Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së moszbatimit të Aktgjykimit C.nr.1091/2012, të 2 tetorit 2013, të Gjykatës Themelore në Prizren në ndërlidhje me Aktgjykimin [AC.nr.1210/14] e 28 shtatorit 2017 të Gjykatës së Apelit të Kosovës

Nr. të lëndës KI111/21

Parashtruesit: Shaban Murati

Shkarko:

KI111/21, Parashtrues Shaban Murati, Vlerësim i kushtetutshmërisë së moszbatimit të Aktgjykimit C.nr.1091/2012, të 2 tetorit 2013, të Gjykatës Themelore në Prizren në ndërlidhje me Aktgjykimin [AC.nr.1210/14] e 28 shtatorit 2017 të Gjykatës së Apelit të Kosovës

KI111/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 12 prillit 2023, publikuar më 25 maj 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, mosshterim i mjeteve juridike, procedurë përmbarimore

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me mospërmbarimin e Aktgjykimit [Cnr. 1091/2012], të 2 tetorit 2013 të Gjykatës Themelore, i vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit, me të cilin obligohet debitori që parashtruesit të kërkesës t’ia paguajë borxhin në një shumë të caktuar. Më 8 nëntor 2017, pas paraqitjes së propozimit për përmbarim të lëndës nga parashtruesi i kërkesës, përmbaruesi privat urdhëroi propozimin për përmbarim, të cilin, si pasojë e mos-pagesës së borxhit, më 1 shkurt 2018 dhe 12 tetor 2020, parashtruesi i kërkesës e precizoi në propozim për ekzekutim; kërkoi bllokimin e llogarive bankare të palës debitore; si dhe kërkoi qw tw shtohej si palë debitore edhe bashkëshortja e debitorit. Më 20 tetor 2020, përmbaruesi privat aprovoi pjesërisht propozimin e precizuar të parashtruesit të kërkesës për bllokimin e llogarive bankare të debitorit si dhe refuzoi shtimin e bashkëshortes si palë debitore me arsyetimin se ajo nuk evidentohej si palë në çështjen përmbarimore dhe se objekti i përmbarimit i propozuar nga parashtruesi i kërkesës nuk mund të përmbarohej sepse ishte në emër të bashkëshortes dhe jo të debitorit. Rrjedhimisht, më 20 tetor 2020, parashtruesi i kërkesës dorëzoi propozim për përmbarim në Gjykatën Themelore për përmbarim të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në lidhje me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit. Propozimi për përmbarim i parashtruesit të kërkesës u hodh poshtë si i palejuar me aktvendim të Gjykatës Themelore, pasi që u shpallë jo-kompetente për të proceduar me çështjen përmbarimore. Kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën e Apelit, të cilën kjo e fundit e hodhi poshtë si të palejueshme, me arsyetimin se e kishte parashtruar përfaqësuesi pa prokurë.

Parashtruesi i kërkesës në esencë kërkon përmbarimin e Aktgjykimit [C.nr.1091/2012] të Gjykatës Themelore, të 2 tetorit 2013, respektivisht, ekzekutimin e borxhit nga debitori përmes patundshmërisë së evidentuar si pjesa ideale prej 1/6 e ngastrës kadastrale nr. 753 ZK Prizren, si dhe pamundësinë e zbatimit të tij e ndërlidhë me mungesën e veprimeve juridike të përmbaruesit privat për të nxjerrë urdhër për përmbarim kundër debitorit.

Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës kishte ndjekur dy procedura të ndryshme për përmbarimin e Aktgjykimit në fjalë, respektivisht, (i) nga viti 2017 deri më 12 tetor 2020 kishte precizuar propozimin për përmbarim të këtij aktgjykimi te përmbaruesi privat ndërsa (ii) më 20 tetor 2020, kishte parashtruar propozim për përmbarim në Gjykatën Themelore, andaj, shqyrtoi ndarazi këto dy procedura.

Gjykata vlerësoi se: (i) sa i përket ndjekjes së procedurës përmbarimore te përmbaruesi privat, parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se ka ushtruar ankesë në Gjykatën Themelore në pajtim me Ligjin përkatës për Procedurën Përmbarimore dhe këshillën juridike të Urdhrit për përmbarim, të lëshuar nga përmbaruesi privat, andaj, kërkesën e tij e deklaroi të papranueshme, për shkak se nuk i ka shteruar mjetet juridike në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe pikën b të paragrafit 1 të rregullit 39 të Rregullores së punës, ndërsa, (ii) sa i përket ndjekjes së procedurës përmbarimore para gjykatave të rregullta, parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur fakte që tregojnë se procedurat në këto gjykata, në ndonjë mënyrë, kanë rezultuar në shkelje të të drejtave të tij kushtetuese, andaj, ky pretendim i parashtruesit të kërkesës është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç është përcaktuar me paragrafin 2 të rregullit 39 të Rregullores së punës. Rrjedhimisht, Gjykata, me shumicë, shpalli kërkesën e parashtruesit të papranueshme.

Parashtruesit:

Shaban Murati

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër