Prishtinë, më 5 korrik 2024
Nr. Ref.:AGJ 2472/24
AKTGJYKIM
në
rastin nr. KI154/23
Parashtrues
Afrim Tafarshiku
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AC. Nr. 8304/2021, të 20 shkurtit 2023, të Gjykatës së Apelit të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Afrim Tafarshiku, me vendbanim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Jeton Osmani, avokat në Prishtinë.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [AC. nr. 8304/2021] të 20 shkurtit 2023 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit), në ndërlidhje me Aktgjykimin [C. nr. 3804/18], e 5 dhjetorit 2019, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin e kontestuar e ka pranuar më 13 mars 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), si dhe nenet: 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 të KEDNJ-së, si dhe paragrafin 5 të nenit 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 20 [Vendimet] dhe 22 [Procedimi i kërkesës] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Nr. 01/2023 (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 13 korrik 2023, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës, përmes postës, e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 2 gusht 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [GJR. KI154/23] caktoi gjyqtarin Enver Peci gjyqtar raportues, si dhe përmes Vendimit [KSH. KI154/23], kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 18 korrik 2023, Gjykata njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës si dhe Gjykatën Themelore, të cilës po ashtu i kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë fletëkthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës së Apelit.
Më 24 korrik 2023, Gjykata Themelore e dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar që dëshmon se kur parashtruesi e ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 31 tetor 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore që të konfirmojë nëse, parashtruesi i kërkesës ka dorëzuar përgjigje në ankesë gjatë procedurës së shkallës së dytë në Gjykatën e Apelit.
Më 6 nëntor 2023, Gjykata pranoi përgjigjen nga Gjykata Themelore, ku konfirmohet se parashtruesi i kërkesës, më 28 shtator 2021 dorëzoi përgjigjen në ankesë në Gjykatën Themelore, të cilën përgjigje më 19 tetor 2021, ia ka përcjellë Gjykatës së Apelit.
Më 13 nëntor 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata e Apelit, që të konfirmojë nëse gjatë procedurës së shkallës së dytë në Gjykatën e Apelit, ka shqyrtuar përgjigjen në ankesë, të 28 shtatorit 2021.
Më 22 dhjetor 2023, në mungesë të përgjigjes nga Gjykata e Apelit, Gjykata iu drejtua Këshillit Gjyqësor të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KGJK) për të konfirmuar informatën e lartcekur, të cilën e ka kërkuar nga Gjykata e Apelit.
Më 27 dhjetor 2023, Gjykata pranoi përgjigjen nga Gjykata e Apelit, në të cilën nuk specifikohej se a e ka pranuar dhe a e ka shqyrtuar përgjigjen në ankesë të parashtruesit të kërkesës, së 28 shtatorit 2021, por kishte bashkëngjitur vetëm kopjen e Aktgjykimit [AC. nr. 8304/2021] të 20 shkurtit 2023 të Gjykatës së Apelit dhe shënimit për këshillim dhe votim të po këtij Aktgjykimi.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 28 maj 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës. Në të njëjtën ditë, Gjykata në përbërje të plotë pas këshillimit, vendosi: (i) të deklarojë, njëzëri, kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë, njëzëri, se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii), të shpallë, me 8 (tetë) vota për dhe 1 (një) kundër të pavlefshëm, Aktgjykimin [AC. Nr. 8304/2021], të 20 shkurtit 2023, të Gjykatës së Apelit të Kosovës dhe (iv) të kthejë, me 8 (tetë) vota për dhe 1 (një) kundër, Aktgjykimin [AC. Nr. 8304/2021], të 20 shkurtit 2023, të Gjykatës së Apelit të Kosovës, për rishqyrtim në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate.
Në përputhje me rregullin 57 (Mendimet konkurruese) të Rregullores së punës të Gjykatës, gjyqtari Radomir Laban ka përgatitur mendim konkurrues, i cili do të publikohet së bashkë me këtë Aktgjykim.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte qenë i punësuar në pozitën “Komandat skuadre” në Korporatën Energjetike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: punëdhënësi), prej 17 shtatorit 1974 në pozita të ndryshme.
Më 8 maj 2018, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë te punëdhënësi për njohjen e të drejtës për shpërblim të tri pagave jubilare.
Më 15 maj 2018, punëdhënësi përmes Vendimit [Nr. 3861] e refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për shpërblimin e tri pagave jubilare, si rezultat i mos-plotësimit të kritereve të përcaktuara me vendimet e saj për shpërblim jubilar.
Më 10 prill 2019, punëdhënësi nxori Vendimin [Nr. 2244] përmes të cilit pranoi obligimin për kompensimin e pagave jubilare për periudhën 2015-2017. Ndërkaq, më 23 gusht 2019, përmes Vendimit [Nr. 3261], punëdhënësi plotësoi Vendimin [Nr. 2244] duke u njohur të drejtën e pagesës së pagave jubilare të gjithë punëmarrësve që plotësonin kushtin deri me 31 dhjetor 2019.
Më 21 dhjetor 2018, parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore për kompensimin e pagave jubilare, me propozimin që Gjykata Themelore të aprovojë kërkesëpadinë, t’ia njeh të drejtën në pagesë të 3 (tri) pagave jubilare, në shumë të pacaktuar, me kamatë ligjore në lartësi prej 8% (tetë përqind), si dhe t’ia kompensojë shpenzimet e procedurës.
Më 31 tetor 2019, punëdhënësi paraqiti përgjigje në padinë e parashtruesit të kërkesës, të 21 dhjetorit 2018, me propozimin që Gjykata Themelore ta refuzojë atë për shkak të parashtrimit të kërkesëpadisë.
Më 5 dhjetor 2019, Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [C. nr. 3804/2018] e aprovoi si të bazuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Themelore, ndër të tjera, vlerësoi se e drejta në shpërblim jubilar përcaktohej me nenin 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: MPKK) dhe me paragrafin 4 të nenit 53 të Kodit të Punës së punëdhënësit, sipas të cilit kjo e fundit mbante të drejtën për “[...] pagesën shtesë/bonuset/për punëmarrësit e vet apo shpërblimet jubilare [...]”. Rrjedhimisht, në arsyetimin e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore u theksua si në vijim:
“Nga arsyet e theksuara më lartë, gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret janë plotësuar kushtet e parapara në dispozitat e nenin 53.4 nenit të Kodit të Punës që paditësit t’i njihet e drejta për pagesën e pagave në emër të shpërblimit jubilar në vlerë të tre pagave, si dhe nga Plotësimi i Vendimit me nr. 8261 i dt.23.08.2019, i marrë nga vet e paditura, ku të gjithë punonjësve që i plotësojnë kushtet, deri më dt. 31.12.2019, ju njihet e drejta në shpërblim jubilar, andaj edhe vendosi që ta miratoj kërkesë padinë e paditësit si të bazuar”.
Më 28 janar 2020, punëdhënësi parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [C. nr. 3804/2018] të 5 dhjetorit 2019 të Gjykatës Themelore për shkak të (i) shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore; (ii) vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike; dhe (iii) zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që kërkesëpadia të refuzohet si e pabazuar. Në ankesën e dorëzuar, punëdhënësi theksoi se shkelja e dispozitave procedurale qëndronte në atë se dispozitivi i Aktgjykimit [C. nr. 3804/2018] të Gjykatës Themelore ishte në kundërshtim me provat e shkresës së lëndës. Më tutje, përmes ankesës, punëdhënësi pretendoi se gjykata e shkallës së parë gabimisht kishte vendosur mbi bazën e Ligjit përkatës për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe MPKK-së, pasi që në kohën kur parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar padinë si dhe kërkesën pranë punëdhënësit, MPKK nuk kishte qenë në fuqi dhe rrjedhimisht nuk prodhonte efekte juridike.
Nga shkresat e lëndës rezulton se 27 shtator 2021, parashtruesi i kërkesës kundër ankesës së punëdhënësit dorëzoi përgjigjen në ankesë në Gjykatën Themelore për Gjykatën e Apelit, ku, ndër të tjera, theksoi se: “[...] Pretendimi i te paditurës se padia është e pas afatshme dhe se paditësi është dashur të ndjek procedurën në kohën kur sipas të paditurës MPPK ka qenë në fuqi bie ndesh në tërësi me dispozitat e Ligjit të punës e kjo nga fakti se në këtë kontest kemi të bëjmë me një kontest me të cilin paditësi kërkon që t’i njihet një drejtë monetare e njohur në bazë të dispozitave të lartcekura andaj në kuptim të kësaj meqenëse paditësi të drejtën e ka fituar në kohën sa ka qenë MPKK në fuqi, bazuar në nenin 87 të LP paditësi ka kohë deri në 3 vite nga dita e paraqitjes së kërkesës që të kërkoj që ti njihet kjo e drejt, e qe e paditura nuk i ka njohur një të drejtë të tillë paditësit as me rastin e paraqitjes së kërkesës e që nënkupton se nga ky moment rrjedh (afati i parashkrimit, por për çdo rast e paditura e ka ndërprerë përshkrimin edhe me vet vazhdimin e njohjes së obligimit të pagesës së pagave jubilare me vendimin nr.8261 dt.23.08.2019 andaj edhe konsiderojmë se Gjykata drejt ka vendosur për aprovimin e kërkesëpadisë së paditësit si të bazuar pasi që paditësi i plotëson në tërësi këto kushte por edhe vet e paditura i ka njohur një të drejt të tillë, por nuk i ka paguar pagat jubilare”.
Më 20 shkurt 2023, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [Ac.nr. 8304/2021] e aprovoi si të bazuar ankesën e parashtruar nga punëdhënësi dhe ndryshoi Aktgjykimin [C. nr. 3804/2018] e 5 dhjetorit 2019 të Gjykatës Themelore duke e refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Në përmbajtjen e këtij Aktgjykimi, Gjykata e Apelit nuk reflektoi faktin nëse ka shqyrtuar përgjigjen në ankesë të parashtruesit të kërkesës, të cilën bazuar në shkresat e lëndës e ka pranuar më 19 tetor 2021. Tutje, në arsyetimin e Aktgjykimit të saj, Gjykata e Apelit vlerësoi si në vijim:
“Sipas vlerësimit të gjykatës se shkallës së dytë, aktgjykimi është në kundërshtim me provat që gjenden në shkresat e lëndës, përkatësisht aktgjykimi nuk përmban arsye për faktet vendimtare, - e në veçanti për kohën e arritjes së përvojës së punës prej 30 vite, respektivisht 40 vite - në emër të së cilës përvojë, paditësi ka kërkuar shpërblimin jubilar në vlerën e tri pagave bazë. Gjithashtu, gjendja faktike e konstatuar nga gjykata e shkallës së parë, nuk korrespondon drejtë me provat nga shkresat lëndore, meqë nga pohimet në padi dhe provat tjera në shkresa të lendes, rezulton se paditësi nga viti 1974 ka themeluar marrëdhënie pune te e paditura, nga i cili fakt rezulton se 40 vite përvoje pune ka arritur në vitin 2014, ndërsa ka iniciuar procedurën kontestimore me padinë e datës 21.12.2018, duke kërkuar detyrimin e të paditurës për pagesën e tri pagave në emër të shpërblimit jubilar.
Rrjedhimisht, duke iu referuar dispozitave të nenit 87 të Ligjit Nr. 03/L-212 të punës për (në tekstin e mëtejmë: Ligji i Punës), Gjykata e Apelit konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte parashkruar pasi që konstatoi gjendje tjetër faktike, respektivisht që jubileun e punës parashtruesi i kërkesës e kishte arritur në vitin 2014, prej së cilës datë kishte filluar të rrjedhë afati i parashkrimit.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), si dhe nenet: 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 të KEDNJ-së, si dhe paragrafin 5 të nenit 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës.
Përkitazi me shkeljet e pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës në esencë pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është i përfshirë me: (i) mungesë të shqyrtimit të përgjigjes së tij në ankesën e ushtruar nga pala kundërshtare, gjegjësisht, shkeljes së parimit të barazisë së armëve (ii) zbatimin e gabuar të ligjit, si dhe (iii) mungesë së konsistencës, përkatësisht divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit.
Për sa i përket çështjes së parë, gjegjësisht, shkeljes së parimit të barazisë së armëve parashtruesi i kërkesës pretendon se i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për faktin se përgjigjja e tij në ankesën e ushtruar nga pala kundërshtare nuk ishte shqyrtuar fare, pasi që Gjykata e Apelit gjatë vendosjes fare nuk ka marrë për bazë dhe nuk ka konstatuar se parashtruesi i kërkesës kishte dhënë përgjigje në ankesë, çka, sipas tij, bie në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 31 dhe nenet 32, 54 dhe paragrafin 5 të nenit 101 të Kushtetutës.
Sa i përket çështjes së dytë, respektivisht, zbatimit të gabuar të ligjit, parashtruesi i kërkesës pretendon se vlerësimi i gabuar i Gjykatës së Apelit se baza juridike e kërkesëpadisë është në MPKK, ka dërguar në drejtim të vlerësimit të gabuar edhe të afatshmërisë së kërkesëpadisë duke konstatuar se kërkesa e tij ishte parashkruar, dhe se kjo rrjedhimisht bie në kundërshtim me nenin 6 të KEDNJ-së. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson se: “Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, me të cilin është aprovuar Ankesa e të paditurës dhe është refuzuar kërkesëpadia e paditësit është marrë në kundërshtim me Gjendjen faktike dhe me zbatim të gabuar të së drejtës materiale duke mos zbatuar fare gjatë marrjes së vendimit aktet e brendshme të të paditurës. Prandaj, është i pa kontestueshëm fakti se në rastin konkret parashtruesit të kërkesës i është cenuar jo vetëm parimi i administrimit te drejtësisë por edhe barazia e armëve që konsiston në mos zbatimin e drejtë të së drejtës materiale gjatë vendosjes lidhur me mjetin juridik në mënyrë efektive si pasojë e Refuzimit të paraqitjes së kërkesëpadisë si në vendimin e theksuar. Me refuzimin si të pathemeltë të kërkesës se paditësit parashtruesi i kërkeëss është vënë në pozitë substancialisht të pafavorshme përballë të paditurës. [...]”. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është i paligjshëm dhe diskriminues, në kundërshtim me provat materiale dhe i përcjellë me zbatim të gabuar të ligjit, për faktin se Gjykata e Apelit e ka devijuar çështjen e tij për shpërblim të tri pagave jubilare që sipas tij i takon sipas paragrafit 4 të nenit 53 të Kodit të Punës së KEK-ut.
Po ashtu, në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës, thekson se është vënë në pozitë të pabarabartë me palën kundërshtare dhe se është diskriminuar në krahasim me kolegët e tij të cilët e kanë realizuar këtë të drejtë në kushte të njëjta, në bazë të vendimeve dhe Kodit të Punës të punëdhënësit, me ç ’rast ngrit pretendimin për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës.
Ndërsa sa i përket çështjes së tretë, përkatësisht, mungesës së konsistencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit, parashtruesi në kërkesën e tij, gjithashtu përmend 4 (katër) vendime gjyqësore të Gjykatës Supreme dhe asaj të Apelit në raste të tjera, respektivisht, vendimet me numrat si në vijim: [CML. Nr.07/2020], i 15 prillit 2021; [Rev.nr. 90/2020] i 4 majit 2020; [Ac.nr. 4367/19], i 17 korrikut 2020; dhe [Ac.nr. 2016/2020], i 24 qershorit 2020], dhe thekson se kërkesëpaditë e paditësve në fjalë janë aprovuar, por i njëjti nuk ia ka bashkëngjitur Gjykatës kopjet e këtyre vendimeve. Në lidhje me këtë pretendim, parashtruesi i kërkesës pretendon se është cenuar siguria juridike pasi që në kushte të njëjta, Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme iu kishte njohur paditësve të drejtën në shpërblim jubilar, ndërsa atij jo.
Në vijim, parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij ka specifikuar se: “[...] me vendimin e Gjykates Supreme për të Refuzuar revizionin e paditësit si të pathemeltë me zbatim të gabuar të dispozitave ligjore si në arsyetimin e lartcekur paraqitësit të kësaj kerkese është shkelur edhe e Drejta për Mjete Juridike në kuptim të Neni 32 lidhur me Neni 54 të Kushtetutës së Kosovës e kjo pasi që secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj pasi që edhe paditësi gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.”
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të: i) aprovojë kërkesën e tij; (ii) anulojë Aktgjykimin [AC. nr. 8304/2021] të 20 shkurtit 2023, të Gjykatës së Apelit si të kundërligjshëm; si dhe iii) të kthejë çështjen në rishqyrtim dhe rivendosje në Gjykatën e Apelit.
Përgjigja e Gjykatës Themelore
Më 6 nëntor 2023, Gjykata pranoi përgjigjen nga Gjykata Themelore, ku theksohet si nw vijim:
“Po ju përgjigjemi në kërkesën tuaj KI154/2023 të dt.31.10.2023 në lidhje me Lëndën C.nr.3804/2018.
Avokati Jeton Osmani ka paraqitur përgjigje në ankesë në Gjykatë me dt.28.09.2021 dhe në attachment e gjeni letërkonfimimin dhe kopjen e përgjigjes që i është bashkëngjitur në lëndë si dhe kopjen e regjistrit ku është evidentuar se me dt.19.10.2021 lënda e kompletuar në Gjykatën e Apelit”
Përgjigja e Gjykatës së Apelit
Më 27 dhjetor 2023, siç është theksuar më lart, Gjykata pranoi përgjigjen nga Gjykata e Apelit, në të cilën nuk specifikohej se a e ka pranuar dhe a e ka shqyrtuar përgjigjen në ankesë të parashtruesit të kërkesës, së 28 shtatorit 2021, por kishte bashkëngjitur vetëm kopjen e Aktgjykimit [AC. nr. 8304/2021] të 20 shkurtit 2023 të Gjykatës së Apelit dhe shënimit për këshillim dhe votim të po këtij Aktgjykimi.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 3
[Barazia para Ligjit]
“1. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
[...]”
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
[...]”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]”
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.
[...]”
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.
[...]”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces te rregullt)
“1. Çdo person ka te drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyres civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t'i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[ ...]”
Neni 13
(E drejta për zgjidhje efektive)
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 5
(pa titull)
“5.1 Gjykata do t’i jep mundësi secilës palë që të deklarohet rreth kërkesave dhe thënieve të palës kundërshtare.
5.2 Vetëm në rastet e përcaktuara me këtë ligj gjykata ka drejtë që të vendos mbi kërkesën për të cilën palës kundërshtare nuk i është dhënë mundësia që të deklarohet.”
Neni 182
(pa titull)
“182.1 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston në çoftë se gjykata gjatë procedurës nuk e ka zbatuar apo ka zbatuar në mënyrë jo të drejt ndonjë dispozitë të këtij ligji, kurse kjo ka pasur apo ka mundë të ketë ndikim në nxjerrjen e aktgjykimit të ligjshëm e të drejtë.
182.2 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston gjithmonë:
[...]
h) në qoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata ka nxjerr aktgjykim për shkak të pohimit, mosbindjes, mungesës, heqjes dorë nga kërkesëpadia, ose pa mbajtjen e shqyrtimit kryesor;
i) në qoftë se ndonjërës nga palët me veprimin e paligjshëm, e sidomos me mosdhënien e mundësisë për shqyrtimin e çështjes në gjykatë;
[...]
n) në qoftë se aktgjykimi ka të meta për shkak të të cilave nuk mund të ekzaminohen, e sidomos në qoftë se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm apo kontradiktor me vetvete ose me arsyet e aktgjykimit, apo nëse aktgjykimi nuk ka fare arsye apo në të nuk janë treguar fare arsyet për faktet vendimtare, ose ato arsye janë të paqarta, ose kontradiktore, ose nëse për faktet vendimtare ekzistojnë kundërthënie midis asaj që në arsyet e aktgjykimit thuhet për përmbajtje të dokumentit ose të procesverbalit për thëniet e dhëna në procedurë dhe të vet atyre dokumenteve ose të procesverbalit;
o) në qoftë se me aktgjykim është tejkaluar kërkesëpadia.
[...].”
Neni 187
(pa titull)
“187.1 Një ekzemplar të ankesës së paraqitur me kohë, të lejueshme dhe të plotë, gjykata e shkallës së parë ia dërgon palës kundërshtare, e cila mundet, brenda afatit prej shtatë ditësh, të paraqesë po në këtë gjykatë përgjigje në ankese.
187.2 Një ekzemplar të përgjigjes në ankesë gjykata e shkallës së parë ia dërgon ankuesit menjëherë, ose më së voni brenda afatit shtatë ditor nga arritja e saj në gjykatë.
[...]”
Neni 188
(pa titull)
“188.1 Pas pranimit të përgjigjes në ankesë, apo pas skadimit të afatit për përgjigje në ankesë, gjykata e shkallës së parë ankesën dhe përgjigjen në ankesë, nëse është paraqitur me të gjitha shkresat e lëndës ia dërgon gjykatës së shkallës së dytë në afat prej shtatë ditësh më së shumti.
188.2 Po që se ankuesi pretendon se në procedurën e shkallës së parë janë shkelur dispozitat e procedurës kontestimore, gjykata e shkallës së parë mund të jep shpjegime lidhur me thëniet në ankesë që i përkasin shkeljeve të tilla, e sipas nevojës mund të bëjë hetime me qëllim të verifikimit të saktësisë së thënieve përkatëse ne ankese.”
Neni 195
(pa titull)
“195.1 Gjykata e ankimit mundet, në seancën e kolegjit apo në bazë të shqyrtimit të çështjes të bërë drejtpërdrejt para saj :
a) ta hedhë poshtë ankesën si të vonuar, jo të plotë apo të palejueshme;
b) ta prishë aktgjykimin e goditur dhe ta hedhë poshtë padinë;
c) ta prishë aktgjykimin e goditur dhe ta kthej çështjen në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë;
d) ta refuzoj ankesën si të pathemeltë dhe ta vërtetoj aktgjykimin e goditur;
e) ta ndryshoj aktgjykimin e shkallës së parë.
195.2 Gjykata e shkallës së dytë nuk është e lidhur për propozimin e parashtruar ne ankesë.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret për pranueshmëri, të përcaktuara me Kushtetutë, të parapara me Ligj dhe të parashikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet nenit 113 të Kushtetutës, i cili përcakton:
“7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Në vazhdim, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen në Ligj. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...].”
Për sa i përket përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë, siç janë cekur më lart, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është: (i) palë e autorizuar; (ii) konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [AC. nr. 8304/2021] e 20 shkurtit 2023, të Gjykatës së Apelit; (iii) ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; (iv) ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj; si dhe (v) e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Gjykata gjithashtu konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës i plotëson kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara përmes paragrafit 1 të rregullit 34 të Rregullores së punës dhe se e njëjta nuk mund të shpallet e papranueshme mbi bazën e kushteve të përcaktuara përmes paragrafit 3 të rregullit 34 të Rregullores së punës. Gjykata gjithashtu thekson se kërkesa nuk është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës, prandaj ajo duhet deklaruar e pranueshme dhe duhet të shqyrtohen meritat e saj.
Meritat e kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [AC. nr. 8304/2021] e 20 shkurtit 2023, të Gjykatës së Apelit me të cilën aprovoi si të bazuar ankesën e parashtruar nga punëdhënësi dhe e ndryshoi Aktgjykimin [C. nr. 3804/2018] e 5 dhjetorit 2019 të Gjykatës Themelore, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata ripërsërit se parashtruesi i kërkesës pretendon në esencë shkelje të të drejtave të tij të mbrojtura me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 24 [Barazia para Ligjit], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së të Kushtetutës. Tutje, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në kuptim të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, në substancë pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është i përfshirë me: (i) mungesë të shqyrtimit të përgjigjes së tij në ankesën e ushtruar nga pala kundërshtare, gjegjësisht, shkeljes së parimit të barazisë së armëve (ii) zbatimin e gabuar të ligjit, si dhe (iii) mungesë së konsistencës, përkatësisht divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit.
Rrjedhimisht, Gjykata fillimisht do të shqyrtojë pretendimin e parashtruesit të kërkesës që ndërlidhet me parimin e barazisë së armëve në kuptim të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së duke u bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), në harmoni me të cilën, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës, pretendon se në rastin e tij nuk janë respektuar “parimi i kontradiktoritetit” dhe ai i “barazisë së armëve”, pasi që atij nuk i është marrë parasysh përgjigja në ankesë, e 28 shtatorit 2021, gjatë procedurës në shkallë të dytë nga ana e Gjykatës së Apelit, në të cilin aktgjykim nuk është cekur fare se parashtruesi i kërkesës ka parashtruar përgjigje në ankesë dhe nëse e njëjta e ka shqyrtuar apo jo.
Në këtë aspekt dhe me qëllim të trajtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata do të shtjellojë: (i) parimet e përgjithshme përkitazi me barazinë e armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për aq sa janë relevante në rrethanat e rastit konkret, në mënyrë që të vlerësohet aplikueshmëria e këtyre neneve, për të vazhduar me (ii) aplikimin e këtyre parimeve të përgjithshme në rrethanat e rastit konkret.
Parimet e përgjithshme përkitazi me barazinë e armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si dhe praktika relevante gjyqësore
Parimet e përgjithshme
Përkitazi me barazinë e armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural, parime këto të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata fillimisht thekson se ajo tashmë ka një praktikë gjyqësore, e cila është ndërtuar duke u bazuar në parimet e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së (përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet Yvon kundër Francës, nr. 44962/98, Aktgjykim i 24 korrikut 2003; Dombo Beheer B.V. kundër Holandës, nr. 14448/88, Aktgjykimi i 27 tetorit 1993; Brandstetter kundër Austrisë, nr. 11170/84, 2876/87; 13468/87, Aktgjykim i 29 gushtit 1991; Vermeulen kundër Belgjikës, nr. 19075/91, Aktgjykim i 20 shkurtit 1996; Rowe and Davis kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 18990/91; Aktgjykimi i 16 shkurtit 2000, Jasper kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr, 27052/95, Aktgjykimi i 16 shkurtit 2000; Zahirović kundër Kroacisë, nr. 58590/11, Aktgjykimi i 25 korrikut 2013; Beer kundër Austrisë, nr. 30428/96, Aktgjykim i 6 shkurtit 2001). Thënë këtë, rastet e Gjykatës përmes të cilave Gjykata ka afirmuar parimet e vendosura nga GJENDJ dhe të njëjtat i ka aplikuar edhe në rastet për shqyrtim para saj, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI108/10, parashtrues Fadil Selmanaj, Aktgjykim i 5 dhjetorit 2011; KI52/12, parashtrues Adije Iliri, Aktgjykim i 5 korrikut 2013, KI200/13, parashtrues Belkize Kallaq, Aktgjykim i 15 prillit 2014; KI10/14, parashtrues, Shoqëria aksionare Raiffeisen Bank Kosovë SH. A., Aktgjykim i 20 majit 2014; KI31/17, parashtrues Shefqet Berisha, Aktgjykim i 30 majit 2017; KI47/17, parashtrues Selvete Aliji, Aktgjykim i 28 dhjetorit 2018; KI209/19, parashtrues Memli Krasniqi, Aktgjykim i 26 nëntorit 2020; KI82/21, parashtruese Komuna e Gjakovës, Aktgjykim i 30 shtatorit 2021; KI84/21, parashtrues Telekomi i Kosovës Sh.A, Aktgjykim i 17 dhjetorit 2021; KI67/22, parashtrues Zeqirja Prebreza, Aktgjykim i 4 prillit 2023, KI206/21, parashtrues Ukë Salihi, Aktgjykim i 25 korrikut 2023, KI122/21, parashtrues Lekë Bytyqi, Aktgjykim i 27 korrikut 2021).
Gjykata fillimisht sqaron se parimi i “barazisë së armëve” është element i një koncepti më të gjerë të një gjykimi të drejtë që kërkon “ekuilibër të drejtë midis palëve” ku secilës palë i jepet mundësi e arsyeshme të paraqes rastin e tij/saj nën kushtet që nuk do të vendosnin atë në disavantazh substancial vis-a-vis palës kundërshtare. (shih rastet e GJEDNJ-së, Yvon kundër Francës, citur më lart, paragrafi 31, dhe Dombo Beheer B.V. kundër Holandës, cituar më lart, paragrafi 33; shih mutatis mutandis, po ashtu rastin e Gjykatës KI31/17, cituar më lart, paragrafi 70, KI84/21, cituar më lart, paragrafi 100).
Parimi i kontradiktoritetit procedural në anën tjetër, nënkupton që palët në procedurë duhet të kenë dijeni dhe mundësi të komentojnë dhe kundërshtojnë pretendimet dhe provat që paraqitën gjatë shqyrtimit gjyqësor (shih, ndër të tjera, rastet e GJEDNJ-së, Brandstetter kundër Austrisë, cituar më lart; dhe Vermeulen kundër Belgjikës, cituar më lart, paragrafi 47; shih edhe rastin e Gjykatës KI84/21, cituar më lart, paragrafi 101).
Duke u referuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata potencon se parimi i barazisë së armëve dhe parimi i kontradiktoritetit procedural janë të lidhur ngushtë dhe në shumë raste GJEDNJ i ka trajtuar së bashku (shih, ndër të tjera, rastet e GJEDNJ-së, Rowe and Davis kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar më lart, Jasper kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar më lart; Zahirović kundër Kroacisë, cituar më lart, dhe rastin e Gjykatës, KI193/19, cituar më lart, paragrafi 48).
Po ashtu, kërkesa e “barazisë së armëve”, në kuptimin e një “ekuilibri të drejtë” midis palëve, vlen në parim për raste civile si dhe për raste penale (shih rastet e Gjykatës KI10/14, parashtrues, Shoqëria aksionare Raiffeisen Bank Kosovë SH. A., cituar më lart, paragrafi 42; dhe rastin KI31/17, cituar më lart, paragrafi 71, dhe po ashtu, shih rastin e GJEDNJ-së, Werner kundër Austrisë, nr. 138/1996/757/956, Aktgjykim i 24 nëntorit 1997, paragrafi 66),
Megjithatë, GJEDNJ ka theksuar e drejta e palëve lidhur me të drejtë për një gjykim të drejtë duke përfshirë edhe parimin e “barazisë së armëve” nuk është absolute. Shtetet gëzojnë një margjinë të caktuar të vlerësimit në këtë aspekt. Por, i takon GJEDNJ-së që të vendos në instancë të fundit nëse këto parime respektohen (shih, mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, Regner kundër Republikës Çeke, nr. 35289/11, Aktgjykim i 19 shtatorit 2017, paragrafi 147).
Në këtë aspekt, GJEDNJ, përmes praktikës së saj ka përcaktuar që një parregullsi në proces, në disa kushte, mund të korrigjohet në një stad të mëvonshëm ose në nivelin e njëjtë (shih rastin e GJEDNJ-së, Helle kundër Finlandës, nr. 157/1996/776/977, Aktgjykim i 19 dhjetorit 1997, paragrafi 54) ose, nga një gjykatë më e lartë (shih rastet e GJEDNJ-së, Schuler-Zgraggen kundër Zvicrës, nr. 145818/89, Aktgjykim i 24 qershorit 1993, paragrafi 52; dhe, e kundërta, Albert et Le Compte kundër Belgjikës, nr. 7299/75; 7496/76, Aktgjykim i 10 shkurtit 1983, paragrafi 36; si dhe Feldbrugge kundër Holandës, nr. 8562/79, Aktgjykim i 29 majit 1986, paragrafët 45-46).
(ii) Praktika gjyqësore e GJEDNJ-së
Gjykata bazuar edhe në rrethanat e rastit konkret i referohet edhe praktikës përkatëse të GJEDNJ-së që i referohet të barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit procedural, nga këndvështrimi i garantimit të këtyre parimeve në procedurë gjyqësore gjatë administrimit të parashtresave të palëve kundërshtare. Në vijim, Gjykata i referohet praktikës relevante gjyqësore të GJEDNJ-së që ndërlidhet me komunikimin e përgjigjeve ndaj parashtresave. Ndonëse rrethanat faktike dhe juridike nuk janë identike si në rrethanat e rastit konkret, Gjykata gjatë shqyrtimit të pretendimit të parashtruesit të kërkesës do të aplikojë parimet e vendosura nga GJEDNJ në rastet si në vijim.
Në këtë drejtim, GJEDNJ ka theksuar se sipas parimit të “barazisë së armëve”, është e papranueshme që një palë në procedurë të paraqesë vërejtje apo komente para gjykatave të rregullta, të cilat kanë për qëllim që të ndikojnë në vendimmarrjen e gjykatës, pa dijeninë e palës tjetër dhe pa i dhënë mundësi palës tjetër të përgjigjet në to. I takon palës së përfshirë në procedurë pastaj të vlerësojë nëse vërejtjet apo komentet e paraqitura nga pala tjetër meritojnë reagim (shih rastin e GJEDNJ-së, APEH Üldözötteinek Szövetsége dhe të tjerët kundër Hungarisë, nr. 32367/96, Aktgjykim i 5 janarit 2011, paragrafi 42; dhe Guigue dhe SGEN-CFDT kundër Francës, nr. 59821/00, Vendim i 13 korrikut 2000, po ashtu rastin e Gjykatës KI84/21, cituar më lart, paragrafi 104).
Andaj, sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ, parimi i “barazisë së armëve” cenohet kur ankesa e palës kundërshtare nuk i është komunikuar parashtruesit të kërkesës dhe ai nuk është informuar për një ankesë të tillë përmes ndonjë mënyre tjetër (shih rastin e GJEDNJ Beer kundër Austrisë, cituar më lart, paragrafi 19, shih gjithashtu rastin e GJEDNJ Andersena kundër Letonisë, nr. 79441/17, Aktgjykim i 19 shtatorit 2019, paragrafi 87). Ngjashëm, GJEDNJ kishte konstatuar shkelje të këtij parimi në rast kur vetëm një nga dy dëshmitarët kyç është lejuar që të dëshmojë (shih rastin e GJEDNJ-së, Dombo Beheer B.V. kundër Holandës, cituar më lart, paragrafi 34 dhe 35).
Në rastin e GJEDNJ-së, Beer kundër Austrisë, parashtruesi i kërkesës pretendoi se mosdorëzimi i ankesës së palës kundërshtare kundër urdhrit të shpenzimeve procedurale, gjë që e pengoi atë të reagonte ndaj tij, rezultoi në shkelje të parimit të barazisë së armëve sipas paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së. Në këtë rast, GJEDNJ vlerësoi se është e kuptueshme që në çështjet ndihmëse/jo kryesore, siç është përcaktimi i shpenzimeve procedurale, autoritetet kombëtare duhet të kenë parasysh kërkesat e efikasitetit dhe ekonomisë, mirëpo kjo nuk justifikon mospërfilljen e parimit themelor të kontradiktoritetit procedural dhe se ky moskomunikim i ankesës dhe mungesa e çdo mundësie për t'iu përgjigjur të njëjtës, përbën një shkelje të parimit të barazisë së armëve, siç garantohet me nenin 6 të KEDNJ-së (shih rastin e GJEDNJ-së, Beer kundër Austrisë, cituar më lart, paragrafët 18-21)
Praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese
Gjykata, ashtu siç ka specifikuar edhe më lart, parimet e lartcekura të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së i ka aplikuar edhe në praktikën e saj gjyqësore (shih rastet e Gjykatës, KI108/10, parashtrues Fadil Selmanaj, i cituar më lart; KI52/12, Adije Iliri, i cituar më lart; KI200/13, parashtrues Belkize Kallaq, cituar më lart; KI10/14, parashtrues Shoqëria aksionare Raiffeisen Bank Kosovë SH. A., cituar më lart; KI31/17, parashtrues Shefqet Berisha, cituar më lart; KI47/17, parashtrues Selvete Aliji, cituar më lart; KI209/19, parashtrues Memli Krasniqi, cituar më lart; KI82/21, parashtrues Komuna e Gjakovës, cituar më lart; KI84/21, parashtrues Telekomi i Kosovës Sh.A, cituar më lart; KI67/22, me parashtrues Zeqirja Prebreza, cituar më lart dhe KI206/21, parashtrues Ukë Salihi, KI122/21, parashtrues Lekë Bytyqi, cituar më lart).
Në vijim, Gjykata do t’i referohet rasteve të saj, KI67/22, me parashtrues Zeqirja Prebreza dhe KI206/21, parashtrues Ukë Salihi, për cilat raste vlerëson se në kuptim të parimit të kontradiktoritetit procedural dhe atij të barazisë së armëve janë relevante dhe të ngjashme me rrethanat faktike dhe juridike në rastin konkret. Në të dyja këto raste, parashtruesve të kërkesave iu janë prishur vendimet e shkallës së parë nga Gjykata e Apelit si pasojë e ankesave të palëve kundërshtare respektive. Gjithashtu, Gjykata vëren se në të dyja rastet, Gjykata e Apelit nuk kishte shqyrtuar përgjigjen në ankesë të parashtruesve, përkatësisht, në rastin KI67/22, kishte deklaruar se “përgjigje në ankesë nuk ka paraqitur pala”, ndërsa në rastin KI206/21, kishte informuar Gjykatën se “e ka pranuar përgjigjen në ankesë të parashtruesit të kërkesës, por për shkak të numrit të madh të parashtresave në atë gjykate, nuk i është dorëzuar kolegjit i cili ka vendosur lidhur me këtë çështje”. Pas aplikimit të parimeve relevante në lidhje me garancitë procedurale të “barazisë së armëve” dhe “kontradiktoritetit” procedural, Gjykata konsideroi se parashtruesit e kërkesave respektive u vunë në një pozitë dukshëm më pak të favorshme në krahasim me palën e kundërt, dhe si rrjedhojë iu ishte hequr mundësia për t’u përballur realisht dhe në mënyrë thelbësore me argumentet dhe pretendimet e bëra nga pala e kundërt. Rrjedhimisht, Gjykata, në të dyja rastet, konstatoi shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së (shih rastet e Gjykatës, KI67/22, me parashtrues Zeqirja Prebreza, cituar më lart, paragrafi 76, dhe KI206/21, parashtrues Ukë Salihi, cituar më lart, paragrafët 119-120)
Ngjashëm, edhe në rastin KI193/19, parashtrues Salih Mehaj, i cili për dallim nga rrethanat e rastit konkret, është rast penal por në kontekst të parimit të kontradiktoritetit procedural dhe atij të barazisë së armëve është relevant. Në rastin KI193/19, Gjykata konstatoi shkelje të parimit të barazisë së armëve dhe të kontradiktoritetit, për shkak se Gjykata Supreme në aktgjykimin e saj, nuk e ka trajtuar fare faktin që parashtruesi i kërkesës ka dorëzuar, përmes postës dhe brenda afatit ligjor, përgjigjen kundër pretendimeve të Prokurorit të Shtetit. Në këtë kuptim, Gjykata konsideroi se Gjykata Supreme ka dështuar të garantojë zbatimin e parimit të barazisë se armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural, sepse parashtruesi i kërkesës është vënë në një disavantazh të konsiderueshëm vis-à-vis Prokurorit të Shtetit, duke u privuar nga mundësia për të pasur një ballafaqim real dhe përmbajtësor me argumentet dhe pretendimet e paraqitura nga Prokurori i Shtetit, si palë kundërshtare në procedurë (shih rastin e Gjykatës, KI193/19, parashtrues Salih Mekaj, Aktgjykim i 17 dhjetorit 2020, paragrafi 60).
Aplikimi i parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret
Me qëllim të aplikimit të parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, në vijim, Gjykata do të rikujtojë faktet relevante të rastit që ndërlidhen me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e barazisë së armëve dhe parimit të kontradiktoritet procedural, parime këto të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se esenca e rastit ndërlidhet me faktin se Gjykata Themelore kishte aprovuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për njohjen e të drejtës në kompensim të 3 (tri) pagave jubilare. Më pas, pas parashtrimit të ankesës nga punëdhënësi më 28 janar 2020 në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit më 20 shkurt 2023 e aprovoi atë si të bazuar dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pohoi se paraqiti përgjigje në ankesë më 27 shtator 2021, duke ofruar kopjen e këtij dokumenti, i cili mban edhe vulën e Gjykatës Themelore. Për të vërtetuar autencitetin e përgjigjes në ankesë, të dorëzuar nga parashtruesi i kërkesës, më 31 tetor 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore që të sqarohet lidhur me pranimin e këtij dokumenti, respektivisht, të konfirmojë nëse e ka pranuar atë përgjigje në ankesë. Këtë konfirmim, Gjykata e pranoi me 6 nëntor 2023, ku theksohet se më 28 shtator 2021 parashtruesi i kërkesës dorëzoi përgjigjen në ankesë në Gjykatën Themelore, të cilën përgjigje më 19 tetor 2021, ajo ia ka përcjellë Gjykatës së Apelit. Më 13 nëntor 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata e Apelit informatën nëse ajo e kishte shqyrtuar këtë përgjigje në ankesë gjatë procedurës së shkallës së dytë, dhe në mungesë të përgjigjes nga Gjykata e Apelit, Gjykata kërkoi nga KGJK që të konfirmojë informatën e lartcekur. Si rezultat i kësaj kërkese, më 27 dhjetor 2023, Gjykata pranoi nga Gjykata e Apelit një përgjigje, në të cilën nuk specifikohej se a e ka pranuar dhe a e ka shqyrtuar përgjigjen në ankesë të parashtruesit të kërkesës, të 28 shtatorit 2021, por kishte bashkëngjitur vetëm kopjen e Aktgjykimit [AC. nr. 8304/2021] të 20 shkurtit 2023 të Gjykatës së Apelit dhe shënimit për këshillim dhe votim të po këtij Aktgjykimi.
Gjykata rithekson pretendimin e parashtruesit të kërkesës se në rastin e tij, nuk janë respektuar “parimi i kontradiktoritetit” dhe ai i “barazisë së armëve”, pasi që atij nuk i është marrë parasysh përgjigja në ankesë, e 27 shtatorit 2021, gjatë procedurës në shkallë të dytë nga ana e Gjykatës së Apelit, në të cilin aktgjykim nuk është cekur fare se parashtruesi i kërkesës ka parashtruar përgjigje në ankesë dhe nëse e njëjta e ka shqyrtuar apo jo.
Në mënyrë që të adresojë këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës, Gjykata i referohet nenit 187 (pa titull) të LPK-së, i cili përcakton se:
“187.1 Një ekzemplar të ankesës së paraqitur me kohë, të lejueshme dhe të plotë, gjykata e shkallës së parë ia dërgon palës kundërshtare, e cila mundet, brenda afatit prej shtatë ditësh, të paraqesë po në këtë gjykatë përgjigje në ankese.
187.2 Një ekzemplar të përgjigjes në ankesë gjykata e shkallës së parë ia dërgon ankuesit menjëherë, ose më së voni brenda afatit shtatë ditor nga arritja e saj në gjykatë.”
Në këtë kontekst, Gjykata, duke u mbështetur në praktikën e GJEDNJ-së, po ashtu rikujton se mangësitë në shkallën e parë, mund të rregullohen në shkallën e dytë (apel ose revizion), nëse institucioni i apelit ka “juridiksion të plotë” lidhur me çështjen. Lidhur me këtë Gjykata përsërit se kur një ankesë është bërë lidhur me mos-komunikimin e dokumenteve, koncepti i “juridiksionit të plotë” përfshinë jo vetëm faktin që gjykata e apelit ka të drejtë të shqyrtojë ankesën, por gjithashtu nëse e njëjta ka kompetencë për të prishur vendimin e kontestuar dhe/ose të marrë vendim vet lidhur me çështjen ose ta kthejë çështjen për vendim të ri nga një organ i paanshëm (shih mutatis mutandis rastin e GJEDNJ-së, Köksoy kundër Turqisë , nr. 31885/10, Aktgjykim i 13 tetorit 2020, paragrafi 36; rastin M.S. kundër Finlandës, nr. 46601/99, Aktgjykim 22 qershorit 2005, paragrafi 35, si dhe rastin e Gjykatës KI206/21, parashtrues Ukë Salihi, cituar më lart, paragrafi 103).
Prandaj, në vazhdim Gjykata bazuar edhe në praktikën e GJEDNJ-së, do të vlerësojë nëse gjykata që shqyrton ankesën, në këtë rast Gjykata e Apelit, kishte juridiksion të plotë lidhur me rastin, konkretisht, nëse kishte mundësinë për të prishur vendimin e kontestuar, ose të marrë vendim vet lidhur me çështjen ose ta kthejë çështjen për vendim të ri nga një organ i paanshëm, si dhe të vendosë për të gjitha çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës në përgjigjen kundër ankesës së punëdhënësit.
Në këtë rast, Gjykata rikujton se neni 187 (pa titull) i LPK-së parasheh që një ekzemplar të ankesës së paraqitur me kohë, të lejueshme dhe të plotë, gjykata e shkallës së parë ia dërgon palës kundërshtare, e cila mundet, brenda afatit prej 7 (shtatë) ditësh, të paraqesë po në këtë gjykatë përgjigje në ankesë, ndërsa paragrafi 2 i këtij neni parasheh që një ekzemplar të përgjigjes në ankesë gjykata e shkallës së parë ia dërgon ankuesit menjëherë, ose më së voni brenda afatit7 (shtatë) ditor nga arritja e saj në gjykatë. Meqenëse neni 187 i LPK-së, nuk specifikon më tepër lidhur me përgjigjen në ankesë, Gjykata i referohet nenit 195 (pa titull) të LPK-së, i cili për cakton se vendimet që merren nga gjykata e shkallës së dytë, në rastin konkret Gjykata e Apelit, janë si në vijim: (i) ta hedhë poshtë ankesën si të vonuar, jo të plotë apo të palejueshme; (ii) ta prishë aktgjykimin e goditur dhe ta dhe ta hedhë poshtë padinë; (iii) ta prishë aktgjykimin e goditur dhe ta kthej çështjen në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë, (iv) ta refuzoj ankesën si të pathemeltë dhe ta vërtetojë aktgjykimin e goditur; (v) ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë.
Përveç kësaj, Gjykata vëren se bazuar në paragrafin 1 të nenit 181 (pa titull) të LPK-së Aktgjykimi mund të goditet në Gjykatën e Apelit dhe atë:
“a) për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore;
b) për shkak të konstatimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike;
c) për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.”
Andaj, duke pasur parasysh dispozitën e lartcekur, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit ka kompetencë të bëjë shqyrtimin e plotë gjyqësor të vendimeve të Gjykatës Themelore lidhur me përgjigjen në ankesë, dhe kjo përfshin çështjet e shkeljes së dispozitave materiale; dispozitave procedurale; vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të fakteve; si dhe ka mundësi që ta prishë vendimin e kontestuar dhe të marrë vendim ose ta kthejë çështjen për vendim të ri nga një organ i paanshëm.
Prandaj, Gjykata konkludon se Gjykata e Apelit kishte juridiksion të plotë të shqyrtojë të gjitha çështjet e faktit dhe të ligjit që lidhen me kontestin para saj, duke përfshirë edhe qëndrimet e parashtruesit të kërkesës në përgjigjen në ankesë, si dhe kishte kompetencë të anulojë vendimin e Gjykatës Themelore në të gjitha aspektet, duke përfshirë çështjet e faktit dhe ligjit. Prandaj, Gjykata e Apelit, kualifikohet si një “organ gjyqësor që ka juridiksion të plotë”, në kuptim të paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të të nenit 6 të KEDNJ-së.
Në këtë kontekst, në vazhdim Gjykata do të vlerësojë nëse Gjykata e Apelit, ka vlerësuar argumentet e parashtruesit të kërkesës lidhur me përgjigjen në ankesë dhe pretendimin se Gjykata e Apelit nuk e kishte shqyrtuar fare përgjigjen në ankesën e punëdhënësit, të 27 shtatorit 2021, gjë që ngrit çështjen e parimit të barazisë së armëve.
Gjykata fillimisht i referohet aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, i cili për sa i përket shkeljeve esenciale të procedurës kontestimore ka theksuar që:
“Gjykata e Apelit si gjykatë e shkallës së dytë, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore lidhur me aktgjykimin e atakuar, në mbështetje të dispozitës së nenit të 194 dhe 195 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (LPK), ka gjetur se:
Ankesa e të paditurës është e bazuar.”
Duke pasur parasysh pretendimet e parashtruesit të kërkesës, së pari, Gjykata vëren se bazuar përgjigjen dhe fletë-kthesën e dorëzuar nga Gjykata Themelore, kjo e fundit, më 19 tetor 2021, ia kishte përcjellë Gjykatës së Apelit përgjigjen në ankesë të parashtruesit të kërkesës të datës 27 shtator 2021.
Së dyti, Gjykata vë në pah se Gjykata e Apelit në asnjë vend në Aktgjykimin e kontestuar nuk e përmend përgjigjen në ankesë të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës më 27 shtator 2021, por përmend vetëm vlerësimin e pretendimeve ankimore, respektivisht, ankesën e punëdhënësit.
Së treti, Gjykata vë në dukje sërish se Gjykata e Apelit nuk iu kishte përgjigjur kërkesave të saj në lidhje me pyetjen specifike nëse e ajo kishte pranuar dhe shqyrtuar përgjigjen në ankesë të parashtruesit të kërkesës, të 27 shtatorit 2021. Gjykata kërkesën e parë ia kishte përcjellë Gjykatës së Apelit më 13 nëntor 2023, për të cilën nuk mori fare përgjigje, ndërsa kërkesën e dytë ia drejtoi përmes KGJK-së, për të cilën nuk pranoi përgjigje specifike por vetëm kopjen e Aktgjykimit [AC. nr. 8304/2021] të 20 shkurtit 2023 të Gjykatës së Apelit dhe shënimit për këshillim dhe votim të po këtij Aktgjykimi.
Në dritën e këtyre fakteve dhe rrethanave, Gjykata vëren se ekzistonte një detyrim ligjor që përgjigja në ankesën e parashtruesit të kërkesës t’i dërgohej edhe palës së kundërt dhe që të shqyrtohej nga gjykata, që rrjedh nga neni 187 i LPK-së. Në këtë drejtim, Gjykata thekson se neni 187 i LPK-së është në pajtueshmëri me kërkesat e paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës e që ndërlidhen me garancinë për zbatimin e parimit të barazisë së armëve dhe i parimit të kontradiktoritetit në procedurë para gjykatave. Respektimi i kërkesave dhe standardeve që rrjedhin nga këto dy parime është në funksion të mbrojtjes sa më efektive të palëve kundërshtare në procedurë civile, të cilat janë të barabarta.
Qëllimi i nenit 31 të Kushtetutës dhe i nenit 187 të LPK-së nuk kërkon vetëm përmbushjen e aspekteve formale-procedurale, por edhe përmbushjen e aspekteve përmbajtësore, të standardit të gjykimit të drejtë dhe të paanshëm. Kjo nënkupton jo vetëm që palëve, në këtë rast të parashtruesit të kërkesës në procedurë civile, t’i jepet mundësia për të paraqitur në objektin e gjykatës përgjigje me shkrim në ankesën e palës kundërshtare, gjegjësisht KEK-ut, por edhe shqyrtimin e asaj parashtrese dhe dhënien e mundësisë së ballafaqimit të argumenteve dhe kundërargumenteve, në pajtueshmëri me parimin e barazisë së armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural, në atë mënyrë që palët në procedurë të vendosën në situatë të barabartë kundruall njëra-tjetrës (shih rastin e GJEDNj-së Dombo Beheer B.V. kundër Holandës, rast i cituar më lart, ku përcaktohet se “barazia e armëve” nënkupton që secilës palë duhet t'i jepet një mundësi e arsyeshme për të paraqitur rastin e saj - duke përfshirë provat e saj - në kushte që nuk e vendosin atë në një disavantazh të konsiderueshëm vis-à-vis kundërshtarit të saj”, po ashtu shih në mënyrë të ngjashme, rastin e Gjykatës, KI193/19, parashtrues Salih Mekaj, cituar më lart, paragrafi 57 dhe KI67/22, parashtrues Zeqirja Prebreza, cituar më lart, paragrafi 73).
Në këtë këndvështrim, vërehet qartë se Gjykata e Apelit u mjaftua vetëm në përmbushjen e aspekteve formale-procedurale, domethënë vetëm me dërgimin e njoftimit parashtruesit të kërkesës për ushtrimin e mjetit juridik kundër tij, duke mos e trajtuar fare, përkatësisht duke mos e bërë pjesë të procedurës përgjigjen në ankesë, të dorëzuar nga parashtruesi i kërkesës kundër ankesës së punëdhënësit. Për më tepër, Gjykata e Apelit nuk ka dhënë ndonjë arsyetim në Aktgjykimin e saj se pse përgjigja në ankesë e parashtruesit të kërkesës nuk është marrë në shqyrtim, por e njëjta as nuk e përmend se kjo përgjigje në ankesë është parashtruar nga parashtruesi.
Gjykata bazuar në praktikën gjyqësore të saj dhe të GJEDNJ-së, konsideron se detyrimi i njoftimit të palës kundërshtare, nga gjykatat, për ushtrimin e mjeteve juridike kundër tyre, nuk është qëllim në vetvete. Ky detyrim është hap i domosdoshëm procedural për t’ua mundësuar palëve që të trajtohen në mënyrë të barabartë, të kenë mundësi të kundërshtojnë pretendimet dhe argumentet e palës kundërshtare dhe të paraqesin rastin e tyre në mënyrë efektive. Prandaj, gjykatat nuk duhet të mjaftohen vetëm me faktin se palët kanë pranuar njoftimin për ushtrimin e mjetit juridik kundër tyre, por gjykatat duhet t’i sigurojnë palët që pikëpamjet dhe argumentet e tyre janë shqyrtuar dhe vlerësuar në mënyrë të rregullt, ashtu që t’iu garantohet një mbrojtje sa më efektive ndaj pretendimeve të ngritura kundër tyre. Në të kundërtën, mosmarrja në shqyrtim e kundërshtimeve dhe argumenteve të tyre, me automatizëm i vendos ato në një disavantazh të konsiderueshëm kundruall palës kundërshtare (shih në mënyrë të ngjashme, rastin e Gjykatës, KI193/19, parashtrues Salih Mekaj, cituar më lart, paragrafi 59, dhe KI67/22, parashtrues Zeqirja Prebreza, cituar më lart, paragrafi 75).
Në këtë kuptim, Gjykata konsideron se Gjykata e Apelit në rrethanat e rastit konkret, ka dështuar të garantojë zbatimin e parimit të barazisë se armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural, sepse parashtruesi i kërkesës është vënë në një disavantazh të konsiderueshëm vis-à-vis palës kundërshtare, gjegjësisht të punëdhënësit, duke u privuar nga mundësia për të pasur një ballafaqim real dhe përmbajtësor me argumentet dhe pretendimet e paraqitura nga punëdhënësi, si palë kundërshtare në procedurë.
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është marrë në kundërshtim me parimin e barazisë së armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural.
Gjykata bazuar në konstatimin e saj se Gjykata e Apelit ka shkelur parimin e barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit procedural duke mos shqyrtuar përgjigjen në ankesë të parashtruesit të kërkesës, në vijim konsideron se nuk është e nevojshme të shqyrtohen: (i) pretendimet e tjera të parashtruesit të kërkesës përkitazi me shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së përkitazi me zbatimin e gabuar të ligjit dhe mungesës së konsistencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit; (ii) pretendimet përkitazi me shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës; si dhe (iii) pretendimet përkitazi me nenet 32, 54 dhe 102 të Kushtetutës sepse të njëjtat duhet të shqyrtohen nga Gjykata e Apelit në përputhshmëri me konstatimet e këtij Aktgjykimi.
Përfundimisht, Gjykata konsideron se konstatimi i shkeljes së paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, në rrethanat e rastit konkret ndërlidhet vetëm me garancitë procedurale për barazinë e armëve sa i përket mungesës së shqyrtimit të përgjigjes në ankesë dhe në asnjë mënyrë nuk e paragjykon rezultatin e meritave të rastit.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 dhe paragrafit 1 të nenit 116 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me nenet 20, dhe 47 të Ligjit dhe me rregullin 48 (1) (a) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 28 maj 2024:
VENDOS
TA DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË, njëzëri, se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
TË SHPALLË TË PAVLEFSHËM, me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, Aktgjykimin [AC. Nr. 8304/2021], të 20 shkurtit 2023, të Gjykatës së Apelit të Kosovës;
TË KTHEJË, me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, Aktgjykimin [AC. Nr. 8304/2021], të 20 shkurtit 2023, të Gjykatës së Apelit të Kosovës, për rishqyrtim në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate;
TË URDHËROJË Gjykatën e Apelit që ta njoftojë Gjykatën, në pajtim me rregullin 60 (5) të Rregullores së punës, deri më datën 29 nëntor 2024 për masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve dhe, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
Afrim Tafarshiku
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave, Neni 102 – Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor
Civile