Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme E. Rev. nr. 1/2019, të 27 shkurtit 2019

Nr. të lëndës KI 111/19

Parashtruesit: Kompania e Sigurimeve “SUVA Rechstabteillung”

Shkarko:

KI111/19, Parashtrues i kërkesës: Kompania e Sigurimeve “SUVA Rechstabteillung”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme E. Rev. nr. 1/2019, të 27 shkurtit 2019

KI111/19, Aktgjykim i miratuar më 28 prill 2021, publikuar më 16 qershor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, konsistenca e praktikës gjyqësore, siguria juridike, e drejta për vendim të arsyetuar

Në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Ekonomike lidhur me regresin për shpenzimet e trajtimit mjekësor dhe kompensimit për paaftësi të të dëmtuarit SB në aksidentin e komunikacionit të 1 majit 2013. Parashtruesi i kërkesës kishte kërkuar që të detyrohet pala e paditur Kompania e Sigurimeve “Elsig” që në emër të regresit t’ia paguaj shumën e përgjithshme të mjeteve në lartësi të caktuar të valutës në euro së bashku me normën vjetore në lartësi prej 12%. Gjykatat e instancës më të ulët miratuan shumën e regresit dhe lartësinë e kamatës prej 12% të kërkuar nga parashtruesi i kërkesës, mirëpo, pas revizionit të palës së paditur, Gjykata Supreme vendosi që lartësia e kamatës që duhet t’i akordohet parashtruesit të kërkesës është 8% dhe jo në lartësi prej 12% siç ia kishin akorduar më herët gjykatat e instancës më të ulët. Parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke pretenduar, mes tjerash, shkelje të nenit 31 të Kushtetutës  së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (1) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), përkitazi me sigurinë juridike dhe të drejtën për vendim të arsyetuar.

Gjykata vlerësoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës, përkitazi me sigurinë juridike dhe të drejtën për vendim të arsyetuar, si një ndër garancitë e përcaktuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së, duke mbështetur këtë vlerësim në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ).Gjykata shtjelloi parimet e përgjithshme që burojnë nga GJEDNJ-ja dhe praktika e saj gjyqësore përkitazi me konsistencën gjyqësore dhe të drejtën për një vendim të arsyetuar.

Lidhur me pretendimin për cenim të parimit të sigurisë juridike, Gjykata konstatoi: (i) se në rastin nën shqyrtim nuk është provuar ekzistenca  dallimeve “të thella dhe afatgjate” lidhur me qëndrueshmërinë e praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme; (ii) se ekziston mekanizmi për administrimin e drejtë të drejtësisë dhe për shqyrtimin e ndryshimit të praktikës gjyqësore; (iii) Gjykata Supreme më 1 dhjetor 2020 ka nxjerrë “Mendim Juridik për Kamatën lidhur me ligjin e aplikueshëm, lartësinë dhe periudhën e llogaritjes” bazuar në nenin 14. 2.10 të Ligjit për Gjykatat; (iv) se mundësia e vendimeve kundërthënëse është një tipar i pandarë i çdo sistemi gjyqësor të bazuar mbi rrjetin e gjykatave themelore dhe të apelit, me autorizime në kuadër të juridiksionit të tyre territorial; (v) se cili ligj duhet zbatuar në rrethanat e rastit konkret është prerogativë dhe detyrë e Gjykatës Supreme; dhe, se (v) roli i Gjykatës Supreme është që pikërisht t’i zgjidhë konfliktet e tilla.

Lidhur me pretendimin për shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar, Gjykata ka vlerësuar se Gjykata Supreme (i) ka dhënë bazën juridike dhe ka shpjeguar se përse në rastin e parashtruesit të kërkesës zbatohet norma që përcakton kamatëvonesën prej 8%; (ii) aktgjykimi i kontestuar i Gjykatë Supreme përmban lidhje logjike ndërmjet bazës juridike, arsyetimit dhe konkluzave të nxjerra; (iii) si rrjedhojë logjike ndërmjet bazës juridike, arsyetimit dhe konkluzave ka rezultuar se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme plotëson kushtin e një vendimi të arsyetuar; dhe, (iv) nëse parashtruesit të kërkesës i njihet e drejta për 12 % ose 8 % të kamatëvonesës është çështje e zbatimit dhe interpretimit të ligjit dhe e diskrecionit në gjykim të Gjykatës Supreme, dhe si të tilla, në vetvete, nuk bien ndesh me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Në fund, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, nuk ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1)  (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.

Parashtruesit:

Kompania e Sigurimeve “SUVA Rechstabteillung”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Mosshkelje e të drejtave kushtetuese

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile