Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev. nr. 129/2021 të 14 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës 

Nr. të lëndës KI31/22

Parashtruesit: Fidan Hoti

Shkarko:

KI31/22, Parashtrues: Fidan Hoti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev. nr. 129/2021 të 14 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës 

KI31/21, Aktvendim i 23 janarit 2023, i publikuar më 7 shkurt 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest pronësor, mbrojtja e pronës, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest pronësor, mes parashtruesit të kërkesës dhe kushërinjve të tij. Në lidhje me këtë kontest parashtruesi i kërkesës, por edhe kushërinjtë e tij, E. Hoti, K. Hoti, Z. Musaj, Q. Hoti, Qa. Hoti, M. Hoti, Ma. Hoti dhe S. Hoti kishin parashtruar padi kundër njëra-tjetrës si palë ndërgjyqëse në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, e cila fillimisht kishte urdhëruar bashkimin e lëndëve në një të vetme, për të vendosur më pas më 2 gusht 2016 me Aktgjykimin C. nr. 67/2015, me të cilin: aprovoi padinë e E. Hoti, K. Hoti, Z. Musaj, Q. Hoti, Qa. Hoti, M. Hoti, Ma. Hoti dhe S. Hoti; anuloi pjesërisht kontratën [LRP. 953/2013] e 26 korrikut 2013 mbi dhurimin e paluajtshmërisë kontestuese, të lidhur në mes të M. Hoti dhe parashtruesit të kërkesës; vërtetoi se E. Hoti, K. Hoti, Z. Musaj, Q. Hoti, Qa. Hoti, M. Hoti, Ma. Hoti dhe S. Hoti, gjegjësisht trashëgimtarët e të ndjerit Z. Hoti, në pjesë të barabarta janë pronarë të ligjshëm në bazë të parashkrimit fitues të pjesës së paluajtshmërisë kontestuese, në sipërfaqe prej 1110 m2 (metër katror); detyroi parashtruesin e kërkesës, si dhe M. Hotin dhe S. Hotin, që kushërinjve të lartcekur, t’ua njohë të drejtën e pronësisë në pjesën prej 1110 m2, nga tërësia e sipërfaqes së paluajtshmërisë kontestuese prej 1944 m2; gjersa propozimi për caktimin e masës së sigurisë ishte tërhequr në seancën e 20 tetorit 2014; obligoi parashtruesin e kërkesës si dhe M. e S. Hoti, që kushërinjve të tij t’ua paguajnë shpenzimet e procedurës në shumën prej 2.897,00 euro; refuzoi në tërësi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës si dhe M. e S. Hoti, për dorëzimin e sipërfaqes prej 138 m2, nga tërësia e paluajtshmërisë prej 1944 m2, dhe kërkesën përkitazi me shpenzimet e procedurës prej 1.731 euro. Kundër këtij aktgjykimi parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit. Kjo me Aktgjykimin Ac. nr. 4253/16, refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe konfirmoi Aktgjykimin e 2 gushtit 2016 të Gjykatës Themelore. I pakënaqur me këtë aktgjykim, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, e  cila me Aktvendimin Rev. nr. 129/2021 të 14 tetorit 2021, hodhi poshtë si të palejuar kërkesën për revizion, me arsyetimin se vlera e objektit të kontestit e treguar në padinë e paditësit nuk e kalonte shumën prej 3.000 euro.

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretendoi shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).

Gjykata Kushtetuese, fillimisht vlerësoi kriteret e pranueshmërisë së kërkesës sipas Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës, duke konsideruar se parashtruesi i kërkesës ishte palë e autorizuar, kishte shteruar mjetet juridike në dispozicion, kishte saktësuar nenet e Kushtetutës dhe aktin e autoritetit publik që kontestohej në Gjykatë, dhe kërkesën e kishte dorëzuar brenda afatit kohor prej 4 (katër) muajve. Më pas, Gjykata adresoi pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljet e pretenduara duke aplikuar praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vlerësoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës ngrenë çështje të faktit dhe të ligjit, përkatësisht të “shkallës së katërt”, duke rikujtuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose të interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga gjykatat e rregullta, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe me KEDNj.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata kolaudoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave kushtetuese, ngrenë “çështje të faktit dhe të ligjit” dhe si të tilla i përkasin kategorisë së parë (i) të pretendimeve të “shkallës së katërt” të cilat reflektojnë pretendime në nivel ligjshmërie dhe jokushtetutshmërie, andaj, të njëjtat në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj duhet të deklarohet e papranueshme, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Fidan Hoti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile