Prishtinë, më 17 mars 2023
Nr. Ref.:RK 2136/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI185/22
Parashtrues
Salih Topalli
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ nr. 35/2022]të Gjykatës Supreme të 4 gushtit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLlKËS SË KOSOVËS
e përberë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesit e kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Salih Topalli (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës) përfaqësuar nga shoqëria e avokatëve “Sejdiu & Qerkini” nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [ARJ nr. 35/2022] të Gjykatës Supreme të 4 gushtit 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ nr. 35/2022] të Gjykatës Supreme, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 41 [E Drejta e Qasjes në Dokumente Publike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) dhe nenin 10 (Pa titull) të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: DUDNJ).
Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkon mbajtjen e seancës dëgjimore.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në nenin 113 (1) dhe (7) [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 25 nëntor 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 29 nëntor 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi formularin e Gjykatës për kërkesa individuale.
Më 5 dhjetor 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes vendimit GJR. Nr. KI185/22 caktoi gjyqtarin Radomir Laban Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 9 dhjetor 2022, parashtruesi i kërkesës u njoftua për regjistrim të kërkesës dhe një kopje iu dërgua Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Gjykatës Supreme.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dhe betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 8 shkurt 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës rrjedhë se parashtruesi i kërkesës ka qenë kandidat për gjyqtar në Gjykatën Themelore në Kosovë, por që nuk ishte rekomanduar për këtë pozitë nga Komisioni për Rekrutim i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Komisioni për Rekrutim i KGJK-së), sepse i njëjti e kishte vlerësuar parashtruesin e kërkesës me 90.2 pikë, çka ka qenë e pamjaftueshme, që parashtruesi i kërkesës të përfshihet në mesin e kandidatëve të përzgjedhur për gjyqtarë bazuar në neni 24.3 të Rregullores [Nr.05/2016] për Rekrutimin, Provimin, Emërimin dhe Riemërimin e Gjyqtarëve (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja [nr. 05/2016]).
Më 9 qershor 2017, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë tek Komisioni për Rishqyrtim i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Komisioni për Rishqyrtimi KGJK-së) duke kërkuar: (i) që ankesa të pranohet; (ii) të përsëritet pjesa e intervistës bazuar në nenin 25.3 të Rregullores [nr. 05/2016]; dhe, (iii) nëse Komisioni për Rishqyrtimi KGJK-së konstaton gabime teknike me rastin e grumbullimit të pikëve të veprohet konform nenit 25.5 të Rregullores [nr. 05/2016].
Më 14 qershor 2017, Komisioni për Rishqyrtim i KGJK-së përmes Vendimit [ZVVGJ/17/0269] e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës për rishqyrtim të vlerësimit dhe rezultateve të Komisionit për Rekrutim të KGJK-së të datës 25.05.2017. Komisioni për Rishqyrtim i KGJK-së shpjegoi se pas shikimit të video-regjistrimit të intervistës së parashtruesit të kërkesës të datës 25.05.2017, konstaton: (i) llogaritja e pikëve nga Komisioni për Rekrutim i KGJK-së është real; (ii) nuk është bazuar në gabime faktike dhe materiale; (iii) është përfshirë tërë informacioni faktik që ka qenë në dispozicion të Komisionit për Rekrutim të KGJK-së; dhe po ashtu, (iv) nuk ka as shkelje të Rregullores [nr. 05/2016].
Në një datë të pacaktuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë kundër vendimit të KGJK-së nr. [ZVVGJ/17/0269] në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamenti për Çështje Administrative (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Më 29 janar 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë përmes Aktgjykimit [A. nr. 1158/7] vendosi të REFUZOHET e pabazuar kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës me të cilën ka kërkuar që të anulohet Vendimi i KGJK-së [ZVVGJ/17/0269] i 14.06.2017 si dhe të detyrohet e paditura KGJK që me parashtruesin e kërkesës të themeloj marrëdhënie pune - gjyqtar i Gjykatës Themelore.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje esenciale të dispozitave të LPK-së, me propozim që Gjykata e Apelit ta aprovoj ankesën të bazuar dhe ta ndryshoj aktgjykimin e kundërshtuar ashtu që ta aprovoj kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe ta anuloj vendimin e të paditurës KGJK ose ta prish aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe lëndën t’ia kthej të njëjtës në rivendosje.
Më21 shkurt 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA.nr.343/21]vendosi: (i) REFUZOHET e pabazuar ankesa e parashtruesit të kërkesës, ndërsa (ii) VËRTETOHET Aktgjykimi i Gjykatës Themelore [A.nr.1158/7] i datës 29 janar 2021.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme duke kontestuar ligjshmërinë e aktgjykimit të lartpërmendur të Gjykatës së Apelit duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave procedurale dhe shkelje të së drejtës materiale, me propozim që kërkesa të aprovohet e bazuar dhe të anulohen Aktgjykimi i Gjykatës Themelore [A.nr.1158/7] i datës 29.01.2021 dhe Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit [AA.nr.343/21] i datës 21.02.2022, ndërsa padia e parashtruesit të kërkesës të konsiderohet e bazuar.
Më 4 gusht 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ nr.35/2022]e refuzoi të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit [AA.nr.343/21] të datës 21.02.2022.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 41 [E Drejta e Qasjes në Dokumente Publike] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të KEDNJ-së dhe nenin 10 (Pa titull) të DUDNJ-së.
Parashtruesit e kërkesës pretendon se nga gjykatat e rregullta të të gjitha niveleve dhe nga KGJK-ja nuk ka marrë asnjë përgjigje për pretendimet e tij “me sa pikë është vlerësuar për integritet, me sa pikë është vlerësuar për profesionalizëm” duke marrë parasysh nenin 23.10 të Rregullores [05/2016] ku thuhet se “intervista me gojë dhe procedura përfundimtare e vlerësimit të integritetit profesional vlerësohet me më së shumti 50 pikë”. Parashtruesi i kërkesës pretendon se “asnjëherë nuk i është dhënë arsyeja se pse është vlerësuar 10 pikë në vlerësimin me gojë.”
Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës shton: “E drejta për një proces të rregullt ligjor, që i garantohet individit nga nenit 31 të Kushtetutës, si dhe nga neni 6.1 i KEDNJ-së, përfshin edhe të drejtën për të pasur një vendim gjyqësor të arsyetuar. Funksioni i një vendimi të arsyetuar është t’u tregojë palëve se ato janë dëgjuar si dhe u jap atyre mundësinë ta kundërshtojnë atë. Përveç kësaj, duke dhënë një vendim të arsyetuar, mund të realizohet edhe vëzhgimi publik i administrimit të drejtësisë.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon se mos marrja e përgjigjeve nga nga gjykatat e rregullta të të gjitha niveleve dhe nga KGJK-ja, po ashtu, i ka mohuar atij qasjen në drejtësi. Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës thekson: “Mohimi i të drejtës së aksesit. d.m.th., i të drejtës për t’iu drejtuar Gjykatës dhe për të marrë një përgjigje përfundimtare nga ajo lidhur me pretendimet e ngritura, përbën cenim të së drejtës themelore për një proces të rregullt ligjor, të parashikuar nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6/1 i KEDNJ-së.” Parashtruesi i kërkesës shton se qasja në drejtësi duhet të jep përgjigje në themelësi dhe nuk nënkupton vetëm aspektin formal të paraqitjes së ankesës në gjykatë.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se për shkak nga gjykatat e rregullta të të gjitha niveleve dhe nga KGJK-ja nuk ka marrë asnjë përgjigje për pretendimet e tij, të njëjtit i janë shkelur dy komponentë të së drejtës së përgjithshme për gjykim të dejtë dhe të paanshëm: (i) qasja në drejtësi; dhe (ii) e drejta për vendim të arsyetuar.
Në fund, parashtruesi i kërkesën kërkon që Gjykata: (i) ta shpall kërkesën të pranueshme,(ii) të urdhërojë mbajtje të seancës dëgjimore; (iii) të shpall të pavlefshëm aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme dhe të konstatojë se i njëjti përbën shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe nenin 10 të DUDNJ-së; dhe (iv) të kthej çështjen për rishqyrtim në Gjykatën Supreme; dhe, (v) të përcaktojë çfarëdo mase tjetër që Gjykata e vlerëson të bazuar juridikisht dhe të arsyeshme.
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 53
[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”
LIGJI Nr. 03/L-202 PËR KONFLIKTET ADMINISTRATIVE
Neni 6
[Parimi i shqyrtimit verbal]
“Në konfliktin administrativ, gjykata vendosë në bazë të shqyrtimit verbal, të drejtpërdrejt dhe publik.”
Neni 44
[Pa titull]
“1. Ligjshmëria e aktit administrativ të kontestuar shqyrtohet nga gjykata brenda kufijve të kërkesës nga padia, por nuk obligohet nga shkaqet e padisë.
2. Për nulitetin e aktit administrativ gjykata kujdeset sipas detyrës zyrtare.”
Neni 49
[Procedura sipas mjeteve juridike]
“1. Kundër vendimit të gjykatës, ankesa i paraqitet gjykatës kompetente, në mënyrën e caktuar në nenin 28 të këtij ligji.
2. Ankesa paraqitet në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh, që nga dita e pranimit të vendimit të gjykatës.
3. Në çështjet të tjera të procedurës sipas ankesës zbatohen dispozitat e këtij ligji për kërkesë padinë.
4. Kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor sipas nenit 24, si dhe kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë sipas nenit 25, i paraqitet në mënyrën e caktuar në nenin 28 të këtij ligji, gjykatës për vendosje sipas kërkesës.”
Neni 63
[Dispozita të tjera të procedurës]
“Nëse ky ligj nuk përmban dispozita për procedurën në konfliktet administrative, do të zbatohen përshtatshmërisht dispozitat e ligjit për procedurën kontestimore.”
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 182
[Pa titull]
“182.1 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston në çoftë se gjykata gjatë procedurës nuk e ka zbatuar apo ka zbatuar në mënyrë jo të drejt ndonjë dispozitë të këtij ligji, kurse kjo ka pasur apo ka mundë të ketë ndikim në nxjerrjen e aktgjykimit të ligjshëm e të drejtë.
182.2 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston gjithmonë:
a) në qoftë se gjykata është përbërë jo sipas dispozitave ose në çoftë se në nxjerrjen e aktgjykimit ka marrë pjesë gjyqtari që nuk ka marrë pjesë në seancën kryesore;
b) në qoftë se është vendosur për kërkesën e cila nuk bënë pjesë në juridiksionin gjyqësor;
c) në çoftë se në nxjerrjen e aktgjykimit ka marrë pjesë gjyqtari i cili sipas ligjit duhet të përjashtohet, respektivisht me vendim të gjykatës ka qenë i përjashtuar ose me rastin e dhënies se vendimit ka marrë pjesë personi i cili nuk e ka cilësinë e gjyqtarit;
d) në çoftë se gjykata sipas prapsmit të palëve gabimisht ka vendosur se është e kompetencës lëndore;
e) në çoftë se është vendosur për kërkesën sipas padisë të ngritur pas afatit të përcaktuar me ligj;
f) në çoftë se gjykata ka vendosur për kërkesëpadinë për të cilën është me kompetencë lëndore gjykata më e lartë e llojit të njëjtë, gjykata e llojit tjetër;
g) në çoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata e ka bazuar vendimin e vetë në disponimin e palejueshëm të palëve, (neni 3 paragrafi 3 i këtij ligji);
h) në qoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata ka nxjerr aktgjykim për shkak të pohimit, mosbindjes, mungesës, heqjes dorë nga kërkesëpadia, ose pa mbajtjen e shqyrtimit kryesor;
i) në qoftë se ndonjërës nga palët me veprimin e paligjshëm, e sidomos me mosdhënien e mundësisë për shqyrtimin e çështjes në gjykatë;
j) në qoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata e ka refuzuar kërkesën e palës, që në procedurë të përdorë gjuhën dhe shkrimin e vet e të ndjek procesin në gjuhën e vet, kurse për këtë arsye ankohet;
k) në qoftë se në procedurë si paditës, ose i paditur, ka marrë pjesë personi që nuk mund të jetë palë në procedurë, apo në qoftë se palën që është person juridik nuk e ka përfaqësuar personi i autorizuar, ose në qoftë se palën me pazotësi procedurale nuk e ka përfaqësuar përfaqësuesi ligjor ose në qoftë se përfaqësuesi ligjor, respektivisht përfaqësuesi me prokurë i palës nuk ka pasur autorizim të nevojshëm për zhvillimin e procedurës apo për kryerjen e ndonjë veprimi në procedurë, në qoftë se zhvillimi i procedurës, respektivisht ushtrimi i veprimeve te veçanta në procedurë nuk është lejuar më vonë;
l) në qoftë se është vendosur për kërkesën për të cilën vazhdon procedura apo për të cilën më parë është nxjerr aktgjykimi i formës se prerë, ose prej të cilit paditësi njëherë ka hequr dorë ose për të cilin është lidhur pajtimi gjyqësor;
m) në qoftë se, në kundërshtim me ligjin është përjashtuar publiku në seancën kryesore;
n) në qoftë se aktgjykimi ka të meta për shkak të të cilave nuk mund të ekzaminohen, e sidomos në qoftë se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm apo kontradiktor me vetvete ose me arsyet e aktgjykimit, apo nëse aktgjykimi nuk ka fare arsye apo në të nuk janë treguar fare arsyet për faktet vendimtare, ose ato arsye janë të paqarta, ose kontradiktore, ose nëse për faktet vendimtare ekzistojnë kundërthënie midis asaj që në arsyet e aktgjykimit thuhet për përmbajtje të dokumentit ose të procesverbalit për thëniet e dhëna në procedurë dhe të vet atyre dokumenteve ose të procesverbalit;
o) në qoftë se me aktgjykim është tejkaluar kërkesëpadia.”
RREGULLORE (05/2016) PËR REKRUTIMIN, PROVIMIN, EMËRIMINDHE RIEMËRIMIN E GJYQTARËVE
Neni 23
[Intervista me gojë]
“1. Qëllimi kryesor i intervistës me gojë është vlerësimi i aftësive për komunikim të kandidatit dhe logjika e argumentimit të fakteve.
2. Intervistimi me gojë nuk do të fillojë derisa të përfundojë shqyrtimi i të gjitha ankesave nga Komisioni për Rishqyrtim.
3. Në ditën e intervistës me gojë, kandidati informohet për përbërjen e Komisionit për Rekrutim dhe i kërkohet që menjëherë të deklarohet nëse kërkon përjashtimin e ndonjërit nga anëtarët e Komisionit. Për përjashtimin e anëtarit të komisionit vendos Komisioni i Rekrutimit
me shumicë të votave, kurse për përjashtimin e Kryetarit të Komisionit, vendos Kryesuesi i KGJK-së.
4. Gjatë intervistës me gojë do të përdoret një qasje e njëjtë metodologjike për të gjithë kandidatët.
5. Pyetjet që përdoren gjatë intervistës me gojë janë standarde për të gjithë kandidatët. Brenda pyetjeve të së njëjtës fushë mund të përdoren një sërë pyetjesh të standardizuara, kurseanëtarët e Komisionit mund të shtrojnë pyetje shtesë.
6. Komisioni mund të shtrojë pyetje edhe duke u bazuar në informatat që i ka marrë gjatë procesit të vlerësimit të integritetit personal të kandidatëve.
7. Pyetjet që parashtrohen gjatë intervistës me gojë duhet të jenë në përputhje me kriteret për emërim, siç përcaktohen në Ligjin për Gjykata dhe Ligjin për KGJK-në.
8. Pyetjet dhe vlerësimi i përgjigjeve në intervistën me gojë bëhen sipas formularit të veçantë të përgatitur nga Komisioni i Rekrutimit.
9. Intervista me gojë regjistrohet përmes kamerave dhe për këtë njoftohet kandidati.
10. Intervista me gojë dhe procedura përfundimtare e vlerësimit të integritetit personal dhe aftësive profesionale vlerësohet me më së shumti 50 pikë.
11. Rezultati përfundimtar për një kandidat fitohet duke nxjerr mesataren e pikëve te marra nga secili anëtar i Komisionit për rekrutim.”
Neni 24
[Rezultatet përfundimtare të provimit]
“1. Rezultatet përfundimtare mbi suksesin e një kandidati llogariten mbi bazën e pikëve të arritura në testin me shkrim dhe intervistën me gojë.
2. Pas përfundimit të vlerësimit të provimit me gojë, bëhet numërimi dhe verifikimi i rezultateve dhe përgatitja e listës përfundimtare me qëllim të shpalljes së rezultateve të provimit.
3. Një kandidat konsiderohet se ka kaluar me sukses provimin për gjyqtarë nëse arrin të marr së paku 100 pikë nga të cilat 70 pikë në testin me shkrim dhe 30 pikë në intervistën me gojë.
4. Rezultatet përfundimtare të kandidatëve që e kanë kaluar me sukses provimin publikohet në ueb faqen e KGJK-së dhe njoftimi për këtë përmban emrin, mbiemrin dhe numrin e pikëve të arritura nga kandidati në testin me shkrim dhe intervistën me gojë.
5. Komisioni për Rekrutim e përpilon listën e kandidateve sipas pikëve të fituara në provim. Renditja e kandidatëve bëhet sipas numrit të pikëve të fituara në testin me shkrim dhe intervistën me gojë. Renditja në listë përfundon te numri i kandidatëve të përcaktuar me shpallje nga KGJK. Në rast se kandidatët e fundit në listë kanë pikë të njëjta, konsiderohen se ata e kanë kaluar provimin.
6. Kryetari i Komisionit për Rekrutim e dërgon listën e kandidatëve të suksesshëm në KGJK
pas shqyrtimit të ankesave eventuale nga Komisioni për rishqyrtim.”
Neni 25
[E drejta në ankesë]
“1. Kandidatët kanë të drejtë ankese për testin kualifikues, testin me shkrim dhe intervistën me gojë, në afat prej tre (3) ditësh nga dita e shpalljes së rezultateve mbi bazën e njoftimit të bërë nga nenet 16, 20 dhe 24 të kësaj Rregulloreje.
2. Ankesat e kandidatëve nga paragrafi 1 i këtij neni, shqyrtohen nga Komisioni për Rishqyrtim i KGJK-së në afat prej 5 ditësh nga dita e përfundimit të afatit për ankesë.
3. Në rast se Komisioni për Rishqyrtim, pas vlerësimit të ankesës gjen se janë bërë shkelje të rregullave rreth organizimit të testit kualifikues, testit me shkrim dhe intervistës me gojë, siç është përcaktuar me këtë rregullore, lidhur me ankuesin mund të marr vendim që të përsëritet pjesa përkatëse e provimit.
4. Nëse Komisioni për Rishqyrtim vendosë që të përsëritet pjesa përkatëse e provimit, provimi
organizohet brenda pesë (5) ditësh nga vendimi i Komisionit për Rishqyrtim. Me këtë rast, në
provim do të përdoret grupi i mbetur i provimit nga procesi i hartimit të tij, ndërsa rezultatet e pjesës së përsëritur të provimit do të merren në konsiderim me rastin e hartimit të listës përfundimtare të provimit.
5. Në rast se Komisioni për Rishqyrtim gjen se janë bërë gabime teknike me rastin e llogaritjes së pikëve të testit kualifikues, testit me shkrim dhe intervistës me gojë, ndërsa me rastin e shqyrtimit të ankesës vërtetohet se kandidati renditet në grupin e kandidatëve që e kanë kaluar pjesën përkatëse të provimit, ai kandidat do të futet në listën e kandidatëve që e kanë kaluar atë pjesë të provimit.
6. Pas shqyrtimit të ankesave për testin kualifikues, testin me shkrim dhe intervistën me gojë,
KGJK publikon listën siç përcaktohet me nenet 16, 20 dhe 24 të kësaj Rregulloreje dhe kjo konsiderohet listë përfundimtare e provimit.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve, 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët parashohin:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin Gjykatës Supreme [ARJ nr.35/2022] të 4 gushtit 2022, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 39 (2) specifikon:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese NexhmijeMakolli, aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20,parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. (Shih: më saktësisht për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”, Udhëzuesin Praktik të GJEDNJ-së për Kriteret e Pranueshmërisë të 31 gushtit 2019; Pjesa III. Papranueshmëria bazuar në merita; A. Kërkesat qartazi të pabazuara, paragrafët 255 deri më 284, shih gjithashtu rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet ankesën që parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur tek Komisioni për Rishqyrtim KGJK-së kundër vendimit të Komisionit për Rekrutim të KGJK-së i cili kishte vlerësuar se parashtruesi i kërkesës nuk kishte arritur pikët e nevojshme për t’u zgjedhur gjyqtar në gjykatën themelore. Komisioni për Rishqyrtim i KGJK-së e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës duke arsyetuar se vendimi i kontestuar nuk është bazuar në gabime faktike dhe materiale. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën Themelore kundër organeve të KGJK-së. Gjykata Themelore e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës duke shtuar se ligji nuk është zbatuar në dëm të parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit refuzoi të pabazuar ankesa e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi vendimin e Gjykatës Themelore duke shpjeguar se vendimi i kontestuar nuk karakterizohet nga shkeljet esenciale procedurale dhe se e drejta materiale është zbatuar drejtë. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësorë në Gjykatën Supreme kundër vendimeve të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës kundër vendimeve të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme kishte sqaruar gjykatat e instancave më të ulët dhe organi i paditur KGJK kanë zbatuar drejtë të drejtën materiale në përputhje me gjendjen faktike të vërtetuar dhe se në rastin konkret nuk janë konstatuar shkelje procedurale në raport me pretendimet dhe të drejtat e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës në thelb pretendon se nga gjykatat e rregullta të të gjitha niveleve dhe nga KGJK-ja nuk ka marrë asnjë përgjigje për pretendimet e tij. Parashtruesi i kërkesës në mënyrë më specifike pretendon se janë shkelur dy komponentë të së drejtës së përgjithshme për gjykim të dejtë dhe të paanshëm: (i) qasja në drejtësi; dhe (ii) e drejta për vendim të arsyetuar.
Gjykata si-çështje paraprake-rithekson se vlerësimi i procedurave bëhet në tërësi, pra, nëse të njëjtat kanë qenë të drejta ose jo vlerësohet duke pasur parasysh zhvillimin e tyre në tërësi (shih rastet e GJEDNJ-së, Ankerl kundër Zvicrrës, nr. 17748/91, Aktgjykim i 23 tetorit 1996, paragrafi 38; dhe Centro Europa 7 S.r.l. dhe Di Stefano kundër Italisë, nr. 38433/09, Aktgjykim i 7 qershorit 2012, paragrafi 197). Rrjedhimisht, çdo defekt sa i përket korrektësisë së procedurave mundet, në kushte të caktuara, të ndreqet në një fazë të mëvonshme, ose në nivel të njëjtë (shih rastin e GJEDNJ-së Helle kundër Finlandës, nr.157/1996/776/977, Aktgjykim i 19 dhjetorit 1997, paragrafi 54), ose nga një gjykatë më e lartë (shih rastin e GJEDNJ-së SchulerZgraggen kundër Zvicrrës, nr.14518/89. Aktgjykim i 24 qershorit 1993, paragrafi 52).
Pretendimi për shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 (1) të KEDNJ-së
Në këtë drejtim, Gjykata vë në spikamë konstatimet e Gjykatës Themelore: (i) pas administrimit të provave dhe konform dispozitave ligjore të nenit 44 të Ligjit për Konflikteve Administrative (në tekstin e mëtejmë: LKA) konstatohet kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës nuk është e bazuar; (ii) me vendimin me numër të protokollit KGJK 131/2016 të datës 28.10.2016 shihet se e paditura KGJK ka ulur kriterin e kalueshmërisë sipas poentimit, ndërsa në bazë të vendimit nr. KGJK.nr.47/2017 të datës 06.03.2017 është anuluar vendimi KGJK 131/2016 të datës 28.10.2016, për uljen e pragut të kalueshmërisë; (iii) pas administrimit të provave një nga një dhe të gjitha së bashku dhe rezultatet e arritura nga kandidatët për gjyqtar në testin me shkrim dhe me gojë të publikuar më 06.06.2017, ka ardhur në përfundim se nga i padituri KGJK është respektuar procedura në procesin e kontestuar për rekrutim të gjyqtarëve të shpallur sipas konkursit publik dhe se në këtë rast nuk është konstatuar shkelje e procedurës në raport me pretendimet e parashtruesit të kërkesës; (iv) kjo gjykatë ka vlerësuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës sa i përket mënyrës së vlerësimit dhe poentimit të intervistës me gojë por si të tilla këto pretendime nuk u aprovuan pasi që parashtruesi i kërkesës nga testi me shkrim dhe intervista me gojë kishte fituar 90.2 pikë, gjë që nuk e ka arritur kuotën që kërkohet me dispozitën ligjore të nenit 24 të Rregullores [Nr.05/2016] ku përcaktohet se: “Një kandidat konsiderohet se ka kaluar me sukses provimin për gjyqtar nëse arrin 100 pikë nga të cilat 70 pikë në testin me shkrim dhe 30 në intervistën me gojë”; (v) në këtë proces nga provat dhe faktet konstatohet se parashtruesi i kërkesës i është nënshtruar procesit sikurse kandidatët tjerë dhe është vlerësuar me të njëjtat kritere; (vi)nuk qëndron pretendimi i parashtruesit të kërkesës se pjesa arsyetuese e vendimit të kontestuar është e paqartë, e mangët dhe e paekzaminueshme ngase rezulton se i njëjti është i arsyetuar në fakte, prova dhe në bazueshmëri ligjore; (vii) ndërsa pretendimi se e paditura KGJK ka vërtetuar gabimisht gjendjen faktike kur ka pretenduar se parashtruesi i kërkesës ka lëndë penale dhe se nuk ka marrë për bazë përvojën e tij të punës, nuk qëndrojnë nga të njëjtat parashtruesi i kërkesës nuk i argumentoi; (viii) kurse e paditura KGJK e mohoi të ketë konstatuar se parashtruesi i kërkesës ka lëndë penale, ndërsa argumentoi se ka llogaritur drejtë përvojën e punës 3 vjeçare të domosdoshme për këtë proces konkurrues; (ix) gjykata vlerëson se vendimi i kontestuar është i drejtë dhe i bazuar në ligj dhe se ligji nuk është zbatuar në dëm të parashtruesit të kërkesës.
Gjykata po ashtu i referohet arsyetimit të Gjykatës Supreme që në masë të madhe kishte përvetësuar konstatimet e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit: (i) pas shqyrtimit të kërkesës, vlerësimit të aktgjykimit të kontestuar, pretendimeve ankimore dhe shkresave tjera të lëndës konstaton se kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor është e pabazuar; (ii) qëndrimin juridik të gjykatave të instancave më të ulëta në tërësi e aprovon edhe Gjykata Supreme sepse aktgjykimet e kontestuara nuk janë përfshirë me shkelje të dispozitave procedurale dhe materiale ashtu siç pretendon parashtruesi i kërkesës; (iii) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për vlerësim të padrejtë të testit me shkrim dhe intervistës me gojë, Gjykata Supreme e cilësoi të paqëndrueshëm sepse nuk provohet me asnjë provë që vendimet e kontestuara të gjykatave të instancave më të ulëta si dhe të paditurës KGJK janë të përfshira me shkelje procedurale ashtu që do të kishte ndikuar me zgjidhje ndryshe të kësaj çështjeje; (iv) komisioni për rekrutim në përputhje me dispozitat e rregullores në fuqi ka vlerësuar secilin kandidat në bazë të përgjigjeve të dhëna në testin me shkrim dhe intervistën me gojë, prandaj është diskrecion i secilit anëtar të komisionit të vlerësojë kandidatët në mënyrë të paanshme, të pavarur dhe pa ndërhyrje dhe në fund numërohen pikët në total të secilit kandidat; (v) dhe vetëm pas intervistës me gojë procedohet dhe shpallet rezultati përfundimtar mbi suksesin e një kandidati në bazë të pikëve të arritura në testin me shkrim dhe intervistën me gojë, në mënyrë kumulative, duke u bërë renditja e kandidatëve siç parashihet me nenin 24 të të Rregullores [Nr.05/2016] siç është cituar në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë;(vi) sipas Rregullores [Nr.05/2016] me asnjë dispozitë të saj nuk përcaktohet se duhet të shpallen ndaras rezultatet e intervistës me gojë, duke u bërë ndarja e poentimit ashtu siç pretendon parashtruesi i kërkesës por shpallet rezultati përfundimtar siç u përshkrua më lart; (vii) gjykata e shkallës së parë ka administruar provat e nevojshme, ndër to, video-regjistrimin nga intervista me gojë e parashtruesit të kërkesës e datës. 25.05.2017, dhe ka vendosur drejtë për refuzim të ankesës si të pabazuar, pasi nuk ka konstatuar fakte dhe prova se janë kryer gabime materiale-faktike nga komisioni për rekrutim; (viii) gjykatat e instancave më të ulët dhe organi i paditur KGJK kanë zbatuar drejtë Rregulloren [Nr.05/2016] në përputhje me gjendjen faktike të vërtetuar në procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve sipas konkursit të publikuar, në rastin konkret nuk janë konstatuar shkelje procedurale në raport me pretendimet dhe të drejtat e parashtruesit të kërkesës; (ix) gjykatat e instancave më të ulëta në mënyrë të pakontestueshme kanë vërtetuar se parashtruesi i kërkesës i është nënshtruar procesit të rekrutimit si të gjithë kandidatë tjerë dhe është vlerësuar me të njëjtat kritere; (x) sipas rezultatit të arritur rezulton se parashtruesi i kërkesës ka arritur 90.2 pikë dhe me këtë rezultat nuk arrin kuotën që kërkohet me nenin 24.3 të Rregullores [Nr.05/2016], për t’u konsideruar se ka kaluar provimin për t’u emëruar gjyqtar.
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta janë përgjigjur të gjitha pretendimeve që kanë qenë qendrore për rastin e parashtruesit të kërkesës sepse: (i) kanë shpjeguar se parashtruesit të kërkesës i është dhënë mundësia njëjtë sikurse edhe kandidatëve tjerë për t’iu nënshtruar testit me shkrim dhe intervistës me gojë me qëllim të përzgjedhjes gjyqtar në gjykatën themelore në kushte të barabarta; (ii) kanë shpjeguar procesin e vlerësimit, grumbullimit të pikëve dhe nxjerrjes së rezultatit përfundimtar në mënyrë kumulative nga testi me shkrim, intervista me gojë dhe përvoja relevante e punës bazuar në Rregulloren [Nr.05/2016]; dhe se (iii) vlerësimi në intervistën me gojë është çështje e diskrecionit të anëtarëve të komisionit por çka është e rëndësishme është se këta të fundit kanë punuar në mënyrë të paanshme, të pavarur dhe pa ndërhyrje në procesin e vlerësimit të pikëve për kandidatët për gjyqtarë, pa përjashtuar dhe parashtruesin e kërkesës.
Gjykata dhe GJEDNJ-ja në jurisprudencën e tyre kanë theksuar se neni 31 i Kushtetutës përkatësisht neni 6, paragrafi 1 i KEDNJ-së, obligon gjykatat të japin arsyet për vendimet e tyre, ato gjithashtu kanë konstatuar se kjo nuk mund të kuptohet si kërkesë për një përgjigje të hollësishme në çdo argument. (Shih rastet e Gjykatës nr. KI174/21parashtrues Bashkim Makiqi, aktvendim për papranueshmëri i 16 shkurtit 2022, paragrafi 57 dhe nr. KI97/16parashtrues IKK Classic, aktgjykim i 4 dhjetorit 2017, paragrafi 49 dhe po ashtu shih rastet e GJEDNJ-së Van de Hurk kundër Holandës, nr. 16034/90, Aktgjykim i 19 prillit 1994, paragrafi 61; Higgins dhe të tjerët kundër Francës, nr. 134/1996/753/952, Aktgjykim i 19 shkurtit 1998, paragrafi 42).
Gjykata vlerëson se vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta janë të arsyetuara dhe përmbajnë fakte të vërtetuara, dispozitat ligjore përkatëse dhe marrëdhënien logjike midis tyre. (shih rastet e Gjykatës, nr. KI174/21parashtrues Bashkim Makiqi, cituar më lart, paragrafi 58 dhe nr. KI72/12, parashtrues Veton Berisha dhe IlfeteHaziri, Aktgjykim i 17 dhjetorit 2012, paragrafi 61, dhe nr. KI135/14, parashtrues,IKK Classic, Aktgjykim i 9 shkurtit 2016, paragrafi 58).
Në rrethanat e këtij rasti, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës, përtej pretendimeve për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i vërtetimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të ligjit, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim i ligjit të aplikueshëm nga gjykatat e rregullta, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe kanë arsyetuar të njëjtat (Shih në këtë kontekst, rastet e Gjykatës, nr. KI174/21parashtrues Bashkim Makiqi, cituar më lart, paragrafi 59 dhe nr. KI64/20, parashtrues Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 3 gushtit 2020, paragrafi 41, dhe KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 8 majit 2019, paragrafi 43).
Gjykata konkludon se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për vendim të arsyetuar siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 (1) të KEDNJ-së është pretendim që kualifikohet si pretendim i “shkallës së katërt” dhe si i tillë, është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Pretendimi për shkelje të së drejtës për qasje në drejtësi siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 (1) të KEDNJ-së
Jurisprudenca e Gjykatës dhe e GJEDNJ-së përcaktojnë neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, garantojnë jo vetëm të drejtën për të filluar procedura, por edhe të drejtën për të marrë një zgjidhje të “kontestit” përkatës nga një gjykatë. (Shih rastin e Gjykatës nr. KI215/21, parashtrues Arbër Shkreli dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 15 shkurtit 2022, paragrafi 72; dhe po ashtu shih rastet e GJEDNJ-së, Kutić kundër Kroacisë, nr.48778/99, Aktgjykim i 1 marsit 2002, paragrafët 25-32; LupeniGreekCatholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 76943/11, Aktgjykim i 29 nëntorit 2016, paragrafi 86 dhe referencat e përmendura aty; Aćimović kundër Kroacisë,61237/00, Aktgjykim i 9 tetorit 2003, paragrafi 41; dhe BeneficioCappellaPaolini kundër San Marinos, nr. 40786/98, Aktgjykim i 13 korrikut 2004, paragrafi 29).
Gjykata sërish vë në spikamë arsyetimin e Gjykatës Supreme që në masë të madhe kishte përvetësuar konstatimet e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit: (i) pas shqyrtimit të kërkesës, vlerësimit të aktgjykimit të kontestuar, pretendimeve ankimore dhe shkresave tjera të lëndës konstaton se kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor është e pabazuar; (ii) qëndrimin juridik të gjykatave të instancave më të ulëta në tërësi e aprovon edhe Gjykata Supreme sepse aktgjykimet e kontestuara nuk janë përfshirë me shkelje të dispozitave procedurale dhe materiale ashtu siç pretendon parashtruesi i kërkesës; (iii) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për vlerësim të padrejtë të testit me shkrim dhe intervistës me gojë, Gjykata Supreme e cilësoi të paqëndrueshëm sepse nuk provohet me asnjë provë që vendimet e kontestuara të gjykatave të instancave më të ulëta si dhe të paditurës KGJK janë të përfshira me shkelje procedurale ashtu që do të kishte ndikuar me zgjidhje ndryshe të kësaj çështjeje; (iv) komisioni për rekrutim në përputhje me dispozitat e rregullores në fuqi ka vlerësuar secilin kandidat në bazë të përgjigjeve të dhëna në testin me shkrim dhe intervistën me gojë, prandaj është diskrecion i secilit anëtar të komisionit të vlerësojë kandidatët në mënyrë të paanshme, të pavarur dhe pa ndërhyrje dhe në fund numërohen pikët në total të secilit kandidat; (v) dhe vetëm pas intervistës me gojë procedohet dhe shpallet rezultati përfundimtar mbi suksesin e një kandidati në bazë të pikëve të arritura në testin me shkrim dhe intervistën me gojë, në mënyrë kumulative, duke u bërë renditja e kandidatëve siç parashihet me nenin 24 të të Rregullores [Nr.05/2016] siç është cituar në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë;(vi) sipas Rregullores [Nr.05/2016] me asnjë dispozitë të saj nuk përcaktohet se duhet të shpallen ndaras rezultatet e intervistës me gojë, duke u bërë ndarja e poentimit ashtu siç pretendon parashtruesi i kërkesës por shpallet rezultati përfundimtar siç u përshkrua më lart; (vii) gjykata e shkallës së parë ka administruar provat e nevojshme, ndër to, video-regjistrimin nga intervista me gojë e parashtruesit të kërkesës e datës. 25.05.2017, dhe ka vendosur drejtë për refuzim të ankesës si të pabazuar, pasi nuk ka konstatuar fakte dhe prova se janë kryer gabime materiale-faktike nga komisioni për rekrutim; (viii) gjykatat e instancave më të ulët dhe organi i paditur KGJK kanë zbatuar drejtë Rregulloren [Nr.05/2016] në përputhje me gjendjen faktike të vërtetuar në procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve sipas konkursit të publikuar, në rastin konkret nuk janë konstatuar shkelje procedurale në raport me pretendimet dhe të drejtat e parashtruesit të kërkesës; (ix) gjykatat e instancave më të ulëta në mënyrë të pakontestueshme kanë vërtetuar se parashtruesi i kërkesës i është nënshtruar procesit të rekrutimit si të gjithë kandidatë tjerë dhe është vlerësuar me të njëjtat kritere; (x) sipas rezultatit të arritur rezulton se parashtruesi i kërkesës ka arritur 90.2 pikë dhe me këtë rezultat nuk arrin kuotën që kërkohet me nenin 24.3 të Rregullores [Nr.05/2016], për t’u konsideruar se ka kaluar provimin për t’u emëruar gjyqtar.
Nga sa më sipër, Gjykata vëren se Gjykata Supreme ka dhënë një arsyetim të gjithëpërfshirës të të gjitha çështjeve qendrore të çështjes së parashtruesit të kërkesës çka lë të kuptohet: (i) parashtruesit të kërkesës i është dhënë mundësia që të konkurrojë për gjyqtar në gjykatën themelore në kushte të njëjta sikurse kandidatët tjerë; (ii)parashtruesit të kërkesës i është dhënë mundësia që të kontestojë rezultatet dhe vendimet e organeve të KGJK-së në procedurë në të gjitha shkallët e juridiksionit të gjyqësorit të rregullt në Republikën e Kosovës, me ç ‘rast është respektuar kushti formal për qasje në drejtësi; dhe, (iii)parashtruesi i kërkesës ka marrë përgjigje për të gjitha pretendimet qendrore të rastit të tij nga gjykatat e rregullta, me ç ‘rast është respektuar edhe kushti material për qasje në drejtësi.
Gjykata vlerëson se është shumë e rëndësishme që parashtruesit të kërkesës i është dhënë mundësia që të konkurrojë për gjyqtar në kushte të barabarta me kandidatët tjerë dhe që po ashtu të njëjtit i është dhënë mundësia që rezultatet dhe vendimet e organeve të KGJK-së t’i kontestojë pranë gjykatave të rregullta në frymën e barazisë para ligjit dhe gjykimit të drejtë dhe të paanshëm siç garantojnë nenet 24 dhe 31 të Kushtetutës. Për këto arsye, në rastin konkret nuk ka arsye që peshon (weightyreason) ashtu që Gjykata ta tejkalojë parimin e subsidiaritetit dhe të vë në diskutim diskrecionin e organeve të KGJK-së përkitazi me lartësinë e vlerësimit të parashtruesit të kërkesës si kandidat për gjyqtar në gjykatën themelore.
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se pretendimi i parashtruesve të kërkesës për shkelje të së drejtës për qasje në drejtësi është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Kërkesa për seancë dëgjimore
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka kërkuar mbajtje të seancës dëgjimore por pa ofruar ndonjë arsyetim specifik për këtë kërkesë.
Gjykata i referohet nenit 20 [Vendimet]të Ligjit që parashikon:
“1. Gjykata Kushtetuese vendosë mbi çështjen pas mbarimit të seancës së shqyrtimit verbal. Palët kanë të drejtë të heqin dorë nga shqyrtimi verbal
2. Pavarësisht nga paragrafi 1 i këtij neni, sipas vlerësimit të saj, gjykata mund të vendosë mbi çështjen që është objekt shqyrtimi kushtetues mbi bazën e shkresave të lëndës.
[...]”
Gjykata vlerëson se shkresat e lëndës në dispozicion të saj janë të mjaftueshme për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procedurave të zhvilluara në gjykatat e rregullta dhe në organet e KGJK-së
Rrjedhimisht, kërkesa për mbajtje të seancës dëgjimore duhet të refuzohet.
Përfundim
Gjykata ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së GarcíaRuiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës nr.KI128/18,parashtrues Limak Kosovo International Airport Sh.A. “Adem Jashari”, Aktvendim për papranueshmëri i 27 majit 2019,paragrafi 56; dhe KI62/19, parashtrues Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 13 nëntorit 2019, paragrafi 58).
Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me dhe nenin 6 të KEDNJ-së, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së dhe nenit 10 të DUDNJ-së, Gjykata vlerëson se këto pretendime nuk do t’i nënshtrohen vlerësimit kushtetues për shkak se nuk ngrenë ndonjë çështje të re që nuk është trajtuar më parë në kuadër të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. (shih, rastin e Gjykatës nr. KI215/21, parashtrues Arbër Shkreli dhe të tjerët, cituar më lart, paragrafi 93 dhe referencat e përmendura aty).
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese në pajtim me nenin 113. 7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 8 shkurt 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
TË REFUZOJË kërkesën për seancë dëgjimore;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtar raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Salih Topalli
KI – Individualni zahtev
Rešenje o neprohvatljivosti
Zahtev je očigledno neosnovan
Upravni