Prishtinë, më 3 tetor 2024
Nr. ref.: RK 2543/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI257/23
Parashtrues
Gerolld Nikoliqi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr.317/2023
të 12 korrikut 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Gerolld Nikoliqi, me vendbanim në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Afrim Radoniqi, avokat në komunën e Prishtinës.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Pml. nr. 317/2023] e 12 korrikut 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [PA1. nr. 610/2023] e 9 qershorit 2023 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [nr. 2022:278404] e 7 marsit 2023, të Gjykatës Themelore në Gjakovë - Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është shqyrtimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, me të cilin pretendohet të jenë shkelur të drejtat e parashtruesit të kërkesës, të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 15 nëntor 2023, parashtruesi i kërkesës përmes postës dorëzoi kërkesën, të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata), e pranoi më 20 nëntor 2023.
Më 22 nëntor 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr. Gjr. KI257/23] e caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Safet Hoxha (kryesues), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 29 nëntor 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga avokati i tij autorizimin i cili dëshmon se i njëjti është përfaqësues i parashtruesit të kërkesës.
Më 1 dhjetor 2023, Gjykata pranoi autorizimin e kërkuar nga avokati i parashtruesit të kërkesës.
Më 6 dhjetor 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën datë, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës duke i dërguar një kopje të saj, si dhe kërkoi nga e njëjta fletëkthesën që dëshmon se kur e ka pranuar parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin e Gjykatës Supreme [Pml. nr. 317/2023], të 12 korrikut 2023.
Më 6 dhjetor 2023, Gjykata pranoi nga Gjykata Themelore fletëkthesën me të cilën vërtetohet se avokati i parashtruesit të kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin e kontestuar më 25 korrik 2023.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 17 korrik 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Bazuar në shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte shkaktuar një incident kundër partneres së tij duke përdorur dhunë fizike ndaj saj.
Më 2 shkurt 2023, Prokuroria Themelore në Gjakovë ngriti aktakuzën [PP/II. nr. 1918/2022] në Gjykatën Themelore kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të kryerjes së veprës penale dhunë në familje nga neni 248 [Dhuna në familje], paragrafi 1 dhe nenin 185 [Lëndimi i lehtë trupor], paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit [Nr. 06/L-074] Penal të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin [Nr. 08/L -188].
Më 7 mars 2023, Gjykata Themelore zhvilloi seancën fillestare në të cilën parashtruesi i kërkesës u deklarua fajtor për veprat penale për të cilat ishte akuzuar nga Prokuroria Themelore. Në këtë fazë gjyqësore, parashtruesi i kërkesës pranoi fajësinë e tij në mënyrë vullnetare dhe shprehu kërkesën e tij për falje ndaj të dëmtuarës dhe familjes. Prokurori i shtetit i propozoi Gjykatës Themelore të miratonte pranimin e fajësisë nga parashtruesi i kërkesës, sepse ky i fundit pas konsultimit me mbrojtësin e tij i kishte kuptuar pasojat dhe përfitimet e pranimit të fajësisë. E dëmtuara dhe mbrojtësja e viktimës nuk e kundërshtuan pranimin e fajësisë.
Mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës, avokati Afrim Radoniqi, deklaroi se gjatë intervistës së tij në Prokurori, ai dhe klienti i tij kanë pranuar fajësinë. Gjithashtu, ka bërë të ditur se palët e dëmtuara dhe i akuzuari kanë arritur një marrëveshje jashtëgjyqësore, duke përfshirë një aktpajtim. Pas një konsultimi të mjaftueshëm me klientin e tij, ata kanë vendosur të pranojnë fajësinë edhe para gjykatës. Avokati ka shpjeguar se ata ia kanë dorëzuar Gjykatës aktpajtimin e 5 shkurtit 2023.
Gjykata Themelore nxori një aktvendim përmes të cilit aprovoi pranimin e fajësisë nga parashtruesi i kërkesës pasi është bindur plotësisht se parashtruesi i kërkesës ishte i vetëdijshëm për pasojat e pranimit të fajësisë.
Më 7 mars 2023, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [2022:278404] shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për shkak të veprave penale “Dhuna në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, sipas paragrafit 1 të nenit 248 dhe nënparagrafit 1.4 të paragrafit 1 të nenit 185 të Kodit Penal dhe ia shqiptoi dënimin unik në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) muajsh.
Më 18 prill 2023, kundër Aktgjykimit [2022: 278404] të Gjykatës Themelore, mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit për shkak të vendimit mbi lartësinë e sanksionit penal, duke propozuar që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet duke i shqiptuar dënim më të butë parashtruesit të kërkesës. Në ankesën e tij, mbrojtësi argumenton se gjykata e shkallës së parë nuk ka marrë në konsideratë të gjitha rrethanat relevante për lartësinë e dënimit. Këto rrethana përfshijnë faktin se parashtruesi i kërkesës ishte në gjendje të pavetëdijshme në ditën e ngjarjes, mungesa e recidivizmit në historinë e tij penale, përkujdesja që tregoi ndaj nënës së tij, si dhe roli i tij si prind i një vajze të vogël. Mbrojtësi gjithashtu thekson se një dënim me burgim do të ndikonte negativisht në zhvillimin emocional dhe psikik të vajzës së tij. Për më tepër, ai nënvizon se parashtruesi i kërkesës ka përjetuar humbje të rëndësishme duke humbur punën, bashkëshorten, vajzën, banesën, dhe të tjera, duke e bërë të pamundur për të përmbushur nevojat jetësore.
Më 18 maj 2023, Prokuroria e Apelit të Kosovës përmes parashtresës [PPA/II. nr. 648/2023], ka propozuar të refuzohet si e pabazuar ankesa e lartpërmendur, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.
Më 9 qershor 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PA1. nr. 610/23], refuzoi si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin [2022: 278404] të Gjykatës Themelore, me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë, drejtë dhe në mënyrë të plotë i ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, si dhe në ankesë nuk theksohet ndonjë rrethanë e re lehtësuese e cila nuk është vlerësuar nga gjykata e shkallës së parë, e cila do kishte ndikim në shqiptimin e një dënimi më të butë.
Gjykata e Apelit theksoi se “... të gjitha këto japin bazë të mjaftueshme që arsyetojnë shqiptimin e dënimit nga gjykata e shkallës së parë si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar si dhe dënimi i shqiptuar është në harmoni më intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprave penale të kryera, me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit si ekzekutorë dhe se kjo do t’i shërbejë preventivës gjenerale, posaçërisht asaj individuale, forcimit të moralit të shoqërisë, si dhe përgjegjësisë dhe disiplinës së qytetarëve, se me këtë kryerësi do të parandalohet nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe to të bëhet rehabilitimi i tij. Andaj, kolegji penal i kësaj gjykate konsideron se dënimi i shqiptuar është i nevojshëm për t’u arritur qëllimi i dënimit i paraparë me dispozitën e nenit 38 të KPRK-së”.
Më 27 qershor 2023, kundër aktgjykimit të lartcekur, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384, paragrafi 1 dhe shkeljeve të ligjit penal, ashtu që sipas Udhëzimit juridik të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 11 qershorit 2020, lidhur me cilësimin juridik dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e Dhunës në Familje e konsumon lëndimin e lehtë trupor ashtu që gjykata e shkallës së parë në mënyrë të gabuar e ka shpallur parashtruesin e kërkesës fajtor për dy vepra penale. Në fund, i propozon Gjykatës Supreme që kërkesa të aprovohet si e bazuar, ashtu që aktgjykimet e kundërshtuara të ndryshohen dhe parashtruesit të kërkesës t’i shqiptojë një dënim më të butë.
Më 12 korrik 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 317/2023] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, kundër Aktgjykimit [2022:278404] të Gjykatës Themelore në Gjakovë, i 7 marsit 2023, dhe Aktgjykimit [PA1. nr. 610/23] të Gjykatës së Apelit të Kosovës, i 9 qershorit 2023.
Gjykata Supreme e Kosovës, konstatoi se pretendimet e mbrojtësit të parashtruesit të kërkesës janë të pabazuara, për faktin se aktgjykimet e ankimuara nuk janë të përfshira me shkelje të dispozitave të procedurës penale e as me shkelje të ligjit penal. Më tej, thekson se pranimi i fajësisë në asnjë rrethanë nuk prejudikon caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit. Duke u bazuar në dispozitën e nenit 385, par.5 të KPP-së, kur është fjala për vendimin për dënimin, theksohet se shkelja e ligjit penal bëhet në rastin kur gjykata ka tejkaluar kompetencat ligjore e që në rastin konkret, gjykata e shkallës së parë ka shqiptuar dënimin brenda kufijve të paraparë për këtë vepër penale. Si dhe, theksoi faktin se nuk është kompetencë e Gjykatës Supreme të Kosovës shqyrtimi i lartësisë së dënimeve të shqiptuara, dhe se vendimi për dënimin me këtë mjet të jashtëzakonshëm juridik mund të kundërshtohet vetëm në rast se aktgjykimi është marrë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e cila do të ndërlidhej me mungesën ose paqartësitë e arsyeve lidhur me vendimin për dënimin, e që në rastin konkret një pretendim i tillë nuk është paraqitur.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 317/2023] të 12 korrikut 2023, ia ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të neneve të lartcekura të Kushtetutës, duke pretenduar (i) moszbatim të Udhëzimit [Nr. 113/2020] të Gjykatës Supreme të 12 qershorit 2020, si rezultat i dënimit për dy vepra penale; (ii) mungesë e konsistencës në gjykimin e rastit të tij; si dhe (iii) mungesa e provave gjatë shqiptimit të dënimit.
Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës thekson se “Mbrojtja pretendon se në këtë çështje të akuzuarit Gerolld Nikoliqi i janë shkelur liritë dhe të drejtat e parapara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, më konkretisht i është shkelur e drejta për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, nga fakti se kjo situatë është e rregulluar më specifikisht me Udhëzimin e Gjykatës Supreme Nr.113/2020 datë: 12.06.2020 lidhur me cilësimin juridik dhe trajtimin e rasteve të Dhunës në Familje sipas Kodit Penal të Republikës se Kosovës, dhe se rastet e ngjashme në praktikë nuk duhet dhe nuk mund të trajtohen në mënyra të ndryshme, varësisht nga dëshira e prokurorëve dhe gjyqtarëve”.
Parashtruesi i kërkesës me tej thekson: “Është fakt i pakontestueshëm se në shumë aktakuza praktikohet dhe respektohet Udhëzimi i nxjerrur nga Gjykata Supreme, ndërkaq në rastin e të mbrojturit tim nuk është përfillur një gjë e tillë, për çka paraqet shkelje të qartë kushtetuese për një gjykim fer, të drejtë dhe të paanshëm, dhe trajtime të pabarabarta të qytetarëve që bien ndesh me këso vepra”.
Përgjatë pretendimeve të tij, parashtruesi i kërkesës thekson: “Konsiderojmë që nuk është në diskrecionin e prokurorëve dhe gjyqtarëve që të kualifikojnë vepra sipas dëshirës së tyre personale, por të njëjtat duhet të mbështeten në provat e çështjes dhe dispozita ligjore, dhe meqë ekziston Udhëzimi i Gjykatës Supreme që rregullon këtë situatë, atëherë çështja penale e të akuzuarit Gerolld Nikoliqi duhet të trajtohet sikur të gjitha rastet tjera pa dallim, dhe i njëjti nuk mund të ngarkohet me 2 (dy) vepra penale, Dhunë në Familje dhe Lëndim i Lehtë Trupor pasi që është përcaktuar që në rastet kur përmbushen elementet e veprës penale bazë duhet bërë kualifikimi sipas veprës penale bazë, andaj kualifikimi në çështjen e të akuzuarit Gerolld Nikoliqi ka qenë dashtë të jetë vetëm Lëndim i Lehtë Trupor nga neni 185, par. 1 nënpar. 1.4 të KPRK-së”.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]
Neni 30
[Të Drejtat e të Akuzuarit]
Çdokush që akuzohet për vepër penale, gëzon të drejtat minimale në vijim:
(1) të njoftohet menjëherë në gjuhën që kupton, për natyrën dhe shkakun e akuzës kundër saj/tij;
(2) të njoftohet për të drejtat e tij/saj sipas ligjit;
(3) të ketë kohë, mundësi dhe mjete të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;
(4) të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën në të cilën zhvillohet gjykimi;
(5) të ketë ndihmën e një mbrojtësi që e zgjedh, të komunikojë lirisht me të dhe, nëse nuk ka mjete të mjaftueshme, t’i sigurohet mbrojtja falas;
(6) të mos shtrëngohet për të dëshmuar kundër vetvetes ose për të pranuar fajësinë e vet.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij [...]
KODI NR. 06/L-074 KODI PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
MATJA E DËNIMIT
Neni 69
Rregullat e përgjithshme për matjen e dënimit
1. Kur cakton dënimin për vepër penale, gjykata duhet të ketë parasysh minimumin dhe maksimumin e dënimit të paraparë për atë vepër penale. Gjykata pastaj duhet të merr parasysh qëllimin e dënimit, parimet e përcaktuara në këtë kapitull dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese lidhur me veprën penale të caktuar ose me dënimin.
2. Dënimi duhet të jetë në proporcion me peshën e veprës dhe me sjelljen dhe rrethanat e
kryesit.
3. Me rastin e caktimit të dënimit, gjykata merr parasysh por nuk kufizohet në rrethanat e mëposhtme:
3.1. shkallën e përgjegjësisë penale;
3.2. motivet për kryerjen e veprës;
3.3. intensitetin e rrezikimit apo të dëmtimit të vlerës së mbrojtur;
3.4. rrethanat në të cilat është kryer vepra;
3.5. sjelljen e mëparshme të kryesit;
3.6. pranimin e fajit dhe
3.7. rrethanat personale të kryesit dhe sjelljen e tij pas kryerjes së veprës penale.
[...]
Neni 70
Rregullat e përgjithshme për zbutjen ose ashpërsimin e dënimit
1. Kryesit të veprës penale i shqiptohet dënimi i paraparë për veprën e kryer penale, ndërsa
dënimi më i butë ose më i rëndë mund të shqiptohet vetëm në pajtim me kushtet e parapara me këtë kod.
2. Me rastin e caktimit të dënimit, gjykata merr parasysh por nuk kufizohet në rrethanat e
mëposhtme rënduese:
2.1. shkallën e lartë të pjesëmarrjes së personit të dënuar në veprën penale;
2.2. shkallën e lartë të dashjes nga ana e personit të dënuar,
2.3. prezencën e dhunës ose kanosjes me dhunë në kryerjen e veprës penale;
[...]
2.14. nëse vepra penale kryhet brenda marrëdhënies familjare.
[...]
3. Me rastin e caktimit të dënimit, gjykata merr parasysh por nuk kufizohet në rrethanat e
mëposhtme lehtësuese:
[...]
3.10. pranimin e fajit;
3.11. keqardhjen e shfaqur nga personi i dënuar;
3.12. sjelljen e personit të dënuar pas konfliktit;
[...]
Neni 248
Dhuna në familje
1. Kushdo që e kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 (tre) vjet.
2. Kur çfarëdo vepre në Kodin Penal kryhet brenda marrëdhënies familjare, do të konsiderohet si rrethanë rënduese.
Neni 185
Lëndimi i lehtë trupor
1. Kushdo që personit tjetër i shkakton lëndim të lehtë trupor, i cili rezulton në:
1.1. dëmtimin e përkohshëm ose dobësimin e një organi apo pjese të trupit të personit tjetër;
1.2. zvogëlimin e përkohshëm të aftësisë së personit tjetër për të punuar;
1.3. shëmtimin e përkohshëm të personit tjetër; ose
1.4. dëmtimin e përkohshëm të shëndetit të personit tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.
2. Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet me armë, mjet të rrezikshëm apo me ndonjë send tjetër që mund të shkaktojë lëndim të rëndë trupor ose dëmtim të rëndë të shëndetit, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
3. Kur vepra penale nga ky nen kryhet ndaj viktimës së ndjeshme, ose është e motivuar sipas kombësisë, gjuhës, besimit fetar ose mungesës së besimit fetar, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, ose për shkak të afërsisë me persona me njërën nga këto karakteristika të mbrojtura kryesi dënohet me:
3.1. burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet për veprën penale nga paragrafi 1. i këtij neni; ose
3.2. burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet për veprën penale nga paragrafi 2. i këtij neni.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe të përcaktuara me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
"1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç specifikohet më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47 i Ligjit
(Kërkesa individuale)
"1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48 i Ligjit
(Saktësimi i kërkesës)
"Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj".
Neni 49 i Ligjit
(Afatet)
"Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor ... ".
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Pml. nr. 317/2023] të 12 korrikut 2023, të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kriteret e nenit 48 të Ligjit dhe i ka dorëzuar kërkesat në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34 (2) specifikisht përcakton që:
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
"(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".
Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastet e Gjykatës KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 26, dhe KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore, përfshirë, por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Gjykata fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata fillimisht rikujton se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me aktakuzën [PP/II. nr. 1918/2022] e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të kryerjes së veprës penale dhunë në familje nga neni 248 [Dhuna në familje], paragrafi 1 dhe nenin 185 [Lëndimi i lehtë trupor], paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal. Në lidhje me këtë, të tri instancat e gjykatave të rregullat konfirmuan përgjegjësinë penale të parashtruesit të kërkesës. E para, përkatësisht Gjykata Themelore shpalli parashtruesin e kërkesës fajtor për kryerjen e veprës penale nga neni 248 [Dhuna në familje], paragrafi 1 dhe nenin 185 [Lëndimi i lehtë trupor], paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal dhe i shqiptoi dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) muajsh. E dyta, përkatësisht Gjykata e Apelit refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe konfirmoi sanksionin penal me arsyetimin se janë vlerësuar të gjitha rrethanat për matjen e dënimit të shqiptuar. Ndërsa, Gjykata Supreme konfirmoj aktgjykimet e instancave më të ulëta me arsyetimin se këto të fundit nuk kanë tejkaluar kompetencat ligjore me rastin e shqiptimit të dënimit dhe se lartësia e dënimit ishte brenda kufijve ligjor.
Konstatimet e lartcekura, parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të neneve 31 dhe 33 të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të neneve të lartcekura të Kushtetutës, duke pretenduar specifikisht (i) moszbatim të Udhëzimit [Nr. 113/2020] të Gjykatës Supreme të 12 qershorit 2020, që në mungesë të tij iu shqiptua dënimi për dy vepra penale dhe çoi në vendimmarrje jokonsistente në rastin e tij; si dhe (iii) mungesa e shqyrtimit të provave përkitazi me shqiptimin e dënimit dhe lartësinë e tij.
Për shkak të ndërlidhshmërisë së pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata në vijim do t’ i trajtojë pretendimet për shkelje të nenit 30 dhe 31 të Kushtetutës me një arsyetim të vetëm.
Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me faktin se gjykatat e rregullta kanë shqiptuar dënimin parashtruesit të kërkesës për kryerjen e veprës penale nga neni 248 [Dhuna në familje], paragrafi 1 dhe nenin 185 [Lëndimi i lehtë trupor], paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal. Parashtruesi i kërkesës në esencë konteston lartësinë e dënimit e shqiptuar nga gjykatat e rregullta. Sipas tij, Gjykata Supreme do të duhej të zbatonte Udhëzimin [Nr.113/2020] të 12 qershorit 2020, dhe të dënohej vetëm për njërën vepër penale, përkatësisht për veprën penale [Lëndimi i lehtë trupor] nga nenin 185 i Kodit Penal, dhe rrjedhimisht t’ i shqiptohet dënim me i butë.
Gjykata vëren se, përveç tjerash, pretendimet e ngritura të parashtruesit të kërkesës lidhur me sanksionin penal ishin adresuar edhe para gjykatave të rregullta. Në këtë kontekst, Gjykata fillimisht rikujton se Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [2022: 278404] të 7 marsit 2022, kishte arsyetuar si në vijim:
[…] Gjykata me pranimin e fajësisë nga i pandehuri ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore që pranimi i fajësisë të aprovohet nga ana e gjykatës. Gjykata ka pranuar deklarimin e pranimit të fajësisë fillestare nga i pandehuri dhe vlerëson se ky pranim i fajësisë është i mbështetur edhe në provat që gjenden në shkresat e lëndës, të gjitha këto vërtetojnë në mënyrë bindëse për gjykatën elementet inkriminuese të veprës penale e ku krijohet edhe figura në tërësi e veprës penale që ka kryer i pandehuri, andaj mbi këtë bazë edhe gjykata i ka vlerësuar këto prova dhe deklarimin e pranimit të fajësisë nga i pandehuri e ka pranuar si të tillë.
Me rastin e matjes së dënimit gjykata ka marrë për bazë edhe rrethanat që ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit duke u bazuar në nenet 69,70 të KPRK-së, ashtu që rrethanë lehtësuese ka marrë faktin se i pandehuri ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet, të njëjtën e ka pranuar në mënyrë vullnetare, i premton Gjykatës se nuk do të përsëris ndonjë vepër tjetër penale dhe do të jetë më i kujdesshëm që të mos kryej vepër tjetër penale, i kërkon falje të dëmtuarës, e dëmtuara nëpërmes përfaqësueses së saj nuk ka kërkuar që të dënohet i akuzuari dhe nuk ka kërkuar kompensim dëmi, njëherë deklaron se më të akuzuarin janë pajtuar kjo konstatohet nga aktpajtimi i dt.05.02.2023. E sa i përket rrethanave rënduese gjykata mori faktin se i akuzuari ka kryer këto vepra penale për të cilat akuzohet, të gjitha këto rrethana ndikuan që Gjykata t’i zbatoj dispozitat e përgjithshme për zbutjen ose ashpërsimin e dënimit të parapara me nenin 70 të KPRK-së, gjykata ka ardhur në përfundim se i akuzuari ka kryer veprat penale të përshkruar në dispozitiv të këtij aktgjykimit, të akuzuarin e dënon me dënim me gjobë në shumën prej njëqind (100) euro, dhe me dënim UNIK ME BURGIM në kohëzgjatje prej shtatë (7) muajsh, me bindjen se me këtë dënim do të arrihet efekti dhe qëllimi i dënimit nga neni 38 të KPRK-së, dhe ky dënim i shqiptuar sipas bindjes së gjykatës është në proporcion me veprat penale të kryera dhe rrethanat personale të cilat i posedon i akuzuari”.
Në vazhdim, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [P A1. nr. 61 0/23] të 9 qershorit 2023, kishte theksuar:
“Sipas vlerësimit te kolegjit penal të Gjykatës së Apelit të Kosovës, pretendimet ankimore të paraqitura në ankesë lidhur me vendimin mbi dënimin nuk qëndrojnë, për faktin se gjykata e shkallës së parë drejtë i ka konstatuar dhe vlerësuar të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit. Kështu, gjykata e shkallës së parë me rastin e matjes së dënimit ndaj të akuzuarit e duke u bazuar në dispozitat përkatëse ligjore të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit, si rrethanë posaçërisht lehtësuese ka vlerësuar, pranimi i fajësisë në mënyrë vullnetare, premtimi se nuk do të përsëris ndonjë vepër penale apo të kryej ndonjë vepër tjetër penale, kërkim falje ndaj të dëmtuarës, faktin që e dëmtuara nuk ka kërkuar të dënohet i akuzuari dhe nuk ka kërkuar kompensim dëmi, dhe se palët janë pajtuar në mes vete. Prandaj, duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat e lartcekura gjykata e shkallës së parë i shqiptoi të akuzuarit dënim sikurse në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar me bindjen se edhe me këtë dënim të tillë do arrihet qëllimi i dënimit i paraparë me dispozitën e nenit 38 të KPRK-së. Një vlerësim të këtillë të rrethanave relevante për matjen e dënimit si të drejtë dhe të ligjshëm e pranon edhe kjo gjykatë dhe gjen se gjykata e shkallës së parë drejtë dhe në mënyrë të plotë i ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, prandaj duke pas parasysh të gjitha rrethanat që i ka konstatuar dhe drejtë i ka vlerësuar gjykata e shkallës së parë, si dhe duke pas parasysh faktin se në ankesë nuk theksohet ndonjë rrethanë e re lehtësuese e cila nuk është vlerësuar nga gjykata e shkallës së parë dhe e cila do të kishte me pas ndikim në shqiptimin e një dënimi më të bute ndaj të akuzuarit”.
Ndërsa, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 317/2023] të 12 korrikut 2023 në adresim të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës kishte theksuar:
“[...]
Në kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë rezulton se pretendimet kanë të bëjnë me vendimin mbi dënimin se, ndaj të dënuarit është shqiptuar dënim i lartë. Në lidhje me këto pretendime, Gjykata Supreme e Kosovës konstaton se në mënyrë të drejtë është zbatuar ligji penal dhe të dënuarit i është shqiptuar dënimi i përcaktuar në suaza të dispozitave të nenit 248, paragrafi 1 të KPRK-së, ku parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim deri në 3 (tri) vite dhe nenit 185, paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 të KPRK-së, ku parashihet dënimi me gjobë ose me burgim deri në 3 (tri) vite”.
Sipas dispozitës së nenit 385, par.5 të KPP-së, kur është fjala për vendimin për dënimin, shkelje e ligjit penal bëhet kur në matjen e vendimit për dënimin, dënimin alternativ, vërejtja gjyqësore ose në marrjen e vendimit për masën e trajtimit të detyrueshëm, për rehabilitim apo për konfiskim të dobisë pasurore të fituar me veprën penale, gjykata ka tejkaluar kompetencat ligjore. Në rastin konkret, gjykata e shkallës së parë, duke vlerësuar rrethanat lidhur me dënimin, përmes individualizimit të dënimit të dënuarit i ka shqiptuar dënimin brenda kufijve të paraparë për këtë vepër penale, pra nuk kanë tejkaluar kompetencat ligjore”.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës konteston shqiptimin e dënimit dhe lartësinë e tij, duke pretenduar moszbatimin e Udhëzimit përkatës të Gjykatës Supreme nga vet Gjykata Supreme, e cila për pasojë ka rezultuar në konkluzione të pafavorshme për mbrojtjen.
Në këtë aspekt, Gjykata dëshiron të vë në pah arsyetimin e Gjykatës Supreme e cila kishte sqaruar se “nuk është në kompetence te Gjykatës Supreme te Kosovës shqyrtimi i lartësisë se dënimeve te shqiptuara, por e rëndësishme është se me rastin e shqiptimit te dënimit nuk janë tejkaluar kompetencat ligjore, kështu qe edhe pretendimet e mbrojtësit te dënuarit në këtë drejtim nuk qëndrojnë.”
Siç mund të vërehet nga arsyetimet e mësipërme, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës (i) kishte njohuri rreth natyrës së akuzës, favoreve dhe pasojave të pranimit të fajësisë; (ii) kishte mbrojtës gjatë procedurës gjyqësore, si dhe (iii) kishte pranuar fajësinë në mënyrë vullnetare dhe të vetëdijshme.
Bazuar në arsyetimet e lartcekura të gjykatave të rregullta përkitazi me shqiptimin e dënimit, Gjykata vëren se të njëjtat, fillimisht pasi kishin shqyrtuar të gjitha faktet dhe rrethanat në lidhje me rastin konkret, dhe kishin vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese në rastin konkret, duke marrë parasysh si faktor kryesor (i) pranimin e fajësisë, kontekstin personal dhe moral të parashtruesit të kërkesës, të vlerësuar si rrethana lehtësuese; si dhe (ii) faktin e kryerjes së veprave penale, të cilat u konsideruan si rrethana rënduese.
Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës pretendimin e tij për moszbatim të Udhëzimit [Nr. 113/2020] të Gjykatës Supreme në rastin e tij, nuk e mbështet me ndonjë përfundim apo konkluzion arbitrar gjatë vendimmarrjes në rastin e tij të bazuar në një vlerësim të gabuar të gjendjes faktike që ka çuar në një konstatim arbitrar të përgjegjësisë së tij penale, të shqiptimit dhe matjes së ashpërisë së dënimit.
Në këtë aspekt, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ishte shpallur fajtor për kryerjen e dy veprave penale, përkatësisht kryerjen e veprës penale nga neni 248 [Dhuna në familje], paragrafi 1 dhe nenin 185 [Lëndimi i lehtë trupor], paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal dhe për pasojë gjykatat e rregullta duke iu referuar neneve 76 [Dënimi për bashkim të veprave penale], 69 [Rregullat e përgjithshme për matjen e dënimit] dhe nenin 70 [Rregullat e përgjithshme për zbutjen ose ashpërsimin e dënimit] të Kodit Penal i shqiptoi dënim unik, respektivisht dënim me burg në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) muajsh.
Në këtë aspekt, Gjykata vëren se neni 248 i Kodit Penal, përkitazi me lartësinë e dënimit përcakton se “Kushdo që e kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 (tre) vjet”.
Ndërsa, neni 185 i Kodit penal, përcakton: “Kushdo që personit tjetër i shkakton ... dëmtimin e përkohshëm të shëndetit të personit tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”.
Gjykata vëren që përmbajtja e dispozitave të mësipërme të Kodit Penal parashohin format e sanksionimit, duke përfshirë edhe lartësinë maksimale të dënimit për veprat penale përkatëse. Në këtë rast, dënimet e dhëna kundër parashtruesit të kërkesës janë brenda kufijve ligjorë.
Gjykata përmes një vëzhgimi të përgjithshëm thekson se në rastin e parashtruesit të kërkesës ishte konstatuar përgjegjësia penale ndaj tij dhe rrjedhimisht ishte shpallur fajtor. Për pasojë, sanksionet penale janë shqiptuar ndaj tij në përputhje me legjislacionin zbatues nga ana e gjykatave të rregullta.
Gjykata më tej konsideron që parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se procedura në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme kanë qenë të padrejta apo arbitrare, apo që të drejtat dhe liritë themelore të tij të mbrojtura me Kushtetutë janë shkelur si rrjedhojë e interpretimit të gabuar të së drejtës procedurale apo materiale, respektivisht Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Gjykata rithekson se interpretimi i ligjit është detyrë e gjykatave të rregullta dhe është çështje e ligjshmërisë (shih, rasti KI63/16, parashtrues i kërkesës Astrit Pira, Aktvendim për papranueshmëri, i 8 gushtit 2016, paragrafi 44 dhe shih, gjithashtu rastet KI150/15; KI161/15; KI162/15; KI14/16; KI19/16; KI60/16 dhe KI64/16, parashtrues të kërkesës Arben Gjukaj, Hysni Hoxha, Driton Pruthi, Milazim Lushtaku, Esat Tahiri, Azem Duraku dhe Sami Lushtaku, Aktvendim për papranueshmëri, i 15 nëntorit 2016, paragrafi 62).
Thënë këtë, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ku në bazë të provave të nxjerra ishte vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe me këtë rast, të njëjtat ishin shpallur si të pabazuara.
Për më tepër, Gjykata gjen se vendimmarrja e Gjykatës Supreme, në rrethanat faktike dhe juridike të rastit konkret është e arsyetuar dhe përmban fakte të vërtetuara, dispozitat ligjore përkatëse dhe marrëdhënien logjike midis tyre.
Për sa më sipër, Gjykata konstaton që parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi të përfitojë nga procedura kontradiktore dhe se ka pasur mundësi që në fazat e ndryshme të procedurës t’i paraqesë pretendimet dhe provat të cilat i ka konsideruar si të rëndësishme për rastin e tij; ka pasur mundësinë për t’i kundërshtuar në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta i kanë dëgjuar dhe shqyrtuar të gjitha pretendimet e tyre, e të cilat, shikuar objektivisht, kanë qenë të rëndësishme për zgjidhjen e lëndës, dhe se arsyet faktike dhe juridike për vendimin e kundërshtuar janë paraqitur në detaje, dhe për këtë arsye procedura, e marrë në tërësi, ishte e drejtë (shih, mutatis mutandis, Aktgjykimi i GJEDNJ-së i 21 janarit 1999, García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, paragrafët 29 dhe 30; shih, gjithashtu, rastin e Gjykatës KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata konsideron se në rastin e parashtruesit të kërkesës janë respektuar të gjitha kriteret e lartcekura nga ana e gjykatave të rregullta, vendimtarja e të cilave është në pajtueshmëri të plotë me standardet e kërkuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenit 6.1 të KEDNj-së. Parashtruesi i kërkesës edhe më tej mund të mos jetë i kënaqur me rezultatin e gjykimit të çështjes së tij, megjithatë, pakënaqësia e tij nuk mund vetvetiu të ngrejë një pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin e GjEDNj-së Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005).
Gjykata, nga të gjitha shtjellimet e sipërtheksuara, në rrethanat e rastit konkret, konsideron se parashtruesi i kërkesës thjeshtë është i pakënaqur me rezultatin e procedurës pranë Gjykatës Supreme. Megjithatë, pakënaqësia e tij nuk mund vetvetiu të ngrejë një pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin e GJEDNJ-së Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Si përfundim, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur me prova pretendimet e tij për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë, sepse argumentet e paraqitura nga ai në asnjë mënyrë nuk tregojnë që gjykatat e rregullta i kanë mohuar atij të drejtat e garantuara me nenet 30 dhe 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNj-së, siç pretendohet nga parashtruesi i kërkesës.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNj-së janë (i) pretendime që i takojnë kategorisë së pretendimeve “të shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, Gjykata vlerëson se këto pretendime nuk do t’i nënshtrohen vlerësimit kushtetues për shkak se nuk ngrenë ndonjë çështje të re që nuk është trajtuar më parë në kuadër të neneve 30 dhe 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNj-së (shih, mutatis mutandis, rastet e Gjykatës nr. KI65/15, parashtrues Tatjana Davila, Ljubiša Marić, Zorica Kršenković, Zlatoj Jevtić, Aktgjykim i 14 shtatorit 2016; dhe nr. KI193/18, parashtrues Agron Vula, Aktgjykim i 22 prillit 2020; si dhe KI05/23, parashtrues Branislav Gajin, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 janarit 2024).
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, më 17 korrik 2024, njëzëri
VENDOS
I. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
II. T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
III. TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare në pajtim me
paragrafin 4 të nenit nenin 20 të Ligjit;
V. Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të
Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka - Nimani
Gerolld Nikoliqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale