Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ-UZVP.nr.43/2022, të 15 qershorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI172/22

Parashtruesit: Florije Budakova

Shkarko:

KI172/22, Parashtruese Florije Budakova, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ-UZVP.nr.43/2022, të 15 qershorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës 

KI172/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 29 gushtit 2023, publikuar më 20 shtator 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë administrative, qartazi e pabazuar, shkallë e katërt

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me ndërlidhen me Aktgjykimin [ARJ-UZVP.nr.43/2022], të 15 qershorit 2022, përmes të cilit, Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën e parashtrueses për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor. Më konkretisht, Gjykata e Apelit dhe ajo Themelore ia kishin refuzuar parashtrueses së kërkesës padinë për konflikt administrativ kundër Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (në tekstin e mëtejmë: MBPZHR), përmes të cilës, ajo kërkoi ekzekutimin e Kontratës për financimin e projektit investues të zhvillimit rural të 13 korrikut 2015 nga ana e MBPZHR, me kamatë ligjore 8% (tetë përqind) nga data 16 korrik 2015. Nga shkresat e lëndës rezulton se në vitin 2015, parashtruesja e kërkesës në cilësinë e fermeres kishte aplikuar në MBPZHR për mbështetje të financimit të projektit të saj investues në vlerë prej 60% (gjashtëdhjetë përqind) të shumës totale dhe si rezultat i përfitimit nga kjo masë, kishte nënshkruar me MBPZHR kontratën për përkrahje të investimit. Mirëpo, gjatë aplikimit për leje ndërtimi në Komunën e Lipjanit me qëllim të realizimit të projektit të saj investues, parashtruesja e kërkesës vërejti se në aplikacionin e MBPZHR kishte rrumbullakosur gabimisht ngastrën kadastrale në të cilën ka dëshiruar të investojë, pra, në vend të ngastrës kadastrale  nr. 00050-0, ka rrumbullakosur atë me nr. 00033-0. Rrjedhimisht, parashtruesja e kërkesës kërkoi nga MBPZHR ndryshimin e ngastrës kadastrale si më lart. Megjithatë, MBPZHR, përmes Vendimit [Nr. Ref. AZHB. 07/4/680] të 14 janarit 2016, nuk ka pranuar të ekzekutojë kontratën në ngastrën kadastrale nr. 00050-0, me arsyetimin se kjo ngastër kadastrale nuk ekziston në aplikacionin e parashtrueses së kërkesës. Si rezultat i kësaj, parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar padi për konflikt administrativ kundër vendimit të MBPZHR-së, të cilën fillimisht Gjykata Themelore e kishte kthyer në rishqyrtim për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor. Megjithatë, në procedurë të rishqyrtimit, MPBZHR kishte refuzuar sërish përkrahjen e investimit, ndërsa, pas kontestimit të këtij vendimi nga ana e parashtrueses së kërkesës në gjykatat e rregullta, të njëjtat refuzuan kërkesën e saj.

Parashtruesja e kërkesës pretendoi se gjykatat e rregullta nuk kanë kryer këqyrjen në vend për të vërtetuar lokacionin e projektit investues në kundërshtim me nenin 326 të Ligjit Nr. 03/L-006 të Procedurës Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK) dhe për këtë kanë vërtetuar gabimisht gjendjen faktike, gjë që sipas saj, ka rezultuar në shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Po ashtu, e njëjta ngriti çështje të shkeljes së parimit të barazisë para ligjit dhe të drejtës për mjet juridik, të drejta këto të garantuara me nenet 3, 24 dhe 32 të Kushtetutës.

Bazuar në praktikën gjyqësore të saj dhe të GJEDNJ-së, Gjykata vlerësoi se parashtruesja e kërkesës (i) sa i përket pretendimit për shkelje te nenit 31 të Kushtetutës, si rezultat i mos “këqyrjes në vend” në kundërshtim me nenin 326 të LPK-së nga ana e gjykatave të rregullta, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim i “dispozitave ligjore” nga gjykatat e rregullta, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar“, duke rezultuar ne “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesen e kërkesës apo se si procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe të kenë qenë arbitrare, andaj, këtë pretendim të saj e shpalli të papranueshëm si qartazi i pabazuar mbi baza kushtetuese, në kategorinë e pretendimeve të “shkallës së katërt”, siç është përcaktuar me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës; ndërsa (ii) pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të neneve 3, 24 dhe 32 të Kushtetutës i shpalli të papranueshme si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese, në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura apo paarsyetuara”, siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Florije Budakova

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative