Prishtinë, më 14 shtator 2023
Nr. ref.: RK2249/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI172/22
Parashtruese
Florije Budakova
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ-UZVP.nr.43/2022, të 15 qershorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Florije Budakova, me vendbanim në fshatin Ribarë i Vogël të Komunës së Lipjanit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), e përfaqësuar nga Albina Shala-Budakova, avokate në Komunën e Lipjanit.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [ARJ-UZVP.nr.43/2022] të 15 qershorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në ndërlidhje me Aktgjykimin [AA.nr.46/20] e 21 marsit 2022 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimit [A.nr. 2964/17] të 26 nëntorit 2019 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ-UZVP.nr.43/2022] të 15 qershorit 2022 të Gjykatës Supreme, përmes së cilit pretendohet se parashtrueses së kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e saj themelore të garantuara me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 21 [Parimet e Përgjithshme], 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumentet Ndërkombëtare], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 (E Drejta për një Proces të Rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) si dhe nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr.01/2023 (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 14 nëntor 2022, parashtruesja e kërkesës e dorëzoi kërkesën e saj përmes postës, të cilën Gjykata Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e pranoi më 16 nëntor 2022.
Më 2 dhjetor 2022, Gjykata njoftoi parashtruesen e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe i kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë formularin e plotësuar të kërkesës. Në po të njëjtën ditë Gjykata njoftoi edhe Gjykatën Supreme.
Në të njëjtën ditë, Gjykata po ashtu njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe i kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë fletë-kthesën që dëshmon se kur parashtruesja e kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 5 dhjetor 2022, Gjykata Themelore e dorëzoi në Gjykatë fletë-kthesën e kërkuar që dëshmon se parashtruesi vendimin e kontestuar e ka pranuar më 29 korrik 2022.
Në të njëjtën ditë, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr.GJR.KSH KI172/22] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha, Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 15 dhjetor 2022, parashtruesja e kërkesës dorëzoi formularin e plotësuar të kërkesës përmes postës, të cilën Gjykata e pranoi më 20 dhjetor 2022. Përveç, formularit të kërkesës, parashtruesja e kërkesës dorëzoi në Gjykatë edhe (i) kopjen e Kontratës [nr.47/2015] për financimin e projekteve investuese të zhvillimit rural të lidhur në mes të saj edhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë/ Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (në tekstin e mëtejmë: MBPZhR) më 13 korrik 2015, (ii) padinë e përsëritur kundër Vendimit të Komisionit të ankesave të MBPZhR [nr. prot. 7601/2018], të 19 nëntorit 2018 dhe (iii) vendimet relevante të gjykatave të rregullta në lidhje me padinë e saj.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 21 shkurt 2023, Gjykata i kërkoi parashtrueses së kërkesës që të dorëzojë në Gjykatë dokumentet si në vijim:
Kopjen e kërkesës për leje ndërtimi në ngastrën kadastrale P-71409052-00050-0 (në tekstin e mëtejmë: ngastra kadastrale nr. 00050-0), në Komunën e Lipjanit;
Kopjen e kërkesës [nr. 4377] për ndërrim të ngastrës kadastrale, të 16 shtatorit 2015, të dorëzuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (në tekstin e mëtejmë: MBPZhR);
Kopjen e informatës me shkrim [nr.ref.07/4/3/516] të 23 shtatorit 2015, të MBPZhR-së;
Kopjen e Vendimit [Nr. Ref. AZHB. 07/4/680] të 14 janarit 2016, të MBPZhR-së;
Kopjen e ankesës kundër Vendimit [Nr. Ref. AZHB. 07/4/680] të 14 janarit 2016, të MBPZhR-së;
Kopjen e Vendimit [nr. 696] të 8 prillit 2016, të MPBZhR-së;
Kopjen e kërkesëpadisë për konflikt administrativ, të 17 majit 2016 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore);
Kopjen e Vendimit [nr. 7601] të 16 nëntorit 2018, të MPBZhR-së;
Kopjen e ankesës kundër Aktgjykimit [A.nr.2964/17] të 26 nëntorit 2019 të Gjykatës Themelore;
Kopjen e kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të parashtruar ndaj Aktgjykimit [AA.nr.46/20] të 21 marsit 2022 të Gjykatës së Apelit.
Më 22 mars 2023, parashtruesja e kërkesës dorëzoi në Gjykatë dokumentet e lartcekura përveç: (i) kopjes së kërkesës për leje ndërtimore për ngastrën kadastrale nr. 00050-0 por në vend të saj dorëzoi kopjen e lejes ndërtimore të lëshuar nga Komuna e Lipjanit; (ii) kopjes së informatës me shkrim [nr.ref.07/4/3/516] të 23 shtatorit 2015, të MBPZhR-së; (iii) Kopjes së ankesës kundër Vendimit [Nr. Ref. AZHB. 07/4/680] të 14 janarit 2016, të MBPZhR-së; (iv) kopjes së Vendimit [nr. 7601] të 16 nëntorit 2018, të MPBZhR-së dhe (v) kopjes së kërkesëpadisë për konflikt administrativ, të 17 majit 2016 në Gjykatën Themelore.
Më 29 gusht 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 10 korrik 2015, MBPZhR përmes Letër informimit [07/4/80] njoftoi parashtruesen e kërkesës se projekti i saj investues për mbështetje në kuadër të masës 101: “Investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore”; nën masa 101.3.a “Sektori: Trashja e viçave”, projekti: “Ndërtimi i fermës për majmërinë e 20 (njëzet) viçave me mekanizëm bujqësor”, kishte plotësuar kriteret e parapara sipas thirrjes për aplikim për fillim të investimit.
Më 13 korrik 2015, parashtruesja e kërkesës lidhi Kontratën [nr.47/2015] me MBPZHR për financimin e projektit investues të lartcekur, me vlerë totale prej 44,250.00 (dyzet e katër mijë e dyqind e pesëdhjetë) euro, nga e cila shumë, vlera e përkrahjes publike ishte 60% (gjashtëdhjetë përqind) apo 26,550.00 € (njëzet e gjashtë mijë e pesëqind e pesëdhjetë euro), për periudhë monitoruese 5 (pesë) vjeçare nga dita e ekzekutimit të fundit të pagesës.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesja e kërkesës ndërtoi shtallën në ngastrën kadastrale nr. 00050-0, bleu vjetat dhe pajisjet përcjellëse, si dhe mori kredi në dy banka në vlerë prej 44,250.00 € (dyzet e katër mijë e dyqind e pesëdhjetë euro).
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesja e kërkesës aplikoi për leje ndërtimi në ngastrën kadastrale nr. 00050-0 në Komunën e Lipjanit, me ç’rast vërejti se në aplikacionin për përkrahje të projektit ka ngatërruar numrin e ngastrës kadastrale dhe në vend të saj, kishte evidentuar ngastrën kadastrale nr. P-71409052-00033-0 (në tekstin e mëtejmë: ngastra kadastrale nr. 00033-0).
Më 10 nëntor 2015, Komuna e Lipjanit lëshoi lejen ndërtimore për Punët ndërtimore - Shtallë e gjedheve etazhiteti P+O në lokacionin që përfshin ngastrën kadastrale nr. 00050-0, në vendin i quajtur “Selo” ZK Ribar i Vogël, e evidentuar në pronësi të investitorit.
Më 16 shtator 2015, parashtruesja e kërkesës parashtroi kërkesë [nr. 4377] në MBPZHR për ndërrimin e ngastrës kadastrale në aplikacionin për përkrahje të investimit nga ngastra kadastrale me nr. 00033-0 në ngastrën kadastrale me nr. 00050-0.
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 23 shtator 2015, MBPZHR përmes informatës me shkrim [nr.ref.07/4/3/516] njoftoi parashtruesen e kërkesës se e njëjta nuk mund të bëjë investime në parcelën në të cilën ka kërkuar të ndërrohet në raport me parcelën e cila është shënuar në aplikacion për përkrahje të projektit.
Më 14 janar 2016, MBPZHR përmes Vendimit [Nr. Ref. AZHB. 07/4/680] refuzoi përkrahjen e projektit për bujqësi dhe zhvillim rural të parashtrueses së kërkesës bazuar në Ligjin Nr.03/L-098 për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.04/L-090 dhe Udhëzimit Administrativ Nr.01/2015 për masat dhe kriteret e përkrahjes në bujqësi dhe zhvillim rural për vitin 2015, të 2 marsit 2015 (në tekstin e mëtejmë: Udhëzimi Administrativ (MBPZHR) nr. 01/2015), me sqarimin si në vijim: “Në bazë të raportit të parë nga tereni parcela e pranuar për investim është Nr. P – 71-409052-00033-0 ndërsa nga raporti i dytë nga tereni të datës 20/11/2015 shihet se fermerja ka kryer investimin në parcellën Nr. P-71409052-00050-0 për të cilën ka bërë kërkesë për ndërrim të parcelës me Nr. 4377 po që nuk e ka marrë miratimin nga Divizioni i Miratimit të Projekteve (Informata me Nr. 4535). Andaj, refuzohet autorizimi i pagesës për investimin e kryer.”
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në Komisionin e Ankesave të MBPZhR për anulimin e Vendimit [Nr. Ref. AZHB. 07/4/680] të 14 janarit 2016, të shkallës së parë dhe kërkoi t’i njihet e drejta për financim të projektit investues në tërësi sipas kontratës së 13 korrikut 2015.
Më 8 prill 2016, Komisioni i Ankesave të MBPZhR, përmes Vendimit [nr. 696] refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës për përkrahje në financimin e projektit investues në bujqësi bazuar në paragrafin 7 të nenit 33 të Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) nr. 01/2015 me arsyetimin si në vijim: “Pas shqyrtimit të lëndës në bazë të ankesës së fermerit është konstatuar se ankesa në fjalë është e pa bazë dhe se Vendimi Divizionit të Autorizimit të Pagesave mbetet në fuqi, pasi që është konstatuar se Vendimi është marrë në pajtim të plotë me kriteret dhe kushtet e parapara për aplikim me Udhëzimin Administrativ Nr. 01 /2015 për masat dhe kriteret e përkrahjes në bujqësi dhe zhvillim rural për vitin 2015 të datës 02.03.2015. Arsyetimi: Divizioni për Autorizimin e Pagesave është bazuar në Informatën e lëshuar nga Komisioni i PZHR-së të datës 23.09.2015 me nr. Protokoli 4535 dhe nr. Referencës 07/04/03/516, ku i është Refuzuar ndërrimi i lokacionit për ndërtim të shtallës.”
Më 17 maj 2016, parashtruesja e kërkesës parashtroi padi për konflikt administrativ në Gjykatën Themelore kundër Vendimit [nr. 696] të 8 prillit 2016 të MBPZhR ku kërkoi anulimin e tij dhe ekzekutimin e Kontratës [nr.47/2015] për financimin e projektit investues të zhvillimit rural të 13 korrikut 2015 nga ana e MBPZhR, me kamatë ligjore 8% nga data 16 korrik 2015.
Më 5 tetor 2018, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A.nr.736/2016] (i) aprovoi kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës; (ii) anuloi Vendimin [nr. 696] të 8 prillit 2016 të MBPZhR dhe (iii) ktheu çështjen në rishqyrtim dhe rivendosje të MBPZhR, me arsyetimin si në vijim: “Vendimi i kundërshtuar është juridikisht i paqartë dhe kundërthënës me vetveten dhe me arsyetimin e tij. Në arsyetimin e tij nuk janë dhënë arsye mbi faktet vendimtare që kanë kushtëzuar marrjen e vendimit të kundërshtuar.[...]”
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 16 nëntor 2018, në procedurë të rishqyrtimit dhe rivendosjes MBPZHR përmes Vendimit [nr. 7601] refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës si të pabazuar, të cilin vendim parashtruesja e kërkesës e pranoi më 22 nëntor 2018.
Më 17 dhjetor 2018, parashtruesja e kërkesës parashtroi përsëri padi për konflikt administrativ në Gjykatën Themelore kundër Vendimit [nr. 7601] të 16 nëntorit 2018 të MBPZhR ku kërkoi anulimin e tij dhe ekzekutimin e Kontratës [nr.47/2015] për financimin e projektit investues të zhvillimit rural të 13 korrikut 2015 nga ana e MBPZhR, me kamatë ligjore 8% (tetë përqind) nga data 16 korrik 2015.
Më 26 nëntor 2019, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A.nr.2964/17] refuzoi kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës si të pabazuar. E njëjta në arsyetimin e saj iu referua nenit 5 të Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) nr. 01/2015 dhe provave si në vijim: kontrata Nr. 1953, të 16 korrikut 2015; letër informimi nr.1952, i 16 korrikut 2015; informata nr. 4535, e 23 shtatorit 2015; kopja e planit e 7 prillit 2017; kontrolli i parë i 20 nëntorit 2015 Nr.19/10, masa 101; konstatimi i inspektorëve i 22 qershorit 2015; kushtet e përgjithshme nr.191385; raportet nga kontrolli në terren të 22 qershorit 2016; foto nga terreni dhe parashtresa e 4 nëntorit 2019. Gjykata Themelore në lidhje me pretendimet e parashtrueses së kërkesës, theksoi si në vijim: “Gjykata vlerësoi edhe pretendimet e [parashtrueses së kërkesës] se paditura [MBPZHR] si ka marrë për bazë se ngastra kadastrale nr.50-0 dhe ngastra kadastrale nr.33-0 Zona Ribar i Vogël K. e Lipjanit janë në pronësi të [parashtrueses së kërkesës] por meqë ngastra nr. 33 ka qen më afër shtëpive të banimit dhe komuna ka dhënë vërejtje për afërsinë e ngastrës dhe [parashtruesja e kërkesës] ka vërejtur se gabimisht është shënuar nr.33, investim, është bërë në ngastrën nr. 50-0 mirëpo si të tilla këto pretendime nuk i aprovoj meqë nga provat e administruara është vërtetuar se investimi nuk është bërë në përputhje me aplikimin për ndërtimin e stallës dhe kjo konstatohet nga raporti i dytë i terrenit i dt.20.11.2015 ku shihet se fermerja [parashtruesja e kërkesës] e kishte ndërruar distinimin e investimit dhe e kishte bërë ne ngastrën 50-0 krejt kjo në kundërshtim me aplikacionin e bërë për përkrahje. Rrjedhimisht për këto arsye kjo gjykatë ska gjetur bazë që të detyroj të paditurën t’i paguaj shumën [parashtrueses së kërkesës] në vlerën prej 26, 555.00 euro me kamat ligjore prej 8% duke llogarit nga data 16.07.2015 kur ishte nënshkruar kontrata për ndërtimin e stallës e deri në pagesën definitive.”
Më 31 dhjetor 2019, parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [A.nr.2964/17] të 26 nëntorit 2019 të Gjykatës Themelore për shkak të shkeljes së dispozitave të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative (në tekstin e mëtejmë: LPPA), dhe zbatimit të gabuar të gjendjes materiale, me propozimin që ta aprovojë ankesën e saj si të bazuar dhe ta ndryshojë Aktgjykimin në fjalë të Gjykatës Themelore duke aprovuar kërkesëpadinë e saj. Parashtruesja e kërkesës në lidhje me vërtetimin e gjendjes faktike në ankesën e saj theksoi se: “[...] nga raporti i kontrollit në terren të komisionit përkatës nuk është vërtetuar drejtë gjendja faktike, respektivisht nga faktet e vërtetuara është nxjerrë konkluzioni io i drejtë në pikëpamje të gjendjes faktike, ngase në këtë informatë konstatohet se fleta poseduese dhe kopja e planit për të cilën ka aplikuar paditësja i përgjigjet vendit ku do te kryhet investimi, e që nuk është e vërtet ngase Komisioni i të paditurës [MBPZHR] inspektimin në terren e ka bërë në ngastrën 00050-0 e jo të ngastrës 00033-0 ZK: Ribar i Vogël, ku edhe nga orto - foto vërtetohet se në këtë ngastër (33-0) familjarët e paditëses [parashtrueses së kërkesës] kanë të ndërtuar shtëpi, për dallim nga ngastra 00050-0, ku vërtetohet qartë se nuk ka kurrfarë ndërtimi, përveç tani stallës se bagëtive të ndërtuar nga paditësja [parashtruesja e kërkesës] dhe familjarët e saj.”
Më 21 mars 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA.nr.46/20] refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës si të pabazuar dhe vërtetoi në tërësi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, me arsyetimin si në vijim: “[...] nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të [parashtrueses së kërkesës] se: aktgjykimi në fjalë përmban shkelje të dispozitave ligjore pasi që e paditura [MBPZhR] me vendimin për ndërprerjen e njëanshme të investimeve në shumën prej 60% të kontratës e ka dëmtuar [parashtruesen e kërkesës] për një prej 26,555 euro, pasi që paditësja ka ndërtuar stallën në ngastrën kad 50-0, pasi që në ngastrën kad, nr.33-0 familjarët e [parashtrueses së kërkesës] kanë ndërtuar shtëpi dhe se kopja e planit dhe lista poseduese vërtetohet se [parashtruesja e kërkesës] ka aplikuar në ngastrën kad. Nr. 55-0 e jo në ngastrën. 33-0. Pabazueshmëria e këtyre pretendimeve rrjedh nga fakti se në bazë të aplikacionit [parashtruesja e kërkesës] kishte kërkuar që të investonte në parc kad. Nr. 33-0, për ngritjen e një shtalle për rritjen e gjedheve (viqave), por në ndërkohë kishte kërkuar nga komisioni që të bënte ndërrimin e parc kadastrale nr. 50-0, e ku kërkesa i ishte refuzuar, dhe se kontrollet e bëra në terren kishte rezultuar që [parashtruesja e kërkesës] kishte ndërtuar shtallën në parc kad. nr. 50-0 në kundërshtim me refuzimin e investimit në këtë parc.kad., andaj me të drejtë e e paditura [MPBZhR] kishte marrë vendim për refuzimin e përkrahjes së projektit për bujqësi dhe zhvillim për shkak të mosrespektimit të kritereve të përcaktuara nga e paditura [MBPZhR] dhe për shkak të ndërrimit të parc.kad., për të cilën kishte aplikuarpaditësja në fillim në parc.kad.nr.33-0, andaj për të paditurën ishte jorelevante se komuna e Lipjanit kishte dhënë vërejtje [parashtrueses së kërkesës] për ndërtimin e stallës në parc.kad. nr. 33-0 për shkak të afërsisë së shtëpive të banimit, e për këtë [parashtruesja e kërkesës] nuk e kishte njoftuar të paditurën [MBPZhR]”.
Më 13 maj 2022, parashtruesja e kërkesës parashtroi në Gjykatën Supreme kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, gjegjësisht, kundër Aktgjykimit [AA.nr.46/20] të 21 marsit 2022 të Gjykatës së Apelit për shkak të (i) shkeljes së dispozitave të procedurës administrative; (ii) aplikimit të gabuar të gjendjes materiale; dhe (iii) vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, me propozimin që t’i aprovohet kërkesa, të shfuqizohen aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore, si dhe që çështja të kthehet në rigjykim. Në kërkesën e saj, parashtruesja theksoi se: “Gjykata e shkallës së parë nuk ka ndërmarre asgjë dhe mu për këtë e drejta materiale është aplikuar gabimisht për shkak të vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike”, dhe konsideroi se: “Këtu kemi zbatim të gabuar të drejtës materiale konkret nenin 326 i LPK-se pika 1 dhe 2. Kul ligji parasheh edhe këqyrjen në vend duke bashkvepru me ekspert.”
Më 15 qershor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ-UZVP.nr.43/2022] refuzoi si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor me arsyetimin se pretendimet e parashtrueses së kërkesës nuk janë me ndikim për vërtetimin e ndryshëm të gjendjes faktike nga ajo që ka vërtetuar gjykata e shkallës së dytë dhe se aktgjykimi i saj në këtë rast është mjaftueshëm i arsyetuar mbi faktet vendimtare, të cilat e njëjta i pranon. Në këtë drejtim, Gjykata Supreme vlerësoi se: “[...] kjo gjykatë në mënyrë të pakontestueshme ka vërtetuar se paditësja ka ndërtuar stallën në ngastrën kadastrale 50-0, ndërsa në ngastrën kadastrale 33-0 është ndërtuar shtëpia familjare. Sipas kopjes se planit dhe listës poseduese vërtetohet se paditësja [parashtruesja e këresës] ka aplikuar për ngastrën kadastrale 50-0. Mirëpo pabazueshmëria e këtyre pretendimeve rrjedh nga fakti se bazuar në aplikacion fjala është për ngastrën kadastrale 33-0 ku është kërkuar ndërtimi i stallës për rritjen e gjedheve, por në ndërkohë paditësja [parashtruesja e kërkesës] kishte kërkuar nga komisioni të bënte ndërrimin e ngastrës kadastrale me ngastrën numër 50-0, mirëpo kërkesa e saj është refuzuar. Pavarësisht kësaj, ajo ka ndërtuar stallën në ngastrën e përmendur gjë që është në kundërshtim me vendimin për refuzimin e kërkesës për investimin stimulues. Andaj, e paditura [MBPZHR] me të drejtë ka nxjerr vendimin për refuzim të dhënies së subvencionit në kuadër të projektit për zhvillim të bujqësisë, të gjitha këto për shkak të mosrespektimit të kritereve qe i ka përcaktuar e paditura [MBPZHR] si dhe për shkak të ndërrimit të lokacionit, përkatësisht të ngastrës kadastrale.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesja i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin [ARJ-UZVP.nr.43/2022] të 15 qershorit 2022 të Gjykatës Supreme, asaj i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 21 [Parimet e Përgjithshme], 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumentet Ndërkombëtare], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 (E Drejta për një Proces të Rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) si dhe nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës.
Parashtruesja e kërkesës pretendon se: “Deri te shkelja e nenit 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka ardhur, kur gabimi i personit fizik nga ana teknike e penalizon me 44,250.00 euro, ndërsa kur gabon gjykata përmirësohen gabimet dhe nuk dëmtohet askush. Prandaj konsideroj që kemi shkelje në parimet e barazisë para ligjit kur të gjithë trajtohen në mënyrë të barabartë”. Në këtë kontekst, parashtruesja e kërkesës thekson se: “Se mund te ndodhin gabime teknike këtë më së miri e vërteton Aktgjykimi i Apelit i cili, duke bërë arsyetimin e vendimit në faqe 3(4) ai flet për një ngastër kad. me nr. 55.0 e cila nuk ekziston fare as si ngastër në dokumentacion, dhe nuk është pjesë përbërëse e këtij kontesti”.
Përkitazi me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesja e kërkesës thekson se: “Nuk kanë siguruar gjykim të drejtë dhe të paanshëm sepse vetëm kanë konstatuar gabimin në rrumbullakimin e ngastrës, mirëpo gjatë procesit gjyqësor nuk e kanë vërtetuar nëse ngastra në të cilën është ndërtuar shtalla për rritjen e viçave është e njëjtë me terrenin në të cilën kanë dalur në teren inspektorët dhe e kanë lejuar ndërtimin e objektit. Gjykata nuk ka dalur në vendshiqim asnjëherë.” Për më tepër, parashtruesja e kërkesës pretendon edhe shkeljen e paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 326 të Ligjit Nr. 03/L-0006 të Procedurës Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK), i cili parasheh edhe këqyrjen në vend së bashku me ekspertë dhe thotë se “Gjykata nuk e ka ekzaminur si provë kqyrjen në teren për të vërtetuar nëse bëhet fjalë për likacionin e njetë”.
Parashtruesja e kërkesës po ashtu shton se: “Aktgjykimet si ai i shkallës së parë ashtu edhe ai i shkallës së dytë dhe Gjykatës Supreme të Kosovës janë komplet të bazuar në përgjigjen në padi të Ministrisë së Bujqësisë, diku kanë shtuar diqka diku kanë hjekur, kanë parafrazuar dhe kanë nxjerrë një vendim të padrejtë duke dëmtuar rënde qytarin e Republikës së Kosovës e ku qëllimi i formimit të këtyre institucioneve është të punojë në dobi të qytetarëve”. Në këtë drejtim, parashtruesja e kërkesës konsideron se shkalla e parë kur ka refuzuar herën e dytë kërkesëpadinë e saj, ka aplikuar gabimisht të drejtën materiale dhe se e njëjta konteston refuzimin e pabazuar dhe vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe jo gabimin teknik të lëshuar nga ana e saj. Përveç kësaj, parashtruesja e kërkesës ngrit edhe dyshime për inspektorët e MBPZHR, për disa prej të cilëve, është duke u zhvilluar procedurë penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, përfshirë inspektoren që ka qenë udhëheqëse e procesit të saj.
Në lidhje me shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës, parashtruesja e kërkesës pretendon se personi fizik në rastin e saj nuk ka qenë i barabartë para gjykatës por është privilegjuar MBPZHR, duke dëmtuar qytetarin e Republikës së Kosovës. Në këtë kontest, parashtruesja e kërkesës thekson se: “Fillimisht Gjykata e Aprovon padin dhe kërkesëpadinë me të cilin vendim e detyron MBPZHR që ta rishqyrtoj dhe rivendos, ajo sërish e refuzon përkrahjen financiare për shkak të gabimit teknik në ngastra. Gjatë procesit gjyqësor nuk vërtetohet nëse ngastra është investiguar nga inspektorët dhe ngastra ku është ndërtuar shtalla po i njëjti. Nuk bëhet asnjë përpjekje nga gjyqësori që të dal në vendshiqim, vetëm konstaton gabimin teknik dhe refuzon.”
Në fund, parashtruesja e kërkesës kërkon nga Gjykata që të aprovojë kërkesën në tërësi dhe ta kthejë në rigjykim lëndën e saj.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 3
[Barazia para Ligjit]
“1. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.”
Neni 21
[Parimet e Përgjithshme]
“1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës.
[...]”
Neni 22
[Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare]
“Të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare në vijim, garantohen me këtë Kushtetutë, zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës dhe kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike:
(1) Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut;
(2) Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj;
[…]”
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]”
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.”
Neni 53
[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Neni 102
[Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor]
“1. Pushteti gjyqësor në Republikën e Kosovë ushtrohet nga gjykatat.
2. Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykata.
3. Gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.
4. Gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit të tyre duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm.
5. Garantohet e drejta për ankesë ndaj një vendimi gjyqësor, përveç nëse me ligj është përcaktuar ndryshe. E drejta e përdorimit të mjeteve të jashtëzakonshme juridike, rregullohet me ligj. Me ligj mund të lejohet e drejta për të referuar një rast në mënyrë të drejtpërdrejtë në Gjykatën Supreme, dhe për të tilla raste nuk ka të drejtë ankese.”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 2
(pa titull)
“[...]
2.2 Gjykata i zbaton rregullat e të drejtës materiale sipas çmuarjes së saj dhe nuk është e lidhur me thëniet e palëve që kanë të bëjnë me të drejtën materiale.
[...]”
Neni 326
(pa titull)
“326.1 Këqyrja në vend ndërmerret sa herë që çmohet e nevojshme që për vërtetimin e ndonjë fakti, apo për sqarimin e ndonjë rrethane, duhet të bëhet vrojtimi i drejtpërdrejt nga gjykata e çështjes.
326.2 Marrja e provës me anë të këqyrjes së drejtpërdrejt mund të bëhet edhe me bashkëveprimin e ekspertit.”
UDHËZIM ADMINISTRATIV (MBPZHR) NR.01/2015 PËR MASAT DHE KRITERET E PËRKRAHJES NË BUJQËSI DHE ZHVILLIM RURAL PËR VITIN 2015
Neni 5
Përfituesit
“[...]
2. Kriteret e përbashkëta të pranueshmërisë
2.1. Aplikuesi i pranueshëm konsiderohet aplikuesi që përmbush këto kritere:
2.1.1. Nëse aplikuesi është person fizik, ai duhet të jetë mbi 18 vjeç, por jo më i vjetër se 60 vjet;
2.1.2. Aplikuesit duhet të përmbushin detyrimet tatimore, personat fizik tatimin në pronë kurse personat juridik tatimin në fitim;
2.1.3.Përfituesi i projekteve të zhvillimit rural duhet t’i ketë paguar me rregull obligimet tatimore gjatë 5 vjetëve pas implementimit të investimit, aq sa zgjatë periudha monitoruese; 2.1.4 Përfituesit e projekteve të zhvillimit rural duhet t’i mirëmbajnë investimet e tyre gjatë 5 vjetëve pas implementimit të investimit, aq sa zgjatë periudha monitoruese;
2.1.5. Nëse nuk i mirëmbajnë investimet, përfituesi obligohet të kthejë përkrahjen publike
[...]
2.4. Kritere tjera të pranueshmërisë
[...]
2.4.9. Për projektet e ndërtimit, aplikantët me rastin e aplikimit, duhet të dorëzojnë:
2.4.9.1. Kopjen e skicave të objektit dhe një parallogaritje të shpenzimeve të materialit dhe të punëve të parapara;
2.4.9.2. Pëlqimin e komunitetit, në rastet e përcaktuara me Ligj;
2.4.9.3. Kopjen e planit të parcelës ku bëhet investimi; 2.4.9.4. Fletën poseduese ose në rast se toka është marrë me qira, kontratën e noterizuar të qirasë për së paku 10 vjet për ngastrën ku do të bëhet ndërtimi;
2.4.9.5. Pëlqimin urbanistik të komunës që dëshmon se në rast të dhënies së grantit përfituesi do të marrë leje ndërtimi. Nëse fermerët nuk mund të marrin kopjen e planit dhe fletën poseduese të tokës sipas nën paragrafit 2.4.9.3 dhe paragrafit 2.4.9.4 të këtij neni, për tokën e cila gjendet në komasacion, por për të cilën posedojnë aktvendime të ligjshme nga kadastra për sipërfaqe përkatëse, ju lejohet aplikimi për masat dhe kriteret në bujqësi dhe zhvillim rural për vitin 2015, me aktvendimet përkatëse të komasacionit;
2.4.10. Para kërkesës për pagesë në Agjencionin për Zhvillimin e Bujqësisë, duhet të dorëzojnë:
2.4.10.1. Lejen për ndërtim nga organi kompetent i komunës, vetëm për stalla dhe depo për ruajtjen e pemëve dhe perimeve;
2.4.10.2. Vlerësimin e ndikimit në mjedis, në rastet e përcaktuara me ligj.
2.4.11. Në rast të ndërtimit / renovimit të objekteve, të ngritjes së pemishtes, vreshtit dhe vendosjes së sistemit të ujitjes në toka të marra me qira, kontrata për qiramarrje duhet të jetë për së paku 10 vjet dhe duhet t’i bashkëngjitet pëlqimi i pronarit - qiradhënësit i vërtetuar te noteri, për investimin që do të bëhet në tokën e tij;
2.4.12. Pëlqimi i pronarit mund të përfshihet në kontratën për qiramarrje.
[...]
3. Investimet e pranueshme janë:
[...]
3.4. Në rast të investimeve që parashohin ndërtim të stallave apo depove për ruajtjen e pemëve dhe perimeve, shpenzimet për arkitekt dhe inxhinier, leje dhe licenca të ndryshme janë të pranueshme deri në vlerën 7% të shpenzimeve të pranueshme”
III.3. SEKTORI I MISHIT
Neni 8
Kriteret e pranueshmërisë
“1. Kriteret e veçanta të pranueshmërisë
1.1. Për investime në sektorin e mishit, si: majmja e viçave dhe zogjëve te pulës, aplikuesit nuk janë të obliguar të kenë kafshë në momentin e aplikimit, por zotohen se do të kenë së paku 20 krerë viça me matrikuj të Republikës së Kosovës ose të vendeve të 11 BE-së, ose 5.000 zogj të pulës, dhe këto duhet ti dëshmojnë me dokumente përkatëse dhe me praninë e tyre në stallë para paraqitjes së kërkesës për pagesën e fundit;
1.2. Ekonomitë bujqësore që aplikojnë për ndërtimin e stallës për viça, në projektin e tyre duhet të përfshijnë edhe depon e plehut me kapacitet të mjaftueshëm për së paku 3 muaj;
1.3. Në rast të investimeve në mekanizëm bujqësor për kultivimin e tokës, në momentin e aplikimit, aplikuesi për majmëri të viçave duhet të dëshmojnë se posedojnë së paku 0.3 hektarë të tokës bujqësore në pronësi apo të marrë me qira për se paku dhjetë vjet. Kjo nuk vlen për zogj të pulës;
1.4. Në momentin e aplikimit, aplikuesit për majmëri të viçave duhet të dëshmojnë se posedojnë së paku 0.3 hektar të tokës bujqësore për kokë viçi, në pronësi apo të marrë me qira për së paku 3 vjet.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata, fillimisht, i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjithashtu, Gjykata vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e tjera të pranueshmërisë të përcaktuara në nenet 47 (Kërkesat individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë se:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestojë.”
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor.”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesja e kërkesës është: (i) palë e autorizuar; (ii) konteston Aktgjykimin [ARJ -UZVP.nr.43/2022], të 15 qershorit 2022, të Gjykatës Supreme; (iii) ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; (iv) ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj, si dhe (v) e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesja e kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores se punës. Paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, pika d e paragrafit 1 dhe paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcaktojnë që:
"(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(d) Kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
[...]
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për Papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për Papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtrueses së kërkesës.
Në këtë aspekt, dhe fillimisht, Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Aktgjykimin [ARJ-UZVP.nr.43/2022], të 15 qershorit 2022, përmes të cilit, Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën e parashtrueses për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor. Më konkretisht, Gjykata e Apelit dhe ajo Themelore ia kishin refuzuar parashtrueses së kërkesës padinë për konflikt administrativ kundër MBPZhR, përmes të cilës, ajo kërkoi ekzekutimin e Kontratës [nr.47/2015] për financimin e projektit investues të zhvillimit rural të 13 korrikut 2015 nga ana e MBPZhR, me kamatë ligjore 8% (tetë përqind) nga data 16 korrik 2015. Nga shkresat e lëndës rezulton se në vitin 2015, parashtruesja e kërkesës në cilësinë e fermeres kishte aplikuar në MBPZHR për mbështetje të financimit të projektit të saj investues në vlerë prej 60% (gjashtëdhjetë përqind) të shumës totale dhe si rezultat i përfitimit nga kjo masë, kishte nënshkruar me MBPZHR kontratën për përkrahje të investimit. Mirëpo, gjatë aplikimit për leje ndërtimi në Komunën e Lipjanit me qëllim të realizimit të projektit të saj investues, parashtruesja e kërkesës vërejti se në aplikacionin e MBPZHR kishte rrumbullakosur gabimisht ngastrën kadastrale në të cilën ka dëshiruar të investojë, pra, në vend të ngastrës kadastrale nr. 00050-0, ka rrumbullakosur atë me nr. 00033-0. Rrjedhimisht, parashtruesja e kërkesës kërkoi nga MBPZHR ndryshimin e ngastrës kadastrale si më lart. Megjithatë, MBPZHR, përmes Vendimit [Nr. Ref. AZHB. 07/4/680] të 14 janarit 2016, nuk ka pranuar të ekzekutojë kontratën në ngastrën kadastrale nr. 00050-0, me arsyetimin se kjo ngastër kadastrale nuk ekziston në aplikacionin e parashtrueses së kërkesës. Si rezultat i kësaj, parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar padi për konflikt administrativ kundër vendimit të MBPZHR-së, të cilën fillimisht Gjykata Themelore e kishte kthyer në rishqyrtim për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor. Megjithatë, në procedurë të rishqyrtimit, MPBZHR kishte refuzuar sërish përkrahjen e investimit, ndërsa, pas kontestimit të këtij vendimi nga ana e parashtrueses së kërkesës në gjykatat e rregullta, të njëjtat refuzuan kërkesën e saj.
Gjykata vëren se në thelb, parashtruesja e kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta nuk kanë kryer këqyrjen në vend për të vërtetuar lokacionin e projektit investues në kundërshtim me nenin 326 të LPK-së dhe për këtë kanë vërtetuar gabimisht gjendjen faktike, gjë që sipas saj, ka rezultuar në shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Po ashtu, Gjykata thekson se parashtruesja e kërkesës ngrit çështje të shkeljes së parimit të barazisë para ligjit, e drejtë kjo e garantuar me nenet 3 dhe 24 të Kushtetutës me arsyetimin se ashtu siç ajo ka shkruar gabimisht në aplikacion numrin e ngastrës kadastrale, ashtu edhe Gjykata e Apelit ka gabuar teknikisht numrin e ngastrës kadastrale në aktgjykimin e saj, andaj, sipas saj, refuzimi i kërkesëpadisë së saj për këtë arsye nuk e ka trajnuar atë në mënyrë të barabartë. Në kontekst të këtyre pretendimeve, parashtruesja e kërkesës pretendon edhe shkelje të neneve 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës.
Sa i përket pretendimit për shkelje të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, Gjykata vë në pah se ky nen nuk i referohet ndonjë të drejte specifike, të garantuar me Kapitullin II të Kushtetutës, por përcakton detyrimin që: “Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”. Në lidhje me këtë detyrim, ashtu siç është cekur edhe më lart, Gjykata gjatë vlerësimit të pretendimeve të parashtrueses së kërkesës do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ).
Bazuar në atë si më lart, Gjykata në vijim do të shqyrtojë dhe vlerësojë kërkesën e parashtrueses së kërkesës përkitazi me:
Pretendimin për zbatimin e gabuar të së drejtës materiale dhe vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike, të ngritur në kuptim të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; dhe
Pretendimin për trajtim jo të barabartë para ligjit, të ngritur në kuptim të neneve 3 dhe 24 të Kushtetutës dhe shkeljen e nenit 32 të Kushtetutës.
I. Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta nuk kanë kryer këqyrjen në vend për të vërtetuar lokacionin e projektit investues dhe për këtë kanë vërtetuar gabimisht gjendjen faktike, gjë që sipas saj, ka rezultuar në shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Më specifikisht, parashtruesja e kërkesës për gjykatat e rregullta thekson se: “Nuk kanë siguruar gjykim të drejtë dhe të paanshëm sepse vetëm kanë konstatuar gabimin në rrumbullakimin e ngastrës, mirëpo gjatë procesit gjyqësor nuk e kanë vërtetuar nëse ngastra në të cilën është ndërtuar shtalla për rritjen e viçave është e njëjtë me terrenin në të cilën kanë dalur në teren inspektorët dhe e kanë lejuar ndërtimin e objektit. Gjykata nuk ka dalur në vendshiqim asnjëherë.”
Në lidhje me këtë, Gjykata konsideron se pretendimi i parashtrueses së kërkesës për vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, i ngritur në kuptim të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së bie në kategorinë e pretendimeve “të shkallës së katërt”, sepse ngërthen çështje që ndërlidhen me interpretimin dhe aplikimin e ligjit, përkatësisht “ligjshmërisë” dhe jo “kushtetutshmërisë”.
Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34).
Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI49/19, rast i cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, rast cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, rast i cituar më lart, paragrafi 35).
Në këtë drejtim, dhe në përputhje me praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, Gjykata nuk mund, si rregull i përgjithshëm, të vë në dyshim gjetjet dhe konkluzionet e gjykatave të rregullta që kanë të bëjnë me: (i) vërtetimin e fakteve të rastit; (ii) interpretimin dhe zbatimin e ligjit; (iii) pranueshmërinë dhe vlerësimin e provave në gjykim; (iv) drejtësinë substanciale të rezultatit të një kontesti civil; (shih në mënyrë të ngjashme rastin e Gjykatës KI163/18, me parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 24 qershorit 2020, paragrafi 73).
Gjykata gjithashtu thekson faktin se në vlerësimin e pretendimeve “të shkallës së katërt” e që ndërlidhen me shkelje të pretenduara të nenit 31 të Kushtetutes në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-se, ajo gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se “drejtësia” e kërkuar nga nenet e lartpërmendura nuk është një drejtësi “substanciale”, por drejtësi “procedurale”. Ky koncept në aspektin praktik, në parim, nënkupton (i) mundësinë e procedurave kontradiktore; (ii) mundësinë e palëve që në faza të ndryshme të këtyre procedurave, të sjellin argumente dhe dëshmi që i konsiderojnë të rëndësishme për rastin përkatës; (iii) mundësinë të kontestojë në mënyrë efektive argumentet dhe dëshmitë e paraqitura nga pala kundërshtare; dhe (iv) të drejtën që argumentet e tyre të cilat, shikuar në mënyrë objektive, janë të rëndësishme për zgjidhjen e rastit, të dëgjohen dhe shqyrtohen nga gjykatat në mënyrë të duhur; dhe se, për pasojë, procedura, marrë si tërësi, do të rezultonte si e drejtë (Shih rastin e Gjykatës, KI163/18, rast i cituar më lart, paragrafi 74). Për më tepër, drejtësia e një procedure vlerësohet në tërësinë e saj, dhe kjo është një ndër premisat kryesore të praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe asaj të GJEDNJ-së (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së Barbera, Messeque dhe Jabardo kundër Spanjës, nr. 0588/83; 10589/83; 10590/83, Aktgjykimi i 6 dhjetorit 1988, paragrafi 68; dhe rastet e Gjykatës, KI104/16, parashtrues Miodrag Pavić, Aktgjykim i 4 gushtit 2017, paragrafi 38; dhe KI143/16, parashtrues Muharrem Blaku dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 qershorit 2018, paragrafi 31).
Gjykata po ashtu mund të bëjë vlerësimin e interpretimeve ligjore të gjykatave të rregullta përjashtimisht dhe atë vetëm nëse ato interpretime mund të kenë rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi te paarsyeshme (shih rastin e Gjykatës KI75/17, parashtrues X, Aktgjykim i 30 janarit 2018, paragrafi 59).
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rithekson se parashtruesja e kërkesës, përtej pretendimit për shkelje te nenit 31 të Kushtetutës, si rezultat i mos “këqyrjes në vend” në kundërshtim me nenin 326 të LPK-së nga ana e gjykatave të rregullta, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim i "dispozitave ligjore" nga gjykatat e rregullta, mund të ketë qenë "qartazi i gabuar", duke rezultuar ne "konkluzione arbitrare" apo "qartazi të paarsyeshme" për parashtruesen e kërkesës apo se si procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe të kenë qenë arbitrare.
Më specifikisht, për sa i përket këtij pretendimi të parashtrueses së kërkesës, Gjykata vëren se të gjitha vendimet e gjykatave të rregullta, gjegjësisht atyre të Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme ofruan arsyetimin përkatës për refuzimin e kërkesëpadisë, ankesës dhe kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, respektivisht. Të tri instancat e gjykatave të rregullta vërtetuan se MBPZHR ka pasur të drejtë që ka nxjerrë vendimin për refuzim të dhënies së subvencionit në kuadër të projektit për zhvillim të bujqësisë për shkak të mosrespektimit të kritereve të përcaktuara si dhe për shkak të ndërrimit të lokacionit, përkatësisht të ngastrës kadastrale nga ana e parashtrueses së kërkesës.
Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht rikujton se Gjykata Themelore në arsyetimin e Aktgjykimit të saj iu referua provave si në vijim: kontrata Nr. 1953, të 16 korrikut 2015; letër informimi nr.1952, i 16 korrikut 2015; informata nr. 4535, e 23 shtatorit 2015; kopja e planit e 7 prillit 2017; kontrolli i parë i 20 nëntorit 2015 Nr.19/10, masa 101; konstatimi i inspektorëve i 22 qershorit 2015; kushtet e përgjithshme nr.191385; raportet nga kontrolli në terren të 22 qershorit 2016; foto nga terreni dhe parashtresa e 4 nëntorit 2019, si dhe ndër të tjera kishte theksuar se: “[...] nga provat e administruara është vërtetuar se investimi nuk është bërë në përputhje me aplikimin për ndërtimin e stallës dhe kjo konstatohet nga raporti i dytë i terrenit i dt.20.11.2015 ku shihet se fermerja [parashtruesja e kërkesës] e kishte ndërruar distinimin e investimit dhe e kishte bërë ne ngastrën 50-0 krejt kjo në kundërshtim me aplikacionin e bërë për përkrahje. Rrjedhimisht për këto arsye kjo gjykatë ska gjetur bazë që të detyroj të paditurën t’i paguaj shumën [parashtrueses së kërkesës] në vlerën prej 26, 555.00 euro me kamat ligjore prej 8% duke llogarit nga data 16.07.2015 kur ishte nënshkruar kontrata për ndërtimin e stallës e deri në pagesën definitive.”
Në vazhdim, Gjykata po ashtu i referohet Aktgjykimit [AA.nr.46/20] të 21 marsit 2022, të Gjykatës së Apelit, përmes të cilës kjo e fundit, ndër tjerash kishte theksuar se: “[...] Pabazueshmëria e këtyre pretendimeve rrjedh nga fakti se në bazë të aplikacionit [parashtruesja e kërkesës] kishte kërkuar që të investonte në parc kad. Nr. 33-0, për ngritjen e një shtalle për rritjen e gjedheve (viqave), por në ndërkohë kishte kërkuar nga komisioni që të bënte ndërrimin e parc kadastrale nr. 50-0, e ku kërkesa i ishte refuzuar, dhe se kontrollet e bëra në terren kishte rezultuar që [parashtruesja e kërkesës] kishte ndërtuar shtallën në parc kad. nr. 50-0 në kundërshtim me refuzimin e investimit në këtë parc.kad., andaj me të drejtë e e paditura [MPBZhR] kishte marrë vendim për refuzimin e përkrahjes së projektit për bujqësi dhe zhvillim për shkak të mosrespektimit të kritereve të përcaktuara nga e paditura [MBPZhR] dhe për shkak të ndërrimit të parc.kad., për të cilën kishte aokikuar paditësja në fillim në parc.kad.nr.33-0, andaj për të paditurën [MBPZHR] ishte jorelevante se komuna e Lipjanit kishte dhënë vërejtje [parashtrueses së kërkesës] për ndërtimin e stallës në parc.kad. nr. 33-0 për shkak të afërsisë së shtëpive të banimit, e për këtë [parashtruesja e kërkesës] nuk e kishte njoftuar të paditurën [MBPZHR]”.
Më tutje, Gjykata po ashtu rikujton se Gjykata Supreme në adresimin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës të ngritura në kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor e tyre të parashtruar në këtë gjykatë, në esencë kishte: (i) konstatuar se Aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit nuk janë përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatim të gabuar të drejtës materiale; (ii) i refuzoi si të pabazuara pretendimet pretendimet e parashtrueses së kërkesës me ç’rast konstatoi se: “[...] kjo gjykatë në mënyrë të pakontestueshme ka vërtetuar se paditësja ka ndërtuar stallën në ngastrën kadastrale 50-0, ndërsa në ngastrën kadastrale 33-0 është ndërtuar shtëpia familjare. Sipas kopjes se planit dhe listës poseduese vërtetohet se paditësja [parashtruesja e këresës] ka aplikuar për ngastrën kadastrale 50-0. Mirëpo pabazueshmëria e këtyre pretendimeve rrjedh nga fakti se bazuar në aplikacion fjala është për ngastrën kadastrale 33-0 ku është kërkuar ndërtimi i stallës për rritjen e gjedheve, por në ndërkohë paditësja [parashtruesja e kërkesës] kishte kërkuar nga komisioni të bënte ndërrimin e ngastrës kadastrale me ngastrën numër 50-0, mirëpo kërkesa e saj është refuzuar. Pavarësisht kësaj, ajo ka ndërtuar stallën në ngastrën e përmendur gjë që është në kundërshtim me vendimin për refuzimin e kërkesës për investimin stimulues. [...].”
Në dritën e fakteve të mësipërme, Gjykata e konsideron të nevojshme që të vë në pah se parashtrueses së kërkesës i është mundësuar zhvillimi i procedurës bazuar në parimin e kontradiktoritetit; se ajo ka mundur që gjatë fazave të ndryshme të procedurës të paraqes argumente dhe dëshmi që ajo i konsideronte të rëndësishme për rastin e saj; dhe se të gjitha argumentet, shikuar objektivisht, që ishin relevante për zgjidhjen e rastit të tyre janë dëgjuar e shqyrtuar në mënyrë të rregullt nga gjykatat; se arsyet faktike e ligjore ndaj vendimeve të goditura ishin shqyrtuar hollësisht; dhe se, në përputhje me rrethanat e rastit, procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta.
Prandaj bazuar si më lart, Gjykata konsideron se parashtruesja e kërkesës nuk ka mbështetur se si vendimi për refuzimin e kërkesëpadisë së saj nga Gjykata Themelore, e vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme ka shkelur të drejtën e saj për gjykim të drejtë, të garantuar me nenin 31 Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Rrjedhimisht, Gjykata arrin në përfundim se ky pretendim i parashtrueses së kërkesës është qartazi i pabazuar mbi baza kushtetuese, pretendim i cili bie në kategorinë e pretendimeve të “shkallës së katërt”, ashtu siç është përcaktuar me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
II. Përkitazi me pretendimet për shkelje të neneve 3, 24 dhe 32 të Kushtetutës
Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës pretendon se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme asaj i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 3, 24 dhe 32 të Kushtetutës. Megjithatë, Gjykata vë në pah se parashtruesja e kërkesës në kërkesën e saj nuk ka specifikuar se si këto të drejta janë shkelur në rastin e saj dhe as nuk ofron ndonjë arsyetim përkatës lidhur me shkeljen e tyre. E njëjta vetëm thekson se: “Deri te shkelja e nenit 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka ardhur, kur gabimi i personit fizik nga ana teknike e penalizon me 44,250.00 euro, ndërsa kur gabon gjykata përmirësohen gabimet dhe nuk dëmtohet askush. Prandaj konsideroj që kemi shkelje në parimet e barazisë para ligjit kur të gjithë trajtohen në mënyrë të barabartë”. Në këtë drejtim, parashtruesja e kërkesës po ashtu përmend se gabim teknik ka bërë edhe Gjykata e Apelit në aktgjykimin e saj, ku në vend të ngastrës kadastrale nr. 00050-0, flet për ngastrën kadastrale nr. 55.0, e cila nuk ekziston fare në dokumentacion. Ndërsa, në lidhje me nenin 32 të Kushtetutës, Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës nuk ka ngritur asnjë pretendim.
Gjykata, në këtë kontekst thekson se, duke u bazuar në nenin 48 të Ligjit dhe paragrafin (1) (d) dhe (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës dhe praktikën e saj gjyqësore, ajo vazhdimisht ka theksuar se: (i) palët kanë detyrim që të qartësojnë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqesin faktet dhe pretendimet; dhe gjithashtu (ii) të dëshmojnë dhe në mënyrë të mjaftueshme të mbështesin pretendimet e tyre për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese (shih rastet e Gjykatës KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, i cituar më lart, paragrafi 85, dhe KI124/20 parashtrues MuhamedAli Ceysűlmedine, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021, paragrafi 42 dhe KI183/22, parashtrues Rexhep Kastrati, Aktvendim për Papranueshmëri, i 27 prillit 2023, paragrafi 30).).
Gjykata gjithashtu rikujton se ajo po ashtu vazhdimisht ka theksuar se vetëm përmendja e një neni të Kushtetutës, pa arsyetim të qartë dhe adekuat se si është shkelur ajo e drejtë, nuk mjafton si argument për të aktivizuar makinerinë e mbrojtjes që ofron Kushtetuta dhe Gjykata, si institucion që përkujdeset për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut (shih, në këtë kontest, rastet e Gjykatës, KI02/18, parashtrues Qeveria e Republikës së Kosovës [Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor], Aktvendim për papranueshmëri, i 20 qershorit 2019, paragrafin 36; dhe KI95/19, parashtrues Ruzhdi Bejta, Aktvendim për papranueshmëri i 8 tetorit 2019, paragrafët 30-31 KI183/22, parashtrues Rexhep Kastrati, cituar më lart, paragrafi 31).
Në rastin konkret, parashtruesja e kërkesës pretendon shkelje të neneve 3, 24 dhe 32 të Kushtetutës, pa arsyetuar dhe mbështetur shkeljen e të njëjtave përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme.
Prandaj, pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të neneve 3, 24 dhe 32 të Kushtetutës janë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.
Përfundim
Prandaj dhe përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtrueses së kërkesës është e papranueshme:
Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, pretendim i cili bie në kategorinë e pretendimeve të “shkallës së katërt”, siç është përcaktuar me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës; dhe
Përkitazi me pretendimet për shkelje të neneve 3, 24 dhe 32 të Kushtetutës, janë të papranueshme si “të pambështetura apo paarsyetuara”, siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113. 7 të Kushtetutës, me nenin 20, 47 dhe 48 të Ligjit dhe me rregullat 34 (1) (d) dhe (2), si dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 29 gusht 2023, njëzëri:
VENDOS
TË SHPALLË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit; dhe
TË KONSTATOJË që ky vendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtar raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Florije Budakova
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative