Prishtinë, më 24 prill 2023
Nr. ref.:RK 2157/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI114/22
Parashtrues
Valdet Dumani
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pml.nr.148/2022, të 21 prillit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Valdet Dumani me vendbanim të përhershëm në Komunën e Fushë-Kosovës, të cilin e përfaqëson avokati Rrahman Kastrati (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Pml.nr.148/2022] e 21 prillit 2022, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në lidhje me Aktgjykimin [PAKR.nr.518/2021] të 21 shkurtit 2021, të Gjykatë së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [PKR.nr.1162/20] të 17 nëntorit 2021, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të rënda (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekti i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes të cilit parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 29 korrik 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 2 gusht 2022, Kryetarja e Gjykatës me vendimin [nr.KSH.KI114/22] e caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci – Gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Radomir Laban.
Më 3 gusht 2022, Gjykata e njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtës i dorëzoi një kopje të kërkesës.
Në të njëjtën ditë, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes se Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 5 prill 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës ishte akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda (në tekstin në vijim: Prokuroria Themelore) se kishte tentuar që ti privojë nga jeta të dëmtuarit A.F. dhe A.F., për shkak të një konflikti që kishin mes tyre lidhur me orarin e nisjeve te autobusëve të kompanive të tyre.
Më 13 dhjetor 2017, Prokuroria Themelore ngriti Aktakuzën [PP/I.nr. 161/2017] kundër parashtruesit të kërkesës për veprën penale: (i) Vrasje e rënde në tentativë nga neni 179 paragrafi 1 pika 1.5 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin në vijim: KPRK); (ii) veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së; dhe veprën penale (iii) Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 333 paragrafi 1 të KPRK-së.
Më 12 shkurt 2019, Gjykata Themelore pas mbajtjes se shqyrtimit gjyqësor përmes Aktgjykimit [PKR.381/2017] e shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për veprat penale të ricilësuara (i) Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 paragrafi 6 lidhur me par 1 të KPRK-së, (ii) veprën penale mbajtja në pronësi kontroll, posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së, ndërsa për veprën penale (iii) Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 333 paragrafi 1 të KPRK-së, ka refuzuar aktakuzën me arsyetimin se veprimet e marra në këtë vepër penale janë konsumuar në veprën penale në pikën e parë të dispozitivit të aktgjykimit. Gjykata Themelore i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 6 (gjashtë) muaj dhe dënim me Gjobë në shumë prej 1.000€ (një mijë euro), në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në Paraburgim dhe në arrest shtëpiak.
Ndaj aktgjykimit të lartcekur, parashtruan ankesë Prokurori i shtetit: (i) për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së ligjit penal përkitazi me veprat penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365. paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, dhe veprës penale asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 333 paragrafi 1 të KPRK-së, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet, ashtu që i akuzuari të shpallet fajtor sipas kualifikimit juridik në aktakuzë dhe t'iu shqiptojë dënime adekuate me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit ose aktgjykimi i ankimuar përkitazi me këto dy vepra penale të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe vendosje.
Në një datë të paspecifikuar, përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, dorëzoi ankesë për shkak të vendimit për dënim dhe për shpenzimet procedurale, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të akuzuarit t'i shqiptohet dënim më i ashpër, e po ashtu, të vendoset edhe për shpenzimet procedurale.
Gjithashtu edhe parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë për shkak të vendimit për dënim, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të akuzuarit ti shqiptohet dënim më i butë sesa i ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë.
Më 11 dhjetor 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PAKR.nr.143/2020]: (i) refuzoi si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore dhe të parashtruesit të kërkesës, ndërsa Aktgjykimi [PKR.nr.381/17] i 12 shkurtit 2019, i Gjykatës Themelore përkitazi me veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 37 4 paragrafi 1 të KPRK-së, për parashtruesin e kërkesës vërtetohet; (ii) Me aprovimin e ankesës së prokurorisë dhe përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, por edhe sipas detyrës zyrtare, anulohet Aktgjykimi i Gjykatës Themelore- [PKR.nr.381/17] i 12 shkurtit 2019, përkitazi me veprat penale: shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprës penale asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 333 paragrafi 1 të KPRK-së, për parashtruesin e kërkesës, dhe çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe vendosje; (iii) ankesa e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar për vendimin për dënim, hudhet si e pa lejuar; (iv) ankesa e parashtruesit të kërkesës për vendimin për dënim, për veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 paragrafi 6 e lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, tani për tani është jo lëndore.
Më 17 nëntor 2021, në procedurë të rigjykimit, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [PKR.nr.1162/2020] e shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për veprat penale Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprës penale asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 333 paragrafi 1 të KPRK-së, ashtu që për veprën penale si në pikën I të dispozitivit të aktgjykimit e ka gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) vit e 10 (dhjetë) muaj, ndërsa për veprën penale si në pikën II të dispozitivit të aktgjykimit e ka gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashte) muaj, ashtu që ka gjykuar me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve, i cili dënim do të ekzekutohet menjëherë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Palët e dëmtuara A.F. dhe A.F. për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzuan në kontest të rregullt juridiko-civil.
Kundër Aktgjykimit të lartcekur parashtroi ankesë Prokuroria Themelore për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së kodit penal dhe vërtetimit të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike me propozim që aktgjykimi të prishet dhe lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.
Kundër Aktgjykimit të lartcekur parashtroi ankesës edhe parashtruesi i kërkesës, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit lidhur me sanksionin penal, me propozim që çështja të kthehet në rigjykim, apo të ndryshohet aktgjykimi sa i përket kualifikimit ligjor të veprës nga neni 365 paragrafi 1 në 365 paragrafi 6 të KPRK-së, ashtu që ta dënoi me dënim me gjobë, ndërsa për veprën penale nga neni 333 paragrafi 1 të KPRK-se ta liroj nga akuza.
Më 21 shkurt 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PAKR.nr. 518/2021] aprovoi pjesërisht ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ndryshoi Aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë përkitazi me kualifikimin ligjor dhe vendimin për dënimin në atë mënyrë që të dënuarin shpalli fajtor për shkak të veprës penale vrasja e rëndë në tentative nga neni 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.11 lidhur me nenin 28 të KPRK-së dhe e ka gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite. Ka aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e mbrojtësit të të dënuarit përkitazi me veprën penale asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 333 paragrafi 1 të KPRK-së, në atë mënyrë që në kuptim të nenit 363 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 të KPPK-së ka refuzuar akuzën. Kurse pretendimet tjera ankimore janë refuzuar.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, për shkak të (i) shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe (ii) shkeljes së ligjit penal, me propozim që Gjykata Supreme të aprovoj si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, aktgjykimet e kundërshtuara t'i ndryshon dhe atë ta liroj nga akuza për veprën penale asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 333 paragrafi 1 të KPRK-së, kurse për veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 paragrafi 1 të KPRK-së, ti shqiptoj dënim me gjobë ose t'i anuloj aktgjykimet e kundërshtuara dhe lëndën ta kthej në rigjykim në Gjykatën e shkallës së parë.
Më 13 prill 2022, Zyra e Kryeprokurorit të shtetit, përmes shkresës [KMLP.II.nr.95/2022] propozoi që kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë të refuzohet si e pabazuar.
Më 21 prill 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml.nr.148/2022] refuzoi si të pabazuar, kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës, të paraqitur kundër Aktgjykimit [PKR.nr.1162/2020] të 18 tetorit 2021, të Gjykatës Themelore dhe Aktgjykimit [PAKR.nr.518/2021] të 21 shkurtit 2022, të Gjykatës së Apelit.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimet e kontestuara, janë nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara përmes nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se “Gjykata e shkallës së parë ka bërë shkeljen e ligjit penal në dëm të pandehurit në rastin e rikualifikimit të veprës nga vrasje e rëndë në tentative, sipas nenit 179 par. pika 1.11 lidhur me nenin 28 te KPRK, në veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 par. 1 te KPRK-së, ndërsa në bazë të provave materiale, dëshmisë së dëshmitarëve dhe vërtetimit të gjendjes faktike gjatë shqyrtimeve gjyqësore ekzistojnë të gjitha elementet të cilat e formojnë veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 par.6 i KPRK-së.”
Në vijim, parashtruesi i kërkesës thekson që Gjykata Supreme e refuzoi Kërkesën për Mbrojtje të Ligjshmërisë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë dhe të dytë, dhe atë pa dhënë arsyetime të mjaftueshme për refuzimin e kërkesës. Pra, në parim parashtruesi i kërkesës pretendimet kryesore i ka ngritur në kontekst të vendimeve të paarsyetuara të gjykatave të rregullta. Sipas tij “arsyetimi është dashur të jetë tejet bindës dhe plotësisht i faktuar secili veprim me provën konkrete dhe jo me mëdyshje siç është vepruar.”
Në vijim, parashtruesi i kërkesës thekson që “ricilësimi i veprës penale dhe ngritja e dënimit edhe për 2 vite burgim ndaj të gjykuarit në mungesë të videoinçizimit të seancës në Gjykatën e Apelit, ka shkelur në mënyrë të rëndë të drejtën themelore të të gjykuarit për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.” Pra, sipas parashtruesit të kërkesës, “sikur të kishte qenë shqyrtimi i videoinçizuar sigurisht që Gjykata e Apelit do të kishte një bindje tjetër, e cila do të ishte në përputhje me bindjen e krijuar nga dy trupat gjykuese të Gjykatës Themelore.”
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të: (1) të shpallet kërkesa e pranueshme; (2) të vërtetohet se Gjykata Supreme me Aktgjykimin [Pml.nr.148/2022] i 21 prillit 2022, dhe Gjykata e Apelit me Aktgjykimin [PAKR.nr.518/2021] i 21 shkurtit 2022, ka bërë shkelje të nenit 31 (E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm) të Kushtetutës dhe te nenit 6 (E drejta për proces të rregullt) të KEDNJ-së; (3) Shpallet i pavlefshëm Aktgjykimi i Gjykatës Themelore [PKR.nr.1162/2020] i 17 nëntorit 2021; (4) Shpallet i pavlefshëm Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit [PAKR.nr.518/2021] i 21 shkurtit 2022; (5) Shpallet i pavlefshëm Aktgjykimi i Gjykatës Supreme [Pml.nr.148/2022] i 21 prillit 2022; (6) Të urdhërohet rigjykimi i rastit.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
6. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
7. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.
Kodi Nr. 04/L-082 Penal i Republikës së Kosovës
Neni 28 Tentativa
1. Kushdo që me dashje ndërmerr veprime për kryerjen e veprës penale por vepra nuk është kryer ose elementet e veprës penale nuk janë realizuar, konsiderohet se ka tentuar të kryejë vepër penale.
2. Tentativa për të kryer vepër penale për të cilën mund të shqiptohet dënimi me tre ose më shumë vjet burgim dënohet. Tentativa për të kryer ndonjë tjetër vepër penale dënohet vetëm nëse shprehimisht parashihet me ligj.
3. Personi që tenton të kryejë vepër penale dënohet si të kishte kryer veprën penale, por dënimi mund të zbutet.
Neni 179 Vrasja e rëndë
1. Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili:
[...]
1.11. me dashje kryen dy apo më shumë vrasje, përveç veprave të cilat janë paraparë në nenin 180 dhe 182 të këtij Kodi; ose
Neni 365
Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm
1. Kushdo që me anë të zjarrit, vërshimeve, armëve, eksplozivit, helmit ose gazit helmues, rrezatimit jonizues, forcës mekanike, me energji elektrike ose me ndonjë lloj energjie tjetër, ose me ndonjë veprim tjetër të rrezikshëm apo mjete të rrezikshme, shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Neni 333
Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë
1. Kushdo që e asgjëson, dëmton apo e bën të papërdorshme pasurinë e personit tjetër në rrethana tjera nga ato të përcaktuara në nenin 334 të këtij Kodi, dënohet me burgim deri në një (1) vit.
Vlerësimi i Pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht i referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
Neni 113
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet], të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni48
[Saktësimi i kërkesës]
"Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj."
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...].”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Pml.nr. 148/2022] e 21 prillit 2022 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se i janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Më saktësisht, rregulli 39 (2) përcakton që:
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
"(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij."
Gjykata, fillimisht thekson që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”.
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Kësisoj, Gjykata fillimisht rikujton që rrethanat e rastit ndërlidhen me dënimin e parashtruesit të kërkesës për kryerjen e veprës penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”. Pas ankesës së Prokurorit, parashtruesit të kërkesës dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim. Në vijim, Gjykata Themelore shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për shkak të veprave penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”. Pas ankesave respektive të parashtruesit të kërkesës dhe të Prokurorisë, Gjykata e Apelit e ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore përkitazi me kualifikimin ligjor dhe vendimin mbi dënimin, duke e shpallur parashtruesin e kërkesës fajtor për veprën penale “vrasja e rëndë në tentativë” me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite. Në fund, kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës e refuzoi si të pabazuar Gjykata Supreme.
Parashtruesi i kërkesës konteston konstatimin e Gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke ngritur pretendime që ndërlidhen me garancitë procedurale të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me neni 6 të KEDNJ-së. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, vë theks në (i) vendime gjyqësore të pa arsyetuara për sa i përket ricilësimin të veprës penale dhe vendimit mbi dënimin e tij si dhe (ii) pretendimeve për interpretim të gabuar të ligjit.
Në vijim Gjykata do ti elaborojë parimet e përgjithshme lidhur me arsyetimin e vendimit gjyqësor si dhe për interpretimin e gabuar të ligjit dhe do t’i aplikoj të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.
Parimet e përgjithshme lidhur me arsyetimin e vendimeve gjyqësore
Përkitazi me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata fillimisht thekson se ajo tashmë ka një praktikë të konsoliduar gjyqësore. Kjo praktikë është ndërtuar duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së (përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet Hadjianastassiou kundër Greqisë, Aktgjykim i 16 dhjetorit 1992; Van de Hurk kundër Holandës, Aktgjykim i 19 prillit 1994; Hiro Balani kundër Spanjës, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994; Higgins dhe të tjerët kundër Francës, Aktgjykimi i 19 shkurtit 1998; Garcia Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykimi i 21 janarit 1999; Hirvisaari kundër Finlandës, Aktgjykim i 27 shtatorit 2001; Suominen kundër Finlandës, Aktgjykim i 1 korrikut 2003; Buzescu kundër Rumanisë, Aktgjykim i 24 majit 2005; Pronina kundër Ukrainës, Aktgjykim i 18 korrikut 2006; dhe Tatishvili kundër Rusisë, Aktgjykimi i 22 shkurtit 2007. Për më tepër, parimet themelore sa i përket të drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor janë elaboruar po ashtu në rastet e kësaj Gjykate, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në KI22/16, parashtrues Naser Husaj, Aktgjykim i 9 qershorit 2017; KI97/16, parashtrues IKK Classic, Aktgjykim i 9 janarit 2018; KI143/16, parashtrues Muharrem Blaku dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 13 qershorit 2018; KI87/18, parashtrues i kërkesës IF Skadiforsikring, Aktgjykim, i 27 shkurtit 2019, dhe KI24/17, parashtrues Bedri Salihu, Aktgjykim, i 27 majit 2019, KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, Aktgjykim, i 11 dhjetorit 2019; si dhe rastin e Gjykatës KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, Aktgjykim i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 135).
Në parim, praktika gjyqësore e GJENDJ-së dhe ajo e Gjykatës Kushtetuese theksojnë se e drejta për një proces të rregullt gjyqësor përfshin të drejtën për një vendim të arsyetuar dhe se gjykatat duhet “të tregojnë me qartësi të mjaftueshme arsyet në të cilat ata bazuan vendimin e tyre”. Megjithatë, ky detyrim i gjykatave nuk mund të kuptohet si kërkesë për një përgjigje të hollësishme në çdo argument. Shkalla në të cilën zbatohet obligimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit. Janë argumentet thelbësore të parashtruesve të kërkesës që duhet të adresohen dhe arsyet e dhëna duhet të jenë të mbështetura në ligjin e aplikueshëm (Shih rastin e Gjykatës KI97, me parashtrues IKK Classic, cituar më lartë, paragrafi 45; Shih gjithashtu rastin e GJEDNJ-së Hadjianastassiou kundër Greqisë, Aktgjykim, i 16 dhjetorit 1992, paragrafi 33).
Në parim, Gjykata thekson se garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së përfshijnë detyrimin që gjykatat të japin arsye të mjaftueshme për vendimet e tyre (shih, rastin e GJEDNJ-së, H. kundër Belgjikës, Aktgjykimi i 30 nëntorit 1987, paragrafi 53; si dhe shih rastin e Gjykatës KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, të cituar më lart, paragrafi 139 dhe rastin KI87/18, parashtrues IF Skadiforsikring, paragrafi 44).
Gjykata po ashtu thekson se bazuar në praktikën e saj gjyqësore gjatë vlerësimit të parimit i cili i referohet administrimit të duhur të drejtësisë, vendimet e gjykatave duhet të përmbajnë arsyetimin në të cilat ato bazohen. Shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret. Janë argumentet thelbësore të parashtruesve të kërkesës që duhet të adresohen dhe arsyet e dhëna duhet të jenë të bazuara në ligjin e aplikueshëm (shih në mënyrë të ngjashme rastet e GJEDNJ-së Garcia Ruiz kundër Spanjës, kërkesa nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 29; Hiro Balani kundër Spanjës, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 27; dhe Higgins dhe të tjerët kundër Francës, paragrafi 42, shih, po ashtu, rastin e Gjykatës KI97/16, parashtrues IKK Classic, të cituar më lart, paragrafi 48; dhe rastin KI87/18 IF Skadeforsikring, të cituar më lart, paragrafi 48). Duke mos kërkuar një përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar (shih rastin Moreira Ferreira kundër Portugalisë, Aktgjykim, i 5 korrikut 2011 paragrafi 84 dhe të gjitha referencat e përdorura aty; si dhe rastin e Gjykatës KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, Aktgjykim i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 137).
Megjithatë, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, nga gjykatat kërkohet që të shqyrtojnë dhe japin përgjigje specifike dhe të qarta në lidhje me: (i) pretendimet dhe argumentet thelbësore të palës (shih, rastet e GJEDNJ-së, Buzescu kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 67; dhe Donadze kundër Gjeorgjisë, Aktgjykim i 3 marsit 2006, paragrafi 35); (ii) pretendimet dhe argumentet që janë vendimtare për rezultatin e procedurës (shih, rastet e GJEDNJ-së: Ruiz Torija kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafi 30; dhe Hiro Balani kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafi 28); ose (iii) pretendimet në lidhje me të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ (shih rastin e GJEDNJ-së, Wagner dhe J.M.W.L. kundër Luksemburgut, Aktgjykim i 28 qershorit 2007, paragrafi 96 dhe referencat në të; dhe gjithashtu shih rastin e Gjykatës, KI227/19, me parashtrues N.T. “Spahia Petrol”, cituar më lart, paragrafi 48).
Aplikimi i këtyre parimeve në rrethanat e rastit konkret
Në vijim, Gjykata do të shtjellojë nëse pretendimet e parashtruesit të kërkesës për ricilësim të veprës penale dhe vendimit mbi dënimin e tij, janë karakterizuar me mungesë të një vendimi të arsyetuar gjyqësor, në përputhshmëri me garancitë procedurale të mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së.
Gjykata rikujton se në Aktgjykimin [APS.nr.27/21] e 22 tetorit 2021, të Gjykatës së Apelit, e njëjta kishte trajtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke arsyetuar si në vijim:
“Në rastin konkret, në veprimet e të akuzuarit Valdet Dumani manifestohen të gjitha elementet e veprës penale të Vrasjes së rëndë në tentativë nga neni 179 par.1 pika 1.11 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.
[...] Sipas provave të administruara rrjedh se i akuzuari ditën kritike kishte shtënë dy herë në drejtim të dëmtuarve në një distance 5 - 6 metra, me qëllim që t'i privojë nga jeta. Në rastin konkret provohet dashja e të akuzuarit në drejtim të veprës penale për të cilën kjo Gjykatë e shpalli fajtor e nxjerrë nga rrethanat faktike. Kjo për faktin, se i akuzuari përkundër se kishte shtënë në drejtim të pjesës së poshtme të veturës të dëmtuarve një gjë e tillë kishte ndodhur, e imponuar nga ndikimi i dëshmitarëve, sepse i akuzuari ishte penguar nga familjarët e tij për ta përfunduar veprën që kishte nisur, që nga momenti i fjalosjes. Një rrethanë të tillë e konstaton vet gjykata e shkallës së parë veçanërisht në përgjigjen e të dëmtuarit A. i cili ka deklaruar se i akuzuari a ka mujt me qëllu "Po ka mujt me qëllu, por vëllezërit e tij i kanë ndejt afër dhe nuk e kanë lëshu".
[...]
Andaj, siç edhe u theksua gjykata e shkallës së parë gabimisht ka aplikuar dispozitat e ligjit penal kur e ka shpallur fajtor të akuzuarin Valdet Dumani për shkak të veprës penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 par. 1 të KPRK-së, sepse nga provat e administruara nuk u vërtetua se dashja e të akuzuarit ishte në drejtim të shkaktimit të rrezikut për jetën e njerëzve dhe dëmin material, por kjo dashje ishte drejtuar në privimin nga jeta të dy personave. Me këtë rast Gjykata e Apelit ka ndryshuar veprën penale ashtu siç është akuzuar sipas aktakuzës me precizuar kualifikimin e veprës në piken 1.11, për faktin se i akuzuari ka shtënë në drejtim të dy të dëmtuarve dhe se qëllimi i tij ishte në drejtim të dy të dëmtuarve.”
Mbi këtë vijë argumentimi, Gjykata vë theksin edhe në arsyetimin e Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, më të cilin u refuzua kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës, si në vijim:
Me rastin e vlerësimit të pretendimeve përkitazi me përmbushjen e elementeve të figurës së veprës penale, gjykatat e shkallës së dytë në arsyetimin e aktgjykimit të saj ka arsyetuar faktin se në veprimet e të dënuarit janë manifestuar të gjitha tiparet e përcaktuara të veprës penale vrasja e rëndë në tentativë nga neni 179 par. 1 nënpar.1.11 lidhur me nenin 28 të KPRK-së. Posaçërisht është arsyetuar elementi subjektiv i kryerësit-dashja e tij për të privuar nga jeta të dëmtuarit A. dhe A.F., duke shtënë dy herë me revolen e tij në veturën në të cilën gjendeshin tani të dëmtuarit, e që nga kjo del se veprimet e të dënuarit janë përshkruar në dispozitiv të aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë. Përtej kësaj ne dispozitivin e aktgjykimit është specifikuar në mënyrë të plotë koha, vendi, mjeti dhe mënyra e kryerjes së veprës penale nga ana e të dënuarit, andaj konkludimet e gjykatës së shkallës së dytë i aprovon në tërësi edhe Gjykata Supreme e Kosovës.
Duke shqyrtuar pretendimet përkitazi me faktin se gjykata e shkallës së parë percepton faktet në mënyrë më të plotë pasi që në mënyrë të drejtpërdrejtë merret me rastin, kurse gjykata e shkallës së dytë rastin e percepton bazuar vetëm në shkresat e lëndës. Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, duke u bazuar në dispozitën e nenit 403 par.1 nënpar.1.2 të KPPK-së, është në kompetencë të gjykatës së shkallës së dytë që në rast se gjykata e shkallës së parë ka bërë vërtetim të gabuar apo jo të plotë të fakteve dhe njëkohësisht nuk është e nevojshme marrja e provave të reja, atëherë në bazë të provave ekzistuese të bëj ndryshimin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, siç edhe ka ndodhur në rastin konkret. Me këtë rast e rëndësishme është të theksohet fakti se gjykata e shkallës së dytë nuk ka tejkaluar kompetencat ligjore me rastin e vendosjes.”
Për sa më sipër, Gjykata vë në pah se nenin 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ i detyron gjykatat të japin arsye për vendimet e tyre, por kjo nuk nënkupton një përgjigje të hollësishme për çdo pretendim dhe argument të palëve (Shih rastet e GJEDNJ-së: Van de Hurk kundër Hollandës, kërkesa nr. 16034/90, Aktgjykim i 19 Prillit 1994, paragrafi 61; García Ruiz kundër Spanjës [DHM], cituar më lartë, paragrafi 26; Jahnke dhe Lenoble kundër Francës, kërkesa nr. 40490/98, Vendim për paranueshmëri i 29 gushtit 2000; Perez kundër Francës [DHM], kërkesa nr. 47287/99, Aktgjykim i 12 shkurtit 2004, paragrafi 81). Ky qëndrim është mbajtur vazhdimisht nga Gjykata Kushtetuese (Shih rastet e Gjykatës KI06/17, cituar më lart, paragrafi 38; KI122/16, cituar më lart, paragrafi 58; dhe KI49/19, cituar më lart, paragrafi 49).
Gjykata rithekson se vendimet e kontestuara të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit, janë të arsyetuara dhe përmbajnë fakte të vërtetuara, dispozitat ligjore përkatëse dhe marrëdhënien logjike midis tyre (shih rastet e Gjykatës, nr. KI24/22 parashtrues Turkiye Is Bankasi A.S.-Dega Kosovë, cituar më lart, paragrafi 45; nr. KI174/21 parashtrues Bashkim Makiqi, cituar më lart, paragrafi 58; dhe nr. KI72/12, parashtrues Veton Berisha dhe Ilfete Haziri, Aktgjykim i 17 dhjetorit 2012, paragrafi 61; dhe nr. KI135/14, IKK Classic, Aktgjykim i 9 shkurtit 2016, paragrafi 58).
Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta kanë përmbushur detyrimin e tyre kushtetues për të ofruar një arsyetim të mjaftueshëm ligjor përkitazi me kërkesat dhe pretendimet e parashtruesit të kërkesës. Për rrjedhojë, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës ka përfituar nga e drejta për vendim të arsyetuar gjyqësor, në pajtim me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Në lidhje me këtë, Gjykata e konsideron të rëndësishme të theksojë qëndrimin e përgjithshëm parimor se “drejtësia” që garantohet përmes nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, nuk është drejtësi “substanciale”, por drejtësi “procedurale”. Në terma praktik dhe në parim, kjo drejtësi procedurale shprehet përmes procedurës kontradiktore, ku palët dëgjohen dhe vendosen në të njëjtat kushte para Gjykatës (Shih, ndër të tjera, rastin e Gjykatës, KI131/19, parashtrues Sylë Hoxha, Aktvendim për papranueshmëri i 21 prillit 2020, paragrafi 57; dhe KI49/19, cituar më lart, paragrafi 55).
Kjo më saktësisht nënkupton se palëve përgjatë një procedure të drejtë dhe të paanshme duhet: (i) t’u mundësohet zhvillimi i procedurës bazuar në parimin e kontradiktoritetit procedural; (ii) t’u ofrohet mundësia që gjatë fazave të ndryshme të procedurës të paraqesin argumente dhe dëshmi që ata i konsiderojnë të rëndësishme për rastin përkatës; (iii) t’u garantohet se të gjitha argumentet dhe dëshmitë që ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit përkatës janë dëgjuar e shqyrtuar në mënyrë të rregullt nga gjykatat përkatëse; (iv) t’u garantohet se faktet dhe pretendimet ligjore në vendimet gjyqësore ishin shqyrtuar dhe arsyetuar hollësisht; dhe se, në përputhje me rrethanat e rastit, (v) t’u garantohet se procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta dhe jo arbitrare (Shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafi 29; dhe rastin e Gjykatës, KI131/19, cituar më lart, paragrafi 58).
Gjykata arrin në përfundim se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës nuk ka argumentuar se standardet dhe garancionet e mësipërme të nenit 31 të Kushtetutës, nuk janë zbatuar. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës lidhur me vendimin e paarsyetuar gjyqësor është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, prandaj kjo pjesë e kërkesës shpallet e papranueshme në përputhje me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së Punës.
Lidhur me pretendimin për interpretim të gabuar të ligjit
Parashtruesi i kërkesës, i konteston para Gjykatës konstatimet e gjykatave të rregullta, duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, vë theks në interpretimin e gabuar të KPRK-së nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, pasiqë me rastin e rikualifikimit të veprës në vrasje e rëndë në tentativë, sipas nenit 179 paragrafi 1 pika 1.11 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, nga vepra penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 paragrafi 1 të KPRK-së, ndërsa në bazë të provave materiale, dëshmisë së dëshmitarëve dhe vërtetimit të gjendjes faktike gjatë shqyrtimeve gjyqësore ekzistojnë të gjitha elementet të cilat e formojnë veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 paragrafi 6 i KPRK-së.
Në shqyrtimin e këtyre pretendimeve, Gjykata thekson se të njëjtat në esencë ndërlidhen me zbatimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm nga Gjykata Supreme, pretendime të cilat, Gjykata në përputhje me praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, i konsideron si "pretendime të shkallës së katërt”.
Në kontekst të kësaj kategorie pretendimesh, Gjykata thekson se bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe duke marrë parasysh veçoritë e saj, siç janë përcaktuar përmes KEDNJ-së, parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, ajo vazhdimisht e ka theksuar dallimin në mes të "kushtetutshmërisë" dhe "ligjshmërisë" dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose me KEDNJ. (Shih, në këtë kontekst, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI96/21, parashtrues Xhelal Zherka, Aktvendim për Papranueshmëri i 23 shtatorit 2021, paragrafi 49; KI145/20, parashtrues Hafize Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 33; KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60).
Gjykata gjithashtu ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruar aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI145/20, cituar më lartë, paragrafi 34; KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61).
Gjykata, megjithatë, thekson se praktika gjyqësore e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe KEDNJ-në. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 janarit 2000, paragrafët 33-39; dhe shih, gjithashtu rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 63). Në parim, një përjashtim i tillë, ndërlidhet me raste të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për zbatim të gabuar të KPRK-së, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës, përtej pretendimeve për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i vërtetimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të ligjit, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumentoi para Gjykatës, se si ky interpretim i ligjit të aplikueshëm nga Gjykata Supreme, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se Gjykata Supreme ka marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit kërkesës dhe i ka arsyetuar të njëjtat (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI64/20, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI37/21 parashtrues, Isa Tusha, Naser Tusha dhe Miradije Tusha, Aktvendim për papranueshmëri i 8 shtatorit 2021, paragrafi 67).
Prandaj, duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta për sa i përket ricilësimit të veprës penale dhe vendimit mbi dënimin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta mund të kenë aplikuar ligjin në mënyrë të gabuar, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e "shkallës së katërt" dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të "ligjshmërisë" dhe nuk janë argumentuar në nivel të "kushtetutshmërisë". Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Përfundim
Në fund, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse: pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkitazi me: (I) vendimin e paarsyetuar gjyqësor, janë pretendime qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; si dhe (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për interpretim të gabuar dhe aplikim të gabuar të ligjit të zbatueshëm, janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; dhe si të tilla këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese. Prandaj, kërkesa në tërësi vlerësohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenit 20 të Ligjit dhe të rregullave 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 5 prill 2023, njëzëri:
VENDOS
I. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
II. T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
III. TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
IV. Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi Peci Gresa Caka-Nimani
Valdet Dumani
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile