Prishtinë, më 23 mars 2023
Nr. Ref.:RK 2143/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI65/22
Parashtrues
Shoqëria “Fitorja” sh.p.k.
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ.nr.134/2021 të 29 dhjetorit 2021 të Gjykatës Supreme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Shoqëria “Fitorja” sh,p.k., përfaqësuar nga Naser Maloku- (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), përfaqësuar nga avokatët Abdulla Aliu dhe Ekrem Hoxha nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [ARJ.nr.134/2021] të 29 dhjetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në ndërlidhje me Aktvendimin [AA.nr.998/2021] të 16 nëntorit 2021 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).
Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 18 janar 2021.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkon caktim të masës së përkohshme me qëllim të shmangies së dëmit të pariparueshëm dhe “faktit se vendosja e masës së përkohshme rezulton se është dhe mbetet në interesin publik.”
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ.nr.134/2021] të 29 dhjetorit 2021 të Gjykatës Supreme përmes të cilit sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 10 [Ekonomia], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] dhe paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve] të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 16 maj 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 23 maj 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit nr. GJR. KI65/22 caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci Gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 23 maj 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) dhe kësaj të fundit iu kërkua që të dorëzojë dëshminë (fletë-kthesën) që tregon datën kur parashtruesi i kërkesës ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 25 maj 2022, Gjykata Themelore me vet-iniciativë deponoi dosjen e plotë të lëndës nën shenjën A.nr.2435/2021.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 23 shkurt 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe me shumicë i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se Siguruesi “Kosova e Re” Sh. A. përmes licencës 007 e datës 25 prill 2002 e lëshuar nga Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK), e cila ishte paraardhësja Ligjore e Bankës Qendrore të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: BQK), ishte autorizuar të kryejë biznes të sigurimeve në territorin e Kosovës. Më 31 dhjetor 2016, siguruesi “Kosova e Re” Sh. A. ishte në pronësi të plotë të kompanisë turke “Tuspa Trade” LLC. Ndërsa një vit më vonë, respektivisht me 31 dhjetor 2017, kompania “Fitorja” Sh.P.K., (parashtruesi i kërkesës) kishte blerë 100% të aksioneve nga kompania “Tuspa Trade” L.L.C., dhe përmes këtij transaksioni, kompania “Fitorja” Sh.P.K., (parashtruesi i kërkesës) ishte bërë pronare e re e siguruesit “Kosova e Re” Sh. A. me seli në Prishtinë.
Ne periudhën 2018 deri 2021, BQK-ja kishte nxjerrë disa vendime me ç ‘rast kishte kërkuar nga parashtruesi i kërkesës që t’i përmbush kërkesat minimale ligjore lidhur me mjaftueshmërinë e kapitalit, aftësinë paguese (solvencën) dhe asetet në mbulimin e provizioneve teknike. BQK-ja kishte konstatuar se mos plotësimi i kushteve të lartpërmendura nga parashtruesi i kërkesës paraqet shkelje serioze ligjore të cilat cenojnë pozicionin financiar të siguruesit dhe interesat e “policëmbajtësve.”
Më 24 shtator 2021, Bordi Ekzekutiv i BQK-së miratoi Vendim Nr. 70-24/2021 për revokimin e licencës së siguruesit “Kosova e Re” Sh.A. përkatësisht parashtruesit të kërkesës duke përcaktuar: (i) parashtruesit të kërkesës i revokohet licenca nr. 007 e datës 25 prill 2002 e lëshuar nga Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK), paraardhëse ligjore e BQK-së; (ii) ndaj parashtruesit të kërkesës hapen procedurat e likuidimit të detyrueshëm, sipas kapitullit XVIII të Ligjit Nr. 05/L-045 Për Sigurimet; (iii) N.L., emërohet likuidator i parashtruesit të kërkesës dhe i caktohet niveli i pagës 3.500,00 (tremijepesëqind) euro; (iv) ky Vendim hyn në fuqi më 25 shtator 2021.
Më 18 tetor 2021, parashtruesi i kërkesës paraqiti padi kundër BQK-së në Gjykatën Themelore-Departamenti për Çështje Administrative, duke kërkuar anulimin e Vendimit të BQK-së Nr. 70-24/2021 i datës 24.9.2021 (në tekstin e mëtejmë: vendimi i kontestuar i BQK-së) me propozimin për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të kontestuar i BQK-së. Nga shkresat e lëndës nuk rezulton se parashtruesi i kërkesës ka kontestuar përbërjen e Bordit Ekzekutiv të BQK-së.
Më 20 tetor 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [A.nr.2435/2021] vendosi: (i) APROVOHET propozimi i parashtruesit të kërkesës; (ii) SHTYHET ekzekutimi i vendimit të të paditurës-kundërpropozueses BQK me Nr. 70-24/2021 i datës 24.09.2021, derisa Gjykata Themelore të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësorë përkitazi me padinë e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata Themelore arsyetoi: (i) bazuar në nenin 22.2 dhe nenin 6 të Ligjit Nr.03/202 për Konfliktet Administrative (në tekstin e mëtejmë: LKA), parashtruesi i kërkesës ka ofruar argumente të besueshme të cilat vërtetojnë se ekzekutimi i vendimit të kontestuar të BQK-së do t’i sillte dëm të pariparueshëm parashtruesit të kërkesës, se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të BQK-së nuk është në kundërshtim me interesin publik, për faktin se asnjë interes publik nuk cenohet me shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar; (ii) me ekzekutimin e vendimit të kontestuar të BQK-së do të shkaktohej dëm i pariparueshëm për 137 vende të punës të punonjësve të parashtruesit të kërkesës që do të mbesin pa punë dhe do të afektonte direkt familjet e tyre; (iii) shtyrja e ekzekutimit të vendimit të kontestuar nuk do t’i sillte asnjë dëm BQK-së e as që është në kundërshtim me interesin publik; (iv) shtyrja e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të BQK-së është edhe në mbrojtje të interesave të “policëmbajtësve” dhe palëve të treta për shkak dëmet do të paguheshin proporcionalisht me kapitalin e mbetur dhe jo kriteret e BQK-së; dhe, (v) ky vendim për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të kontestuar të BQK-së nuk e paragjykon epilogun përfundimtar të këtij konflikti administrativ.
Më 27 tetor 2021, e paditura BQK-ja paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit të cilën e plotësoi më 11 nëntor 2021 duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që ankesa të miratohet e bazuar dhe aktvendimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë të ndryshohet apo anulohet.
Më 9 nëntor 2021, parashtruesi i kërkesës u përgjigj ndaj ankesës të të paditurës BQK, të cilën e plotësoi më 16 nëntor 2021, duke propozuar që ankesa dhe plotësimi i ankesës të të paditurës BQK të refuzohen të pabazuara ndërsa aktvendimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë të mbetet në fuqi.
Më 16 nëntor 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [AA.nr.998/2021] vendosi: (i) MIRATOHET e bazuar ankesa e të paditurës BQK; (ii) NDRYSHOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore [A.nr.2435/2021] i datës 20.10.2021; (iii) REFUZOHET i pabazuar propozimi i parashtruesit të kërkesës për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të BQK-së, nr. 70-24/2021 të datës 24.09.2021.
Gjykata e Apelit arsyetoi: (i) duke shqyrtuar shkresat e lëndës, aktvendimit te ankimuar, ankesat e plotësimet e tyre, përgjigjet në ankesë e plotësimet e tyre, dhe pas vlerësimit të tyre, në kuptim të nenit 49 të LKA-së lidhur me nenin 194 të Ligjit Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK) i aplikueshëm sipas nenit 63 të LKA-së konstatoi se ankesa është e bazuar; (ii) aktvendimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së pare karakterizohet me të meta thelbësore procedurale nga neni 182, paragrafi 2, nën-paragrafi 1 të LPK-së; (iii) aktvendimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë ka të meta materiale që nuk mund të ekzaminohen ngase dispozitivi është kontradiktor me arsyetimin; (iv) faktet vendimtare lidhur me përmbushjen e kushteve nga neni 22.2 i LKA-së për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të BQK-së nuk janë arsyetuar fare në raport me dispozitat ligjore nga neni 76 dhe 77 paragrafi 1, nën-paragrafi 1.4 të Ligjit Nr. 03/L-209 të Ligjit për Bankën Qendrore (në tekstin e mëtejmë: Ligji për BQK-në); (v) gjykata e shkallës së parë nuk ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike bazuar në nenin 183 të LPK-së i aplikueshëm sipas nenit 63 të LKA-së; (vi) gjykata e shkallës së parë nuk ka marrë parasysh përcaktimet nga neni 76.1 i Ligjit për BQK-në që përcakton se “asnjë ndalesë apo ekzekutim nuk mund të shqiptohet ndaj BQK-së ose pronës së saj”; (vii) gjykata e shkallës së parë nuk ka marrë parasysh përcaktimet nga neni 77 paragrafi 1, nën-paragrafi 1.4 i Ligjit për BQK-në që përcakton se “gjykata mund të caktojë dëmshpërblim monetar për palën e dëmtuar por nuk mund të pezullojë ose shfuqizojë veprimet e BQK-së”; (vii) prandaj, duke u bazuar në këto dispozita nuk ka bazë ligjore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të BQK-së, sepse në rast e parashtruesi i kërkesës ka sukses në këtë konflikt administrativ, atëherë i njëjti ka në disponim mundësinë e kompensimit të dëmit nga e paditura BQK; dhe, (ix) rezulton se parashtruesi i kërkesës nuk e ka bërë të besueshëm përmbushjen e kushteve nga neni 22.2 i LKA-së, për shtyrjen e vendimit të kontestuar të BQK-së.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme duke pretenduar shkelje të dispozitave procedurale, zbatim të gabuar të së drejtës materiale me propozim që aktvendimi i ankimuar i Gjykatës së Apelit të anulohet në tërësi dhe që aktvendimi i Gjykatës Themelore për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të kontestuar të BQK-së të mbetet në fuqi.
Më 29 dhjetor 2021, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ.nr.134/2021] e refuzoi të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësorë të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës i paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit [998/2021] të datës 16.11.2021.
Gjykata Supreme në përgjithësi përvetësoi konstatimet e Gjykatës së Apelit duke arsyetuar: (i) bazuar në nenin 22 të LKA-së për përmbushjen e kushteve për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar dhe nenit 76 të Ligjit për BQK-në që përcakton imunitetin e veprimeve të BQK-së ndaj caktimit të masës së përkohshme nga gjykatat, vendimi i gjykatës së shkallës së dytë është i drejtë dhe i ligjshëm; (ii) parashtruesi i kërkesës nuk e ka bërë të besueshëm shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të BQK-së dhe cili është dëmi i pariparueshëm që ai do ta pësonte në kuptim të përmbushjes së kushteve kumulative nga neni 22 i LKA-së; (iii) nuk është provuar se janë plotësuar kushtet kumulative për shtyrjen e vendimit të kontestuar të BQK-së për mbrojtjen e interesave të palëve të treta; (iv) ekziston mundësia e kompensimit material qoftë e parashtruesit të kërkesës, qoftë e palëve të treta të dëmtuara, në rast të aprovimit të kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës me vendim përfundimtar gjyqësorë, prandaj, nuk paraqitet rreziku i dëmit të pariparueshëm; dhe, (v) aktvendimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së dytë është i qartë, i kuptueshëm dhe mjaftueshëm i arsyetuar për të gjitha faktet vendimtare dhe dispozitat ligjore të Ligjit për BQK-në që rregullojnë dhe ndalojnë shqiptimin dhe ekzekutimin e ndonjë mase ndaj veprimeve të BQK-së, para se të nxjerrët vendimi përfundimtar gjyqësorë i gjykatave në Republikën e Kosovës.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të neneve 3 [Barazia para Ligjit], 10 [Ekonomia], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës thekson “Parashtruesi i Kërkesës e parashtron Kërkesën në kapacitetin e Individit dhe menaxherit të pronarit (aksionarit) të vetëm të personit juridik (objekt i gjykimit-eve në instancat gjyqësore paraprake), K.S. ‘Kosova e Re’ SH.A. në përputhje edhe me përcaktimet kushtetuese te përcaktuara sipas paragrafit 4) të nenit 21 të Kushtetutës-Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetute, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon se nenet 3 [Barazia para Ligjit] dhe 10 [Ekonomia] të Kushtetutës janë shkelur sepse: (i) Bordi i Ekzekutiv i BQK-së nuk ka qenë në përbëje të plotë dhe nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje çka “rezulton si i papranueshëm dhe në kundërshtim me legjislacionin e aplikueshëm”; (ii) bazuar në ligjin për sigurimet BQK-ja ka pasur mundësinë të vazhdojë me përpjekjet për “sanimin e gjendjes duke evituar masën radikale të revokimit të licencës si masë ndëshkuese”; (iii) ligji në fuqi lejon rimëkëmbjen financiare deri në tre (3) vite ndërsa në rastin e parashtruesit të kërkesës “periudha totale sipas planit të rimëkëmbjes tek Siguruesi rezulton të jetë më pak se pesëmbëdhjetë 15 muaj”; (iv) e paditura BQK ka aplikuar vendimmarrje “asimetrike” duke mos i akorduar kohë shtesë por të arsyeshme parashtruesit të kërkesës për përmbylljen e negociatave me dy shoqëri ndërkombëtare në fushën e sigurimeve dhe fondeve investive “për të blerë pjesë apo tërë paketën e aksioneve të aksionarit “FITORJA” SH.P.K.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kanë shkelur nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së sepse vendimet e tyre i kanë nxjerrë brenda shtatë (7) përkatësisht njëzetedy (22) ditësh, që sipas tij “është indikator i mjaftueshëm për të kontestuar vendimmarrjen si një vendimmarrje e anshme dhe në masë e pa-arsyetuar çka e cilëson si vendimmarrje jo të drejtë dhe me shumë gjasa të ndikuar.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme fare nuk kanë marrë parasysh provat dhe argumentet e tij dhe se vendimet e tyre janë të mangëta në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Parashtruesi i kërkesës më tej pretendon: “Kjo situatë paraqitet shqetësuese, përderisa Aktvendimi i Gjykatës së shkallës së parë, jo pse ka qenë në favor të parashtruesit të kësaj Kërkese porse i njëjti ka një elaborim dhe arsyetim të thukët të arsyeve dhe në vetvete po që se ekzaminohet me kujdes nuk ka asnjë kontradiktë me dispozitivin dhe me arsyet e nxjerrjes së aktvendimit për aprovimin e masës siguruese.”
Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme gabimisht kanë interpretuar nenin 76 të Ligjit për BQK-në lidhur me “imunitetin” e kësaj të fundit sepse Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme në tërësi kanë injoruar “dispozitat vijuese të ligjit për këtë çështje.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Bazuar në faktet e provuara dhe të mbështetura për qëndrimet dhe vendimmarrjen e njëanshme dhe sforcuar të kundër propozuesit (BQK) me Vendimin për Revokimin e Licencës dhe me tutje vendimmarrjet nga Kolegji i Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme, është krijuar një situate e ‘shkeljes së vazhdueshme’ në shkelje të parimeve themelore të përcaktuara me Nenin 1 të Protokollit 1) te Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përmes kufizimit të pajustifikuar në qasje (akces) dhe gëzimin e të drejtave pronësore përfshi këtu pasurinë si të paluajtshme dhe asaj të luajtshme, përfshi edhe masën pasurore të gjendur në llogarinë dhe kapitalin themeltarë të Kompanisë së Sigurimeve K.S. ‘Kosova e Re’ SH.A., ku mos vendosja e masës së sigurisë si mase e përkohshme ndaj pasurisë (pronës) së tij të ligjshme e garantuar me Kushtetute dhe Konvente përveçse e privon nga të drejtat themelore e cenon edhe interesin publik.”
Përkitazi me “keqpërdorimin” e dispozitave ligjore, Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Ndërlidhur me referimin nga Kolegji i Gjykatës së Apelit dhe Gjykata Supreme tek neni 76 (imuniteti), potencojmë se e Paditura / Kundër propozuesi (BQK) e ka keqpërdorur këtë nen / dispozitë ligjore duke krijuar një rrethanë mbrojtëse për të arsyetuar gjitha veprimet e tyre të pa-lejuara dhe arbitrare që ka ndërmarr edhe pse ky nen ka të bëj mos-lejimin e zbrazjes së thesarit / rezervave përmes procedurave përmbarimore qoftë në procedurë jashtëgjyqësorë apo edhe gjyqësore, e gjitha kjo për tu ruajtur siguria dhe stabiliteti financiar. Ndërsa në rastin konkret me asgjë procedura gjyqësore nuk e atakon masën pasurore të kundër propozuesit dhe rrjedhimisht bazuar në elaborimet dhe faktet e parashtruara si në vijim pretendojmë se në procedurën e rregullt gjyqësore, parashtruesi i Kërkesës e ka dokumentuar nulitetin e aktit administrativ dhe se shtyrja e procedurës në këto rrethana do i shërbente vetëm dhe vetëm sigurisë juridike mëse të nevojshme për ekonominë, sektorin e sigurimeve dhe qytetareve si policëmbajtes duke e lejuar vazhdimin e veprimtarisë së siguruesit dhe shërbimit të interesave te palëve të treta.”
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të konstatojë: (i) kërkesa të shpallet e pranueshme; (ii) shkeljen e neneve të aplikueshme të Kushtetutës; (iii) shpallen të pavlefshëm dhe të anulohen Aktgjykimi i Gjykatës Supreme [ARJ.nr.134/2021] i datës 29.12.2021 dhe Aktvendimi i Gjykatës së Apelit [AA.nr.998/2021] i datës 16.11.2021; (iv) të vendos përkohësisht masë të përkohshme; dhe (v) ta mbaj në fuqi Aktvendimin e Gjykatës Themelore [A.nr.2435/2021] të datës 20.10.2021.
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”
[...]
LIGJI Nr. 03/L-202 PËR KONFLIKTET ADMINISTRATIVE
Neni 6
[Parimi i shqyrtimit verbal]
“Në konfliktin administrativ, gjykata vendosë në bazë të shqyrtimit verbal, të drejtpërdrejt dhe publik.”
Neni 22
[Pa titull]
“2. Me kërkesën e paditësit, organi, akti i të cilit ekzekutohet, gjegjësisht organi që është kompetent për ekzekutim, mund ta shtyjë ekzekutimin deri në vendimin definitiv gjyqësor, nëse ekzekutimi do t’i sillte dëm paditësit, i cili vështirë do të riparohej, kurse shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që shtyrja do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare përkatësisht personit të interesuar.
[...]
6. Paditësi mund të kërkojë edhe nga gjykata shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ deri në marrjen e vendimit gjyqësor, sipas kushteve të parapara në paragrafin 2. të këtij neni.”
Neni 49
[Procedura sipas mjeteve juridike]
“1. Kundër vendimit të gjykatës, ankesa i paraqitet gjykatës kompetente, në mënyrën e caktuar në nenin 28 të këtij ligji.
2. Ankesa paraqitet në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh, që nga dita e pranimit të vendimit të gjykatës.
3. Në çështjet të tjera të procedurës sipas ankesës zbatohen dispozitat e këtij ligji për kërkesë padinë.
4. Kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor sipas nenit 24, si dhe kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë sipas nenit 25, i paraqitet në mënyrën e caktuar në nenin 28 të këtij ligji, gjykatës për vendosje sipas kërkesës.”
Neni 63
[Dispozita të tjera të procedurës]
“Nëse ky ligj nuk përmban dispozita për procedurën në konfliktet administrative, do të zbatohen përshtatshmërisht dispozitat e ligjit për procedurën kontestimore.”
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 182
[Pa titull]
“182.1 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston në çoftë se gjykata gjatë procedurës nuk e ka zbatuar apo ka zbatuar në mënyrë jo të drejt ndonjë dispozitë të këtij ligji, kurse kjo ka pasur apo ka mundë të ketë ndikim në nxjerrjen e aktgjykimit të ligjshëm e të drejtë.
182.2 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston gjithmonë:
a) në qoftë se gjykata është përbërë jo sipas dispozitave ose në çoftë se në nxjerrjen e aktgjykimit ka marrë pjesë gjyqtari që nuk ka marrë pjesë në seancën kryesore;
b) në qoftë se është vendosur për kërkesën e cila nuk bënë pjesë në juridiksionin gjyqësor;
c) në çoftë se në nxjerrjen e aktgjykimit ka marrë pjesë gjyqtari i cili sipas ligjit duhet të përjashtohet, respektivisht me vendim të gjykatës ka qenë i përjashtuar ose me rastin e dhënies se vendimit ka marrë pjesë personi i cili nuk e ka cilësinë e gjyqtarit;
d) në çoftë se gjykata sipas prapsmit të palëve gabimisht ka vendosur se është e kompetencës lëndore;
e) në çoftë se është vendosur për kërkesën sipas padisë të ngritur pas afatit të përcaktuar me ligj;
f) në çoftë se gjykata ka vendosur për kërkesëpadinë për të cilën është me kompetencë lëndore gjykata më e lartë e llojit të njëjtë, gjykata e llojit tjetër;
g) në çoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata e ka bazuar vendimin e vetë në disponimin e palejueshëm të palëve, (neni 3 paragrafi 3 i këtij ligji);
h) në qoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata ka nxjerr aktgjykim për shkak të pohimit, mosbindjes, mungesës, heqjes dorë nga kërkesëpadia, ose pa mbajtjen e shqyrtimit kryesor;
i) në qoftë se ndonjërës nga palët me veprimin e paligjshëm, e sidomos me mosdhënien e mundësisë për shqyrtimin e çështjes në gjykatë;
j) në qoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata e ka refuzuar kërkesën e palës, që në procedurë të përdorë gjuhën dhe shkrimin e vet e të ndjek procesin në gjuhën e vet, kurse për këtë arsye ankohet;
k) në qoftë se në procedurë si paditës, ose i paditur, ka marrë pjesë personi që nuk mund të jetë palë në procedurë, apo në qoftë se palën që është person juridik nuk e ka përfaqësuar personi i autorizuar, ose në qoftë se palën me pazotësi procedurale nuk e ka përfaqësuar përfaqësuesi ligjor ose në qoftë se përfaqësuesi ligjor, respektivisht përfaqësuesi me prokurë i palës nuk ka pasur autorizim të nevojshëm për zhvillimin e procedurës apo për kryerjen e ndonjë veprimi në procedurë, në qoftë se zhvillimi i procedurës, respektivisht ushtrimi i veprimeve te veçanta në procedurë nuk është lejuar më vonë;
l) në qoftë se është vendosur për kërkesën për të cilën vazhdon procedura apo për të cilën më parë është nxjerr aktgjykimi i formës se prerë, ose prej të cilit paditësi njëherë ka hequr dorë ose për të cilin është lidhur pajtimi gjyqësor;
m) në qoftë se, në kundërshtim me ligjin është përjashtuar publiku në seancën kryesore;
n) në qoftë se aktgjykimi ka të meta për shkak të të cilave nuk mund të ekzaminohen, e sidomos në qoftë se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm apo kontradiktor me vetvete ose me arsyet e aktgjykimit, apo nëse aktgjykimi nuk ka fare arsye apo në të nuk janë treguar fare arsyet për faktet vendimtare, ose ato arsye janë të paqarta, ose kontradiktore, ose nëse për faktet vendimtare ekzistojnë kundërthënie midis asaj që në arsyet e aktgjykimit thuhet për përmbajtje të dokumentit ose të procesverbalit për thëniet e dhëna në procedurë dhe të vet atyre dokumenteve ose të procesverbalit;
o) në qoftë se me aktgjykim është tejkaluar kërkesëpadia.”
LIGJI Nr. 03/L-209 PËR BANKËN QENDRORE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 34
[Bordi i Bankës Qendrore, Bordi Ekzekutiv dhe Guvernatori]
“1. Organet vendimmarrëse të Bankës Qendrore do të jenë Bordi i Bankës Qendrore, Bordi Ekzekutiv dhe Guvernatori.
2. Bordi i Bankës Qendrore do të përbëhet nga Guvernatori, Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit në përputhje me nenin 79, paragrafi 2 të këtij ligji dhe tre (3) anëtarë joekzekutivë, të cilët do të ngarkohen me detyrën e aprovimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të politikave si dhe mbikëqyrjen e administrativit dhe të aktiviteteve të Bankës Qendrore. Anëtarët jo-ekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore nuk do të jenë anëtarë të personelit të Bankës Qendrore.
3. Bordi Ekzekutiv përbëhet nga guvernatori, i cili do të jetë kryesues, si dhe nga
zëvendësguvernatorët dhe do të jetë i ngarkuar me zbatimin e politikave të Bankës Qendrore dhe të operacioneve të saj. Për numrin e zëvendësguvernatorëve vendos Bordi i Bankës Qendrore, në bazë të propozimit të guvernatorit.
4. Guvernatori do të shërbejë si kryeshef ekzekutiv i Bankës Qendrore i ngarkuar me operacionet e përditshme të Bankës Qendrore. Zëvendësguvernatorët do të ndihmojnë Guvernatorin në realizimin e operacioneve të përditshme të Bankës Qendrore.”
Neni 36
[Kompetencat dhe detyrat e Bordit Ekzekutiv]
“1. Bazuar në nenin 7, në nenin 8, në nenin 34, si dhe në çdo nen tjetër të këtij ligji, Bordi Ekzekutiv do t’i ketë kompetencat dhe detyrat e caktuara në vijim:
1.1. t’i përcaktojë dhe t’i miratojë politikat e Bankës Qendrore për ta nxitur dhe për ta mbajtur stabil sistemin financiar, si dhe një sistem të sigurt, të shëndoshë dhe efikas të pagesave;
1.2. t’i përcaktojë dhe t’i miratojë politikat e Bankës Qendrore për të kontribuar në arritjen dhe në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve vendore;
1.3. të përcaktojë dhe të miratojë politika të tjera të Bankës Qendrore, që kanë të bëjnë me
zbatimin e detyrave të saj, si dhe të miratojë sipas nevojës rregulla të brendshme për zbatimin e tyre;
1.4. t’i përcaktojë politikat e përgjithshme dhe t’i miratojë statutin dhe rregullat brendshme të zbatueshme për administrimin dhe veprimtarinë e Bankës Qendrore;
1.5. t’i rekomandojë Bordit të Bankës Qendrore ta përcaktojë strukturën organizative të
Bankës Qendrore, duke i përfshirë themelimin dhe lokacionin e zyrave dhe të objekteve të
operimit;
1.6. t’i miratojë emërimet e drejtorëve të departamenteve dhe të divizioneve;
1.7. t’i ushtrojë pushtetin dhe detyrat e Bankës Qendrore të përcaktuara në nenet 12, 15,
paragrafi 3, në nenin 19, paragrafi 3, në nenet 22 dhe 30, paragrafi 3, të këtij ligji;
1.8. t’i përcaktojë kategoritë e aseteve, që do t’i përbëjnë rezervat ndërkombëtare;
1.9. t’i përcaktojë kategoritë e aseteve të përshtatshme për investime të resurseve financiare
të Bankës Qendrore;
1.10. ta miratojë ose ta refuzojë dhënien e licencave dhe të lejeve për sistemet e pagesave,
të kliringut dhe të shlyerjes së letrave me vlerë dhe t’i revokojë këto licenca dhe leje;
1.11. ta miratojë ose ta refuzojë dhënien e licencave ose të lejeve për institucionet financiare,
si dhe t’i revokojë këto licenca dhe leje;
1.12. të ndërmarrë masa detyruese, duke e përfshirë udhëzimin e çdo banke të mbikëqyrur
ose të institucioneve financiare dhe të çdo sistemi të pagesave, të kliringut dhe të shlyerjes së
letrave me vlerë; të ndërmarrë veprime përmirësimi, ose duke e emëruar një likuidator për
entitete të tilla, ose duke shqiptuar gjoba administrative, ashtu siç i përcakton ky ligj ose
ndonjë ligj tjetër dhe pastaj t’i raportojë Bordit të Bankës Qendrore për çdo veprim të tillë;
1.13. të themelojë një ose më shumë organe këshilluese, t’i përcaktojë rregullat dhe kushtet
për emërimin e anëtarëve të tyre, si dhe t’i përcaktojë termat e referencës për organe të tilla;
1.14. t’i vlerësojë rreziqet dhe të hartojë plane, që në rast të papriturash në të ardhmen, të
sigurohen vazhdimësia e veprimtarive dhe siguria e Bankës Qendrore;
1.15. t’i propozojë Bordit të Bankës Qendrore rregullore për mbështetjen emergjente të
likuiditetit;
1.16. t’i miratojë rregullat e procedurave për Bordin Ekzekutiv; dhe
1.17. detyrat dhe kompetencat e tilla të tjera, që përcaktohen qartë me këtë ligj ose me
ndonjë ligj tjetër.”
Neni 42
[Diskualifikimi dhe shkarkimi nga Bordi Ekzekutiv]
“1. Bordi i Bankës Qendrore do të shkarkojë prej postit një Zëvendësguvernator, bazuar në
rekomandimin e Guvernatorit, kur ai/ajo del në përfundim se cilado nga arsyet e dhëna në nenin 40 paragrafët 1., 2. dhe 3. të këtij ligji, aplikohet ndaj Zëvendësguvernatorit në fjalë.
2. Përveç dispozitave të përshkruara në paragrafin 1. të këtij neni, Zëvendësguvernatori mund të shkarkohet prej postit nga Bordi i Bankës Qendrore, bazuar në rekomandimin nga Guvernatori, kur ai/ajo del në përfundim se Zëvendësguvernatori në fjalë:
2.1. nuk është në gjendje të përmbushë funksionet e atij posti për shkak të një sëmundjeje
trupore apo mendore që ka zgjatur për më shumë se tre (3) muaj; ose
2.2. ka dështuar në realizimin e detyrave të tij ose të saj për një periudhë të pandërprerë prej
më shumë së tre (3) muajve pa aprovim nga Bordi Ekzekutiv; ose
2.3. ka marrë pjesë aktive në aktivitete politike pasi që është emëruar si anëtar i Bordit
Ekzekutiv.
3. Nëse Bordi i Bankës Qendrore ka arsye të mjaftueshme të besojë se Guvernatori ka dështuar të veprojë sipas kërkesave në bazë të arsyeve të referuara në paragrafin 1. ose paragrafin 2. të këtij neni, Bordi i Bankës Qendrore do të emërojë një panel të përbërë nga një kryesues i cili mban apo ka mbajtur post të lartë gjyqësor, dhe jo më pak se dy (2) persona të tjerë, njëri prej të cilëve do të ketë ekspertizë në punët bankare apo financiare, të cilët do të hetojnë mbi çështjen dhe do t’i raportojnë Bordit të Bankës Qendrore me një rekomandim. Më pas, Bordi i Bankës Qendrore do të vendosë mbi çështjen në përputhje me paragrafin 1. apo paragrafin 2. të këtij neni.
4. Asnjë zëvendësguvernator nuk mund të shkarkohet prej postit për arsye të tjera nga ato të
përcaktuara në paragrafët paraprakë të këtij neni.
5. Zëvendësguvernatori i cili shkarkohet prej postit ka të drejtë të ankohet në Gjykatën Supreme brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve kalendarike nga data e vendimit.”
Neni 76
[Imuniteti ndaj caktimit të masës së përkohshme gjyqësore]
“1. Asnjë ndalesë apo ekzekutim nuk mund të shqiptohet ndaj Bankës Qendrore apo pronës së saj, duke përfshirë arin, të drejtat e veçanta të tërheqjes, paratë e gatshme, paratë në llogari, depozitat ose letrat me vlerë, si dhe çdo të ardhur nga to, para shqiptimit të vendimit përfundimtar në çdo veprim ligjor të parashtruar para gjykatave të Kosovës.
2. Banka Qendrore mundet, plotësisht ose pjesërisht, të heqë dorë nga kjo mbrojtje, në mënyrë të qartë dhe me shkrim, me përjashtim të arit dhe të Drejtat e Veçanta të Tërheqjes që mbahen në llogarinë e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar.”
Neni 77
[Shqyrtimet gjyqësore]
“1. Në çfarëdo procedure gjyqësore apo të arbitrazhit kundër Bankës Qendrore, një anëtari të
organeve vendimmarrëse apo personelit të Bankës Qendrore apo një agjent i Bankës Qendrore, në lidhje më realizimin e detyrave të tyre ndaj Bankës Qendrore:
1.1. gjykata ose paneli i arbitrazhit në marrjen e vendimit të tij mund të shqyrtojë nëse i
pandehuri ka vepruar në kundërshtim me ligjin ose në mënyrë arbitrare apo kapricoze
duke marrë në konsideratë faktet dhe ligjet dhe rregulloret relevante;
1.2. një anëtar i organeve vendimmarrëse apo personelit të Bankës Qendrore, apo një
agjent i Bankës Qendrore, duke përfshirë një person i cili dikur ka qenë në një pozitë të
tillë, nuk do të jetë përgjegjës për dëme apo përgjegjës për vepra a lëshime që kanë
ndodhur bazuar në dhe në proces të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive në emër të
Bankës Qendrore përveç nëse provohet që këto vepra a lëshime përbejnë sjellje të
paligjshme me dashje apo neglizhencë serioze;
1.3. procedura në fjalë do të vazhdoj pa kufizime gjatë periudhës së një ankese si dhe
çdo ankesë të mëtejmë apo procedura të tjera gjyqësore që kanë të bëjnë me ankesë;
dhe
1.4. gjykata apo paneli i arbitrazhit do të jetë i autorizuar, në rastet e duhura, të caktojë
dëmshpërblime monetare për palën e dëmtuar, por nuk do të ndalojë, të pezullojë, të
suspendojë apo të shfuqizojë veprimet e marra nga Banka Qendrore.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit 4, të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, i cili përcakton: “Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.”
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale] 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, që parashikojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ARJ.nr.134/2021] të Gjykatës Supreme të 29 dhjetorit 2021, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e personit juridik ka të drejtë të paraqes ankesë kushtetuese, duke u thirrur në shkelje të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të tij, që vlejnë për individët dhe personat juridikë (shih rastin e Gjykatës KI41/09, parashtrues Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendim për papranueshmëri i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14).
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 39 (2) specifikon:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. ( shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet faktin se Siguruesi “Kosova e Re” Sh. A. përmes licencës 007 të datës 25 prill 2002 të lëshuar nga Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK), e cila ishte paraardhësja Ligjore e BQK-së ishte autorizuar të kryejë biznes të sigurimeve në territorin e Kosovës. Siguruesi “Kosova e Re” Sh. A. ishte në pronësi të plotë të kompanisë turke “Tuspa Trade” LLC. Ndërsa një vit më vonë, kompania “Fitorja” Sh.P.K., (parashtruesi i kërkesës) kishte blerë 100% të aksioneve nga kompania “Tuspa Trade” L.L.C., dhe përmes këtij transaksioni, kompania “Fitorja” Sh.P.K., (parashtruesi i kërkesës) ishte bërë pronare e re e siguruesit “Kosova e Re” Sh. A. me seli në Prishtinë. Ndërkohë, Bordi Ekzekutiv i BQK-së miratoi Vendim për revokimin e licencës së parashtruesit të kërkesës për shkak se i njëjti nuk kishte përmbushur kërkesat minimale ligjore lidhur me mjaftueshmërinë e kapitalit, aftësinë paguese (solvencën) dhe asetet në mbulimin e provizioneve teknike. Parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore kundër palës së paditur BQK me qëllim të kontestimit të vendimit për revokim të licencës së parashtruesit të kërkesës nga kjo e fundit. Parashtruesi i kërkesës po ashtu kishte kërkuar nga Gjykata Themelore që ta shtyjë ekzekutimin e vendimit të kontestuar të BQK-së. Gjykata Themelore e aprovoi padinë e parashtruesit të kërkesës dhe e shtyu ekzekutimin e vendimit të kontestuar të BQK-së. Ndërkohë, pala e paditur BQK paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit e aprovoi të bazuar ankesën e palës së paditur BQK, e ndryshoi aktvendimin e goditur të Gjykatës Themelore dhe e refuzoi të pabazuar propozimin i parashtruesit të kërkesës për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të kontestuar të BQK-së. Gjykata e Apelit kryesisht kishte konstatuar se Gjykata Themelore nuk kishte zbatuar drejtë të drejtën materiale duke shpërfillur zbatimin e neneve 76 dhe 77 të Ligjit për BQK-në. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor duke pretenduar shkelje të dispozitave procedurale, zbatim të gabuar të së drejtës materiale me propozim që aktvendimi i ankimuar i Gjykatës së Apelit të anulohet në tërësi . Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësorë të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës i paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme në përgjithësi e përvetësoi dhe miratoi arsyetimin e dhënë nga Gjykata e Apelit duke arsyetuar se bazuar në nenin 22 të LKA-së për përmbushjen e kushteve për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar dhe nenit 76 të Ligjit për BQK-në që përcakton imunitetin e veprimeve të BQK-së ndaj caktimit të masës së përkohshme nga gjykatat, vendimi i Gjykatës së Apelit është i drejtë dhe i ligjshëm.
Nga përmbajtja e procedurave të zhvilluara në gjykatat e rregullta, Gjykata vlerëson se vendimet e kontestuara të Gjykatës Apelit dhe Gjykata Supreme ndërlidhen shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të BQK-së, përkatësisht “procedura paraprake”. Gjykata bazuar në praktikën gjyqësore të saj dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), duhet të vlerësojë aplikueshmërinë e garancive të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Në këtë kontekst, Gjykata i referohet pikës (b) të paragrafit (3) të rregullit 39 të Rregullores së punës, sipas së cilës, Gjykata mund të konsiderojë një kërkesë të papranueshme nëse e njëjta nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën.
Prandaj, vlerësimi i kriterit të lartpërmendur në rrethanat e rastit konkret, është i rëndësishëm sepse procedurat e zhvilluara para gjykatave të rregullta hyjnë në fushëveprimin e “procedurave paraprake”, përkatësisht vendimet e kontestuara të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit ndërlidhen me Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të BQK-së derisa kjo e fundit të vendos me vendim përfundimtar (shqyrtim të meritave) lidhur me padinë e parashtruesit të kërkesës. Rrjedhimisht, Gjykata do të vlerësojë nëse neni 31 i Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së është i zbatueshëm në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kontekst specifik, Gjykata vëren se çështja e aplikueshmërisë së nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së në procedura paraprake është interpretuar nga GJEDNJ përmes praktikes së saj gjyqësore, në harmoni me të cilën Gjykata, në pajtim me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejta e Njeriut] të Kushtetutës, është e obliguar të interpretojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata vë po ashtu në pah, se kriteret për aplikueshmërinë e nenit 31 të Kushtetutës përkitazi me procedurat paraprake janë përcaktuar po ashtu edhe në rastet e kësaj Gjykate, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI122/17, parashtrues, Česká Exportní Banka A.S., Aktgjykim i 30 prillit 2018; KI150/16, parashtrues, Mark Frrok Gjokaj, Aktgjykim i 31 dhjetorit 2018; KI81/19, parashtrues, Skender Podrimqaku, Aktvendim për papranueshmëri i 9 nëntorit 2019; KI107/19, parashtrues, Gafurr Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020; KI195/20, parashtrues, Aigars Kesengfelds, Aktgjykim, i 29 marsit 2021. Parimet e përgjithshme të vendosura përmes vendimeve të lartcekura të Gjykatës janë bazuar në rastin e GJENDJ-së, Micallef kundër Maltës, nr. 17056/06, Aktgjykim i 15 tetorit 2009.
Rrjedhimisht, për të konstatuar nëse në rastin konkret aplikohet neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së, Gjykata do t'iu referohet parimeve të përgjithshme të përcaktuara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës për sa i përket aplikueshmërisë së garancive procedurale të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe më pas të njëjtat do t'i aplikojë në rrethanat e rastit konkret.
Bazuar në praktikë gjyqësore të saj dhe të GJEDNJ-së, Gjykata vëren se jo të gjitha masat e sigurisë apo masat e përkohshme përcaktojnë të drejtat ose detyrimet civile dhe në mënyrë që neni 6 i KEDNJ-së të konsiderohet i zbatueshëm, GJEDNJ përcaktoi kriteret mbi bazën e të cilave duhet të vlerësohet aplikueshmëria e nenit 6 të KEDNJ-së në “procedurat paraprake” (shih, rastin e GJEDNJ-së, Micallef kundër Maltës, cituar më lart, paragrafët 83-86).
Sipas kritereve të përcaktuara në rastin Micallef kundër Maltës, të cilat kritere edhe kjo Gjykatë i pranoi përmes praktikës gjyqësore: së pari, e drejta në fjalë duhet të jetë “civile” si në shqyrtimin gjyqësor ashtu edhe në procedurat lidhur me masën e sigurisë, brenda kuptimit autonom të këtij nocioni sipas nenit 6 të KEDNJ-së dhe; së dyti, kjo procedurë duhet të përcaktojë në mënyrë efektive të drejtën civile përkatëse (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së, Micallef kundër Maltës, cituar më lart, paragrafët 84 dhe 85 dhe referencat e përmendura aty, si dhe shih rastet e Gjykatës KI122/17, parashtrues, Česká Exportní Banka A.S., të cituar më lart, paragrafët 130 dhe 131; KI81/19, parashtrues, Skender Podrimqaku, të cituar më lart, paragrafët 47 dhe 48; KI107/19, parashtrues, Gafurr Bytyqi, të cituar më lart, paragrafi 53).
Gjykata rikujton që rrethanat e rastit parashtruesi i kërkesës i referohet vendimit të kontestuar të BQK-së për revokim të licencës lidhur me zhvillimin e veprimtarisë së parashtruesit të kërkesës si kompani e sigurimeve në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Parashtruesi i kërkesës kishte inicuar konflikt administrativ duke parashtruar padi ndaj BQK-së me kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të kontestuar të BQK-së me arsyetimin se atij dhe palëve të treta do t’i shkaktohej dëm i pariparueshëm.
Rrjedhimisht, kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të BQK-së, si në rrethanat e rastit konkret, në procedurë të konfliktit administrativ është paraparë në nenin 22 të LKA-së. Ky vendim për shtyrje të ekzekutimit, bazuar në ligjin e aplikueshëm, mund të merret deri në vendosjen në merita të rastit nga Gjykata Themelore.
Gjykata rikujton se të gjitha çështjet e ngritura në rrethanat e rastit konkret hyjnë në fushëveprimin e “procedurave paraprake” derisa të shqyrtohet çështja kryesore për anulimin e vendimit të kontestuar të BQK-së e që ndërlidhen drejtpërdrejtë me veprimtarinë e parashtruesit të kërkesës si kompani e sigurimeve. Gjykata vëren se procedurat e zhvilluara deri më tani janë procedura paraprake lidhur me shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të BQK-së ndërsa për aspektin material (meritat) e kësaj kërkese gjykatat e rregullta akoma nuk kanë nxjerrë vendim të formës së prerë dhe të detyrueshëm.
Nga sa më sipër, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës (i) gëzon një të “drejtë civile” që vë në lëvizje garancitë procedurale të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; (ii) kërkesa e parashtruesit të kërkesës përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së është ratione materiae në pajtim më Kushtetutën; dhe, se (iii) garancitë procedurale të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së janë të aplikueshme në rastin e tij.
Në tekstin e mëposhtëm të këtij vendimi, Gjykata rithekson se-në pajtim me parimin e subsidiaritetit-do të vlerësojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës vetëm sa i përket procedurës paraprake të kësaj kërkese përkatësisht vendimet për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të BQK-së që është zhvilluar pranë gjykatave të rregullta.
Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës në thelb ka pretendime të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar. Parashtruesi i kërkesës pretendon që Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme nuk kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm dhe të logjikshëm kur kanë gjykuar rastin e tij-dhe në formë të nënkuptuar-ka sugjeruar që Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kanë qenë të njëanshme. Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon se përbërja e Bordit Ekzekutiv të BQK-së nuk ka pasur kuorum dhe ka qenë e papajtueshme me legjislacionin e aplikueshëm. Pretendimet tjera të parashtruesit të kërkesës lidhen me mbrojtjen e pronës dhe zbatimin e gabuar të ligjit kryesisht të neneve 76 dhe 77 të Ligjit për BQK-në, nga ana e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme. Gjykata rikujton se nga shkresat e lëndës nuk rezulton se parashtruesi i kërkesës ka ngritur çështjen e përbërjes së Bordit Ekzekutiv të BQK-së.
Gjykata përsëritë se në rrethanat e rastit konkret vlerësimi kushtetues nuk trajton aspektin material të kësaj kërkese por kufizohet vetëm në procedurat paraprake përkatësisht vendimet për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të BQK-së që është zhvilluar pranë gjykatave të rregullta.
Në këtë drejtim, Gjykata vë në pah, konstatimet e Gjykatës së Apelit: (i) duke shqyrtuar shkresat e lëndës, aktvendimit te ankimuar, ankesat e plotësimet e tyre, përgjigjet në ankesë e plotësimet e tyre, dhe pas vlerësimit të tyre, në kuptim të nenit 49 të LKA-së lidhur me nenin 194 të Ligjit Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK) i aplikueshëm sipas nenit 63 të LKA-së konstatoi se ankesa është e bazuar; (ii) aktvendimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së karakterizohet me të meta thelbësore procedurale nga neni 182, paragrafi 2, nën-paragrafi 1 të LPK-së; (iii) aktvendimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë ka të meta materiale që nuk mund të ekzaminohen ngase dispozitivi është kontradiktor me arsyetimin; (iv) faktet vendimtare lidhur me përmbushjen e kushteve nga neni 22.2 i LKA-së për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të BQK-së nuk janë arsyetuar fare në raport me dispozitat ligjore nga neni 76 dhe 77 paragrafi 1, nën-paragrafi 1.4 të Ligjit Nr. 03/L-209 të Ligjit për Bankën Qendrore (në tekstin e mëtejmë: Ligji për BQK-në); (v) gjykata e shkallës së parë nuk ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike bazuar në nenin 183 të LPK-së i aplikueshëm sipas nenit 63 të LKA-së; (vi) gjykata e shkallës së parë nuk ka marrë parasysh përcaktimet nga neni 76.1 i Ligjit për BQK-në që përcakton se “asnjë ndalesë apo ekzekutim nuk mund të shqiptohet ndaj BQK-së ose pronës së saj”; (vii) gjykata e shkallës së parë nuk ka marrë parasysh përcaktimet nga neni 77 paragrafi 1, nën-paragrafi 1.4 i Ligjit për BQK-në që përcakton se “gjykata mund të caktojë dëmshpërblim monetar për palën e dëmtuar por nuk mund të pezullojë ose shfuqizojë veprimet e BQK-së”; (viii) prandaj, duke u bazuar në këto dispozita nuk ka bazë ligjore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të BQK-së, sepse në rast e parashtruesi i kërkesës ka sukses në këtë konflikt administrativ, atëherë i njëjti ka në disponim mundësinë e kompensimit të dëmit nga e paditura BQK; dhe, (ix) rezulton se parashtruesi i kërkesës nuk e ka bërë të besueshëm përmbushjen e kushteve nga neni 22.2 i LKA-së, për shtyrjen e vendimit të kontestuar të BQK-së.
Gjykata po ashtu vë në pah konstatimet e Gjykatës Supreme: (i) bazuar në nenin 22 të LKA-së për përmbushjen e kushteve për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar dhe nenit 76 të Ligjit për BQK-në që përcakton imunitetin e veprimeve të BQK-së ndaj caktimit të masës së përkohshme nga gjykatat, vendimi i gjykatës së shkallës së dytë është i drejtë dhe i ligjshëm; (ii) parashtruesi i kërkesës nuk e ka bërë të besueshëm shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të BQK-së dhe cili është dëmi i pariparueshëm që ai do ta pësonte në kuptim të përmbushjes së kushteve kumulative nga neni 22 i LKA-së; (iii) nuk është provuar se janë plotësuar kushtet kumulative për shtyrjen e vendimit të kontestuar të BQK-së për mbrojtjen e interesave të palëve të treta; (iv) ekziston mundësia e kompensimit material qoftë e parashtruesit të kërkesës, qoftë e palëve të treta të dëmtuara, në rast të aprovimit të kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës me vendim përfundimtar gjyqësorë, prandaj, nuk paraqitet rreziku i dëmit të pariparueshëm; dhe, (v) aktvendimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së dytë është i qartë, i kuptueshëm dhe mjaftueshëm i arsyetuar për të gjitha faktet vendimtare dhe dispozitat ligjore të Ligjit për BQK-në që rregullojnë dhe ndalojnë shqiptimin dhe ekzekutimin e ndonjë mase ndaj veprimeve të BQK-së, para se të nxjerrët vendimi përfundimtar gjyqësorë i gjykatave në Republikën e Kosovës.
Nga sa më sipër, Gjykata vëren se Gjykata Supreme por edhe Gjykata e Apelit: (i) kanë dhënë një arsyetim të gjithëpërfshirës të të gjitha çështjeve qendrore të çështjes së parashtruesit të kërkesës çka lë të kuptohet se parashtruesit i është mundësuar paraqitja e argumenteve kundrejt palës së paditur BQK-së; (ii) Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit kanë përcaktuar bazën ligjore duke dhënë shpjegime të mjaftueshme dhe logjike për shkaqet e “imunitetit” të veprimeve të BQK-së bazuar në nenet 76 dhe 77 të Ligjit për BQK-në; (iii) ekziston mundësia e kompensimit material qoftë e parashtruesit të kërkesës, qoftë e palëve të treta të dëmtuara, në rast të aprovimit të kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës me vendim përfundimtar gjyqësorë; prandaj, (iv) sipas Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme nuk paraqitet rreziku i dëmit të pariparueshëm ndaj parashtruesit të kërkesës dhe palëve të treta.
Sa i përket pretendimit për mungesë të vendimit të arsyetuar, Gjykata dhe GJEDNJ-ja në jurisprudencën e tyre kanë theksuar se neni 31 i Kushtetutës përkatësisht neni 6, paragrafi 1 i KEDNJ-së, obligon gjykatat të japin arsyet për vendimet e tyre, ato gjithashtu kanë konstatuar se kjo nuk mund të kuptohet si kërkesë për një përgjigje të hollësishme në çdo argument. (Shih rastet e Gjykatës nr. KI174/21 parashtrues Bashkim Makiqi, aktvendim për papranueshmëri i 16 shkurtit 2022, paragrafi 57 dhe nr. KI97/16 parashtrues IKK Classic, aktgjykim i 4 dhjetorit 2017, paragrafi 49 dhe po ashtu shih rastet e GJEDNJ-së Van de Hurk kundër Holandës, nr. 16034/90, Aktgjykim i 19 prillit 1994, paragrafi 61; Higgins dhe të tjerët kundër Francës, nr. 20124/92, Aktgjykimi i 19 shkurtit 1998, paragrafi 42).
Gjykata rithekson se vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta janë të arsyetuara dhe përmbajnë fakte të vërtetuara, dispozitat ligjore përkatëse dhe marrëdhënien logjike midis tyre. (shih rastet e Gjykatës, nr. KI174/21 parashtrues Bashkim Makiqi, cituar më lart, paragrafi 58 dhe nr. KI72/12, parashtrues Veton Berisha dhe Ilfete Haziri, aktgjykim i 17 dhjetorit 2012, paragrafi 61, dhe nr. KI135/14, IKK Classic, aktgjykim i 9 shkurtit 2016, paragrafi 58).
Gjykata thekson se nuk do të vlerësojë në themelësi aspektin material të kësaj kërkese e që ndërlidhet me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për mbrojtje të pronës, zbatimin e gabuar të ligjit për përbërjen dhe kuorumin e Bordit Ekzekutiv të BQK-së, revokimin e licencës së parashtruesit të kërkesës si masë ndëshkuese, afatin e rimëkëmbjes së parashtruesit të kërkesës që akordohet nga BQK-ja në pajtim me legjislacionin përkatës dhe përmbylljen e negociatave nga parashtruesi i kërkesës për shitjen e paketës së aksionarit “Fitorja” sh.p.k., për shkak se këto pretendime kanë të bëjnë me aspektin material të kërkesës që parashtruesi i kërkesës akoma ka mundësi që t’i ngre në procedurë tek gjyqësori i rregullt-dhe si të tilla- të gjitha këto pretendime në këndvështrimin e Gjykatës janë të parakohshme, ngase në situatën konkrete para Gjykatës për trajtim janë procedurat paraprake (shih, mutatis mutandis, rastet e Gjykatës KI202/21, parashtrues “Kelkos Energy SH.P.K.,” Aktgjykim i 29 shtatorit 2022, paragrafi 143; dhe KI75/21, parashtrues “Abrazen LLC”, “Energy Development Group Kosova LLC”, “Alsi & Co. Kosovë LLC” dhe “Building Construction LLC”, Aktgjykim i 19 janarit 2022, paragrafi 95).
Gjykata po ashtu thekson se nuk do t’i vlerësojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 3 dhe 10 të Kushtetutës sepse edhe këto pretendime janë të parakohshme dhe mund të shqyrtohen në procedurë pranë gjykatave të rregullta, të cilat po ashtu janë të obliguara të vendosin sipas Kushtetutës dhe ligjit (shih nenin 102.3 të Kushtetutës dhe po ashtu shih rastin e Gjykatës KI207/19, parashtrues, NISMA Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, Aktgjykim i 10 dhjetorit 2020, paragrafi 128).
Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohen me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me dhe nenin 6 (1) të KEDNJ-së, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe duhet të refuzohen qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Kërkesa për masë të përkohshme
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës kërkon caktimin e masave të përkohshme me qëllim të shmangies së dëmit të pariparueshëm dhe mbrojtës së interesit publik.
Gjykata i referohet rregullit 57 (5) [Vendimi për masë të përkohshme] të Rregullores së punës që specifikon: “(5) Nëse pala që kërkon masë të përkohshme nuk paraqet dëshmitë e nevojshme, Gjykata do të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme.”
Duke qenë se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur dëshmitë e nevojshme për vendosje të masës së përkohshme si dhe bazuar në faktin se Gjykata veçse ka konstatuar se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është qartazi e pabazuar, e njëjta konstaton se kërkesa për masë të përkohshme duhet të refuzohet (shih rastin e Gjykatës KI10/22 parashtrues, Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Aktgjykim i 18 korrikut 2022, paragrafi 85).
Për këto arsye, kërkesa për masë të përkohshme duhet të refuzohet.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 dhe 116.2 të Kushtetutës, nenet 20, 27 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 59 (2) të Rregullores së punës, më 23 shkurt 2023, me shumicë
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
TA REFUZOJË kërkesës për caktim të masës së përkohshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtare raportues e Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
Shoqëria “Fitorja” sh.p.k.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile