Prishtinë, më 26 prill 2024
Nr. ref.:RK 2419/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI73/23
Parashtrues
Ali Bytyqi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-22-0147, të 16 marsit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Ali Bytyqi, nga Komuna e Prizrenit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Shaip Ramadani, avokat.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [AC-I-22-0147] e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit i DHPGJS-së) të 16 marsit 2023, në ndërlidhje me Aktgjykimin [AC-I-21-0245] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 18 shkurtit 2022, si dhe me Aktgjykimin [C-IV-15-0442] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, të 9 marsit 2021
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]; 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 28 mars 2023, parashtruesi i kërkesës përmes postës dorëzoi kërkesën e tij, të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e pranoi më 30 mars 2023.
Më 31 mars 2023, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi, gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Safet Hoxha dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 25 prill 2023, Gjykata njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi DHPGJS-në për regjistrimin e kërkesës dhe i dërgoi një kopje të saj.
Më 30 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se nga 1 qershori 1987 deri më 6 shtator 2013, parashtruesi i kërkesës ishte i punësuar në Ndërmarrjen shoqërore “Lavërtari dhe Blegtori” dhe në këtë cilësi iu kishte drejtuar Autoritetit të Likuidimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit me kërkesë për kompensimin e 5 (pesë) pagave të papaguara në shumën prej 930,75 euro, me arsyetimin për ndërprerjen e parakohshme të marrëdhënies së punës nga viti 2012 e deri në vitin 2013 si rezultat i fillimit të procedurës së likuidimit.
Më 23 mars 2015, Autoriteti i Likuidimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP) nxori vendimin [PRZ009-0170] përmes së cilit refuzoi kërkesën e lartcekur të parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se “paditësi nuk ishte në listën e pagave të punëtorëve aktiv për periudhën nga muaji gusht 2012 e deri në muajin gusht 2013, i njëjti nuk ka ofruar shërbime pune për NSH-në, andaj nuk i plotëson kushtet nga nenin 42.1.6.2 të Shtojcës së Ligjit të AKP-së që t’i njihet e drejta në kompensim për ndërprerje të parakohshme të kontratës së punës”.
Më 7 prill 2015, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në DHPGJS kundër vendimit të lartcekur të Autoritetit të Likuidimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, duke kërkuar anulimin e tij dhe kompensimin e pagave të papaguara për periudhën 2004-2013 në shumën prej 15,558,16 euro, duke përfshirë edhe interesin ligjor.
Më 9 mars 2021, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së përmes Aktgjykimit [C-IV-15-0442] refuzoi ankesën e parashtruesit si të pabazuar dhe konfirmoi vendimin e AKP-së, me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet e tij me prova se ka qenë në marrëdhënie të punës në kohën e fillimit të procedurës së likuidimit, si dhe nuk ka dëshmuar se ka ofruar shërbime në Ndërmarrjen shoqërore “Lavërtari dhe Blegtori”.
Më 15 prill 2021, parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të lartcekur paraqiti ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, duke kërkuar anulimin e tij me pretendimin për mosadministrim të duhur të provave në mbështetje të pretendimeve të tij për kompensimin e pagave të papaguara nga viti 2004-2013.
Më 2 qershor 2021, AKP-ja dorëzoi përgjigjen në ankesë në mbështetje të Aktgjykimit [C-IV-15-0442] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së.
Më 18 shkurt 2022, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0245] vendosi si në vijim:
Ankesa e paditësit është e bazuar;
Ndryshohet Aktgjykimi i Shkallës së I-rë të DHPGJS-së, C-IV-15-0442 të datës 09 mars 2021, dhe vendimi i Autoritetit të Likuidimit PRZ0090170 të datës 23 mars 2015;
Aprovohet padia si e bazuar;
Detyrohet AKP-ja-Autoritetit i Likuidimit, që t’i paguaj paditësit shumën prej 930,75 euro në emër të 5 pagave të papaguara si kompensim për ndërprerje të parakohshme të kontratës së punës, si dhe në emër të përfaqësimit nga ana e avokatit shumën prej 208 euro, sipas prioriteteve të përcaktuar me ligj në procedurën e likuidimit;
Nuk caktohet taksa gjyqësore për procedurën ankimore.
Kolegji i Apelit përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0245] vlerësoi se kërkesa e parashtruesit për kompensimin e pagave të papaguara për periudhën 2004-2013 në shumën prej 15.558,16 euro, si dhe interesin ligjor prej 10 përqind, nuk ishte konsideruar nga Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së me arsyetimin se kjo pjesë e kërkesës nuk ishte objekt trajtimi nga Autoriteti i Likuidimit dhe nuk kishte prova në dosje nëse parashtruesi i kërkesës e kishte parashtruar fillimisht këtë çështje në kërkesën e tij drejtuar Autoritetit të Likuidimit.
Kërkesa për përsëritjen e procedurës
Më 2 mars 2022, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesën për përsëritjen e procedurës kundër Aktgjykimit [AC-I-21-0245] të Kolegjit të Apelit, të 18 shkurtit 2022, përkitazi me kërkesën fillestare të tij për kompensimin e pagave për periudhën 2004-2013 në shumën prej 14.00,00 euro me arsyetimin se ky pretendim nuk ishte konsideruar nga kjo e fundit.
Më 29 mars 2022, DHPGJS kishte lëshuar një vërejtje për pagesën e taksës gjyqësore në vlerë prej 30 euro, përmes së cilës kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës se (i) në rast të dështimit të pagesës brenda afatit ligjor prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh, ankesa e tij do të konsiderohet e tërhequr në kuptim të nenit 253.4 dhe 253.5 të Ligjit [nr. 03/L-006] të Procedurës Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK) dhe nenit 6.4 e 6.5, si dhe 10.10 të Udhëzimit Administrativ 01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore; si dhe (ii) njoftoi për mundësinë e paraqitjes së kërkesës për lirim nga taksa gjyqësore në mungesë të mjeteve financiare.
Më 31 mars 2022, vërejtja e lartcekur i ishte dorëzuar parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës nuk iu kishte përgjigjur vërejtjes pozitivisht dhe as nuk kishte parashtruar kërkesë për lirimin nga taksa gjyqësore për procedurën ankimore.
Më 16 mars 2023, Kolegji i Apelit përmes Aktvendimit [AC-I-22-0147] duke u bazuar në nenin 253.4 dhe 253.5 të LPK-së dhe në dispozitat e Udhëzimit Administrativ 01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore konsideroi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të tërhequr me arsyetimin se nuk kishte paguar taksën gjyqësore të kërkuar përmes vërejtjes së 29 marsit 2022 dhe nuk kishte paraqitur kërkesë për lirimin nga ai detyrim.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktvendimin [AC-I-22-0147] e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 16 marsit 2023 në ndërlidhje me Aktvendimin [AC-I-21-0245] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 18 shkurtit 2022, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]; 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në lidhje nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës e ndërton rastin mbi pretendimin për shkeljen e nenit 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i (i) mungesës së seancës dëgjimore në procedurën gjyqësore të zhvilluar në Kolegjin e Apelit që rezultoi me nxjerrjen e Aktvendimit [AC-I-21-0245] të 18 shkurtit 2022; si dhe (ii) konsiderimi i kërkesës së tij për përsëritje të procedurës, si të tërhequr nga Kolegji i Apelit të DHPGJS-së përmes Aktvendimit [AC-I-22-0147] si pasojë e mospagesës së taksës gjyqësore i ka pamundësuar atij ushtrimin e të drejtës në ankesë përkatësisht marrjen e një përgjigjeje lidhur me kërkesën e tij.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se konsiderimi i kërkesës së tij për përsëritje të procedurës, si të tërhequr nga Kolegji i Apelit të DHPGJS-së përmes Aktvendimit [AC-I-22-0147] si pasojë e mospagesës së taksës gjyqësore bazohet në keqinterpretim të Udhëzimit Administrativ 01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore.
Parashtruesi i kërkesës më tej thekson se “në rastin e paraqitur paditësi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike, por, pa fajin e tij rasti ka mbetur i pazgjidhur në merita”.
Në këtë aspekt, parashtruesi thekson se “Paditësi me datë 29.3.2022 pranoi Vërejtjen për pagimin e taksës për propozimin e parashtruar, mirëpo, paditësi nuk kishte vepruar sipas vërejtjes për taksën gjyqësore. Administrata e gjykatës nuk kishte dërguar vërejtje tjetër sipas UA, për taksën e papaguar, me ndëshkim shtesë”.
Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se “Paditësi mendon se është e drejtë e pacenueshme e tij për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, me theks të posaçëm se rasti ka të bëjë me pasiguri procedurale, mungesa e gjykimit të drejtpërdrejtë në seancë dëgjimore dhe se mos mbajtjen e seancës dëgjimore gjykata nuk e ka arsyetuar me asgjë”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se “Duke treguar historikun e kontestit në këtë mënyrë, paditësi mendon se mungesa e gjykimit të drejtë, dhe mos mbajtja e seancës dëgjimore për të gjykuar rastin në meritum, pa dyshim paraqet shkelje të të drejtës kushtetuese- neni 31 i Kushtetutës që ndërlidhet me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata, të konstatojë shkelje të nenit 31 dhe 54 Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj”.
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur”.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E Drejta për një proces të rregullt)
1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”
LIGJI NR. 06/L-086 PËR DHOMËN E POSAÇME TË GJYKATËS SUPREME TË KOSOVËS PËR ÇËSHTJET NË LIDHJE ME AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT.
Neni 76
Konfliktet dhe interpretimi
“Në interpretimin dhe zbatimin e këtij ligji, kudo që është e nevojshme për të zgjidhur një çështje procedurale që nuk trajtohet mjaftueshëm me këtë ligj, Dhoma e Posaçme do të zbatojë mutatis mutandis dispozita përkatëse të Ligjit mbi Procedurën Kontestimore”.
LIGJI NR. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
PËRSËRITJA E PROCEDURËS
Neni 232
Procedura e përfunduar me aktgjykim dhe aktvendim të formës së prerë të gjykatës mund të përsëritet sipas propozimit të palës:
a) në qoftë se palës me veprim të kundërligjshëm, e sidomos në rast të mos thirrjes për në seancë nuk i jepet mundësia që të marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes kryesore;
b) në qoftë se në procedurën e përfunduar ka marrë pjesë si paditës ose si i paditur personi që nuk mund të jetë palë ndërgjyqëse, apo në qoftë se palën që është person juridik nuk e ka përfaqësuar personi i autorizuar, ose po që se palën me pazotësi procedurale nuk e ka përfaqësuar përfaqësuesi ligjor i saj, ose në qoftë se përfaqësuesi ligjor, respektivisht përfaqësuesi me prokurë i palës, nuk ka pasur autorizim të duhur për ndjekjen e çështjes në gjyq apo për kryerjen e veprimeve procedurale të caktuara, po që se ndjekja e çështjes në gjyq apo kryerja e veprimeve procedurale të caktuara nuk është lejuar më vonë nga
pala;
c) në qoftë se vendimi përfundimtar i gjykatës është bazuar në deklarata të rreme të dëshmitarëve apo të ekspertëve ose në dokumentin që është falsifikuar apo në të cilin është verifikuar përmbajtja e pasaktë;
d) në qoftë se vendimi përfundimtar i formës së prerë është pasojë e veprës penale të gjyqtarit, të përfaqësuesit ligjor apo me prokurë të palës, kundërshtare apo të personit të tretë;
e) në qoftë se pala fiton mundësinë ta përdorë vendimin e formës së prerë të gjykatës, i cili më parë, është dhënë në procedurën e zhvilluar midis palëve të njëjta për të njëjtën kërkesëpadi;
f) në qoftë se vendimi përfundimtar i formës së prerë është bazuar në një vendim tjetër gjyqësor, ose në vendimin e ndonjë organi tjetër, kurse ky vendim është ndryshuar, prishur apo anuluar në mënyrë të prerë;
g) në qoftë se pala merr dijeni për fakte të reja ose gjen prova të reja, ose e fiton mundësinë që t’i përdorë ato, në bazë të të cilave për palën do të mund të merrej vendim përfundimtar më i favorshëm, sikur faktet dhe provat e tilla të ishin përdorur në procedurën e mëparshme.
Përmbajtja e padisë
Neni 253
253.5 Në qoftë se paditësi nuk e paguan taksën gjyqësore të përcaktuar për padinë as pas vërejtjes së dërguar nga gjykata, edhe pse nuk ekzistojnë konditat për lirim nga detyrimi i pagimit të taksës gjyqësore, do të konsiderohet se padia është tërhequr.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe të përcaktuara me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
"1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç specifikohet më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47 i Ligjit
[Kërkesa individuale]
"1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48 i Ligjit
[Saktësimi i kërkesës]
"Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj".
Neni 49 i Ligjit
[Afatet]
"Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të
ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor ... ".
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [AC-I-22-0147] e Kolegjit të Apelit, të 16 marsit 2023, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kriteret e nenit 48 të Ligjit dhe i kanë dorëzuar kërkesat në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34 (2) specifikisht përcakton që:
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
"(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".
Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës. (shih rastet e Gjykatës KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 26, dhe KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore, përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Në këtë kontekst, dhe në vijim, me qëllim të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në rrethanat e këtij rasti, vlerësimit nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të paraqesë dhe aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata fillimisht rikujton se në rastin konkret ishin zhvilluar dy procedura gjyqësore. Procedura e parë ndërlidhet me kërkesën e parashtruesit drejtuar Autoritetit të Likuidimit të AKP-së, për kompensimin e 5 (pesë) pagave të papaguara në shumën prej 930,75 euro. Autoriteti i Likuidimit të AKP-së refuzoi kërkesën e lartcekur të parashtruesit të kërkesës. Ndërkohë, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në DHPGJS për anulim të vendimit të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së dhe kompensimin e pagave të papaguara për periudhën 2004-2013 në shumën prej 15,558,16 euro. Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së përmes Aktgjykimit [C-IV-15-0442] refuzoi ankesën e parashtruesit si të pabazuar dhe konfirmoi vendimin e AKP-së, me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet e tij me prova se ka qenë në marrëdhënie të punës në kohën e fillimit të procedurës së likuidimit. Pas ankimimit, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0245] vendosi në favor të parashtruesit të kërkesës duke ndryshuar aktgjykimin paraprak të Kolegjit të Specializuar dhe duke detyruar AKP-në që t’ia paguaj paditësit shumën prej 930,75 euro në emër të 5 pagave të papaguara si kompensim për ndërprerje të parakohshme të kontratës së punës. Gjithashtu, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes të njëjtit aktgjykim vlerësoi se kërkesa e parashtruesit për kompensimin e pagave të papaguara për periudhën 2004-2013 në shumën prej 15.558,16 euro nuk ishte konsideruar nga Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së me arsyetimin se kjo pjesë e kërkesës nuk ishte objekt trajtimi nga Autoriteti i Likuidimit dhe as nuk është e dëshmuar se kjo çështje ishte ngritur fillimisht tek AKP-ja nga vet parashtruesi i kërkesës.
Ndërsa, procedura e dytë ndërlidhet me kërkesën e parashtruesit për përsëritjen e procedurës së përfunduar kundër Aktgjykimit [AC-I-21-0245] të Kolegjit të Apelit, të 18 shkurtit 2022, më konkretisht, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në procedurën e dytë paraqiti kërkesë për përsëritjen e procedurës përkitazi me kërkesën e tij për kompensimin e pagave për periudhën 2004-2013 në shumën prej 14.00,00 euro me arsyetimin se ky pretendim nuk ishte konsideruar/shqyrtuar nga Kolegji i Apelit i DHPGJS-së. Në mënyrë që të procedohet me kërkesën e parashtruesit, DHPGJS kishte lëshuar një vërejtje për pagesën e taksës gjyqësore në vlerë prej 30 euro dhe informoi parashtruesin se mospagimi i taksës brenda afatit mund të çonte në tërheqjen e kërkesës së tij, ndërsa gjithashtu kishte njoftuar për mundësin e paraqitjes së kërkesës për lirim nga taksa gjyqësore për mungesë financiare. Ndonëse, parashtruesi i kërkesës kishte pranuar vërejtjen e lartcekur, ai nuk iu kishte përgjigjur vërejtjes pozitivisht dhe as nuk kishte parashtruar kërkesë për lirimin nga taksa gjyqësore për procedurën ankimore.
Nën dritën e këtyre rrethanave, Kolegji i Apelit përmes Aktvendimit [AC-I-22-0147] të 16 marsit 2023, duke u bazuar në nenin 253.4 dhe 253.5 të Ligjit nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK) dhe në dispozitat e Udhëzimit Administrativ 01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore konsideroj kërkesën e parashtruesit si të tërhequr me arsyetimin se nuk kishte paguar taksën gjyqësore të kërkuar përmes vërejtjes së 29 marsit 2022 dhe nuk kishte paraqitur kërkesë për lirimi nga ai detyrim.
Gjykata rithekson se parashtruesi i kërkesës konteston para Gjykatës, Aktvendimin [AC-I-22-0147] e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 16 marsit 2023, duke pretenduar se konsiderimi i kërkesës së tij për përsëritje të procedurës, si të tërhequr nga Kolegji i Apelit të DHPGJS-së përmes Aktvendimit [AC-I-22-0147] si pasojë e mospagesës së taksës gjyqësore i ka pamundësuar atij ushtrimin e të drejtës në ankesë, përkatësisht marrjen e një përgjigje lidhur me kërkesën e tij dhe sipas tij kjo përbën shkelje të nenit 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Në lidhje me këto pretendime, Gjykata do të trajtojë edhe do të aplikojë, në rrethanat e rastit konkret, parimet e përgjithshme për mbrojtje gjyqësore të të drejtave dhe të drejtën për mjet juridik, duke u bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe të GJEDNJ-së, për të vlerësuar nëse procedurat e ankesës në tërësinë e tyre në rastin konkret, respektivisht në rastet e kërkesës për përsëritje të procedurës mund të kenë rezultuar në shkelje të nenit 54 të Kushtetutës.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në thelb pretendon se tërheqja e kërkesës së tij për përsëritje të procedurës nga Kolegji i Apelit përmes aktvendimit të kontestuar kishte dështuar që të ofrojë mbrojtje gjyqësore të të drejtave të tij dhe kishte pamundësuar marrjen e një përgjigje përmes ushtrimit të mjetit juridik nga ana e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata rikujton përmbajtjen e nenit 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, që përcakton:
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur”.
Në këtë aspekt, Gjykata vëren që neni 54 i Kushtetutës, përbëhet nga dy rregulla por të cilat duhet lexuar së bashku dhe në ndërvarësi me njëra-tjetrën. Rregulli i parë është i përgjithshëm dhe thekson se “çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj”. Në parim, ky rregull nënkupton që mbrojtja gjyqësore është e drejtë e garantuar për secilin individ, fizik apo juridik, të cilit mund t’ i jetë “shkelur” një e drejtë ekzistuese e garantuar me Kushtetutë ose me ligj apo mund t’ i jetë “mohuar” e drejta për të fituar apo për të gëzuar ndonjë të drejtë të garantuar me Kushtetutë ose me ligj. Rregulli i dytë i këtij neni flet dhe garanton të drejtën për “mjete efektive ligjore” në rastet kur konstatohet se një e drejtë e mbrojtur me Kushtetutë apo me ligj është shkelur (shih rastin e Gjykatës KI48/18, Arban Abrashi dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, Aktgjykim i 23 janarit 2019, paragrafi 195; si dhe KI150/21, “Elezaj” SH.P.K., Aktvendim për papranueshmëri, i 13 tetorit 2022, paragrafi 49).
Neni 54 i Kushtetutës gjithashtu plotësohet dhe duhet të lexohet ngushtë dhe në lidhshmëri me nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës dhe me nenin 13 (E Drejta për Zgjidhje Efektive) të KEDNJ-së, si dhe me praktikën përkatëse gjyqësore të Gjykatës dhe të GJEDNJ-së, siç do të shpjegohet në paragrafët vijues (shih rastin e Gjykatës KI48/18, cituar më lart, paragrafi 196).
Gjykata vëren që neni 32 i Kushtetutës plotëson të dy aspektet e nenit 54 të Kushtetutës, duke garantuar të drejtën e përdorimit të mjeteve juridike kundër vendimeve gjyqësore apo vendimeve administrative e të cilat kanë cenuar të drejtat e garantuara, por duke e kufizuar këtë përdorim në mënyrën e përcaktuar me ligj. Ndërsa, neni 13 i KEDNJ-së garanton të drejtën për një “zgjidhje efektive” në rast të shkeljes së të drejtave të garantuara me KEDNJ, para një organi kombëtar, përkatësisht para një organi të përcaktuar me të drejtën vendëse.
Rrjedhimisht, në parim dhe në tërësinë e tyre, neni 54 i Kushtetutës për mbrojtjen gjyqësore të të drejtave, neni 32 i Kushtetutës për të drejtën në mjet juridik dhe neni 13 i KEDNJ-së për të drejtën për zgjidhje efektive, garantojnë: (i) të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose të mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me Kushtetutë ose me ligj; (ii) të drejtën për të përdorur mjet juridik kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat e garantuara në mënyrën e përcaktuar me ligj; (iii) të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë është shkelur; dhe (iv) të drejtën për një zgjidhje efektive në nivel kombëtar nëse është shkelur një e drejtë e garantuar me KEDNJ.
Bazuar në praktikën e GJEDNJ-së, esenca e të drejtave të garantuara me nenin 13 të KEDNJ-së, e në kontekstin e rendit kushtetues të Republikës se Kosovës, në ndërlidhje me nenin 32 e 54 të Kushtetutës, është e përcaktuar nëpërmjet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, ndër të tjera, përmes rastit Klass dhe të tjerët kundër Gjermanisë, e sipas të cilit: “Neni 13 kërkon që kur një individ e konsideron veten të paragjykuar nga një masë që pretendon se është në kundërshtim me Konventën, ai duhet të ketë një mjet juridik përpara një autoriteti kombëtar për të vendosur lidhur me pretendimet e tij dhe nëse është e nevojshme/përshtatshme, për të marrë korrigjim (“redress”). Kështu, neni 13 duhet të interpretohet si garantues për një “mjet efektiv juridik përpara një autoriteti kombëtar" për të gjithë ata që pretendojnë se të drejtat dhe liritë e tyre sipas Konventës janë shkelur””. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Klass dhe të tjerët kundër Gjermanisë, nr. 5029/71, Aktgjykim i 6 shtatorit 1979, paragrafi 64).
Në këtë kontekst, kur GJEDNJ-ja shqyrton nëse një mjet juridik i ofruar nga shteti përkatës është efektiv ose jo, në thelb ajo përgjigjet në pyetjen nëse mjeti i tillë juridik, në rast se do të ishte përdorur, a e ngërthen në vetvete mundësinë dhe kapacitetin që të parandalojnë shkeljen e pretenduar e cila ka ngjarë apo vazhdon të ngjajë, ose për shkeljen e cila tashmë ka ndodhur, a do të mundej ankuesi të gjente zgjidhje adekuate. Kjo është pyetja kryesore në të cilën GJEDNJ-ja përgjigjet kur vendos mbi efektshmërinë e një mjeti juridik.
Më konkretisht, nga jurisprudenca e GJEDNJ-së dalin kërkesat kryesore për sa i takon një mjeti efektiv juridik: (i) kërkesat thelbësore të një mjeti efektiv juridik; (ii) kërkesat institucionale për një mjet efektiv juridik; dhe, (iii) çështja e kumulativitetit të procedurave. Duke marrë parasysh që rrethanat e rastit konkret dhe pretendimet e parashtruesit të kërkesës ndërlidhen kryesisht me shkeljet e pretenduara për mbrojtje gjyqësore të të drejtave dhe efektivitetin e mjetit juridik, për shkak se sipas parashtruesit Kolegji i Apelit duke konsideruar si të tërhequr kërkesën e tij për përsëritjen e procedurës, kishte kufizuar të drejtat e tij të garantuar me nenin 31 dhe 54 të Kushtetutës, duke i pamundësuar që të marr përgjigje në merita lidhur me kërkesën e tij. Gjykata do t’i shtjellojë këto tri kritere më detajisht në vijim duke i aplikuar ato në rrethanat e rastit konkret.
Për sa i përket çështjes së parë, përkatësisht “kërkesave thelbësore të një mjeti efektiv juridik”, jurisprudenca e GJEDNJ-së tregon që për të konsideruar një mjet juridik efektiv ai duhet të jetë: (i) “efektiv në praktikë dhe në ligj”; (ii) efektiviteti duhet të jetë i tillë që të ketë mundësinë dhe kapacitetin që të parandalojë ndodhjen e një shkelje të pretenduar apo vazhdimin e asaj shkeljeje; ose (iii) të jetë një mjet juridik i cili mund të ofrojë korrigjim adekuat për çfarëdo lloj shkelje e cila ka ndodhur. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Kudla kundër Polonisë, nr. 30210/96, Aktgjykim i 26 tetorit 2000). Nuk ka mjet efektiv juridik asnjëherë në rast se fushëveprimi i rishikimit nga një gjykatë apo autoritet publik i autorizuar që të bëjë rishikim të tillë është aq i dobët sa që e ka të pamundshme të adresojë në mënyrë të duhur elementet kyç rreth asaj se a ka pasur apo jo shkelje të KEDNJ-së. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Wainwright kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 12350/04, Aktgjykim i 26 shtatorit 2006, paragrafët 53-56).
Në këtë kuptim, Gjykata vëren që këto kritere janë të plotësuara në rrethanat e rastit konkret për arsyet në vijim: (i) mjeti juridik për ngritjen e padisë, përkatësisht kërkesën për përsëritjen e procedurës dhe kushtet për ngritjen e saj është i përcaktuar në nenin 232 [Përsëritja e Procedurës] në ndërlidhje me nenin 253 [Përmbajtja e Padisë] të LPK-së, si dhe në ndërlidhje me kushtet për pagesën e taksës gjyqësore të përcaktuara sipas Udhëzimit Administrativ 01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore.
Në kuadër të procedurës se dytë përkitazi me kërkesën e parashtruesit për përsëritjen e procedurës, Gjykata vëren se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes vërejtjes së 29 marsit 2022, të pranuar nga parashtruesi, e kishte njoftuar këtë të fundit për pagesën e taksës gjyqësore ose paraqitjen e kërkesës për lirim nga taksa brenda afatit prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh.
Në këtë aspekt dhe për më tepër, Gjykata vëren se afati i përcaktuar për pagesën e taksës gjyqësore ishin në pajtim me nenin 5, nënparagrafi 5.5 i Udhëzimit Administrativ 01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore, i cili përcakton se: “Pala duhet ta paguajë taksën në afatin e caktuar nga gjykatësi, gjegjësisht kryetari i trupit gjykues, i cili nuk mund të jetë më i shkurtër se 15 ditë [...]”.
Siç rezulton nga shkresat e lëndës, Gjykata vëren se parashtruesi nuk ka adresuar kërkesat brenda afatit të përcaktuar prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh, dhe rrjedhimisht ankesa e tij ishte konsideruar si e tërhequr nga Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes Aktvendimit [AC-I-22-0147] duke u bazuar në nenin 253.4 të LPK-së dhe Udhëzimit Administrativ 01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore.
Gjykata vëren se edhe pas lëshimit të vërejtjes së lartcekur, parashtruesi kishte dështuar që të vepronte sipas kërkesave nga DHPGJS dhe, rrjedhimisht, kjo ka ndikuar në rezultatin e rastit të tij duke e refuzuar kërkesën e tij për arsye administrative.
Në këtë aspekt, Gjykata nuk mund të mos vërej se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes vërejtjes së lartcekur, të pranuar nga parashtruesi, kishte njoftuar këtë të fundit edhe për mundësin e paraqitjes së kërkesës për lirim nga taksa brenda afatit prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh, por parashtruesi nuk kishte vepruar në pajtim me këtë mundësi.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes aktvendimit të kontestuar, i ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës si rezultat i refuzimit të kërkesës së tij për përsëritje të procedurës, dhe sipas tij ky refuzim ka afektuar negativisht rezultatin e gjithë procedurës gjyqësore lidhur me kundërshtimin e vendimit të AKP-së.
Në këtë aspekt, Gjykata do t’ i referohet nenit 253 të LPK-së, që përcakton si në vijim:
“Në qoftë se paditësi nuk e paguan taksën gjyqësore të përcaktuar për padinë as pas vërejtjes së dërguar nga gjykata, edhe pse nuk ekzistojnë konditat për lirim nga detyrimi i pagimit të taksës gjyqësore, do të konsiderohet se padia është tërhequr.”
Në këtë kontekst, për sa i përket çështjes së dytë, përkatësisht “kërkesave institucionale të një mjeti efektiv juridik” për një mjet efektiv juridik, gjykata rithekson se në rrethanat e rastit konkret, gjykatat e rregullta, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes Aktvendimit të kontestuar, kishin trajtuar kërkesën e parashtruesit dhe arsyetuar tërheqjen e saj. Në lidhje me “kërkesat institucionale të një mjeti efektiv juridik” GJEDNJ-ja vlerëson çështjen e pavarësisë së atij “autoriteti publik” si dhe “garancitë procedurale që ai ofron për të determinuar efektivitetin e një mjeti”. Përderisa “pavarësia e autoritetit publik” respektivisht gjykatave të rregullta nuk është kontestuar nga ana e parashtruesit të kërkesës, në lidhje me “garancitë procedurale”, Gjykata ka parasysh se Kolegji i Apelit në trajtim të rastit të parashtruesit të kërkesës kishte analizuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës, dhe kishte sqaruar se kërkesa e parashtruesit për përsëritjen e procedurës nuk ishte në pajtim me nenin 253.4 të LPK-së i cili përcakton se “Paditësi ka për detyrë që padisë t’ia bashkëngjis vërtetimin mbi taksën gjyqësore të paguar.
Dhe, në fund, sa i përket çështjes së tretë, përkatësisht, “kumulativitetit të procedurave”, jurisprudenca e GJEDNJ-së tregon që akumulimi i tërësishëm i procedurave dhe i kanaleve të korrigjimit (“redress”) në një sistem ligjor duhet të merret parasysh kur të vendoset lidhur me atë se a ka pasur parashtruesi një mjet efektiv në dispozicion apo jo. Në këtë aspekt, GJEDNJ-ja ka theksuar që edhe nëse asnjë mjet juridik në vetvete nuk mund të përmbushë të gjitha kërkesat e nenit 13 të KEDNJ-së – totali i mjeteve juridike mund të përmbushë ato kërkesa. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Surmeli kundër Gjermanisë, nr. 75529/01, Aktgjykim i 8 qershorit 2006; shih, po ashtu, Leander kundër Suedisë, nr. 9248/81, Aktgjykim i 26 marsit 1987). Në këtë aspekt, Gjykata, duke marrë parasysh që tashmë ka konstatuar se kërkesat e dy kritereve të para janë përmbushur, gjithashtu konstaton se procedura në tërësinë e saj ka mundësuar dhe ka ofruar një mjet juridik efektiv në adresimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kriteret për vlerësimin e efektivitetit të një mjeti efektiv juridik në kuptimin e nenit 13 të KEDNJ-së, në rrethanat e rastit konkret, janë përmbushur. Gjykata vëren se Kolegji i Apelit në rastin e parashtruesit të kërkesës kishte analizuar plotësimin e kushteve lidhur me paraqitjen e kërkesës për përsëritjen e procedurës duke u bazuar në dispozitat përkatëse të LPK-së, respektivisht nenit 253, në ndërlidhje me dispozitat e Udhëzimit Administrativ 01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore, që ajo kishte konsideruar si relevante përkitazi me rrethanat e rastit konkret dhe me pretendimet thelbësore të ngritura nga parashtruesi i kërkesës (Shih rastet e Gjykatës KI48/18, cituar më lart, paragrafi 205, si dhe KI150/21, “Elezaj” SH.P.K, cituar më lart, paragrafi 63).
Gjykata vëren se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes aktvendimit të kontestuar kishte shpjeguar në mënyrë të plotë dhe të arsyeshme pse kërkesa e tij ishte konsideruar e tërhequr si rezultat i mospagesës së taksës gjyqësore.
Në anën tjetër, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës është dashur të tregojë “kujdesin e duhur” për t'i mbrojtur të drejtat e tij në pajtim me kriteret ligjore dhe kërkesat e Kolegjit të Apelit për kryerjen e hapave procedural në mënyrë që kërkesa e tij të procedohej tutje.
Gjykata konsideron se sqarimi i dhënë i Kolegjit të Apelit i DHPGJS-së përmes aktvendimit të kontestuar lidhur me refuzimin e kërkesës së tij, në rastin konkret është i qartë, përmban lidhje logjike ndërmjet bazës juridike dhe arsyetimit.
Gjykata me anë të një vëzhgimi të përgjithshëm thekson se i takon kryesisht gjykatave të rregullta, aty ku e kërkon ligji i aplikueshëm, të vlerësojë nëse është përmbushur ndonjë kusht procedural/administrativ për një apelim përpara saj. (Shih rastin Zuback kundër Kroacisë, kërkesa nr. 40160/12, Aktgjykim i 5 prillit 2018, paragrafi 86).
Për më tepër, Gjykata thekson se e drejta për akses në gjykata nuk është absolute, ajo ju nënshtrohet kufizimeve në disa rrethana të caktuara, të tilla si urdhrave që kërkojnë pagesën e një garancie judicatum solvi (Shih rastin e GJEDNJ-së, Olstoy Miloslavsky kundër Mbretërisë se Bashkuar, kërkesa nr. 18139/91, Aktgjykim i 13 korrikut 1995)
Në këtë aspekt, Gjykata më tej konsideron që parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se procedura në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së ka qenë e padrejtë apo arbitrare, apo që të drejtat dhe liritë themelore të tij të mbrojtura me Kushtetutë janë shkelur si rrjedhojë e interpretimit të gabuar të së drejtës procedurale, respektivisht LPK-së. Gjykata rithekson se interpretimi i ligjit është detyrë e gjykatave të rregullta dhe është çështje e ligjshmërisë. (Shih, rasti KI63/16, parashtrues i kërkesës Astrit Pira, Aktvendim për papranueshmëri, i 8 gushtit 2016, paragrafi 44 dhe shih, gjithashtu rastin KI150/15; KI161/15; KI162/15; KI14/16; KI19/16; KI60/16 dhe KI64/16, parashtrues të kërkesës Arben Gjukaj, Hysni Hoxha, Driton Pruthi, Milazim Lushtaku, Esat Tahiri, Azem Duraku dhe Sami Lushtaku, Aktvendim për papranueshmëri, i 15 nëntorit 2016, paragrafi 62).
Në këtë aspekt, Gjykata vëren se refuzimin i parashtruesit të kërkesës që të veprojë sipas vërejtjes së lëshuar nga DHPGJS për pagesën e taksës gjyqësore së tij mund të ketë afektuar në tërësi rezultatin e procedurës gjyqësore lidhur me kërkesën e tij për kompensim të pagave nga viti 2004-2013. Megjithatë, Gjykata thekson se nuk mund të trajtojë rrethanat jashtëgjyqësore të parashtruesit të kërkesës që kanë rezultuar në mospagesën e taksës gjyqësore apo mosparaqitjen e kërkesës për lirim nga ajo. Gjykata vëren se mospagesa e taksës gjyqësore apo mosparaqitja e kërkesës për lirim nga ai detyrim ka prodhuar efekte juridike në iniciativën e parashtruesit për fillimin e procedurës gjyqësore pranë Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së.
Gjykata vëren interesin e parashtruesit për realizimin e kërkesës së tij në procedurat e zhvilluar në gjykatat e rregullta, por mungesa e maturisë apo kujdesit të nevojshëm lidhur me respektimin e hapave procedural mund të kontribuojë në mënyrë vendimtare lidhur me rezultatin përfundimtarë të rastit të parashtruesit.
Gjykata rithekson se efikasiteti i mjeteve juridike të parapara me nenin 54, respektivisht nenin 32 të Kushtetutës, në pajtim me praktikën e GJEDNJ-së, nuk përcaktohet në bazë të asaj nëse parashtruesi i kërkesës me shfrytëzimin e tyre ka arritur t'i realizojë qëllimet e tij në mënyrën se si ai kishte synuar, por nëse ai kishte pasur mundësinë që me mjetin juridik që ai e shfrytëzon të mund të paraqesë argumentet e tij që do të shqyrtohen nga autoritetet kompetente (shih rastin e GJEDNJ-së, Soering kundër Mbretërisë se Bashkuar, Aktgjykim i 7 korrikut 1989, paragrafi 120, shih gjithashtu rastin KI76/20, parashtrues Kujtim Zarari, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 korrikut 2020, paragrafi 45).
Gjykata, në fund, gjithashtu thekson se pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e procedurës nga gjykatat e rregullta nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin e GJEDNJ-së, Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, nr. 5503/02, Aktgjykim i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Gjykata përsërit që nuk është detyrë e saj, sipas Kushtetutës, të veprojë si Gjykatë e Apelit, apo gjykatë e shkallës së katërt, lidhur me vendimet e nxjerra nga gjykatat e rregullta. Është detyrë e gjykatave të rregullta t'i interpretojnë dhe t’i zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale (shih, mutatis mutandis, Garcia Ruiz kundër Spanjës, kërkesa nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28)
Bazuar në si më sipër dhe duke marrë parasysh pretendimet e ngritura në rrethanat e rastit konkret dhe faktet e paraqitura, Gjykata, duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore dhe në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstaton se Aktvendimi [AC-I-22-0147] i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 16 marsit 2023, nuk është nxjerrë në shkelje dhe është në përputhshmëri me të drejtat për mbrojtje gjyqësore të të drejtave të garantuara me nenin 54, të së drejtës në mjet juridik efektiv të garantuar me nenin 32 të Kushtetutës në lidhje me të drejtën për zgjidhje efektive të garantuar me nenin 13 të KEDNJ-së.
Prandaj, në këto rrethana, Gjykata duke u mbështetur në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, konstaton se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës bie në kategorinë e tretë (iii), pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, andaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Përkitazi me Aktgjykimin [AC-I-21-0245] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 18 shkurtit 2022
Përkitazi me pretendimin e parashtruesit se Aktgjykimi [AC.-I-21-0245] i 18 shkurtit 2022, i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, shkel të drejtat e garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, si rezultat i mungesës së seancës dëgjimore përgjatë zhvillimit të kësaj procedure gjyqësore. Gjykata së pari vlerëson nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...]”.
Gjykata më tej i referohet edhe rregullit 29 [Llogaritja e periudhës kohore] dhe rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës:
Rregulli 29
[Llogaritja e periudhës kohore]
Periudha kohore, e përcaktuar në Kushtetutë, në Ligj dhe në këtë rregullore të punës, llogaritet si më poshtë:
[...]
(d) Kur periudha shprehet me muaj, ajo përfundon me kalimin e ditës së njëjtë kalendarike të muajit me ditën gjatë të cilës ka ndodhur ngjarja ose veprimi për të cilin duhet të llogaritet periudha kohore.
(g) përjashtimisht, nëse periudha përfundon të shtunën, të dielën ose në ndonjë festë zyrtare, ajo do të vazhdojë deri në fund të ditës së parë të punës që vjen pas saj.
Rregulli 34
[Kriteret e pranueshmërisë]
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit;
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [AC-I-21-0245] e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 18 shkurtit 2022.
Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet të parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në rrethanat konkrete, parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [AC-I-21-0245] të 18 shkurtit 2022, të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së. Gjykata rikujton se, në rastin e parashtruesit, pas pranimit të Aktgjykimit [AC-I-21-0245] të 18 shkurtit 2022, të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, asgjë nuk e ka ndaluar atë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata rikujton se Aktgjykimi [AC-I-21-0245] i 18 shkurtit 2022, të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, edhe pse parashtruesi nuk ka cekur datën e pranimit të këtij vendimi, nga faktet e rastit, është e qartë se koha në mes të pranimit të aktgjykimit dhe datës së dorëzimit të kërkesës së tij, më 30 mars 2023, në Gjykatën Kushtetuese, ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh (shih rastin e Gjykatës KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, cituar më lart, paragrafi 44).
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se kërkesa/pretendimet e parashtruesit në lidhje me Aktgjykimin [AC-I-21-0245] e 18 shkurtit 2022, të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t’u kontestuar (shih rastet e Gjykatës KI48/21 parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21 parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, Aktgjykim i 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se përkitazi me pretendimin e parashtruesit që ndërlidhet me Aktgjykimin [AC-I-21-0245] e 18 shkurtit 2022, të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
Përfundime
Përkitazi me pretendimet e parashtruesit se Aktvendimi [AC-I-22-0147] i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 16 marsit 2023, është nxjerrë në kundërshtim me nenin 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata konstatoi se: (i) ky pretendim i parashtruesit të kërkesës bie në kategorinë e tretë (iii), pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, andaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Përkitazi me pretendimin e parashtruesit se Aktgjykimi [AC-I-21-0245] i 18 shkurtit 2022, i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, është nxjerr në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se në këtë pikë kërkesa është parashtruar jashtë afatit të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, të nenit 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (2) dhe 34 (1) (c) të Rregullores së punës, më 30 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Ali Bytyqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile, Administrative