Prishtinë, më 26 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2372/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI78/22
Parashtrues
Musa Konxheli
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, A.A.nr. 4/2022, të 19 prillit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Musa Konxheli me vendbanim në Komunën e Ferizajt (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [A.A.nr. 04/2022] e 19 prillit 2022, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Objekti i çështjes
Objekti i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes të cilit parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) dhe nenin 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: DUDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë para shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 6 qershor 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 8 qershor 2022, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Safet Hoxha (anëtar) dhe Radomir Laban (anëtar).
Më 22 qershor 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje e kërkesës, në pajtim me Ligjin, iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 22 janar 2024, gjyqtari Enver Peci, në bazë të nenit 18 (Përjashtimi i gjyqtarit) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja në rastin KI78/22.
Më 23 janar 2024, Kryetarja përmes Vendimit [Nr. Ref. KK31/24] aprovoj kërkesën e Gjyqtarit Enver Peci për përjashtim.
Më 23 janar 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës nga 15 marsi 2017 e deri me 1 korrik 2019 ka qene i përzgjedhur si gjyqtar mbikëqyrës i Gjykatës Themelore në Ferizaj – Dega në Shtërpcë, dhe kontesti i iniciuar ndaj tij ndërlidhej me përgjegjësitë dhe punën e tij si gjyqtar pranë kësaj gjykate.
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës nga 1 korrik 2019 është gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Procedura disiplinore e zhvilluar në KGJK
Më 5 tetor 2021, Autoriteti Kompetent i Gjykatës Themelore, respektivisht Kryetarja e Gjykatës Themelore i paraqiti Këshillit Gjyqësor të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KGJK) kërkesën [AD/KGJK/09/2021/GJTHPR-AD/GJTHPR/40/21] për fillim të hetimeve disiplinore ndaj parashtruesit të kërkesës, nën dyshimin për shkelje disiplinore të përcaktuar në nën paragrafin 7 të paragrafit 2 të nenit 5 të Ligjit 06/L057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve si dhe në pikën 5 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë.
Më 11 tetor 2021, Autoriteti Kompetent i Gjykatës Themelore njoftoi Këshillin Gjyqësor të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KGJK), për pranimin e parashtresës në kompetencë dhe fillimin e hetimeve preliminare disiplinore në këtë çështje penale.
Më 8 tetor 2021, KGJK përmes Vendimit [nr. 323/2021] themeloi Panelin Hetimor për lëndën disiplinore [AD/KGJK/09/2021/GJTHPR-AD/GJTHPR/40/21].
Më 12 tetor 2021, Paneli Hetimor ftoi parashtruesin e kërkesës të deklarohet lidhur me lëndën [PKR.nr.35/15] të Gjykatës Themelore në Ferizaj, lëndë kjo të cilën parashtruesi i kërkesës e kishte në menaxhim përderisa ishte duke ushtruar profesionin e gjyqtarit në Gjykatën Themelore në Ferizaj – Departamentin Special.
Më 18 tetor 2021, parashtruesi i kërkesës u deklarua me shkrim lidhur me lëndën e lartcekur duke theksuar se “nuk ndihet aspak përgjegjës për çështjen për të cilën është subjekt hetimi dhe konstaton se për lëndën PKR.nr.35/15 janë ndërmarrë veprime të parapara me ligj”. Ndër të tjera, parashtruesi i kërkesës kishte deklaruar se në rastin në fjalë, përkundër përpjekjeve të ndërmarra, gjykata deri më 1 korrik 2019, nuk kishte arritur të sigurojë praninë e të pandehurve në procedurë. Tutje, parashtruesi i kërkesës kishte kundërshtuar se kishte pasur zvarritje të procedurës pasi që veprimet e ndërmarra nga Gjykata Themelore ishin në pajtim me Kapitullin XXVII të KPPRK-së, të parapara me dispozitat e nenit 173.1.1 dhe nenit 174. Sipas parashtruesit të kërkesës, nuk ishin plotësuar kushtet e parapara në nenin 175.1 të KPPRK-së për lëshimin e urdhër arrestit. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës kishte theksuar se angazhimet e tij, si: pjesëmarrja në trupa gjykues të EULEX-it për rreth dy (2) vite, përzgjedhja e tij si Gjyqtar Mbikëqyrës i Degës së Gjykatës Themelore në Shtërpcë, ngarkesa me numër tejet të madh të lëndëve, e kishin pamundësuar ndërmarrjen e veprimeve tjera lidhur me rastin në fjalë.
Më 13 janar 2022, Paneli Hetimor nxori Raportin mbi Faktet dhe Provat e Mbledhura, të cilin Paneli Hetimor e dorëzoi për shqyrtim dhe vendimmarrje të KGJK-së lidhur me gjendjen faktike dhe juridike të rastit disiplinor.
Më 24 shkurt 2022, KGJK përmes Vendimit [KGJK.nr.102/2022] konstatoi se parashtruesi i kërkesës ishte përgjegjës për shkelje disiplinore nga nënparagrafi 7 i paragrafit 2 të nenit 5 të Ligjit 06/L057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve si dhe nga pika 5 e Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë, dhe i shqiptoi parashtruesit të kërkesës sanksion disiplinor “vërejtje publike me shkrim”.
KGJK përmes Vendimit [KGJK.nr.102/2022] ndër të tjera arsyetoi si në vijim:
“[...] gjyqtari Konxheli është përfshirë në shkelje disiplinore të pretenduara nga Autoriteti Kompetent për shkak të mos procedimit më tutje të lëndës penale PKR.nr.35/15. Lëndën në fjalë, gjyqtari Konxheli e kishte pranuar më 06.03.2015. Seancën e parë për këtë çështje penale e kishte caktuar me 02.02.3016, ndërsa deri më 26.01.2017, ai nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim tjetër”. Këshilli Gjyqësor i Kosovës në vendim theksoi se e ka parasysh angazhimin e gjyqtarit për periudhën kohore 15 mars 2017 deri më 1 korrik 2019, si gjyqtar mbikëqyrës i Gjykatës Themelore në Degën e Shtërpcës dhe ngarkesën me numër të madh të lëndëve, megjithatë “mosndërmarrja e asnjë veprimi përveç caktimit të seancës së parë, që përfshinë periudhën nga 02.02.2016 deri më 01.07.2019, kur gjyqtari Konxheli ka kaluar në gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamenti Special, lidhur me lëndën me numër PKR.nr. 35/15, sipas vlerësimit të Këshillit paraqet neglizhencë nga ana e gjyqtarit Konxheli”.
Procedura në Gjykatën Supreme
Më 23 mars 2022, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën Supreme, kundër Vendimit [KGJK.nr. 102/2022] të KGJK-së me pretendimin për: (i) shkelje thelbësore të dispozitave ligjore; (ii) aplikimit të gabuar të ligjit; dhe (iii) vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike lidhur me shqiptimin e sanksionit disiplinor.
Parashtruesi i kërkesës pretendimet për shkeljet e lartcekura i mbështeti në faktin se në vazhdimësi kishte kryer detyrat zyrtare dhe se me përpikëri kishte zbatuar rekomandimet e KGJK-së “për t’iu dhënë prioritet lëndëve të natyrës korruptive, krimit të organizuar dhe shpërlarjes së parave...”
Ndër të tjera, parashtruesi i kërkesës pretendon se KGJK nuk e ka marrë parasysh dëshminë e dëshmitarit – ish Kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe deklarimin e subjektit hetimor se në rastin konkret nuk janë plotësuar kushtet nga neni 175 të KPPRK-së për lëshim të urdhër arrestit.
Parashtruesi i kërkesës në lidhje me sanksionin disiplinor të shqiptuar, propozoi që i njëjti të anulohet për arsye se “subjekti i hetimit nuk ka nevojë fare të korrektohet dhe se nëse dikush duhet të korrektohet nuk është ai dhe se kjo masë për subjektin hetimor është vetëm një demotivim dhe asgjë më shumë”.
Më 19 prill 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [A.A.nr.4/2022] refuzoi si të pabazuar ankesën e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës dhe vërtetoi Vendimin e KGJK-së [KGJK.nr.102/2022] të 24 shkurtit 2022.
Gjykata Supreme në arsyetimin e Aktgjykimit sqaroi se vendimi i KGJK-së është i drejtë dhe i ligjshëm pasi që nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë. Sipas Gjykatës Supreme “nuk qëndrojnë pretendimet ankimore për gjendjen faktike të konstatuar në mënyrë të gabuar dhe jo të plotë nga ana e KGJK-së, sepse në bazë të provave të administruara, KGJK, në mënyrë të pa kontestuar e ka vërtetuar faktin se gjyqtari Musa Konxheli është përfshirë në shkelje disiplinore të pretenduar nga autoriteti kompetent, për shkak të mos procedimit më tutje të lëndës penale PKR.nr.35115, për arsye se gjyqtari e kishte pranuar lëndën në fjalë me datën 06.03.2015, seancën e parë e kishte caktuar me datën 02.03.2016 ndërsa deri më datën 26.01.2017 ai nuk kishte ndërmarr asnjë veprim tjetër”.
Gjykata Supreme, ndër të tjera, vlerësoi se masa disiplinore e caktuar për parashtruesin e kërkesës është në përputhje të plotë me parimin e proporcionalitetit marrë parasysh seriozitetin e shkeljes disiplinore si dhe sjelljen dhe bashkëpunimin e gjyqtarit në procedurë disiplinore.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon që Aktgjykimi [A.A.nr.4/2022] i 19 prillit 2022 i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së dhe nenin 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: DUDNJ).
Parashtruesi i kërkesës e ndërton rastin mbi pretendimin për shkeljen e të drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm pasi që Aktgjykimi [A.A.nr.4/2022] i 19 prillit 2022 i Gjykatës Supreme, nuk i ka plotësuar kriteret për një “gjykim të drejtë” sipas nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të: (i) mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor; (ii) aplikimit të gabuar të ligjit material lidhur me shqiptimin e masës disiplinore (iii) dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Lidhur me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës ligjore, parashtruesi i kërkesës thotë se “Një konstatim i tillë nga ana e KGJK-së për mua përmban në vete shkelje esenciale të dispozitave të procedurës ligjore, konkretisht të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, konkretisht nenit 5 paragrafit 2 nën paragrafit 2.7 i cili përmban: Në vazhdimësi nuk i kryen detyrat zyrtare me kohë siç përcaktohet me ligj dhe pikën 5 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtare, i cili përcakton: "Gjyqtari mban nivel të lartë të aftësive profesionale dhe ushtron funksionin e tij në mënyrë profesionale, të përgjegjshme dhe efikase"
Në vazhdim, parashtruesi i kërkesës thekson se “... shkelja nuk mund të qëndron meqë unë Musa Konxheli në periudhën kohore 2015-2019 kam qenë i mbingarkuar me lëndë, detyra dhe përgjegjësi ... vetëm në vitin 2016 i kam të kryera 44 lëndë të krimeve të rënda... që kanë qenë me prioritet, si të natyrës së korrupsionit, terrorizmit, krimit të organizuar, shpërlarjes së parave, vrasje të rënda, narkotikëve të rrezikshëm, trafikim me qenie njerëzore etj”.
Lidhur me angazhimin e tij, parashtruesi i kërkesës thekson se: “Në vitin 2017 saktësisht më 15 mars, isha përzgjedhur gjyqtar mbikëqyrës në GJTHF - dega në Shtërpcë ku pos menaxhimit u ngarkova me 505 lëndë të natyrës penale, civile dhe përmbarimore, në të njëjtën kohë i kisha të gjitha lëndët e mia në Departamentin e Krimeve të Rënda në Ferizaj si dhe 100 lëndë penale të Departamentit të Përgjithshëm në Ferizaj. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore unë me përpikëmëri i kam zbatuar rekomandimet e KGJK-së dhe Kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, duke iu dhënë prioritet lëndëve të natyrës korruptive, krimit të organizuar [...]. Andaj si mund të konstatohet se unë nuk i kam kryer në vazhdimësi detyrat zyrtare. Gjithashtu sa i përket pikës 5 të Kodit të Etikës ..., konsideroj se nuk qëndron për faktin se nëse shiqohet përformanca ime dhe statistikat, del se numri i lëndëve të prishura është 1.33 në 100 lëndë të përfunduara ...”.
Parashtruesi i kërkesës tutje pretendon se “[...] i janë shkelur të drejtat e garantuara me Ligjin Nr. 06/L - 057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve (këtu e tutje "LPDGJP"). Është rregull i njohur që një vendim gjyqësor gjithnjë duhet të jetë logjik, i rregullt në formë dhe i qartë në përmbajtje. I njëjti në tërësinë e tij duhet të konsiderohet një unitet në të cilin argumentet juridike janë të lidhura njëra me tjetrën. Ato duhet të jenë në funksion dhe në shërbim të njëra tjetrës. Argumentet e pjesës arsyetuese duhet të formojnë një përmbajtje koherente brenda vendimit, i cili duhet të përjashtojë çdo kundërthënie të vendimit gjyqësor”.
Lidhur me Vendimin e KGJK-së [KGJK. Nr. 102/2022] të 24 shkurtit 2022, parashtruesi i kërkesës thekson se “KGJK, në vendim... ka specifikuar se Vendimi i nxjerr është bazuar në Raportin e Panelit Hetimor si dhe provat materiale, e që nuk është e vërtetë ... dhe nëse shikohet raporti dhe incizimi i elaborimit me gojë, në asnjë pike nuk konstaton se unë kam bërë shkelje disiplinore ... dhe se pos të tjerash kryesuesi i Panelit Hetimor gjatë elaborimit me gojë të raportit ka theksuar se kemi të bëjmë me një gjyqtar të shkëlqyeshëm dhe se nëse do të kishte ndonjë shkelje në rastin konkret atëherë përgjegjësia nuk mund të jetë individuale por kolektive”.
Parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, shton: “Sa i përket provave materiale që i ka marr KGJK në vendim, shumica prej tyre janë të procedurës paraprake ... Në anën tjetër KGJK nuk i ka marr për bazë provat tjera që ndërlidhen me këtë periudhë kohore që janë propozuar nga subjekti hetimor - gjyqtari Musa Konxheli [...]. KGJK nuk ka marrë parasysh as dëshminë e dëshmitarit - ish Kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj [...]. Gjithashtu KGJK nuk i ka kushtuar shumë vëmendje deklarimit të subjektit hetimor se në rastin konkret pos mbingarkesës me lëndë nuk janë plotësuar kushtet nga 175 të KPPRK-së, për lëshimin e urdhër arrestit meqë nuk është konstatuar se i pandehuri ka marr ftesën për seance në mënyrën e rregullt dhe se i njëjti me qëllim i është shmangur marrjes së ftesës, kushte këto që i parasheh kjo dispozitë ligjore për lëshimin e urdhër arrestit”.
Lidhur me pretendimin për mungesën e arsyetimit të vendimit, parashtruesi i kërkesës thekson se “E drejta për një vendim gjyqësor të arsyetuar, përkatësisht e drejta për të pasur qëndrime të arsyetuara në lidhje me çështjet faktike dhe juridike të rastit gjyqësor është e bazuar edhe në vete KEDNJ-në, qëllimi i së cilës është mbrojtja e individit nga arbitrarizmi gjyqësor, por jo vetëm, sepse një vendim i arsyetuar gjyqësor është në funksion edhe të transparencës dhe vëzhgimit publik të ndarjes së drejtësisë. […] Tribunalet rishikuese janë të obliguara të korrigjojnë mangësitë e argumentimit të gjykatave më të ulëta nëse një prej arsyeve kryesore të apeluesit për shkak të të cilit ai i është drejtuar instancës më të lartë ka qenë se argumentimi i tribunalit më të ulët është i mangët dhe jo koherent”.
Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se “Në dritën e Jurisprudencës së GJEDNJ-së del se parashtruesit i është cenuar e drejta për një Vendim të arsyetuar gjyqësor, sepse pretendimet i tij thelbësore se: 1)Pamundësia për të ndërmarr veprime në lëndën penale me numër PKR.nr. 35/15 buron nga: a) ngarkesa e tepërt me punë dhe/ose b) pamundësia procedurale për të lëshuar urdhër-arrest...; 2) Nuk është vlerësuar fare dëshmia e dëshmitarit Bashkim Hyseni - ish Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj”.
Në fund parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme [AA.nr.412022] i 19 prillit 2022, ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe të paragrafit 1, të nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së dhe Protokolleve të saj; (iii) të deklarojë të pavlefshëm Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, [AA.nr.4/2022] të 19 prillit 2022; dhe (iv) të kthejë rastin në Gjykatën Supreme për rishqyrtim në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E Drejta për një proces të rregullt)
1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”
LIGJI Nr. 06/L - 057 PËR PËRGJEGJËSINË DISIPLINORE TË GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE
Neni 5
Shkeljet disiplinore për gjyqtarë
Gjyqtari kryen shkelje disiplinore nëse ai ose ajo
[...]
2.7. në vazhdimësi nuk i kryen detyrat zyrtare me kohë, siç kërkohet me ligj
[...]
KODIN E ETIKËS PROFESIONALE PËR GJYQTARË
5. Profesionalizmi dhe përgjegjësia në punë
Gjyqtari mban nivel të lartë të aftësive profesionale dhe ushtron funksionin e tij në mënyrë profesionale, të përgjegjshme dhe efikase
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata u referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Për më tepër, Gjykata gjithashtu u referohet kritereve të pranueshmërisë, siç janë të përcaktuara me Ligj. Në këtë drejtim, Gjykata u referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Për sa i përket përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë, siç janë cekur më lart, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar dhe e konteston një akt të autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimin e Gjykatës Supreme [A.A.nr. 4/2022] të 19 prillit 2022, pasi i ka shterur mjetet juridike në kuptimin formal. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me nenin 48 të Ligjit, dhe e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit.
Megjithatë, përveç kësaj Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nënrregullin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, që përcakton:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Gjykata rikujton se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih, rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih më saktësisht për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”, shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në këtë kontekst, si dhe në vazhdim të tekstit, gjatë vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme dhe Vendimin e KGJK-së i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe nenin 10 të DUDNJ-së.
Në vazhdim, Gjykata, duke iu referuar pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, vlerëson se thelbi i ankesës së tij në Gjykatë ka të bëjë në të vërtetë me të drejtën për gjykim të drejtë, përkatësisht me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor. Përshkruar me saktë, shkeljet e pretenduara të parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me faktin se, “parashtruesit i është cenuar e drejta për një Vendim të arsyetuar gjyqësor, sepse pretendimet e tij thelbësore se: 1)Pamundësia për të ndërmarr veprime në lëndën penale me numër PKR.nr. 35/15 buron nga: a) ngarkesa e tepërt me punë dhe/ose b) pamundësia procedurale për të lëshuar urdhër-arrest...; 2) Nuk është vlerësuar fare dëshmia e dëshmitarit Bashkim Hyseni - ish Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj”.
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se “E drejta për një vendim gjyqësor të arsyetuar, përkatësisht e drejta për të pasur qëndrime të arsyetuara në lidhje me çështjet faktike dhe juridike të rastit gjyqësor është e bazuar edhe në vete KEDNJ-në, qëllimi i së cilës është mbrojtja e individit nga arbitrarizmi gjyqësor, por jo vetëm, sepse një vendim i arsyetuar gjyqësor është në funksion edhe të transparencës dhe vëzhgimit publik të ndarjes së drejtësisë. […] Tribunalet rishikuese janë të obliguara të korrigjojnë mangësitë e argumentimit të gjykatave më të ulëta nëse një prej arsyeve kryesore të apeluesit për shkak të të cilit ai i është drejtuar instancës më të lartë ka qenë se argumentimi i tribunalit më të ulët është i mangët dhe jo koherent”.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës e ndërton rastin mbi pretendimin për shkeljen e të drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm pasi që Aktgjykimi [A.A.nr.4/2022] i 19 prillit 2022 i Gjykatës Supreme, nuk i ka plotësuar kriteret për një “gjykim të drejtë” sipas nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të: (i) mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor; (ii) aplikimit të gabuar të ligjit material lidhur me shqiptimin e masës disiplinore (iii) dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Në këtë kontekst dhe në vijim, Gjykata do t’i shqyrtojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljet e pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së, përkatësisht me të drejtën për një vendim të arsyetuar, duke aplikuar praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mbi bazën e së cilës Gjykata, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
A. Pretendimet rreth zbatimit të gabuar të se drejtës materiale dhe vendimit të paarsyetuar
(i) Parimet e përgjithshme përkitazi me aplikimin në mënyrë qartazi të gabuar apo arbitrar të ligjit
Gjykata fillimisht thekson se bazuar në praktiken gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe duke marre parasysh veçoritë e saj, siç janë të përcaktuar përmes KEDNJ-së, parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkalles se katërt, ajo vazhdimisht e ka theksuar dallimin në mes të “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetute dhe/ose me KEDNJ (shih në këtë kontekst, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SHA., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60).
Gjykata, megjithatë, thekson se praktika gjyqësore e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcakton rrethana nen të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua me lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë kompatibile me Kushtetutën dhe KEDNJ-në (shih rastin e GJEDNJ-së, Miragall Escolano dhe te tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 majit 2000, paragrafët 3339; dhe shih, gjithashtu, rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar me lart, paragrafi 63).
Në këtë kuptim, Gjykata në pajtim me praktiken gjyqësore të GJEDNJ-se ka theksuar se edhe pse roli i Gjykatës është i kufizuar në aspektin e vlerësimit të interpretimit të ligjit, ajo duhet të sigurohet dhe të ndërmarrë masa kur vëren se një gjykatë ka aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar në një rast specifik e që mund të këtë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës (shih rastet e GJEDNJ-së, Anheuser-Busch Inc., kundër Portugalisë, kërkesa nr. 73049/01, Aktgjykim i 11 janarit 2007, paragrafi 83, Kuznetsov dhe të tjerët kundër Rusisë, kërkesa nr. 184/02, Aktgjykim 29 prillit 2003, paragrafët 70-74 dhe 84; Păduraru kundër Rumanisë, kërkesa nr. 63252/00, paragrafi 98; Aktgjykim i 1 dhjetorit 2005; Sovtransavto Holding kundër Ukrainës, kërkesa nr. 48553/99, Aktgjykim i 6 nëntorit 2002 paragrafët 79, 97 dhe 98; Beyeler kundër Italisë [GC], kërkesa nr. 33202/96, Aktgjykim i 5 janarit 2000, paragrafi 108; Koshoglu kundër Bullgarisë, kërkesa nr. 48191/99, Aktgjykim i 10 majit 2007, paragrafi 50; shih gjithashtu, rastin e cituar me lart KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, paragrafi 57;rastet KI154/17 dhe KI105/18, parashtrues Basri Deva, Aferdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar “BARBAS”, paragrafët 60 deri në 65; si dhe rastin KI121/19, parashtrues Ipko Telecomunications, Aktvendim për papranueshmëri i 29 korrikut 2020, paragrafi 58; dhe KI 195/20 parashtrues Aigars Kesengfelds, pronar i institucionit financiar jo-bankar “Monego” Aktgjykim i 29 marsit 2021, paragrafi 97).
(ii) Aplikimi i parimeve të lartcekura në rastin konkret
Gjykata fillimisht rikujton se KGJK përmes Vendimit [KGJK.nr.102/2022] konstatoi se parashtruesi i kërkesës është përgjegjës për shkelje disiplinore nga nën paragrafi 7 i paragrafit 2 të nenit 5 të Ligjit 06/L057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve si dhe nga pika 5 e Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë, dhe i shqiptoi parashtruesit të kërkesës sanksion disiplinor “vërejtje publike me shkrim”. Pas ankimimit nga parashtruesi, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [A.A.nr.4/2022] të 19 prillit 2022 refuzoi si të pabazuar ankesën e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës dhe vërtetoi Vendimin e KGJK-së [KGJK.nr.102/2022] të 24 shkurtit 2022. Gjykata Supreme përgjatë vendimit të saj kishte konstatuar se drejtë ishte aplikuar e drejta materiale, përkatësisht Ligji 06/L057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Tutje, Gjykata Supreme në arsyetimin e Aktgjykimit sqaroi se vendimi i KGJK-së është i drejtë dhe i ligjshëm pasi që nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë. Konstatimet/vlerësimet e Gjykatës Supreme, parashtruesi i konteston para Gjykatës duke pretenduar se në rastin e tij zbatimit të gabuar të se drejtës materiale dhe vendimit të paarsyetuar.
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës pretendon se “Një konstatim i tillë nga ana e KGJK-së për mua përmban në vete shkelje esenciale të dispozitave të procedurës ligjore, konkretisht të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, konkretisht nenit 5 paragrafit 2 nën paragrafit 2.7 i cili përmban: Në vazhdimësi nuk i kryen detyrat zyrtare me kohë siç përcaktohet me ligj dhe pikën 5 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtare, i cili përcakton: "Gjyqtari mban nivel të lartë të aftësive profesionale dhe ushtron funksionin e tij në mënyrë profesionale, të përgjegjshme dhe efikase”.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [A.A.nr. 4/2022] të 19 prillit 2022, duke theksuar se “në dritën e Jurisprudencës së GJEDNJ-së del se parashtruesit i është cenuar e drejta për një Vendim të arsyetuar gjyqësor, sepse pretendimet i tij thelbësore se: 1)Pamundësia për të ndërmarr veprime në lëndën penale me numër PKR.nr. 35/15 buron nga: a) ngarkesa e tepërt me punë dhe/ose b) pamundësia procedurale për të lëshuar urdhër-arrest...; 2) Nuk është vlerësuar fare dëshmia e dëshmitarit Bashkim Hyseni - ish Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj”.
Tutje, parashtruesi i kërkesës pretendon se “[...] i janë shkelur të drejtat e garantuara me Ligjin Nr. 06/L -057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve (në tekstin e mëtejmë: “LPDGJP”). Është rregull i njohur që një vendim gjyqësor gjithnjë duhet të jetë logjik, i rregullt në formë dhe i qartë në përmbajtje” .
Përkitazi me këto pretendime, Gjykata thekson se të njëjtat, janë trajtuar nga Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [A.A.nr. 4/2022] të 19 prillit 2022.
Në këtë kontekst, dhe specifikisht lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht rikujton se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [A.A.nr. 4/2022] të 19 prillit 2022, ndër të tjera, kishte theksuar si në vijim:
“Gjykata Supreme e Kosovës, e ka pranuar qëndrimin e KGJK-së, për zbatimin e të drejtës materiale, duke vlerësuar se në përputhje me gjendjen faktike të provuar e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme, për arsye se:
Me nenin 5 paragraf 2 nën paragraf 2.7 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, përcaktohet se: " Shkelja e detyrave të gjyqtarit sipas këtij
ligji, përfshin veprimet e mëposhtme, në qofte se gjyqtari kryen me dashje apo nga pakujdesia e rëndë: në vazhdimësi nuk i kryen detyrat zyrtare më kohë siç kërkohet me
ligj”.
Me nenin 7 paragraf 1 të këtij ligji përcaktohet se: “Për shkelje disiplinore, këshillat përkatës mund ti shqiptojnë gjyqtareve dhe prokuroreve një ose me shume nga sanksionet disiplinore në vijim: 1.1. vërejtje jopublike me shkrim; 1.2. vërejtje publike me shkrim; 1.3. zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në 50% për një periudhe deri në një vit; 1.4. transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një gjykatë apo prokurori tjetër të nivelit me të ultë; 1.5. propozim për shkarkim ", ndërsa me paragrafin 2 të këtij neni përcaktohet se; " Masa disiplinore shqiptohen vetëm në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe duke marr parasysh: 2.1. numrin dhe seriozitetin e shkeljeve disiplinore të kryera nga një gjyqtar apo prokuror; 2.2. pasojat e shkeljes disiplinore; 2.3. rrethanat në të cilat është kryer shkelja disiplinore; 2.4. përformanca dhe sjelljen e përgjithshme të gjyqtarit apo prokurorit dhe 2.5. sjelljen dhe nivelin e bashkëpunimit të gjyqtarit apo prokurorit gjatë procedurës disiplinore”.
Me nenin 5 të Kodit të Etikes Profesionale për Gjyqtar, përcaktohet se: “Gjyqtari mban
nivel te larte te aftësive profesionale dhe ushtron funksionin e tij në mënyrë profesionale
të përgjegjshme dhe efikase” me paragrafin 1 të këtij neni, përcaktohet se: “Funksioni
i gjyqtarit ka prioritet kundrejt te gjitha aktiviteteve tjera t gjyqtarit”, me paragrafin 2 të këtij neni, përcaktohet se: “Gjyqtari është i detyruar qe te organizoj punën brenda orarit te punës me qellim te shfrytëzimit te plote dhe efikas te orarit te punës”, ndërsa me paragrafin 5 të këtij neni përcaktohet se: “Gjyqtari ushtron funksionin e tij në mënyrë efikase dhe të ligjshme”.
Nga interpretimi i këtyre dispozitave ligjore dhe dispozitave të Kodit të Etikes Profesionale për Gjyqtar, Gjykata Supreme erdhi në përfundim se KGJK, drejt ka aplikuar te drejtën materiale dhe se është konstatuar përgjegjësia disiplinore e gjyqtarit të pretenduar nga Autoriteti Kompetent, për çka edhe i’a ka shqiptuar sanksionin disiplinor.
Gjykata Supreme, vlerëson se sanksioni disiplinor i shqiptuar nga KGJK, është në përputhje të plotë me parimin e proporcionalitetit për faktin se me rastin e vendosjes ka
marr parasysh seriozitetin e shkeljes disiplinore të kryer nga gjyqtari, pasojat e shkeljes
disiplinore, rrethanat në të cilën është kryer shkelja disiplinore, përformanca dhe sjellja
e përgjithshme e gjyqtarit si dhe sjellja dhe bashkëpunimi i gjyqtarit në procedurë disiplinore, rrethana këto që kane ndikuar gjetjen e nivelit te proporcionalitetit, në mes
të shkeljes disiplinore dhe masës disiplinore, siç përcaktohet me nenin 7 paragrafi 2 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.”
Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se Gjykata Supreme në mënyrë të detajuar në rrethanat e rastit konkret, kishte trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me aplikimin e gabuar të të drejtës materiale në rastin e tij.
Të njëjtat, kishin trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, dhe kishin sqaruar se (i) në mënyrë të drejtë nën dritën e rrethanave të rastit konkret ishte zbatuar neni 5, paragrafi 2, nënparagrafi 2.7 i Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në lidhje me nenin 5 të Kodit të Etikes Profesionale për Gjyqtar; si dhe (ii) sanksioni disiplinor i KGJK-së është proporcional me shkeljen disiplinore të gjyqtarit, duke përfshirë seriozitetin e shkeljes, pasojat e saj, rrethanat e ngjarjes, performancën dhe sjelljen e përgjithshme të gjyqtarit, si dhe sjelljen dhe bashkëpunimin e tij në procedurën disiplinore, të gjitha në përputhje me nenin 7, paragrafin 2 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Gjykata vëren se Gjykata Supreme si instanca e fundit në këtë çështje, në rastin e parashtruesit të kërkesës kishin analizuar gjerësisht provat e paraqitura dhe pretendimet e ngritura nga palët në procedurë, dhe në fund kishin refuzuar ankesën e tij. Arsyet për refuzim të ankesës së parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme, i kishte bazuar në dispozitat përkatëse, respektivisht në nenin 15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, që ajo i kishte konsideruar si relevante përkitazi me rrethanat e rastit konkret dhe me pretendimet thelbësore të ngritura nga parashtruesi i kërkesës.
Nga sa më sipër, Gjykata konsideron se Gjykata Supreme me Aktgjykimin e kontestuar, ka dhënë arsye bindëse dhe të mjaftueshme duke shtjelluar në detaje bazën ligjore mbi të cilën e ka mbështetur refuzimin e kërkesës/pretendimet e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata thekson se neni 6, paragrafi 1 i detyron gjykatat të japin arsye për vendimet e tyre, por kjo nuk do të thotë se kërkohet përgjigje e detajuar lidhur me secilin argument (shih aktgjykimin e GJEDNJ-së, Van de Hurk kundër Holandës, nr. 16034/90, aktgjykim i 19 prillit 1994, paragrafi 61; Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, aktgjykim i 29 janarit 1990, paragrafi 26; aktgjykimin Perez kundër Francës, nr. 47287/99, aktgjykim i 12 shkurtit 2004, paragrafi 81).
Neni 6, paragrafi 1 nuk kërkon që Gjykata Supreme të japë një arsyetim më të detajuar kur ajo thjesht zbaton një dispozitë të caktuar ligjore lidhur me bazën ligjore për refuzimin e ankesës sepse ajo ankesë nuk ka një perspektivë për sukses (shih rastet e GJEDNJ-së, Burg dhe të tjerët kundër Francës, nr. 34763/02, vendim i 28 janarit 2003; Gorou kundër Greqisë (nr. 2), nr. 12686/03, vendim i 20 marsit 2009, paragrafi 41).
Nga sa u tha më sipër, Gjykata konsideron se Gjykata Supreme ka respektuar të gjitha kërkesat e nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6.1 të KEDNJ-së, duke i dhënë mundësi parashtruesit të kërkesës që t’i paraqesë kundërshtimet e tij përkitazi me çdo arsyetim të dhënë nga KGJK-ja në Vendimin nr.102/2022, të 24 shkurtit 2022. Për më tepër, të gjitha argumentet, që ishin relevante për zgjidhjen e rastit të parashtruesit të kërkesës janë dëgjuar e shqyrtuar në mënyrë të rregullt nga Gjykata Supreme, andaj në rastin konkret nuk bëhet fjalë për vendim të paarsyetuar ose qartazi arbitrar.
Rrjedhimisht, bazuar në të lartcekurat, Gjykata vlerëson se arsyetimi i Gjykatës Supreme nuk ka rezultuar në konkluzione arbitrare.
Prandaj, në këto rrethana, Gjykata duke u mbështetur në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstaton se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës bie në kategorinë e tretë (iii), pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, prandaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Pretendimi për vlerësim/administrim të gabuar të provave gjatë shqyrtimit të rastit
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon konstatim të gabuar të gjendjes faktike në rastin e tij, me arsyetimin se në rastin e tij janë vlerësuar gabimisht provat e paraqitura, të cilat kanë çuar në një rezultat të papranueshme për të.
Në thelb, parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të kontestuar, përkitazi vërtetimin e gjendjes faktike duke e ndërlidhur sërish me shkeljet e pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6.1 të KEDNJ-së, përkatësisht me të drejtën për një vendim të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor.
Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se “nuk është vlerësuar fare dëshmia e dëshmitarit Bashkim Hyseni, ish-Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj”.
Në këtë vazhdë, Gjykata i referohet pjesëve relevante të Aktgjykimit të kontestuar, e cila ndër të tjera arsyeton:
“[...] KGJK, ka arsyetuar të gjitha faktet me peshë vendimtare për të konstatuar përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarit e në lidhshmëri me këtë ka arsyetuar mënyrën se si janë vërtetuar faktet përveç atyre jo kontestuese e gjithashtu edhe mënyrën se si i ka vlerësuar provat për secilin fakt të provuar. Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, KGJK, në mënyrë të plotë i ka vlerësuar të gjitha rrethanat përkatësisht faktet e çështjes, mbi bazën, e të cilave ka krijuar një pasqyrë të qartë, nga e cila ka rrjedh përgjegjësia disiplinore e gjyqtarit të pretenduar nga Autoriteti Kompetent, për çka edhe i’a ka shqiptuar sanksionin disiplinore.”
Tutje, Gjykata vëren se, Gjykata Supreme përkitazi me pretendimin për konstatim të gabuar të gjendjes faktike lidhur me shqiptimin e sanksionit disiplinor kishte vlerësuar si në vijim:
“Nuk qëndrojnë pretendimet ankimore për gjendjen faktike të konstatuar në mënyrë të gabuar dhe jo të plotë nga ana e KGJK-së, sepse në bazë të provave të administruara, KGJK, në mënyrë të pa kontestuar e ka vërtetuar faktin se gjyqtari Musa Konxheli është përfshirë në shkelje disiplinore të pretenduar nga autoriteti kompetent, për shkak të mos procedimit me tutje të lëndës penale PKR.nr.35115, për arsye se gjyqtari e kishte pranuar lëndën në fjalë me datën 06.03.2015, seancën e parë e kishte caktuar me datë 02.03.2016 ndërsa deri me datën 26.01.2017 ai nuk kishte ndërmarr asnjë veprim tjetër. Mosndërmarrja e asnjë veprimi nga ana e gjyqtarit përveç caktimit te seancës se parë, që përfshin periudhën nga data 02.02.2016 deri me datën 01.07.2019, kur gjyqtari ka kaluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamenti Special, lidhur me lëndën me shenjen PKR.nr.35115 sipas vlerësimit edhe të kësaj gjykate, paraqet neglizhence nga ana e gjyqtarit.”
Gjykata, nga arsyetimet e mësipërme të dhëna në Aktgjykimin e kontestuar, vlerëson se Gjykata Supreme është kujdesur dhe ka adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës, përfshire edhe atë të konstatimit të gabuar gjendjes faktike në rastin e parashtruesit të kërkesës.
Në këtë aspekt, Gjykata thekson se i takon në parim juridiksioneve të gjykatave të rregullta që të bëjnë jo vetëm vlerësimin e provave të paraqitura para tyre por edhe të rëndësisë së atyre që parashtruesit kërkojnë të paraqiten (shih rastin e GJEDNJ-së, Perna kundër Italisë, Aktgjykim i 6 Majit 2003, paragrafi 29; dhe rastin Solakov kundër ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Aktgjykim i 31 janarit 2002, paragrafi 57). Si rregull i përgjithshëm, u takon gjykatave të rregullta që të vlerësojnë dëshmitë si dhe rëndësinë e dëshmive që parashtruesi i kërkesës kërkon t’i nxjerrë.
Gjykata konsideron se pretendimi për mënyrën e të vërtetuarit të gjendjes faktike përbën çështje të faktit dhe të ligjit, çka është detyrë dhe prerogativë e gjykatave të rregullta. Gjykata, bazuar në parimin e subsidiaritetit nuk mund t’i zëvendësojë vendimet e veta me ato të gjykatave të rregullta.
Nga sa më sipër, Gjykata konsideron se Gjykata Supreme me Aktgjykimin e kontestuar, ka dhënë arsye bindëse dhe të mjaftueshme duke shtjelluar në detaje bazën ligjore mbi të cilën e ka mbështetur vendimin e saj duke arsyetuar mënyrën e të vërtetuarit të gjendjes faktike.
Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e së drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih rastin e GJEDNJ-së: García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura atje; dhe shih gjithashtu rastet e Gjykatës: KI128/18, të cituara më lart, paragrafi 56; dhe KI62/19, të cituar më lart, paragrafi 58).
Gjykata vazhdimisht ka përsëritur se “drejtësia” e kërkuar nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6.1 i KEDNJ-së, nuk është drejtësi “substanciale”, por drejtësi “procedurale”. Ky koncept kryesisht në aspektin praktik, në parim, nënkupton (i) mundësinë e procedurave kontradiktore; (ii) mundësinë e palëve që në faza të ndryshme të kësaj procedure, të paraqesin argumente dhe dëshmi që i konsiderojnë të rëndësishme për rastin përkatës; (iii) mundësinë e kontestimit efikas të argumenteve dhe dëshmive të paraqitura nga pala kundërshtare; dhe (iv) të drejtën që argumentet e tyre të cilat, shikuar në mënyrë objektive, janë të rëndësishme për zgjidhjen e rastit, të dëgjohen dhe shqyrtohen nga gjykatat e rregullta në mënyrë të duhur; dhe se, për pasojë, procedura, marrë si tërësi, do të rezultonte si e drejtë. Për më tepër, vlerësimi i drejtësisë së një procedure në tërësinë e saj, është një ndër premisat kryesore të praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe asaj të GJEDNJ-së (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së Barbera, Messeque dhe Jabardo kundër Spanjës, Aktgjykim i 6 dhjetorit 1988, paragrafi 68; dhe rastet e Gjykatës KI128/19 parashtrues Artan Mala, Aktvendim për papranueshmëri i 20 janarit 2021; dhe KI22/19, parashtrues i kërkesës: Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata, nga të gjitha shtjellimet e sipërtheksuara, në rrethanat e rastit konkret, konsideron se parashtruesi i kërkesës thjeshtë është i pakënaqur me rezultatin e procedurës pranë Gjykatës Supreme. Megjithatë, pakënaqësia e tij nuk mund vetvetiu të ngrejë një pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin e GJEDNJ-së Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, Aktgjykim i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për konstatim të gabuar të gjendjes faktike janë pretendime që i takojnë kategorisë së “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Andaj, Gjykata konkludon se kërkesa në tërësi duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 113.7 të Kushtetutës, të nenit 20 të Ligjit dhe të rregullave 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 23 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka Nimani
Musa Konxheli
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile