Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev. nr. 584/2020], të 22 prillit 2021

Nr. të lëndës KI206/21

Parashtruesit: Ukë Salihi

Shkarko:

KI206/21, Parashtrues: Ukë Salihi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev. nr. 584/2020], të 22 prillit 2021

KI206/21, Aktgjykim i 25 korrikut 2023, publikuar më  5 shtator 2023

Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, barazia e armëve, parimi i kontradiktoritetit procedural

Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me padinë e parashtruesit të kërkesës kundër Policisë së Kosovës, pasi që kjo e fundit i’a refuzoi kërkesën për nivelizimin e pagës së tij, për punët që i ka kryer nga viti 2010 deri në vitin 2015 si Zëvendës Kryesues i Komisionit të Brendshëm Disiplinor, brenda Policisë së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë fillimisht e kishte aprovuar padinë e parashtruesit të kërkesës si të bazuar, por pas ankesës së Policisë së Kosovës, Gjykata e Apelit e ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe e hodhi poshtë kërkesën e parashtruesit si të pabazuar. Ndërsa, Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi në tërësi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Bazuar në shkresat e lëndës, ndaj ankesës së parashtruar në Gjykatën e Apelit nga Policia e Kosovës, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur përgjigje, por në Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit ajo nuk është shqyrtuar. Për më tepër, Gjykata e Apelit i konfirmoi Gjykatës se përgjigja në padinë e parashtruesit të kërkesës ishte dorëzuar me kohë, por për shkak të gabimit teknik e ka pranuar pas nxjerrjes së vendimit të kontestuar.

Parashtruesi i kërkesës kontestoi në Gjykatë Aktgjykimin e lartpërmendur të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të mbrojtura me (i) nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], (ii) nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe (iii) nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; në thelb, për shkak të: (i) mos shqyrtimit të përgjigjes së tij ndaj ankesës së palës kundërshtare dhe, si pasojë, shkeljes së parimit të “barazisë së armëve”; (ii) zbatimit të gabuar të ligjit; si dhe (iii) mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor.

Gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata u përqendrua në pretendimet lidhur me parimin e “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit”, si rezultat i së cilës Gjykata e Apelit nuk e shqyrtoi përgjigjen e parashtruesit të kërkesës ndaj ankesës së palës kundërshtare, duke shtjelluar fillimisht (i) parimet e përgjithshme në lidhje me parimin e “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit” procedural, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe praktikën përkatëse gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas (ii) i zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Nisur nga këto parime, Gjykata fillimisht sqaroi se, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi përgjigjen në ankesë brenda afatit ligjor dhe vlerësoi se Gjykata e Apelit, pasi nuk e ka shqyrtuar përgjigjen ndaj ankesës në Aktgjykimin [Ac. nr. 2046/17] të 9 korrikut 202o, nuk arriti të garantojë zbatimin e parimit të “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit” procedural, sepse parashtruesi i kërkesës u vu në një pozitë dukshëm më pak të favorshme në krahasim me palën e kundërt, dhe si rrjedhojë i ishte hequr mundësia për t’u përballur realisht dhe në mënyrë thelbësore me argumentet dhe pretendimet e bëra nga pala e kundërt.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi që aktgjykimet e kontestuara të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit duhet të shpallen të pavlefshme, dhe çështja të kthehet në Gjykatën e Apelit për rigjykim. Gjykata gjithashtu theksoi faktin se, nga ana e saj, konstatimi i shkeljes së paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rrethanat e rastit konkret i referohet vetëm garancive procedurale që lidhen me parimin e “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit” procedural, përkatësisht mos shqyrtimin e përgjigjes ndaj ankesës nga Gjykata e Apelit, dhe që në asnjë mënyrë nuk lidhet apo paragjykon rezultatin e rastit në merita.

Parashtruesit:

Ukë Salihi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative