Prishtinë, më 22 maj 2023
Nr. Ref.:RK 2187/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI111/21
Parashtrues
Shaban Murati
Vlerësim i kushtetutshmërisë së moszbatimit të Aktgjykimit C.nr.1091/2012 të Gjykatës Themelore në Prizren të 2 tetorit 2013 në ndërlidhje me Aktgjykimin [AC.nr.1210/14] e 28 shtatorit 2017 të Gjykatës së Apelit të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gëxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Shaban Murati, me vendbanim në Komunën e Prizrenit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Nazmi Mustafi, avokat në Komunën e Prizrenit.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e moszbatimit të Aktgjykimit [C.nr.1091/2012] të 2 tetorit 2013 të Gjykatës Themelore në Prizren (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) në ndërlidhje me Aktgjykimin [AC.nr.1210/14] e 28 shtatorit 2017 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së mospërmbarimit të Aktgjykimit [C.nr.1091/2012] të Gjykatës Themelore, të 2 tetorit 2013, në ndërlidhje me Aktgjykimin [AC.nr.1210/14] e Gjykatës së Apelit, të 28 shtatorit 2017. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 (E Drejta për një Proces të Rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) si dhe nenet 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 46 [Mbrojtja e Pronës], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] dhe 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkon që identiteti i tij të mos zbulohet, me arsyetimin “Për arsye personale dhe familjare”.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 10 qershor 2021, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 8 korrik 2021, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr.GJR.KI111/21] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha, Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 14 korrik 2021, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në po të njëjtën ditë Gjykata njoftoi edhe Gjykatën e Apelit.
Më 16 korrik 2021, parashtruesi i kërkesës dërgoi një informatë në Gjykatë, duke theksuar se ka humbur afatet për paraqitjen e Kërkesës për Mbrojtje të Ligjshmërisë pranë Gjykatës Supreme të Kosovës, andaj nuk e ka parashtruar këtë mjet të jashtëzakonshëm juridik.
Më 6 maj 2022, Gjykata njoftoi Përmbaruesin Privat për regjistrimin e kërkesës si dhe i kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë dosjen e plotë të lëndës.
Më 25 maj 2022, Përmbaruesi Privat njoftoi Gjykatën se dosja e plotë e lëndës gjendej në Gjykatën Themelore, e cila këtë lëndë e kishte në procedurë të vendosjes para saj.
Më 31 maj 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ajo që të dorëzojë në Gjykatë dosjen e plotë të lëndës.
Më 27 qershor 2022, Gjykata sërish i kërkoi Gjykatës Themelore dorëzimin e dosjes së plotë të lëndës.
Më 4 korrik 2022, Gjykata Themelore e dorëzoi në Gjykatë dosjen e plotë të lëndës.
Më 14 tetor 2022, Gjykata kërkoi nga Përmbaruesi Privat të dorëzojë dokumentet si në vijim që mungonin në dosjen e plotë të lëndës: propozimin e parashtruesit të kërkesës për përmbarimin e lëndës [P.nr.294/17], të 7 nëntorit 2017; Urdhrin e përmbaruesit privat [P.nr.294/2017], të 8 nëntorit 2017; dhe Urdhrin e përmbaruesit privat [Pnr.294/2017], të 30 nëntorit 2017.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 20 dhjetor 2022, në mungesë të përgjigjes nga përmbaruesi privat, Gjykata i dërgoi parashtruesit të kërkesës, kërkesën për informatë dhe dokumente shtesë, përkatësisht i kërkoi që të saktësojë nëse ai ka ushtruar ankesë ndaj Urdhrit të përmbaruesit privat (P.nr.294/2017), të 20 tetorit 2020 në përputhje me këshillën juridike të këtij urdhri, si dhe i kërkoi të dorëzojë dokumentet në vijim: Propozimin e parashtruesit të kërkesës për përmbarimin e lëndës [P.nr.294/17], të 7 nëntorit 2017; Urdhrin e përmbaruesit privat [P.nr.294/2017], të 8 nëntorit 2017; dhe Urdhrin e përmbaruesit privat [Pnr.294/2017], të 30 nëntorit 2017.
Gjykata nuk ka pranuar përgjigje nga parashtruesi i kërkesës lidhur me shkresën e 20 dhjetorit 2022.
Më 12 prill 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe me shumicë i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata me shumicë votash vendosi që kërkesën e parashtruesit të kërkesës ta shpallë si të papranueshme.
Përmbledhja e fakteve
Përmbledhja e fakteve përkitazi me procedurën kontestimore
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore, me propozimin që ta obligojë të paditurin, respektivisht personin K.V., që të kthejë borxhin në shumën prej 27.967,00 € (njëzet e shtatë mijë e nëntëqind e gjashtëdhjeteshtatë euro), me kamatë ligjore nga dita e parashtrimit të padisë deri në pagimin definitiv si dhe kompensimin e shpenzimeve të procedurës. Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës i propozoi Gjykatës Themelore caktimin e masës së sigurisë ashtu që të paditurit t’i ndalohej tjetërsimi apo ngarkimi i paluajtshmërisë me nga 1/3 të pjesës ideale të ngastrave kadastrale nr. 05023-0, 05024-1, 05024-4, 05025-3, 05025-5, 05025-6, 05026-1, 05026-6, 05382-1, 05382-10, 05382-8, 05382-9, 073264-1 dhe 07364-3.
Më 2 tetor 2013, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [Cnr.1091/2012] e (i) aprovoi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe obligoi K.V që t’ia paguajë borxhin parashtruesit të kërkesës si dhe shpenzimet procedurale, nën kërcënimin e ekzekutimit të dhunshëm si dhe (ii) refuzoi si të pabazuar propozimin e parashtruesit të kërkesës për caktimin e masës së sigurisë.
Në arsyetimin e Aktgjykimit [Cnr.1091/2012] të Gjykatës Themelore u theksua se nga administrimi i provave materiale, për gjykatën, nuk ishte kontestues fakti se K.V i kishte borxh parashtruesit të kërkesës shumën prej 27.967,00 euro. Në këtë drejtim, Gjykata Themelore vlerësoi se kontestuese mbetej mënyra e shlyerjes së obligimit që sipas K.V duhej të shlyhej bazuar në deklaratën e 18 qershorit 2009, respektivisht, duke iu bartur parcela kadastrale nr.1884-5 e personit J.M. Lidhur me këtë, në arsyetimin e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore u theksua si në vijim:
“Këtë pretendim të paditurit gjykata e refuzon si të pa bazuar për shkak se bartja e pronësisë nuk mund të bëhet në bazë të kësaj deklarate, por vetëm në formën e përcaktuar me ligj dhe atë vetëm pas nënshkrimit dhe legalizimit të kontratës në organin kompetent të cilat veprime nuk i kanë ndërmarrë nënshkruesit e kësaj deklarate, kështu që obligimi sipas kësaj deklarate nuk është përmbushur. Po ashtu kundërshtimin e të paditurit në këtë drejtim e bënë të pa bazuar edhe fakti se kërkesë padia e paditësit ka të bëjë me kthimin e borxhit shprehur në vlerën nominale prej 27.967,00 €, e jo me bartjen e pronësisë sipas deklaratës dhe se gjykata me rastin e vendosjes në procedurën kontestimore në kuptim të nenit 2 të LPK-së vendos brenda kufijve të kërkesave që janë parashtruar nga palët ndërgjyqëse.”
Më 28 shtator 2017, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AC.nr.1210/14] vërtetoi Aktgjykimin [Cnr.1091/2012] e Gjykatës Themelore lidhur me pjesën që ka të bëjë me borxhin dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore ashtu që caktoi masën e sigurisë me të cilën i ndalohej të paditurit tjetërsimi apo ngarkimi i paluajtshmërive në 1/3 e pjesës ideale të ngastrave kadastrale të lartcekura, deri në përfundimin e ekzekutimit të aktgjykimit.
Përmbledhja e fakteve përkitazi me procedurën përmbarimore para përmbaruesit privat
Bazuar në shkresat e lëndës rezulton se më 7 nëntor 2017, parashtruesi i kërkesës paraqiti propozim për përmbarimin e lëndës [P.nr.294/17] dhe se më 8 nëntor 2017, përmbaruesi privat përmes Urdhërit [Pnr.294/2017] lejoi propozimin për përmbarim të parashtruesit të kërkesës. Po ashtu, rezulton se përmbaruesi privat kishte nxjerrë edhe një urdhër më 30 nëntor 2017, me të cilin ka urdhëruar shënimin e përmbarimit në librat publik të paluajtshmërive lidhur me ngastrën kadastrale nr.753 në sipërfaqe prej 0.08,27 ha, ZK Prizren, e evidentuar në emër të N.V, për 1/6 e pjesës ideale.
Në një datë të pasaktësuar, përmbaruesi privat parashtroi kërkesë pranë Zyrës Kadastrale të Komunës në Prizren për shënimin e përmbarimit në librat publikë të paluajtshmërive në Regjistrin e Paluajtshmërive dhe kërkesës së tij ia bashkëngjiti Urdhrin [P.nr. 294/2017] e 30 nëntorit 2017.
Më 18 janar 2018, Zyra Komunale e Kadastrit në Prizren nxori Aktvendim (për shënimin e përmbarimit në librat publik të paluajtshmërive) përmes së cilit aprovoi kërkesën e përmbaruesit privat për shënimin e përmbarimit në librat publik të paluajtshmërive lidhur me ngastrën kadastrale nr.753 në sipërfaqe prej 0.08,27 ha, ZK Prizren, e evidentuar në emër të N.V, 1/6 e pjesës ideale, e regjistruar si shënim i përmbarimit deri në çregjistrim nga përmbaruesi privat.
Më 1 shkurt 2018, parashtruesi i kërkesës, si rrjedhojë e mos-pagesës së borxhit nga debitori, parashtroi precizim të propozimit për ekzekutim në paluajtshmërinë e evidentuar si pjesa ideale prej 1/6 e ngastrës kadastrale nr. 753 ZK Prizren, me kërkesën që ta regjistrojë sipërfaqen në fjalë në emër të parashtruesit të kërkesës si dhe të urdhërohet Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër e Komunës së Prizrenit që të ndalojë tjetërsimin apo ngarkimin e kësaj ngastre kadastrale deri sa debitori të paguajë borxhin. Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës kërkoi bllokimin e llogarive bankare të debitorëve, K.V dhe N.V., deri në pagesën e borxhit së bashku me kamatën dhe shpenzimet e procedurës.
Më 28 shtator 2018, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë ndaj përmbaruesit privat E.H. në Odën e Përmbaruesve Privat të Kosovës.
Më 29 tetor 2018, Oda e Përmbaruesve Privat, konstatoi se “... në veprimet e deritashme procedurale të organit përmbarues nuk ka shkelje të dispozitave të LPP-së, kështu që në këtë fazë ne nuk shohim bazë ligjore për të zhvilluar ndonjë procedurë ndaj përmbaruesit”.
Më 17 tetor 2018, përmbaruesi privat përmes Konkluzionit [P.nr.294/17] caktoi seancë dëgjimore për lëndën e parashtruesit të kërkesës.
Më 26 tetor 2018, përmbaruesi privat mbajti seancë lidhur me precizimin e propozimit nga parashtruesi i kërkesës, ku pjesëmarrës ishte edhe debitori, personi K.V. Parashtruesi i kërkesës propozoi përmbarimin e Aktgjykimit [C.nr.1091/12] të Gjykatës Themelore, në vlerë prej 27.967,00 euro dhe kërkoi që objekt i përmbarimit të jetë prona e cila evidentohet me nr. P-71813068-00753-0 e evidentuar me 1/6 në emër të N.V. Parashtruesi i kërkesës deklaroi se K.V, është në marrëdhënie bashkëshortore me N.V, kjo e cila dëshmohet me certifikatë të martesës. Parashtruesi i kërkesës iu referua paragrafit 2 të nenit 50 të Ligjit për Familjen, duke theksuar se “kur vetëm njëri prej bashkëshorteve regjistrohet si bartës i së drejtës pronësore për pasurinë e përbashkët ne regjistrin e të drejtave në pasuri të patundshme do të konsiderohet se regjistrimi është bërë në emër të dy bashkëshortëve. Pasuria nuk mund të tjetërsohet pa pëlqimin e dy bashkëshortëve, ashtu siç është përcaktuar me ligjin në fuqi”. Si rrjedhojë, parashtruesi i kërkesës propozoi që objekt i ekzekutimit të jetë pasuria e evidentuar në listën poseduese. Ndërkaq, N.V. theksoi se shtëpia e propozuar për përmbarim nga parashtruesi i kërkesës ishte e evidentuar në emër të bashkëshortes së tij N.V., me të cilën në vitin 2015 kishin arritur marrëveshje për dhuratën, e vërtetuar në Gjykatë Themelore. Si rezultat i kësaj, N.V., i propozoi parashtruesit të kërkesës kompensimin e detyrimit me parcelën në fshatin Lubizhdë, të cilën nuk e pranoi parashtruesi i kërkesës.
Më 8 tetor 2019, parashtruesi i kërkesës dorëzoi lëndën “Urgjencë” [nr. 08-1584] në Departamentin e Profesioneve të Lira/Komisionit Disiplinor pranë Ministrisë së Drejtësisë, ku u ankua ndaj përmbaruesit privat E.H. për mospërbarimin e lëndës së tij.
Më 12 tetor 2020, parashtruesi i kërkesës parashtroi precizim të propozimit për përmbarim ku (i) shtoi N.V., bashkëshorten e K.V. si palë debitore, duke kërkuar që ngastra kadastrale nr.753 e evidentuar në emër të N.V me 1/12 e pjesës ideale të regjistrohet në librat publikë të paluajtshmërive në emër të tij si dhe (ii) kërkoi bllokimin e llogarive bankare në emër të K.V dhe N.V deri në pagimin e borxhit.
Më 20 tetor 2020, përmbaruesi privat, përmes Urdhërit [P.nr.294/2017] (i) aprovoi pjesërisht propozimin e precizuar të parashtruesit të kërkesës lidhur me bllokimin e llogarive bankare të debitorit K.V; si dhe (ii) refuzoi pjesërisht si të pabazuar propozimin e precizuar të parashtruesit të kërkesës në të gjitha pikat tjera. Më specifikisht, përmes këtij Urdhri, propozimi i parashtruesit të kërkesës ku kishte shtuar si palë debitore N.V si bashkëshorte e debitorit K.V, duke kërkuar ekzekutimin në ngastrën kadastrale me nr.753 ZK Prizren u refuzua si i pabazuar për faktin se N.V, nuk evidentohej si palë procedurale në këtë çështje përmbarimore dhe çdo kërkesë e kreditorit ndaj saj ishte e pabazuar. Rrjedhimisht, përmbaruesi privat në urdhër konstatoi se duke u bazuar në nenin 10 (Përcaktimi i mjeteve dhe objekteve të përmbarimit) të Ligjit Nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore (në tekstin e mëtejmë: LPP), në të cilin përcaktohen mjetet dhe objekti i përmbarimit, kreditori i përmbarimit nuk ka propozuar si objekt të përmbarimit ndonjë paluajtshmëri të debitorit K.V, por në emër të N.V, e cila paluajtshmëri nuk mund të përmbarohet pasi që e njëjta nuk evidentohet në emër të debitorit të përmbarimit. Gjithashtu, përmbaruesi privat udhëzoi parashtruesin e kërkesës që kundër urdhrit në fjalë në afat prej (7) ditëve nga dita e pranimit mund të ushtrojë prapësim për pjesën e lejuar dhe ankesë për pjesën e refuzuar për Gjykatën Themelore në Prizren, respektivisht për Gjykatën e Apelit në Prishtinë përmes Përmbaruesit Privat.
Përmbledhja e fakteve përkitazi me procedurën përmbarimore para gjykatave të
rregullta dhe institucioneve të tjera
Më 20 tetor 2020, parashtruesi i kërkesës parashtroi propozim për përmbarim në Gjykatën Themelore, përkatësisht kërkoi përmbarimin e Aktgjykimit [C.nr.1091/2012] të Gjykatës Themelore, të ndryshuar me Aktgjykimin [AC.nr.1219/14] e Gjykatës së Apelit.
Më 6 nëntor 2020, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë te Avokatit i Popullit për shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Më 17 nëntor 2020, Institucioni i Avokatit të Popullit e njoftoi parashtruesin e kërkesës se ka pranuar ankesën e tij me numër 646/2020.
Më 30 nëntor 2020, Gjykata Themelore, përmes Aktvendimit [CP.nr.1512/2020] hodhi poshtë si të palejuar propozimin për përmbarim të parashtruesit të kërkesës dhe u shpallë jo-kompetente që të procedojë me këtë çështje përmbarimore. Gjykata Themelore në arsyetimin e Aktvendimit të saj theksoi se duke vlerësuar sipas detyrës zyrtare, në kuptim të nenit 5 (Kompetenca), paragrafi 6 të LPP-së lidhur me kompetencën lëndore, gjykata është kompetente të vendos në procedurën e përmbarimit dhe të zbatojë përmbarimin e vendimeve gjyqësore vetëm lidhur me çështje nga e drejta familjare dhe kthimin e punëtorëve dhe shërbyesve civilë në punë dhe kompensimet e tjera. Sipas Gjykatës Themelore, në rastin konkret, edhe pse dokumenti i propozuar për përmbarim ishte vendim gjyqësor, përkatësisht Aktgjykim i plotfuqishëm, nuk mund të përmbarohej pranë kësaj gjykate pasi që natyra e kontestit ishte borxh e nuk hynte në domenin e kompetencës së gjykatës për vendosje, por që kompetencë për të zhvilluar këtë kompetencë kishte Organi i Përmbaruesit Privat.
Më 7 dhjetor 2020, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë pranë Gjykatës së Apelit me pretendim të shkeljes së dispozitave të procedurës përmbarimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti kallëzim penal ndaj përmbaruesit privat E.H., për veprat penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” nga neni 283 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore” nga neni 394 të po këtij kodi.
Më 25 janar 2021, Prokurori i Shtetit njoftoi parashtruesin e kërkesës se ka hudhur poshtë kallëzimin penal ndaj përmbaruesit privat E.H. përmes Aktvendimit [PP/II nr.2082-9/20], të 25 janarit 2021 me arsyetimin se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se janë kryer veprat penale të lartcekura.
Më 29 prill 2021, Avokati i Popullit vendosi të ndërprejë hetimin lidhur me Ankesën nr. [646/2020] Sh.M. kundër përmbaruesit privat, me arsyetimin se përfaqësuesi i Avokatit të popullit ka biseduar me përmbaruesin privat, i cili ka shpjeguar që rastin e parashtruesit të ankesës nuk ka mundësi ta zbatojë sepse debitori nuk posedon me pronë andaj i ka propozuar parashtruesit të ankesës që të shqyrtojë mundësinë e gjetjes së mundshme të pronës së debitorit, e pastaj të propozojë përmbarimin përmbaruesit.
Më 5 maj 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.6398/2020], hodhi poshtë ankesën e parashtruesit të kërkesës si të palejueshme duke u bazuar në paragrafin 1 të nenit 93 dhe paragrafin 3 të nenit 186 të Ligjit Nr. 03/L-006 të Procedurës Kontestimore, dispozita me të cilat kërkohet që ankesën ta parashtrojë personi i autorizuar për paraqitjen e tij, me arsyetimin se përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës, NM, nuk ka paraqitur autorizimin e tij me rastin e kryerjes së veprimeve procedurale pranë gjykatës së shkallës së parë.
Nga shkresat e lëndës rezulton se, më 28 shkurt 2022, parashtruesi i kërkesës ka njoftuar përmbaruesin privat që debitori K.V. ka vdekur dhe si rezultat i kësaj rrethane ka propozuar caktimin e bashkëshortes së debitorit, personin N.V., si përfaqësuese të përkohshme. Më tutje rezulton se, më 1 mars 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatën Themelore Propozim për Përmbarim.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se me moszbatimin e Aktgjykimit [C.nr.1091/2012] të Gjykatës Themelore, të 2 tetorit 2013, atij i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 46 [Mbrojtja e Pronës], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] dhe 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E Drejta për një Proces të Rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës në esencë kërkon përmbarimin e Aktgjykimit [C.nr.1091/2012] të Gjykatës Themelore, të 2 tetorit 2013, respektivisht, ekzekutimin e borxhit nga debitori përmes patundshmërisë së evidentuar si pjesa ideale prej 1/6 e ngastrës kadastrale nr. 753 ZK Prizren, si dhe pamundësinë e zbatimit të tij e ndërlidhë me mungesën e veprimeve juridike të përmbaruesit privat E.H për të nxjerrë urdhër për përmbarim kundër K.V.
Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij vetëm ka cituar nenet e lartcekura të Kushtetutës. Për më tepër, parashtruesi thekson si në vijim: “Të drejtat e mia ligjore, të cilat janë të rrezikuara me fshehjen joserioze dhe të qëllimshme të lëndës, pasi që debitori i përmbarimit deri më sot nuk ka kryer obligimin e përmendur në dokumentin e përmbarimit, kreditori i përmbarimit propozon që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të marrë vendim në favor të tij, për shkak të: shkeljes së të drejtave për mbrojtje gjyqësore; Shkelja e të drejtës për mbrojtje të pronës; Shkelja e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të gjitha të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, mbrojtja e të drejtave të kreditorit Shaban Murati para organet gjyqësore në Kosovë dhe Agjencitë përmbaruese dhe organeve tjera administrative në territorin e R. Kosovës, dhe në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e R. së Kosovës, Konventën ndërkombëtare të Gjenevës për të drejtat themelore të njeriut dhe protokolleve të saj, të miratojë ankesën time dhe të vërtetojë shkeljet e dispozitave të lartpërmendura të Kushtetutës së R. së Kosovës, në bazë të lëndës së përshkruar më lartë dhe provat e paraqitura, për shkak të tej zgjatjes së qëllimshme dhe të mos përmbarimit të lëndës nga ana e Drejtorisë për gjeodezi dhe kadastër në Prizren dhe të përmbaruesit privat [E.H.], në dëm të kreditorit të përmbarimit [parashtruesit të kërkesës] e në favor të debitorit të përmbarimit [K.V] dhe bashkëshortes së tij”
Tutje, parashtruesi i kërkesës shton se “Për shkak të përmbarimit të pazbatuar dhe mos ndërmarrjes së veprimeve tjera procedurale që janë të parapara me ligj nga ana e përmbaruesit privat [E.H.], në dëm të kreditorit [parashtruesit të kërkesës], e në favor të debitorit [K.V] dhe bashkëshortes së tij, në rastin konkret, përmbaruesi privat ka bërë shkelje të dispozitave ... të Ligjit nr. 04-L/139 për procedurën përmbarimore të Kosovës në lidhje me nenin 50.2 të nenit 57 për Ligjin e familjes.”
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]”
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.”
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
“1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.”
Neni 53
[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.”
Neni 102
[Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor]
“1. Pushteti gjyqësor në Republikën e Kosovë ushtrohet nga gjykatat.
2. Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykata.
3. Gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.
4. Gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit të tyre duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm.
5. Garantohet e drejta për ankesë ndaj një vendimi gjyqësor, përveç nëse me ligj është përcaktuar ndryshe. E drejta e përdorimit të mjeteve të jashtëzakonshme juridike, rregullohet me ligj. Me ligj mund të lejohet e drejta për të referuar një rast në mënyrë të drejtpërdrejtë në Gjykatën Supreme, dhe për të tilla raste nuk ka të drejtë ankese.”
Neni 142
[Agjencitë e Pavarura]
“1. Agjencitë e pavarura të Republikës së Kosovës janë institucione të krijuara nga Kuvendi, në bazë të ligjeve përkatëse, të cilat rregullojnë themelimin, funksionimin dhe kompetencat e tyre. Agjencitë e pavarura funksionet e tyre i kryejnë në mënyrë të pavarur nga çdo organ ose autoritet tjetër në Republikën e Kosovës.
2. Agjencitë e pavarura kanë buxhetin e tyre, i cili administrohet në mënyrë të pavarur, në pajtim me ligj.
3. Secili organ, institucion ose autoritet tjetër, që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, është i detyruar të bashkëpunojë dhe t’u përgjigjet kërkesave të agjencive të pavarura gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre ligjore, në pajtim me ligj.”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë. [...]”
LIGJI NR. 04/L-139 PËR PROCEDURËN PËRMBARIMORE TË KOSOVËS
Neni 5
Kompetenca
“1. Përmbarimin e cakton dhe zbaton organi përmbarues i paraparë me këtë ligj, po qe se me ligj tjetër nuk është paraparë ndryshe.
[…]
6. Gjykata është kompetente të vendos në procedurën e përmbarimit dhe të zbatoj përmbarimin e vendimeve gjyqësore lidhur me:
6.1. të gjitha çështjet nga e drejta familjare dhe
6.2. kthimin e punëtorëve dhe shërbyesve civil në punë dhe kompensimet tjera.”
Neni 67
Mjetet e rregullta juridike
“1. Në procedurën përmbarimore, mjetet e rregullta të goditjes janë:
1.1. Prapësimi dhe
1.2. Ankesa.”
Neni 68
Mjetet e jashtëzakonshme juridike
“1. Nuk është i lejuar revizioni dhe përsëritja e procedurës në procedurën përmbarimore.
2. Kthimi në gjendjen e mëparshme është i lejuar vetëm në rastet e mos ruajtjes së afateve për paraqitjen e prapësimit dhe ankesës kundër vendimeve të përmbarueshëm për përmbarimin me dhunë.”
Neni 69
Prapësimi kundër vendimeve për përmbarim
“1. Prapësimi mund të paraqitet vetëm kundër vendimeve të organit përmbarues me të cilin përmbarimi është i lejuar.
[...]
7. Vendimi me të cilin refuzohet propozimi për përmbarim mund të goditet vetëm me ankesë të kreditorit të përmbarimit në pajtim me nenin 77 të këtij ligji.”
Neni 70
Afatet ligjore për paraqitjen e prapësimit
“Prapësimi duhet t’i paraqitet Gjykatës brenda shtatë (7) ditëve pas pranimit të vendimit përmbarues ose urdhrit përmbarues.”
Neni 74
Forma e prerë dhe përmbarueshmëria e vendimeve në procedurën e përmbarimit
“1. Vendimi kundër të cilit nuk është paraqitur brenda afatit ligjor prapësimi, bëhet i formës së prerë dhe i përmbarueshem.
2. Vendimi kundër të cilit është refuzuar prapësimi bëhet i përmbarueshem, e po që se kundër tij nuk lejohet ankesa, ai bëhet i formës së prerë.
3. Vendimi me të cilin refuzohet prapësimi bëhet i formës së prerë, po që se kundër tij nuk paraqitet ankesë brenda afatit ligjor, ose në qoftë se ankesa refuzohet si e pathemeltë.”
Neni 77
Ankesa kundër vendimit lidhur me prapësimin
“1. Palët kanë të drejtë ankese kundër vendimit mbi prapësimin.
2. Ankesa kundër vendimit mbi prapësimin parashtrohet përmes Gjykatës së shkallës së parë për Gjykatën e shkallës së dytë, në afat prej shtatë (7) ditëve nga dita e pranimit.
3. Një kopje e ankesës u dorëzohet palës kundërshtare dhe pjesëmarrësve tjerë të cilët mund të paraqesin përgjigje në ankesë në afat prej tre (3) ditëve.
4. Pas pranimit të përgjigjes në ankesë ose pas kalimit të afatit për përgjigje, lënda së bashku me të gjitha shkresat tjera i dërgohet Gjykatës së shkallës së dytë në afat prej tre (3) ditësh. Lidhur me ankesën, Gjykata e shkallës së dytë do të vendosë në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve.
5. Ankesa kundër vendimit nuk e ndalon procedurën përmbarimore përveç nëse janë dhënë garancitë për shumën e plotë të kredisë sipas nenit 78 të këtij ligji.
6. Në rast se debitori si palë ankuese është i suksesshëm në ankesën e tij dhe nëse pasuria e tij është përmbaruar në pajtim me vendimin përmbarimore, ai mund të kërkoj kundër përmbarim sipas dispozitave të këtij ligji për kundër përmbarimin.”
Neni 175
Kompetenca në rast të përmbarimit nga përmbaruesi privat
“Për të vendosur për propozimin për përmbarimin për kredinë e debitorit që t’i dorëzohet sendi i caktuar i luajtshëm ose i paluajtshëm, apo sasia e caktuar e sendeve të luajtshme dhe për zbatimin e këtij përmbarimi, përmbaruesi privat ka kompetencë për të vendosur mbi propozimin përmbarimor dhe të zbatojë përmbarimin.”
Neni 176
Aplikimi i dispozitave për përmbarimin për kredinë në të holla
“Dispozitat e këtij ligji për përmbarimin për kredinë në të holla zbatohen përshtatshmërisht edhe në rastin e përmbarimit për kredinë që të dorëzohen sendet e luajtshme ose paluajtshmëria, po qe se me dispozitat e këtij kreu nuk është caktuar ndryshe.”
Neni 188
Kompetenca në rast të përmbarimit nga përmbaruesi privat
“Për të vendosur për propozimin për përmbarim për të drejtën e patentat, perfeksionimin, ose përmbarimin teknik, uzufruktin, ose për ndonjë të drejtë tjetër të ngjashme pasurore të debitorit dhe për zbatimin e këtij përmbarimi, përmbaruesi privat ka kompetencë për të vendosur mbi propozimin përmbarimor dhe për të zbatuar përmbarimin.”
Neni 191
Kompetenca në rast të përmbarimit nga përmbaruesi privat
“Për të vendosur për propozimin për përmbarimin për sendet e paluajtshme dhe për zbatimin e aktvendimit për përmbarimin, përmbaruesi privat ka kompetencë për të vendosur mbi propozimin përmbarimor dhe të zbatojë përmbarimin.”
Neni 192
Veprimet ekzekutive
“Përmbarimi për paluajtshmërinë zbatohet me shënimin e përmbarimit në librin publik të palujtshmërive, me përcaktimin e vlerës së paluajtshmërisë, me shitjen e paluajtshmërisë dhe me pagimin e kreditorit të përmbarimit nga shuma e të hollave e fituar nga shitja.”
Neni 193
Paluajtshmëria si objekt i përmbarimit
“1. Po qe se me dispozita ligjore nuk është paraparë ndryshe, objekt përmbarimi mund të bëhet vetëm paluajtshmëria si tërësi e caktuar me anë të dispozitave të cilat e rregullojnë pronësinë dhe të drejtat e tjera sendore, si dhe librat publik të paluajtshmërive.
2. Pjesa në bashkëpronësi e paluajtshmërisë mund të bëhet objekt i posaçëm i përmbarimit (pjesa ideale e bashkëpronësisë në paluajtshmërinë) lidhur me të cilën në mënyrë të përshtatshme aplikohen rregullat e këtij ligji për përmbarimin për sendet e paluajtshme.”
Neni 194
Paluajtshmëria në bashkëpronësi të debitorit
“1. Në rast të procedurës përmbarimore për pjesën e bashkëpronësisë, e me kërkesë të kreditorit, debitorit apo të bashkëpronarit tjetër, organi përmbarues në aktvendimin për përmbarimin ose urdhrit për përmbarim do të caktojë që për shitje të ofrohet sikurse sendi i paluajtshëm në tërësi, ashtu edhe pjesa e bashkëpronësisë që është objekt përmbarimi.
2. Në aktvendimin për përmbarimin ose urdhrin për përmbarim, organi përmbarues duhet të theksojë se do të vendosë varësisht nga përmbushja e kushteve nga paragrafi 3. i këtij neni, me anë të konkluzionit se a do të shitet e gjithë paluajtshmëria, apo vetëm pjesa në bashkëpronësi e tij.”
Neni 195
Udhëzimi për fillim të procedurës kontestimore
“1. Bashkëpronarin që nuk është debitor të cilit i është kontestuar pjesa në paluajtshmërinë që është bërë objekt përmbarimi, organi përmbarues e udhëzon që të paraqet padi kundër kreditorëve, por edhe kundër debitorit, po qe se edhe ky ia konteston të drejtën e tij me qëllim që në procesin kontestimor ta provojë të drejtën e pretenduar. Nuk bëhet udhëzimi për ngritje të padisë, po qe se bashkëpronari i tillë ka mundësi që në vetë procedurën përmbarimore ta provojë ekzistimin e së drejtës së tij me anë të aktgjykimit të formës së prerë, dokumentit publik, ose dokumentit jopublik, të vërtetuar sipas ligjit.
2. Për procesin kontestimor të filluar me padi, si dhe për të drejtën e bashkëpronarit që në të ta kërkojnë shtyrjen e procedurës së përmbarimit të filluar, në mënyrë të përshtatshme zbatohen dispozitat e këtij ligji me të cilat rregullohet veprimi i Gjykatës sipas prapësimit të personit të tretë.”
Neni 204
Shënimi i përmbarimit
“1. Pas dhënies së aktvendimit për përmbarimin ose urdhrit për përmbarim, organi përmbarues sipas detyrës zyrtare e urdhëron shënimin e përmbarimit në librin publik të paluajtshmërive.
2. Me shënimin nga paragrafi 1. të këtij neni, kreditori e fiton të drejtën që kredinë e tij ta realizojë nga paluajtshmëria (e drejta për realizim), kurse personi i cili pasi të jetë bërë shënimi i përmbarimit, e fiton ndonjë të drejtë për paluajtshmërinë e këtillë, ka për detyrë t’ia njohë kreditorit, të drejtën e realizimit me prioritet të kredisë së tij të arritur me anë të shënimit.”
Neni 205
(Ndryshimi i pronarit të paluajtshmërisë)
“1. Ndryshimi i pronarit të sendit të paluajtshëm gjatë zhvillimit të procedurës përmbarimore, nuk e pengon vazhdimin e saj kundër pronarit të ri si debitor. Të gjitha veprimet përmbarimore të kryera më parë mbeten të vlefshme dhe pronari i ri nuk mundet gjatë zhvillimit të mëtejmë të përmbarimit, t’i kryejë veprimet të cilat nuk do të mund t’i kryente pronari i mëparshëm.
2. Me propozimin e kreditorit organi përmbarues e nxjerrë aktvendimin apo urdhrin për vazhdimin e procedurës së përmbarimit, kundër pronarit të ri si debitor në atë procedurë. Kundër aktvendimit apo urdhrit të tillë pronari i ri nuk ka të drejtë ankimi.
3. Kreditori i cili nuk e ka fituar të drejtën e pengut para se të jetë filluar përmbarimi, në momentin e shënimit të përmbarimit në librin publik të paluajtshmërive, e fiton të drejtën që nga paluajtshmëria ta realizojë kredinë para personit që në paluajtshmërinë e tillë e ka fituar më vonë të drejtën e pengut, apo të drejtën e realizimit të kredisë së vet.
4. Pasi të jetë bërë shënimi i përmbarimit në librin publik të paluajtshmërive, nuk lejohet regjistrimi i ndryshimit të së drejtës së pronësisë të mbështetur në disponimin e debitorit, pa marrë parasysh se kur është bërë ky disponim.”
Neni 275
(Kompetenca në rast të përmbarimit nga ana e përmbaruesit privat)
“Për të vendosur për propozimin për përmbarimin me qëllim të dorëzimit të një apo të disa sendeve të caktuara, apo me qëllim të dërgimit të sasisë së caktuar të sendeve të zëvendësueshme dhe për zbatimin e përmbarimit, përmbaruesi privat ka kompetence për të vendosur mbi propozimin përmbarimore dhe te zbatoje përmbarimin.”
LIGJI NR. 2004/32 I LIGJIT PËR FAMILJEN I KOSOVËS
Neni 50
Pasuria e paluajtshme
[…]
(2). Kur vetëm njëri prej bashkëshortëve regjistrohet si bartës i së drejtës pronësore për pasurinë e përbashkët në regjistrin e të drejtave në pasuri të patundshme, do të konsiderohet se regjistrimi është bërë në emër të dy bashkëshortëve. Pasuria nuk mund të tjetërsohet pa pëlqimin e të dy bashkëshortëve, ashtu siç është përcaktuar me ligjin në fuqi.
[…]
Neni 57
Përgjegjësitë dhe detyrat
(1) Bashkëshortët janë përgjegjës për detyrimet e tyre personale që rezultojnë nga pasuria e pjesëtuar dhe detyrimet e tyre që rezultojnë nga pjesa e tyre në pasurinë e përbashkët.
(2) Të dy bashkëshortët janë të ngarkuar me detyrimet e përbashkëta dhe individuale përmes pasurisë së tyre të përbashkët dhe të pjesëtuar, për detyrimet që njëri nga bashkëshortët duhet të përmbushë kundrejt personave të tretë si dhe detyrimet që duhet të përmbushen nga të dy bashkëshortët.
(3) Bashkëshorti, i cili përmes pasurisë së tij të veçantë e ka përmbushur detyrimin solidar, ka të drejtë të kërkojë që bashkëshorti tjetër t’ia shpërblejë pjesën e detyrimit që e ka përmbushur.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata fillimisht shqyrton nëse parashtruesi i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata iu referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë se:
“(1) Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
(7) Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjykata, më tej, i referohet neneve 47 [Kërkesat individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.
Neni 49
[Afatet]
Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor.[...]
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores se punës. Paragrafi 2 i rregullit 39 të Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, paragrafi 2 i rregulli 39 të Rregullores së punës përcakton që:
"(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij".
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht konstaton se parashtruesi i kërkesës: është palë e autorizuar, i cili konteston mospërmbarimin e Aktgjykimit [C.nr.1091/2012] të Gjykatës Themelore, të 2 tetorit 2013; ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; si dhe e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Megjithatë, në vazhdim Gjykata do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës e ka plotësuar kriterin e shterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj, siç kërkohet përmes paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, si dhe kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar të përcaktuar me paragrafin 2 të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Në këtë aspekt, dhe fillimisht, Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me mospërmbarimin e Aktgjykimit [Cnr.1091/2012], të 2 tetorit 2013, të Gjykatës Themelore, i vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit, me të cilin obligohet K.V. që parashtruesit të kërkesës t’ia paguajë borxhin prej 27.967,000 € (njëzet e shtatë mijë e nëntëqind e gjashtëdhjeteshtatë euro). Më 8 nëntor 2017, pas paraqitjes së propozimit për përmbarim të lëndës nga parashtruesi i kërkesës, përmbaruesi privat përmes Urdhrit [Pnr.294/17] lejoi propozimin për përmbarim, në bazë të së cilës, Zyra Kadastrale e Komunës së Prizrenit kishte nxjerrë Aktvendim për shënim të përmbarimit në librat publikë lidhur me ngastrën kadastrale nr. 753, e evidentuar në emër të N.V., deri në çregjistrim nga përmbaruesi privat. Si rrjedhojë e mos-pagesës së borxhit, më 1 shkurt 2018 dhe 12 tetor 2020, parashtruesi i kërkesës parashtroi precizim të propozimit për ekzekutim në pjesën ideale prej 1/12 të ngastrës kadastrale nr. 753 duke e regjistruar në emër të tij; kërkoi bllokimin e llogarive bankare të K.V dhe N.V; si dhe kërkoi që kjo e fundit, si bashkëshorte e K.V. të shtohej si palë debitore. Më 20 tetor 2020, përmes Urdhrit [P.nr.294/17] përmbaruesi privat aprovoi pjesërisht propozimin e precizuar të parashtruesit të kërkesës për bllokimin e llogarive bankare të K.V si dhe refuzoi shtimin e N.V si palë debitore me arsyetimin se ajo nuk evidentohej si palë në çështjen përmbarimore dhe se objekti i përmbarimit i propozuar nga parashtruesi i kërkesës nuk mund të përmbarohej sepse ishte në emër të N.V dhe jo të K.V si debitor. Më 20 tetor 2020, parashtruesi i kërkesës dorëzoi propozim për përmbarim në Gjykatën Themelore për përmbarim të Aktgjykimit [Cnr. 1091/2012], të 2 tetorit 2013 të Gjykatës Themelore në lidhje me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit. Propozimi për përmbarim i parashtruesit të kërkesës u hodh poshtë si i palejuar me aktvendim të Gjykatës Themelore, pasi që u shpallë jo-kompetente për të proceduar me çështjen përmbarimore. Kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën e Apelit, të cilën kjo e fundit e hodhi poshtë si të palejueshme, me arsyetimin se e kishte parashtruar përfaqësuesi pa prokurë.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës kishte ndjekur dy procedura të ndryshme për përmbarimin e Aktgjykimit [C.nr.1091/2012] të Gjykatës Themelore, të 2 tetorit 2013, respektivisht, nga viti 2017 deri më 12 tetor 2020 kishte precizuar propozimin për përmbarim të këtij aktgjykimi te përmbaruesi privat ndërsa më 20 tetor 2020, kishte parashtruar propozim për përmbarim në Gjykatën Themelore. Rrjedhimisht, në vijim, Gjykata do t’i shqyrtojë ndaras këto dy procedura të ndjekura nga parashtruesi i kërkesës.
Përkitazi me ndjekjen e procedurës përmbarimore te përmbaruesi privat
Gjykata vëren që në rrethanat e rastit konkret nuk ka asnjë dilemë që ekziston një vendim përfundimtar dhe i ekzekutueshëm, respektivisht Aktgjykimi [Cnr.1091/2012] i Gjykatës Themelore i 2 tetorit 2013, e i cili është bërë i plotfuqishëm më 28 shtator 2017.
Nga shkresat e lëndës, rezulton se parashtruesi i kërkesës më 7 nëntor 2017 kishte iniciuar procedurën për përmbarim të Aktgjykimit [C.nr.1091/2012] të Gjykatës Themelore, të 2 tetorit 2013 te përmbaruesi privat E.H përmes propozimit për përmbarim [P.nr.294/17]. I njëjti gjithashtu kishte parashtruar precizim të propozimit për përmbarim më 1 shkurt 2018 dhe 12 tetor 2020.
Gjykata vëren se përmbaruesi privat E.H. kishte nxjerrë gjithsej 3 (tre) urdhra për përmbarimin e Aktgjykimit [C.nr.1091/2012] të Gjykatës Themelore, të 2 tetorit 2013, respektivisht, më 8 nëntor 2017 dhe 30 nëntor 2017, urdhrat me të cilët kishte lejuar përmbarimin ndërsa më 20 tetor 2020, urdhrin me të cilin e kishte refuzuar pjesërisht përmbarimin. Urdhrit [P.nr.294/17] të 20 tetorit 2020, i kishte paraprirë seanca dëgjimore e mbajtur me 26 tetor 2018, me pjesëmarrje nga kreditori dhe debitori.
Në këtë kontekst, Gjykata i referohet nenit 67 të LPP-së, i cili përcakton se “1. Në procedurën përmbarimore, mjetet e rregullta të goditjes janë: 1.1. prapësimi dhe 1.2. ankesa”. Po ashtu, paragrafët 1 dhe 7 i nenit 69 të po këtij ligji, përcaktojnë se prapësimi paraqitet vetëm kundër vendimeve të organit përmbarues me të cilin përmbarimi është lejuar, ndërsa vendimi me të cilin refuzohet propozimi për përmbarim mund të goditet me ankesë të kreditorit të përmbarimit në Gjykatën Themelore, respektivisht, në Gjykatën e Apelit përmes Përmbaruesit Privat, në afat prej 7 (shtatë) ditëve nga dita e pranimit.
Nga përmbajtja e Urdhrit [P.nr.294/17] të përmbaruesit privat, të 20 tetorit 2020, me të cilin ishte refuzuar pjesërisht përmbarimi i Aktgjykimit të lartcekur, kuptohet se ky urdhër përmban këshillën juridike në përputhje me dispozitat e lartcekura të LPP-së.
Më 20 dhjetor 2022, Gjykata i ka dërguar pyetje specifike përfaqësuesit ligjor të parashtruesit të kërkesës, se a ka ushtruar ankesë ndaj urdhrit të lartcekur, si dhe ka kërkuar kopjet e 3 (tri) dokumenteve. Nga fletë-kthesa e Gjykatës konstatohet se përfaqësuesi ligjor i parashtruesit të kërkesës e ka pranuar shkresën në fjalë më 22 dhjetor 2022.
Gjykata nuk ka pranuar përgjigje nga parashtruesi i kërkesës lidhur me pyetjen specifike dhe asnjë nga dokumentet që i ka kërkuar me shkresën e 20 dhjetorit 2022.
Pasi që parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se ka ushtruar mjet juridik kundër urdhrit [P.nr.294/17] të 20 tetorit 2020 të përmbaruesit privat në gjykatat e rregullta, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk e kishte shfrytëzuar të drejtën për ankesë në përputhje me nenin 67 (Mjetet e rregullta juridike) të LPP-së.
Në këtë aspekt, Gjykata rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës, i obligon personat fizikë dhe juridikë që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive që janë të disponueshme, kundër vendimit të kontestuar.
Kriteret e vlerësimit nëse detyrimi për shterimin e të gjitha mjeteve “efektive” juridike është përmbushur, janë mirë të përcaktuara në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), në harmoni me të cilën, sipas nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, Gjykata është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë. Të njëjtat parime, janë shtjelluar gjithashtu në praktikën gjyqësore të Gjykatës, duke përshirë por duke mos u kufizuar në rastet e Gjykatës KI211/19, parashtrues Hashim Gashi, Selajdin Isufi, B.K., H.Z., M.H., R.S., R.E., S.O., S.H., H.I., N.S., S.I., dhe S.R, Aktvendim për papranueshmëri i 11 nëntorit 2020; KI43/20, parashtruese Fitore Sadikaj, Aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2020; dhe KI42/20, parashtrues Armend Hamiti, Aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2020.
Siç është sqaruar përmes rasteve të lartcekura, qëllimi dhe arsyetimi i detyrimit për të shteruar mjetet juridike ose rregulli i shterimit është t'u ofrojë autoriteteve përkatëse, para së gjithash gjykatave të rregullta, mundësinë për të parandaluar ose për të korrigjuar shkeljet e pretenduara të Kushtetutës. Ai bazohet në supozimin që pasqyrohet në nenin 32 [E drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës dhe në nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së, se rendi juridik i Republikës së Kosovës siguron mjete efektive për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastet e Gjykatës KI43/20, cituar më lart, paragrafi 37; dhe KI42/20, cituar më lart, paragrafi 44; shih gjithashtu rastin e GJEDNJ-së Aksoy kundër Turqisë, nr. 21987/93, Aktgjykim, i 18 dhjetorit 1996, paragrafi 51).
Rrjedhimisht, Gjykata vjen në përfundim se kërkesa e parashtruesit të kërkesës sa i përket ndjekjes së procedurës përmbarimore te përmbaruesi privat duhet të deklarohet e papranueshme, për shkak se parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar mjetet juridike në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe pikën b të paragrafit 1 të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Përkitazi me ndjekjen e procedurës përmbarimore para gjykatave të rregullta
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë faktet e rastit që ndërlidhen me ndjekjen e procedurës përmbarimore para gjykatave të rregullta dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës, pas ndjekjes së procedurës përmbarimore të përmbaruesi privat, më 20 tetor 2020 ka parashtruar propozim për përmbarim të Aktgjykimit [C.nr.1091/2012] të 2 tetorit 2013, të Gjykatës Themelore, edhe në Gjykatën Themelore, e cila ia hodhi poshtë si të palejuar këtë propozim, pasi që u shpallë jo-kompetente për të proceduar me çështjen përmbarimore. Po ashtu, edhe Gjykata e Apelit hodhi poshtë si të palejuar ankesën e parashtruesit të kërkesës kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore, me arsyetimin se e kishte parashtruar përfaqësuesi pa prokurë.
Parashtruesi i kërkesës në thelb thekson se me moszbatimin e Aktgjykimit të lartcekur dhe tejzgjatjes së qëllimshme të mospërmbarimit të lëndës, atij i është shkelur e drejta e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se “... me mos marrjen e vendimit - urdhrit për përmbarim nga ana e përmbaruesit privat [E.H.] lidhur me seancën e lartpërmendur [seanca dëgjimore e 26 tetorit 2018], përsëri vërehet zgjatje e pa arsyeshme dhe e njëanshme e përmbaruesit në këtë rast në favor të debitorit Kasem Vebiq, pasi që debitori i përmbarimit deri më sot nuk ka kryer obligimin e përmendur në dokumentin përmbarues...”
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për Papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për Papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës si rezultat i moszbatimit të Aktgjykimit të lartcekur, Gjykata rikujton përmbajtjen e këtij neni, që përcakton:
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
[…]
Përveç kësaj, paragrafi 1 i nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së, parasheh:
“1. Në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile ose të çdo akuze penale kundër tij, çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme. […].”
Në kontekst të kësaj, Gjykata konsideron se përmbarimi i një vendimi të marrë nga një gjykatë duhet shikuar si pjesë përbërëse e të drejtës për gjykim të drejtë, e drejtë kjo e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së (shih rastet e GJEDNJ-së, Burdov kundër Rusisë (nr.2), nr. 33509/04, Aktgjykim i 4 majit 2009, paragrafi 65, Hornsby kundër Greqisë, Aktgjykim i 19 marsit 1997, paragrafi 40 Brumărescu kundër Rumanisë, nr. 28342/95, Aktgjykim i 28 tetorit 1999).
Gjykata tutje thekson se është e drejtë e palës së pakënaqur që të iniciojë procedurë gjyqësore në rast të dështimit të realizimit të një të drejte të fituar që garantohet me nenin 31 të Kushtetutës, si dhe nenin 6 të KEDNJ-së. Do të ishte e pakuptimtë nëse sistemi ligjor i Republikës së Kosovës do të lejonte që një vendim gjyqësor përfundimtar dhe i plotfuqishëm të mbetej i paefektshëm në dëm të një pale. Joefektshmëria e procedurave dhe moszbatimi i vendimeve prodhojnë efekte të cilat na sjellin para situatave që nuk janë në përputhje me parimin e sundimit të ligjit, parim të cilin institucionet e Republikës së Kosovës janë të obliguara ta respektojnë (shih, rastet e Gjykatës, KI 04/12, parashtrues Esat Kelmendi, Aktgjykim i 11 korrikut 2012, paragrafi 48, KI193/18, parashtrues Agron Vula, Aktgjykim i 22 prillit 2020, paragrafi 126).
Megjithatë, Gjykata rikujton se përmbaruesi privat kishte nxjerrë urdhër lidhur më përmbarimin e lëndës së parashtruesit të kërkesës, të cilën më pas i njëjti nuk e kishte goditur me mjetet juridike në dispozicion sipas LPP-së, siç ka konstatuar Gjykata më lart.
Tutje, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës më 20 tetor 2020 kishte parashtruar propozim për përmbarim të lëndës së tij në Gjykatën Themelore dhe jo ankesë kundër urdhrit të përmbaruesit privat. Si rezultat, Gjykata Themelore kishte hedhur poshtë propozimin e tij në mungesë të kompetencës lëndore siç evidentohet në Aktvendimin [CP.nr.1512/2020] të 30 nëntorit 2020. Për më tepër, edhe Gjykata e Apelit kishte hedhur poshtë ankesën e parashtruesit të kërkesës kundër Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Themelore pasi që ishte paraqitur nga përfaqësuesi pa prokurë në përputhje me dispozitat e Ligjit Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK).
Gjykata vëren se gjykatat e rregullta kanë vlerësuar faktet dhe kanë interpretuar dhe zbatuar dispozitat ligjore në lidhje me kërkesën e parashtruesit të kërkesës. Në rastin konkret, Gjykata Themelore me aktvendim ka shpallur veten jo-kompetente për të shqyrtuar çështjen në fjalë me arsyetimin se sipas LPP është kompetente të vendos në procedurën e përmbarimit dhe të zbatojë përmbarimin e vendimeve gjyqësore vetëm lidhur me çështje nga e drejta familjare dhe kthimin e punëtorëve dhe shërbyesve civilë në punë dhe kompensimet e tjera, kurse për çështjet e tjera kompetent është organi i përmbaruesit privat. Në anën tjetër, Gjykata e Apelit me aktvendim hodhi poshtë si të palejueshme ankesën e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se të njëjtën e kishte parashtruar përfaqësuesi pa prokurë ndërsa LPK specifikisht përcakton se ankesa është e palejueshme nëse parashtrohet nga personi i paautorizuar.
Në lidhje me këtë, Gjykata konsideron se arsyetimi i dhënë nga gjykatat e rregullta, të cilat i referohen aplikimit të dispozitave të Ligjit të Procedurës Përmbarimore dhe Ligjit për Procedurën Kontestimore është i qartë dhe i mjaftueshëm dhe se procedurat në gjykatat e rregullta nuk kanë qenë të padrejta apo arbitrare (shih, mutatis mutandis, rastin e Gjykatës KI129/19, cituar më lart, paragrafi 59; shih gjithashtu, mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, Shub kundër Lituanisë, cituar më lart).
Si përmbledhje, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur fakte që tregojnë se procedurat në gjykatat e rregullta, në ndonjë mënyrë, kanë rezultuar në shkelje të të drejtave të tij kushtetuese. Rrjedhimisht, Gjykata arrin në përfundim se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç është përcaktuar me paragrafin 2 të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Përfundim
Prandaj dhe përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme:
Përkitazi me ndjekjen e procedurës përmbarimore te përmbaruesi privat për shkak se parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar mjetet juridike në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës; dhe
Përkitazi me ndjekjen e procedurës përmbarimore para gjykatave të rregullta është qartazi i pabazuar në “në mungesë evidente të shkeljes” ashtu siç është përcaktuar me rregullin 39 (2) të Rregullores së Punës;
Kërkesa e parashtruesit për moszbulim të identitetit
Gjykata rikujton se parashtruesi në kërkesën e tij ka paraqitur kërkesë për moszbulim të identitetit.
Lidhur me këtë, Gjykata i referohet rregullit 32 (6) të Rregullores së punës, i cili parasheh:
“(6) Palët në kërkesë që nuk dëshirojnë që identiteti i tyre të zbulohet në publik, duhet të tregojnë arsyet që justifikojnë një largim të tillë nga rregulli i qasjes publike në informata në procedurën në Gjykatë. Gjykata me shumicë votash autorizon mos-zbulimin e identitetit ose e jep atë pa një kërkesë nga një palë. Kur lejohet mos-zbulimi i identitetit nga Gjykata, pala duhet të identifikohet vetëm me iniciale ose me shkurtesa apo me një shkronjë të vetme.”
Gjykata rikujton se parashtruesi në kërkesën e tij për moszbulim të identitetit i referohet arsyeve personale dhe familjare.
Gjykata, duke marrë për bazë faktin e se parashtruesi i kërkesës nuk e ka mbështetur arsyetimin e ofruar, si dhe rrethanat e rastit, refuzon kërkesën e tij për moszbulim të identitetit.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113. 7 të Kushtetutës, me nenin 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 39 (1) (b) dhe 39 (2), 32 (6) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 12 prill 2023, me shumicë;
VENDOS
TË SHPALLË kërkesën të papranueshme;
TA REFUZOJË kërkesën për moszbulim të identitetit;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtar raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Shaban Murati
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar
Tjetër