Prishtinë, më 29 nëntor 2024
Nr. Ref.: RK 2582/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI175/24
Parashtrues
Shaban Neziri
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-22-0640-A0001] të 12 prillit 2024 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Bajram Ljatifi, gjyqtar
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Shaban Neziri, me vendbanim në Drenas (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [AC-I-22-0640-A0001] e 12 prillit 2024 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit i DHPGJS-së) në lidhje me Aktgjykimin [C-IV-14-7625] e 15 nëntorit 2022 të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: DHPGJS).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij, të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) dhe nenin 1 (Mbrojta e Pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ-së).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës nr. 01/2023 së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 12 gusht 2024, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 13 gusht 2024, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr. GJR. KI175/24] e caktoi gjyqtarin Jeton Bytyqi gjyqtar raportues, si dhe përmes Vendimit [nr. KSH. KI175/24] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 15 gusht 2024, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe ia dërgoi një kopje të kërkesës Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së.
Më 5 nëntor 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës deri më 31 dhjetor 1990 ka qenë i punësuar në Ndërmarrjen Shoqërore “Banka Themelore e Kosovës – Bankkos” (në tekstin e mëtejmë: Bankkos), kur edhe i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës.
Më 24 prill 2013, parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në DHPGJS kundër të paditurës Agjencia Kosovare e Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP), përmes të cilës kërkoi kompensimin nga të hyrat që Bankkos i kishte arkëtuar nga qiraja e objekteve të saj dhe që, sipas tij, i kishte shpërndarë për ish-punëtorët e saj në emër të pagave.
Më 4 dhjetor 2014, DHPGJS përmes Aktvendimit [C-II-13-0125-C0001] pezulloi procedurën kontestimore për shkak se Bankkos ishte në procesin e likuidimit.
Më 30 korrik 2014, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë në Autoritetin e Likuidimit të AKP-së, duke kërkuar kompensim nga të hyrat që Bankkos i kishte arkëtuar nga qiraja dhe që, sipas tij, i ka shpërndarë ish-punëtorëve në emër të pagave, dhe atë për periudhën nga viti 2002 deri në vitin 2012, në shumën prej 21,000.00 (njëzet e një mijë) euro.
Më 13 shkurt 2015, Autoriteti i Likuidimit përmes vendimit [PRN125-0959] refuzoi si të pavlefshme kërkesën e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se mjetet e arkëtuara nga Bankkos u janë shpërndarë grupit të punëtorëve, të cilët kanë qenë në listën e pagave të paguara nga AKP-ja si punëtorë të Bankkos. Ndërsa, sa i përket parashtruesit të kërkesës, atij i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës në vitin 1990 dhe nuk kishte qenë në marrëdhënie pune tek Bankkos gjatë periudhës kohore për të cilën kërkonte kompensimin, përkatësisht nga viti 2002 deri në vitin 2012.
Parashtruesi i kërkesës në DHPGJS dorëzoi një parashtresë të titulluar “Përgjigje” të cilën DHPGJS e trajtoi si padi, duke paraqitur të njëjtat pretendime që kishte paraqitur para Autoritetit të Likuidimit të AKP-së.
Më 16 mars 2022, AKP paraqiti përgjigje në padi ku, ndër të tjera, theksoi se vendimi i atakuar i Autoritetit të Likuidimit ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm.
Më 15 nëntor 2022, DHPGJS përmes Aktgjykimit [C-IV-14-7625] refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi vendimin [PRN125-0959] e Autoritetit të Likuidimit të AKP-së, duke arsyetuar, ndër të tjera, se (i) parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se ai ka qenë në marrëdhënie pune tek Bankkos gjatë periudhës për të cilën kërkon kompensim; (ii) i njëjti nuk ka drejtë të kërkojë paga për një periudhë për të cilën nuk ka qenë në marrëdhënie pune, dhe nuk ka marrë pjesë në krijimin e fondit të përbashkët të ndërmarrjes, një pjesë e të cilit fond pastaj do t’i dedikohej shpërndarjes së të ardhurave personale; andaj, (iii) ai do të gëzonte të drejtën në të ardhura personale vetëm sikur të kishte kthyer statusin e punëtorit të ndërmarrjes e cila ishte ndërprerë në vitin 1990 dhe sikur të ishte angazhuar në procesin e punës.
Më 23 nëntor 2022, parashtruesi i kërkesës ndaj Aktgjykimit të [C-IV-14-7625] DHPGJS-së parashtroi ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së duke pretenduar, ndër të tjera, se (i) objekt i kërkesëpadisë ka qenë pagesa e qirasë për objektin e dhënë me qira; dhe se (ii) në këtë rast nuk ka të bëjë me marrëdhënie pune pasi parashtruesi i kërkesës kërkoi realizimin e të ardhurave nga qiraja e mbledhur nga Bankkos për periudhën prej vitit 2002 deri në vitin 2012, si ish-punëtor i Bankkos.
Më 12 prill 2024, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes Aktgjykimit [AC-I-22-0640-A0001] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe njëherit vërtetoi Aktgjykimin [C-IV-14-7625] e DHPGJS-së, duke konfirmuar Aktgjykimin [C-IV-14-7625] të DHPGJS-së.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të neneve 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Efektive] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës thekson se as Autoriteti i Likuidimit dhe as DHPGJS dhe Kolegji i Apelit i DHPGJS-së “nuk i kanë kontestuar faktet se [parashtruesi i kërkesës] ka qenë punëtor i kësaj Ndërmarrjeje Shoqërore [...]”. Parashtruesi i kërkesës thekson se gjykatat respektive kanë bërë shkelje kushtetuese, pasi ia kanë refuzuar padinë e tij, sepse sipas tij e kanë ngatërruar çështjen ku objekt i kërkesëpadisë ka qenë pagesa nga mjetet e qirasë të cilat janë realizuar nga objekti i dhënë me qira dhe se gjykatat kanë vendosur sikurse kërkesa ka të bëjë me marrëdhënie pune, edhe pse nuk ka të bëjë me marrëdhënie pune por me pagesën nga mjetet që janë realizuar nga qiraja.
Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon zbatim të gabuar të së drejtës materiale nga ana e gjykatave të rregullta, përkatësisht zbatim të gabuar të Ligjit nr. 04/L-035 për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së Tyre, duke u bazuar në paragrafin 1.3 të nenit 34 (Prioritetet e kërkesave) të këtij Ligji, i cili rregullon çështjen e pagave të papaguara nga ndërmarrjet shoqërore, dhe përparësia e tyre.
Parashtruesi i kërkesës thekson se në vitin 2014 Bankkos ka shkuar në likuidim, andaj, sipas tij, e drejta për kompensimin e ndërprerjes së parakohshme të marrëdhënies së punës në raste të tilla është e garantuar me ligj, përkatësisht ai i referohet Ligjit Nr. 03/L-212 të Punës, përkatësisht neneve të këtij Ligji të cilët rregullojnë çështjen e largimit kolektiv nga puna, përfshirë nenin 70 (Ndërprerja e Kontratës së Punës nga ana e punëdhënësit) dhe nenin 76 (Largimet kolektive nga puna) të këtij Ligji.
Ai po ashtu i referohet edhe nenit 40 Prioritetet e kërkesave dhe interesave të aneks Ligjit Nr. 04/L-034 i Agjensionit Kosovar të Privatizimit, ku ndër të tjera thekson: “kërkesat për dëmshpërblim për ndërprerje të parakohshme të kontratës të sjella nga punonjësit të cilat janë pushuar nga puna si rrjedhojë e Vendimit për Likuidim të ndërmarrjes, apo në lidhje me veprimin e ndërmarrë nga Agjencia sipas nenit 6.1 apo 6.2 të Ligjit për AKP-në. Kjo e drejtë nuk buron nga kontrata e punës së punëtorit me punëdhënësin, por është e garantuar me ligj dhe bazohet në vitet e përvojës së punës”.
Tutje, parashtruesi i kërkesës thekson se DHPGJS kishte miratuar disa kërkesa për paga të papaguara që nga viti 2015, duke iu referuar faktit se ai “ka vendosur në rastin e Sabit Bunjaku për kërkesën për paga të papaguara, rasti nr. AC-I-14-0323-Ao001, i datës 12.03.2015, në faqen e pestë të Aktgjykimit të Kolegjit të Ankesave kishte konstatuar se: Letër Pezullimi i lëshuar nga AKM/AKP (Redundancy Letter) është njohje e detyrimeve ndaj kreditoreve pra edhe e detyrimit të pagesës së pagave të pa paguara, si dhe të ardhurat e punëtorëve nga qiraja që i ka realizuar N.SH. "Bankosi" që i ka mbledhur nga qiraja e objektit afarist për periudhën kontestuese.” Ai shton lidhur me këtë se, “Kolegji i Apelit nuk pajtohet me pohimin e AKP-së se letra informuese (Letër pezullimi) i datës 24.11.2014 dërguar paditësit ka pasur karakter të njoftimit vetëm për të drejtën në 20% ... por kjo letër flet edhe për paga dhe kërkesa tjera kreditore që mund t’i ketë paditësi ndaj NSH-së në likuidim", pra gjykata ka qëndrim të qartë dhe të prerë se letër informimi/Letër Pezullimi/ konsiderohet si pranim i detyrimit për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të mbetura të NSH -së ndaj kreditorit-paditësit (në këtë rast të ardhurat nga qiraja e objektit të N.SH Bankosit për kohën kontestuese të papaguara nga e paditura ish-punëtorëve të kësaj ndërmarrje). Krahas këtij aktgjykimi Kolegji i Apelit i DHPGJS-së ka vendosur njëjtë edhe në raste tjera, shih vendimet e lëshuara që nga viti 2016, pra për një periudhë më të gjatë se 4 vite mund të konsiderohet se ka pasur një qëndrim në formim e sipër për këtë çështje të rëndësishme AC-I-15-0093 i datës 19.12.2019, AC-I-15-0159 i datës 26.05.2016, AC-I-17-0586 i datës 15.03.2018”.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon se gjykatat e kanë mohuar të drejtën për trajtim të barabartë, pasi i është mohuar e drejta në paga të realizuara nga ish-ndërmarrja ku ka punuar, dhe “[...] vërtetohet në mënyrë të padyshimtë nga provat materiale [...].
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]”.
Ligji Nr. 03/L-212 i Punës
“Neni 70
Ndërprerja e Kontratës së Punës nga ana e punëdhënësit
1.Punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit me një periudhë paralajmërimi, atëherë kur:
ndërprerja e tillë arsyetohet për arsye ekonomike, teknike ose organizative;
[...]”
“Neni 76
Largimet kolektive nga puna
1.Ndërprerja e Kontratës së Punës sipas nën-paragrafit 1.1. të paragrafit 1 të nenit 70, të këtij ligji ku përfshihen së paku 10% të të punësuarve por jo më pak se njëzet (20) të punësuar, të larguar brenda intervalit kohor prej gjashtë (6) muajsh, konsiderohet si largim kolektiv nga puna;
[...]
6. I punësuari nuk mund të largohet nga puna, derisa punëdhënësi mos t’i ketë paguar atij një kompensim të menjëhershëm në para.
7. Kompensimi i menjëhershëm në para, u paguhet të punësuarve me kontratë me periudhë të pacaktuar në ditën e ndërprerjes së kontratës, sipas kësaj shkalle: 7.1. nga dy (2) deri në katër (4) vite të shërbimit, një (1) pagë mujore; 7.2. nga pesë (5) deri në nëntë (9) vite të shërbimit, dy (2) paga mujore; 7.3. nga dhjetë (10) deri në nëntëmbëdhjetë (19) vite të shërbimit, tri (3) paga mujore; 7.4. nga njëzet (20) deri në njëzetenëntë (29) vite të shërbimit, gjashtë (6) paga mujore; dhe 7.5. nga tridhjetë (30) vite të shërbimit ose më shumë, shtatë (7) paga mujore.
[...]”
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcakton:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale), nenit 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe nenit 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të këtë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor”.
Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është: (i) palë e autorizuar; (ii) konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [AC-I-22-0640-A0001] e 12 prillit 2024 të Kolegjit të Apelit i DHPGJS-së në lidhje me Aktgjykimin [C-IV-14-7625] e 15 nëntorit 2022 të DHPGJS-së; (iii) ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; (iv) ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj; si dhe (v) e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Përveç këtyre kritereve, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Specifikisht, pika (d) e paragrafit 1 dhe paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcaktojnë që:
"(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(d) Kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
[...]
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".
Gjykata fillimisht thekson se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës. Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih rastet e GJEDNJ-së Kemmachev kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykim i 24 nëntorit 1994, paragrafi 44 Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005, paragrafi 55; Mentzen kundër Letonia, Kërkesa nr. 71074/01, Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008, dhe rastet e Gjykatës KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 prillit 2021, paragrafi 26; KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 tetorit 2021, paragrafi 53; dhe KI05/23 parashtrues Branislav Gajin, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 janarit 2024, paragrafi 51).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë si dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të saj dhe ato të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Rrethanat e rastit konkret rezultojnë se parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar me kërkesë Autoritetit të Likuidimit të AKP-së, duke kërkuar kompensimin prej 21,000.00 (njëzet e një mijë) euro për periudhën prej vitit 2002-2012, të cilat u ishin ndarë punëtorëve të Bankkos nga të hyrat dhe qiraja e objektit afarist të Bankkosit. Autoriteti i Likuidimit i AKP-së refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, duke arsyetuar se (i) e drejta në kompensim iu takonte vetëm punëtorëve të cilët ishin në marrëdhënie pune në Bankkos në periudhën për të cilën kërkohej kompensimi; ndërsa (ii) parashtruesit të kërkesës i ishte ndërprerë marrëdhënie e punës në vitin 1990, dhe rrjedhimisht nuk kishte marrëdhënie të punës tek Bankkos gjatë periudhës për të cilën kërkohej kompensimi. Vendimi i Autoritetit të Likuidimit, ishte konfirmuar edhe nga DHPGJS-së, si dhe Kolegji i Apelit i DHPGJS-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon para Gjykatës se me Aktgjykimin e kontestuar atij i janë shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenet 24, 31, 32 dhe 46 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, për faktin se, ndër të tjera, (i) ai nuk kishte kërkuar pagesën e të ardhurave personale por pagesën e të ardhurave nga qiraja të cilën e ka realizuar Bankkosi nga lëshimi i objektit afarist me qira; (ii) Autoriteti i Likuidimit i AKP-së dhe DHPGJS-së ishin në dijeni se ai ishte punëtor i Bankkosit; dhe (iii) kishte paraqitur kërkesën e tij brenda afatit përmes të cilës kishte kërkuar kompensimin e të ardhurave të realizuara nga qiraja e objektit të Bankkosit.
Përkitazi me pretendimin për shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë
Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me aplikimin e gabuar të ligjeve dhe akteve nënligjore të zbatueshme në rastin e tij nga gjykatat e rregullta, përkatësisht Ligjin e punës sa i përket ndërprerjes kolektive të marrëdhënies së punës, Ligjin për AKP-në dhe Ligjin për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së Tyre, duke pretenduar se si ish-punëtor i Bankkos-it, atij i takon kompensimi nga të hyrat e qirasë së Bankkos.
Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin ndërmjet “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60; KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34; KI188/21, me parashtrues Zenel dhe Isuf Pllashniku, Aktvendim për papranueshmëri, i 19 korrikut 2022, paragrafët 98-99; KI31/22, me parashtrues Fidan Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 janarit 2023, paragrafët 43-44, KI89/22, parashtrues Xhelal Plakolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 marsit 2023, paragrafi 42).
Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI49/19, rasti i cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, rasti i cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rastin KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, rasti i cituar më lart, paragrafi 35; KI31/22, me parashtrues Fidan Hoti, cituar më lart, paragrafi 42, KI89/22, parashtrues Xhelal Plakolli, cituar më lart, paragrafi 43).
Gjykata mund të bëjë vlerësimin e interpretimeve ligjore të gjykatave të rregullta përjashtimisht dhe atë vetëm nëse ato interpretime mund të kenë rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi të paarsyeshme (shih rastin e Gjykatës KI75/17, parashtrues X, Aktgjykim i 30 janarit 2018, paragrafi 59; dhe KI89/22, parashtrues Xhelal Plakolli, cituar më lart, paragrafi 44) .
Duke iu kthyer rrethanave të rastit konkret, Gjykata rikujton arsyetimin e Aktgjykimit [C-IV-14-7625] të 15 nëntorit 2022 të DHPGJS-së, e cila refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, duke arsyetuar se parashtruesi i kërkesës “nuk ka të drejtë të kërkoj paga për një periudhë në të cilën nuk ka qenë në marrëdhënie pune, nuk ka marrë pjesë në procesin e punës dhe nuk ka marrë pjesë në krijimin e fondit të përbashkët të ndërmarrjes, një pjesë e të cilit fond pastaj do t’i dedikohej shpërndarjes së të ardhurave personale – pagave të punëtorëve. Paditësit i ka pushuar marrëdhënia e punës në vitin 1990 dhe ai do të gëzonte të drejtën në të ardhura personale në ndërmarrje, në periudhat e mëvonshme, vetëm sikur të kishte kthyer statusin e punëtorit të ndërmarrjes dhe sikur të ishte angazhuar në procesin e punës. Kjo nga arsyeja se paga është rezultat i punës së punëtorit të punësuar në ndërmarrje”. Arsyetimi i DHPGJS-së ishte vërtetuar edhe nga Kolegji i Apelit i DHPGJS-së.
Prandaj, bazuar në dispozitat ligjore të lartcekura, Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta i kanë dhënë përgjigje parashtruesit të kërkesës për pretendimet e tij për kompensimin e pagave nga qiraja e objektit afarist të Bankkosit, duke sqaruar se (i) e drejta në kompensim iu takonte vetëm atyre të cilët ishin të punësuar në Bankkos për periudhën për të cilin kërkohej kompensimi; gjë që (ii) në rastin e parashtruesit të kërkesës ky nuk ishte rasti, pasi ai nuk kishte paraqitur prova sipas së cilave dëshmohej se gjatë kësaj periudhe ai ishte në marrëdhënie pune tek Bankkos gjatë periudhës kur kërkohej kompensimi. Prandaj, të njëjtit nuk i takonte kompensimi nga mjetet të cilat ishin realizuar nga objekti i Bankkosit i dhënë me qira gjatë periudhës 2002-2012.
Për më tepër, nga arsyetimi i konkluzioneve të gjykatave të rregullta, vërehet qartë se në dritën e rrethanave të rastit konkret, nuk kemi të bëjmë as me “aplikim të ligjit në mënyrë qartazi të gabuar” dhe as me “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” nga ana e shkallës së parë të DHPGJS-së dhe Kolegji i Apelit të DHPGJS-së.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për mungesën e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm janë pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Përkitazi me pretendimet tjera
Siç u cek më lart, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Kolegjit të Apelit i DHPGJS-së ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 24, 32 dhe 46 të Kushtetutës dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së. Mirëpo, parashtruesi i kërkesës vetëm i përmend nenet përkatëse, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri të shkelja e këtyre neneve përkatëse të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës Kushtetuese KI187/18 dhe KI11/19, parashtrues: Muhamet Idrizi, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2019, paragrafi 73; KI125/19 parashtrues: Ismajl Bajgora, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 63; dhe së fundmi rastin KI175/20, parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 26 marsit 2021, paragrafët 79-82).
Sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, e cila thotë se “diskriminimi do të thotë trajtim ndryshe, pa një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm, të personave në situata relativisht të ngjashme” (shih rastet e GJEDNJ-së, Willis kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 36042/97, Aktgjykimi i 11 qershorit 2002, paragrafi 48; Bekos dhe Koutropoulos kundër Greqisë, nr. 15250/02, Aktgjykimi i 13 marsit 2006, paragrafi 63, shih gjithashtu rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim i 5 janarit 2021, paragrafi 44).
Më tej, Gjykata rikujton se në mënyrë që pretendimet e parashtruesve në lidhje me shkeljen e të drejtës për mosdiskriminim të jenë të suksesshme, ata, ndër të tjera, duhet të dëshmojnë se pozita e tyre mund të konsiderohet e ngjashme me pozitën e një personi tjetër i cili ka pasur trajtim më të mirë (shih rastin e GJEDNJ-së Fredin kundër Suedisë, nr.12033/86, Aktgjykim i 18 shkurtit 1991, paragrafi 60, shih gjithashtu rastin e Gjykatës KI166/20, cituar më lart, paragrafi 45).
Në rastin konkret, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës përveç përmendjes së disa rasteve tjera të DHPGJS-së, ai nuk ka paraqitur asnjë dëshmi e cila do të mund të provonte se përgjatë procesit ka pasur me të vërtetë diskriminim, përkatësisht se është trajtuar ndryshe me ndonjë palë tjetër në një situatë të njëjtë ose të ngjashme e cila mund të ketë përfituar nga ndarja e drejtësisë në kushte të njëjta.
Prandaj, Gjykata konstaton se përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 24, 32 dhe 46 të Kushtetutës dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, Gjykata konkludon që kjo pjesë e kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, sepse parashtruesi i kërkesës thjesht citoi nenet e Kushtetutës, pa shpjeguar se si janë shkelur ato. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në rregullin 34 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (1) (d), dhe (2) si dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 5 nëntor 2024, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit; dhe
TË KONSTATOJË që ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Jeton Bytyqi Gresa Caka-Nimani
Shaban Neziri
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile