Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pml.nr.148/2022, të 21 prillit 2022

Nr. të lëndës KI114/22

Parashtruesit: Valdet Dumani

Shkarko:

KI114/22, Parashtrues: Valdet Dumani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pml.nr.148/2022, të 21 prillit 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, ricilësim i veprës penale, kërkesë qartazi e pabazuar

Gjykata fillimisht rikujton që rrethanat e rastit ndërlidhen me dënimin e parashtruesit të kërkesës për kryerjen e veprës penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”. Pas ankesës së Prokurorit, parashtruesit të kërkesës dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim. Në vijim, Gjykata Themelore shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për shkak të veprave penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”. Pas ankesave respektive të parashtruesit të kërkesës dhe të Prokurorisë, Gjykata e Apelit e ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore përkitazi me kualifikimin ligjor dhe vendimin mbi dënimin, duke e shpallur parashtruesin e kërkesës fajtor për veprën penale “vrasja e rëndë në tentativë” me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite. Në fund, Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar, kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës.

Në këtë drejtim, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar (I) shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i vendimeve gjyqësore të pa arsyetuara për sa i përket ricilësimin të veprës penale dhe vendimit mbi dënimin e tij, si dhe pretendimeve për interpretim të gabuar të ligjit.

Për sa i përket pretendimit për vendim të paarsyetuar gjyqësor, Gjykata vlerësoi që gjykatat e rregullta kanë përmbushur detyrimin e tyre kushtetues për të ofruar një arsyetim të mjaftueshëm ligjor përkitazi me kërkesat dhe pretendimet e parashtruesit të kërkesës. Për rrjedhojë, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës ka përfituar nga e drejta për vendim të arsyetuar gjyqësor, në pajtim me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Prandaj, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, prandaj kjo pjesë e kërkesës shpallet e papranueshme në përputhje me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së Punës.

Në anën tjetër, për sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës për interpretim të gabuar të ligjit, për sa i përket ricilësimit të veprës penale dhe vendimit mbi dënimin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta mund të kenë aplikuar ligjin në mënyrë të gabuar, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë” dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë“. Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Valdet Dumani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile