Prishtinë, më 12 maj 2023
Nr. ref.:RK 2167/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI153/22
Parashtrues
Naser Krasniqi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev.nr.452/2021 të 19 majit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Naser Krasniqi, nga fshati Damanek, komuna Malishevë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar me autorizim nga Ekrem Agushi, avokat në Prishtinë.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit Rev.nr.452/2021, të 19 majit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në lidhje me Aktgjykimin [Ac.nr.3918/20] e 17 qershorit 2021 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).
Aktgjykimin i kontestuar i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës, më 28 qershor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), si dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme], dhe paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 12 tetor 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 25 tetor 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës.
Më 25 tetor 2022, Gjykata e njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe i kërkoi që në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh nga dita e pranimit të shkresës, të bashkëngjit fletëkthesën që dëshmon se kur e ka pranuar parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin [Rev.nr. 452/2021], e 19 majit 2022 të Gjykatës Supreme.
Më 26 tetor 2022, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin [Nr.GJR.KI153/22] e caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi gjyqtare raportuese dhe me Vendimin [Nr.KSH.KI152/22] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani, Bajram Ljatifi dhe Remzije Istrefi-Peci.
Më 9 nëntor 2022, Gjykata Themelore informoi Gjykatën se parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar Aktgjykimi i kontestuar, më 28 qershor 2021.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 12 prill 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin paraprak të propozuar nga gjyqtarja raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës, rezulton se parashtruesi i kërkesës ishte në marrëdhënie pune në kohë të caktuar me Aeroportin Ndërkombëtar “Limak Kosova” Sh.a., me seli në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Aeroporti “Limak Kosova”), fillimisht nga 4 prilli 2011, deri më 3 prill 2014, për t’ia vazhduar me pas kontratën me amendamente shtesë edhe për tre vite të tjera dhe përfundimisht deri me 4 prill 2018.
a) Procedura disiplinore
Më 29 korrik 2014, organet përkatëse të Aeroportit “Limak Kosova” fillimisht parashtruesit të kërkesës i shqiptuan “vërejtjen me shkrim” për shkak të neglizhimit të kryerjes së detyrave të punës.
Më 25 janar 2017, kryeshefi ekzekutiv i Aeroporti “Limak Kosova” parashtruesit të kërkesës i shqipton masën disiplinore “vërejtje e fundit para ndërprerjes së kontratës se punës” për shkak të neglizhimit të kryerjes së detyrave të punës, nga neni 3, paragrafi 3.1, pika 5 e aktit të brendshëm për procedura disiplinore.
Më 22 qershor 2017, Aeroporti “Limak Kosova” njoftoi parashtruesin e kërkesës në formë të shkruar se i shkëputet kontrata e punës, për shkak të shkeljeve të rënda të detyrave të punës dhe për shkak të përsëritjes se këtyre shkeljeve.
Më 5 korrik 2017, kryeshefi ekzekutiv i Aeroportit “Limak Kosova”, në bazë të rekomandimit të Komisionit disiplinor të të njëjtit, nxori vendim nëpërmjet të cilit parashtruesit të kërkesës ia shkëputi kontratën e punës, për shkak të shkeljeve të rënda të detyrimeve nga puna dhe të përsëritjeve të këtyre shkeljeve.
Më 13 korrik 2017, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për rishqyrtim të vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, përmes së cilës kishte kërkuar që vendimi i 5 korrikut 2017, me të cilin i është ndërprerë kontrata e punës, të anulohet si joligjor dhe parashtruesi i kërkesës të kthehet në marrëdhënie pune. Nga Aeroporti “Limak Kosova” nuk kishte marrë përgjigje lidhur me kërkesën e tij.
b) Procedura gjyqësore
Më 10 gusht 2017, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), me të cilën ka kërkuar që të anulohet si i kundërligjshëm vendimi i Komisionit disiplinor i Aeroportit “Limak Kosova”, i 5 korrikut 2017, për ndërprerjen e kontratës së punës, dhe të detyrohet i njëjti që ta kthejë parashtruesin e kërkesës në vendin e tij të punës si punëtor sigurimi, me të gjitha të drejtat nga marrëdhënia e punës dhe t’ia shpërblejë dëmin material për shkak të mosrealizimit të të ardhurave personale për periudhën prej 7 korrikut 2017, e deri me 31 korrik 2019, në shumë prej 13.606,20 Euro, për mosrealizimin e të ardhurave personale, me kamatë vjetore prej 8%, duke filluar nga 31 korriku 2019, e deri te pagesa definitive, si dhe t’i kompensojë shpenzimet e procedurës kontestimore, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e dorëzimit të aktgjykimit.
Aeroporti “Limak Kosova” (i padituri) parashtroi përgjigje në padi, me të cilën e kontestoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me propozim që Gjykata Themelore ta refuzojë kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës në tërësi si të pabazuar, duke theksuar se parashtruesit të kërkesës ia ka ndërprerë kontratën e punës për shkak të shkeljeve të rënda të detyrave të punës të përsëritura dhe konform aktit të brendshëm të procedurës disiplinore dhe ankesave, dhe Ligjit (Nr.03/L-212) të Punës (në tekstin e mëtejmë: Ligji i Punës). Në përgjigje në padi, Aeroporti “Limak Kosova” konstatoi se parashtruesi i kërkesës, me 18 qershor 2017, rreth orës 15:30, deri sa ishte në pikën e kontrollit të sigurimit, është gjetur duke fjetur nga kryeshefi ekzekutivi i Aeroportit “Limak Kosova”, duke vënë kështu në rrezik sigurinë e Aeroportit. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës në cilësi të punëtorit të sigurimit, nuk ka reaguar fare dhe kryeshefi ekzekutiv, derisa ka pritur me veturën e tij para pikës kontrolluese, ka hyrë në aeroport pa u vërejtur nga parashtruesi i kërkesës, me ç’rast, i njëjti ka kryer cënim të rëndë të detyrave të punës. Në vijim, është theksuar se parashtruesit të kërkesës, më 29 korrik 2017 i është shqiptuar vërejtje me shkrim dhe më 25 janar 2017, i është shqiptuar vërejtja e fundit para ndërprerjes së kontratës së punës, për shkak të cënimit të detyrave të punës më 10 dhjetor 2016.
Më 5 mars 2020, Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktgjykimit [C.nr.366/2017], refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, duke theksuar se Komisioni disiplinor, me rastin e marrjes së vendimit për ndërprerje të kontratës së punës, ka zbatuar të gjitha dispozitat e procedurës së përcaktuar me aktin e brendshëm, kontratën e punës të lidhur në mes të Aeroportit “Limak Kosova” dhe parashtruesit të kërkesës, dhe me dispozitat nga Ligji i Punës, dhe se i njëjti vendim është i ligjshëm.
Më 8 qershor 2020, kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, ka paraqitur ankesë parashtruesi i kërkesës, për shkak të: (i) shkeljes qenësore të dispozitave procedurale kontestimore; (ii) vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; dhe (iii) aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që Gjykata e Apelit aktgjykimin e atakuar ta ndryshojë dhe kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës të aprovohet si e bazuar, ose aktgjykimi i atakuar të prishet dhe çështja t’i kthehet në rigjykim gjykatës së shkallës së parë.
Më 17 qershor 2021, Gjykata e Apelit, nëpërmjet Aktgjykimit [Ac.nr.3918/20], refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa vërtetoi Aktgjykimin [C.nr.366/17] e 5 marsit 2020 të Gjykatës Themelore, duke theksuar se e aprovon në tërësi vlerësimin juridik të Gjykatës Themelore si të rregullt dhe të ligjshëm, për arsye se i njëjti nuk është përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore të pretenduara në ankesë dhe nuk ka aplikim të gabuar të së drejtës materiale. Gjykata e Apelit vlerësoi se dispozitivi i Aktgjykimit të Gjykatës Themelore është hartuar në përputhje me dispozitën e nenit 160 të Ligjit (Nr.03/L-006) për Procedurën Kontestimore, duke theksuar se i njëjti është i qartë dhe në përputhje të plotë me arsyet e aktgjykimit. Gjykata e Apelit po ashtu konsideroi se nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të parashtruesit të kërkesës që kanë të bëjnë me mos vërtetimin e gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale nga Gjykata Themelore.
Më 26 korrik 2021, parashtruesi i kërkesës ka paraqitur kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, kundër Aktgjykimit [Ac.nr.3918/20] të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që të dy aktgjykimet e gjykatave të shkallës më të ulët të ndryshohen dhe të aprovohet në tërësi si e bazuar kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesë apo të njëjtat të prishen dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.
Më 31 maj 2022, Gjykata Supreme, nëpërmjet Aktgjykimit [Rev.nr.452/2021], refuzoi si të pabazuar kërkesës për revizion të parashtruesit të kërkesës, të paraqitur kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, duke theksuar në arsyetim se aktgjykimi i goditur nuk përmban shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, për të cilat Gjykata Supreme kujdeset sipas detyrës zyrtare.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, atij i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, si dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës ka ngritur pretendime në lidhje me: shkeljet e dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Parashtruesi i kërkesës konsideron se aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore përmbajnë shkelje qenësore të dispozitave të nënparagrafit (n) të paragrafit (2) të nenit 182 të LPK-së, sepse nuk përmbajnë arsye për faktet vendimtare, kurse arsyet e paraqitura nuk janë kundërthënëse me përmbajtjen e vendimit kontestues të Komisionit disiplinor të Aeroportit “Limak Kosova” dhe përmbajtjen e vërtetë të procesverbaleve të seancës së Komisionit disiplinor.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore nuk i kanë adresuar: “...mangësitë qenësore të vendimit kontestues të të paditurës i cili sikundër është sqaruar në seancën kryesore të dt.24.03.2020 (shiko faqen 4-të të procesverbalit) nuk përmban dispozitiv të kuptueshëm nga se në dispozitivin e vendimit nuk është theksuar koha, mënyra e kryerjes dhe shkelja e rëndë e detyrave të punës nga ana e paditësit, si dhe nuk është bërë përshkrimi faktit dhe cilësimi juridik i shkeljes së rëndë të detyrave të punës sikurse është përcaktuar me rregulloren e të paditurës për procedurat disiplinore dhe ankesat, e cila ka qenë e zbatueshme në kohën e nxjerrjes së vendimit kontestues te e paditura”.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu konstaton se: “...për deri sa gjykata e shkallës së parë në kryerreshtin e 6 të faqes së 3 dhe 4 të arsyetimit të aktgjykimit e konstaton vetëm përbërjen e komisionit disiplinor të paditurës, në arsyetimin e aktgjykimit nuk paraqet arsye lidhur me kundërshtimin e të autorizuarit të paditësit për përbërjen jo të rregullt të komisionit disiplinor, me arsyetim se anëtarët e komisionit në kohën e zbatimit të procedurës disiplinore ndaj paditësit, te e paditura kanë qenë në pozita drejtuese-drejtor, të cilët në këtë status-pozitë zyrtare nuk kanë mundur të jenë anëtarë të komisionit disiplinor për zbatimin e procedurës disiplinore pasi që nga pozita e tyre drejtuese te e paditura dhe në të njëjtën kohë pjesëmarrja e tyre në përbërjen e komisionit disiplinor përfaqëson detyra të pa përputhshme – inkompatibile dhe veprimi i tyre në procedurë disiplinore paraqet akt diskriminues ndaj paditësit”. Në vijim, parashtruesi i kërkesës thekson se: “përveç kësaj, gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë në arsyetimin e aktgjykimeve të tyre nuk kanë paraqit arsye fare lidhur me faktin se vendimin kontesties, me të gjitha të metat e theksuara më lartë nuk e ka nxjerrë komisioni disiplinor, por e ka nxjerrë dhe nënshkruar vetëm Kryeshefi Ekzekutiv-anëtari i bordit Haldum Fiort, i cili nuk ka marrë pjesë gjatë procedurës disiplinore”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Themelore gjatë procedurës së zhvilluar nuk e ka vërtetuar faktin se ndaj paditësit është zbatuar procedura disiplinore konform dispozitave të aktit të brendshëm të Aeroportit “Limak Kosova”, rrjedhimisht nuk është vërtetuar ekzistimi i përgjegjësisë disiplinore të parashtruesit të kërkesës për shkeljen e rëndë të detyrës. Parashtruesi i kërkesës thekson se: “Procedura disiplinore në rastin konkret nuk është udhëhequr nga komisioni i rregullt sepse fillimin e procedurës e ka bërë i njëjti organ i cili e ka nënshkruar vendimin kontestues, i cili ka pas pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv te e paditura dhe gjatë zbatimit të procedurës nuk ka marrë pjesë në seancën e shqyrtimit”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se: “Gjykata e shkallës së parë dhe shkallës së dytë gabimisht i kanë zbatuar dispozitat e nenit 70.4 dhe 85 të Ligjit të Punës, dispozitat e nenit 5.2, 6.1.5, 16.3 të Procedurave Disiplinore dhe Ankesave dhe dispozita e nenit 5.3 e kontratës së punës, me aryetim se me dispozitat e nenit 70 dhe 85 të LP-së janë rregulluar rastet dhe kushtet ligjore për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, të cilat në këtë sidat juridike nuk janë plotësuar.” Po ashtu, parashtruesi i kërkesës shton se: “është i befasuar me interpretimin e gabuar të dispozitës së nenit 70 al.1 pika 1.4 të LP-së, nga ana e gjykatave instanciale, me të cilën është përcaktuar se punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit me një periudhë paralajmërimi në rastet e rënda të sjelljes së keqe të punonjësit dhe punëdhënësi duhet ta njoftojë të punësuarin për largimin e tij menjëherë pas rastit që shpie në largim ose sapo punëdhënësi është vënë në dijeni të atij rasti”.
Në pretendimet e tij, parashtruesi i kërkesës i referohet Aktgjykimit [Rev.nr.392/2020] të Gjykatës Supreme të 29 qershorit 2021, me të cilin refuzoi revizionin e Aeroportit “Limak Kosova” si të pabazuar. Në këtë kontest, paditësi F.A. kishte paditur Aeroportin “Limak Kosova” për anulimin e vendimit për ndërprerje të kontratës së punës dhe shpërblimin e dëmit, dhe Aktgjykimet e gjykatave të rregullta ishin të favorshme për paditësin.
Lidhur me shkeljet e pretenduara të Kushtetutës dhe pranueshmërinë e kërkesës së tij, parashtruesi i kërkesës vlerëson se: “Gjykatat e cekura më lartë kanë shkelur dispozitën e nenit 113 (7) të Kushtetutës së R. Kosovës me të cilën është parashikuar se “individët janë të autorizuar ti ngritin shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me kushtetutë, mirëpo pasi ti kenë shtjerrë të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”. Në situatën konkrete paditësi- i autorizuari i tij i ka shteruar të gjitha mjetet juridike e cila ka të bëjë vetëm me shpërblimin e dëmit jomaterial për vlerësimit të ligjshmërisë së njoftimit apo vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës si dhe gjykatat instancinale nuk kanë autorizim ligjorë që njoftimin për ndërprerjen e kontratës së punës pasi që në këtë çështje juridiko civile, paditësit i është shkaktuar edhe e padrejtë në të holla, pavarësisht nga shpërblimi i dëmit material”.
Parashtruesi i kërkesës shton se: “...ky interpretim për më më tepër se kaq është jo profesional dhe në këtë mënyrë paditësit i janë shkelur rëndë të drejtat nga neni 31 (2) të Kushtetutës së R. Kosovës e cila garanton se “çdo kush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e themeluar me ligj”. Neni 53 i kushtetutës përcakton zbatimin e drejtpërdrejtë ë GJEDNJ. Pasi që paraqitësi i kërkesës saktëson qartë dispozitat kushtetuese dhe të drejtat e tij të garantuara me kushtetutë dhe Konventën Evropiane, kërkon nga Gjykata Kushtetuese e R. Kosovës që të pranoj këtë rast dhe të shqyrtoj kërkesën në pajtim me përmbajtjen e shkeljeve të pretenduara nga paditësi”.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata: (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe të nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së, si dhe të konstatojë se Aktgjykimet e gjykatave të rregullta nuk e kanë arsyetuar bindshëm dhe në mënyrë faktike gjendjen reale; (iii) të konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 54 [Mbrojtja Gjyqësor e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 (E Drejta për Zgjidhje Efektive) të KEDNJ-së; (iv) të shpallë të pavlefshme Aktgjykimet e gjykatave të rregullta.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E Drejta për një proces të rregullt)
1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri dëmokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]
Neni 13
(E drejta për zgjidhje efektive)
Çdokush të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.
LIGJI NR. 03/l-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 160
(Pa titull)
160.1 Aktgjykimi i përpiluar me shkrim duhet ta ketë: pjesën hyrëse, dispozitivin, arsyetimin dhe udhëzimin mbi të drejtën e ankimit kundër aktgjykimit.
160.2Pjesa hyrëse e aktgjykimit përmban: emrin e gjykatës, emrin dhe mbiemrin e gjyqtarit, emrin dhe mbiemrin, vendbanimin, gjegjësisht vendqëndrimin e palëve, të përfaqësuesve të tyre ligjor dhe me prokurë, tregimin e shkurtër të objektit të kontestit dhe vlerën e tij, ditën e përfundimit të shqyrtimit kryesor, tregimin e palëve, të përfaqësuesve të tyre ligjor dhe me prokurë që kanë qenë të pranishëm në seancënpër shqyrtimin e tillë si dhe ditën kur është dhënë aktgjykimi.
160.3Dispozitivi i aktgjykimit përmban: vendimin me të cilin aprovohen apo refuzohen kërkesat e veçanta që kanë të bëjnë me çështjen kryesore dhe kërkesat aksesore, vendimin për ekzistimin apo mosekzistimine kërkesës së parashtruar me qëllim kompensimi të saj me kërkesëpadinë si dhe vendimin mbi shpenzimet procedurale.
160.4 Arsyetimi i aktgjykimit përmban: kërkesat e palëve, faktet që i kanë parashtruar dhe provat që i kanë propozuar, cilat nga faktet e tilla i ka vërtetuar, pse dhe si i ka vërtetuar ato fakte, e po që se i ka vërtetuar me anë të provave, cilat prova i ka shfrytëzuar dhe si i ka vlerësuar ato.
160.5 Gjykata posaçërisht tregon se cilat dispozita të së drejtës materiale i ka zbatuar me rastin e vendosjes mbi kërkesat e palëve. Kur është nevoja gjykata deklarohet edhe lidhur me qëndrimet e palëvepër bazën juridike të kontestit, si dhe për propozimet dhe prapësimet e tyre, për të cilat gjykata nuk ka bërë arsyetime të vendimeve që i ka dhënë me herët gjatë procesit gjyqësor.
160.6 Në pjesën arsyetuese të aktgjykimit kontumacional, aktgjykimit në bazë të pohimit, aktgjykimit në bazë të heqjes dorë nga kërkesëpadia, apo të aktgjykimit për shkak të mungesës, jepen vetëm arsyet qëe justifikojnë dhënien e aktgjykimeve të këtilla.
Neni 182
(Pa titull)
(...)
182.2 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston gjithmonë:
(...)
n) në qoftë se aktgjykimi ka të meta për shkak të të cilave nuk mund të ekzaminohen, e sidomos në qoftë se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm apo kontradiktor me vetvete ose me arsyet e aktgjykimit, apo nëse aktgjykimi nuk ka fare arsye apo në të nuk janë treguar fare arsyet për faktet vendimtare, ose ato arsye janë të paqarta, ose kontradiktore, ose nëse për faktet vendimtare ekzistojnë kundërthënie midis asaj që në arsyet e aktgjykimit thuhet për përmbajtje të dokumentit ose të procesverbalit për thëniet e dhëna në procedurë dhe të vet atyre dokumenteve ose të procesverbalit;
LIGJI Nr. 03/L-212 I PUNËS
KREU VIII NDËRPRERJA E MARRËDHËNIES SË PUNËS
Neni 69
(Ndërprerja e marrëdhënies së punës nga i punësuari)
1. I punësuari ka të drejtën e ndërprerjes së Kontratës së Punës në mënyrë të njëanshme;
2. I punësuari me kontratë në kohë të caktuar për ndërprerjen e kontratës së punës, duhet ta informojë punëdhënësin paraprakisht në formë të shkruar në afatin prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh, ndërsa i punësuari me kontratë në kohë të pacaktuar në afatin prej tridhjetë (30) ditësh.
3. I punësuari mund ta ndërpresë kontratën e punës pa njoftim paraprak në formë të shkruar të përcaktuar në paragrafin 1. të këtij neni, në rastet kur është fajtor për mos përmbushje të detyrimeve të cilat rrjedhin nga kontrata e punës.
Neni 70
(Ndërprerja e Kontratës së Punës nga ana punëdhënësi)
1. Punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit me një periudhë paralajmërimi, atëherë kur:
1.1. ndërprerja e tillë arsyetohet për arsye ekonomike, teknike ose organizative;
1.2. i punësuari nuk është më i aftë t’i kryejë detyrat e punës;
1.3. punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën e punës në rrethanat e përcaktuara në nënparagrafin 1.1. dhe 1.2., të këtij paragrafi nëse është e papërshtatshme për punëdhënësin që ta transferojë të punësuarin në një vend pune tjetër, ta trajnojë a ta kualifikojë atë për ta kryer punën ose ndonjë punë tjetër;
1.4. punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit në periudhën e kërkuar të paralajmërimit të ndërprerjes në:
1.4.1. rastet e rënda të sjelljes së keqe të punonjësit; dhe
1.4.2. për shkak të përmbushjes së pakënaqshme të detyrave të punës.
1.5. punëdhënësi duhet ta njoftojë të punësuarin për largimin e tij/saj menjëherë pas rastit që shpie në largim, ose sapo punëdhënësi të jetë vënë në dijeni të atij rasti;
1.6. punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit pa periudhën e kërkuar të paralajmërimit të ndërprerjes, atëherë kur:
1.6.1. i punësuari është fajtor për përsëritjen e një keq sjelljeje më pak serioze ose të shkeljes së detyrimeve;
1.6.2. performanca e të punësuarit mbetet e pakënaqshme përkundër paralajmërimit me shkrim.
2. Punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën e punës në bazë të nën-paragrafit 1.6. të paragrafit 1. të këtij neni vetëm atëherë kur i punësuari ka marrë përshkrimin në formë të shkruar të performancës së pakënaqshme, një afat të përcaktuar kohor brenda të cilit i punësuari duhet ta përmirësojë performancën e vet, si dhe një deklaratë se dështimi për përmirësimin e performancës do të rezultojë me largim nga puna pa asnjë paralajmërim të mëtejmë me shkrim.
3. Punëdhënësi duhet që të mbajë takim me të punësuarin për t’ia shpjeguar atij/asaj ndërprerjen e kontratës së punës ose me qëllim që t’ia dorëzojë paralajmërimin, i punësuari ka të drejtë që të shoqërohet nga një përfaqësues sipas dëshirës së vet.
4. Marrëveshjet Kolektive ose Aktet e Brendshme të Punëdhënësit mund t’i specifikojnë llojet e keq sjelljeve ose të shkeljeve të detyrimeve të cilat bëjnë që i punësuari t’i nënshtrohet ndërprerjes të kontratës së punës pa periudhë paralajmërimi, qoftë pas një rasti të vetëm dhe qoftë pas shkeljeve të përsëritura.
1. I punësuari ka të drejtën e ndërprerjes së Kontratës së Punës në mënyrë të njëanshme;
2. I punësuari me kontratë në kohë të caktuar për ndërprerjen e kontratës së punës, duhet ta informojë punëdhënësin paraprakisht në formë të shkruar në afatin prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh, ndërsa i punësuari me kontratë në kohë të pacaktuar në afatin prej tridhjetë (30) ditësh.
3. I punësuari mund ta ndërpresë kontratën e punës pa njoftim paraprak në formë të shkruar të përcaktuar në paragrafin 1. të këtij neni, në rastet kur është fajtor për mos përmbushje të detyrimeve të cilat rrjedhin nga kontrata e punës.
KREU IX PROCEDURAT PËR REALIZIMIN E TË DREJTAVE NGA MARRËDHËNIA E PUNËS
Neni 85
(Masat disiplinore për shkeljen e detyrave të punës)
1. Për shkeljen e detyrave të punës, të punësuarit do t’i shqiptohet njëra nga këto masa ndëshkuese:
1.1. vërejte me gojë;
1.2. vërejtje me shkrim;
1.3. ulje në pozitë;
1.4. suspendim të përkohshëm;
1.5. ndërprerje të marrëdhënies së punës.
2. Masat ndëshkuese, vërejtje me gojë, vërejtje me shkrim dhe ulje, degradim të pozitës, do të shqiptohen për shkelje të lehta të detyrave të punës në pajtim me Kontratën Kolektive, Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit dhe Kontratën e Punës.
3. Masat ndëshkuese, suspendimi i përkohshëm dhe ndërprerja e marrëdhënies së punës, do të shqiptohen për shkelje të rënda të detyrave të punës në pajtim me Kontratën Kolektive, Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit dhe Kontratën e Punës.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai e konteston kushtetutshmërinë e një akti të autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev.nr.452/2021] e 31 majit 2022 të Gjykatës Supreme; se i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; se i ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parashihet me nenin 49 të Ligjit.
Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nënrregullin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës, që përcakton:
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.
Gjykata rikujton se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastet e Gjykatës KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; dhe KI175/20, me parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” shih rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii)).
Gjykata, fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me atë që parashtruesit të kërkesës i ishte ndërprerë kontrata e punës nga ana e Aeroportit “Limak Kosova” për shkak të shkeljeve të rënda të detyrave të punës. Parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar prapë Aeroportit me kërkesë që të rishqyrtohet vendimi për ndërprerjen e punës, për të cilën nuk kishte marrë përgjigje, dhe i ishte drejtuar Gjykatës Themelore me padi kundër Aeroportit “Limak Kosova”, ku kishte kërkuar anulimin e vendimit të paditurës për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me kërkesë që të kthehet në vendin e njëjtë të punës si dhe t’i kompensohet dëmi i shkaktuar për ndërprerje të marrëdhënies së punës. Gjykata Themelore refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e refuzoi si të pathemeltë ankesën e tij. Përmes përfaqësuesit të tij parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, i cili revizion u refuzua si i pabazuar nga ana e Gjykatës Supreme.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, si dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.
i. Perkitazi me shkeljet e pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Gjykata vëren se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës qëndron në pretendimin se Gjykatat e rregullta kanë shkelur nenin 31 të Kushtetutës, pasi që vendimet e tyre i kanë bazuar në dispozita të gabuara ligjore, duke arsyetuar: “... jam i befasuar me interpretimin e gabuar të dispozitës së nenit 70 al.1 pika 1.4 të LP-së, nga ana e gjykatave instanciale, me të cilën është përcaktuar se punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit me një periudhë paralajmërimi në rastet e rënda të sjelljes së keqe të punonjësit dhe punëdhënësi duhet ta njoftojë të punësuarin për largimin e tij menjëherë pas rastit që shpie në largim ose sapo punëdhënësi është vënë në dijeni të atij rasti”.
Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga Gjykatat e rregullta, përkatësisht nenit 70.4 dhe 85 të Ligjit të Punës, nenit 182 të Ligjit të Procedurës Kontestimore (LPK-së).
Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtruese Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34).
Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu, rastet e Gjykatës, KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 35).
Gjykata vëren se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë aktgjykimet përkatëse, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.
Së pari, Gjykata Themelore, me Aktgjykimin [C.nr.366/2017], refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit së kërkesës si të pabazuar. Në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës se procedura disiplinore nga Komisioni disiplinor nuk është zbatuar në pajtim me dispozitat e Ligjit të Punës dhe Rregullores së Aeroportit “Limak Kosova”, Gjykata Themelore konstatoi se: “... komisioni disiplinor në përbërje prej tre anëtarëve është formuar konform nenit 8.1 të rregullores për procedurave disiplinore dhe ankesave të të paditurës, me të cilën parashihet se komisioni disiplinor përbëhet prej 3 anëtarëve dhe sekretarit për ta mbajtur procesverbalin, dhe se kryeshefi ekzekutiv pasi ka pranuar rekomandimin nga komisioni disiplinor ka marruar vendimin për ndërprerje të kontratës së punës, konform nenit 8.15 të të njëjtës rregullore, me të cilën parashihet se Komisioni disiplinor bazuar në fakte dhe dëshmi, përgatit një raport me rekomandim për masën disiplinore tek menaxheri gjeneral, për të vendosur përfundimisht mbi masën disiplinore që do të shqiptohet”. Në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës se në vendimin me të cilin është ndërprerë kontrata e punës nuk është saktësuar cenimi i detyrave të punës dhe nuk e përmban përshkrimin e fakteve të shkeljes, kohën e kryerjes dhe mënyrën, Gjykata Themelore theksoi se këto: “nuk janë lëshime të tilla të cilat ishin me ndikim për të vendosur ndryshe nga se është vendosur me këtë aktgjykim, si në dispozitiv, nga se në arsyetimin e vendimit kontestues është përshkruar koha, vendi dhe mënyra e cenimit të detyrave të punës nga paditësi”.
Po ashtu edhe Gjykata e Apelit me Aktgjykimin [Ac.nr.3918/20], refuzoi si të pa bazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës, se Komisioni disiplinor me rastin e ndërprerjes së kontratës së punës, nuk i ka respektuar dhe zbatuar procedurat e parapara me Ligjin e Punës dhe aktin e brendshëm, Gjykata e Apelit vlerësoi se të njëjtat janë të pabazuara, meqenëse nga provat e administruara ka rezultuar se i njëjti, me rastin e ndërprerjes së kontratës së punës parashtruesit të kërkesës, në tërësi e ka zbatuar procedurën disiplinore të paraparë me dispozitat përkatëse dhe aktin e brendshëm të tij, ndërsa parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të provojë faktin se me të vërtetë Aeroporti “Limak Kosova” ka bërë shkeljet e pretenduara. Në lidhje me pretendimet ankimore të parashtruesit të kërkesës se Aeroporti “Limak Kosova” e ka ndërprerë kontratën e punës, pa paralajmërim dhe pa e zbatuar procedurën e paraparë me nenin 70 të Ligjit të Punës, Gjykata e Apelit konstatoi se ky pretendim nuk qëndron, sepse parashtruesit të kërkesës i është shqiptuar vërejtja e fundit me shkrim me Vendimin e 25 janarit 2017, për shkelje dhe përsëritje të shkeljeve të detyrave të punës. Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës është paralajmëruar se përsëritja e këtyre sjelljeve dhe veprimeve mund të ketë pasojë ndërprerjen e kontratës së punës, respektivisht marrëdhënies së punës. Në këtë drejtim, Gjykata e Apelit theksoi se: “Përsëritja e shkeljeve të detyrave të punës, përveç që është shkelje e veçantë e detyrave të punës, për shkak të periudhës kohore në mes shqiptimit të vërejtjes së fundit me shkrim dhe shkeljeve të detyrave të punës me datë 18.06.2017, mund të llogaritet edhe si përsëritje e shkeljes së detyrave të punës, për çka në rastin konkret zbatohet neni 70 parag.1 pika 1.6, lidhur me pikën 1.6.1 të Ligjit të Punës, që do të thotë se në raste të tilla nuk kërkohet të kalojë periudha e paralajmërimit”. Në vijim, Gjykata e Apelit shtoi se nuk qëndrojnë pretendimet ankimore lidhur me përbërjen jo të rregullt të Komisionit disiplinor, mos përfaqësimin me avokat të paditësit në këtë procedurë dhe mos thirrja e përfaqësuesit të sindikatës. Kjo për faktin se duke iu referuar shkresave të lëndës, rezulton se e paditura i ka zbatuar në tërësi dispozitat e aktit të brendshëm dhe Ligjit të Punës në lidhje me këto çështje, ndërsa ka prova në shkresat e lëndës se në seancën dëgjimore të Komisionit disiplinor ka qenë i ftuar për pjesëmarrje edhe përfaqësuesi i sindikatës.
Në fund, në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme me Aktgjykimit [Rev.452/2021], e refuzoi si të pabazuar revizionin e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës. Në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës se: “... në vendimin e Komisionit Disiplinor të Aeroportit “Limak Kosova” nuk përshkruhen shkeljet serioze të detyrave të punës dhe se vendimi në fjalë nuk përmban mënyrën, vendin dhe kohën e kryerjes së shkeljes disiplinore”, Gjykata Supreme konstatoi se të njëjtat nuk qëndrojnë, meqenëse në bazë të procedurës së zhvilluar nga Komisioni disiplinor, në bazë të aktit të brendshëm të Aeroportit “Limak Kosova” është konstatuar se më 18 qershor 2017, parashtruesi i kërkesës nuk ka qenë në detyrë në pikën e kontrollit të sigurimit përballë ndërtesës së MEP-it në kohën kur kryeshefi ekzekutiv dhe anëtari i Bordit ka ardhur në Aeroport dhe ka kaluar pikën e sigurimit pa ndonjë vështirësi dhe pa u kontrolluar. Nga kjo del se në vendimin e Komisionit disiplinor për ndërprerjen e kontratës së punës të parashtruesit të kërkesës, përshkruhet në mënyrë të qartë koha, vendi dhe mënyra e kryerjes së veprës disiplinore. Në vijim, Gjykata Supreme theksoi se pretendimet e tjera të parashtruesit të kërkesës, se përbërja e Komisionit ka qenë jo e rregullt nuk qëndrojnë, sepse nga provat e administruara e njëjta vërtetoi se Komisioni është mbledhur, ekziston procesverbali i takimit të Komisionit dhe se kanë qenë prezent anëtarët e komisionit, që nënkupton se procedurat janë zhvilluar në harmoni me dispozitat e Rregullores, dhe se veprimet e parashtruesit të kërkesës paraqesin shkelje të rëndë të detyrave të punës nga paragrafi (1) i nenit 4 të Rregullores në fjalë. Po ashtu, Gjykata Supreme shtoi se pretendimi i parashtruesit të kërkesës se i njëjti është dashur të njoftohet për ndërprerjen e kontratës së punës nuk qëndron: “...nga fakti se në bazë të nenit 69 par.3 të Ligjit të Punës 03/L-212 është përcaktuar se punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën e punës pa njoftim paraprak në formë të shkruar të përcaktuar në par.1 të këtij neni, në rast kur i punësuari është fajtor për mos përmbushjen e detyrimeve të cilat rrjedhin nga kontrata e punës dhe se në bazë të fakteve të vërtetuara pranë gjykatës së shkallës së parë si dhe nga shkresat e lëndës vërtetohet fakti se ndaj paditësit është zhvilluar procedura konform Ligjit të Punës dhe Aktit të brendshëm të paditurës”.
Për sa më sipër, Gjykata konstaton që parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi të përfitojë nga procedura kontradiktore dhe se ka pasur mundësi që në fazat e ndryshme të procedurës t’i paraqesë pretendimet dhe provat të cilat i ka konsideruar si të rëndësishme për rastin e tij; ka pasur mundësinë për t’i kundërshtuar në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta i kanë dëgjuar dhe shqyrtuar të gjitha pretendimet e tyre, e të cilat, shikuar objektivisht, kanë qenë të rëndësishme për zgjidhjen e lëndës, dhe se arsyet faktike dhe juridike për vendimin e kundërshtuar janë paraqitur në detaje, dhe për këtë arsye procedura, e marrë në tërësi, ishte e drejtë (shih, mutatis mutandis, Aktgjykimi i GJEDNJ-së i 21 janarit 1999, García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, paragrafët 29 dhe 30; shih, gjithashtu, rastin e Gjykatës KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata thekson që në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit, thekson se, Gjykatat e rregullta kanë interpretuar gabimisht dispozitën e nenit 70.4 dhe 85 të Ligjit të Punës dhe nenin 182 të LPK-së, megjithatë ai nuk e mbështet në asnjë mënyrë dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim i ligjit të aplikueshëm nga gjykatat e rregullta, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se si procedurat pranë gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit së kërkesës dhe kanë arsyetuar qartazi të njëjtat (shih rastet e Gjykatës KI64/20, parashtrues Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI22/19, cituar më lart, paragrafi 43).
Thënë këtë, Gjykata vlerëson se Gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ku në bazë të provave të nxjerra ishte vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe me këtë rast, të njëjtat ishin shpallur si të pabazuara. Sa më sipër, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur që pretendimet e tij për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë t’i ngrejë në nivel kushtetutshmërie.
ii. Përkitazi me pretendimet e tjera
Siç u cek më lart, parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, shkel të drejtat e tij të garantuara me nenin 54 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së. Mirëpo, parashtruesi i kërkesës vetëm i përmend nenet përkatëse, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e tyre. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës Kushtetuese KI187/18 dhe KI 11/19, parashtrues: Muhamet Idrizi, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2019, paragrafi 73; KI125/19 parashtrues: Ismajl Bajgora, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 63; dhe së fundmi rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi për papranueshmëri, i 26 marsit 2021, paragrafët 79-82).
Thënë këtë, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e neneve të lartcekura, në baza kushtetuese duhet deklaruar qartazi të pabazuara.
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se: (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës dhe nenit 13 të KEDNJ-së, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, në baza kushtetuese edhe këto pretendime shpallën qartazi të pabazuara.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, duhet deklaruar e papranueshme si qartazi e pabazuar.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 48 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 12 prill 2023 njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Naser Krasniqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile