Prishtinë, më 27 shtator 2024
Nr. Ref.: RK 2550/24
AKTGJYKIM
në
rastin nr. KI49/23
Parashtrues
Shaban Dulahu dhe të tjerët
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ-UZVP.NR.109/2022] të Gjykatës Supreme të 20 tetorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesit e kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Shaban Dulahu, Suzana Gusija, Mustafë Zhinipotoku dhe Tasim Vehapi nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit e kërkesës) përfaqësuar nga Durim Osmani dhe Feim Alaj, avokatë nga shoqëria e avokatëve “K.A.M & PARTNERS LLC ” nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës kontestojnë kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [ARJ-UZVP.NR.109/2022] të Gjykatës Supreme të 20 tetorit 2022.
Parashtruesit e kërkesës vendimin e kontestuar e kanë pranuar më 14 nëntor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ-UZVP. NR.109/2022] të Gjykatës Supreme, përmes të cilit pretendohet se parashtruesve të kërkesës u janë shkelur të drejtat themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në nenin 113 (1) dhe (7) [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 24 shkurt 2023, parashtruesit e kërkesës dorëzuan kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 2 mars 2023, parashtruesit e kërkesës u njoftua për regjistrim të kërkesës dhe një kopje iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 7 mars 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes vendimit [GJR. Nr. KI49/23] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 22 maj 2023, Gjykata kërkoi nga përfaqësuesi i parashtruesve të kërkesës që të dorëzojnë kopjen e kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësorë të paraqitur në Gjykatën Supreme.
Më 7 korrik 2023, përfaqësuesi i parashtruesve të kërkesës dorëzoi dokumentin e lartpërmendur.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Gjyqtarja Remzije Istrefi-Peci nuk mori pjesë në procesin e shqyrtimit dhe vendimmarrjes përkitazi me këtë rast, bazuar në Vendimin [Nr. Ref.: KK546/24] të datës 5 shtator 2024 përmes të cilit ishte miratuar kërkesa e saj për përjashtim nga procesi i shqyrtimit dhe vendimmarrjes lidhur me kërkesën KI49/23.
Më 11 shtator 2024, Gjykata njëzëri vendosi: (i) të shpall kërkesën të pranueshme; (ii) konstatoi se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së; (iii) shpall të pavlefshëm Aktgjykimin [ARJ-UZVP.nr.109/2022] të 20 tetorit 2022 të Gjykatës Supreme; dhe (iv) të kthejë çështjen për rivendosje në Gjykatën Supreme, në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate.
Përmbledhje e fakteve
Procedurat e zhvilluara nga parashtruesi i kërkesës Shaban Dulahu lidhur me kontestimin e Rregullores mbi organizimin e brendshëm të administratës qendrore të UP-së dhe Rregullores lidhur me të ardhurat personale në UP
Më 2 dhjetor 2011, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPMK) përmes Vendimit [02/262/2011] e refuzoi të pabazuar ankesën nr.2429/11, të datës 10.11.2011, të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës Shaban Dulahu, në çështjen juridike ndryshimi dhe plotësimi i Rregullores mbi organizimin e brendshëm të administratës qendrore të Universitetit të modeleve të sistematizimit për fakultete si dhe Rregullores lidhur me të ardhurat personale në Universitetin e Prishtinës.
KPMK-ja arsyetoi: (i) Kolegji i KPMK-së kompetent për shqyrtimin e kësaj çështjeje, në bazë të 12 paragrafi 12.1 të Ligjit nr. 03-L-192 për KPMK-në, ka mbajtur seancën e mbyllur për këshillim dhe votim, ka analizuar provat ankimore të ankuesit dhe në këtë rast gjen se ankesa është e pabazuar; (ii) organi punëdhënës, Universiteti i Prishtinës, -Fakulteti Juridik, në përgjigje në ankesë nr. 31793 të datës 29.11.2011, pretendon se rregulloret, të cilat janë objekt i ankesës, nuk janë aprovuar, kurse draft-propozimet janë në tërësi të ndryshuar pas rishqyrtimit nga Këshilli drejtues të Universitetit të Prishtinës; (iii) në kuadër të ndryshimeve të bëra, vendi i punës se ankuesit është i përmirësuar dhe është emëruar si “përgjegjës për shërbimet e studimeve postdiplomike MA Dr. Rregullorja mbi të ardhurat personale është ndryshuar, gjegjësisht sa i përket vendit të punës së ankuesit, është propozuar që paga të jetë më lartë se sa paga aktuale; (iv) të dy rregulloret, ende nuk janë aprovuar e as nuk janë lejuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave, prandaj, në rastin konkret nuk ekziston baza e objektit të ankesës; (v) pas analizës dhe sistematizimit të provave të parashtruesit të kërkesës Shaban Dulahu dhe organit punëdhënës, duke u bazuar në shkresat e lëndës dhe aktet ligjore në fuqi, si rezultat i gjykimit të përgjithshëm, Kolegji i KPMK-së ka konstatuar se ankesa është e pabazuar dhe ka vendosur si në dispozitiv të këtij vendimi.
Më 23 dhjetor 2011, parashtruesi Shaban Dulahu paraqiti padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative, me ç ‘rast kishte iniciuar konflikt administrativ kundër të paditurës KPMK, me të cilën kishte kërkuar që të aprovohet kërkesëpadia dhe të anulohet vendimi i KPMK-së si i kundërligjshëm.
Më 14 gusht 2013, Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative përmes Aktgjykimit [A.nr.1519/11] e refuzoi të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës Shaban Dulahu, të paraqitur kundër Vendimit të KPMK-së [02/262/2011] të 2 dhjetorit 2011.
Gjykata Themelore arsyetoi: (i) në procedurën e ankesave e paditura KPMK me vendimin nr.02/262/2011 të datës 02.12.2011, ke refuzuar si të pa bazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës Shaban Dulahu për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores mbi organizimin e brendshëm të administratës qendrore të Universitetit dhe Rregullores lidhur me të ardhurat personale në U.P.; (ii) gjykata duke marrë për bazë faktet e vërtetuara në procedurën administrative ka pranuar konstatimet e të paditurës KPMK-së (përgjigjja në padi dt.24.01.2012), se nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në politikat apo organizimin e brendshëm të një Institucioni, sepse ato janë të pavarura në organizimin e brendshëm të Rregulloreve të tyre; (iii) gjykata vlerëson se e paditura KPMK, në kuadër të kompetencave funksionale që i ka dhënë ligji, është dashur që në procedurën e ankesave konform dispozitave të nenit 10 të Ligjit nr.03/L-192 për KPMK-në të shqyrtoj paraprakisht faktin se a kemi një akt administrativ të vlefshëm ndaj të cilit mund, të ushtrohet ankesë, dhe se a është zhvilluar një procedurë e brendshme administrative para se të nxjerrët akti administrativ, pasi që edhe vet e paditura në përgjigje në padi të dt. 24.01.2012 e pranon faktin se nuk ka kompetenca që të përzihet në politikat apo organizimin e brendshëm të një Institucioni të pavarur; (iv) meqenëse parashtruesi i kërkesës Shaban Dulahu ka iniciuar këtë konflikt administrativ me padi, gjykata ka shqyrtuar këtë çështje administrative konform dispozitave ligjore të nenit 13 të Ligjit për Konfliktet Administrative, pasi që në këtë rast vendimi kontestues i KPMK-së është vendim përfundimtar i nxjerrë në procedurën administrative; (v) nga shkresat e lëndës dhe nga përgjigjja në ankesë e dt.29.11.2011 të organit administrativ të shkallës së parë Universiteti i Prishtinës, gjykata vlerëson se Rregulloret e brendshme të cilat i kundërshton parashtruesi i kërkesës Shaban Dulahu kanë qenë duke u draftuar dhe ato kanë pësuar ndryshime pas rishqyrtimit të këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës; (vi) gjykata vlerëson se ky organ administrativ nuk ka nxjerrë një akt administrativ ndaj të cilit mund të ushtrohet ankesë në procedurë të rregullt administrative, pasi që akti administrativ duhet t’i përmbaj informacionet siç i parasheh dispozita ligjore e nenit 84 par.2 e Ligjit nr.02/L-28 për Procedurën Administrative; (vii) lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës Shaban Dulahu, gjykata konstatoi se në këtë konflikt administrativ, ato nuk kanë ndikim në marrjen e një vendimi tjetër, meqë me provat e administruara e në vështrim të dispozitave të cekura ligjore, është vërtetuar se nuk mund të pranohen pretendimet e parashtruesit të kërkesës për t’i ndryshuar Rregulloret e brendshme të një institucioni të pavarur.
Parashtruesi i kërkesës Shaban Dulahu paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje vlerësim të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje thelbësore të dispozitave të ligjit të procedurës administrative dhe ligjit për konfliktet administrative duke propozuar po ashtu që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë dhe vendimi i KPMPK-së të anulohen.
Më 10 janar 2014, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [A.A.nr.314/2013] e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës Shaban Dulahu, ndërsa e vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative [A.nr.1519/11] i 14 gushtit 2013.
Gjykata e Apelit arsyetoi: (i) Kolegji i Gjykatës së Apelit, duke u nisur nga gjendja e tillë e çështjes dhe shqyrtuar aktgjykimin e shkallës së parë në bazë të ankesës së parashtruesit të kërkesës Shaban Dulahu dhe sipas detyrës zyrtare të njëjtin e konfirmon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar në prova dhe ligj; (ii) aktgjykimi i atakuar nuk është i përfshirë me shkelje qenësore të dispozitave të ligjit për konfliktin administrativ, të cilat shkelje gjykata e shkallës së dytë i heton sipas detyrës zyrtare në bazë të nenit 63 të LKA-së, lidhur me nenin 194 të LPK-së; (iii) gjykatat kompetente ë çështje administrative vlerësojnë ligjshmërinë e akteve përfundimtare administrative të cilat janë objekt i shqyrtimit në bazë të padisë si në vështrim të nenit 9 dhe 44 të LKA-së; (iv) Kolegji i Gjykatës së Apelit gjen se në këtë çështje juridike administrative në procedurë administrative dhe në procedure gjyqësore në gjykatën e shkallës së parë drejtë është vërtetuar gjendja faktike, nuk është cenuar e drejta dhe drejtë është zbatuar ligji material; (v) nga pretendimet në kërkesëpadi kundër Vendimit të KPMK-së, dhe në ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë nuk dëshmohet se me Rregulloret e atakuara i janë shkelur interesat dhe të drejtat e tij personale, siç thekson parashtruesi i kërkesës Shaban Dulahu në emërtimin e pozitës-vendit të tij të punës dhe se është dëmtuar në të ardhura personale, andaj si të tilla pretendimet ankimore janë të pabazuara dhe pa ndikim për të vendosur ndryshe në këtë çështje administrative juridike; (vi) gjersa sipas nenit 56 të LPA-së barra e provave për faktet e pretenduara bie mbi palët e interesuara në procedim administrativ, edhe përkundër detyrimit që organet të ofrojnë prova të disponueshme për palët dhe se parashtresave të tij parashtruesi Shaban Dulahu nuk ka bashkangjitur dëshmi mbi pretendimet e tij ankimore.
Procedurat e zhvilluara nga të gjithë parashtruesit e kërkesës lidhur me kompensimin për punë shtesë pas orarit të rregullt
Më 31 mars 2014, parashtruesit e kërkesës paraqitën padi kundër UP-së duke kërkuar që në emër të kompensimit të pagave për punën shtesë pas orarit të rregullt dhe në komisione duke filluar nga viti 2006, e gjer në 01.10.2012, parashtruesve të kërkesës t’ua paguaj shumën e tërësishme prej 30.962,00 euro, shumën prej 7136 euro në emër të tatimit prej 20% për punën shtesë e cila duhet t’i paguhet Administratës Tatimore të Kosovës dhe shumën prej 4173,25 euro në emër të kontributit pensional, e cila duhet t’i paguhet Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Më 30 prill 2014, Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) përmes Aktgjykimit [1309/11] vendosi APROVOHET kërkesëpadia e parashtruesve të kërkesës DETYROHET i padituri Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” Prishtinë që në emër të kompensimit të pagave për punën shtesë pas orarit të rregullt dhe në komisione duke filluar nga viti 2006, e gjer në 01.10.2012, parashtruesve të kërkesës t’ua paguaj shumën e tërësishme prej 30.962,00 euro, shumën prej 7136 euro në emër të tatimit prej 20% për punën shtesë e cila duhet t’i paguhet Administratës Tatimore të Kosovës dhe shumën prej 4173,25 euro në emër të kontributit pensional, e cila duhet t’i paguhet Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës DETYROHET i padituri që në afatin prej 15 ditësh nga pranimi i aktgjykimit, parashtruesve t’ua kompensojë shpenzimet procedurale në shumën prej 1155 euro.
Gjykata Themelore arsyetoi: (i) pas shqyrtimit me ndërgjegje dhe kujdes të secilës provë veç e veç dhe në ndërlidhje me njëra tjetrën gjykata vlerësoi se kërkesëpadia e parashtruesve të kërkesës është e bazuar, prandaj edhe vendosi si në dispozitivin e këtij aktgjykimi; (ii) nga provat e shqyrtuara dhe deklarimet e ndërgjyqësve ka rezultuar se nuk ishte kontestues fakti se parashtruesit e kërkesës në periudhë kohore të përshkruar si në kontrata kanë qenë ne marrëdhënie pune tek i padituri dhe atë: parashtruesi i kërkesës Shaban Dulahu në vendin e punës Zyrtar i lartë për master dhe doktoratë; parashtruesi i kërkesës Mustafë Zhinipotoku-Zyrtar i lartë i shërbimeve postdiplomike; parashtruesi i kërkesës Tasim Vehapi-Zyrtar i shërbimit të studentëve për studimet master dhe parashtruesja e kërkesës Suzana Gusija-Zyrtare e shërbimit të studimeve master; (iii) nuk ishte kontestues se me Rregulloren për organizimin e brendshëm të administratës të Fakultetit Juridik dhe sistematizimin e vendeve të punës (tetor 2008) përveç tjerash, zyrtarët e lartë për studime master dhe doktoratë në fakultetin juridik si kriter kanë 250 studentë për një zyrtar; (iv) gjykata rikujton se me Rregulloren e brendshme të fakultetit juridik është përcaktuar puna e zyrtarëve përgjegjës me 250 student ndërsa, numri i studentëve për secilin parashtrues të kërkesës ishte rreth trefish më i madh-çka nuk është kontestuar nga i padituri; (v) prandaj nga kjo situatë, gjykata konsideroi se menaxhimi dhe kryerja efikase e punëve brenda orarit të caktuar nuk ka mundur të kryhet e që si pasojë parashtruesve iu është dashur punë shtesë-jashtë orarit të rregullt të punës të përcaktuar me kontratën e punës; (vi) për më tepër e drejta e parashtruesve për t’u kompensuar për punët shtesë i është njohur edhe me vendimin e Këshillit drejtues të të paditurit; (vii) kohëzgjatja e punës që parashtruesit kanë punuar jashtë orarit të punës dhe kanë kryer punë shtesë, hollësisht është përshkruar nga ana e ekspertit të autorizuar gjyqësor, të përpiluar më 20.11.2012; (viii) sipas gjetjeve të ekspertit shuma e parave bruto për kompensimin e parashtruesve për tejkalim të normës së punës në periudhën kontestuese, bashkë me kamatë të llogaritur deri në përpilimin e ekspertizë është vlerësuar në këtë mënyrë: për parashtruesin Shaban Dulahu 7,546 euro (shtatëmijë e pesëqind e katër dhjetë e gjashtë euro), për parashtruesin Mustafë Zhinipotoku 10,052 euro (dhjetëmijë e pesëdhjetë dy Euro), për parashtruesin Suzana Gusija 6,854 euro (gjashtëmijë e tetëqind e pesëdhjetë e katër euro) dhe për parashtruesin Tasim Vehapi 7, 158 euro (shtatëmijë e njëqind e pesëdhjetë e tetë euro); (ix) eksperti ka konstatuar se për shkak të mbingarkesës në punë, parashtruesit nuk kanë pasur gjasa që punën ta kryejnë gjatë orarit të rregullt prej 40 orë punë në javë dhe as me nga 40 orë shtesë në muaj, mirëpo përkundër këtij konstatimi, eksperti vlerësimin për kompensimin e lartësisë së shumës së parave për punën shtesë e ka bazuar në kontratën e punës së parashtruesve dhe në Rregulloren e brendshme të të paditurit; (x) gjykata gjeti se ekspertiza financiare e përmendur me sipër është punuar me profesionalizëm dhe është e bazuar në fakte të provuara, prandaj duke ia falur besimin në tërësi, e aprovoi lartësinë e kompensimit për punën shtese te parashtruesve sikurse në shumen e përcaktuar nga eksperti; (xi) Veç kësaj, vendimin për aprovimin e kërkesëpadisë si të bazuar, gjykata e mbështeti në dispozitat e nenit 23 dhe 56 Ligjit të Punës.
Më 4 qershor 2014, e paditura UP paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale me propozim që aktgjykimi ankimor të prishet dhe çështja t’i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim.
Më 31 tetor 2016, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [CA.nr. 2736/2014] prishi aktgjykimin e Gjykatës Themelore [C.nr.1309/2011] i datës 30 prillit 2014 dhe çështjen e ktheu tek gjykata e shkallës së parë në rigjykim.
Gjykata e Apelit arsyetoi: (i) nga shkresat në dosje rezulton se: gjykata e shkallës së parë, aktgjykimin ankimor e ka dhënë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 par. 2 k) të LPK-së, sepse të paditurin nuk e ka përfaqësuar personi i autorizuar me të drejtë që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale, por atij i ishte dhënë një autorizim në cilësi të vëzhguesit, gjë që në pikëpamje ligjore një formë e tillë e autorizimit nuk njihet. Autorizimi i përfaqësuesit të paditurit në këtë rast, duhet të burojë nga statuti i universitetit ose nga personi kompetent në bazë të të cilit mund të jepet autorizimi për përfaqësim; (ii) gjykata e shkallës së dytë ka për detyrë që për këtë shkelje procedurale, në kuptim të nenit 194 të LPK-së, të kujdeset sipas detyrës zyrtare, ndërsa në prani të shkeljes së tillë aktgjykimi ankimor në kuptim të nenit 198 par. 2 të LPK, duhet prishur dhe çështja t’i kthehet gjykatës se shkallës së parë në rigjykim; (iii) gjykata e shkallës së parë nuk ka vërtetuar drejtë dhe plotësisht faktet kontestuese nëse parashtruesit e kërkesës kishin themeluar marrëdhënien e punës tek i padituri UP gjatë afatit kohor të përshkruar në kërkesëpadi, pasi që nga shkresat e lëndës ka prova se a) parashtruesi Shaban Dulahu ka kontratë pune nga data 01.04.2010 deri më 01.04.2013; b) parashtruesi Mustafë Zhinipotoku ka kontratë pune nga data 01.10.2009 deri më 01.10.2012; c) parashtruesi Tasim Vehapi ka kontratë pune nga data 09.08.2011 deri më 09.08.2014; ç) parashtruesja Suzana Gusija ka kontratë pune nga 01.10.2010 deri më 01.10.2013 (kopjet e kontratave në dosje); (iv) ndërsa nuk ka provë-kontrata se ata kishin themeluar marrëdhënie pune me të paditurin UP nga viti 2006; (v) gjithashtu, në shkresat e lëndës nuk ka prova për punën jashtë orarit të punës, i padituri UP ka të dhëna të sakta për punët jashtë orarit të punës, që i ka kryer secili parashtrues tek i padituri UP; (vi) në shkresat e lëndës nuk ka prova se eksperti i cili ka dhënë mendimin dhe konstatimin e tij në formë të shkruar, të jetë ftuar në seancën për shqyrtimin kryesor të çështjes, por vetëm konstatimi se është lexuar ekspertiza nga eksperti gjyqësor A.B.; (vii) me një formë të tillë të marrjes së mendimit të ekspertit, në këtë rast është shkelur parimi i kundërshtimit, sepse palët përkatësisht përfaqësuesit e tyre e as gjykata, nuk ka pasur mundësi që t’i parashtrojnë pyetje ekspertit në rrethanat e gjetjeve të tij të shprehura në formë të shkruar; (viii) një e drejtë e tillë buron nga dispozita ligjore e nenit 4 të LPK-së; (ix) gjithashtu, në këtë rast është shkelur edhe parimi i shqyrtimit të drejtpërdrejtë të çështjes në seancën për shqyrtimin kryesor, në të cilën provat merren drejtpërdrejtë përpara gjykatës, pra përfshirë edhe marrjen në pyetje të ekspertit përkatës; (x) gjykata e shkallës së parë në rigjykim ka për detyrë t’i evitoj të gjitha shkeljet e cekura procedurale, të konstatoj drejtë dhe plotësisht gjendjen faktike dhe të zbatoj drejtë të drejtën materiale; (xi) ajo ka për detyrë, sidomos të verifikoj evidencën e saktë të zyrtarit kompetent për punët që parashtruesit pretendojnë se i kanë kryer jashtë orarit të punës, gjatë afatit kohor të cekur në kërkesëpadi, të ftohet eksperti kompetent që konstatimin dhe mendimin e tij ta jep në formë të shkruar, dhe të bazuar në fakte dhe prova të besueshme relevante, pastaj i njëjti të ftohet në seancë gjyqësore që të jetë në dispozicion të palëve dhe gjykatës për t’u dëgjuar në cilësi të ekspertit; (xii) që të paditurin UP ta përfaqësoj personi kompetent, autorizimi i të cilit buron nga statuti i Universitetit, ose akti tjetër normativ, ose nga personi kompetent për autorizimin e përfaqësuesit përkatës.
Më 23 shkurt 2018, Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Civil përmes Aktvendimit [C.nr.2611/16] vendosi: (i) Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Civil SHPALLET jo kompetent në pikëpamje lëndore, për të vendosur në këtë çështje juridike; (ii) pas plotfuqishmërinë së këtij aktvendimi lënda do t’i dorëzohet Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Gjykata Themelore arsyetoi: “Gjykata pas pranimit të shkresave plotësuese të lëndës, vlerësimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe deklarimit të palëve ndërgjyqëse në seancë përgatitore të dt. 23.02.2018 e në pajtim me nenin 19 të Ligjit mbi Procedurën Kontestimore të Kosovës i cili parasheh: Secila gjykatë gjatë gjithë procedurës së shkallës së parë sipas detyrës zyrtare kujdeset për kompetencën e vetë lëndore, lidhur me Ligjin nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës nenin 3 dhe 4 të ligjit, lidhur me jo kompetencën lëndore, gjykata ka gjetur se paditësit kanë qenë dhe janë Shërbyes Civilë të Karrierës që vërtetohet nga kontratat të lidhura në bazë të nenit 3.1 (c) dhe pikës 3.3 të Rregullores mbi Shërbimin Civil të Kosovës dhe Akt Emërimeve të paditësve në bazë të ligjit nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës si dhe në bazë të Vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nr. 02262/2011 i dt. 02.12.2011-pjesë e kësaj lënde e ku në arsyetim të këtij vendimit fjalia e parë, vërteton së ankuesi Shaban Dulahu tani paditës, është në cilësinë e Shërbyesit Civil në vendin e punës Zyrtar i lartë për studime postdiplomike ne Fakultetin Juridik në Prishtinë.”
Më 30 prill 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac. Nr. 2447/18] vendosi: REFUZOHET e pathemeltë ankesa e parashtruesve të kërkesës ndërsa Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm [C.nr.2611/16] i 23 shkurtit 2018 VËRTETOHET.
Gjykata e Apelit arsyetoi: (i) Gjykata e Apelit nisur nga kjo gjendje e çështjes vlerëson se qëndrimi dhe përfundimi juridik i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që aktvendimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 paragrafi 2, pika (b), (g),( j), (k) dhe (m) e LPK-së, për të cilat Gjykata e Apelit kujdeset sipas detyrës zyrtare në kuptim të dispozitës së nenit 194 të LPK-së, e po ashtu nuk është i përfshirë as në shkelje tjera të dispozitave të procedurës kontestimore të cilat i ka pretenduar pala ankuese me ankesë; (ii) është drejtë vlerësimi juridik i gjykatës së shkallës së parë, pasi që gjykata gjatë gjithë procedurës kujdeset sipas detyrës zyrtare nëse ka kompetencën lëndore për vendosjen e çështjes kontestuese; (iii) ky detyrim ligjor përcaktohet me dispozitën e nenit 19 të LPK-së, ndërsa me nenin 14 të Ligjit mbi Gjykatat përcaktohet kompetenca lëndore e Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nga rrjedh se ky departament është kompetent për të gjykuar dhe vendosur në konfliktet administrative sipas padive kundër akteve administrative përfundimtare dhe për çështjet tjera të përcaktuara me ligj; (iv) Gjykata e Apelit duke vlerësuar pretendimet ankimore dhe aktvendimin e atakuar gjen se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë dhe të ligjshëm ka vlerësuar kompetencën e saj lëndore me ç ‘rast ka gjetur se kompetencën lëndore në këtë çështje e ka Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë; (v) me dispozitat e nenit 4, të Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, përcaktohen kategoritë e punonjësve publike të cilët nuk janë pjesë e shërbimit civil, nga ku rrjedh se kategoria e punonjësve si zyrtare të shërbimit të studentëve të universitetit-Shërbyes Civil të Karrierës, nuk përjashtohen nga kategoria e shërbyesve civil; (vi) Gjykata e Apelit gjen se parashtruesit marrëdhënien e punës, e kanë të themeluar në përputhje me dispozita e Ligjit për shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, rrethanë e konfirmuar edhe nga kontratat e punës për parashtruesit të dorëzuara si provë në shkresat e lëndës.
Më 6 korrik 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative përmes Aktvendimit [A.nr.1015/20] vendosi: “HUDHET poshtë si e palejueshme padia e paditësve Shaban Dulahu, Suzana Gusija, Teuta Zhinipotoku dhe Tasim Vehapi, kundër të paditurave Universiteti i Prishtinës dhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), me kërkesë për anulim të vendimit Nr.2/262/2011 të datës 02.12.2011, pasi që kjo çështje juridike është e gjykuar me aktgjykim të formës së prerë.”
Gjykata Themelore arsyetoi: “Paditësit Shaban Dulahu, Suzan a Gusija, Teuta Zhinipotoku dhe Tasim Vehapi, me datën 29.12.2011, kanë parashtruar padi ne këtë gjykate, kundër të paditurës Universiteti i Prishtinës, me të cilën kanë kërkuar kompensimin e të ardhurave në bazë të vendimit. Me parashtresën e datës 06.07.2021 dhe në seancën e shqyrtimit kryesor, përmes përfaqësuesit me autorizim, kanë kërkuar anulimin e vendimit të të paditurës KPMSHCK, Nr. 2/26212011 të datës 02.12.2011. Në përgjigjen në padi të datës 01.07.2021, e paditura KPMSHCK dhe në seancën e shqyrtimit kryesor, përmes përfaqësueses me autorizim, e ka kontestuar padinë e paditësve, me propozimin që e njëjta të hedhet poshtë, me arsyetimin se për këtë çështje është vendosur me aktgjykim të formës se prerë të shkallës së parë A.nr.1519/11 dhe Gjykatës se Apelit te Kosovës AA.nr.314/13. Gjykata shqyrtoi pretendimet e palëve dhe provave në shkresat e lëndës dhe konstatoi se lidhur me ligjshmërinë e vendimit tani të goditur me këtë padi, me Aktgjykimin e kësaj gjykate A.nr.1519/11 të datës 14.08.2013 dhe Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës AA.nr.314/13 të datës 10.01.2014, është vendosur dhe aktgjykimi ka marrë formën e prerë. Andaj, duke u bazuar në faktin se çështja e ngritur me padi përbën çështje të gjykuar me aktgjykim të formës së prerë, konform nenit 166 pika 2 dhe nenit 391 pika (d) të LPK-së, gjykata vendosi si në dispozitiv të këtij aktvendimi.”
Parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative me propozim që ankesa të aprovohet dhe vendimi i ankimuar të ndryshohet ashtu që të aprovohet kërkesa në tërësi, ose çështja të kthehet në rivendosje.
Më 26 korrik 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [AA.nr.976/2021] vendosi: REFUZOHET e pabazuar ankesa e parashtruesve të kërkesës ndërsa Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative [A.nr.1015/20] i 6 korrikut 2022 VËRTETOHET.
Gjykata e Apelit arsyetoi: (i) duke u bazuar ne këto dispozita ligjore (neni 166.2 dhe neni 391.1 d), kolegji i kësaj gjykate vlerëson se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative, me të drejtë ka hedhë poshtë padinë e parashtruesve në këtë çështje juridiko-administrative, për shkak se kjo çështje juridike është gjë e gjykuar me aktgjykim të formës se prerë (A.nr.1519/11 dhe AA.nr.314/13); (ii) prandaj, kolegji i kësaj gjykate vlerëson se në këtë çështje kontestuese nuk janë plotësuar kushtet për fillimin e konfliktit administrativ; (iii) parashtruesit e kërkesës pretenduan se me hedhjen e padisë së tyre si të palejuar janë shkelur dispozitat e LPK-së dhe neni 34 i LKA-së sepse atyre u është mohuar e drejta në mbrojte gjyqësore të së drejtës në kompensim jashtë orarit të punës; (iv) këto pretendime ankimore kolegji i kësaj gjykate nuk i aprovoi, ngase vlerëson se të njëjtat janë të pa bazuara dhe pa ndikim për vendosje ndryshe të kësaj çështje administrative juridike.
Më 14 shtator 2022, parashtruesit e kërkesës paraqitën kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit, me të cilin e kontestojnë ligjshmërinë e aktvendimit të kontestuar, për shkak të shkeljeve të dispozitave të LKA-së, me propozim që Gjykata Supreme kërkesën ta aprovoi, ndërsa aktvendimin e goditur të Gjykatës së Apelit ta anulojë dhe të aprovohet kërkesëpadia e parashtruesve të kërkesës.
Në procedurë në Gjykatën Supreme, parashtruesit e kërkesës e vënë theksin në dallimin ndërmjet: (i) procedurës së zhvilluar nga parashtruesi i kërkesës Shaban Dulahu përkitazi me Rregulloren mbi organizimin e brendshëm të administratës qendrore të UP-së dhe Rregullores lidhur me të ardhurat personale në UP; dhe (ii) procedurës së zhvilluar nga të gjithë parashtruesit e kërkesës lidhur me kompensimin për punë jashtë orarit.
Në kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësorë, parashtruesit e kërkesës theksuan: “Me shikimin e përmbajtjes së vendimit A.nr.1519/11 shihet se pala paditëse atje ishte vetëm Shaban Dulahu dhe jo paditësit tjerë dhe se atje ishte vendosur citat ‘...në çështjen juridike ndryshimi dhe plotësimi i Rregullores...”. Pra këto fakte provojnë se çështja nuk ishte e njëjtë dhe palët nuk ishin të njëjta. Rrjedhimisht nuk mund të hudhej si e gjykuar padia e paditësve pasi që nuk ishte kërkesa e njëjtë. Mbi këtë bazë konsiderojmë se edhe gjykata e shkallës së dytë gabimisht ka aplikuar nenin 166 para.2 i LKA. Edhe gjykata e shkallës së dytë aplikon gabimisht nenin 34 të LKA-së kur konsideron se qëndrimi i gjykatës së shkallës së parë për hudhje të padisë është i drejtë. Nuk vlerësohet fare fakti se hudhja përbënte mohim i të drejtës së paditësve në mbrojtjen gjyqësore për kompensim për mbrojtje gjyqësore për kërkesën për kompensim për punë jashtë orarit. Kësisoj edhe shkalla e dytë aplikon gabimisht nenin 2 të LKA-së sipas të cilit qëllimi i ligjit është sigurimi i mbrojtjes të drejtave dhe interesave juridike të personave fizik që u janë cenuar me vendime individuale ose veprim të organeve të administratës publike. Në rastin konkret paditësit kishin provuar se pala me interes-UP me vendimin 207 të datës 24.01.2011 kishte vendosur që tu paguhej kompensimi për punë jashtë orarit. Pasi që vendimi nuk ishte ekzekutuar nga organet e UP, paditësit kishin ndjekur procedurën ligjore për kompensimin e pranuar me vendim. Kësisoj kishin parashtruar kërkesë në UP me datën 08.06.2011, pastaj me datën 07.07.2011 dhe në mungesë të përgjigjes kishin parashtruar ankesë tek Këshilli Drejtues i UP me datën 13.09.2011, fakti se nuk është vendosur sipas kërkesave të paditësve përbënte cenim të drejtave nga marrëdhënia e punës dhe në bazë të nenit 2 të LKA duhej që paditësit të gëzonin mbrojtje gjyqësore. Kësisoj paditësit parashtrojnë padi në procedurë kontestimore. Njëkohësisht paditësi Shaban Dulahu i vetëm kishte parashtruar edhe ankesë tek e paditura me datën 10.11.2011, por me objekt shqyrtimi ‘ndryshmi dhe plotësimi i Rregullores.’ E paditura pa zbatuar drejtë dispozitat e LKA, kreu vërtetim të fakteve, me vendimin 2/262/2011 të datës 2.12.2011 kishte refuzuar ankesën e paditësit Shaban Dulahu citat ‘ndryshimi dhe plotësimi i rregullores.’ Paditësit konsiderojnë se gjykata e shkallës së dytë, me aprovimin e përfundimeve të gjykatës së shkallës së parë pa dhënë arsyetime konkrete në pretendimet ankimore ka bërë shkeljen e dispozitave të LKA. Paditësit shpresojnë se gjykata vendimmarrëse do të shqyrtojë këto pretendime dhe kërkesën do ta aprovoj dhe do të nxjerrë vendim të drejtë dhe të bazuar në ligj.”
Më 20 tetor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ-UZVP.nr.109/2022] e refuzoi të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [AA.nr.976/2021] të 26 korrikut 2022.
Gjykata Supreme arsyetoi: “Nga shkresat e lëndës rezulton se me aktvendimin e goditur të Gjykatës së Apelit të Kosovës, AA.UZH. 976/2021 dt.26.07.2022, është refuzuar si e pabazuar ankesa e paditësve Shahan Dulahu, Suzana Gusija, Teuta Zhinipotoku dhe Tasim Vehapi, paraqitur kundër aktvendimit të Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë, A.U.nr.1015/2021 dt.06.07.2021 me të cilin është hedh poshtë si e palejueshme padia e paditësve, kundër të paditurit KPMSHCK, për anulim të vendimit nr. 2/262/2021 dt.02.12.2021, pasi që kjo çështje është gjykuar me aktgjykim të formës së prerë. Duke vendosur sipas kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, Gjykata Supreme e Kosovës, pas shqyrtimit të aktvendimit të kontestuar, shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve në kërkesë, gjeti se gjykata e shkallës së dytë drejt ka vepruar kur ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësve dhe ka vërtetuar aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë. Qëndrimin juridik të Gjykatës së Apelit në tërësi e pranon kjo Gjykatë, meqenëse aktvendimi i kontestuar nuk është i përfshirë me shkelje ashtu siç pretendohet në kërkesë. Dispozita e nenit 166 par 2 përcakton se Gjykata gjatë gjithë procedimit të çështjes kujdeset sipas detyrës zyrtare se a mos është gjë e gjykuar çështja e ngritur me padi dhe nëse e konstaton se procedura është iniciuar për të cilën ekziston vendimi i formës së prerë, padia duhet të hedhet poshtë si e palejueshme. Andaj, në situatën konkrete, kjo Gjykatë konstaton se kjo çështje është gjë e gjykuar (resudicata) nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me aktgjykimin A.U.nr.1519/11 dt.14.08.2013 kur është refuzuar kërkesëpadia e paditësve, por edhe me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit me nr. AA.UZH. 314/2013 të datës 10.01.2014. Prandaj, kjo Gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së dytë drejt ka vepruar kur e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paditësve dhe ka vërtetuar aktvendimin e shkallës së parë. Mbi këto arsye, Gjykata Supreme e Kosovës, konsideron se pretendimet e paditësve janë të pabazuara dhe nuk janë në ndikim për vërtetim të një gjendje tjetër faktike nga ajo e vërtetuar nga gjykata e shkallës së dytë. Vendimi i kontestuar i gjykatës së shkallës së dytë është i qartë dhe i kuptueshëm. Përveç kësaj, edhe e drejta materiale është zbatuar drejtë dhe nuk është shkelur ligji në dëm të paditësve.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se u janë shkelur të drejtat themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Në rastin konkret, padia e paraqitur ka pasur të bëjë me kompensimin e të ardhurave shtesë nga marrëdhënia e punës nga 4 palët paditëse kundër Universitetit të Prishtinës, i cili nuk është organ administrativ, por, paraqes person juridik, në anën tjetër, padia e ngritur nga pala Shaban Dulahu, në çështjen administrative me shenjë A. Nr. 1519/11 është ngritur vetëm nga Shaban Dulahu, objekt i konflikti administrativ ka qenë anulimi i vendimit nr. 02/ 262/2011, i datës 02.12.2011, pale e paditur ka qenë Këshilli i Pavarur mbikëqyrës për shërbyes civil, ndërsa, në procedurën administrative pranë KPMSHCK ka qenë ankesa e datës 10.11.2011, me shenjë Nr. 2491/11, në bazë të cilit ka kërkuar plotësimin dhe ndryshimin e rregullores mbi organizimin e brendshëm të administratës qendrore të UP-së.”
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Pra është e kjarte se në mes çështjes së filluar sipas padisë me shenjë C. nr. 1309/11 dhe çështjes sipas konfliktit administrativ A. Nr. 1519/11 nuk është i njëjti objekti i kontestit, nuk janë të njëjta palët, faktet e çështjes dhe identiteti i palëve, në këtë kuptim vendimi i gjykatave më të ulëta për hedhjen poshtë të padisë si e pa lejuar për shkak se është e gjykuar janë vendime arbitrare, në kundërshtim me provat dhe ligjin.”
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se u është mohuar e drejta për qasje në gjykatë. Parashtruesit e kërkesës theksojnë: “Në rastin konkret vendimi i gjykatës Supreme të Kosovës, me shenjë ARJ-UZP. NR. 109/2022, të datës 20.10.2022 është nxjerr për Kërkesën për Rishikim të Jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor sa i përket lejueshmërisë së padisë së palëve paditëse si dhe vendimet e gjykatave më të ulëta janë vendime të nxjerra nga Gjykata jo kompetente si dhe i kanë privuar palët paditëse nga e drejta për mjete juridike, qasje në gjykate dhe gjykim të rregullt dhe të drejtë.”
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se bazuar në nenin 13 të LKA-së, departamentet administrative të gjykatave të rregullta nuk kanë pasur kompetencë për të gjykuar rastin e tyre. Parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Departamenti Administrativ i Gjykatave ka kompetence për te vlerësuar “vetëm” aktet e fundit administrative të organeve administrative, në rastin konkret, palët paditëse kanë kërkuar kompensimin e ardhurave shtesë nga Universiteti i Prishtinës si punëdhënës.”
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se në rastin e tyre është i zbatueshëm ligji i punës dhe jo ligji për shërbimin civil. Parashtruesit e kërkesës theksojnë: “Në rastin konkret palët paditëse nuk kanë qenë kurrë shërbyes civil, të njëjtit janë ose kanë qenë të punësuar pranë Universitetit të Prishtinës dhe për të njëjtit vlen Kontratë e Punës dhe jo ligji për shërbyes civil, qëndron fakti se të njëjtit kane akt emërimi, por, të njëjtit kanë edhe Kontratë të Punës, ne te cilën vlen ligji i punës si ligj i zbatueshëm, është ligji ai qe përcakton natyrën e raportit juridik, ne rastin konkret ne baze te te gjitha rrethanave te njëjtit nuk janë shërbyes civil ashtu siç përcaktohet ne nenin 2 paragrafi 1 nënparagrafin 1.1 i Ligjit për Shërbimin civil dhe ligjeve me të vjetra.”
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 (1) të KEDNJ-së. Parashtruesit e kërkesës theksojnë se gjykatat e rregullta kanë për obligim që të japin përgjigje specifike dhe të qarta për argumentet e ngritura nga pala ndërgjyqëse e që janë vendimtare për rezultatin e rastit.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Gjykata Supreme e Kosovës përmes vlerësimit arbitrar të fakteve dhe vendosjes kontradiktore me faktet e çështjes si dhe duke vendosur pa pasur kompetencë funksionale i ka shkelur të drejtat nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Prandaj në këtë rast i lejohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që të shqyrtojë nëse interpretimi i ligjit është bërë në mënyrë arbitrare, të gabuar dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Parashtruesit e kërkesës po ashtu pretendojnë për arbitraritet nga gjykatat e rregullta çka bie ndesh me garancitë procedurale të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 (1) të KEDNJ-së. Në këtë drejtim parashtruesit e kërkesës theksojnë: “Arbitrariteti gjatë zhvillimit të këtyre procedurave është i dukshëm. Kësisoj janë cenuar parimet themelore të administrimit të drejtësisë dhe janë shkelur liritë dhe të drejtat themelore të parashtruesve, të cilëve u është mohuar një gjykim i drejte dhe i paanshëm.”
Përfundimisht, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që të: (i) shpall kërkesën të pranueshme; (ii) konstatojë se ka pasur shkelje të neneve 31 dhe 32 të Kushtetutës; (iii) të anulojë Aktgjykimin e Gjykatës Supreme [ARJ.UZVP. nr. 109/2022] të 20 tetorit 2022; dhe (iv) çështja t’i kthehet Gjykatës Supreme në rivendosje.
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 53
[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”
LIGJI I PUNËS Nr. 03/L-212
Neni 23
Puna më e gjatë se orari i plotë i punës
“1. Në raste të jashtëzakonshme, me rritjen e vëllimit të punëve dhe në raste të tjera të domosdoshme, me kërkesën e punëdhënësit, punëtori duhet të punojë me gjatë se orari i punës (puna jashtë orarit), më së shumti deri në tetë (8) orë në javë.
2. Puna më e gjatë se orari i plotë i punës, në pajtim me paragrafin 1. të këtij neni, mund të zgjasë vetëm për aq kohë sa është e domosdoshme.
3. Puna që e tejkalon kufirin e përcaktuar sipas paragrafit 1. të këtij neni mund të bëhet edhe në rastet emergjente për parandalimin e aksidenteve ose forcave madhore të paparashikuara.
4. Përveç punës shtesë të detyrueshme nga paragrafi 1. i këtij neni, i punësuari mund të bëjë punë shtesë vullnetare në marrëveshje me punëdhënësin, me kompensim page sipas nenit 56 të këtij ligji.
5. Ndalohet puna jashtë orarit për të punësuarit nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç.
6. I punësuari i cili punon me orar të shkurtuar të punës nuk mund të punojë më gjatë se orari i plotë i punës.
7. Punëdhënësi është i obliguar të mbajë të dhëna të sakta për punët jashtë orarit dhe t’i prezantojë ato sipas kërkesës së Inspektoratit të Punës.
8. Inspektori i Punës ndalon punën jashtë orarit, nëse ajo ndikon dëmshëm në shëndetin dhe aftësinë punuese të të punësuarit.
9. Punëdhënësi është i obliguar të shpallë orarin e punës në vend të dukshëm.”
LIGJI PËR KONFLIKTET ADMINISTRATIVE Nr. 03/L-202
Neni 34
Pa titull
“1. Gjykata e hedh poshtë padinë me vendim, nëse konstaton se:
1.1. padia është paraqitur pas kalimit të afatit ose është e parakohshme;
1.2. akti që kontestohet me padi nuk është akt administrativ;
1.3. është e qartë se me aktin administrativ, që kontestohet me padi, nuk preken të drejtat e
paditësit ose interesi i tij i drejtpërdrejtë i bazuar në ligj;
1.4. kundër aktit administrativ, i cili kontestohet me anë të padisë, mund të bëhet ankimi, kurse ankimi nuk është bërë fare apo nuk është bërë në kohën e duhur;
1.5. është fjala për çështjen për të cilën sipas dispozitës shprehimore të ligjit nuk mund të
zhvillohet konflikti administrativ;
1.6. ekziston vendimi i formës së prerë, i nxjerr në konfliktin administrativ, për të njëjtën çështje.
2. Për shkaqe të parashikuara në paragrafin 1. të këtij neni, gjykata mund të hedhë poshtë padinë në çdo fazë të procedurës.”
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 166
Pa titull
“166.1 Aktgjykimi i cili nuk mund të goditet me anë të ankesës bëhet i formës së prerë për aq sa është vendosur me të mbi kërkesëpadinë apo të kundërpadisë.
166.2 Gjykata gjatë gjithë procedimit të çështjes kujdeset sipas detyrës zyrtare se a mos është gjë e gjykuar çështja e ngritur me padi dhe nëse konstaton se procedura është iniciuar për kërkesën për të cilën ekziston vendimi i formës së prerë, padia duhet të hedhet poshtë si e palejueshme.
166.3 Po që se në aktgjykim është vendosur mbi kërkesën të cilën i padituri e ka parashtruar me anë të prapësimit me qëllim të kompensimit me kërkesën e padisë, atëherë vendimi për ekzistimin apo mosekzistimin e kërkesës së tillë të të paditurit bëhet i formës së prerë.”
Neni 182
Pa titull
“182.1 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston në çoftë se gjykata gjatë procedurës nuk e ka zbatuar apo ka zbatuar në mënyrë jo të drejt ndonjë dispozitë të këtij ligji, kurse kjo ka pasur apo ka mundë të ketë ndikim në nxjerrjen e aktgjykimit të ligjshëm e të drejtë.
182.2 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston gjithmonë:
a) në qoftë se gjykata është përbërë jo sipas dispozitave ose në çoftë se në nxjerrjen e aktgjykimit ka marrë pjesë gjyqtari që nuk ka marrë pjesë në seancën kryesore;
b) në qoftë se është vendosur për kërkesën e cila nuk bënë pjesë në juridiksionin gjyqësor;
c) në çoftë se në nxjerrjen e aktgjykimit ka marrë pjesë gjyqtari i cili sipas ligjit duhet të përjashtohet, respektivisht me vendim të gjykatës ka qenë i përjashtuar ose me rastin e dhënies se vendimit ka marrë pjesë personi i cili nuk e ka cilësinë e gjyqtarit;
d) në çoftë se gjykata sipas prapsmit të palëve gabimisht ka vendosur se është e kompetencës lëndore;
e) në çoftë se është vendosur për kërkesën sipas padisë të ngritur pas afatit të përcaktuar me ligj;
f) në çoftë se gjykata ka vendosur për kërkesëpadinë për të cilën është me kompetencë lëndore gjykata më e lartë e llojit të njëjtë, gjykata e llojit tjetër;
g) në çoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata e ka bazuar vendimin e vetë në disponimin e palejueshëm të palëve, (neni 3 paragrafi 3 i këtij ligji);
h) në qoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata ka nxjerr aktgjykim për shkak të pohimit, mosbindjes, mungesës, heqjes dorë nga kërkesëpadia, ose pa mbajtjen e shqyrtimit kryesor;
i) në qoftë se ndonjërës nga palët me veprimin e paligjshëm, e sidomos me mosdhënien e mundësisë për shqyrtimin e çështjes në gjykatë;
j) në qoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata e ka refuzuar kërkesën e palës, që në procedurë të përdorë gjuhën dhe shkrimin e vet e të ndjek procesin në gjuhën e vet, kurse për këtë arsye ankohet;
k) në qoftë se në procedurë si paditës, ose i paditur, ka marrë pjesë personi që nuk mund të jetë palë në procedurë, apo në qoftë se palën që është person juridik nuk e ka përfaqësuar personi i autorizuar, ose në qoftë se palën me pazotësi procedurale nuk e ka përfaqësuar përfaqësuesi ligjor ose në qoftë se përfaqësuesi ligjor, respektivisht përfaqësuesi me prokurë i palës nuk ka pasur autorizim të nevojshëm për zhvillimin e procedurës apo për kryerjen e ndonjë veprimi në procedurë, në qoftë se zhvillimi i procedurës, respektivisht ushtrimi i veprimeve te veçanta në procedurë nuk është lejuar më vonë;
l) në qoftë se është vendosur për kërkesën për të cilën vazhdon procedura apo për të cilën më parë është nxjerr aktgjykimi i formës se prerë, ose prej të cilit paditësi njëherë ka hequr dorë ose për të cilin është lidhur pajtimi gjyqësor;
m) në qoftë se, në kundërshtim me ligjin është përjashtuar publiku në seancën kryesore;
n) në qoftë se aktgjykimi ka të meta për shkak të të cilave nuk mund të ekzaminohen, e sidomos në qoftë se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm apo kontradiktor me vetvete ose me arsyet e aktgjykimit, apo nëse aktgjykimi nuk ka fare arsye apo në të nuk janë treguar fare arsyet për faktet vendimtare, ose ato arsye janë të paqarta, ose kontradiktore, ose nëse për faktet vendimtare ekzistojnë kundërthënie midis asaj që në arsyet e aktgjykimit thuhet për përmbajtje të dokumentit ose të procesverbalit për thëniet e dhëna në procedurë dhe të vet atyre dokumenteve ose të procesverbalit;
o) në qoftë se me aktgjykim është tejkaluar kërkesëpadia.”
Neni 194
Pa titull
“Gjykata e ankimit ekzaminon aktgjykimin e shkallës së parë në atë pjesë në të cilën është goditur me ankesë dhe atë brenda kufijve të shkaqeve të treguara në ankesë, duke u kujdesur sipas detyrës zyrtare për zbatimin e së drejtës materiale si dhe për shkeljen e dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 paragrafi 2, pika b), g), j), k) dhe m) të këtij ligji.”
Neni 198
Pa titull
“198.1 Në qoftë se gjykata e shkallës së dytë konstaton se në gjykatën e shkallës së parë është vendosur mbi kërkesën e cila nuk bënë pjese në kompetencën gjyqësore, apo për kërkesën për të cilën ekziston gjyqëvarësia në gjykimin tjetër, apo për të cilën ekziston aktgjykimi i formës së prerë, apo nga e cila paditësi ka hequr dorë, ose për të cilën ekziston pajtimi gjyqësor, atëherë ajo e prishë aktgjykimin e shkallës së parë dhe e hedhë poshtë padinë.
198.2 Në qoftë se gjykata e shkallës së dytë konstaton se në procedurën e shkallës së parë ka vepruar, si paditës apo i paditur, personi që nuk mund të jetë palë ndërgjyqëse, apo nëse palën që është person juridik nuk e ka përfaqësuar personi i autorizuar, apo nëse palën me pazotësi procedurale nuk e ka përfaqësuar përfaqësuesi ligjor, apo nëse përfaqësuesi ligjor, ose ai me prokurë, nuk i ka pasur autorizimet e duhura për ndjekjen e çështjes në gjyq, apo për kryerjen e veprimeve procedurale të veçanta, gjegjësisht nëse veprimet e caktuar të kryera në procedurë më vonë nuk i ka aprovuar vetë pala, varësisht nga natyra e shkeljes konkrete të ligjit, e prishë aktgjykimin e shkallës së parë dhe ia kthen çështjen gjykatës kompetente te shkallës së parë, apo e prishë aktgjykimin dhe e hedhë poshtë padinë.
198.3 Kur gjykata e shkallës së dytë e prishë aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe çështjen ia kthen të njëjtës gjykatë për rigjykim, ajo mund të urdhërojë që rishqyrtimi i çështjes të bëhet nga gjyqtari tjetër.
198.4 Në pjesën arsyetuese të aktvendimit, me të cilin prishet aktgjykimi i shkallës së parë, duhet treguar se cilat dispozita të procedurës kontestimore janë shkelur dhe çka e përbënë shkeljen e tillë.”
LIGJI Nr. 06/L – 054 PËR GJYKATAT
Neni 14
Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Kryetarit dhe nënkryetarit të Gjykatës
“1. Kryetari i Gjykatës Themelore dhe i Gjykatës së Apelit, është përgjegjës për administrimin
ditor të gjykatës, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga Këshilli. Kryetari i Gjykatës organizon dhe bashkërendon funksionimin e gjykatës; mbikëqyrë veprimtaritë financiare të gjykatës; dhe ndërmerr veprime të cekura me rregullat, procedurat apo urdhëresat e nxjerra nga Këshilli.
2. Kryetari i gjykatës ka këto përgjegjësi:
2.1. Autorizon dhe inicion procedurat për punësimin, disiplinimin dhe shkarkimin e
personelit jogjyqësor, në përputhje me rregulloret e zbatueshme për personelin.
2.2. Kryetari i gjykatës ka autoritet të përgjithshëm administrativ për menaxhimin e
gjykatës si dhe siguron administrim efikas dhe efektiv të drejtësisë nga të gjitha degët,
departamentet dhe divizionet e gjykatës.
2.3. Kryetari i gjykatës, në bashkëpunim me gjyqtarët e gjykatës, zhvillon planin vjetor
për menaxhimin e lëndëve dhe cakton lëndët tek departamentet dhe gjyqtarët, në atë
mënyrë që të sigurojë zgjidhjen efikase të lëndëve.
2.4. Kryetari i gjykatës në baza vjetore i dërgon Këshillit një raport mbi suksesin e
zbatimit të planit të mëparshëm vjetor për menaxhimin e lëndëve.
2.5. Kryetari i gjykatës i dërgon Këshillit raport tremujor me shkrim, që adreson punën e
gjykatës, identifikon çfarëdo probleme me të cilat ballafaqohet gjykata, si dhe propozon
hapa riparues për të adresuar problemet e identifikuara.
2.6. Kryetari i gjykatës, në bazë të rregullave dhe urdhëresave të Këshillit, do të
ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, për të siguruar menaxhim efektiv dhe efikas të
gjykatës dhe të burimeve të saj, si dhe gjykimin e lëndëve brenda kohës së arsyeshme.
2.7. Kryetari i gjykatës është përgjegjës për të siguruar se gjykata dhe procedurat para
gjykatës janë të hapura dhe transparente për publikun.
2.8. Pas shqyrtimit dhe pranimit nga Këshilli, planet dhe raportet tremujore dhe vjetore
mbi menaxhimin e lëndëve do të bëhen publike.
2.9. Kryetari i gjykatës është përgjegjës për të siguruar qasjen e publikut në gjykata,
përfshirë qasjen e personave nga komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë.
2.10. Kryetari i gjykatës thërret takim vjetor të të gjithë gjyqtarëve për këshillim mbi Administrimin e Drejtësisë në atë gjykatë; për të analizuar organizimin e gjykatës; për të shqyrtuar dhe propozuar ndryshime në procedura dhe praktika; për të ekzaminuar punën e arritur nga gjykata; si dhe për të adresuar çfarëdo problemi të administratës, me të cilin ballafaqohet gjykata. Kryetari i gjykatës brenda nëntëdhjetë (90) ditësh i dërgon Këshillit një raport mbi rezultatet e takimit vjetor të gjyqtarëve.
2.11. Kryetari i gjykatës kryen edhe punë tjera të përcaktuara me ligj dhe me Rregullore
të Këshillit. Kryetari për punën e tij i raporton Këshillit.
2.12. Kryetari i gjykatës mund të delegojë kompetenca të caktuara.
3. Kryetari i gjykatës, në konsultim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, cakton nënkryetarin e
gjykatës nga radhët e gjyqtarëve të gjykatës përkatëse. Mandati i nënkryetarit të gjykatës është i njëjtë me mandatin e kryetarit përkatës.
4. Nënkryetari i gjykatës ushtron detyrat e kryetarit të gjykatës në mungesë të tij, apo kur kryetari e ka të pamundshëm ushtrimin e detyrave të tij. Nënkryetari ushtron detyra tjera të cilat i delegohen me shkrim nga kryetari i gjykatës.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve, 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët parashohin:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin Gjykatës Supreme [ARJ-UZVP.nr.109/2022] të 20 tetorit 2022, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34 (2) specifikon:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Në fund dhe pas shqyrtimit të ankesës kushtetuese të parashtruesve të kërkesës, Gjykata konsideron se kërkesa nuk mund të konsiderohet si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç parashihet me paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, dhe për pasojë, kërkesa shpallet e pranueshme për shqyrtim në merita. (shih, gjithashtu rastin e GJEDNJ-së, Alimuçaj kundër Shqipërisë, nr. 20134/05, Aktgjykim i 9 korrikut 2012, paragrafi 144, si dhe shih rastet e Gjykatës KI75/21, parashtrues “Abrazen LLC”, “Energy Development Group Kosova LLC”, “Alsi & Co. Kosovë LLC” dhe “Building Construction LLC”, Aktgjykim i 19 janarit 2022, paragrafi 64; KI27/20, parashtrues, Lëvizja VETËVENDOSJE!, Aktgjykim i 22 korrikut 2020, paragrafi 43).
Rrjedhimisht, Gjykata shpall kërkesën të pranueshme.
Meritat e kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesit e kërkesës pretendojnë se u janë shkelur të drejtat themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me ankesën që parashtruesi i kërkesës Shaban Dulahu, e kishte paraqitet në KPMK, lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores mbi organizimin e brendshëm të administratës qendrore të Universitetit të Prishtinës të modeleve të sistematizimit për fakultete si dhe Rregullores lidhur me të ardhurat personale në Universitetin e Prishtinës. KPMK-ja e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Themelore po ashtu e refuzoi padinë e parashtruesit të kërkesës Shaban Dulahu të paraqitur kundër vendimit të KPMK-së. Gjykata e Apelit e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës Shaban Dulahu, ndërsa e vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Ndërkohë, parashtruesit e kërkesës Shaban Dulahu, Suzana Gusija, Mustafë Zhinipotoku dhe Tasim Vehapi paraqitën padi kundër UP-së në emër të kompensimit të pagave për punën shtesë pas orarit të rregullt dhe në komisione duke filluar nga viti 2006 deri më 01.10.2012. Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm e aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës dhe detyroi palën e paditur UP “Hasan Prishtina” që parashtruesve të kërkesës t’ua paguajë kompensimin e pagave për punën shtesë pas orarit të rregullt dhe në komisione duke filluar nga viti 2006 deri më 01.10.2012. Pala e paditur UP paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale me propozim që aktgjykimi ankimor të prishet dhe çështja t’i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim. Gjykata e Apelit prishi aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe çështjen e ktheu tek gjykata e shkallës së parë në rigjykim. Gjykata Themelore-Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Civil vendosi: (i) Gjykata Themelore-Departamenti Civil SHPALLET jo kompetent në pikëpamje lëndore, për të vendosur në këtë çështje juridike; (ii) pas plotfuqishmërinë së këtij aktvendimi lënda do t’i dorëzohet Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit. Gjykata e Apelit e refuzoi të pathemeltë ankesën e parashtruesve të kërkesës ndërsa vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore-Departamenti i Përgjithshëm. Gjykata Themelore-Departamenti për Çështje Administrative vendosi që ta hedhë poshtë të palejueshme padinë e parashtruesve të kërkesës. Parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative me propozim që ankesa të aprovohet dhe vendimi i ankimuar të ndryshohet ashtu që të aprovohet kërkesa në tërësi, ose çështja të kthehet në rivendosje. Gjykata e Apelit e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesve të kërkesës ndërsa vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore-Departamenti për Çështje Administrative. Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore-Departamenti për Çështje Administrative, me të drejtë ka hedhë poshtë padinë e parashtruesve në këtë çështje juridiko-administrative, për shkak se kjo çështje juridike është gjë e gjykuar me aktgjykim të formës se prerë. Parashtruesit e kërkesës paraqitën kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave të LKA-së, me propozim që Gjykata Supreme kërkesën ta aprovoi, ndërsa aktvendimin e goditur të Gjykatës së Apelit ta anulojë dhe të aprovohet kërkesëpadia e parashtruesve të kërkesës. Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit.
Gjykata rikujton se parashtruesit e kërkesës në thelb pretendojnë se gjykatat e rregullta kanë cenuar të drejtat themelore të tyre të garantuara me nenet 31 dhe 32 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së. Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se gjykatat e rregullta gabimisht kanë zbatuar të drejtën materiale dhe procedurale kur kërkesën e tyre për kompensim shtesë për punë jashtë orarit të rregullt dhe për punë në komisione e kanë trajtuar si çështje të gjykuar res judicata për shkak se njëri prej tyre (Shaban Dulahu) në procedurë administrative ka kërkuar plotësimin dhe ndryshimin e rregullores mbi organizimin e brendshëm të administratës qendrore të UP-së. Parashtruesit e kërkesës theksojnë se kërkesa e tyre për kompensim shtesë për punë jashtë orarit dhe për punë në komisione dallon nga procedura administrative e iniciuar nga parashtruesi Shaban Dulahu. Parashtruesit e kërkesës theksojnë se dallimet ekzistojnë lidhur me objektin e kontestit, palët dhe identiteti i tyre që nuk është i njëjtë dhe faktet e çështjes që po ashtu nuk janë të njëjta. Prandaj, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se trajtimi i çështjes së tyre si res judicata ka shkelur të drejtën për qasje në gjykatë, për një vendim të arsyetuar si dhe të drejtën për mjete juridike efektive siç garantohen me nenet 31 dhe 32 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së.
Gjykata vlerëson se duke pasur parasysh natyrën e këtij rasti, pretendimet e parashtruesve të kërkesës do të shqyrtohen në kontekst të së drejtës për qasje në gjykatë.
Gjykata i referohet nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, që përcakton:
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”
Gjykata po ashtu i referohet nenit 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt), të KEDNJ-së, që përcakton:
“Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij”.
Gjykata thekson se e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së dhe zbatimi i saj, është interpretuar nga Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ). Gjykata bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës ka obligim kushtetues që të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore në pajtim me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së.
Rrjedhimisht, sa i përket interpretimit të pretendimeve për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata do t’i referohet parimeve të përgjithshme nga jurisprudenca e konsoliduar e GJEDNJ-së.
Parimet e përgjithshme nga jurisprudenca e GJEDNJ-së lidhur me të drejtën për qasje në gjykatë
Përkitazi me të drejtën për “qasje në gjykatë”, e drejtë kjo e garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, Gjykata fillimisht thekson se ajo tashmë ka një praktikë gjyqësore, e cila është ndërtuar duke u bazuar në parimet e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së (përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 4451/70, Aktgjykim, i 21 shkurtit 1975; Běleš dhe të tjerët kundër Republikës Çeke, nr. 47273/99, Aktgjykim i 12 nëntorit 2002; Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, nr.38366/97 dhe nëntë të tjera, Aktgjykim, i 25 janarit 2000; dhe Naït-Liman kundër Zvicrës, nr. 51537/07, Aktgjykim i 15 marsit 2018). Thënë këtë, rastet e Gjykatës përmes të cilave Gjykata ka afirmuar parimet e vendosura nga GJENDJ dhe të njëjtat i ka aplikuar edhe në rastet për shqyrtim para saj, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI62/17, me parashtruese të kërkesës Emine Simnica [Aktgjykim, i 29 majit 2018]; KI224/19 me parashtrues Islam Krasniqi [Aktgjykim, i 10 dhjetorit 2020]; KI20/21 me parashtruese Violeta Todorović [Aktgjykim, i 13 prillit 2021]; KI54/21 me parashtrues Kamber Hoxha [Aktgjykim, i Aktgjykim i 4 nëntorit 2021,], KI55/21 me parashtrues Muhamet Ademi [Aktgjykim, i 10 marsit 2021].
Gjykata në këtë kontekst thekson se e drejta në gjykatë, si pjesë përbërëse e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, përcakton që ndërgjyqësit duhet të kenë një mjet efektiv juridik që ua mundëson mbrojtjen e të drejtave të tyre civile (shih, rastet e Gjykatës KI224/19, me parashtrues Islam Krasniqi, të cituar më lart, paragrafi 35; dhe KI20/21, me parashtrues Violeta Todorović, të cituar më lart, paragrafi 41; si dhe rastet e GJEDNJ-së, Běleš dhe të tjerët kundër Republikës Çeke, të cituar më lart, paragrafi 49; dhe Naït-Liman kundër Zvicrës, të cituar më lart, paragrafi 112).
Rrjedhimisht, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNj-së, çdokush ka të drejtë që të paraqesë “padi” lidhur me të “drejtat dhe detyrimet civile” përkatëse tek një gjykatë. Neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së mishërojnë të “drejtën për gjykatë”, përkatësisht të “drejtën e qasjes në gjykatë”, e që nënkupton të drejtën për të filluar procedurat tek gjykatat në çështjet civile (shih, rastin e GJEDNJ-së Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar më lart, paragrafi 36). Prandaj, çdokush që konsideron se ka pasur ndërhyrje të kundërligjshme në ushtrimin e të drejtave civile të tij/saj dhe pretendon se i është kufizuar mundësia për të kontestuar një pretendim të tillë para një gjykate, mund t’i referohet nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, duke u thirrur në të drejtën përkatëse për qasje në gjykatë.
Më specifikisht, sipas praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, së pari duhet të ekzistojë një “e drejtë civile” dhe së dyti, të ketë një “kontest” lidhur me ligjshmërinë e një ndërhyrje, që prek vetë ekzistencën apo fushëveprimin e “të drejtës civile” të mbrojtur. Definicioni i të dy këtyre koncepteve, duhet të jetë përmbajtësor dhe joformal (shih, ndër të tjera, rastet e GJEDNJ-së Le Compte, Van Leuven and De Meyere kundër Belgjikës, nr. 6878/75; 7238/75, Aktgjykim i 23 qershorit 1981, paragrafi 45; Moreira de Azevedo kundër Portugalisë, nr. 11296/84, Aktgjykim i 23 tetorit 1990, paragrafi 66; Gorou kundër Greqisë (nr.2), nr. 12686/03, Aktgjykim i 20 marsit 2009, paragrafi 29; dhe Boulois kundër Luksemburgut, nr. 37575/04, Aktgjykim i 3 prillit 2012, paragrafi 92). “Kontesti”, megjithatë, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, duhet të jetë (i) i “vërtetë dhe serioz” (shih, në këtë kontekst, rastet e GJEDNJ-së Sporrong dhe Lönnroth kundër Suedisë, nr. 7151/75; 7152/75, Aktgjykim i 23 shtatorit 1982, paragrafi 81; dhe Cipolletta kundër Italisë, nr. 38259/09, Aktgjykim i 11 janarit 2018, paragrafi 31); dhe, (ii) rezultatet e procedurave para gjykatave duhet të jenë “vendimtare” për të drejtën civile në fjalë (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së, Ulyanov kundër Ukrainës, nr. 16472/04, Aktvendim i 5 tetorit 2010). Sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, “lidhjet e paqëndrueshme” ose “pasojat e largëta” në mes të drejtës civile në fjalë dhe rezultatit të këtyre procedurave, nuk janë të mjaftueshme për të qenë në fushëveprimin e nenit 6 të KEDNJ-së (shih, në këtë kontekst, rastet e GJEDNJ-së, Lovrić kundër Kroacisë, nr. 38458/15, Aktgjykim i 4 prillit 2017, paragrafi 51 dhe Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 71 dhe referencat në të).
Në raste të tilla, kur është konstatuar të ketë një “të drejtë civile” dhe një “kontest”, neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së i garantojnë individit të drejtën “që ajo çështje të zgjidhet nga një tribunal” (shih rastin e GJEDNj-së, Z. dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 29392/95, Aktgjykim i 10 majit 2001, paragrafi 92). Refuzimi i një gjykate për të shqyrtuar pretendimet e palëve lidhur me pajtueshmërinë e një procedure me garancitë procedurale themelore të gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, kufizon qasjen e tyre në gjykatë (shih rastin e GJEDNJ-së Al Dulimi dhe Montana Management Inc kundër Zvicrës, nr. 5809/08, Aktgjykim i 21 qershorit 2016, paragrafi 131).
Gjykata, duke u bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, në parim, ka theksuar se e drejta e qasjes në gjykatë duhet të jetë "praktike dhe efektive" dhe jo "teorike dhe iluzore" (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës, KI20/21, me parashtrues Violeta Todorović, i cituar më lart, paragrafi 43 dhe KI224/19, me parashtrues Islam Krasniqi, i cituar më larta, paragrafi 39 dhe rastin e GJEDNJ-së, Famullia Katolike Greke e Lupenit kundër Rumanisë [DHM], nr. 76943/11, Aktgjykim i 29 nëntorit 2016, paragrafi 84). Sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, të afirmuar edhe përmes praktikës gjyqësore të vet Gjykatës kjo e drejtë nuk është absolute, por mund t'i nënshtrohet kufizimeve të cilat nuk guxojnë të zvogëlojnë qasjen në gjykatë në atë mënyrë apo deri në një masë që cenojnë vetë thelbin e së drejtës. Kufizimet e tilla nuk do të jenë të arsyetuara nëse ato nuk ndjekin një qëllim legjitim ose nëse nuk ekziston një raport i arsyeshëm i proporcionalitetit midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit që dëshirohet të arrihet (shih, rastin e Gjykatës KI96/22, me parashtrues Naser Husaj dhe Uliks Husaj, cituar më lart, paragrafi 51; KI20/21, me parashtruese Violeta Todorović, të cituar më lart, paragrafi 45; dhe KI54/21, me parashtrues Kamber Hoxha, i cituar më lart, paragrafët 63-64 dhe rastet e GJEDNJ-së: Sotiris dhe Nikos Koutras ATTEE kundër Greqisë, nr. 39442/98, Aktgjykim i 16 nëntorit 2000, paragrafi 15; Běleš dhe të tjerët kundër Republikës Çeke, nr. 47273/99, Aktgjykim i 12 nëntorit 2002, paragrafi, 61; dhe Famullia Katolike Greke e Lupenit kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 89).
Gjykata si-çështje paraprake-rithekson se vlerësimi i procedurave bëhet në tërësi, pra, nëse të njëjtat kanë qenë të drejta ose jo vlerësohet duke pasur parasysh zhvillimin e tyre në tërësi (shih rastet e GJEDNJ-së, Ankerl kundër Zvicrrës, nr. 17748/91, Aktgjykim i 23 tetorit 1996, paragrafi 38; dhe Centro Europa 7 S.r.l. dhe Di Stefano kundër Italisë, nr. 38433/09, Aktgjykim i 7 qershorit 2012, paragrafi 197). Rrjedhimisht, çdo defekt sa i përket korrektësisë së procedurave mundet, në kushte të caktuara, të ndreqet në një fazë të mëvonshme, ose në nivel të njëjtë (shih rastin e GJEDNJ-së Helle kundër Finlandës, nr.157/1996/776/977, Aktgjykim i 19 dhjetorit 1997, paragrafi 54), ose nga një gjykatë më e lartë (shih, rastin e GJEDNJ-së Schuler Zgraggen kundër Zvicrës, nr.14518/89 Aktgjykim i 24 qershorit 1993, paragrafi 52).
Zbatimi i parimeve të përgjithshme në rrethanat e rastit konkret
Gjykata sërish thekson se nuk është detyra e saj që t’i zëvendësojë gjykatat e rregullta, që janë në pozitë më të mirë për t’i vlerësuar provat në dispozicionin e tyre, t’i konstatojnë faktet dhe interpretojnë të drejtën vendore (shih, për shembull, rastin e GJEDNJ-së, Khamidov kundër Rusisë, nr. 72118/01, Aktgjykim i 15 nëntorit 2007 paragrafi 170). Gjykata thekson se kur bëhet fjalë për konstatimin e fakteve dhe interpretimin e ligjit, është e “ndjeshme” për natyrën subsidiare të rolit të saj dhe se duhet të jetë e kujdesshme në marrjen e rolit të gjykatës së faktit, përveçse kur një gjë e tillë është bërë e pashmangshme nga rrethanat e rastit (shih, për shembull, rastin e GJEDNJ-së, Bărbulescu kundër Rumanisë, nr. 61496/08, Aktgjykim i 2017, paragrafi 129).
Nevoja e Gjykatës për ta marrë këtë rol në rastin konkret përforcohet edhe nga parimi se neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 (1) i KEDNJ-së sikurse edhe Kushtetuta dhe KEDNJ-ja si tërësi, duhet të interpretohen ashtu që të garantojnë të drejta që janë praktike dhe efektive dhe jo teorike apo të rreme (shih, mes tjerash, rastin e GJEDNJ-së, Vistiņš dhe Perepjolkins kundër Letonisë, nr. 71243/01, Aktgjykim i 25 tetorit 2012, paragrafi 114).
Gjykata thekson se në praktikën e saj gjyqësore në shumë raste ka konstatuar se çështjet e faktit dhe çështjet e interpretimit dhe zbatimit të ligjit janë brenda fushëveprimit të gjykatave të rregullta dhe të autoriteteve të tjera publike, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës dhe si të tilla janë çështje të ligjshmërisë, përveç dhe përderisa, çështje të tilla rezultojnë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ose krijojnë një situatë antikushtetuese (shih, mes tjerash, rastin e Gjykatës KI33/16, parashtruese Minire Zeka, Aktgjykim i 6 korrikut, paragrafi 91). Pavarësisht nga gjerësia e hapësirës së vlerësimit të gjykatave të rregullta, vendimi përfundimtar lidhur me respektim të kritereve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së ngelet tek Gjykata Kushtetuese (shih, mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, Konstantin Markin kundër Rusisë, nr. 30078/06 Aktgjykim i 22 marsit 2012, paragrafi 126).
Duke iu kthyer rrethanave të rastit konkret, Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës në kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësorë në Gjykatën Supreme-në substancë dhe shprehimisht- kanë theksuar se padia e tyre ka të bëj me kompensim për punë jashtë orarit. Ndërsa, kërkesa e parashtruesit të kërkesës Shaban Dulahu kishte të bënte me ndryshimin e Rregullores mbi organizimin e brendshëm të administratës qendrore të UP-së dhe Rregullores lidhur me të ardhurat personale në UP. Parashtruesit e kërkesës theksojnë se këto janë dy çështje të ndryshme dhe se gjykatat e rregullta përfshirë dhe Gjykatën Supreme kanë cenuar të drejtat e tyre të drejtën për qasje në gjykatë, për një vendim të arsyetuar si dhe të drejtën për mjete juridike efektive siç garantohen me nenet 31 dhe 32 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së.
Duke pasur parasysh natyrën dhe përmbajtjen e këtij rasti, Gjykata vlerëson se pretendimet e ngritura nga parashtruesit e kërkesës më së miri mund të shqyrtohen në kuadër të së drejtës për qasje në gjykatë siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së.
Gjykata sërish vë në pah arsyetimin e Gjykatës Supreme: “Nga shkresat e lëndës rezulton se me aktvendimin e goditur të Gjykatës së Apelit të Kosovës, AA.UZH. 976/2021 dt.26.07.2022, është refuzuar si e pabazuar ankesa e paditësve Shahan Dulahu, Suzana Gusija, Teuta Zhinipotoku dhe Tasim Vehapi, paraqitur kundër aktvendimit të Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë, A.U.nr.1015/2021 dt.06.07.2021 me të cilin është hedh poshtë si e palejueshme padia e paditësve, kundër të paditurit KPMSHCK, për anulim të vendimit nr. 2/262/2021 dt.02.12.2021, pasi që kjo çështje është gjykuar me aktgjykim të formës së prerë. Duke vendosur sipas kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, Gjykata Supreme e Kosovës, pas shqyrtimit të aktvendimit të kontestuar, shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve në kërkesë, gjeti se gjykata e shkallës së dytë drejt ka vepruar kur ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësve dhe ka vërtetuar aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë. Qëndrimin juridik të Gjykatës së Apelit në tërësi e pranon kjo Gjykatë, meqenëse aktvendimi i kontestuar nuk është i përfshirë me shkelje ashtu siç pretendohet në kërkesë. Dispozita e nenit 166 par 2 përcakton se Gjykata gjatë gjithë procedimit të çështjes kujdeset sipas detyrës zyrtare se a mos është gjë e gjykuar çështja e ngritur me padi dhe nëse e konstaton se procedura është iniciuar për të cilën ekziston vendimi i formës së prerë, padia duhet të hedhet poshtë si e palejueshme. Andaj, në situatën konkrete, kjo Gjykatë konstaton se kjo çështje është gjë e gjykuar (res iudicata) nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me aktgjykimin A.U.nr.1519/11 dt.14.08.2013 kur është refuzuar kërkesëpadia e paditësve, por edhe me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit me nr. AA.UZH. 314/2013 të datës 10.01.2014. Prandaj, kjo Gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së dytë drejt ka vepruar kur e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paditësve dhe ka vërtetuar aktvendimin e shkallës së parë. Mbi këto arsye, Gjykata Supreme e Kosovës, konsideron se pretendimet e paditësve janë të pabazuara dhe nuk janë në ndikim për vërtetim të një gjendje tjetër faktike nga ajo e vërtetuar nga gjykata e shkallës së dytë. Vendimi i kontestuar i gjykatës së shkallës së dytë është i qartë dhe i kuptueshëm. Përveç kësaj, edhe e drejta materiale është zbatuar drejtë dhe nuk është shkelur ligji në dëm të paditësve.”
Bazuar sa më sipër, dhe për aq sa është relevante për rrethanat e rastit konkret, Gjykata thekson se e drejta për qasje në gjykatë, në parim, është e garantuar përkitazi me “kontestet e vërteta dhe serioze” në lidhje me një “të drejtë civile”. Në këtë kontekst, Gjykata vlerëson se për të përcaktuar aplikueshmërinë e nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së, duhet pasur parasysh se kemi të bëjmë me dy çështje esenciale, e para ndërlidhet me “të drejtën civile”, ndërsa e dyta me ekzistencën e një “kontesti të vërtetë dhe serioz.” (shih rastin e Gjykatës KI143/21, parashtrues Avdyl Bajgora, Aktgjykim i 25 nëntorit 2021, paragrafi 62).
Për sa i përket kushtit të parë, Gjykata rikujton se objekti që parashtruesit e kërkesës e kishin kërkuar me kërkesëpadi në gjykatat e rregullta është kërkesa për kompensimin e pagave për punën shtesë pas orarit të rregullt dhe në komisione duke filluar nga viti 2006 e gjer në 01.10.2012. Gjykata duke pasur parasysh rrethanat e rastit vlerëson se kërkesa për kompensim në të holla, bie në fushëveprimin e të drejtave dhe detyrimeve civile. (shih rastin e Gjykatës KI143/21, parashtrues Avdyl Bajgora, cituar më lart, paragrafi 63).
Ndërsa për sa i përket kushtit të dytë, Gjykata vlerëson se në rastin konkret kemi të bëjmë me një “kontest të vërtetë dhe serioz”, në mes të parashtruesve të kërkesës, si paditës dhe punëdhënësit të tyre UP si palë e paditur, e cila pretendohet se ka një detyrim ligjor (obligim monetar) për të përmbushur ndaj parashtruesve të kërkesës (shih rastin e Gjykatës KI143/21, parashtrues Avdyl Bajgora, cituar më lart, paragrafi 64).
Duke qenë se janë përmbushur që të dyja kushtet e sipërpërmendura, Gjykata në vazhdim do të vlerësojë nëse Gjykata Supreme me rastin refuzimit si të pabazuar të kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësorë, ua ka mohuar parashtruesve të kërkesës të drejtën për “qasje në gjykatë” përkatësisht zgjidhjen meritore të rastit të tyre.
Në rrethanat e rastit konkret, parashtruesit e kërkesës në procedurën e zhvilluar në Gjykatën Supreme kontestuan dhe kërkuan anulimin e Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të [AA.nr.976/2021] 26 korrikut 2022 dhe Aktvendimit të Gjykatës Themelore [A.nr.1015/20] të 6 korrikut 2021. Objekt i kërkesëpadisë së këtyre vendimeve ishte obligimi i UP-së për kompensim të parashtruesve të kërkesës për punë shtesë pas orarit të punës.
Gjykata po ashtu vëren se Gjykata Supreme kishte konstatuar se përmes Aktvendimit të Gjykatës Themelore [A.U.nr.1519/11] të 14 gushtit 2013 dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [AA.nr.314/2013] të 10 janarit 2014, vërtetohet Vendimi i KPMK-së [02/262/2011] i 2 dhjetorit 2011. Objekt i kërkesëpadisë së këtyre vendimeve ishte kërkesa e parashtruesit të kërkesës Shaban Dulahu-pa parashtruesit tjerë-për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores mbi organizimin e brendshëm të administratës qendrore të Universitetit dhe Rregullores lidhur me të ardhurat personale në UP.
Gjykata po ashtu vëren se parashtruesit e kërkesës-as shprehimisht por as në substancë-nuk kanë kontestuar Aktvendimi i Gjykatës Themelore [A.U.nr.1519/11] të 14 gushtit 2013 dhe Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [AA.nr.314/2013] të 10 janarit 2014 me të cilat vërtetohet Vendimi i KPMK-së [02/262/2011] të 2 dhjetorit 2011, sepse ajo procedurë (i) ka të bëj me padinë personale si paditës i vetëm i parashtruesit të kërkesës Shaban Dulahu; dhe, (ii) për objekt të kërkesëpadisë kishte ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores mbi organizimin e brendshëm të administratës qendrore të Universitetit dhe Rregullores lidhur me të ardhurat personale në UP; ndërsa, (iii) të gjithë parashtruesit e kërkesës në kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësorë në Gjykatën Supreme-në substancë dhe shprehimisht- kanë theksuar se padia e tyre ka të bëj me obligimin e UP-së për kompensim të parashtruesve të kërkesës për punë shtesë pas orarit të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se Gjykata Themelore-Departamenti i Përgjithshëm përmes Aktgjykimit [1309/11] të 30 prillit 2014 e aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës dhe detyroi palën e paditur UP “Hasan Prishtina” Prishtinë, që parashtruesve të kërkesës t’ua kompensojë punën shtesë pas orarit të rregullt. Mirëpo më vonë pas ankesës së palës së paditur UP, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [CA.nr.2736/2014] të 31 tetorit 2016 çështjen e ktheu në rigjykim për shkak të zbatimit jo të drejtë të dispozitave procedurale dhe vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike. Gjykata e Apelit nuk kishte theksuar çështjen e kompetencës lëndore nëse çështja duhet të gjykohet nga Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore. Në procedurat që u zhvilluan më pastaj, Gjykata Themelore-Departamenti i Përgjithshëm përmes Aktvendimit [C.nr.2611/16] të 23 shkurtit 2018 e shpalli vetveten jo kompetente për çështje lëndore dhe vendosi që lënda t’i transferohet Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore. Ky vendim u vërtetua përmes Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [Ac.nr.2447/18] të 30 prillit 2020.
Gjykata vëren se në procedurën administrative që u zhvillua në departamentet administrative përkatëse të Gjykatës Themelore (Aktvendim A.nr.1015/20, dt. 06.07.2021), Gjykatës së Apelit (Aktvendim AA.nr.976/2022, dt. 26.07.2022) dhe Gjykatës Supreme (Aktgjykim ARJ.UZVP.nr.109/2022, dt. 20.10.2022): (i) nuk u shqyrtua kërkesëpadia shprehimore e parashtruesve të kërkesës për kompensim nga UP-ja për punën shtesë pas orarit të punës; por, (ii) në vend të saj shqyrtuan kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës Shaban Dulahu lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores mbi organizimin e brendshëm të administratës qendrore të Universitetit dhe Rregullores lidhur me të ardhurat personale në UP, të cilën e konsideruan si çështje të gjykuar res judicata bazuar në a) Vendimin e KPMK-së [02/262/2011] të 2 dhjetorit 2011; b) Aktvendimin e Gjykatës Themelore [A.U.nr.1519/11] të 14 gushtit 2013; dhe, c) Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [AA.nr.314/2013] të 10 janarit 2014 me të cilat vërtetohet Vendimi i KPMK-së [02/262/2011] të 2 dhjetorit 2011.
Gjykata vlerëson se kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës Shaban Dulahu për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores mbi organizimin e brendshëm të administratës qendrore të Universitetit dhe Rregullores lidhur me të ardhurat personale në UP dallon dhe ka objekt tjetër të lëndës në krahasim me kërkesëpadinë e të gjithë parashtruesve të kërkesës për kompensim nga UP-ja për punë shtesë pas orarit të punës. Këtë dallim parashtruesit e kërkesës e kanë bërë të qartë në procedurë para gjykatave të rregullta por edhe në procedurën kushtetuese pranë kësaj Gjykate, çka është në pajtueshmëri të plotë ma karakterin subsidiar të kërkesave individuale kushtetuese.
Në këtë kontekst, Gjykata vlerëson se mos shqyrtimi i kërkesëpadisë së parashtruesve të kërkesës për kompensim për punë shtesë pas orarit nga gjykatat e rregullta përfshirë Gjykatën Supreme demonstron një qasje të formalizmit të skajshëm në interpretim dhe zbatim të ligjit por edhe mos vlerësim të situatës reale të parashtruesve të kërkesës e (shih rastet e GJEDNJ-së, Gorou kundër Greqisë (nr. 2) nr. 12686/03, Aktgjykim i 20 marsit 2009, paragrafi 29; Boulois kundër Luksemburgut, nr. 37575/04, Aktgjykim i 3 prillit 2012, paragrafi 92).
Gjykata vlerëson se koncepti i të drejtës për qasje në gjykatë nuk nënkupton vetëm dorëzimin formal të padive, ankesave dhe parashtresave në procedurë në gjykatat e rregullta por edhe shqyrtimin në merita të kontesteve që janë të vërteta dhe serioze, siç është rasti i parashtruesve të kërkesës (shih rastet e GJEDNJ-së Lupeni Greek Catholic Parish kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 86; dhe Kutić kundër Kroacisë, cituar më lart, paragrafët 25 dhe 32).
Gjykata vlerëson se qasja e gjykatave të rregullta përfshirë Gjykatën Supreme të cilat fare nuk shqyrtuan objektin e kërkesëpadisë lidhur me kompensim për punë shtesë pas orarit, është e papajtueshme me të drejtën e parashtruesve të kërkesës për qasje në gjykatë, sepse u pamundëson këtyre të fundit shqyrtimin në merita të rastit të tyre përkundër faktit se bëhet fjalë për një kontest të vërtetë dhe serioz. Veç kësaj, Gjykata thekson se GJEDNJ-ja në jurisprudencën e saj të konsoliduar ka mbajtur qëndrim se interpretimi tepër i rreptë (formalizmi i skajshëm) i dispozitave procedurale mund t’iu mohojë parashtruesve të drejtën për qasje në gjykatë (shih rastet e GJEDNJ-së, Perez De Rada Cavanilles kundër Spanjës, nr. 116/1997/900/1112, Aktgjykim i 28 tetorit 1998, paragrafi 49; dhe Běleš dhe të tjerët kundër Republikës Çeke, cituar më lart, paragrafi 50).
Në kontekst të këtij rasti, Gjykata përsëritë se parimi i subsidiaritetit imponon përgjegjësi të përbashkët (shared responsibility) ndërmjet kësaj Gjykate dhe gjykatave të rregullta përfshirë Gjykatën Supreme, ashtu që këto të fundit duhet të interpretojnë dhe zbatojnë ligjet përkatëse në mënyrën që i jep efekt të plotë Kushtetutës dhe KEDNJ-së. Prandaj, derisa në radhë të parë gjykatave të rregullta u takon që të interpretojnë dhe zbatojnë ligjet përkatëse, në fund të fundit i takon kësaj Gjykate që të përcaktojë nëse mënyra sesi është interpretuar dhe zbatuar ligji prodhon pasoja që janë në harmoni me parimet e Kushtetutës dhe të KEDNJ-së (shih, mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së Guðmundur Andri Ástráðsson kundër Islandës, nr. 26374/18, Aktgjykim i 1 dhjetorit 2020, paragrafi 250 dhe referencat e përmendura aty).
Gjykata vlerëson se nuk është detyrë e saj të gjykojë nëse departamenti civil apo administrativ ka kompetencë lëndore për të gjykuar çështjen e parashtruesve të kërkesës. Për Gjykatën ka rëndësi thelbësore që parashtruesit e kërkesës të marrin përgjigje në merita përkitazi me kërkesëpadinë e tyre për kompensim nga UP-ja për punën shtesë pas orarit të punës pa paragjykim nëse çështja e tyre vendoset nga departamenti civil apo administrativ. Dhe kjo është në përputhshmëri të plotë me parimin tashmë të konsoliduar të GJEDNJ-së se të drejtat që garantohen me KEDNJ duhet të jenë efektive dhe praktike dhe jo “teorike dhe të rreme” (shih rastet e GJEDNJ-së, Airey kundër Irlandës, nr. 6289/73, Aktgjykim i 9 tetorit 1979, paragrafi 24; Perez kundër Francës, nr. 47287/99, Aktgjykim i 12 shkurtit 2004, paragrafi 80).
Nga sa më sipër, Gjykata konstaton se rrethanat e rastit konkret shpalosin shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së.
Për sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 32 të Kushtetutës, Gjykata vlerëson se ky pretendim nuk do t’i nënshtrohet vlerësimit kushtetues për shkak se nuk ngre ndonjë çështje të re që nuk është trajtuar më parë në kuadër të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së. (shih rastin e Gjykatës nr. KI215/21, parashtrues Arbër Shkreli dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 15 shkurtit 2022, paragrafi 93 dhe referencat e përmendura aty).
Përfundim
Gjykata, duke u bazuar në vlerësimin kushtetues të mësipërm, konstaton se Aktgjykimi i kontestuar [ARJ-UZVP.nr.109/2022] i Gjykatës Supreme i 20 tetori 2022, shkel të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113 (1) dhe (7) dhe 116 (1) të Kushtetutës, me nenet 20, dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat dhe 48 (1) (a) dhe 60 (5) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 11 shtator 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË se ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
TË SHPALLË të pavlefshëm Aktgjykimin e Gjykatës Supreme [ARJ-UZVP.nr.109/2022] të 20 tetorit 2022;
TË KTHEJË çështjen për rishqyrtim në Gjykatën Supreme, në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate;
TË URDHËROJË Gjykatën Supreme që ta njoftojë Gjykatën, në pajtim me rregullin 60 (5) të Rregullores së punës, deri më 11 mars 2024, për masat e ndërmarra për zbatimin këtij Aktgjykimi;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtar raportues Kryetare e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Shaban Dulahu dhe të tjerët
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Administrative