Prishtinë, më 21 shkurt 2024
Nr. Ref.:RK 2379/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI125/23
Parashtrues
Hazir Bublica
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I.-21-0096-AOOO1] të 16 shkurtit 2023, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Hazir Bublica (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), me vendbanim në Komunën e Lipjanit.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [AC-I.-21-0096-AOOO1], të 16 shkurtit 2023, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit të DHPGJS-së) në lidhje me Aktgjykimin [C-IV.-13-1797] të 19 janarit 2021 të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: DHPGJS).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I.-21-0096-AOOO1], të 16 shkurtit 2023, të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së me të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit]; 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) dhe nenin 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: DUDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Nr. 01/2023 (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 6 qershor 2023, parashtruesi i kërkesës përmes postës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 15 qershor 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI125/23] caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, Safet Hoxha dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 22 qershor 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.
Më 31 janar 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe me shumicë i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte qenë i punësuar në NSH “Fabrika e Letrës, Kartuqit dhe Ambalazhit” Lipjan si rojtar me pagë mesatare prej 130 € (njëqind e tridhjetë euro).
Më 6 prill 2007, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për kompensim për pagat e papaguara pranë Autoritetit të Likuidimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Autoriteti i Likuidimit të AKP-së) për periudhën nga tetori 2003 deri më 31 gusht 2005, dhe nga kjo datë deri në ndërprerjen e marrëdhënies së punës nga 130 € (njëqind e tridhjetë euro) në muaj, për kohën sa kishte punuar në NSH “Fabrika e Letrës, Kartuqit dhe Ambalazhit” Lipjan.
Më 29 gushtit 2013, Autoriteti i Likuidimit i AKP-së përmes Vendimit [PRN022-0322] e aprovoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për kompensim të pagave të papaguara në shumën prej 3,115.51 € (tre mijë e njëqind e pesëmbëdhjetë euro e pesëdhjetë e një cent) si dhe shumën prej 390.37 € (treqind e nëntëdhjetë euro e tridhjetë e shtatë cent) në emër të tatimit në të ardhura personale dhe fondit pensional, për periudhën nga tetori 2003 deri në gusht 2005.
Më 20 shtator 2013, parashtruesi i kërkesës paraqiti kundërshtim në pjesën refuzuese të Vendimit [PRN022-0322], të 29 gushtit 2013 të Autoritetit të Likuidimit për NSH “Fabrika e Letrës, Kartuqit dhe Ambalazhit” Lipjan në DHPGJS, përmes të cilit vendim ishte aprovuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës për pagat e papaguara për periudhën tetor 2003 deri në gusht 2005. Parashtruesi i kërkesës në këtë kundërshtim theksoi se Autoriteti i Likuidimit të AKP-së në pjesën e kërkesës për pagesë të pagave të papaguara për periudhën 1 shtator 2005 deri më 31 korrik 2006 në shumën prej 1430.00 € (një mijë e katërqind e tridhjetë euro), nuk kishte dhënë vendim për aprovim ose refuzim përkundër kërkesës së parashtruesit, andaj, kërkoi që t’i aprovohet kundërshtimi dhe të ndryshohet vendimi i Autoritetit të Likuidimit të AKP-së ashtu që t’i njihet e drejta e kompensimit për pagat e papaguara për periudhën e lartcekur, me të gjitha obligimet tatimore dhe kamatën deri në pagesë definitive.
Më 18 janar 2018, AKP-ja dorëzoi parashtresë në mbrojtje ndaj ankesës kundër Vendimit [PRN022-0322], të 29 gushtit 2013 të Autoritetit të Likuidimit për NSH “Fabrika e Letrës, Kartuqit dhe Ambalazhit” Lipjan, me propozim që ankesa të refuzohet dhe të vërtetohet Vendimi i Autoritetit të Likuidimit. AKP-ja në këtë mbrojtje deklaroi se Autoriteti i Likuidimit e ka pranuar plotësisht shumën e kërkuar nga parashtruesi i kërkesës dhe se ky i fundit nuk ka as të drejtën procedurale e as të drejtën themelore për t’u ankuar ndaj Vendimit të Autoritetit të Likuidimit për të kërkuar një shumë më të madhe se ajo që e ka kërkuar vetë.
Më 22 janar 2018, DHPGJS-ja përmes Urdhrit [C-IV-13-1797] urdhëroi parashtruesin e kërkesës që në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh të kundërpërgjigjet me shkrim ndaj mbrojtjes së AKP-së dhe t’i tregojë faktet dhe bazën juridike mbi të cilën mbështetë kërkesën e tij.
Më 19 mars 2018, parashtruesi i kërkesës parashtroi përgjigjen në mbrojtjen e AKP-së, të cilën e pranoi më 13 mars 2018 dhe ndër të tjera theksoi se kërkesa e tij është e qartë, në kuptimin që i njëjti ka kërkuar pagesën e pagave të papaguara edhe për periudhën 1 shtator 2005 deri më 31 korrik 2006, kur i është ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të likuidimit të NSH “Fabrika e Letrës, Kartuqit dhe Ambalazhit” Lipjan.
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 3 prill 2018, AKP kishte paraqitur kundërpërgjigje në përgjigjen e lartcekur të parashtruesit të kërkesës, përmes të cilës kërkoi që kërkesa të refuzohet si e pabazuar dhe Vendimi [PRN022-0322] i 29 gushtit 2013, i Autoritetit të Likuidimit të AKP-së të vërtetohet.
Më 19 janar 2021, DHPGJS-ja përmes Aktgjykimit [C-IV-13-1797] vendosi që: (i) të REFUZOHET si e pabazuar ankesa e parashtruesit të kërkesës në lidhje me Vendimin [PRN022-0322] të 29 gushtit 2013, të Autoritetit të Likuidimit, i cili vendim vërtetohet si i drejtë dhe i bazuar në ligj; si dhe (ii) në këtë çështje juridike nuk u caktuan taksa gjyqësore.
DHPGJS në aktgjykimin e saj fillimisht vendosi që të mos mbajë seancë dëgjimore në këtë çështje bazuar në paragrafin 3 të nenit 76 (Konfliktet dhe interpretimi) të Ligjit Nr. 06/L-086 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështjet që në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë; Ligji për DHPGJS për Çështjet në lidhje me AKP-në) në lidhje me nenin 399 të Ligjit Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK) sepse vlerësoi se “[...] faktet që përmban ankesa nuk e vërtetojnë atë [...]”
Në lidhje me Vendimin [PRN022-0322], të 29 gushtit 2013 të Autoritetit të Likuidimit, DHPGJS-ja arsyetoi si në vijim:
“Duke u bazuar ne Vendimin e Gjykatës Komunale në Lipjan C. nr. 237/2005 të datës 16 gusht 2005, Autoriteti i Likuidimit e kishte pranuar kërkesën e parashtruesit si të bazuar.
Neni 36.2 nën paragrafi 1 i Shtojcës se Ligjit nr. 04/L-034 për AKP-në parasheh që “... elementet në vijim përbëjnë bazë të mirë dhe të mjaftueshme sipas këtij ligji për refuzimin e Kërkesës apo interesi të pretenduar të kapitalit apo pronësisë:...kërkesa apo pretendimi i pasafatshëm sipas kufizimeve kohore të aplikueshme”.
Në bazë të nenit 31, paragrafi 1 i Ligjit Nr. 06-L-086 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, i cili përcakton se: “Palët, në parashtresat e tyre me shkrim duhet të paraqesin një pasqyrë gjithëpërfshirëse të fakteve që ato i dinë, apo me arsye besojnë të jenë relevante apo materiale për kërkesën, lëndën, procedurën apo rastin përkatës”.
Me nenin 76 paragrafi 3 i Ligjit Nr. 06-L-086 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës parashihet që: “në interpretimin dhe zbatimin e këtij ligji, kudo që është e nevojshme për të zgjidhur një çështje procedurale që nuk trajtohet mjaftueshëm me këtë ligj, Dhoma e Posaçme do të zbatojë mutadis mutandis dispozita përkatëse të Ligjit mbi Procedurën Kontestimore”.
Sipas nenit 7, paragrafi 1 i Ligjit për Procedurën Kontestimore parasheh që: Palët kanë për detyrë të paraqesin të gjitha faktet mbi të cilat i mbështesin kërkesat e veta dhe të propozojnë prova me të cilat kontestohen faktet e tilla.
Gjykata pasi që bëri vlerësimin e secilës provë veç e veç dhe të gjitha së bashku, arriti në përfundim se në këtë çështje juridiko-civile ankesa është e pabazuar.”
Nga aktgjykimi i lartcekur i DHPGJS-së, rezulton se me Vendimin [C. nr. 237/200] të 16 gushtit 2015, të lëshuar nga Gjykata Komunale në Lipjan, është aprovuar kërkesa e parashtruesit në shumën prej 3,120.00 € (tre mijë e njëqind e njëzet euro) si dhe shpenzimet e gjykatës ne shumë prej 219.00 € (dyqind e nëntëmbëdhjetë euro) për periudhën tetor 2003 deri gusht 2005, prandaj, në përputhje me këtë vendim, Autoriteti i Likuidimit e kishte pranuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës si të bazuar.
Më 8 shkurt 2021, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë kundër Aktgjykimit [C-IV-13-1797] të 19 janarit 2021 të DHPGJS-së për shkak të konstatimit të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, duke i propozuar Kolegjit të Apelit të DHPGJ-së që të aprovojë ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet ashtu që të anulohet vendimi i Autoritetit të Likuidimit të AKP-së dhe t’i njihet e drejta e kompesimit të pagave të papaguara prej 1 shtatorit 2005 deri më 31 korrik 2006 në lartësi prej 1430.00 (një mijë e katërqind e tridhjetë euro) me të gjitha obligimet tatimore dhe kamatë.
Parashtruesi i kërkesës në ankesën e tij theksoi se DHPGJS siç duket nuk ka lexuar pjesën e kërkesës në formular deri në fund siç është kërkuar, ku citohet se “nga data 31 gusht 2005 e deri sa për këtë ekzistojnë kushtet ligjore nga 130 euro në muaj”. Gjithashtu, i njëjti theksoi se në faqen 5 të aktgjykimit të ankimuar, theksohet edhe parashkrimi kinse i kërkesës pa u thirrë në asnjë bazë apo dispozitë ligjore ngase kërkesa për pagesën e të ardhurave të garantuara personale e parashtruar në Autoritetin e Likuidimit e pastaj në DHPGJS, e ndërprenë parashkrimin e kërkesës.
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 30 shtator 2022, AKP parashtroi përgjigje në ankesë, ku theksoi se i përmbahet qëndrimit se argumentet e ngritura në ankesë janë të përsëritura dhe kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e pabazuar dhe propozon që e njëjta të refuzohet si e pabazuar dhe të vërtetohet aktgjykimi i DHPGJS-së.
Më 16 shkurt 2023, Kolegji i Apelit të DHPGJS-së përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0096-A0001] vendosi që: (i) ankesa e parashtruesit të kërkesës të refuzohet si e pabazuar; (ii) të vërtetohet Aktgjykimi [C-IV.-13-1797] i 19 janarit 2021 i DHPGJS-së; si dhe (iii) të mos caktohen taksa gjyqësore për procedurën ankimore.
Kolegji i Apelit të DHPGJS-së në aktgjykimin e saj fillimisht vendosi që të mos mbajë pjesën gojore të procedurë bazuar në paragrafin 1 të nenit 69 të Ligjit për DHPGJS për Çështjet në lidhje me AKP-në.
Lidhur me ankesën e parashtruesit të kërkesës, Kolegji i Apelit të DHPGJS-së arsyetoi se:
“[...] pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, kishte vërejtur se paditësi [parashtruesi i kërkesës] së bashku me ankesën e tij të ushtruar ndaj vendimit PRN022-0322 të datës 29 gusht 2013, përveç vendimit të AKP kishte sjellë edhe Formularin e kërkesës për Likuidim të datës 6 prill 2007. Gjithashtu në ankesën e tij të paraqitur në shkallë të dytë të DHPGJ-së kishte bashkëngjitur si prova: Vërtetimin e punës së punëtorit Hazir Bublica, Formularin e kërkesës të datës 20 nëntor 2006 dhe 6 prill 2007.
Kolegji i Apelit konsideron se paditësi me asnjërën nga provat e lartcekura nuk ka arritur t’i dëshmojë pretendimet e tij në ankesë, për faktin se edhe pse në formularin e kërkesës së tij të paraqitur thuhet se i njëjti kërkon “3120+219 deri më 31 gusht 2005, nga kjo datë deri në ndërprerje të marrëdhënie të punës nga 140 euro në muaj”, i njëjti nuk kishte arritur të provojë se kur atij i është ndërprerë marrëdhënia e punës apo ndonjë dëshmi se i njëjti ka punuar në kohën për të cilën pretendon se i janë borxh pagat e papaguara në shumën prej 1,430.00 me të gjitha obligimet tatimore dhe kamatën.
Ndërsa, sa i përket vërtetimit të punës të bashkëngjitur në ankesë, Kolegji i Apelit konsideron se i njëjti nuk përmban as datën dhe as vitin se kur është lëshuar as numrin e protokollit, prandaj edhe me të nuk kishte arritur të vërtetoj se i njëjti ka punuar në periudhën për të cilën kërkon pagat e papaguara.
Andaj, ashtu siç me të drejtë ka theksuar edhe shkalla e parë e DHPGJ-së, barra e provës për të vërtetuar këtë fakt bie mbi paditësin dhe paditësi përkundër provave të lartcekura të cilat ndodhen në shkresa të lëndës, nuk ka vërtetuar me ndonjë provë që të njëjtit t’i njihet e drejta në kompensim për pretendimin lidhur me pagat e papaguara në periudhën nga 1 shtator 2005 deri më 31 korrik 2006.
Prandaj, Kolegji i Apelit vlerëson se shkalla e parë e DHPGJS-së ka vepruar drejtë kur ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paditësit, pasi që të njëjtit në mungesë të provave nuk mund t’i njihet e drejta në kompensim për periudhën e lartcekur”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 3 [Barazia para Ligjit]; paragrafit 2 të nenit 24 [Barazia para Ligjit]; nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së dhe nenin 10 të DUDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës konsideron se: “[...] i janë shkelë të drejtat në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, ngase palët në procedurë nuk janë trajtuar barabarësisht, dhe nga organet vendim marrëse AKP-ja dhe Dhoma nuk kanë marrë parasysh pretendimin e paditësit – diskriminimi i tij me rastin e refuzimit të kërkesës për kompenzim të të ardhurave mujore të garantuara nga 130 euro në muaj për kohën që ka punu në ruajte të objekteve dhe aseteve të ndërmarrjes në të cilën ka punuar nga data 01.shtator 2005 , e deri me dt.31 gusht 2006.”
Po ashtu, i njëjti pretendon se “[...] procedurat në Gjykata nuk kanë qenë të drejta në tërësinë e tyre, duke i përfshirë edhe dëshmitë (shif Aktgjykimin e GJEDNJ, A.p.p.nr. 13071/87, kundër Mbretërisë së Bashkuar, paragrafi 3 dt.10 korrik 1991, të cilin e citon edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në Aktgjykimin Ki.nr.49/11, në pikën nr.34).
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu thekson se DHPGJS dhe Kolegji i Apelit i DHGJPS-së nuk i kanë kompensuar pagat e papaguara përmes aktgjykimeve që i ka nxjerrë “[...] pa seanca ndëgjimore me arsyetime jo bindëse dhe në kundërshtim me provat që i janë dorëzuar për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, ashtu që ankesat e parashtruesit i ka refuzuar” si dhe “Në rastin konkret për ankuesin [parashtruesin e kërkesës] në asnjërën instancë gjyqësore nuk është mbajtur seancë dhe arsyetimi i vendimit gjyqësor nuk është i duhur sepse me prova që ka ofru ankuesi provohet se i njëjti ka punu dhe për periudhën e sipërcituar nuk është pagu dhe nëse vërtetimi nuk ka protokoll nga punëdhënësi nuk është e drejtë të pëson i punësuari”.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të gjejë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të ligjeve të aplikueshme në aktgjykimet e DHGJPS-së në shkallë të parë dhe të dytë sipas praktikës së Gjykatës për garancitë procedurale për seancë dëgjimore dhe vendim të arsyetuar gjyqësor, ashtu që aktgjykimet në fjalë të shfuqizohen si dhe rasti të rigjykohet në pajtim me ligjet ne fuqi, në një procedurë të rregullt dhe të paanshme.
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 3
[Barazia para Ligjit]
“1. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.”
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“[...]
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
[...]”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”
LIGJI Nr. 04/L-034 PËR AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT
Neni 6
(Fushëveprimi i kompetencave administrative të Agjencisë)
“1. Agjencia ka kompetenca të gjëra dhe ekskluzive administrative mbi të gjitha ndërmarrjet, asetet, interesat, aksionet dhe pronën që bie në fushëveprimin e nenit 5.1 dhe 5.2. Ky autoritet përfshinë çdo veprim që agjencia e konsideron të arsyeshëm dhe të duhur, brenda kufijve të burimeve administrative të Agjencisë, për të mundësuar më mirë shitjen, likuidimin, transferimin apo ndonjë zgjidhje tjetër të ndërmarrjes, asetit apo interesit në pronësi shtetërore. Pa paragjykim ndaj përgjithësimit në fjalinë e mëparshme, parashihet në mënyrë specifike që sa i përket ndërmarrjeve, ai autoritet të përfshijë të gjitha veprimet të cilat Agjencia i konsideron të arsyeshme dhe të duhura për ruajtjen ose rritjen e vlerës, shanseve për sukses ose qeverisjes së ndërmarrjes.”
SHTOJCA E LIGJIT Nr. 04/L-034 PËR AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT
Neni 37
(Llogaritja dhe kompensimi i kërkesave)
“7. Kreditori i prekur ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata brenda tridhjetë (30) ditëve pas dhënies së njoftimit nga ana e Autoritetit të Likuidimit që të vendos për kërkesën e tij dhe moskërkimi i tillë në kohë nga ana e kreditorit do ta pamundësojë atë në kundërshtimi i mëtejmë i vendimit të Autoritetit të Likuidimit.
8. Gjykata nxjerr vendim lidhur me kërkesën e parashtruar nga kreditori i prekur jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë, pas datës në të cilën kërkesa është dorëzuar në Gjykatë dhe pasi një kopje e saj t‟i jetë dorëzuar Autoritetit të Likuidimit, Komitetit të Kreditorëve (nëse ekziston) dhe palëve të tjera sipas udhëzimit të Gjykatës.”
Neni 40
(Prioritetet e kërkesave dhe interesave)
“1.6.2.kërkesat për dëmshpërblim për ndërprerje të parakohshme të kontratës të
sjella nga punonjësit të cilat janë pushuar nga puna si rrjedhojë e Vendimit për
Likuidim të ndërmarrjes, apo në lidhje me veprimin e ndërmarrë nga Agjencia
sipas nenit 6.1 apo 6.2 të Ligjit për AKP-në.”
LIGJI NR. 06/L-086 PËR DHOMËN E POSAÇME TË GJYKATËS SUPREME TË KOSOVËS PËR ÇËSHTJET NË LIDHJE ME AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT
Neni 76
(Konfliktet dhe interpretimi)
3. Në interpretimin dhe zbatimin e këtij ligji, kudo që është e nevojshme për të zgjidhur një çështje procedurale që nuk trajtohet mjaftueshëm me këtë ligj, Dhoma e Posaçme do të zbatojë mutatis mutandis dispozita përkatëse të Ligjit mbi Procedurën Kontestimore.
Neni 69
(Procedurat e ankesës me gojë)
1. Me nismë të tij apo në bazë të kërkesës me shkrim nga një palë, Kolegji i Apelit vendos nëse do të mbajë një apo më shumë seanca dëgjimore lidhur me ankesën gjegjëse. Kolegji i Apelit merr parasysh çfarëdo kërkese për procedurë gojore që parashtrohet nga ndonjëra palë, e cila paraqet arsyet e saja për parashtrimin e kërkesës për procedurë gojore. Kërkesa e tillë parashtrohet para përfundimit të procedurave të ankesës me shkrim.
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 399
[Pa titull]
“399.1 Kur gjykata, pasi t’i arrijë përgjigja në padi, konstaton se nga faktet e treguara në padi nuk del themelësia e kërkesëpadisë, atëherë ajo do te jep vendimin meritor me të cilin refuzohet si e pathemeltë kërkesëpadia.
399.2 Kërkesëpadia është e pathemeltë, në vështrim të paragrafit 1 të këtij neni, po që se qartazi është në kundërthënie me faktet e treguara në padi, apo, po që se faktet mbi të cilat mbështetët kërkesëpadia qartazi janë në kundërthënie me provat të cilat i ka propozuar paditësi, apo me faktet që janë botërisht të ditura.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale) 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, që parashikojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës: (i) është palë e autorizuara; (ii) konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [AC-I.-21-0096-AOOO1], e 16 shkurtit 2023, të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së në lidhje me Aktgjykimin [C-IV.-13-1797] të 19 janarit 2021 të DHPGJS-së; (iii) ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; (iv) ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj; si dhe (v) e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores se punës. Paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, pika d e paragrafit 1 dhe paragrafi 2 i rregullit 34 të Rregullores së punës përcaktojnë që:
"(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(d) Kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
[...]
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për Papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për Papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit si dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me ankesën e parashtruesit të kërkesës pranë Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ku kishte kërkuar kompensim të pagave të papaguara nga tetori 2003 deri më 31 gusht 2005, dhe nga kjo datë deri më në ndërprerjen e marrëdhënies së punës, për kohën sa kishte punuar në NSH “Fabrika e Letrës, Kartuqit dhe Ambalazhit” Lipjan. Më 29 gusht 2013, Autoriteti i Likuidimit i AKP-së përmes Vendimit [PRN022-0322], e aprovoi kërkesën e tij në shumën përcaktuar në Vendimin e Gjykatës Komunale të Lipjanit, e cila, përmes Vendimit [C. nr. 237/200] të 16 gushtit 2015, ia kishte akorduar kompensimin për pagat e papaguara për periudhën nga tetori 2003 deri në gusht 2005. Megjithatë, më 20 shtator 2023, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në DHPGJS për pjesën tjetër të kërkesës, respektivisht, për periudhën 31 gusht 2005 deri më 31 korrik 2006, e cila pjesë e kërkesës nuk ishte refuzuar apo aprovuar nga gjykata. Më 18 janar 2018, AKP-ja dorëzoi parashtresë në mbrojtje ndaj ankesës së parashtruesit të kërkesës, i cili më pas më 18 mars 2018 parashtroi përgjigje në mbrojtjen e AKP-së. DHPGJS-ja përmes Aktgjykimit [C-IV.-13-1797] të 19 janarit 2021, e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës, të cilën e arsyetoi duke u bazuar në dispozitat ligjore në fuqi që përcaktojnë se barra provës bie mbi parashtruesin e kërkesës për të mbështetur kërkesëpadinë e tij. Më 8 shkurt 2021, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë kundër Aktgjykimit të DHGJPS-së për shkak të konstatimit të gabuar të gjendjes faktike dhe juridike, ndaj të cilës më pas, më 30 shtator 2022, AKP parashtroi përgjigje në ankesë. Kolegji i Apelit të DHGJPS-së përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0096-A0001] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar; dhe vërtetoi Aktgjykimin e DHPGJS-së, me arsyetimin se barra e provës për të vërtetuar faktin parashtruesi i kërkesës ka punuar në periudhën për të cilën kërkon pagat e papaguara bie mbi paditësin dhe paditësi, në rastin konkret parashtruesi i kërkesës, përkundër provave të lartcekura të cilat ndodhen në shkresa të lëndës, nuk kishte vërtetuar me ndonjë provë që të njëjtit t’i njihet e drejta në kompensim për pretendimin lidhur me pagat e papaguara në periudhën nga 1 shtator 2005 deri më 31 korrik 2006, dhe në këtë rast konsideroi se vërtetimi i punës, që parashtruesi e kishte bashkëngjitur në ankesë, nuk përmban as datën dhe as vitin se kur është lëshuar as numrin e protokollit, prandaj edhe me të nuk kishte arritur të vërtetojë se i njëjti ka punuar në periudhën për të cilën kërkon pagat e papaguara.
Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës shprehimisht ngre pretendime për mos mbajtjen e seancës dëgjimore, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës pretendon në thelb se me mos mbajtjen e seancës dëgjimore, DHPGJS-së dhe Kolegji i Apelit të DPHGJS-së kanë shkelur garancitë procedurale të nenit 31 të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon edhe shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës, ku thekson si në vijim: “[...] diskriminimi i tij me rastin e refuzimit të kërkesës për kompenzim të të ardhurave mujore të garantuara nga 130 euro në muaj për kohën që ka punu në ruajte të objekteve dhe aseteve të ndërmarrjes në të cilën ka punuar nga data 01.shtator 2005 , e deri me dt.31 gusht 2006”.
Nga sa më sipër, duke marrë parasysh natyrën e kësaj kërkese dhe pretendimeve të ngritura nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata do të vlerësojë fillimisht pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur (i) me nenin 31 të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së dhe më pas me (ii) nenin 24 të Kushtetutës.
Përkitazi me pretendimin për mosmbajtjen e seancës dëgjimore
Gjykata vlerëson se nëse një gjykim i plotëson kriteret e publicitetit, është e nevojshme për të vlerësuar procedurat si tërësi (shih rastin e GJEDNJ-së Axen kundër Gjermanisë, nr. 8273/78, Aktgjykim i 8 dhjetorit 1983, paragrafi 27). Karakteri i veçantë i rrethanave që mund të justifikojnë mos mbajtjen e seancës dëgjimore në thelb ka të bëjë me natyrën e çështjeve që duhet t’i vendos një gjykatë e rregullt dhe jo shpeshtësia e situatave të tilla (shih rastet e GJEDNJ-së, Miller kundër Suedisë, nr. 55853/00, Aktgjykim i 8 shkurtit 2005, paragrafi 29 dhe rastin e Gjykatës KI80/23, parashtrues Behgjet Stoliqi, Aktvendim për papranueshmëri i 17 janarit 2024, paragrafi 45).
Mbajtja e seancës dëgjimore mund të mos kërkohet kur nuk ngrehen çështje të besueshmërisë apo të fakteve të kontestuara që e bëjnë të nevojshme seancën dëgjimore ndërsa gjykatat e rregullta në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme mund ta vendosin zgjidhin rastin bazuar në parashtresat e dorëzuara nga palët dhe materialet tjera me shkrim (shih rastin e GJEDNJ-së Saccoccia kundër Austrisë, nr. 69917/01, Aktgjykim i 18 dhjetorit 2008, paragrafi 73 dhe rastin e Gjykatës KI80/23, parashtrues Behgjet Stoliqi, cituar më lart, paragrafi 46).
Gjykata po ashtu vëren se GJEDNJ-ja po ashtu ka pranuar se mos mbajtja e seancës dëgjimore mund të justifikohet në rastet që thjeshtë ngrenë çështje ligjore të natyrës së kufizuar (shih rastin e GJEDNJ-së, Allan Jacobsson kundër Suedisë (nr. 2), nr. 8/1997/792/993, Aktgjykim i 18 shkurtit 1998, paragrafi 49;) apo të cilat nuk kanë ndonjë ndërlikueshmëri të posaçme (shih rastin e GJEDNJ-së, Speil kundër Austrisë, nr. 42057/98, Vendim mbi pranueshmëri i 5 shtatorit 2002 dhe rastin e Gjykatës KI80/23, parashtrues Behgjet Stoliqi, cituar më lart, paragrafi 47).
Në këtë drejtim, Gjykata vë në pah arsyetimin e DHPGJS-së:
“Duke u bazuar ne Vendimin e Gjykatës Komunale në Lipjan C. nr. 237/2005 të datës 16 gusht 2005, Autoriteti i Likuidimit e kishte pranuar kërkesën e parashtruesit si të bazuar.
Neni 36.2 nën paragrafi 1 i Shtojcës se Ligjit nr. 04/L-034 për AKP-në parasheh që “... elementet në vijim përbëjnë bazë të mirë dhe të mjaftueshme sipas këtij ligji për refuzimin e Kërkesës apo interesi të pretenduar të kapitalit apo pronësisë:...kërkesa apo pretendimi i pasafatshëm sipas kufizimeve kohore të aplikueshme”.
Në bazë të nenit 31, paragrafi 1 i Ligjit Nr. 06-L-086 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, i cili përcakton se: “Palët, në parashtresat e tyre me shkrim duhet të paraqesin një pasqyrë gjithëpërfshirëse të fakteve që ato i dinë, apo me arsye besojnë të jenë relevante apo materiale për kërkesën, lëndën, procedurën apo rastin përkatës”.
Me nenin 76 paragrafi 3 i Ligjit Nr. 06-L-086 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës parashihet që: “në interpretimin dhe zbatimin e këtij ligji, kudo që është e nevojshme për të zgjidhur një çështje procedurale që nuk trajtohet mjaftueshëm me këtë ligj, Dhoma e Posaçme do të zbatojë mutadis mutandis dispozita përkatëse të Ligjit mbi Procedurën Kontestimore”.
Sipas nenit 7, paragrafi 1 i Ligjit për Procedurën Kontestimore parasheh që: Palët kanë për detyrë të paraqesin të gjitha faktet mbi të cilat i mbështesin kërkesat e veta dhe të propozojnë prova me të cilat kontestohen faktet e tilla.
Gjykata pasi që bëri vlerësimin e secilës provë veç e veç dhe të gjitha së bashku, arriti në përfundim se në këtë çështje juridiko-civile ankesa është e pabazuar.”
Gjykata po ashtu vë në spikamë arsyetimin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së lidhur me Vendimin e Autoritetit të Likuidimit të AKP-së:
“[...] pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, kishte vërejtur se paditësi [parashtruesi i kërkesës] së bashku me ankesën e tij të ushtruar ndaj vendimit PRN022-0322 të datës 29 gusht 2013, përveç vendimit të AKP kishte sjellë edhe Formularin e kërkesës për Likuidim të datës 6 prill 2007. Gjithashtu në ankesën e tij të paraqitur në shkallë të dytë të DHPGJ-së kishte bashkëngjitur si prova: Vërtetimin e punës së punëtorit Hazir Bublica, Formularin e kërkesës të datës 20 nëntor 2006 dhe 6 prill 2007.
Kolegji i Apelit konsideron se paditësi me asnjërën nga provat e lartcekura nuk ka arritur t’i dëshmojë pretendimet e tij në ankesë, për faktin se edhe pse në formularin e kërkesës së tij të paraqitur thuhet se i njëjti kërkon “3120+219 deri më 31 gusht 2005, nga kjo datë deri në ndërprerje të marrëdhënie të punës nga 140 euro në muaj”, i njëjti nuk kishte arritur të provojë se kur atij i është ndërprerë marrëdhënia e punës apo ndonjë dëshmi se i njëjti ka punuar në kohën për të cilën pretendon se i janë borxh pagat e papaguara në shumën prej 1,430.00 me të gjitha obligimet tatimore dhe kamatën.
Ndërsa, sa i përket vërtetimit të punës të bashkëngjitur në ankesë, Kolegji i Apelit konsideron se i njëjti nuk përmban as datën dhe as vitin se kur është lëshuar as numrin e protokollit, prandaj edhe me të nuk kishte arritur të vërtetoj se i njëjti ka punuar në periudhën për të cilën kërkon pagat e papaguara.
Andaj, ashtu siç me të drejtë ka theksuar edhe shkalla e parë e DHPGJ-së, barra e provës për të vërtetuar këtë fakt bie mbi paditësin dhe paditësi përkundër provave të lartcekura të cilat ndodhen në shkresa të lëndës, nuk ka vërtetuar me ndonjë provë që të njëjtit t’i njihet e drejta në kompensim për pretendimin lidhur me pagat e papaguara në periudhën nga 1 shtator 2005 deri më 31 korrik 2006.
Prandaj, Kolegji i Apelit vlerëson se shkalla e parë e DHPGJS-së ka vepruar drejtë kur ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paditësit, pasi që të njëjtit në mungesë të provave nuk mund t’i njihet e drejta në kompensim për periudhën e lartcekur”.
Në lidhje me mbajtjen e seancës dëgjimore, Gjykata vëren se DHGJPS-ja si dhe Kolegji i Apelit të saj, shprehimisht vendosën që të mos mbajnë seancë dëgjimore në këtë çështje bazuar në paragrafin 3 të nenit 76 Ligji për DHPGJS për Çështjet në lidhje me AKP-në në lidhje me nenin 399 të LPK-së, respektivisht në paragrafin 1 të nenit 69 të Ligjit për DHPGJS për Çështjet në lidhje me AKP-në.
Gjykata rikujton se Autoriteti i Likuidimit të AKP-së përmes Vendimit [PRN022-0322] të 29 gushtit 2013 kishte vendosur në dobi të parashtruesit të kërkesës sa i përket aprovimit të kërkesës së tij për pagesën e pagave të papaguara për periudhën tetor 2003 deri më 31 gusht 2005, ndërsa nuk ishte deklaruar lidhur me periudhën prej 1 shtatorit 2005 deri më 31 korrik 2006. Në këtë kontekst, Gjykata po ashtu, rithekson se Autoriteti i Likuidimit e kishte pranuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës si të bazuar duke u bazuar në Vendimin [C. nr. 237/200] e 16 gushtit 2015, të lëshuar nga Gjykata Komunale në Lipjan, e cila kishte aprovuar kërkesën e parashtruesit në shumën prej 3,120.00 € (tre mijë e njëqind e njëzet euro) si dhe shpenzimet e gjykatës ne shumë prej 219.00 € (dyqind e nëntëmbëdhjetë euro) për periudhën tetor 2003 deri gusht 2005.
Gjykata vëren se DHPGJS-ja dhe Kolegji i Apelit të DHPGJS-së refuzuan kërkesën e parashtruesit të kërkesës për pagesën e pagave për periudhën nga 1 shtatori 2005 deri më 31 korrik 2006 për shkak të mungesës së provave që vërtetojnë të drejtën e kompensimit për pretendimin në fjalë, të cilin konstatim Kolegji i Apelit të DHPGJS-së e bazoi në (i) vërtetimin e punës së bashkëngjitur nga parashtruesi, për të cilin dokument i njëjti vërtetoi se nuk përmban as datën dhe as vitin se kur është lëshuar e as numrin e protokollit; si dhe në (ii) formularin e kërkesës drejtuar Autoritetit të Likuidimit të AKP-së, ku parashtruesi kishte kërkuar shumën prej “3120+219 deri më 31 gusht 2005, nga kjo datë deri në ndërprerje të marrëdhënie të punës nga 140 euro në muaj”, e të cilën përvojë të punës nuk e kishte mbështetur me prova. Gjykata gjithashtu rithekson se DHPGJS-ja për vendosjen e këtij rasti, ishte bazuar, ndër të tjera, edhe në Vendimin [C. nr. 237/200] e 16 gushtit 2015, të lëshuar nga Gjykata Komunale në Lipjan.
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se procedurat e zhvilluara pranë DHPGJS-së dhe Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së: (i) nuk ngrenë ndonjë çështje të ndërlikueshmërisë së posaçme çka do ta bënte mbajtjen e seancës dëgjimore të domosdoshme, ndër të tjera, për faktin se aktgjykimet ishin bazuar edhe në një vendim të formës së prerë të shkallës së parë, respektivisht, Gjykatës Komunale në Lipjan; si dhe (ii) nga natyra e rastit rrjedh se DHPGJS-ja dhe Kolegji i Apelit të DHPGJS-së bazuar mbi parashtresa dhe materialet me shkrim kanë zgjidhur rastin në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme, për shkak se parashtruesi i kërkesës kishte dështuar të dëshmojë përvojën e punës për periudhën e kontestuar, ashtu siç e përcakton legjislacioni në fuqi.
Përkitazi me pretendimin për mos mbajtje të seancës dëgjimore, Gjykata në jurisprudencën e saj ka konstatuar shkelje në rastet kur Kolegji i Apelit të DHPGJS-së ka vlerësuar çështje të faktit dhe të ligjit duke e ndryshuar kështu vendimin e Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së në dëm të parashtruesve të kërkesës (shih rastin e Gjykatës KI145/19, KI146/19, KI147/19, KI149/19, KI150/19, KI151/19, KI152/19, KI153/19, KI154/19, KI155/19, KI156/19, KI157/19 dhe KI159/19, parashtrues Et-hem Bokshi dhe të tjerët, Aktgjykim i 10 dhjetorit 2020, paragrafi 81). Gjykata në jurisprudencën e saj po ashtu ka konstatuar se mos mbajtja e seancës dëgjimore nga Kolegji i Specializuar dhe Kolegji i Apelit të DHPGJS-së nuk bie ndesh me nenin 31 të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, për shkak se rasti karakterizohet nga çështje të “natyrës së lartë teknike” apo “ekskluzivisht ligjore” dhe se i njëjti mund të zgjidhet në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme bazuar në parashtresat dhe materialet tjera të dorëzuara nga palët (shih rastin e Gjykatës KI160/20 parashtrues Komuna e Gjilanit, Aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2022, paragrafët 98-105, KI80/23, parashtrues Behgjet Stoliqi, cituar më lart, paragrafi 53).
Sa i përket pretendimeve për zbatim të gabuar të ligjit nga Gjykata Supreme, Gjykata ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës KI128/18 parashtrues Limak Kosovo International Airport Sh.A. “Adem Jashari”, Aktvendim për Papranueshmëri i 27 majit 2019, paragrafi 56; dhe KI62/19 parashtrues Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 13 nëntorit 2019, paragrafi 58, KI80/23, parashtrues Behgjet Stoliqi, cituar më lart, paragrafi 54).
Duke vlerësuar procedurat e zhvilluara në tërësi në gjykatat e rregullta, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës përfitoi nga procedura kontradiktore dhe se ai ishte në gjendje të paraqes në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ai i konsideroi të rëndësishme për rastin e tij; ai ka pasur mundësinë të hedhë poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta dëgjuan dhe shqyrtuan të gjitha pretendimet e tij, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimin e kontestuar janë dhënë në hollësi dhe procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta (shih mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafët 29 dhe 30, shih gjithashtu rastet e Gjykatës nr. KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42, KI80/23, parashtrues Behgjet Stoliqi, cituar më lart, paragrafi 55).
Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohen me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, janë të papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese në “mungesë evidente të shkeljes” ashtu siç është përcaktuar me rregullin 34 (2) të Rregullores së Punës.
Përkitazi me pretendimin për ndalim të diskriminimit
Për sa i përket pretendimit tjetër të parashtruesit të kërkesës për ndalim të diskriminimit, Gjykata vëren se bazuar në jurisprudencën e konsoliduar të GJEDNJ-së në mënyrë që një çështje të ngrehet nën nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) aty duhet të ketë dallim në trajtim të personave në situata analoge ose që janë në mënyrë relevante të krahasueshme (shih, mes shumë autoritetesh tjera, rastin e GJEDNJ-së Khamtokhu dhe Aksenchik kundër Rusisë, nr. 60367/08 961/11, Aktgjykim i 24 janarit 2017, paragrafi 64). Me fjalë të tjera, kriteri për demonstrimin e pozitës analoge nuk kërkon që grupet e krahasuara (“comparator groups”) të jenë identike.
Në këtë drejtim, një parashtrues duhet të demonstrojë, duke pasur parasysh natyrën e veçantë të ankesës së tij apo të saj, që ai ose ajo ka qenë në një situatë që në mënyrë relevante është e krahasueshme (“relevantly similar situation”) me të tjerët që janë trajtuar ndryshe (shih rastin e GJEDNJ-së, Clift kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr.7205/07, Aktgjykim i 13 korrikut 2010, paragrafi 66). Megjithatë, jo çdo dallim në trajtim rezulton me shkelje të nenit 14 të KEDNJ-së. Së pari, GJEDNJ-ja në jurisprudencën e saj ka përcaktuar se vetëm dallimi në trajtim bazuar në karakteristika të identifikueshme, ose “status”, janë në gjendje të rezultojnë me diskriminim në kuadër të nenit 14 (shih rastin e GJEDNJ-së, Carson dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 42184/05, Aktgjykim i 16 marsit 2010, paragrafi 61). Së dyti, dallimi në trajtim është diskriminues nëse nuk ka justifikim objektiv dhe të arsyeshëm; thënë ndryshe, nëse nuk ndjek një qëllim legjitim ose nëse nuk ka marrëdhënie të arsyeshme të proporcionalitetit ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit që synohet të arrihet (shih rastin e Gjykatës KI215/21 parashtrues Arbër Shkreli dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 15 shkurtit 2022, paragrafi 87 dhe rastet e përmendura aty).
Përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për ndalim të diskriminimit, në rastin konkret, Gjykata duke zbatuar parimet e lartcekura të GJEDNJ-së të afirmuara nga vet ajo, vlerëson se parashtruesi i kërkesës nuk ka treguar apo identifikuar individin apo grupin në krahasim me të cilin është diskriminuar dhe me të cilin ai ka qenë në një situatë që në mënyrë relevante është e krahasueshme. Barra e të provuarit për trajtim diskriminues bie mbi parashtruesin e kërkesës çka bazuar në shkresat e lëndës është evidente se pretendimin për diskriminim ai nuk e ka provuar (shih rastin e Gjykatës, KI16/22 parashtrues Hamit Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2022, paragrafi 57 dhe referencat e përmendura aty).
Thënë këtë, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe duhet të refuzohen qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) dhe (2), si dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 31 janar 2024,
VENDOS
TA DEKLAROJË, me pesë (5) vota për dhe tre (3) kundër, kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
TË KONSTATOJË që ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtar raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Hazir Bublica
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile