Prishtinë, më 5 gusht 2024
Nr. Ref.: RK 2496/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI58/23
Parashtrues
Agjencia Kosovare e Privatizimit
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit ARJ. Nr. 104/2022
të 9 nëntorit 2022 të Gjykatës Supreme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar.
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (në tekstin në vijim: AKP) e cila përfaqësohet nga Miftar Salihi, nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [ARJ. nr. 104/2022] të 9 nëntorit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në ndërlidhje me Aktgjykimin [AA. nr. 186/21] e 18 korrikut 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) si dhe Aktgjykimit [A.nr. 1810/2016] e 17 nëntorit 2020, të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative (në tekstin në vijim: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetua) në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin në vijim: KEDNJ) dhe neni 1 i Protokollit Nr. 1 (Mbrojtja e Pronës) të KEDNJ-së.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 8 mars 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 31 mars 2023, Kryetarja e Gjykatës, Gresa Caka-Nimani, përmes Vendimit [Nr. GJR. KI58/23] caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi Peci gjyqtare raportuese dhe përmes Vendimit [Nr. KSH. KI58/23] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 4 prill 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës, si dhe në të njëjtën datë e njoftoi edhe Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës si dhe i ofroi të njëjtës një kopje të kërkesës.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 16 korrik 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në Drejtorinë për Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër në Ferizaj, me të cilën ka kërkuar, regjistrimin e ngastrës kadastrale [nr.1841] me sipërfaqe 2392 m2, ngastrën kadastrale [nr.1805] me sipërfaqe 9915m2, ngastrën kadastrale [nr.1871] me sipërfaqe 6357m2, dhe ngastrën kadastrale [nr.1842] me sipërfaqe 5866m2 dhe bartjen e pronësisë në emër të ndërmarrjes shoqërore “K.B Komogllava” në Komogllavë.
Më 5 gusht 2016, Drejtoria për Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër në Ferizaj përmes Vendimit [nr: 10-951-64041/2015] refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës me të cilin kishte kërkuar regjistrimin e ngastrës kadastrale [nr.1841] me sipërfaqe 2392m2, ngastrës kadastrale [nr.1805] me sipërfaqe 9915m2, ngastrës kadastrale [nr.1871] me sipërfaqe 6357m2, dhe ngastrës kadastrale [nr.1842] me sipërfaqe 5866m2 dhe bartjen e pronësisë ne emër të ndërmarrjes shoqërore K.B Komogllava. Në arsyetimin e vendimit të saj, theksoi si në vijim: “[...] Nga kopja e planit e cekur dhe nga shiqimi në terren kuptohet se këto ngastra janë shfrytëzuar për qëllim të grumbullimit të të mirave bujqësore dhe atë deri sa të vazhdon kjo veprimtari. Në momentin e ndërprerjes së kësaj veprimtarie paluajtshmëria i takon pronarit në këtë rast Komunës së Ferizajt. Me sa u tha më lart u vendos si në dispozitiv të këtij Aktvendimi.”
Më 11 nëntor 2016, Agjencia Kadastrale e Kosovës përmes Aktvendimit Nr. [03/22116, 03/113/16 dhe 03115/16] refuzoi si të pabazuar ankesat [Nr.03/22116], [03/113/16] dhe [03/15/1616] e 3 tetorit 2016, të dorëzuara nga parashtruesi i kërkesës, kundër Aktvendimit [Nr.10-951-64041/2015] të Drejtorisë për Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër në Ferizaj.
Më 21 nëntor 2016, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi për anulimin e aktvendimit të lartcekur në Gjykatën Themelore, duke kërkuar që të (I) aprovohet padia e saj si e bazuar dhe të anulohet Aktvendimi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, si dhe Aktvendimi i Drejtorisë për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi të KK Ferizaj; si dhe të (II) urdhërohet Drejtoria për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi në Ferizaj që të bëjë regjistrimin e pronës, me numër të parcelave kadastrale: [nr.1841-0], [nr.1842-0], [nr.1805-0], dhe [nr.1871-o] të evidentuara në ZK Komogllavë/Ferizaj, në emër të Ndërmarrjes Shoqërore KB “Komogllallava" Ferizaj.
Më 17 nëntor 2020, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A.nr.1810/16]: (I) refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me të cilën ka kërkuar anulimin e aktvendimit të paditurës, Agjencia Kadastrale e Kosovës, me [nr.03122116], [03/113/16], [03/15/16] të 11 nëntorit 2016 dhe anulimin e aktvendimit të Drejtorisë për Prona, Gjeodezi dhe Kadastër të KK Ferizaj; (II) Secila palë i bartë shpenzimet e veta të procedurës.
Më 18 korrik 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA.nr. 186/2021] refuzoi si të pa bazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa vërtetoi Aktgjykimin [A.nr. 1810/2016] e 17 nëntorit 2020, të Gjykatës Themelore.
Në bazë të fletëkthesës për pranimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, rezulton që parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar Aktgjykimin [AA.nr. 186/2021] e Gjykatës së Apelit më 20 gusht 2022.
Më 22 shtator 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale dhe shkeljeve të dispozitave të procedurës.
Më 9 nëntor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [ARJ.nr.104/2022] hodhi si të pas afatshme kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, e parashtruar nga parashtruesi i kërkesës, kundër Aktgjykimit [AA. nr. 186/2021] të 18 korrikut 2022, të Gjykatës së Apelit. Në arsyetimin e saj Gjykata Supreme e Kosovës theksoi si në vijim:
Nga shkresat e lëndës rezulton se paditësja aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [AA. nr. 186/2022] të datës 18.07.2022, e ka pranuar me datë 20.08.2022, konstatohet në bazë të fletëdërgesës për dorëzim personal, ndërsa kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, (e protokolluar me vulë të AKP nr.35276/22-out; të dt. 22.09.2022), përmes Shërbimit Postar, Rekomande, e ka dorëzuar në Postë, po ashtu me datë 22.09. 2022.
Nga konstatimet si me lartë provohet se kërkesa nga paditësit-propozuesit është paraqitur pas afatit ligjor 30 ditë, ashtu si parashihet me nenin 50 të LKA, prandaj e njëjta hedhet poshtë si e pas afatshme.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes vendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së dhe neni 1 i Protokollit Nr. 1 (Mbrojtja e Pronës) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon që përmes Aktvendimit [ARJ.nr.104/2022] të kontestuar i Gjykatës Supreme, në kundërshtim me provat materiale gabimisht e ka hedhur si të pasafatshme Kërkesën për Rishqyrtim të Jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor. Sipas parashtruesit te kërkesës, “ky gabim i Gjykatës Supreme ngrenë çështje të përgjithshme dhe të veçanta apo konkrete të cilat kanë të bëjnë me të drejtën për gjykim të drejtë nga neni 6 i KEDNJ-së”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se i është mohuar e drejta pronësore, rrjedhimisht vendimi është në kundërshtim me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së, e cila dispozitë e përcakton ndalimin e privimit nga prona. Ky ndalim i nënshtrohet një përjashtimi, sepse pasuria megjithatë mund të shpronësohet për interes publik, por vetëm në kushte të përcaktuara ligjore ose parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që: I. Të deklarojë, kërkesën të pranueshme; (II) TË SHPALLË TË PA VLEFSHËM, Aktvendimin e [ARJ. nr. 104/2022] të 9 nëntorit 2022, të Gjykatës Supreme sepse i njëjti nuk është në pajtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe nenin 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së; (III) TË KTHEJË, rastin në Gjykatën Supreme për rishqyrtim në pajtim me aktgjykimin e kësaj gjykate; (IV) TË PUBLIKOJË, këtë vendim në Gazetën Zyrtare në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese; (V) TË DEKLAROJË, se ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Dispozitat relevante Kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës Kosovës
Neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
[...]
Neni 46 [Mbrojtja e Pronës]
1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky eksproprijim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]
Protokolli nr. 1 i KEDNJ-së
Neni 14
Mbrojtja e pronës
Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cënojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera.
LIGJI Nr. 03/L-202 PËR KONFLIKTET ADMINISTRATIVE
Neni 50
1. Kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor i dërgohet gjykatës brenda tridhjetë (30) ditësh nga data e pranimit të vendimit kundër të cilit pala paraqet kërkesën.
2. Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë paraqitet brenda nëntëdhjetë (90) ditëve nga data kur u është dërguar palëve vendimi, kundër të cilit paraqitet kërkesa.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4, të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Neni 21
[Parimet e Përgjithshme]
[...]
4. “Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme”.
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e personit juridik, ka të drejtë të paraqesë ankesë kushtetuese, duke u thirrur në shkelje të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të tij, që vlejnë për individët dhe personat juridikë (shih rastin e Gjykatës KI195/20, me parashtrues Aigars Kesengfelds, pronar i institucionit financiar jo-bankar “Monego”, Aktgjykim i Gjykatës i 19 prillit 2021, paragrafi 63; KI41/09, parashtruesi i kërkesës Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendim për papranueshmëri i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14).
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, që konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [ARJ. nr. 104/2022] të 9 nëntorit 2022, të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton që:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.”
Gjykata, fillimisht thekson që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmachev kundër Francës, Kërkesa nr. 17621/91, kategoria (i), Mentzen kundër Letonia, Kërkesa nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Kërkesa nr. 4241/03, kategoria (iii); shih gjithashtu rastet e Gjykatës: KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për Papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për Papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Kësisoj, Gjykata fillimisht rikujton që rrethanat e rastit ndërlidhen me kërkesën e parashtruesit të kërkesës që Drejtoria për Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër në Ferizaj, të bëjë regjistrimin e disa ngastrave kadastrale si dhe të bëjë bartjen e pronësisë në emër të ndërmarrjes shoqërore “K.B Komogllava”. Pas refuzimit të kërkesës së parashtruesit të kërkesës nga ana e Drejtorisë për Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër në Ferizaj, i njëjti parashtroi ankesë kundër këtij vendimi në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, e cila poashtu u refuzua nga e njëjta. Në vijim, parashtruesi përmes padisë kërkoi anulimin e vendimit të lartcekur të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, të cilën e refuzoi Gjykata Themelore. Gjithashtu, ankesën ndaj vendimit të Gjykatës Themelore e refuzoi Gjykata e Apelit. Në bazë të fletëkthesës rezulton që parashtruesi e kishte pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit më 20 gusht 2022. Ndërsa i njëjti dorëzoi kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor më 22 shtator 2022. Gjykata Supreme e hodhi si të pasafatshme kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor pasi që e njëjta ishte paraqitur pas afatit ligjor 30 ditor.
Parashtruesi i kërkesës konteston konstatimin e Gjykatës Supreme, duke ngritur pretendime për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, pasi që në kundërshtim me provat materiale gabimisht e ka hedhur si të pasafatshme kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, duke pretenduar se e kishte pranuar vendimin me datë 30 gusht 2022.
Parashtruesi i kërkesës konteston konstatimin e Gjykatës Supreme, duke ngritur pretendime në nivel ligjshmërie, lidhur me vërtetimin e fakteve sa i përket datës së pranimit të vendimit të Gjykatës së Apelit, duke konsideruar që Gjykata Supreme ka bërë: (I) zbatim të gabuar të së drejtës materiale, e cila ka rezultuar me shkelje të garancive procedurale të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës; si dhe (II) mohim të së drejtës pronësore të parashtruesit të kërkesës.
Lidhur me pretendimin për interpretim të gabuar të ligjit
Parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës konstatimet e Gjykatës Supreme, duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, ndër të tjera, vë theks në interpretimin e gabuar të së drejtës materiale, pasi që e njëjta gabimisht e ka hedhur si të pasafatshme kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, duke pretenduar se e kishte pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit me datë 30 gusht 2022, e jo më 20 gusht 2022, ashtu siç kishte vendosur Gjykata Supreme. Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur garancitë procedurale të nenit 31 të Kushtetutës.
Në shqyrtimin e këtyre pretendimeve, Gjykata thekson se të njëjtat në esencë ndërlidhen me zbatimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm nga Gjykata Supreme, pretendime të cilat, Gjykata në përputhje me praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, i konsideron si "pretendime të shkallës së katërt”.
Në kontekst të kësaj kategorie pretendimesh, Gjykata thekson se bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe duke marrë parasysh veçoritë e saj, siç janë përcaktuar përmes KEDNJ-së, parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, ajo vazhdimisht e ka theksuar dallimin në mes të "kushtetutshmërisë" dhe "ligjshmërisë" dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose me KEDNJ. (Shih, në këtë kontekst, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI96/21, parashtrues Xhelal Zherka, Aktvendim për Papranueshmëri i 23 shtatorit 2021, paragrafi 49; KI145/20, parashtrues Hafize Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 33; KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60).
Gjykata gjithashtu ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruar aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI145/20, cituar më lartë, paragrafi 34; KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61).
Gjykata, megjithatë, thekson se praktika gjyqësore e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe KEDNJ-në. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 janarit 2000, paragrafët 33-39; dhe shih, gjithashtu rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 63). Në parim, një përjashtim i tillë, ndërlidhet me raste të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës.
Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me pranimin e Aktgjykimit [AA.nr. 186/2021] të 18 korrikut 2022 të Gjykatës së Apelit, më 30 gusht 2022, e jo me 20 gusht 2022, Gjykata Supreme përmes vendimit të kontestuar kishte theksuar si në vijim:
“Nga shkresat e lëndës rezulton se paditësja aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [AA. nr. 186/2022] të datës 18.07.2022, e ka pranuar me datë 20.08.2022, konstatohet në bazë të fletëdërgesës për dorëzim personal, ndërsa kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, (e protokolluar me vulë të AKP nr.35276/22-out; të dt. 22.09.2022), përmes Shërbimit Postar, Rekomande, e ka dorëzuar në Postë, po ashtu me datë 22.09. 2022.
Nga konstatimet si me lartë provohet se kërkesa nga paditësit-propozuesit është paraqitur pas afatit ligjor 30 ditë, ashtu si parashihet me nenin 50 të LKA, prandaj e njëjta hedhet poshtë si e pas afatshme.”
Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se Gjykata Supreme përmes vendimit të kontestuar kishte hedhur si të pas afatshme kërkesën e parashtruesit të kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, e cila bazuar në nenin 50 të Ligjit Nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative, duhet të paraqitet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e pranimit të vendimit kundër të cilit pala paraqet kërkesën. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës duke përfshirë edhe ato që ndërlidhen me interpretimin e gabuar të dispozitave ligjore, tashmë janë trajtuar dhe se procedurat para Gjykatës Supreme nuk ishin të padrejta ose arbitrare. (shih mutatis mutandis rastin e Gjykatës: KI199/18, me parashtrues Hajriz Haxholli, Aktvendim për Papranueshmëri i 24 qershorit 2019, paragrafi 34).
Nën dritën e të lartcekurave, Gjykata vëren se Gjykata Supreme kishte sqaruar se: (i) parashtruesi i kërkesës kishte pranuar Aktgjykimin [AA.nr. 186/2021] e 18 korrikut 2022, të Gjykatës së Apelit më 20 gusht 2022, ndërsa parashtruesi i kërkesës e kishte dorëzuar kërkesën për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor me 22 shtator 2022, pra jashtë afatit 30 (tridhjetë) ditor të përcaktuar me nenin 50 të LKA-së.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për zbatim të gabuar të së drejtës materiale, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës, përtej pretendimeve për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i vërtetimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të ligjit, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumentoi para Gjykatës, se si ky interpretim i ligjit të aplikueshëm nga Gjykata e Apelit, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se Gjykata Supreme ka marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, duke i arsyetuar të njëjtat (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI64/20, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI37/21 parashtrues, Isa Tusha, Naser Tusha dhe Miradije Tusha, Aktvendim për papranueshmëri i 8 shtatorit 2021, paragrafi 67).
Në linjë me praktikën e saj të konsoliduar gjyqësore, Gjykata më tej thekson se pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e procedurës nga Gjykata Supreme, nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm apo për barazi para ligjit. (Shih, mutatis mutandis, rastin Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, kërkesa nr. 5503/02, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005, paragrafi 21; dhe shih, gjithashtu rastin KI56/17, parashtruese e kërkesës Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 42).
Prandaj, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se Gjykata Supreme mund të ketë aplikuar ligjin në mënyrë të gabuar, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e "shkallës së katërt" dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të "ligjshmërisë" dhe nuk janë argumentuar në nivel të "kushtetutshmërisë". Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
(II) Sa u përket pretendimit për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës gjithashtu thekson që vendimi i kontestuar është nxjerrë në kundërshtim me të drejtat e garantuara me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, si rezultat i mohimit të të drejtave pronësore të parashtruesit të kërkesës.
Gjykata rikujton se neni 46 i Kushtetutës, sikundër edhe neni 1 i Protokollit Nr. 1 (Mbrojtja e Pronës) i KEDNJ nuk garanton të drejtën për fitimin e pronës (Shih rastet e Gjykatës: KI201/18, me parashtrues Selami Taraku, Aktvendim për papranueshmëri i 1 nëntorit 2019, paragrafi 39; KI83/18, me parashtrues Ivica Milosevic, Aktvendim për papranueshmëri i 17 tetorit 2019, paragrafi 41; Shih gjithashtu rastet e GJEDNJ-së: Van der Mussele kundër Belgjikës, nr. 8919/80, Aktgjykimi i GJEDNJ-së i 23 nëntorit 1983, paragrafi 48; dhe Slivenko dhe të tjerët kundër Letonisë, kërkesa nr. 73049/01, Aktgjykimi i 9 tetorit 2003, paragrafi 121).
Në këtë kuadër, Gjykata i referohet interpretimeve të GJEDNJ, ku vihet në pah se neni 1 i Protokollit Nr. 1 (Mbrojtja e Pronës) i KEDNJ-së vlen vetëm për "zotërimet" ekzistuese të një personi (shih rastet e GJEDNJ-së: Marckx kundër Belgjikës, nr. 6833/74, Aktgjykim i 13 qershorit 1979, paragrafi 50; Anheuser-Busch Inc. kundër Portugalisë, nr. 73049/01, Aktgjykimi i 11 janarit 2007, paragrafi 64).
Parashtruesi i kërkesës më tej mund të pretendojë shkelje të nenit 46 të Kushtetutës vetëm për aq sa vendimet e kontestuara kanë të bëjnë me "pronën" e tij; brenda kuptimit te kësaj dispozite "pronë" mund të jetë ''pasuria ekzistuese", duke përfshirë edhe pretendimet në bazë të të cilave parashtruesi i kërkesës mund të pretendojë "pritshmëri legjitime" që do të fitojnë gëzimin efektiv të ndonjë të drejte pronësore.
Por, sipas praktikës së GJEDNJ, nuk mund të thuhet se lind ndonjë "pritje legjitime" atje ku ekziston një kontest në lidhje me interpretimin e drejtë dhe aplikimin e së drejtës së brendshme dhe atje ku parashtresat e parashtruesit janë hedhur poshtë më pas nga gjykatat kombëtare (shih: Kopecky kundër Sllovakisë, nr. 44912/98, Aktgjykim i 28 shtatorit 2004, paragrafi 50).
Mirëpo që, Gjykata thekson se një pretendim kushtëzues që buron si shkak i mosplotësimit të kushtit nuk përbën “pronësi” sipas qëllimit të nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së. Thënë ndryshe, nëse e drejta mbi diçka jetësohet vetëm nëse plotësohet një kusht specifik dhe ky kusht nuk përmbushet, atëherë ligjërisht nuk mund të posedohet mbi atë të drejtë. (shih rastet: Kopecký kundër Sllovakisë, cituar më lart, paragrafi 35; Prince Hans-Adam II of Liechtenstein kundër Gjermanisë, kërkesa nr. 42527/98, Aktgjykim i 12 korrikut 2001, paragrafi 83; Gratzinger and Gratzingerova kundër Republikës Ceke, kërkesa nr. 39794/98, Vendim i 10 korrikut 2002, paragrafi 69.
Gjykata, duke i trajtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me parimet e lartpërmendura, vëren se parashtruesi nuk e ka arsyetuar në veçanti shkeljen e së drejtës së pronës dhe nuk i referohet konkretisht ndonjë prej parimeve të përmbajtura në nenin 46 të Kushtetutës, por konsideron se kjo e drejtë i është shkelur si pasojë e shkeljes së të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm (nenit 31 të Kushtetutës).
Megjithatë, gjatë shqyrtimit të këtyre pretendimeve në kuadër të nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata tashmë ka ardhur në përfundim se këto pretendime janë “te pambështetura apo te paarsyetuara” dhe duhet te refuzohen si qartazi të pabazuara. Prandaj, Gjykata konsideron se në rastin konkret nuk dëshmohet se parashtruesi i kërkesës ka kërkesë të arsyetuar lidhur me shkeljen e të drejtës së pronës sipas nenit 46 të Kushtetutës.
Prandaj, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, prandaj deklarohet e papranueshme, në pajtim me rregullin 34 paragrafi (2) të Rregullores së punës.
Përfundim
Përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit te kërkesës është e papranueshme, sepse pretendimet e tij: I. Përkitazi me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 te KEDNJ-së, bien në kategorinë e pretendimeve të "shkalles se katërt" dhe rrjedhimisht janë qartazi te pabazuara ne baze kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me nenin 113 të Kushtetutës dhe rregullin 34 (2) të Rregullores së Punës; dhe II. Përkitazi me pretendimet për shkelje të nenit 46 janë pretendime qartazi të pabazuara në baza kushtetuese siç përcaktohet me nenin 113 të Kushtetutës dhe rregullin 34(2) të Rregullores së Punës; rrjedhimisht, të njëjtat bien në kategorinë e pretendimeve të papranueshme siç është përcaktuar përmes rregullit 34 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, neneve 20 dhe 48 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 16 korrik 2024, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË, kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË, këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË, këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn ne fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, ne pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi Peci Gresa Caka-Nimani
Agjencia Kosovare e Privatizimit
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile