Prishtinë, më 15 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2333/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI208/23
Parashtrues
Telekomi i Kosovës Sh.A.
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimin Rev. nr. 253/2022, të 28 prillit 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Telekomi i Kosovës Sh.A. (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Lulzim Sokoli, Zëvendësdrejtor për punët e korporatës.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Rev. nr. 253/2022], e 28 prillit 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 4782/2014], e 12 janarit 2017 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [C. nr. 1213/12] e 18 gushtit 2014, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar, me të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) si dhe nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e te Drejtave] të Kushtetutës.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 20 [Vendimet] dhe 22 [Procedimi i kërkesës] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 01/2023 (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 27 shtator 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tyre në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 5 tetor 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr. GJR. KSH_KI208/23] caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha (anëtarë).
Më 12 tetor 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Në të njëjtën ditë, Gjykata ia dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe ia kërkoi kësaj të fundit që të dorëzojë në Gjykatë fletë-kthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 31 janar 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Më 20 tetor 2011, parashtruesi i kërkesës lidhi kontratën [nr.01-2880-280/2011] për themelimin e marrëdhënies së punës me afat të pacaktuar për të punësuarin e tij, I.A. (në tekstin e mëtejmë: i punësuari), ku ia përcaktoi pagën në vlerën e koeficientit 12 (dymbëdhjetë).
Nga shkresat e lëndës rezulton se 7 mars 2012, parashtruesi i kërkesës përmes Vendimit [01-040-101] zvogëloi pagën e të punësuarit të tij në vlerën e koeficientit 11 (njëmbëdhjetë) si rrjedhojë e pranimit të shkresës së 6 dhjetorit 2011, të Ministrisë përkatëse për Zhvillim Ekonomik drejtuar bordit të saj të drejtorëve sipas së cilës rekomandohej që niveli i 2 (dy) i përgjithshëm i shpenzimeve për personelin në raport me te hyrat e përgjithshme të parashtruesit të kërkesës për vitin 2012 duhet të jetë jo më shumë se 20% (njëzet përqind).
Më 16 maj 2012, i punësuari paditi parashtruesin e kërkesës, i cili ishte në cilësinë e punëdhënësit të tij, për kompensimin e diferencës së pagës sipas kontratës [nr.01-2880-280/2011], të 20 tetorit 2011, ku përcaktohej paga e tij në vlerën e koeficientit 12 (dymbëdhjetë), pasi që i punësuari nga komisioni i ankesave të parashtruesit të kërkesës nuk ka pranuar përgjigje lidhur me ankesën, në afatin e paraparë në paragrafët 2 dhe 3 të nenit 78 të Ligjit Nr. 03/L-212 të Punës (në tekstin e mëtejmë: Ligji i Punës). I njëjti pretendoi në padinë e tij se është dëmtuar në mënyrë të kundërligjshme në pagë në shumën prej 173.00 € (njëqind e shtatëdhjetë e tri euro) për çdo muaj duke filluar nga paga e muajit shkurt të vitit 2012 si dhe në muajt në vazhdim edhe për shkak të zvogëlimit të kontributeve në trust, në lartësinë 52.84 € (pesëdhjetë e dy euro e tetëdhjetë e katër cent).
Më 12 maj 2014, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.1213/12] detyroi parashtruesin e kërkesës që në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dorëzimi i padisë, t’i paraqesë gjykatës përgjigje në padi në formë të shkruar.
Më 22 maj 2014, parashtruesi i kërkesës paraqiti përgjigje në padi në Gjykatën Themelore, ku kërkoi që të hedhet poshtë padia si e pasafatshme dhe e njëjta të refuzohet si e pabazuar me arsyetimin si në vijim: “Aktvendimi mbi caktimin e lartësisë se të ardhurave personale paditësit, nr.01-1040-101/2012 i dt.07.03.2012, është vendim ligjor dhe në harmoni të plotë me kompetencat dhe autorizimet e punëdhënësit-Kryeshefit Ekzekutiv dhe në harmoni të plote me vendimin e aksionarit-Qeverise së Republikës së Kosovës, përkatësisht MZHE për reduktimin e shpenzimeve për personelin e PTK sha dhe ka qene i bazuar dhe në pajtim me politikat e brendshme të korporatës si dhe në zbatim të përmbushjes së planit të biznesit për vitin 2012, konkretisht vendimit të Bordit të Drejtorëve të datës 13 Dhjetor 2011, me qëllim të uljes së shpenzimeve të stafit në maksimum 20% të të hyrave të përgjithshme, [...]”. I njëjti u thirr edhe në dy aktgjykime të Gjykatës Themelore, respektivisht, aktgjykimet [C.nr.0352/12] të 15 nëntorit 2012 dhe [C.nr.1269/13], të 21 janarit 2014, të cilat refuzuan si të pabazuara paditë për kompensimin e diferencës së pagave në rrethana të ngjashme si ato të tanishme si dhe një aktgjykim të Gjykatës së Apelit, gjegjësisht, Aktgjykimi [AC.nr.1447/13], i 12 korrikut 2013, me të cilën ishte aprovuar ankesa e parashtruesit të kërkesës në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës Themelore, përmes të cilës i ishte njohur e drejta një të punësuari të tij në diferencën e pagave.
Më 18 gusht 2014, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr. 1213/12]:
aprovoi në tërësi padinë e të punësuarit, të 16 majit 2012;
anuloi Vendimin [01-1040-101/12] e parashtruesit të kërkesës, të 7 marsit 2012; si dhe
detyroi parashtruesin e kërkesës që të punësuarit t’ia paguajë ndryshimin e pagës, ndryshimin e bonusit dhe trustit në mes të koeficientit 12 (dymbëdhjetë) dhe 11 (njëmbëdhjetë) për çdo muaj duke filluar nga 1 shkurti 2012 e në muajt në vazhdim sipas kontratës së punës së lartcekur, me kamatë vonesë prej 4% (katër përqind) duke filluar nga 1 shkurti 2012 e deri në pagesën e plotë, në afat prej 7 ditëve nga dita e marrjes së aktgjykimit.
Gjykata Themelore në aktgjykimin e saj, ndër të tjera, arsyetoi se: “[...] kërkesëpadia e paditësit është e bazuar sepse paditësi [i punësuari] dhe e paditura [parashtruesi i kërkesës] raportin e tyre punëdhënës punëmarrës e kane rregulluar me kontrate duke përcaktuar të drejta dhe detyrime reciproke në mes tyre. Gjykata vlerëson se kontrata është ne harmoni të plotë me dispozitat e Ligjit të Punës përkatësisht me dispozitat e nenit 11 të Ligjit të Punës. Me dispozitat e nenit 11 të Ligjit të Punës parashihet përmbajtja e kontratës së punës. Përveç te tjerave sipas nenit 11. 1.11 kontrata e punës duhet te përmbaj lartësinë e pagës baze, si dhe ndonjë shtesë ose të ardhur tjetër", në rastin konkret palët me kontrate përkatësisht me nenin 5 te kontratës kanë përcaktuar se te punësuarit paditësit i caktohet paga baze për punën të cilën e kryen për punëdhënësin në lartësi të gradës 12. [...] Është rregull i përgjithshëm dhe parim i së drejtës, se palët me vullnetin e tyre te lirë e të shprehur mund te krijojnë raportin juridik gjegjësisht marrëdhëniet juridike. Ne rastin konkret gjykata vlerëson se kontrata e punës e lidhur ne mes paditësit dhe të paditurës mund të ndryshoj vetëm me vullnetin e shprehur të të dy palëve kontraktuese. Nuk mund të ndryshohen kushtet e kontratës vetëm me shprehjen e njëanshme të vullnetit të njërës palë. Në kuptim të cekurave më lart gjykata vlerëson se vendimi i atakuar i të paditurës është i kundërligjshëm dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet si pjesë e kontratës përderisa të dy palët nuk pajtohen për ndryshimin e kushteve të kontratës.”
Më 2 shtator 2014, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë kundër Aktgjykimit [C.nr. 1213/12], të 18 gushtit 2014 për shkak të (i) shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore; (ii) vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; dhe (iii) aplikimit të gabuar të së drejtës materiale. Parashtruesi i kërkesës në ankesën e tij pretendoi, ndër të tjera, se: “[...] aktvendimi për caktimin e lartësisë së të ardhurave personale paditësit [i punësuari], është aktvendim i drejte, ligjor dhe në harmoni të plotë me kompetencat dhe autorizimet e punëdhënësit-Kryeshefit Ekzekutiv dhe në harmoni të plotë me vendimin e aksionarit-Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht MZHE për reduktimin e shpenzimeve për personelin (stafin) e PTK sha dhe ka qenë i bazuar dhe në pajtim me politikat e brendshme të korporatës si dhe në zbatim të përmbushjes së planit të biznesit për vitin 2012 [...]”
Më 12 janar 2017, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.4782/20 74]:
aprovoi pjesërisht ankesën e parashtruesit të kërkesës ashtu që prishi Aktgjykimin [C.nr. 1213/12], të 18 gushtit 2014 të Gjykatës Themelore në pjesën detyruese me te cilën është detyruar e parashtruesi i kërkesës që paditësit t’i paguajë ndryshimin e pagës, ndryshimin e bonusit dhe trustit në mes te koeficientit 12 (dymbëdhjetë) dhe 11 (njëmbëdhjetë) për çdo muaj duke filluar nga 1 shkurti 2012, e në muajt në vazhdim sipas kontratës së punës, me kamate prej 4% (katër përqind) duke filluar nga 1 dhjetori 2012; si dhe
refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës ashtu që vërtetoi aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në pjesën me të cilën është aprovuar kërkesëpadia e të punësuarit dhe është anuluar Vendimi [01-1040-101/12] i parashtruesit të kërkesës, i 7 marsit 2012.
Gjykata e Apelit në arsyetimin e aktgjykimit të lartcekur në lidhje me prishjen e pjesërishme të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, theksoi se: “Gjykata e shkallës së parë me rastin e vendosjes si në pjesën detyruese nuk ka përcaktuar vlerën monetare - dallimin ne mes te gradës 12 dhe 11 qe duhet t’i paguajë e paditura paditësit, ndonëse paditësi në padinë e parashtruar në kërkesëpadi ka caktuar shumat mujore si kërkesë e tij për pagese, e mos caktimi i shumave me të cilat detyrohet e paditura për pagesën e dallimit në mes te gradës 12 dhe 11, aktgjykimin e bënë të paqarte dhe si të tillë të papërshtatshëm edhe për ekzekutim, pra dispozitivi i aktgjykimit me të cilin vendoset për kërkesën për pagesën e të ardhurave persona/e duhet të përfshi shumat dhe periudhën për të cilën është aprovuar apo është refuzuar kërkesa.”
Më 20 nëntor 2017, Gjykata Themelore në procedurën e rivendosjes, përmes Aktgjykimit [C.nr.186/17]:
Aprovoi pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e të punësuarit dhe Vendimin [01-1040-101/12] e parashtruesit të kërkesës, të 7 marsit 2012 duke e detyruar parashtruesin e kërkesës që të punësuarit t’ia paguajë ndryshimin e pagës, ndryshimin e bonusit dhe trustit në mes të koeficientëve 12 (dymbëdhjetë) dhe 11 (njëmbëdhjetë) duke filluar nga 1 shkurti 2012 deri më 2 shtator 2015 dhe atë shuma neto e diferencës në pagë në vlerë prej 6,683.00 € (gjashtë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e tri euro), me kamatën e llogaritur në shumë prej 400.00 € (katërqind euro), duke filluar nga 13 qershor 2012 që së bashku me kamatë arrin shumën prej 7,083.00 € (shtatë mijë e tetëdhjetë e tre euro), duke përfshirë kontributin pensional që duhet paguar në Trustin Pensional në emër të punëtorit shumën prej 782.00 € (shtatëqind e tetëdhjetë e dy euro), tatimin në pagë në shumën prej 743.00 € (shtatëqind e katërdhjetë e tri euro), deri në pagesën e plotë, si dhe shpenzimet e procedurës në vlerë prej 705.80 (shtatëqind e pesë euro e tetëdhjetë cent) ne afat prej 7 (shtatë) ditëve nga dita e marrjes së aktgjykimit; dhe
Refuzoi kërkesëpadinë në pjesën që ka të bëjë me kompenzimin e të ardhurave për periudhën 1 shkurt 2012 e deri më 30 qershor 2017, dhe atë shuma neto e diferencës në pagë në vlerën prej 9,937.00 € (nëntë mijë e nëntëqind e tridhjetë e shtatë euro), me kamatë e llogaritur në shumën prej 424.00 € (katërqind e njëzet e katër euro), duke filluar nga 13 qershori 2012, që së bashku me kamatë arrin shumën prej 10,361.00 € (dhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e një euro) duke përfshirë kontributin pensional dhe tatimin në pagë deri në pagesën e plotë.
Gjykata Themelore në aktgjykimin e saj të 20 nëntorit 2017, përsëriti arsyetimin e saj të Aktgjykimit [C.nr. 1213/12] të 18 gushtit 2014, duke specifikuar shumat e akorduara për të punësuarin në emër të diferencës në pagë dhe vlerës së trustit bazuar në ekspertizën financiare.
Më 3 janar 2018, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë kundër Aktgjykimit [C.nr.186/17]: të 20 nëntorit 2017, për shkak të (i) shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore; (ii) vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; dhe (iii) aplikimit të gabuar të së drejtës materiale. Parashtruesi i kërkesës në ankesën e tij pretendoi, ndër të tjera, se: “[...] paditësi ne cilësinë e punëmarrësit dhe e paditura ne cilësinë e punëdhënësit, kanë lidhur Kontratë Pune për Kohë të Caktuar me Nr.01-2880-280/11, dt.20.10.2011, ndërsa me datë 27.03.2012, palët ndërgjyqëse, me vullnetin e tyre të lire kane lidhur Kontratë të re Pune, tani me kohë të caktuar, saktësisht Kontraten Nr.01-1417/12, në pozitën "Koordinator i Sektorit për Ndërtimin e Rrjetit", Njësia Telekomi i Kosovës", lokacioni Prishtinë, duke filluar nga data 01.02.2012, me pagën bazë në lartësi të gradës 11, ku sipas nenit 3 të Kontratës në fjalë, e njëjta skadon me dt.05.08.2012, me pagën baze sipas gradës 11, dhe se, kjo kontrate pune është e lidhur për kohe të caktuar. Pra, paditësi dhe e paditura raportin e tyre punëdhënës punëmarrës, e kane rregulluar me kontratë pune me kohë të caktuar, duke përcaktuar të drejta dhe detyrimet reciproke në mes tyre dhe se kontrata e punës është me kohë të caktuar dhe në harmoni të plote me dispozita e Ligjit të Punës, përkatësisht me dispozitën e nenit 11 të ligjit në fjalë [...]”
Më 25 mars 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [CA.nr.721/18] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin [C.nr.186/17] e 20 nëntorit 2017, të Gjykatës Themelore, me arsyetimin si në vijim: “Pretendimet ankimore të cilat tregojnë në vërtetim të gabuar dhe jo të plotë te gjendjes faktike janë te pabazuara, sepse gjykata e shkallës së parë gjendjen faktike, ashtu si që është cekur më parë drejtë dhe në masë të duhur e ka vërtetuar në bazë të provave të administruara. Lartësinë e diferencës ne page të paditësit të shkaktuar me ndryshimin e koeficientit gjykata e shkallës së parë drejtë e ka vërtetuar në bazë të gjetjes së ekspertit të fushës së financave. Dhe Gjykata e Apelit, si dhe gjykata e shkallës së parë konsideron se të njëjtit ekspert duhet falur besimin, si të punuar në mënyrë profesionale dhe objektive, sipas rregullave të shkencës dhe njohurive të profesionit, e sipas njohurive me të mira të ekspertëve të angazhuar. Përveç kësaj, e paditura ka pasur ne dispozicion edhe mundësinë të propozojë ekspertizë të re dhe të kërkojë super ekspertize, ndërsa atë nuk e ka bërë. Pranë gjendjes faktike të vërtetuar gjykata e shkallës së parë me aplikim të nenit 55 të Ligjit të Punës, pastaj nenin 245 të LMD ka gjetur se kërkesëpadia është e bazuar, dhe të njëjtën e aprovoi, prandaj pretendimet ankimore me te cilat tregohet në aplikim të gabuar të së drejtës materiale janë të pabazuara.”
Gjykata e Apelit, në aktgjykimin e lartcekur, po ashtu në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për lidhjen e kontratës së 27 marsit 20212, të lidhur në me vullnet të lirë, mes të tij dhe të punësuarit ku janë pajtuar për lartësinë e pagës me koeficient 11 (njëmbëdhjetë), arsyetoi si në vijim: “Gjykata e Apelit vëren se paligjshmëria e aktit e cila ndryshoi në mënyrë të njëanshme koeficientin e paditësit [të punësuarit] është vendosur në mënyrë të plotfuqishme dhe se në procedurën e përsëritur para gjykatës së shkallës së parë kishte vetëm të vendoste për kompensimin e pagës së zvogëluar nga ndryshimi i paligjshëm i një kontrate të re. Pra, përmendja e përsëritur e aktit të paditurës me të cilën e ndryshoi në mënyrë të njëanshme koeficientin e pagës së paditësit, është e tepërt, sepse, siç u tha, e njëjta tashmë kishte vendosur në mënyrë të plotfuqishme, por ky lëshim i gjykatës së shkallës së parë nuk është me ndikim në drejtshmërinë e aktgjykimit të kundërshtuar dhe vendosjes ndryshe”.
Më 6 korrik 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion kundër Aktgjykimit [CA.nr.721/18] të 25 marsit 2021 të Gjykatës Themelore, për shkak të (i) shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore; dhe (ii) aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që të prishen aktgjykimin e gjykatave më të ulëta. Në revizionin e tij, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, përsëriti pretendimet e tij në lidhje me: (i) mosshqyrtimin e Kontratës [Nr. 01/1417/12], së Punës me Kohë të Pacaktuar, nga ana e gjykatave të rregullta, e cila ishte lidhur, më 27 mars 2012, në mes tij dhe të punësuarit me vullnet të lirë; (ii) parashkrimin e kërkesëpadisë së të punësuarit; dhe (iii) vendosjen ndryshe nga gjykatat e rregullta në rastet identike me rastin e tij.
Më 28 prill 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. 253/2022] refuzoi si të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës kundër Aktgjykimit[CA.nr.721/18] të 25 marsit 2021 të Gjykatës së Apelit, si dhe pranoi arsyetimin e gjykatave më të ulëta, të cilat i konsideron të qarta dhe të mjaftueshme. Gjykata Supreme shqyrtoi specifikisht edhe pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me zbatimin e gabuar të gjendjes materiale, respektivisht parashkrimin dhe mos mbajtjen e seancës gjyqësore të çështjes me rastin e vendosjes sipas ankesës.
Në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mos shqyrtimin e Kontratës [Nr. 01/1417/12], së Punës me Kohë të Pacaktuar, të 27 marsit 2012, Gjykata Supreme theksoi si në vijim:
“Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se i punësuari në pajtim me nenin 55 p.1 dhe 2 të Ligjit të Punës, ka të drejtë në pagë e cila i caktohet me kontratën e punës në pajtim me Ligjin e Punës, Kontratën Kolektive dhe Aktin e brendshëm të punëdhënësit. Paga e paditësit, sipas kontratës së punës, në pajtim me nenin 11.1.8. të Ligjit të Punës ka qenë sipas gradës 12, prandaj ulja e pagës nën këtë gradë, me aktvendimin e sipër cekur të paditurës [parashtruesit të kërkesës], e pa pëlqimin e paditësit [të punësuarit] është në kundërshtim me nenin 5 të kontratës së punës, dhe me dispozitat e lartë përmendura ligjore, sikundër edhe është vërtetuar tani më, me aktgjykimin e formës së prerë Ac.nr4782/2014 dt 12.01.2017, ndaj, në kontekstin e mësipërm, pretendimi i revizionit përkitazi me këtë aktvendim është jo lëndor”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se me aktgjykimin e kontestuar i janë shkelur të të drejtat e tij të mbrojtura me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe nenet 32 [E drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës thekson se Aktgjykimi i kontestuar është i përfshirë në: (i) shkeljen e parimit të barazisë së armëve për shkak të mos shqyrtimit dhe mos vlerësimit të Kontratës [Nr.01-1417/2012] së Punës në Kohë të Pacaktuar të të punësuarit, të 27 marsit 2012; (ii) zbatimit të gabuar të ligjit; si dhe (iii) mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor.
Sa i përket çështjes së parë lidhur me mos shqyrtimin dhe mos vlerësimin e Kontratës [Nr.01-1417/2012] së Punës në Kohë të Pacaktuar të të punësuarit, të 27 marsit 2012 nga ana e gjykatave të rregullta, parashtruesi i kërkesës konsideron se: “[...] padia dhe kërkesëpadia e paditësit [të punësuarit] është në tërësi e pabazuar, sepse, i referohet kërkesës së paditësit pas skadimit të kohëzgjatjes së kontratës së punës në kohë të caktuar Nr.01-2880-280/11, dt.20.10.2011 (ka skaduar më datë 01.02.2012 me vet faktin e lidhjes së kontratës së re pune në kohë pacaktuar, Nr.01-1417/12, dt.27.03.2012) dhe se kjo kërkesëpadi e paditësit duhej refuzuar e kurrsesi të aprovohej, sepse, nuk mund të detyrohet e paditura në një detyrim të caktuar pa qenë paraprakisht i përcaktuar, përkatësisht se me Kontratat e Punës të lidhura në mes të palëve ndërgjyqëse, ka pushuar efekti juridik i Kontratës së Punës me Kohë të Caktuar Nr.01-2880-280/11, dt.20.10.2011, ashtu qe ne rastin konkret, pa mëdyshje vërtetohet se padisë dhe kërkesëpadisë se paditësit [I.A] i mungon baza ligjore e kërkesëpadisë. Këtë ngase, e paditura (Telekomi i Kosoves sh.a), i ka ofruar paditësit Kontratën e Punës në Kohë të Pacaktuar Nr.01-1417/12, dt.27.03.2012, me efekt nga data 01.02.2012 (në shkresat e lëndës kontestimore C.nr.186/2017, dt.20.11.2017), në të cilën kontratë lartësia e pagës bazë për detyrat e punës “Koordinator i Sektorit për Ndërtimin e Rrjetit” është caktuar në gradën 11, përkatësisht sipas gradës se njëjtë sikurse që është përcaktuar me aktvendimin për caktimin e lartësisë së të ardhurave personale, ndërsa paditësi nuk ka provuar me asgjë se kontrata e Punës ne Kohë të Pacaktuar Nr.01-1417/12, dt.27.03.2012, është në kundërshtim me dispozitat ligjore, respektivisht se paga e paraparë në kontratë nuk përkon me natyrën e vendit te punës në te cilin është caktuar paditësi.[...]”
Sa i përket çështjes së dytë në lidhje me pretendimin për zbatimin e gabuar të së drejtës materiale, Gjykata nuk identifikon ndonjë pretendim specifik përveç atyre që ndërlidhen me vërtetimin e gjendjes faktike, gjegjësisht, mungesën e shqyrtimit të Kontratës [Nr.01-1417/2012 ] së Punës në Kohë të Pacaktuar, të 27 marsit 2012.
Sa i përket çështjes së tretë përkitazi me pretendimin për mosarsyetim të vendimit gjyqësor, parashtruesi i kërkesës nënvizon se: “[...] në rrethanat e rastit konkret, gjykatat e rregullta kishin dështuar të adresojnë pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës lidhur me mos shqyrtimin dhe mos vlerësimin e provës materiale Kontratës se Punës në Kohë të Pacaktuar, Nr.01-1417/2012 e dt.27.03.2023 (që nga ngritja e padisë, në shkresat e lëndës), edhe përkundër faktit se, edhe pse nuk është detyrim i gjykatave që të adresojnë dhe arsyetojnë secilin pretendim të palëve përkatëse, ato megjithatë kane detyrimin kushtetues që të adresojnë dhe arsyetojnë, pretendimet thelbësore të palëve.” Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës shton edhe pretendimin për shkeljen e parimit të barazisë para ligjit.
Po ashtu, si çështje të katërt, parashtruesi i kërkesës ngrit edhe pretendimin për divergjencë së praktikës gjyqësore në lidhje me trajtimin e rasteve të ngjashme në Gjykatën Supreme, me ç’rast thekson si në vijim: “Për Telekomin e Kosovës sh.a, janë të paqëndrueshme dhe kundërligjore vendimet e te tri instancave gjyqësore në rastin e padisë dhe kërkesëpadisë se paditësit [I.A] nga Prishtina, kundër të paditurës Telekomi i Kosovës [parashtruesit të kërkesës] sh.a, për kompensimin e të ardhurave personale, për faktin se, Telekomi i Kosovës sh.a, ka provuar dhe argumentuar me prova bindëse materiale se kërkesëpadisë se paditësit i mungon baza ligjore, kjo edhe për faktin se Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur për rastin identik sikurse të paditësit [I.A.], me dhjetra aktgjykime/aktvendime duke pranuar të themelta revizionet e Telekomit të Kosoves sh.a, ashtu qe ky aktgjykim i Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr.253/2022, i dt.28.04.20223, për të cilin kërkohet vlerësimi i kushtetutshmërisë, ka befasuar Telekomin e Kosovës sh.a, me vendimin dhe mënyrën se si ka vendosur gjykata e instancës më të lartë gjyqësore. Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës bashkëngjit 4 (katër) vendime të Gjykatës Supreme, respektivisht, (i) Aktvendimin [Rev.nr.249/2021] të 20 prillit 2022; (ii) Aktgjykimin [Rev.nr. 392/21] të 20 dhjetorit 2021; (iii) Aktvendimin [Rev.nr.132/2022] të 20 shtatorit 2022; dhe (iv) Aktvendimin [Rev.220/2023] të 6 korrikut 2023.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që: (i) ta deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe të nenit 31 [E drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së; (iii) të shpallë të kundërligjshëm dhe të pavlefshëm Aktgjykimin [Rev.nr.253/2022] të 28 prillit 2023, të Gjykatës Supreme dhe ta kthejë revizionin e tij të 6 korrikut 2021 në rishqyrtim dhe vendosje; si dhe (iv) ta urdhërojë Gjykatës Supreme që ta njoftojë Gjykatën Kushtetuese për masat e ndërmarra në lidhje me zbatimin e këtij aktgjykimi.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin”.
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj”.
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur”.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6 (E drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”
LIGJI Nr. 03/L-212 I PUNËS
Neni 11
(Përmbajtja e Kontratës së Punës)
“1. Kontrata e Punës përmban;
1.1. të dhënat për punëdhënësin (emërtimi, selia dhe numrin e regjistrimit të biznesit);
1.2. të dhënat për të punësuarin (emri, mbiemri, kualifikimi dhe vendbanimi);
1.3. emërtimin, natyrën, llojin e punës, llojin shërbimeve dhe përshkrimin e detyrave të punës;
1.4. vendin e punës dhe njoftimin që puna do të kryhet në lokacione të ndryshme,
1.5. orët dhe orarin e punës;
1.6. datën e fillimit të punës;
1.7. kohëzgjatjen e Kontratës së Punës;
1.8. lartësinë e pagës bazë, si dhe ndonjë shtesë ose të ardhur tjetër,
1.9. kohëzgjatjen e pushimeve;
1.10. përfundimin e marrëdhënies së Punës;
1.11. të dhëna të tjera për të cilat punëdhënësi dhe punëmarrësi i vlerësojnë të rëndësishme për rregullimin e marrëdhënies së punës;
1.12. kontrata e Punës mund të përmbajë të drejta dhe detyra të tjera të parashikuara me këtë ligj;
1.13. të drejtat dhe detyrimet të cilat nuk janë të përcaktuara me Kontratën e Punës, rregullohen me dispozitat e këtij ligji, Kontratën Kolektive dhe Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit;
2. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për nevojat e punëdhënësve do të përgatisë mostra të kontratave të punës sipas standardeve minimale, për periudhë të pacaktuar, të caktuar dhe për punë specifike.”
Neni 78
(Mbrojtja e të drejtave për të punësuarit)
“1. I punësuari i cili vlerëson se punëdhënësi ka shkelur të drejtën e marrëdhënies së punës, mund të paraqesë kërkesë te punëdhënësi apo organi përkatës i punëdhënësit nëse ekziston, për realizimin e të drejtave të shkelura.
2. Punëdhënësi është i obliguar për të vendosur sipas kërkesës së të punësuarit, në afatin brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga data e pranimit të kërkesës.
3. Vendimi nga paragrafi 2. i këtij neni, i dorëzohet të punësuarit në formë të shkruar brenda afatit prej tetë (8) ditësh”
Neni 87
Afati i parashkrimit
“Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej tri (3) vitesh, nga dita e paraqitjes së kërkesës.”
Vlerësim i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale], nenit 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe nenit 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të këtë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor”.
Gjykata fillimisht vëren se në pajtim me paragrafin 4 të nenit 21 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të paraqesë ankesë kushtetuese, duke iu referuar shkeljeve të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të tij, të vlefshme për individët dhe personat juridik (shih rastin e Gjykatës Kushtetuese nr. KI41/09, parashtruesi i kërkesës Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendimi për papranueshmëri i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14; dhe KI35/18, me parashtrues “Bayerische Versicherungsverbrand”, Aktgjykim i 11 dhjetorit 2019, paragrafi 40).
Gjykata gjithashtu konstaton se parashtruesi i kërkesës është: (i) palë e autorizuar; (ii) konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev. nr. 253/2022], e 28 prillit 2023, të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 4782/2014], e 12 janarit 2017 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [C. nr. 1213/12] e 18 gushtit 2014, të Gjykatës Themelore; (iii) ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; (iv) ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj; si dhe (v) e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, pika d) e paragrafit 1 dhe paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcaktojnë që:
"(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(d) Kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
[...]
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore, përfshirë, por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit si dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Në këtë aspekt, dhe fillimisht, Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e të punësuarit kundër parashtruesit të kërkesës, i cili ishte në cilësinë e punëdhënësit për shkak të kompensimit të diferencës së pagës. Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte lidhur kontratë me afat të pacaktuar me të punësuarin më 20 tetor 2011, në vlerën e koeficientit 12 (dymbëdhjetë), ndërsa më 7 mars 2012, parashtruesi i kërkesës përmes Vendimit [01-040-101] zvogëloi pagën e të punësuarit të tij në vlerën e koeficientit 11 (njëmbëdhjetë) si rrjedhojë e pranimit të shkresës së 6 dhjetorit 2011, të Ministrisë përkatëse për Zhvillim Ekonomik drejtuar bordit të saj të drejtorëve sipas së cilës rekomandohej që niveli i 2 (dy) i përgjithshëm i shpenzimeve për personelin në raport me te hyrat e përgjithshme të parashtruesit të kërkesës për vitin 2012 duhet të jetë jo më shumë se 20% (njëzet përqind). Më 18 gusht 2014, Gjykata Themelore aprovoi kërkesëpadinë e të punësuarit dhe anuloi vendimin e lartcekur të parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se kontratat e punës nuk mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme sipas Ligjit të Punës. Këtë aktgjykim të Gjykatës Themelore, më 12 janar 2017, Gjykata e Apelit e vërtetoi pjesërisht ku kërkoi nga Gjykata Themelore që të përcaktojë specifikisht shumat e akorduara ndaj të punësuarit në emër të diferencës në pagë, tatimit dhe trustit, për të cilat e detyroi parashtruesin e kërkesës që t’i paguajë. Në procedurën e rivendosjes, Gjykata Themelore angazhoi ekspertin financiar dhe në Aktgjykimin e saj të 20 nëntorit 2017, akordoi shumat e caktuara për të punësuarin në emër të diferencës në pagë, tatimit dhe trustit nga 1 shkurti deri më 2 shtator 2015, të cilin aktgjykim e vërtetuan edhe Gjykata e Apelit më 25 mars 2021 edhe ajo Supreme më 28 prill 2021, të cilat vepruan sipas ankesës dhe revizionit të parashtruesit të kërkesës.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se me aktgjykimin e kontestuar i janë shkelur të të drejtat e tij të mbrojtura me nenet 24 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës, në thelb, për shkak të: (i) mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, përfshirë pretendimin për mos shqyrtimin dhe mos vlerësimin e Kontratës [Nr.01-1417/2012] së Punës në Kohë të Pacaktuar të të punësuarit, të 27 marsit 2012 si pretendim kryesor ankimor; si dhe (ii) divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme në lidhje me rastet e ngjashme, ku është kërkuar anulimi i vendimeve të parashtruesit të kërkesës për zvogëlimin e koeficientëve të pagave të të punësuarve të tij për shkak të uljes së shpenzimeve.
Andaj, në vijim, Gjykata do të trajtojë veç e veç pretendimet e lartcekura të parashtruesit të kërkesës.
Pretendimet përkitazi me mosarsyetimit të vendimit gjyqësor
Parimet e përgjithshme lidhur me të drejtën për një vendim të arsyetuar
Garancitë e mishëruara në nenin 6, paragrafin 1 të KEDNJ-së, përfshijnë edhe detyrimin e gjykatave që të paraqesin arsyetim të mjaftueshëm për vendimet e tyre. (shih rastin e GJEDNJ-së, H. kundër Belgjikës, nr. 8950/80, Aktgjykim i 30 nëntorit 1987, paragrafi 53 dhe rastin e Gjykatës KI143/22, parashtrues Hidroenergji sh.p.k, Aktgjykim, i 15 dhjetorit 2022, paragrafi 113). Vendimi i arsyetuar gjyqësor u tregon palëve se rasti i tyre është shqyrtuar me të vërtetë.
Përkundër faktit që gjykata e brendshme ka një liri të caktuar të vlerësimit lidhur me përzgjedhjen e argumenteve dhe vendosjes për pranueshmërinë e dëshmive, ajo është e detyruar të justifikojë veprimet e saj duke arsyetuar të gjitha vendimet e saj (shih rastet e GJEDNJ-së: Suominen kundër Finlandës, nr. 37801/97, Aktgjykim i 24 korrikut 2003, paragrafi 36; si dhe rastin Carmel Saliba kundër Maltës, nr. 24221/13, Aktgjykim i 24 prillit 2017, paragrafi 73 dhe rastin e Gjykatës KI143/22, parashtrues Hidroenergji sh.p.k, Aktgjykim, i 15 dhjetorit 2022, paragrafi 114).
Gjykata më e ulët ose autoriteti shtetëror, nga ana tjetër, duhet të japin arsye dhe arsyetime të tilla të cilat do t'u mundësojnë palëve të shfrytëzojnë në mënyrë efektive çdo të drejtë ekzistuese të ankesës (shih rastin e GJEDNJ-së Hirvisaari kundër Finlandës, nr. 49684/99, Aktgjykim, i 25 dhjetorit 2001, paragrafi 30 dhe rastin e Gjykatës KI143/22, parashtrues Hidroenergji sh.p.k, paragrafi 115).
Neni 6 paragrafi 1 i detyron gjykatat të japin arsye për vendimet e tyre, por kjo nuk do të thotë se kërkohet përgjigje e detajuar lidhur me secilin argument (shih rastet e GJEDNJ-së, Van de Hurk kundër Holandës, nr. 16034/90, Aktgjykim i 19 prillit 1994, paragrafi 61; Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim, i 29 janarit 1999, paragrafi 26; Perez kundër Francës, nr. 47287/99, Aktgjykim i 12 shkurtit 2004, paragrafi 81 dhe rastin e Gjykatës KI143/22, parashtrues Hidroenergji sh.p.k, cituar më lart, paragrafi 116).
Nga natyra e vendimit që merr gjykata varet nëse Gjykata është e detyruar ta arsyetojë atë, dhe kjo mund të vendoset vetëm në dritën e rrethanave të rastit në fjalë: është e nevojshme të merren parasysh, ndër të tjera, llojet e ndryshme të parashtresave që një palë mund t'i paraqesë gjykatës, si dhe dallimet që ekzistojnë midis sistemeve juridike të vendeve në lidhje me dispozitat ligjore, rregullat zakonore, pozicionet juridike dhe paraqitjen dhe hartimin e aktgjykimeve (shih rastet e GJEDNJ Ruiz Torija kundër Spanjës, nr. 18390/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 29; Hiro Balani kundër Spanjës, nr. 18064/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 27 dhe rastin e Gjykatës KI143/22, parashtrues Hidroenergji sh.p.k, cituar më lart, paragrafi 117).
Megjithatë, nëse parashtresa e një pale është vendimtare për rezultatin e procedurës, ajo kërkon që t'i përgjigjet në mënyrë specifike dhe pa vonesë (shih rastet e GJEDNJ-së, Ruiz Torija kundër Spanjës, të cituar më lart, paragrafi 30; Hiro Balani kundër Spanjës, të cituar më lart, paragrafi 28 dhe rastin e Gjykatës KI143/22, parashtrues Hidroenergji sh.p.k, cituar më lart, paragrafi 118).
Prandaj, gjykatat janë të obliguara që:
të shqyrtojnë argumentet kryesore të palëve (shih rastet e GJEDNJ-së, Buzescu kundër Rumanisë, nr. 61302/00, Aktgjykim i 24 gushtit 2005, paragrafi 67; Donadze kundër Gjeorgjisë, nr. 74644/01, Aktgjykim i 7 qershorit 2006, paragrafi 35); dhe
të shqyrtojnë me shumë rigorozitet dhe kujdes të veçantë kërkesat në lidhje me të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë, KEDNJ dhe Protokollet e saj (shih rastet e GJEDNJ-së: Fabris kundër Francës, 16574/08, Aktgjykim, i 7 shkurtit 2013, paragrafi 72; Wagner dhe JMWL kundër Luksemburgut, nr. 76240/01, Aktgjykim i 28 qershorit 2007, paragrafi 96).
Neni 6, paragrafi 1, nuk kërkon që Gjykata Supreme të japë një arsyetim më të detajuar kur ajo thjesht zbaton një dispozitë të caktuar ligjore lidhur me bazën ligjore për refuzimin e ankesës sepse ajo ankesë nuk ka një perspektivë për sukses (shih rastet e GJEDNJ-së, Burg dhe të tjerët kundër Francës, nr. 34763/02; vendim i 28 janarit 2003; Gorou kundër Greqisë (nr. 2), nr. 12686/03, vendim i 20 marsit 2009, paragrafi 41 dhe rastin e Gjykatës KI143/22, parashtrues Hidroenergji sh.p.k, cituar më lart, paragrafi 120).
Në mënyrë të ngjashme, në një rast ku bëhet fjalë për një kërkesë që të lejohet parashtrimi i ankesës, që është një parakusht për procedurën e një gjykatë më të lartë, si dhe për një vendim të mundshëm, neni 6, paragrafi 1, nuk mund të interpretohet në atë kuptim që të urdhëron një arsyetim të detajuar të vendimit për refuzimin e kërkesës për parashtrimin e ankesës (shih rastet e GJEDNJ-së, Kukkonen kundër Finlandës (nr. 2), nr. 47628/06, Aktgjykim i 13 prillit 2009,) paragrafi 24; Bufferne kundër Francës, nr. 54367/00, Vendimi i 26 shkurtit 2002 dhe rastin e Gjykatës KI143/22, parashtrues Hidroenergji sh.p.k, cituar më lart, paragrafi 121),
Përveç kësaj, kur refuzon një ankesë, gjykata e apelit, në parim, thjesht mund të pranojë arsyetimin e vendimit të dhënë nga gjykata më e ulët (shih rastin e GJEDNJ-së, García Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafi 26; shih, në kundërshtim me këtë, Tatishvili kundër Rusisë, nr. 1509/02, Aktgjykim i 9 korrikut 2007, paragrafi 62). Megjithatë, koncepti i procedurës së drejtë nënkupton që gjykata vendase që ka dhënë një shpjegim të ngushtë për vendimet e saj, qoftë duke përsëritur arsyetimet e dhëna më parë nga një gjykatë më e ulët ose në ndonjë mënyrë tjetër, në fakt merrej me çështje të rëndësishme brenda juridiksionit të saj, që do të thotë se nuk i pranoi thjesht dhe pa përpjekje shtesë konkluzionet e arritura nga gjykata më e ulët (shih rastin e GJEDNJ-së, Helle kundër Finlandës, nr. (157/1996/776/977), Aktgjykim i 19 dhjetorit 1997, paragrafi 60 dhe rastin e Gjykatës KI143/22, parashtrues Hidroenergji sh.p.k, cituar më lart, paragrafi 122). Kjo kërkesë është aq më e rëndësishme nëse pala në kontest nuk ka pasur mundësi t'i paraqesë argumentet e saj gojarisht në procedurën para gjykatës vendase.
Megjithatë, gjykatat e apelit (në shkallën e dytë) të cilat kanë juridiksion për të hedhur poshtë ankesat e pabazuara dhe për të zgjidhur çështjet faktike dhe juridike në procedurën kontestimore, janë të obliguara të arsyetojnë se përse refuzuan të vendosin për ankesën (shih rastin e GJEDNJ-së, Hansen kundër Norvegjisë, nr. 15319/09, Aktgjykim i 2 janarit 2015, paragrafët 77–83 dhe rastin e Gjykatës KI143/22, parashtrues Hidroenergji sh.p.k, cituar më lart, paragrafi 123).
Zbatimi i parimeve të përgjithshme në rrethanat e rastit konkret
Gjykata rikujton se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.253/2022] të 28 prillit 2023, refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi aktgjykimet e gjykatave të rregullta, të cilat konfirmuan se të punësuarit te parashtruesi i kërkesës i takon e drejta në ndryshimin/diferencën e pagës në mes të koeficientëve 12 (dymbëdhjetë) dhe 11 (njëmbëdhjetë), trusti dhe tatimi për periudhën prej 1 shkurtit 2012 deri më 2 shtator 2015.
Gjykata rithekson pretendimet e parashtruesit të kërkesës për mungesën e arsyetimit të vendimeve gjyqësore, gjegjësisht mosadresimin e pretendimit ankimor të tij nga ana e gjykatave të rregullta në lidhje me mos shqyrtimin dhe mos vlerësimin e Kontratës [Nr.01-1417/2012] së Punës në Kohë të Pacaktuar të të punësuarit, të 27 marsit 2012. Në kuadër të kësaj, Gjykata vëren së parashtruesi e ngrit edhe pretendimin për shkelje të parimit të barazisë së armëve mirëpo këtë pretendim i njëjti nuk e elaboron tutje. Andaj, Gjykata do të kufizohet në shqyrtimin e këtij pretendimi në kuadër të së drejtës për vendim të arsyetuar gjyqësor.
Në këtë drejtim, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nënvizon se: “[...] në rrethanat e rastit konkret, gjykatat e rregullta kishin dështuar të adresojnë pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës lidhur me mos shqyrtimin dhe mos vlerësimin e provës materiale Kontratës se Punës në Kohë të Pacaktuar, Nr.01-1417/2012 e dt.27.03.2023 (që nga ngritja e padisë, në shkresat e lëndës), edhe përkundër faktit se, edhe pse nuk është detyrim i gjykatave që të adresojnë dhe arsyetojnë secilin pretendim të palëve përkatëse, ato megjithatë kane detyrimin kushtetues që të adresojnë dhe arsyetojnë, pretendimet thelbësore të palëve.” Më specifikisht, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se kërkesëpadia e të punësuarit nuk ka bazë ligjore sepse i referohet kohëzgjatjes së kontratës, pas skadimit të saj, respektivisht konsideron se Kontrata [Nr.01-2880-280/11] e punës në kohë të caktuar, e lidhur më 20 tetor 2011 ka skaduar më 1 dhjetor 2012 pasi që parashtruesi i kërkesës, më 27 mars 2012, i ka ofruar të punësuarit Kontratën [Nr.01-1417/12] e punës me afat të pacaktuar, me efekt nga 1 shkurti 2012.
Në këtë kontekst, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës ka paraqitur një kopje të Kontratës [Nr.01-1417/2012] së Punës në Kohë të Pacaktuar të të punësuarit, të 27 marsit 2012, dhe të cilën, nga shkresat e lëndës rezulton se e ka paraqitur edhe në ankesën e 3 janarit 2018 gjatë procedurës së rishqyrtimit dhe rivendosjes para Gjykatën e Apelit, si dhe në revizionin e 6 korrikut 2021 para Gjykatës Supreme.
Fillimisht, në këtë aspekt, Gjykata vë në pah pjesë të caktuara nga arsyetimi i Aktgjykimit [CA.nr.721/18] të 25 marsit 2021, të Gjykatës së Apelit në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mos shqyrtimin dhe mos vlerësimin e Kontratës [Nr.01-1417/2012] së Punës në Kohë të Pacaktuar të të punësuarit, të 27 marsit 2012: “Gjykata e Apelit vëren se paligjshmëria e aktit e cila ndryshoi në mënyrë të njëanshme koeficientin e paditësit [të punësuarit] është vendosur në mënyrë të plotfuqishme dhe se në procedurën e përsëritur para gjykatës së shkallës së parë kishte vetëm të vendoste për kompensimin e pagës së zvogëluar nga ndryshimi i paligjshëm i një kontrate të re. Pra, përmendja e përsëritur e aktit të paditurës me të cilën e ndryshoi në mënyrë të njëanshme koeficientin e pagës së paditësit, është e tepërt, sepse, siç u tha, e njëjta tashmë kishte vendosur në mënyrë të plotfuqishme, por ky lëshim i gjykatës së shkallës së parë nuk është me ndikim në drejtshmërinë e aktgjykimit të kundërshtuar dhe vendosjes ndryshe”.
Gjykata po ashtu rikujton se përkitazi me pretendimin e lartcekur të parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme në Aktgjykimin [Rev.253/2022] e saj të 28 prillit 2023, kishte vlerësuar si në vijim: “[...] se i punësuari në pajtim me nenin 55 p.1 dhe 2 të Ligjit të Punës, ka të drejtë në pagë e cila i caktohet me kontratën e punës në pajtim me Ligjin e Punës, Kontratën Kolektive dhe Aktin e brendshëm të punëdhënësit. Paga e paditësit, sipas kontratës së punës, në pajtim me nenin 11.1.8. të Ligjit të Punës ka qenë sipas gradës 12, prandaj ulja e pagës nën këtë gradë, me aktvendimin e sipër cekur të paditurës [parashtruesit të kërkesës], e pa pëlqimin e paditësit [të punësuarit] është në kundërshtim me nenin 5 të kontratës së punës, dhe me dispozitat e lartë përmendura ligjore, sikundër edhe është vërtetuar tani më, me aktgjykimin e formës së prerë Ac.nr. 4782/2014 dt 12.01.2017, ndaj, në kontekstin e mësipërm, pretendimi i revizionit përkitazi me këtë aktvendim është jo lëndor”.
Gjykata vëren se në thelb, gjykatat e rregullta kishin refuzuar pretendimin e parashtruesit të kërkesës në lidhje me mosshqyrtimin e Kontratës [Nr.01-1417/2012] së Punës në Kohë të Pacaktuar të të punësuarit, të 27 marsit 2012, për shkak se ky pretendim i referohet pjesës së gjykuar të këtij rasti, respektivisht, pjesës që ishte vendosur me vendim të plotfuqishëm nga Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr. 4782/2014] më 12 janar 2017.
Në këtë aspekt, Gjykata rikujton që e drejta për gjykim të drejtë kërkon që një çështje që është bërë res judicata të konsiderohet e pakthyeshme, në pajtim me parimin e sigurisë juridike (shih rastin e GJEDNJ-s, Brumărescu kundër Rumanisë, nr. 28342/95, Aktgjykimi i 28 tetorit 1999). Ky parim i GJEDNJ-së është konfirmuar edhe në praktikën gjyqësorë të Gjykatës (shih rastet e Gjykatës, KI08/09, parashtrues Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Fabrikës së Çelikut IMK Ferizaj, Aktgjykim i 17 dhjetorit 2010, paragrafët 60-61; KI132/15, parashtrues Manastiri i Deçanit, Aktgjykim i 19 majit 2016, paragrafët 95-97; KI122/17, parashtrues Česká Exportní Banka A.S., Aktgjykim i 18 prillit 2018, paragrafët 149-158).
Në këtë kontekst, Gjykata, duke u bazuar në sqarimet si me sipër, dhe në mënyrë specifike duke marrë parasysh pretendimin e ngritur nga parashtruesi i kërkesës përkitazi me mos shqyrtimin dhe mos vlerësimin e Kontratës [Nr.01-1417/2012] së Punës në Kohë të Pacaktuar të të punësuarit, të 27 marsit 2012 dhe faktet e paraqitura nga ai, si dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara më lart që ky pretendim ndërlidhet me pjesën e aktgjykimit të shkallës së parë dhe të dytë që është bërë res judikata sepse është vendosur me vendim të plotfuqishëm nga Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr. 4782/2014] më 12 janar 2017, konsideron se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor.
Rrjedhimisht, pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor në kuptim të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Pretendimet përkitazi me divergjencën në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme
Gjykata vëren se në ndërlidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës në substancë pretendon se është cenuar parimi i sigurisë juridike si rezultat i vendimeve kundërthënëse të gjykatave të rregullta.
Gjykata në vijim do t’i shtjellojë (i) parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës përkitazi me mungesën e konsistencës të vendimeve gjyqësore; dhe (ii) do t’i aplikojë njëjtat në rastin konkret.
(i) Parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës përkitazi me mungesën e konsistencës të vendimeve gjyqësore
Lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për mungesën e konsistencës të vendimeve gjyqësore, Gjykata fillimisht thekson se parimet dhe kriteret e vendosura nga GJEDNJ, kjo Gjykatë gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesve për cenimin e parimit të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse i ka zbatuar edhe në praktikën e saj tashmë të konsoliduar gjyqësore, të cilat ndër tjerash përfshijnë rastet KI87/18, parashtrues “IF Skadeforsikring”, Aktgjykim i 27 shkurtit 2019 dhe KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, Aktgjykim i 6 janarit 2019, KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C., Aktgjykim i 30 marsit 2022; KI78/21, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C., Aktgjykim i 30 marsit 2022, ku Gjykata, ndër të tjera, kishte konstatuar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të cenimit të parimit të sigurisë juridike, si rezultat i divergjencës në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së.
Në dritën e zhvillimit të parimeve të përgjithshme përkitazi me vendimet kundërthënëse apo divergjencë në praktikën gjyqësore, Gjykata fillimisht i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, e cila ka theksuar vazhdimisht se një nga komponentët thelbësorë të sundimit të ligjit është siguria juridike, e cila, ndër të tjera, garanton një siguri të caktuar në situata juridike dhe kontribuon në besim publik në gjykata (shih, rastin e GJEDNJ-së Brumărescu kundër Rumanisë [DHM], nr. 28342/95, paragrafi 61; rastin Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 38155/02, Aktgjykim i 2 nëntorit 2010, paragrafi 38, dhe rastin Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, nr. 13279/05, Aktgjykim i 20 tetorit 2011, paragrafi 56, shih po ashtu rastin e Gjykatës, KI28/23, parashtrues Rrahim Haliti, cituar më lart, paragrafi 61).
Sipas konstatimit të GJEDNJ-së, konstatim ky i afirmuar edhe përmes praktikës gjyqësore të vet Gjykatës është theksuar se: “prezenca e vendimeve kundërthënëse gjyqësore, në anën tjetër, mund të krijojë situata të pasigurisë juridike, e cila do ta ulte besimin e publikut në sistemin gjyqësor” (shih, rastin Paduraru kundër Rumanisë, nr. 63252/00, paragrafi 98; Vinčić dhe të tjerët kundër Serbisë, nr. 44698/06, Aktgjykim i 1 dhjetorit 2009, paragrafi 56; dhe rasti Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, të cituar më lart, paragrafi 38; shih në këtë aspekt rastet e Gjykatës, KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, i cituar më lart, paragrafi 118 dhe KI78/21, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, i cituar më lart, paragrafi 89). GJEDNJ, megjithatë, ka specifikuar se nuk ka një të drejtë të fituar për konsistencë të praktikës gjyqësore. (shih, rastin Unédic kundër Francës, nr. 20153/04, Aktgjykim i 18 dhjetorit 2008, paragrafi 74, shih rastin e cituar më lart Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, paragrafi 56, shih po ashtu rastin e Gjykatës: KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, cituar më lart paragrafi 65, KI42/17, parashtrues Kushtrim Ibraj, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 janarit 2018, paragrafi 33, KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, i cituar më lart, paragrafi 117 dhe KI78/21, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, i cituar më lart, paragrafi 87).
Në vijim, GJEDNJ ka vendosur tri kritere themelore, të cilat janë pranuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës për të përcaktuar nëse një divergjencë e vendimeve gjyqësore e pretenduar përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, dhe të cilat përcaktojnë si në vijim: (i) nëse ekzistojnë dallime “të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore; (ii) nëse ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (iii) nëse ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti (në këtë kontekst, shih rastet e GJEDNJ-së, Beian kundër Rumanisë (nr.1), nr. 30658/05, Aktgjykim i 6 dhjetorit 2007, paragrafët 37-39; Famullia Katolike Greke Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 76943/11, Aktgjykimi i 29 nëntorit 2016, paragrafët 116 - 135; Iordan Iordanov dhe të tjerët kundër Bullgarisë, nr. 23530/02, Aktgjykim i 2 korrikut 2009, paragrafët 49-50; Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 53; dhe shih rastet e Gjykatës, KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 shtatorit 2017, paragrafi 51; KI42/17, parashtrues Kushtrim Ibraj, cituar më lart, paragrafi 39; KI87/17 parashtrues “IF Skadiforsikring”, cituar më lart, paragrafi 67; KI35/18 parashtrues “Bayerische Versicherungsverbrand”, cituar më lart, paragrafi 70; KI107/19, parashtrues Gafurr Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 74; KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, cituar më lart, paragrafi 120; KI78/21, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, cituar më lart, paragrafi 91; dhe KI28/23, parashtrues Rrahim Haliti, cituar më lart, paragrafi 63).
Gjykata vëren se sikurse GJEDNJ ashtu edhe vet Gjykata gjatë zhvillimit të konceptit të “dallimeve të thella dhe afatgjata” gjithashtu mori parasysh nëse mospërputhja është e izoluar apo afekton një numër të madh njerëzish (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së, Famullia Katolike Greke Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 135, sai dhe rastet e Gjykatës KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, cituar më lart, paragrafi 72).
Gjykata, në këtë drejtim, gjithashtu thekson se GJEDNJ nuk ka konstatuar shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së në raste të praktikës divergjente gjyqësore edhe nëse e njëjta ka afektuar një numër të madh njerëzish në lidhje me të njëjtën çështje gjatë një periudhe të shkurtër kohore para se kundërthëniet përkatëse të zgjidheshin nga gjykatat më të larta, duke u dhënë mundësi kështu mekanizmave shtetërorë që të sigurojnë konsistencën e duhur (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së, Albu dhe të tjerët kundër Rumanisë, Aktgjykim i 10 majit 2012, paragrafët 42–43, dhe rastet e Gjykatës KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, cituar më lart, paragrafi 73, KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, të cituar më lart, paragrafi 122 dhe KI78/21, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, të cituar më lart, paragrafi 92).
Kjo e fundit ndërlidhet me kriterin e dytë dhe të tretë, përkatësisht me ekzistencën e një mekanizmi të aftë për të zgjidhur mospërputhjet në praktikën gjyqësore dhe nëse ky mekanizëm është përdorur dhe me çfarë efekti. Në këtë drejtim, GJEDNJ fillimisht ka konstatuar se mungesa e një mekanizmi të tillë përbën shkelje të së drejtës për një proces të rregullt gjyqësor të garantuar me nenin 6 të KEDNJ-së (shih, në këtë kontekst, Tudor Tudor kundër Rumanisë, nr. 21911/03 , Aktgjykim i 4 marsit 2009, paragrafët 30-32; dhe Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafët 37-38; dhe Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 54)., të cilin konstatim edhe Gjykata e ka afirmuar në praktikën e saj gjyqësore (shih rastet KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, cituar më lart, paragrafi 74, KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, të cituar më lart, paragrafi 123 dhe KI78/21, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, të cituar më lart, paragrafi 93)
(ii) Zbatimi i parimeve dhe kritereve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret
Në vijim, Gjykata do të aplikojë parimet e elaboruara më lart në rrethanat e rastit konkret, duke aplikuar kriteret mbi bazën e të cilave Gjykata dhe GJEDNJ trajton çështjet e divergjencës përkitazi me praktikën gjyqësore, duke filluar me vlerësimin nëse në rrethanat e rastit konkret, (i) divergjencat e pretenduara në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; dhe nëse ky është rasti, (ii) ekzistimin e mekanizmave të aftë për të zgjidhur divergjencën përkatëse; dhe (iii) vlerësimin nëse këta mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti në rrethanat e rastit konkret.
Fillimisht, Gjykata duhet gjithashtu të ritheksojë se, bazuar edhe në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe asaj të Gjykatës, nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave të rregullta, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme, pasi që pavarësia e tyre duhet të respektohet (shih rastin e GJEDNJ-së Adamsons kundër Letonisë, cituar më lart, paragrafi 118, shih po ashtu rastet e Gjykatës KI87/18 parashtrues IF Skadeforsikring, KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, paragrafi 126, KI78/21, parashtrues Raiffeisen Bank J.S.C, paragarfi 96, të cituara më lart).
Për më tepër, parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje kushtetuese të të drejtave dhe lirive themelore si rezultat i divergjencave në praktikën gjyqësore, duhet t’ia paraqes Gjykatës argumentet përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar në vendime kundërthënëse në praktikën gjyqësore dhe e cila mund të ketë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre kushtetuese të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së (shih rastin e cituar më lart KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, paragrafi 76).
Në këtë drejtim, Gjykata së pari rikujton pretendimin e parashtruesit të kërkesës, i cili, dorëzoi para saj 4 (katër) vendime të Gjykatës së Supreme, që ka vendosur për rastet e ngjashme me rastin e tij përkitazi me refuzimin e të drejtës së të punësuarve te parashtruesi i kërkesës për diferencën në pagë, si pasojë e vendimeve të këtij të fundit për zvogëlim të shpenzimeve në përputhje me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosov, dhe në lidhje me të cilat thekson se: “Për Telekomin e Kosovës sh.a, janë të paqëndrueshme dhe kundërligjore vendimet e te tri instancave gjyqësore në rastin e padisë dhe kërkesëpadisë se paditësit [I.A] nga Prishtina, kundër të paditurës Telekomi i Kosovës [parashtruesit të kërkesës] sh.a, për kompensimin e të ardhurave personale, për faktin se, Telekomi i Kosovës sh.a, ka provuar dhe argumentuar me prova bindëse materiale se kërkesëpadisë se paditësit i mungon baza ligjore, kjo edhe për faktin se Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur për rastin identik sikurse të paditësit [I.A.], me dhjetra aktgjykime/aktvendime duke pranuar të themelta revizionet e Telekomit të Kosoves sh.a, ashtu qe ky aktgjykim i Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr.253/2022, i dt.28.04.20223, për të cilin kërkohet vlerësimi i kushtetutshmërisë, ka befasuar Telekomin e Kosovës sh.a, me vendimin dhe mënyrën se si ka vendosur gjykata e instancës më të lartë gjyqësore”. Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk ka dorëzuar parashtresa të tjera lidhur me këto raste, për të cilat ka pretenduar lidhshmërinë faktike dhe juridike me atë të rastit të tij.
Gjykata rikujton se në rastet KI87/18, KI35/18, KI133/20 dhe KI78/21 të cituara më lart, ka konstatuar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të shkeljes së parimit të sigurisë juridike si rezultat i divergjencës së praktikës gjyqësore pasi kishte konstatuar se (i) kishte “dallime të thella dhe afatgjata”; (ii) mekanizmi i Gjykatës Supreme për harmonizimin e praktikës gjyqësore ekzistonte; porse (iii) mekanizmi i lartpërmendur nuk ishte përdorur.
Gjykata vëren se rrethanat e rasteve të lartcekura ku kishte vendosur Gjykata Supreme, më konkretisht të (i) Aktvendimit [Rev.nr.249/2021] të 20 prillit 2022; (ii) Aktgjykimit [Rev.nr. 392/21] të 20 dhjetorit 2021; (iii) Aktvendimit [Rev.nr.132/2022] të 20 shtatorit 2022; dhe (iv) Aktvendimit [Rev.220/2023] të 6 korrikut 2023, të dorëzuara nga parashtruesi i kërkesës ndërlidhen me atë se palë ndërgjyqëse në këto raste janë gjithashtu punëtorë tek i njëjti punëdhënës, respektivisht, Telekomi i Kosovës Sh.A.
Megjithatë, duke iu referuar rasteve të referuara nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata nga vendimet e lartpërmendura të Gjykatës Supreme vëren se: në të 4 (katër) rastet e dorëzuara para saj, gjykata e shkallës së parë ka miratuar kërkesat e V.N., M.M, G.K., dhe F.B. për njohjen e së drejtës për pagesën e diferencës së pagave në mes të koeficientëve respektiv, si dhe trustit e tatimit Tutje, në të 4 (katër) rastet, pas ushtrimit të ankesës nga ana e parashtruesit të kërkesës, gjykatat e rregullta kishin refuzuar ankesat si të pabazuara (shënim i Gjykatës: vendimet e shkallës së parë dhe të dytë për këto raste parashtruesi nuk i ka dorëzuar në Gjykatë). Ndërsa, në të 3 (tri) prej këtyre rasteve, Gjykata Supreme me aktvendim i ka kthyer në rivendosje dhe i ka aprovuar revizionet e parashtruesit të kërkesës ndërsa në njërin rast, ka vendosur në mënyrë meritore dhe ka aprovuar pjesërisht revizionin e tij.
Më saktësisht, Gjykata në vijim do t’i përmbledhë arsyetimet e rasteve të lartcekura të vendosura nga Gjykata Supreme e të cilat kanë të bëjnë me adresimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës se të punësuarit në fjalë kanë nënshkruar kontrata të punës përmes të cilave me vullnet të lirë dhe në mënyrë të dyanshme kanë pranuar zvogëlimin e koeficientit të pagës.
Në rastin e të punësuarës V.N., Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr.249/2021] të 20 prillit 2022, kishte vendosur që të mos e pranojë qëndrimin juridik të shkallës së parë dhe të dytë për shkak se konsideroi që gjykatat në fjalë nuk kanë dhënë arsye sa i përket vendosjes, gjegjësisht se për cilat arsye gjykata ka gjetur se kërkesëpadia është bazuar dhe është detyruar parashtruesi i kërkesës që t’ia kompensojë të punësuarës së tij V.N., ndryshimin e pagës në mes të koeficientëve 12 (dymbëdhjetë) dhe 13 (trembëdhjetë) për periudhën prej 31 dhjetorit 2009 deri më 1 janar 2013. Gjykata Supreme, në këtë aktvendim, ndër të tjera, theksoi se gjykatat e shkallës më të ulët nuk i kanë vlerësuar kontratat e nënshkruara në mes të parashtruesit të kërkesës dhe të punësuarës, ndonëse gjykata e shkallës së parë i ka administruar si prova ndërsa ajo e shkallës së dytë i ka pasur në shkresat e lëndës, e të cilat mund të kenë pasur ndikim në vendosjen e kësaj çështjeje. Gjykata Supreme po ashtu vlerësoi se ndonëse Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.3175/2015] të 11 korrikut 2016 vërtetoi aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë me të cilin është anuluar aktvendimi i parashtruesit të kërkesës, i 8 janarit 2010, me të cilin është bërë zbritja e koeficientit të pagës, nuk nënkupton se e punësuara mund të kompensohet për periudhë të pakufizuar pasi që në momentin e nxjerrjes së këtij vendimi, ka qenë në fuqi një kontratë me afat të caktuar, ajo e 30 tetorit 2009 me kohëzgjatje të kufizuar për 3 (tri) vite, e cila ka paraparë koeficientin 13 (trembëdhjetë) dhe efekti i së cilës ka mundur të jetë më i shkurtër nëse ndonjë kontratë tjetër me koeficient tjetër është nënshkruar në ndërkohë. Andaj, e njëjta çështjen e ktheu në rigjykim te gjykata e shkallës së parë.
Në rastin e të punësuarit M.M., Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.398/2021] të 20 dhjetorit 2021, kishte vendosur që: (i) ta refuzojë si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës përkitazi me anulimin e aktvendimit të parashtruesit të kërkesës të 19 dhjetorit 2019, me të cilin është bërë zbritja e koeficientit të pagës, ndërsa (ii) ta pranojë si pjesërisht të bazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës dhe ta ndryshojë atë që ta detyrojë parashtruesin e kërkesës t’i paguajë ndryshimin në pagën neto për periudhën nga 1 shkurti 2012 deri më 31 dhjetor 2014, si dhe (iii) shumën përtej pjesës së gjykuar për periudhën kohore 1 janar 2015 deri më 10 tetor 2016, ta refuzojë. Gjykata Supreme në këtë rast e pranoi arsyetimin e gjykatave të shkallës më të ulët përkitazi me anulimin e aktvendimit të parashtruesit të kërkesës të 19 dhjetorit 2019, mirëpo vuri në pah se i punësuari M.M. kishte lidhur kontratë me vullnet të lirë më 31 dhjetor 2014 me koeficientin e zbritur dhe konstatoi se gjykata e shkallës së dytë nuk kishte marrë parasysh këtë fakt, prandaj e njëjta sipas saj është përfshirë në zbatim të gabuar të së drejtës materiale sepse diferenca e pagës i takon këtij të punësuari vetëm deri kur ka nënshkruar kontratën tjetër të punës më 31 dhjetor 2014 dhe se pas kësaj periudhë kërkesëpadia e të punësuarit M.M. është refuzuar.
Në rastin e të punësuarit G.K., Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr.132/2022 të 20 shtatorit 2022, kishte vendosur që të mos e pranojë qëndrimin juridik të shkallës së parë dhe të dytë për shkak se konsideroi se gjykatat e shkallës më të ulët kanë dhënë arsye kundërthënëse dhe në kundërshtim me shkresat e lëndës sepse i punësuari G.K., ka kërkuar pagimin e diferencës së pagës në mes të dy koeficientëve nga 1 shkurti 2012 deri më 28 shkurt 2018, mirëpo sipas saj, gjykatat e rregullta nuk kanë marrë për bazë kontratën e 27 marsit 2012, të cilën i njëjti rezulton se e ka nënshkruar me koeficientin e zbritur, kontratë kjo që ka hyrë në fuqi me efekt nga 1 shkurti 2012. Gjykata Supreme e ktheu në rigjykim çështjen meqenëse konstatoi se gjykatat e shkallës më të ulët nuk kanë vërtetuar faktin kryesor nëse i punësuari G.K. e ka pranuar, gjegjësisht nënshkruar kontratën e lidhur me parashtruesin e kërkesës ku pranon lartësinë e pagës me koeficientin e zbritur.
Në rastin e të punësuarit F.B., Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr.220/2023 të 6 korrikut 2023, kishte vendosur që të mos e pranojë qëndrimin juridik të shkallës së parë dhe të dytë për shkak se konsideroi se që gjykatat në fjalë kanë dhënë arsye kundërthënëse, gjegjësisht nuk kanë dhënë arsye se për cilat arsye gjykata ka gjetur se kërkesëpadia është bazuar dhe është detyruar parashtruesi i kërkesës që t’ia kompensojë të punësuarit të tij F.B., ndryshimin e pagës në mes të koeficientëve 12 (dymbëdhjetë) dhe 11 (njëmbëdhjetë) për periudhën kohore prej 1 shkurtit 2012 deri më 31 dhjetor 2014. Gjykata Supreme vlerësoi se kontrata e të punësuarit në të cilin ishin bazuar gjykatat e shkallës më të ulët në fakt ishte kontratë me afat të caktuar dhe jo të pacaktuar siç kishin konstatuar të njëjtat. Pasi që kohëzgjatja e kësaj kontrate në këtë rast është vendimtare, konsideroi se ky fakt duhet të qartësohet nga gjykatat e faktit. Për më tepër, e njëjta theksoi edhe kontratën e re të punës të lidhur me koeficientin e zbritur me efekt nga 1 shkurti 2012, e cila mund të ketë ndikim në zgjidhjen e rastit. Andaj, Gjykata Supreme për arsye të qartësimit të fakteve, e ktheu çështjen në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.
Ndërsa, në rastin e parashtruesit të kërkesës së tanishme, Gjykata rikujton se Gjykata Supreme e refuzoi revizionin e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se pretendimi i parashtruesit përkitazi me mos shqyrtimin e Kontratës [Nr.01-1417/2012] së Punës në Kohë të Pacaktuar të të punësuarit, të 27 marsit 2012, i referohet pjesës së gjykuar të këtij rasti, respektivisht, pjesës që ishte vendosur me vendim të plotfuqishëm nga Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr. 4782/2014] më 12 janar 2017, dhe rrjedhimisht është bërë res judicata. Për më tepër, Gjykata bazuar në shkresat e lëndës, vëren se parashtruesi i kërkesës kishte prezantuar si provë kontratën e lartcekur para Gjykatës së Apelit në ankesën e 3 janarit 2018, pasi që Gjykata Themelore kishte vendosur në procedurë të rivendosjes më 20 nëntor 2017, përmes Aktgjykimit [C.nr. 186/17].
Duke rikujtuar detyrimin e përcaktuar përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës që parashtruesit e kërkesës duhet t’i paraqesin Gjykatës argumentet përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar në vendime kundërthënëse në praktikën gjyqësore, Gjykata vëren se përveç dorëzimit të 4 (katër) vendimeve të Gjykatës Supreme, ku parashtruesi pretendon rrethanat faktike dhe juridike të ngjashme si ato në rastet respektive të Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur që Gjykatës ta paraqesë argumente shtesë, apo raste tjera që janë vendosur ndryshe nga Gjykata Supreme, dhe rrjedhimisht ta mbështesë pretendimin e tij për cenim të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse te gjykatat e rregullta.
Për më tepër, në rastin konkret, Gjykata vëren se Gjykata Supreme ka konstatuar se pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mos shqyrtimin e Kontratës [Nr.01-1417/2012] së Punës në Kohë të Pacaktuar të të punësuarit, të 27 marsit 2012, ku rezulton se i punësuari kishte nënshkruar kontratën me koeficient të zbritur, ka ngritur një pretendim për të cilin pjesë, Gjykata Themelore kishte vendosur me aktgjykim të plotfuqishëm. Ndërsa, në anën tjetër, në 4 (katër) rastet e tjera, kopjet e të cilave parashtruesi i kërkesës i kishte dorëzuar në Gjykatë, Gjykata Supreme kishte marrë parasysh kontratat e reja të nënshkruara nga të punësuarit me koeficient të zbritur dhe 3 (tri) prej tyre i ka kthyer në rigjykim, ndërsa në njërin rast ka vendosur me aktgjykim.
Në dritën e praktikës së vet gjyqësore, Gjykata vlerëson se nuk është e mundur të konstatohet ekzistimi i “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit që rrezikojnë parimin e sigurisë juridike, duke u thirrur në 4 (katër) vendime të Gjykatës Supreme, rrethanat e të cilave dallojnë me rastin e parashtruesit të kërkesës.
Andaj, Gjykata konsideron se as numri i aktgjykimeve të paraqitura si kundërthënëse, si dhe as mënyra se si Gjykata Apelit ka vlerësuar dhe trajtuar rastin e parashtruesit të kërkesës nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për të arsyetuar pretendimin për shkelje të parimit të sigurisë, si rrjedhojë e vendimeve kundërthënëse të gjykatave të rregullta (shih rastet e Gjykatës KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova të cituar më lart, paragrafi 58 dhe KO28/23, parashtrues Rrahim Haliti, të cituar më lart, paragrafi 82).
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimi për divergjencë në praktikën gjyqësore të gjykatave të rregullta është i papranueshëm si qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë evidente të shkeljes” ashtu siç është përcaktuar me rregullin 34 (2) të Rregullores së Punës.
Përkitazi me pretendimet për shkelje të neneve 32 dhe 54 të Kushtetutës
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, përveç pretendimeve për shkelje të së drejtës për vendim të arsyetuar, pretendon edhe shkelje të neneve 32 dhe 54 të Kushtetutës. Megjithatë, në këtë kontekst i njëjti vetëm përmend këto nene, por nuk elaborohen dhe shtjellon më tej si dhe pse ka ardhur deri te shkelja e tyre nga ana e Gjykatës Supreme. Siç është shprehur edhe në rastet e tjera, Gjykata përsërit qëndrimin e saj se vetëm përmendja dhe citimi i neneve të Kushtetutës apo instrumenteve të tjera ndërkombëtare, nuk mjafton për të ngritur pretendime për shkelje të të drejtave kushtetuese. Kur pretendon për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ, parashtruesi duhet të paraqesë dëshmi dhe argumente bindëse, për të dëshmuar shkeljet e supozuara (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës: KI175/20, me parashtrues, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 prillit 2021, paragrafi 81; KI166/20 parashtrues Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 dhjetorit 2020, paragrafi 52; KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 majit 2021, paragrafët 38-39, dhe KI64/22, parashtrues Vatani Shpk, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 shtatorit 2022, paragrafi 77).
Thënë këtë, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e neneve të lartcekura, në baza kushtetuese duhet deklaruar qartazi të pabazuara.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 21 (4) dhe 113 (1) dhe (7) dhe 116 (2) të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (2), si dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 31 janar 2024, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
TË KONSTATOJË se ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Telekomi i Kosovës Sh.A.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile