Prishtinë, më 23 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2356/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI165/23
Parashtrues
Ibrahim T. Shala
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ nr. 14/2023] të Gjykatës Supreme, të 23 marsit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka - Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Ibrahim Shala, me vendbanim në Klinë-Karroticë e Epërme (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [ARJ. nr. 14/2023] e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), të 23 marsit 2023.
Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 7 prill 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [E Drejta e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenet 6 [E drejta për një proces të rregullt], 14 [Ndalimi i Diskriminimit] dhe nenin 1 të Protokollit numër 1 [Mbrojtja e pronës] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 3 gusht 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë Gjykata).
Më 16 gusht 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin nr. GJR. KI165/23 caktoi gjyqtarin Radomir Laban, gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH. KI165/23 caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha (anëtarë).
Më 31 gusht 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën datë, një kopje të kërkesës së parashtruesit iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 31 gusht 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) për regjistrimin e kërkesës, dhe kërkoi nga ajo fletëkthesën që dëshmon se kur e ka pranuar parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar. Të njëjtën datë, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar.
Më 18 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Më 31 korrik 2012, parashtruesi i kërkesës u emërua gjyqtar në Gjykatën Komunale në Pejë, dega në Klinë, nëpërmjet dekretit presidencial. Më 24 korrik 2015, parashtruesi i kërkesës u riemërua gjyqtarë në të njëjtën gjykatë.
Më 20 qershor 2017, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KGJK), për dhënien në shfrytëzim të automjetit zyrtar për nevojë të udhëtimit nga vendbanimi në Drenas deri në vendin e tij të punës në Klinë.
Më 23 qershor 2017, KGJK-ja nëpërmjet Vendimit [KGJK. nr. 162/2017] refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për lejimin e përdorimit të automjetit zyrtar për udhëtimin e tij në vendin e punës. KGJK-ja arsyetoi se sipas Udhëzimit Administrativ të drejtën për shfrytëzim të automjetit zyrtar e kanë vetëm kryesuesi i KGJK-së, anëtarët e KGJK-së, kryetarët e gjykatave si dhe udhëheqësit e njësive të KGJK-së.
Më 3 korrik 2017, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore, kundër vendimit të KGJK-së për refuzimin e shfrytëzimit të automjetit zyrtar. Ai pretendonte që vendimi i KGJK-së ishte joligjor dhe diskriminues, për faktin se disa gjyqtarëve dhe prokurorëve u është mundësuar një e drejtë e tillë.
Më 12 korrik 2019, KGJK-ja dorëzoi përgjigjen në padi nëpërmjet së cilës arsyetoi se ekzistojnë disa raste kur gjyqtarëve i është mundësuar shfrytëzimi i përdorimit të automjetit zyrtar, mirëpo vetëm me kushtin që të jenë 2 apo më shumë gjyqtarë në të njëjtin qytet, dhe asnjëherë nuk i lejohet një gjyqtari të vetëm kjo e drejtë. KGJK-ja arsyetoi se gjyqtari me rastin e nënshkrimit të kontratës së punës, ka qenë i vetëdijshëm për çështjen e udhëtimit dhe e kishte pranuar një gjë të tillë.
Më 15 nëntor 2019, Gjykata Themelore nëpërmjet Aktgjykimit [A. nr. 1307/17] aprovoi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe anuloi vendimin e KGJK-së. Gjykata Themelore arsyetoi si në vijim:
“Një arsyetim të tillë gjykata nuk e konsideron të bazuar, pasi që në bazë të nenit 3, paragrafi 4 të Udhëzimit Administrativ (03/2014) për shfrytëzimin e automjeteve zyrtare në Gjyqësorin e Kosovës, të datës 21.05.2014 është përcaktuar: “Përjashtimisht, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mund të lejojë me vendim të veçantë shfrytëzimin e automjeteve zyrtare dhe nga kategoritë e tjera të gjyqtarëve dhe zyrtarëve”. Në bazë të provave të administruara në seancën e shqyrtimit kryesor, e sidomos nga vendimi me nr.01/3, të dt.13.01.2016, i lëshuar nga kryesuesi i të paditurës, vërehet se kryesuesi i KGJK-së, mbi bazën e nenit 3, paragrafi 4 të UA 03/2012, kishte lejuar shfrytëzimin e automjetit zyrtar për gjyqtarët M.H, M.B, B.B dhe M.K, që udhëtonin në relacionin Gjakovë-Prizren dhe anasjelltas”.
“Mbi këtë gjendje faktike dhe bazuar në dispozitën e cekur si më lart (nenin 3, paragrafi 4 të UA 03/2012), gjykata vlerëson se e paditura në rastin e paditësit nuk kishte konstatuar drejtë gjendjen faktike e po ashtu nuk kishte apeluar drejtë të drejtën materiale, andaj vendimin e nxjerrë në këtë mënyrë, e konsideron me të meta, për shkak të të cilave nuk mund të shqyrtohet ligjshmëria e tij”.
Më 12 dhjetor 2019, KGJK-ja parashtroi ankesë kundër vendimit të Gjykatës Themelore për anulimin e vendimit të saj. KGJK-ja arsyetoi se Udhëzimi administrativ përcakton se përdorimi i veturave zyrtare i lejohet “[...] kategorive tjera të gjyqtarëve [...]”. Ky formulim i referohet rasteve kur kemi të bëjmë me disa gjyqtarë të cilët udhëtojnë në të njëjtin qytet dhe jo të rasteve individuale. Kjo për faktin se, KGJK-ja nuk disponon vetura të mjaftueshme zyrtare për të gjithë gjyqtarët të cilët udhëtojnë në vendin e punës.
Më 4 mars 2021, Gjykata e Apelit aprovoi ankesën e KGJK-së dhe ktheu çështjen në rigjykim te Gjykata Themelore. Gjykata e Apelit arsyetoi si në vijim:
“Arsyetimi i aktgjykimit duhet të jetë i qartë, i kuptueshëm dhe i plotë, nga kjo pjesë është pjesa e aktgjykimit nga e cila duhet të shihet qartë se si janë arsyetuar faktet dhe provat e besueshme për gjykatën lidhur me çështjen e cila ka qenë objekt i procedimit. Nga dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar kuptohet se kërkesëpadia e paditësit është aprovuar dhe çështja është kthyer në rishqyrtim tek i padituri, mirëpo duke e marrë parasysh faktin se në momentin kur kjo çështje po vlerësohet në gjykatë, kthimi në shqyrtim dhe rivendosje tek i padituri është vetëm humbje kohe dhe zvarritje e procedurës, për shkakun se paditësi tani më është i pensionuar dhe interesi i tij për të qëndruar prapa kërkesës është jo i arsyeshëm dhe kërkesa tanimë është pa objekt shqyrtimi, andaj ky veprim i gjykatës së shkallës së parë vlerësohet si jo i drejtë”.
Më 28 tetor 2021, Gjykata Themelore në rigjykim nëpërmjet Aktgjykimit [A. nr. 1307/17] aprovoi pjesërisht kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës; anuloi vendimin e KGJK-së si të kundërligjshëm; detyroi KGJK-në t’ia kompensojë parashtruesit të kërkesës shumën prej 4.153.76 (katërmijë e njëqind e pesëdhjetë e tre e shtatëdhjetë e gjashtë) euro, në emër të shpenzimeve të udhëtimit. Gjykata Themelore arsyetoi si në vijim:
“Në bazë të provave të administruara në seancën e shqyrtimit kryesor, e sidomos nga vendimi me nr. 01/3 të dt.13.01.2016, i lëshuar nga kryesuesi i të paditurës, vërehet se kryesuesi i KGJK-së, mbi bazën e nenit 3, paragrafit 4 të UA 03/2012, kishte lejuar shfrytëzimin e automjetit zyrtar për gjyqtarët M.H, M.B, B.B, dhe M.K, që udhëtonin në relacionin Gjakovë-Prizren dhe anasjelltas.
“Mbi këtë gjendje faktike dhe bazuar në dispozitën e cekur si më lart, gjykata vlerëson se e paditura në rastin e paditësit nuk kishte konstatuar drejtë gjendjen faktike e po ashtu nuk kishte aplikuar drejtë të drejtën materiale, andaj vendimin e nxjerrë në këtë mënyrë e konsideron jo të drejtë dhe në kundërshtim me ligjin, respektivisht vendimi i atakuar nuk është bazuar fare në dispozitat të cilat e rregullojnë këtë çështje dhe si të tillë gjykata e ka anuluar si në pikën II të dispozitivit të këtij aktgjykimi”.
“Duke qenë se me nenin 17 të Ligjit nr. 03/L-202 për Konfliktin Administrativ është paraparë që “Në procedurën e konfliktit administrativ mund të kërkohet edhe kthimi i sendeve të marra, si dhe kompensimi i dëmit që i është shkaktuar paditësit me ekzekutimin e aktit të kontestuar”, gjykata kishte vendosur si në pikën III të dispozitivit të këtij aktgjykimi lidhur me kërkesën e kompensimit të dëmit material në emër të shpenzimeve të udhëtimit, të cilat paditësi i kishte pësuar si rrjedhojë e marrjes së vendimit të kontestuar”.
Më 15 dhjetor 2021, KGJK-ja parashtroi ankesë kundër Aktgjykimit [A. nr. 1307/17] të Gjykatës Themelore. KGJK-ja përsëriti arsyetimin se në disa raste kishte lejuar shfrytëzimin e automjetit zyrtar kur ishin 2 e më shumë gjyqtarë në të njëjtin qytet, mirëpo asnjëherë në raste individuale për shkak të pamundësisë buxhetore për të siguruar vetura për të gjithë gjyqtarët. Sipas KGJK-së, është në kompetencën e saj të vendos në lidhje me pranimin e gjyqtarëve, transferimin e tyre, lejimin e gjyqtarëve të shfrytëzojnë automjetet zyrtare dhe të tjera.
Më 22 dhjetor 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi pjesërisht ankesë kundër Aktgjykimit [A. nr. 1307/17] të Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës kërkoi kompensim të dëmit jomaterial në vlerë prej 55.000 (pesëdhjetë e pesë mijë) euro, të cilën kërkesë ia kishte refuzuar Gjykata Themelore.
Më 7 nëntor 2022, Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktgjykimit [AA. nr. 1111/2021] refuzoi ankesat e KGJK-së dhe të parashtruesit të kërkesës, dhe vërtetoi Aktgjykimin [A. nr. 1307/17] e Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit arsyetoi si në vijim:
“Kolegji i Apelit vëren se me vendimin me nr.01/3, të dt.13.01.2016, i lëshuar nga kryesuesi i KGJK-së, vëren se kryesuesi i KGJK-së, mbi bazën e nenit 3, paragrafi 4 të UA 03/2014, kishte lejuar shfrytëzimin e automjetit zyrtar për gjyqtarët, M.H, M.B, B.B dhe M.K, që udhëtonin në relacionin Gjakovë-Prizren dhe anasjelltas. Ndërsa me bazën e njëjtë të këtij udhëzimi kishte refuzuar ankesën e ankuesit, duke bërë kështu diskriminimin në raport me këtu ankuesit. Në këtë kuptim, Kolegji i apelit vlerëson se Gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë dhe të plotë ka vërtetuar gjendjen faktike. Gjithashtu edhe për lartësinë e kërkesëpadisë së aprovuar drejtë është vendosur duke u bazuar në ekspertizën e nxjerrë me propozim të paditësit të përgatitur nga eksperti financiar, A.B e datës 02.08.2021. Prandaj, Kolegji i apelit vlerëson se përfundimi dhe qëndrimi i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm, për faktin se gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë”.
Më 21 dhjetor 2022, KGJK-ja parashtroi në Gjykatën Supreme kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të Gjykatës së Apelit, dhe kërkoi anulimin e aktgjykimit të Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit. KGJK-ja përsëriti argumentet e njëjta si në ankesat e mëparshme.
Më 9 janar 2023, parashtruesi i kërkesës parashtroi përgjigjen e tij në Gjykatën Supreme, kundër kërkesës së KGJK-së për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të Gjykatës së Apelit.
Më 23 mars 2023, Gjykata Supreme nëpërmjet Aktgjykimit [ARJ. nr. 14/2023] pranoi si të bazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të parashtruar nga KGJK-ja dhe ndryshoi Aktgjykimin [AA. nr. 1111/2021] e Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme vendosi si në vijim: (i) refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, (ii) secila palë në konflikt administrativ i bartë shpenzimet e veta të procedurës gjyqësore. Gjykata Supreme arsyetoi si në vijim:
“Gjykata Supreme nuk e pranon si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin juridik të gjykatave të instancave më të ulëta për faktin se me asnjë dispozitë ligjore apo akt nënligjor material, nuk parashihet se i padituri KGJK e ka për obligim të siguroj transporton apo të kompensoj shpenzimet e udhëtimit të gjyqtarëve të cilët udhëtojnë prej vendbanimit e deri në gjykatën në të cilën janë dekretuar...”.
“[...] prandaj nga këto fakte nuk argumentohet se paditësi është diskriminuar në raport me gjyqtarët e tjerë duke mos ua dhënë automjetet zyrtare nga KGJK, ashtu si arsyeton gjykata e shkallës së dytë, se paditësi është diskriminuar në kuptim të dispozitave të cituara nga neni 1 dhe 3, të Ligjit për Diskriminimin sepse në këtë rast nuk ekziston një përjashtim i shndërruar në rregull ashtu si arsyeton Gjykata e Apelit, meqë nuk është rasti i njëjtë, si lejimi i një automjeti zyrtar sipas vendimit të lartcekur të KGJK-së, i nxjerrë si përjashtim në mbështetje të nenit 3, paragraf 4 të UA, për katër gjyqtar që kanë udhëtuar në relacionin e njëjtë, dhe rastit tjetër konkret për një gjyqtar si ka kërkuar paditësi, e mbi të gjitha kur asnjë dispozita ligjore apo akt kontraktual me rastin e emërimit të një gjyqtari, nuk e parasheh obligimin e të paditurit të siguroj transportin për vajtje-ardhje nga puna dhe çdo gjyqtar me rastin e dekretimin e ka të njohur këtë fakt”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon që vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme ia ka shkelur të drejtat e tij, të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenet 6 [E drejta për një proces të rregullt], 14 [Ndalimi i Diskriminimit] dhe nenin 1 të Protokollit numër 1 [Mbrojtja e pronës] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Pretendimet për shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 14 të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pohon se me vendimin e Gjykatës Supreme është shkelur parimi i barazisë para ligjit dhe se Gjykata e ka trajtuar në mënyrë të pabarabartë, duke e shkelur kështu nenin 24 të Kushtetutës, lidhur me nenin 14 të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës thekson se ka paraqitur prova të cilat dëshmojnë se shumë gjyqtarëve individualë iu lejohej shfrytëzimi i veturës zyrtare për të udhëtuar në vendin e punës, përderisa atij iu kishte refuzuar kërkesa për lejimin e shfrytëzimit të veturës zyrtare për të udhëtuar nga vendbanimi deri në vendin e tij të punës. Në këtë rast, sipas fjalëve të tij, ai ishte trajtuar ndryshe nga gjyqtarët e tjerë që ishin në pozita të ngjashme. Ai pohon se këtë të drejtë e kishin fituar shumë gjyqtarë në komuna të ndryshme të Kosovë, ndërsa KGJK dhe Gjykata Supreme nuk e kishin marrë parasysh dhe e kishin refuzuar kërkesën e tij.
Pretendimet për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së.
(i) pretendimet për aplikimin dhe interpretimin e gabuar të ligjit
Parashtruesi i kërkesës pohon se vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme është marrë në mënyrë arbitrare, duke e shkelur të drejtën materiale dhe duke e zbatuar gabimisht ligjin. Parashtruesi i kërkesës pretendon se është i vetëdijshëm që Gjykata nuk merret me gabimet tek faktet dhe e drejta, megjithatë në rastin konkret vendimi i kontestuar është qartazi arbitrar dhe i paarsyeshëm.
Parashtruesi i kërkesës thekson se vendimi i Gjykatës Supreme nuk është i bazuar në ligj dhe as nuk është i drejtë. Sipas tij, vendimi i Gjykatës Supreme ka shkelur garancitë procedurale për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës së Kosovës.
Parashtruesi i kërkesës pohon se KGJK-ja dhe Gjykata Supreme gabimisht kanë aplikuar dispozitat e Udhëzimit administrativ, nenin 3.1 dhe 3.2, dhe të njëjtat i kanë interpretuar në mënyrë arbitrare.
(ii) pretendimet për mosarsyetim të vendimit gjyqësor
Parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimi i Gjykatës Supreme është i ndërtuar në mungesë të një arsyetimi gjyqësor. Ai thekson se Gjykata Supreme nuk ka argumentuar fare në lidhje me provat materiale dhe faktet vendimtare të rastit, dhe nuk ka dhënë asnjë përgjigje në lidhje me vërtetimin e fakteve, me provat e administruara, dhe as me çështjen e diskriminimit të cilin e kishte ngritur si pretendim. Sipas tij, Gjykata Supreme nuk është marrë fare me arsyetimin e çështjes por vetëm refuzoi kërkesëpadinë e tij si të pabazuar. Arsyetimi i Gjykatës Supreme, pretendon ai, është “i zbehtë, i pamjaftueshëm, kontradiktor dhe i palogjikshëm, duke mos përmbajtur faktet e vërtetuara, dispozitat ligjore përkatëse dhe marrëdhënien logjike midis tyre”.
Pretendimet për shkeljen e nenit 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit numër 1 të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se kishte pritshmëri legjitime që të përfitonte të drejtën për shfrytëzimin e automjetit zyrtar për udhëtim në vendin e punës, që nga momenti kur ishte dekretuar në pozitën e gjyqtarit, sepse i plotësonte të gjitha kriteret e përcaktuara nga ligji.
Parashtruesi i kërkesës thekson se Udhëzimi administrativ lejon përdorimin e automjetit zyrtar edhe për gjyqtarët. Sipas tij, KGJK-ja kishte lejuar për shumë gjyqtarë e prokurorë që të përdorin automjetin zyrtar, ndërsa kërkesën e tij për një gjë të tillë e kishin refuzuar përkundër që i kishte plotësuar të gjitha kriteret ligjore.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
[…]
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
[...]
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
1. E drejta e pronës është e garantuar
[...]
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]
Protokoll shtesë i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore
Neni 1
Mbrojtja e pronës
Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
[...]
UDHËZIM ADMINISTRATIV (03/2014) PËR SHFRYTËZIMIN E AUTOMJETEVE ZYRTARE NË GJYQËSORIN E KOSOVËS
Neni 1
Qëllimi dhe fushëveprimtaria
Ky Udhëzim Administrativ ka për qëllim rregullimin e përdorimit të automjeteve zyrtare në Këshillin Gjyqësor, Sekretariatin e KGJK-së dhe gjykata.
Neni 3
E drejta për shfrytëzim të automjetit zyrtar
3.1 Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarët e Këshillit Gjyqësor, Kryetarët e Gjykatave si dhe udhëheqësit e njësive të KGJK-së sipas kapitullit 7 të Rregullores mbi Organizimin dhe Veprimtarinë e KGJK-së, kanë në shërbim automjetin zyrtar 24 orë në ditë vetëm për qëllime zyrtare.
[...]
3.4 Përjashtimisht, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mund të lejojë me vendim të veçantë shfrytëzimin e automjeteve zyrtare edhe nga kategoritë e tjera të gjyqtarëve apo zyrtarëve.
Neni 4
4.1 Përgjegjës për lejimin dhe shfrytëzimin e automjetit zyrtar për gjykata, është administratori i gjykatës, ndërsa për degë të gjykatave është ndihmës administratori. Administratori përkatësisht ndihmës administratori vlerëson dhe koordinon orarin e shfrytëzimit të automjeteve zyrtare për qëllime zyrtare, në bazë të kërkesës së paraqitur me shkrim duke plotësuar formulari I.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Neni 21
[Parimet e përgjithshme]
[...]
4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai konteston kushtetutshmërinë e një akti të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ARJ. nr. 14/2023] e Gjykatës Supreme të 23 marsit 2023, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parasheh neni 49 i Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht me nënrregullin (2), të rregullit 34 të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 39
[Kriteret e pranueshmërisë]
(2) “Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
[...]
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Gjykata rikujton se, parashtruesi i kërkesës u emërua gjyqtar në vitin 2012 në Gjykatën Themelore dega në Klinë, dhe u riemërua gjyqtar në vitin 2015 nëpërmjet dekreteve presidenciale. I njëjti paraqiti kërkesë në KGJK për lejimin e shfrytëzimit të automjetit zyrtar për udhëtim në vendin e punës, nga vendbanimi i tij në Drenas deri në Klinë. KGJK-ja refuzoi kërkesën e tij me arsyetimin se Udhëzimi administrativ nuk e parashihte një gjë të tillë. Pas kësaj ai parashtroi padi në Gjykatën Themelore kundër vendimit të KGJK-së. Gjykata Themelore dhe më pas Gjykata e Apelit miratuan kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, anuluan vendimin e KGJK-së dhe vendosën për kompensimin e parashtruesit të kërkesës për shkak të moslejimit të përdorimit të automjetit zyrtar nga momenti kur kishte dorëzuar kërkesën në KGJK e deri në momentin e pensionimit. Gjykata Supreme, duke vepruar sipas kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të ushtruar nga KGJK-ja, anuloi vendimet e gjykatave më të ulëta dhe vërtetoi vendimin e KGJK-së.
Gjykata përsërit se parashtruesi i kërkesës pretendon që akti i kontestuar i Gjykatës Supreme shkel të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenet: 7, 24, 31 dhe 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 14 dhe nenin 1 të Protokollit numër 1 të KEDNJ-së. Gjykata në vazhdim do t’i trajtojë të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës duke u bazuar në parimet e përgjithshme të praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, dhe më pas do t’i aplikojë të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.
Në lidhje me pretendimet për shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 të KEDNJ-së
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në KGJK për t’i lejuar shfrytëzimin e automjetit zyrtar për udhëtim në vendin e punës, nga vendbanimi i tij në Drenas deri në Klinë ku shërbente si gjyqtar. KGJK-ja refuzoi kërkesën e tij dhe arsyetoi se sipas Udhëzimit administrativ nr. 03/2014 që rregullonte çështjen e përdorimit të automjeteve zyrtare në gjyqësorin e Kosovës, një të drejtë të tillë e kishin vetëm kryesuesi i KGJK-së, anëtarët e KGJK-së, kryetarët e gjykatave dhe udhëheqësit e njësive të KGJK-së.
Pas kësaj, parashtruesi dorëzoi kërkesëpadi në Gjykatën Themelore dhe pretendoi se KGJK-ja në disa raste kishte lejuar gjyqtarët t’i përdornin automjetet zyrtare për udhëtim në vendin e punës, dhe refuzimi i kërkesës së tij ishte diskriminues. Gjykata Themelore dhe më pas Gjykata e Apelit miratuan kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe vendosën t’ia kompensonin shumën prej 4.153.76 (katërmijë e njëqind e pesëdhjetë e tre e shtatëdhjetë e gjashtë) euro, në emër të shpenzimeve të udhëtimit, nga momenti kur parashtruesi kishte paraqitur kërkesën e tij në KGJK dhe deri në ditën e pensionimit. Gjykata Supreme i anuloi vendimet e gjykatave më të ulëta dhe vendosi që KGJK-ja nuk e kishte diskriminuar parashtruesin e kërkesës. KGJK-ja kishte lejuar përdorimin e automjetit zyrtar për disa gjyqtarë për të udhëtuar në vendin e punës, megjithatë Gjykata Supreme arsyetoi se aty ishin disa gjyqtarë të cilët udhëtonin në vendin e njëjtë të punës dhe e përdornin një veturë së bashku, dhe nuk ishin raste individuale të gjyqtarëve.
Gjykata rikujton se bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, kur parashtruesi i kërkesës ngre pretendime për diskriminim, ai duhet të dëshmojë që është trajtuar ndryshe nga personi apo grupi i personave në pozita të ngjashme me të (rasti i GJEDNJ-së, Molla Sali kundër Greqisë, nr. 20452/14, Aktgjykim i 19 dhjetorit 2018, paragrafi 131). Gjykata rikujton se jo të gjitha ndryshimet në trajtim përbëjnë diskriminim. Diskriminim cilësohet vetëm nëse dallimet në trajtim nuk ndjekin një qëllim legjitim dhe të arsyeshëm (rasti i GJEDNJ-së, D.H dhe të tjerët kundër Republikës së Çekisë, nr. 57325/00, paragrafi 175). Diskriminimi mund të ngritët vetëm atëherë kur dallimi në trajtim bazohet në një karakteristikë të identifikueshme apo status të caktuar (rasti i Gjykatës KI59/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 3 shkurtit 2021 paragrafi 52; rasti i Gjykatës KI184/21, parashtrues Sabrije Bytyçi, Aktvendim për papranueshmëri, i 2 shkurtit 2022, paragrafi 56; rasti i Gjykatës KI215/21, parashtrues Arbër Shkreli dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 15 shkurtit 2022, paragrafi 87).
Gjykata përsërit se kur analizohet çështja e diskriminimit sipas standardeve të GJEDNJ-së, vlerësohet si në vijim: (i) a ka pasur një ndryshim në trajtimin e personave në situata analoge ose relativisht të ngjashme; (ii) nëse po, a justifikohet objektivisht një ndryshim i tillë, pra a ndjek një qëllim legjitim; dhe (iii) dhe mjetet e përdorura për realizimin e qëllimit legjitim a janë proporcionale (rasti i Gjykatës KI45/20 dhe KI46/20, parashtrues Tinka Kurti dhe Drita Millaku, Aktgjykim i 26 marsit 2021, paragrafi 84-85).
Gjykata thekson se gjëja e parë që duhet të vlerësohet është fakti nëse kemi të bëjmë me një dallim në trajtim midis personave apo grupeve të personave që ndodhen në pozita të ngjashme apo relativisht të ngjashme me parashtruesin e kërkesës.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës e kishte ngritur çështjen e diskriminimit pranë të gjitha instancave të gjykatave të rregullta. Ai pretendonte që KGJK-ja ia kishte mundësuar katër gjyqtarëve për të shfrytëzuar automjetin zyrtar për udhëtim në vendin e punës, ndërkaq kërkesën e tij e kishte refuzuar në mënyrë diskriminuese. Diskriminimin parashtruesi i kërkesës e kishte ngritur në raport me një grup të gjyqtarëve, katër sosh, të cilët i mori si pikë reference apo grup krahasues për të dëshmuar pozitat e ngjashme ndërmjet tyre dhe dallimin në trajtim.
Gjykata vlerëson se Udhëzimi administrativ nr. 03/2014 përcakton se të drejtën për shfrytëzim të automjetit zyrtar e kanë vetëm disa kategori: kryesuesi i KGJK-së, anëtarët e KGJK-së, kryetarët e gjykatave dhe udhëheqësit e njësive të KGJK-së. Asnjë dispozitë e udhëzimit administrativ nuk përcakton që gjyqtarët kanë të drejtë të shfrytëzojnë automjetin zyrtar për udhëtim në vendin e punës. Një gjë të tillë nuk e parasheh as kontrata e punës e lidhur ndërmjet gjyqtarëve dhe KGJK-së.
Gjykata thekson se neni 3.4 i Udhëzimit administrativ lejon mundësinë që KGJK-ja me vendim të veçantë të lejojë shfrytëzimin e automjetit zyrtar nga kategoritë e tjera të gjyqtarëve dhe zyrtarëve, përpos atyre të cekur më lart. Pra, ishte në autoritetin e KGJK-së të vendoste në lidhje me këtë çështje, duke u bazuar në nevojat e brendshme dhe mundësitë organizative.
Gjykata vëren se KGJK-ja nuk e mohoi faktin se kishte lejuar me vendim të veçantë që katër gjyqtarë së bashku të përdornin një automjet zyrtar për udhëtim në vendin e punës, nga Gjakova në Prizren. Megjithatë, KGJK-ja arsyetoi se kur kemi të bëjmë me disa gjyqtar të cilët e kanë vendin e njëjtë të vendbanimit dhe të punës atëherë mund të lejojë një gjë të tillë. Përndryshe, arsyetoi KGJK-ja, nuk kishte mundësi teknike dhe financiare t’ua mundësonte të gjithë gjyqtarëve individualisht të përdorin automjete zyrtare. Për më tepër, KGJK-ja nuk e kishte një detyrim të tillë.
Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës ishte gjyqtar dhe shërbeu në Gjykatën Themelore, dega në Klinë. Ai si gjyqtar i vetëm kishte kërkuar të shfrytëzonte automjetin zyrtar për udhëtim në vendin e punës. Gjykata vlerëson se nuk mund të konsiderohet se parashtruesi i kërkesës ishte në pozitë të ngjashme me grupin e gjyqtarëve të cilit i referohet, sepse gjyqtarëve të cilëve iu lejua shfrytëzimi i automjetit zyrtar kishin relacionin e njëjtë të udhëtimit dhe ishin grup që shfrytëzuan një automjet së bashku.
Gjykata konstaton se pretendimet për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 të Protokollit numër 1 të KEDNJ-së, janë pretendime me “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, prandaj duhet të refuzohen si të pabazuara.
Në lidhje me pretendimet për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
(i) në lidhje me interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit
Parashtruesi i kërkesës pretendon që Gjykata Supreme i zbatoi dhe interpretoi në mënyrë të gabuar dhe arbitrare dispozitat e Udhëzimit administrativ në lidhje me përdorimin e automjetit zyrtar për udhëtim në vendin e punës, kur anuloi vendimet e gjykatave më të ulëta të cilat kishin vendosur në favor të tij. Sipas tij, vendimi i kontestuar është i padrejtë dhe joligjor, dhe rrjedhimisht është në kundërshtim me të drejtën e tij kushtetuese për një proces të rregullt gjyqësor, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Gjykata ripërsërit se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e faktit dhe të ligjit të bëra nga gjykatat e rregullta. Është në autoritetin e gjykatave të rregullta të zbatojnë dhe interpretojnë të drejtën materiale. Gjykata mund të ndërhyjë vetëm në rastet kur vendimet e gjykatave të rregullta janë marrë në mënyrë “arbitrare” apo janë “qartazi të paarsyeshme”, duke shkelur kështu të drejtat kushtetuese të parashtruesve të kërkesës (rastet e Gjykatës, KI70/11, parashtrues Faik Hima, Magbule Hima dhe Besart Hima, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 dhjetorit 2011, paragrafi 29-30; KI06/17, parashtrues L.G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 tetorit 2017, paragrafi 37; KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, Aktgjykim i 30 majit 2018, paragrafi 57; KI154/17 dhe KI05/18, parashtrues Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar “BARBAS”, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 korrikut 2019, paragrafët 60-65; KI70/20, parashtrues Rasim Shabani dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 tetorit 2021, paragrafët 69-74).
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës shërbeu si gjyqtar në Gjykatën Themelore, dega në Klinë, nga viti 2012 kur u emërua për herë të parë si gjyqtar e deri në kohën e pensionimit. Tek në vitin 2017 ai paraqiti një kërkesë në KGJK, nëpërmjet së cilës kërkonte t’i lejohej përdorimi i automjetit zyrtar për të udhëtuar nga vendbanimi i tij në Drenas deri në vendin e punës në Klinë.
Gjykata vëren se KGJK-ja e refuzoi kërkesën e parashtruesit me arsyetimin se sipas Udhëzimit administrativ nr. 03/2014 të drejtën për përdorimin e automjetit zyrtar e kanë vetëm kryesuesi i KGJK-së, anëtarët e KGJK-së, kryetarët e gjykatave si dhe udhëheqësit e njësive të KGJK-së. Parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Gjykatën Themelore dhe kërkoi anulimin e vendimit të KGJK-së.
Së pari, Gjykata Themelore kishte aprovuar kërkesëpadinë e parashtruesit dhe kishte anuluar vendimin e KGJK-së, me arsyetimin se KGJK-ja e kishte aplikuar në mënyrë të gabuar të drejtën materiale. Pas kësaj, Gjykata e Apelit e prishi aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe e riktheu çështjen në rigjykim, me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës tashmë ishte në pension dhe kërkesa e tij është pa objekt shqyrtimi. Në rigjykim, Gjykata Themelore aprovoi pjesërisht kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe detyroi KGJK-në t’ia kompensonte atij shumën prej 4.153.76 (katërmijë e njëqind e pesëdhjetë e tre e shtatëdhjetë e gjashtë) euro, në emër të shpenzimeve të udhëtimit, nga koha e parashtrimit të kërkesës së tij e deri në momentin e pensionimit. Edhe Gjykata e Apelit e vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore, dhe refuzoi ankesën e KGJK-së. Kjo e fundit paraqiti kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme, e cila anuloi vendimet e gjykatave më të ulëta dhe vendosi se vendimi i KGJK-së ishte i drejtë dhe i ligjshëm.
Gjykata vëren se Udhëzimi administrativ nr. 03/2014 rregullonte çështjen e shfrytëzimit të automjeteve zyrtare në gjyqësorin e Kosovës. Neni 3.1 i këtij udhëzimi përcaktonte që kryesuesi i KGJK-së, anëtarët e KGJK-së, kryetarët e gjykatave si dhe udhëheqësit e njësive të KGJK-së kanë në shërbim automjetin zyrtar për qëllime zyrtare.
Gjykata vlerëson se Udhëzimi administrativ në mënyrë taksative përcaktonte grupin e kategorive për të cilat lejohet përdorimi i automjetit zyrtar vetëm për qëllime zyrtare, përfshirë këtu edhe udhëtimin në vendin e punës. Në asnjë prej dispozitave të këtij udhëzimi nuk përcaktohej detyrimi i KGJK-së për t’ia mundësuar gjyqtarëve udhëtimin në vendin e punës më automjete zyrtare. Një detyrim i tillë nuk parashihet as me kontratën e punës me rastin e dekretimit të gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë.
Ndërkaq, neni 3.4 i këtij Udhëzimi administrativ parashihte që KGJK-ja mund të lejojë me vendim të veçantë shfrytëzimin e automjeteve zyrtare nga kategoritë e tjera të gjyqtarëve apo zyrtarëve. Bazuar në formulimin e fjalisë që përdorte udhëzimi administrativ, “përjashtimisht, KGJK-ja mund të lejojë me vendim të veçantë shfrytëzimin e automjeteve zyrtare edhe nga kategoritë e tjera të gjyqtarëve apo zyrtarëve”, Gjykata vlerëson se KGJK-ja gëzonte diskrecion për të vendosur për raste të veçanta lejimin e përdorimit të automjetit zyrtar edhe për kategoritë e tjera, përveç atyre të përmendura më lart, kur ajo e konsideronte të nevojshme. Një gjë e tillë nuk përbënte detyrim, por kërkonte vlerësim të arsyeshëm të KGJK-së për të plotësuar nevojat e brendshme organizative. Për më tepër, formulimi i fjalisë “kategoritë e tjera të gjyqtarëve apo zyrtarëve”, nuk i referohet gjyqtarëve individual por një statusi më të përgjithshëm, siç është rasti me anëtarët e KGJK-së, kryetarët e gjykatave apo udhëheqësit e njësive. Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës nuk bënte pjesë në ndonjë kategori të gjyqtarëve, por shërbente si gjyqtar në Gjykatën Themelore, dega në Klinë.
Gjykata thekson se KGJK-ja është autoriteti kompetent për të vendosur për organizimin e brendshëm dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë. Nuk është detyrë e Gjykatës të ndërhyjë në çështjet e brendshme dhe mënyrën se si KGJK-ja si institucion i pavarur kushtetues rregullon dhe merr vendime në lidhje me çështjet e përdorimit të automjeteve zyrtare dhe të tjera të kësaj natyre.
Gjykata vlerëson se vendimi i KGJK-së për refuzimin e kërkesës së parashtruesit dhe vendimi i Gjykatës Supreme që ndryshoi vendimet e gjykatave më të ulëta ishin të arsyeshme dhe bazoheshin në dispozita specifike të Udhëzimit administrativ, dhe asesi nuk mund të konsiderohen arbitrare apo qartazi të paarsyeshme.
Gjykata konstaton se pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkitazi me interpretimin dhe zbatimin e gabuar të ligjit, janë pretendime me “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, prandaj duhet të refuzohen si të pabazuara.
(ii) në lidhje me mosarsyetimin e vendimit gjyqësor
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon që vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk përmban arsyetim të mjaftueshëm se pse prishi aktgjykimet e gjykatave më të ulëta të cilat kishin vendosur në favor të tij. Sipas tij, arsyetimi është i paqartë dhe nuk kishte marrë parasysh provat materiale dhe dispozitat ligjore.
Gjykata rikujton se gjykatat e kanë detyrimin për të paraqitur arsyetime të mjaftueshme për vendimet e tyre. Një vendim i arsyetuar tregon që rasti i parashtruesve është shqyrtuar me të vërtetë (rasti i GJEDNJ-së, H. kundër Belgjikës, nr. 8950/80, Aktgjykim i 30 nëntorit 1987, paragrafi 53). Gjykatat përkundër që kanë liri të caktuar të vlerësimit lidhur me përzgjedhjen e argumenteve dhe vendosjes për pranueshmërinë e dëshmive, ato janë të detyruara të arsyetojnë veprimet dhe vendimet e tyre (rasti i GJEDNJ-së, Suomine kundër Finlandës, nr. 37801/97, Aktgjykim i 24 korrikut 2003, paragrafi 36; Carmel Saliba kundër Maltës, nr. 24221/13, Aktgjykim i 24 prillit 2017, paragrafi 73).
Gjykata përsërit se gjykatat e rregullta kanë obligimin të shqyrtojnë argumentet kryesore të palëve dhe të trajtojnë me kujdes të veçantë kërkesat në lidhje me të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ (rastet e GJEDNJ-së, Buzescu kundër Rumanisë, nr. 61302/00, Aktgjykim i 24 gushtit 2015, paragrafi 67; Ëagner dhe JMËL kundër Luksemburgut, nr. 76240/02, Aktgjykim i 28 qershorit 2007, paragrafi 96; rasti i Gjykatës, KI82/22, parashtrues Valon Loxhaj, Aktgjykim i 7 qershorit 2023, paragrafët 65-76).
Gjykata vëren se KGJK-ja refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për lejimin e shfrytëzimit të automjetit zyrtar për udhëtim në vendin e punës. Ajo arsyetoi se sipas udhëzimit administrativ që rregullon këtë çështje, dhe sipas kontratës së punës së gjyqtarit, KGJK-ja nuk kishte obligim ligjor t’ua siguronte transportin gjyqtarëve. Një arsyetim të tillë e kishte pranuar edhe Gjykata Supreme, sipas së cilës me asnjë dispozitë juridike nuk parashihet detyrimi i KGJK-së për të siguruar transportin apo shpenzimet e udhëtimit të gjyqtarëve.
Gjykata vlerëson se çështja kryesore në këtë rast ishte interpretimi i dispozitave të Udhëzimit administrativ që rregullonin çështjen e shfrytëzimit të automjeteve për udhëtim zyrtar vetëm për qëllime zyrtare brenda gjyqësorit. Gjykata vlerëson se, siç është argumentuar më lart, udhëzimi administrativ përcaktonte vetëm një grup të caktuar që kishin të drejtë për shfrytëzimin e automjetit zyrtar. Në asnjë dispozitë nuk përmendet që KGJK-ja obligohet t’ua siguroj transportin me automjete zyrtare gjyqtarëve. Për më tepër, në kontratat e punës të gjyqtarëve pas emërimit të tyre, nuk parashihet një detyrim i tillë për KGJK-në. Në këtë kuptim, Gjykata vlerëson se vendimi i KGJK-së dhe vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme kanë ofruar arsyetim të qartë dhe logjik në lidhje me refuzimin e kërkesës së parashtruesit të kërkesës për këtë çështje. Gjykata vlerëson se një arsyetim i tillë ishte i mjaftueshëm për t’i dhënë palës përgjigje në pretendimet dhe kërkesat e tij, dhe për ta bindur atë se çështja ishte trajtuar në merita.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pranë gjykatave të rregullta ngriti çështjen e diskriminimit. Ai pretendonte që KGJK-ja në disa raste e kishte lejuar shfrytëzimin e automjeteve zyrtare nga disa gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë, përderisa kërkesën e tij e kishte refuzuar pa bazë dhe në mënyrë diskriminuese.
Gjykata vëren se KGJK-ja dhe Gjykata Supreme i dhanë arsyetimet e tyre në lidhje me këtë pretendim. KGJK-ja arsyetoi se në disa raste të veçanta, kur ekzistojnë disa gjyqtar të të njëjtit vendbanim që udhëtojnë për në vendin e njëjtë të punës, nxjerr vendim të veçantë për një gjë të tillë. Në rastin e parashtruesit të kërkesës ai ishte gjyqtar i vetëm dhe KGJK-ja arsyetoi se nuk kishte mundësi t’ua siguronte të gjithë gjyqtarëve transportin, sepse një gjë e tillë ishte e pamundur financiarisht dhe për shkak të burimeve të kufizuara. Edhe Gjykata Supreme e pranoi këtë arsyetim dhe erdhi në përfundim se nuk kishim të bëjmë me diskriminim, por thjesht me pamundësi ekonomike të KGJK-së për t’ua siguruar transportin gjyqtarëve, dhe se në disa raste kur KGJK-ja i kishte mundësuar gjyqtarëve këtë të drejtë ishte për shkak se disa gjyqtarë udhëtonin për në relacionin e njëjtë dhe jo gjyqtarë individual.
Gjykata vlerëson se siç është argumentuar te pretendimi për interpretimin e gabuar të ligjit, udhëzimi administrativ lejonte që KGJK-ja me akt të veçantë t’ua mundësonte shfrytëzimin e automjetit zyrtar edhe kategorive të tjera të gjyqtarëve dhe zyrtarëve. Gjykata vlerëson se dispozita e tillë i jepte diskrecion KGJK-së të vendoste në raste të veçanta, sipas nevojave të brendshme organizative dhe kur ajo e shihte të arsyeshme, në përputhje me mundësitë teknike dhe financiare. KGJK-ja e kishte pranuar faktin që në disa raste kishte lejuar shfrytëzimin e automjetit zyrtar disa gjyqtarëve, por vetëm atëherë kur kishte disa gjyqtarë që udhëtonin për në vendin e njëjtë dhe jo rasteve individuale. KGJK-ja arsyetoi gjithashtu se ishte e pamundur teknikisht dhe financiarisht të mundësonte për të gjithë gjyqtarët një të drejtë të tillë.
Gjykata vlerëson se një arsyetim i tillë është i logjikshëm dhe në përputhje me dispozitat e udhëzimit administrativ. KGJK-ja dhe Gjykata Supreme arsyetuan pretendimin e ngritur nga parashtruesi i kërkesës sepse në disa raste kishte lejuar një të drejtë të tillë ndërkaq e kishin refuzuar kërkesën e tij. Gjykata vlerëson se pretendimi për diskriminim kishte marrë përgjigje dhe arsyetim të mjaftueshëm, prandaj nuk mund të konsiderohet që arsyetimi ishte i paqartë dhe në kundërshtim me detyrimin për arsyetim të vendimit gjyqësor.
Gjykata konstaton se pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkitazi për mos arsyetim të vendimit gjyqësor, janë pretendime me “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, prandaj duhet të refuzohen si të pabazuara.
Në lidhje me pretendimin për shkeljen e nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit numër 1 të KEDNJ-së.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon që kishte pritshmëri legjitime se do të përfitonte nga lejimi i përdorimit të automjetit zyrtar nga vendbanimi i tij në vendin e punës. Kjo për shkak se, sipas tij, udhëzimi administrativ e parashihte një të drejtë të tillë dhe ai i kishte plotësuar të gjitha kushtet ligjore.
Gjykata ripërsërit se e drejta e pronës gjen zbatim vetëm kundrejt pasurive ekzistuese të parashtruesve të kërkesës dhe nuk garanton përfitim të pronës (rasti i GJEDNJ-së, Marckx kundër Belgjikës, nr. 6833/74, Aktgjykim i 13 qershorit 1979, paragrafi 50). Ndonjëherë, një “pritshmëri legjitime” mund të përbëjë pronë dhe të gëzojë mbrojtje nga Kushtetuta dhe KEDNJ-ja (Rasti i GJEDNJ-së, Pressos Compania Naviera S.A dhe të tjerët kundër Belgjikës, nr. 17849/91, Aktgjykim i 20 nëntorit 1995, paragrafi 31). Për t’u konsideruar “pritshmëri legjitime” parashtruesi duhet të ketë bazë në ndonjë ligj apo akt juridik, dhe jo vetëm një shpresë të thjeshtë. Nuk mund të ketë “pritshmëri legjitime” kur kemi të bëjmë me çështje të interpretimit të ligjit dhe kërkesa e parashtruesit është refuzuar nga autoritetet shtetërore (rasti i GJEDNJ-së, Kopecky kundër Sllovakisë, nr. 44912/98, Aktgjykim i 28 shtatorit 2004, paragrafi 49-50; rasti i Gjykatës KI202/19, parashtrues Demir Krasniqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 nëntorit 2020, paragrafi 49-50, KI189/19, parashtrues Alban Miftaraj, Aktvendim për papranueshmëri, i 10 nëntorit 2020, paragrafi 85).
Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk konteston shkelje të së drejtës së pronës në lidhje me ndonjë pronë ekzistuese të tij. Pretendimi i tij ka të bëjë vetëm me “pritshmëri legjitime” për përfitim të pronës.
Gjykata vlerëson se Udhëzimi administrativ përcaktonte vetëm një rreth të ngushtë të kategorive që kishin të drejtë për përdorim të automjetit zyrtar. Udhëzimi administrativ, dhe as kontrata e punës së parashtruesit të kërkesës nuk detyron KGJK-në t’ia kompensoj shpenzimet e udhëtimit parashtruesit të kërkesës apo t’ia lejoj përdorimin e veturës zyrtare për nevoja të udhëtimit.
Gjykata vlerëson se Udhëzimi administrativ i jepte diskrecion KGJK-së për të vendosur me vendim të veçantë për lejimin e shfrytëzimit të automjetit zyrtar edhe për kategori të tjera të gjyqtarëve dhe zyrtarëve. Mirëpo, ishte në autoritetin e tyre të plotë për të vendosur në lidhje me këtë çështje, sipas nevojave dhe mundësive të brendshme organizative dhe financiare.
Gjykata vlerëson se kërkesat e parashtruesit të kërkesës nuk kanë bazë në ndonjë ligj apo akt tjetër juridik, dhe rrjedhimisht nuk mund të konsiderohet se parashtruesi i kërkesës ka pasur “pritshmëri legjitime” për përfitim të pronës.
Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës kishte vetëm shpresa se KGJK-ja do të mund të miratonte kërkesën e tij.
Gjykata konstaton se pretendimet për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit numër 1 të KEDNJ-së, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, prandaj duhet të refuzohen si të pabazuara.
Përfundime
Si përmbledhje, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, Gjykata konkludon se: (I) pretendimet për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 14 të KEDNJ-së, i përkasin kategorisë së dytë (ii), të pretendimeve me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, andaj, si të tilla, në baza kushtetuese këto pretendime shpallën qartazi të pabazuara; (II) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, i përkasin kategorisë së dytë (ii), të pretendimeve me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, andaj, si të tilla, në baza kushtetuese këto pretendime shpallën qartazi të pabazuara; (III) pretendimet për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit numër 1 të KEDNJ-së, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, në baza kushtetuese këto pretendime shpallen qartazi të pabazuara.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 18 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Ibrahim T. Shala
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile