Prishtinë, më 8 maj 2023
Nr. ref.:AGJ 2159/23
AKTGJYKIM
në
rastin nr. KI67/22
Parashtrues
Zeqirja Prebreza
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit CA. Nr. 1343/2021 të 29 dhjetorit 2021, të Gjykatës së Apelit të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gëxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Zeqirja Prebreza, me vendbanim në fshatin Bardh i Madh, Komuna e Fushë Kosovës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Zenel Shala, avokat në Prishtinë.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [CA. nr. 1343/2021] të 29 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit), në ndërlidhje me Aktgjykimin [C. nr. 645/2020], e 14 janarit 2021 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës Vendimin e kontestuar e ka pranuar më 24 janar 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 24 [Barazia para Ligjit], paragrafë 1 dhe 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), si dhe paragrafin 1 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 20 maj 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 23 maj 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [GJR. KI67/22] caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Safet Hoxha (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 27 maj 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës së Apelit.
Më 1 qershor 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë fletë-kthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 3 qershor 2022, Gjykata Themelore e dorëzoi në Gjykatë fletë-kthesën e kërkuar që dëshmon se kur parashtruesi e ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 22 qershor 2022, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore dorëzimin e dosjes së plotë të lëndës në Gjykatë.
Më 8 korrik 2022, Gjykata Themelore e dorëzoi në Gjykatë dosjen e plotë të lëndës.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 6 janar 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore që të konfirmojë nëse, më 10 mars 2021, parashtruesi i kërkesës ka dorëzuar përgjigje në ankesë gjatë procedurës së shkallës së dytë në Gjykatën e Apelit.
Më 26 janar 2023, në mungesë të përgjigjes nga Gjykata Themelore, Gjykata iu drejtua Këshillit Gjyqësor të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KGJK) për të konfirmuar informatën e lartcekur, të cilën e ka kërkuar nga Gjykata Themelore.
Më 27 janar 2023, Gjykata pranoi përgjigjen nga Gjykata Themelore dhe komunikimin e saj me KGJK, ku konfirmohet se parashtruesi i kërkesës më 10 mars 2021 dorëzoi përgjigjen në ankesë në Gjykatën Themelore, e cila, këtë përgjigje më 31 mars 2021, ia ka përcjellë Gjykatës së Apelit.
Më 4 prill 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës. Në të njëjtën ditë, Gjykata njëzëri, vendosi: (i) se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (ii), të shpallë të pavlefshëm, me shumicë votash, Aktgjykimin [CA. Nr. 1343/2021] e 29 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit të Kosovës dhe (iii) të kthejë me shumicë votash, Aktgjykimin [CA. Nr. 1343/2021] e 29 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit të Kosovës, për rishqyrtim në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate.
Në përputhje me rregullin 62 (Mendimet konkurruese) të Rregullores së punës të Gjykatës, gjyqtari Radomir Laban ka përgatitur mendim konkurrues, i cili do të publikohet së bashkë me këtë Aktgjykim.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte qenë i punësuar në pozitën “Prijës ekipi” në Korporatën Energjetike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KEK) prej 2 dhjetorit 1988 deri më 12 dhjetor 2018. I njëjti kishte pasur ndërprerje në marrëdhënien e punës në periudhën kohore prej 18 dhjetorit 1987 deri më 2 dhjetor 1988 për shkak të kryerjes së shërbimit ushtarak si dhe në periudhën kohore prej 10 tetorit 1990 deri më 28 shkurt 1994 për shkak të mbylljes së ish Mihjes Sipërfaqësore të Bardhit (Bellaqevci).
Më 10 prill 2019, KEK nxori Vendimin nr. 2244 përmes të cilit pranoi obligimin për kompensimin e pagave jubilare për periudhën 2015-2017. Ndërkaq, më 23 gusht 2019, përmes Vendimit nr. 3261, KEK plotësoi Vendimin nr. 2244 duke u njohur të drejtën e pagesës së pagave jubilare të gjithë punëmarrësve që plotësonin kushtin deri me 31 dhjetor 2019.
Më 15 tetor 2019, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë në KEK për njohjen e të drejtës për shpërblim të tri pagave jubilare.
Më 5 dhjetor 2019, KEK përmes Vendimit nr. 11356 e refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për shpërblimin e tri pagave jubilare, si rezultat i mos-plotësimit të kritereve të përcaktuara me vendimet e saj për shpërblim jubilar, me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës nuk ka pasur vit jubilar pasi që përvojën e punës së pandërprerë në KEK, e kishte nga 28 shkurti 1994.
Më 10 shkurt 2020, parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore për kompensimin e pagave jubilare, me propozimin që Gjykata Themelore të aprovojë kërkesëpadinë, t’ia njeh të drejtën në pagesë të tri pagave jubilare në shumë prej 2, 460. 98 € (dy mijë e katërqind e gjashtëdhjetë euro e nëntëdhjetë e tetë cent), me kamatë ligjore në lartësi prej 8% (tetë përqind), si dhe t’ia kompensojë shpenzimet e procedurës.
Më 14 janar 2021, Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [C. nr. 645/2020] e aprovoi si të bazuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Themelore, ndër të tjera, vlerësoi se e drejta në shpërblim jubilar përcaktohej me nenin 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: MPKK) dhe me paragrafin 4 të nenit 53 të Kodit të Punës së KEK-ut, sipas të cilit kjo e fundit mbante të drejtën për “...pagesën shtesë/bonuset/për punëmarrësit e vet apo shpërblimet jubilare...”. Rrjedhimisht, në arsyetimin e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore u theksua si në vijim:
“Nga arsyet e theksuara më lartë, gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret janë plotësuar kushtet e parapara në dispozitat e nenin 53.4 nenit të Kodit të Punës që paditësit ti njihet e drejta për pagesën e pagave në emër të shpërblimit jubilar në vlerë të tri pagave, si dhe nga Vendimi me nr. 2244 i dt.10.04.2019, i marrë nga vetë e paditura, ku të gjithë punonjësve që i plotësojnë kushtet, ju njihet e drejta në shpërblim jubilar, andaj edhe vendosi që ta miratoj kërkesëpadinë e paditësit si të bazuar. Lartësinë e pagave mujore në shumën prej 2.460,98 €, gjykata e vërtetoi nga lista e pagave si dhe nga kontrata e punës nr.7346/0.”
Më 4 shkurt 2021, KEK parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [C. nr. 645/2020] të 14 janarit 2021 të Gjykatës Themelore për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që kërkesëpadia të refuzohet si e pabazuar. Në ankesën e dorëzuar, KEK-u theksoi se shkelja e dispozitave procedurale qëndronte në atë se dispozitivi i Aktgjykimit [C. nr. 645/2020] të Gjykatës Themelore ishte në kundërshtim me provat e shkresës së lëndës. Më tutje, përmes ankesës, KEK-u pretendoi se gjykata e shkallës së parë gabimisht kishte vendosur mbi bazën e MPKK-së pasi që në kohën kur parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar padinë si dhe kërkesën pranë KEK-ut, ajo nuk kishte qenë në fuqi dhe rrjedhimisht nuk prodhonte efekte juridike. Ndërkaq, lidhur me Kodin e Punës së KEK-ut, kjo e fundit theksoi se çështja e shpërblimit jubilar nuk rregullohej përmes tij dhe se termi i përdorur në Kodin e Punës i referohej bonusit vjetor sipas performancës së arritur dhe jo shpërblimit jubilar siç parashihet me MPKK-në.
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 4 mars 2021, parashtruesi i kërkesës pranoi nga gjykatat e rregullta kopjen e ankesës së KEK, të 4 shkurtit 2021.
Më 10 mars 2021, parashtruesi i kërkesës kundër ankesës së KEK dorëzoi përgjigjen në ankesë në Gjykatën Themelore për Gjykatën e Apelit, ku theksoi se: “[...] ankesa e të paditurës KEK kundër Aktgjykimit [C.nr.645/20] e 14 janarit 2021 të Gjykatës Themelore, është e pa lëndë për arsye se me vet rregullativën e të paditurës është përcaktuar se u pranohet e drejta në pagesën e tri pagave jubilare të gjithë të punësuarve që kanë mbushur kushtin e 30 (tridhjetë) viteve përvojë të punës, si vit jubilar, e kjo e paraparë me nenin 53, paragrafi 4 të Kodit të punës së të Paditurës dhe Vendimeve nr. 2244 dt 10.04.2019 dhe 8261 datë 23.08.2019, paragrafi 1, pika 1, ku thuhet s e “Vazhdohet njohja e obligimit për pagesën e pagave jubilare për të gjithë të punësuarit që kanë plotësuar kushtin deri më 21.12.2019, pra që kanë arritur përvojën e punës, 10, 20, 30 vite prej 01.01.2015 dhe në vazhdimësi, kurse paditësi në bazë të shënimeve për përvojën e punës të arritur te e paditura pa ndërprerë prej 02.12.1988 e deri me 02.12.2018, i ka plotësuar 30 vite të pandërprerë te e paditura, e që i bije si vit jubilar [...]”.
Më 29 dhjetor 2021, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [CA. nr. 1343/2021] e aprovoi si të bazuar ankesën e parashtruar nga KEK-u dhe ndryshoi Aktgjykimin [C. nr. 645/2020] e 14 janarit 2021 të Gjykatës Themelore duke e refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Përmes këtij Aktgjykimi, Gjykata e Apelit konstatoi se: “Përgjigje në ankesë nuk është paraqitur”. Tutje, në arsyetimin e Aktgjykimit të saj, Gjykata e Apelit duke iu referuar kohëzgjatjes gjatë së cilës kishte qenë në fuqi MPKK, konstatoi se padia e parashtruesit të kërkesës si dhe kërkesa e tij e dorëzuar pranë punëdhënësit ishin parashtruar jashtë afatit ligjor. Në këtë drejtim, Gjykata e Apelit vlerësoi si në vijim:
“Kolegji, konstaton se paditësi në këtë rast, padinë për shpërblim jubilar, në emër të përvojës së tij në punë, të pandërprerë te e paditura, për 10 vjet, mund ta kërkonte, nga data 01.01.2015 (kur ka hyrë në fuqi MPKK ) e deri me 31.12.2017, (kur ka skaduar afati i MPKK).
Paditësi, padinë kundër të paditurës, për shpërblim jubilar në gjykatën e shkallës së parë, e ka paraqitur me dt. 10.02.2020, kurse kërkesën te punëdhënësi për realizimin e kësaj kërkese e kishte paraqitur me dt.18.11.2019, (vendimi i të paditurës, nr.11356 i dt.05.12.2019 në shkresat e lëndës) e që do të thotë, paditësi në këtë rast, kërkesën te punëdhënësi si dhe padinë për realizimin e kërkesës së tij, për shpërblim jubilar, si kërkesë në të holla, e ka paraqitur pas skadimit të afatit ligjor (nga dt. 01.01.2015 deri me dt.31.12.2017), brenda të cilit paditësi mund të kërkonte realizimin e kërkesës së tij kundër të paditurës përmes mbrojtjes gjyqësore, sepse paditësi në këtë rast, përvojën 30 vjeçare të punës së pandërprerë te e paditura,e ka arritur para dt.01.01.2015.”
Rrjedhimisht, duke iu referuar paragrafit 1 të nenit 341 të Ligjit Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve (në tekstin e mëtejmë: LMD), Gjykata e Apelit konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte parashkruar dhe për pasojë e njëjta nuk mund të realizohej me mbrojtje gjyqësore.
Më 18 shkurt 2022, parashtruesi i kërkesës paraqiti propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës theksoi se nuk mund të aplikoheshin dispozitat e LMD-së sepse të drejtën në shpërblim jubilar e kishte fituar përmes Kodit të Punës së KEK-ut si dhe vendimeve përkatëse të saj dhe se kjo e drejtë nuk ishte e lidhur me MPKK. Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës specifikoi se parashkrimi fillonte të rrjedhë nga 2 dhjetori 2018, kur kishte mbushur 30 vite përvojë pune, dhe jo nga 1 janari 2015, me hyrjen në fuqi të MPKK-së.
Më 4 prill 2022, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, përmes Njoftimit [KMLC. nr. 16/2022] refuzoi propozimin e parashtruesit të kërkesës për inicimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër Aktgjykimit [CA. nr. 1343/2021], të 29 dhjetorit 2021, të Gjykatës së Apelit, me arsyetimin se nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore për paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë sipas pikës a) të paragrafit 1 të nenit 247 të Ligjit Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK).
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 24 [Barazia para Ligjit], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], paragrafin 1 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Përkitazi me shkeljet e pretenduara të paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës në esencë pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është i përfshirë me: (i) mungesë të shqyrtimit të përgjigjes së tij në ankesën e ushtruar nga pala kundërshtare, gjegjësisht, shkeljes së parimit të barazisë së armëve (ii) zbatimin e gabuar të ligjit, si dhe (iii) mungesë së konsistencës, përkatësisht divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit.
Për sa i përket çështjes së parë, gjegjësisht, shkeljes së parimit të barazisë së armëve parashtruesi i kërkesës pretendon se i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për faktin se përgjigjja e tij në ankesën e ushtruar nga pala kundërshtare nuk ishte shqyrtuar fare, pasi që Gjykata e Apelit konstatoi se nuk kishte fare përgjigje në ankesë.
Sa i përket çështjes së dytë, respektivisht, zbatimit të gabuar të ligjit, parashtruesi i kërkesës pretendon se vlerësimi i gabuar i Gjykatës së Apelit se baza juridike e kërkesëpadisë është në MPKK, ka dërguar në drejtim të vlerësimit të gabuar edhe të afatshmërisë së kërkesëpadisë duke konstatuar se kërkesa e tij ishte parashkruar. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson se: “Të dyja këto konstatime të gabuara dhe me shkelje ligjore që drejtpërdrejtë e cenojnë të drejtat themelore të parashtruesit të kërkesës, dhe janë diskriminuese ndaj tij edhe për faktin se është shkel edhe parimi i përgjithshëm i drejtësisë se gjykata e njeh ligjin dhe duhet drejtë ta zbatoj ligjin, dhe se me vendim të gjykatës i nxjerr në kundërshtim me ligj, nuk mund t’i mohohet një e drejtë dikujt që i takon me ligj apo me një akt tjetër juridik siç është Kodi i Punës i KEK Sh.a dhe Vendimet e saja të cekura [...]”. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është i paligjshëm dhe diskriminues, në kundërshtim me provat materiale dhe i përcjellë me zbatim të gabuar të ligjit, për faktin se Gjykata e Apelit e ka devijuar çështjen e tij për shpërblim të tri pagave jubilare që sipas tij i takon sipas paragrafit 4 të nenit 53 të Kodit të Punës së KEK-ut.
Në lidhje me përvojën e punës së tij, parashtruesi i kërkesës thekson se të njëjtit:
“[...] i ndërpritet marrëdhënia e punës më 18.12.1987 për shkak të shkuarjes në shërbimin ushtarak. Pas shërbimit ushtarak ka krijuar marrëdhënie pune me dt. 02.12.1988 deri me dt. 10.10.1990, kur iu ka ndërpre marrëdhënia e punës dhe atij si të gjithë punëtorëve në ish mihjen e Bardhit të Elektroekonomisë së Kosovës, fakt publik që nuk ka nevojë të dokumentohet (Mbyllja e Mihjes Sipërfaqësore e Bardhit ish Bellaqevci me Vendim t ë Oranit të dhunshëm të RS Serbisë). Periudha Kohore nga dt. 10.10.1990 deri më dt. 28.02.1994 kur ka rikrijuar marrëdhënie pune, mbulohet me Vendimin e te paditurës nr. 8261, paragrafi II. ku ndërprerje e përvojës së punës nuk konsiderohet periudha prej vitit 1990 deri me 1999, dhe paragrafi I i të njëjtit vendim, me të cilin Vazhdohet kompensimi i pagave jubilare për të gjithë të punësuarit që e kanë plotësuar kushtin deri më 31.12.2019 e tutje.
Gjendjen faktike të cekur me lartë, gjykata themelore e ka vërtetuar në bazë të provave materiale, dhe bazuar në dispozitat e Kodit të punës dhe Vendimeve të paditurës, ka konstatuar se parashtruesi i kërkesës ka 30 vite përvojë pune pa ndërpre dhe atë prej dt. 02.12.1988 deri me 02.12.2018, dhe e ka aprovuar kërkesën e tij duke konstatuar se kërkesa është e drejtë, e bazuar dhe nuk ka parashkrim.”
Po ashtu, në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës, thekson se është vënë në pozitë të pabarabartë me palën kundërshtare dhe se është diskriminuar në krahasim me kolegët e tij të cilët e kanë realizuar këtë të drejtë në kushte të njëjta, në bazë të vendimeve dhe Kodit të Punës të KEK-ut, me ç ’rast ngrit pretendimin për shkelje të paragrafit 2 të nenit 24 të Kushtetutës.
Ndërsa sa i përket çështjes së tretë, përkatësisht, mungesës së konsistencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka bashkëngjitur një aktgjykim të Gjykatës së Apelit në një rast tjetër, ku është aprovuar kërkesëpadia e paditësit, lidhur me të cilin pretendon se është cenuar siguria juridike pasi që për çështje identike Gjykata e Apelit në atë rast i kishte njohur paditësit të drejtën në shpërblim jubilar.
Në vijim, parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij ka specifikuar se pretendon shkelje të nenit 46 të Kushtetutës duke theksuar: “Kështu, parashtruesit të Kërkesës i është mohuar e drejta për rikthim në vendin e punës dhe ushtrimin e profesionit, nga ku është përjashtuar me një vendim të kundërligjshëm, si dhe i është mohuar e drejta për kompenzimin e dëmit të shkaktuar moral e material për periudhën sa ka qëndruar padrejtësisht i papunë.” Në këtë kuptim, parashtruesi i kërkesës pretendon se “[...] iu ka mohuar e drejta në shpërblim jubilar e që të hyrat nga marrëdhënia e punës konsiderohen pronë”.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të: i) deklarojë kërkesën të pranueshme; ii) të konstatojë se Aktgjykimi [CA. nr. 1343/2021] i Gjykatës së Apelit është nxjerrë në shkelje të dispozitave ligjore dhe kushtetuese; iii) të anulojë Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit; iv) të kthejë në rishqyrtim Aktgjykimin e kontestuar te Gjykata e Apelit; dhe v) të urdhërojë Gjykatën e Apelit që ta njoftojë Gjykatën lidhur me procedurën e rishqyrtimit të aktgjykimit të anuluar.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
[...]”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]”
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
“1. E drejta e pronës është e garantuar.
KONVENTA EVROPIANE PER TE DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces te rregullt)
“1. Çdo person ka te drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyres civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t'i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[ ...]”
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 5
(pa titull)
“5.1 Gjykata do t’i jep mundësi secilës palë që të deklarohet rreth kërkesave dhe thënieve të palës kundërshtare.
5.2 Vetëm në rastet e përcaktuara me këtë ligj gjykata ka drejtë që të vendos mbi kërkesën për të cilën palës kundërshtare nuk i është dhënë mundësia që të deklarohet.”
Neni 182
(pa titull)
“182.1 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston në çoftë se gjykata gjatë procedurës nuk e ka zbatuar apo ka zbatuar në mënyrë jo të drejt ndonjë dispozitë të këtij ligji, kurse kjo ka pasur apo ka mundë të ketë ndikim në nxjerrjen e aktgjykimit të ligjshëm e të drejtë.
182.2 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston gjithmonë:
[...]
h) në qoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata ka nxjerr aktgjykim për shkak të pohimit, mosbindjes, mungesës, heqjes dorë nga kërkesëpadia, ose pa mbajtjen e shqyrtimit kryesor;
i) në qoftë se ndonjërës nga palët me veprimin e paligjshëm, e sidomos me mosdhënien e mundësisë për shqyrtimin e çështjes në gjykatë;
[...]
n) në qoftë se aktgjykimi ka të meta për shkak të të cilave nuk mund të ekzaminohen, e sidomos në qoftë se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm apo kontradiktor me vetvete ose me arsyet e aktgjykimit,
apo nëse aktgjykimi nuk ka fare arsye apo në të nuk janë treguar fare arsyet për faktet vendimtare, ose ato arsye janë të paqarta, ose kontradiktore, ose nëse për faktet vendimtare ekzistojnë kundërthënie midis asaj që në arsyet e aktgjykimit thuhet për përmbajtje të dokumentit ose të procesverbalit për thëniet e dhëna në procedurë dhe të vet atyre dokumenteve ose të procesverbalit;
o) në qoftë se me aktgjykim është tejkaluar kërkesëpadia.
[...].”
Neni 187
(pa titull)
“187.1 Një ekzemplar të ankesës së paraqitur me kohë, të lejueshme dhe të plotë, gjykata e shkallës së parë ia dërgon palës kundërshtare, e cila mundet, brenda afatit prej shtatë ditësh, të paraqesë po në këtë gjykatë përgjigje në ankese.
187.2 Një ekzemplar të përgjigjes në ankesë gjykata e shkallës së parë ia dërgon ankuesit menjëherë, ose më së voni brenda afatit shtatë ditor nga arritja e saj në gjykatë.
[...]”
Neni 188
(pa titull)
“188.1 Pas pranimit të përgjigjes në ankesë, apo pas skadimit të afatit për përgjigje në ankesë, gjykata e shkallës së parë ankesën dhe përgjigjen në ankesë, nëse është paraqitur me të gjitha shkresat e lëndës ia dërgon gjykatës së shkallës së dytë në afat prej shtatë ditësh më së shumti.
188.2 Po që se ankuesi pretendon se në procedurën e shkallës së parë janë shkelur dispozitat e procedurës kontestimore, gjykata e shkallës së parë mund të jep shpjegime lidhur me thëniet në ankesë që i përkasin shkeljeve të tilla, e sipas nevojës mund të bëjë hetime me qëllim të verifikimit të saktësisë së thënieve përkatëse ne ankese.”
Neni 195
(pa titull)
“195.1 Gjykata e ankimit mundet, në seancën e kolegjit apo në bazë të shqyrtimit të çështjes të bërë drejtpërdrejt para saj :
a) ta hedhë poshtë ankesën si të vonuar, jo të plotë apo të palejueshme;
b) ta prishë aktgjykimin e goditur dhe ta hedhë poshtë padinë;
c) ta prishë aktgjykimin e goditur dhe ta kthej çështjen në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë;
d) ta refuzoj ankesën si të pathemeltë dhe ta vërtetoj aktgjykimin e goditur;
e) ta ndryshoj aktgjykimin e shkallës së parë.
195.2 Gjykata e shkallës së dytë nuk është e lidhur për propozimin e parashtruar ne ankesë.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret për pranueshmëri, të përcaktuara me Kushtetutë, të parapara me Ligj dhe të parashikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet nenit 113 të Kushtetutës, i cili përcakton:
“7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Në vazhdim, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen në Ligj. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...].”
Për sa i përket përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë, siç janë cekur më lart, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në cilësinë e palës së autorizuar, dhe konteston Aktgjykimin [CA. nr. 1343/2021] e 29 dhjetorit 2021, të Gjykatës së Apelit. Gjykata në vijim, vëren se parashtruesi i kërkesës po ashtu ka paraqitur kërkesë për inicimin e kërkesës për mbrojtje të Ligjshmërisë në Zyrën në e Prokurorit të Shtetit, dhe ky i fundit përmes Njoftimit [KMLC. nr. 16/2022] të 4 prillit 2022, kërkesën e tij e kishte refuzuar me arsyetimin se nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore për paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë sipas pikës a) të paragrafit 1 të nenit 247 të LPK-së. Në këtë kuptim, marrë për bazë faktin që objekt i shqyrtimit të kërkesës është Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit, i datës 29 dhjetor 2021, Gjykata do të vlerësojë nëse kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar brenda afatit të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës. Në lidhje me këtë të fundit, bazuar në fletë-kthesën e Gjykatës Themelore rezulton që Aktgjykimi i kontestuar parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar më 24 janar 2022, dhe i njëjti kërkesën e tij në Gjykatë e ka paraqitur më 20 maj 2022. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës ka paraqitur kërkesën e tij në Gjykatë brenda afatit të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit, pasi që i ka shteruar mjetet juridike, të përcaktuara me ligj, si dhe ka qartësuar të drejtat dhe liritë themelore që ai pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit.
Gjykata gjithashtu konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës i plotëson kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara përmes paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës dhe se e njëjta nuk mund të shpallet e papranueshme mbi bazën e kushteve të përcaktuara përmes paragrafit (3) të rregullit 39 të Rregullores së punës. Gjykata gjithashtu thekson se kërkesa nuk është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës, prandaj ajo duhet deklaruar e pranueshme dhe duhet të shqyrtohen meritat e saj.
Meritat e kërkesës
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [CA. nr. 1343/2021] e 29 dhjetorit 2021, të Gjykatës së Apelit me të cilën aprovoi si të bazuar ankesën e parashtruar nga KEK-u dhe ndryshoi Aktgjykimin [C. nr. 645/2020] e 14 janarit 2021 të Gjykatës Themelore duke e refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata rikujton se esenca e rastit ndërlidhet me faktin se Gjykata Themelore kishte aprovuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për njohjen e të drejtës në kompensim të tri pagave jubilare. Më pas, pas parashtrimit të ankesës nga KEK-u më 4 shkurt 2021 në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit e aprovoi atë si të bazuar dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me ç’rast konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte paraqitur përgjigje në ankesë. Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pohoi se paraqiti përgjigje në ankesë më 10 mars 2021, duke ofruar kopjen e këtij dokumenti, i cili mban edhe vulën e Gjykatës Themelore. Megjithatë, ky dokument nuk gjendet në dosjen e plotë të lëndës [C.nr. 645/2020], të pranuar nga Gjykata Themelore më 8 korrik 2022. Nga fletë-kthesa e thirrjes së Gjykatës Themelore për përgjigje në ankesë, rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte pranuar ankesën e KEK-ut më 4 mars 2021. Për të vërtetuar autencitetin e përgjigjes në ankesë, të dorëzuar nga parashtruesi i kërkesës, më 6 janar 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore që të sqarohet lidhur me pranimin e këtij dokumenti, respektivisht, nëse e ka pranuar atë përgjigje në ankesë. Më 26 janar 2023, në mungesë të përgjigjes nga Gjykata Themelore, Gjykata kërkoi nga KGJK që të konfirmojë informatën e lartcekur, ndërsa, më 27 janar 2023, Gjykata pranoi përgjigjen nga Gjykata Themelore ku konfirmohet se parashtruesi i kërkesës më 10 mars 2021 dorëzoi përgjigjen në ankesë në Gjykatën Themelore, të cilën përgjigje, më 31 mars 2021, ajo ia ka përcjellë Gjykatës së Apelit. Parashtruesi i kërkesës po ashtu paraqiti propozim për ngritjen e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale, kërkesë kjo e cila u refuzua nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, me arsyetimin se nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore për paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë.
Gjykata përsërit se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës e konteston Aktgjykimin [CA. nr. 1343/2021] e Gjykatës së Apelit, duke pretenduar në esencë shkelje të të drejtave të tij të mbrojtura me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 24 [Barazia para Ligjit], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe paragrafin 1 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës. Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në kuptim të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, në substancë pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është i përfshirë me: (i) mungesë të shqyrtimit të përgjigjes së tij në ankesën e ushtruar nga pala kundërshtare, gjegjësisht, shkeljes së parimit të barazisë së armëve (ii) zbatimin e gabuar të ligjit, si dhe (iii) mungesë së konsistencës, përkatësisht divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit.
Rrjedhimisht, Gjykata do të shqyrtojë pretendimin e parashtruesit të kërkesës që ndërlidhet me parimin e barazisë së armëve në kuptim të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së duke u bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), në harmoni me të cilën, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Në këtë kontekst, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës, pretendon se në rastin e tij nuk janë respektuar “parimi i kontradiktoritetit” dhe ai i “barazisë së armëve”, pasi që atij nuk i është marrë parasysh përgjigja në ankesë, e 10 marsit 2021, gjatë procedurës në shkallë të dytë nga ana e Gjykatës së Apelit, e cila ka konstatuar se parashtruesi i kërkesës nuk ka parashtruar fare përgjigje në ankesë.
Në këtë aspekt dhe me qëllim të trajtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht do të shtjellojë (i) parimet e përgjithshme përkitazi me barazinë e armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, për aq sa janë relevante në rrethanat e rastit konkret, në mënyrë që të vlerësohet aplikueshmëria e këtyre neneve, për të vazhduar me (ii) aplikimin e këtyre parimeve të përgjithshme në rrethanat e rastit konkret.
Parimet e përgjithshme përkitazi me barazinë e armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si dhe praktika relevante gjyqësore
Parimet e përgjithshme
Përkitazi me barazinë e armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural, parime këto të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata fillimisht thekson se ajo tashmë ka një praktikë gjyqësore, e cila është ndërtuar duke u bazuar në parimet e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së (përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet Yvon kundër Francës, nr. 44962/98, Aktgjykim i 24 korrikut 2003; Dombo Beheer B.V. kundër Holandës, nr. 14448/88, Aktgjykimi i 27 tetorit 1993; Brandstetter kundër Austrisë, nr. 11170/84, 2876/87; 13468/87, Aktgjykim i 29 gushtit 1991; Vermeulen kundër Belgjikës, nr. 19075/91, Aktgjykim i 20 shkurtit 1996; Rowe and Davis kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 18990/91; Aktgjykimi i 16 shkurtit 2000, Jasper kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr, 27052/95, Aktgjykimi i 16 shkurtit 2000; Zahirović kundër Kroacisë, nr. 58590/11, Aktgjykimi i 25 korrikut 2013; Beer kundër Austrisë, nr. 30428/96, Aktgjykim i 6 shkurtit 2001). Thënë këtë, rastet e Gjykatës përmes të cilave Gjykata ka afirmuar parimet e vendosura nga GJENDJ dhe të njëjtat i ka aplikuar edhe në rastet për shqyrtim para saj, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI108/10, parashtrues Fadil Selmanaj, Aktgjykim i 5 dhjetorit 2011; KI52/12, parashtrues Adije Iliri, Aktgjykim i 5 korrikut 2013, KI200/13, parashtrues Belkize Kallaq, Aktgjykim i 15 prillit 2014; KI10/14, parashtrues, Shoqëria aksionare Raiffeisen Bank Kosovë SH. A., Aktgjykim i 20 majit 2014; KI31/17, parashtrues Shefqet Berisha, Aktgjykim i 30 majit 2017; KI47/17, parashtrues Selvete Aliji, Aktgjykim i 28 dhjetorit 2018; KI209/19, parashtrues Memli Krasniqi, Aktgjykim i 26 nëntorit 2020; KI82/21, parashtruese Komuna e Gjakovës, Aktgjykim i 30 shtatorit 2021; KI84/21, parashtrues Telekomi i Kosovës Sh.A, Aktgjykim i 17 dhjetorit 2021).
Gjykata fillimisht sqaron se parimi i “barazisë së armëve” është element i një koncepti më të gjerë të një gjykimi të drejtë që kërkon “ekuilibër të drejtë midis palëve” ku secilës palë i jepet mundësi e arsyeshme të paraqes rastin e tij/saj nën kushtet që nuk do të vendosnin atë në disavantazh substancial vis-a-vis palës kundërshtare. (shih rastet e GJEDNJ-së, Yvon kundër Francës, citur më lart, paragrafi 31, dhe Dombo Beheer B.V. kundër Holandës, cituar më lart, paragrafi 33; shih mutatis mutandis, po ashtu rastin e Gjykatës KI31/17, cituar më lart, paragrafi 70; KI209/19, cituar më lart, 42-43; KI82/21, cituar më lart, paragrafi 86, KI84/21, cituar më lart, paragrafi 100).
Parimi i kontradiktoritetit procedural në anën tjetër, nënkupton që palët në procedurë duhet të kenë dijeni dhe mundësi të komentojnë dhe kundërshtojnë pretendimet dhe provat që paraqitën gjatë shqyrtimit gjyqësor (shih, ndër të tjera, rastet e GJEDNJ-së, Brandstetter kundër Austrisë, cituar më lart; dhe Vermeulen kundër Belgjikës, cituar më lart, paragrafi 47; shih edhe rastin e Gjykatës KI84/21, cituar më lart, paragrafi 101).
Duke u referuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata potencon se parimi i barazisë së armëve dhe parimi i kontradiktoritetit procedural janë të lidhur ngushtë dhe në shumë raste GJEDNJ i ka trajtuar së bashku (shih, ndër të tjera, rastet e GJEDNJ-së, Rowe and Davis kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar më lart, Jasper kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar më lart; Zahirović kundër Kroacisë, cituar më lart, dhe rastin e Gjykatës, KI193/19, cituar më lart, paragrafi 48; KI84/21, cituar më lart, paragrafi 102).
Po ashtu, kërkesa e “barazisë së armëve”, në kuptimin e një “ekuilibri të drejtë” midis palëve, vlen në parim për raste civile si dhe për raste penale (shih rastet e Gjykatës KI10/14, parashtrues, Shoqëria aksionare Raiffeisen Bank Kosovë SH. A., cituar më lart, paragrafi 42; dhe rastin KI31/17, cituar më lart, paragrafi 71; KI84/21, i cituar më lart, paragrafi 103 dhe po ashtu, shih rastin e GJEDNJ-së, Werner kundër Austrisë, nr. 138/1996/757/956, Aktgjykim i 24 nëntorit 1997, paragrafi 66),
Megjithatë, GJEDNJ ka theksuar e drejta e palëve lidhur me të drejtë për një gjykim të drejtë duke përfshirë edhe parimin e “barazisë së armëve” nuk është absolute. Shtetet gëzojnë një margjinë të caktuar të vlerësimit në këtë aspekt. Por, i takon GJEDNJ-së që të vendos në instancë të fundit nëse këto parime respektohen (shih, mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, Regner kundër Republikës Çeke, nr. 35289/11, Aktgjykim i 19 shtatorit 2017, paragrafi 147 dhe shih rastin e Gjykatës KI84/21, i cituar më lart, paragrafi 109).
Në këtë aspekt, GJEDNJ, përmes praktikës së saj ka përcaktuar që një parregullsi në proces, në disa kushte, mund të korrigjohet në një stad të mëvonshëm ose në nivelin e njëjtë (shih rastin e GJEDNJ-së, Helle kundër Finlandës, nr. 157/1996/776/977, Aktgjykim i 19 dhjetorit 1997, paragrafi 54) ose, nga një gjykatë më e lartë (shih rastet e GJEDNJ-së, Schuler-Zgraggen kundër Zvicrës, nr. 145818/89, Aktgjykim i 24 qershorit 1993, paragrafi 52; dhe, e kundërta, Albert et Le Compte kundër Belgjikës, nr. 7299/75; 7496/76, Aktgjykim i 10 shkurtit 1983, paragrafi 36; si dhe Feldbrugge kundër Holandës, nr. 8562/79, Aktgjykim i 29 majit 1986, paragrafët 45-46, si dhe rastet e Gjykatës KI84/21, i cituar më lart, paragrafi 110).
(ii) praktika gjyqësore e GJEDNJ-së
Gjykata bazuar edhe në rrethanat e rastit konkret i referohet edhe praktikës përkatëse të GJEDNJ-së që i referohet të barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit procedural, nga këndvështrimi i garantimit të këtyre parimeve në procedurë gjyqësore gjatë administrimit të parashtresave të palëve kundërshtare. Në vijim, Gjykata i referohet praktikës relevante gjyqësore të GJEDNJ-së që ndërlidhet me komunikimin e përgjigjeve ndaj parashtresave. Ndonëse rrethanat faktike dhe juridike nuk janë identike si në rrethanat e rastit konkret, Gjykata gjatë shqyrtimit të pretendimit të parashtruesit të kërkesës do të aplikojë parimet e vendosura nga GJEDNJ në rastet si në vijim.
Në këtë drejtim, GJEDNJ ka theksuar se sipas parimit të “barazisë së armëve”, është e papranueshme që një palë në procedurë të paraqesë vërejtje apo komente para gjykatave të rregullta, të cilat kanë për qëllim që të ndikojnë në vendimmarrjen e gjykatës, pa dijeninë e palës tjetër dhe pa i dhënë mundësi palës tjetër të përgjigjet në to. I takon palës së përfshirë në procedurë pastaj të vlerësojë nëse vërejtjet apo komentet e paraqitura nga pala tjetër meritojnë reagim (shih rastin e GJEDNJ-së, APEH Üldözötteinek Szövetsége dhe të tjerët kundër Hungarisë, nr. 32367/96, Aktgjykim i 5 janarit 2011, paragrafi 42; dhe Guigue dhe SGEN-CFDT kundër Francës, nr. 59821/00, Vendim i 13 korrikut 2000, po ashtu rastin e Gjykatës KI84/21, cituar më lart, paragrafi 104).
Andaj, sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ, parimi i “barazisë së armëve” cenohet kur ankesa e palës kundërshtare nuk i është komunikuar parashtruesit të kërkesës dhe ai nuk është informuar për një ankesë të tillë përmes ndonjë mënyre tjetër (shih rastin e GJEDNJ Beer kundër Austrisë, cituar më lart, paragrafi 19, shih gjithashtu rastin e GJEDNJ Andersena kundër Letonisë, nr. 79441/17, Aktgjykim i 19 shtatorit 2019, paragrafi 87). Ngjashëm, GJEDNJ kishte konstatuar shkelje të këtij parimi në rast kur vetëm një nga dy dëshmitarët kyç është lejuar që të dëshmojë (shih rastin e GJEDNJ-së, Dombo Beheer B.V. kundër Holandës, cituar më lart, paragrafi 34 dhe 35).
Në rastin e GJEDNJ-së, Beer kundër Austrisë, parashtruesi i kërkesës pretendoi se mosdorëzimi i ankesës së palës kundërshtare kundër urdhrit të shpenzimeve procedurale, gjë që e pengoi atë të reagonte ndaj tij, rezultoi në shkelje të parimit të barazisë së armëve sipas paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së. Në këtë rast, GJEDNJ vlerësoi se është e kuptueshme që në çështjet ndihmëse/jo kryesore, siç është përcaktimi i shpenzimeve procedurale, autoritetet kombëtare duhet të kenë parasysh kërkesat e efikasitetit dhe ekonomisë, mirëpo kjo nuk justifikon mospërfilljen e parimit themelor të kontradiktoritetit procedural dhe se ky moskomunikim i ankesës dhe mungesa e çdo mundësie për t'iu përgjigjur të njëjtës, përbën një shkelje të parimit të barazisë së armëve, siç garantohet me nenin 6 të KEDNJ-së (shih rastin e GJEDNJ-së, Beer kundër Austrisë, cituar më lart, paragrafët 18-21)
Praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese
Gjykata, ashtu siç ka specifikuar edhe më lart, parimet e lartcekura të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së i ka aplikuar edhe në praktikën e saj gjyqësore (shih rastet e Gjykatës, KI108/10, cituar më lart; KI52/12, i cituar më lart, KI200/13, cituar më lart; KI10/14, parashtrues, cituar më lart; KI31/17, cituar më lart; KI47/17, cituar më lart; KI209/19, cituar më lart; KI82/21, cituar më lart; KI84/21, cituar më lart).
Në vijim, Gjykata do t’i referohet rastit të saj, KI193/19, i cili në kontekst të rrethanave juridike është rast penal, megjithatë vlerëson se në kuptim të parimit të kontradiktoritetit procedural dhe atij të barazisë së armëve është relevant dhe i ngjashëm me rrethanat faktike në rastin konkret. Në rastin KI193/19, Gjykata konstatoi shkelje të parimit të barazisë së armëve dhe të kontradiktoritetit, për shkak se Gjykata Supreme në aktgjykimin e saj, nuk e ka trajtuar fare faktin që parashtruesi i kërkesës ka dorëzuar, përmes postës dhe brenda afatit ligjor, përgjigje kundër pretendimeve të Prokurorit të Shtetit. Në këtë kuptim, Gjykata konsideroi se Gjykata Supreme ka dështuar të garantojë zbatimin e parimit të barazisë se armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural, sepse parashtruesi i kërkesës është vënë në një disavantazh të konsiderueshëm vis-à-vis Prokurorit të Shtetit, duke u privuar nga mundësia për të pasur një ballafaqim real dhe përmbajtësor me argumentet dhe pretendimet e paraqitura nga Prokurori i Shtetit, si palë kundërshtare në procedurë (shih rastin e Gjykatës, KI193/19, parashtrues Salih Mekaj, Aktgjykim i 17 dhjetorit 2020, paragrafi 60).
Aplikimi i parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret
Me qëllim të aplikimit të parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, në vijim, Gjykata do të rikujtojë faktet relevante të rastit që ndërlidhen me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e barazisë së armëve dhe parimit të kontradiktoritet procedural, parime këto të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Në këtë drejtim, Gjykata përsërit se më 4 shkurt 2021, KEK parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [C. nr. 645/2020] të 14 janarit 2021 të Gjykatës Themelore. Për pasojë, Gjykata e Apelit, e aprovoi ankesën e KEK si të bazuar dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me ç’rast konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte paraqitur përgjigje në ankesë. Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pohoi se paraqiti përgjigje në ankesë më 10 mars 2021, duke ofruar kopjen e këtij dokumenti, i cili mban edhe vulën e Gjykatës Themelore. Megjithatë, ky dokument nuk gjendet në dosjen e plotë të lëndës [C.nr. 645/2020], të pranuar nga Gjykata Themelore më 8 korrik 2022. Nga fletë-kthesa e thirrjes së Gjykatës Themelore për përgjigje në ankesë, rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte pranuar ankesën e KEK-ut më 4 mars 2021. Për të vërtetuar autencitetin e përgjigjes në ankesë, të dorëzuar nga parashtruesi i kërkesës, më 6 janar 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore që të sqarohet lidhur me pranimin e këtij dokumenti, respektivisht, nëse e ka pranuar atë përgjigje në ankesë. Më 26 janar 2023, në mungesë të përgjigjes nga Gjykata Themelore, Gjykata kërkoi nga KGJK që të konfirmojë informatën e lartcekur, ndërsa, më 27 janar 2023, Gjykata pranoi përgjigjen nga Gjykata Themelore ku konfirmohet se parashtruesi i kërkesës më 10 mars 2021 dorëzoi përgjigjen në ankesë në Gjykatën Themelore, të cilën përgjigje, më 31 mars 2021, ajo ia ka përcjellë Gjykatës së Apelit.
Gjykata i referohet paragrafit 1 të nenit 187 të LPK-së, i cili përcakton se: “Një ekzemplar të ankesës së paraqitur me kohë, të lejueshme dhe të plotë, gjykata e shkallës së parë ia dërgon palës kundërshtare, e cila mundet, brenda afatit prej shtatë ditësh, të paraqesë po në këtë gjykatë përgjigje në ankese.”
Në këtë kontekst, duke u bazuar në fletë-kthesën e thirrjes së Gjykatës Themelore për përgjigje në ankesë, në kuptim të së “barazisë së armëve” dhe parimit të “kontradiktoritetit procedural në gjykatë, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit, më 4 mars 2021 kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës për ushtrimin e ankesës nga KEK, duke i vënë atij në dispozicion edhe një kopje të ankesës në fjalë.
Gjykata përsërit se Gjykata e Apelit në Aktgjykimin e kontestuar ka konstatuar se “Përgjigje në ankesë nuk është paraqitur” nga parashtruesi i kërkesës.
Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës pretendon para Gjykatës se më 10 mars 2021, brenda afatit ligjor prej 7 (shtatë) ditëve, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore përgjigjen në ankesën e KEK, të 4 shkurtit 2021. Për këtë qëllim, parashtruesi i kërkesës ka dorëzuar në Gjykatë kopjen e përgjigjes në ankesë me vulën e Pranimit të Gjykatës Themelore.
Gjykata rikujton komunikimin e saj me Gjykatën Themelore dhe KGJK-në, përmes të cilës konfirmohet se më 10 mars 2021, parashtruesi i kërkesës dorëzoi përgjigjen në ankesë në Gjykatën Themelore, e cila më pas, më 31 mars 2021, të njëjtën përgjigje ia kishte përcjellë Gjykatës së Apelit.
Në dritën e këtyre fakteve dhe rrethanave, Gjykata thekson se neni 187 i LPK-së është në pajtueshmëri me kërkesat e nenit 31 të Kushtetutës e që ndërlidhen me garancinë për zbatimin e parimit të barazisë së armëve dhe i parimit të kontradiktoritetit në procedurë para gjykatave. Respektimi i kërkesave dhe standardeve që rrjedhin nga këto dy parime është në funksion të mbrojtjes sa më efektive të palëve kundërshtare në procedurë civile, të cilat janë të barabarta.
Qëllimi i nenit 31 të Kushtetutës dhe i nenit 187 të LPK-së nuk kërkon vetëm përmbushjen e aspekteve formale-procedurale, por edhe përmbushjen e aspekteve përmbajtësore, të standardit të gjykimit të drejtë dhe të paanshëm. Kjo nënkupton jo vetëm që palëve, në këtë rast të parashtruesit të kërkesës në procedurë civile, t’i jepet mundësia për të paraqitur në objektin e gjykatës përgjigje me shkrim në ankesën e palës kundërshtare, gjegjësisht KEK-ut, por edhe shqyrtimin e asaj parashtrese dhe dhënien e mundësisë së ballafaqimit të argumenteve dhe kundërargumenteve, në pajtueshmëri me parimin e barazisë së armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural, në atë mënyrë që palët në procedurë të vendosën në situatë të barabartë kundruall njëra-tjetrës (shih rastin e GJEDNj-së Dombo Beheer B.V. kundër Holandës, cituar më lart, ku përcaktohet se “barazia e armëve” nënkupton që secilës palë duhet t'i jepet një mundësi e arsyeshme për të paraqitur rastin e saj - duke përfshirë provat e saj - në kushte që nuk e vendosin atë në një disavantazh të konsiderueshëm vis-à-vis kundërshtarit të saj”, po ashtu shih në mënyrë të ngjashme, rastin e Gjykatës, KI193/19, cituar më lart, paragrafi 57).
Në këtë këndvështrim, vërehet qartë se Gjykata e Apelit u mjaftua vetëm në përmbushjen e aspekteve formale-procedurale, domethënë vetëm me dërgimin e njoftimit parashtruesit të kërkesës për ushtrimin e mjetit juridik kundër tij, duke mos e trajtuar fare, përkatësisht duke mos e bërë pjesë të procedurës përgjigjen në ankesë, të dorëzuar nga parashtruesi i kërkesës ndaj ankesës së KEK. Për më tepër, Gjykata e Apelit nuk ka dhënë ndonjë arsyetim në Aktgjykimin e saj se pse përgjigjja në ankesë e parashtruesit të kërkesës nuk është marrë në shqyrtim, por e njëjta ka konstatuar se “Përgjigje në ankesë nuk është paraqitur”.
Gjykata konsideron se detyrimi i njoftimit të palës kundërshtare, nga gjykatat, për ushtrimin e mjeteve juridike kundër tyre, nuk është qëllim në vetvete. Ky detyrim është hap i domosdoshëm procedural për t’ua mundësuar palëve që të trajtohen në mënyrë të barabartë, të kenë mundësi të kundërshtojnë pretendimet dhe argumentet e palës kundërshtare dhe të paraqesin rastin e tyre në mënyrë efektive. Prandaj, gjykatat nuk duhet të mjaftohen vetëm me faktin se palët kanë pranuar njoftimin për ushtrimin e mjetit juridik kundër tyre, por gjykatat duhet t’i sigurojnë palët që pikëpamjet dhe argumentet e tyre janë shqyrtuar dhe vlerësuar në mënyrë të rregullt, ashtu që t’iu garantohet një mbrojtje sa më efektive ndaj pretendimeve të ngritura kundër tyre. Në të kundërtën, mosmarrja në shqyrtim e kundërshtimeve dhe argumenteve të tyre, me automatizëm i vendos ato në një disavantazh të konsiderueshëm kundruall palës kundërshtare (shih në mënyrë të ngjashme, rastin e Gjykatës, KI193/19, cituar më lart, paragrafi 59, ku theksohet që secilës palë duhet t’i jepet një mundësi e arsyeshme për të paraqitur rastin e saj, në kushte që nuk e vendosin atë në një disavantazh të konsiderueshëm vis à vis palës kundërshtare).
Në këtë kuptim, Gjykata konsideron se Gjykata e Apelit ka dështuar të garantojë zbatimin e parimit të barazisë se armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural, sepse parashtruesi i kërkesës është vënë në një disavantazh të konsiderueshëm vis-à-vis palës kundërshtare, gjegjësisht të paditurit, duke u privuar nga mundësia për të pasur një ballafaqim real dhe përmbajtësor me argumentet dhe pretendimet e paraqitura nga KEK, si palë kundërshtare në procedurë.
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është marrë në kundërshtim me parimin e barazisë së armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural.
Gjykata bazuar në konstatimin e saj se Gjykata e Apelit ka shkelur parimin e barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit procedural duke mos shqyrtuar përgjigjen në ankesë të parashtruesit të kërkesës, të cilën i njëjti e ka parashtruar brenda afatit ligjor, në vijim konsideron se nuk është e nevojshme të shqyrtohen: (i) pretendimet e tjera të parashtruesit të kërkesës përkitazi me shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së përkitazi me zbatimin e gabuar të ligjit dhe mungesës së konsistencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit; (ii) pretendimet përkitazi me shkelje të paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 24 të Kushtetutës; si dhe (iii) pretendimet përkitazi me paragrafin 1 të nenit 46 të Kushtetutës sepse të njëjtat duhet të shqyrtohen nga Gjykata e Apelit në përputhshmëri me konstatimet e këtij Aktgjykimi.
Përfundimisht, Gjykata konsideron se konstatimi i shkeljes së paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, në rrethanat e rastit konkret ndërlidhet vetëm me garancitë procedurale për barazinë e armëve sa i përket mungesës së shqyrtimit të përgjigjes në ankesë dhe në asnjë mënyrë nuk e paragjykon rezultatin e meritave të rastit.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 dhe 116.1 të Kushtetutës, të neneve 20 dhe 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 59 (1) të Rregullores së punës, më 4 prill 2023,
VENDOS
TA DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË, njëzëri, se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
TË SHPALLË TË PAVLEFSHËM, me shumicë votash, Aktgjykimin [CA. Nr. 1343/2021] e 29 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit të Kosovës.
TË KTHEJË, me shumicë votash, Aktgjykimin [CA. Nr. 1343/2021] e 29 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit të Kosovës, për rishqyrtim në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate;
TË URDHËROJË Gjykatën e Apelit që ta njoftojë Gjykatën, në pajtim me rregullin 66 (5) të Rregullores së punës, deri më datën 4 nëntor 2023 për masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës;
TË MBETET e përkushtuar në këtë çështje në pajtim me këtë urdhër;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Zeqirja Prebreza
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile