të rëndësishme për rastin e tyre; ata​​ kanë pasur mundësinë të hedhin​​ poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta dëgjuan dhe shqyrtuan të gjitha pretendimet e tyre, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimin e kontestuar janë dhënë në hollësi dhe procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta (shih ​​ mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së,​​ Garcia Ruiz kundër Spanjës, ​​​​ cituar më lart, ​​ paragrafët 29 dhe 30, shih gjithashtu rastin e Gjykatës nr.​​ KI22/19, parashtrues​​ Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).

 

  • Gjykata thekson se nuk do të vlerësojë në themelësi aspektin material të kësaj kërkese e që ndërlidhet me pretendimet e parashtruesve të kërkesës për mbrojtje të pronës, përkatësisht të drejtën subjektive të paditës B.B kundrejt paluajtshmërive lëndore dhe raportin e natyrën kontraktuale të paditësit B.B dhe të paditurit të parë B.P dhe​​ parashtruesve të kërkesës si​​ të paditur të dytë, për shkak se këto pretendime kanë të bëjnë me aspektin material të kërkesës që parashtruesit e kërkesës akoma kanë mundësi që t’i ngrenë në procedurë tek gjyqësori i rregullt-dhe si të tilla-të gjitha këto pretendime në këndvështrimin e Gjykatës janë të parakohshme, ngase në situatën konkrete para Gjykatës për​​ vlerësim kushtetues​​ janë procedurat paraprake (shih,​​ mutatis mutandis, rastet e Gjykatës KI202/21, parashtrues​​ “Kelkos Energy SH.P.K.,”​​ Aktgjykim i 29 shtatorit 2022, paragrafi 143; dhe​​ KI75/21, parashtrues​​ “Abrazen LLC”, “Energy Development Group Kosova LLC”, “Alsi & Co. Kosovë LLC” dhe “Building Construction LLC”,​​ Aktgjykim i 19 janarit 2022, paragrafi 95).​​ 

 

  • Gjykata konkludon se pretendimet e​​ parashtruesve​​ të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me dhe nenin 6 (1) të KEDNJ-së,​​ janë​​ qartazi​​ ​​ pabazuara​​ në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 ​​ të Ligjit dhe rregullin 59 (2) të Rregullores së punës, më​​ ​​ 25 maj​​ 2023, njëzëri

 

VENDOS

 

  • TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  • T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;

 

  • TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  • Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.

 

 

 

 

 

Gjyqtari raportues  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

 

Nexhmi Rexhepi    ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​   Gresa Caka-Nimani

 

 

1

Parashtruesit:

Valon Loxhaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile