Prishtinë, më 28 tetor 2024
Nr. ref.:RK 2568/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI211/22
Parashtrues
Ismajl Ipshi, Bashkim Ipshi, Gjevdet Ipshi, Bekim Ipshi dhe Besim Ipshi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 233/2022
të 18 korrikut 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Bajram Ljatifi, gjyqtar
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Ismajl Ipshi, Bashkim Ipshi, Gjevdet Ipshi, Bekim Ipshi dhe Besim Ipshi, me vendbanim në Komunën e Lipjanit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit e kërkesës), të përfaqësuar nga Shpëtim Sadiku, avokat në Komunën e Lipjanit.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës kontestojnë kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Rev. nr. 233/2022] të 18 korrikut 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në lidhje me Aktgjykimin [CA. nr. 5255/2020] e 29 marsit 2022 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [C. nr. 162/2004] e 16 tetorit 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë – dega në Lipjan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesit e kërkesës pranuan aktgjykimin e kontestuar më 26 gusht 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, përmes të cilit pretendohet se parashtruesve të kërkesës u janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 23 dhjetor 2022, parashtruesit e kërkesës përmes postës dorëzuan kërkesën, të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e pranoi më 28 dhjetor 2022.
Më 30 dhjetor 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr.GJR.KI211/22] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha, Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 24 janar 2023, Gjykata njoftoi parashtruesit e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe i dërgoi një kopje të saj.
Më 16 maj 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi dorëzimin e fletëkthesës, e cila dëshmon se kur parashtruesit e kërkesës e kanë pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme.
Më 9 qershor 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar, e cila dëshmon se parashtruesit e kërkesës Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme e kanë pranuar më 26 gusht 2022.
Më 16 tetor 2023, Gjykata kërkoi nga përfaqësuesi i parashtruesve të kërkesës të dorëzojë autorizimin për përfaqësim të parashtruesve para Gjykatës brenda afatit prej shtatë (7) ditësh.
Më 23 tetor 2023, përfaqësuesi i parashtruesve të kërkesës dorëzoi autorizimin e kërkuar për përfaqësim.
Më 1 dhjetor 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore dosjen e plotë të rastit.
Më 8 dhjetor 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë dosjen e kërkuar.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 17 korrik 2024, Gjykata e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe vendosi që rasti të shtyhet për shqyrtim në një nga seancat e radhës, me kërkesë që i njëjti të plotësohet me sqarime shtesë.
Më 1 tetor 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Bazuar në shkresat e lëndës, rezulton që parashtruesit e kërkesës janë pasardhës të Selatin Ipshit, përkatësisht të bijtë e tij, i cili ishte palë ndërgjyqëse në cilësinë e paditësit në procedurat e zhvilluara para gjykatave të rregullta dhe i cili gjatë zhvillimit të procedurës para Gjykatës Supreme, më 27 qershor 2022 kishte ndërruar jetë (në tekstin e mëtejmë: paditësi S.I.).
I ndjeri, paditësi S.I., kishte qenë i punësuar si vozitës në Ndërmarrjen “Lipljan–Prevoz”, me seli në Lipjan, e cila ndërmarrje ishte shndërruar në “Kosovatrans Lipjan” (në tekstin e mëtejmë: Punëdhënësi).
Më 3 gusht 1991, Punëdhënësi përmes Vendimit [032-312-39] ia ndërpreu marrëdhënien e punës një numri të caktuar të punëtorëve, duke përfshirë edhe të ndjerin, S.I.
Në një datë të paspecifikuar, kundër Vendimit të lartcekur, S.I. parashtroi kërkesëpadi në Gjykatën Komunale në Lipjan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Komunale) përmes të cilës kërkoi (i) anulimin e vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe (ii) kthimin e tij në vendin e punës.
Më 24 prill 1997, Gjykata Komunale përmes Aktgjykimit [P. nr. 19/97] vendosi: (i) të anulojë vendimin e Punëdhënësit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës; dhe (ii) t’a kthejë S.I. në punë dhe (iii) detyroi Punëdhënësin që atij t’i paguajë shpenzimet e procedurës kontestimore.
Në një datë të paspecifikuar, Punëdhënësi kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Komunale paraqiti ankesë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Qarkut).
Më 26 gusht 1997, Gjykata e Qarkut në Prishtinë përmes Aktgjykimit [Gz. nr. 665/97] e refuzoi si të pabazuar ankesën e Punëdhënësit dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Komunale.
Si rezultat i vendimeve të lartcekura gjyqësore, paditësi S.I., më 28 shtator 1997, në Gjykatën Komunale paraqiti padinë për kompensimin e pagave duke filluar nga 3 gushti 1991 e deri në kthimin e tij në vendin e punës.
Më 13 maj 1998, Gjykata Komunale përmes Aktgjykimit [C. nr. 441/97] aprovoi kërkesëpadinë e S.I., dhe vendosi që të obligojë Punëdhënësin që t’ia paguajë atij shumën e përgjithshme prej 79.429.98 dinarë, në emër të kompensimit të pagave.
Në një datë të paspecifikuar, Punëdhënësi kundër Aktgjykimit të Gjykatës Komunale, të 13 majit 1998 paraqiti ankesë në Gjykatën e Qarkut.
Më 9 shtator 1998, Gjykata e Qarkut përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 610/98] e shfuqizoi Aktgjykimin [C. nr. 441/97] e Gjykatës Komunale dhe çështjen e ktheu në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë, me arsyetimin se nuk ishte sqaruar fakti nëse S.I., gjatë periudhës së largimit nga puna ishte i punësuar në ndonjë vend tjetër, me çka do të zvogëlohej dëmi i shkaktuar.
Më 4 qershor 2004, paditësi S.I. paraqiti propozim në Gjykatën Komunale për vazhdimin e procedurës së ndërprerë për shkak të rrethanave të luftës, e që ndërlidhej me Aktgjykimin [Ac. nr. 610/98] e Gjykatës së Qarkut të 9 shtatorit 1998, përmes të cilit ishte vendosur që çështja të kthehej në rigjykim.
Më 1 korrik 2005, Gjykata Komunale përmes Aktgjykimit [C. nr. 162/2004] vendosi që (i) të pranojë kërkesëpadinë në lidhje me kompensimin e pagave, dhe si rrjedhojë (ii) detyroi Punëdhënësin që paditësit S.I. t’i kompensojë shumën prej 16.968.00 euro, për periudhën nga 3 gushti 1991 deri në dhjetor të vitit 1999.
Më 29 nëntor 2005, S.I. në Gjykatën Komunale parashtroi propozim për përmbarim të Aktgjykimit të Gjykatës Komunale të 1 korrikut 2005.
Më 12 prill 2010, Gjykata Komunale përmes Aktvendimit [E.nr.1063/2009] vendosi në lidhje me përmbarimin e Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Komunale të 1 korrikut 2005. Nga dosja e lëndës rezulton që S.I. nuk kishte pranuar kompensimin financiar për arsye se ish-Punëdhënësi nuk kishte mjete financiare për kompensim.
Më 30 korrik 2012, Agjencia Kosovare e Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP) dhe Komuna e Lipjanit, përmes shkresës [Nr. 1-344-884], duke iu referuar Ligjit Nr. 04/L-111 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, kishin bërë pranim-dorëzimin e ndërmarrjes “Kosovatrans Lipjan”, në menaxhim të Komunës së Lipjanit, duke theksuar ndër të tjera se, ndërmarrja “Kosovatrans Lipjan” në Lipjan, i dorëzohet Komunës së Lipjanit me asetet dhe obligimet e deritanishme dhe se AKP-ja nuk do të mbaj asnjë përgjegjësi për ndonjë barrë ose obligim që rrjedh përgjatë pranim-dorëzimit të Ndërmarrjes dhe aseteve të saja.
Në një datë të paspecifikuar, AKP paraqiti ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: DHPGJS), përmes të cilës kërkoi anulimin e Aktgjykimit [C. Nr. 74/2005] të 1 korrikut 2005 dhe Aktgjykimit [C. Nr. 282/2005] të 2 dhjetorit 2005 të Gjykatës Komunale.
Më 4 prill 2013, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së përmes Aktvendimit [SCA-10-0037] vendosi: (i) të aprovojë ankesën e AKP-së dhe të anulojë Aktgjykimet [C.nr.74/2005] të 1 korrikut 2005 dhe [C.nr.282/2005] të 2 dhjetorit 2005 të Gjykatës Komunale; (ii) të kthejë lëndën në rigjykim në Gjykatën Themelore; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [E.nr.1063/2009] të 12 prillit 2010 të Gjykatës Komunale.
DHPGJS-ja arsyetoi se: “Gjykata Komunale e Lipjanit ka vepruar pa juridiksion, e cila është një shkelje esenciale e ligjit, i cili duhet të shikohet ex officio nga ana e Gjykatës. Lënda në fjalë përfshinë ndërmarrjen e cila është nën juridiksionin e Dhomës së Posaçme sipas nenit 4 të Rregullores së UNMIK-ut 2002/13 [mbi themelimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë e Mirëbesimit të Kosovës] në kohën kur aktgjykimet janë lëshuar (gjatë vitit 2005). lënda nuk është referuar nga Dhoma e Posaçme në Gjykatën Komunale të Lipjanit, përfundimisht Gjykata Komunale e Lipjanit nuk kishte juridiksion mbi lëndën. Prandaj në pajtim me nenin 4.5.1 të Ligjit për Dhomën e Posaçme (nr.04/L-034) aktgjykimet e lëshuara nga Gjykata Komunale e Lipjanit janë të pavlefshme dhe jo të zbatueshme [...]”.
Më 11 shkurt 2014, AKP pranoi një shkresë nga pala H. S., zyrtar në Komunën e Lipjanit, i cili kërkonte sqarimin dhe interpretimin e marrëveshjes së lidhur mes Komunës së Lipjanit përkitazi me ndërmarrjen “Kosovatrans Lipjan”.
Më 28 shkurt 2014, AKP informoi palën H. S., se “në mbështetje të Ligjit nr.04/L-111, për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L087, me 30 korrik 2012, përfaqësues të Agjencionit Kosovar të Privatizimit dhe përfaqësues të Komunës së Lipjanit e kanë nënshkruar marrëveshjen mbi pranim-dorëzimin e Ndërmarrjes Kosovatrans me seli në Lipjan. Andaj, sipas marrëveshjes në fjalë, Ndërmarrja Kosovatrans me seli në Lipjan, kalon nën administrim/menaxhimin e Komunës së Lipjanit”.
(i) Propozimi për përsëritje të procedurës kontestimore
Më 19 shkurt 2015, Komuna e Lipjanit në cilësinë e të paditurës parashtroi propozim për përsëritje të procedurës kontestimore në Gjykatën Themelore, duke kërkuar që të anulohet Aktgjykimi [C. nr. 162/2004] i Gjykatës Komunale i 1 korrikut 2005, me arsyetimin se kjo e fundit ka vendosur në këtë çështje kontestimore në mungesë të juridiksionit “ngase Kosovatransi në atë kohë ka qenë ndërmarrje nën menaxhimin e AKM-së, më vonë AKP-së, mandej sipas rregullores së UNMIK-ut 2002/12 dhe atë nenit 2 dhe 5 të kësaj rregulloreje, të paditurën nuk e ka përfaqësuar Agjensioni Kosovar i Privatizimit si menaxhuese e të paditurës”.
Si rezultat i këtij propozimi, S.I, në cilësinë e paditësit në procedurë, në seancën gjyqësore të Gjykatës Themelore kontestoi propozimin për përsëritjen e procedurës, duke pretenduar se i njëjti është paraqitur jashtë afatit ligjor.
Më 16 nëntor 2015, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C. nr. 162/2004] (i) lejoi përsëritjen e procedurës në këtë çështje kontestimore dhe (ii) anuloi Aktgjykimin [C.nr. 162/2004] e 1 korrikut 2005, të Gjykatës Komunale duke e kthyer lëndën në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë. Gjykata Themelore arsyetoi se “paditura është ndërmarrje publike, të cilën në procedurë kontestimore në Gjykatën Komunale në Lipjan, në çështjen kontestimore C. nr. 162./2004, e ka përfaqësuar [H.S.], padia në gjykatë është ngritur me dt. 04.06.2004, në kohën kur rregullorja e UNMIK-ut 2002/12 [mbi Themelimin e Agjencisë së Mirëbesimit të Kosovës] ka qenë në fuqi, AKM-ja nuk është njoftuar lidhur me këtë procedurë të udhëhequr në këtë gjykatë dhe as që është ftuar që ta përfaqëson të paditurën, dhe në mungesë të juridiksionit që këtë çështje ta gjykoj Gjykata Komunale në Lipjan, e me këtë janë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 354, al. 2 pika 4, pika 7 dhe 10 e LPK-së, e bazuar në nenin 421.2 dhe 3 e lidhur me nenin 423.3 të LPK-së, duke ia mohuar mundësinë që AKM-ja ta përfaqëson palën e paditur, dhe që të jetë palë e paditur në procedurë dhe për mungesë të juridiksionit për të vendosur në këtë çështje kontestimore në kohën kur është marrë aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, gjykata, për shkak të shkeljeve të tilla të bëra, aprovoi propozimin për përsëritje të procedurës kontestimore dhe anuloi vendimin e gjykatës së shkallës së parë”.
Në një datë të paspecifikuar, kundër Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Themelore për lejimin e përsëritjes së procedurës, S.I. paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit.
Më 31 korrik 2019, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac. nr. 526/16] e hodhi si të palejueshme ankesën e S.I. me arsyetimin se sipas paragrafit 4, të nenit 427 të Ligjit të Procedurës Kontestimore (Gazeta Zyrtare e RSFJ-së e 14 janarit 1977) kundër këtij vendimi nuk lejohet ankesa.
(ii) Procedura e rigjykimit pas lejimit të përsëritjes së procedurës kontestimore
Më 16 tetor 2020, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr. 162/2004] (i) aprovoi kërkesëpadinë e S.I. si të bazuar: (ii) obligoi Komunën e Lipjanit që atij t’ia paguajë shumën prej 12.306.00 euro, në emër të kompensimit të dëmit material për shkak të largimit të kundërligjshëm nga puna, për periudhën prej 1 gushtit 1991 deri më 1 nëntor 1997.
Gjykata Themelore arsyetoi se “[...] është vërtetuar në mënyrë të padyshimtë se paditësi për shkak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës në mënyrë të kundërligjshme nga "Lipjani Prevoz", me të cilën tani menaxhon e paditura [Komuna e Lipjanit], duke filluar nga dt. 03 .08.1991 e deri më 06.10.1997, ka pësuar dëm material duke mos i realizuar pagat si dhe regresin për pushim vjetor, të cilat do të realizonte po të mos i ndërpritej marrëdhënia e punës në mënyrë të kundërligjshme bazuar në dispozitat e nenit 154 të LMD-së (Gazeta Zyrtare e RSFJ-së nr. 29 i dt. 26.05.1978) [...] bazuar në shkresën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit nr. 8844 i dt. 30.07.2012 me emrin pranim-dorëzim i ndërmarrjes "Kosovatrans Lipjan" KK Lipjan, e cila gjendet në shkresa të lëndës, nga e cila rezulton se në bazë të Ligjit nr. 04/L-111 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 03/L-087 ndërmarrja "Kosovatrans" në Lipjan, si pasardhëse e "Lipjani Prevoz" kalon në administrimin menaxhimin e Kuvendit Komunal të Lipjanit, Gjykata thënieve të të paditurës nuk mundi t’ ua fali besimin, për faktin se e paditura e ka marrë në menaxhim "Kosovatrans" në Lipjan, dhe mbi këtë bazë është përgjegjëse edhe për kompensimin e dëmit të shkaktuar ndaj paditësit me vendime të kundërligjshme”.
Më 2 nëntor 2020, Komuna e Lipjanit parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [C. nr. 162/2004] të 16 tetorit 2020, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, duke pretenduar se kërkesëpadia e S.I.-së është parashkruar dhe se dispozitivi i aktgjykimit është kontradiktor me arsyetimin.
Më 9 nëntor 2020, ndaj ankesës së Komunës së Lipjanit, S.I. paraqiti përgjigje në ankesë, përmes të cilës kërkoi refuzimin e ankesës nga ana Gjykatës së Apelit.
Më 29 mars 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [CA. nr. 5255/2020] vendosi të: (i) ndryshojë Aktgjykimin [C.nr. 162/2004] të 16 tetorit 2020, të Gjykatës Themelore; dhe (ii) të refuzojë si të pathemeltë kërkesëpadinë për kompensim material.
Gjykata e Apelit arsyetoi se Komuna e Lipjanit nuk është përgjegjëse për shkaktimin e dëmit dhe se të njëjtës i mungon “ legjitimiteti real pasiv” në këtë çështje kontestimore për shkak se sipas saj “ndërprerja e kundërligjshme e marrëdhënies së punës së [babait të parashtruesve të kërkesës] është bërë nga “Lipjani Prevoz” në periudhën prej vitit 1991-1999, e cila tani nuk ekziston”.
Gjykata e Apelit theksoi se: (i) ”Qëndrimin juridik të gjykatës së shkallës së parë, të shprehur në aktgjykimin ankimor, kolegji nuk mund ta vlerësoj të drejtë dhe të bazuar në ligj, sepse në rastin konkret nuk është dëshmuar fakti relevant vendimtar se paditësit [babit të parashtruesve të kërkesës] e paditura Komuna e Lipjanit, me veprim të kundërligjshëm i ka shkaktuar dëmin e pretenduar në kërkesëpadi, në emër të fitimit të humbur”; për shkak se (ii) “e paditura”, përkatësisht Komuna e Lipjanit është themeluar me Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2000/45 për Vetëqeverisjen e Komunave të Kosovës dhe nuk ka marrë asnjë obligim për dëmet eventuale të shkaktuara gjatë kohës së administrimit të dhunshëm të Serbisë gjatë viteve të 90-ta. Gjykata e Apelit konstatoi se Komuna e Lipjanit nuk është e obliguar më ndonjë bazë juridike që të bartë përgjegjësinë për shpërblimin e dëmit “personave të dëmtuar nga subjektet juridike gjatë administrimit të dhunshëm të Serbisë në Kosovë.”
Më 29 prill 2022, paditësi S.I. kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës së Apelit, paraqiti revizion me pretendimin për shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 27 qershor 2022, babai i parashtruesve të kërkesës ndërroi jetë.
Më 18 korrik 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 233/2022] refuzoi si të pathemeltë revizionin e SI., të paraqitur kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, të 29 marsit 2022.
Gjykata Supreme, fillimisht pranoi qëndrimin juridik të Gjykatës së Apelit dhe konstatoi se ky aktgjykim nuk është i përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore. Gjykata Supreme arsyetoi se: “[...] e paditura [Komuna e Lipjanit] është themeluar me rregulloren e UNMIK nr. 2000/45 dhe nuk ka marrë asnjë obligim për dëmet eventuale të shkaktuara gjatë periudhës së përmendur sepse nuk ka qenë as themeluese e as menaxhere e ish- ndërmarrjes “Lipjani Pervoz”. Sipas Gjykatës Supreme: “[...] në asnjë provë shkresore nuk vërtetohet se SH.A. “Lipljani Prevoz” ishte shndërruar në kompani të re në format e likuidimit, rithemelimit apo riorganizimi [...]”.
Gjykata Supreme konstatoi se në një gjendje të tillë faktike e drejta materiale nuk ishte zbatuar në mënyrë të drejtë nga ana e Gjykatës Themelore. Në vijim të këtij konstatimi, Gjykata Supreme vlerësoi se: “[...] me marrjen e aseteve dhe obligimeve Komuna është përgjegjëse për obligimet e krijuara në kohën gjatë administrimit dhe para ndërprerjes së administrimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit e cila është organ i pavarur publik i cili ushtron funksionet dhe përgjegjësitë në mënyrë plotësisht autonome. Agjencia ka zotësi të plotë juridike, posaçërisht për të bërë kontrata, për të marrë, mbajtur ose shitur pronën, si dhe ka të gjitha kompetencat e vetëkuptueshme për përmbushjen në tërësi të detyrave dhe kompetencave të dhëna me këtë ligj; si dhe të padisë e të paditët në emër të saj.” ; dhe (ii) kërkesa e paditësit, S.I. për kompensim të pagave nuk ishte obligim, të cilin e kishte marrë Komuna e Lipjanit “sepse bëhet fjalë për periudhën të cilën nuk ka qenë administruar nga Agjencia [Kosovare e Privatizimit] e as nga e paditura, Komuna e Lipjanit. Rrjedhimisht, Agjencia nuk ka mundur t’i bartë Komunës së Lipjanit obligimet të cilat nuk i ka pasur me kornizën ligjore të cekur më lart”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesit e kërkesës, pasardhësit e të ndjerit S.I. pretendojnë se Aktgjykimi [Rev. nr. 233/2022] i 18 korrikut 2022 i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tyre të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë që Aktgjykimi [Rev. nr. 233/2022] i 18 korrikut 2022 i Gjykatës Supreme, nuk i ka plotësuar kriteret për një "gjykim të drejtë" sipas nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për shkak të mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor dhe vendimmarrjes arbitrare nga ana e gjykatave të rregullta të cilat rezultuan në refuzimin përfundimtar të kërkesës së babait të tyre S. I., për kompensimin e detyrimit financiar në emër të dëmit material dhe fitimit të humbur si rezultat i ndërprerjes së marrëdhënies së punës në mënyrë të kundërligjshme nga Ndërmarrja “Lipljan Prevoz”, e cila më pas kishte kaluar në pronësi të Komunës së Lipjanit.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se si rezultat i ndërprerjes së paligjshme të marrëdhënies së punës së babait të tyre S. I., nga 3 gushti 1991 e deri më 6 tetor 1997, Komuna e Lipjanit “si trashëgimtare e “Liplijan Prevoz”, përkatësisht pasardhëses së saj, ndërmarrjes “Kosovatrans Lipjan”” duhet që në emër të kompensimit të dëmit të shkaktuar material për shkak të mosrealizimit të të ardhurave personale dhe regresit për pushime vjetore për periudhën nga 3 gushti 1991 deri më 6 tetor 1997 t’ia paguaj atyre shumën në vlerë prej 12.306,00 euro.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se përmes Aktgjykimit [CA. nr. 5255/2020] të 29 marsit 2022 të Gjykatës së Apelit “paraardhësi Selatin Ipshi është privuar përjetësisht për të qenë i barabartë para ligjit për të kërkuar mbrojte gjyqësore lidhur me kërkesën për kompensimin e dëmit material. Ajo Gjykatë merr qëndrim juridik duke ardhur në përfundim se paraardhësi Selatin Ipshi, e paditura Komuna e Lipjanit, me asnjë veprim të kundërligjshëm nuk i ka shkaktuar as një dëm. Po ashtu, ajo gjykatë thekson se të paditurës Komuna e Lipjanit i mungon legjitimiteti real - pasiv në këtë kontest”.
Lidhur me vendimin e lartcekur, parashtruesit e kërkesës theksojnë se: “Mbi të gjitha ajo gjykatë shkon edhe më lart, duke tërhequr paralele në raport me subjektivitetin juridik dhe institucional të Komunës së Lipjanit, duke e ndarë këtë Komunë në dy periudha, atë të paralufte dhe pas lufte, kur konstaton se Komuna e Lipjanit është themeluar me rregulloren e UNMIK-ut nr.2000/45. Dhe me këtë rregullore Komuna e Lipjanit nuk ka marrë as një obligim për dëmet e shkaktuara gjatë viteve të 90-ta nga organet shtetërore apo ndërmarrjet publike gjatë kohës së administrimit të dhunshëm të Serbisë”.
Në këtë kontekst, parashtruesit e kërkesës theksojnë: “Këto qëndrime juridike i mbron dhe i legjitimon Gjykata Supreme e Kosovës me Aktgjykimin e saj. Cenimi i nenit 24, Barazia para Ligjit, me qëndrimet juridike të dy instancave gjyqësore Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme e Kosovës nuk ka dhënë mbrojtje ligjore të barabartë para ligjit, duke vendosur në mënyrë diskriminuese në rastin konkret pasi që pa asnjë bazë ligjore, në mënyrë arbitrare përcakton mungesën e legjitimitetit të palës në procedurë, të Komunës së Lipjanit, të cilën e konsiderojnë si Komunë e themeluar me Rregulloren e UNMIK-ut nr.2000/45, sikur kjo Komunë nuk ka ekzistuar para vitit 2000, si dhe konstatojnë se dëmin për të cilën paditësi ka kërkuar kompensimin, atë dëm nuk e ka shkaktuar Komuna e Lipjanit”.
Parashtruesit e kërkesës përgjatë pretendimeve të tyre theksojnë: “Paraardhësi Selatin Ipshi në asnjë fazë të procedurës nuk ka kërkuar kompensimin e dëmit material ndaj Komunës së Lipjanit, me arsyetimin se kjo Komunë e ka shkaktuar atë dëm. Tutje, paraardhësi Selatin Ipshi nuk ka kërkuar nga Gjykata ta detyroj Komunën e Lipjanit t'ia bëjë kompensimin e dëmit për arsye se kjo Komunë ka marrë përsipër, apo është trashëgimtare e organeve shtetërore apo ndërmarrjeve publike në Kosovë të para qershorit të vitit 1999, për dëmet të cilat i kanë shkaktuar gjatë viteve 1990 deri në qershor të vitit 1999. Paraardhësi Selatin Ipshi ka futur në procedurë si palë Komunën e Lipjanit dhe ka kërkuar kompensimin e dëmit për faktin se atë dëm ia ka shkaktuar ish-ndërmarrja e tij SP KosovoTrans, e cila ndërmarrje më datën 13/06/2002 pas themelit të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit ka kaluar në nën menaxhim të këtij Institucioni. Ndërsa me Ligjin Nr. 04/L-111 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, me nenin 23, ndërmarrja në fjalë kishte kaluar në pronësi të Komunës së Lipjanit si aksionare e vetme”.
Në vazhdim, parashtruesit e kërkesës pohojnë se: “[...] ndërmarrja që ia ka shkaktuar dëmin paraardhësit të paditësit ekziston edhe sot e kësaj dite, ka asete të saja dhe asnjëherë me asnjë bazë ligjore nuk është shuar si ndërmarrje, nuk i është nënshtruar ndonjë procedure të likuidimit apo falimentimit, por vetëm ju ka ndërruar emërtimi dhe tani pronari (aktualisht Komuna e Lipjanit), por jo edhe fushëveprimi; dhe e dyta paraardhësi Selatin Ipshi në mënyrë të vazhdueshme dhe pa ndërprerë ka ndjekur mbrojtjen gjyqësore, por për shkak të rrethanave të luftës, një kohë është ndërprerë procesi gjyqësor për të vazhduar pas ardhjes së Misionit Ndërkombëtar në Kosovë (e që njihet si periudha pas lufte). Nëse ju referohemi kronologjisë së këtij rasti, dhe bëjmë krahasimin e mbrojtjes gjyqësore që ka pasur paraardhësi Selatin Ipshi në kohën e viteve 90-ta dhe e krahasojmë me mbrojtjen gjyqësore tani në aktgjykimin e atakuar me këtë kërkesë, mund të them se fatkeqësisht, as minimalisht, paraardhësit Selatin Ipshi nuk i është ofruar mbrojtja gjyqësore me vendimet e dy instancave më të larta të gjykatave të rregullta, duke përjashtuar këtu gjykatën e shkallës së parë”.
Parashtruesit e kërkesës më tutje theksojnë: “Pra kjo logjikë juridike e dy instancave të gjykatave lidhur me thirrjet që bënë, neni 24 [Barazia para Ligjit] dhe neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i ndanë në dy periudha, atë të para vitit 1999 dhe pas vitit 1999. Duke e konsideruar se një e drejtë apo një mbrojte gjyqësore e cila ka qenë në procedim gjatë viteve 90-ta dhe e cila nuk ka përfunduar deri në qershor të vitit 1999, ajo mbetet e drejtë e cenuar nga një sistem i atëhershëm serb dhe ajo e drejtë tani më është shuar dhe nuk mund të kërkohet pas vitit 1999. Dhe të drejtave që ato dy instanca gjyqësore i jepnin, mbrojtje gjyqësore pas vitit 1999, si periudhë e pas lufte”.
Parashtruesit e kërkesës gjithashtu theksojnë se: “Komuna e Lipjanit, duke u bazuar në Ligjin Nr. 04/L-111 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, me nenin 23, ndërmarrja në fjalë pasi kishte kaluar në pronësi të Komunës së Lipjanit si aksionare e vetme është dashur që të transformohet si NPL "Stacioni i Autobusëve" SH.A. Lipjan, njëjtë siç kanë vepruar, Komuna e Prishtinës NPL "Stacioni i Autobusëve" SH.A. Prishtinë, Komuna e Gjakovës NPL "Stacioni i Autobusëve" SH.A. Gjakovë, Komuna e Podujevës NPL "Stacioni i Autobusëve" SH.A. Podujevë, Komuna e Suharekës, NPL "Stacioni i Autobusëve" SH.A. Suharekë, e të tjera komuna që ndërmarrjen KosovoTrans, i kanë transferuar si ndërmarrje publike komunale”[...] Gjykatat e dy instancave gjyqësore, fare nuk e vlerësojnë faktin se Komuna e Lipjanit me shkresën e saj nën shenjën C.nr.162/2004 të datës 19/02/2015 të titulluar Propozim për Përsëritjen e Procedurës Kontestimore kanë hy dhe kanë pranuar që të jenë palë në procedurë, pikërisht në çështjen kontestimore të paraardhësit Seleatin Ipshi në të cilën çështje i njëjti po kërkon kompensimin e dëmit. Dhe pikërisht, Komuna e Lipjanit thirret në Ligjin Nr. 04/L-111 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, me theks të veçantë në nenin 23 të këtij Ligji”.
Përfundimisht, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata: (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se ka pasur shkelje të neneve 24 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin [Rev. nr. 233/2022] të Gjykatës Supreme, të 18 korrikut 2022; dhe të njëjtin ta kthejë për rigjykim në pajtim me vendimin e Gjykatës.
DISPOZITAT RELEVANTE KUSHTETUESE E LIGJORE
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë”.
[...]
LIGJI MBI PROCEDUREN KONTESTIMORE
(Gazeta Zyrtare e RSFJ-së e 14 janarit 1977)
Neni 354
Shkelja esenciale e dispozitave të рrосеdurëѕ kontestimore ekziston në qoftë se gjykata gjatë procedurës nuk ka aplikuar ose ka aplikuar në mënyrë јо të drejtë ndоnјë dispozitë të këtij ligji, kurse kjo ka раѕur apo ka mundur të ketë ndikim në nхјеrrјеn e aktgjykimit të ligjshëm e të drejtë. Shkelja esenciale e dispozitave të prосеdurës kontestimore ekziston gjithmonë:
[...]
4)në qoftë se gjykata ka vеndоѕur mbi kërkesë раdinë рër të сilën është me kompetencë lëndоrе gjykata ordinare e lartë e të njëjtit lloј, gjykata оrdinаrе e llojit tjetër, respektivisht gjykata vetëqeverisëse (neni 16), аро në qoftë ѕе me rastin e kundërshtimit të palëve në vendim që është përfshirë në aktgjykim ka vendosur në mënyrë jo të drejtë se është me kompetencë territoriale, kurse pala për këtë arsye ankohet, kurse раlа рër këtë аrѕуе ankohet;
[...]
(7)në qoftë ѕе ndоnјеrëѕ nga palët, me veprim të paligjshëm e sidomos me ometim të dërgimit, nuk i është dhënë mundësia të zhvillojë shqyrtimin para gjykatës;
[...]
10) në qoftë se në рrосеdurë si paditës, ose si i paditur, ka marrë рјеѕë personi që nuk mund të jetë раlë në procedurë apo në qoftë se palën që është person juridik nuk e ka përfaqësuar personi i autorizuar ose në qoftë se përfaqësuesi ligjor, respektivisht autorizuesi i раlëѕ nuk ka раѕur prokurë të nevojshme рër zhvillimin e kontestimit, apo për veprime të veçanta në рrосеdurë, në qoftë se zhvillimi i kontestimit, respektivisht ushtrimi i veprimeve të veçanta në рrocedurë nuk është lејuаr më vonë;
[...]
Neni 421
Procedura që me vendim të gjykatës ka përfunduar në formë të prerë, mund të përsëritet në bazë të propozimit të palës:
2) në qoftë se ndonjëri nga palët me veprim të paligjshëm e sidomos me ometimin e dërgimit nuk i është dhënë mundësia të zhvillojë shqyrtimin para gjykatës;
3) në qoftë se në procedurë ka marrë pjesë si paditës ose si i paditur personi që nuk mund të jetë palë në procedurë apo në qoftë se palën që është person juridik nuk e ka përfaqësuar përfaqësuesi ligjor, ose në qoftë se përfaqësuesi ligjor, respektivisht autorizusi i palës nuk ka pasur autorizim të nevojshëm për zhvillimin e procedimit apo në veprime të veçanta në procedim nuk është i lejuar më vonë;
[...]
Neni 427
Pas mbajtjes së seancës për shqyrtimin e propozimit, kryetari i kolegjit të gjykatës së shkallës së parë merr vendim mbi propozimin, përveç në qoftë se shkaku për përsëritjen e procedurës ka të bëjë vetëm me procedurën para gjykatës më të lartë (neni 428). Në aktvendimin me të cilin lejohet përsëritja e procedurës do të caktohet se prishet vendimi i marrë në procedurën e mëparshme. Kryetari i kolegjit do të caktojë shqyrtimin kryesor vetëm pasi aktvendimi me të cilin lejohet përsëritja e procedurës të ketë marrë formën e prerë, por në këtë aktvendim mund të vendosë që menjëherë të filloj shqyrtimi i çështjes kryesore. Në seancën kryesore të re palët mund të paraqesin fakte të reja dhe të shqyrtimin e çështjës kryesore. Kundër aktvendimit, me të cilin lejohet përsëritja e procedurës, nuk lejohet ankim i veçantë, në qoftë se kryetari i kolegjit ka vendosur të fillojë menjëherë shqyrtimin e çështjes kryesore. Në qoftë se kryetari i kolegit ka lejuar përsëritjen e procedurës dhe ka vendosur që menjëherë të shqyrtohet çështja kryesore, apo në qoftë se propozimi për përsëritjen e procedurës është shqyrtuar së bashku me çështjen kryesore, aktvendimi me të cilin lejohet përsëritja e procedurës dhe prishet vendimi i marrë në procedurën e mëparshme përfshihet në vendimin mbi çështjen kryesore.
RREGULLORE NR. 1999/1 PËR AUTORIZIMET E ADMINISTRATËS SË PËRKOHSHME NË KOSOVË
Neni 6
PRONA SHTETËRORE
UNMIK-u administron pasurinë e tundshme ose të patundshme, duke përfshirë financat, llogaritë bankare dhe format e tjera të pronës të regjistruara në emër të Republikës Federative të Jugosllavisë, të Republikës së Serbisë apo të cilitdo organ të saj, të cilat gjendet në territorin e Kosovës.
RREGULLORE NR. 2000/45 MBI VETËQEVERISJEN E KOMUNAVE TË KOSOVËS
Kapitulli 1
Dispozitat e përgjithshme
Neni 1
Institucionet e përkohshme
1.1 Deri në vendimin e statusit të ardhshëm të Kosovës, me këtë Rregullore, në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, themelohen institucionet e përkohshme për vetëqeverisje autonome dhe demokratike në nivel komunal si hap drejt bartjes progresive të përgjegjësive administrative të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), i cili do të mbikëqyrë dhe ndihmojë konsolidimin e këtyre institucioneve.
Neni 2
Komunat në Kosovë
2.1 Njësia themelore territoriale e vetëqeverisjes lokale në Kosovë është komuna, e cila ushtron tërë pushtetin, i cili nuk është i rezervuar shprehimisht për Pushtetin Qendror.
2.4 Çdo komunë e ka statusin e vet juridik, të drejtën për të poseduar dhe administruar pronën, mundësinë për të ushtruar padi dhe për të qenë i paditur në gjykata, të drejtën për të lidhur kontrata dhe të drejtën për të marrë punëtorë në punë.
RREGULLORE e UNMIK-ut NR. 2002/12 MBI THEMELIMIN E AGJENCISË SË MIRËBESIMIT TË KOSOVËS, e 13 qershorit 2002
Neni 2
OBJEKTIVI DHE QËLLIMET
2.1 Në pajtim me kushtet e parapara në këtë Rregullore, Agjencia administron ndërmarrjet në pronësi publike dhe shoqërore dhe pasurinë e tyre, në kuptimin e nenit 8.1(q) të Kornizës Kushtetuese. Sa i përket ndërmarrjeve në pronësi shoqërore, Agjencia ka kompetenca shtesë të parapara në nenin 6.2 të kësaj Rregulloreje.
Neni 5
NDËRMARRJET NËN ADMINISTRIMIN E AGJENCISË
5.1 Agjencia ka kompetenca që të administrojë ndërmarrjet në pronësi shoqërore dhe publike të regjistruara ose që veprojnë në territorin e Kosovës si dhe pasurinë e këtyre ndërmarrjeve në territorin e Kosovës.
[...]
Neni 29
TË DREJTAT E AGJENCISË NË PROCEDIMET LIGJORE KUNDËR NDËRMARRJEVE
29.1 Asnjë procedim ligjor kundër një ndërmarrjeje, nuk do të mbahet në gjykatë, nëse nga paditësi nuk sigurohet dëshmi me shkrim se Agjencisë i është paraqitur njoftimi me shkrim lidhur me ngritjen e padisë, në të cilën duhet të specifikohet emri i kërkuesit, emri i ndërmarrjes ose korporatës dhe të dhënat e tjera identifikuese, baza e padisë dhe dëmshpërblimi i kërkuar.
29.2 Agjencia ka të drejtë ligjore, që të kërkojë çfarëdo të drejtash, për një ndërmarrje, në gjykatën kompetente, në emër të asaj ndërmarrjeje.
29.3 Kurdoherë që procedimi ligjor është në pritje të zgjidhjes së një çështjeje, në emër të një ndërmarrjeje ose kundër saj, Agjencia, në çdo kohë, mund ta njoftojë gjykatën kompetente, se ajo do të veprojë si përfaqësues ligjor i ndërmarrjes në fjalë, me kusht që ajo të veprojë si përfaqësues ligjor i vetëm një ndërmarrjeje, në procedimin kur ka më shumë se një ndërmarrje ose korporatë.
Neni 30
PADITË GJYQËSORE KUNDËR AGJENCISË
30.1 Dhoma e Posaçme ka juridiksion ekskluziv për të gjitha paditë kundër Agjencisë.
[...]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe të përcaktuara me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
"1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu i referohet edhe nenit 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit, i cili përcakton:
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik”.
Gjykata po ashtu i referohet edhe pikës (a) të paragrafit (1) të rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës, i cili përcakton:
(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
(a) kërkesa parashtrohet nga një palë e autorizuar;
Duke iu referuar dispozitave të lartpërmendura, Gjykata fillimisht duhet të konstatojë nëse parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar për të parashtruar kërkesën e tij në kuptim te dispozitave të lartcekura të Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës.
Në rastin konkret, Gjykata rikujton se parashtruesit e kërkesës janë pasardhës të S.I., përkatësisht të bijtë e tij, i cili ishte palë ndërgjyqëse në cilësinë e paditësit në procedurat e zhvilluara para gjykatave të rregullta dhe i cili gjatë zhvillimit të procedurës para Gjykatës Supreme, më 27 qershor 2022 kishte ndërruar jetë. Gjykata thekson se për t’u kualifikuar si palë e autorizuar para Gjykatës, kërkesa e parashtruesit e kërkesës duhet të përfshijë shkelje të pretenduara “të të drejtave dhe lirive të tyre individuale”, përkatësisht të kenë statusin e viktimës.
Gjykata rikujton se, termi “viktimë”, në kontekst të kërkesave individuale, nënkupton personat që janë afektuar në mënyrë direkte ose indirekte nga shkelja e pretenduar. Prandaj, termi “viktimë” nënkupton jo vetëm viktimën direkte të shkeljes së pretenduar, por edhe viktimat indirekte të cilave shkelja mund t’iu shkaktojë dëm ose të cilat do të kishin interes personal dhe të vlefshëm në ndaljen e shkeljes së pretenduar (shih, në këtë kontekst dhe ndër të tjera, rastin e Gjykatës KI56/18, parashtrues Ahmet Frangu, Aktgjykim i 22 korrikut 2022, si dhe rastin e GJEDNJ-së, Vallianatos dhe të tjerët kundër Greqisë, Aktgjykim i 7 nëntorit 2013, paragrafi 47).
Gjykata thekson se bazuar në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), aty ku viktima e drejtpërdrejtë ka vdekur përpara se kërkesa të depozitohej në gjykatë, qasja e GJEDNJ-së, në përgjithësi ka qenë më e kufizuar. Zakonisht ka refuzuar t'i japë të drejtë një personi tjetër, përveç nëse ai person ka qenë në gjendje të demonstrojë një efekt të drejtpërdrejtë në të drejtat e tij ose të saj ose kur ankesa ka ngritur një çështje me interes të përgjithshëm në lidhje me "respektimin e të drejtave të njeriut" dhe parashtruesit si trashëgimtarë të kishin një interes legjitim për të ndjekur rastin (shih, rastet ee GJEDNJ-së, Marie-Louise Loyen dhe Bruneel kundër Francës, kërkesa nr. 55929/00, Aktgjykim i 5 korrikut 2005, paragrafët 21-31, si dhe Micallef kundër Maltës, kërkesa nr. 17056/06, Aktgjykim i 15 tetorit 2009, paragrafi 36).
Gjykata vëren se në ato raste kur statusi i viktimës iu ka akorduar të afërmve të afërt, duke i lejuar ata të parashtronin një kërkesë në lidhje me ankesat e tyre, përkatësisht , në kuadër të nenit 6 të KEDNJ-së, GJEDNJ mori parasysh faktin nëse parashtruesit kishin interes material në bazë të efektit të drejtpërdrejtë në të drejtat e tyre monetare (shih, Micallef kundër Maltës, të cituar më lart, paragrafi 48).
Në rastin konkret, Gjykata rikujton që parashtruesit e kërkesës kanë parashtruar kërkesë në Gjykatë, përmes të cilës kërkojnë vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, i cili është nxjerrë në kuadër të kërkesës për revizion, të parashtruar nga paraardhësi i tyre, S.I.. Gjykata, rikujton se S.I. kishte ndërruar jetë gjatë shqyrtimit të revizionit të tij para Gjykatës Supreme, dhe i cili njëherit ishte palë në procedurë para gjykatave të rregullta në cilësinë e paditësit. Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se objekt i kërkesëpadisë të shqyrtuar para gjykatave të rregullta ishte çështja e kompensimit të pagave për periudhën nga 3 gushti 1991 deri më 10 tetor 1997, sa S.I, ishte larguar nga puna nga ana e ish-Punëdhënësit të tij .
Gjykata rikujton se, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit kanë shkelur të drejtat kushtetuese të S.I, si rezultat i refuzimit të kërkesëpadisë së S.I për kompensim të pagave.
Prandaj, bazuar në atë se palë para procedurave të zhvilluara gjyqësore deri para nxjerrjes së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, S.I ishte palë në cilësinë e paditësit, si dhe mbështetur edhe në praktikën e saj të deritanishme gjyqësore që ndërlidhet me trashëgimtarët e individëve, ku paraardhësit e tyre ishin palë në procedurë gjyqësore para gjykatave të rregullta, Gjykata konsideron se parashtruesit e kërkesës, konsideron se trashëgimtarët e të ndjerit S.I. në rrethanat e rastit konkret kanë interes juridik, i cili mund të ketë efekt të drejtpërdrejtë në të drejtat e tyre, dhe rrjedhimisht të njëjtit konsiderohen palë e autorizuar pranë Gjykatës.
Në vijim të konstatimit të saj në lidhje me palën e autorizuar, Gjykata i referohet edhe paragrafit (2) të rregullit 74 të Rregullores së punës i cili, ndër të tjera, përcakton: “(2) Kërkesa e parashtruar sipas këtij rregulli duhet të qartësojë saktësisht [...] cili është akti konkret i autoriteti publik i cili kontestohet”.
Përkitazi me shterimin e mjeteve juridike, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të cituar më lart; paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit; dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 të Rregullores së punës, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“[…]
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“1. Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
(b) janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me Ligj kundër aktit kontestuar”.
Gjykata i referohet edhe neneve 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.
Neni 49
(Afatet)
Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. [...]
Gjykata konstaton se parashtruesit e kërkesës janë (i) palë e autorizuar; (ii) kontestojnë një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev. nr. 233/2022] e 18 korrikut 2022 të Gjykatës Supreme siç është përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës; (iii) kanë shterur të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj; (iv) kanë saktësuar të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë të cilat pretendojnë se iu janë shkelur; dhe (v) kanë dorëzuar kërkesën brenda afatit ligjor.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, pika d) e paragrafit 1 dhe paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcaktojnë që:
"(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(d) Kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
[...]
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore, përfshirë, por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Gjykata rikujton se, S.I., ishte vozitës në ndërmarrjen “Lipljan Prevoz”, e cila ia ndërpreu marrëdhënien e punës në vitin 1991 për shkak të refuzimit për kryerjen e detyrave. Në vitin 1997, Gjykata Komunale dhe Gjykata e Qarkut anuluan vendimin për largimin nga puna dhe vendosën për kthimin në punë të S.I.-së. Ky i fundit nisi një proces të ri gjyqësor në Gjykatën Komunale për kompensimin financiar të dëmit, për shkak të mosrealizimit të pagave për periudhën nga viti 1991 deri më 1997. Në vitin 1998 kërkesa e tij u miratua nga Gjykata Komunale e cila e obligoi punëdhënësin t’ia paguaj shumën prej 79.429.98 dinarë S.I.-së, mirëpo vendimi u prish nga Gjykata e Qarkut e cila ktheu çështjen për rigjykim sa i përket vlerësimit të dëmit. Procesi gjyqësor nuk u vazhdua për shkak të rrethanave të luftës.
Në vitin 2004 S.I., bëri një propozim në Gjykatën Komunale për vazhdimin e procesit gjyqësor. Kjo e fundit në vitin 2005 ia njohu të drejtën S.I.-së për kompensim financiar dhe obligoi punëdhënësin që t’ia paguaj shumën prej 16.968.00 euro për periudhën nga viti 1991 deri më 1997, për shkak të mosrealizimit të pagave. Vendimi ishte bërë përfundimtar mirëpo nuk u ekzekutua për shkak se debitori nuk kishte mjete financiare.
Gjykata rikujton se, AKP-ja dhe Komuna e Lipjanit në vitin 2012 lidhën një marrëveshje e cila parashihte kalimin e ndërmarrjes “Kosovatrans” në menaxhim të Komunës së Lipjanit me të gjitha asetet dhe obligimet e saj. Gjatë asaj kohe, AKP-ja parashtroi një ankesë në DHPGJS me të cilën kërkoi anulimin e vendimeve të Gjykatës Komunale, me të cilat ia kishte njohur të drejtat nga marrëdhënia e punës S.I.-së. DHPGJS-ja anuloi këto dy vendime me arsyetimin se, Gjykata Komunale nuk kishte juridiksion për vendosjen e kësaj çështje, sepse sipas Rregullores [nr.2002/13] së UNMIK-ut ndërmarrja ishte në pronësi të AKP-së dhe këto konteste zgjidheshin nga DHPGJS-ja. Pas kësaj, Komuna e Lipjanit në vitin 2015 paraqiti në Gjykatën Themelore propozim për përsëritje të procedurës dhe kërkoi anulimin e vendimeve të mëhershme të Gjykatës Komunale. Gjykata Themelore me Aktvendimin [C. nr. 162/2004] e 16 nëntorit 2015 lejoi përsëritjen e procedurës dhe anuloi vendimet e Gjykatës Komunale, me arsyetimin se kishte vendosur jashtë juridiksionit të saj dhe AKP-ja si pronare e ndërmarrjes nuk ishte ftuar asnjëherë si përfaqësuese gjatë procesit gjyqësor. Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën e S.I-së si të palejuar dhe vendimi për përsëritjen e procedurës kontestimore u bë i formës së prerë.
Gjykata vëren se, pas rihapjes së procedurës kontestimore, çështja u zgjidh përmes tre aktgjykimeve të gjykatave të rregullta: Aktgjykimi [C. Nr. 162/2004] i 16 tetorit 2020 i Gjykatës Themelore; Aktgjykimi [Ca.Nr.5255/2020] i 29 marsit 2022 i Gjykatës së Apelit; dhe Aktgjykimi [Rev.Nr.233/2022] i 18 korrikut 2022 i Gjykatës Supreme.
Gjykata thekson se, parashtruesi i kërkesës nuk e konteston Aktvendimin [C.nr. 162/2004] e 16 nëntorit 2015 të Gjykatës Themelore për rihapjen e procedurës kontestimore. Parashtruesi i kërkesës konteston aktgjykimet e gjykatave të rregullta të cilat ishin marrë pas rihapjes së procedurës, konkretisht aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të 29 marsit 2022 dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme të 18 korrikut 2022 - që refuzuan kërkesëpadinë e tij. Rrjedhimisht, Gjykata do të vlerësoj nëse këto dy aktgjykime janë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së.
Përkitazi me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë që Aktgjykimi [CA. nr. 5255/2020] i Gjykatës së Apelit i 29 marsit 2022 dhe Aktgjykimi [Rev. nr. 233/2022] i Gjykatës Supreme i 18 korrikut 2022, pas rihapjes së procedurës, janë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, për shkak se u morën në mënyrë arbitrare. Sipas parashtruesve të kërkesës, Komuna e Lipjanit si trashëgimtare e punëdhënësit duhet të paguajë kompensimin financiar në emër të dëmit material të shkaktuar si rezultat i largimit nga puna të S.I.-së. Parashtruesit e kërkesës theksojnë se, gjykatat e rregullta në mënyrë arbitrare dhe të gabuar vlerësuan se Komuna e Lipjanit është e themeluar me Rregulloren [nr.2000/45] e UNMIK-ut dhe nuk kishte legjitimitet të palës në procedurë, sikur të mos kishte ekzistuar fare para vitit 2000.
Gjykata rithekson se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jetë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës, KI188/21, parashtrues Zenel dhe Isuf Pllashniku, Aktvendim për Papranueshmëri i 19 korrikut 2022, paragrafët 98-99; KI31/22, parashtrues Fidan Hoti, Aktvendim për Papranueshmëri i 18 janarit 2023, paragrafët 43-44, KI89/22, parashtrues Xhelal Plakolli, Aktvendim për Papranueshmëri i 7 marsit 2023, paragrafi 42; shih edhe rastin e GJEDNJ-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty).
Gjykata mund të bëjë vlerësimin e interpretimeve ligjore të gjykatave të rregullta përjashtimisht dhe atë vetëm nëse ato interpretime mund të kenë rezultuar në “konkluzione arbitrare” ose “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës (shih, rastin e Gjykatës, KI75/17, parashtrues X, Aktgjykim i 30 janarit 2018, paragrafi 59; KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, Aktgjykim, i 30 majit 2018, paragrafi 57; KI154/17 dhe 05/18, parashtrues Basri Deva, Afirdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar "BARBAS", i cituar më lart, paragrafët 60 deri në 65; dhe KI89/22, parashtrues Xhelal Plakolli, i cituar më lart, paragrafi 44).
Në rastin konkret, Gjykata vëren se S.I., kishte punuar si vozitës në ndërmarrjen “Lipjani Prevoz”, deri kur u largua nga puna në vitin 1991. Në vitin 1997, Gjykata Komunale dhe Gjykata e Qarkut kishin konstatuar se largimi nga puna ishte i kundërligjshëm.
S.I., kishte paraqitur kërkesëpadi në Gjykatën Themelore kundër komunës së Lipjanit, për kompensimin e dëmit material për shkak të mosrealizimit të pagesave për periudhën e largimit nga puna nga viti 1991 deri më 1997. Gjykata Themelore me aktgjykimin e 16 tetorit 2020 aprovoi kërkesëpadinë e tij dhe detyroi komunën e Lipjanit që t’ia paguante S.I.-së shumën prej 12.306.00 euro, për shkak të kompensimit të dëmit material si rezultat i largimit të kundërligjshëm nga puna si shofer në ndërmarrjen “Lipjani Prevoz”, për periudhën nga 1 gushti 1991 deri më 1 nëntor 1997. Gjykata Themelore arsyetoi se, më 30 korrik 2012 AKP-ja e kaloi ndërmarrjen “Kosovatrans Lipjan”, si pasardhëse e “Lipjani Prevoz” nën menaxhimin e komunës së Lipjanit. Rrjedhimisht, komuna e Lipjanit është përgjegjëse për dëmet e shkaktuara nga këto ndërmarrje ndaj S.I-së, për shkak të vendimit të kundërligjshëm për largim nga puna.
Gjykata vëren se, Gjykata e Apelit me vendimin e 29 marsit 2022 e aprovoi ankesën e komunës së Lipjanit dhe ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit theksoi se nuk është kontestuese fakti që S.I., ishte larguar në mënyrë të kundërligjshme nga puna nga ndërmarrja “Lipjani Prevoz”. Megjithatë, komuna e Lipjanit nuk mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar gjatë periudhës së administrimit të dhunshëm të Kosovës nga Serbia, në të cilën kishte ushtruar veprimtarinë ndërmarrja në fjalë.
Gjykata Supreme me Aktgjykimin [Rev.nr.233/2022] e 18 korrikut 2022 pranoi argumentet e Gjykatës së Apelit dhe refuzoi revizionin e S.I.-së. Gjykata Supreme theksoi se komuna e Lipjanit është themeluar me Rregulloren [nr.2000/45] e UNMIK-ut të 11 gushtit të vitit 2000 dhe nuk mban përgjegjësi për dëmet e shkaktuara para kësaj periudhe. Gjykata Supreme arsyetoi se, komuna e Lipjanit nuk ka qenë themeluese e ndërmarrjes “Lipjani Prevoz” dhe nuk kishte prova që kjo e fundit ishte shndërruar në kompani të re në formë të likuidimit, rithemelimit apo të riorganizimit. Me fjalë të tjera, ndërmarrja “Lipjani Prevoz” nuk u shndërrua në ndërmarrjen “Kosovatrans Lipjan” dhe nuk kishte kontinuitet juridik midis këtyre dy ndërmarrjeve.
Në vitin 2008 hyri në fuqi Ligji nr.03/L-067 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit [AKP], e cila ishte pasardhëse e AKM-së dhe kishte autorizime për të administruar ndërmarrjet në pronësi shoqërore; dhe asetet që ndodhen në territorin e Kosovës, të cilat kanë qenë pronë në pronësi shoqërore me ose para 22 marsit 1989. AKP-ja në korrik të vitit 2012 bëri bartjen e ndërmarrjes “Kosovatrans Lipjan” nën menaxhimin e komunës së Lipjanit. Sipas Ligjit nr.04/L-111 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-087 për ndërmarrjet publike, stacionet e autobusëve, ndër të tjera, Stacioni i Autobusëve Lipjan kishte kaluar në pronësi të komunës së Lipjanit. Megjithatë, gjykatat e rregullta vlerësuan se nuk bëhej fjalë për të njëjtën ndërmarrje. Pra, ndërmarrja “Lipjani Prevoz” – e cila ushtronte veprimtarinë para vitit 1999 dhe në të cilën ishte i punësuar S.I., nuk ishte e njëjta ndërmarrje me “Kosovatrans Lipjan”.
Gjykata në praktikën e saj gjyqësore ka pranuar vlerësimin e gjykatave të rregullta se komunat e reja në Kosovë të cilat janë themeluar me Rregulloren [nr.2000/45] e UNMIK-ut mbi Vetëqeverisjen e Komunave të Kosovës, nuk paraqesin vazhdimësi juridike të njësive të vetëqeverisjes lokale të Kosovës që ekzistonin para 10 qershorit të vitit 1999 dhe nuk mund të mbajnë përgjegjësi për vendimet e marra nga njësitë e mëparshme të vetëqeverisjes lokale në Kosovë (shih, rastet e Gjykatës, KI213/22, parashtrues Hadi Bakija, Aktvendim për papranueshmëri i 29 gushtit 2023, paragrafët 73-74; KI25/18, parashtrues Vasilije Antovic, Aktgjykim i 20 qershorit 2019, paragrafët 86-88).
Për më tepër, të gjitha institucionet të cilat ishin krijuar në Kosovë nga UNMIK-u pas 10 qershorit të vitit 1999, nuk konsiderohen te jenë vazhdimësi e institucioneve relevante që kanë qenë të themeluara në Kosovë para kësaj periudhe (shih, rastet e Gjykatës, KI93/15, parashtrues Ahmet Tërnava, Aktvendim për papranueshmëri i 14 prillit 2016, paragrafi 43; KI40/18, parashtrues Hysen Idrizi, Aktvendim për papranueshmëri i 28 majit 2018, paragrafët 32-37).
Gjykata vlerëson se, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme nuk morën vendime arbitrare por vendosën brenda juridiksionit të tyre në lidhje me vlerësimin e fakteve dhe të provave. Ato ofruan arsyetime të mjaftueshme kur refuzuan kërkesëpadinë e S.I.-së dhe shpjeguan mungesën e përgjegjësisë së komunës së Lipjanit për dëmin material që e kishte pësuar S.I., si rezultat i largimit nga puna në vitin 1991.
Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, përkitazi me interpretimin e gabuar të ligjit, i përkasin pretendimeve “të shkallës së katërt”, dhe rrjedhimisht Gjykata i shpall si qartazi të pabazuara sipas rregullit 34 (2) të Rregullores së punës.
Përkitazi me pretendimet për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës
Parashtruesit e kërkesës në lidhje me pretendimin e tyre për shkelje të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës specifikojnë se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme “[...] nuk ka dhënë mbrojtje ligjore të barabartë para ligjit, duke vendosur në mënyrë diskriminuese në rastin konkret pasi që pa asnjë bazë ligjore, në mënyrë arbitrare përcakton mungesën e legjitimitetit të palës në procedurë, të Komunës së Lipjanit, të cilën e konsiderojnë si Komunë e themeluar me Rregulloren e UNMIK-ut nr.2000/45, sikur kjo Komunë nuk ka ekzistuar para vitit 2000, si dhe konstatojnë se dëmin për të cilën paditësi ka kërkuar kompensimin, atë dëm nuk e ka shkaktuar Komuna e Lipjanit”.
Gjykata konsideron se pretendimin e tyre për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës, në të vërtetë e kanë elaboruar mbi bazën e pretendimeve të tyre për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, duke e ndërlidhur me pretendimin për interpretimin e gabuar të ligjit përkitazi me legjitimitetin pasiv të Komunës së Lipjanit në cilësinë e të paditurës, për çfarë Gjykata si më sipër konstatoi se në këtë pjesë kërkesa duhet të shpallet qartazi e pabazuar ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Prandaj, përkitazi me pretendimin e parashtruesve të kërkesës për shkelje të barazisë së ligjit, të garantuar me nenin 24 të Kushtetutës, Gjykata, në këtë kontekst rikujton se, duke u bazuar në nenin 48 të Ligjit dhe paragrafët (1) (d) dhe (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës dhe praktikën e saj gjyqësore, ajo vazhdimisht ka theksuar se (i) palët kanë detyrim që të qartësojnë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqesin faktet dhe pretendimet; dhe gjithashtu (ii) të dëshmojnë dhe në mënyrë të mjaftueshme të mbështesin pretendimet e tyre për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese (shih, rastet e Gjykatës KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, i cituar më lart, paragrafi 85, dhe KI124/20, parashtrues MuhamedAli Ceysűlmedine, Aktvendim për Papranueshmëri i 20 janarit 2021, paragrafi 42).
Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës u përkasin pretendimeve “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht Gjykata i shpall si qartazi të pabazuara sipas rregullit 34 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 1 tetor 2024, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve dhe, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
TË KONSTATOJË që ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës se Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Ismajl Ipshi, Bashkim Ipshi, Gjevdet Ipshi, Bekim Ipshi dhe Besim Ipshi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile