Prishtinë, më 10 qershor 2024
Nr. ref.: RK 2447/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI154/22
Parashtrues
Bekim Sahiti
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 518/22, të 8 qershorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Bekim Sahiti, nga Komuna e Drenasit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar me autorizim nga Ekrem Agushi, avokat në Prishtinë.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, [Rev. nr. 518/22], të 8 qershorit 2022, në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 1023/2018] të 4 nëntorit 2020 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) në lidhje me Aktgjykimin [C. nr. 404/17] të 20 korrikut 2017 të Gjykatës Themelore në Prishtinë – dega në Lipjan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 6 korrik 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), si dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 (E drejta për Zgjidhje Efektive) të KEDNJ-së.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 25 [Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 12 tetor 2022, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) pranoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës.
Më 26 tetor 2022, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Safet Hoxha gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 25 tetor 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin për regjistrimin e kërkesës.
Më 25 tetor 2022, Gjykata ia dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.
Në të njëjtën ditë, Gjykata e njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ajo që të njoftojë Gjykatën lidhur me datën se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar.
Më 9 nëntor 2022, Gjykata Themelore e dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 30 prill 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës, rezulton se parashtruesi i kërkesës ishte në marrëdhënie pune për kohë të caktuar në Aeroportin Ndërkombëtar "Limak Kosova" Sh. a., me seli në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Aeroporti "Limak Kosova"), fillimisht nga 4 prilli 2011, deri më 3 prill 2014.
a) Procedura disiplinore
Më 3 maj 2012, organet përkatëse të Aeroportit “Limak Kosova” ndaj parashtruesit të kërkesës zhvilluan procedurën disiplinore ku kishin konstatuar shkelje të rëndë të detyrave të punës dhe rrjedhimisht i ishte shqiptuar masa disiplinore “ndërprerja e marrëdhënies së punës”.
Më 7 maj 2012, Aeroporti “Limak Kosova” përmes vendimit [HR-2012-238/08.05.2012-PP] ia shkëputi kontratën e punës parashtruesit të kërkesës, për shkak të shkeljeve të rënda të detyrimeve nga puna.
Më 14 maj 2012, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për rishqyrtim të vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, përmes së cilës kishte kërkuar që vendimi i 7 majit 2012, me të cilin i është ndërprerë kontrata e punës, të anulohet si joligjor dhe parashtruesi i kërkesës të kthehet në marrëdhënie pune. Nga Aeroporti “Limak Kosova” nuk kishte marrë përgjigje lidhur me kërkesën e tij.
b) Procedura gjyqësore
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës, përmes përfaqësuesit të tij të autorizuar paraqiti padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë – dega në Lipjan, duke theksuar se, në bazë të kontratës së punës së referuar, është krijuar marrëdhënia e punës për një periudhë të caktuar nga 3 prilli 2011 deri më 3 prill 2014, në detyrën e Operatorit X-RAY dhe me pagë bruto mujore prej 650€. Parashtruesi i kërkesës vendimin [HR-2012-2038/08.05.2013-PP] të 7 majit 2012, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës e konsideroi të papranueshëm ligjërisht, duke kërkuar anulimin e tij dhe kthimin në punë me të gjitha të drejtat nga 25 maji 2012. Sipas parashtruesit të kërkesës, mungesa e përgjigjes së punëdhënësit në ankesën e tij e bën vendimin e tyre të jetë i papranueshëm ligjërisht, duke pretenduar se ai nuk është një pasqyrim i zbatimit korrekt të procedurave disiplinore dhe dispozitave të kontratës së punës, si dhe dispozitave ligjore. Tutje, parashtruesi i kërkesës pretendonte se vendimi i punëdhënësit është i papranueshëm ligjërisht dhe, si rrjedhojë, nuk mund të ketë efekt juridik, duke u bazuar se vendimi i kontestuar i punëdhënësit është rezultat i moszbatimit të procedurave disiplinore dhe zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore. Sipas parashtruesit të kërkesës, punëdhënësi ka qenë i detyruar ta informonte atë me një njoftim paraprak të paktën 30 ditë më parë për shkeljen e rëndë të detyrave të punës, në përputhje me pikën 5.3 të kontratës së punës dhe dispozitat e nenit 70 al.1, pika 1.4, 1.4.1 dhe pika 1.5 të Ligjit të punës. Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës kishte kërkuar kompensimin e dëmit material për humbjen e të ardhurave mujore.
Aeroporti “Limak Kosova” (i padituri) parashtroi përgjigje në padi përmes së cilës kishte kontestuar plotësisht kërkesën e të paditurit si të pabazuar, me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës kishte dështuar në përmbushjen e detyrave të tij të punës.
Më 7 mars 2014, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 171/12] refuzoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se vendimi i Aeroportit “Limak Kosova”, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës ishte në pajtim me kontratën e punës dhe Ligjin e punës, si rezultat i shkeljeve të rënda të detyrave të punës nga parashtruesi i kërkesës.
Kundër aktgjykimit të lartcekur, brenda afatit ligjor, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182.2, pika n) e LPK-së, duke pretenduar vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Propozoi që aktgjykimi i goditur të ndryshohet sipas pretendimeve ankimore të tij, me miratimin e tërësisë së kërkesëpadisë së tij, ose të prishet dhe lënda t'i kthehet gjykatës së shkallës së parë për rigjykim.
Aeroportit “Limak Kosova”, në cilësinë e të paditurit nuk kishte paraqitur përgjigje në ankesë.
Më 15 gusht 2017, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 1981/2014] pranoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe prishi Aktgjykimin [C. nr. 171/2012] e Gjykatës Themelore dhe ktheu lëndën në rigjykim në shkallë të parë me arsyetimin qendror se “Shkelja qenësore e dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182.2, pika n) e LPK-së (në cilën thirret vet paditësi në pretendimet e tij ankimore), konsiston në faktin se dispozitivi i këtij aktgjykimi është i pakuptueshëm, kontradiktor me vetveten, arsyetimi i këtij aktgjykimi nuk përmban arsye mbi faktet vendimtare dhe ato arsye që janë dhënë janë të paqarta e të pamjaftueshme, për çka i njëjti nuk mund të vlerësohet dhe ekzaminohet në drejtim të zbatimit të drejtë të së drejtës materiale”.
Gjykata e Apelit tutje vendimmarrjen e saj e arsyetoi si në vijim:
“Gjykata e shkallës së parë vendimin e vet e ka bazuar në nenin 70.1.4 dhe 71.2 të Ligjit të Punës, por askund nuk përmend rregulloret e brendshme të paditurit për procedurën disiplinore dhe të ankesave, as nuk i ka siguruar këto akte si provë në shkresat e lëndës, të cilat i përmend vet i padituri edhe në vendimin e Komisionit disiplinor edhe në vendimin e Menaxherit Gjeneral i të paditurit, sipas të cilëve paditësit i është shqiptuar masa disiplinore "ndërprerje e marrëdhënies së punës" - për shkelje të detyrave të punës me të cilën ngarkohet.
Kjo gjykatë, si gjykatë e shkallës së dytë, vlerëson se gjykata e shkallës së parë nuk ka mundur ta vërtetoj drejtë as gjendjen faktike e as ta zbatojë të drejtën materiale në këtë çështje juridike pa siguruar aktet e brendshme normative të paditurit, përkatësisht rregulloret e të paditurit për procedurën disiplinore dhe të ankesave - nga të cilat do të kuptohej se çfarë shkelje disiplinore paraqet shkelja e paditësit, a kualifikohet si shkelje e lehtë apo e rëndë, çfarë masa disiplinore parashihen për këtë lloj shkelje, si është paraparë të udhëhiqet procedura disiplinore, përfshirë këtu edhe përbërjen e komisionit disiplinor, sa anëtarë i ka, kush mund të jetë anëtare.
Për arsyet e lartcekura, aktgjykimi i shkallës së parë prishet me detyrimin e gjykatës së shkallës së parë që rigjykimin e çështje, të veproj sipas vërejtjeve të dhëna në këtë aktvendim, duke marrë në konsideratë edhe pretendimet tjera ankimore të paditësit, për t’i eliminuar të metat e identifikuara si më lart, duke siguruar Rregulloren e të paditurit për procedurën disiplinore dhe të ankesave për të vlerësuar se procedura e udhëhequr ndaj paditësit a është zhvilluar në pajtim me atë. Po ashtu, duhet ta urdhëroj paditësin të bëjë precizimin e kërkesëpadisë së tij se cilin vendim të të paditurit kërkon të anulohet e që ka të bëjë me ndërprerjen e marrëdhënies së tij të punës, sepse është e padobishme për të që të kërkoj vetëm anulimin e vendimit të drejtorit të paditurit e duke e anashkaluar vendimin e komisionit disiplinor, i cili mbetet në fuqi dhe mund të prodhoj efekt juridik, gjë që në fund duhet të rezultojë me vendim të drejtë e të ligjshëm, me dispozitiv dhe arsyetim të qartë e bindës”.
(Procedura e rigjykimit)
Më 20 korrik 2017, Gjykata Themelore në procedurën e rigjykimit përmes Aktgjykimit [C. nr. 404/17], vendosi si në vijim:
“I.APROVOHET kërkesëpadia e precizuar e paditësit Bekim Sahiti nga Prishtina, si e BAZUAR dhe ANULOHET vendimi i të paditurës për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nr.HR-2012-238/08.05.2012-PP te dt. 07.05.2012, si joligjor dhe
II.DETYROHET e paditura që paditësin ta kthej në punë dhe detyrat e mëparshme të punës si "Operator X-RAY", me të gjitha të drejtat nga marrëdhënia e punës duke filluar nga dt.07.05.2012 e deri në ditën e kthimit në punë si dhe t'ia kompensoj dëmin material për shkak të mosrealizimit të të ardhurave personale për periudhën kontestuese nga dt. 28.05.2012, deri me dt. 31.10.2017, në shumë prej 43.788.67.-€, kontributin për Trustin Pensional në shumë prej 4.265.30.-€, kontributin për tatim në pagë në shumë prej 2.596.40.-€, si dhe t'ia kompensoj shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë prej 3682.-€, të gjitha këto në afat prej 7 ditësh nga dita e dorëzimit të aktgjykimit nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm”.
Gjykata Themelore përmes të njëjtit aktgjykim, duke u bazuar në provat e administruara, arsyetoi se vendimi i Aeroportit “Limak Kosova”, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës është joligjore meqë (i) vendimi nuk përmban asnjë dispozitë ligjore ose normë të aktit të brendshëm të punëdhënësit që e justifikon bazën e tij, dhe nuk specifikon shkeljen e parashtruesit të kërkesës në kundërshtim me aktin e brendshëm; (ii) punëdhënësi kishte dështuar që në pajtim me Ligjin e Punës të njoftoj parashtruesin me paralajmërimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, siç parashikohen nga nenet 70.1.4 dhe 71 të Ligjit të Punës duke shkelur dispozitat ligjore për periudhën e paralajmërimit; si dhe (iii) dështimi për ta paralajmëruar në afatin e caktuar ligjor ndërprerjen e marrëdhënies së tij të punës përbën shkelje të dispozitave ligjore dhe vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës është joligjor në rastin konkret.
Në një datë të pacaktuar, Aeroportit “Limak Kosova” parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe konstatim të gabuar të gjendjes faktike.
Më 4 nëntor 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 1023/2018] vendosi si në vijim:
“APROVOHET e bazuar ankesa e të paditurës Aeroporti Ndërkombëtar "Limak Kosova", Vrellë Lipjan, NDRYSHOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë - Dega në Lipjan C. m. 404/17, i datës 30.01.2018, dhe gjykohet si në vijim: "Kërkesëpadia e paditësit Bekim Sahiti nga Prishtina me të cilën ka kërkuar të anulohet si i kundërligjshëm vendimi i të paditurës për ndërprerjen e marrëdhënies së punës m. HR -2012 -238/08.05.2012-PP, datë 07.05.2012 dhe të detyrohet e paditura që paditësin ta kthej në punë dhe detyra të mëparshme të punës si "Operator X-RAY", me të gjitha të drejtat nga marrëdhënie e punës, përfshirë kompensimin e pagave, trustin pensional dhe tatimin në pagë, duke filluar nga data 28.05.2012, e deri në kthimin përfundimtar në punë, REFUZOHET në tërësi si e pabazuar".
Gjykata e Apelit përmes të njëjtit aktgjykim arsyetoi vendimmarrjen e saj si në vijim:
“Gjykata e Apelit e Kosovës nisur nga kjo gjendje e çështjes vlerëson se përfundimi dhe qëndrimi i gjykatës së shkallës së parë rreth mënyrës së vendosjes nuk është i drejtë dhe i ligjshëm, përkundër faktit se aktvendimi i atakuar rezulton të mos jetë i përfshirë me shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182, paragrafi 2, pika b), g), j), k) dhe m) të LPK-së, për të cilat kjo gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare dhe as me shkelje të tjera të dispozitave të procedurës kontestimore të pretenduara nga pala ankuese. Megjithatë, gjendja faktike e konstatuar nga gjykata e shkallës së parë, nuk korrespondon drejtë me provat nga shkresat lëndore, e që për pasojë, me rastin e vendosjes sipas aktgjykimit të atakuar ka ardhur deri te zbatimi i gabuar i të drejtës materiale”.
[....]
Gjykata e Apelit vlerëson se paditësi nuk ka arritur të mbështesë bazën juridike të kërkesëpadisë përderisa në çështjen konkrete juridike (nga provat e administruara) ka rezultuar se paditësi në të vërtetë ka dështuar në përmbushjen e detyrave të punës, pasi gjate vizitës së ekipit menaxhues ishte gjetur duke fjetur gjate orarit të punës. Këtë fakt, siç rezulton nga procesverbali i datës 03.05.2012, edhe vetë paditësi e ka pohuar gjatë procedurës disiplinore të zhvilluar nga ana e të paditurës. Gjykata e Apelit në kuptim të këtyre gjetjeve vjen në përfundim se është i drejtë konstatimi i të paditurës se paditësi ka rrezikuar sigurinë e pasagjerëve dhe të aeroportit, duke i shkelur seriozisht detyrat e punës që bënë pjesë në rastet e rënda të sjelljes së keqe të punonjësit. Rrjedhimisht, për shkak të mospërmbushjes së detyrave të punës, përgjegjësive të punës të Programit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil dhe të Programit të Sigurisë së Aviacionit dhe Aeroportit, e paditura me të drejtë ia ka ndërprerë kontratën e punës paditësit pa njoftimin paraprak, e cila mënyrë e ndërprerjes së kontratës së punës është në pajtim me nenin 5.3 të kontratës së datës 02.04.2011, të lidhur mes palëve ndërgjyqëse”.
Për më shumë, gjykata ankimore vlerësoi se pretendimet nga padia se e paditura nuk i ka respektuar afatet ligjore për ndërprerjen e kontratës së punës, përbëjnë pretendime formalo-procedurale dhe nuk kanë ndikim në vendosjen lidhur me këtë çështje kontestimore, sepse e paditura në procedurën disiplinore ka konstatuar që paditësi ka kryer shkelje serioze të detyrave të punës dhe rrjedhimisht kjo rrethanë për të paditurën ka krijuar të drejtën që të ndërprejë kontratën e punës me paditësin pa njoftim paraprak prej 30 ditësh, ashtu siç janë dakorduar ndërgjyqësit edhe me kontratën e punës të datës 02.04.2011, duke përjashtuar kështu afatet kohore për njoftim të paraparë si në dispozitat e nenit 71 të Ligjit për punë [...]”.
Kundër aktgjykimit të lartcekur, brenda afatit ligjor, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe konstatim të gabuar të gjendjes faktike.
Më 8 qershor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 518/2021] refuzoi revizionin si të pathemeltë, me arsyetimin se drejt ishte zbatuar e drejta materiale nga ana e Gjykatës se Apelit.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se aktgjykimi i kontestuar është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, si dhe me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës ka ngritur pretendime në lidhje me shkeljet e dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Parashtruesi i kërkesës konsideron se aktgjykimet e Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit përmbajnë shkelje qenësore të dispozitave të nënparagrafit (n) të paragrafit (2) të nenit 182 të LPK-së, me arsyetimin se “aktgjykimi ankimor nuk përmban arsye për faktet vendimtare, ndërsa arsyet e paraqitura janë kundërthënëse me përmbajtjen e provave të shqyrtuara, këtë ngase gjykata e shkallës së parë në arsyetimin e aktgjykimit ka paraqitur arsye të përgjithësuara dhe vetëm ka bërë përshkrim formal të përmbajtjes së aktit kontestues-njoftimit të së paditurës për mos ripërtëritjen e kontratës së punës”.
Parashtruesi i kërkesës përgjatë pretendimeve të tij thekson se “aktgjykimi ankimor nuk përmban arsye të qarta për sa i përket aktit kontestues - njoftimit të paditurës, këtë ngase gjykata njoftimin e të paditurës gabimisht e vlerëson si vendim për mos vazhdim të kontratës së punës ose ndërprerje të marrëdhënies së punës dhe në arsyetimin e aktgjykimit paraqet arsye kundërthënëse me përmbajtjen e këtij akti edhe pse përmbajtja e tij është shumë e kuptueshme nga i cili rrjedhë se paditësi nga e paditura me këtë njoftim-akt vetëm është paralajmëruar se nuk do t’i bëhet ripërtëritja e kontratës së punës pas datës së cekur për shkaqet e planifikimit të resurseve njerëzore (ndërsa menjëherë pas largimit e 45 të punësuarve e paditura punëson punëtorë të rinj). Njoftimi kontestues i të paditurës nuk përfaqëson aktvendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për shkak të skadimit të kontratës së punës, me arsyetim se me aktin kontestues e paditura vetëm e ka paralajmëruar paditësin se nuk do t’i bëhet ripërtëritja e kontratës së punës pas dt.03.03.2014, mirëpo pas kalimit të afatit prej 30 ditësh e paditura me asnjë vendim të formës së shkruar nuk e ka konstatuar mos ripërtëritja apo ndërprerjen e kontratës së punës pas dt.03.04.2014 për shkaqet dhe arsyet të cilat i paraqet gjykata në arsyetimin e aktgjykimit ankimor pa kurrfarë prove. Akti kontestues krijon efete të përkohshme juridike vetëm në kohëzgjatje prej 30 dite, kurse mosnxjerrja e njoftimit-paralajmërimit nga punëdhënësi shkakton vetëm përgjegjësi materiale për kompensimin e një page mujore dhe pasoja tjera ligjore nuk shkakton përderisa punëdhënësi nuk ia dorëzon të punësuarit vendimin e formës së shkruar për ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Ky vendim nuk i është dorëzuar asnjëherë paditësit dhe për këtë fakt me rëndësi vendimtare gjykata, me apo pa qëllim nuk paraqet arsye në arsyetimin e aktgjykimit. Ngase aktgjykimi ankimor i përmban të gjitha mangësitë e cekura, për këtë arsye i autorizuari i paditësit i propozon Kolegjit të Gjykatës Supreme të Kosovës që aktgjykimi a goditur të prishet dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim”.
Parashtruesi i kërkesës thekson se “Nga sa u paraqit më lartë rrjedh se qëndrimi juridik i gjykatës së shkallës së parë është plotësisht i gabuar, me arsyetim se në kontestet e vlerësimit të ligjshmërisë së njoftimit apo vendimeve për ndërprerjen e marrëdhënies së punës gjykata është e detyruar që ta vlerësoj drejtë ligjshmërinë e tyre në pajtim me LP-së. Kontratën kolektive, aktet brendshme normative të paditurës. Këto elemente sikundër u tha më lartë nuk janë vërtetuar, kurse përfundimi i gjykatës se akti kontestues i të paditurës është ligjor tash për tash është i paqëndrueshëm, sepse gjykata nuk ka autorizim ligjor që njoftimit kontestues të paditurës t'ia jep cilësinë - tretmanin juridik të vendimit për ndërprerjen e kontratës së punës, por ka autorizim ligjor të vërtetoj se gjatë procedurës së largimit të paditësit a është zbatuar procedura ligjore për nxjerrjen e ligjshëm të aktit kontestues dhe se a është bërë ndërprerja e ligjshme e marrëdhënies së punës me të punësuarin-paditësin”.
Parashtruesi i kërkesës thekson se “Nga të gjitha provat e paraqitura, e sidomos nga shkresat e të paditurës rrjedh se e paditura nuk e ka zbatuar procedurën për nxjerrjen e aktit kontestues në pajtim me ligjin, kontratën kolektive dhe aktet normative të paditurës dhe për këtë arsye i autorizuari i paditësit konsideron se akti -njoftimi i të paditurës është joligjor dhe i propozon kolegjit të gjykatës së shkallës së dytë që aktgjykimi ankimor të ndryshohet dhe kërkesëpadia e paditësit të miratohet në tërësi si e bazuar”.
Parashtruesi i kërkesës thekson se “I autorizuari i paditësit konsideron se mbi bazën e arsyeve të paraqitura gjykata e shkallës së parë i ka zbatuar gabimisht dispozitat e nenit 63 pika 1.3, 67 të LP-së dhe nenin 1.1 të kontratës së punës (kjo pikë e kontratës është kundërthënëse me pikën 6.11. të kontratës) edhe pse gjykata ka qenë e detyruar që në këtë situatë juridike të veproj në pajtim me dispozitën e nenit 4.al.3 të LP-së me të cilën është paraparë se kontrata e punës mund të zbatohet vetëm atëherë kur përmban dispozita me të cilat përcaktohen me shumë të drejta dhe kushte më të favorshme nga të drejtat dhe kushtet e përcaktuara me ligj. Ngase kontrata e punës përmban më pak të drejta dhe kushte më të rënda - të disfavorshme për punëdhënësin paditësin kjo si e tillë nuk mund të zbatohet për sa i përket shkaqeve të cilat janë përcaktuar me kontratë e sidomos kur kemi të bëjmë me rastin konkret kur mos ripërtëritja e kontratës së punës paditëses dhe 44 të punësuarve tjerë ju ka bërë pa kurrfarë baze ligjore”.
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon se “është i befasuar me interpretim e gabuar të dispozitës së nenit 67 pika 1.3 e LP-së nga gjykata, me arsyetim se me dispozitat e nenit 70, al.1 pika 1.4 dhe 1.5 të LP-së është paraparë se punëdhënësi mund t'ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit me një periudhë paralajmërimi dhe rastet e rënda të sjelljes së të punonjësit dhe punëdhënësit duhet ta njoftojë të punësuarin për largimin e tij menjëherë pas rastit që shpie të largim sapo punëdhënësi është vënë në dijeni të atij rasti”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se “Në situatën konkrete kjo dispozitë ligjore nuk mund të zbatohet, sepse paditësi nuk është paralajmëruar për mosripërtëritjen e kontratës së punës për shkak të shkeljeve të rënda të detyrave të punës, por njoftimi kontestues është nxjerr vetëm për shkaqet dhe arsyet të cilat u komentuan më lart, përkatësisht kinse si rrjedhojë e planifikimit të resurseve njerëzore sipas vendimit të kompanisë, i cili sikundër u theksua më se një herë nuk është marrë fare nga e paditura, sepse pala e paditur nuk e ka prezantuar, por as gjykata këtë zyrtarisht nuk e ka kërkuar”.
Lidhur me shkeljet e pretenduara të Kushtetutës dhe pranueshmërinë e kërkesës së tij, parashtruesi i kërkesës vlerëson se “... gjykatat e cekura më lart kanë shkelur dispozitën e nenit 113. 7 të Kushtetutës së R. Kosovës me të cilën është parashikuar se "individët janë të autorizuar t’i ngritin shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo pasi të kenë shtjerrë të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj". Në situatën konkrete paditësi- i autorizuari i tij i ka shteruar të gjitha mjetet juridike e cila ka të bëjë vetëm me shpërblimin e dëmit jomaterial për vlerësimit të ligjshmërisë së njoftimit apo vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës si dhe gjykatat instanciale nuk kanë autorizim ligjor që njoftimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës t’i jep cilësinë - tretmanin juridik të vendimit për ndërprerjen e kontratës së punës pasi që në këtë është juridiko civile paditësit i është shkaktuar edhe e drejta në të holla, pavarësisht nga shpërblimi i dëmit material”.
Parashtruesi i kërkesës thekson: “Ky interpretim për më tepër se kaq është jo profesional dhe në këtë mënyrë paditësit i janë shkelur rëndë të drejtat nga neni 31.2 të Kushtetutës së R. së Kosovës e cila garanton se "çdo kush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshëme e themeluar me ligj". Neni 53 i Kushtetutës përcakton zbatimin e drejtpërdrejtë të GJEDMNJ-së. Pasi që paraqitësi i kërkesës saktëson qartë dispozitat kushtetuese dhe të drejtat e tij të garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane, kërkon nga Gjykata Kushtetuese të R. së Kosovës që të pranoj këtë rast dhe të shqyrtoj kërkesën në pajtim me përmbajtjen e shkeljeve të pretenduara nga paditësi”.
Në vijim të kësaj, parashtruesi i kërkesës gjithashtu kërkon nga Gjykata të konstatojë se aktgjykimi i Gjykatës Supreme nuk i ka arsyetuar bindshëm dhe në mënyrë faktike aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon që Gjykata të: (i) deklarojë kërkesën e tij si të pranueshme; (ii) të konstatojë shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe nenit 54 të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 të KEDNJ-së; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin [Rev. nr. 518/2021] të Gjykatës Supreme, dhe Aktgjykimin [Ac. nr. 1023/2018] e Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [C. nr. 404/17] e Gjykatës Themelore, si dhe të urdhërojë këtë të fundit të rigjykojë lidhur me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
NENI 6
E drejta për një proces të rregullt
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]
NENI 13
E drejta për zgjidhje efektive
Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.
KREU VIII NDËRPRERJA E MARRËDHËNIES SË PUNËS
Neni 67
Ndërprerja e Kontratës së Punës sipas fuqisë ligjore
1. Kontrata e Punës sipas fuqisë ligjore, ndërpritet:
1.1. me vdekjen e të punësuarit;
1.2. me vdekjen e punëdhënësit, kur puna e kryer apo shërbimet e ofruara nga punëtori janë të natyrës personale, atëherë kur kontrata nuk mund të vazhdohet me pasardhësit e punëdhënësit;
1.3. me skadimin e kohëzgjatjes së kontratës;
1.4. kur i punësuari e mbush moshën e pensionimit, prej gjashtëdhjetë e pesë (65) vjeç;
1.5. në ditën e dorëzimit të aktvendimit të plotfuqishëm për vërtetimin e humbjes së aftësive për punë;
1.6. nëse i punësuari shkon në vuajtje të dënimit i cili do të zgjasë më tepër se gjashtë (6) muaj;
1.7. me vendimin e gjykatës kompetente, vendim që pason ndërprerjen e marrëdhënies së punës;
1.8. me falimentimin dhe likuidimin e ndërmarrjes; 1.9. rastet e tjera të përcaktuar sipas ligjeve në fuqi.
Neni 70
Ndërprerja e Kontratës së Punës nga ana e punëdhënësit
Punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit me një periudhë paralajmërimi, atëherë kur:
ndërprerja e tillë arsyetohet për arsye ekonomike, teknike ose organizative;
i punësuari nuk është më i aftë t’i kryejë detyrat e punës;
1.3. punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën e punës në rrethanat e përcaktuara nënparagrafin 1.1. dhe 1.2 të këtij paragrafi nëse është e papërshtatshme për punëdhënësin që ta transferojë të punësuarin në një vend pune tjetër, ta trajnojë a ta kualifikojë atë për ta kryer punën ose ndonjë punë tjetër;
punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit në periudhën e kërkuar të paralajmërimit të ndërprerjes në:
1.4.1. rastet e rënda të sjelljes së keqe të punonjësit; dhe
1.4.2. për shkak të përmbushjes së pakënaqshme të detyrave të punës.
1.5. punëdhënësi duhet ta njoftojë të punësuarin për largimin e tij/saj menjëherë pas rastit që shpie në largim, ose sapo punëdhënësi të jetë vënë në dijeni të atij rasti;
1.6. punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit pa periudhën e kërkuar të paralajmërimit të ndërprerjes, atëherë kur:
[....]
2. Punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën e punës në bazë të nën-paragrafit 1.6. të paragrafit 1. të këtij neni vetëm atëherë kur i punësuari ka marrë përshkrimin në formë të shkruar të performancës së pakënaqshme, një afat të përcaktuar kohor brenda të cilit i punësuari duhet ta përmirësojë performancën e vet, si dhe një deklaratë se dështimi për përmirësimin e performancës do të rezultojë me largim nga puna pa asnjë paralajmërim të mëtejmë me shkrim.
[...]
KREU IX PROCEDURAT PËR REALIZIMIN E TË DREJTAVE NGA MARRËDHËNIA E PUNËS
Neni 85
(Masat disiplinore për shkeljen e detyrave të punës)
1. Për shkeljen e detyrave të punës, të punësuarit do t’i shqiptohet njëra nga këto masa ndëshkuese:
1.1. vërejte me gojë;
1.2. vërejtje me shkrim;
1.3. ulje në pozitë;
1.4. suspendim të përkohshëm;
1.5. ndërprerje të marrëdhënies së punës.
2. Masat ndëshkuese, vërejtje me gojë, vërejtje me shkrim dhe ulje, degradim të pozitës, do të shqiptohen për shkelje të lehta të detyrave të punës në pajtim me Kontratën Kolektive, Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit dhe Kontratën e Punës.
3. Masat ndëshkuese, suspendimi i përkohshëm dhe ndërprerja e marrëdhënies së punës, do të shqiptohen për shkelje të rënda të detyrave të punës në pajtim me Kontratën Kolektive, Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit dhe Kontratën e Punës.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata, më tej, i referohet neneve 47 [Kërkesat individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.
Neni 49
[Afatet]
Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. [...]
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev. nr. 518/22] të 8 qershorit 2022 të Gjykatës Supreme, i njëjti ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur, ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj, si dhe, e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kushtet në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtojë një kërkesë, duke përfshirë edhe kushtin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Konkretisht, rregulli 34 (2) parasheh:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpall një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtrues Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 26, shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” shih rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii)).
Gjykata fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me atë që parashtruesit të kërkesës i ishte ndërprerë kontrata e punës nga ana e Aeroportit “Limak Kosova” për shkak të shkeljeve të rënda të detyrave të punës. Parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar prapë Aeroportit “Limak Kosova” me kërkesë që të rishqyrtohet vendimi për ndërprerjen e punës, për të cilën nuk kishte marrë përgjigje, dhe i ishte drejtuar Gjykatës Themelore me padi kundër Aeroportit “Limak Kosova”, ku kishte kërkuar anulimin e vendimit të paditurës për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me kërkesë që të kthehet në vendin e njëjtë të punës si dhe t’i kompensohet dëmi i shkaktuar për ndërprerje të marrëdhënies së punës. Gjykata Themelore refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit pranoj ankesën e parashtruesit te kërkesës dhe prishi Aktgjykimin [C. nr. 171/2012] e Gjykatës Themelore dhe ktheu lëndëen në rigjykim në shkallë të parë. Në procedurën e rigjykimit, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 404/17] të 20 korrikut 2017, ka anuluar vendimin e Aeroportit “Limak Kosova” për ndërprerjen e marrëdhënies duke e detyruar këtë të fundit që të kthejë parashtruesin e kërkesës në punë dhe të ia kompensojë demin material dhe shpenzimet e procedurës kontestimore. Gjithashtu, Gjykata Themelore e vlerësoj se vendimi i Aeroportit "Limak Kosova" për ndërprerjen e marrëdhënies së punës kishte shkaktuar shkelje të dispozitave ligjore të Ligjit të Punës në disfavor të parashtruesit të kërkesës. Pas ankimimit nga Aeroporti “Limka Kosova”, Gjykata e Apelit, duke u bazuar në provat e administruara, ndryshoi vendimin e Gjykatës Themelore dhe e refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, duke vlerësuar se ai kishte dështuar në detyrat e punës. Ky vendimi ishte konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme e cila e refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës për zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se aktgjykimi i kontestuar është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së, si dhe me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 (E drejta për Zgjidhje Efektive) të KEDNj-së.
Përkitazi me shkeljet e pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së
Gjykata vëren se thelbi i ankesës se parashtruesit të kërkesës qëndron në pretendimin se gjykatat e rregullta kanë shkelur nenin 31 të Kushtetutës, pasi që vendimet e tyre i kanë bazuar në dispozita të gabuara ligjore, duke arsyetuar se "është i befasuar me interpretim e gabuar të dispozitës së nenit 67, pika 1.3 e LP-së nga gjykata, me arsyetim se me dispozitat e nenit 70 al.1 pika 1.4 dhe 1.5 të LP-së është parapa se punëdhënësi mund t'ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit me një periudhë paralajmërimi dhe rastet e rënda të sjelljes se te punonjësit dhe punëdhënësit duhet ta njoftojë të punësuarin për largimin e tij menjëherë pas rastit që shpie të largim sapo punëdhënësi është vë në dijeni të atij rasti”.
Gjykata tutje vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme ka kryer një vlerësim të gabuar juridik, duke pretenduar se njoftimi i të paditurës për ndërprerjen e kontratës së punës nuk ka pasuar procedurat ligjore dhe nuk është në pajtim me Ligjin e punës, kontratën kolektive dhe aktet normative të brendshëm të Aeroportit “Limak Kosova”. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës pohon se gjykata nuk ka autorizim ligjor për të vlerësuar aktin kontestues, por duhet të konfirmojë vetëm zbatimin e procedurave ligjore në marrjen e vendimit për ndërprerjen e kontratës. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon se gjykatat kanë gabuar në zbatimin e dispozitave ligjore dhe kontraktuale, duke shprehur bindjen se kontrata e punës nuk mund të aplikohet në këtë rast pa bazë ligjore, duke përfshirë shkelje të drejtave të parashtruesit të kërkesës.
Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga gjykatat e rregullta, përkatësisht nenit 63, 67 dhe 70.4 të Ligjit të Punës, dhe nenit 182 të Ligjit të Procedurës Kontestimore (LPK-së).
Gjykata vëren se në esencë parashtruesi i kërkesës konteston interpretimin ligjor të gjykatave të rregullta për nenin 67, pika 1.3 të Ligjit të Punës, duke argumentuar se kushtet për ndërprerjen e kontratës së punës paraprijnë dispozitat e nenit 70, al.1 pika 1.4 dhe 1.5 të Ligjit të Punës. Parashtruesi i kërkesës vë në dukje se në rastin konkret, dispozita ligjore nuk aplikohet pasi nga punëdhënësi nuk i është bërë njoftim për mos-ripërtëritjen e kontratës për shkak të shkeljeve të rënda të detyrave të punës.
Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNj-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNj, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNj (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtruese Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34).
Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu, rastet e Gjykatës, KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 35).
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në esencë pretendon se vendimet e nxjerra në disfavor të tij nga gjykatat e rregullta janë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së meqë këto të fundit dështuan të vlerësonin vendimin [HR-2012-238/08.05.2012-PP] e 7 majit 2021 të Aeroportit “Limak Kosova” për ndërprerjen e marrëdhënies së punës si të kundërligjshëm me dispozitat përkatëse të Ligjit të Punës, kontratën e tij dhe aktet normative të brendshme të Aeroportit "Limak Kosova", nën dritën e mosrespektimit të afatit të lajmërimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Gjykata vëren se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë aktgjykimet përkatëse, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.
Në këtë aspekt, Gjykata e Apelit në përgjigje të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, kishte vlerësuar se “... pretendimet nga padia se e paditura nuk i ka respektuar afatet ligjore për ndërprerjen e kontratës së punës, përbëjnë pretendime formalo-procedurale dhe nuk kanë ndikim në vendosjen lidhur me këtë çështje kontestimore, sepse e paditura në procedurën disiplinore ka konstatuar që paditësi ka kryer shkelje serioze të detyrave të punës dhe rrjedhimisht kjo rrethanë për të paditurën ka krijuar të drejtën që të ndërprerjë kontratën e punës me paditësin pa njoftim paraprak prej 30 ditësh, ashtu siç janë dakorduar ndërgjyqësit edhe me kontratën e punës të datës 02.04.2011, duke përjashtuar kështu afatet kohore për njoftim të paraparë si në dispozitat e nenit 71 të Ligjit për punë”.
Përveç kësaj, Gjykata e Apelit gjithashtu kishte arsyetuar se “... vendimi i të paditurës për ndërprerjen e kontratës së punës ka mbështetje të plotë në dispozitën nga neni 85.2 të Ligjit për Punë, përkatësisht në aktet e brendshme të të paditurës [...]”.
Gjykata vëren se duke iu referuar gjendjes faktike të rrethanave të rastit konkret, Gjykata e Apelit gjithashtu kishte theksuar se “Gjykata e Apelit në kuptim të këtyre gjetjeve, vjen në përfundim se është i drejtë konstatimi i të paditurës se paditësi ka rrezikuar sigurinë e pasagjereve dhe të aeroportit, duke i shkelur seriozisht detyrat e punës që bënë pjesë në rastet e rënda të sjelljes së keqe të punonjësit. Rrjedhimisht, për shkak të mospërmbushjes së detyrave të punës, përgjegjësive të punës të Programit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil dhe të Programit të Sigurisë së Aviacionit dhe Aeroportit, e paditura me të drejtë ia ka ndërprerë kontratën e punës paditësit pa njoftimin paraprak, e cila mënyrë e ndërprerjes së kontratës së punës është në pajtim me nenin 5.3 të kontratës së datës 02.04.2011, të lidhur mes palëve ndërgjyqëse”.
Gjithashtu, Gjykata vëren se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 518/2021] të 8 qershorit 2022, duke i trajtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës kishte theksuar “Në kontekstin e mësipërm, sipas dispozitës së nenit 5.3 të Kontratës së Punës, të dt.2.04.2011, të lidhur midis palëve ndërgjyqësore, parashihet se “Kompania mund të ndërpres Kontratën e Punës së të punësuarit pa njoftim paraprak prej 30 ditësh kalendarike, në rastet e rënda të sjelljes së keqe të punonjësit; dhe për shkak të mospërmbushjes së pakënaqshme të detyrave të punës”. Po ashtu, me dispozitën e nenit 70.4 të Ligjit të Punës parashihet se " Marrëveshjet Kolektive ose Aktet e Brendshme të Punëdhënësit mund t'i specifikojnë llojet e keqsjelljeve ose të shkeljeve të detyrimeve të cilat bëjnë që i punësuari t'i nënshtrohet ndërprerjes së kontratës së punës pa periudhë paralajmërimi, qoftë pas një rasti të vetëm dhe qoftë pas shkeljeve të përsëritura", sikundër edhe është provuar në rastin konkret civil dhe se e paditura përkitazi me këtë rast, ka vepruar në përputhje edhe me dispozitat e nenit 70.4 dhe nenit 85.3 të Ligjit të Punës. Prandaj, nga këtu, Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se, gjykata e shkallës së parë gabimisht ka zbatuar të drejtën materiale, ndërsa, gjykata e shkallës së dytë, nga arsyeja e sipërpërmednura, e ka ndryshuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, si më lart, dhe ka marre një vendim të drejtë dhe të ligjshëm, ndaj, nuk qëndrojnë as thëniet e revizionit për zbatimin e gabuar të së drejtës materiale”.
Prandaj, siç mund të vërehet nga arsyetimi i mësipërm, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme i kanë adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe kanë shpjeguar se (i) parashtruesi i kërkesës fillimisht ka kaluar në një procedurë disiplinore në të cilën ishte konstatuar se parashtruesi kishte kryer shkelje të rëndë e detyrave të punës; (ii) mospërmbushja e detyrimeve të punës kishte përbërë rrethanë për ndërprerje të kontratës së punës pa njoftim paraprak prej 30 ditësh; (iii) procedura për ndërprerje të kontratës së punës ishte në pajtim me nenin 5.3 të Kontratës së Punës, e cila përcaktonte që punëdhënësi ka të drejtë të ndërprerjë kontratën pa paralajmërim nëse punonjësi shfaq sjellje të keqe ose nuk plotëson detyrimet e punës si dhe në neni 70.4 i Ligjit të Punës i cili lejon ndërprerjen e kontratës pa paralajmërim nëse Marrëveshjet Kolektive ose Aktet e Brendshme e përcaktojnë këtë.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës vë theksin tek pretendimi për mungesë të paralajmërimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nga Aeroporti “Limak Kosova”.
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës pohon se “është i befasuar me interpretim e gabuar të dispozitës së nenit 67, pika 1.3 e LP-së nga gjykata, me arsyetim se me dispozitat e nenit 70, al.1 pika 1.4 dhe 1.5 të LP-së është parapa se punëdhënësi mund t'ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit me një periudhë paralajmërimi dhe rastet e rënda të sjelljes së të punonjësit dhe punëdhënësit duhet ta njoftojë të punësuarin për largimin e tij menjëherë pas rastit që shpie të largim sapo punëdhënësi është vë në dijeni të atij rasti”.
Në këtë aspekt, Gjykata vëren se edhe Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme kishin konfirmuar ligjshmërinë e ndërprerjes së kontratës së punës për shkak të mos përmbushjes së detyrimeve të punës dhe sjelljes së keqe të punonjësit, në përputhje me dispozitat ligjore të Kontratës së Punës dhe Ligjit të Punës, specifikisht me paragrafin 4 të nenit 70 të Ligjit të Punës.
Në lidhje me këtë, Gjykata do t’i referohet specifikisht paragrafit 4 të nenit 70 [Ndërprerja e Kontratës së Punës nga ana e punëdhënësit] të Ligjit të Punës, i cili përcakton: “Marrëveshjet Kolektive ose Aktet e Brendshme të Punëdhënësit mund t’i specifikojnë llojet e keqsjelljeve ose të shkeljeve të detyrimeve të cilat bëjnë që i punësuari t’i nënshtrohet ndërprerjes të kontratës së punës pa periudhë paralajmërimi, qoftë pas një rasti të vetëm dhe qoftë pas shkeljeve të përsëritura”.
Gjykata më tej konsideron që parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se procedura në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme kanë qenë të padrejta apo arbitrare, apo që të drejtat dhe liritë themelore të tij të mbrojtura me Kushtetutë janë shkelur si rrjedhojë e interpretimit të gabuar të së drejtës procedurale apo materiale, respektivisht Ligjit të Punës. Gjykata rithekson se interpretimi i ligjit është detyrë e gjykatave të rregullta dhe është çështje e ligjshmërisë. (Shih, rasti KI63/16, parashtrues i kërkesës Astrit Pira, Aktvendim për papranueshmëri, i 8 gushtit 2016, paragrafi 44 dhe shih, gjithashtu rastin KI150/15; KI161/15; KI162/15; KI14/16; KI19/16; KI60/16 dhe KI64/16, parashtrues të kërkesës Arben Gjukaj, Hysni Hoxha, Driton Pruthi, Milazim Lushtaku, Esat Tahiri, Azem Duraku dhe Sami Lushtaku, Aktvendim për papranueshmëri, i 15 nëntorit 2016, paragrafi 62).
Gjykata thekson që në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit, nuk i mbështet në asnjë mënyrë dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim i ligjit të aplikueshëm nga gjykatat e rregullta, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se si procedurat pranë gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit së kërkesës dhe kanë arsyetuar qartazi të njëjtat (shih rastet e Gjykatës KI64/20, parashtrues Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI22/19, cituar më lart, paragrafi 43).
Për sa më sipër, Gjykata konstaton që parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi të përfitojë nga procedura kontradiktore dhe se ka pasur mundësi që në fazat e ndryshme të procedurës t’i paraqesë pretendimet dhe provat të cilat i ka konsideruar si të rëndësishme për rastin e tij; ka pasur mundësinë për t’i kundërshtuar në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta i kanë dëgjuar dhe shqyrtuar të gjitha pretendimet e tyre, e të cilat, shikuar objektivisht, kanë qenë të rëndësishme për zgjidhjen e lëndës, dhe se arsyet faktike dhe juridike për vendimin e kundërshtuar janë paraqitur në detaje, dhe për këtë arsye procedura, e marrë në tërësi, ishte e drejtë (shih, mutatis mutandis, Aktgjykimi i GJEDNJ-së i 21 janarit 1999, García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, paragrafët 29 dhe 30; shih, gjithashtu, rastin e Gjykatës KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata gjithashtu vëren se në kërkesën e dorëzuar parashtruesi i kërkesës ka identifikuar 4 (katër) vendime specifike të Gjykatës Supreme që të mbështes pretendimin e tij për divergjencë në interpretimin e ligjit përkitazi me dispozitat e Ligjit të Punës në rrethanat e rastit të tij.
Në kontekstin e këtyre vendimeve të Gjykatës Supreme, të cilat përfshijnë Aktgjykimet [Rev.nr.220/2018] të datës 4 korrik 2018, [Rev.10/2018] të datës 16 tetor 2018, [Rev.nr.16/2019] të datës 7 korrik 2019, dhe [Rev.nr.353/2020] të datës 2 nëntor 2020, dallohet qartë se këto vendime fokusohen kryesisht në kërkesat për revizion kundër vendimeve të gjykatave të instancave më të ulëta. Këto aktgjykime kryesisht i referohen kërkesave për revizion kundër vendimeve të gjykatave të shkallës më të ulët, të paraqitura nga individët në lidhje me kërkesën kryesore të paraqitur në padinë e tyre, veçanërisht në rastin e anulimit të njoftimit të punëdhënësit për mos vazhdimin e kontratës së punës. Gjykata Supreme, në rastet kur ka aprovuar revizionin, e ka bërë bazuar në konstatimin se punëdhënësi nuk ka arritur të dëshmojë ligjshmërinë e njoftimit për mos vazhdimin e marrëdhënies së punës dhe nuk ka ndjekur procedurat e brendshme për të justifikuar ndërprerjen e marrëdhënies së punës, si dhe punëdhënësi kishte dështuar në argumentimin e pretendimeve të tij lidhur me mos përmbushjen e detyrave të punës nga punonjësit.
Gjykata vlerëson se nuk mund të spekulojë lidhur me kushtetutshmërinë e procedurave të zhvilluara në gjykatat e rregullta ndaj parashtruesve të tjerë, sidomos, kur merret parasysh se në rastin e parashtruesit të kërkesës janë dhënë shpjegime të detajuara dhe të arsyetuara për zbatuashmërinë e ligjit në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës. Për të vlerësuar korrektësinë e vendimarrjes ndaj parashtruesit të kërkesës karshi parashtruesve të tjerë në procedura dhe raste të tjera, Gjykatës i nevojiten “shkaqe me peshë” (weighty reasons), çka mungojnë në rrethanat e rastit konkret (shih rastin e Gjykatës KI107/22 parashtrues Valdet Avdiu, cituar më lart, paragrafi 44).
Në këtë aspekt, Gjykata nënvizon se roli i saj nuk përfshinë analizimin e një rasti duke u bazuar vetëm ne një krahasim të vendimeve te tjera gjyqësore të gjykatave të rregullta. Ky vlerësim afirmohet duke u mbështetur në praktikën e GJEDNJ-së për të ruajtur pavarësinë e gjykatave të rregullta dhe nevojën për respektimin e kompetencave në kuadër të kryerjes së detyrave të tyre, aspekt ky i rëndësishëm për ushtrimin e juridiksionit të gjykatave të rregullta dhe për ekzekutimin e kompetencave të tyre.
Gjykata duke marrë parasysh elaborimin e rasteve të lartcekura konstaton se në rrethanat e rastit konkret, nuk plotësohen kriteret e GJEDNJ-së përkitazi me vlerësimin nëse mungesa e konsistencës, përkatësisht divergjencat në praktikë gjyqësore, kanë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Gjykata rithekson se çështje e zbatimit dhe interpretimit të ligjit është në diskrecion dhe në gjykim të gjykatave të rregullta, dhe si të tilla, në vetvete, nuk bien ndesh me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, përveç nëse rezulton se ka shkelje flagrante të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, çfarë është e qartë se nuk ka ndodhur në rastin nën shqyrtim.
Gjykata përsërit që nuk është detyrë e saj, sipas Kushtetutës, të veprojë si Gjykatë e Apelit, apo gjykatë e shkallës së katërt, lidhur me vendimet e nxjerra nga gjykatat e rregullta. Është detyrë e gjykatave të rregullta t'i interpretojnë dhe t’i zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale (shih, mutatis mutandis, Garcia Ruiz kundër Spanjës, kërkesa nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28).
Thënë këtë, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ku në bazë të provave të nxjerra ishte vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe me këtë rast, të njëjtat ishin shpallur si të pabazuara. Sa më sipër, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur që pretendimet e tij për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë t’i ngrejë në nivel kushtetutshmërie.
Prandaj, në këto rrethana, Gjykata duke u mbështetur në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, konstaton se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës bie në kategorinë e tretë (i), pretendime “të shkallës se katërt”, andaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
ii. Përkitazi me pretendimet e tjera
Siç u cek më lart, parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, shkel të drejtat e tij të garantuara me nenin 54 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së. Mirëpo, parashtruesi i kërkesës vetëm i përmend nenet përkatëse, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e tyre. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës Kushtetuese KI187/18 dhe KI11/19, parashtrues: Muhamet Idrizi, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2019, paragrafi 73; KI125/19 parashtrues: Ismajl Bajgora, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 63; dhe së fundmi rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi për papranueshmëri, i 26 marsit 2021, paragrafët 79-82).
Gjykata, në fund, gjithashtu thekson se pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e procedurës nga gjykatat e rregullta nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin e GJEDNJ-së, Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, nr. 5503/02, Aktgjykim i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Prandaj, Gjykata konstaton se sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me këto nene të Kushtetutës, konkludon se kërkesa duhet të deklarohet qartazi e pabazuar, sepse këto pretendime cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë (iii), pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”, sepse parashtruesi i kërkesës thjesht i përmend këto dispozita të Kushtetutës, pa shpjeguar se si janë shkelur ato.
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se: (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës dhe nenit 13 të KEDNJ-së, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, në baza kushtetuese edhe këto pretendime shpallën qartazi të pabazuara.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, duhet deklaruar e papranueshme si qartazi e pabazuar.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 48 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (2) dhe 48 (b) të Rregullores së punës, më 30 prill 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20. 4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Bekim Sahiti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile, Administrative