Prishtinë, më 12 korrik 2024
Nr. ref.: RK 2465/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI253/23
Parashtrues
Driton Musa
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac. nr. 6260/2021] të 17 majit 2023 të Gjykatës së Apelit
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Driton Musa (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), nga Vushtrria.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Ac. nr. 6260/2021] e 17 majit 2023 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).
Parashtruesi i kërkesës, aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit e kishte pranuar më 19 korrik 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar, me të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], neni 7 [Vlerat] dhe neni 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 20 [Vendimet] dhe 22 [Procedimi i kërkesës] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 15 nëntor 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 22 nëntor 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr. GJR. KI253/23] caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha (anëtarë).
Më 29 nëntor 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe ia dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës së Apelit.
Më 29 nëntor 2023, Gjykata i dërgoi Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) kërkesë ku kërkoi që të dorëzojë fletëkthesën e cila dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit.
Më 30 nëntor 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletkthesën e kërkuar.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 26 qershor 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte qenë i punësuar për 44 vite në Korporatën Energjetike të Kosovës, sh. a. (në tekstin e mëtejmë: KEK), deri në datën e pensionimit, më 24 korrik 2017.
Më 20 dhjetor 2017, parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore, duke kërkuar që të detyrohet KEK t’ia kompensojë tri paga jubilare në vlerë prej 2379 euro (dymijë e treqind e shtatëdhjetë e nëntë) me kamatë prej 8%, e cila të llogaritet nga data e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive. Përgjigje në padi kishte paraqitur edhe KEK, ku kishte theksuar se parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar padinë pas afatit ligjor.
Më 9 tetor 2018, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 3486/17], aprovoi në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit dhe detyroi KEK-un që t’ia kompensojë në emër të tri pagave jubilare shumën prej 2,379.00 € (dymijë e treqind e shtatëdhjetë e nëntë euro) me kamatë ligjore prej 8%, e cila do të llogaritet nga ushtrimi i padisë me 20 dhjetor 2017, e deri në pagesën definitive, të gjitha në afat prej 7 ditësh nga pranimi i këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm; dhe detyroi KEK-un që t’ia kompensojë shpenzimet e procedurës kontestimore.
E paditura KEK, në një datë të paspecifikuar, kishte paraqitur ankesë pranë Gjykatës së Apelit kundër aktgjykimit të lartcekur të shkallës së parë, me pretendimet se ka shkelje esenciale të dispozitave të LPK-së, vërtetim jo i plotë i gjendjes faktike, dhe aplikim i gabuar i të drejtës materiale.
Më 17 maj 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 6260/2021], vendosi: (i) të aprovoj ankesën e të paditurës KEK dhe (ii) të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar i Gjykatës Themelore ashtu që të refuzoj si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Gjykata e Apelit konstatoi se, përmes aktgjykimit të ankimuar, gjykata e shkallës së parë, ka zbatuar gabimisht të drejtën materiale, përkatësisht nenin 52 dhe 53 të MPKK-së, pasi e njëjta ka hyrë në fuqi më 1 janar 2015 dhe nuk ka efekt retroaktiv/prapaveprues për kërkesat të cilat kanë lindur para kësaj date, ku në rastin konkret parashtruesi i kërkesës ka përmbushur vitin jubilar prej 40 vite në vitin 2013, dhe si rrjedhojë nuk i takon shpërblimi i kërkuar.
Më 28 shtator 2023, parashtruesi i kërkesës pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit paraqiti propozim për inicim të kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër aktgjykimit të lartpërmendur të Gjykatës së Apelit.
Më 9 tetor 2023, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes njoftimit [KMLC. nr. 113/2023], refuzoi si të pabazuar propozimin e lartcekur, pasi konstatoi se Gjykata e Apelit ka zbatuar drejtë të drejtën materiale.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës, në esencë, pretendon shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, duke aluduar në moskonsistencën e vendimmarrjes nga ana e Gjykatës së Apelit, pasi që siç thekson ai, “Duke u bazuar në veprimet e ndryshme të gjykatave të njëjta për raste krejt identike, rezulton se në lëndët lidhur me pagesën e pagave jubilare, duke vepruar me disa standarde, gjykatat kanë shkelur rëndë nenin 3, 7 dhe 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”. Lidhur me këtë pretendim, parashtruesi i kërkesës ka përmendur dy raste të Gjykatës së Apelit, duke theksuar se “ka edhe shumë raste tjera në praktikën gjyqësore që është vepruar me standarde të ndryshme. Habit fakti që edhe në gjykatën e shkallës së parë edhe në atë të shkallës së dytë veprohet me standarde të ndryshme, pavarësisht se rastet kanë fakte, dëshmi dhe bazë ligjore identike lidhur me pagat jubilare”.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon se gjykatat e rregullta kanë bërë interpretim të gabuar të nenit 87 të Ligjit të punës, ku thekson se “Andaj, kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese të na sqarojë se a ka parashkrim të kërkesëpadisë së palës sipas nenit 87 të Ligjit të punës bazuar në faktin se MPKK ka qenë në fuqi deri më dt. 31.12.2017, e padia e rastit në fjalë për paga jubilare është paraqitur më dt. 20.12.2017, ende pa kaluar 3 vjet”.
Tutje, parashtruesi i kërkesës i referohet edhe mendimit juridik nr. 40/2023, të 27 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme, ku thekson se sipas këtij mendimi ai i plotëson kushtet për tri paga jubilare dhe kërkon nga Gjykata, “Andaj, kërkojmë ta analizoni edhe Mendimin Juridik lidhur me shpërblimin jubilar të Gjykatës Supreme i theksuar më lart. Unë jam dalur në pension brenda afatit të MPKK prej dt. 01.01.2015 deri me dt.31.12.2017 e me dt. 24.07.2017 jam pensionuar, kurse me dt. 20.12.2017 kam paraqitur padinë për paga jubilare dhe tërë përvojën e punës e kam pasur në KEK-Sh. A. Prishtinë”.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon shkelje të nenit 24 të Kushtetutës si dhe Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi-nr. 05/L-021, pasi që siç thekson, “kur jemi te kjo pjesë ku theksuam shkeljet e Kushtetutës, duam të vejmë në pah edhe shkeljen e dispozitave ligjore të nenit 2, par. 1. 11 i Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi-Ligji nr. 05/L-021, për çka është shkelur barazia e palëve me kushte dhe rrethana të njëjta dhe me bazë të kërkesëpadisë së njëjtë-pagat jubilare. Diskriminimi vjen në pah kur Gjykata edhe ajo e shkallës së parë edhe ajo e shkallës së dytë për ndonjë rast konsideron se është parashkruar kërkesëpadia për paga jubilare e për ndonjë rast thotë nuk ka parashkrim, siç sqaruam me shembujt e theksuar më lart”.
Në fund, parashtruesi i kërkesës nga Gjykata kërkon që të nxjerrë vendim dhe të konstatojë se “kërkesëpadia e palës paditëse Driton Musa nuk është parashkruar siç kishte vlerësuar gabimisht Gjykata e Apelit në Prishtinë me aktgjykimin Ac. nr. 6260/2021, dt. 17.05.2023, sepse sipas nenit 87 të LP, afati për realizimin e kërkesës për një të drejtë materiale juridike siç janë pagat jubilare, kishte afat të paraqitet brenda 3 vitesh. Paditësi deri në ditën e pensionimit me dt. 24.07.2017 ka pasuar arsye të besoj se e paditura do t’ ia paguaj 3 paga në emër të shpërblimit jubilar, më së voni ditën kur është pensionuar. Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës (shkurt MPKK), e cila ka paraparë pagesën e tri pagave jubilare kur plotësohen kushtet e kësaj marrëveshjeje, ka qenë në fuqi nga dt. 01.01.2015 deri me dt. 31.12.2017”.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 3
[Barazia para Ligjit]
1. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
Neni 7
[Vlerat]
1. Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit, mosdiskriminimit, të drejtës së pronës, mbrojtjes e mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë së tregut.
2. Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore.
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
[...]
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës: është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai e konteston kushtetutshmërinë e një akti të autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimin [Ac. nr. 6260/2021] e 17 majit 2023 të Gjykatës së Apelit; se i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; se i ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, siç parashihet me nenin 49 të Ligjit.
Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nën rregullin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, që përcakton:
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.
Gjykata rikujton se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpall një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Në këtë kontekst, si dhe në vazhdim të tekstit, vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë nga kërkesa e parashtruesit të kërkesës për pagimin e tre pagave jubilare nga ana e punëdhënësit, KEK-ut. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore kundër KEK-ut ku kishte kërkuar pagimin e tri pagave jubilare pas pensionimit. Gjykata Themelore kishte aprovuar padinë e parashtruesit të kërkesës dhe kishte detyruar KEK-un që t’ia paguaj tri paga jubilare në shumë prej 2,379 euro. KEK kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e kishte aprovuar ankesën e KEK-ut dhe kishte ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe kishte refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës paraqiti propozim pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për paraqitjen e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, i cili propozim u refuzua nga ana e Prokurorit të Shtetit.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës.
Gjykata vëren se në esencë parashtruesi i kërkesës pretendimet e tij i ndërlidhë me shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë, përkatësisht: (i) jokonsistencën e Gjykatës së Apelit, ku sipas parashtruesit të kërkesës kjo gjykatë ka dështuar të vendosë njësoj për çështje të njëjta faktike dhe juridike; dhe (ii) interpretimin e gabuar të dispozitave ligjore. Gjykata vlerëson se pretendimet e tilla ngrejnë çështje nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6.1 i KEDNj-së, të cilat Gjykata do t’i analizojë në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata fillimisht do të trajtojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljet e nenit 31 të Kushtetutës, lidhur me jokonsistencën e Gjykatës së Apelit, duke vazhduar më pas me pretendimin për interpretim të gabuar të dispozitave ligjore dhe pretendimin lidhur me shkeljen e nenit 3.7 dhe 24 të Kushtetutës.
Pretendimet lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së
Përkitazi me praktikën gjyqësore jokonsistente
Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata i referohet dispozitave të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
[...]
Përveç kësaj, Gjykata rikujton gjithashtu përmbajtjen e nenit 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së, që përcakton:
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë ... edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij”.
[...]
Parimet e përgjithshme
Përkitazi me parimet themelore që ndërlidhen me konsistencën e praktikës gjyqësore, Gjykata rikujton se praktika gjyqësore e GjEDNj-së ka rezultuar në katër parime themelore që e karakterizojnë analizën lidhur me konsistencën e praktikës gjyqësore, dhe atë si në vijim: (i) siguria juridike; (ii) nuk ka një të drejtë të fituar për konsistencë të praktikës gjyqësore; (iii) divergjenca nuk është domosdoshmërisht në kundërshtim me KEDNj-në; dhe (iv) përjashtimi i arbitraritetit të dukshëm.
Duke iu referuar parimeve të përcaktuara më lart, Gjykata më tej thekson se GjEDNj-ja përdor tri kritere themelore për të përcaktuar nëse një divergjencë e pretenduar përbën shkelje të nenit 6.1 të KEDNj-së, i pari (i), nëse divergjencat në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata” i dyti (ii), nëse ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe i treti (iii), nëse ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti (në këtë kontekst, shih rastet e GjEDNj-së, Beian kundër Rumanisë, nr. 30658/05, Aktgjykim i 6 dhjetorit 2007, paragrafët 37 -39; Famullia Greko-Katolike e Lupenit dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 76943/11, Aktgjykimi i 29 nëntorit 2016, paragrafët 116 - 135; Iordan Iordanov dhe të tjerët kundër Bullgarisë, nr. 23530/02, Aktgjykim i 2 korrikut 2009, paragrafët 49-50; Nejdet Şahin i Perihan Şahin kundër Turqisë, nr. 13279/05, Aktgjykimi i 20 tetorit 2011, paragrafi 53; dhe shih gjithashtu rastin e Gjykatës, KI175/20, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi i 26 marsit 2021, paragrafi 60).
GjEDNj, në lidhje me këtë, ka konstatuar se mundësia e vendimeve kontradiktore gjyqësore është një tipar i qenësishëm i çdo sistemi gjyqësor i cili bazohet në një rrjet të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit me autoritet mbi fushën e juridiksionit territorial të tyre. Divergjencat e tilla mund të paraqiten gjithashtu brenda të së njëjtës gjykatë. Kjo, në vetvete, nuk mund të konsiderohet në kundërshtim me KEDNj-në (shih, rastet e GjEDNj-së, Nejdet Şahin i Perihan Şahin kundër Turqisë,, cituar më lart, paragrafi 51; Albu dhe të tjerët kundër Rumanisë dhe 63 (gjashtëdhjetë e tri) kërkesa tjera, Aktgjykim i 10 majit 2012, paragrafi 34; Santo Pinto kundër Portugalisë, nr. 39005/04, Aktgjykim i 20 majit 2008, paragrafi 41; dhe Famullia Greko-Katolike e Lupenit dhe të tjerët kundër Rumanisë, paragrafi 122; dhe shih gjithashtu rastin e Gjykatës, KI175/20, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi i 26 marsit 2021, paragrafi 57).
GjEDNj ka theksuar vazhdimisht se, përveç rasteve të arbitraritetit të dukshëm, nuk është detyrë e saj të vë në pikëpyetje interpretimin e ligjit vendas nga ana e gjykatave vendore (shih, për shembull, rastet e GjEDNj-së Ādamsons kundër Letonisë, nr. 3669/03, Aktgjykim i 24 qershorit 2008, paragrafi 118; dhe Nejdet Şahin i Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 50) dhe në parim, nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave vendore, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme. Ajo duhet të respektojë pavarësinë e gjykatave.
Gjykata, në këtë kontekst, tashmë ka një praktikë gjyqësore të konsoliduar për sa i përket çështjeve që ndërlidhen me shkeljen e të drejtës në gjykim të drejtë, si rezultat i praktikës gjyqësore jokonsistente, e cila cenon drejtpërdrejt parimin e sigurisë juridike (shih, rastet e Gjykatës KI35/18, me parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, dhe KI87/18, me parashtrues IF Skadeforsikring, ku Gjykata konstatoi shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së, si rezultat i divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, po ashtu shih edhe rastet e Gjykatës, KI74/19, KI111/19, KI09/20 dhe KI188/20, me parashtrues Suva Rechtsabteilung, Aktgjykimet e 28 prillit 2021, në të cilat Gjykata në trajtimin e pretendimeve për divergjencë në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, nuk kishte konstatuar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së.
Zbatimi i parimeve të përgjithshme në rrethanat e rastit konkret
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon që në rastin e tij: “Habit fakti që edhe në gjykatën e shkallës së parë edhe në atë të shkallës së dytë veprohet me standarde të ndryshme, pavarësisht se rastet kanë fakte, dëshmi dhe bazë ligjore identike lidhur me pagat jubilare”.
Gjykata thekson se ajo vlerëson konsistencën e praktikës gjyqësore të Gjykatës së Apelit vetëm në raport me shkeljet e pretenduara nga parashtruesi i kërkesës. Rrjedhimisht, mungesa e konsistencës në praktikën gjyqësore duhet të ketë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të parashtruesit të kërkesës. Për të konstatuar një shkelje të tillë, dhe për të konstatuar se të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesit të kërkesës janë shkelur si rezultat i “dallimeve të thella dhe afatgjata” në praktikën përkatëse gjyqësore, rrethanat faktike dhe juridike të rastit të parashtruesit të kërkesës duhet të jenë tërësisht identike me raste të cilave iu referohet parashtruesi i kërkesës.
Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në mbështetje të pretendimeve të tij, kërkesës ia ka bashkëngjitur si dëshmi Aktgjykimin Ac. nr. 4120/2018 të 19 shkurtit 2019 dhe Ac. nr. 4974/2018 të 6 majit 2019 të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar se e njëjta gjykatë ka vendosur në favor të paditësve në këto raste. Parashtruesi i kërkesës, përveç pretendimit se rasti i tij është i ngjashëm me rastet e përmendura, nuk ka sqaruar se si kanë ngjashmëri faktike dhe juridike rastet përkatëse me rastin e parashtruesit të kërkesës dhe si kanë rezultuar ato në vendime kundërthënëse.
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se në rastin e parë të cilit i referohet parashtruesi i kërkesës, përkatësisht Aktgjykimin [Ac. nr. 4120/18] të 19 shkurtit 2019 të Gjykatës së Apelit, Gjykata e Apelit kishte vendosur si në vijim: (i) ankesën e të paditurës KEK e kishte refuzuar; (ii) kishte konfirmuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore C. nr. 3487/2018 të 5 qershorit 2018 e kishte vërtetuar, përveç pjesës së kamatës ashtu që ndryshoi aktgjykimin e ankimuar dhe detyrohet e paditura që të paguaj kamatën prej ditës së marrjes së aktgjykimit në gjykatën e shkallës së parë (05.06.2018) e deri në pagesën përfundimtare. Në arsyetimin e Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, ndër të tjera, theksohet:
“ Gjykata e Apelit, duke u bazuar në vlerësimin e gjykatës së shkallës së parë ka konsideruar si të papranueshme pretendimet e të paditurës, çështja e shpërblimit jubilar është e paraparë me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, e cila ka hyrë në fuqi dhe ka filluar së zbatuari nga data 01.01.2015 dhe se në kohën kur paditësi është pensionuar ajo ka qenë në fuqi. Po ashtu edhe sipas dispozitave të nenit 4, parag.3 Ligjit të Punës është paraparë se kontrata kolektive dhe aktet e brendshme mund të përcaktojnë më shumë të drejta për punëmarrësit se sa ato të përcaktuara me dispozitat e Ligjit të Punës dhe në këtë drejtim pretendimet ankimore janë të pabazuara. Po ashtu kërkesa e paditësit nuk është parashkruar pasi që me dispozitën e nenit 87 të Ligjit të Punës është paraparë shprehimisht se kërkesat që janë në para e që rrjedhin nga marrëdhënia e punës parashkruhen për tri vjet nga dita e paraqitjes së kërkesës dhe siç del nga shkresat e lëndës paditësi është pensionuar me datë 28.08.2016, ndërsa padinë e ka paraqitur me datë 20.12.2017, pra nuk ka kaluar ky afat i paraparë me këtë dispozitë”.
Sa i përket rastit të dytë që parashtruesi i kërkesës i referohet, përkatësisht Aktgjykimit [Ac. nr. 4974/18] të 6 majit 2019 të Gjykatës së Apelit, Gjykata vëren që edhe në këtë rast Gjykata e Apelit kishte vendosur njëjtë si në rastin e parë, duke konstatuar si në vijim: (i) ankesa e të paditurës KEK ishte refuzuar; (ii) ndërsa Aktgjykimi i Gjykatës Themelore, C. nr. 3482/17, i 19 korrikut 2018 u vërtetua. Në arsyetimin e këtij Aktgjykimi të Gjykatës së Apelit, ndër të tjera, theksohet:
“Gjykata e shkallës së parë drejt e ka zbatuar nenin 52, paragraf 1, të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të datës 18.03.2014, përcaktohet se: "I punësuari ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë: a) për 10 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të një page mujore të tij; b) për 20 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlere të dy paga mujore të tij dhe c) për 30 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të tri paga mujore të tij. Me paragrafin 2 të kësaj Marrëveshjeje përcaktohet se: "Punëdhënësi i fundit është ai që paguan shpërblime jubilare, ndërsa në paragrafin 3 të kësaj Marrëveshjeje përcaktohet se: “Shpërblimi jubilar, paguhet në afat prej një muaji, pas plotësimit të kushteve nga ky paragraf". Gjykata e shkallës së parë me rastin e aprovimit të kërkesëpadisë së paditësit, duke e detyruar të paditurën që paditësit t’i paguaj tri paga në emër të shpërblimit jubilar, me të drejtë është bazuar në nenin 52 të Kontratës së Përgjithshme Kolektive në Kosovë e lidhur me datë 18.06.2014 dhe e cila ka hyrë në fuqi me date 01.01.2015”.
Në rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit vendosi: (i) ankesa e të paditurës KEK aprovohet; dhe (ii) refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Në arsyetimin e aktgjykimit të tij Gjykata e Apelit, ndër të tjera, theksoi:
“Nga provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës gjykata e shkallës së dytë ka gjetur se paditësi ka shkuar në pension të pleqërisë me 65 vjet moshe nga data 24.07.2017, e që është fakt jokontestues në mes të ndërgjyqësve, ndërsa ka përvojë pune të pandërprerë mbi 44 vite, që i bie se vitin jubilar prej 40 vitesh e ka mbushur në vitin 2013, nuk ka qenë në fuqi MPKK, e cila ka hyrë në fuqi nga data 01.01.2015, me vlefshmëri deri më 31.12.2017, e nga ana tjetër me kurrfarë ligji në fuqi nuk ka qenë e paraparë që këto lloje të kompensimit si kompensimi i pagave për përcjellje në pension dhe shpërblim jubilar, t'iu paguhet punëtorëve në Kosovë. Marrëveshjet/kontratat kolektive që rregullojnë këto të drejta në kompensim qoftë për paga jubilare, qoftë për përcjellje në pension, nuk mund të zbatohen për asnjë kërkesë e cila lindë pas datave të vlefshmërisë së tyre, ashtu siç nuk mund të zbatohen dhe nuk krijojnë të drejta për punëmarrësit dhe detyrime për punëdhënësit edhe për kërkesat të cilat kanë lindur para se këto marrëveshje të kenë hyrë në fuqi. Si rezultat, gjykata e shkallës së dytë, vlerëson se në rastin konkret gjykata e shkallës së parë e ka zbatuar gabimisht të drejtën materiale, përkatësisht neni 52 dhe 53 të MPKK-së, duke e aprovuar si e bazuar kërkesëpadinë e paditësit sa i përket shpërblimit jubilar me të cilën nuk mund të sigurohet baza juridike e kësaj kërkese të paditësit, sepse kjo Marrëveshje nuk ka efekt pas skadimit të periudhës së vlefshmërisë si dhe nuk ka fuqi retroaktiv/prapaveprues, njësoj sikur ligjet që afektojnë për të ardhmen e jo për të kaluarën. Sa i përket të drejtës për paga për pagë jubilare në pension nuk mund të gjejnë zbatim dispozitat e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, përkatësisht neni 53, pasi që kjo Marrëveshje ka qenë në fuqi deri më 31.12.2017, dhe pas kësaj date nuk ka efekt për asnjë kërkesë e cila lind pas kësaj date, pra datës së përfundimit të vlefshmërisë së saj. Gjithashtu, sa i përket të drejtës për paga jubilare, neni 52 i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, kjo e drejtë ndërlidhet me arritjen e vitit jubilar dhe me arritjen e vitit jubilar lind edhe e drejta, prandaj, tregohen si të bazuara pretendimet ankimore të paditurës, ashtu që, aktgjykimi i goditur është dashur të ndryshohet në kuptim të nenit 201, paragrafi 1 pika d) lidhur me nenin 195.1 pika e) e LPK -se, dhe të refuzohet kjo kërkesë e paditësit, si kërkesë kryesore, së bashku me kërkesën e saj aksesore për kamatën”.
Nga referimet e mësipërme, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës megjithatë nuk ka arritur të përmbushë kriterin sa i përket “dallimeve të thella dhe afatgjata” të praktikës gjyqësore të Gjykatës së Apelit, për faktin se Gjykatës ia ka dorëzuar dy vendime të Gjykatës së Apelit, të cilat dallojnë nga rasti i parashtruesit të kërkesës, për arsye se tek ato Gjykata e Apelit kishte vendosur para Mendimit Juridik të Gjykatës Supreme nr. 40/2023 të 27 shkurtit 2023, dhe ku ende nuk kishte një qëndrim të qartë lidhur me këtë çështje, ndërsa te rasti i parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit kishte vendosur pas mendimit juridik të Gjykatës Supreme. Pra, në bazë të kësaj, Gjykata nuk mund të konstatojë lëshimin e Gjykatës së Apelit për t’i trajtuar çështjet e njëjta faktike dhe juridike në përputhje me praktikën e saj gjyqësore. Në këtë kontekst, nuk mund të ndërtohet një pretendim për jokonsistencë në praktikën gjyqësore dhe të konstatohet se ka pasur megjithatë “dallime të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore.
Në lidhje me këtë, Gjykata në rastet e saj KI29/17, KI42/17, dhe KI133/19, kishte vlerësuar, se nuk mund të konstatohen “dallime të thella dhe afatgjata”, në krahasimin e vetëm 2 (dy) rasteve edhe nëse të njëjtat mund të jenë kundërthënëse. Në këtë rast, në një rrethanë të tillë, ku parashtruesit i referohen një vendimi, i cili përmban konstatim dhe përfundim ndryshe nga vendimi i nxjerrë në rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata nuk kishte konstatuar se ishte cenuar parimi i sigurisë juridike (shih, rastet e Gjykatës: K29/17, parashtrues Adem Zhegrova, Aktvendim për papranueshmëri, i 2 tetorit 2017, paragrafi 53; KI42/17, parashtrues Kushtrim Ibraj, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 janarit 2018, paragrafi 44; dhe rasti KI133/19, parashtrues Nysret Tafili, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 qershorit 2020, paragrafi 58).
Gjykata rikujton që praktika gjyqësore e GjEDNj-së ka vënë theks në faktin se divergjenca në praktikën gjyqësore jodetyrimisht është në kundërshtim me KEDNj-në, sepse qasja dinamike dhe evolutive e gjykatave në interpretimin e ligjit të aplikueshëm dhe për më tepër, zhvillimi i praktikës gjyqësore është i rëndësishëm për të mbajtur dinamikën e duhur të përmirësimit të vazhdueshëm të administrimit të drejtësisë.
Përveç kësaj, është e pamundur të konstatohet se në rrethanat e rastit konkret praktika e Gjykatës së Apelit, në lidhje me konteste të natyrës së punës ka pësuar “dallime të thella dhe afatgjata”, ku një mori individësh (punonjësish) kanë përfituar nga praktika e konsoliduar gjyqësore dhe një individi i është mohuar një përfitim i tillë, si rezultat i vendimmarrjes jokonsistente. Në këtë kuptim, parashtruesi i kërkesës ka sjellë dy aktgjykime të Gjykatës së Apelit, në të cilat parashtruesi pretendon se Gjykata e Apelit ka vendosur ndryshe nga rasti i tij. Mirëpo, Gjykata vëren se në rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit e ka refuzuar kërkesëpadinë e tij, duke u mbështetë në nenet përkatëse të kontratës kolektive, e po në këtë mënyrë ishte konstatuar edhe nga Gjykata Supreme përmes mendimit juridik nr. 40/2023 të 27 shkurtit 2023.
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës ka dështuar t’i ofrojë Gjykatës dëshmi në lidhje me “dallimet e thella dhe afatgjata” për të konstatuar se Gjykata e Apelit në rastin e tij ka vendosur në kundërshtim me praktikën e konsoliduar gjyqësore, ndër vite. Përveç kësaj, nëse Gjykata do të lëshohej në vlerësimin e ligjshmërisë së vendimeve të Gjykatës së Apelit, duke bërë krahasime dhe analizë, se cili prej vendimeve të saj është më i drejti dhe i bazuar në ligj, do të ndërhynte në juridiksionin dhe pavarësinë e gjyqësorit të rregullt.
Gjykata në vazhdimësi ka theksuar se nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave të rregullta, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme. Ajo duhet të respektojë pavarësinë e gjykatave. Për më tepër, që në raste të tilla, përkatësisht pretendimeve për shkelje kushtetuese të të drejtave dhe lirive themelore si rezultat i divergjencave në praktikën gjyqësore, parashtruesit e kërkesave duhet t’i paraqesin Gjykatës argumente përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar kështu në divergjencë, gjegjësisht në “dallimet e thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore, e cila mund të ketë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre kushtetuese të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së.
Andaj, për këto arsye, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së, përkitazi me jokonsistencën në vendimmarrje i përkasin kategorisë së pretendimeve “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes ”, andaj, si të tilla, duhet të shpallen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Përkitazi me zbatimin e gabuar të dispozitave ligjore
Gjykata vëren po ashtu se parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit ka bërë interpretim të gabuar të nenit 87 të Ligjit të Punës, ku thekson se: “Andaj, kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese të na sqarojë se a ka parashkrim të kërkesëpadisë së palës sipas nenit 87 të Ligjit të Punës bazuar në faktin se MPKK ka qenë në fuqi deri me dt. 31.12.2017, e padia e rastit në fjalë për paga jubilare është paraqitur me dt. 20.12.2017, ende pa kaluar 3 vite”.
Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga gjykatat e rregullta, përkatësisht nenit 87 të Ligjit të Punës.
Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNj, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNj (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34).
Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 35).
Gjykata vëren se Gjykata e Apelit arsyetoi në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë aktgjykimet përkatëse, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.
Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 6260/2021]: (i) aprovoi si të bazuar ankesën e të paditurës KEK, (ii) refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Gjykata e Apelit theksoi se: “Gjykata e Apelit, si gjykate e shkallës së dytë, nuk mund ta pranoj përfundimin logjik dhe qëndrimin juridik të gjykatës së shkallës së parë si në aktgjykimin e goditur, sipas të cilit është aprovuar si e bazuar kërkesëpadia e paditësit, duke zbatuar kështu gabimisht nenin 52 dhe 53 i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, gjë që aktgjykimin e goditur e bënë të përfshirë me zbatimin e gabuar të së drejtës materiale, në çka edhe është thirrur e paditura në pretendimet e saj ankimore, por që për këtë edhe gjykata e shkallës së dytë kujdeset sipas detyrës zyrtare në kuptim të nenit 194, të LPK-së, prandaj, aktgjykimi i goditur duhet të ndryshohet në kuptim të nenit 201, paragrafi 1 pika d) e LPK-së, ashtu që kërkesëpadia e paditësit për shpërblim në emër të shpërblimit jubilar refuzohet si e pabazuar. Me nenin 52 të Marrëveshjes aktuale, e cila ka hyrë në fuqi nga 01.01.2015 dhe ka zgjatur deri në fund të vitit 2017, është paraparë e drejta e punëtorëve në shpërblim jubilar në lartësi të mesatares së pagave bazë varësisht nga ajo se sa vite jubilare kanë mbushur te punëdhënësi i fundit 10, 20 apo 30 vjet përvojë pune. Njëherit me dispozitën e nenit 53 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive parashihet se i punësuari, me rastin e pensionimit, gëzon të drejtën në pagesën përcjellëse në lartësi prej 3 pagave mujore, që i ka marrë për 3 muajt e fundit. Nga provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës gjykata e shkallës së dytë ka gjetur se paditësi ka shkuar në pension të pleqërisë me 65 vjet moshe nga data 24.07.2017, e që është fakt jo kontestues në mes te ndërgjyqësve, ndërsa ka përvojë pune të pandërprerë mbi 44 vite, që i bie se vitin jubilar prej 40 vitesh e ka mbushur në vitin 2013, nuk ka qenë në fuqi MPKK, e cila ka hyrë në fuqi nga data 01.01.2015, me vlefshmëri deri me 31.12.2017, e nga ana tjetër me kurrfarë ligji në fuqi nuk ka qenë e paraparë që këto lloje të kompensimit si kompensimi i pagave për përcjellje në pension dhe shpërblim jubilar, t'iu paguhet punëtorëve në Kosovë. Marrëveshjet/kontratat kolektive që rregullojnë këto të drejta në kompensim qoftë për paga jubilare, qoftë për përcjellje në pension, nuk mund të zbatohen për asnjë kërkesë e cila lindë pas datave të vlefshmërisë së tyre, ashtu siç nuk mund të zbatohen dhe nuk krijojnë të drejta për të punëmarrësit dhe detyrime për punëdhënësit edhe për kërkesat të cilat kanë lindur para se këto marrëveshje të kenë hyrë në fuqi. Si rezultat, gjykata e shkallës së dytë, vlerëson se në rastin konkret gjykata e shkallës së parë e ka zbatuar gabimisht të drejtën materiale, përkatësisht neni 52 dhe neni 53 të MPKK-së, duke e aprovuar si e bazuar kërkesëpadinë e paditësit sa i përket shpërblimit jubilar me të cilën nuk mund të sigurohet baza juridike e kësaj kërkese të paditësit, sepse kjo Marrëveshje nuk ka efekt pas skadimit të periudhës së vlefshmërisë si dhe nuk ka fuqi retroaktiv/prapaveprues, njësoj sikur ligjet që afektojnë për të ardhmen e jo për të kaluarën. Sa i përket të drejtës për paga për pagë jubilare në pension nuk mund të gjejnë zbatim dispozitat e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, përkatësisht neni 53, pasi që kjo Marrëveshje ka qenë në fuqi deri më 31.12.2017, dhe pas kësaj date nuk ka efekt për asnjë kërkesë e cila lind pas kësaj date, pra datës së përfundimit të vlefshmërisë se saj. Gjithashtu, sa i përket të drejtës për paga jubilare neni 52 i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive kjo e drejtë ndërlidhet me arritjen e vitit jubilar dhe me arritjen e vitit jubilar lind edhe e drejta, prandaj, tregohen si të bazuara pretendimet ankimore të paditurës, ashtu që, aktgjykimi i goditur është dashur të ndryshohet në kuptim të nenit 201, paragrafi 1 pika d) lidhur me nenin 195.1 pika e) e LPK-së, dhe të refuzohet kjo kërkesë e paditësit, si kërkesë kryesore, bashkë me kërkesën e saj aksesore për kamatën”.
Në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës edhe Gjykata Supreme përmes Mendimit Juridik për Shpërblimin Jubilar nr. 40/2023 të 27 shkurtit 2023, ndër të tjera, kishte konstatuar: “ II. Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës e lidhur me datë 18.03.2014, dhe nënshkruar nga Organizatat e punëdhënësve (Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Biznesit), Organizatat e të punësuarve (Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës), si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës (Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale), (në tekstin e mëtejmë: Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës) aplikohet në periudhën kohore nga data 01.1.2015 - 31 .12.2017; VI. I punësuari në bazë të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, ka të drejtë në shpërblimin jubilar, siç përcaktohet me nenin 52, të kësaj marrëveshje, nëse plotësohen këto kushte dhe atë: a) që viti jubilar i punësimit për 10, 20 dhe 30 vjet të arrihet në kohën kur kjo marrëveshje aplikohet si në piken II, të këtij mendimi juridik, dhe b) përvoja e punës për 10,20 dhe 30 vjet duhet të jetë e pandërprerë te punëdhënësi i fundit”.
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se çështja e pagave jubilare është çështje që përcaktohet nga gjykatat e rregullta në kuadër të detyrave dhe prerogativës së tyre për konstatim të gjendjes faktike dhe zbatim të ligjit material e procedural në rastet individuale dhe se në këtë drejtim nuk mund të thuhet se janë cenuar garancitë procedurale nga neni 31 i Kushtetutës. Veç kësaj, Gjykata Supreme përmes mendimit juridik të lartcituar, ka ardhur në përfundim se për t’i takuar pagat jubilare një punëtori, duhet që viti jubilar të arrihet në kohën e zbatimit të marrëveshjes kolektive, e që është koha nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2017, gjë që vërtetohet se parashtruesi i kërkesës nuk e ka plotësuar këtë kriter, pasi që ai vitin jubilar e kishte arritur në vitin 2013, kur në atë kohë nuk kishte marrëveshje kolektive.
Gjykata nuk vëren zbatim të dukshëm arbitrar të ligjit apo të fakteve, konkluzion qartazi të paarsyeshëm të procedurave apo edhe mungesë të marrëdhënies logjike ndërmjet fakteve të konstatuara dhe zbatimit të dispozitave ligjore përkatëse ndaj atyre fakteve. Në të vërtetë, nga vendimi i kontestuar, Gjykata vlerëson se Gjykata e Apelit ka dhënë arsyetim të bollshëm lidhur me atë se përse nuk i takojnë pagat jubilare parashtruesit të kërkesës.
Prandaj, Gjykata konstaton që parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi të përfitojë nga procedura kontradiktore dhe se ka pasur mundësi që në fazat e ndryshme të procedurës t’i paraqesë pretendimet dhe provat të cilat i ka konsideruar si të rëndësishme për rastin e tij; ka pasur mundësinë për t’i kundërshtuar në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta i kanë dëgjuar dhe shqyrtuar të gjitha pretendimet e tyre, e të cilat, shikuar objektivisht, kanë qenë të rëndësishme për zgjidhjen e lëndës, dhe se arsyet faktike dhe juridike për vendimin e kundërshtuar janë paraqitur në detaje, dhe për këtë arsye procedura, e marrë në tërësi, ishte e drejtë (shih mutatis mutandis, Aktgjykimi i GjEDNj-së i 21 janarit 1999, García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, paragrafët 29 dhe 30; shih gjithashtu rastin e Gjykatës KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata thekson që në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, si rezultat i zbatimit arbitrar të ligjit apo të fakteve, thekson se, gjykatat e rregullta kanë interpretuar gabimisht ligjin e punës, megjithatë ai nuk e mbështet në asnjë mënyrë dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim nga gjykatat e rregullta, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se si procedurat pranë gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe kanë arsyetuar qartazi të njëjtat (shih rastet e Gjykatës KI64/20, parashtrues Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri, i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI22/19, cituar më lart, paragrafi 43).
Thënë këtë, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ku në bazë të provave të nxjerra ishte vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe me këtë rast, të njëjtat ishin shpallur si të pabazuara. Sa më sipër, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur që pretendimet e tij për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë t’i ngrejë në nivel kushtetutshmërie.
Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNj-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Përkitazi me pretendimet për shkeljen e nenit 3, 7 dhe 24 të Kushtetutës
Sa i përket pretendimeve për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj, Gjykata rikujton se sipas praktikës gjyqësore të vendosur mirë të GjEDNj-së, Gjykata e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar në pajtim me kriterin (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht:
kur parashtruesi/ja thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse kjo është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih, në këtë drejtim, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës (Vendim) nr. 4241/03, i 31 majit 2005, shih, gjithashtu, rastin Baillard kundër Francës (Vendim) nr. 6032/04, i 25 shtatorit 2008);
kur parashtruesi/ja nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij/saj (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij/saj dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, nëse autoritetet e burgut refuzojnë të paraqesin në Gjykatë dokumentet nga shkresat e lëndës së të burgosurit për të cilin bëhet fjalë) ose nëse vetë Gjykata nuk vendos ndryshe.
Siç u cek më lart, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit shkelë të drejtat e tij të garantuara me nenet 3, 7 dhe 24 të Kushtetutës. Mirëpo, parashtruesi i kërkesës vetëm i përmend nenet përkatës, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve përkatëse të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës Kushtetuese KI187/18 dhe KI11/19, parashtrues: Muhamet Idrizi, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2019, paragrafi 73; KI125/19 parashtrues: Ismajl Bajgora, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 63; dhe së fundmi rastin KI175/20, parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 26 marsit 2021, paragrafët 79-82).
Thënë këtë, Gjykata konsideron se pretendimin për shkelje të neneve të lartcekura të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës, në të vërtetë, e ka elaboruar mbi bazën e nenit 31 të Kushtetutës duke e ndërlidhur shkeljen e kësaj të drejte themelore, me praktikën gjyqësore jokonsistente të Gjykatës së Apelit, për çfarë Gjykata, sa më sipër, konstatoi se në këtë pjesë kërkesa duhet të shpallet qartazi e pabazuar, në baza kushtetuese dhe rrjedhimisht e papranueshme, për arsyet e lartcekura.
Prandaj, Gjykata konstaton se përkitazi me këto pretendime të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet e lartcekura të Kushtetutës dhe KEDNj-së, Gjykata konkludon që kjo pjesë e kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, sepse parashtruesi i kërkesës thjesht citoi nenet e Kushtetutës, pa shpjeguar se si janë shkelur ato. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me (i) praktikën gjyqësore jokonsistente, që bien në fushëveprimin e nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6.1 të KEDNj-së, i përkasin kategorisë së dytë (ii) të pretendimeve “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes ”, andaj të njëjtat duhet të deklarohen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës; (ii) pretendimet përkitazi me zbatimin të gabuar të dispozitave ligjore, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNj-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Sa i përket pretendimeve për shkelje të neneve 3, 7 dhe 24 të Kushtetutës, duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, duhet të deklarohet e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur më 26 qershor 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Driton Musa
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile