Prishtinë, më 30 tetor 2023
Nr.ref.: RK 2290/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI96/22
Parashtrues
Naser Husaj dhe Uliks Husaj
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme
[Rev. nr. 570/2021], të 5 majit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Naser Husaj dhe Uliks Husaj, me vendbanim në Komunën e Pejës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit e kërkesës). Parashtruesin e kërkesës Uliks Husaj, sipas autorizimit e përfaqëson parashtruesi i kërkesës Naser Husaj.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës e kontestojnë Aktvendimin [Rev. nr. 570/2021] të 5 majit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), dhe Aktgjykimin [Ac. nr. 1054/2019] e 4 tetorit 2019 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit), në ndërlidhje me Aktgjykimin [C. nr. 67/2017] të 15 janarit 2019 të Gjykatës Themelore në Pejë, Dega në Istog (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është shqyrtimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, përmes të cilit pretendohet se parashtruesve të kërkesës u janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 27 qershor 2022, parashtruesit e kërkesës përmes postës e dorëzuan kërkesën në Gjykatën Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 7 korrik 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit GJR. KI96/22 dhe KSH.KI 96/22 e caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 5 korrik 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe njëherit edhe përfaqësuesin Naser Husaj për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtit i kërkoi që të dorëzojë formularin zyrtar të kërkesës dhe autorizimin që dëshmon se e përfaqëson Uliks Husaj.
Më 15 korrik 2022, parashtruesi i kërkesës Naser Husaj dorëzoi një dokument në Gjykatë, i cili nuk i adresonte kërkesat e Gjykatës për plotësim të kërkesës së tij.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç'rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 14 mars 2023, Gjykata kërkoi përsëri nga parashtruesi i kërkesës Naser Husaj që të dorëzojë formularin zyrtar të kërkesës dhe autorizimin që dëshmon se e përfaqëson Uliks Husaj.
Më 27 mars 2023, parashtruesi i kërkesës Naser Husaj dorëzoi formularin zyrtar të kërkesës në emër të tij dhe në emër të parashtruesit të kërkesës Uliks Husaj dhe autorizimin që dëshmon se e përfaqëson këtë të fundit.
Më 28 prill 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e rastit.
Më 29 gusht 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Gjykata fillimisht vë në pah se parashtruesi i kërkesës Naser Husaj ishte në cilësinë e parashtruesit të kërkesës para Gjykatës edhe në rastet KI22/16, KI128/17, KI46/19, KI08/20 KI183/20 dhe KI151/21, megjithatë rrethanat faktike dhe ato juridike të kërkesave të mëparshme nuk ndërlidhen me kërkesën aktuale.
Nga dosja e lëndës rezulton që, më 12 shkurt 2012, pronari i ngastrës kadastrale [nr.14/4] në fshatin Vitomiricë të Komunës së Pejës, M. M. kishte ndërruar jetë.
Parashtruesi i kërkesës Naser Husaj, në cilësinë e përfaqësuesit të pretenduar të pronarit M. M., kishte lidhur kontratën për shitjen e ngastrës kadastrale [nr. 14/4], me parashtruesin tjetër të kërkesës Uliks Husaj, respektivisht të birin e tij, në cilësinë e blerësit në vlerë prej 10.000 euro.
Më 26 korrik 2012, Gjykata Komunale në Istog përmes Vendimit [Vr. nr. 1138/012] legalizoi kontratën e shitblerjes për pronën e lartcekur.
Më 7 qershor 2017, Prokurori i Shtetit në Prokurorinë Themelore në Pejë, Departamenti për Krime te Përgjithshme, ndaj parashtruesit të kërkesës Naser Husaj ngriti aktakuzë [PP/II Nr. 759/2016] për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale nga nenin 342 [Keqpërdorimi i besimit], të Kodit [nr. 04/L-082] Penal të Republikës së Kosovës. Në aktakuzën e lartcekur, parashtruesi i kërkesës Naser Husaj akuzohej se: “me datën 17.08.2011, në Pejë, në cilësinë e të autorizuarit të autorizuesit, këtu të dëmtuarit M. M. nga Bari, Republika e Malit të Zi, ka keqpërdorur autorizimet e dhëna nga i dëmtuari në fjalë, me nr. 7569-11, i vërtetuar në Gjykatën Themelore në Bar, ashtu që patundshmëria e të njëjtit, e cila gjendet në fsh. Vitomericë K. e Pejës, parcelat me nr. 7351-1, 7351-2, 736, 737 dhe 738 ZK Vitomericë, me sipërfaqe prej 02.34.82ha në mënyrë të paautorizuar e ka përkthyer në emër të djalit të tij, Uliks Husaj, dhe atë në bazë të kontratës së shitblerjes e lidhur me dt. 17.08.2011, nen OV-NR-6335-2011, pa dijeninë, pa asnjë pagesë të çmimit të shitblerjes dhe në mungesë të respektimit të vullnetit të autorizimdhënësit, me ç’ rast djalit të tij Uliks Husaj i ka mundësuar dobi pasurore të kundërligjshme, në kuptim të fitimit të të drejtave pronësore referuar patundshmërive të lartcekura [...]”.
Bazuar në sqarimet e dhëna në kërkesën e parashtruesve të kërkesës të dorëzuar në Gjykatë, rezulton se ndaj parashtruesit të kërkesës, Naser Husaj, ishte zhvilluar një procedurë penale [bazuar në aktakuzën e Prokurorit të Shtetit të 7 qershorit 2017] lidhur me keqpërdorimin e autorizimeve të M. M., respektivisht dyshimin për falsifikim të nënshkrimit në tri dokumente në lidhje me kontratën për shitblerjen e pronës në fjalë (dy deklarata të pretenduara për pranimin e të hollave nga M. M. dhe një autorizimi të pretenduar të M. M. kundër uzurpatorit të pronës në fjalë L. Sh.), e cila procedurë penale sipas parashtruesit të kërkesës ishte parashkruar (Sqarim: Gjykata nuk disponon me dokumente dhe informata zyrtare në lidhje me këtë procedurë).
Në një datë të paspecifikuar, trashëgimtarët [G. M., B. M., T. M ] e të ndjerit M.M., pronarit të ngastrës kadastrale [nr. 14/4] parashtruan kërkesëpadi në Gjykatën Themelore duke kërkuar anulimin e kontratës, së 26 korrikut 2012 me arsyetimin se parashtruesit e kërkesës, kontratën e lartcekur e kishin lidhur pa një autorizim valid të pronarit të ngastrës kadastrale [nr. 14/4], të ndjerit M. M.
Më 15 janar 2019, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 67/017] vendosi që të:
“I. ANULOHET kontrata e vërtetuar me dt. 26.07.2012, pranë Gjykatës Komunale në Istog, sipas protokollit Vr. nr. 1138/012, e lidhur në mes të M. M. nga fshati Vitomericë komuna Pejë, e të cilin e ka përfaqësuar Naser Husaj nga Peja, si shitës dhe Uliks/Naser Husaj, nga fshati Qyshk K. Peja, si blerës, mbi shitblerjen e patundshmërisë ngastrës kadastrale me nr. 14/4 në sipërfaqe prej 400 metër katror dhe e regjistruar në fletën poseduese nr.000 14/20 ZK Carrallukë.
II. URDHËROHET shërbimi Kadastral i Komunës së Istogut, të bëj ri- regjistrimin sipas gjendjes së mëparshme kadastrale dhe atë që të regjistron patundshmërinë nga pika I (një) të këtij diapozitivi të këtij Aktgjykimi, e në emër të M. (B.) M. ish nga Vitomerica K. Pejë.
III. OBLIGOHEN të paditurit Naser Husaj e Uliks/Naser/Husaj nga fshati Qyshk K. Pejë, që paditësve t’ ia kompensojnë të gjitha shpenzimet e procedurës kontestimore e në lartësi prej 1.585,00 euro e të gjitha këto nën kërcënim të përmbarimit me dhunë”.
Gjykata Themelore në Aktgjykimin e saj arsyetoi se: “Autorizimi me të cilin është autorizuar avokati - i padituri Naser Husaj është jo valid sepse pronari – M. M. ka vdekur me dt. 12. shkurt 2012 në Beograd, Qukurica sipas certifikatës nga libri amzë i të vdekurve lëshuar në Beograd, Qukurica me nr. vijues 134 për vitin 2012 Kontrata e shitblerjes e lidhur në mes të Naser Husaj, në cilësi të shitësit e i cili e ka përfaqësuar M. M., është lidhur në Gjykatën Komunale në Istog me shenjën Vr.nr. 1138112 e dt. 26.07.2012, pra kjo kontratë është lidhur plotë mbi 6 muaj nga vdekja e pronarit M. M. (12.02.2012), ndërsa është vërtetuar në Gjykatë me dt. 26.07.2012”.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesit e kërkesës kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit për shkak të shkeljeve thelbësore të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të potë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 4 tetor 2019, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 1054/2019] ankesën e parashtruesve të kërkesës e refuzoi si të pathemeltë dhe vërtetoi Aktgjykimin [C. nr. 67/20 17] të 15 janarit 2019 të Gjykatës Themelore.
Më saktësisht, Gjykata e Apelit vërtetoi se bazuar në nenin 94 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 1978 autorizimi përmes të cilit ishte nënshkruar kontrata kishte “pushuari se dhëni efekt që nga data 12.02.2012 kur edhe ndërron jete edhe autorizim dhënësi”.
Në një datë të paspecifikuar, kundër Aktgjykimit [Ac. nr. 1054/2019] të 4 tetorit 2019 të Gjykatës së Apelit, parashtruesit e kërkesës paraqitën revizion në Gjykatën Supreme me propozimin që Gjykata e Apelit të ndryshojë dy aktgjykimet e lartcekura ashtu që kërkesëpadinë e tyre ta refuzojë si të pabazuar dhe lëndën ta kthejë në rigjykim në shkallën e parë.
Më 5 maj 2022, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev. nr. 570/2021] revizionin e parashtruesve të kërkesës e hudhi si të palejuar. Gjykata Supreme konstatoi se nuk ishin plotësuar kriteret e përcaktuara me paragrafin 3 të nenit 211 të Ligjit nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK) për paraqitjen e revizionit. Më specifikisht, Gjykata Supreme specifikoi se: “revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore-juridike në të cilat kërkesëpadia nuk ka të bëj me kërkesat në të holla, me dorëzimin e sendit, ose me përmbushjen e ndonjë premtimi tjetër, po që se vlera e objektit të kontestit e treguar në padinë e paditësit nuk e kalon 3.000 €”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesit e kërkesës pretendojnë se përmes Aktvendimit [Rev. nr. 570/2021] të 5 majit 2022 të Gjykatës Supreme dhe Aktgjykimeve të Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore atyre u janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Përkitazi me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës, në esencë, pretendojnë se: “Palëve në procedurë, paditësve, pastaj, të dëmtuarave, në çështjen penale, ju mungon legjitimiteti aktiv, nuk kanë pasur autorizim, nuk kanë pasur aktvendim mbi trashëgiminë, dhe gjykatat kanë qenë dashur t’i refuzojnë paditë si të palejuara, se pronat janë shitur me autorizim, ku provat i keni në këtë lëndë, që jua kam dërguar. Kam kërkuar nga gjyqtari D.D., në Istog, që ta rrit vlerën e kontestit, mbi 3000 euro dhe nuk ka pranuar, dhe për shkak të kësaj Gjykata Supreme duke vendosur për revizionin, e hedh si të palejuar, për shkak të vlerës së vogël të kontestit, mbi 3000 euro dhe nuk ka pranuar, dhe për shkak të kësaj Gjykata Supreme duke vendosur për revizionin, e hedh si të pa lejuar, për shkak të vlerës së vogël të kontestit, ka qenë dashtë të jetë, së paku 3500 euro – Pastaj më kanë futur mua në padi, si i autorizuar i shitësit, që i autorizuari, nuk mund të paditet as të akuzohet, dhe kjo është baza për përsëritjen e procedurës që kam kërkuar”.
Parashtruesit e kërkesës në vazhdim theksojnë se: “Padia ka qenë e palejuar, toka ka qenë e shitur me autorizim; Palët, paditësit dhe të dëmtuarit, nuk kishin legjitimitet aktiv. S’ kanë pasur autorizim, aktvendim mbi trashëgiminë apo aktvendim mbi mbajtjen e përjetshme. Nuk ka aktgjykim penal, se unë jam kryes i veprës penale shpërdorim, në besim, asht parashkruar lënda. Grafologjija i paraqiti tre nënshkrimet e shitësit si të rregullta”.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se: “Gjykata e shkallës së parë dhe e dytë janë thirr në fals sipas aktakuzës, dhe nuk e kanë marr parasysh sqarimin e grafologes V. M.. Nuk e ka caktuar gjykata vlerën e kontestit mbi 3500 euro nuk është respektuar neni-13-14 i LPK-së. Të ndërprehet procedura në kontest civil derisa të përfundon procedura penale, ku ajo veç është parashkruar lënda. Nuk e ka respektuar gjykata nenin – 46/3 LMD-1978 dhe nenin 82/3 LMD i tashëm”.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë shkelje të të drejtës së tyre në pronë si rezultat i “mospërfilljes neneve të theksuara më lart. Kontrata e shitblerjes në emër të Uliks Husajt është ndërprerë”.
Parashtruesit e kërkesës në esencë pretendojnë se kanë lidhur kontratë me një autorizim valid dhe në pajtim me nenin 49 të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 1978 dhe me nenin 82, paragrafi 3 të Ligjit nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 2012.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se kontrata e 26 korrikut 2012 është e ligjshme me arsyetimin se: “[...] Sipas nenit 49 LMD i vitit 1978 dhe ligji i tashëm i marrëdhënieve detyrimore, paragrafi 3. thotë autorizimi vlen edhe pas vdekjes së autorizimdhënësit kur puna e filluar duhet përfunduar ose karakteri i punës është asisoji, edhe kur ekziston vullneti i palës që autorizimi vlen edhe pas vdekjes së autorizimdhënësit”.
Përfundimisht, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që: (i) kërkesën e tyre ta shpallë si të pranueshme; (ii) të konstatojë se Aktgjykimi [Rev. nr. 570/2021] i 5 majit 2022 të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 1054/2019] e 4 tetorit 2019 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [C. nr. 67/2017] të 15 janarit 2019 të Gjykatës Themelore, janë nxjerrë në shkelje të neneve 31 dhe 46 të Kushtetutës, dhe (iii) të njëjtat t’i shpallë të pavlefshme.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj eksproprijimin e pronës nëse ky eksproprijim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave eksproprijohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë eksproprijimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.
LIGJI NR. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 95
95.1 Me vdekjen e personit fizik, gjegjësisht me shuarjen e personit juridik shuhet edhe prokura të cilën ai e ka dhënë.
KREU XIV MJETET E JASHTËZAKONSHME TË GODITJES REVIZIONI
Neni 211
211.1 Kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë, palët mund të paraqesin revizion brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita në të cilën u është dorëzuar aktgjykimi.
211.2 Revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore-juridike në të cilat kërkesëpadia ka të bëjë me kërkesat në të holla, me dorëzimin e sendit, ose me përmbushjen e ndonjë premtimi tjetër, po që se vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit nuk i kalon 3.000 Euro.
211.3 Revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore-juridike në të cilat kërkesëpadia nuk ka të bëjë me kërkesat në para, me dorëzimin e sendit apo me përmbushjen e ndonjë premtimi tjetër, po që se vlera e objektit të kontestit e treguar në padinë e paditësit nuk e kalon shumën prej 3.000 Euro.
211.4 Përjashtimisht edhe kur është fjala për kërkesëpadinë nga paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, revizioni gjithmonë është i lejuar: a) në kontestet për ushqim; b) në kontestet për shpërblimin e dëmit për ushqimin e humbur, për shkak të vdekjes së dhënësit të ushqimit; c) në kontestet nga marrëdhëniet e punës të cilat i fillon i punësuari kundër vendimit për shuarjen e marrëdhënies së punës.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata, fillimisht i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.[…]
Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohet me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni48
(Saktësimi i kërkesës)
"Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj."
Neni 49
(Afatet)
"Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor ...".
Sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës janë palë të autorizuara, të cilët kontestojnë një akt të një autoriteti publik, përkatësisht (i) Aktvendimin [Rev.Nr.570/2021] të 5 majit 2022, të Gjykatës Supreme, dhe (ii) Aktgjykimin [Ac. nr. 1054/2019] e 4 tetorit 2019 të Gjykatës së Apelit, në ndërlidhje me Aktgjykimin [C. nr. 67/2017] të 15 janarit 2019 të Gjykatës Themelore pasi i kanë shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; dhe i kanë specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendojnë se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit. Para se Gjykata të vazhdojë me vlerësimin e kritereve të tjera të pranueshmërisë së kërkesës, ajo fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës.
Gjykata, në vijim, do të shqyrtojë nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34 (2) specifikisht përcakton që:
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
"(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj."
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për Papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për Papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me lidhjen e kontratës për shitjen e pronës së të ndjerit M.M. [i cili kishte ndërruar jetë më 12 shkurt 2012]. Kontrata e shitblerjes, e 26 korrikut 2012 ishte lidhur në mes të parashtruesit të kërkesës Naser Husaj në cilësinë e përfaqësuesit të pretenduar të pronarit M.M dhe të shitësit me parashtruesin tjetër të kërkesës Uliks Husaj, të birin e tij, në cilësinë e blerësit, e cila kontratë më 26 korrik 2012 ishte vërtetuar nga Gjykata Komunale në Istog. Lidhja e kontratës së shitblerjes u kontestua nga trashëgimtarët e M.M., të cilët parashtruan padi në Gjykatën Themelore duke kërkuar anulimin e kontratës për shkak se e njëjta ishte lidhur pa një autorizim valid të pronarit të paluajtshmërisë, babait të tyre, të ndjerit M.M.. Si rezultat i kësaj, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.67/017] anuloi kontratën e 26 korrikut 2012 me arsyetimin se autorizimi me të cilin ishte autorizuar parashtruesi i kërkesës Naser Husaj ishte jo valid për faktin se pronari i paluajtshmërisë kishte ndërruar jetë para nënshkrimit të saj. Si rezultat i ankesës së paraqitur nga parashtruesit e kërkesës kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 1054/2019] të 4 tetorit 2019 ankesën e tyre e refuzoi si të pabazuar dhe vërtetoi Aktgjykimin [C.nr.67/017] të 15 janarit 2019 të Gjykatës Themelore. Në vijim, si rezultat i revizionit të paraqitur nga parashtruesit e kërkesës kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës së Apelit në Gjykatën Supreme, kjo e fundit përmes Aktvendimit të kontestuar [Rev.Nr.570/2021] të 5 majit 2022 revizionin e parashtruesve të kërkesës e hudhi si të palejuar për shkak se “vlera e objektit të kontestit e treguar në padinë e paditësve dhe e pa ndryshuar gjatë zhvillimit të procedurës në këtë çështje juridike kontestimore, është në shumë prej 3000 €, që do të thotë nuk është mbi 3000€ kusht ligjor”.
Parashtruesit e kërkesës, në kërkesën e tyre para Gjykatës kontestojnë (i) konstatimin e lartcekur të Gjykatës Supreme se revizioni i tyre ishte i palejuar, duke pretenduar se ky konstatim përbën shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tyre të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe (ii) në vijim, të njëjtit kontestojnë edhe konstatimin e dhënë përmes Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore e që ndërlidhet me anulimin e kontratës së shitblerjes për shkak të autorizimit jo-valid.
Së pari, Gjykata do të vazhdojë me shqyrtimin e pretendimit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, që ndërlidhet me Aktvendimin e Gjykatës Supreme, përmes të cilit revizioni i parashtruesve të kërkesës ishte hudhur si i palejuar për shkak të vlerës së objektit të kërkesës.
Parashtruesit e kërkesës, në kërkesën e tyre para Gjykatës kontestojnë konstatimin e lartcekur të Gjykatës Supreme, duke pretenduar se ky konstatim përbën shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tyre të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës.
Gjykata në vijim të kësaj duke iu referuar konstatimit të Gjykatës Supreme se revizioni i parashtruesve të kërkesës ishte i palejuar për shkak të vlerës së objektit të kontestit, fillimisht do të shqyrtojë pretendimin e parashtruesit që ndërlidhet me çështjen e lejueshmërisë së revizionit.
Në kontekst të këtij pretendimi të lartcekur, parashtruesit e kërkesës theksojnë se: “Kam kërku nga gjyqtari D.D., në Istog, që ta rrit vlerën e kontestit, mbi 3000 euro dhe nuk ka pranu, dhe për shkak të kësaj gjykata supreme duke vendos për revizionin, e hudh si të palejuar, për shkak të vlerës se vogël të kontestit, mbi 3000 euro dhe nuk ka pranu, dhe për shkak te kësaj gjykata supreme duke vendos për Revizionin, e hudh si të pa lejuar, për shkake të vlerës se vogël të kontestit, ka qen dasht të jetë, se paku 3500 Euro – Pastaj me kanë fut mu në padi, si i autorizuar i shitësit, që i autorizuari, nuk mundet mu, padit as mu u akuzu, dhe ashtu bazë për përsëritje të procedurës, që e kam kërku ketë”.
Në vijim të pretendimit të lartcekur të parashtruesve të kërkesës, Gjykata fillimisht vë në dukje se çështja e refuzimi apo moslejimit të revizionit për shkak se e njëjta nuk e arrin vlerën e përcaktuar me ligj hyn në kuadër të parimit apo të drejtës për qasje në gjykatë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Thënë këtë, rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me atë nëse Gjykata Supreme duke e shpallur “të palejuar revizionin” për çështje tërësisht ligjore/procedurale, ka ndikuar në mënyrë disproporcionale në mundësinë e parashtruesve të kërkesës për të marrë një vendim meritor të rastit të tij nga ana e Gjykatës Supreme.
Gjykata duke u bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së në parim ka theksuar e drejta e qasjes në gjykatë duhet të jetë "praktike dhe efektive" dhe jo "teorike dhe iluzore" (Shih ndër tjerash rastet e Gjykatës KI20/21, parashtrues Violeta Todorovic, Aktgjykim i 13 prillit 2021, paragrafi 43 dhe KI224/19, parashtrues Islam Krasniqi, Aktgjykim i 10 dhjetorit 2020, paragrafi 39, si dhe rastin e GJEDNJ-së, Famullia Katolike Greke e Lupenit kundër Rumanisë, kërkesa nr. 76943/11, Aktgjykim i 29 nëntorit 2016, paragrafi 84). Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe asaj të GJEDNJ-së kjo e drejtë nuk është absolute, por mund t'i nënshtrohet kufizimeve të cilat nuk guxojnë të zvogëlojnë qasjen në gjykatë në atë mënyrë apo deri në një masë që cenojnë vetë thelbin e së drejtës. Kufizimet e tilla nuk do të jenë të arsyetuara nëse ato nuk ndjekin një qëllim legjitim ose nëse nuk ekziston një raport i arsyeshëm i proporcionalitetit midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit që dëshirohet të arrihet (Shih rastin e Gjykatës KI20/21, të cituar më lart, paragrafi 45; dhe KI54/21, parashtrues Kamber Hoxha, Aktgjykim i 4 nëntorit 2021, paragrafët 63-64 dhe rastet e GJEDNJ-së, Sotiris dhe Nikos Koutras ATTEE kundër Greqisë, Aktgjykim i 16 nëntorit 2000, paragrafi 15, dhe Běleš dhe të tjerët kundër Republikës Çeke, kërkesa nr. 47273/99, Aktgjykim i 12 nëntorit 2002, paragrafi, 61; si dhe rastin Famullia Katolike Greke e Lupenit kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 89).
Thënë këtë, Gjykata i referohet rastit të Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së në rastin Zubac kundër Kroacisë [kërkesa nr. 40160/12, Aktgjykim, i 5 prillit 2018] përmes të cilit në lidhje me çështjen e lejueshmërisë së revizionit e që ndërlidhet me prag të vlerës së përcaktuar me ligj, në parim kishte ritheksuar se “Mënyra se si zbatohet neni 6 paragrafi 1 [të KEDNJ-së] në gjykatat e apelit dhe të kasacionit varet nga veçoritë e veçanta të procedurës para atyre gjykatave. Kushtet e pranueshmërisë së revizionit mund të jenë më të rrepta se ato për një ankesë të rregullt” (shih rastin e GJEDNJ-së, Kozlica kundër Kroacisë,kërkesa nr. 29182/03, si dhe referencat e përdorura aty, Aktgjykim i 2 nëntorit 2006, paragrafi 32 dhe 82). Në vijim të kësaj, GJEDNJ po në të njëjtin rast kishte theksuar se: “Aplikimi i pragut ligjor ratione valoris për revizionin në Gjykatën Supreme është supozim procedural legjitim dhe i arsyeshëm duke pasur parasysh se gjykata merret vetëm me çështje të rëndësisë së veçantë (Shih rastet e GJEDNJ-së rastin Zubac kundër Kroacisë dhe referencat e përdorura në këtë rast, të cituar më lart, paragrafi 83; dhe ndër tjerash rastin Jovanoviç kundër Serbisë , kërkesa nr. 32299/08, Aktgjykim, i 2 tetorit 2012, paragrafi 48).
Në këtë kuptim, GJEDNJ po në rastin Zubac kundër Kroacisë dhe në lidhje me zbatimin e kufizimeve ligjore ratione valoris për qasje në gjykatat më të larta, zhvilloi një test tre hapësh, përmes të cilit duhej të shqyrtohej dhe vlerësohej: (i) parashikueshmëria e kufizimeve, (ii) çështja nëse parashtruesi apo shteti duhet të bartin pasojat e dëmshme të lëshimeve të kryera gjatë procedurës dhe (iii) çështja e “formalizmit të tepruar” në zbatimin e kufizimeve (shih paragrafët 80-86 të Aktgjykimit në rastin Zubac kundër Kroacisë, cituar më lart, dhe referencat e përdorura në këtë Aktgjykim).
Në lidhje me të parën, GJEDNJ specifikoi se (i) çështja e mjetit ligjor në këtë rast ishte i parashikueshëm nga këndvështrimi i palëve ndërgjygjëse. Në këtë kuptim, GJEDNJ plotësoi se (ii) supozimi se kufizimi i qasjes është i parashikueshëm plotësohet nëse ka praktikë koherente gjyqësore dhe (iii) zbatim konsistent të kësaj praktike, dhe në vijim po ashtu vlerësoi se (iv) merr parasysh qasjen e parashtruesit në praktikën përkatëse gjyqësore dhe (v) nëse i njëjti përfaqësohej nga një avokat i kualifikuar (shih rastin e GJEDNJ-së, Zubac kundër Kroacisë, cituar më lart, paragrafët 87-89).
Në lidhje me të dytën, GJEDNJ theksoi se duhet të përcaktohet nëse parashtruesi ka qenë i përfaqësuar gjatë procedurave dhe se a kishte treguar zell të nevojshëm në ndërmarrjen e veprimeve përkatëse procedurale, duke vijuar me përcaktimin e asaj nëse gabimet ishin të mundshme të shmangeshin që në fillim dhe nëse gabimet mundeshin që kryesisht të i atribuohen parashtruesit apo autoriteteve kompetente (Shih rastin e GJEDNJ-së, Zubac kundër Kroacisë, cituar më lart, paragrafët 90-98).
Në lidhje me të tretën, përkatësisht me çështjen e formalizmit të tepruar, GJEDNJ theksoi se formalizmi i tepruar nga ana e gjykatave mund të jetë në kundërshtim me të drejtën për qasje në gjykatë. Në këtë kuptim, GJEDNJ kishte theksuar se “megjithatë, e drejta për qasje në gjykatë konsiderohet se është dëmtuar në atë moment kur rregullat pushojnë të jenë në shërbim të sigurisë juridike dhe administrimit të duhur të drejtësisë dhe për pasojë krijojnë një barrierë e cila i pamundëson palëve ndërgjygjëse që rasti i tyre të gjykohet në merita nga gjykata kompetente (Shih rastin e GJEDNJ-së, Zubac kundër Kroacisë, cituar më lart, paragrafi 98).
Në vijim të kësaj, GJEDNJ në rastin Zubac kundër Kroacisë, duke zbatuar parimet dhe testin e lartcekur të zhvilluar në këtë rast konstatoi se kufizimi i qasjes në Gjykatën Supreme të Republikës së Kroacisë nuk ishte rezultat i rregullave procedurale jo fleksibile, gjegjësisht, ligji dhe praktika e brendshme gjyqësore përkatëse parashikojnë mundësinë e ndryshimit të vlerës së çështjes në kontest në një fazë më të hershme të procesit gjyqësor, gjë që mundëson qasje në Gjykatën Supreme në rast të ndryshimit të rrethanave të çështjes. Përveç kësaj, parashtruesja mund të kishte paraqitur një mjet tjetër të jashtëzakonshëm të përcaktuar me ligj që asaj do t'i mundësonte gjithashtu qasje në Gjykatën Supreme, gjë të cilën ajo nuk e kishte bërë. Në vijim të kësaj GJEDNJ kishte konstatuar se “Funksioni kryesor i Gjykatës Supreme, si gjykata më e lartë në Kroaci, është të sigurojë zbatimin uniform të ligjit dhe barazinë e të gjithëve në zbatimin e tij. Kufizimi i qasjes në atë gjykatë duke vendosur një prag ligjor ratione valoris justifikohet nga qëllimi legjitim i Gjykatës Supreme që të merret vetëm me çështje më të rëndësishme. Zgjidhja e parregullsive të kryera nga gjykatat më të ulëta në përcaktimin e vlerës së kontestit synonte gjithashtu një qëllim legjitim, përkatësisht respektimin e shtetit të së drejtës dhe funksionimin e duhur të sistemit gjyqësor. (shih rastin e GJEDNJ-së, Zubac kundër Kroacisë, cituar më lart, paragrafët 101-125)
Në dritën e të lartcekurave, Gjykata në vijim do t’i aplikojë parimet dhe testin e lartcekur të zhvilluar nga GJEDNJ në rrethanat e rastit konkret, përkatësisht duke vlerësuar nëse (i) në lidhje me kriterin e parashikueshmërisë së kufizimit përmes pragut ligjor, do të vlerësojë nëse praktika gjyqësore e Gjykatës Supreme është konsistente dhe e qartë në lidhje me lejueshmërinë e revizionit; (ii) nëse kufizimi i qasjes në Gjykatën Supreme mund t’i atribuohej parashtruesve të kërkesës; dhe (iii) nëse Gjykata Supreme gjatë interpretimit dhe zbatimit të dispozitave ligjore në fuqi që ndërlidheshin me pragun e lejueshmërisë së revizionit kishte përdorur formalizëm të tepruar.
Në vijim të kësaj, Gjykata duke iu rikthyer rrethanave të rastit konkret, në lidhje me (i) çështjen e parashikueshmërisë, vlerëson se Gjykata Supreme ka një praktikë mirë të konsoliduar gjyqësore në lidhje me pragun ligjor për lejueshmërinë e revizionit. Po ashtu, në lidhje me këtë, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës Naser Husaj, në cilësinë edhe të përfaqësuesit ligjor duhet të ketë ditur se, në mungesë të një vendimi të posaçëm nga gjykata e shkallës së parë, ndryshimi i mëvonshëm i vlerës nuk mund të merret parasysh për qëllim të qasjes në Gjykatën Supreme.
Së dyti, dhe në lidhje me atë nëse konstatimi se revizioni ishte i palejuar mund ti atribuohet gjykatave apo parashtruesve të kërkesës, Gjykata vlerëson se parashtruesit e kërkesës nuk kanë mbështetur përmes fakteve nëse ata kanë kërkuar ndryshimin e vlerës së padisë përgjatë zhvillimit të procedurave para Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, dhe nëse ka një vendim të Gjykatës Themelore për ndryshimin e vlerës. Si rrjedhojë, Gjykata në pajtim me parimet dhe kriteret e lartcekura të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së vlerëson se konstatimi i Gjykatës Supreme se revizioni i tyre është i palejuar ashtu siç përcaktohet me paragrafin 3 të nenit 211 të LPK-së i atribuohet parashtruesve të kërkesës.
Së treti, në kuptim të vlerësimit nëse Gjykata Supreme ka përdorur apo jo formalizëm të tepruar gjatë interpretimit të dispozitave përkatëse ligjore në fuqi e që ndërlidhen me lejueshmërinë e revizionit, Gjykata vlerëson se konstatimi i Gjykatës Supreme përmes Aktvendimit të saj për refuzim të revizionit nuk përfaqëson formalizëm të tepruar. Thënë këtë Gjykata në pajtim me praktikën e vet gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së thekson se respektimi i rregullave formale në procedurë është më vlerë dhe një rëndësie të tillë që ndalon arbitraritetin, dhe siguron vendimmarrjen efektive përkitazi me një kontest dhe gjykimin brenda një afati të arsyeshëm kohor, si dhe siguron siguri juridike dhe respekt për gjykatën (Shih rastin e Gjykatës, KI54/21, të cituar më lart, paragrafin 67 dhe rastin e GJEDNJ-së, Zubac kundër Kroacisë, cituar më lart, paragrafi 96).
Në fund të kësaj, Gjykata konsideron se kufizimi i qasjes në Gjykatën Supreme nuk ishte rezultat i rregullave procedurale jo-fleksibile, për arsye se dispozitat e LPK-së, përkatësisht neni 36 i tij parasheh mundësinë e ndryshimit të vlerës së objektit të kontestit në një fazë më të hershme të procesit gjyqësor, përkatësisht gjatë zhvillimit të procedurës para Gjykatës Themelore. Përveç kësaj, parashtruesit e kërkesës në dispozicion kishin edhe mjetin tjetër të jashtëzakonshëm të goditjes, atë të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, të përcaktuar me nenin 245 të LPK-së, të cilin ata nuk e kishin bërë. Thënë këtë, Gjykata në pajtim me konstatimin dhe qëndrimin e GEJDNJ-së konkludon se kufizimi i qasjes në Gjykatën Supreme përmes pragut ligjor ratione valoris justifikohet nga qëllimi legjitim i Gjykatës Supreme që të merret vetëm me çështje më të rëndësishme, dhe si rrjedhojë nuk përbën kufizim jo proporcional të së drejtës së parashtruesve të kërkesës për qasje në gjykatë.
Bazuar në vlerësimin dhe elaborimin si më lart, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkelje të së drejtës së tyre për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si rezultat konstatimit se revizioni i tyre ishte i palejuar janë qartazi të pabazuar në bazë kushtetuese për shkak të “mungesës së dukshme apo evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Në vijim, Gjykata po ashtu rikujton se parashtruesit e kërkesës ngritin pretendime për shkelje të së drejtës së tyre për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe të drejtës së tyre në pronë të garantuar me nenin 46 përmes Aktgjykimeve të Gjykatës së Apelit dhe atij të Gjykatës Themelore. Në kuptim të pretendimeve të ngritura nga parashtruesit e kërkesës, Gjykata vëren se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit kanë vlerësuar faktet dhe kanë interpretuar dhe zbatuar dispozitat ligjore në lidhje me kërkesën e parashtruesve të kërkesës. Gjykata për më tepër vëren se parashtruesit e kërkesës para Gjykatës përsërisin të njëjtat argumente që i kishin parashtruar në procedurat pranë gjykatave të rregullta, e që ndërlidhen me çështje të ligjshmërisë së vendimeve të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit. Prandaj, Gjykata konsideron se kërkesa e parashtruesve të kërkesës është e papranueshme, për shkak se pretendimet e tyre për shkelje të neneve 31 dhe 46 të Kushtetutës përmes Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore janë qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese si ”pretendime të shkallës së katërt”, ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesve të kërkesës janë pretendime si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese, dhe të njëjtat duhet të refuzohen si të papranueshme ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, dhe rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, më 29 gusht 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
Naser Husaj dhe Uliks Husaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile