Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme [Rev. nr. 570/2021], të 5 majit 2022

Nr. të lëndës KI96/22

Parashtruesit: Naser Husaj dhe Uliks Husaj

Shkarko:

KI96/22, Parashtrues Naser Husaj dhe Uliks Husaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme [Rev. nr. 570/2021], të 5 majit 2022. 

KI96/22, Aktvendim për papranueshmëri i 29 gushtit 2023, publikuar më 1 nëntor 2023

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, qasja në gjykatë, ratione valoris  

Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me lidhjen e kontratës për shitjen e pronës së të ndjerit M.M. [i cili kishte ndërruar jetë më 12 shkurt 2012]. Kontrata e shitblerjes, e 26 korrikut 2012 ishte lidhur në mes të  parashtruesit të kërkesës Naser Husaj në cilësinë e përfaqësuesit të pretenduar të pronarit M.M dhe të shitësit me parashtruesin tjetër të kërkesës Uliks Husaj, të birin e tij, në cilësinë e blerësit, e cila kontratë  më 26 korrik 2012 ishte vërtetuar nga Gjykata Komunale në Istog. Lidhja e kontratës së shitblerjes u kontestua nga trashëgimtarët e M.M., të cilët parashtruan padi në Gjykatën Themelore duke kërkuar anulimin e kontratës për shkak se e njëjta ishte lidhur pa një autorizim valid të pronarit të paluajtshmërisë, babait të tyre, të ndjerit M.M.. Si rezultat i kësaj, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.67/017] anuloi kontratën e 26 korrikut 2012 me arsyetimin se autorizimi me të cilin ishte autorizuar parashtruesi i kërkesës Naser Husaj ishte jo valid për faktin se pronari i paluajtshmërisë kishte ndërruar jetë para nënshkrimit të saj. Si rezultat i ankesës së paraqitur nga parashtruesit e kërkesës kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 1054/2019] të 4 tetorit 2019 ankesën e tyre e refuzoi si të pabazuar dhe vërtetoi  Aktgjykimin [C.nr.67/017] të 15 janarit 2019 të Gjykatës Themelore. Në vijim, si rezultat i revizionit të paraqitur nga parashtruesit e kërkesës kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës së Apelit në Gjykatën Supreme, kjo e fundit përmes Aktvendimit të kontestuar [Rev.Nr.570/2021] të 5 majit 2022 revizionin e parashtruesve të kërkesës e hudhi si të palejuar për shkak se “vlera e objektit të kontestit e treguar në padinë e paditësve dhe e pa ndryshuar gjatë zhvillimit të procedurës në këtë çështje juridike kontestimore, është në shumë prej 3000 €, që do të thotë nuk është mbi  3000€ kusht ligjor”.  

Parashtruesit e kërkesës, në kërkesën e tyre para Gjykatës kontestojnë (i) konstatimin e lartcekur të Gjykatës Supreme se revizioni i tyre ishte i palejuar, duke pretenduar se ky konstatim përbën  shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tyre të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe (ii) në vijim, të njëjtit  kontestojnë edhe konstatimin e dhënë përmes Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore e që ndërlidhet me anulimin e kontratës së shitblerjes për shkak të autorizimit jo-valid, duke pretenduar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe të drejtës së tyre në pronë të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen  me atë nëse Gjykata Supreme duke e shpallur “të palejuar revizionin” për çështje tërësisht ligjore/procedurale, ka ndikuar në mënyrë disproporcionale në mundësinë e parashtruesve të kërkesës për të marrë një vendim meritor  të rastit të tij nga ana  e Gjykatës Supreme.

Gjykata në analizimin e këtij rast i referohet rastit të Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së në rastin Zubac kundër Kroacisë [kërkesa nr. 40160/12, Aktgjykim, i 5 prillit 2018] përmes të cilit në lidhje me çështjen e lejueshmërisë së revizionit e që ndërlidhet me prag të vlerës së përcaktuar me ligj,  në parim kishte ritheksuar se “Mënyra se si zbatohet neni 6 paragrafi 1 [të KEDNJ-së]  në gjykatat e apelit dhe të kasacionit varet nga veçoritë e veçanta të procedurës para atyre gjykatave. Kushtet e pranueshmërisë së revizionit mund të jenë më të rrepta se ato për një ankesë të rregullt” (shih  rastin e GJEDNJ-së, Kozlica kundër Kroacisë,kërkesa nr. 29182/03, si dhe referencat e përdorura aty, Aktgjykim i 2 nëntorit 2006, paragrafi 32 dhe 82). Në vijim të kësaj, GJEDNJ po në të njëjtin rast kishte theksuar se: “Aplikimi i pragut ligjor ratione valoris për revizionin në Gjykatën Supreme është supozim procedural legjitim dhe i arsyeshëm duke pasur parasysh se gjykata merret vetëm me çështje të rëndësisë së veçantë.

Gjykata duke u bazuar në parimet dhe testin e rastit të lartcekur të zhvilluar nga GJEDNJ në rrethanat e rastit konkret, konsideron se kufizimi i qasjes në Gjykatën Supreme nuk ishte rezultat i rregullave procedurale jo-fleksibile, për arsye se  dispozitat e LPK-së, përkatësisht neni 36 i tij parasheh mundësinë e ndryshimit të vlerës së objektit të kontestit në një fazë më të hershme të procesit gjyqësor, përkatësisht gjatë zhvillimit të procedurës para Gjykatës Themelore. Përveç kësaj, parashtruesit e kërkesës në dispozicion kishin edhe mjetin tjetër të jashtëzakonshëm të goditjes, atë të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, të përcaktuar me nenin 245 të LPK-së, të cilin ata nuk e kishin bërë. Thënë këtë, Gjykata në pajtim me konstatimin dhe qëndrimin e GEJDNJ-së konkludon se kufizimi i qasjes  në Gjykatën Supreme përmes pragut ligjor ratione valoris justifikohet nga qëllimi legjitim i Gjykatës Supreme  që të merret vetëm me çështje më të rëndësishme, dhe si rrjedhojë nuk përbën kufizim jo proporcional të së drejtës së parashtruesve të kërkesës për qasje në gjykatë.

Bazuar në vlerësimin dhe elaborimin si më lart, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkelje të së drejtës së tyre për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si rezultat konstatimit se revizioni i tyre ishte i palejuar janë qartazi të pabazuar në bazë kushtetuese për shkak të “mungesës së dukshme apo evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Në kuptim të pretendimeve të ngritura nga parashtruesit e kërkesës, për shkelje të së drejtës së tyre për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe të drejtës së tyre në pronë të garantuar me nenin 46 përmes Aktgjykimeve të Gjykatës së Apelit dhe atij të Gjykatës Themelore, Gjykata vëren se këto te fundit kanë vlerësuar faktet dhe kanë interpretuar dhe zbatuar dispozitat ligjore në lidhje me kërkesën e parashtruesve të kërkesës.

Gjykata për më tepër vëren se parashtruesit e kërkesës para Gjykatës përsërisin të njëjtat argumente që i kishte parashtruar në procedurat pranë gjykatave të rregullta, e që ndërlidhen me çështje të ligjshmërisë së vendimeve të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit. Prandaj, Gjykata konsideron se kërkesa e parashtruesve të kërkesës është e papranueshme, për shkak se pretendimet e tyre për shkelje të neneve 31 dhe 46 të Kushtetutës përmes Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore janë qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese si ”pretendime të shkallës së katërt”, ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesve të kërkesës janë pretendime si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese, dhe të njëjtat duhet të refuzohen si të papranueshme ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Naser Husaj dhe Uliks Husaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile