Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Ac.nr.1882/23 të 18 prillit 2023 të Gjykatës së Apelit

Nr. të lëndës KI131/23

Parashtruesit: Mehdi Shehu

Shkarko:
llogo_gjkk_png_2

Prishtinë, më 26​​ shkurt 2024

Nr. Ref.: RK 2357/24

 

 

​​ 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI​​ 

 

 

rastin nr. KI131/23

 

Parashtrues

 

Mehdi Shehu ​​​​ 

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Ac.nr.1882/23​​ ​​ 18 prillit 2023​​ të Gjykatës​​ së Apelit​​ 

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe

Enver Peci, gjyqtar​​ ​​ 

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

 

  • Kërkesa është dorëzuar nga​​ Mehdi Shehu​​ (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës)​​ përfaqësuar nga​​ Meshari Selimaj, avokat nga Gjakova.​​ 

 

 

 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e​​ Aktvendimin​​ [Ac.nr.1882/23] të​​ 18 prillit 2023​​ të Gjykatës​​ së Apelit​​ ​​ në ndërlidhje me Aktvendimin​​ [C.nr.1874/2022]​​ të ​​ Gjykatës Themelore në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) të 16 shkurtit 2023.​​ 

 

Objekti i çështjes

 

  • Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit​​ [Ac.nr.1882/23]​​ ​​ 18 prillit 2023​​ të Gjykatës​​ së Apelit​​ përmes të cilit sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe​​ 46 [Mbrojtja e Pronës]​​ të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin​​ 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin​​ 1 të Protokollit nr. 1​​ (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).​​ 

 

Baza juridike

 

  • Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]​​ të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenet 22​​ (Procedimi i kërkesës)​​ dhe 47​​ (Kërkesa individuale)​​ të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin​​ 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve)​​ të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

  • ​​ ​​ 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.​​ 

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  • ​​ ​​ 12 qershor​​ 2023, parashtruesi i kërkesës​​ përmes postës​​ dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).​​ 

 

  • ​​ 22 qershor​​ 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe​​ një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës​​ së Apelit.​​ 

 

  • ​​ ​​ 27 qershor 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit​​ [Nr. GJR. KI131/23]​​ caktoi gjyqtaren​​ Remzije Istrefi-Peci​​ Gjyqtare​​ raportuese​​ dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët:​​ Selvete Gërxhaliu-Krasniqi​​ (kryesuese),​​ Safet Hoxha​​ dhe Radomir Laban (anëtarë).

 

  • Më​​ ​​ 17 janar 2024,​​ Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhje e fakteve​​ 

 

  • Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës në cilësi të paditësit-propozuesit më 14.12.2022​​ ​​ në Gjykatën Themelore kishte​​ ushtruar padi kundër të​​ paditurit-kundërshtarit të sigurimit M.Sh.,​​ nga Gjakova, për shkak të vërtetimit të së drejtës së kalimit (servitut) në ngastrat kadastrale me numër P-70705029-01779-1 Gjakovë Qytet dhe P70705029-01779-2 Gjakovë Qytet. Së bashku me padi ka paraqitur edhe propozim për caktimin e masës së sigurisë me të cilin ka kërkuar që kundërshtarit të sigurimit M.Sh.,​​ nga Gjakova, t’i ndalohet ndërmarrja e çfarëdo veprimi duke përfshirë tjetërsimin (ndryshim në formë dhe përmbajtje të paluajtshmërisë) të gjendjes ekzistuese faktike të paluajtshmërisë e cila evidentohet në njësinë​​ kadastrale​​ me numër​​ P-70705029-01779-3 Gjakovë Qytet, derisa të përfundojë në formë të prerë kontesti i paditësit për vërtetimin e të drejtës së kalimit (servitutit) në parcelën e sipërcituar.

 

  • Më 16 shkurt 2023, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr. 1874/2022] vendosi:​​ I.REFUZOHET​​ propozimi për caktimin e masës së sigurimit të kërkesëpadisë së paditësit propozuesit përkatësisht parashtruesit të kërkesës, me të cilën ka kërkuar që “kundërshtarit të sigurimit M.Sh., nga Gjakova, t’i​​ NDALOHET​​ ndërmarrja e çfarëdo veprimi duke përfshirë tjetërsimin (ndryshim në formë dhe përmbajtje të paluajtshmërisë) të gjendjes ekzistuese faktike të paluajtshmërisë e cila evidentohet në njësinë kadastrale me numër P-70705029-01779-3 Gjakovë Qytet, derisa të përfundojë në formë të prerë kontesti i paditësit për vërtetimin e të drejtës së kalimit (servitutit) në parcelën e sipërcituar.​​ II.​​ Procedura në këtë çështje juridike-kontestimore do të vazhdojë sipas rregullave të procedurës kontestimore dhe sipas planit të punës së gjykatës.

 

  • Gjykata Themelore theksoi se parashtruesi i kërkesës​​ nuk i ka​​ plotësuar​​ kushtet ​​ e përcaktuara me nenet 297, 300 dhe 304 të LPK-së që ndërlidhen me bërjen të besueshme të së drejtës subjektive, precizimin e sendit ndaj të cilit kërkohet caktimi i masës siguruese si dhe ofrimin e provave​​ se pa caktimin e masës​​ siguruese​​ pala kundërshtare do të mund të pamundësonte apo vështirësonte dukshëm realizimin e kërkesës.

 

  • Më 23 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar​​ shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, të konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që të aprovohet ankesa si e bazuar ndërsa aktvendimi ankimor të prishet dhe çështja të kthehet në rivendosje në gjykatën e shkallës së parë.​​ Kundërshtari i sigurimit nuk kishte dhënë përgjigje ndaj​​ ankesës.

 

  • Më 18 prill 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.1882/23] vendosi:​​ REFUZOHET​​ e pabazuar ankesa e propozuesit të masës së sigurisë-parashtruesit të kërkesës​​ dhe​​ VËRTETOHET​​ Aktvendimi i Gjykatës Themelore​​ [C.nr. 1874/2022]​​ të datës 16/02/2023.

 

  • Gjykata e Apelit​​ theksoi se​​ nisur nga kjo gjendje e çështjes vlerëson së përfundimi dhe qëndrimi juridik i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që aktvendimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 paragrafi 2, pika (b), (g), (j), (k) dhe (m) e LPK-së, dhe e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë, për të cilat shkaqe Gjykata e Apelit kujdeset sipas detyrës zyrtare në kuptim të dispozitës së nenit 194 të LPK-së.

 

  • Gjykata e Apelit më tej arsyetoi: “Kolegji i Gjykatës së Apelit, me një kujdes të shtuar i ka analizuar pretendimet ankimore në raport me provat që gjenden në shkresat e lëndës dhe erdh në përfundim se këto pretendime tani për tani nuk qëndrojnë sepse masa siguruese është mjet për parandalimin e ndryshimit të gjendjes ekzistuese të kërkesëpadisë dhe kjo masë mund të caktohet po që se propozuesi i masës e bënë të besueshme të drejtën e tij subjektive dhe paraqet prova apo rrethana që e bindin gjykatën se pa caktimin e masës së sigurisë ekziston rreziku serioz se kundërshtari i​​ sigurimit me veprimin apo mos veprimin e tij mund t’ia pamundëson apo vështirëson dukshëm realizimin e kërkesëpadisë. Në rastin konkret propozuesi i masës së sigurimit nuk ka ofruar ndonjë provë konkrete se kundërshtari i sigurimit, vërtet mund të pamundësoj apo vështirësoj dukshëm realizimin e kërkesëpadisë në ndonjë mënyrë tjetër, me të cilën do mund të ndryshonte gjendjen ekzistuese të gjërave, ose në ndonjë mënyrë tjetër do të ndikonte negativisht në të drejtat e propozuesit të sigurimit ngase në bazë të Certifikatës së pronësisë me numër të lëndës 4114-22 e datës 13.12.2022, vërtetohet se propozuesi i masës së sigurimit Mehdi Shehu është pronar juridik i paluajtshmërisë P-70705029-01779-3, Zona Kadastrale Gjakovë, ​​ vendimi lidhur me masën e sigurisë nuk përfaqëson çështje të gjykuar e as nuk e prejudikon vendosjen e çështjes lidhur me meritat e saj dhe arsyet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë mbi refuzimin e propozimit për caktimin e masës se sigurisë, i pranon në tërësi edhe Gjykata e Apelit sepse arsyet janë bindëse dhe të bazuara në provat materiale.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje​​ neneve 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]​​ 46 [Mbrojtja e Pronës]​​ të Kushtetutës​​ në ndërlidhje me​​ nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt)​​ ​​ dhe​​ nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të​​ KEDNJ-së.

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Gjatë procedurës provuese propozuesi i sigurimit e ka bërë të besueshëm ekzistimin e kërkesës apo të drejtës së tij subjektive duke qenë pronar, posedues dhe shfrytëzues faktik i gjysmës së shtëpisë e cila ka qenë e ndërtuar në ngastrat e propozuesit me nr.​​ të​​ njësisë​​ kadastrale: P-70705029 - 01779-3 ZK Gjakovë - Qytet dhe të kundërshtarit të propozimi P-70705029-01779-2 ZK Gjakovë - Qytet, mirëpo kundërshtari i sigurimit pa pëlqimin e propozuesit të sigurimit e rrënon këtë shtëpi, fillon ndërtimin e "tyrbes" për nevojat e tij dhe në këtë kontekst propozuesin e sigurimit e sjellë para aktit të kryer, duke ia vështirësuar skajshmërisht realizimin e të drejtës së tij subjektive, ( duke ia mbyllë të drejtën e rrugëkalimit), e që të mos vijë​​ deri te kjo situatë është bërë parashtrimi i kërkesës për caktimin e masës së sigurisë. ​​ ​​​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Pavarësisht kësaj kundërshtari i sigurimit pa e pyetur fare vëllain e tij - këtu propozuesin e sigurimit e ka bërë rrënimin edhe të pjesës së shtëpisë - objektit pronar legjitim i të cilës ( në 1/2 pjesë ideale) ka qenë propozuesi i sigurimit dhe një veprim i këtillë i kundërshtarit të sigurimit është bërë në mënyrë arbitrare e me çka ka rënë ndesh edhe me dispozitat të nenit 4 dhe 6 të LMD-së.”​​ ​​ ​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon:​​ Kundërshtari i sigurimit me rrënimin e gjysmës së shtëpisë të propozuesit të sigurimit dhe fillimin e ndërtimit të tyrbes ka rënë ndesh edhe me Protokolin 1 të nenit 1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, dhe nenin 46 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës e cila frymon në plotëni me​​ protokollin​​ e​​ lartcekur, ashtu që me ndërtimin e " tyrbes nga ana e kundërshtarit të sigurimit edhe në pjesën e ngastrës së propozuesit të sigurimit, është e vërtetuar edhe rreziku se pa caktimin e masës së propozuar nga propozuesi i sigurimit pala kundërshtare do të mund të pamundësonte apo vështirësonte dukshëm realizimin e kërkesës sidomos me tjetërsimin e pasurisë së vet, me fshehjen e saj, me ngarkimin apo me ndonjë mënyrë saktësisht parasheh dispozita ligjore e nenit 297.1 nën (b) të LPK-së.

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon: “1. Masa e sigurimit mund të caktohet edhe para se të jetë ngritur padia, ashtu që me vendimin me të cilin caktohet masa e sigurimit caktohet afati jo më i shkurtër se tridhjetë (30) ditësh, brenda të cilit propozuesi i sigurimit duhet ngritur padinë ( neni 308.1 i LPK-së); 2. - Baza juridike e kërkesëpadisë mund të precizohet deri në përfundimin e paraparë se: "Gjykata nuk është e lidhur me​​ bazën juridike të kërkesëpadisë", e që do të thotë shqyrtimit të fundit kryesor, e ndërsa në lëndën C nr. 1874/2022 ende nuk është caktuar shqyrtimi përgatitor, dhe në kuptim të nenit 253 pika 2 të LPK-së në mënyrë të qartë është e përcaktuar se nëse gjykata se kërkesëpadia e paditësit është e themeltë nga ndonjë bazë tjetër juridike (e jo siç e ka parashtruar paditësi në petitumin e aktit të padisë së tij), atëherë mund ta aprovojë kërkesë padinë edhe nga ajo bazë, siç ndodhë edhe nga praktika e gjykatave të R. së Kosovës.”

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Përveç kësaj edhe vet gjykata në arsyetimin e aktvendimit të saj fq. 4. parg.2 rendi 9 ku thekson se: “për gjykatën është e paqartë” tregon se nuk e ka vërtetuar në mënyrë të plotë faktike, e kjo si rezultat i mos daljes në vend së bashku me ekspertin e licencuar të gjeodezisë si pasojë e refuzimit të propozimit të propozuesit të sigurimit që të bëhet nxjerrja e kësaj prove, andaj propozuesi i sigurimit të kërkesëpadisë konsideron se gjykata ende pa vendosur për masën e sigurisë “e ka prejudikuar”​​ edhe e çështjes kryesore dhe kjo nuk është e lejuar me dispozitat të zbatueshme të LPK-së, që ka si pasojë​​ prishjen e aktvendimit të atakuar dhe kthimin e kësaj çështje në rivendosje.”

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Gjykata e Apelit të Kosovës me vendimin AC.nr.1882/2023 te dt.18.04.2023 duke mos dhënë asnjë arsye mbi pretendimet tona ankimore ka refuzuar si të​​ pabazuar ankesën tonë, me ç ‘rast ka konstatuar se propozuesi i masës së sigurimit nuk ka ofruar asnjë prove konkrete se kundërshtari i sigurimit, vërtetë mund të pamundësojë apo vështirësojë dukshëm realizimin e kërkesëpadisë në ndonjë mënyrë tjetër, me të cilën do mund të ndryshonte gjendjen ekzistuese te ose ne ndonjë mënyrë tjetër do të ndikonte negativisht në të drejtat e propozuesit të sigurimit. Gjithashtu ka theksuar ne mënyrë të kundërligjshme se vendimi lidhur me masën e sigurisë nuk përfaqëson çështje të gjykuar e as nuk e prejudikon vendosjen e çështjes lidhur me meritat e saj dhe arsyet e dhëna nga Gjykata e Shkallës së Parë mbi refuzimin e propozimit për caktimin e masës së sigurisë, i pranon në tërësi edhe Gjykata e Apelit sepse arsyet janë bindëse dhe të bazuara në provat materiale.”​​ 

 

Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore​​ 

 

 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës

 

 

Neni 31​​ 

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”

 

Neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]

 

“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”

 

 

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut

 

Neni 6

(E drejta për një proces të rregullt)

 

“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”

[...]

 

 

 

LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE

 

 

Neni 182

[Pa titull]

 

“182.1 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston në çoftë se gjykata gjatë procedurës nuk e ka zbatuar apo ka zbatuar në mënyrë jo të drejt ndonjë dispozitë të këtij ligji, kurse kjo ka pasur apo ka mundë të ketë ndikim në nxjerrjen e aktgjykimit të ligjshëm e të drejtë.​​ 

 

182.2 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston gjithmonë:​​ 

 

a) në qoftë se gjykata është përbërë jo sipas dispozitave ose në çoftë se në nxjerrjen e aktgjykimit ka marrë pjesë gjyqtari që nuk ka marrë pjesë në seancën kryesore;​​ 

 

b) në qoftë se është vendosur për kërkesën e cila nuk bënë pjesë në juridiksionin gjyqësor;​​ 

 

c) në çoftë se në nxjerrjen e aktgjykimit ka marrë pjesë gjyqtari i cili sipas ligjit duhet të përjashtohet, respektivisht me vendim të gjykatës ka qenë i përjashtuar ose me rastin e dhënies se vendimit ka marrë pjesë personi i cili nuk e ka cilësinë e gjyqtarit;

 

d) në çoftë se gjykata sipas prapsmit të palëve gabimisht ka vendosur se është e kompetencës lëndore;​​ 

e) në çoftë se është vendosur për kërkesën sipas padisë të ngritur pas afatit të përcaktuar me ligj;​​ 

 

f) në çoftë se gjykata ka vendosur për kërkesëpadinë për të cilën është me kompetencë lëndore gjykata më e lartë e llojit të njëjtë, gjykata e llojit tjetër;​​ 

 

g) në çoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata e ka bazuar vendimin e vetë në disponimin e palejueshëm të palëve, (neni 3 paragrafi 3 i këtij ligji);​​ 

 

h) në qoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata ka nxjerr aktgjykim për shkak të pohimit, mosbindjes, mungesës, heqjes dorë nga kërkesëpadia, ose pa mbajtjen e shqyrtimit kryesor;​​ 

 

i) në qoftë se ndonjërës nga palët me veprimin e paligjshëm, e sidomos me mosdhënien e mundësisë për shqyrtimin e çështjes në gjykatë;​​ 

 

j) në qoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata e ka refuzuar kërkesën e palës, që në procedurë të përdorë gjuhën dhe shkrimin e vet e të ndjek procesin në gjuhën e vet, kurse për këtë arsye ankohet;​​ 

 

k) në qoftë se në procedurë si paditës, ose i paditur, ka marrë pjesë personi që nuk mund të jetë palë në procedurë, apo në qoftë se palën që është person juridik nuk e ka përfaqësuar personi i autorizuar, ose në qoftë se palën me pazotësi procedurale nuk e ka përfaqësuar përfaqësuesi ligjor ose në qoftë se përfaqësuesi ligjor, respektivisht përfaqësuesi me prokurë i palës nuk ka pasur autorizim të nevojshëm për zhvillimin e procedurës apo për kryerjen e ndonjë veprimi në procedurë, në qoftë se zhvillimi i procedurës, respektivisht ushtrimi i veprimeve te veçanta në procedurë nuk është lejuar më vonë;​​ 

 

l) në qoftë se është vendosur për kërkesën për të cilën vazhdon procedura apo për të cilën më parë është nxjerr aktgjykimi i formës se prerë, ose prej të cilit paditësi njëherë ka hequr dorë ose për të cilin është lidhur pajtimi gjyqësor;​​ 

 

m) në qoftë se, në kundërshtim me ligjin është përjashtuar publiku në seancën kryesore;​​ 

 

n) në qoftë se aktgjykimi ka të meta për shkak të të cilave nuk mund të ekzaminohen, e sidomos në qoftë se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm apo kontradiktor me vetvete ose me arsyet e aktgjykimit, apo nëse aktgjykimi nuk ka fare arsye apo në të nuk janë treguar fare arsyet për faktet vendimtare, ose ato arsye janë të paqarta, ose kontradiktore, ose nëse për faktet vendimtare ekzistojnë kundërthënie midis asaj që në arsyet e aktgjykimit thuhet për përmbajtje të dokumentit ose të procesverbalit për thëniet e dhëna në procedurë dhe të vet atyre dokumenteve ose të procesverbalit;​​ 

 

o) në qoftë se me aktgjykim është tejkaluar kërkesëpadia.”

 

 

SIGURIMI I KËRKESËPADISË

 

 

 

 

Neni​​ 297

[Pa titull]

 

297.1 Masa e sigurimit mund të caktohet:​​ 

 

a) në qoftë se propozuesi i sigurimit e bënë të besueshme ekzistimin e kërkesës apo të së drejtës​​ subjektive të tij , dhe​​ 

 

b) në qoftë se ekziston rreziku se pa caktimin e masës së këtillë pala kundërshtare do të mund ta pamundësonte apo vështirësonte dukshëm realizimin e kërkesës, sidomos me tjetërsimin e pasurisë së vet, me fshehjen e saj, me ngarkimin apo me ndonjë mënyrë tjetër, me të cilën do ta ndryshonte gjendjen ekzistuese të gjërave, ose në ndonjë mënyrë tjetër do të ndikonte negativisht në të drejtat e propozuesit të sigurimit.​​ 

​​ 

297.2 Po që se nuk është përcaktuar ndryshe me ligj, gjykata e cakton masën e sigurimit vetëm nën kushtet që propozuesi i sigurimit, brenda afatit të caktuar nga gjykata, ashtu siç parashihet me Ligjin mbi Procedurën Përmbarimore, jep garanci në masën dhe në llojin e caktuar nga gjykata, për dëmin që mund t’i shkaktohet palës kundërshtare me caktimin dhe ekzekutimin e masës së sigurimit.​​ 

​​ 

297.3 Po që se propozuesi nuk jep garanci brenda afatit të caktuar gjykata e refuzon propozimin për caktimin e masës së sigurimit. Me kërkesën e propozuesit gjykata mund ta liroj atë nga detyrimi i dhënies së garancisë po që se konstatohet se nuk ka mundësi financiare për një gjë të tillë.​​ 

​​ 

297.4 Bashkësitë e pushtetit lokal janë të përjashtuara nga detyrimi i paragrafit 3 të këtij neni.

 

 

Neni​​ 300

[Pa titull]

 

300.1 Për sigurimin e kërkesës së drejtuar kah sendi i caktuar apo kah një pjesë e tij mund të caktohen këto masa sigurimi:​​ 

 

a) ndalimi kundërshtarit të sigurimit që ta tjetërsojë, fshehë, ngarkojë apo disponojë me pasurinë kah e cila është drejtuar kërkesa. Ky ndalim do të evidentohet në regjistrin publik përkatës;​​ 

 

b) ruajtja e pasurisë të cilës i përket ndalimi nga pika a) e këtij paragrafi dhe atë duke u depozituar në gjykatë, nëse kjo është e mundshme, apo duke iu dorëzuar në posedim propozuesit të sigurimit apo personit të tretë;

 

 

c) ndalimi kundërshtarit të sigurimit që të kryejë veprime me të cilat mund të dëmtohet pjesa e pasurisë kah e cila është drejtuar kërkesa, apo urdhri kundërshtarit të sigurimit që t’i kryejë veprimet e caktuara të nevojshme për tu ruajtur pasuria apo për tu ruajtur gjendja ekzistuese e rrethanave;​​ 

 

d) autorizimi i propozuesit të sigurimit që t’i kryejë aktivitetet e caktuara.​​ 

​​ 

300.2 Dispozitat e paragrafit 2 dhe 3 të nenit 299 të këtij ligji zbatohen edhe në rastin e sigurimit të kërkesës së drejtuar kah sendi i caktuar apo kah një pjesë e tij.​​ 

​​ 

300.3 Masat e sigurimit nga ky nen nuk guxojnë në tërësi ta përfshijnë kërkesën që sigurohet me anë të tyre.

 

Neni 304

[Pa titull]

 

304.1 Masa e sigurimit mund të propozohet para inicimit dhe gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor kontestimor si dhe pas përfundimit të tij, derisa ekzekutimi të përfundojë plotësisht.​​ 

​​ 

304.2 Propozimi paraqitet në formë të shkruar. Në qoftë se propozimi është i lidhur me procesin gjyqësor që është në zhvillim e sipër, ai mund të paraqitet edhe gojarisht në seancë gjyqësore.​​ 

​​ 

304.3 Në propozimin për caktimin e masave të sigurimit propozuesi i sigurimit duhet ta tregojë në të kërkesën, për sigurimin e të cilës bënë propozim, masën e sigurimit që e propozon, mjetet dhe objektin e masës të sigurimit. Në propozim duhet të tregohen edhe faktet mbi të cilat mbështetet kërkesëpadia, si dhe të propozohen mjetet provuese me të cilat mund të provohen pretendimet e parashtruara në propozim. Propozuesi i sigurimit ka për detyrë, po që se ka mundësi, që mjetet provuese t’ia bashkangjitë propozimit.​​ 

​​ 

304.4 Për propozimin mbi caktimin e masave të sigurimit të paraqitur gojarisht në mënyrë të përshtatshme aplikohen dispozitat e paragrafit 3 të këtij neni.

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

 

  • Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.

 

  • Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:

 

1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

 

[...]

 

7.​​ Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.​​ 

 

  • Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47​​ (Kërkesa individuale)​​ 48​​ (Saktësimi i kërkesës)​​ dhe 49​​ (Afatet)​​ të​​ Ligjit, që parashikojnë:

 

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Neni 47

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ (Kërkesa individuale)

 

“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

Neni 48

(Saktësimi i kërkesës)

 

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.​​ 

 

Neni 49

(Afatet)

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”

 

  • Në​​ vlerësimin​​ e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart,​​ Gjykata vëren se parashtruesi i​​ kërkesës ka specifikuar se konteston​​ një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendim​​ [Ac.nr.1882/23] të​​ Gjykatës​​ së Apelit​​ ​​ të​​ 18 prillit 2023,​​ pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi​​ i​​ kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai​​ pretendon​​ se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.​​ 

 

  • Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 34​​ [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 34​​ (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34​​ (2) specifikon:

 

“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme​​ nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur​​ parashtruesi/ja​​ nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.​​ 

 

  • Gjykata​​ rikujton që​​ rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34​​ të Rregullores së punës​​ (shih rastin​​ KI04/21, parashtruese​​ Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin​​ KI175/20, parashtruese​​ Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).​​ 

 

  • Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime​​ “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. (​​ shih ​​ rastin​​ KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin​​ KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).

 

  • Në​​ kontekst​​ të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave,​​ Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53​​ [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).

 

  • Gjykata​​ vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet​​ me padinë e parashtruesit të kërkesës​​ në cilësi të paditësit-propozuesit të masës së sigurimit​​ kundër të paditurit-kundërshtarit të sigurimit M.Sh.,​​ për shkak të vërtetimit të së drejtës së kalimit (servitut) në ngastrat kadastrale me numër P-70705029-01779-1 Gjakovë Qytet dhe P70705029-01779-2 Gjakovë Qytet. Së bashku me padi​​ parashtruesi i kërkesës kishte​​ ​​ paraqitur edhe propozim për caktimin e masës së sigurisë me të cilin ka kërkuar që kundërshtarit të sigurimit M.Sh.,​​ nga Gjakova, ti ndalohet ndërmarrja e çfarëdo veprimi duke përfshirë tjetërsimin të gjendjes ekzistuese faktike të paluajtshmërisë e cila evidentohet në njësinë kadastrale me numër​​ P-70705029-01779-3 Gjakovë Qytet, derisa të përfundojë në formë të prerë kontesti i paditësit për vërtetimin e të drejtës së kalimit (servitutit) në parcelën e​​ sipërcituar. Gjykata Themelore refuzoi​​ propozimin​​ për caktimin e masës së sigurimit të kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës, me të cilën kishte​​ kërkuar që “kundërshtarit të sigurimit M.Sh.,​​ t’i ndalohet​​ ndërmarrja e çfarëdo veprimi duke përfshirë tjetërsimin​​ të​​ gjendjes ekzistuese faktike të paluajtshmërisë e cila evidentohet në njësinë kadastrale me numër P-70705029-01779-3 Gjakovë Qytet, derisa të përfundojë në formë të prerë kontesti i paditësit për vërtetimin e të drejtës së kalimit (servitutit) në parcelën e sipërcituar.​​ Gjykata Themelore theksoi se parashtruesi i kërkesës nuk i ka plotësuar kushtet ​​ e përcaktuara me nenet 297, 300 dhe 304 të LPK-së që ndërlidhen me bërjen të besueshme të së drejtës subjektive, precizimin e sendit ndaj të cilit kërkohet caktimi i masës siguruese si dhe ofrimin e provave​​ se pa caktimin e masës​​ siguruese​​ pala kundërshtare do të mund të pamundësonte apo vështirësonte dukshëm realizimin e kërkesës.​​ Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar​​ shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, të konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që të aprovohet ankesa si e bazuar ndërsa aktvendimi ankimor të prishet dhe çështja të kthehet në rivendosje në gjykatën e shkallës së parë.​​ Gjykata e Apelit refuzoi të​​ pabazuar ankesën e​​ parashtruesit të kërkesës​​ dhe​​ vërtetoi aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë.​​ ​​ Gjykata e Apelit​​ vlerësoi se​​ përfundimi dhe qëndrimi juridik i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që aktvendimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë.​​ 

 

  • Nga​​ përmbajtja​​ e procedurave të zhvilluara në gjykatat e rregullta,​​ Gjykata vlerëson se​​ vendimet e kontestuara​​ të Gjykatës​​ Themelore​​ dhe Gjykates​​ së Apelit​​ ndërlidhen​​ me​​ shtyrjen e​​ caktimit​​ te masës së sigurisë për shkak të vërtetimit të drejtës së kalimit​​ (servitut),​​ përkatësisht “procedura paraprake.​​ Gjykata bazuar në praktikën gjyqësore​​ ​​ saj​​ dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), duhet të vlerësojë aplikueshmërinë e garancive të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Në këtë kontekst, Gjykata i referohet pikës (b) të paragrafit (3) të rregullit 34​​ të Rregullores së punës, sipas së cilës, Gjykata mund të konsiderojë një kërkesë të papranueshme nëse e njëjta nuk është​​ ratione materiae​​ në pajtim me Kushtetutën.

 

  • Prandaj,​​ vlerësimi​​ i ​​ kriterit të lartpërmendur​​ në rrethanat e rastit​​ konkret, është i rëndësishëm sepse procedurat e zhvilluara para gjykatave të rregullta hyjnë në fushëveprimin e “procedurave paraprake”, përkatësisht​​ vendimet e kontestuara të​​ Gjykatës​​ Themelore​​ dhe Gjykatës së Apelit​​ ndërlidhen​​ me​​ caktimin e masës së sigurisë ndaj parcelave të konkretizuara,​​ derisa​​ këto të​​ fundit​​ të vendosin​​ me vendim përfundimtar (shqyrtim të meritave) lidhur me padinë e parashtruesit të kërkesës. Rrjedhimisht, Gjykata do të vlerësojë nëse neni 31 i Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së është i zbatueshëm në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës.​​ 

  • Në​​ këtë​​ kontekst specifik, Gjykata vëren se çështja e aplikueshmërisë së nenit​​ 31 të Kushtetutës dhe nenit​​ 6 të KEDNJ-së në procedura paraprake është interpretuar nga GJEDNJ përmes praktikes së saj gjyqësore, në harmoni me të cilën Gjykata, në pajtim me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejta e Njeriut] të Kushtetutës, është e obliguar të interpretojë​​ të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

 

  • Gjykata vë po ashtu në pah, se kriteret për aplikueshmërinë e nenit 31 të Kushtetutës përkitazi me procedurat paraprake janë përcaktuar po ashtu edhe në rastet e kësaj Gjykate, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet​​ KI122/17, parashtrues, ​​ Česká Exportní Banka A.S.,​​ Aktgjykim i 30 prillit 2018;​​ KI150/16, parashtrues, ​​ Mark Frrok Gjokaj, Aktgjykim i 31 dhjetorit 2018;​​ KI81/19, parashtrues,​​ Skender Podrimqaku,​​ Aktvendim për papranueshmëri i 9 nëntorit 2019;​​ KI107/19, parashtrues, ​​ Gafurr Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020;​​ KI195/20, parashtrues, ​​ Aigars Kesengfelds, Aktgjykim, i 29 marsit 2021. Parimet e përgjithshme të vendosura përmes ​​ vendimeve të lartcekura të Gjykatës janë bazuar në rastin e GJENDJ-së,​​ Micallef kundër Maltës, nr. 17056/06, Aktgjykim i 15 tetorit 2009.

 

  • Rrjedhimisht, për të konstatuar nëse në rastin konkret aplikohet neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së, Gjykata do t'iu referohet parimeve të përgjithshme të përcaktuara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës për sa i përket aplikueshmërisë ​​ së garancive procedurale të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe më pas të njëjtat do t'i aplikojë në rrethanat e rastit konkret.

 

  • Bazuar​​ në praktikë gjyqësore të saj dhe të GJEDNJ-së, Gjykata vëren se jo të gjitha masat e sigurisë apo masat e përkohshme përcaktojnë të drejtat ose detyrimet civile dhe në mënyrë që neni 6 i KEDNJ-së të konsiderohet i zbatueshëm, GJEDNJ përcaktoi kriteret mbi bazën e të cilave duhet të vlerësohet aplikueshmëria e nenit 6 të KEDNJ-së në “procedurat paraprake​​ (shih, rastin e GJEDNJ-së,​​ Micallef kundër Maltës, cituar më lart, paragrafët 83-86).

 

  • Sipas kritereve të përcaktuara​​ në rastin Micallef kundër Maltës, të cilat kritere edhe kjo Gjykatë i pranoi ​​ përmes praktikës gjyqësore:​​ së pari, e drejta në fjalë duhet të jetë​​ civile​​ si në shqyrtimin gjyqësor ashtu edhe në procedurat lidhur me masën e sigurisë, brenda kuptimit autonom të këtij nocioni sipas nenit 6 të KEDNJ-së dhe; së dyti, ​​ kjo procedurë duhet të përcaktojë në mënyrë efektive të drejtën civile përkatëse (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së,​​ Micallef kundër Maltës, cituar më lart, paragrafët 84 dhe 85 dhe referencat e përmendura aty, si dhe shih rastet e Gjykatës​​ KI122/17, ​​ parashtrues,​​ Česká Exportní Banka A.S.,​​ të cituar më lart, paragrafët 130 dhe 131;​​ KI81/19,​​ parashtrues, ​​ Skender Podrimqaku, të cituar më lart, paragrafët 47 dhe 48;​​ KI107/19, parashtrues, ​​ Gafurr Bytyqi, të cituar më lart, paragrafi 53).

 

  • Gjykata rikujton që rrethanat e rastit parashtruesi i kërkesës i referohet​​ padisë që kishte paraqitur me qëllim të​​ caktimit​​ të masës së sigurisë kundër kundërshtarit të sigurisë M.Sh., ndaj ngastrave​​ kadastrale​​ të konkretizuara për shkak të vërtetimit të së drejtës së kalimit (servitutit). ​​ 

 

  • Rrjedhimisht, kërkesa për​​ caktimin e masës së sigurisë, si në rrethanat e rastit konkret, në procedurë kontestimore-civile​​ është paraparë në nenin​​ 297​​ të LPK-së. Ky vendim për​​ caktim të masës së sigurisë, bazuar në ligjin e aplikueshëm, mund të merret deri në vendosjen në merita të rastit nga​​ gjykatat e rregullta.​​ 

 

  • Gjykata​​ rikujton se të gjitha çështjet e ngritura në rrethanat e rastit konkret hyjnë në fushëveprimin e “procedurave paraprake​​ derisa​​ të​​ shqyrtohet​​ çështja kryesore për​​ të​​ drejtën e kalimit (servitutit) në ngastrat kadastrale të konkretizuara. Gjykata​​ vëren se procedurat e zhvilluara deri më tani janë procedura paraprake lidhur me​​ caktimin e masës së sigurisë përkitazi me ngastrat kadastrale të konkretizuara ndërsa​​ për aspektin material (meritat) e kësaj kërkese gjykatat e rregullta akoma nuk kanë nxjerrë vendim të formës së prerë dhe të detyrueshëm.​​ ​​ ​​ ​​ 

 

  • Nga sa më sipër, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës (i) gëzon një të “drejtë civile” që vë në lëvizje garancitë procedurale të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; (ii) ​​ kërkesa e parashtruesit të kërkesës përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së është​​ ratione materiae​​ në pajtim më Kushtetutën; dhe, se (iii) garancitë procedurale të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së janë të aplikueshme në rastin e tij.​​ 

 

  • Në​​ tekstin​​ e mëposhtëm të këtij vendimi, Gjykata​​ rithekson se-në pajtim me parimin e subsidiaritetit-do të vlerësojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës​​ vetëm sa i përket procedurës paraprake të kësaj kërkese​​ përkatësisht vendimet për​​ caktimin e masës së sigurisë në ngastrat kadastrale të konkretizuara.​​ ​​ ​​  ​​​​ 

 

  • Gjykata​​ rikujton që parashtruesi i kërkesës​​ shprehimisht pretendon shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës po ashtu në substancë ngre pretendime për shkelje të barazisë së​​ armëve siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së.​​ Parashtruesi i kërkesës pretendon​​ që​​ me mos vendosjen e masës së sigurisë ndaj shtëpisë së rrënuar ku ai është pronar legjitim në ½ pjesë ideale si dhe për shkak të mos miratimit të propozimit për dalje në vend të ekspertit të​​ ​​ gjeodezisë, në dëm të tij janë cenuar parimi i barazisë së armëve dhe e drejta për mbrojte të pronës.

 

  • Gjykata konsideron se vlerësimi i procedurave bëhet në tërësi, pra, nëse të njëjtat kanë qenë të drejta ose jo vlerësohet duke pasur parasysh zhvillimin e tyre në tërësi (shih rastet e GJEDNJ-së,​​ Ankerl kundër Zvicrrës, nr. 17748/91, Aktgjykim i 23 tetorit 1996, paragrafi 38; ​​ dhe ​​ Centro Europa 7 S.r.l. dhe Di Stefano​​ kundër Italisë, nr. 38433/09, Aktgjykim i 7 qershorit 2012, paragrafi 197). Rrjedhimisht, çdo defekt sa i përket korrektësisë së procedurave mundet, në kushte të caktuara, të ndreqet në një fazë të mëvonshme, ose në nivel të njëjtë (shih rastin e GJEDNJ-së​​ Helle kundër Finlandës, nr.157/1996/776/977, Aktgjykim i 19 dhjetorit 1997, paragrafi 54), ose nga një gjykatë më e lartë (shih rastin e GJEDNJ-së​​ Schuler Zgraggen kundër Zvicrrës,​​ nr.14518/89. Aktgjykim i 24 qershorit 1993, paragrafi 52). ​​ 

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata vë në pah, konstatimet e Gjykatës​​ Themelore:​​ Referuar plotësimit të kushtit të parë nga neni 297 par. 1 pika a) e LPK-së, rrjedh se caktimi i ​​ masës së sigurisë bëhet me qëllim të ruajtjes së pasurisë që është objekt i kontestit nga e cila edhe buron ekzistimi i kërkesës apo të drejtës subjektive të tij. Në propozimin për caktimin e masës së sigurisë, propozuesi ka kërkuar që t’i ndalohet kundërshtarit të sigurimit ndërmarrja e çfarëdo veprimi duke përfshirë tjetërsimin e gjendjes faktike të paluajtshmërisë e cila evidentohet në njësinë kadastrale me numër 10-70705029-01779-3 Gjakovë Qytet, derisa të përfundojë në formë të prerë kontesti i paditësit për ​​ parcelën e sipërcituar”. Ndërsa, në anën tjetër, i njëjti me padi, ka kërkuar që të “vërtetohet e drejta e servitutit-e drejta e kalimit të domosdoshëm në rrugën e cila shtrihet në ngastrat kadastrale me numër P-70705029-01779-1 Gjakovë Qytet dhe P-70705029-01779-2 Gjakovë Qytet që do të thotë se në këtë rast nuk është​​ objekt kontesti në këtë çështje juridike vërtetimi i të drejtës së servitutit në parcelën me numër P-70705029-01779-3 (parcelë të cilën ka propozuar që ta sigurojë) por në rrugën që shtrihet në dy ngastra tjera kadastrale, të përshkruara si më sipër. Nga kjo rezulton se propozuesi-paditësi nuk e ka bërë të besueshme ekzistimin e kërkesës apo të drejtës së tij subjektive në raport me paluajtshmërinë Objekt lëndor i propozimit për caktimin e​​ masës së sigurisë. ​​ Referuar plotësimit të kushtit të dytë nga neni 2 7 par.1 pika b) e LPK-së, gjykata gjeti se sipas Certifikatës së pronësisë me numër të lëndës 4114-22 e datës 13.12.2022, propozuesi Mehdi Shehu rezulton të jetë pronar i paluajtshmërisë P-70705029-01779-3, Zona Kadastrale Gjakovë Qytet, pronë private me shfrytëzim aktual tokë ndërtimore-shtëpi-ndërtesë, tokë ndërtimore-oborr, ashtu që sa i përket pretendimit të tij se me mos caktimin e masës së sigurisë do të pamundësohej realizimi i kërkesës pasi që në paluajtshmërinë në fjalë ka qenë e ndërtuar shtëpia e cila është rrënuar në mënyrë arbitrare nga kundërshtari i sigurimit dhe nuk po lejon qasjen e propozuesit si pronar i paluajtshmërisë, andaj propozuesi pretendon se ekziston rreziku potencial që i njëjti të ndërtojë objektin e planifikuar nga ana e tij, për gjykatën është e paqartë se cila kërkesë e paditësit pamundësohet që të realizohet në rast se nuk caktohet masa e sigurisë, duke qenë se i njëjti kërkesën për caktimin e masës nuk e ka kërkuar në drejtim të sigurimit të kërkesëpadisë. Për më tepër, me vet faktin se paditësi- propozuesi është pronar i kësaj ngastre kadastrale, i ka të gjitha të drejtat mbi atë paluajtshmëri të garantuara me dispozitat ligjore në fuqi. Andaj, duke qenë se masa e sigurisë ka për qëllim vetëm ruajtjen e pasurisë që është objekt kontesti, në rastet kur ekziston rreziku i qartë dhe serioz se pa caktimin e saj, do të pamundësohej dukshëm realizimi i kërkesës së propozuesit të sigurimit, ndërsa në rastin konkret, kërkesa për masën e sigurisë nuk është paraqitur në drejtim të sigurimit të kërkesëpadisë, gjykata erdhi në përfundim që në këtë fazë të procedurës nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së sigurisë nga nenit 297 par. I pika a) dhe b) të LPK-së.”

 

  • Gjykata po ashtu vë në pah konstatimet e Gjykatës së Apelit: “Kolegji i Gjykatës së Apelit, me një kujdes të shtuar i ka analizuar pretendimet ankimore në raport me provat që gjenden në shkresat e lëndës dhe erdh në përfundim se këto pretendime tani për tani nuk qëndrojnë sepse masa siguruese është mjet për parandalimin e ndryshimit të gjendjes ekzistuese të kërkesëpadisë dhe kjo masë mund të caktohet po që se propozuesi i masës e bënë të besueshme të drejtën e tij subjektive dhe paraqet prova apo rrethana që e bindin gjykatën se pa caktimin e masës së sigurisë ekziston rreziku serioz se kundërshtari i sigurimit me veprimin apo mos veprimin e tij mund t’ia pamundëson apo vështirëson dukshëm realizimin e kërkesëpadisë. Në rastin konkret propozuesi i masës së sigurimit nuk ka ofruar ndonjë provë konkrete se kundërshtari i sigurimit, vërtet mund të pamundësoj apo vështirësoj dukshëm realizimin e kërkesëpadisë në ndonjë mënyrë tjetër, me të cilën do mund të ndryshonte gjendjen ekzistuese të gjërave, ose në ndonjë mënyrë tjetër do të ndikonte negativisht në të drejtat e propozuesit të sigurimit ngase në bazë të Certifikatës së pronësisë me numër të lëndës 4114-22 e datës 13.12.2022, vërtetohet se propozuesi i masës së sigurimit Mehdi Shehu është pronar juridik i paluajtshmërisë P-70705029-01779-3, Zona Kadastrale Gjakovë, ​​ vendimi lidhur me masën e sigurisë nuk përfaqëson çështje të gjykuar e as nuk e prejudikon vendosjen e çështjes lidhur me meritat e saj dhe arsyet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë mbi refuzimin e propozimit për caktimin e masës se sigurisë, i pranon në tërësi edhe Gjykata e Apelit sepse arsyet janë bindëse dhe të bazuara në provat materiale.”

 

  • Nga sa më sipër, Gjykata vëren se Gjykata​​ Themelore​​ por edhe Gjykata e Apelit:​​ (i)​​ kanë dhënë një arsyetim ​​ gjithëpërfshirës të të gjitha çështjeve qendrore të çështjes së parashtruesit të kërkesës çka lë të kuptohet se parashtruesit i është mundësuar paraqitja e argumenteve kundrejt palës​​ së paditur​​ M.Sh.;​​ (ii)​​ Gjykata​​ Themelore​​ dhe Gjykata e Apelit kanë përcaktuar bazën ligjore duke dhënë shpjegime të mjaftueshme dhe logjike për​​ kushtet ligjore që duhet të plotësohen për​​ caktimin e masës së sigurisë;(iii)​​ Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit kanë shpjeguar se parashtruesi i kërkesës nuk e ka bërë të besueshme të drejtën subjektive për caktimin e masës së sigurisë për shkak të paqartësisë së padisë së tij lidhur me​​ a)​​ kërkesën për caktimin e masës së sigurisë;​​ b)​​ të drejtën e kalimit (servitutit) në ngastrat kadastrale të konkretizuara;​​ dhe,​​ (iv)​​ Gjykata​​ Themelore dhe Gjykata e Apelit theksuan se vendimi ​​​​ lidhur me masën e sigurisë nuk paragjykon zgjidhjen në merita të çështjes së parashtruesit të kërkesës.

 

  • Sa i përket pretendimit për​​ cenim të parimit të barazisë së armëve, Gjykata vlerëson se barazia e armëve nënkupton që palëve duhet dhënë mundësi të arsyeshme për të mbrojtur rastin e tyre në kushte që nuk i vënë ata në​​ pabarazi​​ substanciale​​ (substantial disadvantage)​​ krahas palës kundërshtare (shih rastin e GJEDNJ-së,​​ Regner​​ kundër Republikës Çeke, nr. 35289/11, Aktgjykim i 19 shtatorit 2017, paragrafi​​ 146).

 

  • Gjykata vlerëson se refuzimi i propozimit të parashtruesit të kërkesës për dalje në vend të ekspertit të gjeodezisë nga gjykatat e rregullta​​ (i)​​ nuk nënkupton se ky i fundit ka qenë në pabarazi substanciale kundrejt palës kundërshtare;​​ (ii)​​ ose që​​ për shkak të refuzimit të propozimit të parashtruesit të kërkesës,​​ palës kundërshtare i është akorduar pozitë dominuese​​ apo që kjo e fundit ka ushtruar ndikim të konsiderueshëm në vlerësimin e gjykatave të rregullta (​​ shih rastin e GJEDNJ-së,​​ Yvon​​ kundër​​ Francës,​​ nr. 44962/98, Aktgjykim i 24 prillit 2003,​​ paragrafi​​ 37).

 

  • Gjykata rithekson se vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta janë të arsyetuara dhe përmbajnë fakte të vërtetuara, dispozitat ligjore përkatëse dhe marrëdhënien logjike midis tyre. (shih rastet e Gjykatës, nr.​​ KI174/21​​ parashtrues​​ Bashkim Makiqi, cituar më lart, paragrafi 58 dhe nr. ​​ KI72/12, parashtrues​​ Veton Berisha dhe Ilfete Haziri, aktgjykim i 17 dhjetorit 2012, paragrafi 61, dhe nr.​​ KI135/14,​​ IKK Classic, aktgjykim i 9 shkurtit 2016, paragrafi 58).

 

  • Sa i përket pretendimeve për zbatim të gabuar të ligjit nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme,​​ Gjykata ka pohuar vazhdimisht​​ se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë​​ konkluzionet​​ e gjykatave të​​ rregullta​​ në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale​​ dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e​​ “shkallës së katërt, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së​​ García Ruiz kundër Spanjës,​​ nr. 30544/96,​​ Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty;​​ dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës​​ KI128/18​​ parashtrues​​ Limak Kosovo International Airport Sh.A. “Adem Jashari”, Aktvendim për Papranueshmëri i 27 majit 2019, paragrafi 56; dhe​​ KI62/19​​ parashtrues​​ Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 13 nëntorit 2019, paragrafi 58).

 

  • Duke vlerësuar procedurat e zhvilluara në tërësi në gjykatat e rregullta, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës përfitoi nga procedura kontradiktore dhe se ai ishte në gjendje të paraqes në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ai i konsideroi të rëndësishme për rastin e tij; ai ka pasur mundësinë të hedhë poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta dëgjuan dhe shqyrtuan të gjitha pretendimet e tij, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimin e kontestuar janë dhënë në hollësi dhe procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta (shih ​​ mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së,​​ Garcia Ruiz kundër Spanjës, ​​​​ cituar më lart, ​​ paragrafët 29 dhe 30, shih gjithashtu rastin e Gjykatës nr.​​ KI22/19, parashtrues​​ Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).

 

  • Gjykata​​ thekson​​ se nuk do të​​ vlerësojë në themelësi​​ pretendimin për​​ ​​ të drejtën e kalimit (servitut) të parashtruesit të kërkesës në ngastrat kadastrale të konkretizuara,​​ për shkak se ky​​ pretendim ka të bëj me aspektin material të kërkesës që parashtruesi i kërkesës​​ akoma​​ ka mundësi​​ t’i ngre në procedurë tek gjyqësori i rregullt-dhe si​​ i​​ tillë- të gjitha këto pretendime​​ në këndvështrimin e ​​ Gjykatës​​ janë të​​ parakohshme, ngase në situatën konkrete para Gjykatës për​​ trajtim​​ janë procedurat paraprake​​ (shih, mutatis mutandis,​​ rastet e Gjykatës​​ KI65/22​​ parashtrues,​​ Shoqëria “Fitorja” sh.p.k., Aktvendim për papranueshmëri i 23 shkurtit 2023, paragrafi 66; ​​ KI202/21, parashtrues​​ “Kelkos Energy SH.P.K.,”​​ ​​ Aktgjykim i 29 shtatorit 2022, paragrafi 143; dhe​​ ​​ KI75/21, parashtrues​​ “Abrazen LLC”, “Energy Development Group Kosova LLC”, “Alsi & Co. Kosovë LLC” dhe “Building Construction LLC”,​​ Aktgjykim i 19 janarit 2022, paragrafi 95).​​ 

 

  • Gjykata konkludon se pretendimet ​​ e​​ parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm​​ ​​ dhe​​ të​​ drejtës​​ në pronë​​ siç garantohen​​ me nenin 31​​ dhe 46​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1)​​ ​​ të KEDNJ-së​​ dhe nenin 1 të Protokollit nr.1 të KEDNJ-së,​​ janë pretendime​​ “të pambështetura apo të paarsyetuara”​​ dhe duhet të ​​ refuzohen​​ ​​ qartazi​​ ​​ pabazuara​​ në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34​​ (2) të Rregullores së punës.

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7​​ të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 ​​ të Ligjit dhe rregullin​​ 34 (2) dhe​​ ​​ 48 (1) (b)​​ të Rregullores së punës, më ​​​​ 17 janar 2024, njëzëri

 

 

VENDOS

 

  • TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  • T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;

 

  • TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  • Ky aktvendim hyn në fuqi​​ ​​ në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit; ​​ 

 

 

 

 

 

Gjyqtare​​ raportuese  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

 

Remzije Istrefi-Peci    ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Gresa Caka-Nimani

 

 

 

Parashtruesit:

Mehdi Shehu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile