Prishtinë, më 26 shtator 2024
Nr. Ref.: RK 2530/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI123/24
Parashtrues
Naim Prokshi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit PML.nr.68/2024 të 4 prillit 2024, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar.
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Naim Prokshi nga Komuna e Fushë Kosovës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [PML. nr.68/2024] të 4 prillit 2024, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në lidhje me Aktgjykimin [PA1 .nr.1408/2023] të 27 nëntorit 2023, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit), si dhe në lidhje me Aktgjykimin [P.nr.2892/2022] të 1 shtatorit 2023, të Gjykatës Themelore në Gjakovë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar, me të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 27 [Ndalimi i Torturës, Trajtimit Mizor, Çnjerëzor ose Poshtërues], 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 1 dhe 7 nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 24 maj 2024, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 10 qershor 2024, Kryetarja e Gjykatës përmes vendimit [Nr. GJR. KI123/24] caktoi gjyqtarin Radomir Laban, gjyqtar raportues dhe me vendimin [Nr. KSH. KI123/24] caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi (anëtar) dhe Jeton Bytyqi (anëtar).
Më 20 qershor 2024, Gjykata e informoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe në të njëjtën ditë i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.
Më 11 shator 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Gjykata fillimisht sqaron që parashtruesi i kërkesës ishte palë para Gjykatës edhe në rastin KI75/19, Aktvendim për Papranueshmëri i 21 prillit 2020, e cila nuk ndërlidhet me rrethanat e rastit konkret.
Në rrethanat e rastit të tanishëm, nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës ishte dënuar përmes Aktgjykimit [P.nr. 2892/2022] të 1 shtatorit 2023, për kryerjen e veprës penale Dhuna në familje nga neni 248 paragrafi 1 lidhur me nenin 77, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin në vijim: KPRK-së), me ç’rast iu shqitua dënim me burg në kohëzgjatje prej një (1) vit e tetë (8) muaj dhe gjobë në shumë prej 300 (treqind) €. Në vijim të njëjtit gjithashtu iu shqiptua edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në ndalim në Institutin e Kujdesit Shëndetësor, me ç’ rast: (I) parashtruesi i kërkesës ndalohej për trajtim psikiatrik të detyrueshëm në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK) në Prishtinë, e derisa Institucioni Shëndetësor të konstatoj se më nuk është e nevojshme që i njëjti të jetë me ndalim për trajtim të mëtejmë psikiatrik; (II) Urdhërohet IPFK në Prishtine, që parashtruesin e kërkesës, ta mbaj në këtë institucion shëndetësor, në hapësirat përkatëse për personat me masa për trajtim psikiatrik me ndalim; (III) Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës në Prishtinë, obligohet që Gjykatës së paku në çdo gjashtë muaj t'i dërgojë Raportin me shkrim mbi gjendjen shëndetësore dhe suksesin e trajtimit ndaj parashtruesit të kërkesës; (IV) Kjo gjykatë do të shqyrtojë brenda çdo gjashtë muajve nevojën e vazhdimit të masës së trajtimit të detyruar psikiatrik për parashtruesin e kërkesës; (V) Në bazë të nenit 169 paragrafit 4 të Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, parashtruesi i kërkesës dërgohet së pari në institucionin e kujdesit shëndetësor për trajtim.
Në procedurën ankimore, më 27 nëntor 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PA1.nr. 1408/2023] e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, duke e vërtetuar Aktgjykimin e shkallës së parë.
Kundër aktgjykimeve të lartcekura, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, për shkak të: (i) shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale; si dhe (ii) shkeljes së ligjit penal dhe shkeljeve tjera të cilat kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimeve gjyqësore, me propozim që kërkesa të aprovohet, aktgjykimet e kundërshtuara të ndryshohen ashtu që parashtruesi i kërkesës të lirohet nga akuza ose që çështja të kthehet në rigjykim.
Më 31 janar 2024, ndaj kërkesës së parashtruesit të kërkesës është përgjigjur Prokurori i Shtetit me parashtresën [KMLP.II. nr.41/2024] me propozim që kërkesa të refuzohet si e pabazuar.
Më 4 prill 2024, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [PML.nr. 68/2024] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës, e paraqitur kundër aktgjykimit të formës së prerë [P.nr.2892/2022] të 1 shtatorit 2023, të Gjykatës Themelore.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se nëpërmjet vendimit të kontestuar, i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 27 [Ndalimi i Torturës, Trajtimit Mizor, Çnjerëzor ose Poshtërues], 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se “nuk ka qenë i barabartë me palën tjetër para ligjit” dhe se ndaj tij janë përdorur standarde të dyfishta dhe se gjykatat e rregullta kanë qenë të njëanshme.
Në vijim i njëjti pretendon se i janë shkelur të drejtat e njeriut, po ashtu edhe konventat ndërkombëtare, duke theksuar se u “poshtërua” nëpër seanca nga vetë gjyqtarët, të cilët nuk kanë marrë për bazë provat dhe gjendjen faktike, duke dëmtuar edhe “dinjitetin e tij të ndërtuar për vite me radhë.”
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga gjykata që rastin ta kthejë në rigjykim në gjykata të rregullta.
Dispozitat relevante kushtetuese
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 24 [Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë,
mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 27
[Ndalimi i Torturës, Trajtimit Mizor, Çnjerëzor ose Poshtërues]
Askush nuk i nënshtrohet torturës, ndëshkimit a trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.
Neni 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit]
Çdokush që akuzohet për vepër penale, gëzon të drejtat minimale në vijim:
(1) të njoftohet menjëherë në gjuhën që kupton, për natyrën dhe shkakun e akuzës kundër saj/tij;
(2) të njoftohet për të drejtat e tij/saj sipas ligjit;
(3) të ketë kohë, mundësi dhe mjete të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;
(4) të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën në të cilën zhvillohet gjykimi;
(5) të ketë ndihmën e një mbrojtësi që e zgjedh, të komunikojë lirisht me të dhe, nëse nuk ka mjete të mjaftueshme, t’i sigurohet mbrojtja falas;
(6) të mos shtrëngohet për të dëshmuar kundër vetvetes ose për të pranuar fajësinë e vet.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
[…]
Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të cilat janë të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të Punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës që përcaktojnë:
Neni 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesja e kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestojë”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, që konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [PML. nr. 68/2024] të 4 prillit 2024, të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton që:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.”
Gjykata, fillimisht thekson që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmachev kundër Francës, Kërkesa nr. 17621/91, kategoria (i), Mentzen kundër Letonia, Kërkesa nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Kërkesa nr. 4241/03, kategoria (iii); shih gjithashtu rastet e Gjykatës: KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për Papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për Papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Kësisoj, Gjykata fillimisht rikujton që rrethanat e rastit ndërlidhen me dënimin e parashtruesit të kërkesës për kryerjen e veprës penale dhunë në familje, me ç’ rast i njëjti u gjykua me 1 (një) vit e 8 (tetë) muaj burgim dhe me gjobë 300 €, si dhe i ishte shqiptuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në ndalim në Institutin e Kujdesit Shëndetësor derisa ky institut të konstatonte se më nuk është e nevojshme që i njëjti të jetë në ndalim për trajtim të mëtejmë psikiatrik. Në procedurën ankimore, Gjykata e Apelit e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Përfundimisht, Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta, duke pretenduar: (I) shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si rezultat i vlerësimit të gabuar të gjendjes faktike që rezultoi me interpretim të gabuar të ligjit, si dhe; (II) pretendime për shkelje të neneve 3 [Barazia para Ligjit], 27 [Ndalimi i Torturës, Trajtimit Mizor, Çnjerëzor ose Poshtërues] dhe 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] të Kushtetutës.
Në vijim, Gjykata do të i trajtoj pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me (I) shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për sa i përket vlerësimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të ligjit; dhe shkeljen e neneve 3, 27 dhe 30 të Kushtetutës, duke aplikuar standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Lidhur me pretendimin për vlerësim të gabuar të fakteve dhe interpretim të gabuar të ligjit
Parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës konstatimet e gjykatave të jurisdiksionit të rregullt, duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, ndër të tjera, vë theks në vlerësimin e gabuar të gjendjes faktike, që gjyqësori ka qenë i njëanshëm duke interpretuar gabimisht të drejtën materiale, me ç’ rast parashtruesi nuk ka qenë i barabartë me palën tjetër në procedurë. Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur garancitë procedurale të nenit 31 të Kushtetutës.
Në shqyrtimin e këtyre pretendimeve, Gjykata thekson se të njëjtat në esencë ndërlidhen me vlerësimin e gabuar të gjendjes faktike nga ana e gjykatave të rregullta, pretendime të cilat, Gjykata në përputhje me praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, i konsideron si "pretendime të shkallës së katërt”.
Në kontekst të kësaj kategorie pretendimesh, Gjykata thekson se bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe duke marrë parasysh veçoritë e saj, siç janë përcaktuar përmes KEDNJ-së, parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, ajo vazhdimisht e ka theksuar dallimin në mes të "kushtetutshmërisë" dhe "ligjshmërisë" dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose me KEDNJ. (Shih, në këtë kontekst, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI96/21, parashtrues Xhelal Zherka, Aktvendim për Papranueshmëri i 23 shtatorit 2021, paragrafi 49; KI145/20, parashtrues Hafize Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 33; KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60).
Gjykata gjithashtu ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruar aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI145/20, cituar më lartë, paragrafi 34; KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61).
Gjykata, megjithatë, thekson se praktika gjyqësore e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe KEDNJ-në. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 janarit 2000, paragrafët 33-39; dhe shih, gjithashtu rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 63). Në parim, një përjashtim i tillë, ndërlidhet me raste të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës.
Në vijim, për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për vlerësim të gabuar të gjendjes faktike në mungesë të provave, Gjykata i referohet Aktgjykimit [PML.nr. 68/2024] të 4 prillit 2024 të Gjykatës Supreme, e cila kishte theksuar si në vijim:
Sipas dispozitës së nenit 436 par.1 të KPP- me rastin e vendosjes mbi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, Gjykata Supreme [...] kufizohet vetëm në verifikimin e shkeljeve ligjore në të cilat paraqitësi i kërkesës pretendon. Në të vërtetë edhe pse i dënuari me kërkesë aktgjykimet i kundërshton për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga përmbajtja e kërkesës del se e konteston gjendjen faktike. Kurse, sipas dispozitës së nenit 432 par.2 të KPP- kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë nuk mund të ushtrohet për shkak të konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, as kundër vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës me të
cilin është vendosur mbi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.
Megjithatë, edhe përkundër kësaj, Gjykata vëren se Gjykata Supreme i kishte analizuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës duke konstatuar se të njëjtat ishin të pabazuara, dhe se në aktgjykimet e kundërshtuara bazoheshin në fakte vendimtare të vërtetuara që përfshinin deklaratën e të dëmtuarës (K. P) dhe deklaratën e dëshmitarit (D.P) si dhe ekzaminimin psikiatrik të parashtruesit të kërkesës të bërë nga grupi i ekspertëve, me ç’ rast rezulton se i njëjti vuante nga një çrregullim i ashtuquajtur deluziv permanent. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës duke përfshirë edhe ato që ndërlidhen me vlerësimin e gabuar të gjendjes faktike, tashmë janë trajtuar dhe se procedurat para Gjykatës Supreme nuk ishin të padrejta ose arbitrare. (shih mutatis mutandis rastin e Gjykatës: KI199/18, me parashtrues Hajriz Haxholli, Aktvendim për Papranueshmëri i 24 qershorit 2019, paragrafi 34).
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për vlerësim të gabuar të gjendjes faktike, si dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës, përtej pretendimeve për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i vërtetimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të ligjit, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumentoi para Gjykatës, se si ky vlerësim i gabuar i gjendjes faktike, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se Gjykata Supreme ka marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, duke i arsyetuar të njëjtat (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI64/20, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI37/21 parashtrues, Isa Tusha, Naser Tusha dhe Miradije Tusha, Aktvendim për papranueshmëri i 8 shtatorit 2021, paragrafi 67).
Në linjë me praktikën e saj të konsoliduar gjyqësore, Gjykata më tej thekson se pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e procedurës nga Gjykata Supreme, nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm apo për barazi para ligjit. (Shih, mutatis mutandis, rastin Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, kërkesa nr. 5503/02, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005, paragrafi 21; dhe shih, gjithashtu rastin KI56/17, parashtruese e kërkesës Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 42).
Prandaj, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta kanë bërë vlerësim të gabuar të gjendjes faktike të pambështetur në prova, dhe rrjedhimisht këto pretendime kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e "shkallës së katërt" dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të "ligjshmërisë" dhe nuk janë argumentuar në nivel të "kushtetutshmërisë". Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
(II) Pretendimet e parashtruesve të kërkesës lidhur me shkeljen e neneve 3, 27 dhe 30 të Kushtetutës
Në vijim, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon se gjykata e rregullta, i kanë cenuar të drejtat e garantuara përmes neneve 3, 27 dhe 30 të Kushtetutës.
Sa i përket shkeljeve të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara me nenet 3, 27 dhe 30 të Kushtetutës, Gjykata rikujton se sipas praktikës gjyqësore të kësaj Gjykate dhe të GjEDNJ-së, Gjykata e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar kur pretendimet janë “të pambështetura apo të paarsyetuara” ose kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht;
kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse kjo është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih: në këtë drejtim, rastet e GJEDNJ-së: Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, Vendim i 31 majit 2005; dhe Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, Vendim i 25 shtatorit 2008);
kur parashtruesi i kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin e Gjykatës: KI166/20, me parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri i 5 janarit 2021, paragrafi 42).
Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës pretendon që vendimi i kontestuar ka shkelur të drejtat individuale dhe ka ardhur deri te shkelja e neneve 3, 27 dhe 30 të Kushtetutës, mirëpo nuk shpjegon specifikisht se si ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve. Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih rastet e Gjykatës: KI175/20, me parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për Papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 81; KI166/20 cituar më lart, paragrafi 52; KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2021, paragrafët 38- 39).
Andaj, Gjykata konstaton se sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 3, 27 dhe 30 të Kushtetutës, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, sepse ky pretendim cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, pasi parashtruesi i kërkesës thjesht ka cituar një dispozitë të Kushtetutës, pa shpjeguar se si është shkelur ajo. Prandaj, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Përfundim
Në fund, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse: (I) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, për sa i përket vlerësimit të gabuar të gjendjes faktike, kualifiokohen si pretendime qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, që kategorizohen si pretendime që bien në kategorinë e "shkallës së katërt"; dhe (II) pretendimet për shkelje të neneve 3, 27 dhe 30 të Kushtetutës, janë pretendime që kualifikohen si pretendime qartazi të pabazuara, që i takojnë kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Prandaj, kërkesa në tërësi deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenit 20 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 11 shtator 2024, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË, kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË, këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË, këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn ne fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, ne pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Naim Prokshi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale