Prishtinë, më 22 korrik 2024
Nr. Ref.:RK 2475/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI152/23
Parashtrues
Burim Zherka
Vlerësim i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës në lëndën CN. nr. 30/23 në Gjykatën Themelore në Gjakovë
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar.
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Burim Zherka nga Gjakova (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës nuk konteston ndonjë akt konkret të autoriteteve publike, por konteston kohëzgjatjen e procedurës përkitazi me gjykimin e lëndës fillimisht të iniciuar në Gjykatën Komunale në Gjakovë më 18 shkurt 1994 (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Komunale), dhe lëndën [CN.nr.30/23] të regjistruar më 30 mars 2023, në Gjykatën Themelore në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës që ndërlidhet me kërkesëpadinë e tij, e cila është duke u shqyrtuar në Gjykatën Themelore, për të cilën parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 8 korrik 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij përmes postës, të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e pranoi më 11 korrik 2023.
Më 13 korrik 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI152/23] e caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci gjyqtare raportuese. Po të njëjtën ditë, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. KSH. KI152/23] e caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 24 korrik 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtit i kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë dokumentet dhe informatat si në vijim: (i) formularin zyrtar të kërkesës së tij të plotësuar; (ii) kopjen e kërkesëpadisë të tij të parashtruar pranë Gjykatës kompetente; (iii) numrin e dosjes së lëndës të regjistruar pranë Gjykatës kompetente, pranë së cilës kërkesëpadia e tij është duke u shqyrtuar; (iv) kopjet e urgjencave të dorëzuara në Gjykatën kompetente; si dhe (v) kopjet e të gjitha parashtresave të tij përgjatë zhvillimit të procedurës pranë autoriteteve publike dhe gjykatave respektive.
Më 3 gusht 2023, parashtruesi i kërkesës në përgjigjen ndaj kërkesës së Gjykatës dorëzoi si në vijim: (i) formularin e kërkesës në të cilin specifikoi se numri i lëndës së regjistruar në Gjykatën Komunale në Gjakovë ka qenë [V.nr.202/94], ndërsa tani lënda në Gjykatën Themelore në Gjakovë mbanë numrin [2023:078788]; (ii) kopjen e inicimit të procedurës së çështjes jokontestimore të 18 shkurtit 1994; (iii) kërkesën për procedimin e çështjes jokontestimore të 6 marsit 2023, të dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dhe (iv) parashtresën “lutje-urgjencë e II-të” e 29 qershorit 2023, të dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil.
Më 5 tetor 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore përkitazi me kërkesën e parashtruesit të kërkesës dhe të njëjtës i kërkoi informatat përkitazi me çështjet si në vijim: (i) nga cila datë është regjistruar kërkesëpadia e parashtruesit në Gjykatën Themelore në Gjakovë; dhe (ii) në cilën fazë të procedurës gjendet shqyrtimi i kërkesëpadisë së tij.
Më 10 tetor 2023, Gjykata pranoi përgjigjen e kërkuar nga Gjykata Themelore.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 25 qershor 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri/ i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Bazuar në informatat dhe pohimet e parashtruesit në shkresat e lëndës, të paraqitura nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatë, rezulton se më 24 maj 1991 “Shoqëria Aksionare për Qarkullim të Udhëtarëve Djakovica-Prevoz”, përmes Vendimit [nr. 254] parashtruesit të kërkesës, në cilësinë e punonjësit të tij, ia kishte caktuar për shfrytëzim banesën në Gjakovë.
Me 3 maj 1993, parashtruesi i kërkesës, si propozues dhe bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Banimin [Gazeta Zyrtare e RS 50/92, i plotësuar dhe ndryshuar më 76/92], pranë Ndërmarrjes Shoqërore “Kosovatrans” në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: NSH “Kosovatrans”) paraqiti kërkesë për blerje të kësaj banese.
Nga shkresat e lëndës rezulton se NSH-së “Kosovatrans” parashtruesit të kërkesës nuk ia kishte aprovuar kërkesën për blerje të banesës.
Me 18 shkurt 1994, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Komunale në Gjakovë, inicioi procedurë jokontestimore kundër “Shoqërisë Aksionare për Qarkullim të Udhëtarëve” në Gjakovë për blerje të banesës. Lënda në këtë Gjykatë ishte regjistruar me numër [V. nr. 202/94].
Më 5 mars 1999, Gjykata Komunale mbajti seancën e fundit në këtë çështje, në të cilën ishte caktuar eksperti për llogaritjen e çmimit të banesave. Në po të njëjtën seancë (i) ishte vendosur që seanca e radhës të mbahej më 25 mars 1999 dhe (ii) parashtruesi i kërkesës ishte obliguar që të dorëzonte dokumentacion shtesë.
Parashtruesi i kërkesës në Gjykatë, nuk ka paraqitur asnjë provë apo dokumentacion përkatës në lidhje me procedurën e zhvilluar apo veprimet e tija në lidhje me procedurën e lartcekur jokontestimore.
Bazuar në parashtresat e dorëzuara në Gjykatë, rezulton që më 6 mars 2023, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore paraqiti kërkesë për procedimin e çështjes jokontestimore me numër të dosjes [V. nr. 202/94], e cila paraprakisht ishte regjistruar në Gjykatën Komunale. Përmes kërkesës së tij, parashtruesi kërkoi veprim të Gjykatës në këtë çështje juridike jokontestimore.
Me 29 qershor 2023, parashtruesi i kërkesës paraqiti “urgjencë” në Gjykatën Themelore, përmes të cilës specifikoi se janë plotësuar kushtet procedurale për caktimin e seancës gjyqësore, dhe “duke pasur parasysh që kjo çështje është iniciuar që nga viti 1994 dhe gjykata duhet të ndërmerrë veprime në këtë çështje”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pretendon shkelje të nenit 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] e garantuar me Kushtetutën, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i kohëzgjatjes së procedurës, rasti i të cilit është në shqyrtim para Gjykatës Themelore. Thënë këtë, thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me pretendimin e tij për mosveprim të Gjykatës Themelore, për zgjidhje të çështjes së tij që ndërlidhet me shitblerjen e banesës, që ai e kishte marrë në shfrytëzim/përdorim gjatë viteve të 90-ta.
Më specifikisht, parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pretendon tejzgjatje të procedurës përkitazi me propozimin e tij të parashtruar në Gjykatën Komunale më 18 shkurt 1994 për blerje të banesës. Tutje, i njëjti specifikon se: “që nga ajo kohë Gjykata nuk ka marrë asnjë veprim lidhur me propozimin e tij [...]”.
Parashtruesi i kërkesës thekson se: “Është shkelur e drejta për qasje në drejtësi për shkak të mosveprimit të Gjykatës për pothuajse 30 vite. Ky veprim është diskriminim, kam paraqitur urgjencë përmes avokatit por gjykimi nuk më caktohet. Nuk më zgjidhet çështja fundamantale dhe ekzistenciale. [...]”
Përgjigja e Gjykatës Themelore, dorëzuar në Gjykatë më 10 tetor 2023
Ashtu siç është cekur më lart, më 10 tetor 2023, Gjykata Themelore dorëzoi përgjigjen ndaj kërkesës së Gjykatës të 5 tetorit 2023.
Gjykata Themelore njoftoi Gjykatën si në vijim:
“Në këtë gjykatë me datën 18.02.1994 është iniciuar procedura jokontestimore sipas propozimit të propozuesit Burim Zherka, nga Gjakova, përfaqësuar nga avokat [T.B.], ndaj kundër kundërpropozueses “Shoqerisë Aksionar për Qarkullim të Udhëtareve” në Gjakovë, si pasardhës juridik i D.P. "Kosovatrans” në çështjen “Blerje e banesës”. Me datën 05.03.1999 ne ish Gjykatën Komunale në Gjakovë, është mbajtur seanca e fundit në këtë çështje, në të cilën është caktuar ekspert për Llogaritjen e çmimit të banesave dhe është caktuar seanca me datën 25.03.1999 dhe njëherit është obliguar propozuesi në dorëzimin e disa shkresave të lëndës. Vlen të ceket se ky është procesverbali i fundit i mbajtur në këtë gjykatë. Me datën 06.03.2023 i autorizuari i propozuesit ka paraqitur kërkesë për procedimin e kësaj çështje jokontestimore. Unë si gjyqtare e çështjes, në zyrën time e kam pranuar këtë dosje me datën 30.03.2023, e cila tani ka marr numër të lëndës CN.nr. 30/23. Deri në kërkesën për procedim, kjo dosje ka qenë në Arkivin e kësaj gjykate”.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për gjykim të drejtë)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm [...].”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata fillimisht shqyrton nëse parashtruesi i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata iu referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë se:
Nenit 113
[Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“(1) Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
(7) Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjykata, më tej, i referohet neneve 47 [Kërkesat individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.
Neni 49
[Afatet]
Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor.[...]
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar dhe se konteston tejzgjatjen e procedurës përkitazi me gjykimin e lëndës [CN. nr. 30/23].
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon tejzgjatje të procedurës përkitazi me propozimin e iniciuar në vitin 1994 në kuadër të procedurës jokontestimore në Gjykatën Komunale. Në bazë të informacionit të dhënë nga Gjykata Komunale rezulton se në vitin 1999, Gjykata Komunale kishte mbajtur seancën e fundit për këtë çështje, në të cilën ishte caktuar eksperti për llogaritjen e çmimit të banesave, më pas ishte caktuar një seancë tjetër po në të njëjtin vit, ku njëherit ishte obliguar propozuesi në këtë rast, parashtruesi i kërkesës për dorëzimin e disa shkresave të lëndës. Megjithatë, bazuar në shkresat e dorëzuara nga parashtruesi i kërkesës dhe informatës së pranuar nga Gjykata Themelore që nga mbajtja e seancës së fundit më 05.03.1999 rezulton që përfaqësuesi ligjor i parashtruesit të kërkesës, për herë të parë lidhur me rastin, më 06.03.2023, kishte paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për procedimin e kësaj çështje. Në vijim të kësaj dhe bazuar në informatën e dorëzuar nga Gjykata Themelore, rezulton se çështja ishte riaktivizuar nga parashtruesi i kërkesës në mars të vitit 2023, me një kërkesë për procedimin e çështjes. Si rezultat i kësaj, gjyqtares respektive në Gjykatën Themelore rasti i ishte caktuar më 30 mars 2023, i regjistruar me numër të lëndës [CN. nr. 30/23].
Gjykata rikujton se në muajin qershor të vitit 2023, parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar Gjykatës Themelore me një “urgjencë” duke kërkuar nga e njëjta që të veprojë në lidhje me këtë çështje.
Në kërkesën e tij në Gjykatë, parashtruesi i kërkesës specifikon se atij i është shkelur e drejta e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si rezultat i tejzgjatjes së procedurës që ndërlidhet me kërkesën e tij për blerje të banesës, të iniciuar në vitin 1994.
Në kontekst të kritereve kushtetuese dhe ligjore për (i) shterimin e mjeteve juridike, e përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe nenin 47 të Ligjit; dhe (ii) dorëzimin e kërkesës në afatin e përcaktuar me nenin 49 të Ligjit, Gjykata rikujton se lënda [CN. nr. 30/23] është ende duke u shqyrtuar nga gjykata e shkallës së parë, dhe se parashtruesi i kërkesës nuk konteston ndonjë akt konkret të autoriteteve publike por kohëzgjatjen e procedurës përkitazi me gjykimin e lëndës së tij.
Përderisa, përkitazi me pretendimin e tij për moszgjidhje të rastit të tij brenda afatit të arsyeshëm kohor, të garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, Gjykata më tej konstaton se parashtruesi i kërkesës ka saktësuar kërkesën e tij ashtu siç kërkohet me nenin 48 të Ligjit.
Në lidhje me të lartcekurat, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pas vitit 1999, deri më 6 mars 2023 në Gjykatë nuk ka paraqitur asnjë parashtresë për të dëshmuar nëse ka ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me kërkesën e tij për blerje të banesës, të iniciuar përmes propozimit të tij në Gjykatën Komunale në vitin 1994. Gjithsesi, Gjykata vë në dukje, se po të ishte edhe ky rasti, veprimet procedurale të një parashtruesi të kërkesës në Gjykatë nga viti 1999 deri më 15 qershor 2008 janë ratione temporis të papajtueshme me Kushtetutën ashtu siç është përcaktuar me rregullin 34 (3) (d) të Rregullores së punës dhe të specifikuar edhe më tej përmes praktikës së saj gjyqësore që përfshin por nuk kufizohet në rastet KI47/14, me parashtrues Mustaf Zejnullahu, Aktvendim për papranueshmëri i 11 gushtit 2014, paragrafi 25, KI54/14, me parashtrues Hamdi Ademi, Aktvendim për papranueshmëri i 30 qershorit 2014, paragrafi 21; dhe KI62/19, Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 13 nëntorit, paragrafi 44).
Rrjedhimisht, Gjykata në vijim do të shqyrtojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës për tejzgjatjetë procedurës që ndërlidhen me periudhën kohore nga 15 qershori 2008 deri në parashtrimin e kërkesës së tij në Gjykatë, më 8 korrik 2023.
Gjykata në vijim do të shqyrtoje pretendimin e parashtruesit për tejzgjatje të procedurës të zhvilluar dhe do ta trajtojë nga këndvështrimi i të drejtave të garantuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, duke aplikuar edhe parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ, në të cilin rast Gjykata në pajtim me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës është e obliguar që “Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Në vijim të kësaj, Gjykata do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriterin e përcaktuar me paragrafin 2 të rregullit 34 [Kriteret e Pranueshmërisë] të Rregullores së punës, i cili përcakton që:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për papranueshmëri i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për papranueshmëri i 21 tetorit 2021).
Në lidhje me të drejtën për nxjerrjen e vendimeve brenda afatit të arsyeshëm kohor, Gjykata i referohet paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës dhe paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, të cilët përcaktojnë që:
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“[...]
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet [...] brenda një afati të arsyeshëm [...]”.
Neni 6
(E drejta për gjykim të drejtë)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm …”.
Përkitazi me shkeljen e të drejtës kushtetuese lidhur me gjykimin e rasteve brenda afatit të arsyeshëm kohor, të garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata fillimisht thekson se ajo tashmë ka një praktikë gjyqësore, e cila është ndërtuar duke u bazuar në parimet e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së (përfshirë, por duke mos u kufizuar, në rastet e GJEDNJ-së, Erkner dhe Hofauer kundër Austrisë, nr. 9616/81, Aktgjykim i 23 prillit 1987; Eckle kundër Republikës Federale të Gjermanisë, nr. 8130/78, Aktgjykim i 15 korrikut 1982, Mikulić kundër Kroacisë, nr. 53176/99, Aktgjykim i 7 shkurtit 2002; Frydlender kundër Francës, nr. 30979/96, Aktgjykim i 27 qershorit 2000; Katte Klitsche de la Grange kundër Italisë, nr. 21/1993/416/495, Aktgjykim i 19 shtatorit 1994; H. kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 9580/81, Aktgjykim i 7 shkurtit 2002; Luli dhe të tjerët kundër Shqipërisë, nr. 64480/09, 64482/09, 12874/10, 56935/10, 3129/12, Aktgjykim i 1 prillit 2014; Abdoella kundër Holandës, nr. 12728/87, Aktgjykim i 25 nëntorit 1992, paragrafi 24; Bock kundër Gjermanisë, nr. 11118/84, Aktgjykim i 21 shkurtit 1989, paragrafi 49; Laino kundër Italisë, nr. 33158/96, Aktgjykim i 18 shkurtit 1999; Vocaturo kundër Italisë, nr. 11891/85, Aktgjykim, i 24 majit 1991; X kundër Francës, nr. 18020/91, Aktgjykim i 31 marsit 1992). Thënë këtë, rastet e Gjykatës përmes të cilave Gjykata ka afirmuar parimet e vendosura nga GJENDJ dhe të njëjtat i ka aplikuar edhe në rastet për shqyrtim para saj, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet e Gjykatës: KI07/15, parashtrues Shefki Zogiani, Aktvendim për papranueshmëri i 23 shtatorit 2016; KI23/16, parashtrues Qazim Bytyqi dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 5 majit 2017,; KI18/18, parashtrues Isuf Musliu, Aktvendim për papranueshmëri i 11 qershorit 2018; KI13/19, parashtrues Fevzi Hajdari, Aktvendim për papranueshmëri i 10 qershorit 2019; KI177/19, parashtrues NNT “Sokoli”, Aktgjykim i 16 prillit 2019; KI135/20, parashtruese Hava Behxheti, Aktvendim për papranueshmëri i 10 dhjetorit 2020; KI104/20, parashtrues Ejup Koci, Aktvendim për papranueshmëri i 22 marsit 2021; KI183/21, parashtrues Ejup Koci, Aktvendim për papranueshmëri i 30 marsit 2022; KI03/22, parashtrues EPS “Trgovina”, Aktvendim për papranueshmëri i 29 shtatorit 2022; KI19/21, parashtrues Sadik Pllana, Aktgjykim i 11 gushtit 2022; KI09/21, parashtrues Dragan Mihajloviq, Aktgjykim i 2 shkurtit 2023, KI02/22, parashtrues “Elektrosever” sh.p.k., Aktvendim për papranueshmëri i 12 prillit 2022.
Rrjedhimisht, në pajtim me parimet dhe kriteret e vendosura përmes kësaj praktike gjyqësore, gjatë shqyrtimit të pretendimit të parashtruesit të kërkesës, Gjykata do të marrë parasysh: (i) vërtetimin e periudhës së kohëzgjatjes të procedurës në tërësi në gjykatën kompetente, përkatësisht Gjykatën Themelore; (ii) parimet relevante në lidhje me kohëzgjatjen e procedurave; dhe (iii) arsyeshmërinë e kohëzgjatjes së procedurave në Gjykatën Themelore.
(i) Periudha që do të merret parasysh
Gjykata, duke iu referuar praktikës gjyqësore të GJEDNJ-se dhe praktikës së saj, ka vlerësuar se përllogaritja e shtrirjes në kohë të procedurave fillon në momentin kur gjykata kompetente vihet në lëvizje me kërkesë të palëve për vendosjen e një të drejte apo interesi legjitim të pretenduar (shih rastet e GJEDNJ-së, Erkner dhe Hofauer kundër Austrisë, nr. 9616/81, Aktgjykim i 23 prillit 1987, paragrafi 64; Poiss kundër Austrisë, nr. 9816/82, Aktgjykim i 23 prillit 1987, paragrafi 50). Ky proces konsiderohet i përfunduar me nxjerrjen e një vendimi gjyqësor përfundimtar nga një instancë kompetente gjyqësore e fundit (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI177/19, parashtrues NNT “Sokoli”, cituar më lart, paragrafi 98; dhe KI183/21, parashtrues Ejup Koci, cituar më lart, paragrafi 74).
Bazuar në dokumentacionin e dorëzuar në Gjykatë, kjo e fundit vëren se kohëzgjatja e procedurës pranë Gjykatës Themelore përkitazi me shqyrtimin e lëndës [CN.nr. 30/2023] të parashtruesit të kërkesës e regjistruar në këtë Gjykatë më 8 korrik 2023, përfshin kohëzgjatjen prej katër (4) muajve e tri (3) ditëve.
(ii) Parimet relevante
Gjykata para se gjithash thekson se, sipas praktikës gjyqësore të konsoliduar të GJEDNJ-së, e cila është reflektuar edhe në praktikën e deritanishme gjyqësore të Gjykatës, arsyeshmëria e kohëzgjatjes së procedurës duhet të vlerësohet në dritën e rrethanave të rastit, duke marrë parasysh kriteret e vendosura nga praktika gjyqësore e GJEDNJ-së, përkatësisht kriteret që i referohen: (a) ndërlikueshmërisë së rastit; (b) sjelljes së palëve në procedurë; (c) sjelljes së gjykatës kompetente ose autoriteteve të tjera publike; si dhe (d) rëndësisë së asaj çfarë është në rrezik për parashtruesin në kontest (shih rastet e GJEDNJ-së, Mikulić kundër Kroacisë, cituar më lart, paragrafi 38; Frydlender kundër Francës, cituar më lart, paragrafi 41; dhe Sürmeli kundër Gjermanisë, nr. 75529/01, Aktgjykim i 8 qershorit 2006, paragrafi 128; shih gjithashtu rastet e Gjykatës, KI07/15, parashtrues Shefki Zogiani, cituar më lart, paragrafët 53-62; KI23/16, parashtrues Qazim Bytyqi dhe të tjerët, cituar më lart, paragrafi 58; KI18/18, parashtrues Isuf Musliu, cituar më lart, paragrafi 43; KI13/19, parashtrues Fevzi Hajdari, cituar më lart, paragrafët 65-72; KI177/19, parashtrues NNT “Sokoli”, cituar më lart, paragrafët 96-106; KI104/20, parashtrues Ejup Koci, cituar më lart, paragrafi 46; KI135/20, parashtruese Hava Behxheti, cituar më lart, paragrafët 39-54 dhe KI183/21, parashtrues Ejup Koci, cituar më lart, paragrafi 85, KI03/22, parashtrues EPS “Trgovina”, cituar më lart, paragrafi 54; KI19/21, parashtrues Sadik Pllana, cituar më lart, paragrafi 85; dhe KI09/21, parashtrues Dragan Mihajloviq, cituar më lart, paragrafi 54).
(iii) Analiza e arsyeshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës
Ashtu siç është elaboruar edhe më sipër, Gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës e kishte riaktivizuar kërkesën e tij më 6 mars 2023 në Gjykatën Themelore, e cila lëndë më 30 mars 2023 kishte marrë numër të ri të lëndës [CN. nr. 30/23]. Pas këtij veprimi, më 29 qershor 2023, parashtruesi i kërkesës parashtroi edhe një parashtresë “urgjencë” në Gjykatën Themelore përmes së cilës kishte kërkuar që gjykata të ndërmerr veprime për zgjidhjen e çështjes së tij.
Në vijim të kësaj, për të konstatuar nëse kohëzgjatja e procedurës ka qenë e arsyeshme, Gjykata duhet të marrë parasysh faktorët si në vijim: (a) ndërlikueshmërinë e rastit; (b) sjelljen e parashtruesit të kërkesës; (c) sjelljen e autoriteteve relevante gjyqësore; dhe (d) rëndësinë e asaj çfarë është në rrezik për parashtruesin e kërkesës në kontest, duke marrë për bazë kohëzgjatjen e procedurës nga momenti i regjistrimit të kërkesës së tij në Gjykatën Themelore më 6 mars 2023 me numër të lëndës [CN. nr. 30/23] deri në parashtrimin e kërkesës së tij në Gjykatë më 8 korrik 2023, që përfshin periudhën prej katër (4) muajve e tri (3) ditëve.
Ndërlikueshmëria e rastit
Përkitazi me ndërlikueshmërinë e rastit, Gjykata i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe asaj të Gjykatës përmes të cilave ishte theksuar se ndërlikueshmëria e rastit mund të ndërlidhet me çështje të faktit dhe të ligjit por gjithashtu mund të ndërlidhet edhe me përfshirjen e disa palëve në procedurë apo me një numër të caktuar provash që duhet trajtuar para gjykatave të rregullta (shih, mutatis mutandis, rastet e GJEDNJ-së, Katte Klitsche de la Grange kundër Italisë, cituar më lart, paragrafi 55; H. kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar më lart, paragrafi 72; Humen kundër Polonisë, nr. 26614/95, Aktgjykim i 15 tetorit 1999, paragrafi 63; shih rastet e Gjykatës, KI18/18, parashtrues Isuf Musliu, cituar më lart, paragrafi 45; dhe KI183/21, parashtrues Ejup Koci, cituar më lart, paragrafi 83).
Në rastin konkret, Gjykata vëren se rasti i parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me çështje jokontestimore, ku parashtruesi i kërkesës përmes kërkesës së iniciuar në Gjykatën Komunale ka propozuar që vendimi për përdorim të banesës, të zëvendësohet me vendim për blerje të banesës.
Sjellja e parashtruesit të kërkesës
Gjykata konsideron se sjellja e parashtruesve përbën një fakt objektiv që nuk mund t’u atribuohet gjykatave dhe që duhet marrë parasysh në konstatimin, nëse procedurat vazhduan më gjatë se sa afati i arsyeshëm kohor, i garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës, KI07/15, parashtrues Shefki Zogiani, cituar më lart, paragrafi 55; KI03/22, me parashtrues EPS “Trgovina”, cituar më lart, paragrafi 59; KI183/21 me parashtrues Ejup Koci, cituar më lart, paragrafi 86; dhe rastet e GJEDNJ-së, McFarlane kundër Irlandës, nr. 31333/06, Aktgjykim i 10 shtatorit 2010, paragrafin 148; Eckle kundër Gjermanisë, nr. 8130/78, Aktgjykim i 15 korrikut 1982, paragrafi 82).
Lidhur me sjelljen e parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës është aktivizuar sërish me rastin e dorëzimit të kërkesës së tij në Gjykatën Themelore më 6 mars 2023, si rezultat i të cilës kjo gjykatë kërkesën e tij e kishte regjistruar më 30 mars 2023 me numër [CN.nr.30/23]. Pasi që Gjykata Themelore kishte regjistruar kërkesën e tij, parashtruesi i kërkesës në të njëjtën gjykatë më 29 qershor 2023 kishte paraqitur një “urgjencë”, përmes të cilës, ndër të tjera, kishte specifikuar se: “[...] Duke pas parasysh që kjo çështje është iniciuar që nga viti 1994, ku propozuesi ka parashtruar propozimin për nxjerrjen e Aktvendimit me të cilin zëvendësohet Kontrata për blerje të banesës, dhe që nga ajo kohë janë plotësuar të gjitha kushtet që Gjykata të ndërmarrë veprime në këtë çështje [...]”.
Prandaj, duke u bazuar në veprimet e lartcekura të parashtruesit të kërkesës, që rifillimin e procedurës jokontestimore e kishte bërë përmes kërkesës së 6 marsit 2023, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës kërkesën e tij për ri-inicimin e procedurës formalisht e kishte dorëzuar më 6 mars 2023.
Sjellja e autoriteteve relevante gjyqësore
Gjykata fillimisht vë në dukje qëndrimin parimor të GJEDNJ-së se paragrafi 1 i nenit 6 të KEDNJ-së kërkon nga shtetet kontraktuese që të organizojnë sistemet e tyre ligjore, në mënyrë të atillë që autoritetet kompetente të përmbushin kërkesat e nenit në fjalë, duke përfshirë edhe detyrimin për të shqyrtuar çështjet brenda një afati të arsyeshëm kohor (shih rastet e GJEDNJ-së, Luli dhe të tjerët kundër Shqipërisë, nr. 64480/09 64482/09, 12874/10, 56935/10, 3129/12, Aktgjykim i 1 prillit 2014, paragrafi 91; Abdoella kundër Holandës, nr. 12728/87, Aktgjykim i 25 nëntorit 1992, paragrafi 24, Mishgjoni kundër Shqipërisë, nr. 18381/05, Aktgjykim, i 7 dhjetorit 2010; shih gjithashtu rastet e Gjykatës, KI03/22, me parashtrues EPS “Trgovina”, cituar më lart, paragrafi 63; KI183/21 me parashtrues Ejup Koci, cituar më lart, paragrafi 97; KI202/22 me parashtrues NP “Elektroprivreda Srbije” Aktvendim për papranueshmëri i 14 marsit 2024;.
Në vijim të kësaj, bazuar në shkresat e lëndës dhe në dritën e rrethanave të rastit, Gjykata vëren se Gjykata Themelore që nga momenti i vënies në lëvizje të parashtruesit të kërkesës, përmes “kërkesës” së tij të 6 marsit 2023 për procedimin e çështjes, të njëjtën e kishte regjistruar në Gjykatë me numër të ri [CN.nr.30/23] dhe për këtë çështje kishte caktuar edhe gjyqtaren e rastit.
Rrjedhimisht, në këtë aspekt Gjykata Themelore, nga data e regjistrimit të kërkesës, më 6 mars 2023 nuk ka shkaktuar tejzgjatje të paarsyeshme të procedurës. Për më tepër, Gjykata pas elaborimit të legjislacionit përkatës në fuqi, vëren se ky i fundit nuk vendos një detyrim specifik për gjykatat e rregullta që dosjet e lëndës apo propozimet e iniciuara gjatë viteve të 90’ta t’i riaktivizojë sipas detyrës zyrtare.
Rëndësia e asaj çfarë është në rrezik për parashtruesin në kontest
Lidhur me kriterin e asaj çfarë është në rrezik për parashtruesin në kontest, Gjykata i referohet praktikës gjyqësore të vet Gjykatës e cila bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, sqaron se një kategori e rasteve kërkon zgjidhje të veçantë ekspeditive, shih rastet e Gjykatës, KI202/22, me parashtrues NP “Elektroprivreda Srbije” cituar më lart, paragrafi 78-79; KI23/16, parashtrues Qazim Bytyqi dhe tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 5 majit 2017, paragrafi.
Gjykata rikujton që kërkesa e parashtruesit ndërlidhet me çështje jokontestimore, ku parashtruesi i kërkesës përmes kërkesës së iniciuar në Gjykatën Komunale në vitin 1994 kishte propozuar që vendimi për përdorim të banesës të zëvendësohet me vendim për blerje të kësaj banese.
Përfundim
Si përfundim, Gjykata gjen se kohëzgjatja e procedurës pranë Gjykatës Themelore përkitazi me shqyrtimin e lëndës [CN. nr. 30/2023] të parashtruesit të kërkesës, e regjistruar në këtë gjykatë më 6 mars 2023, dhe e cila pas dorëzimit të kërkesës së tij në Gjykatën Kushtetuese më 8 korrik 2023, përfshin kohëzgjatjen prej katër (4) muajve e tri (3) ditëve, dhe si e tillë nuk mund të konsiderohet e paarsyeshme.
Rrjedhimisht, duke pasur parasysh kriteret e lartcekura të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të afirmuara edhe përmes praktikës gjyqësore të vet Gjykatës përkitazi me të drejtën për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, të garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, Gjykata konstaton se pretendimi i parashtruesit të kërkesës lidhur me tejzgjatjen e procedurës dhe moszgjidhjen brenda një afati të arsyeshëm të lëndës [CN. nr. 30/2023], është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” dhe duhet të shpallet i papranueshëm në pajtim me paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.1 dhe 7 të Kushtetutës dhe rregullat 34 (2) dhe (3) (d) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 25 qershor 2024, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit; dhe
TË KONSTATOJË që ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 20 (5) të Ligjit.
Gjyqtare raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi Peci Gresa Caka - Nimani
Burim Zherka
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar, Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës
Civile