Prishtinë, më 14 nëntor 2024
Nr. Ref.:RK 2576/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI57/24
Parashtrues
“Erisi J” SH.P.K
Vlerësim i kushtetutshmërisë së
Aktvendimit Ac.nr.9241/2021, të 12 tetorit 2023 të Gjykatës së Apelit të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Bajram Ljatifi, gjyqtar
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Kompania “Erisi J” SH.P.K, (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Virtyt Ibrahimaga, avokat në Komunën e Prishtinës.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Ac.nr.9241/2021], të 12 tetorit 2023 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) në lidhje me Aktvendimin [C.nr.592/21] të 23 shtatorit 2021, të Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Dega Vushtrri, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 8 nëntor 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kërkon vendosjen e masës së përkohshme, përkatësisht të evitohen dëmet e pariparueshme nga privimi i shfrytëzimit të pronës që i është dhënë në posedim.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës), 27 (Masat e përkohshme) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullat 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) dhe 44 (Kërkesa për masë të përkohshme) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 01/2023 (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 11 mars 2024, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) pranoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës të cilën e kishte dorëzuar në postë më 7 mars 2024.
Në të njëjtë ditë, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 26 mars 2024, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës kërkoi nga përfaqësuesi i pretenduar ligjor i parashtruesit të kërkesës që të dorëzojë autorizimin specifik për Gjykatën Kushtetuese, që dëshmon se përfaqëson atë para Gjykatës.
Në të njëjtën ditë, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr.GJR.KI57/24] caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi gjyqtare raportuese, si dhe përmes Vendimit [Nr.KSH.KI57/24], Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Remzije Istrefi-Peci (kryesuese), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 16 prill 2024, përfaqësuesi ligjor i parashtruesit të kërkesës dorëzoi autorizimin specifik të lartcekur si dhe një kopje të Aktvendimit [C.nr. 592/21] të 10 janarit 2024, të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) përkitazi me këtë lëndë.
Më 22 prill 2024, Gjykata ua dërgoi nga një kopje të kërkesës Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme, si dhe njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës, të cilës i kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë fletë-kthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktvendimin e kontestuar.
Më 26 prill 2024, Gjykata Themelore e dorëzoi në Gjykatë fletë-kthesën e kërkuar.
Më 25 shtator 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin paraprak të propozuar nga Gjyqtarja raportuese dhe vendosi që shqyrtimin e kërkesës ta shtyjë për një seancë të radhës pas plotësimeve shtesë.
Më 27 shtator 2024, Gjykata i kërkoi parashtruesit të kërkesës që ta njoftojë nëse ka ushtruar ndonjë mjet tjetër juridik në lidhje me këtë rast, përveç kërkesëpadisë për pengim të posedimi.
Më 17 tetor 2024, parashtruesi i kërkesës i dorëzoi Gjykatës përgjigjen në kërkesën e saj të 27 shtatorit 2024.
Më 30 tetor 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 6 nëntor 2020, parashtruesi i kërkesës së bashku me Ministrinë e Drejtësisë nënshkruan një Kontratë për dhënien afatgjatë në Shfrytëzim të paluejtshmërisë, së regjistruar në ngastrën kadastrale P-70202016-02234-0/Zonë urbane me sipërfaqe të përgjithshme prej 21.217 m2 (në tekstin e mëtejmë: paluejtshmëria), me qëllim që parashtruesi: (i) ta shfrytëzojë paluejtshmërinë për qëllime komerciale përmes ndërtimeve të përkohshme, si dhe (ii) me detyrim që të ndërtojë stacionin e autobusëve në dobi të Komunës së Vushtrrisë. Kohëzgjatja e kontratës ishte 15 (pesëmbëdhjetë) vite, duke filluar nga 6 nëntori 2020, me qira vjetore prej 25,440 (njëzet e pesë mijë e katërqind e dyzet) euro.
Më 23 nëntor 2020, Komuna e Vushtrrisë lëshoi lejen e rrënimit të objektit ekzistues me numër [nr. 09.Nr.541/20].
Në një datë të paspecifikuar, Ministria e Drejtësisë ia dorëzoi paluejtshmërinë parashtruesit të kërkesës në posedim, i cili më pas aplikoi për leje të ndërtimit pranë Komunës së Vushtrrisë.
Më 12 mars 2021, Komuna e Vushtrrisë lëshoi lejen mjedisore me numër [nr. 08.Nr.120], të parashtruesit të kërkesës.
Më 22 mars 2021, Komuna e Vushtrrisë lëshoi lejen e ndërtimit me numër [nr. 09.Nr. 131/21], në dobi të parashtruesit të kërkesës.
Nga shkresat e lëndës rezulton se në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës filloi punimet për rendimin e objektit, kreu pastrimin dhe përfundoi bazamentet e betonuara përreth pjesës së paraparë për ndërtim dhe lidhi 34 (tridhjetë e katër) shtylla metalike me betonin e bazamentit me qëllim që të ndërtojë ndërtesën e konstruksionit metalik mbi paluajtshmërinë ashtu siç parashihej në leje ndërtimore.
Më 24 prill 2021, Ministria e Drejtësisë përmes Vendimit [Nr. 73/2020] anuloi Kontratën për Shfrytëzim të paluejtshmërisë dhe kërkoi nga Komuna e Vushtrrisë që parashtruesit të kërkesës t’ia ndërpresë punimet.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi për pengimin e posedimit të qetë të palujtshmërisë në Gjykatën Themelore kundër Ministrisë së Drejtësisë dhe Komunës së Vushtrrisë, me arsyetimin se për shkak të veprimeve të të paditurave nuk mund të posedojë lirshëm me palujtshmërinë e marrë me qira, respektivisht nuk mund të ushtrojë pushtetin faktik në paluejtshmëri si dhe të vazhdojë punimet sipas lejes së ndërtimit.
Më 23 shtator 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.592/21] refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për ndërprerjen e procedurës derisa të përfundojë procedura penale, si i pabazuar.
Në Aktvendimin e saj, refuzimin e kërkesëpadisë, Gjykata Themelore e mbështeti në nenin 113 të Ligjit Nr. 03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat e tjera Sendore (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Pronësinë), me arsyetimin se kusht ligjor për t’u konsideruar se ekziston pengimi në posedim, është që të vërtetohet se pengimi është kryer përmes ndonjë veprimi të kundërligjshëm, e që në rastin konkret, sipas tyre, veprimet e organeve shtetërore, respektivisht Ministrisë së Drejtësisë dhe Komunës së Vushtrrisë, në thelb, nuk mund të kualifikohen si akte të pengimit të posedimit, përderisa të njëjtat (i) kanë vepruar në kuadër të autorizimeve që u ka dhënë ligji; dhe përderisa (ii) nuk është vërtetuar se kanë vepruar në mënyrë të kundërligjshme, çështje e cila nuk është objekt i shqyrtimit në këtë lloj kërkesëpadie.
Më 4 tetor 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë kundër Aktvendimit [C.nr.592/21] të 23 shtatorit 2021, për shkak të konstatimit të gabuar të gjendjes faktike, shkeljes së dispozitave kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale. Parashtruesi konkretisht kërkoi që: (i) ankesa t’i miratohej si e bazuar; (ii) të prishet Aktvendimi i Gjykatës Themelore; (iii) të vërtetohet pengimi i posedimit faktik dhe juridik i paluejtshmërisë nga data 31 maj 2021 pa ndërprerje nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe Komunës së Vushtrrisë dhe (iv) të urdhërohen të paditurat që të ndërpresin pengimin e posedimit dhe parashtruesin ta lënë që të ushtrojë posedimin e qetë dhe të papenguar ndaj paluejtshmërisë.
Më 12 tetor 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.9241/2021] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore, me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë: “[...] çështjen kontestuese e ka trajtuar brenda kornizave të procedurës së veçantë kontestimore duke iu përmbajtur kufizimeve që përcakton dispozita e nenit 480 të LPK-së, [...] Nga interpretimi i kësaj dispozite rezulton se gjykata me rastin e vendosjes në çështjen e pengim posedimit kufizohet vetëm në konstatimin dhe të provuarit e fakteve të gjendjes e fundit të posedimit dhe të pengimit të bërë, me objekt mbrojtjen e posedimit nga marrja dhe shqetësimi si dhe rivendosja e gjendjes se fundit të posedimit.”
Për më tepër, Gjykata e Apelit vlerësoi në aktvendimin e saj se: “[...] gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme ka konstatuar se nxjerrja dhe zbatimi i vendimeve dhe ndërmarrja e veprimeve nga organet shtetërore nuk mund të kualifikohen si akte të pengimit të posedimit, përderisa të njëjtat janë duke vepruar në kuadër të autorizimeve që u ka dhënë ligji [...]”, si dhe aplikoi dispozitat relevante ligjore në rastin konkret.
Më 1 dhjetor 2023, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktvendimit [Ac.nr.9241/2021] të 12 tetorit 2023, të Gjykatës së Apelit, për shkak të zbatimit të gabuar të ligjit material.
Nga shkresat shtesë të lëndës rezulton se më 10 janar 2024, Gjykata Supreme, përmes Aktvendimit [C.nr. 592/21], e shpalli të palejueshëm revizionin e parashtruesit të kërkesës bazuar në paragrafin 4 të nenit 483 të Ligjit Nr. 03/L-006 të Procedurës Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK).
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktvendimin e kontestuar i është shkelur e drejta e tij e garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së.
Fillimisht, në lidhje me shkeljen e të drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar përmes paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës, parashtruesi thekson përmbajtjen e këtij neni dhe nënvizon se ky nen i garanton mbrojtje të barabartë ligjore të gjitha palëve në procedurë dhe se vetëm me një vendim të arsyetuar mund të ketë kontroll publik të administrimit të drejtësisë, me ç’rast citon disa raste të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ).
Më konkretisht, parashtruesi pretendon se: “Në rastin konkret gjykatat nuk kanë treguar se në bazë të cilit ligj, një subjekt i të drejtës private nuk ka të drejtë që të kërkoj mbrojtje nga pengimi i posedimit ndaj një organi shtetërorë”. Në këtë kontekst, ai thekson se pretendimi i tij ankimor që Ministria e Drejtësisë nuk mund të shkëpus njëanshëm Kontratën për Shfrytëzim të paluejtshmërisë përmes një vendimi administrativ, i cili pretendim sipas tij është thelbësor, nuk është adresuar as nga gjykata e shkallës së parë e as asaj të dytë.
Për më tepër, parashtruesi nënvizon se kjo lloj kontrate i nënshtrohet dispozitave të Ligjit Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve (në tekstin e mëtejmë: LMD) dhe si e tillë mund të anulohet vetëm duke aplikuar nenet 89 (Nuliteti) dhe 97 (Kontratat e Rrëzueshme) të LMD-së përmes procedurës gjyqësore. Parashtruesi po ashtu duke u bazuar në paragrafin 1 të nenit 111 (Veprimet e kundërligjshme në posedim) të Ligjit për pronësi, konsideron se ka qenë në posedim të paluejtshmërisë me rastin e pengimit, ka pasur lejen ndërtimore si dhe posedimin e ka fituar në bazë të kontratës, e cila në asnjë instancë nuk është anuluar apo shkëputur. Në këtë drejtim, ai thekson se: “Gjykata nuk ka vërtetuar se mbi cilën bazë pengimi ose posedimi i themeluar ligjërisht nga Parashtruesi i Kërkesës lejohet me ligj ose vendim të gjykatës”.
Ndërsa, sa i përket të shkeljes së të drejtës në pronë, të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës thekson se e drejta e posedimit sipas jurisprudencës së GJEDNJ-së, është njohur si e “drejtë në pronësi”, dhe se në rastin konkret përveç të drejtës së posedimit, ai ka të drejtën edhe të pronësisë në investimet që i ka bërë në paluejtshmëri, pasi që i ka vendosur themelet e betonuara për ndërtesë si dhe ka vendosur edhe shtyllat e lidhura me bazament, duke përfshirë përfitimet ekonomike nga investimi, si dhe të drejtat që rrjedhin nga e leja e ndërtimit.
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës në thelb pretendon se Ministria e Drejtësisë ka ndërprerë “kundërligjshëm” dhe në mënyrë të “njëanshme” marrëdhënien e tyre kontraktuale përmes një vendimi administrativ, i cili ka anuluar Kontratën për Shfrytëzim të palujtshmërisë, dhe se duke anashkaluar procedurën gjyqësore për anulim të kësaj kontrate sipas dispozitave të LMD-së, ka privuar parashtruesin nga ushtrimi i të drejtave të posedimit mbi paluejtshmërinë e kontraktuar.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të shpallë (i) kërkesën e tij të pranueshme; (ii) të aprovojë kërkesën për masë të përkohshme; (iii) të urdhërojë Ministrinë e Drejtësisë dhe Komunën e Vushtrrisë që të ndërprejnë pengimin e posedimit të paluejtshmërisë si dhe (iv) të shfuqizojë Aktvendimin e Gjykatës Themelore.
Kërkesa për masë të përkohshme
Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij para Gjykatës kërkoi nga Gjykata që të vendosë masën e përkohshme për të evituar dëmet e pariparueshme ndaj paluejtshmërisë që e kishte pasur në posedim bazuar në marrëdhënie kontraktuale, me arsyetimin si në vijim: “Vazhdimi i privimit të Parashtruesit të Kërkesës për përdorimin e pronës se tij përbën shkelje të rëndë kushtetuese i shkakton dëme të rënda dhe të [paparashikueshme] Parashtruesit të Kërkesës në ushtrimin e të drejtave të tij Kushtetuese. Parashtruesi i Kërkesës e shfrytëzon pronën e tij për investim dhe për përfitime ekonomike.”
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1.Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për gjykim të drejtë)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë [...].”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT [e miratuar më 4 nëntor 1950 nga Këshilli i Evropës]
Neni 6
(E drejta për gjykim të drejtë)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm [...].”
PROTOKOLLI SHTESË NR. 1 I KONVENTËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT [i miratuar më 20 mars 1952 nga Këshilli i Evropës]
Neni 1
(Mbrojtja e pronës)
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cënojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera.”
LIGJI NR. 03/L-154 PËR PRONËSINË DHE TË DREJTAT TJERA SENDORE
Neni 104
(Fitimi i posedimit)
“Posedimi në një send fitohet me krijimin e pushteti faktik mbi sendin. Marrëveshja e poseduesit të mëparshëm dhe e fituesit të posedimit është e mjaftueshme për fitimin e posedimit, nëse fituesi është në gjendje që të ushtrojë pushtetin mbi sendin në momentin e marrëveshjes.”
Neni 111
(Veprimet e kundërligjshme në posedim)
“1. Personi i cili e privon nga posedimi poseduesin ose e pengon në posedim kundër vullnetit të poseduesit vepron kundërligjshëm, përveç nëse privimi ose pengimi lejohen shprehimisht me ligj.
2. Posedimi i fituar si rezultat i pengimit të kundërligjshëm është me të metë. Pasardhësi i posedimit tillë duhet të pranojë të metën e posedimit, nëse ai ishte në dijeni për të metën apo ai është trashëgimtar i poseduesit.
[...]”
Neni 113
(Kërkesa kundër pengimit në posedim)
“1. Nëse poseduesi privohet nga posedimi në mënyrë të kundërligjshme, poseduesi mund të kërkojë rivendosjen e posedimit prej personit ndërhyrës, i cili në raport me poseduesin është në posedim me të meta.
2. Nëse poseduesi pengohet në posedim në mënyrë të kundërligjshme, atëherë poseduesi mund të kërkojë nga penguesi mënjanimin e pengesave. Nëse priten pengime në të ardhmen, poseduesi mund të kërkoj mbrojtje gjyqësore.
3. Kërkesa kundër ndërhyrjes në posedim është e përjashtuar në qoftë se poseduesi e ka posedimin me të meta në raport me penguesin ose të drejtën e paraardhësit të penguesit.”
LIGJI NR. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE
NËNKREU 4
PAVLEFSHMËRIA E KONTRATËS
I. KONTRATAT NULE
Neni 89
(Nuliteti)
“1. Kontrata që është në kundërshtim me rendin publik, dispozitat urdhëruese, ose moralin e shoqërisë është nule, në qoftë se qëllimi i rregullës së cenuar nuk udhëzon në ndonjë sanksion tjetër apo në qoftë se ligji në rastin e caktuar nuk parashikon diç tjetër. 2. Në qoftë se lidhja e kontratës së caktuar është e ndaluar vetëm për njërën palë, kontrata do të jetë e vlefshme, në qoftë se në ligj nuk është parashikuar ndryshe për rastin e caktuar, ndërsa pala që e ka cenuar ndalesën ligjore do të pësojë pasoja përkatëse.
[...]”
Neni 97
(Kontrata e rrëzueshme)
“Kontrata është e rrëzueshme kur e ka lidhur pala me aftësi të kufizuar për të vepruar, kur gjatë lidhjes së saj ka pasur të meta në pikëpamje të vullnetit të palëve, si dhe kur kjo gjë është caktuar me këtë ligj ose me dispozitë të veçantë.”
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 480
(pa titull)
“Shqyrtimi i çështjes sipas padisë për shkak të pengimit të posedimit do të kufizohet vetëm në konstatimin dhe të provuarit e fakteve të gjendjes së fundit të posedimit dhe të pengimit të bërë. Përjashtohet mundësia e shqyrtimit lidhur me të drejtën e posedimit, me bazën juridike, ndërgjegjshmërinë ose pandërgjegjshmërinë e posedimit. Përjashtohet mundësia që në kontestet për shkak të pengimit të posedimit të parashtrohet kërkesa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar me anë të veprimeve me të cilat është bërë pengimi i posedimit.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.”
Gjykata gjithashtu i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale), nenit 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe nenit 49 (Afatet) të Ligjit të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të këtë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor.”
Gjykata fillimisht vëren se në pajtim me paragrafin 4 të nenit 21 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të paraqesë ankesë kushtetuese, duke iu referuar shkeljeve të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të tij, të vlefshme për individët dhe personat juridik (shih rastin e Gjykatës Kushtetuese nr. KI41/09, parashtruesi i kërkesës Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendim për papranueshmëri i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14; dhe KI35/18, me parashtrues “Bayerische Versicherungsverbrand”, Aktgjykim i 11 dhjetorit 2019, paragrafi 40).
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është: (i) palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik përkatësisht Aktvendimin [Ac.nr.9241/2021], e 12 tetorit 2023, të Gjykatës së Apelit në lidhje me Aktvendimin [C.nr.592/21] e 23 shtatorit 2021, të Gjykatës Themelore; (ii) ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; si dhe (iii) e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Në mënyrë që Gjykata të vazhdojë vlerësimin e kritereve tjera të pranueshmërisë së kërkesës, Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës kundër Ministrisë së Drejtësisë dhe Komunës së Vushtrrisë, për shkak të pengimit të posedimit të paluejtshmërisë, të cilën Ministria e Drejtësisë më 6 nëntor 2020, ia kishte dhënë në shfrytëzim për qëllime komerciale përmes një kontrate, me kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjetë) viteve, me qira vjetore prej 25,440 (njëzet e pesë mijë e katërqind e dyzet) euro, dhe të cilën kontratë, më 21 prill 2021, e kishte anuluar përmes Vendimit [Nr. 73/2020], me ç’rast kërkoi nga Komuna e Vushtrrisë që parashtruesit të kërkesës t’ia ndërpresë punimet në atë paluejtshmëri. Më 23 shtator 2021, Gjykata Themelore refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për pengim të posedimit, të cilin aktvendim e vërtetoi më 12 tetor 2023 edhe Gjykata e Apelit sipas ankesës së tij, me arsyetimin se kusht ligjor për t’u konsideruar se ekziston pengimi në posedim, është që të vërtetohet se pengimi është kryer përmes ndonjë veprimi të kundërligjshëm, e që në rastin konkret, sipas tyre, veprimet e organeve shtetërore, respektivisht Ministrisë së Drejtësisë dhe Komunës së Vushtrrisë, në thelb, nuk mund të kualifikohen si akte të pengimit të posedimit, përderisa të njëjtat (i) janë duke vepruar në kuadër të autorizimeve që u ka dhënë ligji; dhe përderisa (ii) nuk është vërtetuar se kanë vepruar në mënyrë të kundërligjshme, çështje e cila nuk është objekt i shqyrtimit në këtë lloj kërkesëpadie.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktvendimin e kontestuar i janë shkelur të të drejtat e tij të mbrojtura me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së, në thelb, për shkak të: (i) mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, përfshirë pretendimin për mosadresimin e shkëputjes së njëanshme të Kontratës për Shfrytëzim të paluejtshmërisë përmes një vendimi administrativ, si pretendim kryesor ankimor; si dhe (ii) privimit të së drejtës së pronësisë në investimet që i ka bërë në paluejtshmëri si rezultat i pengimit të posedimit të saj.
Andaj, në vijim, Gjykata do të trajtojë veç e veç pretendimet e lartcekura të parashtruesit të kërkesës.
(i) Pretendimet përkitazi me shkeljen e të drejtës për vendim të arsyetuar gjyqësor
Në kontekst të pretendimit për shkeljen garancisë procedurale për vendim të arsyetuar gjyqësor në kuadër të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [Ac.nr.9241/2021], e 12 tetorit 2023, të Gjykatës së Apelit, përmes të cilit vërtetohet Aktvendimi [C.nr.592/21] i 23 shtatorit 2021, të Gjykatës Themelore për refuzimin e kërkesëpadisë së tij për pengim të posedimit të paluejtshmërisë.
Gjykata vë në dukje se parashtruesi kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme, i cili ishte shpallur i papranueshëm sepse, sipas paragrafit 4 të nenit 483 të LPK-së, revizioni nuk lejohet në kontestet për shkak të pengim posedimit. Duke qenë mjeti i fundit efektiv juridik ankesa, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës në lidhje me këtë pretendim, ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me Ligj dhe Rregullore.
Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Paragrafi (2) i rregullit 34 të Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, paragrafi (2) i rregullit 34 të Rregullores së punës, përcakton që:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Gjykata fillimisht thekson se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës. Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GJEDNJ-së Kemmachev kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykim i 24 nëntorit 1994, paragrafi 44, Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005, paragrafi 55; Mentzen kundër Letonia, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008, dhe rastet e Gjykatës KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 prillit 2021, paragrafi 26; KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 tetorit 2021, paragrafi 53; dhe KI05/23 parashtrues Branislav Gajin, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 janarit 2024, paragrafi 51).
Në kontekst të vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të saj dhe ato të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Në parim, Gjykata rithekson se garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së përfshijnë detyrimin që gjykatat të japin arsye të mjaftueshme për vendimet e tyre (shih, rastin e GJEDNJ-së, H. kundër Belgjikës, Aktgjykimi i 30 nëntorit 1987, paragrafi 53; si dhe shih rastet e Gjykatës KI230/19, me parashtrues Albert Rakipi, Aktgjykim i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 139 dhe rastin KI87/18, me parashtrues IF Skadiforsikring, Aktgjykim i 27 shkurtit 2019, paragrafi 44 dhe KI143/22, parashtrues Hidroenergji sh.p.k, Aktgjykim, i 15 dhjetorit 2022, paragrafi 113). Vendimi i arsyetuar gjyqësor u tregon palëve se rasti i tyre është shqyrtuar me të vërtetë.
Gjykata po ashtu thekson se bazuar në praktikën e saj gjyqësore, gjatë vlerësimit të parimit i cili i referohet administrimit të duhur të drejtësisë, vendimet e gjykatave duhet të përmbajnë arsyetimin në të cilat ato bazohen. Shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret. Janë argumentet thelbësore të parashtruesve të kërkesës që duhet të adresohen dhe arsyet e dhëna duhet të jenë të bazuara në ligjin e aplikueshëm (shih në mënyrë të ngjashme rastet e GJEDNJ-së Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim, i 29 janarit 1999, paragrafi 29; Hiro Balani kundër Spanjës, nr. 18064/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 27; dhe Higgins dhe të tjerët kundër Francës, Aktgjykim i 19 shkurtit 1998, paragrafi 42, shih, po ashtu, rastin e Gjykatës KI97/16, me parashtrues IKK Classic, Aktgjykim i 4 dhjetorit 2017, paragrafi 48; dhe rastin KI87/18, me parashtrues IF Skadeforsikring, të cituar më lart, paragrafi 48). Duke mos kërkuar një përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar (shih rastin Moreira Ferreira kundër Portugalisë, Aktgjykim i 5 korrikut 2011, paragrafi 84 dhe të gjitha referencat e përdorura aty; si dhe rastet e Gjykatës KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, cituar më lart, paragrafi 137, KI107/21, me parashtrues Ramiz Hoti, cituar më lart, paragrafët 69). Për më tepër, në përputhje me praktikën gjyqësore të lartcekur, gjykata e shkallës më të lartë, gjegjësisht, gjykata e apelit apo ajo supreme, në parim, thjesht mund të pranojë arsyetimin e vendimit të dhënë nga gjykata më e ulët (shih rastin e GJEDNJ-së, García Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafi 26).
Duke iu kthyer rrethanave të rastit konkret, përkitazi me pretendimin për mosarsyetim të vendimit gjyqësor, Gjykata ripërsërit pretendimin e parashtruesit të kërkesës se gjykatat e rregullta përmes aktvendimeve të tyre nuk kanë treguar se në bazë të cilit ligj, një subjekt i të drejtës private nuk ka të drejtë që të kërkojë mbrojtje nga pengimi i posedimit ndaj një organi shtetëror dhe se pretendimi i tij thelbësor ankimor që Ministria e Drejtësisë nuk mund të shkëpus njëanshëm Kontratën për Shfrytëzim të paluejtshmërisë përmes një vendimi administrativ, nuk është adresuar as nga gjykata e shkallës së parë e as asaj të dytë. Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se parashtruesi në kërkesën e tij thekson po ashtu se Kontrata për Shfrytëzim të paluejtshmërisë në rastin konkret i nënshtrohet dispozitave të LMD-së, dhe si rezultat mund të anulohet vetëm përmes procedurës gjyqësore të përcaktuar me nenet 89 dhe 97 të LMD-së.
Nga shkresat e lëndës, Gjykata vëren se Ministria e Drejtësisë duke lidhur Kontratën për Shfrytëzim të paluejtshmërisë, kishte hyrë në marrëdhënie kontraktuale me parashtruesin e kërkesës. Në këtë kontekst, Gjykata thekson se sipas nenit 9 (Aplikimi i dispozitave ligjore dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve) të po kësaj kontrate, palë ishin pajtuar që çështjet që nuk janë rregulluar në këtë kontratë të cilat paraqiten gjatë zbatimit të saj do të aplikohen dispozitat e LMD-së, ndërsa sipas nenit 11 (Zgjidhja e mosmarrëveshjeve) të saj, kompetente për zgjidhjen e kontestit për zbatimin e dispozitave të kësaj kontratë, është Gjykata Themelore në Prishtinë.
Megjithatë, Gjykata konsideron se procedura në rastin konkret ka të bëjë me kërkesëpadi për shkak të pengim posedimit, respektivisht posedimit të paluejtshmërisë, pronar i së cilës nuk është parashtruesi i kërkesës, por të cilit i është dhënë në shfrytëzim e njëjta përmes një kontrate, kontratë që është anuluar më pas nga pronari i paluejtshmërisë përmes një vendimi administrativ, gjegjësisht Ministria e Drejtësisë. Në këtë drejtim, Gjykata vë në dukje se objekt i shqyrtimit të kësaj kërkese nuk është procedura e ligjshmërisë së zgjidhjes së kontratës së lartcekur.
Në vlerësimin e pretendimit të parashtruesit të kërkesës përkitazi me shkeljen e të drejtës për vendim të arsyetuar gjyqësor, Gjykata vë në pah arsyetimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore, e cila theksoi, ndër të tjera, se:
“Në rastin konkret, si kusht ligjor për tu konsideruar se ekziston pengimi në posedim, është p.sh. që të paditurat të ndërmarrin ndonjë veprim të kundërligjshëm, e në rastin konkret ligjshmëria apo jo e vendimeve dhe e veprimeve të të paditurave është konstatuar dhe vërtetuar nga një organ kompetent, ndërsa në këtë procedurë të pengim posedimit nuk është objekt vlerësimi ligjshmëria e tyre.
Në rastin konkret nxjerrja dhe zbatimi i vendimeve dhe ndërmarrja e veprimeve nga organet shtetërore nuk mund të kualifikohen si akte të pengimit të posedimit, përderisa të njëjtat janë duke vepruar në kuadër të autorizimeve që u ka dhënë ligji.
[....]
Gjykata në rastin konkret nuk e ka pas objekt shqyrtimi; shqyrtimin e ligjshmërinë se kontratës për dhënien në shfrytëzim të paluajtshmërisë objekt kontesti, vendimin e të paditurës se pare, me të cilën është anuluar kontrata e tillë, dhe as të urdhëresave për ndalim të punimeve paditëses, të të paditurës së dytë, mirëpo objekt shqyrtimin ka pas vetëm konstatimin dhe te provuarit e fakteve të gjendjes së fundit të posedimit dhe të pengimit të bërë. Nga shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar, se që nga momenti i marrjes së vendimit nga e paditura e parë për anulimin e kontratës për dhënien në shfrytëzim të paluajtshmërisë, akt i cili gjykata konsideron se e ka shkëputur raportin civilo - juridik, të drejtë posedimi në paluajtshmërinë kontestuese, ka pasur vetëm e paditura e parë, ndërsa paditësja është zhveshur nga një e drejtë e tillë dhe qëndrimi edhe me tutje i paditëses në paluajtshmërinë kontestuese, nuk mund te konsiderohet se ka qëndruar në bazë të marrëveshjes (kontratës) se palëve ndërgjyqëse siç pretendon paditësja, sepse me dispozitën e nenit 104 te Ligji Nr. 031L-154 për pronësinë dhe të drejtat tjera sendore përcaktohet se: ... Marrëveshja e poseduesit të mëparshëm (në rastin konkret e paditura e parë) dhe e fituesit të posedimit (paditëses) është e mjaftueshme për fitimin e posedimit, nëse fituesi është në gjendje që të ushtrojë pushtetin mbi sendin në momentin e marrëveshjes".
Në rastin konkret qëndrimi i paditëses edhe me tutje ne palujtshmërinë kontestuese dhe pretendimi i tij se pas datës 31.05.2021 është penguar nga të paditurat në posedim, nuk qëndron sepse në mes të palëve ndërgjyqëse respektivisht të të paditurës së parë dhe paditëses, nuk ka ekzistuar një pëlqim i dyanshëm, (siç kërkohet me dispozitën e nenit 104 te Ligji nr. 03/L-154 për pronësinë dhe të drejtat tjera sendore sepse e paditura e parë e ka anuluar njëanshëm kontratën për dhënien në shfrytëzim të paluajtshmërisë), që paditësja ta posedoj edhe me tutje paluajtshmërinë kontestuese, andaj; rrjedhimisht paditësja e ka humbur të drejtën, e posedimit të kësaj paluajtshmërie kontestuese, se, që nga momenti i manjës së vendimit nga ana e të paditurës së parë, për anulimin e kontratës e kjo në përshtatshmëri me nenin 2 te LMD-se ku përcaktohet se: Pjesëmarrësit në marrëdhëniet e detyrimeve janë të lirë, që në pajtim me dispozitat urdhëruese, të rendit publik dhe të dokeve të mira, t'i rregullojnë marrëdhëniet e veta sipas vullnetit të tyre. Pra në rastin konkret ka munguar vullneti i njërës pale ndërgjyqese respektivisht të të paditurës së parë, për vazhdimin e raportit civilo-juridik me paditësen.”
Gjykata rikujton edhe arsyetimin e Gjykatës së Apelit, e cila në aktvendimin e saj e vërtetoi aktvendimin e gjykatës më të ulët, me ç’rast gjithashtu konstatoi se nxjerrja dhe zbatimi i vendimeve dhe ndërmarrja e veprimeve nga organet shtetërore nuk mund të kualifikohen si akte të pengimit të posedimit përderisa të njëjtat janë duke vepruar në kuadër të autorizimeve që u ka dhënë ligji, duke theksuar, ndër të tjera, se: “[...] që nga momenti i marrjes së vendimit nga e paditura e parë për anulimin e kontratës për dhënien në shfrytëzim të paluajtshmërisë, akt i cili gjykata konsideron se e ka shkëputur raportin civil -juridik, ndërsa paditësi është zhveshur nga një e drejtë e tillë dhe qëndrimi edhe me tutje i paditësit në paluajtshmërinë kontestuese, nuk mund të konsiderohet se ka qëndruar në bazë të marrëveshjes (kontratës) së palëve ndërgjyqëse siç pretendon paditësi, sepse me dispozitën e nenit 104 të Ligji Nr. 03/L-154 për pronësinë dhe të drejtat tjera sendore përcaktohet se: "Marrëveshja e poseduesit të mëparshëm (në rastin konkret e paditura e parë) dhe e fituesit të posedimit (paditëses) është e mjaftueshme për fitimin e posedimit, nëse fituesi është ne gjendje që të ushtrojë pushtetin mbi sendin në momentin e marrëveshjes". Përveç kësaj gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar të gjitha pretendimet ankimore të cilat i janë referuar pretendimeve për gjendjen faktike, por i ka vlerësuar si të pa rëndësishme për të vendosur ndryshe lidhur me ankesën e të autorizuarit të paditësit.”
Në vijim, për efekt sqarimi, Gjykata gjithashtu thekson përmbajtjen e nenit 104 (Fitimi i posedimit) të Ligjit për Pronësinë, i cili përcakton se: “Posedimi në një send fitohet me krijimin e pushteti faktik mbi sendin. Marrëveshja e poseduesit të mëparshëm dhe e fituesit të posedimit është e mjaftueshme për fitimin e posedimit, nëse fituesi është në gjendje që të ushtrojë pushtetin mbi sendin në momentin e marrëveshjes.” Gjykata i referohet edhe paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 113 (Kërkesa kundër pengim posedimit) të Ligjit për Pronësinë, të cilët përcaktojnë kushtet se kur mund të parashtrohet një padi për pengim të posedimit, gjegjësisht: “1. Nëse poseduesi privohet nga posedimi në mënyrë të kundërligjshme, poseduesi mund të kërkojë rivendosjen e posedimit prej personit ndërhyrës, i cili në raport me poseduesin është në posedim me të meta” dhe se “2. Nëse poseduesi pengohet në posedim në mënyrë të kundërligjshme, atëherë poseduesi mund të kërkojë nga penguesi mënjanimin e pengesave. Nëse priten pengime në të ardhmen, poseduesi mund të kërkoj mbrojtje gjyqësore”. Gjykata po ashtu vëren se sipas rregullave të procedurës kontestimore në lidhje me kontestet për shkak të pengim posedimit, gjegjësisht nenit 480 (pa titull) të LPK-së, gjykatat e rregullta kufizohen në shqyrtimin e çështjes “[...] vetëm në konstatimin dhe të provuarit e fakteve të gjendjes së fundit të posedimit dhe të pengimit të bërë[...]”. Tutje, po ky nen përjashton edhe (i) mundësinë e shqyrtimit lidhur me të drejtën e posedimit, me bazën juridike, ndërgjegjshmërinë ose pandërgjegjshmërinë e posedimit, si dhe (ii) mundësinë që në kontestet për shkak të pengimit të posedimit të parashtrohet kërkesa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar me anë të veprimeve me të cilat është bërë pengimi i posedimit.
Gjykata vëren se dispozitat e lartcekura ligjore i kufizojnë gjykatat e rregullta në shqyrtimin e padive për pengim të posedimit vetëm në konstatimin dhe të provuarit e fakteve të gjendjes së fundit të posedimit dhe të pengimit të bërë. Në këtë drejtim, nga arsyetimi i vendimeve të gjykatave të rregullta rezulton se Vendimi [Nr. 73/2020], i 24 prillit 2021, të Ministrisë së Drejtësisë, i cili sipas tyre, përbën vendim të bazuar në ligj deri sa nuk vërtetohet e kundërta, ka ndryshuar gjendjen e pushtetit faktik mbi sendin, gjegjësisht, ka anuluar Kontratën e Shfrytëzimit të paluejtshmërisë, e cila i ka mundësuar parashtruesit të kërkesës që të ushtrojë këtë pushtet mbi paluejtshmërinë e kontestuar. Rrjedhimisht, në mungesë të kontratës së vlefshme për shfrytëzimin e paluejtshmërisë, si dhe duke u bazuar në faktin se objekt i shqyrtimit të kësaj kërkesëpadie nuk ishte ligjshmëria e vendimit të lartcekur të Ministrisë së Drejtësisë, e cila çështje mund të kontestohet në një procedurë të ndarë gjyqësore, gjykatat e rregullta kishin vendosur të refuzojnë kërkesëpadinë e parashtruesit për pengim të posedimit të paluejtshmërisë së kontestuar.
Gjykata, bazuar në parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën në një vendim të arsyetuar gjyqësor e të shtjelluara më lart, rikujton se në adresimin e pretendimeve të parashtruesve përkatës, (i) gjykatat e rregullta, janë të detyruara që të japin përgjigje, ndër të tjera, lidhur me ato pretendime të cilat janë thelbësore ose përcaktuese për rrethanat e një rasti, si dhe që (ii) gjykata e shkallës më të lartë në parim, thjesht mund të pranojë arsyetimin e vendimit të dhënë nga gjykata më e ulët.
Në rastin konkret, Gjykata rithekson se në thelb, gjykatat e rregullta kishin refuzuar padinë e parashtruesit për pengim të posedimit, me arsyetimin se kusht ligjor për t’u konsideruar se ekziston pengimi në posedim, është që të vërtetohet se pengimi është kryer përmes ndonjë veprimi të kundërligjshëm, e që në rastin konkret, sipas tyre, vendimi i lartcekur i Ministrisë së Drejtësisë dhe veprimet e Komunës së Vushtrrisë për zbatimin e të njëjtit, nuk mund të kualifikohen si akte të pengimit të posedimit, përderisa të njëjtat (i) kanë vepruar në kuadër të autorizimeve që u ka dhënë ligji; dhe përderisa (ii) nuk është vërtetuar se kanë vepruar në mënyrë të kundërligjshme, çështje e cila nuk është objekt i shqyrtimit në këtë lloj kërkesëpadie. Për më tepër, nga arsyetimi i Gjykatës së Apelit, rezulton se e njëjta nuk ka pranuar thjesht arsyetimin e gjykatës më të ulët por e ka arsyetuar edhe më tej vendimmarrjen në këtë rast sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Thënë këtë, Gjykata vlerëson se arsyetimi i dhënë nga Gjykata e Apelit lidhur me interpretimin e saj në lidhje me arsyet për refuzimin e kërkesëpadisë në fjalë, ka arritur t’i jep përgjigje pretendimeve ankimore të parashtruesit të kërkesës. Në këtë drejtim, Gjykata vë në dukje se ligjshmëria e shkëputjes së kontratës, e pretenduar nga parashtruesi i kërkesës mund të ngritët në procedurë të ndarë gjyqësore dhe jo në procedurën e shqyrtimit të kërkesëpadisë për pengim të posedimit, e cila procedurë është objekt shqyrtimi para kësaj Gjykate.
Më specifikisht, Gjykata rithekson se Gjykata e Apelit përmes aktvendimit të saj të kontestuar ka adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës të paraqitura në kërkesën e tij , ndër të tjera, në lidhje me (i) aplikimin e dispozitave ligjore në fuqi dhe (ii) “nulitetin” e vendimit të Ministrisë së Drejtësisë duke specifikuar se i njëjti nuk është objekt shqyrtimi në këtë rast, dhe për pasojë konsideron se nuk rezulton se procedurat e zhvilluara të kenë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” që do ta bënte vendimmarrjen e tyre të papajtueshme me standardet e një vendimi të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor (shih, mutatis mutandis, rastin e Gjykatës, KI55/19, parashtrues Ramadan Osmani, Aktvendim për Papranueshmëri, i 23 janarit 2020, paragrafi 46).
Në këtë kontekst, Gjykata, duke u bazuar në sqarimet si me sipër, dhe në mënyrë specifike duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara më lart, konsideron se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor.
Rrjedhimisht, pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor në kuptim të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me paragrafin (2) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës.
(ii) Pretendimet përkitazi me shkeljen e të drejtës në pronë
Përkitazi me pretendimet për shkeljen e nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës në thelb pretendon se Ministria e Drejtësisë ka ndërprerë “kundërligjshëm” dhe në mënyrë të “njëanshme” marrëdhënien e tyre kontraktuale përmes Vendimit [Nr. 73/2020] të 24 prillit 2021, për anulimin e Kontratës për Shfrytëzim të paluejtshmërisë, të lidhur më 6 nëntor 2020, si dhe duke anashkaluar procedurën gjyqësore për anulim të kësaj kontrate sipas dispozitave të LMD-së, ka privuar parashtruesin nga ushtrimi i të drejtave të posedimit mbi paluejtshmërinë e kontraktuar, respektivisht ka shkelur të drejtën e pronësisë në investimet që i ka bërë në paluejtshmëri, pasi që i ka vendosur themelet e betonuara për ndërtesë si dhe ka vendosur edhe shtyllat e lidhura me bazament, duke përfshirë përfitimet ekonomike nga investimi, si dhe të drejtat që rrjedhin nga e leja e ndërtimit.
Me qëllim të vlerësimit të pranueshmërisë së këtij pretendimi në kontekst të përmbushjes së kriterit të shterimit të mjeteve juridike, Gjykata rikujton se sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit, çdo individ ka të drejtë të kërkojë mbrojtje juridike nga Gjykata Kushtetuese në rast se konsideron se të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të parashtrojë kërkesën në fjalë vetëm pasi të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata po ashtu i referohet pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 të Rregullores së punës, i cili përcakton që:
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(b) janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me Ligj kundër aktgjykimit ose vendimit të kontestuar ”
Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se kushtet për të vlerësuar nëse janë përmbushur detyrimet për të shteruar të gjitha “mjetet efektive juridike” janë të përcaktuara mirë në praktikën e GJEDNJ-së, në përputhje me të cilën, sipas nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, i cili është cekur më lart, Gjykata është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se praktika e GJEDNJ-së dhe e kësaj Gjykate, në parim, njeh tri kategori të rasteve kur kërkesa e paraqitur mund të shpallet e papranueshme për shqyrtim për shkak të mos shterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj, përkatësisht (i) “mosshterimi procedural” (shih, ndër tjerash, rastet e Gjykatës, KI219/21, me parashtrues Isuf Ferati, Aktvendim për Papranueshmëri, i 19 korrikut 2022, paragrafët 26 dhe 28; dhe KI193/20, me parashtrues Bujar Hoti, Aktvendim për Papranueshmëri, i 5 majit 2021, paragrafët 26-28; dhe rastet e GJEDNJ-së, Civet kundër Francës, kërkesa nr. 29340/95, Aktgjykim i 28 shtatorit 1999, paragrafi 41; Demopoulos dhe të tjerët kundër Turqisë, kërkesat nr. 46113/99, 3843/02, 13751/02, 13466/03, 10200/04, 14163/04, 19993/04, 21819/04, Vendim i 10 mars 2010, paragrafët 69 dhe 97; (ii) “mosshterimi substancial” (shih, ndër tjerash, rastet e Gjykatës, KI71/22, me parashtrues Muhamet Mehmeti, Aktvendim për Papranueshmëri, i 14 nëntorit 2023, paragrafët 53-57; KI155/18, me parashtrues Benson Buza, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 shtatorit 2019, paragrafi 50; dhe rastet e GJEDNJ-së, Haxhia kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 29861/03, Aktgjykim i 8 tetorit 2013, paragrafët 149 dhe 152; Castells kundër Spanjës, kërkesa nr. 11798/85, Aktgjykim i 23 prillit 1992, paragrafi 32; Ahmet Sadik kundër Greqisë, kërkesa nr. 18877/91, Aktgjykim i 15 nëntorit 1996, paragrafi 33; Gäfgen kundër Gjermanisë, kërkesa nr. 22978/05, Aktgjykim, i 1 qershorit 2010, paragrafët 142, 144 dhe 146); dhe (iii) “kërkesë e parakohshme” (shih, ndër tjerash, rastet e Gjykatës, KI09/19, me parashtrues Leutrim Hajdari, Aktvendim për Papranueshmëri, i 5 shkurtit 2020, paragrafët 40-43; KI179/20, me parashtrues Telekom i Kosovës Sh.A, Aktvendim për Papranueshmëri, i 27 janarit 2021, paragrafi 95; dhe KI49/22, me parashtrues Zejnel Ninaj, Aktvendim për Papranueshmëri, i 30 gusht 2023, paragrafi 59; dhe rastet e GJEDNJ-së, Bilsena Šahman kundër Bosnje dhe Hercegovinës, kërkesa nr. 40110/16, Vendim i 25 prillit 2017 dhe Alenka Šaver kundër Sllovenisë, kërkesa nr. 18105/13, Vendim i 7 shkurtit 2017).
Duke ju rikthyer rrethanave të rastit konkret, Gjykata rikujton se Ministria e Drejtësisë kishte hyrë në marrëdhënie kontraktuale me parashtruesin e kërkesës, sipas të cilës kontratë, palët ishin pajtuar që çështjet që nuk janë rregulluar në këtë kontratë dhe që paraqiten gjatë zbatimit të saj do të aplikohen dispozitat e LMD-së, ndërsa kompetente për zgjidhjen e kontestit është Gjykata Themelore në Prishtinë. Megjithatë, Gjykata rithekson se procedura në rastin konkret ka të bëjë me kërkesëpadi për shkak të pengim posedimit, respektivisht posedimit të paluejtshmërisë, pronar i së cilës nuk është parashtruesi i kërkesës, por të cilit i është dhënë në shfrytëzim e njëjta përmes një kontrate, kontratë që është anuluar më pas nga pronari i paluejtshmërisë përmes një vendimi administrativ, gjegjësisht Ministria e Drejtësisë.
Gjykata po ashtu rikujton se sipas rregullave të procedurës kontestimore në lidhje me kontestet për shkak të pengim posedimit, respektivisht, nenit 480 të LPK-së, gjykatat e rregullta kufizohen në shqyrtimin e çështjes vetëm në konstatimin dhe të provuarit e fakteve të gjendjes së fundit të posedimit dhe të pengimit të bërë dhe se në këtë lloj procedure, përjashtohet (i) mundësia e shqyrtimit lidhur me të drejtën e posedimit, me bazën juridike, ndërgjegjshmërinë ose pandërgjegjshmërinë e posedimit, si dhe (ii) mundësia që në kontestet për shkak të pengimit të posedimit të parashtrohet kërkesa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar me anë të veprimeve me të cilat është bërë pengimi i posedimit.
Në anën tjetër, Gjykata po ashtu rithekson se objekt i shqyrtimit në procedurën gjyqësore për vlerësimin e kërkesëpadisë për shkak të pengim posedimit, të cilën procedurë parashtruesi e ka kontestuar para Gjykatës, nuk është as (i) anulimi i Kontratës për shfrytëzim të paluejtshmërisë, dhe as (ii) ligjshmëria e nxjerrjes së Vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për anulim të kontratës së lartcekur, të cilat çështje juridike mund të jenë objekt shqyrtimi në procedura tjera kontestimore/administrative.
Meqenëse në rastin konkret, nuk është kontestuese se parashtruesi i kërkesës nuk është pronar i paluejtshmërisë, dhe që i njëjti pretendon të drejtë të pronësisë në investimet që i ka bërë në paluejtshmërinë, e cila e drejtë i derivon nga kontrata për shfrytëzim, Gjykata konsideron se procedura e ndjekur nga parashtruesi i kërkesës, respektivisht, procedura kontestimore për shkak të pengimit të posedimit, nuk mund t’i ofrojë përgjigje atij në lidhje me pretendimet e tij për shkeljen e të drejtës në pronë, respektivisht ligjshmërinë e shkëputjes së kontratës për shfrytëzim të paluejtshmërisë, i cili kontest mund të ngritët në procedurë të ndarë gjyqësore në përputhje me dispozitat e përcaktuara në po atë kontratë, respektivisht, nenet 9 dhe 11 të saj.
Në rastin konkret, Gjykata po ashtu rikujton se më 27 shtator 2024, i kërkoi parashtruesit të kërkesës që ta njoftojë nëse ka ushtruar ndonjë mjet tjetër juridik në lidhje me këtë rast, përveç kërkesëpadisë për pengim të posedimi. Më 17 tetor 2024, parashtruesi i kërkesës e informoi Gjykatën se më 2 mars 2022, parashtroi padi për vërtetimin e kontratës së qirasë në Gjykatën Komerciale, e cila padi, sipas tij, ka të bëjë me vërtetimin e marrëdhënies kontraktuale dhe kërkesat për dëmshpërblim, por që deri në datën e lartcekur nuk është mbajtur ndonjë seancë lidhur me këtë çështje.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka parashtruar padi për vërtetim të qirasë, respektivisht Kontratës për Shfrytëzim të paluejtshmërisë në Gjykatën Komerciale në lidhje me (i) vërtetimin e marrëdhënies kontraktuale me Ministrinë e Drejtësisë; (ii) kërkesat për dëmshpërblim, sipas së cilës, Gjykata Komerciale, ende nuk ka vendosur. Më saktësisht, bazuar në shkresat e lëndës, rezulton që procedura është në fazën e shqyrtimit në Gjykatën Komerciale.
Një rrethanë e tillë, e cilëson kërkesën konkrete përkitazi me pretendimin për shkeljen e të drejtës në pronë, si “kërkesë e parakohshme”, sipas praktikës gjyqësore të lartpërmendur të Gjykatës dhe të GJEDNJ-së.
Gjykata thekson se ky konstatim i Gjykatës nuk e pengon parashtruesin e kërkesës që në të ardhmen, sërish, të dorëzojë kërkesë kushtetuese brenda afatit ligjor pas shterimit të të gjitha mjeteve efektive juridike të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton që kërkesa e parashtruesit të kërkesës përkitazi me pretendimin për shkeljen e të drejtës në pronë, cilësohet si kërkesë e kategorisë të “kërkesës së parakohshme”, dhe rrjedhimisht, kërkesa refuzohet në pajtim me nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës.
Kërkesa për masë të përkohshme
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës kërkon caktimin e masës së përkohshme, përkatësisht kërkon që të evitohen dëmet e pariparueshme nga privimi i shfrytëzimit të pronës që i është dhënë në posedim.
Gjykata i referohet nenit 27 [Masat e përkohshme] të Ligjit, që parashikon se:
“1. Gjykata Kushtetuese sipas detyrës zyrtare ose me kërkesë të palës mund të vendos përkohësisht masa te përkohshme ndaj një çështjeje që është objekt i procedurës, nëse këto masa janë të nevojshme për të evituar rreziqe ose dëme të pariparueshme, ose nëse marrja e këtyre masave të përkohshme është në interes publik.
2. Kohëzgjatja e masave të përkohshme duhet të jetë e arsyeshme dhe proporcionale.”
Gjykata në rastin konkret ka shpallur kërkesën të papranueshme në pajtim me paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit, si dhe me pikën (b) të paragrafit (1) dhe paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Rrjedhimisht, Gjykata refuzon kërkesën për caktimin e masës së përkohshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20, 27, dhe 47 të Ligjit, dhe me pikën (b) të paragrafit (1) dhe paragrafin (2) të rregullit 34, pikën (b) të paragrafit (2) të rregullit 45, si dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 48 të Rregullores së punës, më 30 tetor 2024:
VENDOS
TË SHPALLË, njëzëri, kërkesën të papranueshme;
TË REFUZOJË, njëzëri, kërkesën për masë të përkohshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
“Erisi J” SH.P.K.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Civile