Prishtinë, më 26 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2370/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI72/23
Parashtrues
Isa Hashani
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac.nr.1201/2021], të 7 dhjetorit 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Isa Hashani (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), me vendbanim në Komunën e Prishtinës, i përfaqësuar nga Zenel Shala, avokat nga Komuna e Prishtinës.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Ac.nr.1201/2021], e 7 dhjetorit 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) në lidhje me Aktgjykimin [C.nr.4928/2019] e 28 shtatorit 2020, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin e kontestuar e pranoi më 23 janar 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar, me të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 24 [Barazia para Ligjit]; paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] si dhe paragrafin 1 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 20 [Vendimet] dhe 22 [Procedimi i kërkesës] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Nr. 01/2023 (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 29 mars 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 31 mars 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr.GJR.KI72/23] caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci Gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 25 prill 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Në të njëjtën ditë, Gjykata ia dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës së Apelit, si dhe e njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë fletë-kthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 19 korrik 2023, në formë elektronike, Gjykata përsëriti kërkesën drejtuar Gjykatës Themelore për dorëzimin e fletë-kthesës që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 20 korrik 2023, Gjykata Themelore e dorëzoi në Gjykatë fletë-kthesën e kërkuar që dëshmon se kur parashtruesi e ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 17 janar 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës ishte i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës sha.a (në tekstin e mëtejmë: punëdhënësi) që nga viti 1984.
Më 27 dhjetor 2019, parashtruesi i kërkesës paraqiti padi kundër punëdhënësit, përmes të cilës, kërkoi nga i njëjti që atij t’ia paguajë, në emër të pagave jubilare, shumën e përgjithshme prej 2,972.40 € (dy mijë e nëntëqind e shtatëdhjetedy euro e dyzet cent) me kamatë 8 % (tetë përqind) prej paraqitjes së padisë si dhe t’ia kompensojë shpenzimet e procedurës nën kërcënimin e përmbarimit me forcë të aktgjykimit. Parashtruesi i kërkesës, kërkesëpadinë e tij e bazoi në nenin 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, e nënshkruar nga Partnerët në Këshillin Ekonomik Social (në tekstin e mëtejmë: Marrëveshja e Përgjithshme) dhe nenin 90 (Marrëveshja Kolektive) të Ligjit Nr. 03/L-212 të Punës (në tekstin e mëtejmë: Ligji i Punës).
Më 28 shtator 2020, Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [C.nr. 4928/19]: (i) refuzoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës; (ii) i detyroi parashtruesin e kërkesës dhe ish-punëdhënësin t’i bartin shpenzimet e veta procedurale, me arsyetimin si në vijim:
“[...] Së këndejmi gjykata konstaton se paditësi padinë e ka paraqitur pas afatit kohor kjo pasi që marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës, ka hyrë në fuqi nga 01.01.2015 dhe e njëjta ka pasur shtrirje kohore të zbatimit deri më 31.12.2017 (neni 82 i MPKK), konkretisht konform nenit 90 paragrafi 4 i Ligjit nr.03/L-212 të Punës, ku shprehimisht thekson se “Marrëveshja Kolektive mund të lidhet për një periudhë të caktuar me kohëzgjatje jo më shumë se tre (3) vjet”. Andaj, bazuar në këtë Gjykata gjeti si te bazuara pretendimin e përfaqësueses të të paditurës [ish punëdhënësit] se kërkesëpadia e paditësit [parashtruesit të kërkesës] është e pabazuar dhe e njëjta duhet te refuzohet, kjo pasi qe e njëjta është paraqitur pasi qe ka pushuar se vepruari Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e cila është nxjerrur për një afat të caktuar kohor, konkretisht për afatin 3 vjeçar konform ligjit të punës, dhe se tani ka skaduar afati për të cilën është nxjerrë dhe ka pushuar së vepruari kjo marrëveshje dhe me skadimin e saj nuk është lidhur ndonjë marrëveshje e re ne bazën e se cilës do te mund të kërkoheshin tre pagat jubilare.
[...]”
Më 6 nëntor 2020, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [C.nr. 4928/19] të 28 shtatorit 2020, të Gjykatës Themelore, për shkak te shkeljeve esenciale të dispozitave të Ligjit Nr. 03/L-006 të Procedurës Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK), zbatimit të gabuar të drejtës materiale dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, ku ndër të tjera theksoi se: “Bazuar në dispozitat e nenit 8 te LPK-së është në kompetencë të gjykatës se cilat prova do t’i konsiderojë të provuara, por paditësi [parashtruesi i kërkesës] pretendon se gjykata ka bërë shkelje të dispozitës së cekur, pasi nuk ka administruar provat kruciale të cilat aktgjykimin e bëjnë të rrëxueshëm e që janë vendimet e të paditurës [ish punëdhënësit] nr. 2244 dt. 10.04.2019 dhe 8261 dt. 23.8.2019 me të cilat vendime u njihet e drejta në shpërblim jubilar te pagave të gjithë punëmarrësve aktiv dhe pasiv të paditurës që e kanë plotësuar kushtin e përvojës së punës prej 10, 20, 30, 40 vite përvojë pune, dhe atë për periudhën prej 01.01.2015 deri më 31.dhjetor 2019 e tutje”.
Më 7 dhjetor 2022, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [AC. nr. 1201/21] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pathemeltë dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, me arsyetimin si në vijim: “[...] me vet faktin se [parashtruesi i kërkesës] është në marrëdhënie pune tek e paditura që nga viti 1984 fakt i cili nuk është kontestuar as nga [ish punëdhënësi], ku ka rezultuar se paditësi 30 vite të përvojës së punës i ka mbushur në vitin 2014, çka rezulton se në vitin jubilar të [parashtruesit të kërkesës] nuk ka qenë në fuqi ndonjë Kontratë Kolektive apo ndonjë dispozite ligjore e cila [parashtruesit të kërkesës] i ka garantuar një të drejtë të tillë. Atëherë me vet faktin se paditësi vitin jubilar të përvojës se tij të punës 30 vite e ka pasur në vitin 2014 ndërsa padinë në gjykatë e ka ushtrua tek me datën 27.12.2019, atëherë me të drejtë gjykatës së shkallës së parë i ka rezultuar se në këtë situatë konkrete të [parashtruesit të kërkesës], kërkesa e [parashtruesit të kërkesës] është e pa bazuar.”
Gjykata e Apelit, ndër të tjera, arsyetoi se edhe nëse do të kishte kontratë kolektive në fuqi në kohën kur parashtruesi i kërkesës ka mbushur vitin jubilar, respektivisht në rastin konkret, në vitin 2014, përsëri kërkesa e tij do ishte e parashkruar, pasi që bazuar në nenin 87 të Ligjit të Punës parashihet se: "Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej tri (3) vitesh nga dita e paraqitjes së kërkesës". Për më tepër, Gjykata e Apelit theksoi se “[...] në rastin konkret, nuk gjen zbatim as vendimi i të paditurës [ish-punëdhënësit] nr. 8261 dt.23.08.2019 se kjo e drejtë vazhdohet edhe për vitin 2018 dhe deri me 31.Dhjetor 2019, me arsyetim se paditësi nuk e ka pasur vitin jubilar në vitin 2015, 2016 apo 2017, siç e kërkon vendimi i tillë, por e ka pasur në vitin 2014.”
Më 24 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës parashtroi propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë te Prokurori i Shtetit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Prokurori i Shtetit).
Më 6 mars 2023, Prokurori i Shtetit përmes Njoftimit [KMLC.nr.12/23] në lidhje propozimin për inicimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, njoftoi parashtruesin e kërkesës se nuk ka bazë ligjore për të ngritur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 24 [Barazia para Ligjit], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], paragrafin 1 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Përkitazi me shkeljet e pretenduara të paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës në esencë pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është i përfshirë me: (i) zbatimin e gabuar të ligjit; (ii) mungesë të konsistencës, përkatësisht divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit; dhe (iii) shkeljen e të drejtës në pronë, të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës.
Sa i përket çështjes së parë, respektivisht, zbatimit të gabuar të ligjit, parashtruesi i kërkesës pretendon se interpretimi i ish-punëdhënësit se kemi të bëjmë me parashkrim të kërkesës dhe ushtrimit të padisë pas skadimit të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, nuk qëndron pasi kjo e drejtë, sipas tij, është aktive edhe tani e tutje bazuar në Kodin e Punës të ish-punëdhënësit me nr. prot. 1041, të miratuar më 5 qershor 2015 dhe vendimet e ish-punëdhënësit, gjegjësisht Vendimi nr. 2244 i Drejtorit Menaxhues, të 10 prillit 2019 dhe Vendimi nr. 8261 për plotësimin e Vendimit nr. 2244, i 23 qershorit 2019 (në tekstin e mëtejmë: vendimet dhe Kodi i Punës së ish-punëdhënësit), si dhe përkitazi me këtë thekson se: “Se ka kontradikta në mes kolegjeve të gjykatës së apelit nuk është kontestuese, dhe dilema e madhe është se cilat qëndrime juridike të kolegjeve janë të ligjshme, të atyre që thonë se kemi edhe parashkrim të kërkesës, edhe ushtrim të padisë pas afatit ligjor, apo të atyre që mbajnë qëndrim tjetër duke vlerësuar se nuk kemi të bëjmë as me parashkrim e as me ushtrim të padisë jashtë afatit ligjor, sepse kemi të bëjmë me ndërprerje të afatit të parashkrimit, nga se nuk është kontestuese se e paditura me vendimet e saja nr. 2244 dt. 10.4.2019 dhe 8261, dt. 23.8.2019 ua ka njohur punëtoreve të vet shpërblimin jubilar sipas kritereve te përcaktuara dhe atë për periudhën 01.01.2015 deri me 31.12.2019 e tutje, që do të thotë se e paditura me këto vendime e ka pohuar detyrimin financiar që ka ndaj paditësit sipas MPKK-së [...].”
Për më tepër, në lidhje me përvojën e punës së tij, parashtruesi i kërkesës thekson se ai ka punuar te ish-punëdhënësi: “[...] më shumë se 36 vite, kurse ka mbushur 38 vite e 4 muaj 4 dite para se te pensionohej me datën 26.06.2021, që do të thotë se me rastin e pensionimit ka pasur të plotësuar kushtin e vitit jubilar prej 30 vite përvojë pune bazuar në Vendimet e të paditurës nr. 2244 dt. 10.04.2019 dhe nr. 8261 dt. 23.08.2019, kurse kushtin tjetër për gëzimin e kësaj të drejte pas skadimit të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, e ka pas të plotësuar bazuar në pikën I te Vendimit të cekur, që do të thotë se kompensimi i pagave jubilare për punëtoret e KEK Sh. a vazhdon deri me 31.12.2019 [...]”
Në lidhje me çështjen e dytë, përkatësisht, mungesën e konsistencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës ka bashkëngjitur 2 (dy) aktgjykime të Gjykatës Supreme, respektivisht, Aktgjykimin [Rev.nr.90/2020] të 4 majit 2020 dhe Aktgjykimin [Rev.nr. 639/2020], të 13 janarit 2021, si dhe 2 (dy) aktgjykime të tjera të Gjykatës së Apelit, gjegjësisht, Aktgjykimin [Ac.nr. 1823/2021] të 19 prillit 2022, dhe Aktgjykimin [Ac.nr. 7587/21] të 7 korrikut 2022, ku janë aprovuar kërkesëpaditë e paditësve, dhe në lidhje me këtë pretendon se: “Nuk ka gjykim të drejt, barazi para ligjit, e as siguri juridike, kur në gjykatën e apelit si organ i shkallës së II-të për çështje tërësisht identike kanë qëndrime diametralisht të kundërta dhe atë në relacionin shkalla e I-rë dhe e II-të dhe kolegjet e gjykatës se shkallës së II-të, ku njeri kolegj vendos ndryshe e tjetri ndryshe, për çështje tërësisht identik, veprime këto që janë shkelje të parimeve kushtetuese dhe diskriminuese ndaj atyre që u refuzohen kërkesat, me që rast shkelen edhe parimet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Po ashtu, në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës, thekson se është vënë në pozitë të pabarabartë me palën kundërshtare dhe se është diskriminuar në krahasim me kolegët e tij të cilët e kanë realizuar këtë të drejtë në kushte të njëjta, në bazë të vendimeve dhe Kodit të Punës të lartcekura të ish-punëdhënësit, me ç’rast ngrit pretendimin për shkelje të paragrafit 2 të nenit 24 të Kushtetutës. Për më tepër, i njëjti nënvizon se: “[...] nuk e ka profesionin e investiguesit, por ka dijeni (nga kolegët e tij se KEK-u ka mbi 4200 punëtorë) që të paktën ma tepër se 100 raste si rasti i tij janë vendos pozitivisht-në dobi të palëve nga gjykatat, dhe linde pyetja logjike sa duhet me qene numri i rasteve 1, 2, 10, 20 apo 100 e me tepër që Gjykata Kushtetuese me vlerësuar se është shkel dispozita e Kushtetutës se cekur më lartë [...]”
Në vijim, lidhur me çështjen e tretë, parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pretendon edhe shkelje të nenit 46 të Kushtetutës duke theksuar: “[...] iu ka mohuar e drejta ne shpërblim jubilar e që të hyrat nga marrëdhënia e punës konsiderohen pronë. Se të ardhurat nga marrëdhënia e punës trajtohen si pronë në kuptim të nenit 46 te Kushtetutës është shprehur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës kur ka gjykuar rastet e pensionimit të parakohshëm të një numri të ish punëtorëve të KEK Sh.a me që rast ka anuluar mbi 300 aktgjykime të Gjykatës Supreme, për faktin se është shkel e drejta e pronës.”
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të konstatojë: i) kërkesën si të bazuar; ii) Aktgjykimet [C. nr. 4928/19], i 28 shtatorit2020 dhe [Ac. Nr.1201/2021] i 7 dhjetorit 2022 janë nxjerrë në shkelje të dispozitave ligjore dhe kushtetuese dhe të njëjtit të anulohen; iii) të detyrojë Gjykatën e Apelit që ta rishqyrtojë Aktgjykimin [Ac.nr. 1201/2021] të 7 dhjetorit 2022 në përputhje me sugjerimet e Gjykatës dhe v) të njoftojë Gjykatën lidhur me procedurën e rishqyrtimit të aktgjykimit të anuluar.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.”
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.”
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
“1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6 (E drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”
Neni 14 (Ndalimi i diskriminimit)
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”
PROTOKOLLI NR. 1 I KONVENTËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 1 (Mbrojtja e pronës)
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cënojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera.”
LIGJI Nr. 03/L-212 I PUNËS
Neni 87
(Afati i parashkrimit)
“Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej tri (3) vitesh, nga dita e paraqitjes së kërkesës.”
Neni 90
(Marrëveshja Kolektive)
“[...]
4. Marrëveshja Kolektive mund të lidhet për një periudhë të caktuar me kohëzgjatje jo më shumë se tri (3) vjet.”
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 211
(pa titull)
“[...]
211.3 Revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore-juridike në të cilat kërkesëpadia nuk ka të bëjë me kërkesat në para, me dorëzimin e sendit apo me përmbushjen e ndonjë premtimi tjetër, po që se vlera e objektit të kontestit e treguar në padinë e paditësit nuk e kalon shumën prej 3.000 Euro.[...]”
MARRËVESHJA E PËRGJITHSHME KOLEKTIVE E KOSOVËS
(e nënshkruar nga partnerët në Këshillin Ekonomik Social më 18 mars 2014)
Neni 52
(Shpërblime jubilare)
“1. I punësuari, ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë:
1.1.për 10 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të një page mujore të tij;
1.2.për 20 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të dy paga mujore të tij;
1.3.për 30 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të tri paga mujore të tij.
2.Punëdhënësi i fundit është ai që paguan shpërblime jubilare.
3.Shpërblimi jubilar, paguhet në afat prej një muaji, pas plotësimit të kushteve nga ky paragraf.”
Neni 82
(pa titull)
“1. Kjo Marrëveshje e Përgjithshme Kolektive e Kosovës (MPKK) e nënshkruar nga Partnerët në Këshillin Ekonomiko – Social të Kosovës, hyn në fuqi nga data 01.01.2015.
[...]”
MENDIM JURIDIK PËR SHPËRBLIMIN JUBILAR I GJYKATËS SUPREME TË KOSOVËS, i 27 shkurtit 2023
Marrëveshja/Kontratat e aplikueshme
“II. Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës e lidhur me datë 18.03.2014, dhe nënshkruar nga Organizatat e punëdhënësve (Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Biznesit), Organizatat e të punësuarve (Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës), si dhe Qeveria e Republikës se Kosovës, (Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale), (në tekstin e mëtejme: Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës) aplikohet ne periudhën kohore nga data 01.1.2015 - 31.12.2017.”
Kushtet për të fituar të drejtën shpërblimit jubilar:
“VI. I punësuari ne bazë të Marrëveshjes se Përgjithshme Kolektive të Kosovës, ka të drejtë në shpërblimin jubilar siç përcaktohet me nenin 52, të kësaj marrëveshje, nëse plotësohen këto kushte dhe atë: a) që viti jubilar i punësimit për 10,20 dhe 30 vjet të arrihet në kohen kur kjo marrëveshje aplikohet si në pikën II, të këtij mendimi juridik, dhe b) përvoja e punës për 10, 20 dhe 30 vjet duhet të jetë e pandërprerë te punëdhënësi i fundit.”
VENDIMI NR. 8261 I KORPORATËS ENERGJETIKE TË KOSOVËS SH. A., i nxjerrë më 23 gusht 2019
Vendim
“I. Vazhdohet njohja e obligimit për pagesën e pagave jubilare për të gjithë punëmarrësit që kanë plotësuar kushtin deri më 31.12.2019, pra që kanë arritur përvojën e punës 10, 20 apo 30 vite, prej 01.01.2015 dhe në vazhdimësi.
[...]
III. Punëmarrësit të cilët kanë arritur përvojën e punës 40 vite gëzojnë këtë të drejtë njëjtë sikurse punëtorët që kanë arritur përvojën e punës 30 vite.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata u referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjykata gjithashtu i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale], nenit 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe nenit 49 [Afatet] të Ligjit të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të këtë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor.”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në cilësinë e palës së autorizuar, dhe konteston Aktgjykimin [Ac.nr.1201/2021], e 7 dhjetorit 2022, të Gjykatës së Apelit. Gjykata në vijim, vëren se parashtruesi i kërkesës po ashtu ka paraqitur kërkesë për inicimin e kërkesës për mbrojtje të Ligjshmërisë në Zyrën në e Prokurorit të Shtetit, dhe ky i fundit përmes Njoftimit [KMLC. nr. 12/23] të 6 marsit 2023, kërkesën e tij e kishte refuzuar me arsyetimin se nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore për paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë sipas pikës a) të paragrafit 1 të nenit 247 të LPK-së. Në këtë kuptim, marrë për bazë faktin që objekt i shqyrtimit të kërkesës është Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit, i datës 7 dhjetor 2022, Gjykata do të vlerësojë nëse kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar brenda afatit të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës. Në lidhje me këtë të fundit, bazuar në fletë-kthesën e Gjykatës Themelore rezulton që Aktgjykimi i kontestuar parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar më 23 janar 2023, dhe i njëjti kërkesën e tij në Gjykatë e ka paraqitur më 29 mars 2023. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës ka paraqitur kërkesën e tij në Gjykatë brenda afatit të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit, pasi që i ka shteruar mjetet juridike, të përcaktuara me ligj, si dhe ka qartësuar të drejtat dhe liritë themelore që ai pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores se punës. Paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, pika d e paragrafit 1 dhe paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcaktojnë që:
"(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(d) Kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
[...]
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për Papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për Papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit si dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Në këtë aspekt, dhe fillimisht, Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës ndaj ish-punëdhënësit të tij, për njohjen e të drejtës në shpërblim për 3 (tri) paga jubilare bazuar në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive. Gjykata Themelore kishte refuzuar padinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar. Si rezultat i ankesës së parashtruar nga parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes Aktgjykimit të kontestuar [Ac.nr.1201/2021], të 7 dhjetorit 2022, vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe sërish e refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se të njëjtit nuk i takon e drejta në shpërblim jubilar për shkak që 30 (tridhjetë) vjet përvojë pune i ka mbushur në vitin 2014, çka rezulton se në vitin jubilar të parashtruesit të kërkesës nuk ka qenë në fuqi ndonjë Kontratë Kolektive apo ndonjë dispozite ligjore e cila të njëjtit i ka garantuar një të drejtë të tillë.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar shkel të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenet 21, 24 dhe 31 të Kushtetutës.
Siç është reflektuar më lart, Gjykata rikujton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës ndërlidhen: (i) me faktin se gjykatat e rregullta kanë interpretuar dhe zbatuar gabimisht të drejtën materiale lidhur me parashkrimin e kërkesës dhe ushtrimin e padisë në kundërshtim me Kodin e Punës dhe vendimet e ish-punëdhënësit; (ii) me moskonsistencën e vendimeve të gjykatave të rregullta, i cili para Gjykatës thekson si në vijim: “[...] nuk ka gjykim të drejtë e as barazi para ligjit e as siguri juridike, kur gjykata e të dyjave niveleve ato të shkallës I-rë dhe II-të për çështje tërësisht identike kanë qëndrime diametralisht të kundërta [...]”; si dhe (iii) shkeljen e të drejtës në pronë, të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës.
Në dritën e kësaj, Gjykata vëren se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës ka të bëjë: (i) me mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material; (ii) pretendimin për moskonsistencën e vendimeve gjyqësore dhe (iii) shkeljen e nenit 46 të Kushtetutës.
Gjykata në vijim këto pretendime do t’i trajtojë ndaras, duke filluar me pretendimin mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material.
Pretendimet përkitazi me mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material
Gjykata fillimisht rikujton qëndrimin e saj të përgjithshëm se vërtetimi i drejtë dhe i plotë i gjendjes faktike, si dhe interpretimet përkatëse të dispozitave ligjore a ligjit, si rregull, hyjnë brenda juridiksionit të gjykatave të rregullta. Roli i Gjykatës Kushtetuese është që të sigurojë respektimin e standardeve dhe të drejtave të garantuara me Kushtetutë, dhe rrjedhimisht, ajo nuk mund të veprojë si gjykatë “e shkallës së katërt” (shih, në lidhje me doktrinën e “shkallës së katërt”, rastin e GJEDNJ-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës [DHM], nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28, si dhe rastet e Gjykatës KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafët 68-69; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafët 47-48; KI56/17, parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafët 35-36; dhe KI154/17 dhe KI05/18, parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafët 60-61; dhe KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafët 34-35).
Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se interpretimi i së drejtës materiale dhe procedurale është detyrë parësore dhe bie brenda juridiksionit të gjykatave të rregullta (çështje e ligjshmërisë). Roli i Gjykatës Kushtetuese është vetëm të përcaktojë nëse efektet e interpretimit të tillë janë në përputhje me normativat dhe standardet kushtetuese.
Gjykata rikujton pretendimin e parashtruesit të kërkesës se interpretimi i ish-punëdhënësit që kemi të bëjmë me parashkrim të kërkesës dhe ushtrimit të padisë pas skadimit të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, nuk qëndron pasi kjo e drejtë, sipas tij, është aktive edhe tani e tutje bazuar në Kodin e Punës dhe vendimet e ish-punëdhënësit dhe përkitazi me këtë thekson se: “Se ka kontradikta në mes kolegjeve të gjykatës së apelit nuk është kontestuese, dhe dilema e madhe është se cilat qëndrime juridike të kolegjeve janë të ligjshme, të atyre që thonë se kemi edhe parashkrim të kërkesës, edhe ushtrim të padisë pas afatit ligjor, apo të atyre që mbajnë qëndrim tjetër duke vlerësuar se nuk kemi të bëjmë as me parashkrim e as me ushtrim të padisë jashtë afatit ligjor, sepse kemi të bëjmë me ndërprerje të afatit të parashkrimit, nga se nuk është kontestuese se e paditura me vendimet e saja nr. 2244 dt. 10.4.2019 dhe 8261, dt. 23.8.2019 ua ka njohur punëtoreve të vet shpërblimin jubilar sipas kritereve te përcaktuara dhe atë për periudhën 01.01.2015 deri me 31.12.2019 e tutje, që do të thotë se e paditura me këto vendime e ka pohuar detyrimin financiar që ka ndaj paditësit sipas MPKK-së [...].”
Në rastin konkret, Gjykata i referohet pjesëve relevante të arsyetimit të Gjykatës së Apelit e cila përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 1201/2021] të 7 dhjetorit 2022, pasi që kishte aprovuar si të drejtë vendimin e shkallës së parë dhe kishte sqaruar si në vijim:
“[...] me vet faktin se [parashtruesi i kërkesës] është në marrëdhënie pune tek e paditura që nga viti 1984 fakt i cili nuk është kontestuar as nga [ish punëdhënësi], ku ka rezultuar se paditësi 30 vite të përvojës së punës i ka mbushur në vitin 2014, çka rezulton se në vitin jubilar të [parashtruesit të kërkesës] nuk ka qenë në fuqi ndonjë Kontratë Kolektive apo ndonjë dispozite ligjore e cila [parashtruesit të kërkesës] i ka garantuar një të drejtë të tillë. Atëherë me vet faktin se paditësi vitin jubilar të përvojës se tij të punës 30 vite e ka pasur në vitin 2014 ndërsa padinë në gjykatë e ka ushtrua tek me datën 27.12.2019, atëherë me të drejtë gjykatës së shkallës së parë i ka rezultuar se në këtë situatë konkrete të [parashtruesit të kërkesës], kërkesa e [parashtruesit të kërkesës] është e pa bazuar.”
Gjykata rithekson po ashtu, arsyetimin në Aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës së Apelit, në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për (mos)zbatimin e Vendimit nr. 8261 të 23 gushtit 2019, të ish-punëdhënësit përmes të cilit iu njihet e drejta për shpërblim jubilar edhe të punësuarve që kanë përmbushur kushtin jubilar prej 10, 20, 30 dhe 40 vjet, edhe gjatë periudhës prej 1 janarit 2018 deri më 31 dhjetor 2019. Konkretisht, në lidhje me këtë pretendim, Gjykata e Apelit theksoi se “[...] në rastin konkret, nuk gjen zbatim as vendimi i të paditurës [ish-punëdhënësit] nr. 8261 dt.23.08.2019 se kjo e drejtë vazhdohet edhe për vitin 2018 dhe deri me 31.Dhjetor 2019, me arsyetim se paditësi nuk e ka pasur vitin jubilar në vitin 2015, 2016 apo 2017, siç e kërkon vendimi i tillë, por e ka pasur në vitin 2014.”
Më tej, Gjykata i referohet edhe Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, e cila kishte refuzuar kërkesëpadinë me arsyetimin se:
“[...] Së këndejmi gjykata konstaton se paditësi padinë e ka paraqitur pas afatit kohor kjo pasi që Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës, ka hyrë në fuqi nga 01.01.2015 dhe e njëjta ka pasur shtrirje kohore të zbatimit deri më 31.12.2017 (neni 82 i MPKK), konkretisht konform nenit 90 paragrafi 4 i Ligjit nr.03/L-212 të Punës, ku shprehimisht thekson se “Marrëveshja Kolektive mund të lidhet për një periudhë të caktuar me kohëzgjatje jo më shumë se tre (3) vjet”. Andaj, bazuar në këtë Gjykata gjeti si te bazuara pretendimin e përfaqësueses të të paditurës [ish punëdhënësit] se kërkesëpadia e paditësit [parashtruesit të kërkesës] është e pabazuar dhe e njëjta duhet te refuzohet, kjo pasi qe e njëjta është paraqitur pasi qe ka pushuar se vepruari Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e cila është nxjerrur për një afat të caktuar kohor, konkretisht për afatin 3 vjeçar konform ligjit të punës, dhe se tani ka skaduar afati për të cilën është nxjerrë dhe ka pushuar së vepruari kjo marrëveshje dhe me skadimin e saj nuk është lidhur ndonjë marrëveshje e re ne bazën e se cilës do te mund të kërkoheshin tre pagat jubilare.
[...]”
Tutje, Gjykata vëren se përkitazi me këtë arsyetim/vlerësim të cilin parashtruesi e konteston, Gjykata Themelore erdhi në këtë përfundim pasi kishte administruar provat siç ishin: kontrata e punës me nr. 47945/0, e 1 janarit 2017 dhe kontrata e 1 marsit 2018; kartela e punëtorit e 17 dhjetorit 2019; fletëpagesa e pagës; kërkesa e 13 marsit 2019; si dhe vendimi nr. 11056 i 3 dhjetorit 2019.
Nën dritën e të lartcekurave, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore kishin sqaruar se: (i) parashtruesi i kërkesës kishte plotësuar kushtin për shpërblimin jubilar para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, gjegjësisht në vitin 2014; (ii) Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive ishte e aplikueshme prej 1 janarit 2015 deri më 31 dhjetor 2017; dhe (iii) parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesën për kompensimin e shpërblimit jubilar pas skadimit të aplikueshmërisë së Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, respektivisht më 27 dhjetor 2019.
Siç mund të vërehet nga arsyetimi i mësipërm, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore i ka adresuar të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke arsyetuar çështjen se përse në rastin e tij nuk mund të plotësohej kërkesa e tij për kompensimin e pagave jubilare si rezultat i mungesës së bazës ligjore në kuptim të mosaplikueshmërisë së Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive dhe si rezultat i parashkrimit të kërkesës duke aplikuar dispozita përkatëse të Ligjit të punës që ato i kishte konsideruar si relevante përkitazi me rrethanat e rastit konkret.
Për më tepër, Gjykata gjen se vendimmarrja e Gjykatës Apelit, respektivisht Aktgjykimi [Ac.nr.1201/2021], i 7 dhjetorit 2022, në rrethanat faktike dhe juridike të rastit konkret është në pajtueshmëri edhe me mendimin juridik për shpërblimin jubilar, i cili është nxjerrë më pas në mbledhjen e përgjithshme të Gjykatës Supreme, më 27 shkurt 2023. Në këtë drejtim, Gjykata do t’i referohet pjesës relevante të Mendimit Juridik të 27 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme, e cila përcakton se: “I punësuari në bazë të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, ka të drejtë në shpërblimin jubilar siç përcaktohet me nenin 52, të kësaj marrëveshje, nëse plotësohen këto kushte dhe atë: a) që viti jubilar i punësimit për 10, 20 dhe 30 vjet të arrihet në kohën kur kjo marrëveshje aplikohet si në pikën II, të këtij mendimi juridik, dhe b) përvoja e punës për 10, 20 dhe 30 vjet duhet të jetë e pandërprerë te punëdhënësi i fundit”.
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se ajo vet nuk mund të shndërrohet në gjykatë të faktit dhe t’u tregojë gjykatave të rregullta se cila do të ishte mënyra më e përshtatshme e zbatimit të së drejtës materiale, sepse një kompetencë e tillë, si rregull, i takon gjykatave të juridiksionit të rregullt që ta bëjnë. Gjykata thekson se ajo mund të ndërhyjë vetëm atëherë kur arsyetimi i vendimeve të gjykatave të rregullta është tejet arbitrar dhe i pajustifikueshëm, çfarë në rrethanat konkrete nuk kemi të bëjmë me vendime qartazi arbitrare ose të pajustifikuara (shih rastin e Gjykatës KI28/23, parashtrues Rrahim Haliti, Aktvendim për Papranueshmëri i 7 qershorit 2023, paragrafi 55).
Andaj, Gjykata nga shtjellimet e mësipërme konsideron se parashtruesi i kërkesës thjeshtë është i pakënaqur me rezultatin e procedurës pranë gjykatave të rregullta, megjithatë pakënaqësia e tij nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin e Gjykatës, KI28/23, parashtrues Rrahim Haliti, cituar më lart, paragrafi 56, si dhe rastin e GJEDNJ-së Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, nr. 5503/02, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Në këtë kuptim, Gjykata, shikuar procedurën si tërësi, në kuptim të së drejtës për “gjykim të drejtë” këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës e cilëson se i takon kategorisë së parë (i), pretendime “të shkallës së katërt”, andaj të njëjtin, Gjykata, si të tillë, në baza kushtetuese e deklaron qartazi të pabazuar dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Pretendimet përkitazi me moskonsistencën e vendimeve gjyqësore dhe ndalimin e diskriminimit
Gjykata vëren se në ndërlidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës në substancë pretendon se: i) përmes vendimeve të gjykatave të rregullta është trajtuar në mënyrë të pabarabartë në raport me të tjerët; si dhe ii) është cenuar parimi i sigurisë juridike si rezultat i vendimeve kundërthënëse të gjykatave të rregullta.
Gjykata në vijim do t’i shtjellojë (i) parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës përkitazi me mungesën e konsistencës të vendimeve gjyqësore; (ii) aplikimi i të njëjtave në rastin konkret.
(i) Parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës përkitazi me mungesën e konsistencës të vendimeve gjyqësore dhe ndalimin e diskriminimit
Lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për mungesën e konsistencës të vendimeve gjyqësore, Gjykata fillimisht thekson se parimet dhe kriteret e vendosura nga GJEDNJ, kjo Gjykatë gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesve për cenimin e parimit të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse i ka zbatuar edhe në praktikën e saj tashmë të konsoliduar gjyqësore, të cilat ndër tjerash përfshijnë rastet KI87/18, parashtrues “IF Skadeforsikring”, Aktgjykim i 27 shkurtit 2019 dhe KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, Aktgjykim i 6 janarit 2019, KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C., Aktgjykim i 30 marsit 2022; KI78/21, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C., Aktgjykim i 30 marsit 2022, ku Gjykata, ndër të tjera, kishte konstatuar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të cenimit të parimit të sigurisë juridike, si rezultat i divergjencës në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së.
Në dritën e zhvillimit të parimeve të përgjithshme përkitazi me vendimet kundërthënëse apo divergjencë në praktikën gjyqësore, Gjykata fillimisht i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, e cila ka theksuar vazhdimisht se një nga komponentët thelbësorë të sundimit të ligjit është siguria juridike, e cila, ndër të tjera, garanton një siguri të caktuar në situata juridike dhe kontribuon në besim publik në gjykata (shih, rastin e GJEDNJ-së Brumărescu kundër Rumanisë [DHM], nr. 28342/95, paragrafi 61; rastin Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 38155/02, Aktgjykim i 2 nëntorit 2010, paragrafi 38, dhe rastin Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, nr. 13279/05, Aktgjykim i 20 tetorit 2011, paragrafi 56, shih po ashtu rastin e Gjykatës, KI28/23, parashtrues Rrahim Haliti, cituar më lart, paragrafi 61).
Sipas konstatimit të GJEDNJ-së, konstatim ky i afirmuar edhe përmes praktikës gjyqësore të vet Gjykatës është theksuar se: “prezenca e vendimeve kundërthënëse gjyqësore, në anën tjetër, mund të krijojë situata të pasigurisë juridike, e cila do ta ulte besimin e publikut në sistemin gjyqësor” (shih, rastin Paduraru kundër Rumanisë, nr. 63252/00, paragrafi 98; Vinčić dhe të tjerët kundër Serbisë, nr. 44698/06, Aktgjykim i 1 dhjetorit 2009, paragrafi 56; dhe rasti Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, të cituar më lart, paragrafi 38; shih në këtë aspekt rastet e Gjykatës, KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, i cituar më lart, paragrafi 118 dhe KI78/21, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, i cituar më lart, paragrafi 89). GJEDNJ, megjithatë, ka specifikuar se nuk ka një të drejtë të fituar për konsistencë të praktikës gjyqësore. (shih, rastin Unédic kundër Francës, nr. 20153/04, Aktgjykim i 18 dhjetorit 2008, paragrafi 74, shih rastin e cituar më lart Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, paragrafi 56, shih po ashtu rastin e Gjykatës: KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, cituar më lart paragrafi 65, KI42/17, parashtrues Kushtrim Ibraj, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 janarit 2018, paragrafi 33, KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, i cituar më lart, paragrafi 117 dhe KI78/21, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, i cituar më lart, paragrafi 87).
Në vijim, GJEDNJ ka vendosur tri kritere themelore, të cilat janë pranuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës për të përcaktuar nëse një divergjencë e vendimeve gjyqësore e pretenduar përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, dhe të cilat përcaktojnë si në vijim: (i) nëse ekzistojnë dallime “të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore; (ii) nëse ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (iii) nëse ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti (në këtë kontekst, shih rastet e GJEDNJ-së, Beian kundër Rumanisë (nr.1), nr. 30658/05, Aktgjykim i 6 dhjetorit 2007, paragrafët 37-39; Famullia Katolike Greke Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 76943/11, Aktgjykimi i 29 nëntorit 2016, paragrafët 116 - 135; Iordan Iordanov dhe të tjerët kundër Bullgarisë, nr. 23530/02, Aktgjykim i 2 korrikut 2009, paragrafët 49-50; Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 53; dhe shih rastet e Gjykatës, KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 shtatorit 2017, paragrafi 51; KI42/17, parashtrues Kushtrim Ibraj, cituar më lart, paragrafi 39; KI87/17 parashtrues “IF Skadiforsikring”, cituar më lart, paragrafi 67; KI35/18 parashtrues “Bayerische Versicherungsverbrand”, cituar më lart, paragrafi 70; KI107/19, parashtrues Gafurr Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 74; KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, cituar më lart, paragrafi 120; KI78/21, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, cituar më lart, paragrafi 91; dhe KI28/23, parashtrues Rrahim Haliti, cituar më lart, paragrafi 63).
Gjykata vëren se sikurse GJEDNJ ashtu edhe vet Gjykata gjatë zhvillimit të konceptit të “dallimeve të thella dhe afatgjata” gjithashtu mori parasysh nëse mospërputhja është e izoluar apo afekton një numër të madh njerëzish (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së, Famullia Katolike Greke Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 135, sai dhe rastet e Gjykatës KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, cituar më lart, paragrafi 72).
Gjykata, në këtë drejtim, gjithashtu thekson se GJEDNJ nuk ka konstatuar shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së në raste të praktikës divergjente gjyqësore edhe nëse e njëjta ka afektuar një numër të madh njerëzish në lidhje me të njëjtën çështje gjatë një periudhe të shkurtër kohore para se kundërthëniet përkatëse të zgjidheshin nga gjykatat më të larta, duke u dhënë mundësi kështu mekanizmave shtetërorë që të sigurojnë konsistencën e duhur (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së, Albu dhe të tjerët kundër Rumanisë, Aktgjykim i 10 majit 2012, paragrafët 42–43, dhe rastet e Gjykatës KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, cituar më lart, paragrafi 73, KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, të cituar më lart, paragrafi 122 dhe KI78/21, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, të cituar më lart, paragrafi 92).
Kjo e fundit ndërlidhet me kriterin e dytë dhe të tretë, përkatësisht me ekzistencën e një mekanizmi të aftë për të zgjidhur mospërputhjet në praktikën gjyqësore dhe nëse ky mekanizëm është përdorur dhe me çfarë efekti. Në këtë drejtim, GJEDNJ fillimisht ka konstatuar se mungesa e një mekanizmi të tillë përbën shkelje të së drejtës për një proces të rregullt gjyqësor të garantuar me nenin 6 të KEDNJ-së (shih, në këtë kontekst, Tudor Tudor kundër Rumanisë, nr. 21911/03 , Aktgjykim i 4 marsit 2009, paragrafët 30-32; dhe Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafët 37-38; dhe Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 54)., të cilin konstatim edhe Gjykata e ka afirmuar në praktikën e saj gjyqësore (shih rastet KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, cituar më lart, paragrafi 74, KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, të cituar më lart, paragrafi 123 dhe KI78/21, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, të cituar më lart, paragrafi 93)
Për sa i përket pretendimit tjetër të parashtruesit të kërkesës për ndalim të diskriminimit, Gjykata vëren se bazuar në jurisprudencën e konsoliduar të GJEDNJ-së në mënyrë që një çështje të ngrehet nën nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) aty duhet të ketë dallim në trajtim të personave në situata analoge ose që janë në mënyrë relevante të krahasueshme (shih, mes shumë autoritetesh tjera, rastin e GJEDNJ-së Khamtokhu dhe Aksenchik kundër Rusisë, nr. 60367/08 961/11, Aktgjykim i 24 janarit 2017, paragrafi 64). Me fjalë të tjera, kriteri për demonstrimin e pozitës analoge nuk kërkon që grupet e krahasuara (“comparator groups”) të jenë identike.
Në këtë drejtim, një parashtrues duhet të demonstrojë, duke pasur parasysh natyrën e veçantë të ankesës së tij apo të saj, që ai ose ajo ka qenë në një situatë që në mënyrë relevante është e krahasueshme (“relevantly similar situation”) me të tjerët që janë trajtuar ndryshe (shih rastin e GJEDNJ-së, Clift kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr.7205/07, Aktgjykim i 13 korrikut 2010, paragrafi 66). Megjithatë, jo çdo dallim në trajtim rezulton me shkelje të nenit 14 të KEDNJ-së. Së pari, GJEDNJ-ja në jurisprudencën e saj ka përcaktuar se vetëm dallimi në trajtim bazuar në karakteristika të identifikueshme, ose “status”, janë në gjendje të rezultojnë me diskriminim në kuadër të nenit 14 (shih rastin e GJEDNJ-së, Carson dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 42184/05, Aktgjykim i 16 marsit 2010, paragrafi 61). Së dyti, dallimi në trajtim është diskriminues nëse nuk ka justifikim objektiv dhe të arsyeshëm; thënë ndryshe, nëse nuk ndjek një qëllim legjitim ose nëse nuk ka marrëdhënie të arsyeshme të proporcionalitetit ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit që synohet të arrihet (shih rastin e Gjykatës KI215/21 parashtrues Arbër Shkreli dhe të tjerët, aktvendim për papranueshmëri i 15 shkurtit 2022, paragrafi 87 dhe rastet e përmendura aty).
(ii) Zbatimi i parimeve dhe kritereve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret
Në vijim, Gjykata do të aplikojë parimet e elaboruara më lart në rrethanat e rastit konkret, duke aplikuar kriteret mbi bazën e të cilave Gjykata dhe GJEDNJ trajton çështjet e divergjencës përkitazi me praktikën gjyqësore, duke filluar me vlerësimin nëse në rrethanat e rastit konkret, (i) divergjencat e pretenduara në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; dhe nëse ky është rasti, (ii) ekzistimin e mekanizmave të aftë për të zgjidhur divergjencën përkatëse; dhe (iii) vlerësimin nëse këta mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti në rrethanat e rastit konkret.
Fillimisht, Gjykata duhet gjithashtu të ritheksojë se, bazuar edhe në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe asaj të Gjykatës, nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave të rregullta, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme, pasi që pavarësia e tyre duhet të respektohet (shih rastin e GJEDNJ-së Adamsons kundër Letonisë, cituar më lart, paragrafi 118, shih po ashtu rastet e Gjykatës KI87/18 parashtrues IF Skadeforsikring, KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, paragrafi 126, KI78/21, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, paragarfi 96, të cituara më lart).
Për më tepër, parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje kushtetuese të të drejtave dhe lirive themelore si rezultat i divergjencave në praktikën gjyqësore, duhet t’ia paraqes Gjykatës argumentet përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar në vendime kundërthënëse në praktikën gjyqësore dhe e cila mund të ketë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre kushtetuese të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së (shih rastin e cituar më lart KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, paragrafi 76).
Në këtë drejtim, Gjykata së pari rikujton pretendimin e parashtruesit të kërkesës, i cili, dorëzoi para saj 2 (dy) aktgjykime të Gjykatës së Apelit dhe 2 (dy) aktgjykime të Gjykatës Supreme, që kanë vendosur për rastet e ngjashme me rastin e tij në emër të kompensimit për paga jubilare, dhe në lidhje me të cilat thekson se: “Nuk ka gjykim të drejt, barazi para ligjit, e as siguri juridike, kur në gjykatën e apelit si organ i shkallës së II-të për çështje tërësisht identike kanë qëndrime diametralisht të kundërta dhe atë në relacionin shkalla e I-rë dhe e II-të dhe kolegjet e gjykatës se shkallës së II-të, ku njeri kolegj vendos ndryshe e tjetri ndryshe, për çështje tërësisht identik, veprime këto që janë shkelje të parimeve kushtetuese dhe diskriminuese ndaj atyre që u refuzohen kërkesat, me që rast shkelen edhe parimet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”. Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesë nuk ka dorëzuar parashtresa të tjera lidhur me këto raste, për të cilat ka pretenduar lidhshmërinë faktike dhe juridike me atë të rastit të tij.
Po ashtu, Gjykata në këtë kontekst, vëren se parashtruesi i kërkesës, pretendon se është vënë në pozitë të pabarabartë me palën kundërshtare dhe se është diskriminuar në krahasim me kolegët e tij të cilët e kanë realizuar këtë të drejtë në kushte të njëjta, në bazë të vendimeve dhe Kodit të Punës të ish-punëdhënësit, me ç’rast ngrit pretendimin për shkelje të paragrafit 2 të nenit 24 të Kushtetutës, dhe në lidhje me këtë thekson se: “[...] nuk e ka profesionin e investiguesit, por ka dijeni (nga kolegët e tij se KEK-u ka mbi 4200 punëtorë) që të paktën ma tepër se 100 raste si rasti i tij janë vendos pozitivisht-në dobi të palëve nga gjykatat, dhe linde pyetja logjike sa duhet me qene numri i rasteve 1, 2, 10, 20 apo 100 e me tepër që Gjykata Kushtetuese me vlerësuar se është shkel dispozita e Kushtetutës se cekur më lartë [...]”
Gjykata rikujton se në rastet KI87/18, KI35/18, KI133/20 dhe KI78/21 të cituara më lart, ka konstatuar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të shkeljes së parimit të sigurisë juridike si rezultat i divergjencës së praktikës gjyqësore pasi kishte konstatuar se (i) kishte “dallime të thella dhe afatgjata”; (ii) mekanizmi i Gjykatës Supreme për harmonizimin e praktikës gjyqësore ekzistonte; porse (iii) mekanizmi i lartpërmendur nuk ishte përdorur.
Gjykata vëren se rrethanat e rasteve të lartcekura, më konkretisht të Aktgjykimit [Rev.nr.90/2020] të 4 majit 2020, të Gjykatës Supreme; Aktgjykimit [Rev.nr. 639/2020], të 13 janarit 2021 të Gjykatës Supreme; Aktgjykimit [Ac.nr. 1823/2021] të 19 prillit 2022, e Gjykatës së Apelit; si dhe Aktgjykimin [Ac.nr. 7587/21] të 7 korrikut 2022, të Gjykatës së Apelit, të dorëzuara nga parashtruesi i kërkesës ndërlidhen me atë se palë ndërgjyqëse në këto raste janë gjithashtu punëtorë tek i njëjti punëdhënës, respektivisht, Korporata Energjetike e Kosovës.
Megjithatë, duke iu referuar rasteve të referuara nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata nga aktgjykimet e lartpërmendura vëren se: në të (4) katër rastet e dorëzuara para saj, gjykata e shkallës së parë ka miratuar kërkesat e S.C., B.F., A.M., dhe S.B., për pagesën e pagave jubilare (shënim i Gjykatës: vendimet e shkallës së parë për këto raste parashtruesi nuk i ka dorëzuar në Gjykatë). Tutje, në të 4 (katër) rastet, pas ushtrimit të ankesës nga ana e ish-punëdhënësit apo paditësit, gjykatat e rregullta kishin refuzuar ankesat si të pabazuara. Më saktësisht, në rastin e S.C., Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.90/2020] të 4 majit 2020 kishte konstatuar se në rastin konkret afati i parashkrimit nuk kishte kaluar sepse padinë e kishte parashtruar më 8 shkurt 2018, ndërsa ishte pensionuar më 27 dhjetor 2017, sa kishte qenë në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive; në rastin e B.F. Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr. 639/2020], të 13 janarit 2021, kishte konstatuar se B.F. ishte pensionuar më 27 dhjetor 2017, sa kishte qenë në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive ndërsa padinë e ka parashtruar më 8 shkurt 2018, gjegjësisht, brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 87 të Ligjit të Punës; në rastin e A.M, të cilit Gjykata Themelore gjithashtu i kishte aprovuar padinë për pagesën e pagave jubilare, dhe më pas, pas ankesës së ish-punëdhënësit, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 1823/2021] të 19 prillit 2022, kishte refuzuar ankesën e të njëjtit, duke potencuar se në këtë rast padia është parashtruar në kohë, sepse afati i parashkrimit fillon të rrjedhë “[...] nga dita e fundit kur ka përfunduar mundësia e kompensimit të pagave jubilare në procedurë administrative nga e paditura e që është data 31.12.2017”; si dhe në rastin e S.B., Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 7587/21] të 7 korrikut 2022, kishte konstatuar se në rastin konkret afati i parashkrimit ishte ndërprerë ngase ish-punëdhënësi me vendime të brendshme ua ka njohur këtë të drejtë punëtorëve.
Ndërsa, në rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata rikujton se Gjykata e Apelit refuzoi padinë e parashtruesit me arsyetimin se parashtruesi gjatë periudhës sa kishte qenë në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive nuk kishte përmbushur kushtin e përvojës së punës 10, 20, 30 apo 40 vite punë, respektivisht, e njëjta vlerësoi se parashtruesi i kërkesës ka mbushur përvojë pune prej 30 (tridhjetë) vjet në vitin 2014, gjegjësisht, para hyrjes në fuqi të marrëveshjes së lartcekur dhe si e tillë nuk mund të prodhojë efekt juridik. E njëjta vlerësoi se edhe nëse do të kishte kontratë kolektive në fuqi në kohën kur parashtruesi i kërkesës ka mbushur vitin jubilar, respektivisht në vitin 2014, përsëri kërkesa e tij do ishte e parashkruar, pasi që bazuar në nenin 87 të Ligjit të Punës parashihet se: "Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej tri (3) vitesh nga dita e paraqitjes së kërkesës".
Duke rikujtuar detyrimin e përcaktuar përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës që parashtruesit e kërkesës duhet t’i paraqesin Gjykatës argumentet përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar në vendime kundërthënëse në praktikën gjyqësore, Gjykata vëren se përveç dorëzimit të 4 (katër) vendimeve të gjykatave të rregullta, ku parashtruesi pretendon rrethanat faktike dhe juridike të ngjashme si ato në rastin e parashtruesit, parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur që Gjykatës ta paraqesë argumente shtesë, apo raste tjera që janë vendosur ndryshe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme, dhe rrjedhimisht ta mbështesë pretendimin e tij për cenim të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse te gjykatat e rregullta.
Për më tepër, në rastin konkret, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit ka konstatuar se parashtruesit të kërkesës nuk i takon e drejta në shpërblim jubilar për shkak se i njëjti nuk ka përmbushur vitet e përvojës gjatë periudhës kohore që Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive ka qenë në fuqi. Në anën tjetër, në 4 (katër) rastet e tjera, kopjet e të cilave parashtruesi i kërkesës i kishte dorëzuar në Gjykatë, gjykatat e rregullta kanë arsyetuar që paditësve respektiv nuk i është parashkruar e drejta për shpërblim jubilar si dhe që iu takon kjo e drejtë sepse kanë përmbushur kushtin e përvojës së punës.
Në dritën e praktikës së vet gjyqësore, Gjykata vlerëson se nuk është e mundur të konstatohet ekzistimi i “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit që rrezikojnë parimin e sigurisë juridike, duke u thirrur në 4 (katër) aktgjykime të gjykatave të rregullta, rrethanat e të cilave dallojnë me rastin e parashtruesit të kërkesës.
Andaj, Gjykata konsideron se as numri i aktgjykimeve të paraqitura si kundërthënëse, si dhe as mënyra se si Gjykata Apelit ka vlerësuar dhe trajtuar rastin e parashtruesit të kërkesës nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për të arsyetuar pretendimin për shkelje të parimit të sigurisë, si rrjedhojë e vendimeve kundërthënëse të gjykatave të rregullta (shih rastet e Gjykatës KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova të cituar më lart, paragrafi 58 dhe KO28/23, parashtrues Rrahim Haliti, të cituar më lart, paragrafi 82).
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimi për divergjencë në praktikën gjyqësore të gjykatave të rregullta është i papranueshëm si qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë evidente të shkeljes” ashtu siç është përcaktuar me rregullin 34 (2) të Rregullores së Punës.
Për sa i përket pretendimit tjetër të parashtruesit të kërkesës për ndalim të diskriminimit, në rastin konkret, Gjykata duke zbatuar parimet e lartcekura të GJEDNJ-së të afirmuara nga vet ajo, vlerëson se parashtruesi i kërkesës nuk ka treguar apo identifikuar individin apo grupin në krahasim me të cilin është diskriminuar dhe me të cilin ai ka qenë në një situatë që në mënyrë relevante është e krahasueshme. Barra e të provuarit për trajtim diskriminues bie mbi parashtruesin e kërkesës çka bazuar në shkresat e lëndës është evidente se pretendimin për diskriminim ai nuk e ka provuar. (shih rastin e Gjykatës, KI16/22 parashtrues Hamit Gashi, aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2022, paragrafi 57 dhe referencat e përmendura aty).
Në kontekst të pretendimit për diskriminim, Gjykata rithekson se në vlerësim të procedurave në tërësi nuk ka vërejtur se parashtruesi i kërkesës është diskriminuar kundrejt ish-punëdhënësit. Ndërsa, lidhur me pretendimin se parashtruesi i kërkesës është diskriminuar kundrejt palëve të treta sepse gjykatat e rregullta me vendimet e tyre në procedura tjera për çështjen e kompensimit jubilar kanë vendosur në dobi të palëve të treta kurse në rastin konkret kanë vendosur në dëm të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vlerëson se nevojiten shkaqe me peshë (“ëeighty reasons”) për të vlerësuar rastin e parashtruesit të kërkesës kundrejt procedurave që janë zhvilluar lidhur me palët e treta për shkak se një vlerësim i tillë del jashtë fushëveprimit të kësaj kërkese individuale kushtetuese dhe se në rrethanat e rastit konkret mungojnë shkaqet me peshë (shih mutatis mutandis rastin e Gjykatës KI107/22 parashtrues Valdet Avdiu, Aktvendim për papranueshmëri i 18 janarit 2023, paragrafi 47).
Thënë këtë, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës, janë të papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese në “mungesë evidente të shkeljes” ashtu siç është përcaktuar me rregullin 34 (2) të Rregullores së Punës.
Pretendimet për shkeljen e nenit 46 të Kushtetutës
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pretendon edhe shkelje të nenit 46 të Kushtetutës duke theksuar: “[...] iu ka mohuar e drejta ne shpërblim jubilar e që të hyrat nga marrëdhënia e punës konsiderohen pronë. Se të ardhurat nga marrëdhënia e punës trajtohen si pronë në kuptim të nenit 46 te Kushtetutës është shprehur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës kur ka gjykuar rastet e pensionimit të parakohshëm të një numri të ish punëtorëve të KEK Sh.a me që rast ka anuluar mbi 300 aktgjykime të Gjykatës Supreme, për faktin se është shkel e drejta e pronës.”
Gjatë shqyrtimit nëse ka pasur shkelje të nenit 46 të Kushtetutës dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, Gjykata duhet së pari të përcaktojë nëse parashtruesi i kërkesës ka “pronë” në kuptim të nenit 46 të Kushtetutës dhe të nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se, sipas praktikës së qëndrueshme të GJEDNJ-së dhe të afirmuar nga Gjykata, “prona” në kuptim të nenit 46 të Kushtetutës dhe nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së mund të jetë ose “pronë ekzistuese” ose “pasuritë”, përfshirë edhe kërkesat në lidhje me të cilat personi së paku ka “pritje legjitime” për realizimin e tyre (shih rastin e GJEDNJ-së, Jantner kundër Sllovakisë, nr. 39050/97, Aktgjykim i 4 marsit 2003, paragrafi 27, si dhe rastet e Gjykatës, KI189/19, me parashtrues Alban Miftaraj, Aktvendim për papranueshmëri i 17 dhjetorit 2020, paragrafi 83, dhe KI225/19, parashtrues Kadri Bullut, Aktvendim për papranueshmëri i 29 prillit 2020, paragrafi 45).
Me këtë rast, Gjykata thekson se “pritja legjitime” duhet të jetë shumë më konkrete se sa vetëm shpresa, sado e arsyeshme mund të jetë, dhe duhet të bazohet në një dispozitë ligjore ose një akt ligjor, siç është vendimi gjyqësor (shih rastin e GJEDNJ-së, Kopecký kundër Sllovakisë, nr. 44912/98, Aktgjykim i 28 shtatorit 2004, paragrafët 48-49; si dhe rastin e Gjykatës KI225/19, parashtrues Kadri Bullut, cituar më lart, paragrafi 46).
Duke iu referuar parimeve të lartpërmendura në lidhje me rastin konkret, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit kishte trajtuar kërkesën e ngritur nga parashtruesi me padi ku në emër të pagave jubilare, kërkoi shumën e përgjithshme prej 2,972.40 € (dy mijë e nëntëqind e shtatëdhjetedy euro e dyzet cent) me kamatë 8 % (tetë përqind) prej paraqitjes së padisë dhe lidhur me të njëjtën konstatoi se parashtruesit të kërkesës nuk i takon e drejta në shpërblim jubilar për shkak se i njëjti nuk ka përmbushur vitet e përvojës gjatë periudhës kohore që Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive ka qenë në fuqi.
Gjykata konsideron se nga sa më sipër rrjedh që parashtruesi i kërkesës nuk ka mundur të kishte “pritje legjitime” për shpërblim jubilar meqë edhe gjykatat e rregullta nuk ia kanë njohur këtë të drejtë me vendim gjyqësor.
Rrjedhimisht, meqenëse “pritja legjitime” duhet të bazohet në dispozitën ligjore ose një akt të caktuar ligjor, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se ai ka një “kërkesë të realizueshme”, e cila do të përbënte “pronë” në kuptim të nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së .
Prandaj, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 46 të Kushtetutës, janë të papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese në “mungesë evidente të shkeljes” ashtu siç është përcaktuar me rregullin 34 (2) të Rregullores së Punës.
Përfundim
Përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse pretendimet e tij përkitazi me:
me mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, pretendime të cilat bien në kategorinë e pretendimeve të “shkallës së katërt”, ashtu siç është përcaktuar me paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së Punës;
moskonsistencën e vendimeve gjyqësore dhe ndalimin e diskriminimit, janë qartazi të pabazuara në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, ashtu siç është përcaktuar me paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së Punës;
shkeljen e nenit 46 të Kushtetutës, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese në “mungesë evidente të shkeljes” ashtu siç është përcaktuar me paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së Punës;
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (2), si dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 17 janar 2024, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit; dhe
TË KONSTATOJË që ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtar raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
Isa Hashani
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile