Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 245/2023] të 5 qershorit 2023 të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI236/23

Parashtruesit: Robert Smakaj

Shkarko:

 

 

 

Prishtinë, më​​ 12​​ korrik 2024​​ 

          Nr. ref.: RK 2466/24

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr.​​ KI236/23

 

Parashtrues

 

Robert Smakaj

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së​​ Aktgjykimit​​ [Pml.​​ nr.​​ 245/2023] të​​ 5 qershorit 2023​​ të Gjykatës Supreme

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzie​​ Istrefi-Peci, gjyqtare​​ 

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar​​ 

Enver Peci, gjyqtar​​ dhe

Jeton Bytyqi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës​​ 

 

  • Kërkesa​​ është dorëzuar nga​​ Robert Smakaj​​ nga Prishtina​​ (në tekstin e mëtejmë:​​ parashtruesi​​ i​​ kërkesës),​​ i përfaqësuar nga Fatlum Podvorica avokat në Prishtinë.

 

 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesi​​ i​​ kërkesës​​ e​​ konteston​​ Aktgjykimin​​ [Pml.​​ nr.​​ 245/2023]​​ e​​ 5 qershorit 2023​​ të Gjykatës Supreme​​ në lidhje me Aktgjykimin [PA1.​​ nr.​​ 1863/2022]​​ e​​ 13 prillit 2023 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimit [P.​​ nr.​​ 189/2017] të 4 marsit 2022 të Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).

 

  • Parashtruesi i kërkesës aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme e ka pranuar më 10 korrik 2023.

 

Objekti i çështjes​​ 

 

  • Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ aktgjykimit​​ të​​ kontestuar​​ të​​ Gjykatës Supreme,​​ përmes​​ së cilit​​ pretendohet​​ se​​ parashtruesit​​ të​​ kërkesës​​ i​​ janë​​ shkelur të drejtat​​ dhe liritë​​ themelore​​ të garantuara me​​ nenin​​ 31​​ [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]​​ në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), ​​ të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa bazohet​​ ​​ paragrafët 1 dhe​​ 7​​ të nenit 113​​ [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]​​ të Kushtetutës,​​ në​​ nenet 22​​ (Procedimi i kërkesës)​​ dhe 47​​ (Kërkesa individuale)​​ të Ligjit​​ nr. 03/L-121​​ për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin​​ 25​​ (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve)​​ të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese​​ të Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

Procedura në Gjykatën​​ Kushtetuese

 

  • ​​ 23 tetor​​ 2023,​​ parashtruesi​​ i​​ kërkesës​​ e dorëzoi​​ kërkesën në Gjykatën​​ Kushtetuese​​ ​​ Republikës së​​ Kosovës (në​​ tekstin e mëtejmë: Gjykata).​​ 

 

  • Më​​ 30 tetor​​ 2023, Kryetarja e Gjykatës​​ përmes vendimit [nr.​​ KSH.​​ KI236/23]​​ caktoi gjyqtarin​​ Bajram Ljatifi​​ gjyqtar​​ raportues​​ dhe​​ përmes vendimit [nr.​​ KSH.​​ KI236/23]​​ Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët:​​ Selvete Gërxhaliu-Krasniqi​​ (kryesuese),​​ Nexhmi Rexhepi​​ dhe Enver Peci, anëtarë.

 

  • ​​ 6 nëntor​​ 2023 Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje të kërkesës ia dërgoi Gjykatës Supreme.

 

  • Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç”​​ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.

 

  • ​​ 25 qershor 2024,​​ Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhja e fakteve

 

  • Bazuar në shkresat e lëndës,​​ më 23 janar 2017,​​ Prokuroria Themelore në​​ Prishtinë-​​ Departamenti i Përgjithshëm (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore) kishte ngritur aktakuzë​​ me​​ numër​​ [PP.​​ II.​​ nr.​​ 6840/15]​​ kundër​​ parashtruesit të kërkesës,​​ për​​ shkak të dyshimit se ka kryer​​ veprën​​ penale​​ lëndim​​ i rëndë​​ trupor nga neni 189,​​ paragrafi 1 të​​ Kodit​​ Nr.​​ 04/L-082​​ Penal të​​ Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë:​​ KPRK).

  • Më 4 mars 2022, Gjykata Themelore përmes aktgjykimit [P.​​ nr.​​ 189/17]​​ vendosi:​​ (i)​​ shpalli fajtor parashtruesin ​​ e kërkesës,​​ për shkak të kryerjes së veprës penale​​ lëndim i rëndë trupor nga neni 189,​​ paragrafi 1 i KPRK-së, dhe i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) muaj burgim i cili do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi; (ii) obligohet​​ i pandehuri që​​ në​​ emër të​​ shpenzimeve procedurale t'i paguaj dhe atë në​​ emër të​​ paushallit gjyqësor​​ shumën prej 30 (tridhjetë) €, për programin e kompensimit të​​ viktimave të​​ krimit shumën prej 30 (tridhjete) euro, për​​ ekspertizë​​ mjeko-ligjore shumën prej 20​​ (njëzetë)​​ euro, të​​ gjitha në​​ afat prej 15​​ ditësh, pasi që​​ ky aktgjykim të​​ bëhet i formës së​​ prerë, nën kërcënim të​​ përmbarimit me detyrim; (iii) i dëmtuari Dardan Graiqevci për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest civil.

 

  • Më 7 qershor 2022, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të sanksionit penal, me propozimin që të ndryshohet aktgjykimi i kontestuar dhe se parashtruesit të kërkesës t’i shqiptohet një dënim më i butë me gjobë ose dënimi i shqiptuar të zëvendësohet me para.

 

  • Më 22 shtator 2022, pala e dëmtuar paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me propozimin që Gjykata e Apelit parashtruesit të kërkesës t’i shqiptojë një sanksion penal më të ashpër, konform me dispozitat e kodit penal. Përgjigje në ankesë kishte parashtruar edhe parashtruesi i kërkesës,​​ duke kërkuar që ankesa e palës së dëmtuar të refuzohet si e pabazuar.

 

  • Më 5 tetor 2022, Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit [PA1.​​ nr.​​ 901/2022] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, si dhe ankesën e​​ palës së dëmtuar, ndërsa​​ e vërtetoi​​ aktgjykimin [P.​​ nr.​​ 189/2017] të 4 marsit 2022 të Gjykatës Themelore.

 

  • Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore dhe të Apelit, për shkak të shkeljes së Ligjit Penal, e përcaktuar me nenin 432,​​ paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPPK).

 

  • Më 22 nëntor 2022, Gjykata Supreme përmes aktgjykimit [Pml.​​ nr.​​ 424/2022] aprovoi si të bazuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë së parashtruesit të kërkesës, dhe anuloi aktgjykimin [PA1.​​ nr.​​ 901/2022]​​ e​​ 5 tetorit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe çështjen penale e ktheu në rigjykim të njëjtës gjykatë.

 

  • Më 13 prill 2023, Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit [PA1.​​ nr.​​ 1863/2022] refuzoi si të pabazuara ankesat e parashtruesit të kërkesës dhe palës së dëmtuar, ndërsa aktgjykimin e ankimuar e vërtetoi. Gjykata e Apelit në arsyetimin e aktgjykimit ndër të tjera theksoi: “Kolegji penal i​​ Gjykatës së​​ Apelit shqyrtoi edhe propozimin e mbrojtjes së​​ të​​ akuzuarit që​​ dënimi me burgim i shqiptuar ti zëvendësohet me dënim me gjobë​​ në​​ pajtim me nenin 44 të​​ KPRK-së​​ për faktin se i akuzuari e ka dhënë pëlqimin, por kolegji vlerësoi se​​ nën rrethanat e lartpërmendura sidomos duke pas parasyshë mënyrën e kryerjes së​​ veprës penale intensitetin e rrezikshmërisë​​ së​​ vlerës së​​ mbrojtur,​​ shkallën e përgjegjësisë personale si dhe personalitetin e​​ të​​ akuzuarit i njëjti ka qenë​​ i dënuar edhe më​​ herët me aktgjykim të​​ plotfuqishëm për vepër penale të​​ natyrës së​​ njëjtë, kolegji penal i kësaj gjykate vlerëson se në​​ rastin konkret dënimi i shqiptuar ndaj të​​ akuzuarit është dënim i drejtë, i ligjshëm, në​​ harmoni me peshën si dhe me mënyrën e kryerjes së​​ veprës penale, me cilësitë personale të​​ akuzuarit dhe me shkallën e përgjegjësisë penale të​​ tij dhe nuk ka vend që​​ të​​ akuzuarit ti shqiptohet dënim tjetër nga ai i cili i është shqiptuar nga ana e gjykatës së​​ shkallës së​​ parë. Gjithashtu, kolegji penal i Gjykatës së​​ Apelit të​​ Kosovës është i bindur se me dënimin e shqiptuar do të​​ arrihet qëllimi i dënimit i parashikuar me nenin 38, të​​ KPRK-së, i cili​​ konsiston në​​ parandalimin e të​​ akuzuarit nga kryerja e veprave penale në​​ të​​ ardhmen dhe të​​ bëjë​​ rehabilitimin e tij, të​​ parandalojë​​ personat e​​ tjerë​​ nga kryerja e veprave penale, të​​ bëjnë​​ kompensimin e viktimave ose të​​ komunitetit​​ për​​ humbjet ose dëmet e shkaktuara nga veprat penale dhe të​​ shpreh gjykimin​​ shoqëror​​ për​​ veprën​​ penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit​​ për​​ respektimin e ligjit.

 

  • Më 22 maj 2023, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit [PA1.​​ nr.​​ 1863/2022],​​ për shkak të shkeljes së ligjit penal, e përcaktuar me nenin 432,​​ paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 i KPPK-së.

 

  • Më 5 qershor 2023, Gjykata Supreme përmes aktgjykimit [Pml.​​ nr.​​ 245/2023] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës. Gjykata Supreme në aktgjykim,​​ ndër të tjera,​​ arsyetoi: “Sa i përket pretendimit se gjykata e shkallës së​​ parë, përkundër faktit se i​​ dënuari​​ kishte​​ dhënë​​ pëlqimin​​ e tij që​​ dënimi​​ i shqiptuar me burgim në​​ kohëzgjatje​​ prej 4 (katër) muajve t'i zëvendësohet me​​ dënim​​ me gjobë, Gjykata Supreme e Kosovës,​​ vlerëson​​ se dispozita e nenit 44 i KPRK-së, ka​​ përcaktuar​​ se: "Kur gjykata shqipton​​ dënimin me burgim deri në​​ 6​​ (gjashtë) muaj, gjykata njëkohësisht​​ mund të​​ vendos që​​ dënimi​​ me burgim të​​ zëvendësohet​​ me​​ dënim​​ me gjobë, me pëlqimin​​ e personit të​​ dënuar". Ashtu që​​ nga interpretimi i​​ kësaj​​ dispozite ligjore del se​​ për​​ zëvendësimin​​ e​​ dënimit​​ nga​​ dënimi​​ me burgim në​​ dënim​​ me gjobë​​ duhet të​​ plotësohen​​ dy kushte dhe​​ atë që​​ ndaj të​​ dënuarit​​ të​​ shqiptohet​​ dënim​​ me burgim deri në​​ 6 (gjashtë) muaj​​ dhe gjithashtu kërkohet pëlqimi​​ i të​​ dënuarit.​​ Përkundër​​ faktit se në​​ rastin konkret​​ këto​​ kushte ishin​​ plotësuar,​​ megjithatë dispozita ligjore​​ këtë​​ zëvendësim​​ nuk e ka​​ përcaktuar​​ si normë​​ imperativë, por si​​ mundësi​​ të​​ vlerësimit​​ diskrecional të​​ gjykatës​​ e që​​ në​​ rastin konkret sipas​​ vlerësimit të​​ gjykatës së​​ shkallës së​​ parë​​ është​​ vlerësuar​​ se​​ zëvendësimi​​ i​​ dënimit​​ nga​​ dënimi​​ me burgim në​​ dënim me gjobë nuk është​​ i​​ justifikueshëm.

 

Pretendimet e parashtruesit​​ ​​ kërkesës

 

  • Parashtruesi​​ i kërkesës e​​ konteston​​ Aktgjykimin​​ [Pml.​​ nr.​​ 245/2023]​​ e​​ 5 qershorit 2023​​ të Gjykatës Supreme,​​ me pretendimin se​​ i njëjti​​ është​​ nxjerrë​​ në​​ shkelje të​​ të​​ drejtave dhe lirive themelore​​ të​​ tij​​ të​​ garantuara​​ me​​ nenin​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]​​ të Kushtetutës,​​ në lidhje me ​​ nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt)​​ të KEDNJ-së.

 

Pretendimet lidhur me shkeljen e nenit​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

  • Parashtruesi i kërkesës fillimisht​​ pretendon shkelje të nenit 31 të Kushtetutës,​​ duke pretenduar mosarsyetimin e vendimeve gjyqësore nga gjykatat e rregullta,​​ ku​​ siç thekson ai “...​​ po​​ ashtu as gjykata e shkallës së dytë​​ fare nuk e ka arsyetuar aktgjykimin e saj​​ lidhur me ankesën e parashtruar nga ana e parashtruesit të​​ kërkesës që​​ ka të​​ bëjë​​ me zëvendësimin e dënimit me burg në​​ kohëzgjatje prej 4 muajve me dënim me gjobë, kur i pandehuri e jep pëlqimin që​​ dënimi me burg ti shndërrohet me dënim​​ me gjobë​​ ku është paraparë​​ edhe dispozitën e nenit 44 të​​ KPRK-së​​ ku është përcaktuar zëvendësimi i dënimit me burgim me dënim​​ me gjobë​​ si vijon:​​ "Kur gjykata shqipton dënimin me burgim deri në​​ gjashtë​​ (6) muaj, gjykata njëkohësisht mund të​​ vendosë​​ që​​ dënimi me burgim të​​ zëvendësohet me dënim me gjobë, me pëlqimin e personit të​​ dënuar", meqenëse paraqitësi i kërkesës ka dhënë pëlqim që​​ dënimi me burg ti zëvendësohet me dënim​​ me gjobë në​​ harmoni me nenin 44 të​​ KPRK-së​​ në​​ seancën gjyqësore me datë​​ 03.02.2022, gjykata e shkallës së​​ parë​​ dhe gjykata​​ e shkallës së​​ dytë​​ kanë​​ bërë​​ shkelje me rastin e mos zëvendësimit të​​ dënimit me burg me dënim me gjobë​​ duke mos dhënë arsye gjykatat në​​ aktgjykimet e tyre edhe pse i ka​​ plotësuar të​​ gjitha kushtet parashtruesi i kërkesës 4 që​​ ky dënim të​​ zëvendësohet me dënim me gjobë​​ në​​ harmoni me nenin 44 të​​ KPRK-së​​ dhe dënimi me gjobë​​ është më​​ i përshtatshëm pasi që​​ ka kaluar afërsisht 8 vite nga koha kur është kryer vepra penale dhe tani parashtruesi i kërkesës ka krijuar familje dhe është mbajtës i familjes, eventualisht në​​ momentin e shkuarjes në​​ vuajtje të​​ dënimit​​ do ti ndërprehet edhe marrëdhënia e punës dhe do të​​ jetë​​ një dëm shumë​​ i madh i pariparueshëm për të​​ dhe familjen e tij, duke pasur parasysh kohën e kaluar nga momenti i kryerjes së​​ veprës penale mbi 8 vite, andaj edhe gjykata ka bërë​​ shkelje kur këtë çështje nuk e ka shqyrtuar​​ dhe gjykuar në​​ një​​ kohë sa më​​ të​​ arsyeshme​​ por të​​ gjykoj​​ një person pas 8 viteve dhe ti shqiptohet dënim me burgim efektiv e ndërsa të​​ njëjtat​​ gjykata personave të​​ tjerë me pëlqimin e tyre dënimin e shqiptuar me burg efektiv ia​​ zëvendësojnë me dënim me gjobë”.

 

  • Tutje parashtruesi i kërkesës thekson se​​ aktgjykimet e goditura përfshihen me shkelje esenciale të​​ dispozitave​​ të​​ Kodit të​​ Procedurës Penale sepse​​ ...​​ dispozitivi i aktgjykimit është kundërthënës me arsyetimin dhe nuk janë paraqitur arsye të​​ mjaftueshme lidhur me faktet vendimtare. Arsyet e paraqitura janë plotësisht të​​ paqarta dhe kundërthënëse. Aktgjykimi i shkallës së​​ parë​​ dhe i shkallës së​​ dytë​​ nuk janë përpiluar në​​ përputhje me dispozitat e Kodit të​​ procedurës të​​ Kosovës për arsye se gjykata nuk i ka paraqitur në​​ mënyrë​​ të​​ qartë​​ e të plotë​​ arsyet se cilat fakte vendimtare dhe​​ për​​ çfarë​​ arsyesh i ka konsideruar të​​ vërtetuara​​ apo të​​ pavërtetuara. Nuk e ka​​ vlerësuar​​ saktësinë​​ e provave​​ kundërthënëse​​ dhe nuk ka paraqitur arsye të​​ justifikueshme.

 

  • Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon se përmes vendimeve të gjykatave të rregullta është diskriminuar në raport me personat e tjerë pasi që,​​ siç thekson ai,​​ për personat e tjerë,​​ gjykatat dënimin e shqiptuar me burg efektiv ia zëvendësojnë me gjobë,​​ ndërsa atij nuk ia zëvendësojnë, ku siç thekson “Prandaj gjykata nuk është duke​​ i​​ zbatuar dispozitat e nenit 44 të​​ KPRK-së​​ për të​​ gjithë te personat​​ e​​ njëjtë kur të​​ njëjtit japin pëlqimin që dënimi me burg efektiv që​​ t'iu zëvendësohet me dënim me gjobë.​​ Konsiderojmë​​ që​​ gjykatat duhet që​​ ta​​ zbatojnë​​ dispozitën​​ e nenit 44 të​​ KPRK-së​​ për të​​ gjithë​​ ata persona që​​ japin​​ pëlqimin​​ që​​ dënimi​​ i shqiptuar me burg efektiv që​​ t'iu​​ zëvendësohet​​ me​​ dënim​​ me gjobë​​ e jo të​​ bëjë​​ diskriminim. E jo​​ për​​ disa persona që​​ ta zbaton​​ këtë​​ normë​​ e​​ për​​ disa të​​ tjerë​​ si në​​ rastin e parashtruesit të​​ kërkesës​​ mos ta zbaton edhe pse​​ është​​ dënuar me burgim prej 4 muajsh që​​ i​​ plotëson të​​ gjitha kushtet që​​ dënimi​​ i shqiptuar me burg që​​ ti​​ zëvendësohet​​ me​​ dënim me gjobë”.

 

  • Tutje, parashtruesi i kërkesës pretendon se “​​ rastin konkret,​​ kemi të​​ bëjmë edhe me diskriminim se për disa persona e njëjta gjykatë​​ ia​​ zëvendëson​​ dënimin​​ me burg me​​ dënim​​ me gjobë​​ e parashtruesit të​​ kërkesës​​ edhe pse​​ është​​ dënuar​​ me burg në​​ kohëzgjatje​​ prej 4​​ muaj​​ nuk ia​​ zëvendëson​​ këtë​​ dënim​​ me gjobë. Duke marr parasysh edhe kohën e kryerjes së​​ veprës​​ penale në​​ vitin 2015 që​​ deri tani kanë​​ kaluar më​​ shumë​​ se 8 vite nga koha e kryerjes së​​ veprës​​ penale, prandaj​​ kësaj​​ gjykate i propozoj që​​ të​​ ndryshojë​​ aktgjykimin e goditur ashtu që​​ te parashtruesit t'ia aprovon​​ kërkesën​​ dhe ti obligon​​ gjykatën​​ e shkallës së​​ parë​​ që​​ dënimin​​ e shqiptuar me burgim ti​​ zëvendësohet​​ me para,​​ pasi që​​ edhe parashtruesi i​​ kësaj​​ kërkese​​ në​​ seancën​​ fillestare ka propozuar që​​ nëse​​ dënohet​​ me​​ dënim​​ me burgim ti​​ ​​ zëvendësohet​​ me​​ dënim​​ me gjobë​​ me të​​ cilin do të​​ arrihej​​ qëllimi​​ i​​ dënimit, por gjykata e shkallës së​​ parë​​ dhe gjykata e shkallës së​​ dytë​​ si dhe​​ Gjykata​​ Supreme nuk e ka aprovuar propozimin e parashtruesit të​​ kërkesës​​ Robert Smakaj,​​ që​​ dënimi​​ me burgim ti​​ zëvendësohet​​ me gjobë​​ edhe pse i​​ plotëson​​ të​​ gjitha kushtet e parapara ligjore që​​ dënimi​​ i shqiptuar me burgim deri në​​ 4 muaj ti​​ zëvendësohet​​ me para me rastin kur i pandehuri jep​​ pëlqimin, andaj parashtruesi i​​ kërkesës​​ në​​ harmoni me nenin 44 të​​ KPRK-së​​ vetëm​​ ka​​ dhënë​​ pëlqimin​​ që​​ ky​​ dënim​​ ti​​ zëvendësohet​​ me para.

 

  • Në fund,​​ parashtruesi i kërkesës kërkon nga​​ Gjykata: (i) të deklarojë kërkesën e pranueshme; (ii) të konstatojë shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së; dhe (iii)​​ ti​​ shpallë të pavlefshme:​​ Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të​​ Kosovës,​​ Pml.​​ nr.​​ 245/2023 të​​ 5 qershorit​​ 2023, Aktgjykimin e Gjykatës së​​ Apelit​​ PA1.​​ nr.​​ l863/2022,​​ i 13 prillit 2023​​ dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore​​ [P.​​ nr.​​ 189/2017] të​​ 4 marsit 2022, dhe çështjen ta kthejë në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.

 

Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore

 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës

 

Neni 24

[Barazia para Ligjit]​​ 

 

1.​​ Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.​​ 

 

2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.​​ 

 

3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.

 

Neni 31

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.

[...]

 

KODI NR. 06/L-074 PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Neni 38​​ 

Qëllimi i dënimit

 

1. Qëllimet e dënimit janë:

​​ 1.1. të parandalojë kryesin nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij;​​ 

1.2. të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale;​​ 

1.3. të bëjë kompensimin e viktimave ose të komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara nga vepra penale; dhe​​ 

1.4. të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit.

 

 

Neni 44

Zëvendësimi i dënimit me burgim me dënim me gjobë

 

1. Kur gjykata shqipton dënimin me burgim deri në gjashtë (6) muaj, gjykata njëkohësisht mund të vendosë që dënimi me burgim të zëvendësohet me dënim me gjobë, me pëlqimin e personit të dënuar.​​ 

2. Kur dënimi me burgim zëvendësohet me dënimin me gjobë, gjykata nuk kufizohet me shkallën e përllogaritjes të përcaktuar në nenin 43,​​ paragrafi 3.

 

Pranueshmëria e kërkesës

 

  • Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.​​ 

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:​​ 

 

Neni 113

[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]

 

“1.​​ Gjykata​​ Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[...]

7.​​ Individët​​ janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

[...]

 

  • Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:​​ 

 

Neni 47

[Kërkesa individuale]

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

2. Individi​​ mund​​ ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht​​ se​​ cilat të drejta dhe liri​​ pretendon​​ se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.

 

Neni 49

[Afatet]

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur​​ parashtruesit​​ i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht​​ ...”.

 

  • Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës: është ​​ palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai e konteston kushtetutshmërinë e një akti të autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimin​​ [Pml.​​ nr.​​ 245/2023]​​ e​​ 5 qershorit 2023​​ të Gjykatës Supreme;​​ se​​ i ka shteruar të gjitha mjetet​​ juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit;​​ se​​ i ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, siç parashihet me​​ nenin​​ 49​​ ​​ Ligjit.​​ 

 

  • Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin​​ 34​​ [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht​​ nënrregullin​​ (2) të rregullit​​ 34​​ të Rregullores së punës, që përcakton:

 

(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e​​ pabazuar, sepse parashtruesi/ja​​ nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.

 

  • Gjykata​​ rikujton​​ se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë​​ një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit​​ 34​​ të Rregullores së punës​​ (shih rastin​​ KI04/21, parashtruese​​ Nexhmije Makolli,​​ Aktvendim për papranueshmëri,​​ i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin​​ KI175/20, parashtrues​​ Agjencia Kosovare e Privatizimit,​​ Aktvendim për papranueshmëri,​​ i 27 prillit 2021, paragrafi 37).​​ 

 

  • Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy​​ nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së​​ Trofimchuk kundër Ukrainës,​​ nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu​​ Baillard kundër Francës,​​ nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës​​ KI166/20,​​ parashtrues,​​ Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe​​ në fund, (iv) pretendime​​ “konfuze dhe të paqarta”​​ (shih, rastet e GjEDNj-së,​​ Kemmache kundër Francës,​​ nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i),​​ Juta Mentzen kundër Lituanisë,​​ nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe​​ Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).

 

  • Në këtë kontekst,​​ si dhe në vazhdim të tekstit, vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë​​ thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në​​ vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin​​ KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).

 

  • Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë nga​​ aktakuza e Prokurorisë Themelore e ngritur kundër parashtruesit të kërkesës, për shkak të veprës penale​​ lëndim i rëndë​​ trupor nga neni 189,​​ paragrafi 1 i KPRK-së.​​ Gjykata Themelore përmes aktgjykimit të saj vendosi ta shpall fajtor parashtruesin ​​ e kërkesës dhe e dënoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve. Parashtruesi i kërkesës kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit refuzoi ankesën e tij. Kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit kishte aprovuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës dhe kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim në të njëjtën gjykatë. Gjykata e Apelit në rigjykim​​ prapë kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës prapë kishte parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës.

 

  • Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me​​ aktgjykimin e kontestuar të​​ Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me​​ nenin​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]​​ të Kushtetutës​​ në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së.

 

  • Gjykata​​ vëren​​ se esenca e pretendimeve për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, ndërlidhet me​​ mosarsyetimin e vendimit gjyqësor nga ana e Gjykatës Supreme. Gjykata vlerëson se pretendimet e tilla​​ ngrejnë​​ çështje nga neni 31 i Kushtetutës​​ dhe neni 6.1 i KEDNj-së, të cilat​​ Gjykata do t’i​​ analizojë në pajtueshmëri me standardet e praktikës​​ gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.

 

Pretendimet lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së

 

(i) Sa i përket pretendimit për vendim të paarsyetuar gjyqësor

 

  • Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në​​ kërkesën​​ e tij pranë​​ Gjykatës,​​ në esencë, thekson se​​ gjykatat e rregullta nuk ia kanë kthyer dënimin e tij nga dënimi me burg në​​ dënim me gjobë. Pra parashtruesi i kërkesës pretendon se​​ gjykatat e rregullta​​ nuk ka​​ arsyetuar se cilat kanë qenë faktet dhe provat të cilat kanë ndikuar në marrjen e vendimit, pasi që “dispozitivi i aktgjykimit është kundërthënës me arsyetimin dhe nuk janë paraqitur arsye të​​ mjaftueshme lidhur me faktet vendimtare. Arsyet e paraqitura janë plotësisht të​​ paqarta dhe kundërthënëse. Aktgjykimi i shkallës së​​ parë​​ dhe i shkallës së​​ dytë​​ nuk janë përpiluar në​​ përputhje me dispozitat e Kodit të​​ procedurës të​​ Kosovës për arsye se gjykata nuk i ka paraqitur në​​ mënyrë të​​ qartë e të plotë arsyet se cilat fakte vendimtare dhe për​​ çfarë​​ arsyesh i ka konsideruar të​​ vërtetuara apo të​​ pavërtetuara. Nuk e ka vlerësuar saktësinë e provave kundërthënëse​​ dhe nuk ka paraqitur arsye të​​ justifikueshme”.

 

  • Përkitazi me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, Gjykata fillimisht thekson se ajo tashmë ka një praktikë të konsoliduar​​ gjyqësore. Kjo praktikë është ndërtuar duke u​​ bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së (përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet​​ Hadjianastassiou kundër Greqisë​​ nr.​​ 12945/87, Aktgjykim i 16 dhjetorit 1992;​​ Van de Hurk kundër Holandës, Aktgjykim i 19 prillit 1994;​​ Hiro Balani kundër Spanjës​​ nr.​​ 18064/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994;​​ Higgins dhe të tjerët kundër Francës​​ nr.​​ 134/1996/753/952,​​ Aktgjykimi i 19 shkurtit 1998;​​ Garcia Ruiz kundër Spanjës​​ nr.​​ 30544/96, Aktgjykimi i 21 janarit 1999;​​ Hirvisaari kundër Finlandës​​ nr.​​ 49684/99,​​ Aktgjykim i 27 shtatorit 2001;​​ Suominen kundër Finlandës​​ nr.​​ 37801/97, Aktgjykim i 1 korrikut 2003; dhe​​ Tatishvili kundër Rusisë​​ nr.​​ 1509/02, Aktgjykimi i 22 shkurtit 2007.)​​ Për më tepër, parimet themelore sa i përket të drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor janë elaboruar po ashtu në rastet e kësaj Gjykate​​ (duke përfshirë por duke mos u kufizuar në​​ KI22/16, parashtrues​​ Naser Husaj, Aktgjykim i 9 qershorit 2017;​​ KI97/16, parashtrues​​ IKK Classic, Aktgjykim i 9 janarit 2018;​​ KI143/16, parashtrues​​ Muharrem Blaku​​ dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 13 qershorit 2018;​​ KI87/18, parashtrues i kërkesës​​ IF Skadiforsikring, Aktgjykim, i 27 shkurtit 2019;​​ si dhe rastin​​ KI230/19, parashtrues​​ Albert Rakipi, Aktgjykim i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 135).

 

  • Në parim, Gjykata thekson se garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNj-së përfshijnë detyrimin që gjykatat të japin arsye të mjaftueshme për vendimet e tyre (shih rastin e GjEDNj-së,​​ H. kundër Belgjikës, Aktgjykimi i 30 nëntorit 1987, paragrafi 53; si dhe shih rastin e Gjykatës​​ KI230/19, parashtrues​​ Albert Rakipi, të cituar më lart, paragrafi 139 dhe rastin​​ KI87/18, parashtrues​​ IF Skadiforsikring, paragrafi 44).​​ 

 

  • Gjykata po ashtu thekson se bazuar në praktikën e saj gjyqësore gjatë vlerësimit të parimit i cili i referohet administrimit të duhur të drejtësisë, vendimet e gjykatave duhet të përmbajnë arsyetimin në të cilat ato bazohen. Shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret. Janë argumentet thelbësore të parashtruesve të kërkesës që duhet të adresohen dhe arsyet e dhëna duhet të jenë të bazuara në ligjin e aplikueshëm (shih në mënyrë të ngjashme rastet e GjEDNj-së​​ Garcia Ruiz kundër Spanjës, kërkesa nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 29;​​ Hiro Balani kundër Spanjës, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 27;​​ dhe​​ Higgins dhe të tjerët kundër Francës, paragrafi 42;​​ shih, po ashtu, rastin e Gjykatës​​ KI97/16, parashtrues​​ IKK Classic, të cituar më lart, paragrafi 48; dhe rastin​​ KI87/18​​ IF Skadeforsikring, të cituar më lart, paragrafi 48). Duke mos kërkuar një përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar (shih rastin​​ Moreira Ferreira kundër Portugalisë​​ nr.19867/12, Aktgjykim i 5 korrikut 2011,​​ paragrafi 84 dhe të gjitha referencat e përdorura aty; si dhe rastin e Gjykatës​​ KI195/20, parashtrues​​ Aigars Kesengfelds, pronar i institucionit financiar jo-bankar “Monego”, Aktgjykim i 29 marsit 2021, paragrafi 122).

 

  • Gjykata me këtë rast rikujton se,​​ Gjykata Themelore​​ kishte​​ shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës për shkak të kryerjes së veprës penale​​ lëndim i rëndë trupor nga neni 189,​​ paragrafi 1 i KPRK-së dhe e kishte dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve.​​ Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për zëvendësimin e dënimit me burg në dënim me gjobë, në arsyetimin e aktgjykimit të saj Gjykata Themelore,​​ ndër të tjera,​​ kishte theksuar: “Me rastin e matjes dhe shqiptimit të​​ dënimit gjykata mori parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese që​​ ndikojnë në​​ llojin dhe lartësinë e dënimit në​​ pajtim me nenin 73 të​​ KPRK-së, ku si rrethana lehtësuese mori pranimin e fajësisë, pendimin e për veprën e kryer penale, shprehjen e keqardhjes, premtimin se në​​ të​​ ardhmen nuk do të​​ përmbahet nga veprimet e tilla, prandaj konform nenit 71 dhe 72 të​​ KPRK-së, si rrethanë rënduese gjeti faktin se i njëjti është i dënuar​​ me aktgjykim të formës se prerë​​ P.nr.1932/2019 për veprën​​ penale​​ nga neni 188/1 të​​ KPRK-së,​​ prandaj nuk e aprovoi​​ propozimin e të​​ pandehurit që​​ të​​ njëjtit ti zëvendësohet dënimi me burgim me dënimin me gjobë, por të njëjtit i shqiptoi dënim efektiv si në​​ dispozitiv të​​ këtij aktgjykimi. Me bindje se dënimi i tillë​​ i përgjigjet peshës së​​ veprës penale, sjelljeve dhe shkallës së​​ përgjegjësisë penale të​​ pandehurit, se ky dënim do të​​ ndikojë​​ në​​ risocializimin e të​​ njëjtit, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit, gjithashtu, do të ndikonte tek të tjerët në​​ moskryerjen e veprave penale dhe se, me dënim të​​ tillë​​ do të arrihet qëllimi i dënimit i paraparë​​ me nenin 41 të​​ KPRK-së, me bindje se i pandehuri në​​ të​​ ardhmen nuk do të​​ përsërisë vepër tjetër penale të​​ natyrës së​​ tillë​​ apo të​​ ngjashme.

 

  • Gjykata e​​ Apelit,​​ duke shpallur si të​​ pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, kishte vërtetuar​​ Aktgjykimin [P.​​ nr.​​ 189/17]​​ e​​ 4 marsit​​ 2022 të Gjykatës Themelore, ku ndër të tjera kishte arsyetuar:

 

​​ ...​​ Kolegji penal i​​ Gjykatës së​​ Apelit shqyrtoi edhe propozimin e mbrojtjes së të akuzuarit që​​ dënimi me burgim i shqiptuar ti zëvendësohet me dënim​​ me gjobë në​​ pajtim me nenin 44 të​​ KPRK-së​​ për faktin se i akuzuari e ka dhënë pëlqimin, por kolegji vlerësoi​​ se nën rrethanat e lartpërmendura sidomos duke pas parasysh mënyrën e kryerjes së​​ veprës penale intensitetin e rrezikshmërisë​​ së​​ vlerës​​ së​​ mbrojtur shkallën e përgjegjësisë personale si dhe personalitetin e të​​ akuzuarit i njëjti​​ ka qenë​​ i dënuar edhe më​​ herët me aktgjykim të​​ plotfuqishëm për vepër penale të​​ natyrës së njëjtë, kolegji penal i kësaj gjykate vlerëson se në​​ rastin konkret dënimi i shqiptuar ndaj të​​ akuzuarit është dënim​​ i drejtë, i ligjshëm, në​​ harmoni me peshën dhe me mënyrën e kryerjes së​​ veprës penale, me cilësitë personale të​​ akuzuarit dhe me shkallën e përgjegjësisë penale të​​ tij dhe nuk ka vend që​​ të​​ akuzuarit ti shqiptohet dënim tjetër nga ai i cili i është shqiptuar nga ana e gjykatës së​​ shkallës së​​ parë. Gjithashtu, kolegji penal i Gjykatës së​​ Apelit të​​ Kosovës është i bindur se me dënimin e shqiptuar do të​​ arrihet qëllimi i dënimit i parashikuar me nenin 38, të​​ KPRK-së, i cili konsiston në​​ parandalimin e të​​ akuzuarit nga kryerja e veprave penale në​​ të​​ ardhmen dhe të​​ bëjë​​ rehabilitimin e tij, të​​ parandalojë​​ personat e tjerë nga kryerja e veprave penale, të​​ bëjnë kompensimin e viktimave ose të​​ komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara nga veprat penale dhe të​​ shpreh gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit.

 

  • Më tej,​​ Gjykata Supreme​​ në Aktgjykimin [Pml.​​ nr.​​ 245/2023]​​ e​​ 5 qershorit 2023,​​ po ashtu kishte arsyetuar pretendimin kryesor të parashtruesit të kërkesës lidhur me zëvendësimin e dënimit me burgim në dënim me gjobë, ku ndër të tjera kishte theksuar:

 

“...​​ Sa i përket pretendimit se gjykata e shkallës së​​ parë, përkundër faktit se i dënuari kishte dhënë pëlqimin​​ e tij që​​ dënimi​​ i shqiptuar me burgim në​​ kohëzgjatje prej 4 (katër) muajve t'i zëvendësohet me​​ dënim​​ me gjobë, Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se dispozita e nenit 44 i KPRK-së, ka përcaktuar​​ se: "Kur gjykata shqipton dënimin me​​ burgim deri në​​ 6 (gjashtë) muaj, gjykata njëkohësisht​​ mund të​​ vendos që​​ dënimi me burgim të​​ zëvendësohet​​ me​​ dënim​​ me gjobë, me​​ pëlqimin e personit të​​ dënuar". Ashtu që​​ nga interpretimi i​​ kësaj​​ dispozite ligjore del se​​ për​​ zëvendësimin​​ e​​ dënimit​​ nga​​ dënimi​​ me burgim në​​ dënim​​ me gjobë duhet të​​ plotësohen​​ dy kushte dhe​​ atë​​ ​​ ndaj të​​ dënuarit​​ ​​ shqiptohet​​ dënim​​ me burgim deri në​​ 6 (gjashtë) muaj dhe gjithashtu​​ kërkohet​​ pëlqimi i të​​ dënuarit.​​ Përkundër​​ faktit se në​​ rastin konkret​​ këto​​ kushte ishin​​ plotësuar,​​ megjithatë​​ dispozita​​ ligjore​​ këtë​​ zëvendësim​​ nuk e ka​​ përcaktuar​​ si normë​​ imperative, por si​​ mundësi​​ ​​ vlerësimit​​ diskrecional të​​ gjykatës​​ e që në​​ rastin konkret sipas​​ vlerësimit​​ ​​ gjykatës​​ ​​ shkallës së​​ parë​​ është​​ vlerësuar​​ se​​ zëvendësimi​​ i​​ dënimit​​ nga​​ dënimi​​ me burgim në​​ dënim​​ me​​ gjobë​​ nuk është​​ i​​ justifikueshëm.

Duke vlerësuar pretendimet përkitazi me vlerësimin e rrethanave lehtësuese​​ me rastin e shqiptimit të​​ dënimit, Gjykata Supreme e Kosovës vëren faktin se në​​ mënyrë të​​ drejtë​​ është​​ zbatuar ligji penal nga të​​ dy gjykatat e instancave më​​ ​​ ulëta dhe të​​ dënuarit i është shqiptuar dënim i përcaktuar brenda kornizës​​ ​​ minimumit dhe maksimumit të​​ dënimeve të​​ përcaktuara për veprat penale për​​ ​​ cilat i dënuari është shpallur fajtor.​​ Megjithatë, bazuar në dispozitën e nenit 385,​​ par.5 të KPP-së, kur bëhet fjalë për vendimin për dënim, dënim alternativ, vërejtja gjyqësore ose në marrjen e vendimit​​ për masën​​ e trajtimit të​​ detyrueshëm për rehabilitimin apo për konfiskimin e dobisë​​ pasurore të​​ fituar me vepër penale, shkelja e ligjit penal bëhet në rastet kur në marrjen e​​ vendimit për dënim gjykata i ka tejkaluar kompetencat ligjore. Pra, nuk është​​ ​​ kompetencën​​ e Gjykatës​​ Supreme të​​ Kosovës shqyrtimi i​​ lartësisë së​​ dënimit​​ ​​ shqiptuar, por e rëndësishme​​ është​​ se me rastin e shqiptimit të​​ dënimit nuk janë​​ tejkaluar kompetencat ligjore​​ dhe arsyet e dhëna për vendimin për dënim, nuk​​ janë​​ ​​ përfshira në​​ shkelje procedurale”.

 

  • Gjykata vëren se fillimisht​​ Gjykata​​ Themelore​​ e më pas edhe Gjykata e Apelit, duke u mbështetur​​ në rrethanat rënduese​​ për parashtruesin e kërkesës, pasi që parashtruesi i kërkesës kishte qenë edhe një herë i dënuar me një vendim të formës së prerë, kanë vlerësuar​​ se në​​ rastin konkret dënimi i shqiptuar ndaj​​ parashtruesit të kërkesës​​ është dënim i drejtë, i ligjshëm, në​​ harmoni me peshën dhe me mënyrën e kryerjes së​​ veprës penale, me cilësitë personale të​​ të​​ akuzuarit dhe me shkallën e përgjegjësisë​​ penale të tij,​​ dhe nuk ka vend që të​​ akuzuarit ti shqiptohet dënim tjetër​​ apo ti zëvendësohet me dënim me gjobë.

 

  • Gjykata me këtë rast, rikujton se nisur nga praktika e GjEDNj-së dhe e Gjykatës, ​​ e njëjta nuk kërkon përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës. Megjithatë, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar.

 

  • Në rastin konkret, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës​​ në kërkesën e tij​​ për mbrojtjen e ligjshmërisë​​ drejtuar Gjykatës Supreme, kishte theksuar se​​ gjykata e shkallës së​​ dytë​​ fare nuk e ka arsyetuar aktgjykimin e saj​​ lidhur me ankesën e parashtruar nga ana e tij që​​ ka të​​ bëjë​​ me zëvendësimin e burgimit në​​ kohëzgjatje​​ prej 4 muajve me dënim me gjobë, kur i pandehuri e jep pëlqimin që dënimi me burg t’i shndërrohet me dënim me gjobë ku është paraparë edhe​​ me​​ dispozitën e nenit 44 të KPRK-së. Të njëjtit​​ pretendim të parashtruesit,​​ Gjykata Supreme​​ i ishte përgjigjur në aktgjykimin e saj,​​ ku kishte theksuar se​​ zëvendësimin e dënimit dispozita ligjore nuk e ka përcaktuar si normë imperative, por si mundësi e vlerësimit diskrecional të gjykatës, dhe që në rastin konkret zëvendësimi i dënimit nga dënimi me burgim në dënim me gjobë nuk është i justifikueshëm.​​ 

 

  • Në këtë kontekst, Gjykata, duke u bazuar në sqarimet si më sipër, dhe në mënyrë specifike duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara më lart, konsideron se​​ aktgjykimi i kontestuar i​​ Gjykatës Supreme​​ nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor. Për pasojë, pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor është qartazi i pabazuar në bazë kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin​​ 34​​ (2) të Rregullores së​​ punës.

 

Përkitazi me pretendimet​​ tjera

 

  • Siç u cek më lart, parashtruesi i kërkesës pretendon se​​ me​​ aktgjykimin​​ e​​ kontestuar​​ ​​ Gjykatës Supreme,​​ ai është diskriminuar në raport me personat e tjerë pasi që në disa raste gjykatat kanë vendosur që të zëvendësojnë dënimin me burgim me dënim me gjobë,​​ ndërsa në rastin e tij nuk kanë vepruar njëjtë. Mirëpo, parashtruesi i kërkesës​​ vetëm i përmend​​ se është diskriminuar, por nuk​​ shtjellon​​ më tutje se si dhe përse ka ardhur deri​​ tek diskriminimi, dhe se nuk ka treguar se rrethanat e rastit të tij janë të njëjta ose identike me rastet e përmendura. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave​​ duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës Kushtetuese​​ KI187/18 dhe KI11/19, parashtrues:​​ Muhamet Idrizi,​​ Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2019, paragrafi 73;​​ KI125/19​​ parashtrues:​​ Ismajl Bajgora,​​ Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 63; dhe së fundmi rastin​​ KI175/20, parashtrues​​ Agjencia Kosovare e Privatizimit,​​ Aktvendimi për papranueshmëri, i 26 marsit 2021, paragrafët 79-82).​​ 

 

  • Thënë këtë, Gjykata konsideron se pretendimin për​​ diskriminim,​​ parashtruesi i kërkesës, në të vërtetë, i​​ ka elaboruar mbi bazën e nenit 31 të Kushtetutës, duke e ndërlidhur shkeljen e​​ këtyre të drejtave​​ themelore, me​​ mosarsyetimin e vendimeve gjyqësore, për çfarë Gjykata sa mësipër konstatoi se në këtë pjesë kërkesa duhet të shpallet qartazi e pabazuar, në baza kushtetuese dhe rrjedhimisht e papranueshme, për arsyet e lartcekura. ​​ 

 

  • Prandaj, Gjykata konstaton se përkitazi me këto​​ pretendime​​ të parashtruesit​​ të kërkesës, Gjykata konkludon që kjo pjesë e kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë​​ ​​ (iii) pretendimeve​​ “të pambështetura ose të paarsyetuara,​​ sepse​​ parashtruesi​​ i​​ kërkesës thjesht​​ citoi​​ nenet​​ e​​ Kushtetutës, pa shpjeguar se si​​ janë​​ shkelur​​ ato. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit​​ 34​​ të Rregullores së punës.​​ 

 

Përfundim

 

  • Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me​​ mosarsyetimin e vendimit gjyqësor, që​​ bien në fushëveprimin e nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6.1 të KEDNj-së,​​ i përkasin kategorisë së​​ dytë​​ (ii)​​ ​​ pretendimeve “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes​​ ”, andaj të njëjtat duhet të​​ deklarohen​​ qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin​​ 34​​ (2) të Rregullores së punës.

 

  • Sa i përket pretendimeve​​ lidhur me diskriminimin, duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi​​ ​​ pabazuara pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara.

 

  • Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, duhet të deklarohet e papranueshme.

 

PËR KËTO ARSYE

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet​​ 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës,​​ ​​ nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat​​ 34​​ (2) dhe​​ 48​​ (1)​​ (b) të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur​​ ​​ 25 qershor 2024, njëzëri

 

VENDOS​​ 

 

  • TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;​​ 

 

  • T’UA KUMTOJË këtë​​ aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë​​ aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  • Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës,​​ në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.​​ 

 

 

 

 

 

Gjyqtari raportues  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​  ​​​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese​​ 

 

 

 

 

Bajram Ljatifi ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​  ​​ ​​ ​​ ​​​​ ​​ Gresa Caka-Nimani

 

Parashtruesit:

Robert Smakaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri