Prishtinë, më 16 dhjetor 2024
Nr. Ref:RK 2587/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI177/24
Parashtrues
“Lakeside AG” SH. P. K.
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit K. DH. Sh. II. nr. 1603/23 të 25 janarit 2024 të Gjykatës Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Bajram Ljatifi, gjyqtar
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar në emër të “Lakeside AG” SH. P. K. nga Feim Pulaj, pronar i kompanisë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), me seli në Prizren, i përfaqësuar në Gjykatë nga avokatët Emira Gavazaj dhe Taulant Hodaj.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [K. DH. Sh. II. nr. 1603/23] të 25 janarit 2024 të Gjykatës Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë), në ndërlidhje me Aktvendimin [KPPP. nr. 1206/22] e 23 tetorit 2023 të Gjykatës Komerciale të Kosovës - Dhomat e Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Ekonomike (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Komerciale-Dhomat e Shkallës së Parë).
Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e kishte pranuar më 15 prill 2024.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme], paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 14 gusht 2024, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 2 shtator 2024, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [nr. GJR. KI177/24] caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi gjyqtare raportuese dhe përmes Vendimit [nr. KSH. KI177/24] caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 5 shtator 2024, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Në të njëjtën ditë, Gjykata i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë, duke i kërkuar që në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh nga dita e pranimit të shkresës, të dorëzojë në Gjykatë fletëkthesën, me të cilën dëshmohet se kur e ka pranuar parashtruesi i kërkesës aktvendimin e kontestuar.
Më 18 shtator 2024, Gjykata Komerciale-Dhomat e Shkallës së Parë dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën me të cilën vërtetohet se parashtruesi i kërkesës ka pranuar vendimin e kontestuar më 15 prill 2024.
Më 26 nëntor 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës është kompani e cila si veprimtari kryesore ka hotelierin dhe akomodimin e ngjashëm.
Përmbledhja e fakteve në procedurën e zhvilluar pranë Administratës Tatimore të Kosovës
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Administratën Tatimore të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: ATK) kërkesë për rimbursim të TVSH-së shtesë në shumën prej 2,830,000.00 (dy milionë e tetëqind e tridhjetë mijë) euro.
Më 31 gusht 2020, ATK përmes Raportit [15460] të kontrollit/rimbursimit: (i) konstatoi mospërputhje në regjistrimet e parashtruesit të kërkesës, duke i vendosur këtij të fundit TVSH shtesë për pagesë në vlerë prej 929.31 euro (nëntëqind e njëzetë e nëntë euro e tridhjetë e një cent) dhe ulje të kreditimit prej 48,318.27 euro (katërdhjetë e tetë mijë e treqind e tetëmbëdhjetë euro e njëzetë e shtatë cent); dhe (ii) vlerësoi se lidhur me periudhën e kontrollit qershor 2019-shkurt 2020, parashtruesit të kërkesës duhej t’i rimbursohej TVSH në vlerë prej 2,787,658.27 euro (dy milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e tre euro e njëzetë e shtatë cent).
Në një datë të paspecifikuar, Zyra Qendrore e ATK-së parashtroi kërkesë për hapjen e rikontrollit ndaj parashtruesit të kërkesës.
Më 12 mars 2021, ATK përmes Raportit [15460] të rikontrollit konstatoi se vlera e kreditimit të mbetur për periudhën e verifikimit qershor 2019-shkurt 2020 për parashtruesin e kërkesës ishte 2,787,658.27 euro (dy milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e tetë euro e njëzetë e shtatë cent).
Më 20 mars 2021, parashtruesi i kërkesës, përmes Formularit të Deklarimit të TVSH-së, paraqiti në ATK kërkesë për rimbursim të TVSH-së në vlerë prej 2,787,658.27 euro (dy milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e tetë euro e njëzetë e shtatë cent).
Më 28 prill 2021, Divizioni për Rimbursim i ATK-së përmes vendimit pezulloi procedurën administrative – tatimore, sipas kërkesës së lartcekur të parashtruesit të kërkesës për rimbursim, deri në përfundimin e procedurës penale që po zhvillohej kundër tij nga Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore), lidhur me dyshimin se transaksionet e kryera me kompaninë [B.K.] ishin transaksione fiktive, me qëllim të mashtrimit financiar dhe përfitimit të kundërligjshëm të TVSH-së. Më konkretisht, përmes këtij vendimi, ATK konstatoi se transaksionet e njëjta që ishin objekt i rimbursimit ishin objekt i hetimit nga Prokuroria Themelore, dhe se, mbështetur në paragrafin 1 të nenit 85 (Çështjet paraprake) të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative), procedura penale ka përparësi ndaj procedurës administrative.
Më 12 maj 2021, parashtruesi i kërkesës paraqiti propozim për përmbarim pranë Përmbaruesit privat M. SH., kundër ATK-së, përmes së cilit kërkoi që në bazë të Raportit [15460] të rikontrollit të 12 marsit 2021 të ATK-së, kjo e fundit t’ia paguajë borxhin në shumë prej 2,787,658.27 euro (dy milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e tetë euro e njëzetë e shtatë cent), me kamatëvonesë vjetore 8% nga afati prej tridhjetë (30) ditësh pas paraqitjes së kërkesës për rimbursim dhe shpenzimet e përmbarimit.
Në të njëjtën datë, Përmbaruesi privat, përmes Urdhrit [P. nr. 116/2021] lejoi përmbarimin në bazë të Raportit [15460] të rikontrollit të 12 marsit 2021 të ATK-së, duke urdhëruar këtë të fundit që menjëherë pas pranimit të urdhrit t’ia paguajë kreditorit shumën prej 2,787,658.27 euro (dy milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e tetë euro e njëzetë e shtatë cent) në emër të rimbursimit të TVSH-së, si dhe shpenzimet e procedurës përmbarimore.
Nga shkresat e lëndës rezulton se, më 24 maj 2021, Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës i ATK-së, përmes parashtresës [197/2021], i përcolli Prokurorisë Themelore kërkesën e Përmbaruesit privat drejtuar ATK-së lidhur me ekzekutimin e vlerës së rimbursimit, sipas Raportit të lartcekur të rikontrollit për parashtruesin e kërkesës.
Më 25 maj 2021, Prokuroria Themelore përmes Shënimit Zyrtar [PP. II. nr. 1905/2021], njoftoi se meqenëse ishte duke zhvilluar procedurë penale ndaj bizneseve dhe personave të përfshirë në rastin konkret, kërkesa e parashtruesit të kërkesës për rimbursim nuk mund të përmbushet derisa është duke u zhvilluar procedura penale.
Më 26 maj 2021, ATK dorëzoi prapësim në Gjykatën Themelore në Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), përmes së cilit kundërshtoi Urdhrin përmbarimor [P. nr. 116/2021], me arsyetimin se (i) raporti i rikontrollit i 12 marsit 2021 nuk është titull ekzekutiv dhe nuk paraqet bazë për lejimin e përmbarimit; (ii) raporti i rikontrollit është pezulluar me vendimin e 28 prillit 2021 të Divizionit për Rimbursim të ATK-së; dhe se (iii) përmes shënimit zyrtar [PP. II. nr. 1905/21] të 25 majit 2021, ATK është udhëzuar nga Prokuroria Themelore që të pezullojë procedurën deri në përfundim të procedurës penale.
Më 9 qershor 2021, parashtruesi i kërkesës paraqiti në Gjykatën Themelore në Prishtinë përgjigje në prapësim përmes së cilës kërkoi refuzimin e prapësimit të ATK-së si të pathemeltë, duke arsyetuar se (i) Raporti [15460] i rikontrollit i ATK-së është bazë për lejimin e përmbarimit, sipas paragrafit 3 të nenit 24 (Përmbarueshmëria e vendimit) të Ligjit për Procedurën Përmbarimore (në tekstin e mëtejmë: LPP); dhe (ii) vendimi i ATK-së për pezullimin e procedurës administrative është nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe nuk përmban elementet esenciale formale – juridike, përkatësisht nuk përmban udhëzim juridik.
Më 23 tetor 2023, Gjykata Komerciale-Dhomat e Shkallës së Parë përmes Aktvendimit [KPP. nr. 1206/22] pranoi si të bazuar prapësimin e ATK-së dhe anuloi Urdhrin Përmbarimor [P. nr. 116/2021], të 12 majit 2021, pasi vlerësoi që Raporti i rikontrollit i 12 marsit 2021 nuk paraqet bazë për lejimin e përmbarimit pasi që nuk përmban atributet e një vendimi të organit administrativ, sipas paragrafit 2 të nenit 23 (Vendimi dhe ujdia) të LPP-së dhe as klauzolën e përmbarueshmërisë, sipas nenit 36 (Vërtetimi për përmbarueshmërinë) të LPP-së. Përmes këtij aktvendimi, Gjykata Komerciale-Dhomat e Shkallës së Parë po ashtu sqaroi se mori parasysh të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës, përfshirë pretendimet lidhur me mungesën e kompetencës së AKP-së për pezullimin e procedurës, duke theksuar se “[...] Gjykata u lëshua vetëm në vlerësimin e elementeve formale të dokumentit mbi bazën e të cilit është lejuar përmbarimi, dhe i cili, në formën e paraqitur, nuk është i përshtatshëm për përmbarim, dhe nuk paraqet bazë për lejimin e përmbarimit”.
Më 8 nëntor 2023, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë kundër aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e Shkallës së Parë, përmes së cilës pretendoi se (i) sipas nenit 21 (Bazat juridike për caktimin e përmbarimit) dhe pikës 1.2 të paragrafit 1 të nenit 22 (Dokumenti përmbarues) të LPP-së, Raporti i rikontrollit është akt administrativ përfundimtar që bëhet në rastet e vlerësimit lidhur me të gjeturat në atë biznes që është kryer kontrolli; dhe (ii) referimi i ATK-së në nenin 85 (Çështjet paraprake) të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative është i pabazuar, me arsyetimin se në këtë rast nuk ka çështje paraprake.
Më 25 janar 2024, Gjykata Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë përmes Aktvendimit [K. DG. SH.II. nr. 1603/23], refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin [KPP. nr. 1206/22] e Gjykatës Komerciale-Dhomat e Shkallës së Parë.
Në arsyetimin e aktvendimit të lartcekur, Gjykata Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë vlerësoi se: “Raporti i rikontrollit me nr. të dosjes 15460 dt. 12.03.2021 dhe Raporti i kontrollit me nr. të dosjes 15460 dt. 31.08.2020 nuk paraqesin bazë për lejimin e përmbarimit sepse nuk përmbajnë elementet e një vendimi të organit administrativ në kuptim të nenit 23, par.2 të LPP-së në mënyrë që të jenë të përshtatshme për përmbarim, nuk përmbajnë strukturën dhe elementet e detyrueshme të cilat kërkohen me nenin 47 të Ligjit 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe nuk janë në pajtim me nenin 36 të LPP-së”. Më tutje, në arsyetimin e aktvendimit të lartcekur, Gjykata Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë sqaroi se ka analizuar pretendimet e kreditorit, por vlerësoi se të njëjtat nuk janë çështje e procedurës dhe si të tilla nuk janë relevante për procedurën dhe për një vendosje ndryshe nga ajo se çka ka vendosur gjykata e shkallës së parë.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes aktvendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si rezultat i mosarsyetimit të vendimit gjyqësor. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës thekson se një gjykatë kombëtare është e obliguar që të vlerësojë dhe adresojë të gjitha çështjet thelbësore të rastit që paraqiten nga palët dhe jo vetëm t’i vërtetojë gjetjet e gjykatës së shkallës më të ulët. Po ashtu, parashtruesi i kërkesës, duke iu referuar praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, shton se arsyetimi i vendimeve është element thelbësor dhe për konsideratën që gjykatat e shkallës më të lartë duhet të tregojnë kur miratojnë vendimet e gjykatave të shkallës më të ulët (shih, rastin e GJEDNJ-së Tatishviil kundër Rusisë, nr. 1509/02 i 22 shkurtit 2007, par. 62).
Në lidhje me pretendimin e tij për mosarsyetim të vendimit gjyqësor, parashtruesi i kërkesës thekson se “Problemi qëndron që Aktvendimi K.DH.SH.II.nr. 1603/23, i Gjykatës Komerciale në Kosovë nuk ka marrë për bazë argumentet e “Lakeside AG” Sh.p.k., se pse duhet të lihet në fuqi Urdhri Përmbarimor me të cilin iu është njohur e drejta në rimbursim të mjeteve nga ATK, pasi që Raporti i kontrollit përbën aktin e fundit të ATK-së në lidhje me rimbursim konform nenit 23, par. 2 të Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore [...]”. Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë nuk ka marrë për bazë Aktvendimin [AC. nr. 2381/19] e Gjykatës së Apelit në Kosovë të 7 gushtit 2019, të bashkëngjitur nga parashtruesi i kërkesës, duke pretenduar se është rast i ngjashëm me rastin e tij.
Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 32 të Kushtetutës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes Vendimit të ATK-së të 28 prillit 2021 për pezullim të procedurës administrative, deri në përfundim të procedurës penale, atij i është shkelur e drejta e tij e garantuar me nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës pasi që sipas tij i njëjti paraqet akt administrativ të paligjshëm, pa numër reference dhe pa udhëzim juridik dhe si i tillë pa pasoja juridike.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që (i) të deklarojë se kërkesa është e pranueshme; (ii) të konstatojë se ka pasur shkelje të neneve 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin e Gjykatës Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë; dhe (iii) të kthejë Aktvendimin e Gjykatës Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë për rivendosje, në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës.
DISPOZITAT PËRKATËSE KUSHTETUESE DHE LIGJORE
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]”
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj”.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë”.
LIGJI NR. 05/L-031 PËR PROCEDURËN E PËRGJITHSHME ADMINISTRATIVE
Neni 47
(Struktura dhe elementet e detyrueshme të aktit administrativ të shkruar)
“1. Akti administrativ i shkruar përmban:
1.1. pjesën hyrëse, që tregon emrin e organit publik që ka nxjerrë aktin, bazën ligjore, emrin e atij të cilit i drejtohet akti, shënim të shkurtër të lëndës së procedurës dhe datën e nxjerrjes;
1.2. pjesën urdhëruese (dispozitivin), që tregon çfarë është vendosur si dhe afatin,
kushtin, detyrimin dhe shpenzimet e procedurës, nëse është i zbatueshëm. Dispozitivi mund të ndahet edhe në më shumë pika. Shpenzimet e procedurës përcaktohen në pikë të veçantë të dipozitivit.
1.3. pjesën arsyetuese (në vijim: arsyetimin);
1.4. pjesën përmbyllëse, që tregon kohën e hyrjes në fuqi të aktit, informatat për mjetet juridike, përfshirë organin publik apo gjykatën ku paraqitet mjeti juridik administrativ apo gjyqësor, formën e mjetit, afatin përkatës dhe mënyrën e llogaritjes së tij (këshillën juridike). Në rast kur ushtrimi i ankesës administrative, sipas ligjit, nuk pezullon zbatimin e aktit administrativ, pjesa përmbyllëse gjithashtu duhet të përmbajë këtë informacion, si dhe bazën ligjore për një përjashtim të tillë.
2. Nëse nuk parashikohet ndryshe me ligj, akti administrativ i shkruar përmban emrin e mbiemrin e shkruar dhe nënshkrimin e nëpunësit përgjegjës gjegjësisht të kryetarit dhe të procesmbajtësit të organit kolegjial. Nëse procesmbajtësi ndodhet në pamundësi për të nënshkruar, në vend të tij nënshkruan një nga anëtarët e organit kolegjial;
[...]”.
Neni 85
(Çështjet paraprake)
“1. Kur organi publik që zhvillon procedurën has në një çështje, zgjidhja e së cilës është
parakusht për zgjidhjen e çështjes kryesore dhe e cila përbën një çështje juridike të pavarur (në vijim: çështje paraprake”), për zgjidhjen e së cilës është kompetente një gjykatë apo organ tjetër, organi publik që zhvillon procedurën do të pezullojë çështjen kryesore, derisa çështja paraprake të jetë vendosur dhe do të njoftojë palën për vendimin e pezullimit”.
LIGJI NR. 05/L -037 PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR
Neni 40
(Kërkesat për rimbursim të TVSH-së)
“3. Dëshmitë në lidhje me kërkesën e rimbursimit të TVSH-së janë si në vijim:
3.1. në momentin e bërjes së kërkesës për rimbursim, personi i tatueshëm duhet të posedojë të gjitha evidencat dhe dokumentet e referuara në paragrafin 4 të këtij neni dhe të përcaktuara me aktin nënligjor nga Ministri i Financave;
3.2. ATK-ja nuk do të bëjë rimbursimin nëse personi i tatueshëm nuk posedon evidencat dhe dokumente, ose nëse ka indikacione që të dhënat e raportuara në deklaratën e TVSH-së në të cilën është raportuar shuma e rimbursimit të TVSH-së dhe deklaratat e mëparshme të TVSH-së nuk janë të sakta. Indikacionet e tilla duhet të dokumentohen në raport zyrtar të zyrtarit të ATK-së ose Doganës. Raporti zyrtar siguron evidencë derisa personi i tatueshëm të dëshmojë të kundërtën. ATK me një vendim të arsyetuar duhet të njoftojë personin e tatueshëm për mbajtjen e rimbursimit dhe ofrojë shpjegim për arsyet e mbajtjes së rimbursimit;
3.3. rimbursimi do të mbahet derisa zyra kompetente e ATK-së të pranojë evidencat e nevojshme, dokumentet dhe deklaratat tatimore që kanë munguar. Nëse dokumentacioni nuk sigurohet brenda afateve të parapara, të caktuara nga ATK-ja, kontrolli i kërkesës për rimbursim të TVSH-së do të mbyllet dhe raporti final i cili do të shpjegojë arsyet për mos aprovimin e kërkesës së rimbursimit do t’i lëshohet dhe ofrohet tatimpaguesit; [...]”.
LIGJI NR. 04/L-139PËR PROCEDURËN PËRMBARIMORE
Neni 21
(Bazat juridike për caktimin e përmbarimit)
“1. Organi përmbarues e cakton, përkatësisht e zbaton përmbarimin vetëm në bazë të dokumentit përmbarues (titulus executionis) dhe dokumentit të besueshëm, po që se me këtë ligj nuk është parashikuar diçka tjetër”.
Neni 22
(Dokumenti përmbarues)
“1. Dokumente përmbaruese janë:
1.1. vendimi përmbarues i Gjykatës dhe ujdia (pajtimi) gjyqësore përmbaruese;
1.2. vendimi përmbarues i dhënë në procedurë administrative dhe aktpajtimi (më tej: ujdia);
1.3. dokumenti noterial i përmbarueshëm në pajtim me ligjin për noterinë;
1.4. marrëveshja e lidhur në procedurën e ndërmjetësimit në pajtim me Ligjin mbi ndërmjetësimin pas aprovimit të Gjykatës;
1.5. aktvendimet, aktet dhe memorandumet për ujditë gjyqësore të gjykatave të huaja si dhe vendimet e gjykatave të huaja të arbitrazhit dhe ujditë e arritura para gjykatave të tilla në raste të arbitrazhit, të cilat janë pranuar për përmbarim brenda territorit të Republikës së Kosovës;
1.6. vendimet dhe marrëveshjet përmbaruese të arbitrazhit në Republikën e Kosovës të shpallura të ekzekutueshme nga Gjykata;
1.7. kontrata për hipotekën e vërtetuar nga organi kompetent dhe regjistruar në regjistrin publik sipas ligjit;
1.8. vendimi gjyqësor i vërtetuar si urdhër përmbarues evropian;
1.9. dokumenti tjetër që me ligj është quajtur dokument përmbarues”.
Neni 23
(Vendimi dhe ujdia)
1. Sipas këtij ligji, vendim gjyqësor konsiderohet aktgjykimi, aktvendimi, si dhe vendimi tjetër i dhënë në procedurën gjyqësore ose të arbitrazhit, kurse ujdi gjyqësore konsiderohet ujdia e arritur përpara Gjykatës dhe arbitrazhit si dhe marrëveshja e arritur në procedurën e ndërmjetësimit.
2. Vendim i organit administrativ, sipas këtij ligji konsiderohet vendimi dhe konkluzioni i dhënë në procedurë administrative nga organi ose shërbimi administrativ apo nga personi juridik i ngarkuar me autorizime publike, kurse aktpajtim administrativ konsiderohet ujdia e arritur në procedurën administrative përpara organit ose shërbimit, përkatësisht personit juridik të tillë, po që se ka të bëjë me detyrimin në të holla dhe po që se me ligj nuk është paraparë diçka tjetër”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Vlerësimi i pranueshmërisë përkitazi me Aktvendimin [K.DH.Sh.II.nr.1603/23] e 25 janarit 2024 të Gjykatës Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafit 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
Neni 21
“[…]
Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme”.
Neni 113
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata u referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik”.
[...]
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të dorëzojë ankesë kushtetuese, duke iu referuar shkeljeve të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore, që vlejnë për individët dhe personat juridikë (shih, rastet e Gjykatës KI41/09, parashtrues Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendim për papranueshmëri, i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14; dhe KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, Aktgjykim i 11 dhjetorit 2019, paragrafi 40). Po ashtu, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës, si palë e autorizuar, konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [K. DH. Sh. II. nr. 1603/23] e 25 janarit 2024 të Gjykatës Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar të nenit 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Paragrafi (2) i rregullit 34 të Rregullores së punës përcakton kushtet në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtojë një kërkesë, duke përfshirë edhe kushtin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Konkretisht, paragrafi (2) i rregullit 34 përcakton:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e Gjykatës KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 13 prillit 2021, paragrafi 26; dhe KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 tetorit 2021, paragrafi 53).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me faktin se parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar kërkesë për rimbursim të TVSH-së në ATK, duke u bazuar në Raportin e kontrollit të rimbursimit. ATK, përmes Raportit të rikontrollit, konstatoi se vlera e kreditimit të mbetur për periudhën e verifikimit për parashtruesin e kërkesës ishte 2,787,658.27 euro (dy milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e tetë euro e njëzetë e shtatë cent). Mbi këtë bazë, parashtruesi i kërkesës paraqiti në ATK përmes Formularit të Deklarimit të TVSH-së kërkesën për rimbursim. Më pas, ATK nxori vendim për pezullimin e procedurën administrative – tatimore, me arsyetimin se transaksionet e njëjta (faturat e njëjta) ishin objekt i hetimit nga Prokuroria Themelore. Pas këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës paraqiti propozim për përmbarim pranë Përmbaruesit privat, duke kërkuar që në bazë të Raportit të rikontrollit të ATK-së, kjo e fundit t’ia paguajë borxhin atij në shumë prej 2,787,658.27 euro (dy milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e tetë euro e njëzetë e shtatë cent), me kamatëvonesë vjetore 8% nga afati prej tridhjetë (30) ditësh pas paraqitjes së kërkesës për rimbursim dhe shpenzimet e përmbarimit. Përmbaruesi privat nxori Urdhër për Përmbarim duke e urdhëruar ATK që menjëherë pas pranimit të urdhrit t’ia paguajë borxhin. Më pas, ATK dorëzoi prapësim në Gjykatën Themelore, të cilën Gjykata Komerciale – Dhomat e Shkallës së Parë e pranoi si të bazuar. Kundër këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë, ku kjo e fundit refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Komerciale-Dhomat e Shkallës së Parë.
Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e mësipërme të Gjykatës Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë dhe të Gjykatës Komerciale-Dhomat e Shkallës së Parë me pretendimin se i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i mosarsyetimit të vendimit gjyqësor.
Sa i përket pretendimit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës pretendon mosarsyetim të vendimit gjyqësor duke theksuar se Gjykata Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë nuk ka marrë për bazë argumentet e parashtruesit të kërkesës lidhur me arsyet se pse duhet të lihet në fuqi Urdhri përmbarimor, me të cilin i është njohur e drejta në rimbursim të mjeteve nga ATK.
Në këtë drejtim, Gjykata thekson se bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së të cilën e ka përvetësuar edhe Gjykata, rezulton, ndër të tjera, se (i) garancitë e mishëruara në paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së dhe nenin 31 të Kushtetutës, përfshijnë edhe detyrimin e gjykatave që të paraqesin arsyetim të mjaftueshëm për vendimet e tyre; (ii) vendimi i arsyetuar gjyqësor u tregon palëve se rasti i tyre është shqyrtuar me të vërtetë; (iii) gjykata më e ulët ose autoriteti shtetëror, duhet të japin arsye dhe arsyetime të tilla të cilat do t'ua mundësojnë palëve të shfrytëzojnë në mënyrë efektive çdo të drejtë ekzistuese të ankesës; (iv) paragrafi 1 i nenit 6 të KEDNJ-së dhe neni 31 i Kushtetutës i detyron gjykatat të japin arsye për vendimet e tyre, por kjo nuk do të thotë se kërkohet përgjigje e detajuar lidhur me secilin argument; dhe se (v) nga natyra e vendimit që merr, varet nëse gjykata është e detyruar ta arsyetojë atë, dhe kjo mund të vendoset vetëm në dritën e rrethanave të rastit në fjalë: është e nevojshme të merren parasysh, ndër të tjera, llojet e ndryshme të parashtresave që një palë mund t'ia paraqesë gjykatës, si dhe dallimet që ekzistojnë midis sistemeve juridike të vendeve në lidhje me dispozitat ligjore, rregullat zakonore, pozicionet juridike dhe paraqitjen dhe hartimin e aktgjykimeve (për një elaburim më të detajuar përkitazi me parimet e një vendimi gjyqësor të arsyetuar shih, rastet e GJEDNJ-së, Suominen kundër Finlandës, nr. 37801/97, Aktgjykim i 1 korrikut 2003, paragrafi 34; Hirvisaari kundër Finlandës, nr. 49684/99, Aktgjykim i 25 dhjetorit 2001, paragrafi 30; Van de Hurk kundër Holandës, nr. 16034/90, Aktgjykim i 19 prillit 1994, paragrafi 61; García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim, i 21 janarit 1999, paragrafi 26; Perez kundër Francës, nr. 47287/99, Aktgjykim i 12 shkurtit 2004, paragrafi 81; Ruiz Toria kundër Spanjës, nr. 18390/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 29; si dhe rastet e Gjykatës KI143/22, parashtrues Hidroenergji sh.p.k., Aktgjykim i 15 dhjetorit 2022, paragrafët 113-124; dhe KI164/23, KI173/23, KI174/23, KI175/23, KI176/23 dhe KI201/23, parashtrues Murat Syla, Gentian Syla, Shqipe Kelmendi, Rinor Sogojeva, Asdren Mustafaj, dhe Besnik Elshani, cituar më lart, paragrafët 148- 150).
Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë nuk mori për bazë argumentet e parashtruara nga ana e tij lidhur me pretendimet se: (i) Urdhri përmbarimor duhet të lihet në fuqi, për arsye se Raporti i rikontrollit është dokument i përmbarueshëm; dhe (ii) Gjykata e Apelit në një rast të ngjashëm kishte vendosur ndryshe.
Në këtë drejtim, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës përkitazi me përmbarueshmërinë e Raportit të rikontrollit, Gjykata vëren se, Gjykata Komerciale – Dhomat e Shkallës së Parë, anulimin e Urdhrit përmbarimor e arsyetoi mbi bazën se Raporti i rikontrollit i 12 marsit 2021 nuk paraqiste bazë për lejimin e përmbarimit, përkatësisht nuk përmbante atributet e një vendimi të organit administrativ dhe klauzolën e përmbarueshmërisë, të përcaktuar sipas nenit 36 (Vërtetimi për përmbarueshmërinë) të LPP-së.
Gjithashtu, Gjykata Komerciale - Dhomat e Shkallës së Dytë vlerësoi se Raporti i rikontrollit dhe Raporti i kontrollit nuk paraqesin bazë për lejimin e përmbarimit, duke theksuar se: “Edhe kjo gjykatë vlerëson Raporti i rikontrollit me nr. Dosjes 15460 dt.12.03.2021 dhe Raporti i kontrollit me nr. Dosjes 15460 dt. 31.08.2020 nuk paraqesin bazë për lejimin e përmbarimit sepse nuk përmbajnë elementet e një vendimi të organit administrativ në kuptim të nenit 23 par.2 të LPP në mënyrë që të jenë të përshtatshme për përmbarim, nuk përmbajnë strukturën dhe elementet e detyrueshme të cilat kërkohen me nenin 47 të Ligjit 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe nuk janë në pajtim me nenin 36 të LPP-së”.
Lidhur me pretendimin se Gjykata Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë nuk ka marrë për bazë Aktvendimin [AC. nr. 2381/19] e Gjykatës së Apelit të bashkëngjitur si provë, Gjykata vëren se rasti i dorëzuar nga parashtruesi i kërkesës në mbështetje të pretendimeve të tij, ngërthen rrethana të ndryshme faktike dhe juridike nga rrethanat konkrete në rastin e tij. Në këtë aspekt, Gjykata vëren se në rastin të cilit i referohet parashtruesi i kërkesës, kreditori, propozimit për përmbarim i kishte bashkëngjitur disa dokumente shtesë, përfshirë edhe formularin e aprovimit të kërkesës.
Nga sa më sipër, Gjykata konsideron se Gjykata Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë ka adresuar dhe u është përgjigjur pretendimeve thelbësore të parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes ankesës dhe si rrjedhojë, Gjykata vlerëson se arsyetimi i dhënë nga Gjykata Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë plotëson standardet e nevojshme të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës për një vendim gjyqësor të arsyetuar, sipas nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së.
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se pretendimi i parashtruesit të kërkesës, për shkelje të së drejtës për vendim të arsyetuar gjyqësor, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së, i përket kategorisë së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe i njëjti është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Vlerësimi i pranueshmërisë përkitazi me Vendimin e 28 prillit 2021 të ATK-së për pezullimin e procedurës administrative-tatimore
Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës pretendon se Vendimi i 28 prillit 2021 i ATK-së për pezullimin e procedurës administrative-tatimore, deri në përfundim të procedurës penale, shkel të drejtat e tij të garantuara me nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës, pasi që nuk përmban udhëzim juridik.
Gjykata vlerëson se në rrethanat e rastit konkret, si çështje paraprake, duhet të vlerësojë, nëse parashtruesi i kërkesës i ka shteruar mjetet efektive juridike. Në vijim, Gjykata i referohet pikës (b) të paragrafit 1 të rregullit 34 të Rregullores së punës, i cili përcakton që:
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(b) janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me Ligj kundër aktgjykimit ose vendimit të kontestuar”.
Gjykata rikujton se sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit, çdo individ ka të drejtë të kërkojë mbrojtje juridike nga Gjykata Kushtetuese në rast se konsideron se të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të parashtrojë kërkesën në fjalë vetëm pasi të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Në mbështetje të kësaj, Gjykata fillimisht thekson se rregulli i lartpërmendur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, detyron këtë të fundit të vlerësojë përmbushjen e kritereve lidhur me shterimin e mjeteve juridike të përcaktuara me ligj dhe të deklarojë kërkesat e papranueshme nëse ky nuk është rasti. Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se kushtet për të vlerësuar nëse janë përmbushur detyrimet për të shteruar të gjitha “mjetet efektive juridike” janë të përcaktuara mirë në praktikën e GJEDNJ-së, në përputhje me të cilën, sipas nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, Gjykata është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se praktika e GJEDNJ-së dhe e kësaj Gjykate, në parim, njeh tri kategori të rasteve kur kërkesa e paraqitur mund të shpallet e papranueshme për shqyrtim për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj, përkatësisht (i) “mosshterimi procedural” (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës, KI219/21, me parashtrues Isuf Ferati, Aktvendim për papranueshmëri, i 19 korrikut 2022, paragrafët 26 dhe 28; dhe KI193/20, me parashtrues Bujar Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 majit 2021, paragrafët 26-28; dhe rastet e GJEDNJ-së, Civet kundër Francës, kërkesa nr. 29340/95, Aktgjykim i 28 shtatorit 1999, paragrafi 41; Demopoulos dhe të tjerët kundër Turqisë, kërkesat nr. 46113/99, 3843/02, 13751/02, 13466/03, 10200/04, 14163/04, 19993/04, 21819/04, Vendim i 10 marsit 2010, paragrafët 69 dhe 97; (ii) “mosshterimi substancial” (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës, KI71/22, me parashtrues Muhamet Mehmeti, Aktvendim për papranueshmëri, i 14 nëntorit 2023, paragrafët 53-57; KI155/18, me parashtrues Benson Buza, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 shtatorit 2019, paragrafi 50; dhe rastet e GJEDNJ-së, Haxhia kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 29861/03, Aktgjykim i 8 tetorit 2013, paragrafët 149 dhe 152; Castells kundër Spanjës, kërkesa nr. 11798/85, Aktgjykim i 23 prillit 1992, paragrafi 32; Ahmet Sadik kundër Greqisë, kërkesa nr. 18877/91, Aktgjykim i 15 nëntorit 1996, paragrafi 33; Gäfgen kundër Gjermanisë, kërkesa nr. 22978/05, Aktgjykim i 1 qershorit 2010, paragrafët 142, 144 dhe 146); dhe (iii) “kërkesë e parakohshme” (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës, KI09/19, me parashtrues Leutrim Hajdari, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 shkurtit 2020, paragrafët 40-43; KI179/20, me parashtrues Telekom i Kosovës Sh. A., Aktvendim për papranueshmëri, i 27 janarit 2021, paragrafi 95; dhe KI49/22, me parashtrues Zejnel Ninaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 gushtit 2023, paragrafi 59; dhe rastet e GJEDNJ-së, Bilsena Šahman kundër Bosnje dhe Hercegovinës, kërkesa nr. 40110/16, Vendim i 25 prillit 2017 dhe Alenka Šaver kundër Sllovenisë, kërkesa nr. 18105/13, Vendim i 7 shkurtit 2017).
Në rastin konkret, Gjykata vëren se mungesa e udhëzimit juridik në aktin administrativ nuk e pamundëson parashtrimin e ankesës ndaj atij akti në organin administrativ. Në këtë drejtim, Gjykata rikujton përmbajtjen e paragrafit 3 të nenit 127 (Afati kohor për parashtrimin e ankesës) të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, i cili përcakton si në vijim:
“ 1. Ankesa duhet të parashtrohet brenda tridhjetë (30) ditëve nga data kur pala është njoftuar për aktin administrativ.
2. Pala e tretë që nuk ka marrë pjesë në procedurën administrative dhe nuk i është njoftuar akti, mund të parashtrojë ankesën brenda tridhjetë (30) ditëve nga data kur ka marrë apo duhej të kishte marrë dijeni për aktin, por jo më vonë se gjashtë (6) muaj nga nxjerrja e aktit.
3. Nëse akti administrativ është lëshuar pa informacion, apo me informacion të pamjaftueshëm në lidhje me mjetet juridike administrative (këshillën juridike), afati i parashikuar nga paragrafi 1 i këtij neni, është tre (3) muaj.
[...]”
Bazuar në atë çka u tha më lart, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk ka parashtruar ankesë kundër Vendimit të ATK-së për pezullimin e procedurës administrative, siç përcaktohet në paragrafin 3 të nenit 127 (Afati kohor për parashtrimin e ankesës) të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, kur akti administrativ është lëshuar pa informacion në lidhje me mjetet juridike. Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se në rastin konkret, bazuar në dispozitën e lartcekur ligjore, parashtruesi i kërkesës kishte mjet juridik në dispozicion, mirëpo i njëjti nuk e ka shfrytëzuar për të atakuar Vendimin e ATK-së.
Më tutje, Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, përveç mundësisë së kundërshtimit të Vendimit për pezullimin e procedurës administrative në organin administrativ, ligjet e aplikueshme u referohen edhe mjeteve tjera juridike të përcaktuara përmes Ligjit nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative (në tekstin e mëtejmë: LKA). Gjykata thekson se nenet 13 dhe 14 të LKA-së që ndërlidhen me mundësinë e inicimit të konfliktit administrativ përcaktojnë: (i) konflikti administrativ mund të fillojë vetëm kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurën administrative në shkallë të dytë; (ii) konflikti administrativ mund të fillohet edhe kundër aktit administrativ të shkallës së parë, kundër të cilit në procedurë administrative ankimi nuk është i lejuar; dhe (iii) konflikti administrativ mund të fillojë edhe kur organi kompetent nuk ka nxjerrë akt përkatës administrativ sipas kërkesës apo ankesës së palës, nën kushtet e parashikuara me këtë ligj.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se parashtruesi i kërkesës nuk ka shfrytëzuar të drejtën për të parashtruar ankesë para organeve administrative dhe më pas para organeve gjyqësore, përkatësisht nuk i ka shteruar të gjitha mjetet efektive juridike të përcaktuara me ligj. Një rrethanë e tillë, e cilëson kërkesën e parashtruesit të kërkesës si kërkesë të kategorisë së parë, përkatësisht “mosshterim procedural”, sipas përcaktimeve të praktikës gjyqësore të lartpërmendur të Gjykatës dhe të GJEDNJ-së.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike, sipas paragrafit 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenit 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, i obligon të gjithë personat fizikë dhe juridikë që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatë, që së pari të shterojnë mjetet juridike efektive në dispozicion kundër aktit të kontestuar.
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton që pretendimi i parashtruesit të kërkesës i përket kategorisë së “mosshterimit procedural” të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj dhe rrjedhimisht kërkesa refuzohet në pajtim me nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës.
Përfundim
Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se:
pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i mosarsyetimit të vendimit gjyqësor i përkasin kategorisë së pretendimeve “të pambështetura dhe të paarsyetuara” dhe i njëjti është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 32 të Kushtetutës, si rezultat i mungesës së udhëzimit juridik në Vendimin e ATK-së të 28 prillit 2021 për pezullimin e procedurës administrative është i papranueshëm për shkak të mos shterimit të mjeteve juridike, siç është përcaktuar në pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa në tërësi duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në pikën (b) të paragrafit (1) si dhe paragrafit 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullat 34 (1) (b) dhe (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 26 nëntor 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T' UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
“Lakeside AG” SH. P. K.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile