Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ-UZVP. nr. 82/2022] të 3 nëntorit 2022 të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI82/23

Parashtruesit: Miradije Gashi Sheremeti

Shkarko:

 

 

 

Prishtinë, më 11​​ mars 2024

Nr. Ref.:RK 2396/24

 

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr.​​ KI82/23

 

Parashtrues

 

Miradije Gashi-Sheremeti

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së​​ Aktgjykimit​​ [ARJ-UZVP.​​ nr.​​ 82/2022] të​​ 3 nëntorit 2022​​ të Gjykatës Supreme

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzie​​ Istrefi-Peci, gjyqtare​​ 

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe

Enver Peci, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës​​ 

 

  • Kërkesa​​ është dorëzuar nga​​ Miradije Gashi-Sheremeti​​ nga​​ Peja​​ (në tekstin e mëtejmë:​​ parashtruesja e​​ kërkesës), e përfaqësuar nga Venera Gashi-Selmanaj,​​ avokate nga Istogu.​​ 

 

 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesja e​​ kërkesës​​ e​​ konteston​​ Aktgjykimin​​ [ARJ.​​ UZVP.​​ nr.​​ 82/2022] të​​ 3 nëntorit 2022​​ të Gjykatës Supreme.

 

  • Përfaqësuesja e parashtrueses së kërkesës​​ aktgjykimin​​ e kontestuar të Gjykatës Supreme e ka pranuar më 4 janar 2023.

 

Objekti i çështjes​​ 

 

  • Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ aktgjykimit​​ të​​ kontestuar​​ të​​ Gjykatës Supreme,​​ përmes​​ së cilit​​ pretendohet​​ se​​ parashtruesit​​ të​​ kërkesës​​ i​​ janë​​ shkelur të drejtat​​ dhe liritë​​ themelore​​ të garantuara me nenet​​ 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 23 [Dinjiteti i Njeriut], 27 [Ndalimi i Torturës, Trajtimit Mizor, Çnjerëzor ose Poshtërues],​​ 24 [Barazia para Ligjit],​​ 31​​ [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]​​ të Kushtetutës së Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me ​​ nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt),​​ 13 dhe 14​​ të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj),​​ në​​ nenet 7, 10 dhe 23 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut​​ (në tekstin e mëtejmë: DUDNj), nenet 2, 3, 14 dhe 26 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, nenet 1 dhe 16 të Konventës kundër Torturës dhe Trajtimeve Ndëshkimeve të tjera mizore, jonjerëzore dhe poshtëruese, neneve 2 dhe 11 të Konventës kundër diskriminimit të gruas.

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa bazohet​​ ​​ paragrafët 1 dhe​​ 7​​ të nenit 113​​ [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]​​ të Kushtetutës,​​ në​​ nenet 22​​ (Procedimi i kërkesës)​​ dhe 47​​ (Kërkesa individuale)​​ të Ligjit​​ nr. 03/L-121​​ për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin​​ 25​​ (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve)​​ të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese​​ të Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

  • ​​ 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në​​ fuqi 15 ditë pas publikimit të​​ saj. Rrjedhimisht,​​ gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform​​ rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese​​ 

 

  • ​​ 19 prill 2023,​​ parashtruesja e​​ kërkesës​​ e dorëzoi​​ kërkesën në Gjykatën​​ Kushtetuese​​ ​​ Republikës së​​ Kosovës (në​​ tekstin e mëtejmë: Gjykata).​​ 

 

  • Më​​ 3 maj​​ 2023, Kryetarja e Gjykatës​​ përmes vendimit [Nr.​​ GJR.​​ KI82/23]​​ caktoi gjyqtarin​​ Enver Peci​​ gjyqtar​​ raportues​​ dhe​​ përmes vendimit [Nr.​​ KSH.​​ KI82/23]​​ Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët:​​ Gresa Caka-Nimani​​ (kryesuese),​​ Bajram Ljatifi dhe Radomir Laban, anëtarë.

 

  • ​​ 5 qershor​​ 2023​​ Gjykata e njoftoi përfaqësuesen e parashtrueses së​​ kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje të kërkesës ia dërgoi Gjykatës Supreme.

 

  • Më 26 korrik 2023, Gjykata​​ kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) që të sjellë​​ fletëkthesën, përmes të cilës dëshmohet se kur parashtruesja e kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar të Gjykatës Supreme.​​ 

 

  • Më 27 korrik 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar.

 

  • Më​​ 30 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhja e fakteve

 

  • Parashtruesja e kërkesës i referohet rastit të Gjykatës KI89/14,​​ ku parashtrues ishte Ministria e Bujqësisë – Agjencia Pyjore e Kosovës, ku parashtruesja e kërkesës ishte palë në procedurë.​​ Mirëpo,​​ Gjykata vëren se faktet e rastit KI89/14 nuk ndërlidhen me faktet e rastit të tanishëm KI82/23, pasi që kemi të bëjmë me procedurë të re gjyqësore.

 

Përmbledhja e fakteve lidhur me ankesën e parashtrueses për masën disiplinore “vërejtje me shkrim”

 

  • Bazuar në shkresat e lëndës,​​ parashtruesja e kërkesës kishte qenë e punësuar në vendin ​​ e punës Zyrtare për çështje ekonomike në Drejtorinë Koordinuese të Agjencisë Pyjore të Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë:APK)​​ në Komunën e Pejës.​​ 

 

  • Më 10 prill 2014, Drejtori i APK-së në Pejë i kishte shqiptuar vërejtje me shkrim [nr. PE/APK-284/2014] për arsye se ka dalur nga vendi i punës,​​ pa e arsyetuar daljen​​ e saj.

 

  • Më 22 prill 2014, parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në Komisionin për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave të APK-së, kundër masës disiplinore​​ vërejtje me shkrim​​ të shqiptuar nga ana e Drejtorit të APK-së në Pejë.

 

  • Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në APK përmes vendimit [nr.​​ ZPD-092/14] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtrueses së kërkesës.

 

  • Më 20 qershor 2014, parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në KPMSHCK kundër vendimit​​ [nr.​​ ZPD-092/14]​​ të Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave të APK-së.

 

  • Më 8 korrik 2014, KPMSHCK përmes vendimit [A 02/268/2014] vendosi:​​ (i)​​ refuzohet si e pabazuar ankesa e ankueses Miradije Gashi-Sheremeti, me nr. 02/26812014, e 20​​ qershorit​​ 2014; (ii) mbetet në​​ fuqi Vendimi nr. ZPD-092/14 i 20​​ majit​​ 2014 Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave i Agjencisë Pyjore të​​ Kosovës.

 

  • Më 4 gusht 2014, parashtruesja e kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën Themelore në Pejë kundër vendimit të KPMSHCK-së, për shkak të aplikimit jo të drejtë të dispozitave ligjore dhe vërtetimit jo të drejtë të gjendjes faktike.

 

Përmbledhja e fakteve lidhur me masën disiplinore “ndërprerja e marrëdhënies së punës”

 

  • Bazuar në shkresat e lëndës, parashtrueses së kërkesës i ishin shqiptuar tri vërejtje me shkrim nga ana e Drejtorit të APK-së në Pejë, përkatësisht vërejtje​​ [ref.:PE/APK-284/2014]​​ e​​ 10 prillit​​ 2014; vërejtje [ref.:PE/APK-294/2014] e 18 prillit 2014; dhe vërejtje [ref.:PE/APK-311/2014] e 25 prillit 2014. ​​ 

 

  • Më 2 maj 2014, Drejtori i​​ APK-së​​ në Pejë kishte parashtruar​​ kërkesë [Ref. PE/APK-321/2014] për inicimin e procedurës disiplinore ndaj parashtrueses së kërkesës.

 

  • Më 7 maj 2014,​​ Menaxheri i zyrës së personelit dhe zhvillimit të burimeve njerëzore në APK përmes shkresës Ref.​​ ZPD-069/14 procedoi lëndën tek Komisioni disiplinor i APK-së.

 

  • Më​​ 30 maj 2014, Komisioni Disiplinor i APK-së përmes vendimit [Ref.​​ APD-100/2014] vendosi që: (i)​​ parashtruesja e kërkesës është përgjegjëse​​ për shkak të​​ shkeljeve të​​ rënda të​​ detyrave të​​ punës, përkatësisht mosrespektim i orarit të​​ punës, mos informimi për mungesë​​ në​​ punë, largim pa paralajmërim dhe leje paraprake nga vendi i punës si dhe mos përmirësimi i sjelljes së​​ saj në​​ këto veprime edhe pas shqiptimit të​​ tri vërejtjeve me shkrim nga udhëheqësi i saj i drejtpërdrejt. Komisioni​​ Disiplinor konstatoj​​ se​​ ka​​ shkelje te renda​​ të​​ Rregullores për​​ Orarin​​ e​​ Punës nr.: OS/2010,​​ nenit 7 paragrafi 1,2,4 prandaj në​​ mënyrë unanime​​ vendosi që​​ ti shqiptohet masa disiplinore;​​ Ndërprerja​​ Marrëdhënies së​​ Punës në​​ Shërbimin Civil pa dëmtuar apo reduktuar​​ të drejtën në pension nga Komisioni​​ Disiplinor, sipas nenit 66,​​ paragrafi 4, pika 4.3 të​​ Ligjit nr. 03/L-149 mbi Shërbimin Civil të​​ Kosovës dhe sipas nenit 8 paragrafi 1 pika 1.4 të​​ Rregullores 04/2011 për​​ procedurat disiplinore në​​ Shërbimin​​ Civil të​​ Kosovës.

 

  • Më​​ 16​​ qershor 2014,​​ parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në Komisionin për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave të APK-së kundër vendimit​​ [Ref.​​ APD-100/2014]​​ të 30 majit 2014 të Komisionit Disiplinor të APK-së, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave ligjore.​​ 

 

  • Më 18 korrik 2014, Komisioni për zgjidhjen e ankesave dhe kontesteve i APK-​​ përmes​​ vendimit​​ [Ref.​​ ZPD-144/14] refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës si të pabazuar dhe la në fuqi vendimin [Ref.​​ ZPD-100/2014] të 30 majit 2014 të Komisionit Disiplinor të APK-së.

 

  • Më 22 gusht 2014, parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë ​​ në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPMSHCK) kundër vendimit të Komisionit​​ për zgjidhjen e ankesave dhe kontesteve i APK-së.

 

  • Më 22 tetor 2014, KPMSHCK përmes vendimit [A​​ 02/353/2014] vendosi si në vijim:​​ (i)​​ Refuzohet si e pabazuar ankesa me numër 02/353/2014 e 22​​ gushtit​​ 2014 e parashtruar nga ankuesja Miradije Gashi – Sheremeti nga Peja; (ii)​​ Mbetet në fuqi vendimi me numër reference ZPD144/14 i 17​​ korrikut​​ 2014 i Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave i APK-së; (iii)​​ Obligohet Kryeshefi Ekzekutiv dhe Menaxheri i Zyrës së Personelit dhe Zhvillimit të Burimeve Njerëzore për zbatimin e këtij vendimi, brenda 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi; (iv)​​ Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës duhet të njoftohet me shkrim pas ndërmarrjes së veprimeve në pajtim me këtë vendim.

 

  • Më 20 nëntor 2014, parashtruesja e kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë​​ kundër vendimit​​ [A 02/353/2014]​​ të KPMSHCK-së, ku kërkoi anulimin e vendimit në fjalë.

 

  • Më 14 korrik 2016, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A.​​ nr.​​ 2333/2014] aprovoi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës dhe anuloi vendimin [A 02/353/2014] të 22 tetorit 2014 të KPMSHCK-së.

  • Në një datë të pasaktësuar, KPMSHCK paraqiti ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, me të cilën e kontestoi ligjshmërinë e tij, për shkak të shkeljes së dispozitave ligjore të procedurës administrative dhe kontestimore, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike​​ dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që ankesa të aprovohet dhe aktgjykimi i ankimuar të​​ anulohet dhe të mbetet në fuqi vendimi [A 02/353/2014] i 22 tetorit 2014 i KPMSHCK-së.

 

  • Më 12 janar 2017, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA.​​ nr.​​ 320/2016] refuzoi si të pabazuar ankesën e KPMSHCK-së, dhe vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore.​​ 

 

  • Më 27 shkurt 2017, KPMSHCK përmes vendimit [A/02/331/2016] në rivendosje sipas udhëzimeve të Gjykatës Themelore, vendosi që ta refuzojë si të pabazuar ankesën​​ e parashtrueses së kërkesës, dhe la në fuqi vendimin Ref.​​ ZPD-144/14 të 18 korrikut 2014 të Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave i APK-së dhe vendimin Ref:ZPD-100/2014 i 30 majit 2014 të Komisionit Disiplinor të APK-së.

 

  • Më 3 prill 2017, parashtruesja e kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore kundër vendimit​​ [A/02/331/2016]​​ të 27 shkurtit 2017 të KPMSHCK-së, duke propozuar​​ (i)​​ që kërkesëpadia e saj të aprovohet;​​ ​​ (ii)​​ të anulohet vendimi i kontestuar i KPMSHCK-së;​​ (iii) të​​ urdhërohet​​ APK-ja që ta kthejë në punë dhe detyrat e punës duke i kompensuar të ardhurat personale për periudhën kohore nga 10 maji 2014 dhe deri në kthimin në punë, me kamatën e paraparë ligjore deri në pagesën definitive; dhe (iv) të urdhërojë APK-në që t’ia plotësojë kushtet e punës.

 

  • Më 2 nëntor 2020, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A.​​ nr.​​ 595/17] refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës.

 

  • Më 23 dhjetor 2020, parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave ligjore, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe shkeljes të së drejtës materiale, me propozimin që të anulohet aktgjykimi i kontestuar dhe të nxjerr vendim që ta kthejë në vendin e punës,​​ si dhe ti kompensohen të gjitha të ardhurat personale për periudhën kohore nga ndërprerja e marrëdhënies së punës.

 

  • Më 31 maj 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA.​​ nr.​​ 1/2021] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtrueses së kërkesës, ndërsa aktgjykimin​​ [A.​​ nr.​​ 595/17] të​​ 2 nëntorit 2020 të Gjykatës Themelore e vërtetoi.

 

  • Më 18 gusht 2022, parashtruesja e kërkesës paraqiti kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme.

 

  • Më 3 nëntor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ-UZVP.​​ nr.​​ 82/2022] refuzoi si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të parashtruar nga parashtruesja e kërkesës.

 

Pretendimet e parashtruesit​​ ​​ kërkesës

 

  • Parashtruesja​​ e​​ kërkesës e​​ konteston​​ Aktgjykimin​​ [ARJ-UZVP.​​ nr.​​ 82/2022] të 3 nëntorit 2022​​ të Gjykatës Supreme,​​ me pretendimin se​​ i njëjti​​ është​​ nxjerrë​​ në​​ shkelje të​​ të​​ drejtave dhe lirive themelore​​ të​​ saj​​ të​​ garantuara​​ me​​ nenet 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit],​​ 27 [Ndalimi i Torturës, Trajtimit Mizor, Çnjerëzor ose Poshtërues],​​ ​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me ​​ nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), 13 dhe 14 të​​ KEDNj-së, nenet 7, 10 dhe 23 të​​ DUDNj-së, nenet 2, 3, 14 dhe 26 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, nenet 1 dhe 16 të Konventës kundër Torturës dhe Trajtimeve Ndëshkimeve të tjera mizore, jonjerëzore dhe poshtëruese, neneve 2 dhe 11 të Konventës kundër diskriminimit të gruas.

 

  • Parashtruesja​​ e​​ kërkesës fillimisht​​ pretendon shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, pasi që​​ siç thekson:​​ “Me këtë Aktgjykim deri te kjo shkelje ka ardhur si pasojë​​ e mos vërtetimit​​ të​​ gjendjes faktike lidhur me kushtet e punës nga Gj. Supreme e cila ka pasur prova të​​ mjaftueshme materiale për të​​ vërtetuar gjendjen e mjerueshme të​​ kushteve e të​​ punës me fotografi dhe Raporte të​​ Inspektoratit të Punës dhe atyre Sanitar.​​ Tutje​​ parashtruesja​​ e​​ kërkesës​​ thekson​​ se​​ konsiderojmë se çdo vendim i punëdhënësit për largimin e paditëses nga puna është joproporcional në​​ raport me kushtet e punës. Trajtimi i kërkueses si palë​​ procedurale nga ana e gjykatës është tërësisht subjektiv dhe diskriminues”.​​ Parashtruesja e kërkesës po ashtu pretendon shkelje të nenit 6 të KEDNj-së pasi që siç thekson ajo “Sikur të​​ zbatohej Aktgjykimi Rev.nr.287/2013 dt. 18.12.2013 i Gj. Supreme nuk do të​​ kishim shkeljen e nenit 6,​​ par.​​ 1 të​​ kësaj Konvente sepse moszbatimin i vendimeve gjyqësore përbën shkelje të​​ vetë​​ thelbit të​​ procesit të​​ drejtë​​ dhe të​​ parimit të shtetit të së​​ drejtës”. Lidhur me këtë,​​ parashtruesja e kërkesës i referohet dy rasteve të GJEDNj-së, përkatësisht rastit​​ Hornsby kundër Greqisë de Qufaj Co.shpk kundër Shqipërisë, duke theksuar se këto dy raste krahasohen me rastin​​ e saj.

 

  • Përkitazi​​ me shkeljet e pretenduara të nenit​​ 24 të Kushtetutës, parashtruesja e​​ kërkesës, në esencë,​​ thekson se​​ nuk është trajtuar në mënyrë të barabartë, pasi që institucioni ka qenë i mbizotëruar nga meshkujt dhe se është diskriminuar në aspektin gjinor,​​ dhe se për këtë kishte paraqitur edhe padi për diskriminim,​​ mirëpo sipas parashtrueses së kërkesës,​​ “...​​ gjykata provat nuk i ka trajtuar në mënyrë objektive sepse i ka marrë si të mirëqena vetëm provat e parashtruara nga punëdhënësi”.​​ Lidhur me diskriminimin,​​ parashtruesja e kërkesës​​ po ashtu​​ pretendon​​ shkelje të​​ Konventës kundër diskriminimit të gruas, pasi që,​​ siç thekson “Deri te kjo shkelje ka ardhur sepse kjo Konventë​​ dënon diskriminimin ndaj grave në​​ të​​ gjitha format dhe sipas saj grave u ofrohet mbrojtje gjyqësore e të​​ drejtave të​​ tyre, mbi bazën e barabartë​​ me burrat, dhe u sigurohet mbrojtjen efektive kundër çdo veprimi diskriminues duke ndërmarr masat e përshtatshme për eliminimin e diskriminimit ndaj tyre kundrejt çdo personi, organizate apo ndërmarrje që​​ e ushtron atë​​ ”.

 

  • Parashtruesja e​​ kërkesës po ashtu pretendon shkelje të neneve 7, 10 dhe 23 të​​ DUDNj-së, duke theksuar:​​ “deri te shkelja e kësaj Deklarate ka ardhur sepse me Aktgjykimin e sipërcekur janë shkelur te parimet e Deklaratës sepse paditëses nuk i janë ofruar kushte të​​ favorshme të​​ punës nga ana e punëdhënësit dhe kur ka kërkuar të​​ drejtën e saj ligjore nuk i është nënshtruar një gjykimi të​​ drejtë dhe të​​ barabartë”.​​ Tutje parashtruesja e kërkesës pretendon shkelje të neneve 2, 3, 14 dhe 26 të​​ Konventës ndërkombëtare për të drejtat civile politike,​​ duke theksuar se “deri te kjo shkelje ka ardhur si pasojë​​ e shkeljes së​​ të​​ drejtave të​​ paditëses si punonjëse nga personat që​​ kanë​​ ushtruar funksionet e tyre zyrtare brenda institucionit dhe këto shkelje janë përkrahur nga gjykata e nuk ka vepruar për ti eliminuar. Konsiderojmë se gjykata ka bërë​​ një diskriminim të​​ hapur ndaj kërkueses si palë​​ kur e ka përkrahur diskriminimin që​​ i është bërë​​ nga institucioni punëdhënës”.​​ 

 

  • Po ashtu parashtruesja e kërkesës pretendon shkelje të disa neneve të Konventës kundër torturës,​​ duke theksuar se​​ ​​ Sipas kësaj Konvente termi" torturë" nënkupton çdo veprim me të​​ cilin personit tjetër i shkaktohen qëllimisht dhembje a vuajtje të​​ rënda, fizike ose mendore, me qëllim që​​ të​​ frikësohet ose detyrohet, ose për ndonjë arsye tjetër të​​ bazuar në​​ diskriminimin e cilitdo lloji, kur dhembjet ose vuajtjet e tilla shkaktohen nga një person zyrtar ose nga një person që​​ vepron sipas detyrës zyrtare ose me nxitjen a pëlqimin e tij. Nëse mossigurimi i kushteve të​​ dinjitetshme të punës dhe trajtimi poshtërues i kërkueses nga ana e punëdhënësit nuk është torturë​​ psikike dhe trajtim poshtërues sipas kësaj Konvente, çfarë mund të​​ quhet ndryshe? Çdo personi, organizate apo ndërmarrje që​​ e ushtron atë​​ të​​ përshtatshme për eliminimin e diskriminimit ndaj tyre kundrejt çdo personi, organizate apo ndërmarrje që​​ e ushtron atë.​​ 

 

Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore

 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës

 

Neni 24

[Barazia para Ligjit]​​ 

 

1.​​ Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.​​ 

 

2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.​​ 

 

3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.

 

Neni 31

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.

[...]

 

LIGJI Nr. 03/L-149 PËR SHËRBIMIN CIVIL TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Neni 59

Vijimi në punë

 

1. Nëpunësit civilë janë të detyruar të jenë të pranishëm në vendin e punës në bazë të kushteve të emërimit të tyre dhe gjatë orarit të përcaktuar për funksionimin e institucionit punëdhënës. Nëpunësit civilë janë të detyruar të respektojnë orarin e punës dhe ta shfrytëzojnë atë për kryerjen e detyrave të caktuara.​​ 

 

2. Nëpunësit civilë janë të detyruar t’i informojnë eprorët e tyre për çdo mungesë nga vendi i punës dhe të marrin autorizim për çdo largim nga vendi i punës. Mos informimi ose mungesa e pa lajmëruar nga vendi i punës konsiderohet braktisje e vendit të punës dhe dënohet në përputhje me ligjin.

 

Pranueshmëria e kërkesës

 

  • Gjykata së​​ pari vlerëson nëse parashtruesja e​​ kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.​​ 

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët​​ e Autorizuara] të Kushtetutës​​ që përcaktojnë:​​ 

 

Neni 113

[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]

 

“1.​​ Gjykata​​ Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[...]

7.​​ Individët​​ janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

[...]

 

  • Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:​​ 

 

Neni 47

[Kërkesa individuale]

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

2. Individi​​ mund​​ ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht​​ se​​ cilat të drejta dhe liri​​ pretendon​​ se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.

 

Neni 49

[Afatet]

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur​​ parashtruesit​​ i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht​​ ...”.

 

  • Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin​​ 34​​ [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht​​ nën rregullin​​ (1) (b) dhe​​ (2) të rregullit 34​​ të Rregullores së punës, që përcaktojnë:

“ (1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:

​​ (...)

​​ (b)​​ janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me Ligj kundër aktgjykimit ose vendimit të kontestuar”.

 

(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e​​ pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.

 

  • Gjykata vëren se kemi të bëjmë me dy procedura, përkatësisht (i) procedurën lidhur me ankimin e parashtrueses së kërkesës lidhur me masën disiplinore “vërejtje me shkrim” dhe (ii) procedurën lidhur me​​ ankimin e parashtrueses së kërkesës lidhur me​​ masën disiplinore “​​ ndërprerje e marrëdhënies së punës”.

 

  • Sa i përket procedurës së parë lidhur me ankimin e parashtrueses së kërkesës lidhur me​​ masën disiplinore “vërejtje me shkrim

 

  • Gjykata fillimisht thekson se parashtruesja e kërkesës është palë e autorizuar, e cila konteston një akt të një autoriteti publik. Megjithatë, Gjykata rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (b) të Rregullores së punës i obligon ata që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive në dispozicion në pajtim me ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi të kontestuar.​​ 

 

  • Në këtë mënyrë, gjykatave të rregullta u jepet mundësia që të korrigjojnë gabimet e tyre gjatë procedurës së rregullt gjyqësore para se çështja të vijë në Gjykatën Kushtetuese. Ky rregull bazohet në supozimin e shprehur në nenin 32 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNj-së, që në legjislacionin vendës ka mjete juridike në dispozicion për t’u shfrytëzuar pranë gjykatave të rregullta në lidhje me shkeljet e pretenduara,​​ pavarësisht nëse dispozitat e KEDNj-së janë inkorporuar në ligjin kombëtar apo jo (shih rastin e GJEDNj-së,​​ inter alia,​​ Aksoy kundër Turqisë, nr. 21987/93, Aktgjykim i 18 dhjetorit 1996, paragrafi 51; shih, po ashtu ndër të tjera, rastet e Gjykatës:​​ KI67/19, parashtrues​​ Hajrije Rina Zhitija Ajeti, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 shtatorit 2019, paragrafi 34;​​ KI09/19, parashtrues​​ Leutrim Hajdari, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 marsit 2020, paragrafi 36; dhe​​ KI178/21, parashtrues​​ Agim Stublla, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 shkurtit 2022, paragrafi 26).

 

  • Parimi është se mekanizmi mbrojtës, i krijuar nga Gjykata Kushtetuese të jetë subsidiar në raport me sistemin e rregullt gjyqësor që mbron të drejtat e njeriut (shih, rastet e Gjykatës nr.​​ KI15/16, parashtruesi i kërkesës​​ Ramadan Muja, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 marsit 2016, paragrafi 42;​​ KI178/21, cituar më lart, paragrafi 27).

 

  • Në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës duhet të ketë një rrugë të rregullt deri te mjetet juridike të cilat janë në dispozicion dhe të mjaftueshme për të siguruar një mundësi për të korrigjuar shkeljet e pretenduara. Ekzistimi i mjeteve juridike në fjalë duhet të jetë mjaft i sigurt jo vetëm në teori, por edhe në praktikë, dhe nëse nuk është kështu, atëherë këtyre mjeteve juridike do t’iu mungojë disponueshmëria dhe efektiviteti i nevojshëm (shih, rastet e GJEDNJ-së,​​ inter alia,​​ Vernillo kundër Francës,​​ nr. 11889/85, Aktgjykim i 20 shkurtit 1991, paragrafi 27, dhe​​ Dalia kundër Francës, nr. 26102/95, Aktgjykim i 19 shkurtit 1998, paragrafi 38).

 

  • Gjykata duhet të shqyrtojë nëse janë shteruar mjetet juridike dhe nëse mjeti juridik ishte efektiv në dispozicion në teori dhe praktikë në kohën përkatëse, përkatësisht, që ka qenë i qasshëm, që ka mundur t'i korrigjojë shkeljet në lidhje me kundërshtimet e parashtruesit të kërkesës, dhe gjithashtu ka ofruar një perspektivë të arsyeshme për sukses (shih rastin e GJEDNJ-së,​​ inter alia,​​ Civet kundër Francës, nr. 29340/95, Aktgjykim i 28 shtatorit 1999, paragrafët 42-44; dhe rastin e Gjykatës,​​ KI178/21, cituar më lart, paragrafi 29).

 

  • Megjithatë, kur një mjet juridik parashikohet me ligj, i takon parashtruesit të kërkesës të dëshmojë se mjeti juridik i paraparë me ligj është shteruar me të vërtetë ose për ndonjë arsye nuk ka qenë në dispozicion dhe ka qenë joefektiv në rrethanat e posaçme të rastit, ose ka pasur rrethana të veçanta për shkak të të cilave ai ose ajo kanë qenë të liruar nga kushti i shterimit të mjeteve juridike.

 

  • Duke iu rikthyer rastit konkret, del se parashtruesja e​​ kërkesës pas pranimit të​​ vendimit [A 02/268/2014] të 8 korrikut 2014 i të KPMSHCK-së,​​ kishte bërë ankesë në Gjykatën Themelore,​​ mirëpo Gjykata nga dosja e lëndës vëren se parashtruesja e kërkesës nuk ka bashkëngjitur asnjë vendim të​​ gjykatave,​​ dhe se nuk e ka të qartë se a është vendosur lidhur me çështjen në​​ gjykatat e rregullta. Në lidhje me këtë, Gjykata thekson faktin se të gjitha pretendimet e parashtrueses së​​ kërkesës për shkelje ligjore nga ana e​​ KPMSHCK-së, mund të shqyrtoheshin gjatë procedurës së rregullt nga gjykatat e rregullta.

 

  • Prandaj, Gjykata gjen se parashtruesja e kërkesës​​ e dorëzoi kërkesën e​​ saj​​ në Gjykatën Kushtetuese para shterimit të të gjitha mjeteve efektive juridike, përkatësisht se në legjislacionin e brendshëm ka mjete efektive juridike në dispozicion në gjykatat e rregullta në lidhje me shkeljen e pretenduar.

 

  • Andaj, lidhur me këtë, Gjykata bazuar në praktikën e saj gjyqësore thekson se nëse parashtruesit e kërkesës nuk i shterin mjetet efektive juridike të parapara me ligj, atëherë kërkesat e parashtruesve në Gjykatë konsiderohen si​​ mos shterje​​ (shih, në këtë kontekst, rastin e Gjykatës,​​ KI193/20, parashtrues​​ Bujar Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 majit 2021, paragrafi 29).​​ 

 

  • Gjykata potencon se ky aktvendim për papranueshmëri nuk​​ i​​ pengon parashtrueses​​ ​​ kërkesës që në të ardhmen, sërish, të dorëzojë kërkesë kushtetuese brenda afatit ligjor 4 (katër) mujor nga dita që ka pranuar vendimin e fundit, nga gjykatat e rregullta. Ky vendim i Gjykatës konstaton që, tani për tani, kërkesa e parashtruesit është e parakohshme për arsye se legjislacioni në fuqi parasheh mjete efektive juridike përmes të cilave parashtruesi i kërkesës mund të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të tij ligjore dhe kushtetuese.​​ 

 

  • Sa i përket procedurës së dytë lidhur me masë disiplinore “ndërprerje e marrëdhënies së punës”​​ 

 

  • Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se​​ lidhur me këtë procedurë​​ parashtruesja e kërkesës: është ​​ palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ajo​​ e konteston kushtetutshmërinë e një akti të autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimin [ARJ-UZVP.​​ nr.​​ 82/2022] e 3 nëntorit 2022 të Gjykatës Supreme; se i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; se i ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, siç parashihet me nenin 49 të Ligjit.​​ 

 

  • Gjykata rikujton se rregulli​​ 34 (2) i rregullores së punës së Gjykatës, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpall një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar​​ në paragrafin 2 të rregullit 34​​ të Rregullores së punës (shih rastin​​ KI04/21, parashtruese​​ Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021,​​ paragrafi 26; shih gjithashtu rastin​​ KI175/20, parashtrues​​ Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).​​ 

 

  • Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së​​ Trofimchuk kundër Ukrainës,​​ nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu​​ Baillard kundër Francës,​​ nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës​​ KI166/20,​​ parashtrues,​​ Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe​​ në fund, (iv) pretendime​​ “konfuze dhe të paqarta”​​ (shih, rastet e GjEDNj-së,​​ Kemmache kundër Francës,​​ nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i),​​ Juta Mentzen kundër Lituanisë,​​ nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe​​ Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).

 

  • Në këtë kontekst, si dhe në vazhdim të tekstit, vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin​​ KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).

 

  • Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë nga kërkesa e​​ parashtrueses së kërkesës për rikthim në vendin e​​ saj​​ të punës në​​ APK.​​ Parashtruesja e kërkesës ishte e punësuar në APK në Pejë në pozitën e Zyrtares për çështje ekonomike.​​ Drejtori i APK-së në Pejë i kishte shqiptuar vërejtje me shkrim për shkak të daljes nga vendi i punës,​​ duke mos arsyetuar daljen. Pas tri vërejtjeve me shkrim nga ana e Drejtorit të APK-së në Pejë, ky i fundit kishte iniciuar kërkesën për procedurë disiplinore ndaj parashtrueses së kërkesës në Komisionin Disiplinor të APK-së. Komisioni Disiplinor i APK-së parashtrueses së kërkesës i kishte vendosur masën disiplinore “ndërprerje e marrëdhënies së punës”. Ndaj vendimit të Komisionit Disiplinor parashtruesja e kërkesës kishte paraqitur ankesë në Komisionin për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave të APK-së, ku ky i fundit kishte refuzuar ankesën e saj dhe kishte vërtetuar vendimin e komisionit disiplinor. Parashtruesja e kërkesës kishte paraqitur ankesë në KPMSHCK kundër vendimit të komisionit të ankesave, ku ankesa e saj ishte refuzuar.​​ Parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore kundër vendimit të KPMSHCK-së, e cila padi ishte aprovuar dhe rasti ishte rikthyer në rigjykim dhe rivendosje në KPMSHCK. Kundër vendimit të Gjykatës Themelore kishte​​ parashtruar ankesë KPMSHCK në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e kishte refuzuar ankesën si të pabazuar dhe kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore. Në rivendosje KPMSHCK kishte vendosur papë ta refuzojë ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe kishte lënë në fuqi vendimin e Komisionit për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave. Parashtruesja e kërkesës prapë kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore kundër vendimit të KPMSHCK-së, e cila padi ishte refuzuar nga ana e Gjykatës Themelore. Ndaj vendimit të Gjykatës Themelore parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e kishte refuzuar ankesën si të pabazuar dhe kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore. Kërkesë për rishqyrtim të vendimit gjyqësor parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar në Gjykatën Supreme duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila kërkesë ishte refuzuar si e pabazuar nga ana e Gjykatës Supreme. ​​ 

 

  • Gjykata​​ vëren​​ se esenca e pretendimeve​​ të parashtrueses së kërkesës ka të bëjë​​ me pretendimet​​ për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë,​​ duke i ndërlidhur​​ me​​ vërtetimin e gabuar të fakteve​​ nga ana e Gjykatës Supreme. Gjykata vlerëson se pretendimet e tilla ngrejnë çështje nga neni 31 i​​ Kushtetutës​​ dhe neni 6.1 i KEDNj-së, të cilat Gjykata do t’i analizojë në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.

 

  • Gjykata​​ fillimisht do të trajtojë pretendimet e parashtrueses së kërkesës lidhur me​​ pretendimet​​ për​​ shkelje të​​ nenit 31 të Kushtetutës lidhur me nenin 6 të KEDNj-së,​​ duke vazhduar më pas me pretendimet​​ tjera.​​ 

 

Sa i përket pretendimeve​​ lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së

 

  • Gjykata vëren se thelbi i ankesës së parashtrueses së kërkesës qëndron në pretendimin se​​ gjykatat e rregullta kanë shkelur nenin 31 të Kushtetutës, pasi që vendimet e tyre i kanë bazuar duke bërë interpretim të gabuar të fakteve, duke arsyetuar “... Me këtë Aktgjykim deri te kjo shkelje ka ardhur si pasojë​​ e mosvërtetimit të​​ gjendjes faktike lidhur me kushtet e punës nga Gj. Supreme e cila ka pasur prova të​​ mjaftueshme materiale për të​​ vërtetuar gjendjen e mjerueshme të​​ kushteve e të​​ punës me fotografi dhe Raporte të​​ Inspektoratit të Punës dhe atyre Sanitare”.

 

  • Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtrueses​​ së kërkesës ka të bëjë me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga​​ gjykatat e rregullta.

 

  • Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNj-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNj, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNj​​ (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës​​ KI179/18, parashtrues​​ Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68;​​ KI49/19, parashtrues​​ Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”,​​ Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47;​​ KI56/17,​​ me parashtruese​​ Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe​​ KI154/17 dhe KI05/18,​​ me parashtrues,​​ Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019,​​ paragrafi 60, dhe së fundmi rasti​​ KI76/21, parashtrues​​ Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34).​​ 

 

  • Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së​​ García Ruiz kundër Spanjës,​​ nr. 30544/96,​​ Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës,​​ KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe​​ KI154/17 dhe KI05/18,​​ cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti​​ KI76/21, parashtrues​​ Qemajl Babuni,​​ Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 35).​​ 

 

  • Gjykata vëren se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë aktgjykimet përkatëse, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtrueses së kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.

 

  • Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA.nr.1/2021]: (i)​​ refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtrues së kërkesës, (ii)​​ vërtetoi aktgjykimin [A.nr.595/17] të 2 nëntorit 2020 të Gjykatës Themelore. Në vijim të arsyetimit të këtij Aktgjykimi, Gjykata e Apelit theksoi se: “Duke u nisur nga gjendja e tille e çështjes, sipas vlerësimit të​​ kolegjit të​​ apelit, aktgjykimi i kontestuar është i qartë dhe i kuptueshëm, dhe përmban arsye të​​ mjaftueshme për faktet vendimtare, të cilat i pranon edhe kolegji i apelit duke vlerësuar se edhe e drejta materiale ishte​​ zbatuar drejtë, kur i padituri dhe organi i punësimit është bazuar në​​ dispozitën e nenit 59 të​​ Ligjit nr.03/L-149 për Shërbimin Civil të​​ Kosovës, i cili përcakton se "1. Nëpunësit civilë​​ janë të​​ detyruar të​​ jenë​​ të​​ pranishëm në​​ vendin e punës në​​ bazë​​ të​​ kushteve të​​ emërimit të​​ tyre dhe gjatë​​ orarit të​​ përcaktuar për funksionimin e institucionit punëdhënës. Nëpunësit civilë​​ janë të detyruar të respektojnë orarin e punës dhe ta shfrytëzojnë atë për kryerjen e detyrave të​​ caktuara. 2. Nëpunësit civilë​​ janë të​​ detyruar t'i informojnë eprorët e tyre​​ për​​ çdo​​ mungesë​​ nga vendi i​​ punës​​ dhe të​​ marrin autorizim​​ për​​ çdo​​ largim nga vendi i​​ punës. Mosinformimi ose mungesa e pa​​ lajmëruar​​ nga vendi i​​ punës​​ konsiderohet​​ braktisje​​ e vendit të​​ punës​​ dhe​​ dënohet​​ në​​ përputhje​​ me ligjin", dhe​​ është​​ bazuar në​​ nenin​​ 4,​​ paragrafi 3 të​​ Rregullores Nr.05/2010​​ për​​ Orarin e​​ Punës, i cili​​ përcakton​​ se "Orari i​​ punës​​ për​​ nëpunësit civilë​​ fillon në​​ ora,​​ 08 dhe​​ përfundon në​​ ora 16​​ përveç​​ rasteve të​​ përcaktuara​​ ndryshe nga​​ institucionet​​ përkatëse". Në​​ këtë​​ kuptim,​​ Kolegji i apelit​​ vlerëson​​ se i padituri drejtë​​ ka vendosur kur ka konstatuar se​​ paditësja​​ për​​ shkak të​​ shkeljeve të​​ rënda të​​ detyrave të​​ punës,​​ siç​​ janë; mosrespektimi i orarit të​​ punës, mosinformimi​​ për​​ mungesë​​ në​​ punë, largim pa​​ paralajmërim​​ dhe leje paraprake nga vendi i​​ punës,​​ si dhe mospërmirësimi​​ pas shqiptimit​​ të​​ tri​​ vërejtjeve​​ nga organi​​ punëdhënës, Komisioni Disiplinor i​​ Agjencisë​​ Pyjore të​​ Kosovës në​​ Pejë, me vendimin e dt.30.05.2014, drejt ka vendosur ku​​ paditëses​​ i ka shqiptuar​​ masën​​ disiplinore​​ ndërprerje​​ e​​ marrëdhënies​​ së​​ punës, pa​​ dëmtuar​​ apo reduktuar të​​ drejtën në​​ pension”.

 

  • Në lidhje me pretendimet e parashtrueses së kërkesës vendosi edhe Gjykata Supreme, e cila përmes Aktgjykimit [ARJ-UZVP.​​ nr.​​ 82/2022] refuzoi si të pabazuar​​ kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor​​ të paraqitur kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, duke theksuar se e pranon si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e gjykatës së shkallës së dytë, dhe se i njëjti nuk është përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës​​ administrative​​ dhe as në zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Gjykata Supreme gjeti se e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme në raport me gjendjen faktike të provuar, duke theksuar se: “Nga provat në shkresa të lëndës rezulton se masa që ka shqiptuar e paditura ka ardhur si rezultat​​ i tre vërejtjeve me shkrim (me numër Ref: PE/APK-284/2014 dt.10.04.2014; Ref: PE/APK-294/2014 dt.18.04.2014; Ref: PE/APK -311/2014 dt.25.04.2014) nga Drejtori i Drejtorisë Koordinuese të Agjencisë Pyjore të Kosovës në Pejë, për shkak të mosrespektimit të orarit të punës, për çfarë me të drejtë e paditura i ka shqiptuar paditëses masën disiplinore “ndërprerje e marrëdhënies së punës pa e dëmtuar apo reduktuar të drejtën në pension”. Nga kjo që u parashtrua, kjo gjykatë konsideron se deri tek shqiptimi i masës së​​ lartcekur nga ana e të paditurës nuk ka ardhur menjëherë por vetëm pasi janë dhënë tre vërejtje me shkrim të njëpasnjëshme. Bazuar në formularët e vajtje ardhjes në punë për muajin prill 2014, respektivisht për datat, 1,2,3,4,7,8,9,10,11,14,15,17,18,21,22,23,24,25,28,29 dhe 30.04.2014, dhe në bazë të këtyre datave vërtetoi se paditësja në datat 02,03,04,07,08,10,11,15,17,18,22,23,24,25,28,29 dhe 30.04.2014, është evidentuar dhe nënshkruar në listë vetë në fillimin e orarit të punës në ora 08:00, dhe nuk ka evidencë të nënshkrimit të saj nga puna. Ky fakt vërtetohet edhe në raportet zyrtare të Inspektoratit të punës nr.03039 dt. 15.04.2014, dhe nr. 00629 dt. 13.05.2014, me të cilat konstatohet se është inspektuar vendi i punës i paditëses lidhur me kushtet e punës, por në të dyja rastet paditësja nuk ka qenë prezentë në vendin e punës dhe zyra ka qenë e mbyllur. Duke u bazuar në këto që u thanë, kjo gjykatë konsideron se këto veprime të paditëses janë në kundërshtim me nenin 59 paragrafi 1 dhe 2, të Ligjit për Shërbimin Civil të Kosovës, dhe me nenin 4,​​ paragrafi 3 të Rregullores nr.05/2010 për orarin e punës, dhe se paditësja me mosprezencën e saj të vazhdueshme në vendin e punës ka bërë shkelje të rëndë të detyrave të punës​​ ”.​​ 

 

  • Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se çështja e​​ konstatimit të gjendjes faktike​​ është çështje që përcaktohet nga gjykatat e rregullta në kuadër të detyrave dhe prerogativës së tyre për konstatim të gjendjes faktike dhe zbatim të ligjit material e procedural në rastet individuale dhe se në këtë drejtim nuk mund të thuhet se janë cenuar garancitë procedurale​​ nga neni 31 i Kushtetutës. Veç kësaj, gjykatat e rregullta kanë shpjeguar se​​ veprimet e parashtrueses së kërkesës kanë qenë në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil, dhe se masat ndaj saj janë marrë duke u bazuar në dispozita ligjore në fuqi.​​ 

 

  • Gjykata nuk vëren zbatim të dukshëm arbitrar të ligjit apo të fakteve, konkluzion qartazi të paarsyeshëm të procedurave apo edhe mungesë të marrëdhënies logjike ndërmjet fakteve të konstatuara dhe zbatimit të dispozitave ligjore përkatëse ndaj atyre fakteve. Në të vërtetë, nga vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë dhënë arsyetim të bollshëm.​​ 

 

  • Prandaj, Gjykata konstaton që parashtruesja e​​ kërkesës ka pasur mundësi të përfitojë nga procedura kontradiktore dhe se ka pasur mundësi që në fazat e ndryshme të procedurës t’i paraqesë pretendimet dhe provat të cilat i ka konsideruar si të rëndësishme për rastin e​​ saj; ka pasur mundësinë për t’i kundërshtuar në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta i kanë dëgjuar dhe shqyrtuar të gjitha pretendimet e tyre, e të cilat, shikuar objektivisht, kanë qenë të rëndësishme për zgjidhjen e lëndës, dhe se arsyet faktike dhe juridike për vendimin e kundërshtuar janë paraqitur në detaje, dhe për këtë arsye procedura, e marrë në tërësi, ishte e drejtë (shih​​ mutatis mutandis, Aktgjykimi i GjEDNj-së i 21 janarit 1999,​​ García Ruiz kundër Spanjës,​​ nr. 30544/96, paragrafët 29 dhe 30; shih gjithashtu rastin e Gjykatës​​ KI22/19, parashtrues​​ Sabit Ilazi, Aktvendim për​​ papranueshmëri,​​ i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).

  • Gjykata thekson që në rrethanat e rastit konkret, parashtruesja e​​ kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, si rezultat i​​ vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, thekson se,​​ gjykatat e rregullta kanë​​ bërë interpretim të drejtë të fakteve, megjithatë ajo​​ nuk e mbështet në asnjë mënyrë dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim ​​ nga gjykatat e rregullta,​​ mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesen​​ e kërkesës apo se si procedurat pranë gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtrueses së kërkesës dhe kanë arsyetuar qartazi të njëjtat (shih rastet e Gjykatës​​ KI64/20, parashtrues​​ Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri,​​ i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe​​ KI22/19, cituar më lart, paragrafi 43).

 

  • Thënë këtë Gjykata vlerëson se​​ gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar pretendimet e parashtrueses​​ të kërkesës, ku në bazë të provave të nxjerra ishte vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtrueses së kërkesës dhe me këtë rast, të njëjtat ishin shpallur si të pabazuara. Sa më sipër, Gjykata thekson se parashtruesja e​​ kërkesës nuk ka arritur që pretendimet e​​ saj​​ për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë t’i ngrejë në nivel kushtetutshmërie.

 

  • Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të​​ vërtetimit të gabuar të fakteve, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNj-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

 

Përkitazi me pretendimet​​ tjera

 

  • Sa i përket pretendimeve për shkelje të të drejtave të garantuara me​​ nenet 22,23,​​ 24, dhe 27​​ të Kushtetutës​​ dhe disa nene të disa konventave ndërkombëtare të cituara më lart, Gjykata rikujton se sipas praktikës gjyqësore të vendosur mirë të GjEDNj-së, Gjykata e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar në pajtim me kriterin (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht:

 

  • kur parashtruesi/ja thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse kjo është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih,​​ në këtë drejtim, rastin e GjEDNj-së​​ Trofimchuk kundër Ukrainës​​ (Vendim) nr. 4241/03,​​ i​​ 31 majit 2005, shih, gjithashtu, rastin​​ Baillard kundër Francës​​ (Vendim) nr. 6032/04,​​ i​​ 25 shtatorit 2008);

 

  • kur parashtruesi/ja nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij/saj​​ (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij/saj​​ dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, nëse autoritetet e burgut refuzojnë të paraqesin në Gjykatë dokumentet nga shkresat e lëndës së të burgosurit për të cilin bëhet fjalë) ose nëse vetë Gjykata nuk vendos ndryshe. ​​ 

 

  • Siç u cek më lart, parashtruesja e​​ kërkesës pretendon se​​ aktgjykimi i kontestuar i​​ Gjykatës Supreme​​ shkel të drejtat e​​ tij​​ të garantuara me​​ nenet​​ ​​ 22,23,​​ 24, dhe 27​​ të Kushtetutës​​ dhe disa nene të disa konventave ndërkombëtare të cituara më lart. Mirëpo, parashtruesja e​​ kërkesës​​ vetëm i përmend nenet​​ përkatës​​ duke cituar ato, por nuk​​ shtjellon​​ më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e​​ këtyre neneve​​ përkatëse​​ të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të​​ ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave​​ duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës Kushtetuese​​ KI187/18 dhe KI 11/19, parashtrues:​​ Muhamet Idrizi, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2019, paragrafi 73;​​ KI125/19​​ parashtrues:​​ Ismajl Bajgora, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 63; dhe së fundmi rastin​​ KI175/20, parashtrues​​ Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi për papranueshmëri, i 26 marsit 2021, paragrafët 79-82).​​ 

 

  • Thënë këtë, Gjykata konsideron se pretendimin për shkelje të​​ këtyre neneve​​ të Kushtetutës​​ dhe Konventave,​​ parashtruesja e​​ kërkesës, në të vërtetë, i​​ ka elaboruar mbi bazën e nenit 31 të Kushtetutës, duke e ndërlidhur shkeljen e​​ këtyre të drejtave​​ themelore, me​​ mosvlerësimin e drejtë të fakteve nga ana e​​ gjykatave, për çfarë Gjykata sa mësipër konstatoi se në këtë pjesë kërkesa duhet të shpallet qartazi e pabazuar, në baza kushtetueses dhe rrjedhimisht e papranueshme, për arsyet e lartcekura. ​​ 

 

  • Prandaj, Gjykata konstaton se përkitazi me këto​​ pretendime​​ të parashtrueses së kërkesës, Gjykata konkludon që kjo pjesë e kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë​​ ​​ (iii) pretendimeve​​ “të pambështetura ose të paarsyetuara,​​ sepse​​ parashtruesi​​ i​​ kërkesës thjesht​​ citoi​​ nenet​​ e​​ Kushtetutës, pa shpjeguar se si​​ janë​​ shkelur​​ ato. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.​​ 

 

Përfundim

 

  • Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se pretendimet e parashtrueses së kërkesës në lidhje me​​ procedurën e parë, duhet të shpallen të papranueshme në pajtim me rregullin 34 (1) (b) të Rregullores së punës, për shkak të mosshterjes së mjeteve juridike.

 

  • Sa i përket pretendimeve​​ për​​ shkeljen e​​ nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6.1 të KEDNj-së,​​ këto pretendime​​ i përkasin kategorisë së​​ parë (i)​​ të pretendimeve “shkallë e katërt​​ ”, andaj të njëjtat duhet të deklarohen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin​​ 34​​ (2) të Rregullores së punës.​​ Ndërsa lidhur me pretendimet​​ tjera, duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi​​ ​​ pabazuara pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara.

 

  • Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, duhet të deklarohet e papranueshme.

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat​​ 34​​ (1) (b) dhe​​ (2) dhe​​ 48 (1)​​ (b) të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur​​ ​​ 30 janar 2024​​ , njëzëri

 

VENDOS​​ 

 

  • TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;​​ 

 

  • T’UA KUMTOJË këtë​​ aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë​​ aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  • Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës,​​ në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.

 

 

 

 

 

Gjyqtari raportues  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ ​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese​​ 

 

 

 

 

Enver PeciGresa Caka-Nimani

 

Parashtruesit:

Miradije Gashi Sheremeti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative