Prishtinë, më 26 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2360/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI65/23
Parashtrues
Marjan Kolaj
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 248/22] të Gjykatës Supreme, të 24 janarit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Marjan Kolaj, me vendbanim në Gjakovë, të cilin e përfaqëson Rexhep Gjikolli, avokat nga Gjakova (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Rev. nr. 248/22] e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) të 24 janarit 2023.
Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 10 shkurt 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 17 mars 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 31 mars 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin nr. GJR. KI65/23 caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare raportuese dhe me Vendimin KSH. KI65/23 caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 4 prill 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi dorëzimin e autorizimin specifik për Gjykatë.
Më 14 prill 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë autorizimin e kërkuar.
Më 30 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Më 26 mars 2003, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Gjykatën Komunale në Gjakovë për kompensim të dëmit, kundër Korporatës Energjetike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KEK). Parashtruesi i kërkesës ishte bashkëpronar i shtëpisë në Gjakovë, e cila u dogj tërësisht në vitin 2003 si pasojë e zjarrit. Parashtruesi i kërkesës pretendonte që zjarri ishte shkaktuar për shkak të mbitensionit dhe mosmirëmbajtjes së rrjetit elektrik nga KEK-u. Parashtruesi i kërkesës kërkoi kompensim financiar në vlerën prej 150.000 (njëqind e pesëdhjetëmijë) euro, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga djegia e shtëpisë.
Më 3 nëntor 2020, Gjykata Themelore në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore): (i) aprovoi pjesërisht kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës; (ii) detyroi KEK-un t’ia paguajë parashtruesit të kërkesës kompensimin financiar për dëmin e shkaktuar, në vlerën prej 48.831.00 (dyzet e tetëmijë e tetëqind e tridhjetë e një) euro. Gjykata Themelore arsyetoi si në vijim:
“Gjykata gjeti se shkaktimi i dëmit paditësve i atribuohet ekskluzivisht përgjegjësisë objektive të paditurës e cila menaxhon me rrjetin elektrik, pasi që e njëjta si person juridik e cila si veprimtari të vetën ka operimin, sigurimin e mirëmbajtjes dhe zhvillimin e transmisionit në mënyrë që të ofroj siguri në operimin e sistemit dhe sigurimit me furnizim me energji elektrike, mbi këtë bazë e njëjta duhet t’ ia siguroj dëmin e shkaktuar paditësve, për shkak se për sendin e rrezikshëm ose veprimtarinë e rrezikshme nga i cili rrjedh rreziku i shtuar, ligjërisht çdo herë duhet të përgjigjet zotëruesi i saj, përkatësisht personi që merret me të, me përjashtim të rasteve kur para gjykatës mund të vërtetohet se dëmi nuk ka ndodhur me fajin apo lëshimet e tij. Në këtë kuptim përgjegjësia për kompensim i bie të paditurës”.
KEK-u parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore. KEK-u arsyetoi se mbi bazën e provave të administruara nuk është konstatuar përgjegjësia e saj për djegien e shtëpisë së parashtruesit të kërkesës.
Më 16 dhjetor 2021, Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktgjykimit [AC. nr. 6174/2021] refuzoi ankesën e KEK-ut dhe vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit arsyetoi si në vijim:
“Gjykata e shkallës së dytë vlerëson se gjykata e shkallës së parë e ka vërtetuar drejtë faktin lidhur me shkakun e djegies së shtëpisë së banimit të paditësve e cila gjendet në fshatin Novosellë e Epërme, komuna e Gjakovës, përmes ekspertizës së bërë nga eksperti E.S., ing. i elektros, e datës 29.8.2003-i cili edhe është dëgjuar në seancën e datës 21.5.2018, i cili ka konstatuar se, deri te djegia e shtëpisë së paditësve bashkë me gjërat brenda saj, që ka ndodhur si pasojë e zjarrit i cili ka ndodhur me datën 16.8.2013, rreth orës 3.10 minuta, si pasojë e rrymës përkatësisht luhatjeve së tensionit elektrik, e jo për shkak instalimit elektrik brenda kësaj shtëpie, i cili, sipas ekspertit, ka qenë në rregull bashkë me njësorin e energjisë elektrike i cili ka qenë i lidhur në mënyrë të rregullt, dhe se mundësia e vetme për shpërthimin e këtij zjarri kanë qenë luhatjet e mëdha të tensionit të rrymës, gjë që ka mundur të ndikojnë në pajisjet elektrike brenda shtëpisë, në këtë rast frigoriferi, i cili ka mundur të jetë burim i shpërthimit të zjarrit dhe shkaktimit të dëmit”.
KEK-u parashtroi revizion në Gjykatën Supreme, kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. KEK-u arsyetoi se sipas raportit të ekspertit nuk është dëshmuar që ajo është përgjegjëse për dëmin e shkaktuar dhe se Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit gabimisht vendosën për një gjë të tillë.
Më 24 janar 2023, Gjykata Supreme nëpërmjet Aktgjykimit [Rev. nr. 248/2022]: (i) aprovoi si të bazuar revizionin e KEK-ut; (ii) ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit; dhe (iii) refuzoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Supreme arsyetoi si në vijim:
“Gjykata Supreme nga provat e administruara në këtë çështje dhe nga shkresat e lëndës, gjen se nuk është provuar bazueshmëria e kërkesëpadisë së paditësve, andaj edhe nuk ka bazë për të aprovuar kërkesëpadinë, kjo për faktin se në bazë të provave të administruara nuk është provuar përgjegjësia objektive e të paditurës në shkaktimin e zjarrit në shtëpinë e paditësit”.
“Nga kjo nënkuptohet që kjo ekspertizë është e ndërtuar në hipoteza, pa u mbështetur në prova dhe fakte të provuara, andaj me këtë ekspertizë nuk mund të konstatohet përgjegjësia objektive e të paditurës, si kusht për ta detyruar në kompensimin e dëmit në raport me paditësit. Nga ky konstatim si në ekspertizë nuk është vërtetuar se si rezultat i dështimit të paditurës ka ardhur deri te pasoja, dhe nuk është vërtetuar se rrjeti elektrik i furnizimit me energji elektrike para dhe deri në ditën kritike ka pasur mangësi dhe nuk ka plotësuar kushtet teknike, dhe si pasojë ka ardhur deri te shkaktimi i zjarrit dhe pasojat e dëmit, eksperti edhe nga sqarimi i lartcekur në seancë nuk ka arritur të konstatojë ndonjë shkaktar që ka ndikuar në shkaktimin e zjarrit, e aq më pak që shkak të jetë si rezultat i lëshimeve nga e paditura, dhe deri sa nuk vërtetohet kjo lidhje kauzale, të paditurës nuk mund t’i mëveshet përgjegjësia për kompensimin e dëmit”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se aktgjykimi i Gjykatës Supreme ka shkelur të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenin 24 dhe 54 të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se: “Konsideroj se me rastin e vendosjes sipas revizionit të palës së paditur, si dhe me rastin e arsyetimit mbi aprovimin e revizionit nuk janë trajtuar barabarsishtë palët, respektivisht palën paditëse e ka anashkaluar dhe nuk ka prezantuar drejt kërkesën dhe pretendimet e saj. Siç është cekur më lart pala paditëse ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për vërtetimin e shkakut të zjarrit në shtëpinë e saj duke informuar të gjitha institucionet përkatëse siç janë: Policia e Kosovës, Sektori i Komunës së Gjakovës i Preventivës dhe Hulumtimit të zjarrit, pastaj është iniciuar procedura për Sigurimin e Provave dhe për këtë është informuar edhe Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM). Njëherit është iniciuar edhe Procedura për Sigurimin e Provave pranë ish-Gjykatës Komunale në Gjakovë”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se: “Nga përmbajtja e arsyetimit të aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës shihet qartë se Gjykata Supreme kryesisht i shqyrton pretendimet e palës së paditur dhe të gjitha thëniet i miraton si të bazuara. Konsideroj se me rastin e arsyetimit të aktgjykimit të atakuar, Gjykata Supreme merret me çështjen e gjendjes faktike dhe duke i interpretuar përmbajtjen e provave dhe rrethanave që shkojnë vetëm në favor të palës së paditur”.
Tutje parashtruesi thekson se “... në fshatin Novosellë të Epërme të komunës së Gjakovës në vitin kur ka ndodhur kallja e shtëpisë-viti 2003, ishte perioda e viteve të para pas çlirimit të vendit nga okupatori serb. Jo vetëm në këtë fshat rrjeti elektrik ishte i dëmtuar nga lufta dhe nga perioda kur vendi ishte okupuar. Këtë gjendje e përshkruan edhe dëshmitari i proceduar V.B. i cili thotë përveç tjerave" ... Gjendja në trafo nuk ishte e mirë ... kam dijeni së këtë e kanë parashtruar persona tjerë nga familja P." Parashtruesi i kërkesës tutje thekson se: "rrjeti ka qenë në mes të dy megjave të cilat kanë qenë të mbjellura me drunjë të ndryshëm dhe në mes është kanali mirëpo, për shkak të rritjes së drunjëve të gjatë janë paraqitur vështirësi në rrjet". Këto rrethana fare nuk janë vlerësuar nga Gjykata përkundrazi anashkalohen dhe konsideroj së nxirret përfundim i njëanshëm dhe në dëm të palës paditëse...gjendja në rrjetin elektrik në fshatin tim nuk ka qenë në nivel dhe kjo ka qenë shkak për ndodhjen e kalljeve. Fqiu i im ka pas të njëjtin rast dhe e ka realizuar dëmin. Nga Gjykata Supreme kërkesa ime refuzohet”.
Përfundimisht parashtruesi thekson: “Në rastin konkret, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës duke i ndryshuar aktgjykimet e cekura dhe duke i vlerësuar njëanshëm shkresat e lëndës i ka shkelur këto të drejta”.
Parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata miratimin e kërkesës dhe anulimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
[…]
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]
LIGJI NR. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE
NËNKREU 5
PËRGJEGJËSIA PËR DËMIN NGA SENDI I RREZIKSHËM OSE NGA VEPRIMTARIA E RREZIKSHME
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 154
Prezumimi i kauzalitetit
Dëmi i shkaktuar lidhur me sendin e rrezikshëm, përkatësisht me veprimtarinë e rrezikshme konsiderohet se rrjedh nga ky send, përkatësisht nga kjo veprimtari, përveç nëse provohet se ato nuk kanë qenë shkak i dëmit.
Neni 155
Kush përgjigjet për dëmin
Për dëmin nga sendi i rrezikshëm përgjigjet zotëruesi i saj, kurse për dëmin nga veprimtaria e rrezikshme përgjigjet personi që merret me të.
II. VËLLIMI I SHPËRBLIMIT TË DËMIT MATERIAL
Neni 173
Dëmi i real dhe fitimi i humbur
1. I dëmtuari ka të drejtë si për shpërblimin e dëmit të rëndomtë, ashtu edhe për shpërblimin e fitimit të humbur.
2. Lartësia e shpërblimit të dëmit caktohet sipas çmimeve në kohën e nxjerrjes së vendimit gjyqësor, përveç nëse me ligj parashihet diçka tjetër.
3. Gjatë vlerësimit të lartësisë së fitimit të humbur merret në konsiderim fitimi që ka mundur të pritej në mënyrë të bazuar sipas rrjedhjes së rregullt të gjërave ose sipas rrethanave të veçanta, e realizimi i të cilit është penguar nga veprimi i dëmtuesit ose nga lëshimi që të ndërmerr veprimin.
4. Kur sendi është shkatërruar ose dëmtuar me vepër penale të kryer me dashje, gjykata mund të caktojë lartësinë e shpërblimit sipas vlerave që ka pasur sendi për të dëmtuarin.
Neni 174
Shpërblimi i plotë
Gjykata, duke marrë parasysh edhe rrethanat që janë shkaktuar pas shkaktimit të dëmit, do të gjykojë shpërblimin në një shumë e cila është e nevojshme që gjendja materiale e të dëmtuarit të sillet në atë gjendje në të cilën do të kishte qenë po të mos kishte veprim dëmtues ose mosveprim
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Neni 21
[Parimet e përgjithshme]
[...]
4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai konteston kushtetutshmërinë e një akti të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev. nr. 248/2022] e Gjykatës Supreme të 24 janarit 2023, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parasheh neni 49 i Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht me nënrregullin (2), të rregullit 39 të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 34
[Kriteret e pranueshmërisë]
(2) “Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
[...]
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Gjykata përsërit se parashtruesi i kërkesës pretendon se aktgjykimi i Gjykatës Supreme i ka shkelur të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenet 24 dhe 54 të Kushtetutës. Sipas tij, Gjykata Supreme i mori parasysh vetëm pretendimet dhe argumentet e palës kundërshtare dhe i injoroi në tërësi provat dhe faktet e paraqitura nga ai.
Gjykata thekson se një kërkesë kushtetuese karakterizohet nga faktet e paraqitura në të dhe jo thjesht nga baza ligjore ku mbështeten parashtruesit e kërkesës. Gjykata ka autoritetin për të kualifikuar bazën ligjore të kërkesës në përputhje me pretendimet dhe faktet e prezantuara aty, dhe nuk obligohet nga përcaktimi i neneve të Kushtetutës apo të KEDNJ-së të bërë nga parashtruesit e kërkesës. (rastet e Gjykatës, KI37/17 dhe KI52/17, parashtrues Tihomir Mikarić, Olga Janičijević, Shemisje Sheholli, Aktvendim për papranueshmëri i 7 shtatorit 2017, para. 72; KI58/17, parashtrues Ukë Muçaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 24 tetorit 2017, para. 65; rastet e GJEDNJ-së, Scoppola kundër Italisë, nr. 10249/03, Aktgjykim i 17 shtatorit 2009, para. 54; Radomilja dhe të tjerët kundër Kroacisë, nr. 37685/10, nr. 22768/12, Aktgjykim i 20 marsit 2018, para. 114).
Gjykata thekson se në rastin konkret parashtruesi i kërkesës mbështetet në nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës. Megjithatë, bazuar në faktet dhe rrethanat e rastit, Gjykata do të trajtojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës në bazë të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, përkitazi me “barazinë e armëve” dhe vlerësimin e provave.
Në lidhje me pretendimet për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon që Gjykata Supreme refuzoi në tërësi argumentet e tij dhe mori parasysh vetëm argumentet e palës kundërshtare. Parashtruesi i kërkesës thekson se Gjykata Supreme ka trajtuar në mënyrë të pabarabartë palët gjatë procesit gjyqësor.
Gjykata ripërsërit se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e faktit dhe të ligjit të bëra nga gjykatat e rregullta. Është në autoritetin e gjykatave të rregullta të zbatojnë dhe interpretojnë të drejtën materiale. Gjykata mund të ndërhyjë vetëm në rastet kur vendimet e gjykatave të rregullta janë marrë në mënyrë “arbitrare” apo janë “qartazi të paarsyeshme”, duke shkelur kështu të drejtat kushtetuese të parashtruesve të kërkesës (rastet e Gjykatës, KI70/11, parashtrues Faik Hima, Magbule Hima dhe Besart Hima, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 dhjetorit 2011, paragrafi 29-30; KI06/17, parashtrues L.G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 23 tetorit 2017, paragrafi 37; KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, Aktgjykim i 30 majit 2018, paragrafi 57; KI154/17 dhe KI05/18, parashtrues Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar “BARBAS”, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 korrikut 2019, paragrafët 60-65; KI70/20, parashtrues Rasim Shabani dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 tetorit 2021, paragrafët 69-74).
Gjykata thekson se parimi i “barazisë së armëve” nënkupton faktin që secilës palë duhet dhënë mundësia që të paraqes rastin në atë mënyrë që nuk do ta vendoste atë në pozitë të pafavorshme në krahasim me palën kundërshtare. Palët duhet të jenë në dijeni dhe të kenë mundësi të komentojnë dhe kundërshtojnë pretendimet dhe provat që paraqiten gjatë shqyrtimit gjyqësor. Gjykatat duhet të bëjnë shqyrtim të duhur të parashtresave, argumenteve dhe provave të paraqitura nga palët në procedurë, pa paragjykuar se cili do të jetë ndikimi i tyre për vendimin përfundimtar. (rasti i Gjykatës, KI98/21, parashtrues Nexhat Sadiku dhe Gursel Sadiku, Aktvendim për papranueshmëri, i 3 marsit 2022, para. 46-51; KI193/19, parashtrues Salih Mekaj, Aktgjykim i 17 dhjetorit 2020, para. 42-50).
Gjykata përsërit se procesi i rregullt gjyqësor, i garantuar nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së, nuk përcakton ndonjë rregull mbi pranueshmërinë e provave ose mënyrën e vlerësimit të tyre. Këto çështje në parim duhet të vlerësohen nga gjykatat e rregullta. (rasti i Gjykatës KI07/18, parashtrues “Celiku Rollers” sh.p.k, Aktgjykim i 18 dhjetorit 2019, para. 57; rastet e GJEDNJ-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, aktgjykim i 21 janarit 1999, para. 28; Tiemann kundër Francës dhe Gjermanisë, nr. 47458/99, vendim i 27 prillit 2000).
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ishte bashkëpronar i një shtëpie e cila u dogj nga zjarri e që sipas pretendimeve të parashtruesit ishte shkaktuar nga energjia elektrike. Parashtruesi i kërkesës së bashku me disa paditës të tjerë parashtruan padi kundër KEK-ut dhe kërkuan kompensimin financiar për dëmet e shkaktuara.
Gjykata Themelore miratoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe caktoi kompensimin financiar që KEK-u duhej ta paguante për dëmet e shkaktuara nga djegia e shtëpisë. Gjykata Themelore arsyetoi se “... shkaktimi i dëmit paditësve i atribuohet ekskluzivisht përgjegjësisë objektive të paditurës e cila menaxhon me rrjetin elektrik, pasi që e njëjta si person juridik e cila si veprimtari të vetën ka operimin, sigurimin e mirëmbajtjes dhe zhvillimin e transmisionit në mënyrë që të ofroj siguri në operimin e sistemit dhe sigurimit me furnizim me energji elektrike, mbi këtë bazë e njëjta duhet t’ ia siguroj dëmin e shkaktuar paditësve ...”. Gjykata Themelore bazoi vendimin e saj në ekspertizën të cilën e kishte dhënë eksperti i elektro-teknikës.
KEK-u parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit dhe arsyetoi se ekspertiza që u mor parasysh nga Gjykata Themelore nuk e kishte vërtetuar përgjegjësinë e KEK-ut për dëmet e shkaktuara nga zjarri.
Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën e KEK-ut dhe mbështeti vlerësimin e Gjykatës Themelore në lidhje me ekspertizën. Gjykata e Apelit arsyetoi se “sipas ekspertizës, djegia e shtëpisë erdhi si rezultat i zjarrit që u shkaktua nga luhatjet e tensionit elektrik dhe jo për shkak të instalimit të brendshëm të shtëpisë ...”.
Gjykata Supreme, duke vendosur në lidhje me revizionin dhe kundërshtimet e paraqitura nga KEK-u, i ndryshoi vendimet e dy instancave dhe refuzoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Me atë rast, Gjykata Supreme theksoi se “Gjykata Supreme nga provat e administruara në këtë çështje dhe nga shkresat e lëndës, gjen se nuk është provuar bazueshmëria e kërkesëpadisë së paditësve, andaj edhe nuk ka bazë për të aprovuar kërkesëpadinë, kjo për faktin se në bazë të provave të administruara nuk është provuar përgjegjësia objektive e të paditurës në shkaktimin e zjarrit në shtëpinë e paditësit”. Gjykata Supreme arsyetoi se ekspertiza e përgatitur nga eksperti nuk dëshmoi që KEK-u ishte përgjegjëse për dëmet e shkaktuara, dhe as që zjarri erdhi si rezultat i mangësive të rrjetit elektrik. Gjykata Supreme vlerësoi që ekspertiza ishte e ndërtuar në hipoteza dhe jo në fakte të provuara, dhe rrjedhimisht nuk ishte e besueshme.
Në procedurë civile barra e të provuarit bie mbi palën që parashtron kërkesëpadinë. Është detyrë e palëve të paraqesin fakte dhe prova për t’i mbështetur pretendimet dhe kërkesat e tyre. (rasti i Gjykatës, KI98/21, parashtrues Nexhat Sadiku dhe Gursel Sadiku, Aktvendim për papranueshmëri, i 3 marsit 2022, para. 66). Në rastin konkret, çështja kryesore që duhej të provohej ishte përgjegjësia për zjarrin e shkaktuar që dogji shtëpinë e parashtruesit të kërkesës. Pra, duhej të vërtetohej nëse zjarri u shkaktua nga ndonjë prishje e rrjetit elektrik për të cilën ishte përgjegjëse KEK-u, ose që problemet e brendshme të instalimit elektrik të shtëpisë shkaktuan zjarrin.
Për këtë qëllim, gjykatat e rregullta e kishin caktuar një ekspert që bëri ekspertizën profesionale për zbardhjen e të vërtetës. Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit vlerësuan se ekspertiza e vërtetoi faktin që zjarri u shkaktua nga problemet në rrjetin elektrik dhe rrjedhimisht KEK-u ishte përgjegjëse për dëmet e shkaktuara. Mirëpo, Gjykata Supreme i prishi vendimet e tyre dhe vlerësoi që ekspertiza ishte e paqartë dhe jo e besueshme, dhe se nuk ishte vërtetuar që zjarri u shkaktua nga problemet e rrjetit elektrik. Rrjedhimisht, KEK-u nuk kishte detyrim për t’i paguar dëmet e pësuara.
Gjykata nuk mund të vlerësojë saktësinë dhe besueshmërinë e ekspertizës, e as të konstatojë se mbi kë bie përgjegjësia për shkaktimin e zjarrit dhe dëmet e pësuara nga djegia e shtëpisë. Gjykatat e rregullta kanë autoritetin për të administruar dhe vlerësuar provat dhe të bëjnë konstatime të tilla. Gjykata shikon nëse gjithë procedura gjyqësore në tërësinë e saj ishte e drejtë dhe nuk kishte të meta që do të mund ta rrezikonin integritetin e procesit.
Parashtruesi i kërkesës pati mundësi të paraqet argumentet dhe kundërshtimet gjatë procesit gjyqësor. Ai parashtroi kërkesëpadinë, përgjigje në ankesë dhe përgjigje në revizionin e KEK-ut. Në asnjë moment nuk ishte në disavantazhë me palën kundërshtare sa i përket mundësisë për të ofruar prova, fakte, argumente juridike dhe kundërshtime. Fakti që Gjykata Supreme në fund vendosi në favor të KEK-ut, nuk nënkupton që ajo mori parasysh vetëm argumentet e njërës palë dhe vendosi në pozitë të pabarabartë palën tjetër. “Barazia e armëve” në rastin konkret është përmbushur kur të dyja palët kishin mundësi të barabarta për të paraqitur argumente dhe prova. (rastet e Gjykatës, KI98/21, parashtrues Nexhat Sadiku dhe Gursel Sadiku, Aktvendim për papranueshmëri, i 3 marsit 2022, paragrafi 46-53; KI87/21, parashtrues Ukë Berisha, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 janarit 2022, para. 65-72).
Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës i përkasin kategorisë së pretendimeve që karakterizohen “me mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, dhe rrjedhimisht shpallen të papranueshme sipas nenit 34 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 30 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
Marjan Kolaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile