Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit [KMLC. nr. 59/15] të 23 qershorit 2015 të Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës dhe Aktvendimit [PPS. nr. 62/2022] të 30 shtatorit 2022 të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI12/23

Parashtruesit: NPN “FERDA”

Shkarko:
llogo_gjkk_png_2

Prishtinë, më​​ 16​​ shkurt 2024

Nr. Ref.:​​ RK 2334/24

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI​​ 

 

 

rastin nr. KI12/23

 

Parashtrues

 

NPN “FERDA”

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit [KMLC.​​ nr. 59/15] të 23 qershorit 2015 të​​ Zyrës së​​ Prokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës

dhe Aktvendimit [PPS.​​ nr.​​ 62/2022] të 30 shtatorit 2022 të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e​​ përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe

Enver Peci, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  • Kërkesa është dorëzuar nga​​ kompania​​ N.P.N “FERDA”​​ (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës),​​ me​​ seli në​​ Komunën e​​ Mitrovicës, me pronar Xhafer Zeneli.​​ 

 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e​​ Njoftimit [KMLC.​​ nr. 59/15],​​ të 23 qershorit 2015,​​ ​​ Zyrës së​​ Prokurorit të Shtetit të​​ Republikës së​​ Kosovës (në​​ tekstin e mëtejmë:​​ Zyra e​​ Prokurorit të​​ Shtetit) dhe Aktvendimit [PPS.​​ nr.​​ 62/2022],​​ ​​ 30 shtatorit 2022,​​ të Prokurorisë Speciale​​ ​​ Republikës së Kosovës, Departamenti Kundër Korrupsionit dhe Krimit Financiar (në​​ tekstin e mëtejmë: PSRK).

 

Objekti i çështjes

 

  • Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ Njoftimit [KMLC.​​ nr. 59/15],​​ të 23 qershorit 2015,​​ të Prokurorit të Shtetit dhe Aktvendimit [PPS.​​ nr.​​ 62/2022],​​ të 30 shtatorit 2022,​​ të Prokurorit Special, përmes të cilëve​​ pretendohet se parashtruesit të kërkesës i​​ është​​ shkelur​​ e drejta​​ e garantuar​​ me nenin​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]​​ të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin​​ 6 (E drejta për një proces të rregullt)​​ të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

 

Baza juridike

 

  • Kërkesa bazohet​​ në​​ paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe​​ paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113​​ [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22​​ (Procedimi i kërkesës)​​ dhe 47 (Kërkesa individuale)​​ të Ligjit​​ nr. 03/L-121​​ për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25​​ [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Nr. 01/2023 (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

  • Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023 u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në​​ fuqi 15 ditë pas publikimit të​​ saj. Rrjedhimisht,​​ gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë para shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  • ​​ 23 janar​​ 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).​​ 

 

  • ​​ 25 janar​​ 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit​​ [Nr. GJR.KSH.​​ KI12/23]​​ caktoi gjyqtaren Selvete​​ Gërxhaliu-Krasniqi​​ gjyqtare​​ raportuese​​ dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët:​​ Radomir Laban,​​ Remzije Istrefi-Peci​​ dhe Enver Peci​​ (anëtarë).

 

  • ​​ 1 shkurt​​ 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.

 

  • Në të​​ njëjtën​​ ditë,​​ një kopje e kërkesës iu dërgua​​ Këshillit Prokurorial të​​ Kosovës (në​​ tekstin e mëtejmë: KPK).​​ 

 

  • Më​​ 31 janar​​ 2024,​​ Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe​​ njëzëri​​ i rekomandoi Gjykatës​​ papranueshmërinë​​ e kërkesës.

 

 

Përmbledhje e fakteve​​ 

 

Procedura e padisë kundër Komunës së Drenasit​​ 

​​ 

  • Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës​​ më​​ 20​​ nëntor 2012 parashtroi padi në​​ Gjykatën Themelore në​​ Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike (në​​ tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore)​​ kundër Komunës së​​ Drenasit, përmes të​​ cilës kërkoi shlyerjen e detyrimeve​​ në​​ shumën prej 17,628.00 € (shtatëmbëdhjetë​​ mijë​​ e gjashtëqind e njëzet e tetë​​ euro)​​ sipas kontratës së​​ punës [nr. 611-12-035-521] të​​ 3 korrikut 2012, e cila ishte lidhur mbi bazën e tenderit për rregullimin e​​ stadiumit të​​ qytetit në Komunën e​​ Drenasit.​​ 

 

  • Më 11 shtator 2013, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.​​ nr.​​ 493/2012]: (i) e refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës lidhur me kërkesën për shlyerjen e detyrimeve për kryerjen e punimeve për rregullimin e stadiumit, si dhe (ii) vendosi që shpenzimet e procedurës kontestimore secila palë t’i bartë veç e veç.

 

  • Gjykata Themelore në aktgjykimin e saj arsyetoi si në vijim:​​ “Refuzimin në tërësi të kërkesëpadisë së palës paditëse [parashtruesit të kërkesës] gjykata paraprakisht e ka bazuar në kontratën e nënshkruar nga palët ndërgjyqëse të datës 03.07.2012 dhe atë konkretisht në nenin 13 pika 1 në të cilën decidivisht është paraparë që në rast të defekteve para përfundimit të periudhës garantuese të defekteve, periudha garantuese e defekteve do të zgjatet deri në përmirësimin e tyre dhe pas korrigjimit të defekteve kontraktuesi duhet të njoftoj menaxherin e projektit që në rastin konkret kontraktuesi as nuk i korrigjuar defektet e paraqitura dhe as që ka bërë njoftimin e menaxherit të projektit”.​​ 

 

  • Më​​ 2 tetor 2013, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë​​ në​​ Gjykatën e Apelit të​​ Kosovës (në​​ tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) kundër Aktgjykimit [C.​​ nr.​​ 493/2012] të​​ 11 shtatorit 2013, të​​ Gjykatës Themelore për shkak të​​ (i) shkeljeve të​​ dispozitave të​​ procedurës kontestimore; (ii) vërtetimit të​​ gabuar dhe jo të​​ plotë​​ të​​ gjendjes faktike; si dhe (iii) zbatimit të​​ gabuar të​​ së​​ drejtës materiale. I njëjti kërkoi prishjen e aktgjykimit të​​ lartcekur dhe aprovimin e ankesës së​​ tij në​​ tërësi.​​ 

 

  • Më​​ 23 dhjetor 2014, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ae.​​ nr.​​ 29/14]​​ refuzoi si të​​ pabazuar ankesën e parashtruesit të​​ kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin [C.​​ nr.​​ 493/2012], të​​ 11 shtatorit 2013, të​​ Gjykatës Themelore.​​ 

 

  • Në aktgjykimin e saj, Gjykata e Apelit vlerësoi se:​​ [...] të pabazuara thëniet ankimore të paditësit [parashtruesit të kërkesës], si rrjedhojë e vlerësimit të gabuar të gjendjes faktike, dhe zbatimit të gabueshëm të së drejtës materiale, ngase kjo gjykatë ka gjetur se kërkesëpadia e paditësit ishte e pabazuar. Kjo ngase me dispozitën e nenit 123, par. 1 të LMD, parashikohet që kur njëra palë nuk e përmbush detyrimin e vet, ose pasiguria rezulton nga shkaqet e tjera serioze, atëherë pala që është e detyruar të përmbush detyrimin e saj, e para do të shtyjë të njëjtin derisa pala tjetër të përmbush detyrimin e tij apo të mos japë sigurimin e mjaftueshëm se do ta përmbushë atë, ndërsa me dispozitën e nenit 13.1 të Kontratës është paraparë që në rast të defekteve para përfundimit të periudhës garantuese të defekteve, periudha garantuese e defekteve do të zgjatet deri në përmirësimin e tyre dhe pas korrigjimit të defekteve kontraktuesi duhet ta njoftojë menaxherin e projektit. Duke pasur parasysh dispozitën e lartpërshkruar, faktin se paditësi si punëkryes i punimeve nuk i ka bërë korrigjimet në stadiumin futbollistik në Drenas sipas udhëzimeve të menaxherit të projektit dhe me aktvendimin e komisionit për pranim teknik, objekti është vlerësuar i papranueshëm teknikisht. Prandaj, edhe sipas vlerësimit të kësaj gjykate, kërkesëpadia e paditësit​​ është e pabazuar, sepse paditësi përkundër njoftimit të së paditurës për përmirësimin e defekteve, paditësi nuk ka marrë as masë për eliminimin e tyre.​​ 

 

  • Më​​ 29 prill 2015, parashtruesi i kërkesës paraqiti propozim për parashtrimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë​​ në​​ Zyrën e​​ Prokurorit të​​ Shtetit,​​ ku​​ propozoi që​​ t’i lejohet​​ kërkesa​​ për mbrojtjen e ligjshmërisë​​ për Gjykatën Supreme të​​ Kosovës (në​​ tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).​​ I​​ njëjti,​​ propozimin e ​​​​ tij e bazoi në​​ shkeljen​​ thelbësore​​ të​​ dispozitave të​​ procedurës kontestimore, ku i njëjti theksoi se:​​ “[...] ato shkelje në​​ veçanti lidhen me mospërfilljen dhe mosekzaniminin e provave në​​ shkresat e lëndës e që​​ sikur këto prova të​​ vlerësoheshin epilogu i vendosjes do të​​ ishte plotësisht ndryshe, përkatësisht do të​​ ishte i favorshëm për pretendimet e palës paditëse”.

 

  • Më 23 qershor 2015,​​ Prokurorja e​​ Shtetit, L.P.,​​ përmes Njoftimit [KMLC.​​ nr.​​ 59/15] njoftoi parashtruesin e kërkesës se bazuar në paragrafin 1 të nenit 245 të Ligjit Nr. 03/ L-006 të Procedurës Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK)​​ se propozimi i tij për​​ parashtrimin e kërkesës për mbrojtje të​​ ligjshmërisë​​ ​​ ishte​​ i​​ pasafatshëm, pasi që​​ afati për parashtrimin e kërkesës kishte skaduar​​ më 29 prill 2015, përderisa parashtruesi​​ i kërkesës​​ propozimin​​ e tij në​​ Zyrën e Prokurorit të​​ Shtetit e kishte dorëzuar më​​ 4 maj 2015.​​ 

 

Procedura​​ penale​​ 

 

  • Më 22 shkurt 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi kallëzim penal ndaj: (i) A.K, Gjyqtar i Gjykatës Themelore; (ii) F.S. Gjyqtare e Gjykatës së Apelit; (iii) V.R. Gjyqtare e Gjykatës së Apelit;​​ (iv)​​ H.S. Gjyqtar i Gjykatës së Apelit; dhe (v) L.P. Prokurore e Prokurorisë së Shtetit të Republikës së Kosovës​​ (në​​ tekstin e mëtejmë: Prokuroria e Shtetit), me pretendimin që të njëjtit si persona zyrtarë kanë shkelur nenin 425​​ (Nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore)​​ të Kodit​​ nr. 06/L-074 Penal të​​ Republikës së​​ Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë:​​ KPRK),​​ me nxjerrjen e kundërligjshme të vendimeve gjyqësore duke i shkaktuar dëm në çështjen ekonomike me numër C.​​ nr.​​ 493/2012,​​ prandaj, propozoi që ndaj tyre të iniciohet procedurë​​ gjyqësore​​ për vërtetimin e fajësisë së tyre te gjykata kompetente dhe pas verifikimit të provave t’i shpallë fajtor dhe t’i dënojë sipas ligjit.

 

  • Më​​ 21 maj 2021, Prokurori Special, F.SH.C.​​ në PSRK, përmes Njoftimit [PPS.​​ nr. 44/21], njoftoi parashtruesin e kërkesës se pas shqyrtimit dhe analizimit të​​ të​​ gjitha shkresave të​​ lëndës, legjislacionit në​​ fuqi dhe analizimit të​​ gjitha provave formale dhe materiale, i njëjti ka ardhur në​​ përfundim se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se​​ të​​ dyshuarit e evidentuar në​​ kallëzimin penal të​​ 17 marsit 2021​​ ndaj A.K, F.S., V.R., H.S., dhe L.P., manifestohen elementet e veprës penale​​ “Nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore”, të​​ përcaktuar me nenin 425 të​​ KPRK-së. Si rezultat i kësaj, Prokurori Special bazuar në​​ nënparagrafin 1.1 të​​ paragrafit 1 të​​ nenit 82 të​​ Kodit​​ Nr. 04/L-123​​ të​​ Procedurës Penale të​​ Republikës së​​ Kosovës (në​​ tekstin e mëtejmë: KPPRK)​​ hodhi​​ poshtë​​ kallëzimin penal të​​ lartcekur​​ dhe​​ ​​ parashtruesin e kërkesës​​ ​​ e udhëzoi​​ që​​ të​​ drejtat e tij t’i realizojë​​ në​​ procedurat e tjera të​​ parapara me ligj.

 

  • Më​​ 19 korrik 2021, parashtruesi i kërkesës paraqiti përgjigje ndaj Njoftimit [PPS.​​ nr. 44/21] të​​ 21 majit 2021 të​​ PSRK-së, ku theksoi se:​​ “Nga​​ dëshmitë​​ e ofruara me anë​​ të​​ Kallëzimit penal, për saktësinë​​ e të​​ cilave e mbaj përgjegjësinë​​ penale, pamëdyshje konstatohet se Kërkesa-Propozimi për mbrojtjen e ligjshmërisë​​ e ushtruar nga përfaqësuesi im ligjor​​ është​​ ushtrue mbrenda afatit të​​ paraparë​​ ligjor e jo pas skadimit të​​ tij, ashti që​​ mosdija apo neglizhenca ose harresa e bërë​​ nga organi kompetent nuk mund të​​ arsyetohet paraprakisht, pa u verifikuar dhe​​ konstatuar​​ faktet relevante. Për shkak të​​ pamundësisë​​ së​​ ushtrimit të​​ Mjetit të​​ jashtëzakonshëm juridik, tek gjykata​​ kompetente, nuk më​​ është​​ mundësuar vlerësimi i drejtë​​ ligjor – Provës kryesore se kush e jepë​​ të​​ drejtën për përdorimin e Fushës futbollistike e cila ka qenë​​ objekt i ndërtimit, gjegjësisht i padisë​​ për kompenzim dëmi [...]”​​ si dhe kërkoi sërish nga autoritetet kompetente që ta verifikojnë kallëzimin penal dhe të ndërmarrin veprimet ligjore bazuar në provat e​​ prezantuara​​ me anë të shkresave të lëndës.​​ 

 

  • Më 12 gusht 2022, parashtruesi i kërkesës paraqiti kallëzim penal​​ në​​ Zyrën​​ e​​ Kryeprokurorit​​ të​​ Shtetit​​ të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit)​​ ndaj L.P.,​​ Prokurore në Prokurorinë e Shtetit me pretendimin që e njëjta si person zyrtar ka shkelur nenin 425 të KPRK-së, me nxjerrjen e kundërligjshme të​​ Njoftimit, të​​ 23 qershorit 2015, përmes të​​ cilit propozimi i tij për ​​ ​​ inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë​​ ishte i pasafatshëm. Parashtruesi i kërkesës specifikoi se Prokurorja e Shtetit L.P me nxjerrjen e këtij Njoftimi atij i ka​​ shkaktuar dëm në vlerë prej 17,628.00 € (shtatëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e njëzet e tetë euro), dhe​​ i ka​​ pamundësuar përdorimin e mjetit juridik të jashtëzakonshëm​​ juridik.

 

  • Më​​ 22 gusht 2022, Zyra e​​ Kryeprokurorit të​​ Shtetit përmes shkresës [PPN.​​ nr.​​ 251/22] njoftoi parashtruesin e kërkesës së​​ ka pranuar​​ kallëzimin​​ penal të​​ lartcekur​​ dhe se të​​ njëjtin me të​​ gjitha shkresat e lëndës e ka përcjellë​​ në​​ prokurorinë​​ kompetente pasi që​​ e njëjta nuk​​ është​​ kompetente për të​​ marr vendime​​ në​​ rastin konkret ose në​​ raste të​​ ngjashme.

 

  • Më​​ 30 shtator 2022, Prokurori Special M.K.​​ në​​ PSRK, përmes Njoftimit [PPS.​​ nr.​​ 62/2022]​​ njoftoi parashtruesin e kërkesës që​​ përmes​​ Aktvendimit​​ [PPS.​​ nr.​​ 62/2022] të​​ 30 shtatorit 2022, ka hedhur poshtë​​ kallëzimin penal të​​ tij të​​ 12 gushtit 2022 sepse nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm që​​ i dyshuari ka kryer veprën penale si në​​ kallëzim penal e as ndonjë​​ vepër penale tjetër e cila​​ kryhet​​ sipas detyrës zyrtare.​​ 

 

  • Përmes​​ Aktvendimit [PPS.​​ nr.​​ 62/2022] të 30 shtatorit 2022,, Prokurori Special analizoi veprën penale të​​ përfshirë​​ në​​ kallëzim penal, të​​ përcaktuar me nenin 432 (Nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore) të​​ Kodit Nr. 04/L-082 Penal të​​ Republikës së​​ Kosovës (në​​ tekstin e mëtejmë: KPRK paraprak), i cili kod ishte në​​ fuqi në​​ vitin 2015 kur ishte nxjerrë​​ Njoftimi i kontestuar i Prokurorit të​​ Shtetit, si dhe veprat penale të​​ përcaktuara në​​ nenet 422 (Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar) dhe 208 (Cenimi i së​​ drejtës për ushtrimin e mjetit juridik) të​​ po të​​ njëjtit kod, ku për të​​ tri këto vepra konstatoi se kryhen përmes dashjes direkte.​​ 

 

  • Si përfundim, Prokurori Special​​ gjeti se​​ nuk kishte elemente të​​ veprave penale në​​ fjalë​​ dhe se edhe nëse do të​​ kishte, lënda do të​​ ishte përfshirë​​ në​​ parashkrim të​​ ndjekjes penale si pengesë​​ ligjore e cila pamundëson ndërmarrjen e ndjekjes penale. I njëjti po ashtu theksoi se dyshimet e​​ ngjashme​​ ndaj​​ prokurores​​ së​​ njëjtë, L.P. së​​ bashku me disa persona zyrtarë​​ të​​ tjerë,​​ ishin​​ trajtuar edhe në​​ lëndën penale me numër PPS.​​ nr. 44/2021, i cili kallëzim penal ishte hedhur poshtë​​ më​​ 21 maj 2021 për shkak të​​ mungesës së​​ dyshimit për kryerje të​​ veprës penale.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon​​ se përmes​​ Njoftimit [KMLC. nr. 59/15], të 23 qershorit 2015, të Prokurorit të Shtetit dhe Aktvendimit [PPS. nr. 62/2022], të 30 shtatorit 2022, të Prokurorit Special​​ i është​​ shkelur e drejta e garantuar me​​ nenin​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin​​ 6​​ (E drejta për një proces të rregullt)​​ ​​ KEDNJ-së.​​ 

 

  • Përkitazi me Njoftimin [KMLC.​​ nr.​​ 59/15] e 23 qershorit 2015 të​​ Zyrës së​​ Prokurorit të​​ Shtetit, parashtruesi i kërkesës​​ pretendon se Prokurorja e Shtetit, L.P.​​ ia​​ kishte​​ llogaritur​​ gabimisht afatin për parashtrimin propozimit për inicimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, duke e refuzuar propozimin e tij përmes​​ njoftimit në​​ fjalë,​​ ku​​ konstatoi se parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar propozimin në fjalë më 4 maj 2015, ndërsa data e fundit për parashtrimin e tij ishte 29 prill 2015. I njëjti​​ nënvizon​​ se propozimin e tij e kishte parashtruar përmes postës rekomande më 29 prill 2015,​​ prandaj, në këtë kuptim kërkesa e tij nuk​​ ishte​​ e pasafatshme, siç ishte konstatuar në njoftimin në fjalë. ​​ 

 

  • Për më tepër, parashtruesi i kërkesës thekson se:​​ “Me Njoftimin e Prokurorisë së Shtetit të Kosovës – Prokurores​​ [L.P]​​ KMPLC.nr. 59/15 të datës 23/06/2015 jam vënë në pozitë të pabarabartë, duke ma mohuar realizimin e të drejtës që Propozimi për ushtrimin e Kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të iniciohet nga ana e Prokurorisë së Shtetit që Gjykata Supreme e Kosovës të njëjtën ta shqyrton dhe të vendos për shkeljet ligjore të bëra nga ana e Gjykatës Themelore dhe ajo e Apelit të cilat kanë vendosur sipas padisë sime.

 

  • Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës shprehet si në vijim:​​ “Nga dëshmitë e ofruara pamëdyshje konstatohet se më është mohuar e drejta e shqyrtimit objektiv të kërkesës sime si dhe mohimi i pa të drejtë i shqyrtimit të kërkesës si mjet i jashtëzakonshëm juridik nga ana e gjykatës kompetente (Gjykata supreme)”.

 

  • Parashtruesi i kërkesës po ashtu në​​ kërkesën e tij thekson se në​​ pamundësi të​​ ushtrimit të​​ ndonjë​​ mjeti tjetër juridik për realizimin e të​​ drejtave të​​ tij, kishte paraqitur kallëzim penal ndaj disa gjyqtarëve dhe prokurores L.P,​​ të cilët ishin të përfshirë në çështjen e tij,​​ sepse sipas tij të​​ njëjtit:​​ “[...] si persona zyrtare kanë​​ bërë​​ shkeljen e nenit 425 të​​ Kodit Penal të​​ Kosovës me nxjerrjen e kundërligjshme të​​ vendimeve gjyqësore, duke më​​ shkaktuar dëm të​​ precizuar sipas padisë​​ të​​ iniciuar tek Gjykata Themelore në​​ Prishtinë, C.nr.403/12/”,​​ si dhe që​​ kallëzimin penal e kishte përsëritur ndaj prokurores L.P., pasi vetëm për të njëjtën kishte​​ “[...] prova të besueshme për të​​ vërtetuar​​ shkeljen e ligjit [...]”.

 

  • Përkitazi me Aktvendimin [PPS.​​ nr. 62/22] të​​ 30 shtatorit 2022 të​​ PSRK-së,​​ parashtruesi i kërkesës​​ pretendon se:​​ “[...] me Njoftimin e dhënë nga Prokurorja e Shtetit [L.P] KMLC.Nr.59/15 të datës 23.06.2015 dhe me Aktvendimin për hudhjen e kallëzimit penal të Prokurorit special të Prokurorisë së Shtetit, [M.K] PPS.nr. 62/22 të datës 30/09/2022 jam vënë në pozitë të pabarabartë para Gjykatës supreme të Kosovës si dhe tek organi Prokuroria kompetente për inicimin e procedurës hetuese që të dëshmohet se me njoftimin KLMC.nr. 59/15 është bërë shkelja e ligjit e cila shkelje ka ndikuar që të më mohohen të drejtat e mia si para Gjykatës, ashtu edhe tek prokuroria me inicimin e procedurës së fajësisë tek gjykata​​ kompetente​​ për Prokuroren [L.P.]​​ .

 

  • Në fund, parashtruesi i kërkesës​​ kërkon që të vlerësohet kushtetutshmëria e Njoftimit [KMLC.​​ nr. 59/15]​​ ​​ 23 qershorit​​ 2015 të Prokurorit të Shtetit dhe e Aktvendimit [PPS.​​ nr. 62/22] të 30 shtatorit 2022 për hedhjen poshtë të kallëzimit penal të Prokurorit Special pasi që ky i fundit nuk sqaron se cili organ shtetëror mund të vendos për kthimin në gjendjen e mëparshëm të rastin, gjegjësisht, propozimit për inicimit të procedurës për mbrojtjen e ligjshmërisë, e cila sipas tij është ushtruar brenda afatit ligjor. ​​ 

 

Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore​​ 

 

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Neni 31​​ 

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”

 

 

KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT

 

Neni 6

(E drejta për një proces të rregullt)

 

“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.

[...]”

KODI Nr. 04/L-123 I PROCEDURËS PENALE

Neni 82

(Hedhja​​ e kallëzimit penal të policisë)

 

“1. Prokurori i shtetit me aktvendim e hudh kallëzimin penal të pranuar nga policia apo burime tjera brenda tridhjetë (30) ditëve, nëse nga raporti është e qartë se:​​ 

1.1. nuk ekziston dyshim i arsyeshëm se është kryer vepër penale;​​ 

1.2. ka kaluar afati i parashkrimit për ndjekje penale;​​ 

1.3. vepra penale është përfshirë me amnisti ose me falje;​​ 

1.4. i dyshuari gëzon imunitet dhe heqja e tij nuk është e mundur ose nuk është miratuar nga organi kompetent; ose​​ 

1.5. ekzistojnë rrethana të tjera të cilat e përjashtojnë ndjekjen.​​ 

2. Prokurori i shtetit menjëherë një kopje të aktvendimit sipas paragrafit 1. të këtij neni ia dërgon policisë.​​ 

3. Prokurori i shtetit brenda tetë (8) ditësh nga hudhja e kallëzimit njofton të dëmtuarin për hudhjen e kallëzimit dhe arsyet për këtë.

 

 

KODI Nr.​​ 04/L-082​​ PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Neni 208

Cenimi i së drejtës për ushtrimin e mjetit juridik

 

“1. Kushdo që në mënyrë të kundërligjshme pengon personin tjetër që të shfrytëzoj të drejtën e tij për paraqitjen e lutjes, kallëzimit penal, padisë, ankesës, kundërshtimit apo të ndonjë mjeti tjetër juridik, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit. 78 2. Kur vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni kryhet nga personi zyrtar në keqpërdorim të pozitës apo autorizimeve të tij, kryesi dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre (3) vjet.”

 

Neni 422

Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar

 

“1. Personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që seriozisht t’i shkel të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet

[...]”

 

Neni 432

(Nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore)

 

​​ “Gjyqtari i cili me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër ose për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, nxjerr vendim të kundërligjshëm, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.”

 

KODI NR. 06/L-074 PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Neni 425

(Nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore)

 

Gjyqtari i cili me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër ose për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, nxjerr vendim të kundërligjshëm, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.”

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

 

  • Gjykata fillimisht shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata u referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe ​​ Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë se:​​ 

 

“1.​​ Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[...]

7.​​ Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  • Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, i cili përcakton:

 

“4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.”

 

  • Gjykata​​ po ashtu​​ i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale], nenit 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe nenit 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:

 

Neni 47

[Kërkesa individuale]

 

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të këtë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

 

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj  ​​​​ saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.

 

Neni 49

[Afatet]

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor.​​ 

  • Gjykata fillimisht vëren se në pajtim me paragrafin 4 të nenit 21 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të paraqesë ankesë kushtetuese, duke iu referuar shkeljeve të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të tij, të vlefshme për individët dhe personat juridik​​ (shih rastin e Gjykatës Kushtetuese nr.​​ KI41/09, parashtruesi i kërkesës​​ Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C.,​​ Aktvendim për papranueshmëri i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14; dhe​​ KI35/18, me parashtrues​​ “Bayerische Versicherungsverbrand”,​​ Aktgjykim ​​ i 11 dhjetorit 2019, paragrafi 40).

 

  • Gjykata gjithashtu konstaton se​​ parashtruesi i​​ kërkesës është palë e autorizuar,​​ i cili​​ konteston aktet​​ e​​ autoriteteve​​ publike, përkatësisht​​ (i)​​ Njoftimin [KMLC. nr.​​ 59/15]​​ e​​ 23 qershorit 2015 të​​ Zyrës së​​ Prokurorit të Shtetit dhe​​ (ii)​​ Aktvendimin [PPS.​​ nr.​​ 62/2022] e 30 shtatorit 2022 të PSRK-së, pranueshmërinë​​ e të​​ cilave, në​​ vijim​​ do ta vlerësojë​​ ndarazi.​​ Gjykata po ashtu vëren se parashtruesi i kërkesës ka shterur​​ të​​ gjitha​​ mjetet juridike të​​ përcaktuara me ligj.

 

(i)​​ Vlerësimi i pranueshmërisë përkitazi me​​ Njoftimin [KMLC.​​ nr. 59/15] të 23 qershorit 2015 të​​ Zyrës​​ së​​ Prokurorit të Shtetit​​ 

​​ 

  • Gjykata së pari rikujton se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës në mënyrë shprehimore konteston​​ Njoftimin [KMLC. nr. 59/15] të Zyrës së Prokurorit të Shtetit, përmes së cilit​​ parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm].

 

  • Para se të trajtojë pretendimin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata do të​​ shqyrtojë​​ kriterin e afatshmërisë​​ ​​ kërkesës së​​ tij përkitazi me​​ Njoftimin [KMLC.​​ nr.​​ 59/15] e 23 qershorit 2015 të Zyrës së Prokurorit të Shtetit.​​ 

 

  • Fillimisht,​​ Gjykata rikujton që praktika e saj gjyqësore,​​ njeh raste të tjera në të cilat është vlerësuar kushtetutshmëria e njoftimeve të Prokurorit të Shtetit (shih, në këtë aspekt, rastet e Gjykatës ku,​​ inter alia, është vlerësuar kushtetutshmëria e​​ njoftimeve​​ të Prokurorit të Shtetit përmes së cilave​​ nuk është pranuar kërkesa e palëve për ngritje të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë në favor të tyre,​​ KI139/13, parashtruese​​ Zorica Ðokić, Aktvendim për papranueshmëri, i 24 marsit 2014;​​ KI107/14, parashtruese​​ Xufe Rracaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 nëntorit 2014;​​ KI54/14, parashtrues​​ Baton​​ Morina, Aktvendim për papranueshmëri, i 10 gushtit 2015;​​ KI111/16, parashtrues​​ Asllan Zenuni, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 majit 2017;​​ KI51/18, parashtrues​​ Sahit Musa, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 qershorit 2018;​​ KI42/18, parashtruese​​ Asija Muslija, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020; dhe​​ KI201/22, parashtrues​​ Nazmi Uka,​​ Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2023).

​​ 

  • Në​​ këtë​​ drejtim,​​ Gjykata​​ rithekson edhe një herë pretendimin e parashtruesit të kërkesës përkitazi me​​ Njoftimin [KMLC. nr. 59/15] të Zyrës së Prokurorit të Shtetit,​​ se Prokurorja e Shtetit, L.P., ia kishte llogaritur gabimisht afatin për parashtrimin propozimit për inicimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, duke e refuzuar propozimin e tij përmes Njoftimit [KMLC.​​ nr.​​ 59/15] të 23 qershorit 2015, si të pasafatshëm meqë​​ konstatoi se propozimi në​​ fjalë​​ ishte dorëzuar më​​ 4 maj 2015. I njëjti nënvizon se propozimin e tij e kishte parashtruar përmes postës rekomande më 29 prill 2015,​​ prandaj, në këtë kuptim kërkesa e tij nuk ishte e pasafatshme, siç ishte konstatuar në njoftimin në fjalë. ​​ 

 

  • Thënë​​ këtë,​​ Gjykata vlerëson se “vendim i fundit”, në pajtim me nenin 49 të Ligjit, lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për mosllogaritjen e saktë të afatit për inicimin e propozimit për kërkesë të mbrojtjes së ligjshmërisë nga ana e Prokurorit të Shtetit, konsiderohet Njoftimi [KMLC. nr. 59/15], i 23 qershorit 2015, të Prokurorit të Shtetit, përmes të cilit është refuzuar propozimi për kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.​​ 

 

  • Tutje, sa i përket plotësimit të​​ mëtejmë të​​ kriterit të​​ afatshmërisë,​​ Gjykata thekson se sipas nenit​​ 49​​ (Afatet) të Ligjit, kërkesa​​ duhet parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor.​​ Kjo kërkesë është përcaktuar edhe​​ përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 34​​ (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.​​ 

 

  • Duke iu kthyer rrethanave të​​ rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston​​ Njoftimin [KMLC. nr. 59/15] e 23 qershorit 2015 të Zyrës së Prokurorit të Shtetit.​​ Gjykata​​ nga shkresat e lëndës vëren se​​ më​​ 22 shkurt 2022,​​ parashtruesi i kërkesës​​ ka parashtruar kallëzim penal,​​ ndër të​​ tjera,​​ kundër prokurores​​ L.P., e cila​​ e ka nxjerrë​​ njoftimin e lartcekur​​ me pretendimin se e njëjta ka shkelur dispozitat ligjore kur ka refuzuar propozimin e tij për inicimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë,​​ gjë​​ që​​ nënkupton se parashtruesi i kërkesës​​ Njoftimin​​ [KMLC. nr. 59/15] e​​ 23 qershorit 2015 të Zyrës së​​ Prokurorit të Shtetit​​ e ka pranuar para datës së lartcekur, ndërsa kërkesën në Gjykatë e ka dorëzuar më 23 janar 2023.​​ Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.

  • Në rastet kur parashtruesi i kërkesës ka të drejtë që kopja e vendimit të plotfuqishëm të organeve gjyqësore vendase t’i dorëzohet në mënyrë automatike, qëllimit dhe synimit të nenit 49 të Ligjit më së miri do t’i shërbehej nëse afati​​ prej katër muajve​​ llogaritet nga data kur është dorëzuar kopja e atij vendimi (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së,​​ Worm kundër Austrisë, nr. 83/1996/702/894, Aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).

 

  • Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34​​ (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për tu kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI48/21, me parashtrues​​ Xhavit R. Sadrija, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe​​ KI45/21, me parashtrues​​ Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së,​​ Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, Aktgjykim i 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).​​ 

 

  • Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa​​ e parashtruesit përkitazi me​​ Njoftimin [KMLC. nr. 59/15],e 23 qershorit 2015 të​​ Zyrës së​​ Prokurorit të Shtetit​​ nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin​​ 34​​ (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes​​ Njoftimit​​ të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.

​​ 

(ii)​​ Vlerësimi i pranueshmërisë përkitazi me​​ Aktvendimin [PPS.​​ nr.​​ 62/2022] e 30 shtatorit 2022 të PSRK-së

 

  • Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës në mënyrë shprehimore​​ e​​ konteston​​ edhe​​ Aktvendimin [PPS.​​ nr.​​ 62/2022] e 30 shtatorit 2022 të PSRK-së,​​ përmes së cilit parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm].

 

  • Sa i përket kriterit të​​ afatshmërisë, Gjykata​​ rithekson se​​ Aktvendimi i kontestuar i PSRK-së​​ mban datën e 30 shtatorit 2022, ndërsa parashtruesi i kërkesës​​ e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më​​ 23 janar 2023,​​ respektivisht​​ 3 (tre) muaj e 23 (njëzet e tre) ditë​​ pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar​​ brenda​​ afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës.

 

  • Ndërsa, sa i përket kriterit të shterimit të mjeteve juridike, Gjykata​​ i referohet​​ edhe paragrafëve 2 dhe 3 të nenit 82 (Hedhja e kallëzimit penal të policisë) të KPPRK-së, të cilët theksojnë se​​ 2.​​ Prokurori i shtetit menjëherë një kopje të aktvendimit sipas paragrafit 1. të këtij neni ia dërgon policisë”, dhe​​ “3. Prokurori i shtetit brenda tetë (8) ditësh nga​​ hedhja​​ e kallëzimit njofton të dëmtuarin për​​ hedhjen​​ e kallëzimit dhe arsyet për këtë.”, ku nuk përcaktohet se lejohet ankesa ndaj aktvendimit të prokurorit të shtetit për hedhjen e kallëzimit penal. Po ashtu, Gjykata​​ nënvizon këshillën juridike të Aktvendimit të kontestuar të PSRK-së, e cila kishte​​ udhëzuar parashtruesin e kërkesës​​ se: “Ndaj këtij aktvendimi nuk është e lejuar ankesa”.​​ Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës plotëson edhe kriterin e shterimit të mjeteve efektive, të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës.

 

  • Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores se punës. Paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar.​​ Specifikisht, pika d e paragrafit 1 dhe paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcaktojnë që:

 

“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:

[...]

(d) Kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.

[...]

(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.

 

  • Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si​​ “qartazi e pabazuar”​​ në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime​​ “të shkallës së katërt”;​​ (ii) pretendime që kategorizohen me një​​ “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”;​​ (iii) pretendime​​ “të pambështetura apo të paarsyetuara”;​​ dhe në fund, (iv) pretendime​​ “konfuze dhe të paqarta”.​​ Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”​​ të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues​​ Sadik Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues​​ Kujtim Lleshi, Aktvendim për Papranueshmëri i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues,​​ Asllan Meka, Aktvendim për Papranueshmëri i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues​​ Ramiz Hoti, Aktvendim për Papranueshmëri i 21 tetorit 2021).

 

  • Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë​​ esencën​​ e rastit dhe​​ pretendimet​​ e​​ parashtruesit të kërkesës përkitazi me Aktvendimin [PPS.​​ nr.​​ 62/2022] e 30 shtatorit 2022 të PSRK-së​​ për​​ hedhjen​​ e kallëzimit penal kundër Prokurores L.P, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së në harmoni me të​​ cilat, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

 

  • Në​​ këtë​​ aspekt​​ dhe fillimisht, Gjykata rikujton esencën e​​ këtij​​ rasti,​​ i​​ cili​​ ndërlidhet me faktin se parashtruesi i kërkesës parashtroi padi kundër Komunës së Drenasit, përmes së cilës kërkoi shlyerjen e detyrimeve, e cila procedurë​​ përfundoi me Aktgjykimin [Ae.​​ nr.​​ 29/14] të 23 dhjetorit 2014​​ të Gjykatës së Apelit,​​ ku e njëjta​​ e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës.​​ Për pasojë, parashtruesi i kërkesës i është drejtuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me propozim që të paraqes kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit [Ae.​​ nr.​​ 29/14] të 23 dhjetorit 2014 të Gjykatës së Apelit, kërkesë​​ të​​ cilën Prokuroja L.P.,​​ përmes Njoftimit [KMLC. Nr. 59/15] të​​ 23 qershorit 2015,​​ e kishte refuzuar si të​​ pasafatshme.​​ Me pretendimin se​​ prokurorja​​ në​​ fjalë​​ dhe gjyqtarët që​​ kanë​​ zgjidhur rastin e​​ tij kanë kryer veprën penale “Nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore” të përcaktuar me nenin​​ 432​​ të KPRK-së​​ paraprak, më 22 shkurt 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi kallëzim penal ndaj tyre, të cilin kallëzim penal,​​ PSRK-ja​​ e​​ hodhi​​ poshtë më 21 maj 2021.​​ Si rezultat i kësaj, më​​ 12​​ gusht 2022, parashtruesi përsëriti kallëzimin penal​​ vetëm​​ ndaj prokurores L.P., i cili kallëzim penal po ashtu u hodh poshtë nga PSRK më 30​​ shtator 2022, përmes Aktvendimit [PPS.​​ nr.​​ 62/2022]​​ me arsyetimin se​​ nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm që i dyshuari ka kryer veprën penale si në kallëzim penal e as ndonjë vepër penale tjetër e cila​​ ndiqet​​ sipas detyrës zyrtare.​​ ​​ 

 

  • Në​​ lidhje me këtë, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se:​​ “[...] me Njoftimin e dhënë nga Prokurorja e Shtetit [L.P] KMLC.Nr.59/15 të datës 23.06.2015 dhe me Aktvendimin për​​ hedhjen​​ e kallëzimit penal të Prokurorit special të Prokurorisë së Shtetit, [M.K] PPS.nr. 62/22 të datës 30/09/2022 jam vënë në pozitë të pabarabartë para Gjykatës supreme të Kosovës si dhe tek organi Prokuroria kompetente për inicimin e procedurës hetuese që të dëshmohet se me njoftimin KLMC.nr. 59/15 është bërë shkelja e ligjit e cila shkelje ka ndikuar që të më mohohen të drejtat e mia si para Gjykatës, ashtu edhe tek prokuroria me inicimin e procedurës së fajësisë tek gjykata kompetente për Prokuroren [L.P.]​​ .​​ Për më​​ tepër,​​ në​​ këtë​​ kontekst,​​ Gjykata thekson se​​ parashtruesi në​​ kërkesën e tij ka përmendur se​​ në pamundësi të ushtrimit të ndonjë mjeti tjetër juridik për realizimin e të drejtave të tij, kishte paraqitur kallëzim penal ndaj disa gjyqtarëve dhe prokurores L.P, sepse sipas tij të njëjtit:​​ “[...] si persona zyrtare kanë bërë shkeljen e nenit 425 të Kodit Penal të Kosovës me nxjerrjen e kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, duke më shkaktuar dëm të precizuar sipas padisë të iniciuar tek Gjykata Themelore në Prishtinë, C.nr.403/12/”,​​ si dhe që​​ kallëzimin penal e kishte përsëritur ndaj prokurores L.P., pasi vetëm për të njëjtën kishte​​ “[...] prova të besueshme për të​​ vërtetuar​​ shkeljen e ligjit [...]”.

 

  • Megjithatë, Gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij nuk ka specifikuar se si​​ e​​ drejta​​ e tij e garantuar me nenin 31 të​​ Kushtetutës​​ është​​ shkelur në rastin e tij dhe as nuk ofron ndonjë arsyetim përkatës lidhur me shkeljen e​​ tij.​​ Më​​ saktësisht, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk ka elaboruar fare se si Aktvendimi i kontestuar i PSRK-së për hedhjen e kallëzimit penal ndaj prokurores L.P.​​ shkel të​​ drejtën e tij të​​ lartcekur.

 

  • Për më tepër, Gjykata i referohet​​ edhe paragrafit 1 të​​ nenit 82 (Hedhja​​ e kallëzimit penal të policisë) të​​ KPPRK-së, i​​ cili përcakton specifikisht kriteret bazuar në të cilat​​ Prokurori i shtetit me aktvendim e hedh kallëzimin penal të pranuar nga policia apo burime tjera brenda tridhjetë (30) ditëve. Në rrethanat e rastit konkret,​​ Gjykata rikujton arsyetimin e Aktvendimit të​​ kontestuar të​​ PSRK-së​​ për​​ hedhjen​​ e kallëzimit penal, ku u konstatua se​​ (i)​​ nuk kishte elemente të veprave penale dhe se edhe nëse do të kishte,​​ (ii)​​ lënda do të ishte përfshirë në parashkrim të ndjekjes penale si pengesë ligjore e cila pamundëson ndërmarrjen e ndjekjes penale, si dhe që​​ (iii)​​ dyshimet e ngjashme ndaj prokurores së njëjtë, L.P.,​​ së bashku me disa persona zyrtarë të tjerë, ishin trajtuar edhe në një​​ lëndë penale tjetër, i cili kallëzim penal ishte hedhur poshtë më 21 maj 2021 për shkak të mungesës së dyshimit për kryerje të veprës penale. Rrjedhimisht,​​ Gjykata konstaton se Aktvendimi i kontestuar i PSRK-së përmban arsyetim të mjaftueshëm në lidhje me përmbushjen e kritereve​​ për hedhjen e kallëzimit penal.

 

  • Gjykata, në këtë kontekst thekson se, duke u bazuar në nenin 48 të Ligjit dhe paragrafin (1) (d) dhe (2)​​ të rregullit 34​​ të Rregullores së punës dhe praktikën e saj gjyqësore, ajo​​ vazhdimisht​​ ka theksuar se: (i)​​ palët kanë detyrim që të qartësojnë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqesin faktet dhe pretendimet; dhe gjithashtu (ii) të dëshmojnë dhe në mënyrë të mjaftueshme të mbështesin pretendimet e tyre për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese (shih rastet e Gjykatës KI163/18, parashtrues​​ Kujtim Lleshi, i cituar më lart, paragrafi 85, dhe​​ KI124/20,​​ parashtrues​​ Muhamed​​ Ali Ceysűlmedine, Aktvendim për Papranueshmëri i 20 janarit 2021, paragrafi 42).​​ 

 

  • Gjykata gjithashtu rikujton se ajo po ashtu vazhdimisht ka theksuar se vetëm përmendja e një neni të Kushtetutës, pa arsyetim të qartë dhe adekuat se si është shkelur ajo e drejtë, nuk mjafton si​​ argument​​ për të aktivizuar makinerinë e mbrojtjes që ofron Kushtetuta dhe Gjykata, si institucion që përkujdeset për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut (shih, në këtë kontest, rastet e Gjykatës,​​ KI02/18,​​ parashtrues​​ Qeveria e Republikës së Kosovës [Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor], Aktvendim për papranueshmëri i 20 qershorit 2019, paragrafin 36; dhe​​ KI95/19, parashtrues​​ Ruzhdi Bejta,​​ Aktvendim për papranueshmëri i 8 tetorit 2019, paragrafët 30-31).

 

  • Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të​​ nenit 31​​ të Kushtetutës, pa arsyetuar dhe mbështetur​​ shkeljen e të njëjtave përmes​​ Aktvendimit të​​ kontestuar të​​ PSRK-së.

 

  • Prandaj, pretendimi​​ i​​ parashtruesit të kërkesës për shkelje të​​ nenit 31​​ të Kushtetutës​​ përkitazi me Aktvendimin [PPS.​​ nr.​​ 62/2022] e 30 shtatorit 2022 të PSRK-së​​ është​​ “i pambështetur​​ apo paarsyetuar”, dhe rrjedhimisht,​​ i​​ papranueshëm si qartazi​​ i​​ pabazuar​​ në bazë kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe​​ rregullin 34​​ (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.

 

Përfundim

 

  • Prandaj dhe përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme:​​ 

 

  • Përkitazi me pretendimet e​​ tij​​ në​​ lidhje​​ me​​ Njoftimin [KMLC.​​ nr. 59/15]​​ e​​ 23 qershorit 2015 të​​ Zyrës​​ së Prokurorit të Shtetit​​ si​​ e pasafatshme, sipas kriterit të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës;

 

  • Përkitazi me​​ pretendimin​​ e parashtruesit të kërkesës në lidhje​​ me Aktvendimin [PPS.​​ nr.​​ 62/2022] e 30 shtatorit 2022 të PSRK-së​​ si​​ qartazi​​ e​​ pabazuar​​ në kategorinë e​​ pretendimit​​ “të pambështetur​​ apo paarsyetuar”,​​ ashtu siç është përcaktuar me rregullin 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së Punës.

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata​​ Kushtetuese, në pajtim me nenet 21 (4) dhe 113 (1) dhe (7)​​ dhe 116 (2)​​ të Kushtetutës, në nenet 20, 47,​​ 48​​ dhe 49​​ të Ligjit dhe në pajtim me​​ rregullat 34 (1) (c) dhe (d) dhe (2) si dhe 48 (1) (b)​​ të Rregullores së punës, më​​ 31​​ janar​​ 2024,​​ njëzëri:

 

VENDOS

 

  • TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  • T’UA KUMTOJË​​ këtë aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare​​ të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit; dhe

 

  • TË KONSTATOJË që ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.​​ 

 

 

 

 

 

Gjyqtare​​ raportuese    ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

 

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi   ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Gresa Caka-Nimani​​ 

 

1

Parashtruesit:

NPN “FERDA”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit , Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile