Prishtinë, më 18 qershor 2024
Nr. ref.: RK 2449/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI104/23
Parashtrues
Reshat Ibrahimi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC.nr.1199/2021] të 6 dhjetorit 2022 të Gjykatës së Apelit
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Reshat Ibrahimi nga fshati Plemetin, komuna e Obiliqit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës) i përfaqësuar nga Jeton Osmani avokat në Prishtinë.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [AC.nr.1199/2021] e Gjykatës së Apelit, të 6 dhjetorit 2022.
Në bazë të fletkthesës së dorëzuar vërehet se përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës, Aktgjykimin [AC.nr.1199/2021] e 6 dhjetorit 2022 e ka pranuar më 25 janar 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatë
Më 24 maj 2023, parashtruesi i kërkesës përmes postës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 31 maj 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes vendimit [Nr.GJR.KI104/23] caktoi gjyqtarin Enver Peci gjyqtar raportues dhe përmes vendimit [Nr.KSH.KI104/23] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Remzie Istrefi Peci, anëtarë.
Më 24 nëntor 2023, Gjykata njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje të kërkesës ia dërgoi Gjykatës së Apelit.
Më 24 nëntor 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) që të sjell fletkthesën, përmes të cilës dëshmohet se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit.
Më 30 nëntor 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 29 prill 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Bazuar në shkresat e lëndës, parashtruesi i kërkesës është punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KEK) që nga viti 1984.
Më 2 tetor 2019, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesë për pagimin e pagave jubilare nga KEK-u, me pretendimin se i takon pagesa e pagave jubilare bazuar në përvojën e punës në KEK.
Më 18 nëntor 2019, përmes vendimit [nr.11244] KEK-u refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se nuk ka plotësuar kriteret e përcaktuara me vendimin nr. 2244 të 10.04.2019, vendimin nr. 8628, të datës 06.09.2019 për përvojën e punës së pa ndërprerë brenda periudhës 01.01.2015 – 31.12.2019, pasi gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur vit jubilar.
Më 24 dhjetor 2019, parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore kundër KEK-ut, dhe kërkoi nga gjykata aprovimin e padisë ashtu që të detyrohet e paditura KEK që në emër të tri pagave jubilare t’ia paguaj shumën e përgjithshme prej 2,250.42 euro (dy mijë e dy qind e pesëdhjetë euro e dyzet e dy).
Më 22 tetor 2020, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.4823/2019] aprovoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, dhe detyroi KEK-un që parashtruesit të kërkesës në emër të pagave jubilare t’ia kompensojë shumën e tërësishme prej 2,250.42 euro (dy mijë e dy qind e pesëdhjetë euro e dyzet e dy), së bashku me normën e kamatës në lartësi prej 8%, e cila llogaritet nga dita e paraqitjes së padisë (datë 24.12.2019) e gjerë në pagesën definitive, e të gjitha së bashku në afat prej shtatë ditësh nga pranimi i këtij aktgjykimi, nën kërcënim të përmbarimit të detyrueshëm.
Më 15 tetor 2020, KEK-u paraqiti ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të LPK-së, vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike, aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që të aprovohet ankesa dhe aktgjykimi i Gjykatës Themelore të ndryshohet dhe kërkesëpadia të refuzohet si e pabazuar. Përgjigje në ankesë kishte parashtruar edhe përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës ku kishte kërkuar që ankesa e KEK-ut të refuzohet si e pabazuar.
Më 6 dhjetor 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.1199/21] aprovoi ankesën e KEK-ut dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore duke e refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Ac.nr.1199/21] e 6 dhjetorit 2022 të Gjykatës së Apelit, me pretendimin se i njëjti është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [ E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës fillimisht pretendon shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, duke pretenduar shkelje të dispozitave ligjore, pasi që siç thekson “ veprimi i Gjykatës sipas dispozitave ligjore kishte rezultuar në refuzim të kërkesëpadisë, dhe rrjedhimisht atij i ishte pamundësuar që të merr një përgjigje të drejtë nga gjykatat sa i përket meritave të rastit të tij. ... konstatimi i Gjykatës së Apelit duke aprovuar ankesën e të paditurës si të bazuar është i pa themeltë është pabazuar i papranueshëm dhe rrjedhimisht i kundërligjshëm, madje edhe bie ndesh me nenin 6 të Konventës Evropiane. Kjo pikërisht për arsye, se mos zbatimi i drejtë i të drejtës materiale ndikon edhe në mos marrjen e një vendimi meritor nga Gjykata dhe refuzimi i padisë së paditësit në kundërshtim me dispozitat ligjore të lartcekura konsiston në atë se pala paditëse nuk është trajtuar si duhet dhe në mënyrë të barabartë në këtë procedurë në raport me rastet e ngjashme si të paditësit, ndaj edhe i është shkelur e drejta në gjykim të drejtë e cila garantohet me nenin 31 të Kushtetutës”.
Tutje parashtruesi i kërkesës thekson se “ … aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është marrë në kundërshtim me gjendjen faktike dhe me zbatim të gabuar të së drejtës materiale duke mos zbatuar fare gjatë marrjes së vendimit aktet e brendshme të të paditurës. Prandaj, është i pa kontestueshëm fakti se në rastin konkret parashtruesit të kërkesës i është cenuar jo vetëm parimi i administrimit të drejtësisë por edhe barazia e armëve që konsiston në mos zbatimin e drejtë të drejtës materiale gjatë vendosjes lidhur me mjetin juridik në mënyrë efektive si pasojë e refuzimit të paraqitjes së kërkesëpadisë si në vendimin e theksuar’’ .
Parashtruesi i kërkesës po ashtu thekson se “Gjykata Supreme ashtu edhe Gjykata e Apelit kanë vendosur për raste të ngjashme si të paditësit duke aprovuar ato, me ç’rast gjykatat e rregullta kanë krijuar qëndrime të ndryshme për raste të ngjashme si të paraqitësit të kësaj kërkese dhe me këtë edhe kanë krijuar pasiguri juridike, andaj edhe në kuptim të kësaj paditësin e ka vënë në pozitë të pabarabartë para ligjit në kuptim të nenit 24 të Kushtetutës”. Më tej parashtruesi i kërkesës iu referohet disa rasteve të Gjykatave ku thekson se “ ... si Gjykata Supreme ashtu edhe Gjykata e Apelit disa herë kanë vendosur për raste të ngjashme si të paditësit duke aprovuar në tërësi paditë e paditësve të ngritura pikërisht nga KEK sh.a si në rastin me numër CML.Nr.7/2020 dt.21.04.2021, Rev.nr.90/2020 dt.04.05.2020, Ac.nr.4367/19 dt.170.7.2020, Ac.nr.2016/2020 dt. 24.06.2020, por gjithashtu ka edhe qindra aktgjykime të tilla të cilat Gjykata e Apelit veçëse i kanë njohur këto të drejta me kushte të njëjta si të paditësit”.
Në fund, parashtruesi i kërkesës konsideron se i janë shkelur të drejtat e tij kushtetuese dhe nga Gjykata kërkon aprovimin e kërkesës së tij.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
[...]
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
NENI 6
E drejta për një proces të rregullt
1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
NENI 13
E drejta për zgjidhje efektive
Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se lidhur me këtë parashtruesi i kërkesës: është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai e konteston kushtetutshmërinë e një akti të autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimin [Ac.nr.1199/21] e 6 dhjetorit 2022 të Gjykatës së Apelit; se i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; se i ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, siç parashihet me nenin 49 të Ligjit.
Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nën rregullin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, që përcakton:
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.
Gjykata rikujton se ky rregull, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Në këtë kontekst, si dhe në vazhdim të tekstit, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Rrethanat e rastit konkret rezultojnë në atë se parashtruesi i kërkesës kishte kërkuar nga KEK-u pagimin e tri pagave jubilare, ku kjo e fundit kishte refuzuar kërkesën e tij. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore kundër KEK-ut, ku kishte kërkuar pagimin e pagave jubilare, ku Gjykata themelore aprovoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, dhe detyroi KEK-un që parashtruesit të kërkesës në emër të pagave jubilare t’ia kompensojë shumën e tërësishme prej 2,250.42 euro (dy mijë e dy qind e pesëdhjetë euro e dyzet e dy), së bashku me normën e kamatës në lartësi prej 8%, e cila llogaritet nga dita e paraqitjes së padisë (data 24.12.2019) e gjerë në pagesën definitive, e të gjitha së bashku në afat prej shtatë ditësh nga pranimi i këtij aktgjykimi, nën kërcënim të përmbarimit të detyrueshëm. Kundër këtij vendimi, KEK-u kishte parashtruar ankesë. Gjykata e Apelit aprovoi ankesën e KEK-ut dhe ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore duke refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata vëren se esenca e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjnë me pretendimet për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, duke i ndërlidhur me interpretim të gabuar të dispozitave ligjore. Gjykata vlerëson se pretendimet e tilla ngrejnë çështje nga neni 31 i Kushtetues dhe neni 6.1 i KEDNJ-së, të cilat Gjykata do t’i analizojë në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.
Pretendimet lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Gjykata vëren se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës qëndron në pretendimin se Gjykatat e rregullta kanë shkelur nenin 31 të Kushtetutës, pasi që vendimet e tyre i kanë bazuar duke bërë interpretim të gabuar të dispozitave ligjore, duke arsyetuar “aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është marrë në kundërshtim me gjendjen faktike dhe me zbatim të gabuar të së drejtës materiale duke mos zbatuar fare gjatë marrjes së vendimit aktet e brendshme të të paditurës. Prandaj, është i pa kontestueshëm fakti se në rastin konkret parashtruesit të kërkesës i është cenuar jo vetëm parimi i administrimit të drejtësisë por edhe barazia e armëve që konsiston në mos zbatimin e drejtë të drejtës materiale gjatë vendosjes lidhur me mjetin juridik në mënyrë efektive si pasojë e refuzimit të paraqitjes së kërkesëpadisë si në vendimin e theksuar’’.
Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga Gjykatat e rregullta.
Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34).
Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 35).
Gjykata vëren se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë aktgjykimet përkatëse, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.
Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.1199/21] e aprovoi si të bazuar ankesën e KEK-ut dhe ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore, ku refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Në vijim të arsyetimit të këtij Aktgjykimi, Gjykata e Apelit theksoi se: “... paditësi bazën ligjore të kërkesëpadisë e ka mbështetur në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës, të lidhur dhe nënshkruar nga Organizatat e Punëdhënësve dhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Dispozita nga neni 82 i kësaj Marrëveshje parasheh që “ Kjo marrëveshje e përgjithshme kolektive e Kosovës e nënshkruar nga partnerët në Këshillin Ekonomiko – Social të Kosovës, hyn në fuqi nga data 01.01.2015”. Në anën tjetër, dispozita e nenit 90 par.4 të Ligjit të Punës Nr.03/L-212, parasheh që “ Marrëveshja Kolektive mund të lidhet për një periudhë të caktuar me kohëzgjatje jo më shumë se tri (3) vjet”. Këto dispozita përcaktojnë të drejtën e punëtorit për shpërblim jubilar, mirëpo në rastin konkret themelësia e kërkesëpadisë nuk ka mundur të mbështetet në këtë dispozitë për shkak se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës ka filluar të zbatohet nga data 01.01.2015 me kohëzgjatje të zbatimit për tri vite përkatësisht deri me datën 01.01.2018, kur të njëjtës i ka skaduar afati i zbatimit përkatësisht i ka pushuar efekti juridik. Në këtë kuptim, meqë nga kartela e punëtorit, e lëshuar për paditësin me nr. 4964, e dt.13.12.2019, vërtetohet se i njëjti ka mbushur përvojë pune prej 35 vjet, 3 muaj e 3 ditë, nga kjo rezulton se paditësi kushtin për shpërblim jubilar për 30 vite të përvojës së punës së pandërprerë e ka arritur para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, gjegjësisht me dt.10.09.2014. Nga kjo rezulton se kushti për shpërblim jubilar është përmbushur në një periudhë kohore në të cilën Marrëveshja e lartë cekur nuk ka qenë në fuqi dhe si e tillë nuk mund të prodhojë efekt juridik, gjegjësisht të aplikohet në mënyrë retroaktive, e nga kjo rezulton se paditësit i mungon baza ligjore për realizimin e kërkesës së parashtruar në padi ”.
Në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me vendimin e KEK-ut për pagimin e pagave jubilare, Gjykata e Apelit arsyetoi “referuar të lartcekurave në rastin konkret kërkesa e paditësit nuk gjen mbështetje edhe në vet vendimin e të paditurës nr.2244 i datës 10.04.2019 i plotësuar me vendimin nr.8261 të dt.23.08.2019 me të cilin e paditura ka vendosur që të vazhdohet njohja e obligimit për pagesën e pagave jubilare të gjithë punonjësve që i plotësojnë kushtet deri me dt.31.12.2019, pra që kanë arritur përvojën e punës 10, 20, 30, prej 01.01.2015 dhe në vazhdimësi, ngase paditësi 30 vite përvojë pune i ka mbushur me dt. 10.09.2014”.
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se çështja e konstatimit të gjendjes faktike dhe interpretimit të ligjit është çështje që përcaktohet nga gjykatat e rregullta në kuadër të detyrave dhe prerogativës së tyre për konstatim të gjendjes faktike dhe zbatim të ligjit material e procedural në rastet individuale dhe se në këtë drejtim nuk mund të thuhet se janë cenuar garancitë procedural nga neni 31 i Kushtetutës. Veç kësaj, gjykatat e rregullta kanë shpjeguar se veprimet dhe masat e marra ndaj parashtruesit të kërkesës janë marrë duke u bazuar në dispozita ligjore në fuqi.
Gjykata nuk vëren zbatim të dukshëm arbitrar të ligjit apo të fakteve, konkluzion qartazi të paarsyeshëm të procedurave apo edhe mungesë të marrëdhënies logjike ndërmjet fakteve të konstatuara dhe zbatimit të dispozitave ligjore përkatëse ndaj atyre fakteve. Në të vërtetë, nga vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm.
Prandaj, Gjykata konstaton që parashtruesi i e kërkesës ka pasur mundësi të përfitojë nga procedura kontradiktore dhe se ka pasur mundësi që në fazat e ndryshme të procedurës t’i paraqesë pretendimet dhe provat të cilat i ka konsideruar si të rëndësishme për rastin e tij; ka pasur mundësinë për t’i kundërshtuar në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta i kanë dëgjuar dhe shqyrtuar të gjitha pretendimet e tyre, e të cilat, shikuar objektivisht, kanë qenë të rëndësishme për zgjidhjen e lëndës, dhe se arsyet faktike dhe juridike për vendimin e kundërshtuar janë paraqitur në detaje, dhe për këtë arsye procedura, e marrë në tërësi, ishte e drejtë (shih mutatis mutandis, Aktgjykimi i GJEDNJ-së, i 21 janarit 1999, García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, paragrafët 29 dhe 30; shih gjithashtu rastin e Gjykatës KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata thekson që në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimit të gabuar të ligjit, thekson se, Gjykatat e rregullta nuk kanë bërë interpretim të drejtë të dispozitave ligjore, megjithatë ai nuk e mbështet në asnjë mënyrë dhe as nuk argumenton para Gjykatës se si ky interpretim nga gjykatat e rregullta mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesen e kërkesës apo se si procedurat pranë gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtrueses së kërkesës dhe kanë arsyetuar qartazi të njëjtat (Shih rastet e Gjykatës KI64/20, parashtrues Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri, i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI22/19, cituar më lart, paragrafi 43).
Parashtruesi i kërkesës iu referohet disa vendimeve të Gjykatës së Apelit, ku pretendon se gjykata ka vendosur ndryshe me rastin e tij, mirëpo nuk ka bashkëngjitur asnjë nga ato vendime. Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës ka dështuar t’i ofrojë Gjykatës dëshmi në lidhje me “dallimet e thella dhe afatgjata” për të konstatuar se Gjykata e Apelit në rastin e tij ka vendosur në kundërshtim me praktikën e konsoliduar gjyqësore, ndër vite. Përveç kësaj, nëse Gjykata do të lëshohej në vlerësimin e ligjshmërisë së vendimeve të Gjykatës së Apelit, duke bërë krahasime dhe analizë, se cili prej vendimeve të tij është më i drejti dhe i bazuar në ligj, do të ndërhynte në juridiksionin dhe pavarësinë e gjyqësorit të rregullt.
Thënë këtë, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ku në bazë të provave të nxjerra ishte vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe me këtë rast, të njëjtat ishin shpallur si të pabazuara. Sa më sipër, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur që pretendimet e tij për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë t’i ngrejë në nivel kushtetutshmërie.
Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të vërtetimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të dispozitave ligjore, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Përkitazi me pretendimet tjera
Sa i përket pretendimeve për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ, Gjykata rikujton se sipas praktikës gjyqësore të vendosur mirë të GJEDNJ-së, Gjykata e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar në pajtim me kriterin (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht:
kur parashtruesi/ja thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse kjo është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih, në këtë drejtim, rastin e GJEDNJ-së Trofimchuk kundër Ukrainës (Vendim) nr. 4241/03, i 31 majit 2005, shih, gjithashtu, rastin Baillard kundër Francës (Vendim) nr. 6032/04, i 25 shtatorit 2008);
kur parashtruesi/ja nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij/saj (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij/saj dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, nëse autoritetet e burgut refuzojnë të paraqesin në Gjykatë dokumentet nga shkresat e lëndës së të burgosurit për të cilin bëhet fjalë) ose nëse vetë Gjykata nuk vendos ndryshe.
Siç u cek më lart, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit shkelë të drejtat e tij të garantuara me nenin 3, 24, 32, 54 dhe 102 të Kushtetutës dhe 13 të KEDNJ-së. Mirëpo, parashtruesi i kërkesës vetëm i përmend nenet përkatës, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve përkatëse të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës Kushtetuese KI187/18 dhe KI 11/19, parashtrues: Muhamet Idrizi, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2019, paragrafi 73; KI125/19 parashtrues: Ismajl Bajgora, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 63; dhe së fundmi rastin KI175/20, parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 26 marsit 2021, paragrafët 79-82).
Thënë këtë, Gjykata konsideron se pretendimin për shkelje të neneve të lartcekura të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës, në të vërtetë, e ka elaboruar mbi bazën e nenit 31 të Kushtetutës, për çfarë Gjykata, sa më sipër, konstatoi se në ketë pjesë kërkesa duhet të shpallet qartazi e pabazuar, në baza kushtetueses dhe rrjedhimisht e papranueshme, për arsyet e lartcekura.
Prandaj, Gjykata konstaton se përkitazi me këto pretendime të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet e lartcekura të Kushtetutës dhe KEDNJ-së, Gjykata konkludon që kjo pjesë e kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, sepse parashtruesi i kërkesës thjesht citoi nenet e Kushtetutës, pa shpjeguar se si janë shkelur ato. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të vërtetimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të dispozitave ligjore, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës..
Sa i përket pretendimeve për shkelje të neneve tjera të Kushtetutës dhe KEDNJ-së, duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, duhet të deklarohet e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur më 29 prill 2024 , njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
Reshat Ibrahimi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile